• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRINCESHA E MIRDITËS (IN MEMORIAM)

March 20, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Ka lajme të cilat shpesh njeriu nguron t’i besojë. Kjo ndodh më tepër kur, objekt i tyre, është humbja e një njeriu të dashur, të cilin e ke takuar së fundi, madje para pak orësh, e je ndarë me të normalisht, pa të shkuar as nëpërmënd se ai mund të ishte takimi i fundit. Mund të filozofosh gjatë mbi brishtësinë dhe papashikueshmërinë e fundit të jetës njerëzore, për të qetësuar shpirtin e plagosur nga një humbje e pranueshme me vështirësi, por diçka mbetet që të sëmbon në shpirt në lidhje me bisedën që, papritmas, bëhet e fundit në jetën e një njeriu.

Më ndodh kështu tani, që marr penën për t’i bërë nderimin e fundit, nëpërmjet këtyre fjalëve të thjeshta që dalin nga thellësia e zemrës, një shoqeje të ngushtë të nënës sime, një bije të një familjeje mike të hershme të të parëve të mi, një gruaje fisnike, të njohur kur isha fëmijë në një kamp vdekjeje, në Tepelenë, një pasardhëseje krenare të një shtëpie të njohur të Shqipërisë së hershme të burrërisë e traditave të bukura, një princeshe të Mirditës, Bardhe Gjomarkaj, që u përcoll më 20 mars në banesën e fundit nga një shumicë e madhe familjarësh, bashkëvuajtësish dhe qytetarësh të Shkodrës.

Ajo u nda nga gjiri i familjes në datën 19 mars, kurse un u ndava prej saj në portën e jashtëme të shtëpisë së saj më 9 mars, mbas vizitës pothuajse të zakonshme, kur kthehem për pak ditë në Shqipëri, në shtëpinë e Gjomarkajve në Shkodër. Ishte një urim për një ritakim të shpejtë, një përqafim, si atëherë kur isha fëmijë, me ngrohtësinë e një nëne. Sepse ajo më kujtonte nënën e më fliste shpesh për të. Kishin kaluar bashkë vitet e tmerrshme të Tepelenës. Çdo ditë së bashku, në rrjeshtat mizorë të skllaveve, që do të ngarkonin drutë mbi shpina, për t’i sjellë në kamp apo për t’i çuar tek familjet e oficerëve në Tepelenë. Çdo ditë nën peshën e druve të diktaturës, për vite me rradhë  në moshën më të bukur të jetës, në çerek shekullin e saj të parë, në moshën e ëndrrave femërore për dashurinë, për familjen.

Për Bardhën dhe shoqet e saj ëndrrat ishin kyçur thellë në një sirtar të fshehtë, ndërsa jeta kërkonte prej tyre përballimin e kalvarit, mundin e tij. Kërkonte edhe një gjë tjetër, dinjitetin njerëzor në nivelet më të larta. Ky ishte dhe misioni më i vështirë që mori përsipër Bardha, sikurse motra Marta, si shoqet e vuajtjeve Elena, Hyrija, Xhina, Suzana, Cuba, Kunia, Rukija e shumë të tjera vajza e gra të familjeve fisnike shqiptare në kampet e internimeve të diktaturës. Shumica e tyre sot prehen në botën e së vërtetës, të qeta se me sjelljen e tyre, me qëndresën ndaj dhunës dhe provokimeve të saj, ruajtën dinjitetin dhe nderin e familjeve të tyre, që ishin familjet e shquara të shoqërisë patriarkale shqiptare. Ato gra meritojnë dafinat e lavdisë, jo vetëm të prindërve e bijve të tyre, por të gjithë shqiptarëve, sepse ato përfaqësuan gruan shqiptare në traditën e saj më heroike, më fisnike, më të bukur, më frymëzuese për brezat dhe historinë.

Bardha ishte bija më e vogël e Kapidan Gjonit të Mirditës. E gjithë jeta e saj është një vazhdimësi përndjekjesh që nga mosha e re e deri në frymën e fundit të regjimit. Përballoi me kurajë qytetare e me trimëri malësore ndarjen nga babai e vëllai Ndoi që u larguan nga atdheu, humbjen e vëllezërve martirë të lirisë, Markut e Aleksandrit, burra të ndritur të rënë në ballin e betejës antikomuniste, internimet, fatkeqësitë familjare si sëmundjen e gjatë të kunatës shejtneshë, Martës, mori përsipër rritjen dhe edukimin e mbesave të reja e nipit të vogël, punën e rëndë në kantieret dhe fushat e Shqipërisë, burgun në moshë jo më të re, burgun e burrit e, më pas, edhe humbjen e tij. Një grua fisnike e trimëreshë që nuk u thye asnjëherë, një grua e zgjuar që i zinte vënd fjala edhe në kuvende burrash, një grua e ëmbël që përballoi me stoiçizëm dhe mungesën e fëmijëve.

Ndryshimet e viteve të pas komunizmit do t’i sillnin dhe familjes së princërve të Mirditës kënaqësitë e saj. Ajo u kthye në shtëpinë e saj në Shkodër edhe se e gjeti atë pothuajse të shkatërruar plotësisht, por i dha mundësi të fuste kokën në strehën stërgjyshore. N’atë shtëpi u martua dhe Gjoni, nipi që përbënte shpresën e vetme të gjithë familjes së cunguar nga vdekjet dhe mërgimet. Gjoni, që arriti të zgjidhet deputet i Mirditës në Parlamentin shqiptar më 1996, qe dhe motivi i gëzimit të vërtetë të axhës Dedë e hallave Marta e Bardha.

Por fati mizor nuk deshi që ajo dritë e ndezur e shpresës, mbas një gjysëm shekulli errësire, të vazhdonte të ndriçonte fytyrat e lodhura. Gjoni u nda prej njerëzve të tij para kohe dhe ky qe grushti më i rëndë që pësoi familja, në të dhe Bardha. Atë hidhërim nuk arriti t’a përtypë e vitet e fundit qenë vite dhimbjeje të lehtësuar vetëm nga prania e bashkëshortes së Gjonit, që u bë për ata pleq të lodhur e të nderuar, fëmija e ëndërruar gjithmonë në truallin e shtëpisë.

Tashmë shpirti i bardhë i princeshës Bardha ka arritur parajsën. Besoj se ferrin dhe purgatorin i kaloi në jetën e saj 88 vjeçare në tokën shqiptare.

Ne na la buzëqeshjene saj të hijshme e kujtimet e shumë çasteve të vështira, të përballuara me zgjuarsinë dhe ëmbëlsinë e një princeshe, por edhe me fuqinë e vendosmërinë e një malësoreje.

Lamtumirë o bijë e denjë dhe e dashur e Shqipërisë fisnike, të qoftë i lehtë dheu i saj !

Mars 2013

Filed Under: Kronike Tagged With: Bardha Gjoni, Eugen Merlika, princesha e Mirdites

INAUGUROHET PAPA I TË GJITHËVE

March 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të martën Kisha Katolike zyrtarisht inauguroi Papën e ri Françeskun para qindëra mijëra pjesëmarrësish dhe në prani të përfaqsuesve nga më shumë se 132 vendeve, personalitete të larta politike dhe fetare, mbretër, kryetarë shtetesh dhe përfaqsues të feve të ndryshme, përfshirë edhe ata nga komuniteti mysliman dhe hebrej.   Media botërore vuri në dukje me interesim praninë e udhëheqsit botëror të ortodokësve të krishtërë, Patriark Bartollomeun, duke shënuar kështu herën e parë që një udhëheqës ortodoks merr pjesë në inaugurimin e një pape ç’prej përçarjes së madhe midis Ortodoksizmit dhe Katolicizmit, pothuaj një mijë vjetë më parë.Pasi përshëndeti dhe falenderoi udhëheqsit botërorë dhe delegacione të ndryshme nga mbarë bota si edhe trupin diplomatik, — në fjalimin e rastit — Papa Françesku foli për jetën e përditëshme, për jetën aktuale të të gjithë njerëzve, me të gjitha të mirat dhe vështirsitë, duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë dhe të gjithë popujve që të kujdesen dhe të mbrojnë të varfërit.   Ai pruri si shembëll, Shën Jozefin, si mbrojtsin dhe përkrahsin e familjes së shënjtë, duke thënë të pranishëmve se të gjithë duhet të jemi të tillë, “që të mbrojmë të tjerët, ashtuqë të mund të mbrojmë krijesën.”   Me një ton ekumenik, Papa Françesku u tha të pranishëmve nga e gjithë bota se, “Thirrja për të qenë ‘mbrojtës’ nuk u drejtohet vetëm të krishtërve”, pasi, sipas tij këjo fjalë “ka një dimension që është thjeshtë njerëzor dhe përfshinë të gjithë njerëzit…e që do të thotë mbrojtjen e të gjithë krijesave, e të bukurisë së botës…do të thotë respektim për secilin prej krijesave të Zotit, si dhe respektim për ambientin në të cilin jetojmë.”   Sipas Papës Françesk, ‘mbrojtës’ do të thotë gjithashtu “kultivim i miqësisë së sinqertë, në bazë të së cilës ne mbrojmë e përkrahim njëri tjetërin në besim, respekt dhe mirësi.   Sepse në fund të fundit, çdo gjë na është besuar neve që ta mbrojmë, dhe të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen e krijesave të Perendisë.   Të bëhemi, pra mbrojtës të dhuratave të Perëndisë”, tha Papa i ri.

Duke theksuar që “të mos kenë frikë nga mirësia”, Papa Françesku u bëri thirrje, sidomos,  “atyre që janë në detyra përgjegjësie në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore si dhe të gjithë burrave dhe grave të vullnetit të mirë, që të gjithë së bashku të veprojmë si ‘mbrojtës’ të krijesës, si mbrojtës të planit të Perëndisë ashtu siç është skalitur në natyrë, dhe njëkohësisht, si mbrojtës të njëri tjetrit dhe të mjedisit në të cilin jetojmë.”

Duke iu drejtuar personaliteteve të shumëta të politikës dhe udhëheqësve botërorë, Papa tha se “nuk duhet të harrojmë se fuqia ose pushteti politik i vërtetë bazohet në shërbimin ndaj të tjerëve”, duke shtuar se, “vetëm ata (pushtetarë) që shërbejnë me dashuri mund të mbrojnë” njerëzit dhe mjedisin.   “Mos të lejojmë që shënjat e shkatërrimit dhe të vdekjes të shoqërojnë përparimin e kësaj bote”, u tha Papa përfaqsuesve botërorë në Vatikan me rastin e inaugurimit të tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike

Fund javën që kaloi, Papa i ri u takua me përfaqësues të medias nga mbarë bota, dhe duke i përshëndetur ata me fjalët, “miqë të dashur”, ai foli për rolin e medias, si një rol i pazëvëndsueshëm që ajo luan në shoqërinë moderne në të cilën jetojmë.   Pastaj ai u foli mijëra gazetarëve botërorë – të cilët kishin shkuar në Vatikan për të mbuluar zgjedhjen e tij si Papë — mbi ato që ai cilësoi si “treshja e komunikimit”, që sipas tij janë: “E Vërteta, Mirësia dhe Bukuria”.   Papa Françesku u shpjegoi gjithashtu gazetarëve se si ai erdhi tek vendimi për të marrë emërin Françesk.   Ai u tha atyre se pasi u zgjodh nga konklava e kardinajve, kardinali brazilian, Claudio Hummes i përshpëriti në vesh duke i thënë: “Mos i harro të varfërit”   Fjala të “varfërit”, tha ai, “më mbeti në mendje dhe në zemër”, shtoi ai.   Papa u tha gazetarve se menjëherë më shkoi mendja tek Shën Françesku i Asisit, duke shtuar se, ‘’Shën Françesku ishte një njeri i paqës, njeri i varfër dhe një njeri që e donte dhe e mbronte mjedisin….Unë do të dëshiroja një Kishë të varfër dhe në shërbim të të varfërve”, u tha Papa gazetarëve botërorë.   Shën Françesku rrjedhte nga një familje aristokrate, nga jeta lluksoze e së cilës ai qe larguar për të jetuar me të varfërit e qytetit të tij.

Duke u uruar atyre çdo të mirë në punën e tyre dhe familjeve të tyre, Papa u kumtoi gazetarëve botërorë, bekimin në heshtje, për respekt shtoi ai, pasi “jo të gjithë të pranishmit i përkasin fesë Katolike dhe ka të tjerë që as nuk besojnë.   Unë respektoj ndërgjegjen e secilit prej jush, duke ditur se secili prej jush është fëmij i Perëndisë”, përfundoi Papa

Papa Françesku e përfundoi fjalimin me rastin e inaugurimit të tij dje, me një mesazh shprese për të gjithë, duke thënë se, “në mes të errësirës së madhe, ne sot kemi nevojë të shohim dritën e shpresës dhe të bëhemi burra dhe gra që sjellim shpresën për të tjerët.   Për të mbrojtur krijesat e Perëndisë, për të mbrojtur çdo burrë e grua, dhe duke i konsideruar ata me dashuri dhe dhemshuri, do të thotë të hapësh një horizont shprese për ta, si një dritë që depërton retë e zeza, e që sjellë ngrohtësinë e shpresës për të gjithë.”

Siç i tha gazetës Washington Post Arkipeshkvi Italian Giancarlo Maria Bregantini, Papa Françesku, “Nuk të le përshtypjen e një profesori.   Ai flet si një mik i yti.   Ai i thotë gjërat e mëdha me një ton të thjeshtë.’’  Si i tillë, shënjat e para – duke u bazuar në deklaratat e thjeshta por të sinqerta si dhe në sjelljet e deritanishme –janë se me inaugurimin dje të Papës Françesk, gjërat do të ndryshojnë në Vatikan për nga stili po se po, por duket se edhe nga përmbajtja.   Por vetëm koha do të tregojë se cili do të jetë roli që ai do të luaj dhe influenca që ai do të ushtrojë në të ardhmen, brenda Kishës që ai kryeson si dhe në mbarë botën.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Inagurohet Papa Frenacescu

Poetët e Marsit, 21 mars 2013

March 20, 2013 by dgreca

Nga Bedri Blloshmi/

Vilson Blloshmi sot do të ishte 65 vjeç, ndërsa kushëriri i tij Genc Leka do të ishte 72 vjeç./

Të dy nga fshati Bërzeshtë, filloren e mbaruan po në Bërzeshtë. Genci duke qënë më i madh disa vite, shkoi dhe ndoqi arsimin në qytetin e Elbasanit, madje dhe e ushtroi profesionin e mësuesit deri në vitin 1967. Vilsoni, edhe ky e mbaroi pedagogjiken në Elbasan më 1966, por me një ndryshim nga kushëriri i tij. Vilsoni nuk dha asnjë orë mësimi. Ishte një periudhë kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj, në lulëzim e sipër përsa i përket terrorit që u zhvillua mbi klasën e përmbysur në Shqipëri.

Genci do të rropatej në punët më të rënda në fermë, pyjore e gjithëkund duke u survejuar , duke u ndjekur këmba-këmbës nga minjtë e gjerizave, komunistët e gjerizave dhe sigurimi famëkeq. Genci ndiqej nga ky llumb shumkëmbshësh që nga viti 1959 deri më 31 gusht 1976, ditën që i hodhën prangat. Po ashtu Vilsoni. Të njëjtët zvarranik filluan ta survejojnë që nga viti 1963 deri më 5 gusht 1976, ditën që e prangosën.

Vilsoni do të punonte në kooperativë, në ndërmarrjen -Stavraj- dhe në minierën e Përrenjasit 1500 metra në thellësitë e nëntokës. Edhe në këto kushte këta iu nënështruan fatit duke ulur kokën, duke patur shok dhe bisedonim vetem me librin . Ata studionin përkthime, krijonin sipas mënyrës së tyre, ashtu gjithmonë në heshtje pa kundërshtuar asnjëherë dhe kur i ndëshkonin apo provokonin aty ku punonin. Ata të dy diskutonin me njëri-tjetrin dhe xhaxha Hasanin. Mirëpo terroristët koministë përsëri nuk i lanë atje ku u rezervuan atë fat për të dy intelektualët dhe poetët. Intriguan, shpifën, sajuan me shkresa që nga kriminelët e Tiranës Hysni Kapo, Ramiz Alia, Nauka Bozo, një Miti e ku di unë lloj-lloj plehërash, për t’i shpërndarë dhe për t’i bërë të besueshme në komitetet e partive të rrethit dhe në organizatat bazë të kriminelëve të partisë terroriste komuniste. Sajuan çfarë iu deshë, mbasi na ndërruan dhe akt akuzat, gjetën një formul tjetër e cila u garantonte vdekje të dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.

Gjyqin e bënë me dyer të mbyllura. Aty posht mësova se Vilsoni dorën e majtë e kishte gati të paralizuar nga torturat me pranga në birucat e Tiranës (tek rruga Mine Peza). Më 17 korrik, mbas 35 ditësh të lidhur kokë e këmbë me pranga e me zinxhirë i marrin në mes të natës, i pushkatojnë dhe i grposin në buzë të një përroi me emër të çuditshëm “Përroi i Firarit”.

Genci e Vilsoni tani ju duhet ta keni marrë vesh se unë i kam zbuluar të gjithë ndyrësirat e komunizmit në bashkëpunim me sigurimsat. Kam zbardhur tërë rrjetin e organizuar që në Bërzeshtë e deri në Librazhd, Tiranë, Elbasan dhe Lushnje. Të gjithë bashkëpuntorët e sigurimit, të gjithë informatorët, rezidentët, forcat e lira deri tek dëshmitarët që ju i pat me sytë tuaj që flisnin me kokën ulur duke u ngatërruar me gënjeshtrën. Genci dhe Vilsoni shumë nga këta sigurimsa, hetues, operativë e plot këlysh të tjerë të komunizmit i ka marrë në mbrojtje partia demokratike, I ka punësuar, i ka pasuruar duke i çuar në ato vende pune ku grabitet e vidhet më shumë. Madje o Genci, përkrahje shumë të veçantë i kanë dhënë informatorit, spiunit, dëshmitarit dhe hajdutit Aqif  Leka. Niti nga hajdut pulash në fshat i cili akuzohet dhe për një vrasje, e caktojnë në Librazhd kryetar partie të PD. Për ta ndihmuar e caktuan dhe drejtor të elektrikut ku mori veten shumë mirë duke vjedhur me faturat e energjisë elektrike. Mirëpo sigurimi e ndiente veten brrxhli ndaj kësaj familje hajdutësh, spiunësh e vrasësish dhe e bën dhe nënprefekt.

Pra, o Genci dhe Vilson dijeni mirë se me ne të tër (anëtarët e dy familjeve tona) zhvillohet një lloj lufte klasash, por e një lloji tjetër nga ajo e mëparëshmja. Ndërsa personat janë të ndryshëm, me të njëjtën partishmëri, sekretarët e partisë komuniste që zhvillonin luftën e klasës para ’90 –tës edhe tani po koministët (sekretarët e partisë) zhvillojnë luftën e klasave,duke i dhënë prioritet neo-komunizmit dhe sigurimit.

Pra shkurt o Genci e Vilson po nuk pate lidhje me komunizmin, po nuk pate lidhje me sigurimin, po nuk je bashkëpunëtor informator, denoncues apo të kesh kryer ndonjë krim, PD nuk të përkrah ky është realiteti i sotëm që po jetojmë. Asgjë nuk u vu në praktikë në ndryshimin e sistemit nga ato që më shpjegonit ju të dy nga leksionet e demokracisë. Këtu po përpiqen të ndryshojnë kapitalizmin komunistët e jo ashtu siç e mendonit ju.Cone më 7 Mars ne përcollëm Tetën  në banesën e fundit.Tani ata janë bashkuar të gjith Gjyshi, xhaxhi Hasani të kam thënë më përpara se ndërroj jetë në kampin shfarosës të Spaçit. Në krah të tyre është gjyshja që ti e varrose vet me ato duar në 27 Korrik 1967,kohë kur babai jonë ishte në burg. Në krah të gjyshes o Vili është mamaja jonë e cila për pak muj mbush 10 vjet që ka ndrruar jetë. Natën e 29 Marsit 1991 më lëshuan se skishte kush të më mbante më në burg. Kur vajta në shtëpi rreth orës 00 1 të mesit të natës Maman e gjeta zgjuar e di çfar tha kur më pa te dera e konakut-:Au erdhi Bedriu shyqyr o zot, a të ishte gjall dhe ai tjetri ”u ngrit nga vendi ku rrinte pas zjarrit nxitoj të më përqafonte por nuk mundi u shëmb në mes të konakut .U ula kur e kapa për ta ngritur pash se ajo ishte zverdhur, i kishte rënë të fikt…Ndësa ti Genci e di se Gjikën e ke në krah shumë afër ndërsa babain (Bardho Leka )shkrihet dalë  nga dalë në një vend disa kilometra larg .Jam interesuar e kam gjetur vend-varrimin në varrezat e Prizrenit, të kam shkruar më parë.Të kam thënë se miqët e tij më dhanë orën e cila vazhdon të punonjë, e ju o të shkret vazhdoni të kalbeni para kohe sepse dora gjakatare terroriste- komuniste ua këputën jetën në moshën më të mirë dhe ju groposën buzë një prroj të shkretë….Tika dhe Tina janë gjallë me shumë vështërsi jetojnë. Zhulli është shumë e lodhur .Vili Eni vazhdon e smurë lëngon në spitalet jasht vendit duke u torturuar nga kimioterapia. Diana e thinjur dalë nga dalë po jeton.Tani Gëzuar ditëlindjen 18 dhe 23 Marsin .Mos kini merak se prap do ju shkruaj kurrë nuk do ju harroj .Gëzuar gëzuar  o vëllezer o drita e jonë e përjetëshme.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Genc Leka, Poetet e Marsit, Vilson Blloshmi

SHOQATA CAMERIA KRIJON DEGE NE IZMIR

March 2, 2013 by dgreca

Themelohet në Izmir të Turqi, dega e Shoqatës Çamëria me pjesëmarrjen e shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar gjatë shkëmbimit të popullsisë në vitin 1923-1924/Idrizi: Amaneti ynë i përbashkët rikthimi në trojet amtare/

Idrizi takime edhe me deputetë me origjinë shqiptare në parlamentin turk/

Komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë të shpërngulur në Turqi, gjatë viteve 1923-1924 kanë themeluar në Izmir, Shoqatën për Kulturë dhe Bashkim të të shpërngulurve shqiptarë si dhe degën e Shoqatës Çamëria. Në takimin ku merrnin pjesë qindra shqiptarë të Çamërisë të vendosur me banim në qytetin e Izmirit merrte pjesë edhe kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, zoti Shpëtim Idrizi, Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, njëkohësisht zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës, zoti Ardian Tana, ish kryetari i kësaj Shoqate, zoti Servet Mehmeti, si edhe deputeti i Partisë për Drejtësi të Turqisë, njëherazi dhe kryetar i shoqatës së parlamentarëve Turqi- Shqipëri, zoti Rifat Sait, me origjinë shqiptare nga Drenica e Kosovës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët e çamërisë takohen pas 90 vjetësh dhe kanë mbajtur gjallë gjuhën shqipe, zakonet dhe kulturën. Ai theksoi se ky takim dhe krijimi i degës së shoqatës çamëria në një qytet si Izmiri në turqi , ku jetojnë mijra shqiptarë të shpërngulur nga trojet e tyre është një hap drejt bashkimit të shqiptarëve jo vetëm të çamërisë për të ruajrur vlerat dhe traditat e identitetit tonë kombëtar.

“Gjyshi im ja kaloi të drejtën babait tim, i cili ishte 2-vjeç kur erdhi në Shqipëri. Amanetin babai im ma ka kaluar mua bashkë me shokët e mi, e unë jam i bindur që të gjithë bashkë këtë amanet të fortë, këtë amanet që na i ka lënë zoti, këtë amanet mbi të cilin punohet e ndërtohet çdo ditë dhe që ka të bëjë me identitetin tonë, me të drejtat e njeriut, me mënyrën më paqësore që ne e shohim njëri-tjetrin do të jetë amaneti i bashkimit dhe jo përçarjes. Unë jam i bindur që me ndihmën e miqve tanë ne do të jemi qytetarë të një amaneti të realizuar. Së bashku me kryetarin e shoqatës “ÇAMËRIA”, njëkohësisht edhe zv/ministër i arsimit të Shqipërisë , ne kemi qënë vazhdimisht aktiv edhe në parlamentin shqiptar të kërkojmë që kudo, ku janë shqiptarët të kemi mundësi ta ruajmë gjuhën tonë, ta njohim kulturën, traditën. Edhe ne shqiptarët e çamërisë kemi mbijetuar falë një kulture dhe tradite të lashtë, e cila tregon që ne jemi një popull me rrënjë dhe një popull me rrënjë jo vetëm që nuk mund të zhduket, por rritet në mënyrë progresive duke shkuar drejt të drejtës së tij. Edhe në parlamentin shqiptar ne po punojmë për çështjen e çamërisë. Ne kemi bërë gati një rezolutë ku parlamenti do të shprehet, për nevojën historike të munguar për të drejtat e shqiptarëve të çamërisë, por siç e thashë flamuri jonë janë të drejtat e njeriut dhe ne jemi gati të vendosemi në krah të cdo etnie, kombi, që mbron këtë flamur”.

Hapja e degës së shoqatës “ÇAMËRIA”, shiriti i së cilës është prerë nga kryetari i PDIU-së, zoti Shpëtim Idrizi dhe deputeti i parlamentit të Turqisë, zoti Rifat Sait përbën një rëndësi të vecantë për komunitetin e shqiptarëve të shpërngulur nga çamëria, që jetojnë në Izmir, jo vetëm për lidhjen e ngushtë që do të kenë këtej e tutje më Shqipërinë, por edhe për ti ardhur në ndihmë të gjithë atyre, që kanë lindur në turqi e duan të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe traditat e çamërisë.

Gjatë qëndrimit në Izmir të Turqisë, kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi u prit në një takim miqësor nga kryetari Partsië për Drejtësi në zonën e Karshiakës, ku jeton edhe komuniteti më i madh i shqiptarëve të çamërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin midis dy komuniteteve i cili ka një rëndësi të veçantë. Ndërsa zoti Idrizi theksoi se ky bashkëpunim ashtu siç është edhe midis dy popujve miq, turk edhe shqiptar është një mbështetje për shqiptarët e çamërisë, të cilët 90 vjet më parë u shpërngulën padrejtësisht nga trojet e tyre, por gjetën një atdhe të dytë në Turqi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Cameria, dege ne Izmir, me origjine came, Shpetim Idrizi, takon deputetet

Gazlotsjellës ndaj protestuesve shqiptarë ne Shkup

March 2, 2013 by dgreca

Disa mijëra shqiptarë kanë dalë për të protestuar kundër dhunës që është ushtruar një ditë më parë ndaj shqiptarëve pas protestës së organizuar nga ish forcat e sigurisë maqedonase “Dinjiteti”.

Protesta që është organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ka nisur në orën 12:30 prej qendrës tregtare ”Çairçanja” dhe duke kaluar nëpër Bit Pazar për të vazhduar para Qeversisë së Maqedonisë, njofton korrespodentja e Radios Evropa e Lirë në Shkup.

Një pjesë e protestuesve ka tentuar të dilte nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, me ç’rast është përleshur me forcat policore.

Protesta thuhet se ka dalë jasht kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të gjuajnë mbi objektet bri rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”.

Me këtë rast, forcat e sigurisë kanë shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur dhe autoblinda, të cilët kanë zmbrapsur protestuesit. Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit, që hidhnin gurë dhe mjete të forta drejt policisë.

Ndryshe Hazret Jakupi, një nga organizatorët ka deklaruar se protesta nuk është e drejtuar kundër askujt, por shpreh dhimbjen dhe indinjatën për rrahjen e fëmijëve shqiptarë.

“Ne nuk duam incidente, duam paqe. Mjaft ishte rrahja e fëmijëve shqiptarë”, ka deklaruar Jakupi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: gazlotsjelles, Kunder, Shkup, shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT