Krahas lirimit nga akuza për shkaktim lëndimi, atij i paguhen 7821 franga si dëmshpërblim ndërsa për 28 ditët sa është mbajtur në burgun e hetimeve, i jepen edhe 4000 franga të tjera/
Në vitin 2010 në hyrjen e një diskoteke në qytetin Winterthur një mysafir turk po bënte probleme. Ai madje i sulet njërit nga katër rojet e portës të cilin e godet me grusht. Pastaj, njëri nga rojet e tjera, shqiptar nga Kosova e godet sulmuesin dhe e rrëzon, duke i thyer dhe hundën. Ndërsa rojet e tjera hidhen mbi turkun dhe e rrahin keq atë me grushte dhe shqelma. Ai pëson me këtë rast lëndime të ndryshme, veç tjerash edhe tronditje truri.
Gjykata e Qarkut në Winterthur u kishte shqiptuar bodigardëve dënime me kusht, me të holla. I vetmi që e kishte ushtruar të drejtën e ankesës ishte shqiptari. Dhe, të enjten e javes që shkoi ai po qëndronte para trupit gjykues të Gjykatës së lartë të Cyrihut duke këmbëngulur në pafajësinë e tij. Ai, sipas versionit të tij, ka reaguar vetëm për të qetësuar situatën por nuk ka marrë pjesë në rrahje. Kështu ka thënë edhe avokati i tij, i cili ka kërkuar lirim nga fajësia. Ai ka bërë fjalë për masat thjesht preventive dhe tejet profesionale që ka ndërmarrë i mbrojturi i tij. Këtë e tregon edhe videokamera, ka thënë ai.
Trupi gjykues është bindur nga kjo dhe ka shpallur të pafajshëm shqiptarin, duke i hequr dënimin e shqiptuar nga gjykata më e ulët. Sipas Gjykatës së Lartë të Cyrihut, Gjykata e Qarkut e Winterthurit ka vepruar në mënyrë paushalle, duke trajtuar njësoj të gjithë të përfshirët në zënkë. Kështu, ajo ka shpërfillur pamjet nga kamera që tregojnë se i përmenduri ka vepruar në qetësimin e situatës. Kryesuesi i trupit gjykues ka vlerësuar qëndirmin e të liruarit, duke konstatuar se ai ka vepruar ashtu si e kërkon profesioni i tij. Për këtë arsye, krahas lirimit nga akuza, shqiptarit i paguhen 7821 franga si dëmshpërblim ndërsa për 28 ditët sa është mbajtur në burgun e hetimeve atij i jepen edhe 4000 franga të tjera.(kortezi AlbInfo.ch)