• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMBASADORI ARVIZU KESHILLON ALEANCEN KUQ E ZI

January 29, 2013 by dgreca

Arvizu – Spahiut: Shmangni rrëshqitjen në retorika nacionaliste/

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu është takuar sot me kreun e aleancës “Kuqezi” Kreshnik Spahiu.
Takimi mes ambasadorit Arvizu dhe Spahiut është zhvilluar në zyrat qëndrore të kësaj force politike ndërsa në fokus të bisedimeve kanë qënë zgjedhjet e 23 qershorit.
Në një prononcim për mediat pas takimit, ambasadori Arvizu ka vlerësuar konkurrencën në politikë por ka këshilluar të shmanget rrëshqitja drejt retorikës nacionaliste.
“Konkurrenca politike është gjë e mirë, në çdo lloj demokracie duhet të ketë një konkurrencë të tillë. Për këtë arsye vlerësojmë pjesëmarrjen e saj aktive në këtë fushatë. Kemi folur për platformën, theksin e fortë që kanë, shtetin ligjor dhe antikorrupsionin. Ne gjithashtu folëm për atë që është e rëndësishme për çdo parti në vend dhe SHBA, që të flitet në mënyrë të moderuar për vazhdimësinë në rajon prandaj e kam nxitur Spahiun në këtë kuptim që patriotizmi është gjë e mirë, por është e rëndësishme që në axhendën tuaj të shmanget tundimi që të rrëshqitet drejt retorikës nacionaliste, e cila mund të jetë kundër stabilitetit dhe moderacionit për të cilën folëm dhe kemi marrë garanci prej tij dhe lidershipit të AK-së që në fakt politika e tyre do të jetë siguria” tha Arvizu.
Ndërsa kreu i AK-së Kreshnik Spahiu është shprehur se forca politike që ai përfaqëson do të publikojë platformën politike e cila do të ketë në fokus luftën kundër korrupsionit.
“Shqipëria është në prag të zgjedhjeve më vendimtare për shqiptarët, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe për të ardhmen e procesit të gjithë shqipatreve në rajon dhe natyrisht për standardet e integrimit ta gjithë shqiptarëve na BE. AK tashmë do ta prezantoja programin dhe platformen e saj të orientuar në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, për ta nxjerrë për të parën herë nga harta e zezë Shqipërinë, si një nga vendet më të korruptuar në të gjithë Europën si një nga vendet e përfshira në trafiqe dhe me probleme të krimit të organizuar ” tha Spahiu.
Ai ka theksuar gjithashtu se AK-ja do të kërkojë edhe hartimin e një ligji për kufizimin e mandateve të lidershipit politik.
“Aleanca “Kuqezi” do të kërkojë një ligj për vendosjen e standarteve ashtu si në SHBA-ja ku ndryshon lideri edhe në Shqipëri të kufizohet mandati i lidershipit politik shqiptar, jo më shumë se dy mandate, duke filluar nga kryetarët e komunave, të bashkive, kryeminitri, presidenti, liderët e partive, etj” tha Spahiu.(BS)

Filed Under: Kronike Tagged With: Aleanca Kuq e Zi, ambasadori Arvizu, keshillohet nga

IRANI SHPALL ARMIQ ZERIN E AMERIKES DHE BBC

January 29, 2013 by dgreca

-”Çdo qeveri që nuk duron kritikat e botuara, meriton të  bjerë.”-Tomas Xheferson/

Ne Foto: Fotot e gazetarëve iranianë të arrestuar — marrë nga portali i organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij/

Nga Frank Shkreli/

Mediat ndërkombëtare dhe organizatat për mbrojtjen e gazetarëve njoftuan të djelën për arrestime të reja gazetarësh në Iran, përfshirë edhe korrespondentët e Zërit të Amerikës dhe BBC-së, dy enteve të mëdha të lajmeve ndërkombëtare, të akuzuar për bashkpunim me media të huaja në gjuhën persisht dhe për lidhje, me ato që Irani cilëson, si grupe dhe media ”kundër-revolucionare”, që sipas autoriteteve iraniane bashkpunojnë me kundërshtarët e regjimit.Regjimi i Teheranit i konsideron entet ndërkombëtare të lajmeve, siç janë Zëri i Amerikës dhe BBC-ja, si organizata armiqësore. Lajmet bëjnë të ditur se shumë iranianë dëgjojnë dhe shikojnë programet radio-televizive në gjuhën persishte të Zërit të Amerikës dhe të BBC-së. Sipas lajmeve të bazuara në burimet nga Irani, thuhet se të pakën 14 gazetarë që punojnë për media të ndryshme reformiste të Iranit u arrestuan të shtunën dhe të djelën dhe janë lëshuar fletë-arrestime edhe për disa të tjerë.

Në një njoftim për media, të titulluar Djela e Zezë, organizata franceze Korrespondentët pa Kufij, thotë se udhëheqsi suprem i Iranit, Ali Khamenei po e shton luftën kundër gazetarëve, duke cituar Sekretarin e Përgjithëshëm Chistophe Deloire se në Iran, ”Persekutimi i gazetarëve po intensifikohet nga dita ditë. Irani ende nuk ka dalur nga periudha e terrorit që filloi pas zgjedhjeve të kundërshtuara për president në vitin 2009, dhe tani pesë muaj para zgjedhjeve të ardhëshme në Qershor të 2013-ës — autoritetet iraniane po dërgojnë një paralajmërim të qartë se gazetarëve dhe medias do t’i mbyllet goja.” Organizata për mbrojtjen e gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij, bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë gazetarëve që tani mbahen në burgjet e Iranit. Autoritetet duhet që u japin fund menjëherë këtyre valëve arrestimesh, qëllimi i vetëm i të cilave është që të sigurojë stabilitetin e regjimit dhe mbijetesën e tij. Përpjekje të tilla janë të destinuara të dështojnë, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate. Prokurori i Përgjithëshëm i Iranit Gholam Hossin Mohseni Ejehi citohte të ketë thënë me kërcënim gjatë një konferencë shtypi me 21 janar se, ” më kanë ra në dorë informacione të besueshme se disa gazetarë në Iran janë duke bashkpunuar me perendimorët dhe me kundër-revolucionarët jashtë vendit.”

Edhe organizata tjetër e njohur për mbrojtjen e gazetarëve anë e mbanë botës, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qendër në Nju Jork, reagoi ashpër ndaj arrestimeve të gazetarëve në Iran duke cituar drejtorin e kesaj organizate për Lindjen e Mesme, Sherif Mansour se,  ”Me këtë valë arrestimesh duket se autoritetet iraniane po përpiqen, që në mënyrë paraprake, të heshtin median e pavarur para zgjedhjeve presidenciale të Qershorit.”  Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve iraniane, që të, ”lirojnë të gjithë gazetarët e burgosur dhe të ndalojnë njëherë e mirë përpjekjet e vazhdueshme që përdoren për të cilësuar kritikët e regjimit si armiqë të shtetit.”

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Irani është në vendin e dytë si vendi më i keq për burgosjen e gazetarëve, në të njëjtën ligë me Turqinë dhe Kinën.

Iran has taken a hard line on journalists and bloggers in recent years, following the crackdown on the massive protests that took place over the disputed 2009 election.

Humbja e lirisë së medias dhe e gazetarit për të kryer detyrën e vet një vend, është humbje e lirisë së shtypit në çdo vend.    Sulmet kundër gazetarëve në Iran, Turqi, Kinë, Rusi dhe gjetkë duhet të jenë një shqetësim për të gjithë ata që besojnë jo vetëm në lirinë e shtypit por edhe në paqë e demokraci.   Dihet se gjatë historisë ishin diktatorët të cilët nuk besonin në lirinë e askujt — as të lirisë personale as të lirisë së shtypit — ata të cilët shkaktuan gjencide dhe vrasje të miliona njerëzve. Ata kryesorët dihen: Hitleri thuhet të ketë vrarë rret 14-milionë vetë Stalini ia ka kaluar këtij duke vrarë mbi 20-milionë, Mao Tse Tungu ndoshta edhe më shumë se Stalini, pastaj Pol Poti dhe ”stalinët” e vegjël komunistë si Ennver Hoxha i ynë, dhe diktatorët e të gjitha ngjyrave anë e mbanë botës.   Prandaj promovimi dhe mbrojtja e lirisë së shtypit kudo në botë, është promovim i demokracisë dhe si rrjedhim është promovim i paqës në botë, pasi historikisht janë shtetet diktatoriale ato që kërcënojnë paqën dhe demokracinë në botë.

Fillozofi dhe teoristi moral dhe politik britanik i 1880-ave, Xhon Stuart Mill ka thënë se, ”nëqoftse i gjithë njerëzimi do të ishte i të njëjtit opinion, me përjashtim të një personi, njerëzimi nuk do të ishte më i justifikuar të heshtë atë person,  se sa të heshtë të gjithë njerëzimin”.   Për më tepër, Xhon Stuart Mill, ka thënë se ”Nëqoftse heshtim një opinion, të gjithë e dimë se, jemi duke heshtur të vërtetën”, dhe se ”një opinion i gabuar mund të ketë në vetvete një të vërtetë të vogël, që është e nevojshme për të zbuluar të vërtetën në terësi.”

Pa marrë parasyshë se për cilin shtet, qeveri ose regjim bëhet fjalë, kur vjen puna tek liria e shtypit ose mohimi i kësaj lirie, sipas Tomas Xhefersonit, autorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara,  ”Çdo qeveri që nuk duron kritikat e botuara, meriton të  bjerë.”  Kjo thënje e Xhefersonit i përshtatet regjimit tiranik të Iranit dhe gjithë regjimeve diktatoriale të cilat nuk durojnë kritikat nga shtypi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: kritika Iranit, prova me mejmun, SHBA

SHQIPTARËT E AMERIKËS PROTESTUAN PARA OKB-së PËR TË DREJTAT E MOHUARA TË SHQIPTARËVE NË LUGINËN E PRESHEVËS

January 28, 2013 by dgreca

Komisioni organizator ka dërguar me këtë rast një Memorandum në drejtim të Kombeve të Bashkuara, Administratës amerikane, Senatiti dhe Kongresit Amerikan, organizatave ndërkombëtare  për Liritë e të Drejtat e Njeriut etj./

Ashtu siç ishte paralajmëruar, të hënën, 28 Janar 2013, prej orës 11:00 deri në orën 14:00 para selisë së OKB-së në Nju Jork, u organizua një protestë për të drejtat e mohuara të bashkatdhetarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”. Protesta kishte ditë që përgatitej. Pas dy takimeve në Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i dyti u organizua të dielën me 27 Janar, ku dhe u diskutuan masat më të fundit për realizimin e protestës si dhe memorandumin qe do t’u drejtohej zyrtareve amerikane. Kjo proteste erdhi si kundërshti me vendimin e autoriteteve serbe për të hequr përmendoren e UÇPMB-së në qendër të Preshvës dhe shkeljen e të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pas takimit të parë të organizuar në Shtëpinë e Vatrës, gazeta e Vatrës, Dielli, pat publikuar një thirrje drejtuar  shqiptarëve. Ne te shkruhej: “Bashkëdhetarë! Kjo protestë merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm për situatën e tensionuar të krijuar në Luginën e Preshevës pas ndërhyrjes brutale të makinës ushtarake policore serbe, që na kujton kohën e Millosheviçit, por edhe për mbarë çështjen tonë kombëtare. Serbët po tentojnë të marrin inisiativën dhe nga xhelatë po hiqen si viktima! Nuk njohin shtetin e Kosovës për minoritetin serb në Kosovë, nga ana tjetër u mohojnë të drejtat shumicës shqiptare në Luginën e Preshevës.  Bashkatdhetare; Lereni pak orë punën dhe merrni pjesë në këtë protestë mbarëkombëtare. Jemi të gjithë shqiptarë të Preshevës në këto çaste tensioni. Le të protestojmë me kulturë dhe rregull!”.

Edhe pse moti ishte i pafavorshëm, binte shi dhe borë bashkë, frynte erë, por protesta u organizua, madje me rregull dhe disiplinë. Krahas organizatorëve nga Lugina e Preshevës, organizatat dhe shoqatat e komunitetit, ndihmuan që kjo protestë të përcillte mesazhe të qarta. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Fondacioni Plavë dhe Guci, Rrënjët Shqiptare, Shoqata Rugova, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane,  i dhanë tonin protestës. Të pranishëm në protestë ishin edhe diplomatët shqiptarë, Dritan Mishto Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York dhe Fatmir Zajmi, Konsull i Republikës së Kosovës në New York.

Mes protestuesëve kishte dhe studentë të shkollave amerikane. Protestuesit mbanin ndër duar parulla, që përcillnin mesazhet e protestës, si : “Serbia është duke nxitur një luftë tjetër Ballkanike” , “Nadl! Spastrimin Etnik!” , ” Daçiçi – Millosheviç – Daçiç = Fashist” , “Shqiptarët në Serbi, dëshirojnë të njëjtat të drejta si edhe ata të Serbisë në Kosovë ” ,  Serbia duhet t’i kthehet Paqes” etj…

Demonstrimin paqsor e ka hapur kryetari Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafa, i cili përcolli mesazhin e qartë se”pa zgjidhur problemin e të drejtave të mohuara të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia do ta ketë të mbyllur rrugën për në BE.”

Z. Avni Mustafa ishte drejtuesi i protestës. Ai ftoi në foltore radhazi folsëit, që përfaqësonin Shoqata dhe organizata të ndryshme politike dhe kulturore.

Një ndër organizatorët e protestës, Shaban Mehmeti, përcolli një mesazh të plotë të Partisë për veeprim Demokratik, me kryetar Riza Halimi, deputet në Parlamentin e Serbisë. Në mesazh thuhej:” Tensionet e fundit në Preshevë rreth lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së janë vetëm një segment i kompleksit të problemeve të rënda jetësore që janë pasojë e statusit të pazgjidhur politik të shqiptarëve në Luginën të Preshevës.Eshtë me rëndësi të theksohet se programi qeveritar i shkurtiti 2001 për zgjidhjen e krizës në rajonin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, që u përfshi në Marrëveshjen e Konçulit të 20 majit 2001, në pjesën më të madhe ngeli i parealizuar. Andaj edhe gjendja ekonomike jo që nuk u permisua, por më e rëndë se edhe gjatë regjimit të Millosheviqit. Kështuqë shkalla e papunësisë aktualisht është mbi 70 për qind kurse tëardhurat kombëtare për banorë janë rreth shtatë herë më të ulta se mesatarja përkatëse në nivel shtetërorë.
Në mesazhin që përcolli z. Mehmeti theksohej fakti se: në 12 vitet e kaluara shumë më pak u punua për integrimin e shqiptarëve në strukturat publike, ashtuqë në shumë institucione të nivelit lokal, rajonal dhe shtetërorë edhe më tutje nuk ka të punësuar shqiptarë, apo numëri i tyre është simbolik. Në periudhën 1999-2001 në kushte të luftës dhe gjendjes së jashtëzakonëshme u dëbuan mbi 10.000 Shqiptarë dhe shumica dërmuese e tyre ende nuk është kthyer në vatrat e tyre.
Mesazhi vijonte: Në Luginën e Preshevës ekzistojnë probleme serioze të qarkullimit të lirë, sepse në komunat e Preshevës dhe të Medvegjës, përveç rrugëve magjistrale që lidhin Preshevën me Gjilanin dhe Medvegjën me Prishtinën të gjitha rrugët e tjera lokale janë të mbyllura që nga Lufta e Kosovës.

Po ashtu problem mbetet moshapja e tri pikave të kalimit kufitar me maqedonië. Edhe pse vendimi është marrë që më 2005, asnjë pikë e tillë nuk është ndërtuar.

Aktualisht problem më I rëndë I shqiptarëve të të Luginës është shpërngulja dhe largimi i Shqipëtarëve nga vatrat e tyre, për shkak të dhunës shtetërore, që po ushtrohet në vazhdimësi që nga lufta në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës e gjer në këto ditë kur në vazhdimësi po i imponohet gjendje e jashtëzakonëshme me prezencë dhe dhunë të ushtruar të forcave speciale të policisë.
Ëështë shumë e qartë se qeveria e Serbisë në vend të plotësimit të obligimeve që dalin nga programi i saj për Luginën e Preshevës që u përkrah nga faktori ndërkombëtarë po imponon vetëm projekte dhe dhunë militare jo vetëm me largimin e dhunëshëm të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, dhe provokimin e rëndë me anë të memorialit për policët special serb të vrarë gjatë kryengritjes së Shqiptarëve kundër represionit të regjimit të Millosheviqit, por edhe me ruajtjen e shumë minibazave të ushtrisë dhe xhandarmarisë serbe në Zonën e Sigurisë Tokësore, edhe pse në afërsi të Bujanovcit u ndërtua baza ushtarake, e cila kushtoi më shumë se të gjitha projektet e infrastrukturave komunale dhe të veprimtarive publike në Preshevë dhe Bujanovc.
Mesazhi përfundonte me konsttaimin: ” Në këtë stuatë të rëndë , të angazhimit të pamjaftueshëm të bashkësisë ndërkombëtare, Lugina e Preshevës gjendet para rrezikut që pastrimi etnik i kryer të zgjerohet edhe në Preshevë e Bujanovc.”

Më pas e ka marrë fjalën kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes, dr. Gjon Buçaj. Kryetari i Vatres solli pershendetjet e vatranevet dhe mesazhin e perkrahjes se tyre te plote per popullin shqiptar te Lugines se Presheves, duke denuar shembjen e lapidarit perkujtimor te deshmoreve te lirise, si nji akt terrori shteteror. “Te gjithe na qe jemi bashkue ketu”, shtoi ai, “deshmojme solidaritetin e te gjithe shqiptarevet te Amerikes, se bashku me te gjithe shqiptaret tjere kudo jane, ne trojet stergjyshore dhe ne diaspore.”. Ai veleresoi reagimin e popullates lokale shqiptare si “reagim civilizues e paqesor por i vendosur” dhe komentoi se shqiptaret jane paqedashes e jo agresive, “por mos i veni shqiptaret me shpatulla per mur duke u shkelur lirine e te drejtat e tyre njer’zore”. “Akti i policise serbe asht kjartas akt terrorizmi shteteror, nje hap i rrezikshem i qeverise serbe ne drejtim te shkatrrimit te paqes ne rajon. Besojme se edhe kombi serb ka nevoje per paqe, mbas gjithe ati gjaku dhe tana atyne masakrave qe u bane n’emen te tij ne Balkan, dhe ka nevoje te integrohet ne familjen e kombeve paqesore e te civilizueme” . “Shqiptaret e Presheves, Bujanovcit e Medvegjes duhet te gezojne, minimum, te gjitha ato te drejta qe Serbija kerkon per minoritetin serb ne Kosove!”, perfundoi ai. “Rrnofshin shqiptaret e Lugines se Presheves! Jemi te gjithe me ta!”.

Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto, pasi pershendeti organizatoret dhe protestuesit, perifrazoi kryeministrin Berisha. Ai tha se procesi i bashkimit të shqiptarëve u bën mirë edhe fqinjëve tanë, çlirimit të tyre nga albanofobia. Ai i konsideroi të të papranueshme qëndrimet e fundit të serbëve në Preshevë.

Kanë përshëndetur: East Gjonbalaj nga Fondi Plavë- Guci, Marko Kepi-president i “Rrënjët Shqiptare”, Endri Merxhushi  nga shoqata Çamëria , kryetari i Legalistëve në Amerikë Hakik Mena, Musa Paçuku nga Shoqata Dibra, Martin Shkreli nga KKSHA, kryetari i degës së Vatrës në Hudson Valley ne New York, Elmi Berisha etj.

 Komisioni organizator ka dërguar me këtë rast edhe një Memorandum në drejtim të Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatiti dhe Kongresit Amerikan, organizatave ndërkombëtare prestigjoze për Liritë e të Drejtat e Njeriu etj..

Në Memorandum ndërtë tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës. Ndër të tjera në Memorandum shkruhet:”Sjellja e qeverisë serbe, thuhet në Memorandum, nuk ka vend në Evropë, sidomos tani që Serbia pret datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke bërë thirrje që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në veri të Kosovës dhe që përmendorja të kthehet aty ku ishte vendosur.” (Korresp i Diellit)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, e shqiptareve te Amerikes, Lugina e Presheves, proteste

DITA E KUJTESES NE OKB

January 28, 2013 by dgreca

– OKB: U shënua 27 janari, dita Ndërkombëtare e Holokaustit me një serë veprimtarishë në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York/

– Shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët – u kujtua në ditën Ndërkombëtare e Holokaustit në OKB – Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit : “Shqiptarët një shembull i pashembulltë në të gjithë botën” për mbrojtjen e herbrenjëve./

-“Rrefimi i jashtezakonshem i Shqiperise, ku nje komb i tere, si popullate, ka vepruar bashkerisht per t’i shpetuar hebrenjte, eshte nje rrefim i papershkrueshem. Shqiperia e Luftes se Dyte Boterore u be streha me e sigurt e hebrenjve te perndjekur nga nazizmi. Me qindra çifute u mirepriten dhe nuk u tradhetuan kurre nga familjet mbajtese”./

Nga BEQIR SINA, New York/

OKB – NEW YORK : Dy sallone të mëdha me fotografi dhe piktura u hapën për publikun në katin e parë të ndërtesës së OKB -ës, në New York. Ekspozita këto që u vizituan këto ditë nga mijëra viztorë, shumica e tyre turistë të huaj u hapën në Lobin e Visitorve në Selinë e Kombeve të Bashkuara. Të dyja ekspozitat u hapën në fillim të javës së kaluar e martë,22 janar dhe u mbyllën mbrëmë me 27 janar. Ato ishin si pjesë e një serie – të aktiviteteve javore që zhvilloi Organizatat e Kombeve të Bashkuara në Përkujtimim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit, e cila është dedikuar në nderim të viktimave të Holokaustit, 27 janarit, në përputhje me temën e respektimit të këtij viti, “Shpëtimit gjatë Holokaustit: Guximit Kurajos dhe të Kujdesit”.

Hapja dhe mbyllja e kësaj ekspozite, e cila organizohet dekadën e fundit vit për vitë në në Selinë e Kombeve të Bashkuara, shoqërohet me një ceremoni të përbashkët zyrtare dhe pritjes që jepet në Galerinë Kryesore të Lobit Visitorve. Kësaj rradhe ekspozita ishte titulluar “Bota e dinte – Misioni Jan Karski për njerëzimin” dhe “Kushdo që shpëton një jetë më vete … Shpëtuesit e hebrenjve gjatë Holokaustit”.

Pavioni i parë tregon jetën e Jan Karski, një oficeri i ri polak dhe ish diplomat në Ministrinë e Jashtme për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u fokusuar veçanërisht në misionin që ai ndërmori si një shpëtimtarë.

Pavioni i dytë përbëhej nga foto, objekte, dokumente dhe video- filma bardhë e zi, me tregimet e më shumë se 40 shpëtimtarëve – hebreje dhe jo-hebre – që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrejtë gjatë Holokaustit.

Një pjesë të rëndësishme në këto veprimtari në Kombet e Bashkuara zunë edhe pavionet e ekspozitës të cilat lidhen me tregimet heroike të katër shpëtimtarëve: Gazetarit nga Shtetet e Bashkuara Varian Fry i cili ka ndihmuar mijëra Jewish të shpëtojnë nga pjes e kontrlluar në Vichy- Francë;Qytetari italiani Lorenzo Perrone, që shpëtoi jetën e disa Jewish-ve të tjerë. Primo Levi, i cili gjatë burgimit të tij në Aushvic; nëpërmjet një punëtore shoqërore Irena Sendler, ka punuar nëpërmjet organizatës Zegota në mënyrë “nëntokësore” për të kontrabanduar fëmijët hebrenj nga getot e Varshavës dhe për të gjetur vende të sigurta për t’i fshehur. Një pavion të veçantë zuri edhe Shqipëria, njëri prej shpëtimtarëve Veselis, një shqiptarë që shpëtoi jetën e një familje hebreje, familjes Mandili, duke u fshehur ato në shtëpinë e tyre.

“Bota e dinte – Misioni Jan Karski për njerëzimin” është kuruar nga Muzeu Historik polakë në Varshavë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe bashkë-sponsorizuar nga Misioni i Përhershëm i Polonisë në Kombet e Bashkuara, me temën “Kushdo që shpëton një jetë më vete … Shpëtuesit e hebrenjve gjatë Holokaustit” dhe është paraqitur nga Fondacioni hebre në SHBA.

Aktivitetet e përkujtimit të Holokaustit në Kombet e Bashkuara – u udhëhoq nga Muzeu i Holokaustit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara Outreach i Departamentit të Informimit Publik.Programi, është i themeluar nga Asambleja e Përgjithshme sipas Rezolutës 60/7, e cila synon të mobilizojë shoqërinë civile për përkujtimin e Holokaustit dhe edukimit, në mënyrë për të ndihmuar në parandalimin e akteve të ardhmen e genocidit.

Kombet e Bashkuara shënuanë gjatë gjithë kësaj jave në New York, Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të holokaustit Veprimtaritë e organizuar në New York dhe rreth e përqark botës ishin të fokusuar në njohjen e guximit dhe dhembjen e shpëtimtarëve të shumtë të të gjitha besimeve dhe kombësive që shpëtuan jetën e hebrenjve dhe të tjerëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shpëtimtarët gjatë Holokaustit: Guximi Kurajo dhe Kujdesi” ishte tema që paraqiti këto ditë Departamenti i Programit të Informimit Publik të Holokaustit, pranë Kombeve të Bashkuara që të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të holokaustit

Javë e aktiviteteve të Përkujtimit, ka kulmuar më 27 janar me ceremoninë dy-orëshe të quajtur Holokaust Memorial dhe që u mbajtë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Ceremonia, u organizua nga Peter Launsky-Tieffenthal, Nën-Sekretari i Përgjithshëm për komunikim dhe informim publik në Kombet e Bashkuara . Kjo ceremoni përfshiu edhe një video mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon, e ndjekur nga një deklaratë të dhënë nga Raymond Serge Bale, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kongos në OKB dhe Zëvendës-President i sesionit të 67 të Asamblesë së Përgjithshme, Ron Prosor, Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit, dhe Signe Burgstaller, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Suedisë, gjithashtu ka bërë deklaratë.

“Ata që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë dhe të tjerët prej shfarosjes masive në Luftën e Dytë Botërore janë bërë sot frymëzim për kurajon për të luftuar për një botë më të mirë,” tha në një video mesazh Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon në veprimtarinë që u zhvillua në Kombeve të Bashkuara, gjatë kësaj jave në New York.

“Le të jetë ajo sot për të frymëzuar njerëzimin nga ata që kishin kurajon, guximin për t’u kujdesur – ata ishin njerëzit e zakonshëm që morën hapa të jashtëzakonshme për të mbrojtur dinjitetin njerëzor,” tha zoti Ban në një video mesazh të transmetuar këtë javë në një ceremoni të mabjtur para Asamblesë së Përgjithshme për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit.

Respektimi edhe këtë vit i Ditës Ndërkombëtare të Holokausit është ndërtuar rreth temës “Shpëtimi gjatë Holokaustit: Kurajo dhe Guximi për Kujdesje,” profilizimin e shpëtuesit individualë –
Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban, vuri në dukje se këtë vit ky aktivite zhvillohet kur po shënohet edhe 50 vjetorin i Programit të Kombeve të Bashkuara në memorialin Yad Vashem në Izrael, i cili është i përkushtuar për të identifikuar dhe shpërblimin heronjëve të tillë nëpër botë.

Pas transmetimit të fjalimit të zotit Ban, u shpalosën para vizitorëve dhe zyrtarëve të lartë të OKB -ës,profilet e shpëtimtarëve, duke filluar nga Irene Sendler, një grua polake që kontrabandojë fëmijë nga Ghettot e Varshavës, në familjen Veseli, që përfaqësoi shqiptarët që shpëtuan Jewisht, duke mos dorzuar as edhe një Jewish të vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veseli, vetë fshehu një familje hebreje në fermën e tyre.

Raymond Serge Bale , zëvendës-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme, tha se ” ishte rezoluta e OKB-ës 60/7 ajo që është deklaruar në përkujtimin e Holokaustit dhe shërben sot si një thirrje jo vetëm për përkujtimin e vuajtjeve të viktimave të Holokaustit, por edhe ato të shkaktuar gjatë regjimeve diktatoriale, luftërave për liri. Ajo është një detyrim moral për gjithë njerëzimin sot për të paralajmëruar kundër tmerreve të urrejtjes dhe paragjykimit, për të parandaluar akte të mëtejshme të gjenocidit” tha ai.

“Vlerat e demonstruar nga ata që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët le të shërbejë si parime udhëzuese për të mbrojtur të drejtat njerëzore të brezave të ardhshëm – kurajo, dhembshuria, udhëheqja morale, vetë-sakrificë, përgjegjësia shoqërore, integriteti dhe drejtësia”, tha Raymond Serge Bale, zëvendës-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme .

Gjatë kësaj ceremonie Cantor Chaim David Berson i Qendrës hebreje në New York City lexojë lutjet përkujtimore, dhe Ansambli Motyl kryeu tre pjesë muzikore. Grupi muzikor New York City- me bazë në OKB – luajti pjesë klasike e cila përfshinte muzikantë Julie Artz Becker dhe Aleeza Wadler në violinë, Ellen Rose Silver në violonçel dhe Anoush Simonian për Violë – Më tej ata paraqitën muzikën e shkruar nga kompozitorë të cilët ishin të detyruar në mërgim ose të cilët u zhdukën gjatë Holokaustit.

Çfarë është Holokausti?

Holokausti është një njollë e errët në historinë e njerëzimit. Holokausti është një sistem persekutimi sistematik, i një shteti burrokratik që vrau afërsisht 6 milionë çifutë (Hebrej) nga regjimi nazist dhe bashkëpuntorët e tij. Fjala “Holokaust” e ka origjinën nga greqishtja e vjetër që do të thotë “Sakrificë për pasion”. Me ardhjen në pushtet në Gjermani të regjimit nazist në Janar 1933, besonin se gjemanët ishin “Superiorë për nga raca” dhe se çifutët cilësoheshin ose klasifikoheshin si “Inferiorë” dhe se ata ishin “të padenjë për jetë”. Të paktën 200,000 persona me të meta fizike apo mendore u vranë si pjesë e programit “Euthanasia”. Gjatë viteve të luftës, nazitët dhe bashkëpuntorët e tyre krijuan getot, kampet tranzite, si dhe kampet e punës së rëndë. Më rënjen e kapitullimin e Gjermanisë naziste, pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovietik, dhe vendet e kapmit komunistë, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, krijuan ata burgjet politike, kampet e presekutimit, si dhe kampet e punës së rëndë.

 

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: Beqir Sina, Dita e Kujteses, Holokausti, Joe DioGuardi, OKB

“LEGJENDA” E NJË JETE

January 27, 2013 by dgreca

Nga SEJDO   HARKA/

Të shkruash   për  shkrimtarin, mikun dhe kolegun tonë të dashur,   Skënder   Hasko, do të thotë  të tregosh një jete reale, si në legjenda. Kjo ndodh, sepse jeta  dhe veprimtaria  e tij  ka  qënë  sa  e qetë,   aq   dhe  e  vrullshme , sa  e zakonshme, aq  dhe  e jashtëzakonshme , sa   e bukur  aq dhe  e ashpër , sa e gëzuar  aq  dhe e  trishtuar, sa  e lumtur aq dhe e hidhur . Por  Skënderi , si “hero”  legjendash , ka ditur  ta drejtojë mirë  “anijen” e jetes,  duke  çarë  përmes dallgëve  e  vështirësive , tufaneve  dhe egërsive të jetës. Naracionin e kësaj “legjende”, sa të lumtur, aq  edhe të trishtuar, e gjen të  pasqyruar  bukur në  librin  e tij  me kujtime, “Udhëtim  nëpër  vitet  e jetës sime”, publikuar  kohët e  fundit, nga Shtëpia Botuese ”Toena”. I  frymëzuar    nga mesazhet  e ngrohta  të  sentencës  së  Gëtes: “Në  çdo  dërrasë varri , mbulohet një histori e tërë”, dëshiron që t’u lërë  brezave  kujtimet e tij për jetën  dhe letërsinë ,  për familjen   dhe  shoqërinë ,  për luftën dhe varfërinë, për ëndrrat  dhe njerinë ,  për vendlindjen  dhe dashurinë,  për vdekjen dhe lirinë , për lindjen  dhe  trimërinë …

Rrugët  e  jetës   së  tij , kanë  qënë tepër të vështira , me të  përpjeta  dhe të tatëpjeta . Siç shprehet  dhe vetë  metaforikisht, herë ka fluturuar me avion  e herë  me makinë,  herë me gomar e herë më këmbë. Por shumë herë, edhe fare zbathur.”Në jetë,  – tregon   ai, – kam  ngrënë  edhe mish të pjekur  edhe bukë  tërshëre. I penduar, se o ka hyrë në hak të ziut kalë,  vazhdon  – Po ç’të  bënim ?! Të vdisnim  ?! . Po të vdisnim ne, as kali i gjorë,  s’do të rronte  dot… “(34) Është  shpresa  ajo , që si nëna e mirë  e  mori përdore ,për ta nxjerrë  nga honet e rrëpirat e dhimbjeve dhe  të  trishtimit , edhe kur për një çast e ka ndjerë   veten  keq. Në jetë ka shijuar  edhe ëmbëlsinë  e mjaltit e të sheqerit, edhe hidherimin  e vuajtjes  e të zeherit, edhe freskinë  e puhizave të  detit edhe zagushinë e të nxehtit, edhe  ftohtësinë   e ngricave të acarit,  edhe  tymosjen   e përzhitjen  e zjarrit , edhe bukurië e ëndrrave, edhe akullin e zemrave.

Erdhi në jetë, në një natë  të gjatë marsi, të  vitit 1936. Nëna  i pat  treguar  se Skënderi  kishte  lindur  mes të  qarash të fuqishme , të cilat paralajmëronin, se jeta e tij  do të shoqërohej nga andëralla  të mëdha. Ajo do të lidhej ngusht   me  Rovenën dhe Llogaranë  e ashpër  dhe të bukur , aq sa  edhe njerëzit  e gurët  edhe pemët  e drurët , edhe  buka  e ujët , edhe lodrat e punët , bile edhe italiani, robi i luftës , që vdiq në Rovenë , u bënë  pjesë  e mendjes dhe shpirtit  të tij të madh.  Që  kur ende ishte fëmijë,  mësoi zanatin e teneqexhiut,  të cilën e  ushtroi  për të mbajtur frymën gjallë. Mbasi mbaroi  shkëlqyshëm   shkollën  7 – vjeçare, Skënderin   e emëruan  mësues  në  Dukat.  Por ëndrra  e tij  ishte zgjerimi i dijeve, dëshirë  që  ia ushqyen  edhe prindërit  e tij  arsimdashës. Kur një  mik  i sugjeron  babait mendimin   se, për të  vrarë  varfërinë  e familjes,  duhet   t’i  blinte të  birit një kope  me dele, ai i përgjigjet: ”Atë  kope  mund ta hajë ujku  brenda një nate, kurse  shkollën  nuk mund  ta përtypë dot,  as bisha më e egër”(52).

Viti 1959, Skënderin do ta gjente  puntor në Uzinën mekanike të Kuçovës, ku lidhet ngusht me grupet kulturore amatore të Beratit. Duartrokitjet dhe ovacionet e shikuesve, zgjuan te djaloshi Skënder Hasko,  energji të rralla interpertuese dhe krijuese. Aty u njoh dhe u dashurua  shumë me gjimnazisten Shane Balili, e cila në atë kohë ishte amatore dhe interpretonte këngë të bukura popullore.Të dy, si zogj të lirë e të lumtur,edhe pse në një gjendje të vështirë ekonomike, aty në Beratin e lashtë, e ndërtuan çerdhen e tyre familjare. Skënderi u bë dhëndërr me kostum të kthyer, ndërsa Shanja u bë nuse me një fustan të bardhë, të qepur  vetë me dorë. Me njeriun e zemrës  në krah , ai i ra kryq e tërthor, jo vetëm Beratit dhe Vlorës, por dhe gjithë Shqipërisë. E, ku s’preku  dora dhe këmba, mendja dhe zemra, ku s’u ndje fryma dhe kënga, shpirti dhe ëndrra e këtij çifti të lumtur. Bashkë lindën dhe rritën tre fëmijë të mrekullueshëm, që  tani punojnë me devotshmëri, brenda  dhe jashtë vendit. Por ëndrrat e bukura  të këtij çifti, sa të lumtur aq dhe të stërmunduar, vjet ”i kafshoi” vdekja e parakohshme e Shanes ,bashkëshortes dhe nënës shëmbullore, mësueses dhe këngëtares së talentuar. Dëshpërimin e tij të thellë për ndarjen përjetë, me gjysmën e tij më të mirë, Skënderi e shprehu në mënyrë tepër rrënqethëse, nëpërmjet vargjeve: ”Ah, ky fati,cfarë fati,/ Fshehtas për fyti më kapi,/ Më shtriu, më shkeli me këmbë,/ Ma mbushi zemrën me plagë”(14). Kudo që punon dhe jeton  Skënderi, lë pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe këngën, fjalën e zjarrtë dhe mendjen…E, ku nuk u shfaq vrulli dhe talenti  tij: mësues e gazetar, aktor dhe shkrimtar, drejtues e veprimtar…Mbasi mbaroi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës për gazetari, ai ka drejtuar edhe institucione të rëndësishme të shtypit dhe të cultures, si Pallatin e kulturës “Studenti”, revistën “Pionieri” dhe  Teatrin  Kombëtar  të Kukullave. Skënderi njihet jo vetëm  humorist dhe aktor estrade, por edhe aktor filmash. Kush e ka parë filmin artistic, ”Malet me blerim mbuluar” dhe nuk i ka rënë në sy  djaloshi me qeleshe të bardhë, që ia merr këngës,”Atë ditën e xhuma/Boria në Brataj ra”.

Profesionin e mirfilltë të gazetarit e filloi me revistën “Hosteni”, ku me “hostenin” e tij magjik thumboi veset dhe çorri maskat e shumë dukurive negative të kohës. Kudo që shërbeu publicist, shkroi me duar të pastra e me kokë të ftohtë. Shokët, miqtë dhe bashkudhëtarët e tij  të shumtë kanë qënë dhe janë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe  të shquar të letërsisë dhe artit si: L.Poradeci, Sh.Musaraj, K.Jakova,P.Marko,O.Grillo,A.Mamaqi,S.Godo,A.Banushi,V.Kona,M.Gecaj,P.Koçi etj. Por shoku i tij më i afërt është Bardhyl Xhama,ose siç e thërresin, ndryshe, “shkrimtari i detit”.”Me Bardhylin,- shkruan Skënderi,-jam njohur herët.Ai është i qetë, ndërsa unë  jam impulsiv.Edhe kur grindemi fort për ndonjë problem,sikur të rriheshim, pas dy minutash futemi përsëri në rrjedhën e zakonshme të shoqërisë”(294).

Skënderi , në jetë ka ngjitur shumë maja e ka  zbritur shumë rrëpira. Por s’ka për të harruar kurrë atë, që i ndodhi në një kafene, duke pirë kafe mes shokësh e miqësh… “Për një çast,-tregon ai,-m’u mbyllën sytë dhe m’u ndal frymëmarrja!” Kishte pësuar vdekje klinike. Ali Cenaj,një burrë i panjohur,si i dërguari i zotit në legjendat e ringjalljes, duke e shtypur fort në gjoks, si me magji, i pat rivënë përsëri në punë zemrën  e tij të madhe. Është kjo arsyeja që shokët e tij të “Kompanisë lëvizëse”, sa herë mblidhen për të pirë ndonjë kafe apo ndonjë kupë raki, i thonë me dashamairësi: ”Për ty, Skënder, s’ka vdekje kurrë!”. Ndërsa ai, plot humor e optimizëm, përgjigjet: ”Po,është e vërtetë. Unë, jo vetëm që  e kam mallkuar  rëndë, por dhe e kam mundur  atë një herë.Ndaj ajo s’guxon dot të kacafytet me mua përsëri, sepse e di që e ka të humbur davanë…”!

Ajo, që e bën  të përjetshëm dhe të papërsëritshëm  Skënder Haskon, është krijimtaria e bollshme  letrare, me një problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përcon mesazhe të fuqishme  e me vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë  ësttë  “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971.”Qysh atëhere ,–shkruan Skënderi në kujtimet e tij,-“më hyri krimbi”. Ndaj kurrë s’kam pushuar së shkruari ,natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës ka  botuar 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma,si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa here, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer  në  gjuhë të ndyshme të  botës, si rusisht ,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime  kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”,”Tasim Gjokutaj” .

Njëzet  vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me  librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili, në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë . Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin  për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit  2005”. Të shkruash një arsenal kaq të madh librash cilësorë, kërkohet  jo vetëm talent, por edhe punë e përkushtim, pasion e durim. Duhet t’i hysh në hak, kohës së lirë dhe familjes, gjumit dhe shëndetit.Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një krijues I pasionuar, si Skënder Hasko, i cili edhe pse ka bërë shumë, shprehet me modesti: ”Bëra ç’munda, për të vënë, qoftë  dhe një guriçkë, në themelet  e edukimit të brezit të ri”.

Me krijimtarinë e tij te pasur, Skënder Hasko ka arritur që fëmijët të meditojnë si burrat, ndërsa burrat të qajnë  e qeshin si fëmijët. Gjuhës i ka dhënë ëmbëlsinë e mjaltit dhe peshën e gurit, ndërsa nëpërmjet  magjisë së fjalës ka “shpuar “ tejpërtej edhe malet, edhe  detet, për të depërtuar në thellësitë e shpirtit e të mendjes së  njerëzve.

Shkrimtari Skënder Hasko ka qënë dhe mbetet  i lidhur  shumë ngusht me vendlindjen e tij, gjë që e shprehë edhe nëpërmjet magjisë së vargjeve: ”Në vdeksha larg , këtu ku jam,/ ku jeta më degdisi/ aty do të mbij unë përsëri/ siç mbin  një lënde lisi”. Për vlerat e tij të papërsëritshme si krijues dhe veprimtar shoqëror, Shoqata  e krahinës së tij e ka nderuar me titullin e “Pishtar i shquar i  Labërisë”, ndërsa Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, e nderoi  me Çertifikatën e Mirënjohjes, ”Për vlera të shquara  në krijimtarinë për fëmijë”.

Librin e tij me kujtime ai e mbyll me  epilogun metaforik,  drejtuar bashkëvendlindasve dhe gjithë lexuesve :”Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as marr as jap/ Merrjani këngës  dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”.

Tiranë, 27 janar 2013

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)-Ne FOTO: Gjithnjë bashkë, me kolegët…Nga e majta: S.Harka, S.Hasko, B.Xhama, M.Gecaj e V.Kona

 

 

 

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Legjenda e nje jete, Sejdo Harka, Skender Hasko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT