• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PETRO NINI LUARASIN” E PRESIN ME FLAMUJ, NË PRISHTINË…

November 23, 2012 by dgreca

-Dhurohen mbi 200 libra, kushtuar Petro Nini Luarasit, për shkollat e Kosovës-/

Nga: MURAT  GECAJ/

1.

Nuk ishte hera e parë, që në ditën e djeshme e bëja udhën për në Kosovë e në Prishtinë. Kisha shkuar atje edhe pas mbarimit të luftës dhe çlirimit të saj, nga pushtuesit barbarë serbë. Atëherë, ajo ishte e shkatërruar, se kishte përjetuar humbje shumë të mëdha në njerëz, materiale etj. Por liria kërkonte sakrifica dhe ato ajo i përballoi me qendresë të pashoqe dhe fitoi. Për ato fakte tragjike, por dhe heroike, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Ndërsa në udhëtimet e mëpastajme e kam parë me gëzim të natyrshëm atë vend të lirë, që ripërtërihej dhe përparonte pa ndërprerje. Pastaj, erdhi plotësimi i një ëndrre e shprese shumëvjeçare: Kosova u shpall  Republikë, e pavarur e demokratike. Dhe ja, vetëm pas një muaji, kur kaluam përmes Prizrenit e arritëm në Shkup, tani ndodhemi përsëri në këtë tokë të bekuar dhe të mbushur plot me flamuj, kombëtarë e shtetërorë, por dhe të BE-së e SHBA-ve. Se, ashtu si Shqipëria, trojet tjera amtare e diaspora, Kosova është në festë. Ajo po e pret me gëzim  të patreguar shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Kjo gjë na bie kudo në sy, kur kalojmë pranë maleve të Sharrit, në Carralevë, Shtimje, Malishevë ose Lipjan etj.

Në Prishtinë gjejmë po atë mjedis festiv, që e lamë para disa orëve në Tiranë e gjatë tërë udhës, në Kamzë, Fushë-Krujë, Milot, Mirditë e Kukës, duke përshkuar “Udhën e Kombit”. Për vizitën tonë këtu kanë dijeni në Bibliotekën Qendrore, ku na presin me përzemërsi kolegët, drejtorë të dy bibliotekave, Sali Bashota e Munish Hyseni. Pasi çlodhemi pak e pijmë nga një kafe, hyjmë në sallën e mbledhjeve. Aty takohemi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa  Mustafën dhe drejtoreshën e kulturës, rinisë e sporteve, Vlora Dumoshin, e cila është koordinatore e kësaj veprimtarie. Pastaj përshëndetemi me mjaft kolegë e miq të njohur, si me Akademikët Pajazit Nushi e Ramiz Këlmendi, prof. Shefkije Islamaj, publicistin e poetin Vezir Ukaj, piktorin Agim Krasniqi, shkrimtarin Adem Zaplluzha, poetin Izet Abdyli e të tjerë. Në mes tyre, ka mjaft drejtues të shkollave e punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike.

2.

Bashkë me prof. Alfred Uçi-Akademik, do të paraqesim para lexuesve dhe personaliteteve të arsimit, kulturës e shkencës librin e ri kushtuar martirit të shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi (1865-1911), “Mësues i Popullit”. I pari e merr fjalën M.Hyseni, i cili, ndër të tjera, thotë se ky tubim përkujtimor e festiv organizohet për veprën  e re të Akademikut A.Uçi, të cilën ky ia ka kushtuar, me dashuri e profesionalizëm, atdhetarit e personalitetit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Petro N.Luarasit. Më tej shton se, “Thënia e tij lapidare: Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, shërbeu si testament i qendresës, mbijetesës dhe pavarësimit e zhvillimit të shkollës e arsimit shqip, në të gjitha hapësirat shqiptare, të cilat përjetuan pushtime e luftëra, për liri e pavarësi”.

Prof. Alfred Uçi, duke treguar shkurt përmbajtjen e këtij libri, ndalet në përpjekjet e parreshtura të rilindësve tanë, ndër të cilët ishte i palodhuri e martiri i shkollë shqipe, Petro N.Luarasi, gjysh i tij. Përveç ndihmesës, që ai dha për hapjen e funksionimin e shkollave shqipe, në krahinën e tij të Kolonjës, u dallua edhe në drejtimin e shkollës së parë kombëtare të Korçës, ku drejtor i parë kishte qenë Pandeli Sotiri. Gjithshtu, folësi tregon se në këtë vepër janë publikuar disa shkrime të Petro Ninit, si dhe dëshmi e dokumente të tjerë arkivorë, kujtime të bashkëkohësve, nga shtypi i atyre viteve dhe i mëvonshëm etj. Në fund, ai u tregon të pranishmëve se kishim sjellë me vete mbi 200 libra kushtuar Petro N.Luarasit, dhuratë për shkollat shqipe të Kosovës. (Disa libra i lamë aty dhuratë edhe për shkollat e Kosovës Lindore-Preshava). Kjo është diçka simbolike, në këtë prag të festimeve për 100-vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptar.Ndërsa prof. M.Gecaj flet për udhën e gjatë e të vështirë të krijimit dhe funksionimit të shkollave shqipe gjatë këtij 100-vjeçari, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri e diasporë. Që nga 7 marsi i vitit 1887, kur u hap shkolla e parë në Korçë, u deshën shumë mund, dituri e sakrifica të panumërta, që shkolla në gjuhën tonë amtare të mbijetonte e te zhvillohej. Më tej, pas, posaçërisht, ndalet në rrethanat e çeljes së shkollës së Prizrenit (më 1 maj 1889), e cila ishte dhe e para në Kosovë, me mësues Mati Logorecin e Lazër Lumezin. Një rëndësi të veçantë i kushton dhe tregon me fakte punën e Dikastërit të Arsimit, në Qeverinë e Vlorës, pas 28 Nëntorit 1912. Ai drejtohej nga Luigj Gurakuqi dhe pranë kishte delegatin e Koszovës në Kubend,  pejanin Sali Gjukë Dukagjni, tani “Mësues i Popullit”. Bashkë me mjaft kolegë të tjerë, ata iu përkushtuan hapjes dhe funksionimit të shkollave në gjuhën amtare në katër qarqet e Shqipërisë së asaj kohe. Në vazhdim, folësi nënvizon ndihmesën e mësuesve, të cilët shkuan nga Shqipëria, në Kosovë, në vitet 1041-1945. Po kështu, u ndal në përpjekjet e parreshtura për shkollën shqipe, nën regjimin serb dhe për zhvillimin e saj në udhën demokratrike, pas vitit 1999, kur vendi u çlirua një herë e përgjithmonë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës,  Isa  Mustafa e uron prof. A.Uçi për veprën e re, kushtuar Petro Nini Luarasit dhe paraqitjen e përmbajtjes së saj para auditorit, si dhe prof. M.Gecajn për pasqyrimin, në fjalën e tij, të udhës nëpër të cilën ka kaluar shkolla shqipe, në të gjitha trojet tona amtare, deri në ditët e sotme.

Në vazhdim, Prof. A.Uçi e prof. M.Gecaj u dhurojnë libra të tyre, me nënshkrim, disa pjesëmarrësve në këtë veprimtari, mbresëlënëse e të paharruar.

3.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se do të tregoj diçka, që më bëri përshtypje, por që nuk lidhet direkt me veprimtarinë e mësipërme. Kur po hanim drekë, në Prishtinë, aty pranë nesh ishin tre të moshuar. Njëri nga ata, që më pas më tregon se ishte nga Peja dhe quhet Mit’hat Begolli, ngrihet nga karrikja, më përshëndet dhe e vë gishtin e tij tregues në gjokshin tim. Aty e kisha vendosur simbolin e Flamurit tonë Kombëtar. “Qenka shumë i bukur!”,-u shpreh ai… E kuptoj se dëshiron që edhe ai ta ketë një të tillë, në këto ditë feste. Sakaq, e heq nga xhaketa dhe ia jap atij, duke i  thënë se një simbol të tillë, pra të Flamurit tonë, do ta marr përsëri në Tiranë. E kundershton pak veprimin tim miqësor dhe më përqafon me dashuri e më falenderon nga zemra. Kështu, ne ndahemi si dy miq të vjetër, të njohur kohë më parë.

…Largohemi nga Prishtina, të mbushur plot kënaqësi dhe me ndjenja të bukura, shkaktuar nga tërë mjedisi i mrekullueshëm festiv, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë gjë ne e pamë kudo, pra jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por dhe në qytete e fshatra të saj.(Foto: Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…)

Tiranë, 23 nëntor 2012

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: A;freed Uci, Murat Gecaj, petro Nini

10 KALORËSIT E PAVARËSISË MARSHOJNË DREJT VLORËS

November 22, 2012 by dgreca

Dhjetë kalorës, mes tyre edhe një vajzë që e thërrasin “Shotë”,te merkuren me 21 Nentor, kanë kaluar doganën e Morinit /

 Nga Sulejman Dida/

 Dhjetë kalorës janë nisur nga Kosova drejt Vlorës si 100 vjet më parë. Një mënyrë kjo për të kujtuar delegacionin me në krye Isa Boletinin, që u nis të merrte pjesë në ngjarjen historike. Flamurtari i grupit, Artan Nikiqi, tregon se grumbullimi është bërë në Prishtinë ditën e martë, ndërsa dje kanë marrë rrugën në orën 06.00 të mëngjesit. “Jemi nisur në mëngjes herët nga Prishtina, në drekë kemi bërë një pushim në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit e bujtjen do ta bëjmë në Kukës”, thotë Artani duke shtuar se gjithçka është programuar deri në detaje për të mbërritur në datën 28 Nëntor në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Në ditën e parë, “kalorësit e pavarësisë” kanë përshkuar rreth 120 kilometra nga Prishtina në Kukës, ndërsa qindra kilometra të tjera do të përshkohen në ditët në vijim. Enver Raça nga Prishtina (Obiliqi) thotë se në përbërje të grupit janë përfaqësues nga krahinat kryesore të Kosovës, Mitrovica, Karadaku, Rrafshi i Dukagjinit, etj., dhe se pranimi në grupin e kalorësve nuk ka qenë një detyrë e lehtë. “Kemi nisur përgatitjet pesë apo gjashtë muaj më herët dhe janë pranuar vetëm personat që dinë të kalërojnë, që janë të fortë dhe që i shkojnë me të vërtetë një delegacioni si atë kohë”, thotë Raca. Itinerari i udhëtimit nuk është nëpërmjet tunelit, por rrugës së vjetër nga Puka, gjithkund në gjurmën ku eci Isa Boletini me delegacionin e Kosovës 100 vite më parë. Ata do të kalojnë malet e Kalimashit, të Shën Mërisë, të Gdheshtës e Qafës së Malit e kështu me radhë. Në ndalesën e tyre të shkurtër në doganën e Morinit, një vajzë emigrante nga Zvicra, të cilën e thërrasin Shotë (në kujtim të Shote Galicës) bën në emrin e tyre formalitetet e duhura doganore. Një prej tyre thotë: “Ah, çou bre baca Isë, çou bre baca Isamil Qemali dhe ti Hasan Prishtina”. Iniciativën private të këtij grupi kalorësish e ka mbështetur një fermë private kuajsh hipizmi në afërsi të Prishtinës, si dhe një agjenci kosovare e turizmit alternativ.(Kortezi-Shqip)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 kaloresit, e pavaresise, Sulejman Dida

PRESIDENTI THOMAS WOODROW WILSON, SHPETIMTAR I SHQIPERISE SE PAVARUR

November 21, 2012 by dgreca

Nën tingujt e himnit amerikan dhe atij shqiptar, Kryeministri Berisha dhe ambasadori i SHBA në Tiranë Arvizu, zbuluan dje shtatoren e Presidentit Thomas Woodrow Wilson, e cila do të qëndrojë në sheshin “Wilson” në kryeqytet. Kjo shtatore u realizuar nga arkitekti Gentian Tabaku në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Qeveria shqiptare ka nderuar me vendosjen e shtatores Presidentin e shquar dhe mikun e popullit shqiptar, i cili pati një rol thelbësor në pavarësinë e Shqipërisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ministri i TKRS, Aldo Bumçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, si dhe shumë qytetarë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, për Shqipërinë, por dhe kombin shqiptar në trojet e tij dhe kudo që ndodhen sot, kjo është një ditë shumë e shënuar, pasi inaugurohet shtatorja e Presidentit Woodrow Wilson, Presidentit shpëtimtar të Shqipërisë së pavarur, burrit të madh, të cilin Fan Noli, do ta quante “një lis të madh, në të cilin kombet e vogla kanë ndërtuar foletë e lirisë”. Kryeministri tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje, nderohet ëndrra e të gjithë atyre burrave, grave dhe asaj gjenerate, të cilët në një moment kritik për veprën e tyre, pavarësinë e vendit, gjetën një mbështetje shpëtimtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson. “Ne nderojmë ëndrrën e të gjithë atyre burrave, grave, asaj gjenerate, që në një moment kritik për veprën e tyre, pavarësinë e vendit, gjetën një mbështetje shpëtimtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson. Që nga ajo kohë dhe në dekada, kjo shtatore që kemi sot këtu kaq e bukur, ka qenë e gdhendur në zemrat e mijëra e mijëra, miliona shqiptarëve, në kujtesën e tyre, në mirënjohjen e tyre. Ndaj dhe në një aspekt, ne po realizojmë një detyrim madhor, ndaj të gjithë shqiptarëve atdhetarë dhe patriotë. Shqiptarët kanë një histori që i shëmbëllen një kalvari. Për shekuj pas Skënderbeut, ata ishin një komb pothuaj jetim. Në tërësi historia ka qenë një njerkë jo e dashur për ta, por dhe shekullin e kaluar përjetuam drama e copëtime, diktatura, të cilat kanë qenë të egra për kombin shqiptar. Gjatë gjithë atij shekulli, në momente më kritike të kombit, ata kanë patur fatin e madh, bekimin e Zotit, të kenë mbështetjen përcaktuese të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të qeverisë amerikane dhe kombit amerikan”, tha Kryeministri Berisha. Duke nënvizuar mbështetjen përcaktuese të presidentëve të SHBA-ve, të qeverisë amerikane dhe kombit amerikan që kombi shqiptar ka patur në momentet më kritike të tij, Kryeministri u shpreh se kjo pasuri e madhe në historinë e Shqipërisë, është një përgjegjësi e madhe për shqiptarët dhe se, mënyra më e sigurtë, më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre të jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarëve është të ndërtojmë dhe konsolidojmë ato vlera të mëdha, të cilat kanë bërë vendin tuaj vendin më të madh të lirisë mbi tokë, vendin lider të qytetërimit të sotëm perëndimor dhe të njerëzve të lirë kudo në botë.

Arvizu: SHBA, gjithmonë përkrah shqiptarëve

Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të shtatores, ambasadori Arvizu falënderoi shqiptarët për ruajtjen e kujtimit të ish-Presidentit Wilson dhe më pas citoi një pjesë nga fjalimi i tij i mbajtur në 1918 përpara Kongresit amerikan, fjalim që thuhet se përcaktoi formën e bashkësisë ndërkombëtare të së ardhmes. “Në mënyrë që bota të bëhet e përshtatshme dhe e sigurtë për të jetuar në të, veçanërisht që të bëhet e sigurtë për çdo komb paqedashës sikurse i yni që dëshiron të jetojë jetën e tij, të vendosë institucionet e tij, të sigurohet për drejtësi dhe të trajtohet me drejtësi prej popujve të tjerë të botës, sikundër çdo agresioni të dhunshëm dhe egoistë të gjithë popujt e botës janë në fakt partnerë të këtij interesi, përsa na takon ne e shohim shumë të qartë se përsa kohë në botë nuk ka drejtësi për të tjerët, ajo nuk do të bëhet as për ne, prandaj programi i paqes botërore është edhe programi ynë”, tha ambasadori Arvizu. Ai përfundoi fjalimin, duke ritheksuar fjalët e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së saj në Tiranë, se SHBA ka qenë me shqiptarët përgjatë 100 viteve dhe do të jenë edhe në 100 vitet e ardhshme e përtej tyre.

Woodrow Wilson, reformator imadh i politikës dhe diplomacisë botërore

“Ne nderojmë Presidentin Woodrow Wilson, këtë reformator të madh të politikës dhe diplomacisë botërore. Pas një shekulli që Fuqitë e Mëdha kishin trajtuar vendet dhe kombet e vogla në përputhje me ambiciet e tyre kolonialiste dhe të tjera, ky burrë i madh i kombit tuaj, shpalli në vitin 1918 platformën e reformimit të politikës dhe diplomacisë botërore, të vendosjes së saj mbi baza të reja morale, mbi bazën e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, të drejtës së tyre për të jetuar në paqe dhe stabilitet. Kjo platformë pati një rëndësi të jashtëzakonshme për popujt në mbarë botën, por një rëndësi jetike vendimtare për shqiptarët, të cilët ishin parashikuar të shuheshin tërësisht nga harta politike e Europës. Kjo platformë bëri të mundur, që shqiptarët të jetësojnë pavarësinë e tyre dhe bëri të mundur, që ata sot, të jenë aleatët tuaj në Aleancën më të madhe të lirisë së kohërave, Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha. Ai shtoi se shqiptarët do të jenë mirënjohës përjetë për ndihmën e madhe që qeveria amerikane dhe aleanca antifashiste, ju dha atyre në luftën çlirimtare në koalicion me ta. “Ju mbetemi mirënjohës Presidentit George Bush dhe Presidentit Bill Clinton, për vijën e kuqe që i vendosën diktatorit të Beogradit, lidhur me Kosovën. Mbetem përjetë mirënjohjes Presidentit Bill Clinton, që udhëhoqi me vendosmërinë më të madhe Aleancën e Atlantikut të Veriut në çlirimin e Kosovës në një nga momentet me kritike të historisë se ekzistencës së kombit shqiptar, kur regjimi barbar i Beogradit synonte shfarosjen e shqiptarëve. Mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti George W. Bush dhe Presidentit Obama, kanë qenë përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha Kryeministri Berisha.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: i Shqiperise, Presidenti Wilson, se pavarur, shpetimtar

SHKOLLA SHQIPE NE BROOKLYN FESTOI 100 VJETORIN E PAVARESISE

November 21, 2012 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Dita e shumëpritur për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë erdhi me plot frymëzim dhe dashuri nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.  Të festosh 100 Vjetorin e Pavarësisë është një privilegj për të gjithë shqiptarët, është nder, respekt, por dhe detyrë për ata Burra të Kombit që derdhën gjak dhe që na dhanë Pavarësinë nga zgjedha otomane turke.  Eshtë detyrë e Shkollës që historinë dhe kulturën e Kombit tonë t’jua transmetojmë brezave këtu në Diasporë, ndryshe do të ndodhë asimilimi që do të jetë një tragjedi që s’do të falet kurrë.

Qindra shqiptarë u mblodhën së bashku me një entuziazëm të papërshkruar për të kremtuar 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Nxënësit e Shkollës Shqipe së bashku me një grup artistësh nën udhëheqjen e Prof.Petrika Melos dhe sopranos së shquar znj.Lindita Mezin Lole kishin muaj që po bënin përgatitjet për ta pritur këtë festë të shenjtë me madhështi.  Nxënësit të shoqëruar nga prindërit, Përfaqsues organizatash, media vinin grupe grupe dhe uronin njeri tjetrin: Gëzuar, Gëzuar 100 Vjetori i Pavarësisë.  Koncerti filloi në orën e caktuar, ku flamurmbajtësit shqiptar dhe amerikan parakaluan pranë sallës dhe u ngjitën në skenë.  Prezantuesit e programit tenori Bledar Maqellara, një djalë i talentuar që premton shumë në të ardhmen dhe studentja simpatike zonjusha Suada Hasa përshëndetën gjithë pjesëmarrësit dhe iu uruan atyre mirëseardhjen në këtë ditë të shenjtë.  TV Alba Life vazhdoi spikerja ka nderin dhe krenarinë se siç e tha dhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë z.Dritan Mishto hapi festimin e 100 vjetorit të Pavarësise në Diasporë në koncertin e madh që u bë në shkurt në Manhattan në bashkëpunim me një grup artistësh dhe sot po e kurorëzon me një program të pasur artistik realizuar nga nxënësit e Shkollës dhe artistët.

Programi filloi me interpretimin e dy Hymneve Shqiptare dhe Amerikane kënduar nga znj.Lindita Mezini Lole dhe kori i Shkolles Shqipe.  Artistja Lole, nxënësit dhe gjithë salla këndonin si në një kor të vetëm Rreth Flamurit të përbashkuar/ për një dëshirë e një qëllim/ të gjithë atje duke u bashkuar/ të japim jetën për shpëtim.

Më vonë në skenë është ngjitur nxënësja e shkollës shqipe artistja e ardhshme e diasporës, Kristina Melo e cila ka intepretuar poezinë: “Edhe unë si Marigoja”.  Ajo premtoi se dhe unë do të qëndisë Flamurin për bashkimin e Kombit, që u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit

Nxënësit kënduan së bashku Hymnin e Shkollës Shqipe të intepretuar mjeshtërisht nga sopranoja Lindita Lole Mezini.  Vargjet si: Mezi presim Shkollën Shqipe/ qëtë flasim dhe tëmësojmë/ me shkronjat e Alfabetit/ si Engjëjt Kombin e Mbrojmë, preku zemrat e malluara të shqiptarëve në mërgim.

Flautistja Makbela Ademovi plot delikatesë interpretoi “Skercino” nga Kujtim Laro. Melodia e sjellë nëpërmjet flautit ishte një Komunikim i ngrohtë dhe shumë mbresëlënës.

Me shumë dashuri u mirëprit dhe grupi i fëmijëve drejtuar nga artistja e palodhur dhe plot vitalitet Pranvera Çobo, të cilët interpretuan këngën “O sot o kurrë”.  Kostumet popullore të fëmijëve, serioziteti me të cilën ata u paraqitën në skenë ishte një sukses i plotë.  Ata morën duartrokitje të zjarrta nga salla po ashtu dhe me këngën ” O këngët e vendit tim”.  Ishte një këngë që ngacmoi kujtesën e shumë pjesëmarrësve të cilët e shoqëruan gjithë kohën këtë melodi kaq popullore.

E veçantë ishte dhe kënga “Zëri i vendlindjes” me tekst të Pozaet Qoses dhe muzik të Skënder Lumshit kënduar aq bukur nga studentja Kejda Osmani e cila ka fituar vendin e parë në festivalin e fëmijëve të Gramshit.

Prezantuesja e programit ka ftuar në skenë nxënësen e talentuar, që premton për një të ardhme të shkëlqyer në art dhe më gjerë, Dea Bejlerin e cila ka intepretuar “Naganti i Isa Boletinit” shkruar nga poeti i Kombit Agim Shehu.

Tenori Bledar Maqellara interpretoi mjeshtërisht “Për ty Atdhe” këngë aq e njohur dhe e dashur për shqiptarët.  Zëri i Maqellarës buçiti në sallë dhe e pushtoi atë me duartrokitje të stuhishme, pranë nesh dukej sikur frymonte Tenori i jashtëzakonshëm Mentor Xhemali.

Emocione të papërshkrueshme e kanë pushtuar sallën kur në skenë u ngjitën aktori i mirënjohur nga Kosova z.Shaban Lajci në rolin me veshjen e Babait te Kombit Ismail Qemalit.  Interpretimi dhe zëri burrëror i tyre i sollën sallës Vlorën dhe burrat e shquar

të Kombit.  Aktori Agim Rugova në rolin e Luigj Gurakuqit lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa Tom Gjergji ishte në rolin e Isa Boletinit me skenë nga Pavarësia e vitit 1912.

Pranë tyre ndodhej Marigoja vajza që qëndisi Flamurin Kombëtar, ku Ismail Qemali i tha se do të kujtohej sa herë do të ngrihej dhe festohej Dita e Flamurit.

Ardhja e tyre shoqërohej nga kënga e njohur labe me fjalët:

Cili je ti more burrë/ Që na vjen nga Shqiperia/ Unë jam ‘Smail Qemali/ Dua vatanet e mia/ Do t’i marr se s’është punë/ Është e jona Shqipëria

Pas kësaj kënge në skenë janë dëgjuar tingujt e pianos me këngën “Albanian Dance” interpretuar profesionalisht nga artisti Margin Bajrami dhe kompozuar po prej tij.

Programi përmbante dhe “Ode to Joy” të Bethovenit dhe këngën aq të dashur dhe popullore “O moj e bukura Arbëri”  inerpretuar nga znj.Mezini Lole shoqëruar nga Bejleri dhe Melo së bashku me korin e shkollës Shqipe.

Bledar Maqellara ka prezantuar Dr.Valbona Zylo Watkins për të përshëndetur në emër të Bordit të shkollës të gjithë të pranishmit.  Dr.Zylo Watkins tha se ne përulemi me respekt përpara veprës së patriotëve të shquar që ngritën Flamurin në Vlorë.  Eshtë detyra jonë që këtë Flamur ta ngrejmë përjetësisht së bashku me brezat që do tëvijnë.  Si gjeneratë e re premtojmë se do ta mbajmë gjallë Gjuhën Shqipe dhe kulturën tonë kombëtare.

Më vonë Maqellara ka ftuar në skenë përsëri sopranon Lole e cila në 100 vjetorin e Pavarësisëu u frymëzua për të sjellë këngën e re patriotike “Atdheu im”, kompozuar nga

prof.Petrika Melo me tekst nga K.Zylo.

Vargjet Atdheu im përmes palëve të Flamurit, apo Ismail Vlora ne në qiell të lartësojmë, ngriti peshë zemrat e artdashësve të cilët shumë prej tyre valëvisnin Flamurin kuq e zi.  Prof.Petrika Melo dukej sikur vallëzonte në tastierë  mjeshtërisht për kompozimin e tij me aq vlera për përçimin e mesazhit të bashikimit të të gjitha trojeve shqiptare së bashku me Diasporën që qëndron si krah shqiponje…  Znj. Mezini Lole jo vetëm që ka një zë të magjishëm, por në sytë e saj blu ka dritë, dritë për Kombin.  Më duhet të them sa ajo vjen nga familja e Mezinëve të Vlorës, atje ku jane bërë mbledhjet e para për Pavarësinë e Shqipërisë …Artistja Lole magjepsi artdashësit e shumtë me zërin e saj dhe i ftoi të gjithë të çoheshin në këmbë për të kënduar këngën “Për Mëmëdhenë”.

Në fund nxënëset e shkëlqyera Balidemaj dhe Çobaj iu kanë dhuruar buqeta me lule të freskëta artisteve të skenës.

Në këtë aktivitet ka përshëndetur dhe diplomati i Republikës së Kosovës në New York z.Fatmir Zajmi i cli iu uroi të gjithë Gëzuar festën dhe falënderoi organizatorët, artistët, nxënësit, mësuesit për këtë punë kaq të përkushtuar që po bëjnë me brezat e ardhshëm.

Ndërkohë Z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave shqipe dhe Tv Alba Life falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, mësuesit, prindërit, nxënësit e dashur, Drejtorin e programit Alba Life, z.Amir Suka, kameramanin z.Ilir Ago, TV Kultura Shqiptare me z.Adem Belliu, Studion Pali, si dhe përfaqsuesit e shoqatave si Ana e Malit me z.Naser Cobo, Forumin për Demokraci me z.Grid Rroji, Dr. Ilir Hysa, Shoqatën Devolli me z.Neritan Bejleri, Rrënjët shqiptare, shoqatën Dibra me z.Dritan Gashi, Osman Greva, shoqatën Çamëria me z.Sali Bollati, Shoqёrinё Kulturore Artistike “Bashkimi Kombёtar”, Ansamblin Rugova, shoqatën “Zëri i Gruas” etj…

Në fund pjesëmarrësit e shumtë bënin foto me njeri tjetrin, takoheshin me emocion dhe dashuri duke u larguar me mbresa nga më të mirat për këtë aktivitet madhështor ne nderim të 100 Vjetorit të Pavarësisë.

 

17 Nëntor, 2012

Brooklyn, New York

 

 

 

 

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: 100 vjetorin, Brooklyn, e Pavaresese, festoi, Keze Zylo, Shkolla shqipe

“NËNË SHQIPËRI, GËZUAR 100 VJET PAVARËSI!”

November 20, 2012 by dgreca

Festime masive, në diasporën  shqiptare/

Nga MURAT  GECAJ/

 1.

Nuk është aspak e vështirë që, përmes faqeve të ndryshme të internetit, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, të informohesh për gjallërimin e jetës kulturore e artistike, për festimet masive të bashkatdhetarëve tanë, në mbarë diasporën shqiptare. Me mallin e pashuar të emigrantëve, që janë me banim të përkohshëm në shtete të ndryshme të botës, ata i kanë zemrën, mendjen dhe sytë e përlotur drejt trojeve amtare. Jam njëri nga ata, që e pejetoj çdo ditë këtë dinamikë e, thënë sinqerisht, ndiej përmallim, kur lexoj për ato, që thashë më sipër. Megjithatë, nuk ka se si të mos ndjehem edhe krenar për bashkëkombësit tanë, të cilët jetojnë e punojnë kudo me dinjitet dhe dallohen ndër të tjerët, për atdhedashuri, zgjuarësi, sinqeritet, besnikëri, urtësi, dashamirësi e tjerë.

Kam mbledhur kaq shumë fakte e lajme, nga fesimet e këture ditëve në diasporën shqiptare, sa nuk di se cilët të përmend më parë. Megjithatë, duke kërkuar mirëkuptimin e bashkatdhetarëve tanë, po shënoj ndonjë prej tyre.

2.

Ja, një lajm i rrallë, tejet i veçantë dhe i gëzuar vjen nga Nju Jorku. Emigranti shqiptar Mark Gjonaj është shqiptari i parë, i cili u votua masivisht dhe fitoi gërën në zgjedhjet lokale aty, duke u bërë kështu anëtar i Asamblesë së kryeqytetit të Amerikës. Ndërsa në një lajm tjetër, po nga ai qytet i stërmadh, lexojmë këto radhë: “Edhe këtu në Nju Jork ndihet atmosfera e festes se 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.  Në Bronks, në bllokun e banimit  “Dardania”, është vendosur një parullë shumë e madhe, e cila lexohet që nga larg dhe ku shkruhen këto vargje:

“Ma kanë mbjellur shekujt, tremijë vjet   Lirinë,/    që të luftoja për Shqipërinë./ Pritëm, tokë e Arberit, pritëm se po vij,/ pa Kosovë, jo, nuk ka Shqipëri!/ Tungjatjeta, vëllezër, djemtë e Dardanisë,/ jam ushtar Kavaje, balli i  trimërisë,/ vëlla’ i  Adem Jasharit, nip’ i Skënderbeut,/ neve do ta “qepim” vetë, hartën e Atdheut!”.

Ndërsa një koleg e mik i mirë, pjesëtar i Shoqatës atdhetare-kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës, pasi ka informuar për një veprimtari të bukur  festive dhe i jam përgjigjur me një mesazh, njofton plot  me emocione, për një fakt të rrallë: “I dashur Murat! Te falënderoj për fjalët e mira, që na adresoni! 100-vjetori i Pavarësisë do të na bashkojë të gjithëve. Të njoftoj me kënaqësi se, më 28 Nëntor 2012, do ta ngremë Flamurin tonë kuqezi, në qendër të Filadelfias, gjë që ndodhë për herë të parë në emigracionin shqiptar të këtij qyteti. Gjithçka  është miratuar dhe tani presim datën e shenjtë. Me respekt: Vlashi Fili”.

Ndërsa unë e ndieva detyrim ndaj bashkatdhetarëve tanë në Filadelfia, ku janë dhe miqtë e mi Sadik Elshani, Llazar Vero, Hysë Hasa, Ivzi Çipuri etj., që t’i përgjigjesha atij: “O, sa lajm i bukur dhe emocionues, i dashur Vlashi, si për ju dhe gjithë shqiptarët! Sigurisht, këtë gjë ju e meritoni dhe e keni arritur me përkushtim të vazhdueshëm atdhetar. Ju uroj nga zemra e ju përqafoj ngrohtësisht e miqësisht, nga Tirana! Me shume respekt dhe vlerësim të larte për të gjithë ju: Murat Gecaj”. Po bashkatdhetarët tanë të Shoqatës “Iliria”, me kryetare Ermira Zhurin, në Treviso të Italisë, çfarë kanë parashikuar për këtë festë madhështore?  Ka informime të shpeshta për këtë gjë. Por mendoj se është shumë domethënës  njoftimi-fotomontazh, që ata kanë përgatitur dhe po e bashkëngjes me këtë shkrim. Lexuesi e sheh qartë, se sa bukur e kanë menduar mbrëmjen  e tyre, me shprehjen e zemrave të bashkuara: “Nënë Shqipëri, gëzuar 100 vjet Pavarësi!”

Në një njoftim tjetër lexojmë edhe këto fjalë kuptimplote, për anëtarët e Shoqatës kulturore shqiptare “Mërgimtari”, në Gjermani:

“Ne, si komunitet, ju përshëndesim dhe ju ftojmë që, në qytetin  Kiel, në sallën e madhe të dhuruar nga Ministria e Arsimit Gjerman, duke filluar nga ora 17.00 deri ne 23.00, të jeni edhe ju pjesë e një shfaqjeje, që nuk besojmë se keni parë ndonjëherë te bashkëatdhetarët tanë. Është një shfaqje me të vërtetë shqiptare,  me rastin e Ditës së Flamurit, Ditëlindjes së Adem Jasharit, Ditës kur doli në skenë UÇK-ja, 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar edhe pse ende të ndarë, e tëra e organizuar nga Shoqata Shqiptare “Mërgimtari”, e regjistruar në organet shtetërore gjermane”.

Më poshtë thuhet se do të krijohet një mjedis i mrekullueshëm, me kujdesin e Fatmir Krasniqit e Muharrem Durakut, me ketë këngë e valle dhe duke qenë të pranishëm artistë nga Elbasani, si dhe të ftuar nga Ambasadat e Shqipërisë e Kosovës, në Berlin.

Nuk mbeten prapa, në këto veprimtari të bukura dhe masive festive, as emigrantët shqiptarë në vende të tjerë, ndër ta, në Angli dhe në shtetet e Skandinavisë, si në Danimarkë, Norvegji e Hollandë. Ndërsa në Suedi, dallohet Qendra Atdhetare e Kulturore Shqiptare “Migjeni” e Borasit, me veprimtarin e njohur Sokol Demaku; po ashtu Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krjuesve, me kryetar Hysen Ibrahimin. Aty bëjnë pjesë autorë të njohur e prodhimtarë, si Sadulla Zendeli-Daja, Zyrafete Kryeziu-Manaj, Bahtir Latifi,  Remzi Basha, Rizah Sheqiri, Fetah Bahtri, Hamit Gurguri, Murat Koci etj. Janë botuar ose janë gati të dalin nga shtypi disa libra të tyre, me temë atdhetare, kulturore e shoqërore.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës dhe Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, në bashkëpunim me shoqatën e Autorëve Shqiptarë “Pranvera-81” dhe shoqatat tjera shqiptare në Nenshatel, i çelën festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me orët letrare nga autorët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të kryesuar nga Adem Demaçi.

E  lashë për në fund këtë fakt të bukur: Dje, pra  më 19 nëntor 2012, një grup kolegësh nga Tirana ishim të ftuar në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, me drejtor Abdyl Buçpapajn. Atje morëm pjesë në festimin e organizuar, nga mësues e nxënës, të 100-vjetorit të Pavarësisë. Të pranishëm ishin disa veta nga qyteti Boras  i Suedisë. Ndër ta, ishin emigrantët shqiptarë, mësuesit e shkrimtarët Sadulla Zendeli (Daja) e Sokol Demaku, si dhe drejtori i shkollës suedeze të qytetit të Borasit, “Fjërdingskolan”, Per Ketisen e mësuesja Sonja Persson, me të cilët kanë lidhje të ndërsjellta binjakëzimi. Gjithashtu, kishin ardhur disa të ftuar nga Kosova, shkrimtarë e mësues, si Adem Zaplluzha e  Kadrije Mëniqi.

Por, ajo që na tërhoqi vëmendjen të gjithëve, ishte se, bashkë me ne, aty ishte edhe mësuesi e shkrimtari Hamit Gurguri, emigrant në Suedi. Me një qeleshe me simbolin e flamurit në kokë dhe me flamurin kuqezi në dorë, ai po e vazhdonte udhëtimin e tij,  më këmbë, nga Drenica e Skënderajt të Kosovës, për në Vlorë, atje ku më 28 Nënntor 1912 u ngrita Flamuri ynë Kombëtar.  Të gjithë ne e përshëndetëm nga zemra  Hamitin dhe i uruam udhëtim të mbarë, bashkë me nismatarë të tjerë nga Kosova.

…Pra, përmbledhurazi, po nënvizoj këtu se shembujt janë të shumtë, entusiazmi është i papërshkruar edhe ndërmjet emigrantëve shqiptarë, në shtete të ndryshme të botës. Gëzimin e festës së 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, natyrshëm, ata e gërshetojnë me veprimtari masive, të zgjedhura e të bukura. Kështu, ata po e dëshmojnë veten, para komuniteteve të vendeve tjera, se shqiptarët janë njerëz të zhvillimeve të raja demokratike në botë, të lirisë dhe pavarësisë së popujve.

Tiranë, 20 nëntor 2012

FOTO:Nga e majta: S.Demaku, H.Gurguri, V.Kona, K.Hoxha, P.Kettisen, M.Gecaj e S.Persson (Durrës, 19 nëntor 2012)

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Festimet, Murat Gecaj, ne diaspore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • 593
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT