• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËT

December 20, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG),  (Committee To Protect Journalists),  një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç’prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar.   Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord.   Këto tre vende që sipas KMG,  janë vendet më të këqia për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve.  Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stambollë, se “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare’’.  Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012.   Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.

Duke vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ”Gazetarët janë dëshmitarë”.  ”Kur vriten gazetarët”, tha ai, ”mundësia për të mësuar se ç’po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare.”   Ai përmendi Sirinë si shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend.   Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ”on-line”, ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie.  Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët  “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend.  Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ”qytetar-gazetarë”, të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre.   Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut.  Gjithashtu sipas raportit, ”dhunë e jashtzakonshme”,  është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin.  Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër — duke shfaqur shqetsimet e tij serioze — çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë  themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë  ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët.  Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit.  Por në fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli,  “nëqoftse shumica e popullit   beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi,  edhe nëqoftse e ndalon ligji, por nëqoftse  opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të përsekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë’’.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje vit vdekjeprures, per gazetaret

“TIME”: OBAMA-NJERIU I VITIT

December 19, 2012 by dgreca

NJU JORK- Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së, Barack Obama u zgjodh sot ”njeriu i vitit 2012”, nga e përjavshmja amerikane ”Time”. Revista amerikane “Time” i jep për herë të dytë këtë cmim kreut të Shtëpisë së Bardhë, pasi ai ishte përzgjedhur një herë në vitin 2008.
”Presidenti Obama, rizgjedhur në nëntor për një mandat të dytë katërvjeçar, mishëron paralelisht një simbol dhe një fuqi lëvizëse pas tronformimeve të thella që pësoi SHBA-ja. Në vitin 2012, ai krijoi dhe formoi një maxhorancë të re, transformuar nga dobësitë e kohës dhe kërkimet, në mes të një pengese të madhe, për të bashkuar vendin”, thekson e përjavshmja prestigjioze.
Në një prej faqeve të së përjavshmes tregohet profili i fytyrës së presidentit, në hijen, pamjen e rëndë, me titull: “Presidenti Barack Obama”.
“Time” ka nisur përzgjedhjen e “Personit të Vitit” që prej vitit 1927. Në vitin 2011, në kujtim të miliona manifestuesve që kishin pushtuar rrugët e shumë vendeve nga Lindja e Mesme në Rusi duke kaluar në SHBA, Time i kishte cilësuar manifestuesit si ”persona të vitit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: njeriu i vitit, Obama, Time

ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN

December 19, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore.  Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë:  ”Këtu është një sallë fjalësh.  Disa ditë më parë në këtë tribunë  folën burrat më të fuqishëm të botës.  Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë.  Nuk besoj se është e nevojshme  tua paraqesë atë.   Ajo nuk ka nevojë për fjalë.  Por Ajo ka nevojë për veprat  tona.  Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku.  Ajo është  Kombet e Bashkuara.  Ajo është paqëja në botë.”

Sipas gj asës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.   Shqipëria, nepërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj.  ”Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,  thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.

Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:

”Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë,  Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur  më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës…..Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t’i kemi dhënë njerëzimit.”

Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ”Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ”Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane.  Me besim jam murgeshë katolike.  Si e tillë, i përkas të gjithë botës”.

Është ekzaktërisht këjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.

Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ”vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë”, përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.

Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza,   siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z.  Ferit Hoxha – rreth të cilit të  mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Fran Shkreli, Nene Tereza, OKB

NDAHET NGA JETA “BABAI” I SPELEOLOGJISE SHQIPETARE

December 18, 2012 by dgreca

 Ditën e hënë, më 17 dhjetor 2012, u nda nga jeta Prof. Gezim Uruçi dhe padyshim njëri nga speleologët më të shquar në historinë e sepeleologjisë shqiptare./

 NGA RAJMONDA MOISIU/

 Profesor Uruçi konsiderohej nga të gjithë si “babai” i speleologjisë në vendin tonë, gjë të cilën ai e kishte vërtetuar më së miri.Profesor Gëzim Uruçi, ishte vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike. Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi “Juri Gagarin”.
Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare.

 / Pasioni për Speleologjinë/

 Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë “Vllaznimi”. Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Kelmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike “Drini” në Shkodër.

    /  Rreziqet/

 Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. “Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë”, – tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. “Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje”, – rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat. Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).

      / Apartamenti Muzè/

 Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës ‘Marubi’. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t’ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.

 

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndahet nga jeta, Prof. Gezim Uruci, Raimonda Moisiu

SHBA: 31 TRAGJEDI NE 13 VJET NGA TE SHTENAT ME ARME ZJARRI NE MASE

December 18, 2012 by dgreca

Njëra nga dy tragjeditë më të rëndat është ajo që ndodhi më të premten në mëngjes, më14 dhjetor 2012 , ku mbeten të vrarë 27 persona të cilët u qëlluan dhe u vranë në një Shkollë Fillore Sandy Hook në Newtown, Connecticut , në mesin e tyre 20 fëmijë të moshës 5 deri në 10 vjeç./

 NGA BEQIR SINA, New York/

 Të premten në mëngjes, më14 dhjetor 2012 , 27 persona u qëlluan dhe u vranë në një Shkollë Fillore Sandy Hook në Newtown, Connecticut . Sipas burimeve, 20 prej këtyre viktimave ishin fëmijë të moshës nga 5 deri në 10 vjeç. Kjo është një ndër dy ngjarjet më të rëndë në historinë e të shtënave masive në shkollat në SHBA. Duke iu referuar ngjarjes më të fundit kur Adam Lanze 21 vjeç pasi vrau nënën e tij në shtëpi, shkoi në shkollën fillore Sandy Hook dhe vrau 27 fëmijë dhe anëtarë të stafit të shkollës(mësueset)  dhe më pas vrau veten, është ngjarja e 31 të, që ndodhë në historinë e hapjes së zjarrit me armë në masë në Shtetet e Bashkuara.

     Sipas raporteve që ka nxjerrë shtypi amerikan këto ditë pas ngjarjes së fundjavës së kaluar nga nga 31 aktet të tilla ndaj atyre që kan ndodhur në shkollat në SHBA kjo është më e madhja që nga viti 1999 në Shkollën e Mesme  Columbine kur 13 vetë u vranë, nga të shtënat e pakuptimta.   Raportet tregojnë se shkalla e njerëzve të vrarë nga armët e zjarrit në duart e njerëzve SHBA është 19.5 herë më e lartë se nga vende të ngjashme me zhvillimin në botë. Në 30 vitet e fundit që nga viti 1982, Amerika ka mbajtur zi të paktën për 61 vrasje masive.

Më poshtë është një afat kohor 13 vjeçarë të vrasjeve në masë pas të shtënave me armë zjarrin në SHBA të cilat janë nxjerrë nga ajo që ndodhi në masakrën Shkollën Columbine High School:
11 dhjetor 2012. Të martën, 22-vjeçari  Jacob Tyler Roberts ka vrarë 2 persona dhe veten e tij me një pushkë vjedhur në qendër të qytetit Clackmamas në Oregon. Motivi i tij është i panjohur.
27 shtator 2012. Pesë veta u qëlluan për vdekje nga 36-vjeçari Andrew Engeldinger në Accent Signage Systems në Mineapolis, Minnesota . Tre të tjerë u plagosën. Engeldinger qëlloi në masë me armëzjarri i “egërsuar” pas humbjes së punës së tij, në fund të fundit duke vrarë edhe ai veten.

5 gusht 2012. Gjashtë anëtarë të një tempulli sik, u vranë kur 40-vjeçari veteran i ushtrisë amerikane Wade Michael Page hapi zjarr në një ditë të shenjët të tyre në Oak Creek, Wisconsin. Katër të tjerë u plagosën, dhe Page më pas vrau veten.
20 korrik 2012. Gjatë premierës së mesnatës të filmit The Dark Knight Rising  në Aurora, Colorado, 24-vjeçari Jejms Holms la të vranë 12 persona dhe plagosi 58 të tjerë. Holmes u arrestua jashtë teatrit.
29 maj 2012.. Ian Stawicki hapën zjarr mbi lokalin Racer Espresso Cafe në Seattle, Washington, duke vrarë 5 vetë dhe pas vetveten.
6 prill 2012. Jake Egland, 19 vjeç, dhe Alvin Watts, 32 vjeç, qëlluan me motive racore 5 burra të zinjë në Tulsa, Oklahoma, nga të shtënat  tre vdiqën.
2 prill 2012. Një ish-student, 43-vjeçari One L. Goh ka vrarë 7 persona në Oikos University, një kolegj i Krishter Korean  në Oakland, California. Të shtënat ishin vdekjeprurëse gjashtë të vdekur nga masakra e shkollës në SHBA dhe ishte sulmi i dytë vdekjeprurëse në një shkollë të lartë që nga viti 2007 masakrës Virginia Tech.
27 shkurt 2012. Tre studentë u vranë nga po i njëjti studentë i asaj shkolle i cili quhej Thomas “TJ” Lane,  në një protestë në Shkollën e Lartë në Chardon Chardon, Ohaio. Tre të tjerë u plagosën.
14 tetor 2011. Tetë persona kanë vdekur nga të shtënat në një sallon e flokëve – Salloni Meritage në Seal Beach, California. I armatosuri, ishte 41-vjeçari Scott Evans Dekraai,  gjashtë gra dhe dy burra mbeten të vdekur, ndërkohë që vetëm një grua ka mbijetuar. Kjo ishte vrasja më vdekjeprurëse në Orange County në të shtënat e pakuptimta në masë.
6 shtator 2011. Eduardo Sencion, 32 vjeç, hyri në një restorant IHOP në Carson City, Nevada dhe e qëlloi 12 njerëz. Pesë vdiqën në vend, duke përfshirë edhe tre anëtarë të Gardës Kombëtare.
7 korrik 2011. Shtatë persona u qëlluan për vdekje, kur Rodrick Dantzler sqëlloi në një tubim në Grand Rapids, Mchigan. Ai vrau ish-të dashurën e tij, motrën e saj, dhe vajzën 10-vjeçare të motrës së saj, ish-gruan e tij dhe vajzën e tij para se të vriste veten

8 janar 2011. Ish kongresistia demokrate e Arizonës Gabby Giffords u qëllua në kokë, kur 22-vjeçari Jared Loughner hapi zjarr mbi një turmë njerëzish në një miting elektoral  në një qender tregtare në Safeway në Tucson, Arizona. Gjashtë njerëz vdiqën, përfshirë  Gjykatësin e Përgjithshëm të Qarkut –  Gjyqtarin Roll John, një prej anëtarëve të stafit Giffords ‘, dhe një vajzë 9-vjeçare. 19 veta gjithsej u qëlluan nga të shtënat e pakuptimta. Loughner është dënuar me shtatë herë dënim me vdekje plus 140 vjet, pa kusht.
3 gusht 2010. Omar S. Thornton, 34 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në Distributorin e Birrës në Hartford  në Manchester, Connecticut , pasi  u kapë duke vjedhur birrë. Nëntë u vranë, duke përfshirë Thornton, dhe dy të tjerë u plagosën.

5 nëntor 2009. Dyzet e tre persona u qëlluan nga një psikiatr i ushtrisë amerikane Nidal Malik Hasan në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas. Hasan thuhet bërtiti “Allahu Ekber!” para hapjes së zjarrit, duke vrarë 13 ushtarë dhe duke plagosur 29 të tjerë.

3 prill 2009. Jiverly Wong, 41 vjeç, hapi zjarr në një qendër emigracioni në Binghamton, New York para se të kryete vetëvrasje. Ai vrau 13 persona dhe la 4 të plagosur.

29 mars 2009. Tetë persona kanë vdekur nga të shtënat në Qendrën Pinelake të Shëndetësisë dhe Pinelake dhe Shërbimit Shëndetësor të Rehabilitimit në Carthage, North Carolina. I armatosur, ishte një 45-vjeçar i quajtur Robert Stewart, i cili tha se ishte motivuar nga që punëdhënësit kishin larguar gruan e tij nga puna dhe e kishin ngacmuar sipas tij. Stewart u dënua me burgim të përjetshëm.

14 shkurt 2008. Steven Kazmierczak, 27 vjeç, hapi zjarr në një sallë leksionesh në pjesën veriore të Illinois University, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur 21 të tjerë. Njeri i armatosur e qëlloi atë dhe e vrau më pas ai vrau veten para se policia arriti. Ajo ishte ngjarja e pestë-vdekjeprurëse nga të shtënat në universitetet në historinë e SHBA.

7 shkurt 2008. Gjashtë njerëz kanë vdekur dhe dy të tjerë u plagosën në një sërë të shtënave në sallën e Pallatit të Sportiti të qytetit në Kirkwood, Missouri. I armatosur, ishte Charles Lee Thornton, i cili hapi zjarr gjatë një takimi publik, pasi ati i ishte mohohuar kontrata për ndërtimet në qytet qëai besonte se i takonin atij .Thornton u vra nga policia.

5 dhjetor 2007. Një 19-vjeçar, Robert Hawkins, qëlloi në një dyqan në qendër  të qytetit Westroads në Omaha, Nevada. Hawkins vrau 9 njerëz dhe la 4 të plagosur para se të vriste veten. Ai përdori një armë pushkë gjysmë-automatike të cilën ai e kishte vjedhur nga shtëpia njerkut të tij.

16 prill 2007. Kampusi i Universitetit Virginia Tech u bë vendi i të shtënave vdekjeprurëse të shkollës në historinë e SHBA, kur një student, me origjinë koreane Seung – Hui Choi, hapi zjarrë të pakuptimtë me armë duke shtënë ndaj 56 njerëz. Tridhjetë e dy persona vdiqën në masakrën.

12 shkurt 2007. Në Salt Lake City supermarketi Trolley Square Mall, një person hapi zjarrë dhe vrau 5 persona dhe 4 të tjerë u plagosën nga 18-vjeçari Sulejman  Taloviç. Një nga viktimat ishte një 16-vjeçarë.

2 tetor 2006. Një mirëmbajtës shkolle i racës Amish në Lancaster, Pennsylvania  u qëllua për vdekje nga 32-vjeçari Charles Carl Roberts , Roberts ka ndarë duke detyruar ata  djemtë nga vajzat,  dhe ka nisë të shtënat duke vrarë vetëm vajzat. 5 vajzat e reja vdiqën, ndërsa 6 djem të tjerë u plagosën. Roberts ka kryer vetëvrasje më pas.

25 mars 2006. Shtatë vdekur dhe 2 të tjerë u plagosën nga 28-vjeçari Kyle Aaron Huff Kyle në një serë të të shtënave të pakuptimtë në Capitol Hill në Seattle, Washington. Masakra ishte vrasja më e keqe në Seattle që nga viti 1983.

21 mars 2005. Një i ri i quajtur  Jeffrey Weise ka vrarë gjyshin e tij dhe të dashurën e gjyshit të tij përpara se të hapet zjarr mbi  një turmë nxënësish të shkollës së mesme Red Lake Senior High School, duke vrarë 9 persona dhe plagosur në kampus 5 të tjerë. Weise më pasë vrau veten.

12 mars 2005. Në Kishën “Të jetosh me Perëndinë” u qëllua për vdekje nga 44-vjeçar prifti i Kishës Tarry Ratzmann Michael në një hotel Sheraton në Brookfield, Wisconsin . Ratzmann  mendohet të ketë pasur motive fetare, për këtë akt dhe vrau veten pas ekzekutimit të pastorit, djalin e tij 16-vjeçar të pastorit, dhe 7 të tjerë.Katër të tjerë u plagosën.

8 korrik 2003. Doug Williams, një punonjës i kompanisë Martin Lockheed, qëlloi në fabrikë e tij në Meridian, Missouri në një tërbim i motivuar nga ndjenja racore. Ai qëlloi 14 persona, shumica e tyre afrikano amerikan, shtatë mbeten të vrarë  përpara se ai të vriste veten.

26 dhjetor 2000. Punonjësi i kompanisë Edgewater Teknologji Michael “Mucko” McDermott ka qëlluar dhe ka vrarë shtatë bashkëpunëtorët e tij në zyrën në Wakefield, Massachusetts . McDermott jetonte me fantazi u tha sepse se ai kishte deklaruar se “kishte udhëtuar me në kohë dhe mendonte për të vrarë Hitlerin dhe gjashtë nazistët e fundit .” Ai u dënua me 7 fjali rresht(7 herë) të dënimit me vdekje.

15 shtator 1999. Larry Gene Ashbrook hapi zjarr në një koncert rock ndaj një turme besimtarësh të krishterë tubim  lutje të rinjësh në Wedgewood Kisha Baptiste në Fort Worth, Teksas. Ai vrau 7 persona dhe u plagosën 7 të tjerë, pothuajse të gjithë adoleshentët. Ashbrook më pasë ka kryer vetëvrasje.

29 korrik 1999. Mark Orrin Barton, 44 vjeç, vrau gruan e tij dhe dy fëmijë me një çekiç para se të niste nga një akti i pakuptimtë ku nga të shtënat  dy ditë i fshehur pas qendrave tregtare qëlloi në njërëz të pafajshën në Atlanta . Barton, një tregtar  besohet të jetë motivuar nga humbje parave me shuma  të mëdha . Ai vrau 12 vetë duke përfshirë edhe familjen e tij dhe plagosi 13 përpara se të vriste veten.

20 prill 1999. Prej të shtënave vdekjeprurëse të shkollës së lartë janë të parat e këtij lloji në historinë e SHBA, kur dy adoleshentët Eric Harris dhe Dylan Kiebold kan qëlluar në masë në shkollën e mesme Columbine High School  në Littleton, Colorado Ata vranë 13 persona dhe plagosën 21 të tjerë. Ata vranë veten pas masakrës.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina. 31 tragjedi, ne 13 vjet, ne SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 587
  • 588
  • 589
  • 590
  • 591
  • …
  • 603
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kandidatët zyrtarë për kryetar të Vatrës: Adriatik Spahiu, Dritan Haxhia, Dr. Elmi Berisha, Dr. Pashko Camaj
  • Naim Frashëri në 180-vjetorin e lindjes…
  • MIQTË- ARMIQ, KONICA DHE NOLI
  • 10 arsyet për të dalur në protestën për rikthimin e shtetit e të funksioneve të republikës
  • Memorandumi i Greçës, 23 qershor 1911, akti themelues i programit kombëtar që ndezi shkëndinë e pavarësisë
  • DIAMANTËT E FESTIVALIT
  • Protesta Kombëtare dhe streha e establishmentit të korruptuar
  • HAPËSIRA E PËRBASHKËT E REFLEKTIMIT
  • Teatri i demokracisë…
  • “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës”
  • Historic Milestone for the Albanian-American Community
  • Nga Besëlidhja e Lezhës te Kosova e sotme, domosdoshmëria e unitetit 
  • ANDI MEÇAJ – MJESHTRI QË HOLLËSITË JETËSORE I QËNDIS ME ART POETIK
  • PROGRAMI I KUVENDIT – NJOFTIM NGA VATRA
  • The United States as a vital partner in the development of the Albanian Healthcare Research System (1926–1936)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT