• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIMSIA: Letërsia për krijuesin është “ushqim” pa të cilin nuk mund të jetojë…

June 25, 2013 by dgreca

Simsia: “Më shoqëron gjatë gjithë kohës, më del shpesh përpara syve një foto e një djali të vogël i pafajshëm duke fshirë lotin e tij që qendron brenda dritares me hekura i ngujuar në dhomën e tij. A mund të ketë dhimbje më të madhe se sa ky fakt? A mund të qendrosh në heshtje përpara asaj pamje tepër të dhimbshme? Vetë loti i pafajshëm i atij fëmije tregon se kërkon ndihmë. Ata sy të përlotur plot dhimbje na godasin shpirtin të gjithë neve duke na shkaktuar dhimbje, dhimbje që duhet të shërohet njëherë e përgjithmonë…”

 Zoti Simsia. Jetoni larg Shqipërisë prej 22 vitesh. Dëshironi të kontribuoni me dëshirë, me pasionin tuaj pse jo edhe për lexuesin shqiptar. Ky roman, “Nuse në derën e hasmit” është libri yt i gjashtë i botimit tuaj i cili vjen për lexuesin shqiptar. Pse pikërisht ky pasioni juaj, duke patur parasysh se ju keni mbaruar për ekonomi. Ky pasion i hershëm i rinisë suaj tani bëhet realitet.

 Simsia: Siç e thatë edhe ju, unë jam diplomuar për ekonomi-financë, por që në fëmijërinë time të hershme, unë kam qenë tepër i pasionuar pas muzikës shqiptare… Në rininë time, veçanërisht në vitet e shkollës së mesme, duke e ndjekur muzikën, dëshiroja të shkruaja tekste këngësh dhe ia arita qellimit. Disa nga vjershat e mija që unë shkruaja në atë kohë, u morën nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri Kadëna, Fatmir Agalliu, u bënë këngë. Me një fjalë, ky ishte pak a shumë fillimi im në gjininë e letërsisë, por pa u shkëputur nga muzika.Kam shkruar në shtypin periodik të asaj kohe. Më lejoni të shfrytëzoj rastin, t’ju tregoj diçka nga krijimtaria ime letrare e viteve të para të rinisë sime. Në vitin 1980, unë kam qenë 20 vjeç atëhere dhe kam shkruar një reportazh nga Kalaja e Beratit. Kisha e Shën Gjergjit në Kala, është e ndërtuar në një vend të tillë nga ku Berati nga lart duket si në pëllëmbë të dorës. Në monizëm, ajo kishë, nuk u shkatërua, por u kthye në pikë turistike, aneks turizmi, siç i thoshim ne në atë kohë… Në atë reportazh, unë midis të tjerash, pasqyroja se si qytetarët beratas, për të thyer rutinën, në fundjavë argëtoheshin duke iu ngjitur kalasë përpjetë mes asaj natyre të magjishme që të dhuron Berati, me ajrin e pastër të pishave përreth… Nuk e kuptova pse ia dërgova gazetës në Tiranë reportazhin, kur në Berat dilte gazeta lokale “Kushtrimi”, ndoshta mosha e rinisë. Pas pak ditësh më erdhi përgjigje negative. Sigurisht, pas asaj përgjigjeje nuk më erdhi mirë, por dhimbjen e ndjeva më shumë më vonë, kur pas pak javësh, reportazhin tim e pash të botuar në gazetë me pak ndërhyrje dhe me autor tjetër… 

 Këto janë edhe ato momente, që në njëfarë mënyre janë kujtime jo fort të bukura, por që harrohen dhe lehtësohen kur fillon dhe realizon pasionin.

 Simsia – Normalisht. Këtë shembull që unë dhash, që nuk është vetëm ky, sepse e njëjta gjë më ka ndodhur edhe me një vjershë që unë ia kushtoja gjyshes sime në atë kohë, e cila kishte pak vite që kishte ndëruar jetë dhe që u botua më vonë me autor tjetër. Për vetë moshën, u lëndova, sepse fillimi i krijimtarisë letrare në një moshë rinore do përkrahje dhe unë atë përkrahje e gjeja tek mësueset e mija të letërsisë.  Krijimtaria letrare e fillimit për cilindo është si ai nxënësi që, kur merr një notë pozitive i hyn dashuria për ta mësuar atë lëndë dhe e kundërta, kur merr një notë negative demoralizohet. Unë duke e patur në gjak muzikën dhe letërsinë, me ndihmën dhe përkrahjen e familjes sime në atë kohë, u mundova të mos demoralizohem, por të vazhdoja të shkruaja, pavarësisht, nëse më botohej krijimtaria ime apo jo.

Zoti Simsia, në njëfarë mënyre, njihet jeta e vështirë e një pjesë të emigrantëve shqiptarë si në Evropë ashtu edhe në vende të tjera të botës, si ka mundësi që ju, përveç punës që realizoni, gjeni kohë edhe për letërsi.

Simsia – Është më se e drejtë. Unë e kuptoj pyetjen tuaj me vështirësitë e emigracionit, por edhe ju duhet të kuptoni pasionin që kanë krijuesit për letërsinë, për të lexuar, për të shkruar. Një njeri që merret, ose më mirë, dëshiron të shkruaj letërsi e gjen kohën për të shkruar, për më tepër ku i vijnë mendimet. Sikur edhe tre katër orë gjumë të ketë bërë, ai përsëri do ulet e do shkruajë. Letërsia për krijuesin është “ushqim” pa të cilin nuk mund të jetojë…

Meqenëse më pyetët për letërsinë po spjegoj edhe se si ka ecur udha e krijimtarisë sime letrare. Në fillimvitet 90-të unë emigrova në Greqi, Athinë. Në ato vitet e para, në Athinë doli e vetmja gazetë shqiptare “EGNATIA”. Meritë të madhe dhe të veçantë për daljen, drejtimin dhe mirëmbajtjen e asaj gazete ka shkrimtari Kolec Traboini që ka bërë një punë të shkëlqyer, shkrimtari tjetër Albert Zholi dhe gjithë stafi i asaj kohe që punonin me gazetën në kushte shumë të vështira… Imagjinoni se në ç’farë kushtesh doli ajo gazetë në ato vite kur urrejtja ndaj shqiptarëve ishte e madhe. Të dy këta, Traboini, Zjoli, njihen nga lexuesi si shkrimtarë të mirënjohur, të nderuar. Unë kontaktet me atë gazetë i kam patur me Albert Zholin, sepse ai ishte më i lidhur me atë gazetë. Unë ia jepja ati shkrimet e mija të cilat edhe botoheshin.

Në vitin 1997 unë isha fitues i Llotarisë Amerikane për të qenë banor i përhershëm i Amerikës. Familjarisht shkuam në Nju Jork ku vazhdojmë të jetojmë edhe sot. Në atë kohë fëmijët e mi kanë qenë të vegjël, djali i madh 4 vjeç dhe djali tjetër 2 vjeç. Kuptohet në ato kushte fillimi nuk ka qenë i lehtë, madje shumë i vështirë, për më tepër kur nuk ke njerëz, nuk ke një bazë ku të mbnështetesh si fillim.

Me pasionin që kisha për letërsinë, me vullnetin e madh që unë kisha për të shkruar, mësova se në Nju Jork botohej e vetmja gazetë shqiptaro-amrikane ILLYRIA, gazetë e lexuar nga komuniteti brenda dhe jashtë Amerikës, e vlerësuar, me një numër të madh lexuesish, me një staf profesionist të përzgjedhur për të drejtuar dhe për të punuar në atë gazetë, e cila vazhdon të botohet me sukses edhe në ditët e sotme.

E blija atë gazetë, e lexoja, i koleksionoja numrat e saj dhe m’u duk se gjeta një dritare të hapur për të komunikuar me botën shqiptare, për t’u bërë edhe unë pjesë e atij komunikimi.

U interesova, më pritën mirë dhe, në atë gazetë m’u mundësua botimi i shkrimeve të mija. Pra, kam patur një bashkpunim me gazetën ILLYRIA, bashkpunim që vazhdon edhe në ditët e sotme publikimi.

Romani juaj i ri i sapobotuar “Nuse në derën e hasmit” promovimi i të cilit u bë këto ditë në sallën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë është libri juaj i gjashtë. Mund të flisni më tepër rreth botimeve të librave tuaj?

 Që kur jam larguar nga Shqipëria para 22 vitesh, kam patur një si brengë në veten time, ose edhe dëshirë mund të them, që e ka çdo emigrant.

Kur je i larguar nga atdheu, mallin e ndjen më shumë, për vendlindjen, për njerëzit, të afërmit, për çdo gjë që kemi lënë këtu. Gjatë këtyre 22 viteve i larguar, jetën në Shqipëri e kam ndjekur nëpërmjet internetit. Unë kam shkruar publicistikë. Përveç gazetës ILLYRIA, kam patur bashkpunim edhe me shtypin e pavarur në Shqipëri, madje vitin e kalur, m’u botua një përmbledhje publicistike nëpër vite me titull: “FALEMINDERIT”. 

Përveç shkrimeve publicistike dhe temave të tjera të ndryshme, ku unë i kam pasqyruar në tregimet që unë kam shkruar, unë kisha si qellim të trajtoja në libër dy çështje të tjera kryesore; dy plagë që pikojnë dhimbje për shoqërinë e sotme shqiptare: Prostitucioni, trafikimi i vajzave të pafajshme shqiptare për qellime fitimi nga tutorët e tyre dhe e dyta, gjakmarrja. 

Prostitucioni është një plagë që u infektua dhe u përhap menjëherë në fillimvitet 90-të, ndërsa gjakmarrja, ajo plagë e vjetër shekullore që e kishte krijuar korren e saj, në ato vite iu gërvish ajo korre për të krijuar dhimbje, për të rrjedhur gjak… Pra, këto dy plagë,këto dy çështje tepër të dhimbshme, mua më kanë ngacmuar nëpër vite dhe doja të dilja përpara lexuesit me libra.

Siç e përmendët edhe ju, romani “Nuse në derën e hasmit” është libri im i gjashtë. Në vitin 2005 mua m’u botua vëllimi i parë me tregime “Le të jem unë Zamira…” 

Duke jetuar prej shumë vitesh në Sh.B.A. unë edhe mund të shkruaja tregime ose libra me temë amerikane dhe mund të shkruaj në të ardhmen, por ishin këto dy plagë të shoqërisë shqiptare që unë i përmenda më sipër, këto fenomene negative, që unë në vitin 2006 dola përpara lexuesit me romanin: “Një dashuri e vrarë” botuar nga Shtëpia Botuese “ARBËRIA” në Tiranë. 

Në atë roman unë trajtoj temën e trafikimit të vajzave të pafajshme shqiptare për qellimi fitimi nga tutorët,djemtë shqipatarë mashtrues.

 Ai roman u prit mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Mua nuk më takon të flas për krijimtarinë time letrare. Unë vlerësoj lexuesit, por fakti që ai roman edhe u ribotua meqenëse kishte kërkesa e tregon se u mirëprit.

Pasi u botua ai roman, vazhdoja të shkruaja publicistikë, vjersha, tregime. Përveç vëllimit me tregime “Le të jem unë Zamira…” u botua  më vonë edhe vëllimi tjetër me tregime “KAFEJA”. 

Mirëpo unë kisha qellimin tjetër siç edhe ua thashë. Doja të shkruaja një libër ku të trajtoja fenomenin e gjakmarrjes, i cili ka marrë përmasa të mëdha në ditët e sotme në botën shqiptare.

Për gjakmarrjen ashtu si edhe për prostitucionin, kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë, pra nuk është një temë e panjohur. Por autorë të ndryshëm e shikojnë në këndvështrimin e tyre, e trajtojnë në forma të ndryshme. Unë zgjodha variantin tim, këtë që e kam pasqyruar edhe në këtë roman, meqenëse e njoh edhe jetën në Shqipëri edhe jetën në Amerikë.

Dua të theksoj se i gjithë libri është trill, nuk është një ngjarje e vërtetë që unë e kam dëgjuar dhe pastaj jam ulur dhe e kam shkruar atë ngjarje. Pra është vetëm imagjinata ime. Dy të vërtetat në libër janë: vajza shqiptare Amelia Kotte e cila para disa viteve doli nxënësja më e mirë e të gjitha shkollave të mesme të shtetit të Nju Jorkut me rezultate të shkëlqyera duke na nderuar të gjithë neve si komb dhe si shtet dhe që fitoi bursë për të vazhduar shkollën në një ndër universitetet më të mira të Amerikës dhe tjetra është, ish studenti i shkëlqyer Ilir Hysa, i cili nga njëra orë mësimi dilte si student dhe në orën tjetër të mësimit hynte si pedagog në universitetin ku ai studionte. Për këta dy bashkatdhetarë unë kam shkruar në gazetën tuaj dhe në gazetat e ndryshme, madje edhe kam bashkbiseduar me ta në formën e intervistës.

 Zoti Simsia. Në librat e tu që ju trajtoni pikërisht këto dy tema në njëfarë mënyre i keni për zemër për ti trajtuar artistikisht, për të ndërgjegjësuar, për të sensibilizuar, sigurisht edhe për ndjeshmërinë tuaj personale ju thatë që janë trill. Sa ju është dashur të shfletoni, psh artikuj të ndryshëm, si nga gazetat, po ashtu edhe nga ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur, po ashtu, pse jo edhe nga Kanuni i dikurshëm i Lekë Dukagjinit për ta sjellë artistikisht këto dy fenomene ku në njëfarë mënyre është prezent.

 Simsia -Unë për këtë roman nuk kam shfletuar artikuj të veçantë, por kam punuar shumë me imagjinatën time. Unë, siç ua thash më sipër, jetën e sotme shqiptare gjatë këtyre 22 viteve i larguar nga atdheu e njoh vetëm nëpërmjet internetit, leximit të shtypit në internet dhe kjo më mjafton të kem njohuri rreth këtij fenomeni. Ngjarjet e ndryshme rreth fenomenit të gjakmarrjes, ngujimit të familjeve të ndryshme,  ngujimit të fëmijëve të pafajshëm, fytyrat e tyre të vrara dhe të përlotura brenda mureve të ngujimit pa parë dritëne diellit me sy, i kemi parë dhe njihen sot nga të gjithë shqiptarët, madje të gjithë ndjejmë dhimbje të madhe. 

Më shoqëron gjatë gjithë kohës, më del shpesh përpara syve një foto e një djali të vogël i pafajshëm duke fshirë lotin e tij që qendron brenda dritares me hekura i ngujuar në dhomën e tij. A mund të ketë dhimbje më të madhe se sa ky fakt? A mund të qendrosh në heshtje përpara asaj pamje tepër të dhimbshme? Vetë loti i pafajshëm i atij fëmije tregon se kërkon ndihmë. Ata sy të përlotur plot dhimbje na godasin shpirtin të gjithë neve duke na shkaktuar dhimbje, dhimbje që duhet të shërohet njëherë e përgjithmonë…

Unë në libër nuk e përmend Kanunin dhe nuk e kam gjykuar aspak, sepse Kanuni është një ligj që nga disa njerëz pranohet dhe nga disa të tjerë nuk pranohet. 

Në ditët e sotme, fenomeni i gjakmarrjes ka marrë përmasa shumë të mëdha në mbarë Shqipërinë. Pra, pak a shumë, po zbatohet ligji i Kanunit pa respektuar ligjet shtetërore. 

Unë, përshembull, jam nga Berati dhe nuk e kemi njohur apo zbatuar Kanunin, por e cilësoj përsëri, gjakmarja sot është përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Dëgjojmë ose lexojmë shpesh në lajme për një vrasje, pavarësisht se në cilin qytet të Shqipërisë ka ndodhur vrasja. Familjarët e lënduar nga dhimbja e madhe që u është shkaktuar për humbjen e njeriut të tyre të dashur, pa menduar për ligjet e shtetit që do veprojnë mbi vrasësin, deklarojnë se ne jemi në gjak me familjen e vrasësist… Pra në njëfarë mënyre zbatohet Kanuni, duke injoruar ligjet shtetërore.

Ajo që dua të theksoj është, se njerëzit duhet të ndërgjegjëzohen për të zbatuar dhe për t’iu bindur ligjeve të shtetit. Pra, duhen respektuar ligjet shtetërore për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjakmarrjes.

Në këtë roman, fenomenin e gjakfaljes unë e kam trajtuar edhe  në këtë formë: Xhorxhi, është personazh kryesor, i cili prej vitesh kërkon të marrë gjakun e vëllait të vet të vrarë pa dashje nga bashkmoshatari dhe bashkfshatari i tij edhe pse ky i fundit, e shleu dënimin me 25 vitet e jetës së tij në burgjet shqiptare.

Xhorxhi është një besimtar fanatik i fesë së krishtere (nuk e cilësoj në libër se i kut feje është, katolik apo ortodoks.

Duke shkuar në kishë, sigurisht i falet Zotit për faljen e mëkateve dhe këtë falje besimtarët e shoqërojnë edhe me bërjen e kryqit me tre gishtat e dorës që, sipas fesë së krishtere, tre gishtat presupozojnë trininë e shenjtë: Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Me dorë njeriu prek ikonat e shenjtorëve, merr qiriun për ta ndezur, bën kryq… Por është e njëjta dorë që shkrep armën vrastare për të vrarë njerëz të pafajshëm.

Këtë fenomen unë e kam përmendur edhe atëhere, kur Kosova ishte në luftë dhe kur kriminelët, barbarët serbë që i përkasin edhe fesë ortodokse, me të njëjtat duar, me të njëjtët gishtërinj që falen dhe ndezin qirinjtë e shpresës në kishë, i përdorin për të vrarë popullsinë e pafajshme shqiptare… 

 Ngjarjet ku zhvillohen, në Shqipëri apo në Amerikë?

 Simsia -Ngjarja fillimisht fillon në Amerikë, në Nju Jork. Dy të rinj, që unë i kam quajtur Lea dhe Liridoni njihen krejt rastësisht në vagonat e një treni, pra mund të them se ka qenë një dashuri me shikim të parë. Liridoni është një i ri shqiptar që shkëlqen në mësime, në një nga universitetet e Nju Jorkut. Lea, si çdo e ardhur rishtaz në Amerikë, duke lënë pas prindërit, shtëpinë, shoqërinë, ndihet disi e zhgënjyer me atë vend dhe jetë të panjohur, madje edhe e mërzitur dhe dëshiron të kthehet prap në Shqipëri. Kjo u vu re nga Liridoni që në bisedat e para me të. Liridoni ndjen keqardhje për Lean për mentalitetin që i është krijuar, për demoralizimin. Mundohet që ta afrojë, por, sa më shumë afrohej me Lean, aq më shumë i hynte në zemër. Kjo bëri që pas njëfarë kohe, njohja e tyre përfundoi në dashuri të sinqertë dhe dihet, që pas dashurisë vjen fejesa… 

Kur marëdhëniet dashurore midis Leas dhe Liridonit janë në kulmin e tyre, zbulohet hataja: Familjet e tyre janë në gjak me njëra tjetrën. Pra, pak a shumë, Lea do të shkojë nuse në derën e hasmit (nga merr edhe titullin romani) Pra, ngjarjet rrjedhin dramatike. Ngjarja komplikohet aq shumë sa asnjeri nuk ishte në gjendje ç’farë zgjidhje duhet ti jepej   

Babai i Liridonit merr një vendim të prerë, që unë nuk e them për të mos shuar kurreshtjen e lexuesit. Pra, deri këtu zhvillohen ngjarjet në Nju Jork, për t’u zhvilluar pastaj në Shqipëri deri në përfundim të librit.

A do të kemi një libër tjetër të ardhshëm, pavarësisht se ky roman është i freskët, sapo ka dalë nga botimi. Pra, a do të kemi libër me tema të tjera?

Simsia -Unë gjithmonë jam në kërkim për të shkruar tema të ndryshme duke përdorur imagjinatën time në lidhje me jetën e sotme.

Besoj se, PO, do kemi libër tjetër, madje ju them, pa e mbajtur sekret, se po punoj për një libër tjetër; nuk e di se çfarë do jetë, tregim i gjatë novel apo roman…

 Sa e vështirë është të publikosh, të sjellësh një libër tek lexuesi? Nga Amerika në Shqipëri.

Simsia – Është e vështirë, shumë madje. Por krijuesi, siç e thash më sipër, e ka në gjak krijimtarinë e tij letrare, dëshirën e madhe për të  shkruar. Pra është ushqim shpirtëror. 

Ne nuk nisemi nga ana e fitimit material. Ne gjithmonë dalim me humbje, sepse e dimë që edhe interesi i të lexuarit ka rënë. Është edhe vështirësia ekonomike dhe pagat e ulëta në Shqipëri për të blerë libra.

Si mendon, nëse këto libra do të përktheheshin në gjuhën angleze, do të kishin lexues, do të ngjallnin interes, veçanërisht këto dy fenomene që ju i përmendët dhe i keni sjellë në dy romanet tuaja.

Simsia -Mendoj dhe jam i bindur se, nëse do përktheheshin do ngjallnin interes tek lexuesi i huaj. Madje, kur unë pak a shumë ua kam spjeguar temën që kam trajtuar në këto dy libra, ata, jo vetëm janë befasuar, por janë shprehur edhe për t’u bërë film.

Përshembull, në fund të romanit “Një dashuri e vrarë” midis të tjerash shkruaj: “… Jo të gjitha femrat shqiptare që shiten rrugëve të Evropës e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, ashtu siç i mendon dhe i quan Evropa hipokrite…” 

Pra mesazhi është shumë i qartë. Madje mund të them se jam ndër të vetmit krijues që ia përmend Evropës fjalën hipokrite…

Edhe për këtë romanin e ri të sapobotuar “Nuse në derën e hasmit” nëse do përkthehej do ishte nder, vlerësim i madh, jo vetëm për mua si krijues, por për mbarë popullin shqiptar, duke i treguar botës së qytetëruar se jemi popull që besojmë në Zot, dijmë të falim…

 Zoti Simsia, në ditën e promovimit të romanit tuaj “Nuse në derën e hasmit” ishte edhe një gazetar gjerman. Si ndodhi që ai të ishte pjesëmarrës?

 Simsia – Po. Gazetari gjerman Fritz Schutte erdhi nga Berlini, Gjermania, në Tiranë enkas për të qenë pjesëmarrës në promovimin e librit tim. Unë e falenderoj shumë atë njeri, mikun e Shqipërisë që iu përgjigj pozitivisht ftesës sime.Zoti Fritz Schutte duhet vlerësuar për punën e tij të shkëlqyer që bën për njohjen dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Gjermani.Unë dhe zoti Schutte kemi shkëmbyer shumë herë mesazhe të ndryshme me njëri tjetrin për artin, muzikën, kulturën shqiptare. Ai njeri është shumë i pasionuar; edhe pse ka njohuri për kulturën tonë, ai përsëri është në kërkim të saj. Para pak muajve ne komunikuam direkt nëpërmjet skype ku zoti Fritz më kërkoi një bashkbisedim në formën e intervistës për televizonin gjerman. Me gjithë dëshirë e kënaqësi iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tij. Ajo intervistë që unë ia dhash atij, përveç se u transmetua në tv. gjerman do përmblidhet edhe në një dokumentar, të cilin ai po punon dhe që do realizohet së shpejti.

Faleminderit shumë zoti Simsia për këtë bashkbisedim të këndshëm dhe ju uroj suksese edhe në të ardhmen në krijimtarinë tuaj letrare.

 Simsia-Faleminderit Migena. Ishte kënaqësia ime gjithashtu të bashkbisedoja me ju, veçanërisht për letërsinë

* Intervistoi Migena Kraja,Gazetare në Televizionin Shqiptar

Filed Under: Interviste, Kulture

Njujorkezët, të çuditur me funeralin e aktorit James Gandolfini, në Katedralen protestante

June 25, 2013 by dgreca

Shkruan: BEQIR SINA, New York/

MORNINGSIDE HEIGHTS- NEW YORK CITY : – Funerali për yllin e Sopranos James Gandolfini, do të mbahet në Katedralen Hyjnore e Shën Gjon- “Cathedral of St. John the Divine” të enjten në mëngjes në orën 10:00, tha duke e konfirmuar të hënën një përfaqësues i koncernit kinematografik amerikanHBO, në New York .
Ndërkaq, zëdhënësja e tij i deklaroi sot në mbrëmje se me një aeroplan të aerokompanisë italiane AlItalia “Kufoma e James Gandolfini është kthyer në Shtetet e Bashkuara nga Roma, Itali,” tha ajo .
Ylli i Sopranos fitues i Emmy Award vdiq nganjë atak në zemër në moshën51 të mërkurën e kaluar, në Itali. Ai ishte në Itali për një shfaqje në Festivalin e Filmit Taorminas, në Sicilia.
Shtypi njojurkez po komenton sot gjatë çështjet e funeralit të tij që do të mbahet në Katedralen Hyjnore e Shën Gjon- “Cathedral of St. John the Divine”. Fanasat e tij janë të çoroditur tha televizioni i qyetit të New Yorkut, NY1, mbi zgjedhjen e një katedrale Peshkopate -Episcopaliane për funeralin e aktorit, i cili ështëkatolik.
“Një djali italian nga New Jersey, besimtar katolik do t’i bëhet funerali si protestantë në New York,” shrkuante një fans i tij në rrjetin social tweeted, Ellen O’Neill., ndërkohë që PatriciaBeal në faqen e mediave sociale në Tweeter shkrunate “Unë pyes veten pse funeralin e një katoliku në Katedralen protestante?”.
Katedralia Hyjnore e Shën Gjon – “Cathedral of St. John the Divine” e cila ndodhet mes Harlemit dhe Manhattanit -në qytetin e New Yorkut, në lagjen Morningside Heights në rrugën 112 West Street dhe Amsterdam Avenueështë katedralja më e madhe gotike në Shtetet e Bashkuara e cila ka organizuar shërbimet funerale të disa figurave të tjera publike, në New York, duke përfshirë edhe autorin John Gregory Dunne dhe MadeleineL’Engle.
Interesimit të gazetarëve tha NY1 në emisonin e lajmeve të mbrëmjes Katedralia Hyjnore e ShënGjon – “Cathedral of St. John the Divine” nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetarëve dhe fansave të Yllit të Sopranos, fitues i Emmy Award James Gandolfini, për të komentuar mbi hollësitë e shërbimit, funeral në këtë Katedrale . Veçse ata pranuan se kërkesën e kan marë nga HBO për zgjedhjen e vendit, ku do të kryen shërbimet funerale.

James Gandolfini, i njohur “The Sopranos”

Aktori amerikan, James Gandolfini, i njohur për rolin e tij si gangster i mafias në serialin televiziv, “The Sopranos”, ka vdekur në moshën 51 vjeçare, në Itali ku kishte shkuar të marrë pjesë në Festivalin e Filmit Taorminas.

Rrjeti HBO, që e transmetoi serialin “The Sopranos”, ka njoftuar se aktori ka vdekur derisa ishte në pushim në Itali. Mendohet se ai ka vdekur nga një atak në zemër, i cili e ka goditur disa herë brenda saj dite.

Në njoftim, e tij koncerni i famshëm i kinemasë amerikane HBO e ka vlerësuar të ndjerin Gandolfini si talent të madh dhe person të dashur e bujar.

Ai e ka luajtur rolin e shefit të mafias, Tony Soprano, në serialin televiziv, që u transmetua prej vitit 1999 e deri në vitin 2007.

Ai ka luajtur edhe në filmat “Zero Dark Thirty”, “True Romance”, “Get Shorty”, e të tjerë. Jetonte prej vitesh në New Jersey .

Ai kishte fituar tre Çmime Emmy për rolin e Tony Sopranos, mafiozit të dhunshëm, që kurohej fshehtazi nga mjekët psikiatër.
Aktori nga New Jersey pati një karrierë 20 vjeçare në kinema dhe televizion. Ai e filloi karrierën në vitin 1992, me një rol në një pjesë të përshtatur për Broadway-in nga drama “A Streetcar Named Desire”, e Tennessee Williams.

Mbas shfaqjes së serialit televiziv, “The Sopranos”, shtepia e James Gandolfini, i njohur “The Sopranos” ruhej nga policia mbas kërcënimeve për jetën që kishte marrë ai nga disa eksponentë mafies njujorkeze, Lukeze dhe Genoveze.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, funerali i Galdofinit, ne kishe protestante, Sopranos

Murtaja e vitit 1747(Nga ditari i Gjon Nikollë Kazazit)

June 24, 2013 by dgreca

Ne Foto: Gjon Nikollë Kazazi (Punim i artistit Shyqeri Nimani)/

”Minjtë e dikurshëm gjatë sundimit turko-otoman, që bartnin murtajën dhe shkaktonin vdekjen e popullit, apo edhe ata gjatë sundimit serbo-sllav, ende janë të gjallë dhe veprues.” Dom Lush Gjergji ”/

Shkruan: Fahri Xharra/

Jemi në Gjakovën e vitit 1747, ishte muaji mars, një mars i bukur, por që paralajmëronte diçka të kobshme. “Lëvizjet e shpeshtuara të ushtrisë turke që bëheshin atyre ditëve dhe netëve nga Gjakova, e drejt nga Qafa e Prushit i kishin ra në sy gjithkujt, por që të gjithë ia kishin dronë ndonjë të lige që mund të përgatitej. E sigurt ishte që Porta e Lartë, qëllimisht kishte zgjedhur hapësirën e Gjakovës, Malësisë së saj, Shkodrën e deri në det për të treguar qëllimet e saj dhe sajimin e një “tampon zoneje” të tmerrit, ngase përherë aty ishin thyer Lindja dhe Perëndimi në paraqitjen e fuqisë së tyre”… thoshte Gjon Nikollë Kazazi në fletorët e tija të asaj kohe të cilat na i zbardhi Jusuf Buxhovi me 1982.

“ … Druaj, vëlla, se sërish do të na bjerë mbi kokë fatkeqësia e kufirit të ndarjes së dy botërave… O zot, mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin, e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin…” – i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, ne shënimet e tij. “Me keqardhje “të thellë – thoshte Kajmekami i Gjakovës, iu lajmëroj se në Gjakovë ka shpërthyer sëmundja e rrezikshme e murtajës. Ishte më 28 Mars 1747… Forma më e shpeshtë nga Xenopsylla cheopsis e murtajës, vjen pas një pickim i morrit të minjve. Ajo së pari i sulmon dhe i zhduk minjtë, dhe me mbytjen e tyre, e vazhdon te njeriu. Pas një inkubacioni një javor sëmundja shfaqet ashpër dhe mbjell vdekje. Kjo është murtaja Bubonike. …Dhe qyteti i Gjakovës, që nga Pashtriku, deri te mbrenda Drinit, nga Nënshkëlzeni e deri te Lumbardhi i Deçanit, shpallej karantinë.

Gjon Nikollë Kazazi nuk dëshironte të ngarkohej, si thoshte ai, me mëkatin e dyshimit të padëshiruar, por koha ka me tregue dhe mund të thuhet se kjo e ligë nuk ka pikur nga qielli. “Lufta nuk zgjedhë mjete. Në krahinat kryeneçe, shkruan Jusuf Buxhovi (Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit), mund të bëhet ajo edhe me anë të mikrobit të padëshirueshëm që vret mijëra herë më shumë se arma dhe nuk le gjurmë. Mendja e njeriut nuk ka fund kur janë në pyetje shkatërrimet”. Gjon Nikollë Kazazi e kishte lexuar se murtaja e para njëqind vjetëve poashtu në Gjakovë nuk i kishte dhënë rezultatet e pritura falë gjeturisë së vendasve. “… Unë, Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, dëshmoj për mënxyrën që na ka ra mbi kokë dhe rrezikun të mbesim të shkëputur nga bota… Ky kërcnim lidhet me çfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se është midis nesh, sadoqë ajo ende nuk është dëshmuar…(inkubacioni i pritur vazhdon F.Xh.)…por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, lë për të dyshuar se ajo është pjellë e ligësisë së robit….”.

Pra, sëmundja ishte sjellë kastile që nga viset e largëta të Lindjes me të sëmurë, të shoqëruar me përcjellje po nga ata që e kanë derdhur sëmundjen. Kjo ishte pjesë e një loje të rrezikshme që bëhej me qëllime të caktuara nga zyrat që merreshin me shkatërrimin apo zhvendosjen e popujve, aty ku biente kufiri në mes të dy botërave. E ngjashme kishte ndodhur në Gjakovë (1972), kur u karantinua Gjakova me prurjen e sëmundjes së lisë (variola vera), shpërthimi i fundit në Evropë i kësaj sëmundjeje. Sipas shtypit jugosllav të kohës, sëmundjen e pat sjellë një haxhi mysliman shqiptar.

“Çudë, për besë – fliste populli, çudë e madhe. Flitet e përflitet për këtë të zezë sëmundje e kurrkund nuk hetohet”… Kurse në të njëjtën kohë Kajmekami kërcnohej: “Ata që dyshojnë në sëmundjen, janë armiq të Perandorisë dhe të gjithë ata që e hapin fjalën se nuk ka sëmundje dënohen pamëshirshëm” (?) Pritej me padurim dhe me imtësi të planifikuar të çfaqej sëmundja.

“Otomanët, meqenëse nuk arritën të krijojnë ‘njeriun e ri’ në këtë anë, i cili do të ishte i së ardhmes dhe si i tillë nuk do të kishte mendim të vetin, nuk do të kishte të kaluar, me një energji të pashtershme një ditë sjelljet e tij të mos shfaqeshin si pjesë e veprimit dhe e të menduarit sipas urdhrave” (J.Buxhovi, po aty). Murtaja ishte pjellë e strategjisë: “Tek e fundit, sëmundje ka pasur dhe gjithmonë do të ketë, pse t’ua vejmë veshin gjithaq kur ato vijnë nga i madhi që mendon për të gjitha?” e qetësonte Kajmekami parinë e Gjakovës, në Marsin e vitit 1747. “Por, koha e duhur eci dhe sëmundja u çfaq, sëmundja nuk erdhi nga zoti, por nga robi, sëmundja u çfaq sipas rendit të paraparë dhe e dijshin mire ata rrjedhën e saj” – vazhdon tutje Gjon Nikollë Kazazi në shënimet e tij. Pastaj Gjakova do të bëhej varri më i madhi në botë ku dhjetëra e mijëra të dënuar me vdekje të futeshin në te.

Qytetarët habiteshin që sëmundja paraqitej në mënyrë të përzgjedhur (selektive) nëpër mëhallë të qytetit. Kishte, vallë hile edhe aty?… Sëmundja përhapej dhe fikej, falë gjeturisë së kundërveprimit të qetë, që në të vërtetë ngërthente kundërvënien më të ashpër, jo me infrastrukturë ushtarake, por me mospërfillje të urdhrave të pushtuesit. Prurja e plakave nga Malësija që i përdornin dregëzat e nxjerra nga hunda e të sëmurit që pastaj me anë të grrithjes në lëkurën e dorës dhe fërkimit me gjakun që shfaqet i futnin të sëmurit kundërmikrobin në trup dhe kështu i bëhej ballë sëmundjes. Plakat grithëse ishin shpërndarë në katundet e Malësisë e Rekës dhe kudo i kishin grrithur të sëmurët. “Pushtuesit e dinin mire që krahas çkombëtarimit, asimilimit dhe shuarjes së popujve të padëgjueshëm të prekin edhe qendrat nervore ku rrënohej intelekti i tyre dhe shkaktohen çrregullime mendore dhe shpirtërore që barten brez pas brezi…” ( Jusuf Buxhovi, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit.1982). “Ndodhi të së djeshmes që kanë ndodhur në të nesërmen e sotme…”.

Imzot Gjon Nikollë Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo e i kreu ne Kolegjin Ilirik të Loretos, ku studioi gramatikë, retorikë e filozofi. I nisi studimet kur ishte djalë i ri, 18 vjeç; i kreu në vitin 1727, kur mori edhe titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. 41 vjeç do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit. Sapo u kthye, kryeipeshkvi Mikel Suma, e emëroi misionar ne Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni ne Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu se bashku me dom Anton Teodorin.

Meqë dallohej për zgjuarsi dhe aftësi te veçantë, imzot Suma e emëroi dom Gjonin vikar të përgjithshëm. Me propozimin e Imzot Vinçenc Zmajeviqit, Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv i Shkupit. Palion e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743. Gjatë qëndrimit në Romë, në vitin 1743, imzot Kazazi zbuloi ne Bibliotekën e Propagandës Fide të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Kryeipeshkvi i Shkupit vdiq me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera ne historinë tonë dhe si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur, që njihet deri me sot. Sipas të gjitha gjasave varri i tij gjendet ne rrethinën e Gjakovës.

 

 

 

 

Filed Under: Komente, Kulture Tagged With: Fahri Xharra, Murtaja e vitit 1747

U zhvillua në New York Parada e 28-të Ndërkombëtare e Emigrantëve

June 24, 2013 by dgreca

Simbolet tona kombëtare, bluzat e kuqe me hartën e Shqipërisë Etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat i dhanë sheshit America një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm/

Nga Beqir SINA/

AMERICA AVENUE – NEW YORK CITY : Është një traditë për rreth katër dekada, që në javën e fundit të qershorit në qytetin e Nju Jorkut, bulevardin e saj kryesorë “America”, për çdo vit të zhvillohet Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve – International Immigrants Parade. Organizatori i kësaj parade, është një organizatë joqeveritare në Kombet e Bashkuara, me president zotin Edward Juarez-Pagliocco. Tema e Paradës ishte: “Festimi i Unitetit Nëpërmjet Diversitetit”.

Kjo, Paradë, është themeluar 40 vjetë më parë (1973). Kësaj rradhe ajo e kishte edicionin e 28-të vjetore të saj dhe është të mbajtur të shtunën në mesdrekë, e përfaqësuar nga kuadratet e grupeve të emigrantëve nga Shqipëria, Gjeorgjia, Kina, Tibeti, Meksika, Karaibet, Amerika latine dhe Vietnami. Grupet pjesmarrrëse marrshuan në bulevardin America Avenue në mes të rrugëve 43 street dhe 58 street. Parada zgjati më pak se një orë e gjysmë parakalim,

Marshuesit kuqezi – shqiptarët, ishin kësaj rradhe më të shumtit në numër. Qindra shqiptarë nën entuziazëmin dhe demostrimin e simboleve dhe ngjyrave tona kombëtare, parakaluan plot krenari. Parada u Organizua nga organizata Rrënjët Shqiptare, dhe u mbështet pa rezerva nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, presidenti i saj Joe DioGuardi, Shoqata Ana e Malit, Fondacioni Plavë dhe Guci, Shoqata KOMBI, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit.

Në marshin e shqiptarëve ishin të rreshtuara tre të ashtuquajtura “parade float – rimorkiot e paradës” të tërhequara nga kamionat, të “veshur” në të gjitha anët me flamuj kombëtarë – kuq e zi, dhe të gjitha ngjyrat e veshjeve folklorike. Me banneret “Rrënjët Shqiptare”, fondacioni Plavë e Guci dhe shoqata Ana e Malit, si dhe me të rinjë e të reja veshur me kostumet popullore, duke vallëzuar dhe kënduar shqip ato parakaluan përmes bulevardit,.

Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë paradë, tha presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, është një çështje shumë e rëndësishme, ne jemi shumë të lumtur dhe krenar që po përfaqësohemi për çdo vit në këtë marrshim të vetëm të shqiptarëve deri tani në mes të New Yorkut.

Në këtë Paradë, shqiptarët erdhën më të organizuar se heret e tjera. Me pjesmarjen e shumë grupeve dhe organizatave të tjera shqipëtare, që operojnë jo vetëm në New York, por në gjithë SHBA-të, si grupi i të rinjëve nga Detroiti(dega Rrënjët Shqiptare me kryetar Endrit Topalli), grupi i Teksasit ( me kryetar Besmir Hoxha), Bostoni, dhe New Jersey, duke promovuar të gjitha vlerat tona kulturore dhe folklorike të tilla si kostumet, vallet dhe këngët tona nga treva të ndryshme shqipëtare.

Presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, në fillim të fjalës së tij, i është falenderuar organizatave dhe shoqatave të komunitetit, për gjithë mbështetjen e dhënë në të gjitha aktivitetet, e kësaj organizate. Me këtë rast ata nderuan me çmimin “Nëna Terese”, Ambasadorin Dr. Waheed Waheedullah, për shkrimet e tij kushtuar figurës së Nëna Tereses dhe luftës në Kosovë kur ai ishte ambasador në Kombet e Bashkuara. Ndërsa me çertifikatën e lart të “Mirënjohjes”, për kontributin e madh që kan dhënë në komunitet ata nderuan kryetarin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Ana e Malit, zotin Ismet Kurti, si dhe Top Modelen e njohur shqiptare në New York, Lola Luma, “ambasadoren” shkodrane të bukurisë dhe artit, si dhe disa veprimtarë e lider të tjerë të komunitetit.

Kepi, i cili drejtojë ceremoninë e hapjes, ftojë të këndoi hymnin Amerikan sopranon Lindita Lole. Paradën e përshëndetën presidenti i Lidhjes Qytetare Joseph DioGuardi dhe Këshilltaria e Çështjeve Ballkanike, Shirli Cloyes – DioGuardi, Konsulli i Përgjithshëm të Shqipërisë, Dritan Mishto, kryetari i shoqatës Plavë e Guci, Esad Gjonbalaj, gazetari shqiptaro amerikan Mike Adams, ish -kampioni i boksit “Kosova Kid” Elvir Muriqi, këngëtaria kosovare e spektaklit American Idol – talenteve të reja në SHBA, Melisa Ademi, Dj Edih, kampionin e notit Sidni Hoxha, baritonin e talentuar Bledar Maqellara, dhe kryetarin e shoqatës Kombi, Artur Vrekaj, Paradën e shqiptarëve e nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës, konsujt Fatmir Zajmi dhe Ymer Berisha, si dhe veprimtar e lider të komunitetit.,

Pas përshëndetjeve presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, ftojë të gjithë pjesëmarrësit, shumica e tyre të rinjë e të reja shqipëtare, nxënës dhe studentë, aktivistë dhe veprimtarë të komunitetit, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Çamëria, që edhe në këtë aktivitet, ata të ishin promotorë dhe udhëheqësit e vërtetë të Paradës së Shqiptarëve. “Ne sot ndihemi krenarë tha Kepi në fund të fjalës së tij që jemi shqiptarë dhe le të parkalojmë në këtë paradë, me plot dinjitet dhe krenari të gjithë së bashku – pa dallim feje bindje apo krahine nën sloganin, JEMI NJË”, tha ai.

Një grup vallëtarësh kishte ardhur me veshjet popullore të krahinës së Çamërisë dhe Malësisë. Grupi i djemëve të Çamërisë marrshoi krenarë, ata mbanin në duar pankarta për të drejtat e tyre, dhe dënonin genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kudo në shesh shikoje vetëm simbolet tona kombëtare; bluzat e kuqe me hartën etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat, që i dhanë sheshit America, një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm, shqiptarë, përgjatë segmentit që ndanë rrugët 43 street dhe 58 street. Një grup prej tyre mbante, pankartat e kandidatit shqiptarë, për në Këshillin e Bashkisë së qytetit të New Yorkut, Ken Biberaj.

Në paradë ke qenë edhe një grup të rinjësh që ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve, por edhe të atyre që qëndronin spektatorë në dy anët e sheshit Amerika, përgjatë marshimit në sheshin ku u zhvillua parada. Ai ishte i atyre të rinjëve që mbanin në duar pankarta të mëdha ku shkruhej : “Ethnic Albania – Shqipëria Etnike – Shkupi – Ulqini, Çamëria Kosova” dhe një tjetër në të cilën ishte pikturuar një hartë e Shqipërisë Etnike si dhe : “Malësi, Çamëri, Mitrovicë, Lugina e Preshevës, Sanxhaku, Dardania – Iliria – Arvanite”, Chameria,. Tre banner të mëdhenjë prinin marshimin shqiptarëve në sheshin në zemër të New Yorkut America, : Chamëria – Jemi Një dhe Albanian Roots, ndërsa përrreth tyre dy flamurë kuq e zi gjigandë, qëndronin në mes të pjesmarrëseve. Kurse grupe djemësh e vajzash, veshur me bluza të kuqe, kërcenin dhe këndonin në shesh me një performancë të veçantë.Joe DioGuardi dhe bashkëshortia e tij Shirli Cloyes – DioGuardi bënë paraqitjen e tyre me një autoveturë klasike Cadillac, në xhamin e parë të së cilës ishte vendosur një rug me portretin e Nëna Tereses, në dy krahët e automjetit qëndronin flamuri amerikan dhe ai shqiptarë. DioGuardi, kësaj rradhe demostroi edhe një herë një flamur të kuq me vija të bardha, për të cilin tha ai përfaqëson të shtatë milion shqiptarët në Ballkan.

Një nga pjesët më mbresëlënëse të kësaj parade, së organizuar nga organizata Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots, me përkrahjen e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joe DioGuardi, Shoqatës Ana e Malit, Fondacionit Plavë dhe Guci, Shoqatës KOMBI, nga Bostoni, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit, ishte kontigjenti i fëmijëve, me prindërit e tyre, djemeve dhe vajzave të bukura shqiptare, në “marshimin i tyre me bluzat e kuqe dhe me flamujt kuq e zi, plot me krenari, përgjatë parakalimit një orësh në sheshin America, në zemër të qytetit të New Yorkut.

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, e emigranteve, ne New York, Parada e 28-te

EMËR QE NUK DUHET HARRUAR,TAHIR DRENICA(1921-2013)

June 22, 2013 by dgreca

Shkruan: SHABAN CAKOLLI/

Me dhembje sot e morëm lajmin,për ndarëjen nga jeta,të një burri të madh,miku të dashur,të mençur,guximtar dhe intelektual ,rrapsodit të madh Tahir Drenica.Tahir Drenica ishte lindur më 21.06.1921,në një familje të madhe prej dyzet e tetë anëtaresh,familje.Mbiemrin e mori sipas vendlindjes, nga se babai i tij ishte atdhedashës,ishte armik i pushtetit të asaj kohe,andaj po të tregonte mbiemrin e tij,Tahiri nuk do të mund të fillonte karierën e vet,do të ndiqej nga pushteti,kështu ai me mençuri u regjistrue si Tahir Drenica,kështu i mbeti mbiemri deri në fund të jetës së vet.Ai nga fëmijëria pasion e kishte këngën,vinte nga një familje,atdhetare dhe artdashëse.Në atë kohë për shumë shqiptar shkollimi ishte vetëm një ëndërr,po jo mundësi.Tahiri u shkollua odave,dhe përvoja është një shkollë e mirë.Familja e Tahirit ishte artdashëse,kurse Tahiri në fëmijëri ëndërronte të bëhej artist i vërtetë.

Thuhet se shtëpia e tyre ka qenë vatër e kulturës,në odat e tyre janë tubuar këngëtarë me famë të asaj kohe,si:Cuf Kadishani,Halim Beqa,Murat Pajaziti,Sefë Gashi(Mleqani) e shumë të tjerë.Tahir Drenica i kishte dëgjuar me ëndje,i kishte mësuar me interesim të madh këngët e tyre,nga se në atë kohë kishte pak tekst shkrues,këngët mësoheshin përmendësh.Tahiri në moshën fëmijërore i mësoj të gjitha këngët,të cilat i këndonin rrapsodët e njohur,më pas i këndoj,i imitoj këngëtarët një kohë,kurse më vonë u bë këngëtar i pavarur,i cili më nuk kishte nevojë të emitoj të tjerët,por vet i përpunoj tekstet,meloset,si dhe zëri i tij i ëmbël u bë shumë i dashur për dashamirët e këngës të asaj kohe.Tahiri,u stërvit duke u bërë ballë garimeve me të gjithë këngëtarët e kohës.

Ka kënduar me rrapsodët më të njohur të asaj kohe me Rizah Bllacën,Salih e Feriz Krasniqin,,Sef Mleqanin,Augustin Ukajn,Demir Krasniqin,Bajrush Dodën,Durmish Kadishanin,etj…..Ai ka pasur edhe një përcjellës i cili atë botë ishte mjeshtri më i njohur i violinës,quhej Qazim Berisha,ka kënduar me këngëtarin e madh Qamili i Vogël,me Osman Gllarevën,këta mund të shquheshin këngëtarët e famshëm atëherë.Kur ishte njëzet e shtatë vjeç,Tahiri shquhej nga këngëtarët tjerë(1948),ai u bë shumë i popullarizuar,ftohej në dasma,festa,gazmende,koncerte,dhe kudo është pritur si artist i popullit.Tahirin e kam njohur shumë herët,kur isha fëmijë,kudo ku vinte në dasma në rrethin tonë e kam përcjellur.Tahiri ishte mjeshtër i madh i këngës,kishte zë të lartë,të ëmbël dhe dinte të e përdorte zërin.Kur këndonte në shiqim të lënte përshtypje se nuk e hapte fare gojën,kishte mjeshtri në përhapëjen e zërit,po kishte mjeshtri edhe në përdorimin e veglës,madje i kishte hije mbajtëja e sharkisë.Tahiri fliste rrallë,po fjala dhe ndeja i kishin hije,ishte i rrespektuar nga miqët.Njëherë në një dasmë në rrethin tanë pati kënduar me Shaban Baksin,të dy kishin zë të fuqishëm dhe identik,shumë kohë është folur në popull dhe ajo dasmë pati bërë jehonë të madhe tek artdashësit.

Nga vitet e 60-ta,Tahiri ka kënduar me Hashim Shalën,me askend nuk janë përshtatur më mirë,kurrë më nuk janë nda.Tahiri ka qenë këngëtar i guximshëm,ka kënduar historinë kombëtare,Skënderbeun,Fazli Grajçevcin,Ramë Bllacën,Krajl Nikollen.Pashiqin Rankoviqin,Ahmet Delinë,këngë këto që shumë këngëtarë nuk guxonin të i ëndërronin,lëre më të i këndonin.Menjëfjalë ai ka kënduar mbarë historinë kombëtare,por ka kënduar edhe këngë dashurie,këngë humoristike,satirike,të gjitha motivet.

Tahir Drenica me Hashim Shalën,kanë kënduar në çdo vend të botës ku ka pasur shqiptarë,nga Amerika e largët dhe skaj më skaj Europës,në Danimarkë,Gjermani, Austri e gjetiu, në Belgjikë kur u përuruar busti i Skënderbeut,kanë qfaqur një program të pasur kulturor meOsman Gllareven,Qamilin e Vogël,Marash Krasniqin,Augustin Ukajn,kanë mrekulluar Brukselin,i cili me aq interesim e ka përcjellur kulturën tonë.Tahiri me Hashimin kanë kënduar në Kopenhagen,Zvicërr e kudo nëpër vendet ku mërgimtarët tanë kanë qenë të organizuar nëpër shoqata e klube.Mbajë mend viteve të 90-ta,kur vinin në Gjermani,me Shkurte Fejzen,Ilir Shaqirin,Mahmut Feratin,ata dalloheshin me kësula të bardha,të ëmbël në këngë,të ngrohët në biseda me mërgimtarët,të papritueshëm të kthehen në skenë kur i kërkonin mërgimtarët,kanë kënduar këngët:Katundarë e Sheherli,Leze mori Leze,Kur jam kanë një vakt i Ri,çka po më rrin karshi-karshi,e cila ishte kënga më e kërkuara e tyre nga rinia jonë.Personalisht unë vet,në mërgim kam pasur rastin të i zhvilloj tri intervista të shkurtëra me Tahir Drenicën.Rrëfimet e tij ishin shumë interesante,ai tregonte si ishin njohur me një studjuese të folklorit,studiuesja ishte daneze Birthe Traerup,e cila kishte botuar libra në pesë gjuhë të huaja,ku në këto libra ishin përkthyar dhe botuar disa këngë të Tahir Drenicës dhe Hashim Shalës.Tahir Drenica dhe Hashim Shala,kishin inçizuar një reportuar të gjërë të tyre në”Jugoton” Të zAGREBIT;Në Radio Prishtinë, në RTP e atëhershme.

Kohën e fundit,folklori ynë burimor shumë pak po kultivohet dhe aq më pak po dëgjohet,andaj edhe pak emisione kanë pasur këta rrapsod,një vend dhe rëndësi të veqantë ua ka dhënë mbretresha e folklorit tonë Shkurte Fejza,në emisionin”Rrënjët Tona”.Tahir Drenica dhe Hashim Shala,kishin shpirt të pastër artistësh,

janë shpërblyar disa herë,si dhe kanë qenë të dashur nga populli,një jetë të tyre me këngë.

Unë mendoj se te ne është një dobësi,njerëzit sa janë të gjallë ua ndrydhim të bëmet,nuk ua përhapim meritat,kurse pasi të vdesin u thurim lavdi!Kam shkruar tri shkrime të shkurtëra për Tahir Drenicën,por tani kur u nda nga jeta,sikur po e ndjejë se i kam mbetur borgj,për një veprimtari të pasur kombëtare që ka pasur ky rrapsod i madh.Tahir Drenica dhe Hashim Shala,kanë pasur miq në çdo shtëpi shqiptare.Ata kanë kënduar trimërinë dhe bujarinë,veprat historiko-kombëtare,të trimave të mbarë hapësirës shqiptare,ata kanë mallkuar armiqët në vargjet e këngëve të tyre,ata me këngën e tyre folklorike,e cila dikur ishte begatia më e madhe e kombit tonë,e që mendoj se do duhej të ruhej me të njejtën rëndësi edhe sot,kanë frymëzuar popullin tonë liridashës.

Kur këndonte Lec Gradicën,odave tona,Tahiri i pushtonte zemrat e artdashësve,kjo manifestohej edhe me të reshurat e armëve në ajr,të cilën e kam vërejtur se Tahiri nuk e kishte për qejf.Plumbat nuk duhet hargjuar për këngën ,thoshte Tahiri,do ishte

mirë të i ruajmë për armikun.Saherë përmendi Tahirin,tani më dhimbset Hashim Shala,nga se ata ishin shumë të barabart në këngë,kishin gjetur vetën së bashku,tani Hashimit ia thau krahët,edhe pse Hashimi ende është i fortë,i shëndetshëm,vështirë

do të rrugëtoj me këngën,pa Tahir Drenicën.Tahir Drenica do të mbetët emër i paharruar i cili do të përcillet nëpër brezat tanë.Ai ka ruajtur,kultivuar dhe pasuruar kulturën tonë kombëtare,si i tillë ka lënë shumë pllaka,kaseta,Cd,Video,me një reportuar të pasur të veprimtarisë së tij kulturore,qoftë të historisë kombëtare,arshikisë,satirës,vepra këto që do të u përcillen brezave.Qoftë i paharruar kujtimi për te,për jetë të jetëve.

 

 

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: emr qe nuk harrohet, Shaban Cakolli, Tahir Drenica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • …
  • 548
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT