• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA ËSHTË FRYMË, ËSHTË IDE…

April 23, 2013 by dgreca

Është fryma për ndërgjegjësimin e Kombit. Është idea, ideali për bashkimin e tij./

 Nga Hektor Zotaj*/

Në librin”The Albanian Struggle in Old World and New” shkruar nga Federal Writes Project në vitin 1939, në faqen 84, shkruhet:”Created the first cultur The Albania that in Europe, gave birth to Greak mythology, produced Pyrrhus, Alexander the Great, supliod Roma with illustrious emperors, Saved the Europe from the Turk, and made possible Greek emacipation”.

Ç’gjë madhështore! Të huajt me kulturë të lashtë e të gjërë, na vlerësojnë më shumë nga ç’kemi vlerësuar ne veten që jeta na kish bërë të mos e dinim.

Në 100 vjetorin e Vatrës, vitin e kaluar,  iu vu vula veprës madhore, që ajo bëri për Kombin, që nga krijimi i saj.

Kuvendi që po mblidhet me 27 prill 2013, do të bëjë që Vatra të shpjerë gjithnjë më përpara punën për Kombin.

Vatra, siç është për të gjithë e ditur,  është një bashkim vullnetarësh këtu në Amerikë i shqiptarëve patriotë, më të përkushtuar, më të sakrificës për Kombin. Ata kanë ndërtuar jetën me punën e tyre të ndershme e të suksesshme, dhe një pjesë të madhe të kësaj jete e kanë vënë pa ndërprerje në dispozicion të Vatrës, të Kombit. Ata i kushtojnë Vatrës kohën më të madhe, duke i marrë i borxh kohës së punës, kohës për të qëndruar me familjen, kohës së pushimeve. Ata e mbajnë Vatrën me shpenzimet e tyre, sërish duke i hyrë në pjesë të ardhurave familjare.

Vatra nuk është Fondacion i mirëfilltë, nuk ka asnjë subvencion, nuk është institucion administrativ, nuk ka rrogëtarë, por është një Institucion Kombëtar. Nga këto veçanti, ajo është vërtetë një fenomen i rrallë për shqiptarët kudo që janë si dhe për vendet dhe kombet e huaja.

Federata Panshqiptare e Amerikës në fakt është “një pikë takimi”, “një vend takimi” për Kombin shqiptar nga e gjithë vendndodhja, shtrirja e shpërndarja e tij.

Historia dhe vlera e saj  për Kombin është e pa çmuar.

Vatra është frymë, është ide! Është fryma për ndërgjegjësimin e Kombit. Është idea, ideali për bashkimin e tij. Një Komb-Një Shtet!-që bota nuk ka pse ia mohon, siç e provon vetë me fakte historike-që ashtu ka qenë.

Vatra 101 vjet në aktivitet të pandërprerë me shtetin shqiptar, me trojet e shqiptarëve në dheun e tyre brenda shteteve të huaja, me ata në diasporë anë e mbanë rruzullit.

Në këta 20 vjetët e fundit, Fryma për Kombin po i kapërcen pengesat e vëna nga koha dhe po merr formën që meriton.

Vatra ka një pozitë të veçantë  që e bënë atë  ndërlidhësen kyçe për Kombin. Ajo qe garancia 100 vjeçare dhe mbetet besnike e patundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, faktorit vendimtar për njohjen e Kombit shqiptar dhe Formimin e Shteteve Shqiptare.

Ajo, Vatra, është brenda dhe pjesë e shtetit amerikan, ura e parë më e afërt. Për pesëdhjetë vjet, shtetet që kishin uzurpuar Kombin tonë ishin armike të Amerikës Vatra ishte fizikisht e paprekshme dhe gjithëmonë e pa penguar në rrugën e saj për mbrojtjen dhe shërbesën ndaj Kombit. Këtë detyrë Federata Panshqiptare e Amerikës  e ka kryer me besnikëri.

Me degën e saj në Washington ajo është prezent në kryeqytetin që bën politikën botërore, duke qenë kështu sensori për Kombin tonë.

Me qenien e saj nuk ka asnjë krahasim tjetër. Për një qind vjet bërthama e saj nuk është përzier në asnjë intrigë politike, në asnjë lloj partie, në asnjë spekullim ideologjik dhe në asnjë ngatërresë tjetër kundër Kombit. Ajo qe dhe mbetet e pastër si kristali në moralin e saj.(Te plote e lexoni ne Diellin e printuar)

*Autori është anëtar i degës së Vatrës në Uashington

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Hektor Zotaj, ide, Vatra eshte fryme

Përsëri fjala e ditës është INKUIZICIONI

April 23, 2013 by dgreca

Kur inkuizicionet e pushteteve u japin jetë studimeve/

Nga Arjan Th. Kallço*/

Ndonjëherë do të mjaftonte një tufë me ese’ të motivuara mirë, të goditura dhe të bazuara në arsyetime racionale dhe me fakte, që të kuptosh fajin e madh të inkuizicioneve përballë asaj shtrese studiuesish dhe intelektualësh të cilët sakrifikojnë gjithçka për t’i dhënë dritë jo vetëm të shkuarës, por edhe të ardhmes. Rruga e një studiuesi nuk është kurrë e lehtë, i pëmban në vetvete sukseset dhe dështimet, këto për një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë të vetë zhvillimit, apo siç duhet të shprehemi në rrugën e mundimshme të njohjes. Jeta – kot nuk e thonë – është luftë, pra një luftë me shumë beteja ku ajo më e forta dhe më e madhja është beteja me shoqërinë në të cilën jetojmë. Por historia e mendimit dhe e dijes na tregon se disa lloj pengesash janë të kuptueshme dhe nuk varen nga faktori njeri. Problemi qëndron pikërisht me qëndrimet e anëtarëve dhe komunitetet që mbajnë ndaj njohjes. Në shekuj ato kanë marrë emra nga më të ndryshmit, por një e vërtetë e madhe mbetet, kanë qënë pengesa artificiale për qëllime të caktuara. Çdo etapë e shoqërisë njerëzore krahas progresit ka pjellë edhe regresin ose siç mund ta quajmë me një fjalë censurën, si dy të kundërta që shpesh nuk duhet të jenë të domosdoshme ndaj njëra-tjetrës. Nëse duhet ta vështrojmë thjesht në këtë aspekt nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe, pasi diçka mund të ndalet që të verifikohet dhe më pas t’i jepet e drejta të shpallet mes shumë të vërtetave që sot ka bota. Por fjala merr nuanca të tjera, nëse kalojmë tek inkuizicioni. Procese të pafund gjykimesh, shpesh me shpifje apo trillime skutash dhe më pas verdikte që të revoltojnë dhe të ngjallin urrjetje për nga mënyra sesi përfundojnë. Kjo fjalë nuk i është ndarë kurrë progresit kudo qofshin heretikët e të vërtetave apo blasfemive që tronditin themelet e strukturave të ngritura mbi bazën e inkuizicionit. Mesa duket inkuizicionet nuk kanë shumë ndryshim në botë, janë po ato legjenda të zeza, që nën sundimin e tyre të gjatë e kanë ndryshur dhe sakatosur mendimin e lirë, zbulimet shkencore, arritjet. Të jetë një lloj zilie, vallë? Po në kohët moderne a do të kishte logjikë inkuizicioni? Dy pyetje që shumë studiues u japin edhe përgjigje të ndryshme, në vartësi të njohjeve, dijeve apo fakteve të ndryshme, por mbi të gjitha të interpretimeve që u bëhen. Secili prej studiuesve do të ishte në gjendje që të pozicionohej lidhur me inkuizicionet, por të bindur se shumë të tjerë do të pranonin edhe heshtjen, kompromisi më i rrezikshëm me veten dhe me shkencën, vetëm e vetëm që të mos i hapnin telashe vetes. Një lloj inkuizicioni është edhe realiteti shqiptar i sotëm kur në këto dy dekada ka vepruar me bekimin e vetë politikës, pa kursyer askënd. Këto janë disa mendime që lindin dhe do të lindnin në mendjen e secilit prej nesh, nëse do t’i lexonte disa përmbledhje me ese’, të Xhon Tedeskit, me tituj shumë domethënës : Intelektualë në mërgim dhe Nga inkuizicioni romak tek fashizmi. Cila është lidhje midis mërgimit dhe inkuizicionit? Shumë e thjeshtë për ta kuptuar, pasi është inkuizicioni ai që i shtyn mendjet e ndritura të një kombi të largohen nga vendi i tyre. Sipas një gazetari Italian, mërgimi për Tedeskin ishte një përvojë personale, para se të bëhej objekt studimi. Italia u zhduk nga horizonti i tij, kur ishte fëmijë, në vjeshtën e vitit 1938 dhe kur u nis me familjen nga Gjenova për në Amerikë në anijen Vulkania: e njëjta anije që çoi në Amerikë Pol Oskar Kristelerin, edhe ai mërgimtar, sepse kishte origjinë izrailiane. Një retrospektivë e pranueshme që një mërgimtar i inkuizicionit fashist, shkruan për një mërgimtar tjetër. Tedeski rishkruan në librin e vet për vitet që kaloi Kristeleri në Itali, nga viti 1933-1939, dhe përshkruan me detaje se me sa zell policia italiane e përgjoi dhe regjistroi ditë pas dite “lëvizjet e profesorit paqësor gjerman”. Thuajse ka një logjikë që i lidh inkuizicionet, i njëjti efiksaitet dhe marrëzi prej burokratësh edhe për Tedeskin, ushtrimin e dhunimit për shkaqe false. Tedeski u detyrua ta ndryshonte emrin në Xhon dhe sipas historisë së jetës së tij, për shërbimet që i bëri atdheut, ky i fundit iu gjend pranë në ditë të vështira. Gjithkush në këtë pikë nëse do t’i kërkohej ta shkruante historinë, do ta dëshironte ta përmbyste dhe t’i referohej restos që i duhej kthyer inkuizicionit dhe që mishërohet tek fjala hakmarrja. Mençuaria është më sublime se inkuizicioni, prandaj hakmarrja e tyre, e Kristelerit dhe e Tedeskit, ishte sipas shprehjes “goditje me pambuk”, bujare, saqë u duk më e rafinuara e mizorive: e gjithë vepra e tyre, e barabartë me mërgimtarët e viteve ‘500, e bëri të njohur Italinë në botë, si dhe trashëgiminë më të lartë intelektuale – shkruan gazetari. Inkuizicioni fetar për shekuj ka qënë padyshim më i pamëshirshmi dhe më i tërbuari, por nuk mbeten pas edhe forma të reja që lindën më vonë, si p.sh ai mbretëror, perandorak, shtetëror etj. A ka edhe sot gjurmë të inkuizicionit? Nuk ka njeri, qoftë dhe një i vetëm që ta mohojë këtë të vërtetë, por tani nuk mban vulat në pergamena apo dyllin e derdhur sipër, por disa lloje të tjera vulash, herë të njoma e herë të thata. Por përsëri inkuizicion quhet dhe ai shqiptar është i një lloji tepër të veçantë. I kthehemi restos së dy mërgimtarëve dhe nuk mund të imagjinohet një rast më i mirë që të zbatohet,  mbi gjykatën e së shkuarës, hakmarrja e një dënimi  pa apelim të gjykatës së historisë. Aq më tepër se ekzistonte një prirje e përgjithshme që ta konceptoje historinë e Inkuizicionit fetar si një legjendë të zezë, e ndërtuar me tortura dhe turra drush. Por ajo që bëri Tedeski ishte krejt ndryshe – vazhdon gazetari. Ndërsa në Itali po binte perdja e censures, veprat e Dantes, Bokaços, Makiavelit, Guiçardinit, Pomponacit dhe shumë të tjerëve – shkruan Tedeski – panë dritën në sajë të bashkëpatriotëve të tyre jashtë shtetit. Por në Itali sot flitet për një tjetër lloj mërgimi, i lidhur me pamundësinë që shumë studiues të rinj ta shprehin talentin e vet në atdhe, prandaj detyrohen që të largohen, të arratisen në ndonjë parajsë të stimulimit të talentit të tyre që mban emrat e disa shteteve lider, si Amerika, Gjermania, Franca etj. Po tek ne kush e di numërin e saktë të viktimave të inkuizicionit demoktatik? Janë të shumtë ata që e lanë atdheun dhe u larguan, ndoshta përgjithmonë, e pra detyrën ndaj tij e kishin bërë, por atdheu nuk e kreu deri në fund misionin e vet. Përsëri fjala e ditës është INKUIZICIONI.

* Autori eshet pedagog ne Universitetin “Fan S Noli” ne Korce, bashkepunetor i rregullt i Diellit

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Arjan Th Kallco, censura, Inkuizicioni

TIRANIA E TRANZICIONIT

April 22, 2013 by dgreca

LIBRI IM MORI SHKAS E FORMË SI REAGIM NDAJ CENSURËS SË TIRANËS/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ*/

Libri im me publicistikë „Tirania e Tranzicionit“ që përmbledh disa nga shkrimet dhe essetë e shkruara dy vitet e fundit mori shkas e formë si reagim ndaj censurës së Tiranës. Të njëjtin format ka edhe « Ditari i një gazetareje në tranzicion » që është gati e pret dritën e botimit.

Sado absurde të duket, është e vërtetë. Shtypi dhe TV e shumta në Shqipëri janë nën kontroll të politikës dhe oligarkëve që prodhoi ky tranzicion gati çerekshekullor.

Kolegët e mi në Tiranë e dinë se kjo që pohoj nuk është fiksion. Një koleg i mirënjohur lajmëronte në Facebook se shtypi i lirë ka vdekur. Por nuk mjafton lamenti.

Në 1997 Pjetër Arbnori hyri në grevë urie për të kundërshtuar një ligj të miratuar nga Kuvendi i atëhershëm për mediat vizive. Asokohe u ndryshua ligji dhe u aprovua “Amendamenti Arbnori”. Ndërsa sot gazetarët në Shqipëri shohin me indiferencë të plotë përçudnimin e fjalës së lirë, kulturës, monumenteve të saj të cilat po shfarosen për çdo ditë përpara syve tanë dhe shqiptarët rrezikojnë të mbeten pa identitet kulturor.

Shikoni se si kujdeset shteti austriak apo Vatikani për relikat e historisë e kulturës shqiptare. Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të kishte patur fund tragjik po të kish mbetur në mëshirën e tranzicionit shqiptar. Edhe Mesharin e Gjon Buzukut do ta përpinte fataliteti i tranzicionit me pjellën e saj makabre, indiferencën, ndërsa po humbasim për çdo ditë një e nga një shenjat identifikuese të qënies sonë kombëtare. Ne qëndrojmë indiferentë kur rrënohet shtëpia e Fishtës. Ne kthejmë kokën në anën tjetër për të mos parë gërmadhat e shtëpisë së Mjedës. Ne mbyllim sytë kur poetëve të Rilindjes ua shkallmojnë varret. Ne mbyllim sytë e veshët kur Onufrin e rrjepin barbarët, ndërsa në Shqipëri lulëzon kultura tallava. Ne heshtim kur fjalën e lirë e bunkerizojnë dallkaukët dhe sharllatanët që barkëthatë i gjeti tranzicioni dhe barkthatë po i le, paçka se si profiterë kanë përfituar miliona. Por nuk ngopen kurrë.

Konformizmi dhe frika nën pushtim apo nën diktaturë ishte i justifikuar. Në demokraci jo. Pjetër Arbnori pas 30 vitesh burgosje, në vitin e mbrapshtë 1997rrezikoi jetën për një ideal të madh, ndërsa sot, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, gazetaria konformuese dhe dezinformuese ka marrë mision trushplarës dhe friksues përmes presionit psikologjik që ushtron pasqyrimi i krimit në kronikat e zeza. Duke ofruar atë që duan ata, si ta duan dhe çfarë të duan. Politika dhe oligarkët. Violinë të parë kanë gazetarët, që i përdorin si çinovnikë të tyre. Viktima është opinioni publik.

Merreni me mend, botuesit e Tiranës ia venë në dispozicion faqet e gazetave të tyre Nexhmije Hoxhës dhe ish-eksponentëve të diktaturës, ndërsa përdorin gërshërët dhe e gijotinojnë lirinë e shprehjes.

Opinionet dhe essetë e këtij libri janë të shkruara me nxitim, në përgjigje të ngjarjeve të ditës dhe të botuara në shtypin shqiptar në Perëndim, disa syresh edhe në Tiranë deri sa e mori fjalën censura.

Kam menduar gjithnjë se kapitalizmi në Shqipëri do të kujtohej për shtypin e lirë, por kapitalizmi në Shqipëri vazhdon të mbetet parak larg konkurencës së lirë dhe Shqipëria i ngjan një realiteti orwellian, ku Vëllai i Madh është diktatura e krijuar prej nepotizmit, tarafit, klanit, korrupsionit, politikës pa integritet, të cilës i intereson që pushteti i katërt të jetë refleks i fytyrës së tyre të shëmtuar.
Ka ardhur koha e lëvizjes së elitave, sepse u bënë 22 vjet që Perëndimi është pjesë e jetës të shqiptarëve, me dashje apo pa dashje, me zor e me hatër. Shqiptarët nuk meritojnë që t’i lejfenizojë tranzicioni i politikave të korruptuara, në kohën kur revolucioni teknologjik i ka thyer të gjitha barrierat e kufijve.

Shqiptarëve u duhet shtypi i lirë, sot më tepër se kurrë. Shkrimet e këtij libri janë antikonformiste dhe respektojnë të vërtetën, jo të vërtetën absolute, sepse ajo është pronë e absolutizmit, por të vërtetën si e mendoj unë.

Që demokracia dhe shteti ligjor të mos mbetet një iluzion në Shqipëri, të mos përçundohet e kthehet në një minierë ari për një grusht njerëzish dhe një realitet i frikshëm për shumicën. Shumica e shqiptarëve e duan Shqipërinë si Europa, jo si slogan por realitet. Andaj të gjithë duhet t’i shërbejmë kësaj ëndrre të bukur.

Jam për dialogun, për konstruktivitetin, për tolerancën, për bashkëpunimin, për heqjen dorë nga lufta e shqiptarëve kundër shqiptarëve, një reminishencë e luftës së klasave. Dua që shqiptarët të dalin nga ky mediokritet kolkozesh, ku populli është i detyruar që të duartrokasë liderin. Sepse në demokraci populli zgjedh dhe vendos vetë fatin e tij. Boll kemi duartrokitur e brohoritur në diktaturë. Dhe prandaj na duhet që të kemi në krah në jetën tonë të përditëshme një shtyp të lirë e demokratik.

Me shkrimet e këtij libri nuk e di sa ia kam arritur qëllimit, por të paktën, jam e sinqertë, pa maska dhe larg hipokrizisë puthadore të opinionistëve të Tiranës.

Me këtë rast, falenderoj redaktorin e librit Akademik Mark Krasniqi, për nderin që më bëri, i cili na ka mbështetur pa ngurrimin më të vogël gjatë dhjetë viteve kur kontribuonim tek „Bota Sot“. Shpreh mirënjohjen time të thellë për Jusuf Buxhovin, autorin e veprës monumentale « Kosova » si dhe dijetarin Dr.Përparim Kabon që, gjetën kohë dhe shkruan parathëniet e këtij libri, çka e vlerësoj si një përkrahje shumë të madhe e të rëndësishme. Një falënderim të veçantë shkon për botuesin e Onufrit, Bujar Hudhrin, që e bëri këtë libër të shohë dritën e botimit.
1 Mars 2013

* PASTHËNIA E LIBRIT ‘TIRANIA E TRANZICIONIT’

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, tirania e tranzicionit

JA CFARË DO TË NDRYSHOJË NGA SHQIPJA STANDARTE

April 20, 2013 by dgreca

PËRFUNDIMET NGA MBLEDHJA E KËSHILLIT NDËRAKADEMIK PËR GJUHËN SHQIPE/ Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, kundër ndërhyrjes në standard/

Në mbledhjen e datës 16. 04. 2013, të zhvilluar në Tiranë, u diskutuan problemet drejtshkrimore, që mbetën pa u diskutuar në mbledhjen e qershorit 2012. Pas diskutimeve, u propozuan dhe u mbështetën me miratim të përgjithshëm, ndryshimet e mëposhtme në rregullat ekzistuese.

A – PËR DREJTSHKRIMIN E ZANOREVE

Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën –m duke zhvendosur zanoren -ë­– nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; i parvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës -m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).

Të njësohet drejtshkrimi i fjalëve amëz “erë e lehtë që merr një ushqim dhe që ndihet kur e hamë; kundërmim” dhe amzë “regjistri themeltar i shkollës”. Të dyja këto fjalë, që kanë të njëjtin burim dhe të njëjtën strukturë fonoleksikore, të shkruhen amzë.

Fjalët që përmbajnë prapashtesën deminutive -zë të shkruhen sipas përbërjes së rrënjës: kur rrënja e fjalës mbaron me zanoren -ë, të shkruhen me –z: shkëndijëz, vijëz, gojëz, ujëz, nyjëz; kur rrënja mbaron pa zanoren –ë, të shkruhen me –zë: pejzë, tejzë, fejzë. Sipas këtij rregulli duhet të ndryshojë drejtshkrimi i fjalës dejëz, që mbështetet në shumësin dej, si rrjedhim duhet të shkruhet dejzë, njëlloj si fejzë (nga shumësi fej).

Të ndryshojë pozicioni i zanores -ë tek emri tavllë, që duhet të shkruhet tavëll ~ tavlla. Gjuha shqipe nuk ka emra me një përbërje të tillë: një grup bashkëtingëllor me një lëngëzore. Me këtë ndryshim emri integrohet në paradigmën e emrit krikëll ~ kriklla i së njëjtës gjini dhe më tej në paradigmën hasëll ~ haslli, hisëll ~ hislli, çakëll ~ çaklli të gjinisë tjetër.

Mbiemri i sigurt të shkruhet i sigurtë, me theks në zanoren -u- dhe me zanoren -ë në fund të fjalës. Me këtë mënyrë të shkruari fjala përshtatet më mirë me burimin e saj: it. sicúro, duke ndjekur të njëjtën rrugë që ka ndjekur një mbiemër tjetër me këtë burim: i sinqertë nga it. sincéro.

Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin -m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës, që është -m e jo -më, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).

Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~ e majme, pa zanoren -ë në formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.

Foljet ngadhënjej e ngashënjej, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhen pa zanoren –ë: ngadhnjej e ngashnjej.

Emri travaj “mall, shqetësim, merak”, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhet travajë, me zanoren -ë. Në asnjë të folme nuk shqiptohet si emër i gjinisë mashkullore; si rrjedhim duhet të korrigjohet edhe shumësi travaje, që duhet të jetë travajë, njëlloj si punë, javë etj. Veç drejtshkrimit, në veprat kodifikuese (fjalorët) duhet të korrigjohet edhe kuptimi leksikor i fjalës, që nuk është “mall, shqetësim, merak”, por “mundim, brengë”.

Ndajfolja herët nuk përligjet gramatikisht, prandaj ajo duhet të shkruhet heret, meqenëse këtu kemi një emër të rasës rrjedhore, mbaresa e të cilit është -et e jo -ët. Ka edhe ndonjë fjalë tjetër, siç është ndajfolja tejet nga një tej e lakueshme, që ka hyrë në standardin e sotëm me këtë mbaresë duke u shkruar me mbaresën -et e jo –ët.

Emri thyez “copë e vogël e thyer” të shkruhet me zanoren -ë fundore, pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.

Në disa fjalë trirrokëshe me dy rrokje paratheksore, të shkruhet vetëm një zanore -ë, ajo që ndodhet pranë theksit, duke ruajtur zanoren e plotë në rrokjen e ballit të fjalës. Fjalë të tilla janë: shëmbëllej, shëmbëllim e shëmbëllesë, që duhet të shkruhen shembëllej, shembëllim e shembëllesë; rrëzëllej, rrëzëllim, rrëzëllor e rrëzëllyes, që duhet të shkruhen rrezëllej, rrezëllim, rrezëllor e rrezëllyes; nëpërkoj “dredhoj, gjarpëroj”, që duhet të shkruhet nepërkoj. Me këtë mënyrë ruhet rrënja e fjalës dhe mënjanohet kakofonia që krijon shqiptimi i dy zanoreve të rrëgjuara paratheksore, duke ecur kësisoj në gjurmë të një tradite më të hershme të shqipes (khs. marëtoj nga lat. maritāre, mallëkoj nga lat. maledico, ngadhënjej nga it. guadagnare etj.).

Në fjalët e përbëra me përemrin vetë, të shkruhet në të gjitha rastet zanorja -ë kur është në funksion të prefiksoidit. Prandaj, krahas vetëmbrojtje, vetëshërbim, vetëmohim, të shkruhet edhe vetëvetor, vetëvetiu.

Mbiemri i gjerë ka dalë jashtë sistemit fonetik dhe shkrimi i tij është mbështetur në një shqiptim nëndialektor të toskërishtes. Për këtë arsye të shkruhet me zanoren -ë në vend të zanores -e bashkë me rrjedhojat: i gjërë, gjërësi, zgjëroj etj.

Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhet plang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.

Fjalët bulmet e qurra, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, mund të shkruhen bylmet e qyrra.

Emrin lëkua “barishte shumëvjeçare, që rritet në liqene e në ujëra të ndenjura; lëpushë” nuk e ka asnjë e folme me këtë formë. Është fjalë e dialektit gegë; prandaj duhet të shkruhet lëkue. Togu zanor -ue- me të cilin del fjala, është i pranishëm në standardin e sotëm; khs. mësues, i punueshëm etj.

Disa huazime librore, ku ndeshen dy e deri në tri zanore bashkë, të shkruhen me një zanore. Kështu, folja kontribuoj me pjesoren kontribuuar të shkruhet kontriboj e kontribuar; emrat asociim, iniciim, negociim të shkruhen asocim, inicim, negocim; emri vakuum të shkruhet vakum; spontaneitet të shkruhet spontanitet; kolokuium të shkruhet kolokium.

B – PËR DREJTSHKRIMIN E BASHKËTINGËLLOREVE

1) Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: i pishëm, i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren -j, që del në disa shkrime të gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.

2) Format e shumësit ftonj, thonj, ullinj, mullinj, përrenj etj., me bashkëtingëlloren -nj fundore, të shkruhen me -j, në mbështetje të evolucionit që kanë pasur këto trajta në një pjesë të mirë të truallit të shqipes, duke njësuar kësisoj rregullën si për emrat, ashtu edhe për foljet (khs. foljet ftoj, fshij, punoj, shkëmbej). Pra, të shkruhen: ftoj, thoj, ullij, mullij, përrej. Kjo mënyrë të shkruari duhet të zbatohet edhe te mbiemrat, si: i drujtë në vend të i drunjtë, të mëdhej në vend të mëdhenj, të rij në vend të të rinj etj. Me këtë ndryshim gjen zgjidhje kërkesa e E. Çabejt dhe e të dy seksioneve të Kongresit të Drejtshkrimit, të fonetikës dhe të gramatikës, që parashtruan nevojën e këtij ndryshimi.

3) Emri shtinjak duhet të shkruhet shtijak, meqenëse folje shtinj s’ ka asnjë e folme. Ajo e ka burimin prej foljes shtie, me prapashtesën -ak, ku sonantja -j- ka ndërhyrë për të zhdukur hiatin.

4) Mbiemri shtronjar për “zvarritës” e emri shtronjare për “shtrojë e butë” duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare, meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.

5) Disa fjalë që janë shkruar me lëngëzoren -r- duhet të shkruhen me -rr-. Të tilla janë: folja shter, që duhet të shkruhet shterr në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duke hyrë në paradigmën e foljeve tjerr, bjerr etj., ku -rr-ja është formuar nga bashkimi -r- + -në në formën e pjesores. Duhet të shkruhet me -rr- edhe folja micëroj “ha diçka duke e kafshuar pak e nga pak, ha maja-maja”, pra, micërroj, ashtu siç shkruhet picërroj, në mbështetje të materialeve dialektore nga është marrë fjala. Emri dhëndërr gjithashtu, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet me -rr, ashtu si emri vjehërr, me të cilin ka të njëjtën paraqitje fonetike.

6) Folja mbarrs (FGS 2006, f. 602) duhet të shkruhet mbars siç e ka FGSS f. 1078, duke u mbështetur në shqiptimin më të përgjithshëm, domethënë duke respektuar parimin fonetik.

7) Në disa emra që dalin me dy lëngëzore të njëjta, drejtshkrimi mund t’i ruajë të dyja format, por duke u prirur drejt formave me një lëngëzore, për të shmangur kakofoninë që krijon shqiptimi i dy lëngëzoreve brenda së njëjtës fjalë. Kështu, do të pranohen barëra (barërat e këqija) e barna “ilaçe”, me dallime kuptimore (khs. barnatore, barnatar). Të parapëlqehen edhe rrjedhoja me një lëngëzore në vend të dy të tillave; si: birni e birnor në vend të birëri e birëror; burrni, burrnor e i zhburrnuar në vend të burrëri, burrëror, i zhburrëruar; derrni e derrnisht në vend të derrëri e derrërisht.

8) Emrat hemorragji e hemorriode, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhen me -r-: hemoragji e hemoroide.

9) Të shkruhen me bashkëtingëlloren -rr- emrat karrotë e rrem, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm.

10) Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).

11) Forma e shumësit thelpinj i njëjësit thelb të shkruhet thelbinj për të ruajtur të pandryshuar temën e fjalës.

12) Forma e shumësit shpesë të shkruhet shpezë, meqenëse këtu kemi të bëjmë me prapashtesën e shumësit -zë (khs. njerëz, vëllezër).

13) Fjalët transit e transistor të shkruhen tranzit e tranzistor, ashtu siç shkruhen edhe tranzicion e tranzitor.

14) Për shkronjat dyshe, duke iu përmbajtur zgjidhjes që i dha Kongresi i Drejtshkrimit (djegie, meshollë, brezhumbur, lënie), për raste të veçanta, atëherë kur duhet të shkruhet me saktësi shqiptimi i një fjale të huaj, krahas shkrimit të saj në gjuhë të huaj, të pëdoret apostrofi për të ndarë shkronja të tilla; si: Bethoven (“Bet’hoven”), Mathausen (“Mat’hauzen”), sandhi (“sand’hi”). Pa apostrofin nuk do të siguronim lexim korrekt të fjalëve.

15) Në disa huazime turke, që janë lënë me dy forma në veprat kodifikuese, të pëlqehet forma më e përgjithësuar, ajo me theks parafundor, si: penxhére e jo penxheré, tenxhére e jo tenxheré (Fjalor 2006, f. 771, 1083).

C – PËR PËRDORIMIN E SHKRONJAVE TË MËDHA

1) Të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të botës fetare dhe të disa ofiqeve: Zot, Perëndi, Allah; Perandori, Sulltani, Papa; Baba Faja, Hoxha Tahsini, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, Kont Urani, Papa Kristo Negovani, Princ Vidi etj.; Ali Pasha (Ali Pashë Tepelena), Mehmet Pasha (Mehmet Pashë Bushati), Mustafa Pasha (Mustafa Pashë Bushati) etj.

2) Të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e festave fetare: Bajrami, Pashkët, Krishtlindjet etj.

3) Të shkruhen me shkronjë të madhe të dy pjesët e emërtimeve të titujve të nderit: Artist i Merituar, Mësues i Merituar, Mjeshtër i Sportit etj.

Ç – PËR DREJTSHKRIMIN E ANTROPONONIMEVE TË HUAJA

Gjuha shqipe është gjuhë flektive, prandaj edhe emrat e huaj duhet të hyjnë në sistemin flektiv, duke u ndarë me një vizë lidhëse (Jokl-i). Për emra shumë të njohur, kur jepen me shkronjat e shqipes, mund të mos përdoret viza lidhëse, por është i detyrueshëm përdorimi i mbaresave sipas sistemit lakimor të gjuhës shqipe; p.sh.: Shekspiri, Shileri etj. Në drejtshkrimin e këtyre emrave të ruhet trajta e shkruar origjinale dhe herën e parë të përmendjes në një punim të jepet në kllapa transkriptimi, p.sh.: Meyer (Majer).

Shënim: U lanë për t’u diskutuar për mbledhjen e qershorit problemet e mëposhtme:

1) Emrat e tipit vishnje, dushnje, ilnje.

2) Drejtshkrimi i toponimeve dhe etnikave.

*Disa propozime të tjera të grupit për drejtshkrimin e drejtshqiptimin nuk u mbështetën me miratim të përgjithshëm në KNGJSH.

Nga Kryesia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe

Tiranë, 19 prill 2013/

 

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, kundër ndërhyrjes në standard/

 

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, kundër ndërhyrjes në standard. Në përbërje të këtij institucioni të krijuar dy vjet më parë, është dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, si dhe gjuhëtarë e personalitete të njohura nga bota akademike ndërkombëtare

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është shprehur dje, përmes një kumtese kundër ndërhyrjes në standardin e shqipes, dhe i sheh përpjekjet e fundit për të ndryshuar drejtshkrimin, si të pabaza shkencërisht dhe me pasoja të rrezikshme për gjuhën shqipe. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është një institucion i krijuar më 17 dhjetor 2011, dhe president nderi është shkrimtari i madh Ismail Kadare, e në përbërje të së cilës janë emra të njohur të kulturës shqipe, si: Xhevat Lloshi, Inva Mula, Sali Shijaku, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Elena Kadare etj. Sipas prof.

Fatos Tarifës, kjo kumtesë ka dalë pas një mbledhjeje që Akademia pati dy ditë më parë dhe është shprehje e qëndrimit unanim të anëtarëve të saj. “Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave e vlerëson gjuhën e sotme letrare kombëtare, ose shqipen standarde, si një ndër arritjet madhore të qytetërimit modern shqiptar. Kjo vlerë e lartë kulturore dhe mjet zhvillimi, përparimi e përbashkimi i kombit tonë në të gjithë hapësirën e tij etnike e në diasporë, kërkon mbrojtje e përkujdesje shoqërore e shtetërore të pandërprerë, ashtu siç përcaktohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave vëren me shqetësim se në përpjekjet e sinqerta të shumicës së lëvruesve e studiuesve të gjuhës për ta përsosur më tej normën letrare, ndërthuren kërkesa e teza pa bazë shkencore, që eventualisht mund të jenë të rrezikshme dhe me pasoja”, thuhet në kumtesën e bërë publike. Kjo Akademi e quan shqetësuese mënyrën jotransparente të punës së Këshillit Ndërakademik, si dhe mungesën e informacionit të drejtpërdrejtë për publikun e gjerë, duke qenë se vetë ky këshill është krijuar nga një bashkëpunim mes dy akademive të sipërpërmendura, statusi i njërës prej të cilave ka ndryshuar që nga koha e krijimit të tij, duke i bërë të diskutueshme si legjitimitetin, ashtu edhe kompetencën e vetë këtij Këshilli.

“Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave vlerëson se shqipja standarde i ka qëndruar më së miri provës së kohës, po ashtu dhe veprat themelore normative të saj, të cilat kanë, sigurisht, nevojë për plotësime e përmirësime të mëtejshme mbi bazë kriteresh shkencore, me pjesëmarrje të gjerë të botës akademike shqiptare dhe nga institucione të specializuara për atë qëllim, përfshirë sidomos departamentet e Gjuhësisë e të Letërsisë shqipe në të gjitha universitetet shqiptare”, thuhet në kumtesë. Më tej, kjo Akademi shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar institucionalisht me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Tiranës, Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup për të dhënë kontributin e saj në këtë proces.

Gjuhëtari

Rami Memushaj: Ndryshimet në gjuhë, me prapavijë politike

 

Prof. dr. Rami Memushaj, ish-anëtar i Këshillit Ndërakademik, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë, pasi ishte kundër propozimeve për ndryshimet në drejtshkrim, e quan kumtesën e bërë publike nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave si një shqetësim që e kanë shumë studiues të gjuhës shqipe. “Në të vërtetë është bërë një përpjekje për një ndërhyrje të thellë në drejtshkrimin aktual të shqipes, një përpjekje e frymëzuar jo nga parime shkencore, por nga arsye të tjera, shpesh edhe të sajuara. P.sh., justifikimi se shqiptimi ka ndryshuar, kështu që edhe shkrimi duhet t’i përshtatet shqiptimit. Në mbledhjen e dytë, që u mbajt disa ditë më parë, në krahasim me mbledhjen e qershorit të vitit të kaluar, falë trysnisë së medias dhe opinionit, apo gjuhëtarëve jashtë Këshillit Ndërakademik, por edhe të një pjese brenda këshillit, ndryshimet kanë qenë më të pakta, referuar dokumentit të ndryshimeve”, thotë prof. Memushaj për gazetën “Shqip”. Sipas tij, arsyet e këtyre ndryshimeve nuk janë shkencore, por me prapavijë politike. “Arsyet nuk janë shkencore. Përpjekjet për të ndërhyrë në standard kanë filluar prej 20 vitesh, por tashmë kanë ndryshuar trajtë. Ka disa të interesuar për këtë, dhe me shtyrje nga faktorë politikë që qëndrojnë prapa akademikëve dhe gjuhëtarëve. Për mendimin tim, goditja kryesore e drejtshkrimit i është dhënë vitin e kaluar, pasi është goditur zanorja ë. Është i paktë dëmtimi kësaj here, pasi goditja kryesore i është dhënë drejtshkrimit një vit më parë”, tha prof. Memushaj. Sipas tij, këto ndryshime do të sjellin reagime, duke u nisur nga përvojat e vendeve që i kanë jetuar më parë ato. “Duke u nisur nga përvoja e vendeve të tjera, ku ka pasur ndërhyrje, momente të tilla kanë sjellë reagime, duke u nisur nga shtëpitë botuese, të cilat duhet të hedhin poshtë botime të tëra që kanë në treg. Universitetet mund të mos i votojnë këto ndryshime, ne gjuhëtarët nuk do t’i zbatojmë këto rregulla, duke sjellë kështu reagime. Po të vësh re propozimet e bëra nga Këshilli Ndërakademik, ka shumë kundërthënie në to. Nuk janë zgjedhje sistemore, e nuk synojnë të përmirësojnë sistemin e rregullave, por ka kthime prapa”, thotë prof. Memushaj.

Rexhep Qosja: Të mos preket standardi

Akademiku dhe shkrimtari i njohur kosovar, Rexhep Qosja, u shpreh dy ditë më parë, kundër çdo ndërhyrjeje në standardin e shqipes. “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe krijimi i Gjuhës Letrare shënon shkallën më të lartë në zhvillimin e qytetërimit tonë. Gjuha letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijes së popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij. Gjuha i bashkon, por gjuha edhe mund t’i ndajë njerëzit. Shteti është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Dhe, gjuha letrare standarde është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Nuk ka gjuhë letrare atje ku nuk ka shtet, më saktësisht, atje ku nuk ka vetëdije për shtetin, për të përbashkëtën institucionale”, është shprehur Qosja. Sipas tij, këto përpjekje janë të frymëzuara nga qarqe politike. “Ata janë të frymëzuar, ma merr mendja, njëkohësisht edhe prej qarqesh të huaja politike që tradicionalisht janë përpjekur t’i ngatërrojnë punët e shqiptarëve. Të gjitha, thotë Gëte, janë të vdekshme, vetëm marrëzirat janë të pavdekshme. Përpjekjet për rrënimin e gjuhës letrare mund të bëhen edhe ndonjë ditë, por janë të dështuara, sepse janë prapakthime kundërhistorike që do të kishin pasoja shumë të mëdha”, është shprehur Qose.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Cfare do te ndryshoje, nga shqipja, standarte

Filmi Besa – Premtimi në Muzeun e Tolerancës, në Los Angeles më 5 maj!

April 20, 2013 by dgreca

Filmi Besa – Premtimi, është ai që nxjerrë në “shesh” ngjyrat e Shqipërisë, në një dokumentarë, që tregon rreth ngjarjeve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku as edhe një hebre nuk u dorzua ose u vra në Shqipëri./

 Nga BEQIR SINA, New York/

New York CITY : Muzeu i Tolerancës dhe Europës Juglindore, shkruajn gazetat e Los Angelos në California, se më datën më 5 maj 2013 do të hap Festivalin e Filmit për këtë vit, ku në ftesën që i bënë publikut amerikan, nuk “nguronë’ të nxjerri edhe të veçantat e këtij festivali. Organizatorët thonë në mediat lokale se ftojnë amerikanët për të parë kësaj radhe sipas tyre, edhe një shfaqje të veçantë të, filmit që po bënë “xhiron e botës” Besës: Premtimi! ” ditën e diel, më 5 maj, 2013 në orën 7:00 të mbrëmjes.
Në një përshkrim të shkurtër të Filmit dokumentar Besa – Premtimi, i cili do të shfaqet në Muzeun e Tolerancës, në Los Angeles më 5 maj 2013, thuhet se :” Historia kurrë nuk ka folur më parë( regjimi Enverian i burgosi disa famije shqiptare që patën strehuar Hebrejtë gjatë LDB, shembull është familja Biçaku e Cerrishtës në Librazhd) rreth individëve të guximshëm në Shqipërinë gjatë pushtimit nga nazistët që shpëtuan jetët e mijëra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”

Sipas njoftimit të këtij filmi thuhet se :” dëshmuar nëpërmjet prizmit të dy burrat u bashkuan së bashku në një kërkim të shquar dhe të papritura: të cilat mbas 50 vjetëve i ka zbuluar një fotograf i njohur hebre-amerikan, fotografi që kishte i vendosur të regjistrojë trimërinë dhe dhembshuri të shqiptarëve.

Me këtë rast ai ka marrë si shembull vetëm një rast(mbasi janë, qindra familje shqiptare të krishterët dhe muslimanët shqiptarë, ata që shpëtuan hebrejtë), kur një mysliman-shqiptar pronar i një -dyqani lodërash në vendos për për t’i kthyer tri libra të çmuar një anëtarit të fundit të mbijetuar të familjes hebreje, të cilin babai i tij e kishte strehuar gjashtëdhjetë vjet më para. Takimi i tyre u vendos me një lëvizje të jashtëzakonshme dhe drama e papritur qe ura që lidhi brezat dhe fetë, mes shqiptarëve dhe hebrejve.

Zëri i Amerikës, pas shfaqjes në Washington në një nga mjediset e Kongresit amerikan, më 29 qershor 2010, kur u shfaq filmi dokumentar “Besa”, ceku faktin se ky është filmi ku shqiptarët paraqiten si mbrojtës të hebrenjëve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur këta përndiqeshin e vriteshin nga nazistët. Filmi Besa vazhdon të jetë një projekt i filluar vite më parë nga fotografi amerikan Norman H. Gershman, me titull God’s House (Shtëpia e Zotit). Filmi bazohet në të dhëna gojore, dokumenta e intervista me personazhë realë, shqiptarë a familje të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fillon me rrëfimin e Rexhep Hoxhës, lindur në Tiranë në vitin 1950. I ati, para se të vdiste i la atij amanet tre libra në gjuhën hebraike. Ato ishin të një familjeje hebreje që gjatë luftës ishte strehuar në shtëpinë e familjes Hoxha. Me ndihmën Gershmanit, Rexhepi zbulon historinë e panjohur të aktit të jashtëzakonshëm të të atit të tij; Besën e ndërthur me trimëri e sakrificë.

Sipas VOA-së, Filmi pastaj zgjerohet për të hyrë në thellësi të botës shpirtërore të protagonistëve dhe për t’i shpjeguar publikut të huaj se çfarë është Besa dhe përse shqiptarët mendojnë se ajo është pjesë e veçantë e kulturës së tyre. Edhe regjisori kryesor i filmit Jason Williams e pranon, se Besa është diçka e veçantë. Ai mendon se tre elementë shërbyen që shqiptarët të vepronin në mbrojtje të hebrenjëve; “E para ishte qeveria shqiptare gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore që hapi kufijtë për këta të ikur e të përndjekur; E dyta ishte roli pozitiv i klerikëve myslimanë, katolikë e ortodoksë që u bënin thirrje besimtarëve të ndihmonin e fshihnin hebrenjtë që kërkonin strehim; dhe së treti ishte fjala e dhënë, Besa ajo që i lidhte këta faktorë, duke krijuar të veçantën që mungonte në Evropë në atë periudhë.”

   Spas shtypit shqiptarë, pas shfaqjes në Washington në një nga mjediset e Kongresit amerikan, më 29 qershor 2010, kur u shfaq filmi dokumentar “Besa”, Kryeministri i Shqipërisë Berisha, ceku faktin se ky është filmi ku shqiptarët paraqiten si mbrojtës të hebrenjëve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore,

“Një ndër momentët më mbresëlënëse gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila dy vjetë më parë ishte bërë në Muzeun e Memorialit të Holokaustit ku u prezantua filmi dokumentar “Besa”, një homazh për virtytet e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftë së II-të Botërore. Ky eveniment që zhvillohet për herë të parë në Uashington, vjen si akt vlerësues për kombin dhe virtytet fisnike të shqiptarëve, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.”

Producentja e dokumentarit “Besa”, Johana Neuman është një nga të mbijetuarat e Holokaustit, e cila u ndihmua nga një familje shqiptare për t’i shpëtuar terrorit nazist. Përmes emocionesh ajo përcolli mes 500 të pranishmëve,pas shfaqjes në Washington në një nga mjediset e Kongresit amerikan, më 29 qershor 2010, kur u shfaq filmi dokumentar “Besa”, ajo përcolli këtë rrëfim emocionues. “Populli shqiptar jetonte me një standard të lartë moral, “Besën”. Ne ishim të huaj që kishim nevojë për ndihmë. Për rrjedhojë kodi moral i tyre u diktonte se ata duhet të ndihmonin me çdo çmim. Në familjen që na shpëtoi ne, kishin 2 fëmijë të vegjël dhe ata e dinin çfarë po ndodhte dhe nuk i thanë shokëve të tyre që në familjen e tyre kishte hebrenj. Asnjëherë. Është e vështirë ta krahasosh këtë me një numër vendesh evropiane”, vuri në dukje Neuman. Njëkohësisht, në vazhdën e vlerësimeve mbi popullin shqiptar, ajo shtoi se “jam këtu sot dhe kam mundësi të flas për këtë popull të mrekullueshëm, se këta njerëz duke e ditur që ishim hebrenj na shpëtuan neve në shtëpitë e tyre. Nuk pati diferencë, ata u shpëtuan si nga myslimanët, ashtu dhe nga kristianët. Pa mirësinë dhe angazhimin e popullit shqiptar nuk do kisha mundësi t’iu flisja ju sot dhe të isha nëna e 4 fëmijëve dhe gjyshe e nipërve e mbesave”.

Filmit dokumentar Besa – Premtimi, i regjisorit kryesor Jason Williams është filmuar në Shqipëri, Bullgari, Izrael, dhe Shtetet e Bashkuara, filmi përmban rreth njëzet intervista me të mbijetuar dhe të shumë dëshmitarëve të tjerë. Dhe është shfaqur deri tanë në qytetet kryesore amerikane, si dhe në Europë, Angli, Belgjikë dhe Shqipëri.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 5 maj, Beqir Sina, Filmi Besa, ne Los Angeles

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 481
  • 482
  • 483
  • 484
  • 485
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT