• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISMAIL KADARE, SFIDA VAZHDON

April 24, 2013 by dgreca

Pas 60 vitesh, shkrimtari Ismail Kadare i jepet nostalgjisë së shkrimit, ashtu si i jepemi një dashurie të madhe, duke sjellë në një libër tregimet e mbledhura nga arkivi i kohës “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”. Persida Asllani sjell një rrëfim për “brilantët”

Nga Alda Bardhyli/

…Roberti kishte qëndruar i mbështetur pas parmakut dhe sytë e tij të mbyllur përgjysmë, ishin ngulur në një pikë të horizontit. Ai vështronte dallgët e errëta dhe padashur ndër mend i përfytyrohej një përmbysje e fuqishme e këtij vapori të madh që lëkundej, ç’prej dy javësh mbi këtë oqean gjithë mjegull, e këtyre reve dhe valëve të hirta, e atij vetë që shikonte i vetmuar e plot trishtim këtë hapësirë oqeanike. Në anije kishte zhurmë. Tingujt e shpejtë e të njohur të një zvingu shpërthenin që nga brenda, duke u përzier me zhurmat shurdhonjëse të njerëzve që luanin bilardo në sallonin e madh. Filloi një shi i hollë, i dendur. Robert u shkëput nga mendimet e ngatërruara. Ai pa me çudi se nga gjithë ajo mori njerëzish, ai qe i vetmi që qëndronte akoma në kuvertë…” Kur Ismail Kadare krijoi “Robertin”, personazhin në novelën “Në dheun e panjohur” duhet të ketë qenë vetëm 17 vjeç. Teksa hidhte në letër historinë e një djaloshi ëndërrimtar që përmes udhëtimit kërkonte të ndryshonte të ardhmen, por jo atdheun e tij, pasi për të “një ndjenjë e nxehtë i pushtonte zemrën”, Kadare nuk mund ta mendonte se kjo histori e shkruar me pasionin e një adoleshenti që adhuronte letrat më 1953-shin mund të lexohej dhe të ngjasonte aq bashkëkohore dhe sot në shekullin e XXI. Heroi i tij Roberti, që i hidhte shikime të ëmbla veç kushërirës, dhe një ditë teksa e pa në oborr duke lexuar e përqafoi dhe e puthi fort dhe nxehtë në buzë, e në fund zgjedh sërish pyllin me gjethet e blerta që dridheshin lehtë nga era për të qëndruar, e ëndërruar, është një personazh që të bën të duash ende sot. Roberti i Kadaresë, dhe pse i krijuar gjysmë shekulli më parë mbart nën lëkurë gjithë pasionin e një njeriu ëndërrimtar, që ashtu si të gjithë njerëzit e tillë përballet me vetminë dhe moskuptimin… Por ky tregim, është dhe një vështrim mbi Shqipërinë e atyre viteve, ku revolta ndaj kornizave të kohës shihet në dëshirën e Robertit për të marrë anijen e për të shkuar larg… Një tregim që tregon shpirtin prej disidenti të një talenti të ri, që do të kthehej më pas në një nga personazhet më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ka shumë mënyra për të interpretuar një krijim artistik, por ajo që mbetet pas çdo interpretimi është shija artistike dhe stili, gjë që te proza e Kadaresë vazhdon të mbetet e papërsëritshme në çdo krijim të tij. Rrëfimet e tij mbartin një magji që të përfshin dhe të ndiesh erën e një leximi që gjithnjë ke kërkuar…. Dhe … “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”, libri që shtëpia botuese “Onufri” hodhi në treg në ditën ndërkombëtare të librit, është vërtet një brilant që i shtohet botimeve që mbajnë firmën e shkrimtarit Kadare. Një tufe “brilantesh”, të cilat shkrimtari i ka mbledhur duke kërkuar në arkivin e kohës, për t’i sjellë si një dhuratë për lexuesin në këto ditë të para të pranverës. Që te novela e parë “Provokacioni”, “Leximi i Hamletit”, “Raporti i fshehët”, “Dosja e Orfeut”, “Martesa e gjarprit”, “Për të harruar një grua”, “Diptik për murin e madh kinez” etj., Kadare të fton të takosh personazhe, t’i duash, t’i prekësh përmes rreshtash dhe të ndjesh shijen e një letërsie që do të mbetet e tillë në çdo kohë. Persida Asllani është ajo që ka ndier e para forcën e këtyre rrëfimeve, për t’i shoqëruar më pas me një parathënie, e cila shoqëron librin. Më poshtë, ajo sjell një rrëfim për kohët e saj me “brilantët”, dhe magjinë e një letërsie e cila na kujton se pavarësisht tranzicioneve të gjata politike, dhe kaosit social, ky vend ka fatin të ketë në gjirin e tij një shkrimtar të kalibrit botëror, që ashtu siç shkruan dhe “Figaro Litteraire” një kalibër i jashtëzakonshëm i këtij shekulli…

Le ta nisim këtë bisedë nga novela, titullin e së cilës e mban edhe libri “Bisedë për brilantët, në pasditen e dhjetorit”, një novelë e shkruar në vitin 2008, dhe që duket se i ngre letrat shqipe, pikërisht në nivelin e brilantëve…, por është dhe proza e fundit e shkruar nga Kadare… Cilat ishin ndjesitë që ju dha kjo novelë, dhe as është kjo “brilanti” i fundit, nisur nga deklarata e shkrimtarit se nuk do të shkruajë më letërsi…

Leximi im i parë i novelës “Bisedë për brilantët, në pasditen e dhjetorit”, novelë që i jep titullin edhe kësaj përmbledhjeje, përkon me vitin e shkrimit të saj, 2008, teksa përgatitej botimi për veprën e plotë të autorit në botimet “Onufri”. Atmosfera e leximit përkonte çuditërisht me fjalën “brilante” që zotëron titullin e novelës, duke i dhuruar bujarisht leximit të këtij teksti ndjesinë e zbulimit të një guri të çmuar, të një dritësimi të papritur e të rrallë, pikërisht siç quhen “të rrallë” vetë brilantët. Prandaj e kam quajtur “befasuese” këtë novelë, ashtu siç themi “befasues” për një zbulim, i cili, përpara se të jetë “zbulim” i yni, është në vetvete zbulim i ndërmarrë nga autori dhe nga vetë teksti i tij në hapësirën ku takohet letërsia me historinë, është shkundje nga harresa, është rikthim nga vdekja, është vezullim etik i jetës përtej gjithçkaje. Novela “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit” rreket të shkundë si pluhur të së shkuarës harresën etike të historisë dhe t’u japë jetë një prej shtegtimeve më mbresëlënëse të kësaj përmbledhjeje. Më lejoni t’ju josh me një përshkrim të tërthortë të saj: mund të ngjasë që njerëzit t’u përngjasojnë fantazmave më shumë se ato vetë mes tyre; burra e gra të “midistë”, ikur prej skajesh internimesh reale e potenciale, që shfaqen apo trokasin befas përmes një telefonate, një rrëfimi, një fjale, dhe ikin sërish, të përkorë, në heshtjen e natës. “Janë mbretërorë – përsiatet rrëfimtari, është e natyrshme të mos bëjnë zhurmë e të mos bien në sy”. Por, përtej rishfaqjes së tyre disi të mënjanshme, në predemokracinë shqiptare, si “në larginë”, përtej ndjesisë së butë të fajit, që për çudi, asaj pasditeje nuk ndahet, përtej kujtimit tundues të brilanteve të shuar dhe shkëlqimit të ftohtë të atyre që do të vijnë, kumbon shtegtimi i dyfishtë i një gjuhe dyfish të vdekur, ikje dhe ardhje nga një botë tjetër, nga romane të mëparshme, dhe nga njerëz tashmë të vdekur. Latinishtja rivjen, si një kumt i ri i ringjalljes, si një “gjuhë e ftohur, (që) sillte shpirtësinë e fundit të një brezi njerëzor që po shuhej”. Lufta e gjuhëve, e kacafytjeve gjuhësore në gjirin e njerëzimit. Këtë luftë, Kadare na e ka treguar disa herë në botën e tij romanore. Por ajo nuk është më shenjë e bashkëpërkimeve dhe huazimeve, por luftë për jetë a vdekje mes botëve që identifikojnë. Mjafton të kujtojmë romanin e fundit “Çështje të marrëzisë”, dhe të shohim se si latinishtja dhe frëngjishtja kacafyten për vdekje me rusishten, gjuhën e re që shtronte mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në një sistem të ri mendor. Rikthimi i latinishtes në prag-rënien e komunizmit shqiptar, pulsimi i saj mes sentencave ambulante të shtypit, risjell në novelë vizllimin e dyfishtë të jetës, ashtu siç ndodh gjithmonë, mes keqkuptimit dhe shpresës, mes tragjizmit dhe ironisë, si në mjegull: falë kësaj gjuhe të vdekur “që rrihte të bënte të pamundurën, të nxirrte pakëz frymë nga morti i saj”. Ishte kumti që rikthehej nga varri për të ribërë, me verbin, jetën; shpresa e vdekur për të rigjetur të vdekurit; shkëlqimi si prej brilanti i një gjuhe që, ashtu si trokitja e fantazmës, rreket të thotë diçka më shumë se vdekja e saj dhe e njerëzve që dikur e folën. Nëse Ismail Kadare ka deklaruar se nuk do të shkruajë më letërsi, atëherë mund të themi se ky është brilanti i fundit i shkrimit të tij letrar, por jo i botimeve të tij. Besoj se e kuptoni “trukun” e vogël letrar që fshihet si në një lojë pas këtyre fjalësh…!

Ju jeni e para që keni parë dorëshkrimet në origjinal…duke ndjekur me kujdes procesin që ato kanë pasur deri në ardhjen në një libër… A ka pasur ndërhyrje të mjeshtrit në tekste, sa kanë ndryshuar ato nga origjinali?

Besoj sinqerisht se kam pasur fatin të ndjek “së afërmi” kalimin, apo më saktë shndërrimin precioz nga një variant më i hershëm te tjetri të kësaj novele, në një shtrirje vetëm disaditore. Për çdo studiues të letërsisë, ky është një luks i rrallë, një brilant më vete. Aty kam parë se si çdo ndërhyrje në tekst ishte një sfidë më vete me gjuhën, stilin, koherencën logjike dhe atë muzikale, një sofistikim estetik, por jo vetëm, që veç mjeshtrit e mëdhenj të fjalës ia dalin.

Libri është një rikthim në kohë të ndryshme, duke parë vitet në fund të çdo tregimi 1981, ‘83, ’84, 1990, 2004 dhe 2008.. Si është Kadare në të gjitha këto vite? A ndieni ndryshim në prozën e tij?

Është e vërtetë, kjo përmbledhje ka një kalendar të brendshëm shkrimor, madje edhe një hartografi personale hapësinore. Emra njerëzish e vendesh, ndodhi të vogla personale dhe ngjarje që vërtiten në vorbulla të mëdha historish, lidhje dashurore, gjaku dhe tejhistorike, shkasin nga një fletë në tjetrën, përmes tregimesh e novelash. Një datë, shpesh një stinë dhe viti i shkrimit përmbyll si me një kumt të dytë, të heshtur, leximin dhe rileximin e tyre. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Mes këtyre datash pulson ngulmimi i shkrimtarit për t’u përballur me daljen nga kujtesa qoftë të historisë së jetës së një kombi ashtu dhe të grimcave të çmuara të një çasti, të gjestit të pakthyeshëm, të tingëllimit të zërave, të dritësimit të vështrimeve, të brishtësisë së dashurive të përjetshme. Nga ky këndvështrim, përmbledhja bart një koherencë të brendshme të admirueshme.

Si do ta përshkruaje dëshirën e shkrimtarit për t’u rikthyer tek e shkuara?

Shkrimet e hershme të një autori gëzojnë gjithmonë një lidhje të privilegjuar me të. Jo pse janë të parat në vargun e gjatë të veprave, por se mundësia e rikthimit drejt tyre udhëhiqet nga nostalgjia intime për shkëndijën që i krijoi, për gjurmën zanafillore të shkrimit, për jetën e fshehtë në errësirën e heshtur të një arkivi, për kureshtjen joshëse të ritakimit me to si të një dashurie të parë. Kureshtja e një shkrimtari për shkrimet e veta është njëkohësish kureshtje për botët që ai krijoi, për artin që guxoi, për gjuhën, për jetët, mitet, fatet, historitë me të cilat sprovoi. Mbas thuajse 60 vjetësh Ismail Kadare iu dha nostalgjisë së shkrimit, ashtu siç i jepemi një dashurie të madhe, pa kushte dhe të pambrojtur, ndonëse, përtej nostalgjisë, botimi ose ribotimi i tyre ka kaluar sprovën e heshtur të një droje delikate, të një stepje fisnike. “Atëherë, le të botohen… ashtu siç janë…!”

Cili është personazhi më i dashur për ju nga veprat e Kadaresë?

Ndër personazhet më të dashur për mua është tregimtari i romanit “Kronikë në gur”, djaloshi i qytetit të gurtë, zëri i brendshëm romanor që dëshmon “mishin e butë të jetës” brenda korracës shkëmbore të qytetit, fëmija që interpreton botën përmes zbulimit dhe befasimit, emri i të cilit përmendet vetëm një herë shkarazi në të gjithë romanin. Janë shumë të paktë lexuesit që e dinë këtë gjë. Unë nuk po e shqiptoj emrin e tij këtu, me shpresën se kjo do të jetë një joshje tjetër për një lexim të ri të “Kronikës”. Nuk ka gjë më të bukur se rileximi i një vepre të bukur letrare…!

“Më i përkëdheluri në këtë kalendar ngjan tregimi i gjatë “Provokacioni” shkruani ju… Pse?

Sikundërse e sqarova edhe më lart, në përmbyllje të secilit prej shkrimeve, që unë i quaj shpesh në kuadër të kësaj përmbledhjeje edhe “shtegtime”, spikat, i pashmangshëm, viti i shkrimit, kalendar i brendshëm i jetës së tyre, ritmi solemn i leximit, 1981, 2000, 2004, 2008. Më i përkëdheluri në këtë kalendar më ngjan tregimi i gjatë “Provokacioni”, prozë me stil të pezullt e të rëndë, tekst i rishkruar vazhdimisht nga autori në përpjekje për t’i nxjerrë “lejen e botimit”, më së fundi, në revistën “Nëntori”, në vitin 1972. “Provokacioni” sprovon me sukses përkueshmërinë mes trajtës dhe ngjarjes, mes strukturës së një tekstit letrar dhe gjendjes ekzistenciale së qenies njerëzore, vendosur në limitet saj kohore dhe hapësinore. Një postë e skajshme kufitare, në një fundvit të ngrirë e të acartë, gjendet në qendër të një provokacioni të ashpër kufitar. Histori dashurie që mbyllen, njerëz të vrarë dhe pritje e ankthshme e së nesërmes së fundit, e cila nuk do të agojë dot kurrë. Atmosfera e rëndë e këtij tregimi, ritmohet nga episode që ndjekin njeri-tjetrin si në një skenë. Mbyllja e çdo episodi përkon me një paralajmërim të fundmë, të përgjithshëm, konceptual. Ndryshe nga proza të tjera, ky tregim ka një jetë të shumëfishtë. Ai është shkruar e rishkruar, herë nën trysninë e stilit dhe herë nën atë të censurës, në disa variante mes viteve 1962-1972, vit i botimit të tij. Një lexim krahasues sot mes këtyre variantesh, të vëna në dispozicion nga vetë autori, na lejon të gjurmojmë veç nuancimeve të stilit edhe modifikimet detyruese e për pasojë jo gjithnjë “fatlume”. Kështu, nga varianti i parë në të fundit (atë të botueshmin) ka humbur krejt një linjë e rëndësishme e tregimit, ku të dyja postat kufitare armike, të ngrira nën izolimin çoroditës të dëborës, duket sikur dalin tërësisht nga e tashmja e tyre, dhe në këtë perpetum mobile shkëmbejnë njerëz, të plagosur, infermierë dhe vizitorë, shkëmbejnë një humanitet ekzistencial të brishtë sa vetë shkrirja e dëborës. “Tashmë prania e fqinjëve në postën tonë nuk i bënte më përshtypje asnjërit dhe pas dy ditësh ne i mbajtëm dy prej tyre të pinin konjak me rastin e ditëlindjes”. Por pikërisht bashkë me shkrirjen e pritshme të dëborës, që nënkupton për të dyja palët nxjerrjen nga izolimi dhe rikthimin e armiqësisë, rikthehet edhe ankthi i dënimit dhe i fajit që kurrë nuk sqarohet përfundimisht në këtë tregim. Askush nuk do ta tregojë dot se çka ndodhur me të vërtetë. Kemi vetëm një gjurmë të tij në bashkëbisedimin mes dy personazhesh sa neutralë aq edhe potencialisht “armiq”, Fred Kosturit dhe të sëmurit (të papranishëm krejtësisht në variantin përfundimtar): “Kam parandjenjë të keqe, murmuriti, nuk është mirë për infermierin që kapërcen kufirin dhe për ata që e lejojnë, as për mua nuk është mirë që po dergjem këtu”; ankth dhe moskuptim i shumëfishtë që përfshin të dy anët e kufirit dhe mbetet i pezullt deri në fund. Për kërshërinë e lexuesit mund të shtojmë edhe një fakt tjetër shumë interesant. Nëse në variantin e parë enigma mbetet e tillë deri në fund, mes dy postash kufitare ku nuk mbijeton dot askush, në atë të botueshmin e vitit 1972 ngjarja mbyllet me një skenë-shtojcë që ngjan se merr përsipër sqarimin e enigmës së një provokacioni kufitar: ai shfaqet si një provokacion i paramenduar dhe strategjik, ndërkohë që fotografia e ushtarit të masakruar shqiptar, përcjell rrëqethshëm infinitin e një konflikti tashmë akohor, “sinjalet e të cilit vinin të turbullta nga thellësitë e kohërave e të popujve”. Provokacioni vazhdon… Ky variant gjendet tashmë i botuar në “Veprën e plotë” të Ismail Kadaresë. Ndërsa në këtë përmbledhje autori ka parapëlqyer t’i qëndrojë besnik mbylljes së parë, asaj më enigmatikes dhe sipas tij më të vërtetës estetikisht, ku me asgjësimin total mes kufitarëve të të dyja palëve e vërteta mbetet e pashqiptueshme dhe vetëm e hamendësueshme. Mbi trupat e të vrarëve, vendosur në rimorkion e një kamioni, hidhet shkujdesshëm trasta e letrave të shkruara për ta, si gjest i fundmë, absurd dhe i ftohtë, që mbyll përfundimisht historinë e tyre të patregueshme dhe njëkohësisht vetë tregimin. Ndoshta një ditë jo të largme, variantistika proliferike e këtij tregimi mund të përbëjë edhe një objekt të privilegjuar studimor më vete. Atëherë, nën shqyrtimin e hollë të studiuesit letrar do të na shpalosen proceset e shumëfishta të shkrimit, sfida me gjuhën dhe stilin, shestimet e vijueshme të tekstit, por edhe gjurma e thellë e epokës kur u shkrua, penetrimi i censurës dhe autocensurës në nivele të ndryshme të shkrimit. Sidoqoftë, në shtrirjen përgjatë një dekade, 1962-1972, pavarësisht humbjes së një linje të tërë apo skenës-shtojcë së variantit të fundit, shkrimi i këtij tregimi sofistikohet dhe estetizohet. Një lexues i kujdesshëm e ndien fare lehtë pjekurinë stilistikore të këtij teksti, ripunimin e vazhdueshëm të frazës dhe dialogut. Ky rishkrim i zgjatur mban gjurmën e një procesi marramendës, ku çdo shkronje, çdo fjale, fjalie të thjeshtë e të ndërvarur, kumti emotiv a neutral, i duhet të gjejë vendin që i përket në tekstin letrar.

Duket se atdheu ka qenë një peng për shkrimtarin që në ngjizje të krijimtarisë së tij, kam parasysh novelën që e ka shkruar kur ishte 17 vjeç “Në dheun e panjohur”. A i ka dhënë atdheu, këto vite, atë që Kadare i ka dhënë atij me letërsinë e shkruar?

Më lejoni të sqaroj një specifikë të nocionit “atdhe” në novelën “Në dheun e panjohur”, shkruar në vitin 1953, kur autori i saj është vetëm 17 vjeç. Në fakt, novela paraqet fillesat e një “poetike të përmbysur”, në qendër të së cilës gjendet “ideja e papranueshme e një atdheu fiktiv”. Kështu, dheu i panjohur është paradoksalisht atdheu, dhé i origjinës, por jo i shpirtit dhe i mendjes së personazhit të saj kryesor, djaloshit Robert që shkruan poezi e lexon Chateaubriand-in. Prandaj udhëtimi i tij për t’u kthyer “në atdhe” është njëkohësisht udhëtim për në një vend të huaj, i cili do të mbetet i tillë deri në fund. Ky refuzim, kjo “mosqasje”, së pari shpirtërore e së dyti mendore e botës së re që ai zbulon, ecën paralelisht me një ironi të brendshme të tekstit: “Pothuajse të gjitha gjërat në fshat i dukeshin qesharake. Qesharake i dukeshin këto brigada pune kolektive, këto gara socialiste, këto konferenca “ideologjike” dhe kurse analfabetizmi”. Roberti thuajse hesht. Mendimet e tij mësohen ose prej ditarit ose prej bisedës me vetveten, deri te vendimi i tij për t’i ikur përfundimisht “atdheut të tij”. Por keni të drejtë kur thoni se atdheu është një peng për Kadarenë. Pjesa më e madhe e veprës së tij i kushtohet marrjes së vijueshme në shqyrtim të rrugëtimeve, fateve, peripecive, por edhe zgjedhjeve e sakrificave që janë bërë në emër të tij. Dhe ky zbërthim njëherësh historik, antropologjik, filozofik dhe estetik është dashuria e tij e madhe për një atdhe jo vetëm hartografik, por mbi të gjitha etik dhe estetik. Nga kjo pikëpamje sfida e Kadaresë vijon…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ismail Kadare, Sfida vazhdon

TRI EKSPOZITA PIKTURE, NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR…

April 24, 2013 by dgreca

Nga Murat Gecaj

NE FOTO:Pjesmarres ne ekspoziten e Abaz Hados/

1.

Në Muzun Historik Kombëtar të Tiranës, herë pas here, organizohen veprimtari mbresëlënëse. Aty përurohen libra të rinj të gjinive të ndryshme dhe nderohen njerëz të njohur, në përvjetorë të tyre, por dhe çelen përkohësisht ekspozita të arteve figurative etj. Vërehët se, bashkë me ardhjen e pranverës, aty janë shtuar veprimtari të tilla të bukura, të cilat ndiqen me interes nga banorët e kryeqytetit.

Dje, për shembull, aty u çel ekspozita me pamje nga Shqipëria dhe Greqia, e piktorit të lirë, Bujar Babis Abazi. Vëmëndjen e të pranishmëve e tërhoqën 38 punime të tij, në vaj. Ato dallohen për tematikën e larmishme dhe shprehëse, për ngjyrat e ndezura e tërheqëse. Të tilla mund të përmendim: “Tirana”, “Natyrë e qetë”, “Motiv shqiptar”, “Limani”, “Bregdet shqiptar”, “Akropoli” etj.

Ky piktor i njohur na tregon se, megjithëse i larguar afër dy dhjetëvjeçarë nga Shqipëria, në qendër të krijimve të tij i ka edhe motivet nga Shqipëria. Ndër to, janë pamje të qyteteve e krahinave të ndryshme, të natyrës sonë të bukur dhe  personazheve të veçantë.  Kënaqësinë e shikuesve të pikturave të Bujarit, e kanë përjetuar edhe shikuesit e shumtë të ekspozitave, që ai ka çelur, që nga viti 1991 e në vazhdim, në Tiranë, por dhe në Greqi, Itali e deri në Nju Jork. Duke biseduar me një koleg të këtij piktori, Vangjel Taton, ky shprehet: “Pikturat e Bujarit dallohen për ndjenjat e holla, të shprehura me penelin e tij,  përmes ngjyrave të bukura  e shprehëse dhe shijeve suprizuese estetike etj.”.

2.

Sot në mesditë, në hollin kryesor të Muzut Historik Kombëtar pati gjallëri të veçantë. Vizitorë të shumtë kishin ardhur për të marrë pjesë në përurimin e eskpozitës se piktorit mjaft të njohur dhe tani zv.ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Abaz Hado. Ajo titullohej “Çamëria Jonë” dhe përmbante 30 punime të përmasave të mëdha, me grafika e piktura. Këto përshkohen nga frymëzimet dhe ndjesitë e këtij artisti, për vendin e bukur e të bekuar, Çamërinë, nga e ka edhe originën.

Ashtu siç e vlerësojnë specialistët e kësaj gjinie të artit, kjo ekspozitë është me krijime të kohëve të fundit të autorit dhe e para e këtij lloji, jo vetëm për përmbajtjen e saj, por edhe për shprehjet origjinale të një grafike dinamike, me teknika, që u japin atyre frymë e konceptim modern.

Të pranishëm ishin piktorë e skulptorë, miq e kolegë të këtij autori, punonjës të arteve, kulturës, arsimit e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Pjesëmarrësit i përshëndeti dhe i falënderoi vetë piktori, A.Hado. Pastaj folën Adri Nurellari; zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ardian Tana; përfaqësues nga Shoqata “Çamëria” etj.

Duke u ndalur në veçoritë dalluese të kësaj ekspozite, përveç vlerave të larta artistike, ata theksuan edhe mesazhin, që ajo përcjell te shikuesit tanë. Pra, nënvizohet me force se historia e Çamërisë  është pjesë e pandarë e të kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes së popullit shqiptar.

Në mbyllje, piktori A.Hado i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit, të cilët i ftoi në koktejin e shtruar, me këtë rast. Së bashku, përveç bisedave të ngrohta e mmiqëssore, ata bënë mjaft fotografi, që  kanë kujtim nga kjo veprimtari mbresëlënëse.

Kjo ekspozitë pikture, me tematikë nga Çamëria jonë, do të çelet edhe në qytetet Fier, Durrës, Berat, Vlorë, Sarandë etj.

3.

Gjatë ditës se sotme, vëmendjen e vizitorëve në këtë Muze e tërhoqi edhe një afishe, ku njoftohej për çeljen, në mbrëmje, të një eskpozite me punime të disa famijëve, pra me vizatime e piktura të tyre. Për këtë ngjarje të bukur më foli edhe Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve  dhe Artistëve për Fëmijë e të Rinj.

Për kënaqësinë e  këtyre artistëve të vegjël të penelit, të prindërve, por dhe të mësuesve të tyre, këtu poshtë po i shënojmë të gjithë emrat e tyre:

Al’bert Buraj, Ana Lekloti, Amelia Gjika, Denis Kolgegaj, Ditio Varkova, Era Selimaj, Ema Çiçolli, Elena Basho, Ergi Isaraj, Emili Nushi, Ester Zotka, Ilia Basho, Iris Boshnjaku, Jona Selimaj, Kaltra Mezini, Kevin Kolgegaj, Kristiana Sterio, Kleist Sulaj, Laura Halku, Melina Zhupa, Martina, Petri Çiçolli, Viktoria Basha e Viola Hoxha.

Duke i shikuar me vemendje të gjitha punimet e thjeshta të kësaj akspozite, që mbante emërtimin  kuptimplotë, “Pranverë fëminore-2013”, menjëherë bie në sy tematika  fëminore e saj. Kshtu, ata kanë bërë objekt  të   vizatimeve dhe pikturave të tyre, pamje nga natyra jonë e bukur, lule të ndryshme, kafshë e shpendë etj.

Padyshim, kjo ekspozitë e famijëve tanë ndihmon në nxitjen e mëtejshme të talentit të tyre, në këtë fushë të artit, por edhe e bën më të këndshme jetën e banorëve të kryeqytetit. Prandaj i përgëzojmë dhe i urojmë ata nga zemra, për punimet e bukuara dhe shprehëse, që kanë paraqitur në këtë eskpozitë! Jemi të bindur që, duke ecur të sigurtë në këtë udhë të artit, nesër do të bëhen piktorë e skulptorë të njohur.

Tiranë, 24 prill 2013               

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, ne muzeun historik, Tirane, tri ekspozita

MONODRAMA NË VLORË FILLON ME “RRRENO PER ME TREGUE”

April 24, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

Me date 26, 27 dhe 28 Prill 2013, ora 19.00, ne Teatrin “Petro Marko”, Vlore starton edicioni  i 4  i Festivalit të Monodrames .Monodrama mbush katër vjet jetë .Aktori Ilirjan Ali është inciatori i këtij eventi kulturor, që zhvillohet në qytetin e Vlorës.Sipas aktorit Ali cfarë paraqet ky festival:Do të jetë Nje parade e vërtetë e interpretimit me një aktor. Do të performojne artistet më të mirë  nga të  gjitha trevat por edhe me gjerë, të  cilët janë vlerësuar nga publiku dhe kritika.

Trupat pjesmarrëse në këtë event  tre ditor janë: Teatri:”Aleksander  Moisiu”: Durres, Teatri   “Bitoles”  Maqedoni, Teatri  i  qytetit  te  Podujeves, Teatri  i  Tiranes,Teatri-Kombetar-Kosovës, Teatri “Petro Marko”  Vlore.

Fetsivali i monodramkës ka krijuar traditën në qytetin e Flmaurit.Ndryshimi nga viti i shkuar konsiston në pjesëmarrjen e aktorëve  nga Kosova dhe Maqedonia.

Ne kemi nevoje per Teatrin, por edhe Teatri ka nevoje per Ne..shprehet aktori I.Ali

Le te promovojme te gjithe bashke vlerat kulturore te qytetit tone!

Cili do të jetë Sinopsis i shfaqjeve të monodrame si dhe aktorët realizuar?

1-Dt- 26.ora  19  .Teatri    :Aleksander  Moisiu:     Durres .Pjesa e zgjedhur i përket veprës  “Rrreno per  me  tregue” të autorit   At  Zef  Pllumbi.Interpreton   Gjergji  Doci.

Sinopsis i shfaqjes: Monodrama me rrefime sipas motiveve të at Zef Pllumin “Rrno për me tregue” pështatur për skeme nga dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha paraqet vuajtjen dhe torturat e përndjekurve politik gjate sundimit të sistemit  të kaluar.

2-dt -26- ora .21. Teatri “  Bitoles” i Maqedonisë ka si pjesë    “Ditari  i një  te  cmenduri” shkruar nga N.V.Gogol.Interpreton aktori:     Zdravko  Stoimirov.Drejtori: Robert Simonovski,muzikë: Martin Jordanovski,ndihmojë në skenë: Aleksandar Lozanovski

Sinopsis i shfaqjes:Përmes një historie të shkurtër   do të tregohet banaliteti  i luftës dhe

Sistemit e shoqërisë nga shekulli i kaluar.

3-dt- 27- ora  19- Teatri “Petro Marko”  Vlore  do të sjelli  pjesën: “Një  ngjarje  e jashtëzakonshme”  Nga  Dostojevski   përshtatur    dhe  vënë   në  skenë  nga   Luftar  Veshi.    Interpreton aktori:  Vladimir Abili.

4-dt-27- ora  21 .   Teatri  i  qytetit  të  Podujeves  ka si pjesë   monodramën: “Baladë dheu” .Autor dhe intepret: Ramadan Oraca.Regjisor: Agron Gërguri .Muziken e zgjodhi: Agron Gerguri.Skenografia dhe kostumet: Besnik Zullufi.

Sinopsis i shfaqjes:Isa, me profesion skulptor, ne ditën e varrimit te gruas se tij vendos te kthehet ne atelienë e tij 5 vjet pas përfundimitte luftës ne Kosovë. Kthimi ne atelie i ngjall kujtimet e luftës, aq me tepër kur aty takohet me skulpturën portret të djalit  të tij Ilirit, i cili tr4ajtohet si i zhdukur. Duke e skulpturuar serish ai bashkëbisedon me te, me shokët e tij,… duke na e dhënë historinë e marrëdhënies se tij me te, jetën e tij, preokupimet dhe një copë historie te dhembjes kosovare për te pagjeturit dhe zhgënjimet e pasluftës… derisa edhe vetë ai bëhet skulpturë.

 

5-dt-28-ora  11 00 .Teatri  i   Tiranes ka sjell pjesën:”Shtëpia  e kukullës    nga  autori i huaj   H. Ibsen  .Interpreton Klodi  Kadillari, regjizor:Sokol Pllakolli Sinopsis i shfaqjes:Eshte    personifikim i  artistes  simbol ,e krijuar per te  qenen  e tille.Ajo  arrin te   mbijetoje    ne cdo  duke i rezistuar  kohes

6-dt-28-ora 19.ARNELPRODUCTION, TETOVE,sjell monodramën:

“PROMETHEU”-Ymer-Shkreli-dramatizim-Salajdin-Saliu).Regjia-Ekrem-Xani.Muzika-Edmond-Gusho.Organizator- Elmir Sejfullai-Senad  Abduli

Eshtë një monodramë poetike me temë nga realitetet e përditëshme mbarëshqiptare e cila në qëndër të saj ka fatin e një burri pa emër, moshë dhe profesion.

7-dt-28-ora-21-Teatri-Kombetar-Kosoves ka përzgjedhur pjesën:“Vrasja  e mushkonjes”  nga  Xhevdet  Baraj.Interpreton   Ismet  Azemi .Regjia: Donard Hasani     Skenografia :Erald  Bakalli.Kostuografia:Samka     Ferri   Kompozitor :Hysni  Klinaku.

Sinopsis i shfaqjes: Eshtë një monodramë poetike me temë nga realitet e përditëshme mbarëshqiptare e cila në qëndër të saj ka fatin e një burri pa emër, moshë dhe profesion.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: At Zef Pellumi, Gezim Llojdia, Rreno per me tregue, shfaqet en Vlore

Granit Dervishaj , “Baba Uslender” me Blocherin në “Rinora 4”

April 24, 2013 by dgreca

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vështirë se mund të ndodhë, por është vetëm njëra nga 10 dëshirat e reperit të njohur shqiptar në Zvicër “Baba Uslender” që i ka shprehur për ditëlindjen e tij të 23-të/

Granit Dervishaj, ose siç njihet me emrin artistik në Zvicër “Baba Uslender”, më 23 prill feston ditëlindjen e 23-të. Për këtë koincidencë datash ai ka shprehur 10 dëshirat më të “krisura” për ditëlindje. “Tillate” ka publikuar listën e 10 dëshirave ironizuese të shqiptarit mjaft të popullarizuar në mesin e të rinjve në Zvicër.

Me mënyrën e tij të njohur ironizuese, reperi shqiptar ka thënë të ketë dëshirë ta festonte ditëlindjen me politikanin e CVP-së, Christoph Blocher, në klubin e njohur të shqiptarëve në Rümlang të Cyrihut, “Rinora 4”.

“Hej, z. Christoph Blocher, eja me mua për ditëlindjen time në klubin e shqiptarëve në Cyrih “Rinora4″. Do të vallëzoni me mua dhe shokët e mi me muzikë nga Kosova. P.S: Aty ka vajza të bukura”, thotë Dervishaj për “Tillate”.

Lista e dëshirave të “trenta” të “Baba Uslender” nuk përfundon me kaq. Ai ka dëshiruar për ditëlindjen e tij t’i marrë fund edhe karriera Christoph Mörgelit.

Pastaj ka thënë se dëshiron t’i ketë të paktën 15 biondina në një jahtë private, ku do ta festonte ditëlindjen e tij të 23-të. Në planin profesional ai do të dëshironte të realizojë një këngë me “Beatles” ose me “2Pac”. Njëra nga dëshirat e “Baba Uslender” për ditëlindjen e 23-të është edhe që albumi i tij që së shpejti do të editohet të jetë në top 10-shen e këngëve më të dëgjuara në Zvicër.

“Shumë shpejt do të dalë albumi më i ri nga “Uslender-Produktion”, që quhet ‘Zrug in Summer’. Dëshiroj shumë që të jetë në top-10″, thotë Dervishaj.

”Baba Uslender” është i njohur me këngët me ritme të forta, me gjeste vetironike agresive që i kanë sjellë atij një grup fansash shqiptarë dhe zviceranë. Studioja e tij “Uslender Productions” ia ka dalë të bëjë video me pretendime profesionale.

”Baba Uslender” pati fituar çmimin “Kick Ass Award” për këngën më të mirë në Lucern nga Radio 3fach. Me atë rast është emetuar albumi i tij i parë iTunes dhe është ngjitur në vendin e 17 të toplistave.

Granit Devishaj vjen nga Hochdorfi i Lucernit, shqiptar i brezit të dytë. I ati, një bujk, kishte ardhur para 30 vjetësh në Zvicër dhe kishte punuar si zdrukthtar. Graniti është i treti nga katër fëmijët e tij.

Ai thotë se ka pasur një fëmijëri normale, ka qenë nxënës i mirë që e ka folur gjermanishten njësoj mirë sikur moshatarët e tij zviceranë.(Kortezi Albinfo.ch)

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: baba Rslender, Granit dervishaj, rinora 4

Zonja nga Boråsi promovohet në Boras të Suedisë

April 23, 2013 by dgreca

Në librin ”Zonja nga Boråsi”, autori Viron Kona, nuk mbetet thjesht vetëm shkrimtar në këtë rast, por del edhe si studiues i mirëfilltë, duke ilustruar dhe zbuluar në mënyrë faktike ngjashmëri të kulturës dhe traditës suedeze me kulturën dhe traditën shqiptare.

 Nga Hysen Ibrahimi/

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani” /

Libri i radhës, i titulluar ”Zonja nga Boråsi” i shkrimtarit tonë të mirënjohur Viron Kona, që kryesisht i kushtohet qytetit të Boråsit, është një libër që përveç se trajton tema interesante për të gjithë lexuesit si suedezë, ashtu edhe shqiptarë, ai na bën nder edhe neve shqiptarëve mërgimtarë në Suedi. Duke e ditur dhe njohur shkrimtarin tonë z. Viron Kona, duhet nënkuptuar se libri duhet të ketë një vlerë të përmasave miqësore, që ka nxjerrë në dritë vlerësimin e miqësisë së dy popujve siç jemi ne shqiptarët dhe suedezët. Autori, me librin e tij të titulluar ”Zonja nga Boråsi”, vijon një kapitull të ri marrëdhëniesh kulturore, duke korrensponduar përmes shkrimeve me trajtim miqësor në mes dy vendeve –  Shqipërisë dhe Suedisë.

Temat të cilat trajtohen nga autori Kona, paraqesin tërësinë e mundësive të bashkëpunimit, kështu që e ardhmja e këtyre popujve me fisnikërinë dhe humanizmin që kanë në shpirtin e tyre, sidomos në fushën e kulturës dhe të traditës, janë dëshmi të forta për vazhdimin e miqësisë. Vetë autori, i ka përjetuar të gjitha këto kur ka qenë për vizitë në Suedi. Duke hasur në një kulturë të lartë të popullit mik suedez, shkrimtari Viron Kona është inspruar dhe stimuluar për të shkruar për këtë miqësi, për artin suedez dhe vlerësuar atë, sepse arti në brendinë e tij është fisnikërim, sikurse është edhe vetë populli mik suedez.

”Zonja nga Boråsi”, është libri i katërt i këtij autori shqiptar që ka temë ose lidhje të ngushtë me Suedinë. Ai vjen pas librave: ”Men kära Bubulino” (Eh, more Bubulino!) i cili është përkthyer në gjuhën suedeze në vitin 2011; Në vazhdim janë të njohur librat e botuar në vitin 2012 ”Bukuri suedeze” dhe “Për Ju, miqtë e mi”.

Viron Kona, vazhdon me shkrimet e tij, kushtuar mërgimtarëve shqiptarë dhe popullit mik suedez. Në librin e tij ”Zonja nga  Boråsi”,  ai ka dëshmuar se, është një fillim i mbarë i lëvrimit të kulturës dhe traditës edhe në fushën e letërsisë, duke hapur horizonte të reja të bashkëpunimit, që identifikohen gjatë vizitave.

Gjatë leximit të këtij libri, hasim formën e bukur të përpunimit të ngjarjeve, temave, hasim në përshkrimin e përjetimeve të  autorit në Suedi, më konkretisht në Borås, ku dominon përvoja e shkëlqyer e këtij shkrimtari. Me një mjeshtri të rrallë, ai  ka përshkruar përjetime të këndshme, duke prekur disa sfera, të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shpirtin e njeriut…

Po, cili është kriteri i zgjedhjes së temave e personaliteteve të cilat autori e aplikon në këtë libër? Viron Kona, nuk përqendrohet të marrë dosido vetëm personalitete historike si dekor, vetëm për të shkruar një libër, sikurse është rasti kur ai potencon dy shkencëtarë suedezë me famë botërore siç janë Karl Linne dhe Anders Celsius. Por, ai bën një përzgjedhje tejet bindëse dhe këtu shihet se zotëron mirë pendën, kur në përpjekjet e tij për të identifikuar realitetin, ai ia del me sukses. Kriteri i tij është realiteti, sepse figurat gërshetohen me aktualitetin e përditshmërisë, me veprimtarët e traditës dhe kulturës. Duke pasur parasysh modestinë e tij, ai gjithherë ngjarjet i paraqet në veten e parë, që bëhen interesante për lexuesin.

Në librin ”Zonja nga Boråsi”, Viron Kona, nuk mbetet thjesht vetëm shkrimtar në këtë rast, por del edhe si studiues i mirëfilltë duke ilustruar dhe zbuluar në mënyrë faktike me të drejtë ngjashmëri të kulturave dhe traditave suedeze me kulturën dhe traditën shqiptare. Mund të themi se, libri në fjalë, ka aso përmbajtjeje dhe aso konstatime të argumentuara, sa që lirisht mund të përdoret si libër shkencor, sepse përfshin e trajton disi në mënyrë komparative disa veçori shumë interesante të dy kulturave, të dy popujve – suedez dhe shqiptar, me argumente, duke bërë një shtjellim të veçantë, gjithnjë falë aftësisë dhe prirjes së shkrimtarit dhe studiuesit Kona për t`i parë, shtruar dhe analizuar këto çështje interesante të kohës.

Ne, mërgimtarët e Suedisë, e po ashtu edhe Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani”, e vlerësojmë lart këtë vepër të të nderuarit Viron Kona dhe, në përditshmërinë e veprimtarinë tonë do të shërbehemi me këtë libër, e, edhe me librat e tjerë që trajtojnë tema për Suedinë dhe miqtë e dëshmuar suedezë, sikurse është për shembull edhe libri “Miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Qvick” (Monografi)” i autorit Prof. Fetah Bahtiri, pastaj romane, poezi, tregime, fjalorë të shkrimtarëve tanë si: Sadulla Zendeli-Daja, Riza Sheqiri, Hamit Gurguri, Remzi Basha, Ibrahim Abedini etj.

E përgëzojmë nga zemra, shkrimtarin, studiuesin, mikun tonë të madh, vëllaun tonë të dashur Viron Kona, për këtë libër me vlera të larta, të cilin po e promovojmë sot këtu, duke shpresuar se ai nuk do të ndalet me kaq, por në të ardhmen do të na dhurojë edhe vepra të tjera me brumë e tematika të ngjashme, për çka komuniteti shqiptar që jeton e vepron në Suedi me miqtë suedezë gjithnjë ka nevojë dhe për çka ne e falënderojmë me admirim.

Urime dhe përgëzime !

Borås/Suedi, më 30 mars 2013 (Ne foto:Pamje nga salla e promovimit)

Filed Under: Kulture Tagged With: Hysen Ibrahimi, ne boras, promovohe, Suedi, Viron Kona, Zonja nga Borasi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 483
  • 484
  • 485
  • 486
  • 487
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë
  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT