• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUNOJ PARALELISHT ME REALITETIN DHE IMAGJINATËN, DUKE U PËRPJEKUR QË PRODUKTI TË JETË REAL

March 25, 2013 by dgreca

-thotë e reja tropojane Elona Zhana/

Shkruan Sokol DEMAKU/

Aktualisht në Shqipëri ka një prirje për të trajtuar si të dalë mode vlerën e atdhedashurisë. Shqiptarët mendojnë se ashtu janë me “trendy” dhe më të “shitshëm” në tregun e vlerave evropjane. Duhet që dikush të marrë përipër dhe tu tregojë që nuk është ashtu! Së pari sepse atdhedashuria është një prije biologjike e njeriut. Identiteti i njeriut strukturohet duke u nisur nga mjedisi intim i tij në kah të universit, pra nga vetvetja, nëna, familja, lagjia, shkolla, qyteti, shteti, kontineti ; nëse japim një skemë të thjeshtuar. Dhe të duash atdheun, pra tërësinë e atyre elementeve të afert që na strukturojnë identitin, nuk do thotë gjë tjetër veçse të duash vetveten. E qënia njerëzore, përveç rasteve të prekura nga sëmundje psikologjike, e don më së shumti vetveten!

Po ashtu, sido që të jenë paraqitja e jashtme e politikave globale, edhe në 2013 bota flet për  popuj, kombe e shtete dhe sicila politikë perparëson kombin, popullin e shtetin e vet në fillim apo vetëm e vetëm popullin, kombin e shtetin e vet! Kjo prirje e shqiptareve për të përçmuar atdhedashurinë më duket vetvrasëse

E lindur dhe rritur në Tropojë. Çfarë mundë të na thoni për këtë kohë të femijerise suaj?

Tropoja më ka dhuruar një fëmijëri të lumtur, mundësinë e rritjes në një familje intelektuale që e respektonte edukimin dhe investonte shumë në të.

Tropoja më ka dhuruar mundësinë e të jetuarit në nje mjedis mahnitës, me bukuri natyrore përrallore dhe me njerëz bujarë, të bukur e guximtarë.

Asaj periudhe të jetës time i dedikoj edhe dëshirën për tu marrë me letërsi. 

Çka ju shtyri të migroni nga Shqipëria?

Eshtë një pyejte të cilës nuk kam arritur ende ti përgjigjem. Kur kërkoj në subkonshiencën time, në ato gjëra që ndoshta edhe nuk i kam thënë vetes, e vetmja përgjigje e vlefshme që marr është joshja nga liria në format e ndryshme të shfaqjes së saj.

Ndoshta, dhe kjo sigurisht gabimisht, mendoja dhe unë si një pjesë e madhe e shqiptarëve që kisha ezauruar mundësitë në Shqipëri.

Cfarë  njohurish kishit për Belgjikën ju ne atë kohë?

Realisht projekti i largimit tim nga Shqipëria nuk ishte i studjuar aspak seriozisht. Mendoj që kjo është një karakteristikë negative e një pjesë të madhe shqiptarësh që më shumë ndermarrin rrugën e largimit, jo për tu instaluar në një vend të dhënë por thjesht për tu larguar. Dhe kur rastis që të jesh individ që kë nevoje për strukturë për tu ndjerë mirë, atëherë e humbet tërësisht ekulibrin. Kjo ndodhi me mua. Kisha dëshirë të beja studime , por nuk kisha asnjë njohuri në lidhje me mundësitë konkrete që më ofronte ky vend. Aq më tepër nuk flisja asnjë nga dy gjuhët zyrtare që fliten në Belgjikë, ndaj dhe projekti im i studimeve mori 3 vjet për tu vënë në rrugë. Por këto tre vite nuk kanë qënë vite të shkuara dëm pasi perveçse u njoha me Belgjikën dhe ato ç’farë mund ti ofronim ne njëra-tjetrës, ndodhën ndryshime kapitale edhe në jetën time private. Ishtë një kohë e vështirë, ku jetoja disi në mjegull e në pasiguri dhe pozitiviteti më i konsiderueshem lidhet me zbulimet e të panjohurës dhe energjinë që këto zbulime sjellin.

Keni mbaruar universitetin mereni me shkrime, perkthime dhe jeni botuese  gazete çfare mundë të na thoni?

Realisht, pas mbërritjes në Belgjikë dhe konfrontimit me realitetin jam vënë në pikëpyetje. Cdo ditë i përsërisja vetes në mëngjes përpara pasqyrës : “ Vajzë, ti ke lënë Shqipërinë më gjithëshka tjetër atje, për të qënë më mirë. Ti duhet të jesh më mirë sesa do të ishe atje!!!”  si puna e moralit që i bën një trajner një boksieri përpara se të hyj në dyel.

Dhe problemi ishte se po të kisha qëndruar në Shqipëri, unë me kapacitetin që kisha përpunuar nga studimet e mesme, duhet të isha një mjeke kirurge e sukseshme. Pra duhej bërë më mire se kaq! Sa për studimet në mjeksi planet kaluan tek endërrat në sirtar sepse isha bërë nënë dhe duhej të bëja studime që të kishin një rentabilitet të menjeherëshëm në mënyrë që vajzës që ishte dhe është prioriteti im të mos i mungonte konforti. Kështu i riorientova studimet e mia nga dega “Mardhenieve me Publikun” që u plotësuan më pas nga një master.

Sa për përkthimet ishte një punë që e bëja mes shumë të tjerash në kohën e studimeve por që më ka tërhequr gjithënjë për nga shumëllojshmëria e kontaktit që ofron. Duhet thënë që kam pasur edhe shans në këte punë së pari sepse jam një njohëse e mirë e gjuhës dhe së dyti pasi jam e apasjonuar pas komunikimit. Si pasojë e rrejtit shoqëror të familjes time, kam përdorur gjithmonë gjuhën standarte shqipe edhe pse në Tropojë si në çdo reth të Shqipërisë fliten dialektet e posaçme. Por duke e njohur dialektin e veriut kam qënë edhe shumë e suksesshme me shqipfolësit që vinin nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi etj që përbëjnë edhe shumicën në tregun e përkthimit. Po ashtu nga ana belge studimet polivalente dhe kultura ime gjenerale më kanë favorizuar . Me përkthimet, më shumë se 2/3 e kërkesës e kam refuzuar gjithmonë nga mungea e kohës.

Ndërsa puna me gazetën ka filluar si një kërkese për kontakt social me publikun shqiptar, por ngaqe kam një prirje për tu investuar shumë seriozisht në gjithëshka që bej, përfundoi në një aktivitet profesional.

 Nga e merrni frymëzimin, çfarë është tema apo subjekti në veprat tuaja?

Punoj paralelisht me realitetin dhe imagjinatën, duke u përpjekur që produkti të jetë real. Nuk më pëlqejnë as lustrat, as ngakesat figurative, as “shitja e artit” por as banaliteti intelektual. Per mua duhet të ketë një “ të mesme të duhur”.

Sa për temat ato janë nga më të larmishmet, që nga dashuria, lumturia, plotpërmbushja, kërkimi, të jetuarit,sfida, konflikti, falja, toleranca… Eshtë një paletë ngjyrash që shpaloset diku shumë me ndrojtje e diku me imponim. Por gjithëshka është e menduar në detaj, asgjë nuk i lihet forcës së rastit në artin tim dhe për një lexues të kualifikuar ka një kod pune unikal që zbërthen gjithëshka.

 Ç’farë keni botuar deri me tani?

Kam botuar katër libra, dy përmbledhje me poezi e prozë poetike, një novelë dhe një roman. Për lexuesit titujt janë :

Përtej unit, Sarkofaga e hënës cigane, Gjurmë dhe E huaja.

 Si shqiptare ne mërgim si e ndjeni veten?

Nuk e ndjej veten më në mërgim. Kam investuar shumë kohë, energji e dëshirë në Bruksel dhe nuk e ndjej veten të huaj. Realisht nuk e ndjej veten keq askund.

Mund të them që jam një qytetare e Botës. 

 Çfare e lidhë Elonen me Bruxelin sot?

Momentalisht gjithëshka më lidh me Brukselin.

Brukseli është qyteti që ka krijuar finesen dhe elegancën e personalitetit tim. Eshte një qytet që do të më mungonte shumë nëse një ditë do të vendosja ta lë.

 Krenoheni  me prejardhjen shqiptare dhe synoni ngritjen e vlerave shqiptare kudo në botë. Çfarë nënkupton prejardhja juaj shqiptare dhe vlerësimi ndaj punës tuaj në mërgatën shqiptare?

Atëherë, nuk është çeshtja se jam vetëm krenare që jam shqiptare. Sepse përfundimisht nuk kam asnjë meritë për këtë, kjo është një trashëgimi. Por jam shumë krenare që ndjehem mirë si shqiptare, për këtë po!

Mendoj që nga gjithë ajo trashëgimi kulturore që kam marrë nga Shqipëria nuk ka asgjë për tu hedhur apo për tu ndjerë inferiore. Nuk jam po ashtu as ndonjë militante e patriotizmit qorr. Mendoj që në shqiptarët kemi një gjuhë të “bekuar”. Lehtësia me të cilën shqiptarët mësojnë gjuhët e huaja vjen dosmosdoshmërisht nga pasuaria e gjuhës tonë e konkretisht përshembull nëse flasim në anën fonetike, pothuajse të gjithë tingujt e gjuhëve të mbarë botës i gjen në alfabetin tonë.

Ne kemi një kulturë të mrekullueshme që ka në shtyllë të saj vlera shumë humaniste si toleranca e mikpritja për shembull.

Ne shqiptarët kemi edhe një histori të paqme, kurre skëmi pushtuar ndonjë popull.

Aktualisht në Shqipëri ka një prirje për të trajtuar si të dalë mode vlerën e atdhedashurisë. Shqiptarët mendojnë se ashtu janë me “trendy” dhe më të “shitshëm” në tregun e vlerave evropjane. Duhet që dikush të marrë përipër dhe tu tregojë që nuk është ashtu! Së pari sepse atdhedashuria është një prije biologjike e njeriut. Identiteti i njeriut strukturohet duke u nisur nga mjedisi intim i tij në kah të universit, pra nga vetvetja, nëna, familja, lagjia, shkolla, qyteti, shteti, kontineti ; nëse japim një skemë të thjeshtuar. Dhe të duash atdheun, pra tërësinë e atyre elementeve të afert që na strukturojnë identitin, nuk do thotë gjë tjetër veçse të duash vetveten. E qënia njerëzore, përveç rasteve të prekura nga sëmundje psikologjike, e don më së shumti vetveten!

Po ashtu, sido që të jenë paraqitja e jashtme e politikave globale, edhe në 2013 bota flet për  popuj, kombe e shtete dhe sicila politikë perparëson kombin, popullin e shtetin e vet në fillim apo vetëm e vetëm popullin, kombin e shtetin e vet! Kjo prirje e shqiptareve për të përçmuar atdhedashurinë më duket vetvrasëse.

Puna ime me shqipfolësit e Belgjikës zhvillohet kryesisht rreth vektorit të kulturës pasi është, gjithmonë sipas mendimit tim ,një mjet i mrekullueshëm dhe gjithpërfshirës.

Një shkrimtar, një publicist, një përkthyes  kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje të shkurtër  si është Elona nga natyra ?

Nje ish pedagoge imja që më pas më është bërë mike më thotë : “nuk kam parë kurrë një individ si ti që mund të jetë aq kurioz dhe indiferent njëherazi”. Dhe bëhet fjalë për ish pedagogen time të psikologjisë. (qesh)

Dua të them më këtë që jam gjithmonë e mirëinformuar për ato gjera që më interesojnë, por vetëm për ato që realisht me interesojnë.

 Çka mendoni mbi gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin Shqipëri-Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare?

Si shqiptare mendoj që për Shqipërinë është një shans i madh të rethohet nga shtete e popull shqiptar nëse pyetja juaj konsiton në idenë e Shqipërisë së Madhe.

Sa për gjendjen politike brenda trojeve tona, frika ime më e madhe është shndërrimi  i konceptit “bërje politike”” në industri biznesi. Do të ishte nja fatkeqësi për popullin tonë pasi është një popull relativisht i vogël për të  ndërtuar një industri të tillë.  

 Planet e Elonës për të ardhmen, ç fare lexuesit presin nga ju?

Për lexuesit e mij duhen të jenë të sigurtë që do jem gjithmonë e pranishme pranë tyre me gjëra të reja. Por më duhet tu them që duhet pritur edhe ca vite për të patur një best seller nga unë. Realisht e konsideroj veten ende shumë të re për të ju dhënë vetëm letërsisë.

 Çfarë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Keto vitet e fundit të jetës time më kanë vënë në situata që ndoshta as nuk i kam ëndërruar më parë. Kam realizuar apo bërë pjesë në projekte të lakmueshme, kam krijuar kontakte e miqesira me njerër të klasave të larta, kam provuar nga adrenalina e suksesit, nga konforti i luksit …Por suksesi im më i madh kam deshirë të mendoj që është ende rrugës.

 Çka ju bën të lumtur më së shumti në jetë?

Ajo që më bën më së shumti të lumtur, është aftësia për të gjetur kohën për tu kënaqur më gjëra të thjeshta.

Filed Under: Kulture Tagged With: Elona Zhana, Sokol Demaku

ENERGJIA KRIJUESE E SHPIRTIT SHQIPTAR

March 25, 2013 by dgreca

/Dedë Preqi, Lot atdheu, Meditime mërgimtare, Kushtrime nga mërgimi,

Amanda Edit, Bukuresht, 2013/

Nga Baki Ymeri/Bukuresht/

 Intelektuali i vërtetë jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret. Misioni i shkrimtarit është rimarrja e flamujve të humbur nga njerëzit e politikës, si dhe përfitimi i betejave të humbura nga të tjerët. Ky është misioni i tij i shenjtë, një detyrim që e obligon dhe nderon në trojet e bekuara të historisë. Jeta është e mbushur me befasi, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e papritur mos të na befasojë. Fillimi i mençurisë është frika ndaj Zotit dhe frika ndaj fjalës. Kështu thekson Bibla, ndërsa familja, atdheu dhe kombi qëndrojnë mbi të gjitha, së bashku me nderin dhe dinjitetin. Fjalët e poetit janë diamante shkëlqimtare që mund të ndriçojnë shpirtërat dhe jetën e njerëzve me mendime të kristalta. Para nesh kemi njërin nga mërgimtarët tanë që digjet për atdheun dhe fatin e tij. Ky është fati i atyre që e braktisin vendlindjen. Kur u reken shtigjeve të mërgimit, ata marrin me vete edhe atë ishull magjik që quhet Kosovë apo Shqipëri. Autori vjen para nesh me tri antologji publicistike që s’kanë të bëjë me poezinë, por me një turmë subjektesh morale, meditative, fetare, historike dhe politike. Politika është arti kompromisit, ndërsa Dedë Preqi e përshkruan politikën shqiptare nga këndvështrime të ndryshme, duke i hymnizuar vlerat e demokracisë parlamentare europiane mënjanë, dhe duke i fshikulluar ata që e frenojnë historinë dhe demokracinë tonë, në anën tjetër.

Dedë Preqi është një zë i veçantë në poezinë e sotme të diasporës shqiptare. Krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, poezitë, analizat, komentet, opinionet, esetë dhe reportazahet, janë një dëshmi e gjallë e punës së tij, thekson Ramiz Dërmaku në kuadrin e një komenti. Optimizmi dhe dashuria ndaj njeriut janë parimet elementare të këtij krijuesi të palodhur. Mënjanë kemi grandomaninë e atyre që nuk i besojnë Zotit, ndërsa në anën tjetër vlerat morale dhe krijuesit e projekteve magjike që dinë të mbëltojnë energji pozitive në shpirtin tonë: “Me filozofinë e saj të bamirësisë, Nënë Tereza dha një shembull të lartë të humanizmit, duke fituar një respekt të plotë ndaj secilit, me një shembull të përsosur të harmonisë mes indianëve, myslimanëve dhe të krishterëve. Ilaçin më shërues dhe më të përshtatshëm, Nënë Tereza e kishte dashurinë, ngrohtësinë dhe shpresën. Ajo gjithnjë i lutej Zotit, për këta njerëz të lënë pas dore.” Apo bombardimet e NATO-s (1999), kur “Ishte dita më e shenjtë, kur shkëlqeu qielli dhe nëpër atë shkëlqim u duk liria e Kosovës.“ Zemra troket derisa shuhet, sepse ajo është si kandili, dhe nëse ti i beson Zotit, ai ta ndez kandilin përsëri në Qiell.

Sipas Biblës së Shenjtë, frika ndaj Zotit është një koncept pozitiv, një ndjenjë e thellë konsiderate ndaj krijuesit të botës. Bota pa libra është si një shtëpi pa nuse, apo si livadhi pa lule. Ja, pra, edhe një spektër të ri vlerash interesante, që vjen në bibliotekat e sentimenteve tona nga gjiri i diasporës shqiptare. Deda është jo vetëm një poet i mirë, por edhe një publicist artikujsh të panumërt me subjekte esenciale. Nëna Tereze, 100 vjetori i Pavarësisë, Kosova, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, respekti ndaj Amerikës dhe Bill Clintonit (Engjëlli shpëtimtar i Kosovës), bombardimet e NATO-s kundër kuçedrës militariste serbe, Pavarësia e Kosovës, korupcioni, fanatizmi fetar, roli destruktiv i kishës ortodokse serbe, diaspora dhe bashkimi kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe nëntorët e lavdisë sonë, liberalizimi i vizave, integrimet europiane, meditime mbi jetën, janë disa nga subjektet preliminare që defilojnë në faqet e këtyre tre librave. Veprat respektive kanë karakter publistik. Subjektet janë të rradhitura në bazë të parimit kronologjik e me kritere dhe interpretime e sqarime të përshtatshme që reflektohen në kuadrin e titujve dhe përmbajtjes.

Nga veprat e Dedë Preqit kemi shansin të mësojmë se ç’është patriotizmi. Subjektet janë të rëndomta, disa të njohura nga lexuesit tanë, por duke i shfletuar ato me kujdes, konstatojmë se patriot është ai që e do atdheun, që përkujdeset për të, që din të respektojë rendin publik, që nuk i hedh mbeturinat në rrugë, që din të ndihmojë të varfërit, që din të respektojë ligjet dhe gjuhën amtare, që din ta mbrojë atdheun, familjen dhe kombin. Për fat të keq, ideja e patriotizmit është konfiskuar ekskluzivisht nga diskursi i liderëve të demagogjisë sonë politike, apo nga disa butakë të gazetarisë që s’i njohin normat elementare të shqipes letrare. Jo për të gjithë e kemi fjalën, por vetëm për ata që shkelin interesat nacionale për interesa personale, familiare, nepotiste dhe karieriste. Shqiptarët kanë nevojë për vepra konkrete e jo për maskaradë politike sa për të përfituar votat e elektoratit. Atdhetarizmi nuk ndërlidhet me gazetari neurotike e patologjike, me vetëlavdërime apo me beneficione e majmëri personale, por me shembujt e rilindësve tanë, me sakrificën e martirëve të kombit, me ndjenja qytetare, dinjitet, integritet dhe moralitet.

Autori shkruan me durim e koshiencë, dhe nuk e hedh fjalën pa e matur mirë. Gjatë analizës së artikujve, konstatojmë se ai nxjerr në pah ide fisnike dhe origjinale, duke i kundruar dukuritë, fenomenet, evenimentet, me syrin kritik, duke thyer kornizat e përshkrimit të rëndomtë. Autori i këtyre veprave shquhet për një gamë subjektesh historike dhe aktuale që i trajton duke i dhënë prioritet ndërgjegjes kombëtare, Kosovës shqiptare dhe tendencave të huaja për shkombëtarizimin e kombit tonë, dhe jo vetëm kaq. “Ka kaluar koha e luftave, Kosova ka nevojë të bashkohet në paqë”, thekson autori duke na vënë në kontakt me trashëgiminë tonë historike, kulturore dhe konfesionale. Librat e Dedë Preqit paraqesin një impuls të ri për freskimin e memorjes sonë, për përhapjen e diturisë dhe forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.

******

Dedë Preqi u lind më 1955, në fshatin Doblibare (BallëDrini) komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Klinë. Mbaroi studimet në SHLP, Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Gjakovë. Vjershat e para i botoi në revistën “Shëndeti”, në vitin 1975, dhe pastaj në “Zëri i Rinisë”,„Pionieri”, „Rilindja për fëmijë”, „Gazeta e Pionierëve”,„Drita“ (Shkup), “Republika” (me pseudonim), si dhe në gazetën “Bota sot”. Prej vitit 1981 jeton dhe krijon në Zvicër. Shkruan prozë dhe poezi. Në ndërkohë, në letërsinë shqipe, në krijimtarinë letrare dhe në kujtesën e lexuesit ka hyrë duke prurë dymbëdhjetë libra me krijimtari për fëmijë e për të rritur, përkushtime për Nënë Terezën, krijime për vendlindjen e tij dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës sonë. Bibliografi letrare: “Jeta frymon përsëri” (botim i autorit, Gjakovë 2004), “Kur zgjohet dielli” (poezi për të vegjël, Gjakovë 2004), “Jam unë” (poezi, Gjakovë 2007), “Jeta është agimi” (poezi, Gjakovë 2007), “Ti ishe një porosi, poezi”(përkushtim për Nënën Tereze, Botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, 2008), “Fshatit tim Ballëdrin” (Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë 2011), „Gjyshi dhe Adinisi“ (poezi për fëmijë, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2011), „Etje e ngjyrave“ (poezi, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2011), „Binecuvantarea lacrimilor/Bekimi i lotëve” (Amanda Edit, Bukuresht, 2012). “Lot Atdheu”,“Meditime mërgimtare” dhe “Kushtrime nga mërgimi” janë tre antologji vlerash publicistike që e panë dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë (2013).

Filed Under: Kulture Tagged With: Baki Ymeri, Dede Preqi, Lot Atdheu, meditime mergimtare

ZHITI – VISAR I LETËRSISË BASHKËKOHORE SHQIPTARE

March 25, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

“Jo të dish të bësh poezi pa jetën, por të sjellësh jetën me poezinë…”/

Visar Zhiti/

Kohët e fundit Shtëpia botuese italiane Diana – edizioni vuri në qarkullim një libër me poezi të shkrimtarit Visar Zhiti, të titulluar “Confessione senza altari” (Rrëfim pa asnjë altar). Vëllimi është përgatitur për botim nga studjuesi i njohur i gjuhës shqipe, ish  nxënës i të madhit Ernest Koliqi, Elio Miracco. Në libër poezitë jepen në origjinal dhe në përkthimin italisht të studjuesit të mësipërm. Vëllimi hapet me një parathënie të kritikut letrar të gazetës “Corriere della Sera”, Sebastiano Grasso, të titulluar “Soltanto poeta” (Vetëm poet). Pasohet nga një paraqitje e gjatë e shkrimtarit, veprës së tij dhe tematikës së poezive të vëllimit, e shkruar nga Dr.Miracco dhe e titulluar “La pena di vivere” (“Mundi i të jetuarit”). Vëllimi paraqet në fund të tij, si pasthënie, një shkrim të një tjetër kritiku italian, Giovanni Ruggiero me titullin “Zhiti e la letterattura bicefala” (“Zhiti dhe letërsia dykokëshe”). Ky vëllim është një sukses i mëtejshëm i poetit të mirënjohur shqiptar në Itali e në Evropë.

“Rrëfim pa asnjë altar” është një bisedë e gjatë e poetit me veten, në të cilën spikat prirja e njeriut për të vënë në pikpyetje gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, moralin dhe zgjedhjet e ndryshme në udhëkryqet e jetës, çastet sublime dhe ata të tmerrit, luftën e përherëshme mes dëshirave e mundësive, brishtësisë njerëzore e ëndrrave të parealizuara, gabimeve, fajeve, mëkateve, që janë elementë bashkudhëtarë të jetës njerëzore. Kjo bisedë vetmitare të cilën poeti e quan një “rrëfim në asnjë altar”, bashkon idealisht të gjithë njerëzit, zhduk dallimet në kombësitë, kulturat, besimet fetare e merr formën e një mbifeje që ka si shtylla mbajtëse dy koncepte të njohura – Liri e Drejtësi – që, për poetin, janë të vetmet që i shpëtojnë një bote mëkatesh e dyshimesh që nuk kursejnë as vetë diellin. Dhe ky kryen gabimin e përditshëm të perëndimit të tij, duke shkëmbyer jetën me vdekjen, natën me ditën, dritën me errësirën.

Poeti nis një rrugë të gjatë, një udhëtim që nuk njeh kufij kohorë e gjeografikë, por e gjen burimin e frymëzimit dhe arsyen e qënies në tokën e tij, në dukuritë e veçanta të saj, në një përvojë që bashkon fatin e saj me atë të birit vjershëtar. Poezitë e këtij libri janë ndalesa në pika të ndryshme të shtegtimit të fantazisë, që përshkon humnerat e pashembullta të një jete që ka zënë fill në një kohë të vështirë, në një Vend të trazuar nga ide vrastare që kanë kthyer njerëzit në hiena t’etura për gjak. Ky është  Atdheu, katër vargje të një fuqie madhore nga nis rrugëtimi : “Atdheu : jeton me të vdekurit dhe vdes mes të gjallëve,  ndonjëherë”.

Jeta dhe vdekja në vëndlindjen e poetit kanë humbur kuptimin e termave, janë kërleshur kaq shumë me njëra tjetrën, janë shkrirë në një qënie mitologjike, të llahtarëshme, që njëjtësohet me të dytën. Por nga ky atdhe kufomash ngrihet një zë që shkon kundër rrymës, që predikon dashurinë si shpëtimtare, dashurinë në kuptimin e gjërë të fjalës, atë që i kundërvihet botës së urrejtjes. Është zëri i brëndshëm i poetit që ushton edhe në kthetrat e qënies së llahtarëshme, që ndriçon edhe në errësirën më të kobshme, sepse për të “është e tmerrshme të gjesh kohë për urrejtjen”. Ai zë është linfa e jetës që rrjedh në damarët e tij, që i jep fuqinë për të dalë nga gërmadhat e për të shkuar përpara.

Visar Zhiti i përket atij brezi shqiptarësh që lindi dhe u rrit në diktaturën e cila mohoi çdo të drejtë njerëzore për shtetasit e saj. Atij vetë i u dhunua liria, u bë një nga viktimat e asaj vdekjeje të atdheut që, në shëmbjen e tij, rroposi gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, traditën dhe pritmërinë. Në këtë shkatërrim të përgjithshëm, në atë errësirë mbytëse, n’atë shkretëtirë asgjësuese vlerash e jetësh njerëzore, triumfon vetëm ëndrra e poetit, e ruajtur në thellësi të genit të qenies.

Udhëtimi i poetit mbi Pegasin e fantazisë e frymëzimit të saj kapërcen kohët e hapësirat. Ai kalon nga lashtësia e Egjyptit me sfinksat e tij të pazbërthyeshëm, simbole të mistereve të përjetëshme të krijesës njerëzore, tek arenat e gladiatorëve të Romës, me gjakun që thithet nga trupat e prerë të tyre prej “pleqve të shquar” e ndalet në legjendën e tiranit që luan shah mbi trupin e skllaves, diku në mbretëritë e Lindjes. Ai fluturim bashkon në një hark kohor të shkurtër, sa ç’është frymëzimi, përvojat shekullore të perandorive, qëndrat e pushteteve të mëdha, që poetit nuk i ngacmojnë zilinë për madhështinë e tyre, por krrupën për imoralitetin e tyre. Dhe historia vazhdon deri në ditët tona, të mbushura me terma të bukura që shoqëria bashkëkohore vazhdon të prodhojë me të tepër për të mbuluar, në një farë mënyre, mizorinë e lashtë të veshur me rroba të reja.

Në rrugëtimin e tij poetik që kalon nëpër qytetet e ndryshme t’Evropës, së zbuluar  mbas një jete të kaluar në kafazin e hekurt të dhunës e padijes së regjimit lirivrasës së Vendit të tij, poeti njëjtësohet me vlerat e qytetërimit, të cilat i ka kultivuar thellë në botën e tij të mbrendëshme, qëndrim për të cilin i ka takuar të paguajë një çmim shumë të lartë.

Poezitë e Visar Zhitit vërtiten në shumë boshte, interesat e tij janë të gjëra e të shumanëshme. Hyjnë në to kultura, në shfaqjet e saj të ndryshme, spikasin personazhe si kompozitori Wagner, si shkencëtari Giordano Bruno, ndihen si pika riferimi Shekspiri, Gëteja. Si formim poeti është prodim i leximeve të artit të madh, prandaj dhe poezia e tij ka frymëmarrje të gjërë, i shmanget provincializmit të mjedisit nga del, mbetet një pasuri që i kalon kufijtë e atdheut, kthehet në një dëshmi e mesazh të fuqishëm për popuj të tjerë, fillon të flasë e të kuptohet në gjuhë të tjera.

Në konceptimin 360° të botës e dukurive të saj gjejnë vënd në të dhe bimët dhe kafshët. Përbëjnë mjedisin që rrethon njeriun, simbas autorit qëndron shpesh më lart se ky i fundit, shfaq më pak hipokrizi e më shumë vlera.

“Njeriun sa pak e gjej tek njeriu

Prandaj u drejtohem pemëve

Mësoj nga heshtja plot me fruta….”

Është fillimi i një poezie që dëshmon besimin e autorit, jo më te të ngjajshmit e tij, por në natyrën e papërdhosur prej ligjeve të njerëzve. Në poezitë e këtij cikli gjejnë vënd lotët e kalit që përkulet para të burgosurit të vrarë nga roja në një kamp të punës së detyruar, një skenë e pakrahasueshme që nxjerr në pah  mizorinë njerëzore përballë fisnikërisë së kafshës, dallëndyshet që, me cicërimat dhe foletë e tyre, paralajmërojnë fundin e dimrit, xhirafat, më të hijshmet e botës së kafshëve. Ka një vjershë të thurur për kopshtin zoologjik të Tiranës që mbyllet me fjalët : “Me lirinë e gjallë të të gjithëve   Dhe un jam më i lirë.”

Nuk përballemi me një prirje të vonë romantike, as me një shfaqje të një mode që, në botën e sotme, gjen mjaft përkrahës. Është diçka më e thellë, ka në bazën e saj bindje të krijuara, si pasojë e të jetuarit në një rend gjërash, në të cilat të gjitha vlerat njerëzore janë asgjësuar, ku nuk shihet as hija më e zbehtë e një shoqërie që t’i afrohet sado pak dhe njerëzve të Neandertalit apo të Kromanjonit. Ky është burgu i regjimit enverist shqiptar, ku është mbyllur, në vitet më të mira të rinisë, poeti. Simbas akuzuesve të tij poeti Visar kishte shkruar poezi “hermetike” që “rrezikonin” pushtetin e popullit !?

Ajo botë e vogël në të cilën u lind e u rrit shkrimtari dhe ajo pjesa e saj më shprehëse e më përfaqësuese, në të cilën u mbyll forcërisht në një çast dramatik përcaktues të jetës, janë një realitet, përballë të cilit bota e kafshëve, xhungla me të gjitha veçoritë e rregullat e saj, ku zotëron ligji i më të fortit, mund të quhen modele morali për t’u marrë si shembull. Nëse rendi i vlerave është përmbysur në dobi të së keqes, nëse njerëzimi, në gjysmën e dytë të shekullit të atomit, polli përbindësha të pashembulltë, për nga mizoria e tyre, si komunizmi shqiptar, të mbijetuarit e atij proçesi historik kanë vetëm një detyrë : paditjen deri në imtësi t’atij sistemi, arkitektëve e zbatuesve të tij, si shprehje e një përvoje historike që meriton të mbyllet “në bodrumet e errëta të historisë”, siç shprehet autori.

Drama e brëndëshme e tij, ai proçes i gjatë shnjerëzimi që, me mjetet më të dhunëshme e më të pamoralëshme u ushtrua mbi të, ashtu sikurse mbi qindra e mijra bashkëvuajtës të tij për gjysëm shekulli është edhe boshti qëndror, filli drejtues i një veprimtarie letrare, që mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të një epoke të zezë, autorësia e së cilës i u ngarkua vetëm një njeriu. Ndërsa ajo shoqëri, në shumicën dërmuese të saj, edhe sot priret nga anashkalimi i përgjegjësive të përgjithëshme e të përveçme në tragjedinë më të madhe të kombit.

Poezitë që i kushtohen asaj periudhe të jetës, që lidhen me çastet e pafund të dhimbjeve, poshtërimeve, dhunës fizike e psikologjike, t’ushtruar në bazë të një strategjie të hartuar përsosmërisht në instanca të larta të krimit botëror, janë edhe pjesa më e qenësishme dhe më prekëse e vëllimit. Që nga “E shtuna e parë e arrestit” deri tek poezia e fundit e ciklit në këtë vëllim që titullohet me një pyetje “Ç’kohë është, e njeriut apo e skeletit të tij?”, lexuesit, si në një film të gjatë, i dalin parasysh skenat e një jete që e ka humbur edhe kuptimin e termit. Ajo vazhdimësi dukurish të jetës së qelisë apo të kampit, ato skena të mjedisit të jashtëm që rrethojnë në çdo çast përsiatjet e heshtura të poetit të prangosur, borërat e bardha që mbulojnë qetësisht të gjitha gjurmët, figura e një vajze mësuese që çdo ditë, larg telave të kampit, zgjon tek çdo banor i tij stimujt e jetës, mundi i përditshëm i punës së skllavit në minierë, vdekja që herë mbas here troket në derën e të burgosurvet, thesi i tyre në depo që mbetet simboli i së vetmes shenje të diçkaje të tyre, të privatësisë, mesazhi i një rrëkeje uji në qetësinë vdekëse të një vetmie në frontin e punës së galerisë, janë disa nga skenat e atij filmi rrënqethës që e bëjnë lexuesin bashkëjetues të fatit të autorit.

Por Visar Zhiti nuk është një fotograf i thjeshtë që filmon e shfaq çdo gjë që ndodh rreth tij, ai e shoqëron dëshminë e tij me bluarjen e mendimit, me përgjithësimin e tij, me padinë qytetare që e kthen atë në një tribun, jo vetëm të vetes, por të gjithë brezit të tij, kryesisht atij bashkëvuajtës.

Autori i “Rrëfim pa asnjë altar” është një poet i lindur. Ndoshta poezia e tij, për t’u kuptuar, në gjithë shtrirjen dhe thellësinë e saj, ka nevojë për një mundim të mëtejshëm. Por aty ku ai arrin maja të artit të tij janë ato rrjeshta që i kushtohen botës intime, në këtë vëllim e ndërthurur me tragjedinë e atdheut dhe me fatkeqësinë e vetë poetit. “Ditëlindja ime në qeli” është rrëfimi i një çasti të dhimshëm, një përsiatje e thellë e një gjëndjeje, në të cilën është përmbysur gjithshka, së bashku me vetë kuptimin e jetës, një vdekje klinike e autorit të cilit Zoti i dërgon si varkë shpëtimi talentin e tij, poezinë, (prostitutë dhe Shën Mëri) në vetminë e qelisë. Lexuesi normal i Evropës së sotme, ku futet dhe ai shqiptar, fatmirësisht i shkëputur nga yzengjitë e vlerësimit të artit të partisë, gjen në këtë lloj poezie një vërtetim të idesë se deri në ç’pikë njeriu krijon artin dhe, anasjelltas, deri ku arrin aftësia e këtij të fundit për të formuar vetë njeriun. Por asnjë prej këtyre lexuesve nuk mund të futet në shpirtin e vërtetë të krijimit poetik, në thelbin e gurit filozofal të saj, si ata njerëz që kanë patur fatkeqësinë të festojnë ditlindjet e tyre në vetminë e qelive t’akullta të hetuesive shqiptare…..

Në këtë kuadër, një vënd të veçantë në vëllim, zënë dy poezitë kushtuar prindërve, të titulluara “Perëndesha e mbrojtjes” dhe “Im atë i verbër”. Janë yjet më të ndritshëm të yllësisë poetike zhitiane, të denja për cilëndo firmë të poezisë botërore, dhe asaj më eprore. Nuk është thjesht dithirambi poetik i mirënjohjes për ata që e sollën në këtë jetë, është hymnizimi deri në ngazëllim i funksionit dhe rolit të gruas në jetën njerëzore, kryesisht në figurën e nënës, në të cilën ajo, sigurisht, meriton skeptrin e botës. Nuk po futem në ftillimin e imtë të këtyre perlave poetike shqiptare, nuk dua të prek, sado pak, shkëlqimin e tyre. Lexuesit i kumtoj me sinqeritet kënaqësinë e jashtzakonshme që kam provuar me leximin e tyre dhe mikut poet i shpreh falënderimin, besoj edhe n’emër të mijra bashkëvuajtësve, që ka ditur të përjetësojë, nëpërmjet vargjeve të tij, çastet tragjike të jetëve tona dhe flijimet sublime të nënave, grave e motrave tona, heroinat e vërteta  të qëndresës shqiptare në gjysëm shekullin më të zi të historisë së këtij populli.       

Diku më sipër vura në dukje se, në jetën e trazuar të shkrimtarit, triumfoi vetëm ëndrra e poetit. Analiza, qoftë edhe shkurt e përciptas si kjo e imja, e poezive të Visar  Zhitit, nuk mund të anashkalojë një nga përbërësit e saj më të rëndësishëm : ëndrrën. Ka një lidhje organike, në gjithë personalitetin e tij, mes prodhimtarisë letrare e motiveve shtytëse të brëndëshme të saj. Me gjithë praninë e elementëve racionalë poezia e autorit tonë i përket më shumë gjinisë emotive, botës së ndjenjave të holla e të fantazisë së ndezur që, ndonjëherë krijon figura e koncepte, vështirësisht të kapshme për lexuesin e thjeshtë. Ajo botë nuk do të mund të jetonte e t’ishte prodhuese pa elementin kryesor themelor të saj, ëndrrën.

Vetë poeti, në vargjet e tij, ka dëshirë t’a theksojë këtë shtytëse e nxitëse të gjithësisë krijuese të tij. Madje ëndrra është diçka më tepër, është përbërësja më e rëndësishme e vetë qënies krijuese : “Njihuni me skeletin tim – Jam unë pa ëndërrat e mija”. Për të ëndërra është gjithshka, sinonim i vetë jetës, i ngrohtësisë, i dritës, i shpresës. “Ëndrrën t’a zhvesh që të më mbetej guri i ngrohtë i jetës…” Lexuesi e ka të vështirë të përcaktojë nëse poeti është prodhim i ëndrrave të tij, apo ëndrrat e kthyera në poezi janë thelbi qenësor i vetë veprës së tij. Klithma e dëshpërimit, që del nga thellësia e shpirtit në çastin më dramatik të jetës së tij, n’atë të arrestimit, pasqyrohet në një varg të vjershës së shkruar n’atë rast : “ do të  rrëzohen ëndrrat “.

Është ky tmerri i shkrimtarit n’ata çaste, një gjë e pakuptueshme për vdekëtarë të thjeshtë n’ata kushte, por kjo është vlera e shtuar e artistit krijues, e cila i jep atij fuqinë, guximin dhe energjinë për të përballuar vite të tëra të një vegjetacioni në kufijtë e vdekjes. Ëndrra e shoqëroi e paprekur poetin në vështirësitë e panumurta të ditëve e netëve në minierat e Spaçit apo Qafë – Barit, në zonat e thella të nëntokës, ku ai mbushi e shtyu vagonat në dritën e një kandili, në temperatura të larta e në një ajër të ngarkuar me avuj uji e squfuri, në përplasjen me të ftohtit therës të maleve të Mirditës në dalje të galerisë. Ajo mbeti pasuria e vetme e tij në një mjedis ku i a kishin rrëmbyer të gjitha, ku ishte kthyer në një numur, i vlefshëm vetëm për të nxjerrë mineral, që shteti fuqiplotë i tiranëve do t’a përdorte për të mbajtur në këmbë “ekonominë” e tij të bunkerëve dhe të të paaftëve.

Në çastin kur makthi mbaron e poeti kthehet në jetën “normale”, ëndrra bëhet edhe më e rëndësishme, sepse do të jetë përsëri ajo që do t’a drejtojë ecjen e tij drejt objektivash të tjera, që për të janë ata të krijimtarisë artistike. Në këtë rast ajo merr funksionin e misionit që duhet të marrë përsipër “poeti i ëndrrave”, mbasi koha i ve mbi shpinë detyrën e përjetësimit letrar të një përvoje të hidhur, t’errët, tragjike, nëpër të cilën kaloi ai dhe shumë bashkatdhetarë të tij.

“ Do të marr prej dore ty ëndërr

Dhe do të shëtis zgjimeve të mija

                                                                   si një i çmëndur”

          Kjo është besojma e re e shkrimtarit, i vetëdijshëm se tashmë jeta e tij nuk i përket vetëm vetes apo familjes, i përket edhe një shoqërie që pret prej pendës së tij vepra që do të përjetësojnë bëmat e asaj epoke historike plot vdekje, dhimbje, mohim lirish e të drejtash, padrejtësi e dhunë të çdo forme. Vëllimi “Rrëfim në asnjë altar” i qëndron besnik këtij misioni të shkrimtarit. Vlerësimi që i bëhet nga kritika e një Vendi që mbahet si djepi i poezisë, është mjaft shpresëdhënëse.

Kritiku Ennio Grasso pohon në gazetën “La voce” (Zëri), të 29 janarit 2013, në lidhje me botimin e librit të Visar Zhitit  se “pa dyshim është ndër më të mëdhenjtë poetë evropianë në mënyrë absolute”, ndërsa kritiku Giovanni Ruggiero, në shtyllat e “Avvenire” (E ardhmja) shprehet : “Poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij, si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare…”  Më poshtë vazhdon : “Mesazhi poetik i Zhitit universalizohet dhe kalon kufijtë gjeografikë të dhimbjes shqiptare. Poeti është dëshmitar i vuajtjeve të njerëzimit, sepse këto i shkaktojnë më shumë dhimbje se çështja e tij vetiake.” Ndërsa studjuesi i njohur i botës shqiptare, Robert Elsie, e përkufizon kështu : “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…”

Këta janë disa nga vlerësimet për shkrimtarin tonë. Përkthimi dhe botimi i veprave të tij në Evropë e më gjërë, njohja dhe përhapja e tyre sa më shumë n’opinionin publik e artdashës të botës, vlerësimi në rritje i meritave të tij në fushën e letrave, na bëjnë t’a shohim me optimizëm përfaqësimin e populliti tonë në fushën e kulturës botërore dhe shpresën që, në galerinë e kandidatëve për Çmimin Nobel për letërsinë, krahas I. Kadaresë të rrjeshtohet edhe emri i nderuar i Visar Zhitit.

Itali, Mars 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugjen Merlika, shqiptare, Zhiti-Visar i Letersise bashkekohore

DY FOTOGRAFË SHKODRANË NË VLORË

March 24, 2013 by dgreca

Nga Qerim Vrioni, Studiues*/

 Dihet se Shkodra dhe Korça janë dy qendrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare. Prej këtej, po më tepër nga e para, nëpërmjet mjeshtërve fotografë, ajo u përhap dhe në qytetet të tjera të vendit. Edhe në Vlorë fotografët e parë shqiptarë, ishin shkodranët, Kol Maca dhe Gjon Rrota. Një “lidhje” të hershme të Vlorës me fotografinë përbën fakti i vjelë nga shtypi, se italiani Pietro Marubbi, nga vitet 1853-54, ka qëndruar disa kohë në qytetin bregdetar, po pa u marrë me fotografi, mandej shkoi në Shkodër, ku shkroi hapat e para të fotografisë shqiptare.

Për shkrimin e mëposhtëm, duhet të falënderoj dhe miqtë e mi, Pirro Stefa, Darling Vlora dhe Endrit Musaj për ndihmesën e tyre.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se Kol Maca mbahet si fotografi i parë shqiptar në Vlorë. Sipas studiuesit nga Shkodra Ndoc Gurashi (tetor 2012), Kol Maca e ka mësuar mjeshtërinë e fotografimit në atelienë e Kol Idromenos në Shkodër, ku ka shërbyer si çirak për disa kohë. Gjithashtu, studiuesi i sipërpërmendur shkodran thekson se Maca e ka hapur dyqanin (atelienë) e tij për fotografim në qytetin bregdetar në vitin 1915 dhe ka punuar atje pa ndërprerje deri në vitin 1921. Kjo ndërkohë përputhet me pushtimin e parë italian të Vlorës, ose siç njihet atje, me “Italia e parë“, që shënon edhe disa ndërtime të cilat qëndrojnë ende në këmbë, si Sahati dhe Bashkia (ish-konsullata italiane). Vula që ai vendoste pas fotove për popullatën ishte në italisht e në të shkruhej “Nicolo’ Mazza-Fotografo-Valona”, ajo rregullisht është bërë në Itali. Në të, emrin e tij e gjejmë në versionin e plotë të tij, Nikoll, ndërsa diku tjetër e hasim me shkurtimin tjetër, Kolec. Për jetën e tij, me gjithë kërkimet e vazhdueshme, ende nuk dimë shumë gjera. Autori i këtyre radhëve ka gjetur në Itali dy shkrime (faqet përkatëse) të Kol Macës të botuara në revistën e përmuajshme të asaj kohe, “Corriere della Sera” (Milano). Artikulli i parë titullohet “Tra i montanari albanesi” (gusht 1907), i dyti, “Monumenti e costumi albanesi” (maj 1908). Artikujt e mësipërm kanë të bëjnë vetëm me Botën Shqiptare. Ata shquhen për të dhëna të shumta historike, gjeografike, shoqërore dhe etnografike për shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët e Veriut në veçanti. Midis shkrimeve, që tregojnë dhe kulturën e autorit, ka mjaft foto, me gjasë të Macës, që ilustrojnë përmbajtjen e tyre.

Gjithsesi, Kol Maca, në studion e tij fotografike në Vlorë, përveç punës rutinë me komunitetin, ka realizuar edhe foto të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore e fetare të qytetit. Duhet shtuar se Kol Maca është një nga fotoreporterët e parë në shtypin shqiptar, gjë që vërehet në revistat e viteve ’30, sidomos në të përmuajshmen e njohur të kohës, “Minerva”, ku dhe ishte punësuar. Për një kohë të shkurtër ai ka qenë dhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror. Kol Maca ishte dhe pjesëtar i grupit zyrtar të fotografëve të shtypit, që përjetësoi festimet e 25-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1937 në Tiranë.(* Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: dy fotografe shkodran, ne Vlore, Qerim Vrioni

DITA NDËRKOMBËTARE E LUMTURISË

March 24, 2013 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

“Jeta, liria dhe përpjekja ose synimi për të qenë i lumtur (Life, Liberty and Pursuit of Happiness), është një frazë nga Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që në të vërtetë nënvijon rëndësinë kyçe që themeluesit e Shteteve të Bashkuara i kushtonin këtij trinomi, duke deklaruar para pothuaj 250-vjetësh se, “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme dhe këto janë Jeta, Liria dhe e drejta për të synuar arritjen e lumturisë.”

Ndërsa këto fjalë konsiderohen nga amerikanët si më të rëndësishmet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara si dhe gur themeli i të gjitha të drejtave të tjera që rrjedhin nga këto, Organizata e Kombeve të Bashkuara,(OKB) në një përpjekje për të lidhur lumturinë me zhvillimin botëror, ka shpallur 20 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, duke theksuar se fraza nga Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës “Pursuit of Happiness”, që pak a shumë mund të përkthehet si e drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i lumtur –përveç, jetës dhe lirisë — është gjithashtu një e drejtë themelore e njeriut, dhe sipas OKB-së edhe një objektiv i angazhimit të shteteve anëtare të saj për të krijuar rrethanat për realizimin e mundësive që njerëzit të jenë të lumtur në jetën dhe veprimtaritë e tyre.

Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara aprovoi Korrikun e kaluar një rezolutë duke shpallur 20 Marsin si Ditën e Lumturisë anë e, mbanë botës, duke njohur kështu, sipas 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, “rëndësinë që lumturia, të qenët i kënaqur dhe mirëqenja, të cilat si frymëzim i qëllimeve universale, ushtrojnë në jetën e njerëzve anë e mbanë botës si dhe ndikimin e rolit që ato luajnë në arritjen e objektivave politike për të mirën e publikut kudo”.   Është këjo një iniciativë e Kombeve të Bashkuara me të cilën organizata botërore shpreson të inkurajojë vendet anëtare që të marrin seriozisht mirëqenjen dhe lumturinë e shtetasve të tyre dhe jo vetëm t’i përqendrojnë politikat e tyre në zhvillimin ekonomik, pasi sipas disa ekspertëve, pasuria në vet vete nuk e bën njeriun të lumtur as të kënaqur, me fjalë të tjera, paraja nuk mund të merret si një masë e vetme për të matur përparimin e njeriut, shoqërisë, shtetit dhe botës.

Me rastin e Ditës së parë Ndërkombëtare të Lumturisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki moon, u bëri thirrje shteteve anëtare që të ”rithkesojmë angazhimin tonë ndaj një zhvillimi të përgjithëshëm dhe të vazhdueshëm njerëzor dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të ndihmuar të tjerët.   Kur ne kontribojmë për të mirën e përbashkët, ne vetvetiu pasurohemi.   Mëshira promovon lumturinë dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhme që ne dëshirojmë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në mesazhin e tij.

Udhëheqsi i organizatës botërore tha gjithashtu në mesazhin e tij se “liria e njeriut për të bër të mundur realizimin e lumturisë është në qëndër të përpjekjeve njerëzore për ekzistencë.   Popujt anë e mbanë botës,“ tha ai, “dëshirojnë të kenë një jetë më të lumtur, pa frikë e imponime dhe në harmoni të plotë me natyrën.”   Megjithkëtë, tha Ban Ki-moon, mirëqenja materiale është e parealizueshme për shumë veta që jetojnë në një varfëri ekstreme anë e mbanë botës.

Dita Ndërkombëtare e Lumturisë u sugjerua fillimisht nga shteti i vogël aziatik, Bhutan-i, një vend ky që në mënyrë unike vlerëson progresin e vet duke u bazuar në indeksin e përgjithshëm kombëtar të lumturisë që përfshinë kënaqësinë e jetës, gjëndjen shpirtërore dhe emocionet — dhe jo në indeksin e të ardhurave të përgjithëshme kombëtare, siç bëjnë shumica e vendeve në botë.   Bhutan-i, u kushton të njëjtën rëndësi çështjeve jo-ekonomike të jetës aq sa edhe aspekteve materiale të zhvillimit shoqëror të vendit.

Siç duket, qëllimi i 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke shpallur për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë — është që të pohojë rëndësinë qç ka lumturia njerëzore si një objektiv universal, për tu relizuar.  Për shumë veta, këjo iniciativë mund të duket si qesharake, në një kohë kur Kombet e Bashkuara mund të merren me çështje ndërkombëtare më me rëndësi dhe të një natyre urgjente, por kënaqësia dhe lumturia me vet veten, në vendin e punës, në familje dhe në ambinetin dhe shoqërinë ku jeton njeriu, është një çështje e rëndësishme, për zhvillimin personal të individit si edhe për kontributin ose mungesën e kontributit të personit për shoqërinë ose vendin ku jeton.

Për të gjithë ne që jemi ose kemi qenë në marrëdhënje pune, të qenët i kënaqur dhe i lumtur në punë dhe në ambijentin ku punojmë  është jetike.   Një nëpunës i kënaqur me punën që ka, prodhon  më shumë, është  më i lumtur dhe inovues.   Ndërsa një person i pakënaqur, gjithmonë mund të llogaritet se do të shkaktonjë mosmarrveshje, pakënaqësi dhe konflikte me veten dhe me të tjerët, duke përhapur moskënaqsinë e tij edhe në radhët e të tjerëve.   Në përgjithësi, me njerëz të tillë të cilët nuk janë të lumtur me asgjë, krijohet një atmosferë shumë e keqe e cila dëmton jo vetëm marrëdhënjet shoqërore, por edhe punën në përgjithësi.

Siç duket –duke caktuar 20 Marsin si Ditën Ndërkombëptare të Lumturisë — Kombet e Bashkuara mendojnë se në shekullin 21, lumturia apo mungesa e saj – në vendin e punës, në familje, në shoqëri dhe në politikë — është një çeshtje serioze dhe me rëndësi globale që meriton vëmendjen e kësaj organizate ndërkombëtare, ndërkohë që u bën thirrje vendeve anëtare, organizatave ndërkombëtare dhe jo-qeveritare që të shënojnë këtë ditë me veprimtari të përshtatshme për të edukuar publikun mbi rëndësinë e saj.

Prandaj, dhe megjithëse me pak vonesë, të gjithëve u dëshiroj kënaqësi dhe lumturi në jetën tuaj personale, në familje, në vendin e punës dhe në shoqërinë ku jetoni.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dita nderkombetare, e lumturise, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 484
  • 485
  • 486
  • 487
  • 488
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT