• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HITLERI DHE STALINI I PERNDIQNIN FOLESIT E ESPERANTOS

January 23, 2013 by dgreca

Komunikimi të drejtë!/

Nga Bardhyl SELIMI/

Esperanto-folësit do ndërmarrin një fushatë gjatë vitit 2013 për një drejtësi gjuhësore në bazë të parrullës “Komunikim të drejtë”, në lidhje me Kongresin e 98-të Universal të Esperantos, që do mbahet në Qendrën prestigjioze Harpa, në Rejkjavik, Islandë, me rreth 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende. Kongresi do ketë temë të njëjtë.Pas një periudhe të shkurtër 125 vjeçare Esperanto është tashmë ndër 100 gjuhët më të përdorura nga 6800 gjuhë që fliten në botë. Ajo është gjuha e 29-të e përdorur në Vikipedi, përpara suedishtes, japonishtes dhe latinishtes. Esperanto përdoret si gjuhë e përzgjedhur nga Google, Skype, Firefox, Ubuntu dhe Facebook, Google Translate. Programi i përkthimeve i Google, kohët e fundit e ka shtuar këtë gjuhë në listën e tij prestigjioze prej 64 gjuhësh. Edhe telefonat e sotëm me ekran të prekshëm janë në gjendje ta përdorin Esperanton. Gjithnjë e më shumë njerëz e flasin Esperanton tani më shumë se islandishten, sipas librit të fakteve të botës që boton CIA e SHBA.

Esperanto jepet mësim zyrtarisht në 150 universitete dhe institucione të tjera të arsimit të lartë dhe në 600 shkolla fillore dhe të mesme në 28 vende. Ajo ka një letërsi të pasur që përfshin 50 000 tituj, me botime të reja që dalin çdo javë. Përveç radioemisioneve të shkurtëra nga shumë vende ka edhe një radiostacion 24 orësh me emrin Mozaiku” dhe një televizion rrjetor në Kinë.

Përparimi i Esperantos ka qenë frenuar nga paragjykimet dhe mungesa e dijenisë, injorimi i fakteve për këtë temë. Adolf Hitleri dhe Josif Stalini i kanë përndjekur folësit e Esperantos. Të dy ata u zhdukën, por Esperanto mbeti, u rrit, u zhvillua dhe përdoret sot gjallërisht për komunikimin ndërpopullor midis mijëra e mijëra njerëzve nga më shumë se 100 vende të botës.

UEA (Organizata Botërore e Esperantos) ka partneritet këshillimor me UNESKO-n, mban lidhje zyrtare me Kombet e Bashkuara dhe me Këshillin e Evropës. Esperanto mundëson në komunikimin ndëretnik një mirëkuptim asnjanës, një nivel të drejtë diskutimesh, duke mbrojtur kështu të drejtën për ekzistencë të gjuhëve pakicë dhe vendore, duke i trajtuar ato mbi një bazë të barabartë dhe duke respektuar ndryshimësinë kulturore dhe gjuhësore të folësve të tyre.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bardhyl Selimi, Esperanto

Kodi i etikës – rregullatori i munguar i mediave shqiptare

January 23, 2013 by dgreca

Nga Lutfi Dervishi*/

Në ndihmë edhe të atyre që kopjojnë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë se kanë kopjuar …dhe pasojat që mund të vinjë/

“Kodi etikës ka aq efekt te gazetarët sa edhe urdhri i oficerit te ushtarët një ditë para lirimit të tyre nga shërbimi ushtarak.” – Kjo thënie cinike të vjen ndërmend sa herë që flitet për kodin e etikës dhe efektet e tij në punën e gazetarëve.

Kodi i etikës në Shqipëri ka një histori 15-vjeçare. Në vitet e para pas ’90-s, lektorë dhe trajnerë perëndimorë vinin në Tiranë dhe flisnin për etikën e Nju Jork Times, dhe të gazetave të tjera perëndimore. Në disa seminare dhe work shop-e, gazetarët kishin mundësi të lexonin në shqip, kodin e etikës, nevojën e ndarjes së lajmit nga opinioni, ndarjen e sektorit të reklamës nga sektori lajmeve, objektivitetin, paanësinë etj. etj.
Por seminaret shkonin e vinin dhe kodi i etikës nuk gjeti vend në tryezat e gazetarëve dhe redaktorëve.
Në fund të vitit 1996 nis përpjekja e parë për të pasur një kod “made in Albania”! Me ndihmën e Institutit të Medias, kryeredaktorë dhe botues gazetash hartuan dhe miratuan kodin etik të gazetarëve shqiptarë. Neni 1 i të cilit nënvizonte nevojën e respektimit të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe shmangien sa më shumë të ishte e mundur e përdorimit të fjalëve në gjuhë të huaj

Më 1996, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon ku gazetarët kishin një kod etike. Por “zbatimi” praktik i kodit të etikës u pa një vit më pas me ngjarjet e vitit 1997! Vendi në prag të anarkisë dhe gazetat kryesore të ndara më dysh në përkrahje të qeverisë dhe opozitës! Kodi i parë etik nuk kishte parasysh televizionet, sepse në atë kohë “violinë e parë” ishin gazetat dhe ekrani përfaqësohej vetëm nga Televizioni Publik Shqiptar.
10 vite më pas, sërish Instituti i Medias, pas një procesi të gjatë konsultimi me aktorët e medias, harton Kodin e Etikës, këtë radhë duke marrë parasysh edhe zhvillimet e vrullshme në median elektronike! (për t’u shënuar është se gazeta ‘Shekulli’, që në themelimin e saj [1998] kishte hartuar kodin e brendshëm etik dhe për disa vite funksiononte edhe zyra e etikës).
Projekt-kodi u hartua duke pasur për bazë 46 kodet etike të gazetarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Gjatë diskutimeve me gazetarë, redaktorë, drejtues mediash dhe publikun kodi mori formën përfundimtare – atë që kemi sot. Kodi etik i gjithëpranuar në fazën e konsultimit dhe miratimit, nuk ka mundur të zërë vend në punën e përditshme të reporterëve.
Me zhvillimin e platformave on line, problemet dhe debatet për etikën janë shtuar. Kufiri mes “prodhuesve” të lajmit dhe konsumatorëve të tij është shuar. Fenomeni i osmozës mes gazetarëve dhe konsumatorëve është gjithnjë e më i pranishëm dhe pyetja “kush është gazetar sot?” – nuk merr dot përgjigje të shpejtë dhe të lehtë.
Pse nuk mundi të zërë rrënjë kodi i etikës në truallin e medias shqiptare?
Përgjigjen (jo shteruese) do të përpiqem ta jap me tri histori nga diskutimet në redaksitë e gazetave për kodin etik (botim i vitit 2006).
Në përfundim të seminarit treditor me një nga gazetat më të mëdha në vend, – duke menduar se gjithçka kishte shkuar më së miri gjatë debateve për kodin e ri, në momentin e daljes nga dera e redaksisë, një reporter i ri mërmëriti: “mirë shumë me kodin, por si i bëhet që u bënë tre muaj pa marrë rrogat…”. Kushtet e punës dhe niveli i pagës është një prej faktorëve që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Sigurisht që nuk ka asnjë garanci se një pagë shumë e lartë do ta bëjë reporterin/redaktorin shumë më etik – por gjithsesi është një faktor që nuk mund të neglizhohet. Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, kur gazetarët punojnë pa kontrata pune – gjëja e fundit që u shkon në mendje është kodi etikës! Madje druaj se u tingëllon si tallje.
Koha e diskutimit të kodit të etikës nëpër disa redaksi televizionesh përkoi me një ngjarje të rëndë në Tiranë, ku 17 persona humbën jetën në liqenin e Lundrës, përfshi gra dhe fëmijë. Shumica e stacioneve televizive (sidomos kanalet me 24 orë lajme) u vunë në garë për të qenë “live” gjatë gjithë kohës me gjithfarë lloj detajesh. Atë ditë dukej sikur kryeqyteti ishte me neurozë.
A duhet që televizioni të ishte “live” gjatë gjithë kohës me këtë ngjarje? A kishte vërtet lëndë për të raportuar “live” gjithë ditën? – Përgjigjja e redaktorëve në të tre televizionet ishte: jo. Por vendimi ishte marrë për po… për shkak se “televizioni tjetër” (konkurrenti) ishte live dhe do të dukej sikur ne nuk i kishim mundësitë për të qenë “live”.
Konkurrenca mes operatorëve mediatikë është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Me një skenë mediatike të “mbipopulluar”, ku ka mbi 20 gazeta të përditshme, mbi 60 stacione televizive dhe po aq stacione radio, – thepi i etikës gjithmonë do të jetë i ulur. Një kryeredaktor gazete është nën presionin e shitjes së gazetës. Në momentin e faqosjes së faqes së parë, gjëja e fundit që do t’i bjerë ndërmend është “kodi etikës”! Presioni i tregut sa vjen dhe rritet. A ka logjikë tregu që të jenë kaq shumë të përditshme në treg sot, aq më tepër kur e ardhmja e gazetës nuk shihet më në letër, por në platforma të tjera? Pyetja është retorike. Përgjigjja është jo! Nga numri i lartë i të përditshmeve që në fillim të viteve 2000 pritej që “vdekshmëria foshnjore” mes gazetave të ishte shumë e lartë. Nuk ndodhi kështu. Pak gazeta falimentuan, por si për të sfiduar shenjat ogurzeza të së ardhmes së gazetës, gazetat e falimentuara u zëvendësuan me tituj të rinj. Nëse sot revista e njohur Newsweek nuk shtypet më në letër, por është vetëm në formatin dixhital, nëse Financial Times në Gjermani mbyllet sepse është me humbje… si është e mundur që gjunjët e gazetave shqiptare rezultojnë më të forta, për më tepër dalin gazeta të reja?! Përgjigjja shteruese merr kohë dhe vend, por nëse shikohet sa gazetarë punojnë në gazetë kupton se më shumë se reporterë për të mbledhur, përpunuar informacion, gazetarët i ngjajnë punonjësve të ngarkim shkarkimit që duhet të mbushin faqe çdo ditë. Pyetja është: sa faqe ke për të bërë sot? Është luks i pashijuar për shumicën e reporterëve, të kenë dy apo tri ditë kohë për të bërë një artikull të mirë.
Ka një lidhje të fortë mes profesionalizmit dhe etikës. Sa më profesional gazetari/redaktori aq më etik është. Por stafi i gazetave është shumë i vogël dhe nën efektin e presionit ekonomik, prirja është që gazetat të përfundojnë me 4-5 njerëz! Gazetarët nuk kanë kohë për të bërë gazetari, nuk kanë kushte dhe është shumë e vështirë të flasësh për etikën e profesionit në një terren që nuk nxit zhvillimin e profesionit. Tek e fundit reporterët e rinj do të kërkojnë aq etikë sa është tradita etike që do të gjejnë në redaksi.
Kodi i etikës i botuar më 2006-ën nuk ka marrë parasysh median on line, ku problemet etike janë edhe më të mprehta se në median tradicionale.
Një komentator i njohur politik vendosi të mos bashkëpunojë më me një të përditshme për shkak të gjuhës denigruese (pa lidhje me artikullin), fyerjeve, sharjeve e shpifjeve të komentuesve anonimë në faqen on line të gazetës!
Pse duhen lejuar komente fyese? A nuk është më mirë të mos botohen fare komentet që nuk kanë lidhje me temën e shkruar? – Po, – ishte përgjigjja e një redaktori të njohur, por nuk i fshijmë se u tregojmë atyre që janë të interesuar për reklamë se gazeta lexohet dhe komentohet shumë on line. Pak më vonë e njëjta gazetë nisi të fshijë komentet, por për të mos humbur numrin e komentuesve në çdo koment të fshirë vinte rreshtin: koment i fshirë për arsye etike.
“Një gazetari e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës”- ky postulat është gjithmonë i vlefshëm, por ende në Shqipëri nuk ka të regjistruar një rast në gjykatë ndaj një mediaje për “fyerjet, shpifjet, denigrimet on line”. Duket se redaktorët e gazetave nuk e konsiderojnë veten përgjegjës për produktin e tyre on line. Etika on line është një terren i pashkelur, por më shumë problematik sesa etika në media tradicionale.
Si është e ardhmja e kodit të etikës? Po kaq e pasigurt sa vetë e ardhmja e medias tradicionale. Etika nuk është një detyrim ligjor, as detyrë shtëpie për t’u kryer, është një “detyrë” e brendshme e medias.
Përvoja e mediave më të mira ka treguar se në biznesin e medias, “besueshmëria” është monedha kryesore. Për ta pasur këtë “monedhë”, rruga kalon nga kodi etikës. E vetmja rrugë që të rrit besueshmërinë te lexuesi, shikuesi, përdoruesi!

*Botuar fillimisht në revistën on line Medi@Link të Institutit Shqiptar të Medias.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Kodi i etikes, Lutfi Dervishi, rregullatori i munguar

Faruk Myrtaj, sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale

January 23, 2013 by dgreca

Shenime per librat/

Nga: Aleko Likaj /France/

Vështrim për një roman që të emocionon deri në tepri, dhe që çdo emigrant e bën që të ndjehet krenarë në vendin ku jeton, punon, e ndërton jetën e tij./

Ikje dhe Atdhe, janë dy“shtyllat” ku shkrimtari Faruk Myrtaj i vendos ngjarjet në romanin e tij të fundit, i cili tashmë është në librari, i gatshëm për të shkuar tek lexuesi. Një hapsirë e velur dhe e endur njëkohësisht midis të dyjave, me pak ngjyrë e ankth pëlhure prej Penelope. Përcillen  kujtime dhe përjetimet e një njeriu, për shkaqe që nuk janë aspak të varura prej tij, endet në këtë qerthull, midis vetë ikjes si një proces natyral dhe atdheut, ashtu si një barkë në detin e tallazitur, e cila, pas shumë mundimesh e betejash me forcat e natyrës, zë dhé, duke dalë në breg, që do ti bëhet pastaj të ikurit, një Atdhe tjetër. Në kuptimin më të gjërë të fjalës. Për ikjet është shkruar vazhdimisht. Natyrisht do të shkruhet përsëri. Ballkanasit, por edhe italianët, më pak nga Europa Lindore, dhe ndoshta nga një vend tjetër i këtij pellgu, ikjen, apo mërgimin, siç jemi mësuar ne ta emërtojmë, e përjetojnë si dramë, si plagë shpirtërore, por që në fakt, s’është gjë tjetër, veçse një emocion. Ikjet në përgjithësi nuk janë drama. Janë “aksioma”, ku njeriu guxon që të kërkojë dhe të vendosë një realitet krejt të ri, duke menduar se do ta përballoj më mirë jetën e tij. Dhe lëvizjet demografike gjatë gjithë ekzistencës së botës, kanë ndodhur për shkaqe nga më të ndryshme, duke filluar nga luftërat, sëmundjet epidemike, mungesat e ushqimeve, por edhe në sensin tjetër, ku njeriu, individi, i çfarëdo shkalle shoqerore qoftë, ndjen që i mungon liria, në të shprehur, por edhe në mendimin se si i perjeton gjërat ai në mjedisin që e rrethon. Në këtë rastin e fundit, shoqëria ku ai po jeton, është dhe mbahet peng i politikave të mbrapshta që prekin individin, duke e trajtuar atë thjesht si numër, a shifër arithmetike, që do ti shërbejë pastaj ligjvënësve për një votë më shumë, në ndrimin e kuajve të pushtetit. Edhe pse duket sikur këto ndodhin vetëm  në shoqëritë totalitare, koha po tregon se edhe në demokracite e brishta si kjo e jona, ndodh.Ndodh.Nuk e di pse, se, në baladat për mërgimin, këngët, rapsoditë, krijimet poetike të autorëve anonimë popullorë, që në fakt  janë një vlerë, një thesar i patjetërsueshëm dhe i padiskutueshëm  i folklorit  tonë, ka shumë dhimbje, mall dhe lot. Një dramë e vërtetë në kufijtë e tragjedisë. Dhe legjendës njëkohësisht. Të paktën kështu i përjetojmë dhe sot. Duket si një lloj pengu a marazi për të ikurit e shumtë të kësaj bote, të afërmit tanë, miku apo shoku. Kështu na konstrukturohet përpara syve ngrehina e ikjes, si një kompleks dhimbje, e hatashme, si një humbje që nuk zevendsohet kurrë. “Iksh e marrësh dhenë“, duan të namatisin dikë, kur ky me sjelljet e tij, qëndrimin, raportet midis njerërzve, dashakeqesinë, bëhet problematik. Po ku të iki? Prapa maleve thoshin nënat e gjyshet tona… Iksh, iksh…..ikje ikje. Por njerëzit sot nuk ikin për shkaqe që i mendonin, ato të urtat e të mirat tona, edhe pse nomatisnin aq ashpërsisht në kuptimin figurativ. Kurrkush nuk i thotë sot që “iksh e marrësh malet“ njeriut që e ka një hall, a brengë, një dramë brenda tij që bie ndesh me realitetin ku jeton. Është një zgjedhje krejtësisht individuale, si një ëndërr për shpëtim, për një jetë më të mirë. Eshtë në fund të fundit një provë. Një provë qendrese. Ikja për të ikurit nuk është kurrfargjëje, përveçse “Varka e Noes“, figurativisht. Natyrisht, ai që mbetet pas është Atdheu. Atje ku na ka rënur koka, thotë një nga  rilindasit tanë. Është ky që me fije të padukshme të mban lidhur me përjetimet, dashuritë për njerëzit, kujtimet, së bashku me nostalgjitë. Kur themi, atdheu, nënkuptojmë  kombin. Esteti Ernest Reman ka thënë: “kombi është një frymë, një parim shpirtëror“. “Balta e gjaku“, e përkufizon një shkrimtar shqiptar i ditëve të sotme. Është pikërisht ky që të trazon gjumin e natës, në momentin e parë, që i ikuri e ka lënë nga pas.  U ndodh të gjithëve. Dhe s’ka se si, që të mos krijojë vuajtje, brengë, plagë në shpirt. Eshtë pikërisht kjo, që ne sot kemi një trashëgimi të shkëlqyer në folklor, në arte dhe letërsi. Atdheu tërheq si një magnet, dhe të ikurit në këto kohë moderne që po përjetojmë sot, vendosin lidhjet, sapo kanë cekur “bregun tjetër”, në një realitet krejt të ri. Nuk është aspak rastësi që këtë lloj statusi e mardhëniesh me kombin, shqiptarët e kanë saksionuar e fiksuar edhe në himnin kombëtar, ku thuhet: Se zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe/ Por Shqipëria do të rrojë/ Për të, për të luftojmë ne.

Tepër sinjifikative. Befasuese, me një dashuri e përkushtim deri në sublim. Këtu shqiptarët nuk të falin.Ndërkohë që sot në shekullin e ri distancat shuhen. Bëhen inekzistente, deri në tepri. Interneti dhe lundrimi në të, që për hir të realitetit të merr kohë. Të vjedh. Por edhe antenat që ta sjellin afër në ekrane, edhe pse nganjëherë të mbajnë rrob të surrogatove që përgatisin stacionet në këtë shoqëri konsumi alla shqiptarëshe. Gjithësesi pas kësaj rrokoapuje, Atdheu qendron, ashtu si një motiv, real, me dimensione si një fortesë, krejtësisht i pastërt, e fluoreshent.

Po pse ndodh?

Shkaqet dhe arsyet ne i thamë më sipër. Por shkrimtari Myrtaj në romanin e tij “Atdhe tjetër”  në një stil kafkian, jo nga forma, por nga nënteksi, ritmi e metafora, që në rastin tonë konkret është e shfaqet tepër fuqishëm e sjell mjeshtërisht këtë raport midis ikje dhe atdheut.

I njohur në prozën shqiptare në keto tre dekadat e fundit, me tregimet e tij, që për mua gjithmonë të zgjojnë mendime, për shkak të mesazheve qytetare që përcjellin ato, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastërt, e krejtësisht figurative, me tharm dhe elokuencë, ku ndjehet një intonacion i fuqishëm folku i zonës ku ka lindur dhe jetuar vite më parë, autori të befason sërish. Pa dyshim që Faruk Myrtaj është tashmë nga prozatorët e tregimtarët tanë më të mirë në fushën e letrave tona shqipe .Më duket se është sprova e dytë në roman, e Myrtajt, dhe në këtë gjini, vjen e shpërvilet po aq mjeshtërisht si në tregim. Ka të njëjtat ngjyra, në stil, dhe në mënyrën e të rrëfyerit e kompozimit, që e dallon krijimin e tij nga plot autorë të tjerë.

Më kish ndodhur të udhëtoja me atë tren lokal, por ishim mësuar me të,  s’kish pse na dukej i çuditshëm. I çuditshëm po më dukej më vonë, pasi dikush që vizitoi vendlindjen time vërejti se ky tren ecte aq ngadalë sa mund të zbrisje prej vagonit të fundit, të ndizje cigarin te një këmbësor dhe të hipje sërish.Kjo situatë ka gjendje . E vizatuar nën një ndriçim gati surealist, dhe e nënvizuar që në fillimin e librit, të duket sikur të merr përdore dhe të fut menjëherë në rrjedhën e romanit: “Atdhe tjetër“. Është jeta dhe fati i një intelektuali, në rastin konkret, që përjeton irealen në një shoqëri me demokraci tepër të brishtë si ajo e jona, që e bën atë të jetë gjithmonë në udhëkryqe, dhe që në shumicën e rasteve nuk të nxjerrin kurrkund, nuk të jep shpresë dhe liri. domosdoshërisht të kërkuara për një normalitet shoqëror.

Njeriu shkon drejt mbylljes, sapo pushon së kërkuari, por hijen e palirisë e ndjenë kur i kufizohet hapësira.Pohon çiltërsisht personazhi kryesor i romanit të Myrtajt. Dhe pas kësaj natyrisht merr edhe vendimin, që është i barazvlershëm me ikjen, që në fakt mban brenda asaj dhimbjen, dashurinë  dhe mallin për të afërmit, miqtë e raportet me ta, ambjentin…është vetë atdheu brenda atij përjetimi, që gjithësesi, të krijon një stres, a nostalgji.

Njeriu tashmë e ka  bërë zgjidhjen…por vjen në ndihmë poeti:“…Do duhet të lësh gjithçka që ke dashur më shumë, kjo është shigjeta që harku i ekzilit godet së pari…”

Realitetet nuk janë gjithmonë ato që gjithkush i paramendon. Këtë përjeton edhe personazhi i Myrtajt, ku i duhet të përballet jo vetëm një mori problemesh, që nga akomodimi, kurset, ecejaket nëpër zyra deri tek sigurimi i një pune për të jetuar. Pikërisht, ky është momenti i streseve që në një retrospektivë e bën emigrantin ta vuaj ikjen, si një dramë, a si një kujtim i ndërprerë i mbetur në një celuloid filmi që nuk do ta shoh më…kemi lënë aq shumë gjëra…Lamë prindërit, miqtë, po ndërrojmë gjuhën, dhe, po të lemë edhe cigarin…duket se mbetemi pa gjë…Thotë ai, ndërsa përballja me realitetin e ri do ta vejë tashmë me sfida krejt të reja. Por ajo që do ta shoqërojë të ikurin gjatë gjithë atij fillimi të vështirë, është brenga që ka lënë nga pas. Nëna…..letrat e saj që i shuajnë mallin e djalit të ikur, kthehet në një lejtmotiv. Pastaj fotografitë që emigrantët marrin me vete… janë penelatat plot nngjyra që autori e mban mjeshtërisht lexuesin e tij brenda dramës së personazheve të tij.

Emigrimi s’është gjë e re në historinë e botës, por është plagë e re në kujtesën e vendit tim të mbyllur. Por njeriu e gjen një forcë, nuk qaravitet, e shpërvjel mjeshtërisht dimensionin e tij. Personazhi i Faruk Myrtajt, nuk është aspak disfatist, madje i përgjegjshëm për gjithçkah realizon e krijon me punën e tij, atje në mjedisin tjetër me njerëz krejt të rrinj e të huaj, që do ti ketë këtej e tutje shok e miq të rrinj.

Emigracioni është veç një copë herë e shkurtër e kësaj ikjeje të papushimtë, të cilës i isha dorëzuar prej kohësh, ikje që po arrija ta përshkoja përgjatë një mbylljesysh në terr, brenda kësaj hapësire të limituar, si në një sjfaqje filmi me shpejtësi drite në një ushtrim ëndërritjeje.

Personazhet e kurbetit Pepe, Kliti, Tina-Piktorja, Mesuesi Greg, Paulina, madje për këtë të fundit autori shkruan se, ajo nuk ekziston më, por letrat bankare e bëjnë të pranishme përballë personazhit e familjes së tij. Tinën,  rasti e kishte sjellë që të njihej në Tiranë. Pikërisht kjo  do ti thoshte dhjetë vjet më vonë “Paske ikur edhe ti?!”, Myrtaj i jep dhe i përshkruan me ngrohtësi me nota lirike e realiste, në të gjithë dimensionin e veprës, pa bërë aspak dallime midis bashkombasve të tij, edhe ata të ikur, me të njëjtën dramë, shkaqe e arsye, për një jetë krejt të ndryshme. Autori vizaton dhe jep pasazhe interesante. Personazhi i tij kalon nëpër dilema kafkiane. Ngjashmëria me personazhet e tij mbase konsiderohej si bindjeje qytetare, në të përditshmen e thjeshtë të jetës së një emigranti, i cili duhet që të mendojë, të veprojë, të përjetojë, të mari vendime e të flasë në një gjuhë tjetër. Kjo është një dilemë që ta shpalosë krejt ndryshe realiteti i ri. Dhe këtu ka një sinqertë të veçantë… nëse bëj mëkat kur pyes: – thotë autori me gojën e personazhit – në a thua vetëm një gjuhë tjetër, ajo e mëmës, ekziston që njeriu të ndjejë e të shfrejë lëndimin e vërtetë? Edhe moskuptimin a keqkuptimin shkaktuar në gjuhë tjetër? Nuk pyesja, s’kërkoja përgjigje. Më qè shndërruar në mjegull gjithçka, ku kolovitesha si fëmijë që të ardhmen e pret fëmijërisht, pa asnjë rè në qiellin e syrit. S’kish pse vrisja mendjen, as të shpjegohesha. Për asgjë, në asnjë gjuhë…

Eshtë gjithmonë i  mundimshëm, por edhe i lodhshëm, natyralizimi, fizik e shpirtëror. Faruk Myrtaj duket sikur me finesë e art, të merr përdore dhe të shëtit pastaj nëpër faqe plot histori qendrese e përballimi, ku tregohet se si individi i ardhur, i ikuri nga atdheu i tij, ze vend me punë e sakrificë, larg çdo dyshimi se dikush mund që ti kufizojë lirinë e tij. Madje kjo e fundit, respektohet, nderohet dhe mbrohet jo vetëm me ligj. Dhe ai kupton shpejt tashmë diferencën, dhe mrekullohet njëkohësisht që ka gjetur dhe prekur ëndërën, pikërisht atë që i mungonte në atdhe. Atë që i a kishin uzurpuar dhe i keqpërdorën njerëz të cilët i a devijuan atdheun nga shinat e demokracisë. Por gjithmonë njeriu, i ikuri e ka një sy dhe një vesh nga pas. Shpreh keqardhjen, edhe pse ai është dhe ka hyrë në rrjedha të tjera, të përditësuara: S’ është e lehtë të mbetesh burrë shteti në atë vend… (…në vendin e qeverisur prej tij, njerëzit vazhdojnë të ikin…)Por dashurinë për dheun që e lindi nuk mund nuk mund që ti a pengoj kurkush. As që mendohet. Ndaj thotë: Poeti e bën atdheun prej fjale, kudo ku është. Dhe, sidomos atë dheun tonë, mund ta duash më shumë kur je larg, për të mund të bësh më shumë prej larg tij; se po të jesh atje brenda ta shkoqin trupin çika-çika dhe shpirtin vrerë ta bëjnë…Le që, këto histori ndodhin në tërë botën.

Heroin e romanit të Myrtajt, e mrekullon pamja që një prej  emigrantëve  shfaq në rrugë: mban gjithnjë dy flamuj me vehte: flamurin e vendit nga ka ardhur dhe të NorthLandit, ku rrojnë bashkë me atë! Natyrisht kjo është edhe rruga që i a rezervon e ardhmja edhe atij. Dhe nuk është aspak e gjatë…

Por kjo e ka një kulm të figurshëm, që në pamjen e parë duket shumë domethënës dhe njëkohësisht shprehës, kur mbrin në shtëpi ftesa për të qenë vëzhgues i zgjedhjeve në qytetin dhe në vendin ( Atdhe) e tij të ri. Ai i beson lirisë…“Atdhe tjetër” i shkrimtarit Faruk Myrtaj, është në fakt një rrëfim biblik për të ikurit në të gjithë dimensionin e saj të vërtetë. Një poemë. Metafora e tyre ndjehet e fuqishme në faqet e librit. Autori nënvizon fuqishëm idenë  se kjo masë e të ikurve, që është kthyer në një refren të përdittshëm i kësaj bote “rrezaton” së fundmi tek dykuptueshmëria e nocionit Atdhe, që në fund të fundit, përfshin edhe të lënin pas. E figurshme. Të ikurit e duan atdheun, jo ashtu siç e lanë. Sepse… Ai atdhe ka qenë imi, shumë më pak se ç’më është sot ky këtu…!

Pa dyshim, që romani i Myrtajt, është një nga krijimet më të mira të këtyre viteve të fundit në letërsinë tonë shqipe, i cili trajton fatin e individit në shoqërinë tonë post-komuniste, i cili përballet me një tranzicion tej të zgjatur. Problemet e mprehta shoqërore, që përzihet me reminishencat e së kaluarës, mungesa e lirisë, baltosja, kaosi psikologjik, dhe pasiguria, bëjnë që individi nuk mund të përballet, qoftë edhe “heroikisht” me mjedisin e sëmurë, në një shoqëri që lëngon nga mungesa e hapsirave më elementare. I dhënë artistikisht e me kulturë, ai sjell mjeshtërisht mesazhe për një jetë të paqme, shumë dashuri, besim, dhe sinqeritet njerëzor.

“Atdhe tjetër“ është në fakt një përjetim me shume emocion, që mund ta bëjnë veçse shkrimtarë të fuqishëm dhe me përvojë. Faruk Myrtaj, me një shqetësim e nerv qytetar, e ka sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale, duke i thënë të gjitha të vërtetat, si një artist. Dhe këtu, në këtë pikë, ka qenë dhe mbetet i veçantë.(Kortezi Sofra letrare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleko Likaj, Atdheu tjeter, Faruk Myrtaj

Dy fjale per Kalendarin* dhe nje diskutim per Diten e Veres

January 23, 2013 by dgreca

Duke u mbeshtetur ne fenomene qe perseriten vazhdimisht njerezit filluan te matin kohen. Keshtu linden konceptet e dites, muajit dhe vitit. Kuptimi i dites erdhi si rezultat e kembimit te dites dhe nates.

Ne shumicen e rasteve kohezgjatja e tyre ka qene e ndryshme, por ne nje moment te caktuar ato barazoheshin. Ky moment u quajt ekuinoks.

Duke pare fazat e henes dhe perseritjen e tyre u arrit te koncepti i muajit e po keshtu me nderrimin e stineve u percaktua viti.

Me kalimin e kohes duke vezhguar trupat qiellore u bene edhe percaktimet me te sakta te dites dhe vitit. Ne shkollen e mesme mesohet se viti tropikal eshte koha gjate se ciles Toka ben nje rrotullim te plote rreth diellit, ndersa dita eshte koha gjate se ciles Toka ben nje rrotullim te plote rreth vetes.

Mbi keto baza njerezit filluan dhe te ndertojne kalendaret qe per mugese komunikimi ata ishin te ndryshem nga njeri vend te tjetri.

Sot perdoret pothuaj ne te gjithe Boten Kalendari i Ri ose si quhet ndryshe Kalendari Gregorian. Ne baze te matjeve te sakta, nje vit eshte i barabarte me 365.2421897 dite ose 365 dite, 5 ore, 48 minuta e 45,2 sekonda.

Me perpara perdorej Kalenderi i Vjeter ose Julian. Secili prej tyre u perpilua ne baze te nje reformimi te kalendareve paraardhes. Keshtu gregoriani reformoi julianin dhe juliani kishte reformuar kalendarin paraardhes, ate qe perdornin romaket. Per romaket viti i ri fillonte me 1 mars. Ketej del qe muajt shtator, tetor nentor e dhjetor quhen keshtu sepse ishin muajt e shtate, te tete, te nente e te dhjete te vitit.

Duhet te dallojme dy kuptime ne lidhje me vitin. Kemi vitin astronomik apo tropikal qe eshte ai qe thame me siper dhe vitin kalendarik qe eshte viti qe i afrohet deri ne nje fare shkalle vitit astronomik.

Romaket e llogarisnin vitin kalendarik me 365 dite. Sipas kesaj llogarie Viti i Ri vinte afersisht 6 ore perpara vitit astronomik. Kjo beri qe cdo vit i ri festohej me 5 ore e 48 minuta para kohe. Po sjellim nje shembull me konkret. Sikur edhe ne ta pranonim vitin me 365 dite atehere ne ora 24 te 31 dhjetorit do te thote se e festonim ardhjen e vitit te ri gati 6 ore me perpara se toka te kryente rrotullimin e plote . Kjo çvendosje me gati 6 ore ne vit bente qe pas 4 viteve ne do ta festonim vitin e ri me 31 dhjetor, por tokes do t’i duhej edhe nje dite per te bere rrotullimin e saj te plote rreth diellit. Keshtu qe viti i ri do te festohej nje dite me pare.

Me kete rregull romakeve u doli qe disa festa me karakter stinor te çvendoseshin dhe ndodhi qe festa e te korrave ra me nje diference tre muaj. Jul Cezari thiri astronomin Sozigjen nga Aleksandria, i cili ia spjegoi situaten me humbjen e gati 6 oreve ne vit. Keshtu, Cezari urdheroi qe viti ne vazhdim dhe pikerisht viti 46 para Krishtit te zgjatej me 90 ditet e humbura me pare dhe nje here ne 4 vjet te fitohej dita e humbur duke ia shtuar muajit shkurt ate dite. Viti ne te cilin muaji shkurt ka 29 dite quhet vit i brishte.

Keshtu Kalendari Julian filloi me 1 mars te vitit 45 para Krishtit.

A u rregullua cdo gje me kete reforme? Sigurisht qe jo, sepse llogarite u bene qe viti kalendarik te kishte 365 dite e 6 ore. Ne te vertete kemi nje diference prej gati 11 minutash qe tregon se Kalendari Julian e festonte Vitin e Ri me 11 minuta vonese. Nderkaq, kur krishterimi u be fe zyrtare e perandorise romake sipas Ediktit te Milanos ne vitin 313, lindi problemi se kur do te festohej dita e Pashkes. U vendos qe per kete qellim te perdorej ekuinoksi pranveror i cili ndodh me 21 mars me fazat e Henes. Por duke llogaritur vitin me 365 dite e 6 ore ekuinoksi ndodhte rreth 11 minuta me perpara qe per nje vit kjo nuk krijonte problem, por pasi kaluan shume e shume vite ekuinoksi filloi te vinte gjithnje e me perpara dates 21 mars. Keshtu nga pikpamja astronomike me 1582 kur ne Vatikan ishte pape Gregori  XIII ekuinoksi ndodhi 10 dite me perpara, me 11 mars e jo me 21 mars. Por dita e Pashkes se krishtere kur do te festohej ? Edhe ketu erdhen ne ndihme astronomet. Ne krye te tyre ishte Aluis Liliusi i cili i shpjegoi papes se sipas kalendarit Julian, çdo 400 vjet (me sakte 384 vjet) ekuinoksi natyral ndodhte 3 dite perpara dates 21 mars.

Keshtu qe nga viti 325 pas Krishtit kur Koncili I i Nikeas vendosi rregullin per festimin e dites se Pashkes te krishtere sipas ekuinoksit, ishin humbur ne kalendar 10 dite. Per kete papa urdheroi diten e enjte me 4 tetor 1582 qe dita e neserme, pra dita e premte te quhej 15 tetor 1582. Nderkaq ne kalendarin e ri, qe u quajt gregorian u vendos qe ne çdo 400 vjet te mos kemi njeqind vite te brishte me muajin shkurt 29 dite, por 97 vite te tille, per te kompensuar 3 ditet e mos perputhjes se ekuinoksit me daten 21 mars. Keto tre dite realizohen ne vitet qe mbarojne me 2 zero, por qe numri qe mbetet pas heqjes se zerove nuk pjesetohet me 4. Keshtu vitet 1700, 1800 dhe 1900 nuk ishin te brishte me muajin shkurt me 29 dite, sepse 17, 18 dhe 19 nuk pjestohen me 4. Me 1600 dhe 2000 muaji shkurt me 29 dite.

Ne kete menyre, sot, Kalendari Gregorian ndryshon me ate Julian me 13 dite. Vitet 2100, 2200 dhe 2300 muk do te jene te brishta, dhe shkurti ne ato vite do te kete perseri 28 dite, keshtu ndryshimi me Kalendarin e Vjeter do te jete 14, 15 e 16 dite.

Dekretin e papes e pranuan te gjitha shtetet katolike. Me vone e pranuan edhe shtetet protestane e pastaj akoma me vone edhe ato orthodhokse. Rusia per shembull e pranoi Kalendarin e Ri pas Revolucionit te Tetorit, i cili ne te vertete sipas Kalendarit Gregorian ndodhi ne nentor.

Sot Kalendari Gregorian qe quhet edhe Kalendari i Ri eshte pranuar ne te gjithe boten, me perjashtim te festimit te festave fetare te besimeve te ndryshme qe perdorin ose Kalendarin e Vjeter, ose Kalendarin Mysliman. Ne Kalendarin e Ri cikli prej 400 vjetesh ka 146 097 dite (365 x 400 + 97), numer qe pjestohet me 7 duke dhene 20 871 jave te plota. Kjo ben qe perveç rasteve te tjera, datat qe ndryshojne me 400 vjet pas reformes se kalendarit bien ne te njejten dite te javes.

Po te vazhdojme aresyetimin e filluar me perputhjen e vitit kalendarik dhe vitit astronomik, perseri kemi nje diference midis tyre. Viti kalendarik sipas kalendarit te ri do te kishte

146097 : 400 = 365.2425 dite qe bejne 365 dite 5 ore 49 minuta e 12 sekonda, pra eshte rreth 26 sekonda me i madh. Kjo ben qe dita e ekuinoksit te vije nje dite me heret pas 3200 vjeteve, pra ne vitin 4782. Per te rregulluar kete situate mbase pasardhesit tane do te vendosin qe viti 3200, i cili sipas Kalendarit Gregorian duhet te jete i brishte, te mos jete i tille dhe muaji shkurt te behet me 28 dite.

Ne vendin tone Kalendarin Julian, pra Kalendarin e Vjeter, e kane quajtur edhe alla-turka dhe shpesh here e ngaterrojne me kalendarin mysliman  qe eshte krejt i ndryshem nga kalendaret qe permendem me siper, sepse kalendari musliman mbeshtetet ne ciklet henore. Me qene se Hena rrotullimin e dukshem rreth tokes e ben per 29.5 dite, (me sakte ne 29.530589 dite ose 29 dite 12 ore 44 minuta e 2.9 s) muajt henor alternohen nje here 30 dite e nje here 29. Viti ka 12 muaj me gjithesej 354 dite.

Edhe ketu kemi disa minuta ne mos perputhje qe ashtu si ne kalendaret Julian e Gregorian, rregullohen me vitet e brishte. Ne Kalendarin Musliman eshte rregulli qe ne 30 vite te kete 11 vite te brishta me 355 dhe 19 vite me 354 dite. Kjo ben qe sipas Kalendarit Mysliman viti te kete nje here 355 dhe dy here 354 dite.

Duke qene keshtu ditet e Vitit te Ri perputhen rralle ne te dy kalendaret. Mund te qelloje qe brenda nje viti gregorian te kemi dy vite te rinj muslimane; njeri fillon pak dite pas 1 janarit dhe tjetri pak dite para 31 dhjetorit. Kjo ndodh nje here ne 32 ose 33 vjet.

Viti i pare i Kalendarit Musliman ka filluar ne vitin 622 sipas Kalendarit Julian, vit qe lidhet  me emigrimin e Profetit Muhamed nga Meka ne Medine. Ky vit u quajt Viti i pare i Hixhrit. Sot jemi ne vitin 1434 te Hixhrit qe ka filluar me 14 nendor 2012 (ne darke – aksham) dhe do te mbaroje me 10 nendor 2013 po ashtu ne darke.

Duke futur vitet e brishta, per te perputhur vitin kalendarik me ciklet e Henes, behet nje rregullim me saktesi deri diku te madhe. Mjafton te permendim se vetem pas 2500 vjetesh mos perputhja arrin ne nje dite, gje qe do te rregullohet me numrin e viteve te brishta ne nje interval 30 vjeçar.

 

Duhet theksuar se jo te gjitha vendet muslimane perdorin te njejtin kalendar musliman. Mund te permendim qe Omar Khajami, te cilin ne e njohim si poet, ka qene dhe mjek biolog, astronom e matematikan. Edhe ai hartoi nje kalendar ne te cilin vitet e brishte kombinoheshin aq mire sa gabimi behej nje dite ne 3900 vjet. Por duke qene ne Persine e atehershme, ndikimi i te ciles ishte dobesuar ne zonen e Lindjes se Mesme, ky kalendar nuk u vu ne jete.

Ka disa variante te Kalendarit Musliman ne lidhje me numrin e viteve te brishta qe ndryshojne nga Maroku te Egjipti, Arabia Saudite, Irani e deri te Malajzia e Indonezia. Gjithsesi ata mbeshteten ne ciklet henore.

Ne fillim theksuam se ne kalendarin romak viti i ri fillonte me 1 mars. Duke iu permbajtur tradites se festimit te tij sot me kalendarin e ri kjo date bie me 14 mars. A nuk eshte kjo nje aresye te mendojme se Dita e Veres qe festohet edhe sot sidomos ne Elbasan, e ka origjinen ne nje kalendar te vjeter si dita e pare Vitit te Ri ?

Bardhyl Qirjaku

*)  Shkrimi eshte bazuar ne tekste te ndryshem qe flasin per kalendaret e reformat e tyre.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bardhyl Qirjaku, Kalendaret

AHMET GASHI DHE Lufta Ballkanike

January 22, 2013 by dgreca

 Ne Foto: Profesor Ahmet Gashi, në shkollën e vajzave në Tiranë në vitin 1935 /

(vijim nga Dielli on line, 18 Janar 2013)/

 Shtetet shoviniste ballkanike fqinjë, Serbia, Greqia, Bullgaria ( e cila fitoi pavarësinë e plotë më 1909 pa luftë e pa konferencë ndërkombëtare, sepse konsiderohej çeshtje e brendëshme e Turqisë, pasi kishte fituar autonominë me luftën ruso turke më 1878), Mali i Zi, bënë një lidhje të fshehtë që në vitin 1904 për copëtimin e katër vilajeteve shqiptare ndërmjet tyre.Ndërsa shtetet evropiane, sidomos Rusia dheFrancai konsideronin vilajetet shqiptare me popullsi kryesisht myslimane si shtojcë e Turqisë, prandaj nuk e përkrahën Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me 1878-1881, as kryengritjet e viteve 1908-1912.

Në fakt, shqiptarët s’kishin të bënin fare me perandorinë osmane, ndonse kishin përqafuar fenë islame , madje ata kishin luftuar kundër saj më shumë se shtetet e tjera ballkanike me popullsi kryesisht të krishterë gjatë 500 vjetëve. Këte Evropa e shihte por s’donte ta kuptonte. Kombet e tjera ballkanike deri në atë kohë e kishin fituar pavarësinë e tyre nga osmanët kush me luftë e kush pa luftë, por gjithnjë nën përkrahjen e shteteve të mëdha të Evropës.

Shqiptarët janë mbase i vetmi komb që kurrë s’e ka vënë fenë në plan të parë, por kombësinë. Ndërmjet feve në Shqipëri ka ekzistuar gjithnjë mirëkuptim dhe solidaritet, gjë që ndodh rrallë në botë.

Kur turqit u detyruan t’ua njohin autonominë shqiptarëve, shtetet ballkanike i shpallën luftë Turqisë duke pasur frikë se kjo autonomi do të pranohej ngaAustriaqë kishte interesa në Shqipëri. Pra, lufta ballkanike kishte karakter pushtues dhe jo çlirues ne Ballkan. Gjatë pushtetit monist edhe historigrafia jonë gabimisht e ka konsideruar Luftën ballkanike , sipas Leninit, si luftë të drejtë.

Kryengritësit shqiptarë u detyruan kështu që t’i kthejnë grykët e pushkëve të tyre kundër ushtarëve shovinistë ballkanas, për të mbrojtur trojet e tyre amtare nga një pushtim i ri më gjaksor e më barbar. Sulmi i befasishëm nga të gjitha anët, synimi i shovinistëve për ta shfarosur popullsinë civile, për t’i djegur shtëpitë dhe shkretuar tokat, i detyroi shumë shqiptarë të shpërnguleshin me dhunë në Turqi , në vendin që ata vetë e kishin luftuar një muaj më parë. Një luftë e ashpër u zhvillua në vilajetin e Kosovës. Ushtria serbe në tre formacione të mëdha , e armatosur mirë e drejtuar nga oficerë ruse, sulmoi Luginën e Preshevës, Kumanovën, Gollakun, Llapin dhe Grykën e Ibrit- Mitrovicën, ndërsa Mali i Zi-  Plavën e Gucinë.

Shtabi i kryengritësve lëshoi kushtrimin për ta mbrojtur me gjak vatanin, që sapo e kishin çliruar nga pushtuesi shumëshekullor osman, në kushtet kur shumica e luftëtarëve ishin shpërndarë nëpër shtëpitë e veta.

Hasan Prishtina shkoi në Prepollac, Idriz seferi në Sfircë, Isa Boletini në Grykën e lumit Ibër, në Mitrovicë, Bajram Curri në Plavë e Guci.

Heroizmi i luftëtarëve shqiptarë në të katër frontet e reja ishte i pashoq, por pabarazia në numër, në armatim  i detyroi ata të tërhiqen . Udhëheqësit porositën që të vijonte lufta guerile me grupe të vogla kudo në fshatra e qytete, ta godisnin armikun në befasi ditën e natën, kudo që të ishte ai.

Edhe lumjanët nën udhëheqjen e Islam Spahisë, bënë një punë të madhe në pengimin e armatave serbe në Lumë, Has, Opojë e Dibër, Rrafsh i Dukagjinit. Në Kullën e Lumës u vranë 12 mijë serbë. Të tjerët u tërhoqën në Prizren dhe asnjë gjeneral serb s’guxonte të merrte komandën e të sulmonte Lumën.  Këte krahinë ata e nënshtruan duke e shkretuar, më vonë , pasi u erdhën përforcime të shumta ngaSerbia.

Në këte kohë Ismail Qemali mendonte të organizonte një kuvend mbarëkombëtar në Durrës. Për këte, ai kishte njoftuar Hasan Prishtinën me një telegram të veçantë. Njëkohësisht ai kishte ndërmarrë një udhëtim nëpër Evropë dhe kontaktonte diplomatë dhe qeveritarë të Evropës duke ua bërë të njohur atyre çeshtjen shqiptare. Por vetëm Austro-Hungaria e kuptoi dhe i premtoi ndihmën e saj. Isa Boletini, pasi u tërhoq nga beteja në Mitrovicë, u nis për në Durrës bashkë më 300 luftëtarë të vet, ndërsa Hasan Prishtinën serbët  që e mbanin nën vëzhgim, e arrestuan dhe e burgosën në burgun e kalasë në Beograd. Idriz Seferi dhe Bajram Curri vijuan luftën guerilje kundër pushtuesve të rinj.

 

e bazonim në faktin se ne kishim luftuar në shekuj për liri dhe në luftën ballkanike ishim deklaruar asnjanës. Megjithatë, ne iu përgjigjëm synimeve aneksioniste shoviniste të shteteve fqinjë, duke luftuar me çdo sakrificë  derisa u bindëm se nuk mund të vazhdonim dot më rezistencën. Erdhëm, pra, në Vlorën heroike  me shpresa të mëdha se dikur do të ktheheshim në Kosovën kreshnike. Kemi vuajtur 2000 vjet nga romakët, Bizanti, osmanët. Por dëmin më të madh na e bënë sllavët që erdhën nga malet Urale (e më pas atoKarpate) dhe zunë tokat tona dikur me sipërfaqe 250 000 km2  në tërë Dalmacinë e Ballkanin Perëndimor. Ndodhi e keqja më e madhe , asimilimi nga sllavët i shumicës se popullsisë iliro-shqiptare të këtyre trojeve, duke përfshirë edhe Nemanjët që u bënë më të këqinj se vetë sllavët pushtues”

 

 Ardhja në Vlorë.

 

Gjatë rrugës për në Vlorë hasëm vështirësi të panumurta, por që nuk ishin asgjë në krahasim me vuejtjet e popullit tonë në Kosovë për shkak të pushtimit serb. Lamë pas vetëm tym e flakë në fshatrat e Kosovës, sidomos buzë rrugëve ku kalonte ushtria barbare serbe, që digjte shtëpitë, por edhe pushkatonte njerëzit që kapte në to, pa dallim moshe e seksi.

Në fshatin Grackë pranë Prishtinës në rrugën për në Prizren, buzë lumit Sitnicë, psh u dogjën të gjitha shtëpitë, u therën me bajoneta të gjithe banorët (ka shpëtue vetëm një fëmijë i lidhur në një djep të përmbysur , i shpëtuar nga rrethi i djepit pa u mbytur. Pas largimit të ushtarëve, erdhën fshatarë nga fshatrat e largëta dhe e gjetën atë fëmijë. Madje një dajë i nënës sime, Arifi,  e ka marrë në fshatin Llugaxhi, e ka rritë e ka quejtë Sait, e ka shkollue. Në vitin 1943-1944, ndërsa unë u emërova drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Saiti ishte sekretari i shkollës.

Sa e sa fshatarë të tillë kemi parë rrugës për në Vlorë. Edhe në Rrafshin e Dukagjinit ku kish hyrë ushtria malazeze, kishin ndodhur po ato krime. Madje malazezt kishin shkuar më larg. Në Pejë me rrethina, në Plavë e Guci, malazezt i mblidhnin shqiptarët në shesh dhe i detyronin të kthenin fenë dhe kombësinë , përndryshe i pushkatonin në vend.

Shumë shqiptarë pranuan vdekjen por jo të ndërronin fenë e kombësinë. Ata u pushkatuan pa mëshirë në sytë e familjeve të tyre, të gjithë meshkuj 16 vjeç e lart në rresht të lidhur njëri me tjetrin.

Kjo masakër zgjati dhjetë ditë që populli i kujton “10 ditët e kiametit”. Oficeri malazez që e kreu këte krim të padëgjuar në histori, quhej Savë dhe populli e mbiquajti “Savë batarja” (batare –pushkatim), sepse i pushkatonte shqiptarët e lidhur, me dorën e vet gjakatare.

Pas më shumë se një muaji, arritëm në Vlorën heroike, diku nga marsi 1913. Këtu takuam të rinjtë vendas si dhe Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Bedri Pejanin, Sali Gjukën e shumë të tjerë. Një gëzim të papërshkruar ndjemë, kur pamë të valëvitet i lirë flamuri ynë kombëtar, për të cilin kishim luftuar aq shumë me pushkë e me penë.  Por gëzimi ynë nuk zgjati shumë. Atëkohë u njoftuam për vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër në fund të vitit 1912 e në vijim ku ishin caktuar kufijtë e shtetit të ri shqiptar. Me këmbënguljen e Rusisë, Francës dhe Britanisë, Konferenca  krijoi një minishtet me 28 mijë km2  në vend të 92 mijë km2  që përfshinin të katër vilajetet shqiptare, pra, këputi nga trojet tona 2/3 duke ua dhënë si shpërblim ato Serbisë, Greqisë e Malit të Zi. Këto të fundit u zgjeruan në masën deri 60 % në kurriz të tokave shqiptare.

Kërkova të takohesha me kryetarin e qeverisë së parë shqiptare, Ismail Qemalin, të cilin e kisha njohur që në Stamboll, si student që isha, duke kryer porositë që më jepte edhe ai për çeshtjen kombëtare. Ai më priti me dashamirësi, i gëzuar që sidoqoftë shtetet e mëdha njohën një shtet shqiptar më në fund, dhe njëkohësisht i pikëlluar që në këte shtet ishin përjashtuar më shumë se gjysma e tokave dhe e kombit tonë të shumëvuajtur.

Pasi më bëri një sërë pyetjesh për gjendjen në Kosovë, tha:- Ahmet, megjithatë ne nuk duhet ta humbim asnjëhere shpresën por duhet të punojmë se liria nuk vjen vetë; hë për hë detyra jonë e të gjithëve është ta mëkëmbim këte shtet të ri shqiptar, që t’i japim të kuptojë Evropës që ne dimë të formojmë shtet e të vetëqeverisemi. Kam menduar që ju, bashkë me zotin  Jani Minga të organizoni arsimin, që është baza e një shteti , pasi ju keni shumë përvojë e dituni në këte fushë.

Pranova me shumë dëshirë këte detyrë të rëndësishme. Me këte rast, u njoha edhe z. Minga, madje u bëmë miq të ngushtë. Ai ishte një njeri i ditur, me përvojë në fushën e arsimit, por edhe organizator e drejtues i zoti. Në fillim, ne punonim vetëm në Vlorë e Fier, pasi gjetkë ishin ushtritë pushtuese armike: në jug – grekët, në veri e në lindje – serbët e malazezt, ndërsa në Shqipërinë e Mesme kishte ende kaos, pasi disa fanatikë  me në krye myftiun e Tiranës jo vetëm që nuk e njihnin qeverinë e Vlorës, por më pas organizuan një kryengritje të armatosur me Haxhi Qamilin etj, duke kërkuar përsëri babën ( sulltanin) dhe sundimin turk. Në Vlorë e Fier ngritëm disa shkolla, ndonse kishim mangësi në mësues. Më vonë Ismail beu më thirri përsëri dhe më njoftoi emërimin tim si mësues në Elbasan, gjë që më gëzoi pa masë, sepse  përputhej edhe me dëshirën time.

Prej kohësh , sipas porosisë së Hasan Prishtinës, unë ëndërroja të përgatisja mësues për Kosovën. E kjo mundësi m’u dha duke shërbyer në Elbasan, ku ishte hapur Shkolla e parë pedagogjike, Normalja.

Kështu në shtator 1913 nisa punën si mësues në shkollën qendrore të Elbasanit e më vonë në Normalen e famshme, si drejtor i shkollës qytetëse.

( siç shkruan gazeta RILINDJA e shtatorit 1997, në këte shkollë Ahmet Gashi ndihmoi që të përgatiteshin me dhjetra mësues për Kosovën që u bënë shumë shpejt pishtarë të arsimit për Shqipëri e Kosovë- G.D.)

(Marre nga libri-PROFESOR AHMET GASHI, “MËSUES I POPULLIT” RILINDASI I FUNDIT  – Vijon)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Ahmet Gashi, libri, Lufta e pare Ballkanike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 504
  • 505
  • 506
  • 507
  • 508
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT