• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATA SHQIPTARE” PER 100 VJETORIN E PAVARESISE NE UNIVERSITETIN” WILLIAM PATERSON” NJ

November 15, 2012 by dgreca

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në New York, promovuan Shqipërinë me shfaqjen e dokumentarit televiziv “Beautiful Albania – Ionian Romance – Saranda” dhe u bë prezantimi i librit : “Odhise Paskali – Themelues i Sklupturës Shqiptare” studime nga piktori Leonard Voci./

NGA BEQIR SINA New Jersey/

PASAIC – NEW YRSEY : Të martën mbasdite date 13 nëntor 2012 në orën 19.00, në William Paterson University – në New Jersey, në kuadrin aktiviteteve të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në New York, promovuan Shqipërinë me shfaqjen e dokumentarit televiziv “Beautiful Albania – Ionian Romance – Saranda”.
Me këtë rast në tempullin e dijes universitetin “William Paterson” – në New Jersey, nën kujdesin e professor Bruce Williams, u bë edhe prezantimi i librit : “Odhise Paskali – Themelues i Sklupturës Shqiptare” studime nga zoti Leonard Voci. E bija e skulptorit të madh shqiptarë Floriana Paskali- drejtore Qendra Ndërkombëtare e Kulturës në Tiranë në një bashkëbisedim me auditoriumin foli së bashku me zotin Voci për jetën dhe veprën e Odhise Paskalit si edhe lexoi disa poezit të tij.
Ndërkohë, që këtë veprimtari kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë e përshëndeti edhe Konsulli i përgjithëshëm i Shqipërisë në New York zoti Dritan Mishto, dhe Dr. Bruce Williams PhD..
Përveç studentëve të universitetit “William Paterson” profesorëve të saj – në këtë veprimtari morën pjesë edhe dhjetra aktivistë të dalluar nga : Këshilli Shqiptaro Amerikan, shoqata Fondi i Përbashkët, Shkolla dhe Grupi i këngëve e valleve të fëmijëve të Fondi i Përbashkët, Xhamisë dhe klubit të futbollit Vëllazërimi të Patersonit
Këtë veprimtari kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e drejtojë professor Bruce Williams, i Departamentit të Gjuhëve dhe Kulturave., një “filo” shqiptarë, i cili ka një njohje të vjetër me kulturën dhe artin shqiptarë, të cilën tha ai e ka nisë prej vitit 1970.
Dr. Bruce Williams Ph.D. nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos, është Professor dhe drejtor diplomuar në Departamentin e Gjuhëve dhe Kulturave në Universitetin e William Paterson në New Jersey. Ai ka botuar gjerësisht në fushat e historisë të kinemasë, teoria e filmit, kinemaia e Amerikës Latine dhe evropiane, gjuha dhe kinema. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, dhe Sociolinguistikë e kinemasë, kineman aktuale shqiptare; kinemasë si një mjet për ndërtimin e vendit në Korenë e Veriut dhe Shqipërisë, lidhjet mes kinematografisë së Brazilit dhe Bashkimit Sovjetik,.

Mbas shfaqjes së dokumentarit televiziv “Beautiful Albania – Ionian Romance – Saranda”, zoti Leonardo Voci – piktor i Rrymës moderne Abstrakte, i cili ka mbaruar specializime në Gjermani, Itali dhe Hollandë, prezantoi në hollin e universitetit William Paterson, disa piktura dhe fotografi të Nënë Terezes dhe 10 artistëve më të famshëm shqiptarë.

Në fund ai foli gjatë dhe u përfshi së bashku me zonjën Floriana Paskali në një diskutim mbi prezantimin e Librit “Odhise Paskali – Themelues i Sklupturës Shqiptare”, biografi, esse, dhe me përmblëdhjen e punëve më të mira të skulpturave të laurentit për Filozofi në Universitetin Mbretëror – Odhise Paskalit.
Voci tha se ” Odhise Paskali, lindi më 1903 dhe vdiq në vitin 1985 nga një vdekje e cila “ende mbetet e dyshimtë”. Paskali vijojë ai është autori i 523 veprave, ai ka qenë poet, esseit me 810 esse, përkthyes, botues, Akademik(1973) dhe fitues i çmimit Nderi i Kombit në vitin 2003.
Një vend të veçantë në këtë auditorium Leonardo Voci dhe Floriana Paskali ia kushtuan rolit dhe kontributit të Odhise Paskalit, veprave të tij – kushtuar Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit nga Plaku i urtë dhe i mençur Ismail Bej Qemali.
Nuk dua të jem i përsëritur gjatë artikullimit të fjalëve të mija, tha zoti Leonardo Voci, kur flitet për Ismail Qemalin, rolin e tij në Shpalljen e Pavarësisë dhe për sfondin historik dhe rrethanat në të cilat u krye ky akt.
“Ismail Qemalin, Paskali, e konfiguron, tha Voci në suazat e konturimit, të portretizimit të diplomatit që u rropat ndërmjet perandosrisë otomane në ikje, dhe Konferencave që zhvilloheshin në kryeqendrat e Perendimit”.

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, nata Shqiptare, ne William Paterson, NJ

STRUGANËT, ME KALË DREJT VLORËS ME 28 NËNTOR

November 15, 2012 by dgreca

STRUGË – Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë disa atdhetarë nga Struga do të udhëtojnë simbolikisht me qerre me kalë nëpër disa qytete shqiptare, ndërsa destinacioni i fundit do të jetë Vlora, qyteti ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Iniciuesit e këtij projekti tregojnë se marshi ka për qëllim të kujtojë dhe njëkohësisht të vlerësojë kontributin e çmuar që ka dhënë Struga dhe Ohri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912
Sipas organizatorëve, pjesë e marshit do të jenë 100 djem dhe vajza të reja që do të simbolizojnë 100 vjet pavarësi, e mes tyre do të jenë edhe të burgosurit politikë, ish ushtar të UCK-së, familjarë të nënshkruesve të pavarësisë nga Struga si dhe qytetarë të shumtë.
Karvani strugan i marshimit, do të udhëtojë fillimisht drejt Elbasanit për të qenë pjesë e manifestimit që do të zhvillohet më 25 nëntor në sheshin e qytetit, ku do të ngrihet Flamuri Kombëtar dhe do të vendoset busti i Aqif Pashë Elbasanit.
Dukë patur parasysh se në Elbasan, gjatë ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe Shpalljes së Pavarësisë më 1912 nga Aqif Pashë Elbasani, kanë qenë edhe disa delegate strugan, qytetarët e Strugës këtë marrshim e quajnë “Shtigjeve të patriotëve të 1912”.
Nga Elbasani, karvani “Marshi i Pavarësisë”, do të vazhdojë rrugëtimin drejt qytetit të Fierit, ku do të parakalojë nëpër qytet me qerre me kalë, që të nesërmen të vazhdojë rrugën drejt Vlorës, për të dhënë kontributin modest të qytetarëve strugan për manifestimin madhor të festës së Pavarësisë dhe të Flamurit Kombëtar në Vlorë./ Kortezi- B.Sina/

Filed Under: Kulture Tagged With: 28 nentor, drejt, me kale, Struganet, Vlores

MOSMARREVESHJA E KADARESE ME POPULLIN E TIJ

November 14, 2012 by dgreca

NGA AGRON GJEKMARKAJ/

Të shkruash për librat e Ismail Kadaresë është mundësi, tentacion vanitoz, por edhe risk mbytës njëkohësisht. Kur pretendon të bëhesh ndërmjetës mes tij e lexuesit, sapo ke kaluar ngushticën e Shilës e Karibdës. Më shumë se proza artistike janë esetë, të cilat shfaqen si sisteme të mbyllura të vetëmjaftueshme, intensive e munduese për një qasje recensionale.
Për ato asgjë nuk mund të thuash më mirë se autori, asgjë ndryshe nga autori, asgjë më pak se ai e asgjë më tepër. Rrezikon të ecësh nën tehun e teprimit dhe të mungesës. Mirëpo shija e udhëtimeve të tilla është ngasje unike, ia vlen të rrezikosh.
“Turk e trim” do të thoshin disa shqiptarë, duke gjykuar përmasat e sfidës. Provokative kjo “fjalë e urtë”, shenjë e “tjetërsimit” dhe “flirtit”, po a nuk thotë Kadare “nëse donim ta kishim bashkë perandorinë, duhej të jetonim e vdisnim si turq”; Tashmë jashtë perandorie falë Zotit vende-vende nostalgjia për trimërinë turke të unifikuar na ka mbetur! Kjo nostalgji në të gjitha format e shfaqjes së saj nxit “Mosmarrëveshjen” e Ismail Kadaresë me popullin e tij.
Përtej figurës, “Mosmarrëveshja”, libri i fundit i sapodalë nga shtypi (në variantin përfundimtar), paraqitet si një analizë në diakroninë dhe sinkroninë e transformimit antropologjik në amzën e këtij kombi gjatë një pushtimi pesëshekullor, plus diktaturën 50-vjeçare e tranzicionin 22-vjeçar. Një libër që e strukturon realitetin, duke reflektuar mbi të. Ky libër me një gjykim të ndërtuar mbi krahasimin shqyrton raportet e shqiptarit me veten dhe me të tjerët, me Shqipërinë dhe Kosovën, me flamurin dhe themeluesit, me mitet dhe çmitizuesit, me renegatet dhe shenjtorët, me diktatorin dhe diktaturën, me mbretin dhe mbretërinë, me Geraldinën dhe Sofinë, me identitetin e fetë, me gjuhën dhe agresorët e saj, me robërinë dhe lirinë, me krishterimin e islamin, me konvertimin dhe qëndresën, me sllavët e grekët, me italianët e gjermanët, por mbi të gjitha me pushtuesin otoman dje dhe neootomanizmin sot, me shqiptarët dhe Europën përgjithmonë, mes të cilëve qëndron “Dosja Kastrioti”.
Po si dalin shqiptarët nga kjo analizë që vetëm Ismail Kadare ka tagrin dhe fuqinë për ta bërë?! Leximi na zbulon se “Shqipëria sasinë e rimohuesve e ka tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi përmbysej”. Identitetet e lëvizshme të përcaktuara nga mohimi e rimohimi janë përvijuar shpesh në historinë tonë, thelbin e të cilave shkrimtari e përmbledh edhe kështu “Jep kryqin, të marrësh grada dhe poste. Mbaj kryqin, jep gjuhën shqipe. Mbaj kishën, jep Kastriotin. Merr tituj, jep emrin shqiptar. Mbaj armën, jep kryqin. Dhe kryesorja: që të jesh turk, do të përfitosh si i tillë, por ndërkaq, si i tillë, si i pabesë do të ndëshkohesh”.
Shqipëria e Ismail Kadaresë në këtë “Mosmarrëveshje” nuk ngjason me asnjë Shqipëri tjetër, të rrëfyer nga historianë apo albanologë, nga shqiptarë apo të huaj. Temë e një karriere të sprovuar apo e një doktorate të lartë për kombin e ka quajtur një tjetër shkrimtar shqiptar.
“Mosmarrëveshja” është akti më i madh i dashurisë që shkrimtari me famë të përbotshme i blaton vendit të vet, por njëkohësisht është një shpallje lufte me artileri të rëndë, me zjarrin e së cilës duhet të bëjnë llogaritë përgjithmonë ata që në gjak kanë flirtin, tjetërsimin, nostalgjinë për pushtuesin dhe urrejtjen për Gjergjin Skënderbe, i cili do të krahasohet nga Kadare me Krishtin njësoj pa varr, i ngjitur në qiell në amshim, në përjetësi, ndaj i patakueshëm nga toka.
Gjergji hero i qytetërimit europian, i mbrojtur nga Europa si i tillë, Gjergji hero kombëtar i shqiptarëve i vënë në diskutim prej vetë shqiptarëve. Nënë Tereza gjithashtu, Ismail Qemali po aq. Te kjo përputhje dhe mospërputhje konsumohet “Mosmarrëveshja”. Por shkrimtari nuk lodhet së përsërituri se “Dosja Kastrioti” është thagma e Shqipërisë europiane, shpirti, identiteti i qytetërimit perëndimor në këtë vend dhe ndaj rimohuesit me një tjetër identitet, qerosë apo me mjekra, me gjuhë kozmopolitizmi apo mbllaçitje revanie plot gulçe e rënkim prej shekujsh, i mëshojnë mallkimit të luftës kundër padishahut.
Kadare shfaqet si racionalizues i historisë, por edhe paralajmërues për të ardhmen, njësi kohore nga anon kahu i këtij libri, kur thotë “se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të”. Kundër tij kishin punuar “burgjet, jataganët, daullet, lajkat, zërat e zvargur të hoxhallarëve nga minaret”.
Nga ana tjetër, për herë të parë në këtë “sprovë” gjejmë një formë te re konfigurimi të krenarisë kombëtare nëpërmjet pohimit se shqiptarët nuk janë ai populli paqësor e qyqar që ka marrë shpulla nga gjithkush ndër shekuj. Jo, përkundrazi, edhe ata kanë ushtruar dhunë ndaj të tjerëve e për këtë duhet të ndihen po aq krenarë ose fajtorë si gjithë popujt europianë që në origjinë e kanë këtë fenomen. Portreti i viktimës ngjall mëshirë momentale, por jo konsideratë afatgjatë.
Kadare pothuaj i vetëm në këtë pikëpamje hedh poshtë me forcë tezën që konvertimi në islamizëm i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi sllav. Tezë kjo sipas tij justifikuese për të përligjur flirtin. Vazhdimësinë historike të katolikëve në Shqipëri e Kosovë Kadare nuk e sheh si sasi numerike, por si qytetërim dhe njësi përbashkuese me Europën, me efekte të drejtpërdrejta mbi gjuhën dhe alfabetin.
Kadare, pasi ka evidentuar cenet, nuk është kursyer në ekspozimin e virtyteve si prani ekuilibruese, të cilat nuk janë një e dhënë e përjetshme në qoftë se nuk kultivohen.
Sot, magjepsjen ndaj Europës dhe harmoninë fetare e konstaton te shumica e shqiptarëve, i bindur që kombi paraqitet mbi besimet, e këtu Kadarenë e gjejmë në hullinë e Rilindjes Kombëtare si përmbyllës i epërm i saj, por edhe zëdhënës të mendimit laiko-liberal.
Zanafillën e diktaturës ose krimin themelues e gjen te historia tragjike e Ramize Gjebresë. Po aty zbulon simptomat e mohimit të Kosovës, mbi betejat e së cilës vetëm ndalet gjatë, kund me pesimizëm, kund me shpresë, kund me pezëm e kund pa e fshehur kënaqësinë.
Na feks mendimi që te fati i Kastriotit nën presionin e “dergjjes otomane” dhe me një Shqipëri që dergjet në portat e Europës për “tri ligje dhe një kryetar qarku”, Kadare “Mbreti i letërsisë shqipe”, nëse do të përdornim përcaktimin e një politikani të lartë shqiptar, sheh të ngjashmin fat të tij mes “moshash” e “shtresash” në një të ardhme të mesme. Mos ndoshta do të mbetet ai më shumë shkrimtar i Francës apo Europës sesa i Shqipërisë? Vallë mes kësaj të fundit dhe kontinentit do të kemi “Dosjen Kadare” një ditë? Mos transformimi i poezisë së Naimit “Fati ynë u ngrit prej gropës/Si i vdekuri nga varri/Mori udhën e Europës/ Duke rendur si i marri?/ është autoreferencial?”
Mbase janë vetëm një lajthitje e jona këto pyetje “marazi”, ashtu si yshtja e pacak për të folur mbi këtë libër të vështirë në këtë prag panairi, ngjarje kjo që do të vërtitet rreth “Mosmarrëveshjes”.
Ecëm mes mungesës dhe teprimit e të dyja nxorën krye, thamë më pak se autori, pa stilin dhe solemnitetin e tij, e përsëritëm atë, me të vetmen shpresë që së paku do të bëhemi lajmës të librit të librave mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Për lajmësin ka gjithmonë besë…!(kortezi Panorama)

 

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Agron Gjekmarkaj, Ismail Kadare

GËZUAR SHQIPËRI, 100 VJET PAVARËSI KOMBËTARE!

November 14, 2012 by dgreca

Ismail Qemali Arkitekt i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Të gjithë shqiptarët në fillim të shekullit XX, shpresonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte e Pavarur, pas 5 shekuj robëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e mori në dorë njeriu që e njihte mirë Turqinë dhe politikën e saj.

Ismail Qemali si diplomat, i pajisur me kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës. *Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe;*shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy deteve;*kushtet fiziko- gjeogrfike, (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe kodra), ndikuan në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për Pavarësinë. *Bashkëjetesa e tri besimeve fetare ka ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri në plan të parë *çështjen kombëtare, që evitoi *përçarjet mes shqiptarëve. *Vrasja e gjyshit të tij nga sulltani, bëri që ai të ishte shumë i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi* Autonominë e Shqipërisë.

Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet,*Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon *Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë *Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, ku zhvilloi biseda mbi gjendjen aktuale të P. Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e saj. Këto takime apo poste titullare, ai i shfrytëzoi për çështjen kombëtare. *Analiza e tij mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani, bëri që Porta e Lartë të pësonte disfatë. *Porse pasojat ranë mbi shtetet evropiane nën sundimin e Turqisë. Veçse kjo *analizë social-politike e I. Qemalit, i ngjante projektit të një arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë nga shekujt. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare. *Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. *Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës,*Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali. Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali thekson: “Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha.” *Kjo analizë i vlente për të nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.

Ardhjen e turqëve të rinj ai e quan *anarki të rëndë që vjen nga lart, e cila është më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa *komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. *Politika e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë.”*Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe përparim.”- thekson Ismail Qemali. Ndërkohë Sulltani e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë). Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte *mbështetja e Fuqive të Mëdha evropiane. Menjëherë nisi *maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku *çështja shqiptare njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku *shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri- Itali për influencën e secilës në Shqipëri. Ismail Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. *Me shkathtësinë e tij, ai shfrytëzoi situatat  ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe të secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare në gazetën e drejtuar prej tij, “Albania”. Botimi i gazetës së tij (I.Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.  Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të politikës botërore. Shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me *mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të cilat ai diti t’i shfrytëzojë me maturi. *Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po përgatiste I.Qemali.

Në çastin fatlum, këtij burri të mençur iu desh të *shfytëzojë ndarjen e turqve të rinj më 1908. Ndaj për I. Qemalin *shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare.

*Hartimi i Memorandumit të Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë e Xhonturqëve, pati rëndësi: *Nisën kryengritjet e Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe *kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. *Arkitekti i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali si largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur, donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa:*1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për popujt e ndryshëm të P.Osmane; *2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare. *3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip..*4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. *5- Të krijohej policia, postë telegrafa, *marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. *Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi, përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi *organizimin e shtetit me frymë europiane. Në Nicë të Francës *më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë. Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai shprehet:”Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar”.

I. Qemali më 5 Nëntor 1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20 /XI /1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu  ngriti flamurinnë Krujë, edhe Ismail Qemali më 28 -XI- 1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu aktin madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me Kryeministër I.smail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet nga shpallja e pavarësisë së cunguar të shqiptarëve, dhe kombi ynë përsëri ka mjaft probleme , të cilat po ia lemë kohës t’i zgjidhë!

Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj :”Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet, Haxhiraj, pavaresi, Vilhelme, Vranari

NE QENDER TE 100 VJETORIT, BASHKIMI JO NDARJA

November 14, 2012 by dgreca

4 shekuj në mbrojtje të identitetit kombëtar-shembulli i duhur për ne/
100 vjetrori i shpalljes së Pavarësisë sonë kombëtare është eventi më i madh i historisë moderne shqiptare, prandaj në qendër duhet të jetë bashkimi dhe jo ndarja,evidentimi i përpjekjeve të patriotëve të vërtetë dhe jo i tradhëtarëve, i mendjeve të ndritura dhe jo i mendjeve të shkrurtëra. Por i gjithë viti jubilar u shënua nga shumë incidente mes vetë shqiptarëve nga paaftësia e klasës poltike shqiptare që po tregohet e papërmbajtur dhe e nervozuar që në këtë përvjetor vetë ata të mos mungojnë. Cili është kontributi i tyre real? Nuk kanë asnjë gjurmë që të mund të krenohen. Vula e gjurmëve është 100 vjet më parë me disa prej kolosëve që e ideuan. Të duash të shmangësh Vlorën nga festimet me pretekstin se edhe Amerika kështu veproi dikur, është një naivitet kryekëput. E përse duhet ndjekur shembulli amerikan edhe në festën tonë kombëtare? Një prej momenteve për të cilën duhet të krenohemi për historinë tonë është rikthimi i Mesharit të Gjon Buzukut në Atdhe, pasi është dëshmia e parë e identitetit tonë kombëtar e shprehur në gjuhë. I takonte Akademisë sonë që të organizonte një simpozium të madh për këtë gjurmë të gjuhës sonë, por ajo heshti para akademizmit diletant të një kryeministri të kudondodhur dhe në dukje poliedrik. Në Itali u festua 400 vjetori i gjurmëve të para të shkruara të identitetit, i Fjalorit të Akademisë Crusca 1612, por nuk pamë ndonjë politikan që ta rrëmbente mikrofonin dhe të mbante ligjëratë për gjuhën italiane. Tek ne orientime të njerëzve jokompetentë dhe mediokër e futën në sherr edhe gjuhësinë shqiptare me ëndrrat për ta ndryshuar atë letrare, sepse janë bërë padrejtësi ndaj dialekteve. O tempora o moris!

Një përvjetor nuk synon vetëm një datë, por vazhdimësinë e kontributeve për ta pasuruar gjuhën dhe leksikun e saj, ashtu siç bëri në të vërtetë Akademia italiane. Ishte fjalori i parë, pasi nuk e kishte asnjë prej gjuhëve moderne europiane dhe ky event e vendos Italinë në një prej vendeve që gjenialitetin e vet e kanë të shumëfishtë. U desh shumë punë deri në ditët e sotme që të inventarizohej fjalë pas fjale kjo gjuhë dhe shumë akademikë punoin gratis, nga dashuria për gjuhën. Nuk ishin vetëm filologë, por shkencëtarë dhe artistë që u shëndërruan në leksikografë të mirëfilltë për ta evidentuar këtë pasuri. A nuk e bënë këtë gjë edhe studiuesit shqiptarë në vitet e shekullit të kaluar? E kryen me devotshmëri detyrën për ta mbrojtur gjuhën tonë kombëtare, bile vendosën edhe disa standarte që sot disa pseudostudiues po përpiqen që ta përmbysin. Më datën 16 nëntor do të mbahet në Korçë një Akademi me rastin e përvjetorit të 40 të Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe do të dëshiroja që nga soleminiteti i saj të dilnin me një përgjigje të qartë se gjuha jonë letrare nuk është

 

 

një mall që ta shkëmbejmë në treg apo ta sakatosim sa herë që të ndryshojnë mendjet e politikanëve. Në gjuhë ka një natyrë dialektike të zhvillimit dhe nuk mund të veprohet sipas tekave të një grupi shoqëror që as vetë ata nuk dinë ta flasin atë korrekt atë. Çdo gjuhë ka një të shkuar që hedh bazat e saj, një të tashme dhe një të ardhme. A mund ta pranonin italianët një histori të identitetit të tyre pa veprën e Dantes, Petrarkës apo Bokaços? Jo, asnjëherë. Po të gjitha përpjekjet e shumë studiuesve të tjerë deri në ditën e shndërrimti të gjuhës italiane në letrare kombëtare? Përsëri jo, sepse nuk është kompetencë e politikanëve, por e studiuesve dhe vetëm ata e kanë ekskluzivitetin e mendimit final. Nëse një fjalor shfaqet si një regjistër i thesareve gjuhësore, përdoruesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm që shumë prej tyre do të dalin nga përdorimi, do të zëvendësohen me të rinj, në një ripërtëritje  të vazhdueshme.

Pak ditë më parë në një konferencë për gjuhët e Europës dhe mbrojtjen e tyre ku mora pjesë theksova dy gjëra që duhet t’i kemi parasysh : e para se gjuha është mjeti me të cilin ne shprehim filozofinë tonë kombëtare, pra ai nga i cili ne dallohemi në Europë dhe së dyti se gjuha shqipe si një gjuhë e Bashkimit Europian duhet mbrojtur dhe shpëtuar prej ideve të mbrapshta të kodoshëve politikë. Në konferencë doli edhe një ide tjetër shumë interesante që e ilustroi bukur edhe rektori i UPT, z. Kaçani, lidhur me kalimin nga departament të gjuhëve në një qendër tepër funksionale të tyre, ku të përmirësohet kurrikula, infrastruktura dhe t’i jepet përparësi edhe trajnimeve të stafeve dhe të studentëve. Por në këtë ide, mendoj se nuk duhet lënë jashtë gjuha jonë shqipe dhe do të ishte e udhës që një sasi orësh për ta studiuar do të ishte vendimtare. Shpresoj që kjo ide, duhet provuar nëse është efikase më parë, të implementohet edhe në universitetet e tjera shtetërore shqiptare. Ministria jonë e Arsimit duhet të jetë promotorja e universiteteve tona, pasi është tradita e gjatë e Universitetit të Tiranës, por edhe sepse mbahen nga taksapaguesit shqiptarë. Më tej duhen urgjentisht të rishikohen investimet për to, të paktën tek Korpusi qendror, kanë vite që mungojnë. Universiteti i Tiranës është pasaporta jonë kombëtare, pra nuk duhet ta humbim atë, por ta ngrejmë në standartet e Europës.

 Arjan Th. Kallço

Pedagog i Gjuhës italiane

Universiteti Fan S. Noli, Korçë

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Arjan Kallco, bashkimi, jo ndarja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 532
  • 533
  • 534
  • 535
  • 536
  • …
  • 543
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT