• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEPRA E REXHEP RIFATIT SHNDRITË NË 150 VJETORIN E FERIZAJIT

July 15, 2023 by s p

“Atdheu duhet me vepër, jo me fjalë” -Sami Frashëri

Hazir MEHMETI/



Organizuar nga Qendra Kulture e Ferizajt u bë promovimi i veprave të Rexhep Rifatit, gazetar dhe publicist i njohur. Ishte ky manifestim në kuadër të shënimit të Ditëve të Diasporës me rastin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt. Morën pjesë qytetar, personalitete të kulturës, mike e miq të autorit. Aktiviteti u drejtua nga . Zyrafete Shala, Kryetare e Grupit Letrar “De Rada”, Ferizaj. Rreth veprimtarisë së Rexhep Rifatit u paraqitën disa referues. Prof. Dr. Isak Shema e cilësoi veprën e Rexhep Rifatitf: “Një punë kolosale e cila do jetë me vlera të përhershme në letërsi, publicistikë, etnografi, histori. Vepra e tij madhore duhet vlerësuar nga akademitë përkatëse, institucionet tona dhe shoqëria. Njerëzit si Rexhep Rifati kanë sakrifikuar shumë nga vetja e tij për të ngritur e pasuruar historiografinë e kulturë në rrugën e prosperitetit kombëtar.” Hazir Mehmeti, publicist i cili jeton në Vjenë, foli mbi veprën e Rexhep Rifatit nga udhëtimet e shumta të përbashkëta në Kalabri dhe Sicili. Referuesi i radhës ishte Prof. Arsim Hamiti i cili shtjelloi krijimtarinë letrare e publicistike të Rexhep Rifatit.
Pjesëmarrës ishin shumë nga shokë, kolegë, bashkëpunëtorë, bashkë mërgimtarë të Rexhep Rifatit nga disa shtetet evropiane, Zvicra, Gjermani, Austria, Franca e Belgjika morën pjesë edhe mërgimtarë nga Amerika e Kanadaja etj. Mes tyre Shukrije Ramadani, veprimtare dhe bashkëshortja e Heroit të Kombit, Agim Ramadani e cila foli rreth veprës së autorit. Pastaj veprimtarja dhe autorja e disa veprave, shoqja e klasës e autorit, Hanumshahe Sopa, e cila po ashtu pati fjalë përshëndetëse. Sylejman Salihu e Driton Gashi (Gjermani), Xhevdet Kallaba (Zvicer). Pjesën artistike e përmbushën Driton Gashi me qëndrim në Gjermani dhe Shpend Hysaj në Ferizaj i cili edhe ekzekutoi me piano. Në fund të aktivitetit Sabri Pajaziti udhëheqës I sektorit të kulturës më ndau një mirënjohje Rexhep Rifatit me motivacion vlerësues për punën e tij madhore. Organizatori kishte përgatitur koktej rasti për të pranishmit.
Fjala referuse e Hazir Mehmetit me titull:
Rexhep Rifati, emër i nderuar në gazetarinë kombëtare
Të nderuar drejtues të komunës së Ferizajit! E nderuara familja Rifati! Të nderuar të pranishëm! I dashuri Rexhep Rifati!
Ndihem i nderuar sot këtu në Ferizajn e bukur i cili shënon 150 vjetorin e themelimit të tij, të ju përshëndes dhe them pak fjalë rreth mikut tim shumë të respektuar Rexhep Rifati. Ai është, pa dyshim, pjesë e jetës historike të qytetit më shumë se gjysmë shekulli. Qytetit i japin kuptim njerëzit e tij, veprat e tyre dje, sot e nesër. I tillë është Rexhep Rifati me veprën e tij gjatë gjithë jetës mbi 80 -të vjeçare. Jam i bindur se historia e re e Ferizajt nuk do jetë e plotë pa emrin e qytetarit të tij të devotshëm, gazetarit e veprimtarit Rexhep Rifati.
Sot, promovimet e veprave flasin e thonë shumë. Ato janë përkujtim e përmbledhje, janë vlerësim e dashuri për autorin i cili shkriu mund djersë e sakrificë për progresin dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare.
Vepra e tij është e vlerësuar nga secili që ndjenë rrugën e progresit kombëtare për sot e nesër. Të shkruara me shpirt, dashuri e optimizëm edhe atëherë kur ishte vështirë e shpresa vritje.
Ato kanë vlera universale njerëzore.
Ato janë gjithë kombëtare.
Njeriu që nga pranvera e tij e parë, me zemrën e tij të madhe sfidoi pengesat, sfidoi kërcënimet dhe mori udhëtimin e tij në shërbim të njerëzores, në shërbim të kombit.
“Do ta pushkatojmë”,- thanë barbarët serb, kur falanga e tyre lexoi Rilindjen ku Rexha derdhi djersë e mund mbi gjysmë shekulli në shërbim të kombit.
“Jo tha tjetri, ai qenka i çmendur, e shihini si qesh para pushkatimit, do t’ia helmojmë gjashtë fëmijët e tij, ata duhet t’i zhdukim, lëshojeni me dymbëdhjetë plagë për secilin fëmijë nga dy”, -urdhëroi tjetri.
Rexha, ashtu i buzëqeshur e krenar, vazhdoi udhëtimin, me gjithë sfidat dhe rreziqet e tij duke na dhuruar të gjithëve shije nga kamera e tij e vyer.
Ai asnjëherë nuk gjen qetësi me kamerën e tij në kraharor, lapsin në xhep vazhdoi rrugëtimin e tij aty ku zemra rrah mes artit shekullor: bukuritë e trevave shqiptare, jetën dhe sfidat mërgimtare.
“Rexhep Rifati mund të quhet kujtesa ose enciklopedia e gjallë (por tejet diskrete!) e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rrethanave që lidhen me të”, e tha miku ynë i madh Basil Schader. Zvicra u pasurua me emrin qytetarin e saj nga Kosova, ashtu sikurse “Shqiptarët në Zvicër në 1001 pamje”, dhe më shumë.
Pesëdhjetë vjet udhëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet! Në udhëtimet e tij u pasuruan emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu, arbëreshët dhe mërgata.
Kolosi i kombit, At Antonio Belushi tha: “I dashur vëlla Rexhep Rifati, ju jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës. Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .
Por, Rexha me shpirt djaloshar, vazhdon ecjen e tij tokave të shenjta ku gjaku i shprishur arbëresh e kërkon, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, një vepër me vlera shkencore gjeneratave.
Veprat e Rexhep Rifatit pasurojnë bibliotekat në atdhe dhe vende tjera. Për to do flitet gjeneratave me falënderimin e respekt. Ato i pasurojnë jetën dhe historinë e Ferizajit, Kosovës, kombit dhe kontinentit gjithandej ku mërgimtari frymon. Rexhep Rifati do shndritë në altarët e historisë kombëtare. Urime 150 vjetori i qytetit tuaj! Urime Rexhep Rifati dhe familja e nderuar Rifati!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hazir Mehmeti, Rexhep Rifati

Bota shqiptare e Branko Merxhanit

July 13, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Një libër i shkruar në kohën e karantinës së pandemisë – Studimet e mia të thelluara më bënë të ndëgjegjësdohesha nga dita në ditë se Branko Merxhani jo vetëm duhej botuar por duhej bërë i lexueshëm dhe i interpretueshëm për lexuesin e sotëm shqiptarë. Një libër mbi jetën dhe idetë mjaft aktuale që ai zhvilloi mbi 70 vjet më parë do ta lidhte atë me lexuesin e sotëm dhe brezat e ardhshëm. Edhe pse librat nuk planifikohen më dukej e nevojshme që ky libër të bëhej sa më shpejtë që të ishte e mundur. Ndryshe nga një libër eseistik apo me letërsi të mirfilltë një libër studimorë si ky i shkruar në kushtet e jets së sforcuar të pandemisë ishte një sfidë tejet e vështirë.Por mbresat dhe përjetimet e fituara që në kohën e censurës komuniste kanë patur një rol mjaftë nxitës në shkruajtjen e këtij libri.

Ai vetë ka folur pak për jetën e vet, dhe nuk është bërë i gjallë pasi e la Shqipërinë, disa muaj pas pushtimit nga italianët…Pas përmbysjes së komunizmit janë bërë ca përpjekje të njërit apo tjetrit për të davaritur mjegullën që e rrethon jetën e këtij personazhi të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, por rezultatet kanë qenë minimale. Ai jetoi gjatë, vdiq në vitin 1981, dhe pas, përveç emrit të mirë e punëve të mëdha, ka lënë dhe plot pikëpyetje. Pse s’u bë i gjallë? Pse nuk e gjeti një mënyrë për të përcjellë një sinjal, se ai ekzistonte? Pse s’e gjeti një mënyrë për të thënë se ç’mendonte për parantezën shqiptare të jetës së tij? Pse askush nuk dinte gjë për të? Pse edhe të bijat kishin një informacion me pikatore për të? A ish Shqipëria e shqiptarët pjesë e mejtimeve të tij në ditët e fundit të jetës? Si vdiq? Kush iu ndodh pranë në momentet e fundit? Pse na la neve të dimë kaq pak për të?”

Ai është një studim i shkruar duke pasur parasysh shqiptarët e sotëm, shqiptarët e shekullit XXI dhe një botë reale, konkrete për ta, me të cilën të arrijnë të realizojnë në frymë, në gërmë dhe në lëndë, brumin e së ardhmes së tyre.

Filed Under: LETERSI

MILAN KUNDERA, ME RASTIN E VAJTJES NË AMSHIM

July 13, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Milan Kundera (Bërno/Brno; Çeki, 1 prill 1929 – Paris, 11 korrik 2023) është shkrimtar çek dhe francez. Njihet për shkrimet erotike dhe politike. Lindi në një familje të shtresës së mesme. Babi i tij, Ludvik Kundera (1891-1971), nxënës i kompozitorit Leosh Junaçek (Leoš Junáček), ishte muzikolog dhe pianist çek. Në vitet 1948-1961, ka qenë në krye të Akademisë Muzikore të Janaçekut në Bërno. E ëma quhej Milada Janosikova Kunderová. Milani i filloi studimet e muzikologjisë dhe të kompozimit. Në opusin e tij janë të shumta ndikimet dhe referencat e muzikologjisë. Në Pragë studioi edhe letërsinë dhe estetikën, por pas dy semestrave kaloi në Akademinë e Filmit të Pragës. Aty ndoqi ligjërata nga regjia dhe skenari. Diplomoi në vitin 1952, aty filloi të ligjërojë letërsinë botërore. Në ideologjinë e çekëve të rinj ndikuan me të madhe përvojat e Luftës së Dytë Botërore dhe të pushtimit gjerman. Kështu, në vitin 1948, Kundera i ri, iu bashkua Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Në vitin 1950, ai dhe shkrimtari çek Jan Trefulka (1929-2012), u përjashtuan nga partia për shkak “të veprimtarisë antipartiake”. Këtë incident, që të dy e shtjelluan në pikëpamje letrare. Kjo e frymëzoi Kunderën për temën kryesore të romanit “Shakaja” (1967). Në vitin 1956, Kundera përsëri u pranua në Partinë Komuniste. Në vitin 1970 për së dyti u përjashtua prej saj. Bashkë me artistët dhe me shkrimtarët e tjerë, si dramaturgu çek Vaclav Havel (Václav Havel, 1936-2011), në vitin 1968 edhe Kundera u angazhua në Pranverën e Pragës. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e optimizmit reformist që u shua në gusht të po atij viti me invadimin sovjetik të Çekosllovakisë. Kundera edhe më tej mbeti i angazhuar në reformën e komunizmit çek dhe polemizoi publikisht ashpër, në shtyp, me Havelin, duke thënë se çdokush duhet të jetë i matur për arsye se “ende askënd nuk e burgosin për shkak të mendimit”, ndërsa “pesha e Vjeshtës së Pragës do të mund të ishte më e madhe se pesha e Pranverës së Pragës”.

Në vitin 1956 Kundera u martua me Olga Haasova – Smërçkova (Olga Haasová – Smrčková).   Në vitin 1967 u martua me Vera Hrabánková.   

*   *   *

Shënim: Më 16 janar të vitit 1969, studenti 20-vjeçar i historisë dhe i filozofisë i Fakultetit  Filozofik të Universitetit të Karlovit – Jan Pallah (Jan Palach), duke protestuar kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, dogji veten në qendër të Pragës, në Sheshin Vacllav (Václav), para Muzeut Kombëtar. Vdiq pas tri ditëve. Lindi në Pragë më 11 gusht 1948, vdiq po aty, më 19 janar 1969. Para se të shkonte në pavdekësi, ky hero i shqiptoi fjalët: “Ka çaste në histori kur të duhet të bësh diçka”.        

*   *   *

Në fund Kundera hoqi dorë prej ëndrrave reformiste të veta dhe në vitin 1975 u shpërngul në Francë. Atje u afirmua si një autor i natyralizuar. Në vitet ’90 të shekullit XX shkruan vetëm në gjuhën frënge.

Prej vitit 1981 është qytetar i Francës. Në vitin 2019, pas dyzet vjetësh, Kundera mori shtetësinë çeke.       

*   *   *

Kundera është ndikuar nga tregimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë, Franc Kafka (Franz Kafka, 19883-1924) si dhe nga filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900). Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ai nisi të botojë në vitin 1953. Romanet e fundit i shkroi në frëngjisht.

Konfliktin e vet programor me letërsinë “të eks-statizmit lirik” e paraqet me shembullin e historisë së jetës të poetit të ri i cili talentin e vet dhe ambiciet rinore i vë në shërbim të ideologjisë komuniste. 

Në letërsi u paraqit në vitet ’50 të shekullit XX., me vargjet që i ngrënin lartë mitet komuniste si dhe me dramat me problematikë shoqërore “të angazhuar”. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, u distancua nga fillimet e veta letrare që i quajti “periudhë e papjekurisë”. Në fund të dhjetëvjeçarit, d.m.th. në fund të viteve ’60 t qindvjeçarit të 20-të, u bë personaliteti kryesor i qerthullit të shkrimtarëve të cilët kishin mendime dhe qëndrime kritike ndaj regjimit stalinist. Paraqitja publike e tyre në vitin 1967, inicio “pranverën e Pragës” e cila, në gusht të viti 1968, përfundoi me ndërhyrjen ushtarake sovjetike.

Periudhën “e shtatë arritjeve kulmore” apo të “opusit”, siç i quan vetë ai, e fillon me romanin “Shakaja” (Žert, 1967) të cilin kritika çeke e pret në mënyrë të përmbajtur, ndërsa kritika e huaj – si një sensacion të dorës së parë. Historia jetësore groteske e heroit kryesor të veprës është një kornizë në të cilën autori i pasqyron ndryshimet në shoqërinë çeke në të ashtuquajturën periudhë të real-socializmit (realizmit socialist). 

Në përmbledhjen e tregimeve “Dashuritë qesharake” (Smešné lásky, 1970) renditen dramat e vogla, intime, në të cilat lojërat me objektin e pasionit, si rregull, shqiten nga duart e protagonistëve, duke përfunduar me dëshpërim. 

 Vepra “Valceri lamtumirës” (Valčik na rozloučenou, Toronto 1979), në frëngjisht “La Valse aux adieux”, 1986 është një thurimë e ndërlikuar intrigash dashurie, krijim në prozë plot konfliktesh të pabesueshme dhe përfundimesh të papritura. 

Vepra “Libër qeshjesh dhe harresash” (“Kniha smichu a zapomneni”, Toronto 1981), në frëngjisht “Le Livre du rire et de l’oubli”, 1985) përfshin shtatë tregime relativisht të pavarura me temën e qeshjes (që mund të jetë naive dhe intelektuale) dhe të harresës (që godet botën të pavetëdijshme për vazhdimësinë e vet). 

Vepra më e popullarizuar e Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies” (Nesnesitelná lehkost biti, Toronto 1985), në frëngjisht “L’Insoutenable légèreté de l’être, 1987) merret me motivet e emigracionit, të idilit dhe të kiçit. Heronjtë e saj kthehen nga Zvicra në Çekosllovakinë “e normalizuar” për të kuptuar sesi në të vërtetë ikin nga vetvetja. Idilin provincial të tyre e ndërpret vdekja e papritur në qarkullimin rrugor. 

Romani filozofik “Pavdekësia” (në frëngjisht “L’Immortalité, 1990; në gjuhën çeke “Nesmrtelnost”, 1993), është një sintezë tipike e veprës beletristike dhe eseistike të Kunderës. Në qendër të tij ndodhet figura e njeriut të fundit të shekullit XX, qeniet në një botë pa Zot, të mbështjellë nga reklama, nga manipulimi i mediumeve dhe nga vlerat e rrejshme. 

Kundera është edhe autor dramash. Midis tyre “Monade”, “Lauresha”, “Zhaku fatalist dhe padroni i tij”.

*   *   *

Popullaritet ndër lexues i siguruan pesë romanet e tij. Me romanin “Jeta është gjetkë” (Život je jinde, Toronto, 1979), në frëngjisht “La Vie est ailleurs”, 1987, përqafon modernizmin e traditës kafkiane në kundër-lirizmin, në kundër-romanizmin, në skepticizmin dhe në kriticizmin e tij, së cilës i referohet në esetë të shkruara në gjuhën frënge “Arti i romanit” (L’Art du roman, 1986). 

Romanet dhe tregimet – Shakaja (Žert, 1967); Dashuritë qesharake (Směšné lásky, 1968); Jeta është gjetkë (Život je jinde, 1969); Valceri lamtumirës (Valčík na rozloučenou, 1976); Libër qeshjesh dhe harrese (Kniha smíchu a zapomnění, 1979); Lehtësia e padurueshme e qenies  (Nesnesitelná lehkost bytí, 1984); Pavdekësia (Nesmrtelnost, 1990); Ngadalësia (La Lenteur, 1993); Identiteti (L’Identité, 1998); Injoranca (L’Ignorance, 2000). 

Esetë – Arti i romanit (L’art du Roman, 1985); Testamentet e tradhtuara (Les testaments trahis, 1992); Perdja (Le Rideau, 2005).

Drama – Zhaku fatalist dhe padroni i tij  (Jakub a jeho pán, 1975); “Monade”, “Lauresha”.

*   *   *

Kundera është vlerësuar me çmime ndërkombëtare: 

Prix Médicis étranger, (1973);

Common Wealth Award of Distinguished Service, (1981);

Çmimi Jerusalem Prize for the Freedom of the Individual in Society, (1985);  

Çmimi Shtetëror Austriak për Letërsi Evropiane, (1987);   

Prix de la critique, (1987);

Çmimi “Nelly Sachsové”, (1987);

Medalja për Merita e Klasës së Parë (1995). 

Çmimi ndërkombëtar “Herder”, (2000); 

Çmimin Shtetëror Çek për Letërsi, (2007), etj.  

*   *   *

Sipas kritikëve të caktuar, Kundera e ka merituar edhe çmimin “Nobel” për letërsi, por nuk ia doli të laurohej.  

Prof.Xhelal Zejneli 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Xhelal Zejneli

POETJA E VRARË…ANTOLOGJI UKRAINASE…

July 12, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti -/

Ukraina qëndron… Ajo po lufton, po lufton dhe me libra, me poezi, po fiton…Bota u trondit sërish, kur u vra nga bombardimet poetja dhe romancierja e re Victoria Amelina, dëshmitarja e sulmeve ruse, me artin e saj. Mediat në Perëndim, në Itali, Francë, etj, e deri në SHBA e shpërndanë lajmin e kobshëm: po bombardohet poezia…

Edhe një miku ynë shkrimtar, Dashnor Kokonozi, shkruajti i pari për atë…

Ukraina na dhimbet, Ukraina na mrekullon, vazhdon jo vetëm luftën, por dhe luftën kulturore, takimet letrare, çmimet, përkujtimoret, botimet, ja, Panairi i Librit në kryeqytet, në Kyiv, etj, etj.

Miku dhe poeti i dashur ukrainas Dmytro Chystiak nxori një antologji të poezisë së popullit të tij, “Klarinetat diellore”, me nja 50 poetë, në gjuhet frënge dhe atë italiane dhe po përurohet si të ishte një mision. Ai kujton ata që kanë mbështetur Ukrainën tani, poezinë e saj të lirisë dhe rendit vendet nga janë: Shqipëri, Belgjikë, Brazil, Spanjë, Itali, Kanada, Poloni, Rumani, Slloveni, Turqi, Hungari, Francë, Zvicër… Shqipëria sigurisht është e para se fillon me A, Albania. Ndërkaq atje, në Ukrainë, edhe pse janë të gjithë të armatosur, nuk po gjej ankesa që s’është ky poet apo ai a unë e të qëllojnë mbi antologjistin, të marrin tanksin dhe të hedhin predha mbi shtëpinë botuese a raketa mbi promovimet…

Vetëm pushtuesit rusë vranë dhe një shkrimtare ukrainase së fundmi, Victoria Amelina, 37 vjeçe, ishte më koleget e saj të huaj në një pizzeri dhe po bisedonin për organizimin e Festivalit të ri të poezisë, “New York”, poezia si metropol…

Ndërkaq në Kiev para u bë Panairi i Librit, pllakati i tij, punim i çiftit të dy artistëve, Romana Rymanyshyn dhe Andriy Lesiv, bëri “xhiron e botës”, sepse “Librat janë mbrojtje kundër çmendurive të çdo lloji”, shkruanin gazetat dhe kompozimi ishte i tillë, shikojeni: poshtë një libri të hapur si nën një strehim janë njerëz, burra që mbajnë librin mbi krye, me shpatulla, me krahë, me muskujt e mendjes e të shpirtit, edhe një foshnjë nga karroca e saj zgjat këmbkat të mbajë librin të mos bjerë, edhe një njeri me bastun mundohet të largojë një gjarpër në anë, kurse sipër librit rrumujshëm janë raketat, avionët luftarakë bombardues, tanket, (pikërisht mbi këmbkat e foshnjës), misilet, shkrepëtimat e tyre mizore, shenjat e trafikut të vdekjes…

Dhe një shkrimtare u vra… ciflat e bombave na kapën të gjithëve, mishi i poezisë rrjedh gjak…

Tre poezi të saj këtu, trini në nderim të triumfit të jetës mbi vdekjen, të qëllimit hyjnor, të vetë poezisë që po lufton, të Victoria Amelina-s, të atij çasti, për ju…

VICTORIA AMELINA

(1 Janar 1986 – 1 Korrik 2023)

STATISTIKAT E HUMBJEVE…

Statistikat e humbjeve tona janë sekrete,

deri në fund të luftës, nuk ka shifra.

Aty do të jetë fqinji, burri i asaj gruas

eksentrike që mbolli lulet e kuqe.

Miku, i cili nuk lajmëroi askënd.

Mësuesi që e pëlqenim aq shumë.

Ajo vajza irrituese dhe piktori

i çmuar nga të gjithë, që e dashuronin.

Në emër të sekretit shtetëror,

Betohem, nuk do t’i numëroj

të rënët tanë,

Nuk do t’i numëroj deri në rraskapitje

dhe deri në fund të luftës.

(Në fakt u përpoqa të numëroj – por

e humba.)

Lviv, 7. V. 2022

SIRENAT

Sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin

Ndjehen sikur të gjithë

janë nxjerrë jashtë për ekzekutim

Por vetëm një person është

në shënjestër

Zakonisht ai më këndej…

Këtë herë jo ti; gjithçka e qartë.

NUK SHKRUAJ POEZI

Nuk shkruaj poezi

shkruaj prozë

Por realiteti i luftës

i ha shenjat e pikësimit

kohezioni i fakteve

kohezionin ha

Sikur në gjuhë

të kishte rënë një granatë

copërat e gjuhës

janë poezi

por unë s’jam

dhe as kjo nuk është.

Ajo është në Charkiv

Ajo po lufton

Përktheu: Eda Zhiti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

“Alf Layla wā Layla”: 1001 Netët e Orientit dhe 3 Versione të  hershme përkthimi në Shqip të bazuara në Gjuhët e Oksidentit*

July 11, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj- Studiues)/

“Njëmijë e Një Netët” (Alf Layla wā Layla) është një thesar i çmuar i Letërsisë Botërore dhe mbetet padyshim një prej veprave më popullore, më të dashura për lexuesin (pavarsisht moshës, gjinisë a kombësisë) dhe të përkthyera në një mori gjuhësh botërore. I përmëndur për herë të parë nga Al-Mas’ūdi në vitin 947 A.D në librin e tij “Murûj adh-dhahab”(“Luadhet e Arta”) e më vonë nga Al-Nadīmi në “Al- Fikhrist” (“Katalogu” i tij), ky koleksion historish (me origjinë Perse, Indiane, Arabe, Greke, etj)  është  konfirmuar madje edhe shkencërisht prej Orientalistes së Universitetit të Çikagos, Nabia Abbot përmes një fragmenti papirusi të gjetur prej saj, i cili i përket Shek.9. Ky koleksion, me kalimin e kohës u pasurua si në formë gjithashtu edhe në përmbajtje dhe mori trajtën që njohim sot duke u redaktuar për herë të fundit në Egjipt në Shek.14 gjatë kohës së Dinastisë Mamluke Burji. 

Versionin e parë Evropian të këtij “xhevahiri të Orientit” na e jep për herë të parë Orientalisti Francez Antoine Galland me titullin “Les mille et une nuits, contes arabes traduits en français” (Njëmijë e Një Net, Rrëfenja Arabe të përkthyera në Frëngjisht) një vepër kjo prej 12 Volumesh, botuar gjatë një harku kohor prej 13 vitesh (1704-1717) dhe e bazuar mbi një Dorëshkrim Sirian të Shek.14.Përkthimi i saj në gjysmën e parë të Shek.18 do të hapte rrugën dhe do të pasohej për rrjedhojë me një sërë përkthimesh të tjera të “1001 Netëve” në gjuhët evropiane si: Anglisht, Gjermanisht, Spanjisht, Italisht, e kështu me radhë.

“Në Hien e Hurmave”, Kopertina e Versionit të Parë në Shqip të “1001 Netëve” prej Faik Konicës (1924)

Megjithëse jo prej origjinalit, versionin e parë në Shqip të “1001 Netëve” në shqip na e jep eruditi ynë Faik Konica me veprën e tij “Në Hien e Hurmave”, të përkthyer nga Anglishtja dhe të botuar në vitin 1924.Në Parathënien e këtij botimi Konica i citon përkthyesit e shquar britanikë (Scott, Payne, Burton, etj) të kësaj kryevepre por nuk e përmënd versionin anglez të përkthimit të cilit ai i është referuar. Konstatimit të drejtë të studiuesve se tek versioni i “1001 Netëve” të Konicës mungon elementi i Seksualitetit i përgjigjemi që kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se Konica e bazon përkthimin e tij në versionin e Orientalistit Britanik Edward William Lane, një puritan i devotshëm “i cili e ka çensuruar jo vetëm këtë element por edhe gjëra të tjera të papërshtatshme sipas tij” në veprën  prej 3 volumesh, “One Thousand and One Nights”(1840).Vepra e Konicës do të ribotohej edhe në vitin 1943 prej Shtëpisë Botuese “Argus” të intelektualit pro-perëndimor Dhimitër Canco.

Një version të dytë “tejet divers” na paraqet përkthyesi dhe publicisti Dhimitër Falo.Falo, i cili deri në këtë moment që flasim nuk përmëndet fare prej studiuesve për këtë kontribut madhor, e ndërmerr këtë nismë në vitin 1930 me përmbledhjen me rrëfenja “Gjylnar”.Nismë e cila do të pasonte me një seri përkthimesh të kësaj kryevepre, të cilat ai i titullon sipas një rrëfenje specifike të “Alf Layla wā Layla-s”.Vëllimi i fundit që njohim i përkthyer prej Falos i përket vitit 1938 dhe titullohet “Sindbad es Sawah” (Sindbad Detari).Versioni i “1001 Netëve” të Falos bazohet tek përkthimi i “Le Livre des mille nuits et une nuit” (Libri i Njëmijë e Një Netëve) të Orientalistit Francez Joseph Charles Mardrus, një vepër kjo e botuar fillimisht në 16 volume përgjatë viteve 1899-1904 (Vëllimin e parë të së cilës do t’ia dedikonte poetit të madh francez, Stéphane Mallarmé) dhe e reduktuar në 12 të tillë me ribotimin e saj përgjatë viteve 1926-1932.Nëse ndjekim rrjedhën kronologjike, përgjatë periudhës 1930-1938 na rezulton që Falo të ketë sjellë në shqip të paktën 8 libra me përmbledhje rrëfenjash prej kësaj kryevepre (Në dijeninë time, 4 prej tyre janë tashmë pjesë e Koleksioneve Private). 

C:\Users\Admin\Desktop\FullSizeRender (Dhimiter Fallo)3.jpg

“Harun al-Rashid” (Vëll.4), Kopertina e Versionit të Dytë në Shqip të “1001 Netëve” prej Dhimitër Falos (1934)  

Vlen të theksojmë se ndryshe nga Konica, tek përkthimi i Falos imagjinata është e gjallë dhe plot ngjyra, sensualiteti po ashtu, madje edhe përshkrimet erotike rrjedhin lirshëm dhe pasqyrohen besnikërisht si në versionin përkthimor të Mardrus.Një kontribut ky sa letrar po aq edhe ideor, për thyerjen e tabuve, luftimin e mëndësisë së kullës dhe emancipimin mendor të Shoqërisë Patriarkale Shqiptare të Viteve 30-40-të.            

Versioni i Tretë në Shqip i kësaj kryevepre të pakohë na ofrohet në mesin e viteve 60-të prej shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Mustafa Greblleshi. Kjo vepër e Greblleshit, bazuar në përkthimin frëng të Galland do të kishte një fat tejet të çuditshëm. Greblleshi, i konsideruar si “Armik i Klasës” prej Sistemit Komunist nuk do ta kishte fatin që ta shikonte botimin e saj sa qe gjallë. E botuar me emrin e Përkthyesit vetëm në vitin 1986, kjo “përmbledhje selektive” prej 20 rrëfenjash do të kalonte në filtrin e çensorëve të rreptë të Partisë  dhe do të sillte për pasojë si produkt përfundimtar një “Njëmijë e Një Net” të thatë, skematike, jo të gjallë dhe brënda Moralit dhe Dogmës Komuniste. Kështu psh, elementi erotik, aq i gjallë dhe i dëndur në rrëfenjat e “1001 Netëve” jo vetëm që është pastruar krejt prej këtij versioni por gjithashtu ky i fundit do të mbahet mënd gjatë edhe për “moralin e lartë komunist të Çensorit” duke ndërfutur brënda tekstit edhe frazën lapidare: “Ngjarje që s’na i lejon edukata ti tregojmë”! (Shih: f.24) Përkthimet e plota të “1001 Netëve” të Greblleshit (një vepër kjo prej 4 volumesh) do të botoheshin vetëm në vitin 2005 nën kujdesin e studiueses dhe botueses Brikena Çabej.

C:\Users\Admin\Desktop\M.Greblleshi, vitet 60.Botuar me 1986 (2).jpg

“Një Mijë e Një Net”, Kopertina e Versionit të Tretë “selektiv” të Mustafa Greblleshit (Përkthyer në Vitet 60-të dhe e botuar me emrin e përkthyesit vetëm në vitin 1986)

Si përfundim, mund të themi se pavarësisht karakteristikave “të trashëguara” prej veprave të autorëve në të cilat janë bazuar (Galland, Lane dhe Mardrus) dhe kontekstit kohor, përkthimet e “1001 Netëve” prej Konicës, Falos dhe Greblleshit përbëjnë një vlerë të shtuar në thesarin e gjuhës shqipe.Përkthyesit në fjalë jo vetëm që që qenë të parët që sollën në gjuhën amë këtë “melting pot” kozmopolit siç është “1001 Netët” por ata kontribuan gjithashtu edhe në kulturën shqiptare, pasi çdo përkthim i realizuar është një mjet i drejtpërdrejtë pikëtakimi ndërmjet popujve dhe kulturave, për rrjedhojë edhe i vet komunikimit ndërkulturor, siç është në esencën e saj edhe “Njëmijë e Një Netët”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT