• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

George Scriven dhe shkrimet e tij mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët

September 28, 2025 by s p


George Scriven dhe Shkrimet e Tij mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët


NGA NDREK GJINI

MA, University of Galway, Ireland


George Percival Scriven (1854-1940), ishte një nga oficerët më të shquar të ushtrisë amerikane. Ai la gjurmë të veçanta në historinë ushtarake dhe diplomatike të fillimit të shekullit XX.

Megjithatë, për shqiptarët dhe studiuesit e Ballkanit, trashëgimia e tij më e çmuar nuk janë vetëm arritjet në fushën e aviacionit dhe karriera ushtarake, por janë shkrimet e tij mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përmes këtyre shkrimeve, ai bëhet jo vetëm një dëshmitar i kohës, por edhe një avokat i heshtur i së drejtës së shqiptarëve për pavarësi.

Shqipëria në vepra dhe vëzhgime të dorës së parë

Scriven u gjend në një pozitë të privilegjuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Si atashe ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Romë, ai kishte akses të drejtpërdrejtë në zhvillimet ushtarake të Italisë dhe aleatëve të saj në Ballkan.

Shqipëria, e pushtuar e ndarë mes forcave të huaja, ishte një nga pikat më delikate të rajonit. Prej vëzhgimeve të tij lindën disa artikuj shumë të rëndësishëm që ruajnë edhe sot një vlerë të veçantë historike dhe letrare.

Artikulli i parë madhor i tij mbi Shqipërinë, “Vëzhgimet e fundit në Shqipëri”, u botua në gusht 1918 në National Geographic. Ky ishte një ese e gjerë, e shoqëruar me ilustrime rrëfime, që solli për lexuesit amerikanë peizazhet, popullin dhe realitetet e Shqipërisë së kohës së luftës.

Në një kohë kur imazhi i Shqipërisë ishte i mjegulluar ose i shtrembëruar në shtypin ndërkombëtar, Scriven nxori në pah dinjitetin dhe forcën jetike të këtij kombi të vogël. Qasje e tij nuk ishte thjesht ushtarake; ai shkroi me ndjeshmëri të veçantë njerëzore dhe me realitet e dashuri për fatin e shqiptarëve nën pushtim dhe për aspiratat e tyre për liri.

Pas mbarimit të luftës, artikulli “Zgjimi i Shqipërisë”, botuar në Geographical Review në 1919, dha një panoramë më analitike mbi gjendjen e vendit. Scriven e pa Shqipërinë si një komb në zgjim, midis presioneve të jashtme dhe një energjie të brendshme për të ndërtuar shtetin modern.

Ai analizoi me kthjelltësi sfidat politike dhe diplomatike që mbështillnin të ardhmen e vendit, duke theksuar se shqiptarët kishin aftësinë dhe të drejtën për të qenë zotë të fateve të tyre. Ky tekst është cituar gjerësisht nga studiues më vonë, për shkak se përfaqëson një prej vlerësimeve më të sakta dhe të ndershme të autorëve amerikanë për nacionalizmin shqiptar në periudhën pas luftës.

Shkrimet e tij nuk u ndalën këtu. Në mars të vitit 1920, në North American Review, ai botoi artikullin “E ardhmja e Shqipërisë”. Në këtë shkrim, ndryshe nga natyra më përshkruese e teksteve të tjera, Scriven u shfaq hapur si avokat i çështjes shqiptare.

Ai argumentonte se Shqipëria nuk “kishte nevojë për padron”, por meritonte të ekzistonte si shtet i pavarur. Ky artikull botohej pikërisht kur në Paris fuqitë e mëdha diskutonin ndarjen ose protektoratin mbi Shqipërinë. Zëri i Scriven, i mbështetur në reputacionin e tij ushtarak, përforconte përpjekjet e delegacioneve shqiptare dhe të Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA për të fituar mbështetjen ndërkombëtare.

Një vit më vonë, në mars 1921, ai botoi studimin “Disa rrugë të Shqipërisë dhe një rivierë e harruar”, përsëri në Geographical Review. Ky artikull fliste për rrjetin rrugor, bregdetin shqiptar dhe rolin strategjik të tyre.

Për Scriven, infrastruktura shqiptare nuk ishte vetëm çështje zhvillimi ekonomik, por edhe siguri rajonale. Ai shihte qartë se kushdo që kontrollonte rrugët dhe portet shqiptare do të kishte një rol vendimtar në Adriatik dhe në ekuilibrat e Ballkanit.

Perspektiva e Scriven mbi shqiptarët dhe nacionalizmin

Në shkrimet e tij vërehet një dallim i qartë nga shumë vëzhgues të tjerë të kohës. Ndërsa shumë diplomatë dhe ushtarakë perëndimorë shihnin nacionalizmat ballkanike si burim kaosi, Scriven tregonte mirëkuptim dhe simpati për aspiratat shqiptare. Ai nuk i konsideronte ato thjesht një pjesë të politikës së Fuqive të Mëdha, por një forcë të natyrshme të zhvillimit historik të rajonit. Për të, pavarësia shqiptare ishte jo vetëm një e drejtë morale e shqiptarëve, por edhe një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Mesdheun Lindor.

Kjo qasje shpjegon edhe kontaktet e tij me përfaqësuesit shqiptarë të diasporës në SHBA dhe me Federatën Panshqiptare “Vatra”. Në dhjetor 1918, kjo shoqatë kërkoi ndërmjetësimin e tij për të siguruar ndihmë amerikane në formimin e një xhandarmërie shqiptare. Edhe pse projekti nuk u realizua, fakti që shqiptarët iu drejtuan Scriven-it tregon besimin që ata kishin tek drejtësia dhe simpatia e tij për çështjen shqiptare.

Vlera historike dhe letrare e shkrimeve shqiptare të Scriven

Shkrimet e Scriven mbi Shqipërinë dallohen për qartësi dhe saktësi, por edhe për një ton të ngrohtë që i shmanget paragjykimeve. Si ushtarak, ai kishte syrin e stërvitur për të dalluar rëndësinë strategjike të territorit, portet e Vlorës apo rrjetin e rrugëve që lidhin brigjet me brendinë territorial të Shqipërisë. Por, si vëzhgues me shpirt të pastër e dije të gjëra, ai shkruante saktë dhe shprehte vlerësim të lartë për peizazhin dhe jetën shqiptare në shkrimet e tij të botuara në shtypin perëndimor.

Më e rëndësishmja, Scriven u bë një nga figurat që ndikuan drejtpërdrejt opinionin publik amerikan mbi Shqipërinë. Artikujt e tij në revista prestigjioze u lexuan nga qarqe akademike, politike dhe ushtarake në SHBA dhe Europë.

Raportet e gazetave të kohës, si “The New York Times”, cituan vëzhgimet e tij për Shqipërinë dhe rolin e ushtrisë italiane në rajon. Kjo ndihmoi që kauza shqiptare të merrte më shumë vëmendje ndërkombëtare.

Trashëgimia e Scriven

Nëse pjesa tjetër e karrierës së Scriven lidhet me telekomunikimet ushtarake dhe aviacionin, pjesa shqiptare e veprës së tij mbetet një testament i vyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ai e pa Shqipërinë si një vend që meritonte të vendoste vetë për të ardhmen e vet, e jo si një objekt pazari në duart e fuqive të mëdha.

Sot, historianët që merren me Luftën e Parë Botërore dhe historinë e nacionalizmit shqiptar, duhet t’i shohin artikujt e tij si një burim të dorës së parë. Kjo pasi këto artikuj  dëshmojnë jo vetëm për vështirësitë e shqiptarëve gjatë viteve të luftës, por edhe për mbështetjen që gjeti Shqipëria tek personalitete të ndershme e të respektuara në Perëndim.

Në këtë kuptim, Scriven nuk ishte thjesht një oficer amerikan i shquar. Ai ishte gjithashtu një ndër zërat e huaj të parë që artikuloi qartë se Shqipëria kishte të drejtë të ekzistonte si shtet i pavarur, duke e quajtur atë një “vend të çudirave” që nuk duhej vënë nën sundimin e askujt.

Ky mesazh, i ardhur nga faqet e revistave amerikane, i dha kombit shqiptar një aleat të çmuar në një nga momentet më të rrezikshme të historisë së tij moderne.

Filed Under: LETERSI

Victor Hugo, gjeniu francez i letërsisë, që befasoi edhe si piktor

September 25, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ai nuk ishte një gjeni vetëm në poezi, në romanet e tij monumentale, në dramat që bënë epokë. Ai kishte thellë në shpirtin e tij një gufim shpues energjie që e hovte në të tjerë dimensione shprehëse, edhe pse ju dha me zemër dhe u kujdes ta mbante sa më larg atyre që tashme e kishin zgjedhur si “shenjtor” të letërsisë. Ai nuk do t’i qasej përjetësisë vetëm si poet, romancier dhe dramaturg, një nga më të zëshmit e Francës, por edhe një artist, piktor akuarelesh, hartues dhe karikaturist. Ai qe i vëmendshëm në leximin dhe dëshmimin e realitetit, me shpirtëroren, me të cilën ai luftoi dhe besoi. Ishte virtuoz dhe i mprehtë për të kapur momentin që nuk u mjaftua së skalituri vetëm me pasion dhe me penë, por edhe me laps, karbon, pend dhe penel, me koloritin e kohës së tij, me atë zëshmëri gjëmuese që vetëm kafja dhe e errëta do të mund ta jetësonin si në rrëfimet e tij ngjethëse; në poezi, roman dhe dramaturgji, ashtu edhe në ato copëza kartoni dhe letre.

Victor Hugo prodhoi më shumë se 4000 vizatime. Fillimisht i yshtur si një hobi i rastësishëm, vizatimi u bë gjithnjë e më i rëndësishëm për Hugo pak para mërgimit të tij, kur ai mori vendimin të ndalonte së shkruari në mënyrë që t’i përkushtohej politikës. Vizatimi u bë një shpërthium ekskluzive krijuese gjatë periudhës 1848-1851. Hugo punonte vetëm në letër, dhe në madhësi relativisht të vogëla. Zakonisht ai punonte me lapsa, me bojë kafeje të errët ose të zezë, ndonjëherë me prekje të bardhë, dhe shumë më rrallë me ngjyra. Vizatimet që kanë arritur të mbijetojnë, parë në rrafshin kritik, janë realizuar sipas një stili modern. Të kësaj pritshmërie janë realizimi i tyre, duke i krahasuar ata me teknikat eksperimentale të Surrealizmit dhe ekspresionizmit abstrakt.

Ai e mbajti veprën e tij artistike jashtë syrit të publikut, nga frika se mos e zbehnin hijeshinë e veprave të tij letrare, ata të cilat edhe e bënë atë që ne njohim sot. Sidoqoftë, atij i pëlqente të ndante vizatimet e tij me familjen dhe miqtë e tij, shpesh në formën e kartave telefonike të bëra në mënyrë ornamentale, shumë prej të cilave u ishin dhënë si dhurata vizitorëve, kur ai ishte në mërgim politik. Disa nga pikturat e tij u treguan dhe u vlerësuan nga artistë bashkëkohorë si Vincente Van Gogh dhe Eugène Delacroix; ky i fundit shprehu mendimin se nëse Hugo do të kishte vendosur të bëhej piktor në vend të një shkrimtari, ai do të kishte shkëlqyer nga artistët e tjerë bashkëkohës.

Ne nuk duhet të harrojmë se në prodhimin e gjerë të Victor Hugo, planet e tij. Ai është një vetë-mësimdhënës dhe nuk heziton të eksperimentojë me teknika të reja dhe përbërës të rinj, nga bojë në kafe, deri në qymyr, duke përdorur gjithashtu pendë në vend të furçave.

Në përgjithësi veprat e tij janë të madhësisë së mesme dhe në shumicën e rasteve përdoren për të ilustruar shkrimet e tij, ose si dhurata për t’u dërguar miqve në raste të veçanta. Për të ky art është kryesisht një kalim kohe dhe kurrsesi Hugo nuk pretendoi të kërkonte famë si piktor. Fillimisht veprat e tij janë qartësisht realiste, vetëm për të përvetësuar një dimension më fantastik me mërgimin dhe përballjen e tij “mistike” me detin. Kjo tendencë do të vlerësohet shumë për të: Charles Baudelair, i cili mësohet të jetë shprehur se:

“Nuk gjeta midis ekspozuesve të Sallonit, imagjinatën e mrekullueshme që rrjedhin në vizatimet e Victor Hugo si mister në qiell. Unë flas për vizatimet e tij me bojë indiane, sepse është shumë e qartë se në poezi, poeti ynë është mbreti i peizazhit”. Ky përkufizim tregon një vlerësim të shtuar dhe një njohje që i bërë punës së tij krijuese si piktor.

Filed Under: LETERSI

“Respoetica”

September 24, 2025 by s p

Agim Baçi/

Festivali Ndërkombëtar “Respoetica”, zhvilluar për të dytin vit në Prizren, nën ideimin dhe drejtimin e poetes Vlora ZN. Ademi, solli në ditën e tretë të festivalit, një diskutim për Martin Camajn, zërin poetik që vijon të na marrë përdore drejt njohjes së Njeriut, duke na rrëfyer se kur një zë është origjinal, ai mundet ta gjejë gjithnjë shtegun drejt lexuesit, edhe kur ndaj tij kanë vërshuar lumenjë pengesash, në atë kohë errësire, apo edhe sot që duket se kemi ndezur disa drita për të parë të penguarën, të mohuarën. Fatmirësisht për ne, për bukurinë e gjuhës shqipe, për mrekullinë e imagjinatës, Camaj po njeh çdo ditë e më shumë lexues, duke qenë padyshim zëri që meriton të jetë fytyra e poezisë.

Shënime për përmbledhjen “Vepra poetike”, botuar nga Onufri në vitin 2017.

Camaj, polifoni e zërave njerëzorë!

Poezia e Martin Camajt shket mes akullit dhe zjarrit duke kërkuar që të rrokim dashurinë, dridhjen, trishtimin dhe këngën njëkohësisht. Eshtë zë prej kohës që kurrë s’ndalet e që e merr njeriun përdore duke e shëtitur në viset e admirueshëm të së bukurës dhe mallit.

E gjithë poezia e tij është një udhëtim drejt njeriut dhe vendlindjes. Të gjitha stacionet e tjera të përkohësisë janë thjesht për të mbushur atë tren të duhur, që bart shumëçka për të patur së fundmi një grafikë të gjithë shfaqjes së tij letrare, ku ezkistojnë gjithë ngjyrat e duhura për ta pikturuar fytyrën e njeriut që dëshirojmë të njohim.

Nuk mundesh ta kuptosh Camajn përmes krahasimit, edhe pse thuajse i gjen aty gjithë zërat e mëparshëm të poezisë shqipe apo bashkëkohësve të tij botërorë. Ai është zëri origjinal pa prishur dhe pa mbytur meloditë e mëparshme poetike. Duket si një sfidë me gjithçka, por varg pas vargu kupton se është veç dashuri për gjithçka. Gjuha e tij bart gjithë shpirtin e gegnishtes, të cilën e sjell si një violinë, me telat e gjithë dashurisë së mundshme. Si gurgdhendës Camaj ndërton kullën e tij të fjalëve – një kullë ku shtretërit janë me fjalë zemre dhe mall prej mëmëdheut.

Poeti të lë të kuptosh se e di shumë mirë se cilët emra e fytyra mbeten përherë për ta udhëzuar njeriun, ndaj dhe vjen e vesh kostumin e rojtarit të fjalës, të fytryrës së përhershme të njeriut që ka nevojë për të skalitur gjithçka që deshi. Jo si mungesë. Jo si protestë. Por si dashuri për atë që mundi dhe për atë që deshi ta kishte gjithnjë pranë vetes.

ROJTARI I MUZEUT NACIONAL

Ndër bebza ka gdhendun fytyra

Guri rilindësish

Varg mbi lëpiza si mbas kohe.

Në rrugë i digjen në tru

Fytyrat çdo mbrëmje

Me rrezet e sprapsme

Ndër qelqe dritaresh.

S’dallon as faqen e malit përballë

E ec tue prekë me shkop.

A thue i verbët? (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.321)

Martin Camaj noton lirshëm në lumin e mendimit të tij për botën, femrën, tjetrin, mungesën dhe praninë. E fut veten në hullinë e atyre që e rrok njeriun që nga udha më e hershme, e ia hap shtegun edhe për të nesëmren. E ndërkaq, për të kuptuar gruan me gjithë dëshirat dhe ëndrrat e saj, zgjedh Dranen. Më prozat poetike nis të udhëtojë në kohë dhe hapësirë, të ketë ligjet e dheut nga ky mësoi gjuhën e nanës e gjer në udhëtimin për të cilën ka nevojë njeriu – në udhëtimin për t’u njohur me veten dhe botën. Vargjet apo proza poetike e Camajt vjen përmes një ledhatimi fjalësh, a thua se gjithçka e bukur është bërë për gjuhën dhe mendjen e tij.

NJI SHPIRT

Gjithmon’ heshton e veç kur t’pyesin flet.

Bota shqimin kur ndër sy ta ngul

E me i kallxue shpirtin e mshefun pret

Ti ballin ul.

Ballin e ul, jeton n’vedi si vjollca

E mshefun n’çuba, ku njeri s’kalon.

Por prujtunija t’del në gjak ndër mollza

E shpirtin t’zblon:

Nji bot’ t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,

Ku andrra bredhin si re t’bardha n’qiell,

Ku vllajt e luleve presin n’vetmi

Me i nxe nji diell. (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.625)

Filed Under: LETERSI

NA MBLEDH PROFESOR STAVRO SKENDI SI NJË “RILINDJE KOMBËTARE SHQIPTARE”…

September 21, 2025 by s p

Nuk është vetëm lajm i bukur, por edhe ngjarje, jo vetëm kulturore, por edhe rilindase…

Lexoj:

🔴⚫️ Të martën, më 23 shtator 2025, ora 18:00, ju ftojmë në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune në Bukuresht, për promovimin e vëllimit „Rilindja Kombëtare Shqiptare: 1878–1912”, të prof. Stavro Skendi, në përkthimin e Dr. Radu Săvulescu-t.

🔴⚫️ E konsideruar si një nga veprat më të cituara në literaturën e specializuar, libri i profesor Stavro Skendit përfaqëson një kontribut themelor në historiografinë shqiptare dhe ballkanike. I botuar fillimisht nga Princeton University Press (SHBA), në vitin 1967, me titullin „The Albanian National Awakening, 1878–1912”, ky studim është rezultat i një hulumtimi të kujdesshëm dhe është bërë vepër referuese në studimet e albanologjisë dhe të historisë krahasuese.

🔴⚫️ Profesori Stavro Skendi (1905–1989) njihet si një nga albanologët më të rëndësishëm të shekullit XX, i mbiquajtur „dekani i studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara”. Vepra e tij përfshin tituj si „Poezia epiko-gojore shqiptare dhe e sllavëve të jugut” (1954, 1969), „Studime kulturore ballkanike” (1980), si edhe dhjetëra artikuj të botuar në revista akademike prestigjioze si The American Historical Review, Foreign Affairs apo Political Science Quarterly. Kontributet e tij shtrihen në fusha të ndryshme – histori, gjuhësi, letërsi, fe, shkenca politike dhe kulturë – duke u vlerësuar për rreptësinë shkencore, ndërdisiplinaritetin dhe thellësinë.

🔴⚫️ Përkthimi në gjuhën rumune është botuar nga Shtëpia Botuese Asdreni, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) dhe Princeton University Press, dhe është realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë, përmes Departamentit për Marrëdhënie Ndëretnike, që ofron fonde për organizatat e qytetarëve që i përkasin pakicave kombëtare.

🔴⚫️ Hyrja për publikun është e lirë, në limitet e vendeve të disponueshme, dhe secili nga pjesëmarrësit do të marrë falas një kopje të librit.

* * *

Më mrekullon e gjithë ajo që shkruan Dr. Luan Topciu në Bukuresht.

Ështe vepër dhe punë, përzgjedhje, mençuri, akt, jo vetëm për diasporën shqiptare në Rumani, por për të gjitha diasporat tona në botë e patjetër dhe për dheun amë…

“Libri jepet falas” – lexoj. Vërtet mision rilindas, dashuri për kulturën, lexuesit, vepra do të shkojë në të gjitha bibliotekat e Rumanisë e në katedrat letrare e panairet e librit kudo…

“RENASTEREA NATIONALÃ

ALBANEZÔ

E përktheu nga anglishtja në rumanisht Dr. Radu Săvulescu, Presidenti i Shoqatës së Shqiptarëve në Rumani, një intekektual i lartë, studiues dhe përkthyes i mjaft veprave të tjera për Shqipërinë.

“Hyrja për publikun është e lirë” – lexoj, dyert janë të hapura, pa roje akademike e veçime intekektualiste… dhe e di që do të venë plot njerëz të kultures, letersisë dhe arteve, shkrimtarë, studiues, studentë, lexues, dashamirës, etj, por a do të ketë përfaqësues zyrtarë të Shqipërisë?

“KARTELA TË REALIZMIT

TË DËNUAR”

Në studimin tim për “Letërsinë tjetër” atë që erdhi nga ndalesat e diktaturës komuniste dhe harrimet zyrtare, nga burgjet dhe internimet dhe nga diaspora si qendresë dhe kulturë dhe moral, kur sundonte Realizmi Socialist, në “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe ajo e patriotit dhe luftëtarit Stavro Skendi, që pushtuesi fashist e internoi në ishujt e trishtë të Italisë:

Stavro Skëndi

(1905 – 1989)

…shqiptar tjetër i Ventotene-s, mik dhe ky me ideatorët e Europës së Bashkuar, i internuar si kundërshtar aktiv i pushtimit italian, që, me t’u liruar nga ishulli plot erëra i dhembjes, shkon të vazhdojë luftën për çlirimin e vendit, bashkohet me Ballin Kombëtar.

Kishte studiuar në shkollën amerikane të Stambollit, në Robert College, (Gjej se aty më vonë është diplomuar dhe shkrimtari Orhan Pamuk, nobelisti i parë turk), pastaj kryen universitetin për studime ndërkombëtare në Gjenevë. Kthehet në atdhe dhe jep leksione në shkollën tregtare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkohet me frontin e Ballit Kombëtar. Komunistët nuk mund t’ia falnin kët;e, aq më tëpër që ai ishte kundër revolucioneve, por për evolucionet, për zhvillimin shkencor dhe kulturor të Shqipërisë.

Shkon në SHBA në vitin 1946, punon në Columbia University, i përkushtohet Albanalogjisë, boton studime dhe libra për Shqipërinë, për ekonominë dhe politikën e izolimit, Rilindjen, alfabetin, poezinë e letërsinë më gjerë, në Ballkan, etj.

Jeta e tij përmbledh 8 dhjetëvjetësha të historisë së vendit, Shpalljen e Pavarësisë, mbretërinë, Luftën e Dytë Botërore, vendosjen e komunizmit, që ai e shikon si tragjedi kombëtare dhe emigracionin, veprimtaritë e diasporës.

E trondit dhe e dëshpëron së tepërmi mbyllja e atdheut, shtypja që i bëhej intelektualëve dhe artistëve si gjithë popullit..

Vdes në Nju-Jork, atë vit kur do të shëmbej Muri i Berlinit dhe do të fillonte të binte perandoria komuniste dhe diktatura në atdhe.

* * *

“ZGJIMI KOMBËTAR SHQIPTAR”

A është botuar në Shqipëri vepra

“The Albanian National Awakening, 1878–1912”

A është përkthyer?

A DINË GJË STUDENTËT

PËR PROFESOR STAVRO SKENDIN?

– Po patronazhistët? –

Çfarë thuhet në Universitet tona?

Flasin pedagogët për atë? Kritikët e letërsisë a i referohen siç bëjnë studiuesit nga bota? Po shoqatat në diasporë…

Po patronazhistët apo thjesht e shohin si ballist?!

Siç duket janë më interesante studimet për gjellët e Ballkanit, ato serbe e greke sidomos, që kanë gatuar dhe me kokat e shqiptarëve…

Mos Stavro Skendin e shohin si të arratisur politik nga regjimi, ashtu siç e dinë ata, të mësuar nga filmat e socializmit me ballistë e diversantë, grotesk dhe absurd i vetvetes, por gjithsesi mendimi kritik edhe këtej, atë që la trashëgim Konica e Noli e Profesorët Stavro Skendi e Arshi Pipa e bashkëpunëtorë të tyre në “Diellin” që i bashkonte, ka gjetur vazhdimësi e dinjitet, ka krijuar një peizazh të ri të fjalës shqipe, pavarësisht shfaqjes së ndonjë rudimenti patronazhist, fare pa rëndësi. Tani ata kanë porosi dhe prapavijë të njohin letërsinë shqipe me Inteligjecë Artificiale dhe rrëmojnë si hiena në realizmin socialist për të gjetur ushqim dhe vjellin vrer mbi zhvillimet e reja dhe demokracinë dhe atdheun.

Por është bjerrje kohe të merresh me ta, që të duan si veten.

Më rëndësi ka ajo recensa e thjeshtë

me pak rreshta e Dr. Luan Topçiut në ftese për veprën e Albanalogut shqiptaro-amerikan Stavro Skendi se e gjithe ajo ç’nxijnë në artikuj e libra me AI kundër tij dhe ç’përfaqëson dhe mbart Profesori.

THE ALBANIAN NATIONAL AWAKENING

1878–1912

– Princeton University Press, 1967 –

Kur Stavro Skendi botonte vepren madhore në SHBA, ç’ndodhte në atë vit, 1967, në Shqipërinë tonë? Ç’drama historike dhe kulturore?

– Diktatori Enver Hoxha konsolidoi edhe më pushtetin absolut të Partisë së Punës, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik (1961) dhe afrimit me Kinën maoiste.

– Shqipëria mbeti vendi më i izoluar i Europës.

– Nisën spastrimet e brendshme politike kundër “armiqve të brendshëm” dhe intelektualëve që nuk përputheshin me vijën ideologjike.

Ngjarja më e bujshme

kulturore-politike e vitit 1967:

– Shpallja e Shqipërisë si “shteti i parë ateist në botë”.

– U ashpërsua fushata famëkeqe kundër fesë, u mbyllën të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, manastiret, u kthyen në magazina, kinema, stalla e depo “kulture”.

– U ndez dhe më Revolucioni Ideologjik dhe Kulturor”, i frymëzuar nga Revolucioni Kulturor i Kinës së Mao Ce Dunit.

– U goditën Kanunet madhore kombëtare, tradita, dasmat dhe ceremonitë, u kontrollua mënyra e veshjes, si duhej të qetheshe, madje edhe marrëdhëniet familjare.

Ironia historike:

Në të njëjtin vit, pra, Prof. Stavro Skëndi botoi në “Princeton” veprën madhore “The Albanian National Awakening, 1878–1912”, ku trajtonte rilindjen kombëtare dhe rolin e fesë, kulturës dhe letërsisë në ringjalljen e kombit shqiptar.

Ndërsa brenda vendit trumpetohej “fitorja” e komunizmit mbi kulturën dhe fenë, në Perëndim studimi i Skëndit i jepte Shqipërisë një prestigj intelektual. Tregonte zhvillimin e vetëdijes kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit (1878) deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912).

Skëndi nuk i pa thjesht si një seri ngjarjesh politike, por si një proces kulturor, gjuhësor, letrar dhe shoqëror, ku letërsia, gjuha dhe shtypi luajtën rol të madh në formimin e kombit.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet shkrimtarëve të Rilindjes:

Naim Frashëri, i parë si poeti profet i kombit. Çajupi, Sami Frashëri, Jeronim De Rada etj.

Skëndi tregon sesi shkrimtarët nuk ishin vetëm autorë letrarë, por dhe udhëheqës shpirtërorë e kulturorë.

Eshtë e para monografi e plotë në anglisht mbi Rilindjen Shqiptare, që ende shihet si libër klasik dhe citohet shpesh në studimet mbi Ballkanin.

Kjo vepër e vendosi çështjen shqiptare në hartën e studimeve akademike ndërkombëtare. Pa Skëndin, shumë studiues të huaj nuk do të kishin kuptuar mirë si u formua Kombi Shqiptar…

Lutem të mos e deformojmë kohën dhe veten!

Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

RUDOLF MARKU, KY KALORËS I PERËNDIMIT NË LINDJE

September 20, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Nuk kam udhëtuar me Titanikun në të vetmin udhëtim që ai realizoi. Por fantazia ime nuk më bindet për të mos e provuar këtë gjë me shpresën se do jem tek 700 njerëzit që shpëtuan nga mbytja e tij. Kështu e shoh analogjinë e të shkruarit të një kritike letrare për një poet që më së shumti më sjell në mendje Marcello Mastroianni në neorealizmin italian me rolin e tij në poezinë shqiptare. Por ndryshe nga Marcello, Marku nuk spekulon me emocionet.

Një poet i lindur në Lezhë…

Lezha, qytet i cili në raport me universin e poezisë shqipe, më duket si Vatikani në raport me universin shpirtëror të Italisë. Marku nuk e shikon botën nga një pikë dhe as nga një rrugë. Ai udhëton, ndalet, shkruan, udhëton përsëri dhe përsëri shkruan, duket një Marco Polo modern në udhëtimin e tij poetik, aspak si një rastësi delikate. Nga diktatura shpëtoi si një korb i bardhë. Poezia e tij ishte kundër idesë sistemike homogjene nën hijen e dhunës së “vijave të bardha” të socrealizmit.

Kjo teori për letërsinë “buron” në vitin 1905 në esenë e Leninit “Organizata e Partisë dhe Letërsia e Partisë”.

Pas saj u shndërrua në albatros me aq bagazh mendimi dhe larmi kaq të madhe temash, që e kalonin numrin e puplave në shumën e pendëve të albatrosit.

Ndodh që poezia e tij të vijë si koncerti pas provës gjenerale të shpirtit, herë tjetër shpërthyese si shampanjë, por në më të shumtën e rasteve poezitë e Markut vërtiten si një tufë e çuditshme paqëndrueshmërish në një kryengritje në hapësirë për të na kujtuar se ndryshimi nuk përmblidhet në idenë se “sot është përsëri dje”.

Ai duket sikur ndërton një teori të re të relativitetit të kozmosit letrar. Marku kërkon ndryshim edhe kur është melankolik, sepse në çdo gjendje di të glorifikojë frazën e shkruar, duket sikur i kthen ato në minuete të Bachut, a thua se Zoti i hedh nga lart këtij poeti metafora dhe trëndafila pafund për ne. Ai hera-herës ndjek instinktin, sepse intelekti nuk rrok gjithçka që depoziton nënvetëdija. Poezia e Rudolf Markut nuk vjen nga zbrazëtia, por nga një lidhje konkrete me historinë si vetëdije e përmbajtje. Ai shkruan si dikush që i ka jetuar epokat shekullore duke i gdhëndur në art si kulturë dhe ndjesi, shkruan sepse beson se gjërat kulturore janë themelet e qytetërimit. Historia si tipar formues i autorit vjen nëpërmjet vargjeve në bashkëbisedim të vazhdueshëm mes të gjallëve dhe të vdekurve.

Emocioni poetik është objektiv pasi edhe kur shkruan për trishtimin, dashurinë apo humbjen, arrin të përfaqësojë me simbole, e kultura të hershme si Homeri, Bizanti, Mesjeta. Ndihet misioni i tij në çdo varg, ai i qartësimit të realitetit të zymtë duke vendosur rendin mbi kaosin, distilon dhimbjen, shtjellon absurditetin dhe strukturon kaq bukur harresën. Të gjitha këto ndodhin pa rënë në dekadencë. Disiplina “skandinave” e Markut ekuilibron e përpunon çdo derdhje poetike të tij si një civilizim drejt Perëndimit.

Me poezinë e tij “Sapa, Heshtja…” ai përfaqësohet me formën e mendimeve të tij më të pastra, duke e kthyer heshtjen në mit. Heshtja për të nuk është ndjesi, por hapi i parë metafizik ekzistencial, gjuha e parë në botë.

Rrathët e ankthit nuk flasin me za,

Dhe as Zotat e lashtë…

Në poezinë “Trishtimi” ky i fundit përfytyrohet prej poetit si mik i përpiktë që vjen nga larg. Poezia përcjell një atmosferë të ngjashme me vargjet e “The Love Song of J. Alfred Prufrock”. Emocionet personale të autorit janë kaq objektive sa duket se mund të gjejë veten kushdo në jetën reale pa qenë shpërthyes, por përcjellës i ekzistencialitetit.

Është e kotë të shohësh kalendarët,

Është e kotë t’i kërkosh biletën e avionit a të trenit të shpejt…

Në poezinë “Një natë”, një nga krijimet më moderne ku vendet e shenjta (Londra, Korça, ikonat, kisha) nuk janë thjesht topografi, por peizazhe të shpirtit, Marku sjell një Korçë metafizike. Ky udhëtim imagjinar është një reflektim mbi pamundësinë e gjuhës për të shpallur dashurinë.

Të jesh në Londër, buzë Lumit Thames, pa kohë, pa hapësirë –

Dhe të gjendesh në rrugicat e Korçës…

Në poezinë “Ishte a nuk ishte Tetor” qasja e autorit mbi erotizmin vjen si përvojë ekstaze e njëherazi, si një paralajmërim për prekjen e fundit. Poeti është si Adami dhe Eva në një Eden të përkohshëm. Erotizmi këtu është vendosur në kontekst mitik, ngrihet mbi ndjesinë personale drejt simbolikës, të universales. Ndjenja është e ftohtë dhe e menaxhuar, a thua poeti ka marrë misionin e martirit?

U çveshëm – pa rroba në trup, pa turp, në ranë

Dhe u shtrimë mbi njëri-tjetrin si alarm…

Në poezinë “Kam lindur në brigjet homerike”, ku mirëfilli historia ndërthur kujtesën, dhimbjen, ironinë dhe mitin, Marku është një fëmijë i historisë, por aq sa një i rritur që e vëzhgon mprehtë atë. Ndjesia është kolektive, kurse gjykimi mbi të tashmen bëhet përmes retrospektit.

Tani që kafkat e baballarëve tanë ka kohë

Janë përzier me kafkat e ushtarëve të lashtë grekë e romakë…

Ndryshe, poezia “Ishim gjashtëmbëdhjetëvjeçarë”, një lirikë kjo që ruan vetëpërmbajtjen. Nostalgjia nuk i bashkëngjitet ndjenjës, por reflektohet nëpërmjet gjuhës dhe ritmit të njëtrajtshëm. Kjo poezi nuk është një lloj hakmarrjeje ndaj periudhës kur mbizotërojnë aknet dhe dhëmbët e zverdhur. Poeti ecën paralel me universin e Arthur Rimbaud në këtë poezi. Qëllimi i tij nuk është të mallëngjejë lexuesin, por ta përfshijë në një kujtesë kolektive të drejtuar.

Prisnim prapë mbrëmjen të shtërngonim duart bashkë,

Pa e ditur sa i bukur qe ky naivitet – injorancë.

Herë-herë Marku na vendos përballë psikologjisë retrospektive për të njohur veten kur e lexojmë.

Ai kumton me poezinë se nuk e aprovon botën që kemi ndërtuar, duke spekuluar me intelektin dhe lojën e metaforave dhe na kthen në një “banjë acide” me rolin e katalizatorit të fuqishëm poetik që i vizatohet si shpata në dorën e Hamletit. Poezia e tij na dënd me metafora, tipike kjo për poetët metafizikë, aq sa duket sikur kërkon të shpikë një lloj lexuesi të stilit “Braccio di ferro” poetik. Marku i ndërron zhanret letrare dhe llojet e poezisë aq lehtësisht sa njerëzit ndërrojnë avionët. Poezia e tij nuk kryen mëkatin e të qenit e mërzitshme, pasi si bir i anarkisë ai nuk gjen prehje në kërkimin e limitit të saj, në kërkim të vetë origjinës së idesë që kultivon.

Në poezinë “Gurët”, e ngritur mbi një metaforë të fuqishme “guri” si fjalë, si libër, si kujtesë, e bën Markun arkeolog të fjalës dhe ndjenjës në kërkim të Gralit të Shenjtë. Në këtë poezi ai e identifikon kulturën si fitore të intelektit përballë harresës. Harresa është vdekje e ngadaltë e substancës shpirtërore në arkëmortin e ndërgjegjes tonë.

Një ndërtesë prej guri është një bibliotekë e ndërlikuar me hieroglife.

Që kurrë nuk do digjet si Biblioteka e Aleksandrisë…

Unë nuk mund të ndërtoj një kritikë klasike të rënduar nga koncepte skolastike, sepse poezia e Markut nuk të lodh; ajo është po aq ngazëllyese edhe kur shkruhet në shkallën “Do minor”, apo i ngjan uverturës “Egmont” të Beethoven. A është i kotë gëzimi njerëzor? Marku të hipnotizon edhe me trishtimin e tij aforistik.

Në poezinë e radhës “Të shkosh në New York për një natë”, një satirë brilante me erotikën si revoltë ndaj hipokrizisë së moralit modern, i jep Markut rolin e denoncuesit më të ashpër e më të çliruar, duke rrëfyer vetveten me teknikën e maskës. A nuk duket si Kafka këtu? Nuk i këndon vetëm Frank Sinatra New Yorkut.

Ti nga Kalifornia dhe unë nga Europa plakë.

Rënkimet e tua do dëgjohen deri në Shtëpinë e Bardhë…

Në poezinë “Statujat pranë” autori e përcjell atë si diçka të gjallë që flet në çdo epokë, në çdo trotuar. Kjo poezi shndërron detajin, si për shembull kalimi i një gruaje në rrugë, në një rrëfim të thellë të bukurisë, dhimbjes, mallkimit dhe mëkatit. Njerëzit kapen pas statujës si pas një totemi. Vdekja dhe jeta lundrojnë në një cikël sipas tij, koncepte që nuk janë larg Luigi Pirandellos.

Burrat kujtohen për dashurinë e parë,

Dhe përhumben në kujtime të largëta,

Poezia “Bodleriane” vjen si nderim ndaj Baudelaire, antipatikut fizik ekzistencial njëkohësisht, hyjnorit poetik. Unë guxoj të besoj në diferenca të pariparueshme midis këtyre dy poetëve dhe nënvetëdija e tij jo rastësisht shkon te Baudelaire, pasi Marku duket se ndikohet edhe nga lëvizja simboliste në poezinë e tij, pionier i së cilës ishte Baudelaire, që konsiderohet edhe modernisti i parë në poezi.

Nuk kam qenë kurrë nën pushtetin e nihilizmit.

Sythet kanë kohë që nuk dinë të shpërthejnë

Ndërsa ‘Lule Borë’-n vazhdojnë ta këndojnë zë lartë…

Poezia është një mister dhe mungesa e leximit është funerali i saj. Marku vjen me një përballje mes maskave dhe vetes, mes lexuesve që nuk lexojnë dhe autorëve që kanë harruar të dëgjojnë nëpërmjet satirës dhe gjuhës moderne, ndaj pa frikë do ta quaja një poemë moraliste pa predikim…Ai vendos kufij të qartë midis vesit dhe virtytit duke iu referuar edhe Zotit, dhe nuk na ka kumtuar kurrë se Zoti është ateist, edhe pse ai e shikon efektin estetik të pavarur nga efekti fetar, ndryshe nga poetët e mëdhenj metafizikë si John Donne apo Andrew Marvell, mendimi skolastik i të cilëve ishte kryesisht teologjik dhe poezitë shpesh janë të natyrës fetare. Diskursi letrar i Rudolf Markut nuk i kalon tangencialisht poetëve metafizikë.

Në poezinë “Kemi parë historinë”, ai përcjell mendimin se historia pa heronj, pa kujtesë, është një komedi tragjike. Historia e shndërruar në një figurë femërore, e braktisur, e përqeshur, bëhet akt ndëshkimi për një qytetërim që ka humbur shpirtin. Duket sikur na injekton idenë se më mirë një histori me “Çështja Dreyfus” sesa një histori pa objekt. Për këtë ai na bën natyrshëm protagonistë të poezisë së tij.

Çfarë dinim nga Historia ne djemtë e rrugicave?

Televizorët jepnin Walze me Princesha gjak blu…

Rudolf Marku është poet që ndërton krijimtarinë poetike mbi kujtesën dhe jo mbi emocionet kalimtare; ai i sheh arsyen dhe pasionin si të kundërta. Ndjesitë personale i kthen në figura kolektive dhe mite. Përdor simbole, referenca kulturore, ritme të balancuara për të rikrijuar realitetin. Ai mund të “rikrijojë edhe Trojën” nëse fokuson heshtjen poetike drejt saj. Poezia e Markut mbetet një akt intelektual dhe estetik, me strukturë solide, me themele dhe mure mbajtës homerikë, që edhe sikur ta mbushim me shigjeta si një jastëk gjilpërash ajo përsëri nuk shëmbet.

Krijimtaria e tij ka emërues të përbashkët ndjesinë dhe emocionin e një vetmie kanonike, drejt një kërkimi të brendshëm për ekuilibrin shpirtëror me atë kozmik.

Shijet e tij kozmopolite e transformojnë staturën poetike të Markut në një shtrirje kozmopolite që i kalon kufijtë e zakonshëm të vendit, hapësirës dhe kohës. Ashtu si filozofët nuk vendosin afate kohore, ashtu edhe poetët kanë limit përjetësinë. Ndaj vepra e tij është një himn për individin, natyrën, trupin, shpirtin, kombin dhe demokracinë përtej kohës. Ai na shtyn të ndjekim ritmin e kohës për të mos ndalur veten së bëri histori më të mirë se ajo e shkuar. Whitman duhet të përfshijë edhe Markun kur vetëpërcaktohet si përfaqësues i gjithësisë njerëzore kur shkruan – “Unë përmbaj turma”.

Gjatë gjithë endjes që shkruaj, pyetja se çfarë poeti është Rudolf Marku më rrotullohet si bleta në pistilin e një luleshege. Nuk di nëse duhet ta quaj poet metafizik, modern apo postmodern, pasi aq sa e njoh atë dhe letërsinë nuk e plotësojnë përkufizimin.

Thomas S. Eliot në esenë “ÇFARË?” shkruan: “Poezia nuk është një çlirim i emocioneve, por një ikje nga emocionet; nuk është shprehje e personalitetit, por një ikje nga personaliteti”. Ai vazhdon: “Emocioni i artit është jopersonal. Dhe poeti nuk mund ta arrijë këtë impersonalitet pa iu dorëzuar plotësisht punës që duhet bërë”. A thua të ketë shkruar Eliot edhe për poetin tonë në këtë përkufizim kritik? Rudolf Marku unifikon ndjeshmërinë me emocionin, duke e kthyer poezinë në një “komponim letrar” edhe pse ajo nuk ka pika fikse referimi dhe të vërteta të pandryshueshme për t’u mbështetur.

Poeti ynë e vrau këndvështrimin puritan dhe konvencionin e etërve të poezisë edhe pse letërsia moderne nuk lind nga boshllëku. Marku e tejkaloi edhe teorinë për një ndarje paqësore me dukuritë e më sipërme si në historinë e mbretërive të Evropës së dikurshme. Ndërsa nëse do t’i referohesha teorisë së kritikes amerikane, Marku i përket termit të Barbara Lewalskit, “poetikë protestante”. Ndjeshmëria e tij është padyshim protestante, jo vetëm sepse jeton në Angli. Për këtë arsye ai nuk është “objekt” i Louis Martz që zbuloi një fenomen kurioz: se poetët metafizikë ishin të ndikuar nga manualet e lutjeve katolike nga kontinenti.

Titaniku u mbyt, por akoma nuk po e kuptoj nëse jam në varkën e fundit që po largohet me njerëz të shpëtuar prej tij? Dyshoj nëse kam ditur t’i bëja vetes pyetjet e duhura dhe të gjeja të njëjtat përgjigje për poetin në këtë ese, pasi mundësitë e dyta konsiderohen strehë dështakësh. Poeti ynë shfaqet si kapiteni i një Titaniku të ri që lundron në ujëra të tjera, kapiteni i Perëndimit në Lindje. Unë mendoj se, ashtu si Whitman shkruan për Lincoln, ashtu meriton edhe Marku obeliskun që ngre Whitman me… “Kapiten, o kapiteni im!”

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 297
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT