• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi tezën “Miti nacionalist në letërsinë shqipe nga De Rada te Kadare

November 23, 2017 by dgreca

1 Minella Aleksi

Nga Minella Aleksi/

Një rastësi më ngjalli interesin për tu thelluar në temën e shumë diskutuar në dy dekadat e fundit mbi demistifikimin dhe nacional-komunizmin shqiptar. Kjo rastësi ka të bëj me bisedën që zhvilloi studjuesi A. Plasari në “Studio e hapur” datë 3 Nëntor 2017. Pyetjes së gazetares se cili ishte mendimi i tij mbi debatin për çmitizimin e simboleve kombëtare iu përgjigj: “Debati për çmitizimin nga filluar në një organ shtypi në vitin 1994 me titujt “Mbi debatet për Skënderbeun” me vijime, në një kohë që një debat i tillë nuk egzistonte. Ky debat është sajuar në epruvetë, është sajuar duke i veshur historisë së Skënderbeut realitete që nuk kanë të bëjnë me atë. Dhe këto mashtrime e trillime kanë ardhur duke u shtuar me qëllim për të manipuluar një opinion të caktuar publik. Këta topikë mund të jenë 12-15 të tillë. Çmitizimi i shërben destabilizimit dhe shpërbërjes së shtetit shqiptar”. Kjo ishte një ide që flinte te unë por që u zgjua nga një krahasim i gjetur shumë bukur prej A. Plasarit. Nga njëherë më dukej si egzagjerim por kur e dëgjova të shprehur si “punë epruvete”  më ringjalli reagimin që më kish krijuar shumë kohë më parë.

Prandaj nuk mund të neglizhohet pyetja se, çfarë ka ndodhur në vitin 1994, në çfarë rrethanash dhe cilët janë ata që e kanë nisur këtë debat kur një i tillë nuk egzistonte? Në nëntor 1994 del numri i parë i revistës kulturore “Përpjekja” me botues F. Lubonjën. Paraqiten tre drejtimet kryesore rreth të cilave strukturohet kjo revistë e përtremuajshme. Në rubrikën e parë botohen shkrime që kanë të bëjnë me tema të aktualitetit, të cilat prekin shoqërinë postkomuniste shqiptare; rubrika e dytë synon një vjelje cilësore të prodhimit letrar bashkëkohor shqiptar, si edhe botimin e artikujve kritik mbi letërsinë; rubrika e tretë përfshin shkrime mbi historinë e Shqipërisë, që synojnë ta shohin historinë e vendit nëpërmjet një optike kritike, duke qenë, kësisoj, një alternativë e historisë “zyrtare” romantiko-nacionaliste me qëllim iniciativën e demistfikimit të miteve nacionaliste në kulturën shqiptare.

“Epruveta” e studjuesit A. Plasari më solli në kujtesë një artikull të gjatë të lexuar shumë kohë më parë. Fjala është për artikullin e studjuesit italian Costantino Marco të publikuar po në vitin 1994 (Shkurt)¹ me titull “Miti nacionalist në letërsinë shqipe nga De Rada te Kadare”. Studjuesi Costantino Marco ishte gjithashtu drejtues i “Marco Edittore” që po në vitin 1994 (Janar) boton në italisht dy librat fillimisht “Ditari i burgut” dhe më pas “Ridënimi” të autorit F. Lubonja. Besoj që lexuesi konstaton një dinamikë progresive datash që lidhen me këta dy emra. Costantino Marco me origjinë arbëreshe për pak kohë ka qënë lektor edhe në universitetin e Tiranës. Ndërkohë zv/drejtori i revistës “Lo Straniero” shkrimtari Alessandro Leogrande kishte çfaqur një interes të veçantë mbi disa shkrimtarë e studjues të rinj shqiptarë. Nën kujdesin e A. Leograndes në një artikull “Vendi përballë” dedikuar tërësisht Shqipërisë prezantohen disa shkrimtarë shqiptarë duke filluar me F. Lubonjën si një ish disident politik që shpjegon metamorfozën e ish bllokut në Tiranë, dhe një nga zërat më kritikë në periudhën pas komuniste. Pasohet ky prezantim me A. Vehbiun si një shkrimtar që me shumë vëmendje analizon nacionalizmin e rilindur shqiptar dhe raportet e Shqipërisë e të shqiptarëve me Europën, vazhdon pastaj me të ndjerin A. Klosi si një kritikë i rëndësishëm, përkthyes, organizator kulturor dhe militant ambjentalist shumë i angazhuar, R. Devole i angazhuar me trajtimin e emigracionit, etj.. Kuptohet që shtetet e mëdha që luajnë rol në historinë botërore shpenzojnë buxhete në nivel shtetëror dhe në nivel qarqesh të caktuara private për studime historiko-kulurore mbi popujt e vegjël më pak të zhvilluar dhe mbi bazën e këtyre studimeve ndërtojnë politika të caktuaraᵌ.

Studimi “Miti kombëtarist në letërsinë shqipe nga De Rada te Kadare” më kish mbetur në kujtesë mbasi më kishte lënë përshtypjen e një manifesti letraro-politik dhe që sëbashku me filmin “L’America” me regji të G. Amelio, të çfaqur për herë të parë në kinematë italiane po në vitin 1994 (shtator) përbënin qartazi një platformë me qëllime keq interpretuese për popullin dhe kulturën shqiptare. Po në vitin 1994 dhe në vazhdim më 1995 gazeta italiane “La Republica” që dukej një lloj kundërbalancuese e këtyre lloj publikimesh boton disa artikuj me opinione mbi Shqipërinë dhe shqiptarët (duke mos bërë interpretime e komente) dhe mes tyre dallon ai i 11 janarit 1995 i autorit Bernardo Valli ku theksohet se shkrimtari Kadare reagon me një qëndrim shumë të ashpër ndaj autorëve të filmit dhe e konsideroi atë një film që përçmon vendin dhe popullin e tij. Artikullshkruesi nënvizon se nobelisti Mario Vargas Llosa gjithashtu e akuzon regjizorin italian që i trajton shqiptarët si insekte. Ndërkohë në vazhdim autori italian sjell në vëmëndje të lexuesit se shkrimtari italian Alberto Moravia në mars 1990 kish pritur për vizitë shkrimtarin Kadare në shtëpinë e tij në Romë. Shkrimtari Moravia dihej që nuk bënte pjesë në rrethin e shkrimtarëve italianë admirues të regjimit fashist musolinian. Studimi i Costantino Marco që më ishte dukur si një manifest (20 faqe) përmban citime e referenca nga studjues shqiptar të viteve 60-80, si Dh. Shuteriqi, K. Bihiku, A. Pipa, K. Kodra, e ndonjë studjues arbëresh. Autori përqëndrohet më shumë te krijimtaria poetike e De Radës, te krijimtaria e D. Agollit, dhe te vepra e Kadaresë. Shkurt po sjell 2-3 pasazhe nga artikulli me 20 faqe. Studjuesi italian Marco thotë: “E veçanta e modernitetit të letërsisë shqiptare konsiston në auto proklamimin e statusit kulturor si proçes i identitetit kombëtar, dmth në krijimin e një letërsie që të jetë eksploruese e një arkeologjie nacional-popullore për të cilën shkrimtari vihet në rolin e profetit, interpretit dhe të atit shpirtëror të këtij modeli didaktik. Është e kuptueshme që shtysa etiko-politike të mund të inspironte një letërsi patriotike të spikatur (si Carducci në Itali e VVhitman në USA) por persistimi i saj në shekullin tonë përbën një nga treguesit e një intelektualiteti me prapambetje shumë të madhe kulturore që asnjëherë nuk ka mundur që tia dalë për të bërë llogaritë me traditën e vet ideale, pa pasur frikën e të qënurit e izoluar nga spiritualiteti i popullit shqiptar që tek e fundit përbën edhe fatin e intelektualëve dhe të kulturës kritike. Kur identiteti kombëtarist transformohet nga një inspirim romantik në një mjet ideologjik atëhere letërsia degradon në një manifest servil të nacionalizmit, sëmundja tipike ballkanike”. Mjafton të thuhet se letërsia e tij duke iu nënshtruar qëllimeve ideologjike është larg artit autentik dhe me kalimin e kohës do të theksohet madje si një eksperiment i shkëlqyer estetik që e bën letërsinë një instrument brilant ndihmës dhe servile të një projekti ideologjik nacionalist. Kadare evokon thelbine ideologjisë nacional-komuniste shqiptare: luftën e vazhdueshme kundër armiqve, etj..

Vazhdon: “E keqja e madhe që kanë provokuar në këtë rast, si diktatura e E. Hoxhës ashtu edhe letërsia e Kadaresë e ka emrin “Nacionalizëm” dhe mjekimi ose ilaçi në këtë rast është vetëm një kulturë e shëndetëshme lirie, diçka që De Radës nuk i përputhej me projektin e tij kulturor-historik dhe aq më shumë e kundërshtuar kultura e shëndetëshme në liri nga komunizmi totalitar shqiptar. Miti kombëtarist shqiptar që prej shekujsh endej konfuz në shpirtin popullor e që qartësisht u ringrit nga E. Koliqi në një instikt kambëtarist vazhdonte akoma të ishte “humusi” letrar i një kulture që nuk ishte çliruar nga komplekset historike të këtij populli anonim”. Marco nuk heziton që këtë studim ta pasuroj edhe me detaje që kanë të bëjnë me jetën personale të shkrimtarit. Kështu p.sh. shpjegon se: “Një shkrimtare shqiptare që ka qënë bashkëpunëtore shumë e afërt e shkrimtarit Kadare kur drejtonte “Le Lettres albanaises” më ka thënë se, edhe pse për shumë vite Kadare ka punur me atë shumë afër, bërryl më brryl, nuk pati asnjëherë vëmendjen që të lexonte një rrjesht të shkrimeve të saj apo aq më pak të bënte ndonjë koment mbi to”. Dhe vazhdon më tej  me interpretim të këtij tipari të shkrimtarit. Nuk mungon gjithashtu që të theksoj ndonjë rrethanë tjetër shqetësuese që i ka përkitur familjes së shkrimtarit në kohën e diktaturës, etj..

Studjuesi Marco bën pyetjen: “Kur shkrimtari Kadare rikujton, iu referohet shpesh në veprën e tij grekëve dhe trojanëve përse ne të mos flasim për gjëra që kanë ndodhur 20 vjet më parë”?.

Mendoj se nuk do shumë mend që të kuptohet se kur në një studim me objekt tipare dhe fenomene letrare që i përkasin letërsisë së një populli ndërfuten paturpësisht thashetheme dhe çështje personale për shkrimtarin atëhere duket qartë që autori i studimit synon diskreditimin e shkrimtarit nëpërmjet koperturës së analizës letrare.

Në një intervistë² F. Lubonja shpjegon: “Në numrin e dytë të revistës “Përpjekja” e atakuam Kadarenë me një artikull të Costantino Marco”. Në revistën “Përpjekja” jo vetëm vendoset artikulli komplet i Marcos por në vazhdim idetë e tij ripërsëriten prej më të zellshmëve çmitizues në artikujt e revistës “Përpjekja”.

Në letërsinë shqipe fillesën e mitit nacionalist shqiptar C. Marco e gjente te vepra poetike e De Radës e krijuar 150 vjet më parë. E çuditëshme. Asnjëherë në historinë e tyre shqiptarët nuk kanë qënë mbretëri apo shtet i atij niveli që të ushqente ndjenja nacionaliste ndaj popujve fqinjë. Madje edhe epoka e ndritur e Skënderbeut ka qënë luftë për ti mbijetuar pushtimit osman. Shkurt “Nacionalizmi shqiptar” apo “shqiptaria” ishte thjeshtë patriotizëm për mbijetesë. Prandaj më duket pak i habitshëm ky merak i studjuesve italianë për simbolet kombëtare shqiptare, simbole që për vet shqiptarët janë shprehje krenarie mbijetese!! Bashkëkohësve në Tiranë u kujtohet mirë se në Janar 1991 Edi Rama, Ardian Klosi dhe Kasëm Trebeshina kishin filluar që të zhvillonin bisedat me temë Refleksione” të mbajtura te salla e ILA. Të interesuarit kujtojnë mirë se boshti i bisedave ishte qëndrimi kritik ndaj figurës së E. Hoxhës dhe më pas shikimi kritik i veprës letrare të shkrimtarit Kadare. Këtë e ilustron saktësisht intervista e K.Trebeshinës dhënë A. Klosit ditën e mbledhjes së parë të “Refleksione” 11 Janar 1991. Po ashtu edhe shënimet e dëshmitarit Mehmet Metaj nga ai takim.

Kur filluan “Refleksione” organizatorët nuk e kishin fare objekt të debateve figurën e Skënderbeut e aq më pak Nënë Terezën. Të influencuar shumë  nga miku i tyre K.Trebeshina u fokusuan në vetëm këto dy figura, atë të E. Hoxhës dhe te vepra e shkrimtarit Kadare. Deri sa egzistuan si grup “refleksionistë” nuk përmendën ndonjëherë demistifikim të figurave të Skënderbeut apo të Nënë Terezës. Tre vitet Janar 1991- Shkurt 1994 kur u elaborua manifesti i C. Marco “Miti nacionalist nga De Rada te Kadare” ishin vitet e inkubacionit të tezës së “çmitizimit” nga studjuesit italianë dhe parapërgatitje për gjetjen e bashkëpunëtorëve shqiptarë..

Në revistën “Përpjekja” 1994 u prezantua filizi i tezës së demistifikimit jo vetëm të E. Hoxhës dhe çkurorëzimi i veprës së Kadaresë por tashmë edhe i figurës së Skënderbeut dhe të Nënë Terezës.

Me një sens humori keqardhës më vjen të them që Skënderbeu dhe Nënë Tereza si mite që duhen demistifikuar janë “viktima të mitit” të shkrimtarit Kadare që vazhdoi dhe vazhdon të jetë shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar. Skënderbeu dhe Nënë Tereza u projektuan si “viktima” ngaqë “çmitizuesit” jashtë e brenda vendit donin që të dukeshin parimor në këtë ndërmarrje historike, të dukeshin që nuk bënin dallime në gjykimin e figurave simbole kombëtare. Të dukeshin se nuk kishin vetëm hallin e çkurorëzimit të veprës së Kadaresë e të atij vet si individ, por se ishin principet e larta të objektivitetit historik ato që i shtynin për të rivlerësuar simbolet kombëtare. Po përse kaq cmirë dhe agresivitet ndaj shkrimtarit më të  rëndësishëm të letërsisë shqipe? Jemi në vitet 70-80 kur romani i shumë përmendur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i botuar tashmë në disa vënde të Ballkanit e në Paris nuk po gjente terren të ngrohtë botimi në Itali.

Vonimi i botimit të tij në Itali shpjegohej me një qëndrim jo pajtues e mirëkuptues të disa qarqeve të caktuara të elitës kulturore italiane ndaj mënyrës së trajtimit në roman të imazhit të ushtrisë fashiste italiane gjatë pushtimit të Shqipërisë. Atmosfera politiko-kulturoe italiane në vitet 60-70 dominohej nga e djathta demokristiane. Një e Djathtë që përmbante brenda saj ekstreme konservatore e aq më tepër shumë e ndjeshme ndaj Ateizmit të Shqipërisë komuniste.

Qarqe të caktuara kulturore-politike italiane ndjeheshin të sfiduar nga një shkrimtar i një vendi që ishte më i varfëri dhe më i fundit kulturalisht, thënë ndryshe nuk ushqenin ndonjë fije respekti. Në roman bëhej fjalë për pushtimin e një vendi me një popullsi 1.5 milion banorë nga një vend me 44.5 milionë banorë. Njëzet vjet kishin kaluar nga fundi i luftës kur plagët dhe tmerret e saj ishin akoma shumë të freskëta. E megjithatë në Italinë e elitave gjeje grupime politiko-kulturore që të flisnin me krenari për ato arritje të mrekullueshme të realizuara në kohën e Musolinit sidomos në ndërtimin e rrugëve nga veriu në jug dhe ndërtesat me arkitekturë mbresëlënëse në qytetet kryesore italiane. Duket që brenda vendit të tyre e dënonin me rezerva fashizmin ndërsa në raport me një vend të vogël fqinj e kishin shumë të vështirë që të pajtoheshin me mënyrën groteske dhe përçmuese   që i bëhej elitës fashiste e mbështetësve të saj në një roman antifashist. Barbaria fashiste diskreditohet me përshkrime jashtëzakonisht të forta. Shkrimtari përdor të vetmin mjet që ka në zotërim, forcën e talentit artistik ku me magjinë e fjalës e trajton fashizmin italian në mënyrë sa ironike edhe groteske që brenda dy dhjetëvjeçarëve në mënyrë të turpëshme ishte hedhur në det nga një popull i vogël martir.

Kadare vlerëson në libër kulturën dhe historinë e popullit italian të cilat janë në themelet e Europës demokratike dhe pavarësisht që mundohet ta ndajë aq sa mund të ndahet italiani i thjeshtë nga fashisti prapëseprapë nuk duhet të harrojmë se të gjithë ata kriminelë fashistë që kishin bërë ato krime kishin folur italisht. Njëlloj kishin folur italisht kur kishin bërë masakrat akoma më të tëmerrshme në Domenikon dhe Qefaloni të Greqisë. Duhet të pranojmë se shkrimtari i kishte prekur aty ku u dhimbte më shumë. Ashtu si e meritonin për atë që i kishin bërë vendit dhe popullit të tij.

Botimi i romanit në gjuhët dhe vendet kryesore të Europës, përkrahja e madhe që vinte indirekt për shkrimtarin nga këto botime ishte një lloj trysnie e prekshme që e vinte elitën e kulturës italiane në një situatë komplekse që nuk e nderonte në sytë e kulturës europiane. Romani përbënte një rast unikal. As grekët që kishin eksperiencën e dhimbëshme të disa masakrave e që mund ta bënin nuk e kishin shkruar një roman të tillë, kurse për abisinasit as që mund të pretendohej një gjë e tillë. Sidoqoftë erdhi koha që elita kulturorë italiane u dorëzua përpara vlerave të këtij romani që u botua nga “Longanesi” në vitin 1982.. Megjithatë edhe pse me kalimin e kohës kishte një mirëkuptim e ndryshim mentaliteti prapëseprapë nuk ishte e qetë sedra e atyre që vazhdonin të ishin të lënduar nga romani.

Drama e eksodeve shqiptare të përsëritura rizgjuan në qarqe të caktuara politiko-kulturore italiane ndjenjën e fjetur të revanshit, të larjes së hesapeve ndaj autorit të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Kultura shqiptare ishte në mëshirë të vullneteve herë dashakeqe e herë indiferente të vet shqiptarëve. Në Italinë fqinje u vunë në lëvizje njerëz që si kundër përgjigje ndaj autorit të romanit të propagandonin në median e shkruar italiane idenë e paraqitjes së shqiptarëve si një komunitet njerëzish të pa denjë për të qënë pjesë e Europës. Koha tregoi se nën nxitjen e atij reaksioni të madh që kishte shkaktuar romani i Kadaresë ishin studjues kryesisht arbëresh shqipfolës që praktikonin studimin e kulturës e letërsisë shqipe në universitetet e Palermos, Napolit, Kozencës e të Romës baza kulturore e elaborimit të projektit çmitizues antishqiptar. E menduar hollë platforma e tyre synonte që denigrimi dhe poshtërimi kulturor i shqiptarëve të mund të realizohej jo vetëm nga studjues italianë por më e rëndësishmja ishte që të bëhej nëpërmjet ideve të thëna prej, dhe shkrimeve të autorëve shqiptarë. Studjuesit diabolikë italianë e nuhatën shpejt gjahun dhe nuk gabuan në shfrytëzimin e disa shkrimtarëve me talent të kufizuar që e filluan karierën letrare si të tillë por mbetën rrugës si ata që i lënë forcat disa kilometër pasi kanë nisur maratonën. Ishin nga ata që nuk ke novojë që ti kërkosh sepse të afrohen dhe të gjejnë vet duke u vënë në shërbim me vullnet e zell shërbëtori për përfitime personale. Njeri tjetrin e gjetën njëlloj si gjejnë mizat mjaltin. Duhet mbajtur mirë parasysh se xhelozia, cmira, egoja e pakufizuar, uria dhe varfëria bëjnë gjëra shumë më të mëdha sesa goditja e një shkrimtari si Kadare.

Këtu vlen të theksohet ajo që ndodhi në Tiranën e viteve 90-95 me disa shkrimtarë e studjues relativisht të rinj të cilët kërkonin me ngulm që të afirmoheshin nëpërmjet kontakteve dhe sidomos botimeve në vëndet perëndimore. Shfrytëzuan linjat e studjuesve në universitet që thamë më sipër. Ndonjëri gjëndej atje në bazë të marrëveshjeve ndërshtetërore për kualifikim pasuniversitar. Këta për të cilët flasim ishin kryesisht fëmijë të ish prindërve komunistë në hierarkinë e lartë komuniste, me mundësira mësimi të gjuhëve të huaja dhe që kishin provuar por pa sukses që të afirmoheshin si shkrimtarë të njohur. Përmendëm më sipër botimin e revistës “Përpjekja” në nëntor 1994 e cila u bë fidanishtja kulturore ku autorët më të shpeshtë me temat mbi platformën çmitizuese të trajtuara në mënyrë identike sipas manifestit të Costantino Marco ishin F. Lubonja, A. Klosi, A. Puto, A. Vehbiu. N.Clayer, C. Marco, R. Elsie, E. Sulstarova. R. Devole, etj.. Idetë e manifestit çmitizues të C. Marco, F. Lubonja i ripërsërit si plagjiaturë, me besnikëri shëmbullore në çdo intervistë që jep për revistat e mësipërme italiane apo dhe në tavolina ku diskutohen të tilla tema kulturore deri edhe së fundi te emisioni “Të Paekspozuarit”.

I ndjeri Robert Elsie shumë i entusiazmuar me rastin e botimit të parë në anglisht (1997) të një numri të revistës “Përpjekja” jep shpjegime mbi kontribuesit kryesorë nga fusha e letërsisë, historisë dhe politikës, disa prejt tyre emigrant në vende të ndryshme. Ai përmend midis tyre E. Rama në Francë, B. Shehu në Barcelonë, A. Klosi në Mynih, R. Qosja dhe Sh. Maliqi në Prishtinë, C. Marco në Kalabri, F. Nazi në Nju Jork dhe natyrisht F. Lubonja vet. Madje në këtë botim anglisht përmend si më të rëndësishme esenë e F. Lubonjës “Për një shpirt kritik” dhe esenë “Një ndryshim kontrovers” me bashkëautor Costantino Marco, B. Shehu dhe F. Lubonja, mbi rolin e I. Kadaresë si shkrimtari më i rëndësishëm i vendit.

Bashkëpunëtorve shqiptarë studjuesit italianë ua hapën oreksin e botimit, ndërkohë që ua bën të qartë detyrimin ndaj mirëbërësve. Ishte pak a shumë një lloj kontrate kleringu. “Çmitizuesit” do botoheshin në revistat e tyre disa gjuhëshe, do bëheshin të njohur aq sa duhej në sfera të caktuara të kulturës italiane, dhe pas kësaj njohjeje nuk do mungonte edhe ndonjë çmim letrar. Çmim që realisht nuk i përkiste cilësisë artistike të shkrimeve të tyre por i përkiste antishqiptarizmit, hakmarrjes që u zjente në shpirt ndaj shkrimtarit më të rëndësishëm. E shkëmbyen si “klering” integritetin e tyre moral në dëm të vlerave kombëtare shqiptare. U entusiazmuan sepse filluan të shikojnë që për ata si brez i shkrimtarëve të rinj në liri po shkruanin disa revista italiane, u botohej ndonjë ese me temë mbi kulturën e historinë në komunizëm dhe mentalitetet e prapambetura shqiptare, etj.. Unë sigurisht i kuptoj dhe e konsideroj të drejtë dëshirën dhe përpjekjet e këtyre shkrimtarëve për afirmim brenda e jashtë vendit deri në momentin kur ajo nuk cënon të drejtat e dikujt tjetër. U përzgjodh dhe u fut në proçes fabrikimi i personalitetit disident të F. Lubonjës nën patronatin e “Marco Editore” disagjuhëshe. U duhej patjetër një shkrimtar që të kish qënë në burg si kundërpeshë e shkrimtarit Kadare. Kishin hequr dorë nga shkrimtari Trebeshina si i pa përshtatshëm për misionin e tyre. Trebeshina e kish shkruajtur me dorën e tij që kishte qënë vrasës. Kjo përbënte “ekzemën” e tij morale.I kundërti i tij shkrimtari i talentuar Petro Marko nuk mund të ishte pjesë e kësaj loje sepse ishte patriot me personalitet të pa lëkundur. Lubonja u përzgjodh për shkak të disa cilësive: mjaftueshëm inteligjent për të ndërmarë dhe kurorëzuar këtë mision, ish i dënuar që më vonë u kthye mirëfilli në kundërshtar politik, me një rreth miqsh mbështetësish në këtë mision, i etur për afirmim si shkrimtar dhe protagonist i rëndësishëm i kulturës moderne shqiptare. Shkurt një V. Havel në miniature, personalitet çek të cilin e përmend shpesh në intervistat e tij me të huajt. Në këtë mënyrë do të ishte i denjë për të eklipsuar shkrimtarin më të rëndësishëm shqiptar të cilin nuk mund ta lejonin, nuk mund ta duronin dot më që të ishte i tillë në të dyja kohët, të kaluarën dhe të renë. Nuk ia thoshin dot vetes se:fatkeqësia e tyre qëndronte te talenti i jashtëzakonshëm i Kadaresë, nuk qëndronte te Ismaili. “Ishim ne bijtë e elitës së Tiranës dhe nga ana tjetër ishte gjithë masa e të rinjve që vinin në shkollën e lartë   nga fshtrat dhe hynin në parti si shërbëtorë të verbër e besnikë të saj, të vetëdijshëm se partia ishte e vetmja mundësi për të ecur përpara në shoqëri” thotë F. Lubonja në intervistën e botuar si libër më 2004 nën kujdesin e Claudia Bazochi. “Çmitizimi” u bë kauza e jetës së F. Lubonjës, kauza që i siguronte dhe po i siguron “Protagonizëm”.

Idetë dhe interpretimet e studjuesve Costantino Marco e Alessandro Leogrande fillojmë ti shikojmë të riprodhuara identike e të shtjelluara më gjerë dhe me më shumë agresivitet në revistën “Përpjekja” e në shtypin shqiptar e me po aq forcë në vitet e mëvonëshme në TV private të Tiranës. Në këtë mënyrë italianët e mbollën farën e çmitizimit duke qënë të sigurtë se kujdesin e mëvonshëm të bimës do e merrnin nën kujdes mercenarët shqiptarë. Tezën e “çmitizimit” e kemi “peshqesh” nga Costantino Marco dhe bashkëpunëtorët e tij itlianë si ideatorët original të saj. Këtë meritë duhet tua njohim. “Aliazhi Njerëzor” ishte një bashkëpunim perfekt italo-shqiptar. Klani shqiptar çmitizues e importoi me zell tezën nga italianët dhe e interpretoi me mjeshtëri në shtypin shqiptar. Brezat që jetuan diktaturën e kanë të lehtë që të bëjnë ngjashmërinë me “peshqeshin” e tezave të Kominternit të cilat u zbatuan me zell nga komunistët shqiptarët. “Prandaj studjuesi A. Plasari deklaron që teza e çmitizimit është një krijesë në epruvetë për një debat që nuk egzistonte më parë. Mendoj se në këtë histori ka vlerë të theksohet një aspekt i veçantë. Në ambjentet e kulturës tiranase dihet që studjuesi A. Plasari ka qënë në raporte miqësore me disa nga figurat promovuese të çmitizimit. Nuk kam dyshim se kur është njohur me këtë tezë dhe e ka analizuar mirë duke kuptuar dhe rëndësinë e prapavijës burimore të saj me siguri i ka thënë vetes, stop. Prit pak se këtu nuk është halli i dënimit të diktaturës dhe të figurës së E. Hoxhës. Kjo platformë e kalon këtë qëllim dhe kapërcen në një sjellje antishqiptare. Ky konkluzion ka sjell shkëputjen e tij nga 12-15 topikët, mbështetësit e tezës së çmitizimit. Mendoj se mbi këtë logjikë argumentesh iu largua edhe E. Rama “çmitizuesve”. Besoj se mbahet mend debati i zhvilluar në Tiranë mbi shprehjen “Jashtëqitje e kombit” që studjuesi A. Vehbiu sëbashku me shkrimtarin italian A. Leogrande të “Lo Straniero” e futën në një botim në “Lettera Internazionale” si thënie e bërë nga shkrimtari Kadare. Mendoj se naivët mund të pranojnë që revista ‘Lettera Internazionale” ishte apasionuar mbas një shkrimtari të rëndomtë shqiptar e që kërkonin që ti botonin një ese me me kontrabandën e “jashtëqitjen” brenda. Bllofe të tilla të pa skrupullta nga të dy anët e Adriatikut mund të bëjnë vetëm mashtruesit si dyshja Leogrande-Vehbiu. A. Vehbiu ishte bashkëpunëtori më aktiv i Klanit Lubonja-Marco në revistën “Përpjekja” me mision që të përhapte sa të mundëte shpifjen ndaj shkrimtarit Kadare. Kishte disa vjet që këtë mashtrim të “jashtëqitjes..” A. Vehbiu e qarkullonte kudo ku mundëte duke e ngatërruar veten në një labirint hamendësirash mashtruesish. U bë aq qesharak me alibinë e përkthyesit fantazmë Aldo Doda (alias A. Vehbiu) sa, i turpëruar publikisht bordi i revistës me siguri ka vendosur një flamurëz të kuq mbi emrin e tij. Se keqardhëse është por nuk ia kemi lexuar më emrin në ndonjë botim të asaj reviste. Në bisedë me një shkrimtare shqiptare që jeton jashtë e boton në italisht i kërkova mendim mbi shkrimtarët italianë që kanë elaboruar tezën çmitizuese. Me argumentat që më dha erdhëm në emëruesin e përbashkët që ata janë homologët e shkrimtarëve shqiptarë A. Vehbiu, B. Shehu, E. Hatibi, F. Açka, M. Meksi, etj., të cilëve po nuk ua the në sy që janë të dobët si shkrimtarë zor se ndonjëherë do bëhen esëll për të pasur një autogjykim realist. “Unin” vetvlerëses iluziv ua ka ushqyer me tepri edhe Qeveria e majtë nëpërmjet Ministres së kulturës M. Kumbaro (si pjesë e elitës tiranase) me lehtësirat në hije që kanë favorizuar dhënie çmimesh letrare të pa merituara. Ministria Kumbaro madje me gëzim nxiton që të na bëj të ditur se si e ka përkthyer në frëngjisht Trebeshinën. Imagjinoj nivelin e shkallës së të kuptuarit të kësaj përkthyeseje dhe ministreje. Imagjinoni një shkrimtar hungarez që të arrinte të shkruante për Janosh Huniadin liderin ushtark-politik të hungarezëve, bashkëkohës i Skënderbeur, si vjedhës kuajsh e hajdut karvanesh, rebeli i pabesë, brigand që luftonte për interesat e familjes së tij,njeri me cilësitë më të këqia të racës shqiptare, etj, ashtu si është shprehur shkrimtari K. Trebeshina për Skënderbeun. Me siguri që nga hungarezët do ishte përbuzur dhe ndëshkuar moralisht në mënyrën më shembullore. Ndërsa në Shqipëri Trebeshina nderohet e vlerësohet. Futet në tekstet mësimore dhe me sa kam dijeni autori I këtyre teksteve e ka futur në antologjinë e letërsisë kundër dëshirës së tij, me urdhër nga lart, përndryshe nuk i miratohej teksti nga Ministria.

Do sjell edhe një të dhënë interesante që e përcjell autorja V. Bekteshi në romanin e saj “Ora me rërë”. Zonja Vera ka bërë pjesë në rrethin miqësor të asaj që F. Lubonja e quan “elita e Tiranës” dhe që është njohëse shumë e mirë e studjuesve dhe publicistëve për të cilët flasim. Në gojën e personazheve ajo vendos këtë mesazh: “Viktor, ti përfshihesh në sulme personale. Nuk mund të jesh njëkohësisht çmitizues dhe intolerant, sepse së pari duhet të çmitizosh idhujt e tu. Duhet të ndahemi nga mitet e rrema, jo nga të gjitha mitet”. “Nadia nuk bie kurdoherë në një mendim me Viktorin, sidomos në qasjen ndaj disa figurave kombëtare, apo ndërkombëtare të rëndësishme apo në kritikat e ndryshme të Viktorit, që, nganjëherë duket sikur është kundër gjithëçkaje dhe kundër të gjithëve”.

Studjuesin A. Plasari që e përcaktoi mjaft saktë si të krijuar në epruvetë tezën e çmitizimit e që sigurisht  e njeh shumë më të plotë mekanizmin e kësaj historie do e ftoja që ta bënte të ditur për lexuesit. Me të dhënat që disponon ai do e plotësonte çdo kutizë të këtij fjalëkryqi të helmët të kulturës e të shqoqërisë shqiptare në këto 25 vjetët e fundit. Për vetëm një arsye: Të mësohet e plotë e vërteta ku çdonjëri të ketë pjesën e tij. Kjo histori është ilustrimi më bindës mbi vërtetësinë e shprehjes: “Sa të veshi këpucët “E Vërteta”, “Gënjeshtra” i ka ardhur botës vërdallë”.

1. Revista “L’Altra Europa”, 2.“Nga Burgjet e E. Hoxhës në lirinë e xhunglës”. 3. “Osservatorio balcani e caucaso transeuropa” dhe “Lettera Internazionel” me orientim drejt njohjes dhe   promovimit të kulturës dhe historisë së vendeve të Europës lindore.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kadare, Minella Aleksi, Miti nacionalist, nga De rada

“ROZAFA’S MILK”, ANTOLOGJI NE ANGLISHT E POETËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

November 20, 2017 by dgreca

BOTOHET NË ANGLISHT ANTOLOGJIA POETIKE “ROZAFA’S MILK” E POETËVE  SHQIPTARO–AMERIKANË NË AMERIKË/

auto_kkks1511212565Janë 19 poetë shqiptarë, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të cilët janë prezantuar në këtë antologji. Kjo antologji deri më sot mund të konsiderohet e para e këtij lloji  në historinë e letërsisë shqipe që krijohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

1-adnan-mehmeti

NGA ADNAN MEHMETI/Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një organizëm kulture, duke i dhënë zhvillim artit të ri letrar, gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve. Shumë herë u vlerësua nga emra të njohur të letërsisë amerikane, siç janë Frederic Turner, kandidat për çmimin Nobël në letërsi, Constance Rooke, shkrimtare dhe kritike letrare nga Kanadaja, Rainer Schulte poeti i njohur, Salman Rushdie, ish Presidenti i PEN Qendra Amerikane, Cara Lefebvre, studiuesja amerikane e pasionuar pas letërsisë shqipe dhe mike e Shoqatës, Carrie Hooper, profesoresha dhe poetja e njohur amerikane, njohëse e shumë gjuhëve por e përkushtuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, Louis Romano, autori i romanit të njohur amerikan “Besa”, James Pettifer, shkrimtar dhe gazetar, autor librash për Ballkanin, etj. Pas këtyre personaliteteve letrare, dhe pas botimit të monografisë voluminoze “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Aktivitete dhe krijimtari)”, vjen vlerësimi me botimin në anglisht e poezive të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve.

Shtëpia botuese Mundus Artium Press pranë Universitetit të Teksasit në Dallas, botoi antologjinë poetike me krijues shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me titull  “ROZAFA’S MILK” (Qumështi i Rozafës). Antologjia poetike u përgatit nga profesoresha e letërsisë amerikane, Diane Durant, e cila librin e shoqëron edhe me një parathënie. Në këtë antologji poetike janë përfshirë 19 poetë, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, si: Teuta Osmani, Adnan, Mehmeti, Yllka Filipi, Raimonda Moisiu, Merita McCormack, Luigj Kola Çekaj, Idriz Çelaj, Mëhill Velaj, Këze (Kozeta) Zylo, Gjekë Marinaj, Veneta Çallpani, Kostaq Duka, Elko Qeparoi, Dalan Luzaj, Fation Pajo, Iliriana Sulkuqi, Albana Melyshi Lifschin, Rozi Theohari dhe Petraq Risto.

Redaktorja, pa i njohur fizikisht poetët, që janë të shpërndarë anembanë Shteteve të Bashkuara, i ka përzgjedhur krijimet e tyre dhe i ka futur në këtë antologji. Për secilin është dhënë  një biografi e shkurtër.

Autorja e fillon librin me një hyrje, e frymëzuar nga legjenda e Rozafës, të flijimit të nënës besnike, një metaforë poetike, që ndërlidhet me flijimin tek shqiptarët, që mund të koiçidojnë edhe me sakrificën e rrugëtimit të 19 poetëve shqiptarë, autorë të kësaj antologjie. Lexuesit amerikanë, dhe gjithashtu edhe lexuesit shqiptaro-amerikanë, që për arsye të ndryshme nuk mund të lexojnë shqip, u krijohet mundësia e leximit dhe mësimit për legjendën e njohur të Rozafës.

Për herë të parë në historinë e letërsisë shqipe që krijohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen interesimi nga ana e botuesve amerikanë. Antologjia në fjalë me titull “ ROZAFA’S MILK” (Qumështi i Rozafës), është një ndër kurorat më të bukura të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e cila është përzgjedhur dhe përgatitur me mjaft përkushtim dhe i bën nder jo vetëm autorëve të prezantuar në të, por edhe letërsisë shqipe që krijohet në diasporë, në veçanti, dhe asaj shqipe, në përgjithësi.

Botimi i antologjisë në anglisht, shënon një hap përpara në prezantimin e vlerave reale të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve, të kësaj shoqate elitare, në udhën e gjatë të letërsisë së përbotshme. Ky libër hap një derë të re komunikimi, për të lënë të hapur për lexuesin amerikan.

Libri mund të porositet direkt nga portali i shtëpisë botuese www.mundus artiumpress.org

Nju Jork, 19 nëntor 2017

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: “ROZAFA’S MILK”, Adnan Mehmeti, ANTOLOGJI NE ANGLISHT E POETËVE, shqiptaro-amerikane

Krijues shqiptarë në Antologjinë e PEN-Club në Austri

November 20, 2017 by dgreca

1 Hazir Mehmeti

Hazir Mehmeti, Vjenë /

  Helmuth A. Niederle: Platforma letrare “literatur*grenzenlos” ( literaturë pa kufi) ofron në miniaturë një ndërrim mendimesh me qëllim, njohjen dhe kuptimin më të mirë të njëri tjetrit”.

1 ahtologjia

Nga PEN-Clubs Austria mbi platformën “literatur*grenzenlos” u botua antologjia e re me titull “Wir, bevegende Steine” (Ne, gurëlëvizës) me botime të shumë urorëve austriak dhe me prejardhje nga vende tjera, përfshirë këtu edhe tre krijues shqiptarë. Drejtuesi i PEN-it z.Helmuth A. Niederle me bashkëpunëtorët e tij, janë kujdesur për zgjedhjen e krijimeve cilësore dhe gjithëpërfshirëse  të poezive, eseve, prozave duke bërë një botë gjithë shprehëse dhe gjithë njohëse me elementet e saja specifike artistike. Në fjalën hyrëse të tij shkruan: “Akoma asnjëherë nuk kemi një shoqëri njerëzore, e cila nuk ka nevojë për zhvillim të mëtejmë, me vështirësi të tejkaluara, për tu ndeshur me ato që vijnë”… Është kjo një antologji me artin e veçantë nga autor e autore me origjinë kontinentesh e vendesh të ndryshme të cilët në Austri kanë gjetur një atdhe të ri, një kontakt me rrethin letrar të autorëve e autoreve të lindura në Austri. Platforma letrare “literatur*grenzenlos” ( literaturë pa kufi) ofron në miniaturë një ndërrim mendimesh me qëllim, njohja dhe kuptimi më i mirë i njëri tjetrit”.
Në antologji janë prezantuar 31 autor në 120 faqe. Promovimi i saj u bë me 20 qershor 2017, me një orë letrare ku krahas prezantimit të librit lexuan disa nga krijuesit me origjinë vende e gjuhë të ndryshme.
Nga autorët shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Austri janë prezantuar me sukses Anton Marku dhe Besim Xhelili, anëtar të parë të BEN-Clubit me poezitë e tyre dhe Hazir Mehmeti në prozë, me tregimin “Hetuesi”, temë nga jeta e azilantit. Nga poezia  e Anton Markut “Bewegende Steine”, “Gurëlëvizës” rrjedh edhe titulli kuptimplotë i antologjisë “Ne, gurëlëvizës.    Kontaktet e vazhdueshme mbi të cilat u ndërtua bashkëpunimi mes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” me PEN-Clubin falë miqve e dashamirëve ndaj krijuesve shqiptarë u organizuan vazhdimisht lexime letrare të përbashkëta në gjuhën gjermane dhe gjuhën shqipe. Këtu figura e mikut tonë të nderuar Peter Paul Wiplinger mbetet e shënuar në kronikën e ngjarjeve letrare të Lidhjes sonë këtyre viteve në Austri.
Aktivitet letrare të përbashkëta me krijues kombesh të ndryshme po e afirmojnë krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe që kultivohet në Austri. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është shembulli më i mirë i ngritjes së imazhit shqiptar në Austri dhe mërgatë. Puna madhore e kryesisë, veçane në hartimin e programit dhe projekteve kanë bërë realizimin e promovimeve të shumë veprave të autorëve shqiptarë tani e gjashtë vite me radhë, integrimin në krijimtarinë shumë kombesh në Austri. Tani nga radhët e krijuesve shqiptarë kemi dy poetë anëtarë të P.E.N Clubit të njohura austriak, Anton Marku dhe Besim Xhelili. Botimi i dy antologjive “Iliricum I” dhe “Iliricum II” me krijime të zhanreve të ndryshme krijimtarie krijon histori të re në kulturën shqiptare. Si pikë programore e re u themelua “Konkursi letrar “ ku  konkurrojnë krijues nga e gjithë Austria në prozë e poezi. Kjo e ka pasuruar në kualitativet aktivitetin letrarë artistik. I fundit u përkrah nga Ministria e Diasporës ku morën pjesë me krijime në prozë e poezi rreth 20 krijues shqiptarë në Austri. Fituesit do lexojnë krijimet e tyre në orën letrare festive me rastin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntor në Vjenë, në KunstGalerinë tani të njohur në  qendër të Vjenës.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Antologji, Austri, Hazir Mehmeti, Krijusit shqiptar

Mbi çmimet e Panairit të Librit 2017

November 19, 2017 by dgreca

 

Nga Çerçiz Loloçi /                                                                 1 Çerçiz Loloçi

1 cercizi

Panairi i përvitshëm i librit mbylli siparin dhe një ditë më parë janë dhënë edhe çmimet për veprat më të spikatura. Sipas njoftimit zyrtar për këtë panair janë vlerësuar:

-Betim Muço fiton çmimin për veprën letrare më të mirë;

-Agron Alibali merr çmimin për letërsinë studimore “Faik Konica”;

-Persida Asllani vlerësohet për letërsinë origjinale artistike për fëmijë “Unë jam Musine Kokalari”;

-Diana Çuli evidentohet si fituese në fushën e përkthimit.

Natyrisht se ky panair nuk ka qenë shumë i begatë në vepra origjinale që shpalosin talentin, individualitetin dhe letërsinë cilësore, por shqetësimi është se vlerësimi është tërësisht politik, siç ka ngjarë jo pak herë edhe në raste të tjera.

Nëse maxhorancën qeverisëse do e kishte Partia Demokratike do të vlerësonte të angazhuarit e saj, siç edhe e ka bërë me krijuesit e vet mediokër dhe nënmesatarë, ndërsa në këtë rast që në maxhorancë është Partia Socialiste ka bërë zgjedhjen e vet që janë pikërisht të preferuarit e saj: Muço, Alibali, Asllani dhe Çuli.

Pa asnjë hezitim duhet thënë se çfarëdolloj regjimi të ishte Shqipëria, pra Juntë, Fashizëm, Komunizëm apo Demokraci, këta të mësipërmit janë autorë periferikë që nuk i thonë asgjë lexuesit, qoftë edhe atij të majtë dhe që do harrohen shpejtë më shumë se krijuesit e dikurshëm të periudhës totalitare.

Një vështrim i ftohtë jashtë PD dhe PS dhe pavarësisht preferencave të shoqatës personale të botuesit të “Diturisë”, mund të evidentonte vepra të tjera, që për fat gjendeshin në këtë panair. Kështu për shembull një vepër studimore e profesor Xhevat Lloshit mund t’i jepte më shumë dinjitet këtij panairi se sa ajo Agron Alibalit, po ashtu një vlerësim për përmbledhjen poetike të Sadik Bejkos “Këngë të Solomonit” do ta nderonte më shumë këtë ngjarje kulturore përkundër vlerësimeve për Persida Asllanin, Betim Muçon dhe Diana Çulin.

Dikur në komunizëm e përjavshmja “Drita” dhe e përmuajshmja “Nëntori” jepnin çdo fundviti një mori çmimesh, që koha tjetër, kjo e demokracisë i flaku pa mëshirë dhe askush nuk kujtohet më për emrat e tyre.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me çmimet politike që ka dhënë PD dhe PS kur kanë qenë në maxhorancë (për fat të keq edhe shoqata e botuesve është orientuar gjithnjë nga maxhorancat e radhës) dhe kjo natyrisht nuk i ka shërbyer vlerave më të mira të letërsisë dhe artit.

Shoqata e botuesve, nëse dëshiron një herë të vetme që të shfaqet e pavarur dhe jo si çmimet ‘Kult’ të Ylli Sulës që evidenton si shkrimtar deri edhe Artan Fugën me librin “Murgu”, do të ishte mirë që të debatonte mes botuesve të tjerë për veprën më të spikatur dhe që të vendoste mbi kritere estetike se sa mbi ato politike që e mbajnë leërsinë tonë në një qark katundi ku “libra ka, por vepra s’ka”.

P.S.: Personalisht nuk kam patur ndonjë botim në këtë panair, që të kem rezervuar edhe qejfmbetje, por shqetësimi është për libra më të mirë dhe të ballafaqueshëm me letërsinë bashkëkohore.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Cerciz Loloci, e Panairit të Librit 2017, Mbi çmimet

Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit..

November 18, 2017 by dgreca

“Skënderbeu,  Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës (1413-2017)/

20171118_125844

-Një libër i ri për Heroin Kombëtar në prag të shpalljes së “Vitit Skënderbeu – 2018”-Album – Antologji nga Fotaq Andrea”

Legjenda thotë – në gegërishten e bukur – se “Selim Pasha bâ atëherë me e nalë do kohë në pushim ushtërin në Lezhë, shkoi drejt e te vorri i Skanderbegut e bâni me e çilë. Trupi i tij ishte kênë zhgatrrue, por zemra ishte ené e pa prishëne e gufonte gjak të xetë. Me gëzim e mori Selim Pasha at zemër, e shtij në nji kuti të prarueme e me ‘i herë i-a nisi dhânti Sulltanit, i cili e vendosi në mâ të bukurën qelerë të pallatit të vet. Aty, thonë, se ruehet edhe tashti me kujdes të madh prej njaj roje…”.E tillë është legjenda e “zemrës së gjallë” të Skënderbeut ndër Malësorët tanë, ardhur e shkruar dhe e freskët nën penën e At Marin Sirdanit, tek e mblodhi nga goja e popullit në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Në jehonë të Historisë, shekuj mbas shekujsh, këtë zemër të KryeHeroit tonë, kombi shqiptar e ka dashur dhe e ka pasur përherë të gjallë, si një domosdoshmëri jetike, e ka parë me sytë e mendjes të gulfojë e të përhapë pandërprerë “gjak të nxehtë” në krejt trupin dhe truallin kombëtar. Sepse Kujtesa historike e Kastriotit të Madh ishte për të ushqimi i përjetshëm shpirtëror, ishte simboli i qëndresës historike, vetë sumumi i vetëdijes sonë kombëtare.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”, që po botojmë me rastin e “Vitit Skënderbeu – 2018”,  është fryt i një pune shumëvjeçare, qëkurse nisëm të qëmtojmë me syrin e antologjistit, aty nga fundi i viteve ’90 i shekullit të kaluar, gjithçka historike me vlerë për Shqipërinë dhe Shqiptarët nën penën e autorëve të huaj. Kjo vepër, e pesta e llojit antologjik që kemi hartuar, synon ta rrokë figurën e Skënderbeut në tre dimensionet e tij madhore shfaqur që në vetë titullin e saj. Është një fluturim panoramik historik në rrjedhë të shekujve me dëshmi dhe dokumente për KryeTrimin tonë që na sjellin 202 autorë, kryesisht të huaj, përmes 920 ilustrimeve, në një diapazon të gjerë kohor që përfshin vitet 1414-2017.

Dhe prapë, vërejmë se pak kemi dhënë, sepse me dhembje e pohojmë që na është dashur të operojmë me bisturi të madhe, duke përzgjedhur nga mbushullia e lëndës tematike skënderbejane atë më të mirën, më tipiken, më origjinalen e më domethënësen që karakterizon figurën e tij, sidomos falë fjalës së autorëve të huaj të nderuar, të cilët kanë pasqyruar historikisht dhe me vërtetësi figurën e Skënderbeut, për të nxjerrë në pah cilësitë e tij të mahnitshme, në radhë të parë si “Mbrojtës i Njerëzimit dhe i Vendit të tij”, si “Mbrojtës i Krishtërimit”.

Të shumta dhe të shumëllojshme janë vlerësimet e tyre për “Shqiptarin e Madh”, cilësuar “Kampion i pathyeshëm i Kryqit”, “Aleksandri i Krishterë”, “Kapiten i parë i shekullit të tij”, “Hero atletik e homerik”, “Një nga shpëtimtarët e Europës”, “Meteor ndriçues dhe dramatik”, “Rrufeja e luftës”, “Bulevard i Krishtërimit”, “Pirrua dhe Aleksandri modern”, “Hero modern i Shqipërisë dhe Epirit”, etj., për të ardhur gjer te “pagëzimi” i Skënderbeut nga Papati “Ushtar dhe Atlet  i Krishtit”, “krye-engjëll betejash” që i vuri shpatullat vendit të tij dhe Krishtërimit duke “vonuar përparimin  e Perandorisë turke dhe duke përgatitur shembjen e saj” (sic!)

Pohime dhe vlerësime të tilla, si tituj të përjetshëm lavdiplotë për madhështinë e Gjergj Skënderbeut tonë, bëhen në këtë Album-Antologji – sipas rrjedhës së kohës – nga figura të shquara të fisnikërisë europiane dhe botërore, princër, kontë, dukë e markezë, nga emra të mirënjohur dhe personalitete të nderuara të Letrave, Filozofisë, Sociologjisë e Fesë, nga dijetarë e eruditë, që e peshojnë me kandar farmacisti vlerësimin që bëjnë, larg frymës panegjirike dhe elozheve artificiale. Sepse Bëma Kastriotine ishte një Realitet i Madh, burim frymëzimi për qëndresë të paepur, për luftë heroike të Goliatit të vogël kundër gjigandëve, një shembull vetmohimi dhe sakrifice në emër të Mbrojtjes së truallit amtar dhe të Fesë së krishterë. Nuk ka si të mos entuziazmohemi në këtë rast për vlerësimet e arta dekoratë që i bëhen Kastriotit tonë nga një Montaigne apo Voltaire, nga një Martin Luther, apo Ludvig Holberg në rangun e tyre si filozofë botërorë, nga historianë me peshë si Sismondi, Jules Michelet a Paolo Jovios, nga André Thevet, Jorga a Marinesku, për të shkuar më tej, te një strateg si James Wolfe a Charles King, te dijetari Elisée Reclus, Princi Manfredi, Konti Urfé, Mirabeau, etj. Dhe pas plejadës së autorëve të mirënjohur botërorë që kanë folur për KryeTrimin tonë me objektivitet të shëndoshë dhe vlerësim maksimal, s’na mbetet tjetër veç të shijojmë ëmbëlsinë dhe forcën e vargut poetik të Ronsard-it, poetit kombëtar francez, pasuar nga emra po aq të njohur poetësh dhe shkrimtarësh, si Chrétien Florient, Jamin Amadis, Gabielle Faerno, Luigi Groto, Marguerite Sarrochia, Edmund Spenser, D’Aubigné, William Temple, Thomas Whincop, Lamartine, Byron, Longfellow (poeti kombëtar amerikan), Clement Moore, Apollinaire, etj. etj. Dhe i shohim të tëra këto pena të ndritura në shkallë botërore të frymëzohen në radhë të parë nga vepra “Histori e Skënderbeut“ të francezit Jacques de Lavardin – vepër kjo e bazuar te Barleti ynë -, që nuk do vononte të përkthehej e botohej në gati krejt gjuhët e Europës.

Dhe jo vetëm kaq, por shpejt do shkëlqenin edhe portretet klasike për Heroin shqiptar, që do të zinin vend të nderuar në muzeumet, galeritë dhe kështjellat e Europës, përkrah portreteve të Njerëzve të Mëdhenj të Historisë Botërore. Të intriguar dhe frymëzuar nga madhështia e Veprës së Arbërorit të Madh që ndali, në krye të një populli të vogël heroik, për një çerek shekulli me radhë furinë e sulmit të Perandorisë osmane, konsideruar si superfuqi e kohës, – piktorë të famshëm të Rilindjes Europiane shpërthyen krejt fantazinë e tyre për të dhënë me gjenialitet Epopenë skënderbejane dhe sidomos për të na shfaqur portrete të Gjergj Kastriotit nga më të bukurat e më të papriturat, të cilat në shumicën e tyre janë bërë me porosi të drejtpërdrejtë koleksionistësh me emër që rendin të kishin kush e kush “Skënderbeun” e vet. Andaj nuk ka pse çuditemi kur shohim shumë portrete “realiste” të Skënderbeut të jenë vepër “Anonime” (në fakt, shumica e piktorëve të mëdhenj të Rilindjes Europiane e gjer te Rembrandi me shokë, nuk i firmosnin veprat e tyre, si një “rregull” i kohës!) Por njihet tashmë peneli i shquar i “plejadës klasike skënderbejane” – të Christofano dell Altissimo, Dominic Custos, Jorg Breu Plaku e i Riu, Jost Amman, Joanot Martorell, Klüpffel, W.Jongmann, Ladon, Barthold Pontanus, Balthasar, Stimmer, Anisson, Zucchi, P.Totti, Santarelli, Flanagan, etj. etj. Me stilin e tyre të hijeshisë klasike, me frymën e kohës dhe sidomos në përputhje me vetë përmbajtjen e “Historisë së Skënderbeut”, ata kanë realizuar portrete nga më të bukurat për Skënderbeun, duke u bërë kësisoj burim frymëzimi për breza të tërë piktorësh që kanë rrahur tematikën skënderbejane, sidomos për brezat e djeshëm dhe të sotëm të piktorëve shqiptarë.

Nga ana tjetër, admirojmë, si një mrekulli hyjnore, pikturat “e fantazuara” apo të hamendësuara për Gjergj Kastriotin, realizuar nga mjeshtër të mëdhenj si Giorgione, Guercino, Rembrand, të cilët e duan “Skënderbeun” e tyre krejt ndryshe nga të tjerët, pa kurrfarë paralelizmi me portretet që i njiheshin deri atëherë. Dhe shi këtu qëndron “teku” i penelit të tyre, forca e fantazisë, për të qenë origjinalë në mënyrë gjeniale, që dëshmon nga ana tjetër edhe nderimin më të madh për Skënderbeun, si një figurë extra, i pazakonshëm, i paarritshëm, përtej realitetit epokal. Luftëtar e luftarak i rreptë, Simbol i Lirisë, veshur në hekur dhe me helmetë aleksandrine në kokë, të stili Da Vinçi, “Skënderbeu” i Giorgiones, Gernicos, Pollaroli-t, Pellipario-s, etj. qëndron po aq bukur e krenar përballë “Skënderbeut” intelektual e humanist të Rembrandit, Jorg Breut, Galanti-t, etj. siç e shfaq në këtë vepër gjithë poeticitet edhe Lamartini i madh, sa Prijës i suksesshëm, sa Intelektual i klasit të parë, aq edhe Njeri i penës e i librit, me bibliotekë e kancelari të pasur, siç e dëshmojnë, krahas shpatave dhe përkrenares, edhe katër kodikët e tij si objekte fizike reale që po ia bëjmë këtu të njohura lexuesit tonë, vlera këto të paçmuara për bibliotekat botërore që i zotërojnë.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” – edhe pse në masë të kufizuar -, mbështetet në themelin e Historiografinë shqiptare për epokën kastriotine, nisur me Barletin dhe pasuar nga autorë shqiptarë si Gjon Muzaka, Frang Bardhi, Dhimitër Frangu, për të arritur më pas te Faik Konica, Fan Noli, Mithat Frashëri, Athanas Gegaj dhe në ditët tona te Moikom Zeqo e Pëllumb Xhufi. Domosdo, gjatë hartimit të veprës kemi konsultuar një pjesë të mirë të autorëve shqiptarë, problematikën qendrore skënderbejane të ditëve tona, dhe si udhërrëfyes kemi pasur konkluzionet domethënëse të Nolit, At Valentinit dhe prof. Kristo Frashërit, për ta parë figurën e Skënderbeut me përmasë të fuqishme evropiane, në radhë të parë si Burrë Shteti, me diplomaci të zhvilluar, me aleanca e kontakte të shumta figurash historike, në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, e mbi të gjitha si themelues gjenial i shtetit të parë të Arbërit, ardhur deri në ditët e sotme me dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova.

Është e njohur që historiani francez André Thevet, që në vitet ‘70 të shekullit XVI, kritikonte me të drejtë panegjerizmin e Barletit për Skënderbeun, fjalimet e tij të gjata e të improvizuara, duke shtruar nga ana tjetër me seriozitet çështjen e varrit të Skënderbeut, për ta vënë në pikëpyetje hapjen e tij nga osmanët dhe marrjen e eshtrave të Heroit për hajmali. Mitizimi i figurës së tij erdhi duke u rritur në rrjedhë të Historisë, aq sa në fillim të shekullit XX, Faik Konica me kritikë të rreptë shkencore shtroi ndër të parët nevojën e çmitizimit të Heroit, kur vërente bukur në veprën e Dom Ndoc Nikaj, “T’nodhunat e Shqypnis” një “Skënderbe” plot jetë e vërtetësi, “ndryshe nga Heroi i Barletit, Biemmi-së dhe Lavardin-it”, të cilët e kishin “vendosur atë tepër lart dhe tepër larg nesh”, një figurë që “mbetej e mjegulluar”, siç shprehej Konica. Kësaj çështjeje iu kthye edhe Fan Noli, duke vënë përfundimisht pikat mbi -i-, sepse, në fund të fundit, panegjerizmi i nisur nga Barleti ishte çështje krejt e dorës së dytë, apo siç shprehet Noli, “ishin çështje që u takojnë vogëlsirave, pa cenuar aspak vlerat madhore të Heroit”. Megjithatë, në ditët e sotme nuk mungon dukuria kur nisur gjoja nga “nevoja e çmitizimit”, goditet qëllimisht figura e Heroit për arsye tejet sektare, denigruese dhe poshtëruese nga një ekstremizëm i rrezikshëm regresiv, fetar e antikombëtar.

Nga ana tjetër, historiani Lavardin, mbështetur te punimet e Paolo Giovio-s, parashtron që në parathënien e “Historisë së tij të Skënderbeut”, tezën e helmimit të Skënderbeut, ashtu sikurse do të pasonte dhe do të vinte deri në ditët tona, me argumente të avancuara, edhe teza tjetër se “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit duhet të jetë vepër e Marin Biçikemit. Studjues të sotëm shqiptarë nuk kanë ngurruar t’i rrokin këto tema, të mbetura deri më sot “tabu”.

Sot, përpara Historiografisë shqiptare shtrohen, si një domosdoshmëri shkencore, mjaft çështje që kërkojnë zgjidhje me studime të thelluara. Është koha, për mendimin tonë, e mbajtjes së një Konference të re të Studimeve albanologjike në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, për të shmangur falsitetet dhe antivlerën frenuese, sidomos të viteve të fundit, dhe për të çelur perspektiva të reja shkencore edhe për vetë studimet skënderbejane, që lypset të fokusohen e thellohen më tej në çështje të tilla madhore si origjina dhe ndërtimi i plotë i pemës gjenealogjike të Familjes Kastrioti dhe e familjeve të mëdha fisnike shqiptare; çështja e ndërtimit të hartës së Shqipërisë, me topografinë e plotë të fushatave të Skënderbeut, ashtu siç u orvat ta bëjë deri në njëfarë mase Faik Konica; çështja e “çmitizimit të figurës së Skënderbeut, larg kuzhinave dhe gatesave politike, fetare, etnike etj; çështja portreteve më të hershme dhe origjinale të Heroit, mbi bazën e skicimeve në natyrë që i janë bërë, që nga medaljoni “Skënderbeu” i Pisanellos (rreth viteve 1450) deri te portreti i Fiocco-s (1465), ndërkohë që synohet të dalin në dritë portrete të Heroit tonë kombëtar edhe më të hershme.

Album-Antologjia “Skënderbeu” është mbi të gjitha fryt i një bashkëpunimi të ngushtë intelektual, profesional e vëllazëror me antikuarin dhe koleksionistin Dritan Muka me të cilin prej më shumë se një dekade kam këmbyer letërkëmbim të dendur në hulumtimin e Vlerës Madhore Historike Skënderbejane nëpër arkiva, biblioteka e antikuarë, duke gëzuar me shoshoq për çdo gjetje e zbulim të ri, dhe shpesh të zhgënjyer që “nuk arrinim dot, për arsyen e thjeshtë financiare, “të qëllonim në shenjë”. E falënderoj publikisht nga zemra mikun tim.

Por vend të veçantë, të shenjtë, të shtrenjtë, mendor e shpirtëror, ia rezervoj si përherë familjes sime, që pranon “harbimet” dhe “tekat” e mija, madje më mbështet fuqimisht e konkretisht në “izolimin” tim hulumtues e dërrmues, e megjithatë përherë ndjellës e miklues.

Në përfundim, nuk mund të rri pa përmendur takimin tim me të Madhin Mirush Kabashi në një lokal të Tiranës, për privilegjin që më bëri duke më recituar kokë më kokë, me atë zërin e tij melodioz à la Chopin apo Mendelssohn, vargjet e Çajupit “Dëshir’ e Skënderbeut ditën që vdiq”, dhe duke më mbajtur të ngrirë për minuta të tëra, me qimet e parakrahëve ngritur përpjetë nga emocioni, me zemrën që më rrihte fort, dhe që më cyti t’i hidhesha në qafë e ta shtrëngoja në gjoks. Edhe tani kam në veshë jehonën e fjalëve të tij çajupiane ; “O vëllezër Shqipëtarë! / U lutem të bëni mbarë, / Gjith’ bashk’ e të pandarë”.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Atlet i krishtit, Fotaq Andrea, liber i ri, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • 221
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT