• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Heronjë që i rrinë Shqipërisë kurorë

November 18, 2017 by dgreca

Rrapo hekali

Shkruan: Dr. Nuri Dragoj/

Monografia “Rrapo Hekali dhe legjenda e një fisi martirësh”, të autorëve Nuri Plaku dhe Robert Hamitaj, është një studim me vlerë të madhe historike, pasi ndriçon për herë të parë, në të gjitha përmasat e veta, veprën heroike të Rrapo Hekalit dhe trimave të fisit Hamitaj, të cilët janë sakrifikuar në breza për çështjen shqiptare. Referimet historike, burimet e shkruara dhe të pashkruara më parë, pasqyrimi me kujdes dhe në gjerësi i folklorit të kohës, përdorimi i metodave krahasuese në beteja të kryera nga trima të tjerë, në atë trevë e më gjerë, ka shërbyer për të saktësuar më mirë përmasat e luftëtarit të shquar.Autorët na kanë dhënë me kujdes zhvillimet historike të kohës, reformat perandorake, cënimin prej tyre të popullsisë së varfër shqiptare, reagimin e saj dhe kundërveprimin e shtetit osman me anë të dhunës e terrorit, me objekt nënshtrimin e të pabindurve. Por nuk ishte e lehtë për të, pasi në radhët e popullit gjendeshin individë me ndërgjegje e karakter të fortë, që dilnin vetvetiu në krye të turmave dhe mbronin interesat e tyre. Këtë bëri dhe Rrapo Hekali në shekullin e XIX, pasi nuk pajtohej me taksat e larta dhe marrjen e djemve nizam, të cilët shkonin me vite në luftëra të ndryshme të perandorisë, me objekt zgjerimin e trojeve të saj në dëm të popujve të tjerë. Shumica e tyre nuk kthehej më dhe kjo ishte e dhimbshme për popullin fukara. Mjaft interesante është çimentimi i veprimtarisë luftarake dhe qëndrimit kombëtar të Rrapo Hekalit në folklorin e asaj treve, pasqyruar në gjerësinë dhe thellësinë e vetë, duke i dhënë vend të rëndësishëm në këtë aspekt, mbase direkt pas Skënderbeut. Disa nga paria thanë,/ U zu Rrapua me pashanë,…/ – Jemi popull fukara, / Po rrojmë me lakëra,/ Katër shtëpi me një ka.

Në libër na jepet me kujdes revolta për taksat, e cila vjen në rritje dhe gradualisht kthehet në kryengritje të armatosur, duke u shtrirë në gjithë jugun e Shqipërisë. Aty dalin qartë përpjekjet për organizimin e kryengritjes, zgjedhjen e komandantëve dhe vendosjen e trimave nën drejtimin e tyre. Këto zgjedhje bëheshin me kuvend, pasi vetëm në këtë mënyrë i pari i fshatit, krahinës a gjithë trevës, mund të ndiqej me vullnet nga vegjëlia. Dhe kënga thotë:                                    Folën ca, e pastaj thanë,/ Duhet zgjedhur një komandë,/ Njëzëri të gjithë me radhë,/                                     Të parë vunë Rrapo Hekalë… Dhe ai e justifikoi besimin e tyre, pasi nuk u tërhoq nga fronti për asnjë çast, duke qenë vetë në ball të luftimeve: Hajde more Rrapo Hekali,/                                              Kur thërret, sa tundet mali!

Në monografi pasqyrohet me kujdes karakteri burrëror i Rrapo Hekalit, i cili me veprimet e tij nuk lë më të voglin dyshim që, për interesat madhore të kombit të vet, të bashkimit të popullit dhe plotësimit të kërkesave të tyre, bënte gjithçka, me synim pajtimin e familjeve shqiptare në konflikte hasmërie. Ai e kishte kuptuar që, në moment të tilla historike, ishte e nevojshme të linin pas krahëve mëritë me njëri-tjetrin, madje të falnin dhe gjakun, pasi hakmarrja midis shqiptarëve nuk mund të zinte vend në një kohë që mungonte liria, për fitimin e së cilës kërkohej bashkimi i shqiptarëve. Kjo del qartë kur ai i fal gjakun Mane Goxhajt, i cili kishte marrë jetën e babait të Rrapo Hekalit, një xhest ky që mbart vlera të mëdha për dje dhe për sot, madje për çdo kohë.

Libri na tregon dhe na mëson se njeriu me cilësi të larta morale, nuk ka liri të zgjedhë, pasi zgjedhja e tij është përcaktuar që në gjenezë, ngaqë liria e zgjedhjes te njeriu është pjesë e prirjeve të kundërta të tij. Sido që ta bëjmë zgjedhjen, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, dy janë rrugët: Do të përballemi me zgjedhjen që buron nga një veprim i diktuar nga arsyeja apo nga pasione irracionale, sepse problemi i zgjedhjes nuk është çështje e mundësive të barabarta. Në rastin e personazheve të skalitura në monografinë e Plakut dhe Hamitajt, përballemi me njerëz që kanë përqafuar zgjedhjen e progresit në kundërshtim me regresin, të burrave që kanë preferuar të ushqejnë dashurinë dhe të shpërndajnë urrejtjen, të luftëtarëve që kanë vlerësuar mbi gjithçka pavarësinë dhe lirinë në kundërshtim me skllavërinë.

Me gjithë punën e madhe dhe pasqyrimin e gjerë të veprimtarisë luftarake e patriotike të Rrapo Hekalit, autorët kanë bindjen se materiali nuk është shterues, pasi ende ka nevojë të zbardhen dokumente osmane të panjohura deri tani, të sqarohet qëndrimi i qeveritarëve të kohës, rast pas rasti, deri te sjellja e sulltanit ne raport me jetën e veprën e heroit në fjalë.

Praktika e kombit shqiptar dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme vizionin realist në kërkim të lirisë. Nevoja ka bërë që ata të ndërgjegjësoheshin se liria mund të fitohej vetëm atëherë kur kërkohej nga tërësia e individëve dhe jo nga një individ të veçantë. Vetëdija e shqiptarëve, në shekuj, ka reaguar pa ndonjë vendim politik, i çfarëdo lloi qoftë ai, përherë në kundërshtim me mendësitë e regjimit pushtues, pa iu trembur reprezaljeve që ushtronte makina ushtarake, pa u urdhëruar nga askush, duke u përfshirë vullnetarisht në breza, në luftën për liri. Pra kemi të bëjmë me një moral, me rivlerësim të besimeve që udhëhiqnin sjelljen shoqërore të njeriut të lirë, i cili drejtohej nga nevoja e një koncepti shoqërisht të përbashkët, për një jetë më të mirë, gjë që mbështetej krahas përmbushjes së kënaqësive individuale, edhe në gatishmërinë për të shkrirë krejt pasurinë, pa kursyer as jetën për idealin e lirisë.

Është kjo arsyeja që, përpjekjet e autorteteve osmane, për ta detyruar Rrapo Hekalin të tërhiqej nga qëllimi i tij, apo për ta bërë për vete, të dështonin me turp përherë, në një kohë që nuk munguan luftëtarë të tjerë që u nënshtroheshin kushteve të caktuara nga sulltani, në këmbim të parave, ofiqeve apo pasurisë. Pikërisht këto çedime në radhët e luftëtarëve janë bërë shkak për depërtimin e ujit të ndotur nën rrogozin e frontit popullor. Por Rrapo Hekali nuk mund të tradhëtonte vegjëlinë, të cilëve u kishte dhënë besën, sepse edhe ata kishin bërë atë çfarë ai u pati kërkuar. Dhe kjo reflektohet në këngën popullore që thotë me forcën e fjalës: – O Rrapo, jepu, pse s’jepe? / – Si të jepem, ku të vete? / S’i them dot Sulltanit peqe, / Kam fukarenjtë me vete, / Unë thirr e ata lepe…

Qeveritarët i kujtonin Rrapos edhe pasojat me të cilat do të përballej për shkak të mosbindjes, por trimi tallej me to, duke vënë në plan të parë interesin e shqiptarëve dhe jo jetën e vet: “Mu në djall le të vete”, – ishte përgjigja e tij. Sepse jeta e individit, nuk kishte kuptim pa atë të tjerëve, pa lirinë e mëmëdheut të vetë. Pikërisht pas kësaj, populli do ta gdhëndte në këngë pavdekësinë e heroit: – Rrofsh, o rrofsh, se e rrëfeve, / Si disa ti su gënjeve, / Kafshatën me gjak e ngjeve, / Si xhevahir shkëlqeve.

Kafshatën me gjak e ngjeve! Një varg goditës, shokues, kryevarg i këngës popullore kushtuar Rrapo Hekalit, që i kumbon në vesh për kohë të gjatë, gjithkujt që e lexon, varg që ngre peshë zemrat shqiptare dhe shumfishon dashurinë për atdheun dhe veprën e heroit. Pasqyrimi me mjeshtëri e realizëm i jetës së Rrapo Hekalit apo breznisë së Hamitajve nga autorët e librit, na tregon dhe njëkohësisht na bind se në çdo kohë duhet të bëjmë zgjedhjen drejt të mirës, sepse kështu bëhemi pjesëtarë të veprimeve pozitive të shoqërisë, në dobi të kapërcimit të baticës së njerëzimit. Sjelljet dhe veprimet pozitive përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes në botë, në shmangien e forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Regresive nuk janë forcat që ngrihen për liri, por ato që ushtrojnë dhunën, ato që tentojnë t’u zënë frymën popujve, ata që luajnë me jetët njerëzore për zgjerimin e trojeve sunduese, apo për shfrytëzimin maksimal të pasurive dhe djersës së kombeve të robëruar. Nga gjithë historia e heroit tonë të Hekalit dhe shokëve të tij, kuptojmë që njerëzimi dëmtohet, gjunjëzohet, shtypet e masakrohet, jo thjesht nga mizoria e brendshme e zemrës njerëzore, por në radhë të parë nga paaftësia e tërësisë së individëve për të qenë të vetëdijshëm, lidhur me rrugën që duhet zgjedhur. Dhe nëse të gjithë do të vepronin si Rrapo Hekali, nuk do të kishte vend për sundim perandorish, për sundues të egër shekullor, të cilët thellojnë errësirën dhe mjerimin.

Autorët sqarojnë dhe momente kritike, të cilat deri tani kanë qenë të errëta, apo të publikuara pa u menduar, pa analizë të fakteve historike, pa bërë ballafaqimet e tyre në kohë. Një prej këtyre momenteve është pasuria e Rrapo Hekalit. Studiuesit e jetës dhe veprimtarisë së personazhit kryesor të librit tregojnë se ai e vuri pasurinë në shërbim të çështjes kombëtare. Dhe këtë e japin hap pas hapi me një sërë argumentesh, pa u mjaftuar me të dhënat e autorëve të ndryshëm. Natyrisht ato nuk lihen mënjanë, por jepen duke iu nënshtruar analizës historike të ngjarjeve me logjikë të ftohtë, por dhe duke i ballafaquar me të dhëna të tjera, të cilat çojnë në përfundimin se pasuria e tij nuk ka qenë produkt i dhuratës së Alush Bej Frakullës, por e trashëguar nga të parët e vet. Pra është pronë e fisit të tij, e cila ka kaluar në breza, nga njeri tek tjetri.

Duke lexuar këtë libër, njihemi në detaje me historinë e burrave me emër që kanë patur në gen dashurinë për atdheun, burrërinë, aftësinë organizuese dhe drejtuese, besën e dhënë. Të tillë janë Hasan Hamit Hekali, Hamit Hasan Hekali, Rrapo Hasan Hekali, Selfo Hamit Hamitaj, Kasëm Selfo Hamitaj, Hamit Kasëm Hamitaj, Sabri Hamit Hamitaj, Hajredin Hamit Hamitaj, Qazim Selfo Hamitaj, Hysen Qazim Hamitaj, Rrapo  Hysen Hamitaj, Namik Qazim Hamitaj, Hajredin Musa Hamitaj, Shaqir Musa Hamitaj, Novrus Shaqir Hamitaj, Fuat Novrus Hamitaj, Qemal Shaqir Hamitaj, Njazi Qemal Hamitaj, Nasibi Qemal Hamitaj, Behar Qemal Hamitaj, Xhevat Novrus Hamitaj, Riza Musa Hamitaj, Shaban Musa Hamitaj, Nishat Shaban Hamitaj, Bastri Novrus Hamitaj, Ali Muhedin Hamitaj, Hysen Halim Hamitaj, Hajdar Halim Hamitaj, Sami Hajdar Hamitaj etj.

Pasi lexojmë librin e kuptojmë edhe më mire, që veprimet njerëzore janë të kondicionuara dhe të programuara, por ndërsa kafshët veprojnë të nxitur nga instikti, njeriu udhëhiqet dhe vepron në mënyrë të ndërgjegjjshme. Kush vepron jashtë ndërgjegjes, është e sigurt që humbet. Ruajtja apo shfaqja e identitetit të njeriut, ruajtja apo fitimi i lirisë, është rezultat i veprimeve të veta, të cilat jo në çdo rast arrihen, madje shpesh herë paguhen shtrenjtë dhe kolektivisht, sepse dihet që e keqja është shmangie ndaj ekzistencës së thelbit tonë. Dhe në rastin e monografisë “Rrapo Hekali dhe legjenda e një fisi martirësh”, shohim që sjellja e Rrapos me shokë bëri që të digjej dhe masakrohej tërë fshati. Por të mos harrojmë që ndërgjegja qytetare nuk u përdhos, madje ajo u ngrit edhe më lart, pasi u bë pronë e gjithë banorëve. Madje, bashkë burrat luftuan edhe gratë. Ndaj kënga thotë: Kur u dogj Hekali mjerë,/ Erdhë me mijra asqerë, / U vu flaka derë më derë, / U bë ngado ylyver, / Dolli tym e mori flakë, / Vranë burrat, therën gratë…

Populli di t’i mbajë në zemër trimat e vetë. Autorët kanë ditur të na japin në mënyrë të veçantë edhe trimërinë e vajzave dhe grave, përkrahë vëllezërve dhe djemve të tyre, shërbimet që ato kanë kryer në vijën e frontit, duke e ngritur edhe më lart prestigjin e gruas mallakastriote në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Në krahë të luftëtarëve ranë shumë gra, midis të cilave ishte dhe njëra me emrin Merushe, nuse e një djali të rënë në betejën e Beratit. Pa u zhytur në arkiva, një pamje të gjallë të pjesëmarrjes së tyre në këtë betejë e përftojmë nga vargjet e këngës së njohur popullore: Moj Merushe, moj burrneshe / Nuk ke vdek, por je pranë nesh, / Me qendresën e trimërinë, / Ti vulose pavdekësinë.

Rezistenca e mallakastriotëve jepet në libër e plotë, me forcën dhe kohëzgjatjen e saj, por ne e dimë që ushtria perandorake ishte e shumtë në numër dhe me armatime moderne, në një kohë që kur luftëtarët shqiptarë qenë në numër të kufizuar dhe zotëronin armë dhe municion të paktë. Për pasojë, rrethimet me ditë të tëra të trimave, shpesh përfundonin me dëshpërim, ndonëse binin disa dhe ngriheshin të tjerë, njëri pas tjetrit, sikur mbinin nga dheu. Rrapo Hekalë e zunë,/ Në Manastir ç’e shpunë, / Në hapsanë seç e funë….

Pavarësisht nga disfatat e pësuara për arsye të ndryshme, autorët na tregojnë se kryengritjet antiosmane të Shqipërisë së Jugut patën rëndësi të madhe, ngaqë e ngritën lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit në një shkallë më të lartë, në aspektin e përmbajtjes, shtrirjes e organizimit të tyre dhe, në mënyrë të veçantë, për bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga krahina e banimit apo besimi që përfaqësonin. Ato ishin manifestime të karakterit antifeudal të fshatarësisë shqiptare kundër sundimit osman, dëshmuan solidaritet popullor, shërbyen për rilindjen e Shqipërisë, hodhën bazat për kërkimin e autonomisë kombëtare, rritën ndërgjegjen patriotike, forcuan ndjenjën e ruajtjes së moralit dhe indetitetit kombëtar.

Autorët nashpjegojnë hap pas hapi, se nuk ishte vetëm një Rrapo që bënte kërdinë mbi osmanët i pagjunjëzuar para tyre, por edhe dhjetëra shokë të tij që ndiqnin të njëjtën rrugë. Ata që shiteshin për një qese flori, siç ishte rasti i Shaban bej Peshtanit, të personifikuar me epitetin “dhelpra e marsit”, nuk mund të liheshin të gjallë. Dhuratat e marra nga bejlerët dhe agallarët, të cilët i kishin shërbyer dovletit me tradhëtinë e tyre kundër kryengritësve, u bënë të njohura për ta, ndaj i zunë pritë Shabanit në qafën e Sqepurit, ku morën pjesë edhe komandantët Sulo Zeneli, Rrapo Toro, Likë Zeqo dhe Lulo Duraj. I bënë gjyqin po aty dhe e ekzekutuan. Këtë ngjarje e ka përjetësuar dhe kënga popullore: Shaban Peshtani effendi,/ Me atë që na ke bërë ti,/ I thonë puro tradhëti…/ Shumë nëna janë në zi,/…Nuk mund të lëmë gjallë,/ Se plumbin e ke hallallë, / Nuk jemi neve si ti, / Që të shitemi për flori.

Të njëjtin rrugë ndoqën dhe burra të tillë si Like Zeqo, një nga trimat e Rrapos nga Drizari, i cili i rezistoi rrethimit shtatë ditë dhe, pasi iu mbaruan fishekët, vrau veten. Ja si e përshkruan kënga aktin trimëror të tij: Like Zequa nga Drizari,/ Zuri dyfekun i pari,/                                         Shtatë ditë e shtatë netë, / Luftoi Like Zequa vetë.

Lufta për të drejtat e shqiptarëve nuk është ndalur për asnjë çast. Pas Rrapo Hekalit shohim Selfo Hamitin që bënë të pamundurën për mësimin e gjuhës shqipe. Autorët e librit na japin gjendjen në krahinën e Gjirokastrës, Vlorës dhe Beratit, të cilat në vitin 1878 administronin 80 shkolla në gjuhën osmane, 163 shkolla në gjuhën greke dhe asnjë shkollë në shqip. Me përpjekjet e atdhetarëve filloi mësimi i gjuhës shqipe. Në trevat veriore kujdesej kisha katolike dhe në jug, qendra ku lëvrohej ghuha shqipe, ndonëse me alfabet arab, u bënë teqet e bektashinjëve. Focimi i ndërgjegjes kombëtare çoi në mbajtjen e Kuvendit të Gjirokastrës, më 23 korrik 1880, sipas të cilit populli shqiptar do të mund të siguronte të drejtën e egzistencës së tij, si pjestar i familjes së popujve europian, vetëm duke dalë nga prapambetja dhe duke ndjekur shëmbullin e shteteve  më të përparuara.

Në libër na jepet në vijim veprimtaria patriotike e fisit Hamitaj, roli i tyre në kryengritjet e viteve 1911-1912, ndihmesa e dhënë në shpalljen e Pavarësisë dhe stabilitetin e rendit, përballimin e rreziqeve që vinin nga pushtimi grek, serb e malazez, përballja me forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, ku u vra dhe Hajredin Fratari.

Vitet rridhnin dhe zhvillimi i punimeve të Konferencës së Paqes së Versajës (1919-1920) thirri në skenë Kongresin e Lushnjës që kërkoi largimin me forcë të trupave italiane nga Shqipëria. Për organizmin e kryengritjes së armatosur u krijua dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare, i cili nuk u pa me sy të mirë nga Roma, ndaj komanda ushtarake nisi një aksion të ri për të neutralizuar veprimtarinë e tij atdhetare. Veprimi i parë ishte përpjekja për të mbledhur armët që gjendeshin në duart e popullsisë civile. Për të patur sukses në këtë aksion, ata u premtuan njerëzve nga 3 deri 5 napolona për çdo armë që do të dorëzohej. Por kryesia e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e kuptoi grackën që po ngrihej prej ushtarakëve të Romës dhe mori masa për të neutralizuar planin e tyre. Komiteti këshilloi banorët t’i bindeshin vetëm atij, pasi ishte institucion i ngritur prej shqiptarëve dhe do t’u gjendej pranë për çdo rast nevoje. Kjo bëri që jo vetëm armët të mos dorëzoheshin, por të shtoheshin radhët e luftëtarëve shqiptarë.

Ardhja e kolonel Castoldit* me detyrën e komisarit të lartë italian në Shqipëri, krijoi debate midis grupimeve politike e intelektuale. Një pjesë ishin për të mos bërë asnjë lëshim, të tjerët këshillonin të mos nxitoheshin. Madje kishte dhe nga ata që mendonin se një vend i vogël, me politikanë që kishin sjellë vetëm trazira, e kishte të vështirë mbijetesën, aq më tepër që nuk kishte ushtri e disiplinuar, financiat qenë në gjendje kritike dhe nevoja për ndihmë morale e materiale ishte e madhe. Pavarësisht nga gjendja e krijuar, patriotët shqiptarë e kuptuan se për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të kishte zgjidhje tjetër veç pushkës, aq më tepër kur dyert e Fuqive të Mëdha ishin të mbylluara.

Situata vinte duke u tensionuar. Komanda e Tepelenës pati deklaruar se nuk e njihte nënprefektin e caktuar nga qeveria shqiptare, pasi ata vareshin nga Vlora. Në këto kushte, forcat shqiptare u detyruan të tërhiqeshin, ndërsa Piacentini u ktheu topat dhe mitralozët xhandarëve shqiptarë në Tepelenë, sepse kërkuan të merrnin në dorëzim administratën. Madje u burgosën disa nacionalistë që nuk pranonin kthimin e vendlindjes së tyre në koloni italiane. Pas kësaj, nënprefektit të Tepelenës, Sulejman Sefedin Shehu, iu kërkua të jepte dorëheqjen, në bazë të ligjeve të shtetit të ri shqiptar, pasi emërimi dhe shkarkimi i tij varej nga qeveria dhe jo nga komanda ushtarake italiane. Por ai nuk pranoi. Atëherë Komiteti Mbrojtja Kombëtare i Tepelenës vendosi që nënprefekti të vritej dhe më 26 mars, në kohën që kthehej nga Luzati, atij iu bë atentat.

Në kushte të tilla gjithë jugu i Shqipërisë u ngrit në këmbë. Autorët e këtij librit na japin me detaje heroizmin e treguar prej fierakëve në Luftën e Vlorës, ku Qazim Selfo Hamitaj kishte marrë hijen e një udhëheqësi politik, ndërsa komandant i përgjithshëm i forcave të Mallakastrës së Sipërme qe zgjedhur Halim Hamiti. Forcat e Mallakastrës së Sipërme nën udhëheqjen e Halim Hamitit mbajtën me sukses frontin e Risilisë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për luftëtarët e Bektash Cakranit. Mdje fierakët zbuluan dhe planet e fshehta të komandës italiane, duke ua djegur planin e bërë dhe vrarë qindra ushtarë. Halim Hamiti dhe shokët e tij morën pas vetes djemtë dhe nipërit dhe luftuan heroikisht. Populli nuk harroi t’u këndonte heronjve të gjallë dhe të vdekur, për gjithçka bënë duke e hedhur ushtrinë italiane përtej Adriatikut. Nëntëqintë e njëzetë viti, / Mallakastra seç buçiti,/ Komandant Halim Hamiti, Vegjëlinë seç e ngriti, / Sipër Vlorës e vërviti…

Pjesëmarrja në revolucionin e qershorit 1924 dhe ngjarje të tjera e ngrenë përherë e më lart emrin e luftëtarëve mallkastriot. Ata dalin në plan të parë edhe në organizimin e çetave nacionaliste në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë, i shohim komandat çetash e batalionesh, fis që janë vrarë në shekuj për lirinë e Shqipërisë dhe përsëri djemtë e të vrarëve e pas tyre nipër e stërnipër, kanë bërë të njëjtën gjë. Nuk u dhimbsej jeta kur binin në përpjekje me armikun. Zemra e tyre qe gati të pëlciste kur lufta bëhej për pushtet, kur harroheshin trojet shqiptare të Kosovës e Çamërisë, kur vëllai vriste vëllain, kur urrejtja për njëri tjetrin mbillej me shpejtësi dhe ujitej nga politika e Beogradit. Autorët na japin detaje rreth mendimeve të kundërta që kishin me komunistët, të cilët ndikoheshin nga politika slave. Kjo ndodhte sepse Hamitajt nuk pajtoheshin me yllin e Stalinit, por nga ana tjetër, si nacionalistë që ishin, nuk rezulton për asnjë çast që të kenë hequr dorë nga lufta kundër okupatorit. Megjithatë, terrori komunist i ndoqi hap pas hapi, me synim shkatërrimin e fisit të tyre. Askush mga krerët e shtetit komunist apo të partisë-shtet nuk u kujtua që ata burra të shquar që burgoseshin pa shkak dhe vdisnin qelive, ishin pjesë e asaj familje të lavdishme të krahinës së Mallakastrës. Bukur e thonë autorët e librit. Ndërsa Enver Hoxha fliste me mburrje për traditën luftarake të popullit mallakastriot dhe përmendëte heroizmin e Rrapo Hekalit, pasardhësit e tij vuanin dënimet më çnjerëzore. Është i pakuptueshëm fakti që nxënësit në shkollë edukoheshin me aktin heroik të Rrapo Hekalit, ndërsa stërnipërit e heroit ishin privuar edhe nga e drejta më elementare për arsimim.

E megjithatë, me sjelljen e fakteve të tilla kuptohet lehtësisht se ishte vetëdija ajo që përcaktoi vendimin e zgjedhjes së rrugës më të mirë nga krerët e popullit shqiptar, pavarësisht nga krimet e komunizmit. Kuptohet që kjo nuk ishte vetëdije tradicionale, e sugjeruar nga autoritetet, por një vetëdije që e mëson vetë njeriu, brenda të cilit përfshihen edhe dëshirat e pavetëdijshme. Por nëse kjo zgjedhje nuk bëhej në çastin e duhur, më vonë do të ishte e pafrytshme. Midis skajit kur mund të bëhet veprimi i gabuar dhe anës tjetër kur humbet mundësia e veprimit të drejtë, ka disa shkallë të lirisë së zgjedhjes, ndaj kur merren vendime të rëndësishme në kundërshtim me ndërgjegjen, për shkak të frikës së opinionit, rrezikut të disfatës apo lakmisë së përfitimeve në mënyrë të padrejtë, humbja është e sigurt. Dështimi ndodh kur nuk e shohim që jemi në udhëkryq dhe duhet të vendosim, pasi një pozicion i përcaktuar, në çdo situatë konkrete ka vetëm një mundësi zgjedhje. Pikërisht sepse këta individë kanë bërë zgjedhjen e duhur, kanë siguruar mbijetesën dhe nuk kanë humbur si njerëz. Ata mbetën pjesëtarë të udhëtimit të kombit dhe, me veprën e tyre, do të ndihmojnë vazhdimisht në kapërcimin e baticave me të cilat përballet shpesh njerëzimi. Hamitajt edhe kur dhanë jetën e kishin të qartë se veprimet e mira të çdo kombi përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes dhe ndihmojnë në shmangien e forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Pavarësisht nga sjellja e komunistëve ndaj tyre, përsëri ata mbeten në piedestalin e atyre heronjëve që i rrinë Shqipërisë, në çdo kohë, kurorë mbi krye, burim frymëzimi dhe shprese për këdo prej nesh. Mospërfillja e sistemit komunist ndaj kësaj kategorie heronjsh, përcaktohet mjaft mirë nga Erich Fromm, i cili në librin e tij “Të jesh apo të kesh”, thotë: “Nëse njeriu bëhet mospërfillës ndaj jetës, nuk ka asnjë shpresë që të zgjedhë të mirën. Atëherë me të vërtetë ai do të bëhet zemërgur deri në atë pikë saqë “jeta”e tij të marrë fund. Nëse kjo do t’i ndodhë gjithë njerëzimit ose pjesës më të madhe të tij, jeta e njerëzimit mund të shuhet në çastin e saj më premtues”.

* Kolonel Fortunato Castoldi, ishte anëtar i Komisionit të përcaktimit të Kufijve Jugor të Shqipërisë më 1913, më vonë ka kryer detyrën e këshilltarit të Princit Vilhelm Ëiedit në vitin 1914. Në vitin 1920 iu besua detyra e komisionerit të lartë italian për Shqipërinë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Nuri Dragoi, Heronjë, që i rrinë, Shqipërisë kurorë

VETËDIJA E NJË DUKURIE LETRARE

November 11, 2017 by dgreca

– Shqyrim letrar mbi romanin e Vilson Culajt `I Dëbuari/1 Romani-i-debuariShkruan: Violeta ALLMUÇA/DIELLI/
Shkrimtare/

Në brendësinë e tij ky roman i shkruar nga një shkrimtar i emancipuar artistikisht dhe estetikisht përfshin ngjarje shqiptare të kohës që ruante komplekset e së shkuarës, dhe kohës së re të krijuesëve të rinj. Meqenëse na paraqitet një shtjellim dhe krijim me kontekst prozaik, autori lëviz në udhën letrare për të na sjellë një roman po aq të vërtetë sa edhe jeta e paraardhësve të vërtetë. Duke përzgjedhur temën e qenësisë dhe qëndresën e njeriut shqiptar në shekuj, para lexuesit materializohet një realitet i strukturuar, ku në esencë shfaqet historia e prekshme shpirtërore me elementë të gjallimit në kohë dhe hapësirë. Autori përcjell një vetëdijësim të zbuluar në ekzistencën njerëzore, të një kohe e cila kërkon të gjallojë po të njëjtin sistem të kujtesës, tanimë në rrafshin artistik ku na rishfaqet drama e jetës shqiptare. Në thelbin e një ngjarjeje historike për ta zhveshur njeriun nga mbulesa e heshtjes, autori ka krijuar realitetin shpirtëror, pra, një qenësi të dalë nga tragjikja. Ngjarjet konkrete në roman lëvizin përmes personazheve konkretë të cilët çuditërisht përshkruhen qysh nga qenësia e së shkuarës e deri e së tashmes. Teksa rrëfen jetën e dyfishtë të konkretes me tragjiken autori e kthen në një qasje të përjetshme historinë njerëzore. Projeksioni i rrëfimtarit dhe personazhit kryesor reflekton një zhvillim letrar me përmasa kundërthënëse qysh në rrënimin e viteve të ikura, ideve dhe traditave ku objekti artistik bëhet i pakohshëm duke ngritur një epokë tjetër, e cila në të vërtetë nuk ishte harruar as në rrjedhën e shtetit më të vjetër. Koha dhe njeriu ecnin përkrah njëri tjetrit me të njejtin mesazh tipik, gjetjes së thelbit të përbashkët. Qëndresa dhe sakrificat e tyre qartësojnë fakte historike duke përcjellë ide të thella që nuk ishin rrënuar nga koha, por nga vetë njerëzit, të cilët nuk mund të jetonin pa të ardhmen. Secili kishte heroin dhe librin e jetës së vet, secili udhëtonte, rrëzohej dhe ngrihej përsësri në këmbë. Autori Vilson Culaj e gjen objektin artistik nëpërmjet shtjellimit të strukturës së tekstit dhe mënyrës së të shprehurit. Rrëfimi është i njejtë me rrëfimin e personazhit kryesor si të ketë jetuar brenda tij, duke krijuar një roman të veçantë me forcë shprehëse artistike në letërsinë shqipe. Trajtimi në vetën e parë të një drame njerëzore ku lëvizin personazhe të rrethuar nga e shkuara dhe e tashmja, brenda dramës e fenomenit të një jete misterioze rrotullohet rreth një bërthame qendrore. Ajo përbën jetën dhe dashurinë si tërësi estetike. Monologu dhe dialogu i përdorur në temën e njohur të Kanunit në zhvillim të ndërsjellë me jetën e njeriut si personazh edhe me jetën reale, kushtëzohet nga funksioni shpirtëror që kundërvihet mbi dhimbjen e vuajtjet e kohës. Duke na shpallur realitetin e mungesës së lirisë si një kushtëzues të jetës njerëzore, episodet lidhen me njera tjetrën duke formuar ndërtimin tekstor, jo në formën tradicionale, por si perceptim modern i një realiteti të ri. Është e natyrshme që krijuesi cilësor e përçon realitetin artistik nëpërmjet sistemit gjuhësor dhe atij kuptimor si përkushtim estetik e origjinal i thyerjes së kohezionit në unitet me strukturën artistike. Historia e UNIT lëviz brenda personazheve në realitetin e Krahinës dhe traditës ku individi nëpërmjet artit letrar kërkon atë çfarë ka humbur në histori.
`Dëbimi emocional arrin deri në dëbimin real` drejt një rruge pa adresë të personazhit duke bërë që vetmia të mbetet një aleat i vështirë, një botë e frymë tjetër që e shtyn njeriun të mendojë për ekzistencën. Kjo ndodh sepse njeriut ashtu si personazhit kryesor i kishin mohuar lirinë. Ngjarja e lindur në tokën e të parëve e ndjek personazhin nga fillimi i romanit deri në fund të tij. Autori duke dashur të zbulojë të vërtetën njerëzore të Gjon Kekës na sjell një figurë krejt ndryshe në ide, në dhimbje apo në ndryshim, i cili gjatë historisë së jetës kërkon të gjejë thelbin e saj. Bashkëngjitjen e jetës personale me jetën `hije` që e ndjek pas, ai e shndërron nga një botë e vogël rreth tij në një botë të madhe me kujtesë, ku nata i dukej shekull dhe dita e vuajtur, sepse i mungonte e realitetit historik. Nëse personazhi gjatë gjithë leximit të romanit endet në kërkim të së vërtetës së rrënjëve e trungut të tij, kjo mbetet një dilemë e thellë për ta çuar figurën qendrore të romanit, Gjonin, në hapësirat e lirisë. Duke kërkuar vetëveten njeriu duhej të luftonte me perandorinë e heshtjes dhe kujtimeve për të gjetur gjurmët e gjakut të tij. Ideja se njeriu mund të vdiste vetëm njëherë i sillet përqark si një zjarr poshtë qiellit të dashurisë dhe Atdheut të zaptuar nga qenie pa atdhe. Kjo filozofi e copëtimit të tokës së paraardhësve kthehet në një ide që përçon romanin në udhëkryqin e të shkuarës dhe të së ardhmes. Procesi filozofik dhe tematik i romanit thellohet teksa jeta njerëzore në pafundësi krijon raporte me strukturën shprehëse artistike si forcën e personazhit, dallimin e tij, formës së rrëfimit në funksion të plotë të vijimit qenësor dhe krijimit letrar. Duke kërkuar rrënjët e kahershme midis jetës dhe vdekjes, këtij kontrasti të njohur, ku humnera e territ dhe rrëmbimi i trojeve simbolizojnë kërkimin e shenjtërisë së kombit të humbur apo plisat e gjakosur në shekuj për qëndresë, lindin elementë artistikë që na zbulojnë esencën e kujtesës. Realiteti historik e shtyn personazhin kryesor Gjonin të zbulojë një realitet tjetër brenda vetëdijes së tij duke u ballafaquar me të vërtetën e jetës së të parëve që nuk kanë vetëm rrënjë historike por edhe shpirtërore. Koha e zbulimit të së shkuarës dhe koha e rrëfimit të së tashmes krijojnë një realitet artistik, pasi autori i romanit hyn brenda botës së disa personazheve në roman si Hana, Atë Artur Konica, Shpresa, Frati i krahinës Pashku, Gjina e të tjerë zëra që dëgjohen duke shpalosur botën e vërtetë të jetës së tyre. Mitizimi gjithkohor i rrënjëve të atdheut të përjetshëm shfaqet në nivel të lartë artistik dhe estetik duke e bërë romanin `I dëbuari` shkruar me një stil europian dhe modern në zbulimin e qenësisë, një dukuri të re në realitetin e letërsisë shqipe.

Filed Under: LETERSI Tagged With: I DEBUARI, Vilson Culaj, Violeta Allmuca

Sofra Poetike e Dielli-t- Buqetë Lirike Nga Anton Çefa

November 9, 2017 by dgreca

Buqetë lirike/

1-anton-cefa

Nga Anton Çefa/ New Jersey/USA/

Atdheu/

Ma i madhi mister/

Rri fshehur në truallin tand/

Etje e dhimbjes/

Dhe e mallit/

Që shtohet në rrjedhë të stinëve./

Jehe melodish

Në mendimin tim

Thërmohet nji tingull guri

E vorbuj flake ngre në çdo pikël gjaku

Mandej nji mal me dhimbje

E jehe melodish

Ma të lashta se kohë e gurit.

Mallkimi i gurit

Që në kohët ma të hershme

Stërgjyshi im në logun e kuvendit

Faqe burrave urtakë

U përbetue mbi gur . . .

Dhe guri ia lëshoi namën e vet:

“Mallkue qoftë çdo gja qi s’asht gja,

mallkue qoftë fjala,

nëse nuk zbulon të vërtetën,

lëvizja nëse nuk synon drejt dritës,

ngjyra nëse nuk ruen fytyrën,

forma nëse shtrajtëson njeriun,

pesha nëse nuk randon ku duhet!

Mallkue qofshin !”

E mallkimi më ndjek që shtatqind brez.

Filli i fjalës

Fëmijë,

Ia kërkova fillin fjalës:

Përtej bukurisë, qielli,

Përtej dashurisë, nana,

Përtej flijimit Atdheu,

Përtej vetvetes, emni.

Kryqëzim 

Kryqëzohem tek fjala,

Fjala kryqëzohet tek unë.

Në fjalën time digjem,

Përsëdytem prap tek fjala.

Hini i stërdjegun i Feniksit –

Fjala.

“E para – fjala”

“E para fjala” – në Ungjill Shën Gjoni –

Në magjen e kaosit të gatuhet drita,

Të ndizet prushi diellor

Ditën

Dhe kandilat e yjeve natën!”

Po Fausti i urtë : “Në fillim vepra.

Vepra i jep frymën fjalës

E botës.”

Rendi hyjnor e ai njerëzor

Përzihen.

Njeriu përpëlitet në andralla.

Njeriu

Për lindjet e dritës

Prendimet përflaken n’lakmi

Dhe agimet

Drejt muzgjeve përjetësisht shtrijnë duert.

Njeriu –

Nji pikë e vetme

Në këtë univers dëshire.

Poezia shqipe  

Stinë që bleron përherë

Në parzmin tim

Poezia shqipe

Qysh në ma të hershmet

Kohë të fëminisë.

Në damarët e kaltër të gjakut

Si në lendinat e vjershës sonë dikur

Përndezet “Andrra e jetës” nën çurlikim bylbylash

Për kohë ma të bardha,

Pranë nji prozhmi ku mrizojnë zanat

E Fratit të Madh,

Vaditën “Lule vjeshte”.

Në barin e livadheve që rritet

Lëndinave t’krahnorit,

Përgëzojnë e kundërmojnë trëndelinat

E Lasgushit,

Nën thembërzat e kangjelave të De Radës.

Atje kullosin dele të bardha –

Motrat e Gasper Palit.

Dhe natën, kur shuhen hyjëzit

E errësina randon mbi jetën

Ndizet e kullon dritë

Qiriu i Naimit.

Poezia ime

E ndezun dikur

Në krye të stinëve të mia –

Qiri i pafikun

Deri në sosje të frymës.

Kumbimi i heshtjes

(Birit tim Dasaretit)

Ritmi i kujtesës

Ma dridhë penën n’kalesë t’nji fjale:

Asht malli për ty.

Dishirit s’i bindet jeta.

Që në fëmini

Pranë andrrës sime

Asht ngri nji gojë trishtili.

Mos bëzaj! –

Më thanë n’kërcnim,

kur isha vetëm za

E u përhumba si tingulli n’humnerë.

Kot kërkoj sot

Hije jehonash t’shueme

Mbi hone buzësh.

*

Mos shih ! –

Më thanë n’kërcnim,

Kur isha vetëm sy.

Kot kërkoj sot

Gjurmë fjalësh

Ndër zgavra t’syve.

Ato s’i rinë ma drita.

Nuk mbillen lule n’djerrina muzgjesh.

*

Ndër mure, jo,

N’muranë kumbon heshtja,

Që shijen t’idhtë ia ndiej ende.

Asaj po venia veshin

Dhe shkrueji ti ato që nuk i thashë dikur !

Ju s’keni emna

Martirëve të diktaturës

Ka humbë shkëlqimin në gropën e përbashkët

plot lagështi,

bardhësia e eshtnave.

Kohës i shkojnë mornica në trup.

Me duer që dridhen prej dëshire

po i marr eshtnat tuej, miqtë e mi,

po i vendos në gropën e qelqtë të gjoksit,

altar i dhimbjes.

Prej andej do kundroni

kaltërsinë e andrrave të vrame

nga duer vllaznore.

Nji kunorë lutjesh ju ve  te kryet

dhe kryqin e mundimeve tuaja.

Ju s’keni emna,

lavdi asht emni juej

mbi rrasën e mërmertë të kujtesës së kombit.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Buqetë lirike, nga Anton Cefa

SHQIPËRIMI I VEPRAVE HOMERIKE ILIADA dhe ODISEA prej ILIA V. BALLAURIT

November 1, 2017 by dgreca

2 Thanas-Gjika

Nga Thanas L. Gjika/Pas botimit shqip të poemave të Homerit prej përkthyesve të talentuar Gjon Shllaku (“Iliada”) dhe Pashko Gjeçi (“Odiseja”), mendohej se nuk do të guxonte kush të përkthente dhe një herë këto dy kryevepra të letërsisë botërore. Mirëpo në vitin 2013 ndodhi e papritura: studiuesi i botës së lashtë greke i heshtur, Ilia Vasil Ballauri, e befasoi botën e letrave shqipe duke publikuar përkthimin e poemës “Iliada” përmes një botimi në një numur të kufizuar kopjesh, luksoz, realizuar jashtë vëndit me ISBN të nxjerrë nga Libraria KOTTI, Korçë dhe me shpenzimet e veta dhe më 2017 përkthimin e poemës “Odisea”. Të dy këto poema janë botuar në format të madh A 4 të ndara sejcila në dy vëllime:
Iliada vëll. I përfshin rapsoditë 1-12 në 411 faqe dhe vëll. II përfshin rapsoditë 13-24 në 528 faqe.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Odisea vëll. I përfshin rapsoditë 1-12 në 354 faqe dhe vëll. II përfshin rapsoditë 13-24 në 383 faqe. Faqet e hyrjeve të sejcilës poemë hartuar prej përkthyesit, si dhe shënimi i gjatë në fund, nuk bëjnë pjesë në këtë numërim.Dr. Ballauri ia dërgoi si dhuratë me anën e mikut të tij z. Thoma Karamitro, bibliotekës së qytetit tonë Uster (Public Library of Worcester MA) të katër vëllimet, që kushtojnë gjithsej 112 Euro / 11.200 lekë të rinj. Si dhuratë e ka shpërndarë ai këtë vepër ndër miq e shokë dhe në biblioteka e institucione të tjerë nëpër botë. Prej British Library, London, biblioteka më e madhe në botë me rreth 150 milion vëllime dhe me 3 milion dhurata në vit, ka mare dy here (për të dy veprat) vlerësim dhe falenderim nga drejtorët e sektorit për Evropën.

Ilia Ballauri mes tre vëllezërve është vëllai i vogël i poetit dhe përkthyesit Aleko Ballauri. Të dy këta bij të Korçës janë djemtë e muzikantit Vasil A. Ballaurit, pinjoll i një familjeve të vjetër e të pasur korçare me origjinë nga Voskopoja. Kjo familje është shquar për punë cilësore intelektuale të kryer pa bujë. I ati i tyre, Vasili, njohës i mirë i greqishtes si dhe i një sere gjuhëve të tjera por sidomos i muzikës (violinist e pjanist), la në dorëshkrim një libër me shumë të dhëna nga historia e përhapjes së muzikës qytetare korçare, libër të cilin e botoi Ilia bashkë me serinë e tij prej shumë librave, mbi jetën e veprën e filozofëve, historianëve e shkrimtarëve të antikitetit grek, etj. Kjo seri botimi parapriu botimin e dy poemave madhore të Homerit, atit të letërsisë artistike europiane.
Djali i madh i Vasilit, mësuesi i matematikës Aleko Ballauri, i cili kaloi jetën në fshatra të Gramshit, pas vitit 1992 iu kushtua letërsisë, sidomos poezisë. Ai shkroi e botoi disa vëllime me poezi origjinale dhe shumë vëllime me përkthime poezish nga letësia ruse.
Me jetën dhe veprën e tyre, Vasil Ballauri dhe djemtë e tij Aleko dhe Ilia treguan se familjet e vjetra e të pasura korçare, që u luftuan aq ashpër prej regjimit komunist, kishin në vetvete potenciale të mëdha mendore, të cilat ai regjim nuk ia shfrytëzoi e as ia vlerësoi sa e si duhej. Bijtë e kësaj borgjesie po ia dhurojnë arritjet e veta kulturës, artit dhe shkencës sonë kombëtare pas shkërmoqjes së diktaturës, me dinjitet e pa bujë duke punuar me pasion mbas punës për të mbijetuar, ose në vite penisoni, pra jo duke qenë rrogëtarë institucionesh shkencore a kulturore si shumica e kuadrove të përkëdhelur të ish diktaturës ose të qeverive pasdiktatoriale.
Fatkeqësisht qeveritë pasdiktatoriale, ku mbizotërojnë ish komunistë e ish sigurimsa, po humbin kohë dhe energji për të mbuluar dhe jo për të dënuar krimet e komunizmit, si dhe jo për t’u kthyer gjithë pronat pronarëve të shpronësuar dhe as për të vlerësuar arritjet e ish të përndjekurve të regjimit komunist, që punojnë për të mëkëmbur dinjitetin e kombit tonë të abuzuar në shekuj.
Ilia është nga ata djem që e kryen gjimnazin shkëlqyshëm, por për shkak të “biografisë së keqe”, në vend që të dërgoheshin për studime në Tiranë në degët që donin, u dërguan të kryenin shërbimin ushtarak në brigadat e punës me lopatë në dorë, si Eugjen Merlika me shokë. Ai arriti të fitonte të drejtën e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor, Korçë, ku nuk mori asnjë notë më poshtë se maksimalja. Punoi fillimisht si agronom në malësitë e Librazhdit dhe më pas në Korçë u muarr me punë shkencore në fushën e gjenetikës së bimëve. Ai kreu eksperimente dhe studime në këtë fushë, dha leksione për rreth 20 vjet në Universitetin Fan Noli Korçë dhe gjithë aktiviteti i tij shkencor pasqyrohen në rreth 3500 faqe botim librash, tekstesh, artikujsh e kumtesash.
Për shkak se qeveritë pasdiktatoriale nuk e morrën seriozisht krijimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e kushteve të jetës së mësuesve dhe pedagogëve, studiuesëve e krijuesëve, Ilia si dhe shumë të tjerë të cilët për fat të keq vazhdojnë edhe sot të emigrojnë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në shtetin fqinj, në Selanik të Greqisë. Këtu, njohja e gjuhës dhe përgatitja profesionale e ndihmuan të punësohej si studiues në fushën e virusologjisë për shumë vite.
Pasioni për mësimin e gjuhëve të huaja dhe shfrytëzimin e tyre i lindi Ilias që në fëmijëri, kur në familjen e tij babai, xhaxhallarët e miq të tyre recitonin në greqishten e vjetër pjesë nga poemat e Homerit. Dashuria për atë kulturë dhe pasioni për të mësuar gjuhët e huaja e mbajti Ilian të mbërthyer gjithë jetën që fëmijë, gjatë viteve të gjimnazit, të shërbimit ushtarak e gjatë punës si pedagog e studiues. Për të arritur tek përkthimi enciklopedik i poemave “Iliada” dhe “Odisea” ai ka shfrytëzuar përkthime të këtyre veprave dhe enciklopedi e libra të ndryshëm në tetë gjuhë të ndryshme.
Ky botim është i mbushur me sqarime, komente, analiza, etj, si dhe ilustrime, nga veprat më të mira të piktorëve dhe gravurat e krijuara gjatë shekujve për ilustrimin e kryeveprave homerike. Përfitimi gjatë leximit të kësaj vepre madhore është i shumanshëm: artistik, letrar, filologjik, historik, filozofik, thjesht përfitim encilkopedik shumëdimensional.
Pyetja e parë që i bën lexuesi vetes gjatë leximit është: si ka pasur mundësi Ilia Ballauri të arrijë një përkthim shkencor enciklopedik pajisur me kaq shume shënime sqaruese dhe ilustrime, punë për të cilën do t’i duheshin dy jetë njerëzore, pa u marrë me gjë tjetër. Kurse ai këtë punë që përfshin përkthimin e 28.000 vargjeve (3000 faqeve) homerike në nivel të paarrritshëm në përkthimet e mëparshme, e ka kryer krahas punës pedagogjike e hulumtues dhe përkthimeve të ndryshme, duke u ndihmuar vetëm prej bashkëshortes së tij.
Si askush, Ilia Ballauri me librat e tij ka krijuar një bibliotekë të tërë: ai ka botuar artikuj e kumtesa, ka përkthyer e botuar 31 libra mbi jetën e veprën e njerëzve të shquar të Antikitetit Grek, mbi 600 faqeve me studime e dokumente për vendin e origjinës, Voskopojën e magjishme dhe 700 faqe me dokumente e studime për vendlindjen, Korçën frymëzuese dhe të paharrueshme.
Kur e pyesin se cili është për ty vlerësimi më i madh sot, përgjigjet i përmalluar: fletëlavdërimi i klasës së parë prej mësueses Julia dhe puthjet e saj sa here që më shikonte fletoren e bukurshkrimit të cilën ia tregonte pastaj gjithë klasës si shëmbull.
Për kryeveprën e tij të re, duke dashur të nënkuptohet se nuk do lavdërime, thotë fjalët e Lazgushit: Vepra flet vetë. Kënaqësi e madhe që midis ne shqiptarëve ka të tillë punëtorë të mëdhenj pa mburrma, të cilëve u jemi shumë borxhllinj për pasurimin e kulturës, artit, shkencës dhe botës sonë shpirtërore…

Filed Under: LETERSI Tagged With: prej ILIA V. BALLAURIT, SHQIPËRIMI I VEPRAVE HOMERIKE ILIADA dhe ODISEA, Thanas L Gjika

POEZIA E ILIRIANA SULKUQIT NË KLUBIN POETIK”TIRANA”

November 1, 2017 by dgreca

1 Iliriana SulkuqiNga Albert ZHOLI/

Klubi poetik “Tirana” është një grupim poetesh dhe pasionantësh të poezisë, i cili ka vite që organizon veprimtari artistike me krijimtari poetike dhe filma por gjithherë jashtë vëmendjes se mediave që preferojnë më së shumti jetën roze, skandalet dhe jetën e vip-ave surrogat të krijuar artificialisht dhe shterpësish në këto vite tranzicioni në kryeqytetin tonë. Në ditët e fundit të tetorit ky grupim realizoi një takim poetik në kafe “Lux” në Tiranë. Duhet thënë se më parë Klubi Poetik “Tirana” i organizonte takimet në kafe bar “Muza” te Selvia në rrugën e Dibrës, që u mbyll dhunshëm dhe u kthye në një zyrë e një partie politike, sepse më shumë ndjehet nevoja për politikë se sa për poezi në këtë vend. Takimi me poezinë i ishte kushtuar poetes Iliriana Sulkuqi, që dashurinë e saj e ndan( në të vërtetë poetikisht do të thuhej më mirë i bashkon) në mes të Shqipërisë dhe Amerikës ku ka vite që jeton. Por nuk harron të vijë çdo vit e çdo vjeshtë në Shqipëri ku gjen një frymë të ngrohtë për poezinë e saj por ajo edhe përpiqet të krijoj një mjedis artistik gjatë ditëve të qëndrimit në Atdhe. Nëse do te hedhim një vështrim ndër vite do të gjejmë mjaft veprimtari dhe punë të bukura me nismë nga poetja . Pak vite më parë ajo bashkë krijoi me poetin Kolec Traboini, por dhe mbështeti financiarisht një botim të veçante “Kujto poetin”, kushtuar poetëve që nuk rrojnë më fizikisht, por vepra e tyre i bëjnë të jenë gjithë herë në mes nesh. Po në frymën e kujtesës të atyre që bënë traditën poezisë, Iliriana Sulkuqi përgatiti vitin e kaluar një botim të veçante përkujtimor për poetët Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja, Murat Isaku, Betim Muço dhe Milanov Kallupi. Në këtë kuadër ajo me kolegët poetë të Klubit Poetik Tirana organizoi takime përkujtimore kushtuar këtyre poeteve në Shkodër dhe Elbasan. Vëmë në dukje se nuk mungojnë takimet e poetes edhe në Tetovë. Ky vit solli diçka të re në prurjet artistike të poetes Iliriana Sulkuqi, e njohur edhe për poetikën për vendlindjen, qytetin e Elbasanin për të cilin përgatiti dhe botoi me shpenzimet e veta Kalendarin e Kujtesës për njerëzit e penës e të kulturës të këtij qytet me tradita kulturore dhe atdhetare. Atje u organizuan takime e biseda edhe në shkolla ku poetja e shpërndau falas kalendarin që kishte përgatitur me të dhëna për të gjithë autorët e fjalës së shkruar të këtij qyteti. Duke parë këtë veprimtari të bukur në vazhdimësi, Klubi Poetik Tirana organizoi një takim me poezinë e Iliriana Sulkuqit në të cilin takim ishte e pranishme dhe poetja. Me të vërtetë një veprimtari e bukur. Poetja Iliriana sapo ishte kthyer nga takimet e saj në Elbasan dhe për ta prurë ngrohtësinë e bujarinë e qytetit te saj të vendlindjes kishte sjellë e vënë mbi tryezë për çdo pjesëmarrës një ballakume tradicionale Elbasani. Ballakumet janë për pranverën, atë të sjellin ndërmend, tha ajo, por unë ua solla në këtë takim të bukur sepse poezia është gjithmonë pranverë. Mbledhjen e hapi gazetari e shkrimtari Albert Zholi, i cili duke qenë pranë Ilirianës në të gjitha veprimtaritë e saj artistike foli për pasionin e poetes dhe përkushtimin për kolegët shkrimtarë që nuk jetojnë më e që të mos i mbuloje pluhuri i harrimit sepse e vërteta është që institucionet shtetërore që duhet ta kishin detyrim, nuk i kujtojnë vëmendje artit letrar që pjesë e shpirtit të popullit pasuri kombëtare e kërkon përkujdesje. Poeti dhe kineasti Kolec Traboini në emër të Klubit Poetik Tirana falënderoi Iliriana Sulkuqin për të gjithë ato veprimtari të bukura në vazhdimësi që duhet të mos jenë të veçuara por te na nxisin që frymën e bukur te poetike ta mbajnë gjallë në takime me lexuesit, edhe kur ata ngurojnë të vine pranë poezisë, të bëhemi ne nismëtarë të këtij afrimi sepse poezia shkruhet për njerëzit dhe jeton tek njerëzit. Arti poetik modern, vazhdoi Traboini, nuk i përjashton përvojat e mëparshme poetike mbarë botërorë, përkundrazi i bashkon tashmë që koha e eksperimenteve shpesh abstrakte me poezinë është punë e kryer. Në këtë kuptim tek modernia gjejmë edhe klasiken, gjejmë edhe frymën e mrekullive të krijuar nga arti i popullit i skalitur perla nëpër shekuj dhe solli shembuj nga poezia popullore e jugut dhe e veriut të Shqipërisë që konsiderohen monumentale. Tek Iliriana Sulkuqi i gjejmë mrekullisht të shkrira frymën popullore, zërin e kumrive e shpirtin e Isuf Myzyrit me klasiken dhe modernen, vazhdoi Traboini duke e konkretizuar mendimin e vet me poezitë e poetes ”Më zu nata në vendlindje” dhe “Trokit e zgjo” të cilat i recitoi për të pranishmit. Në takimin poetik ishte e pranishme dhe aktorja e njohur Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, e cila fjalën e saj e gërshetoi me recitime poetike që emocionuan të pranishmit. Ajo kujtoi veprimtaritë e organizuara nga Iliriana në të cilat është ndodhur dhe ka dhënë ndihmësen e vet përherë artistja e madhe e skenës dhe e filmit. Madje kur para pak vitesh pa një film qe po përgatitej kushtuar veprimtarisë poetike te Iliriana Sulkuqit, shqip-anglisht, të realizuar nga skenaristja Angjelina Xhara, operator Mjeshtri i Madh Ilia Terpini dhe regjisor Kolec Traboini, ajo i kërkoi grupit realizues të mos e mbyllnin filmin se donte ti recitonte ajo poezitë e Ilirianës. Kështu që filmi u desh të punohej sërish dhe tashmë ai është me zërin e mrekullueshëm të Margarita Xhepës. Të pranishëm në takim ishin edhe emigrantë krijues nga Greqia dhe Italia, Ilir Mborja dhe poeti Aqif Hysa, por kishin ardhur edhe krijues nga Elbasani. Folën shumë pjesëmarrës duke shprehur kënaqësinë për këtë veprimtari. Klubi Poetik Tirana kishte përzgjedhur tridhjetë poezi lirike të autores të cilat u recituan nga pjesëmarrësit. E morën fjalën Ilia Terpini, Eduard Cala, Klejda Plangarica, Vehap Xhindole, Thanas Tane, Dodona Qose, Kozeta Zavalani, Bardhyl Toda, Harallamb Kota, Myslym Ndroqi e tjerë. Ishte një mbrëmje tiranase e bukur, një takim i ngrohtë poetik në prag të largimit të poetes në Amerikë, në New York ku jeton me familjen, por me premtimin se së shpejti do mblidhemi sërish me prurje të reja të cilat krijojnë atë mikroklimë artistike emocionale, e cila aq shumë u mungon poetëve të kohës sonë e jo vetëm në kryeqytet.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albert Zholi, ne Klubin poetik Tirana, Poezia e Iliriana Sulkuqit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 218
  • 219
  • 220
  • 221
  • 222
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT