Zëri unik i poetit Xhevdet Bajraj në vëllimin “Copa ime e qiellit”/
NGA VIOLETA ALLMUCA/
Shkrimtare/
Në çdo kohë poeti gjithnjë vështron diçka të padukshme brenda e jashtë qenies së tij. Pastaj ai e zbulon botën nëpërmjet fjalës, ëndrrës, kohës, endjes, dashurisë, vetmisë, kujtesës apo metaforës duke e bërë botën të dukshme. Në qiellin e madh poeti Xhevdet Bajraj kërkon hisen e tij. Në zgjim, vargjet pothuajse melankolike i lindin pa pikëpyetje, i rrjedhin si mollët e pjekura, i qasen si atdheu, e përgjumin mbi një cigare të fikur. Në tymin e saj është liria, helmi, rrezet e fshehura të diellit. Aty është edhe poeti, koha dhe hapësira e tij poetike. Më herët kam lexuar disa poezi të Xhevdet Bajrës dhe jam befasuar. Në thelbin e tyre kam zbuluar, se autori që kishte ardhur nga një qytezë e vogël e trojeve shqiptare shkruante më shumë për dimrin e vendlindjes se sa për verën djegëse të Meksikës. Pra Bajraj i ishte nënshtruar poezisë po aq sa i është nënshtruar paqes, vendlindjes, emocioneve, jetës e realitetit. Xhevdet Bajraj është një profet i artit të fjalës dhe na bën ne të flasim me poezinë, me botën, me kohën duke krijuar hapësirën e tij artistike. Teksa përdor figurat letrare për të ngjizur vargun, ai u jep atyre jetë dhe zë për të komunikuar me njeriun. Poeti kërkon vetëm një udhë, aty ku shkohet tek vargjet, ku gjen frymëzimin, dhimbjen, shpresën edhe kur ka pezm. Prandaj poezia e tij ka peshën e fjalës, si aleatin më të mirë të krijuesit. Çka është më e veçantë, Bajraj i bindet poezisë po ashtu siç edhe poezia i përulet poetit. Secili ka trashëgiminë e tij. Gjatë ditënatës ata kanë diellin dhe hijen e tyre. Mëngjeseve fjala kryqëzohet nëpër imazhet e fytyrës së njeriut, atij njeriu që nuk i mungon asgjë, përveç hapat në një tokë ku ka lënë peng shpirtin. Ai bën dialog me vargjet duke përdorur ndjenjën e brendshme për të kërkuar të vërtetën filozofike, kundër së keqes, ose monolog me veten kundër konfliktit njerëzor. Duke urryer luftën ky poet i lirë është i dashuruar me lirinë. Kurrë nuk kam pranuar që një shkrimtar ta krahasoj me një të ngjashëm si vetja e tij, pasi nga ngjashmëritë nuk duhet të përfitojë askush. Poetët nuk mund t’i zgjidhin problemet e globit por mund të shkojnë tek krijimi nëpërmjet lirisë së fjalës. Vetja e vërtetë e këtij poeti krijon një fluks paralel me botën e madhe përreth lirisë njerëzore. Ja çfarë shkruan ai tek poezia: “Në këngën time”: Nëse në këngën time hasni një njeri, në ditën me diell, tek pi ujë në lumë, me gjunjët mbi gurë, e lini të qetë, ai u lind i lirë. Të gjithë poetët i këndojnë lirisë, por me zërin tokësor poeti Bajraj shkruan për lirinë e munguar të atdheut të vërtetë. Secili i këndon lirisë sipas kultit të tij! Liria nuk ka hapësirë. Është e pafund. Pse Bajrës i rikujtohet atdheu? Sepse ai sigurisht i mungon. Pa atdhe sipas gjasave nuk mund të ndjehesh i lirë. Mund të zenë dhimbjet, të shfaqen sëmundjet, të shohësh ëndrra dimri. Kjo është pastaj një zhgjëndër e vërtetë. Le të shohim përsëri vargjet e tij. Në poezinë “Maja e vetmisë” poeti shkruan: Diku në dhe të huaj, në emër të lirisë, bredh nëpër botë, apo në poezinë: “Valle me Fyell” poeti thotë: Lumi i gjakut doli nga shtrati, Ç’ves, dikush jeton përditë, e unë përditë vdes! Në poezinë “Paqe” Xhevdet Bajraj revoltohet nga mëkatet kundër lirisë: Botën e përzë nga dhoma me të mbyllur dritaren, flamurin kuqezi e ruaj për varr. Një poet me kulturë universale me ide e një stil po aq universal në boshtin e origjinalitetit të tij poetik sjell atë, që në poezinë e sotme njihet si çlirim i shpirtërores. Çdo varg i këtij poeti ka një metaforë. Ky frymëzim magjik me ndjeshmëri të thellë, me fuqinë e fjalës, realisht i bën vargjet që t’i përshkojë një rrymë e brendi dashurie të cilat na bëjnë ta konsiderojmë këtë poet, një vlerë të madhe të poezisë shqiptare. Tek lexoj me emocione poezinë “Diku Përtej Oqeanit” më lind pyetja: pse shamija e dhimbjes ndjek diellin dhe pëllumbi ulet mbi një gur varri, si plis i gjallë, ku diku përtej oqeanit, një burrë qan shqip. Sa madhështi ka poeti në këtë poezi meditative veshur nga metaforat! Kush qan përveç një poeti kaq të talentuar? A nuk i ka poeti ëndrrat, pëllumbat, varret, simbole poetike dhe pse ëndërron vetëm shqip? Pse ëndrra kthehet në vargje për një copë Shqipërizë? A është Xhevdet Bajraj një poet që burim frymëzimi ka atdheun dhe që ende bën lutje shqiptare? A ka poezia e Bajrës reflekse surrealiste? E kam menduar edhe këtë! Ai shkruan për ëndrrat e njeriut shqiptar, ashtu siç shkruan edhe për botën, pasi trualli i tij poetik lutet për paqe! Krijuesi e ka fituar betejën me poezinë duke e mbushur atë me jetë. Tipizimi universal i spektrit krijues përshkohet nga mesazhe të thella ku emocioni dhe perceptimi i dedikohet një ëndërrimtari të përjetshëm të shpirtit njerëzor. Tek profili i tij krijues janë ngjizur bashkë nëpërmjet ideve filozofike, talenti artistik dhe identiteti poetik. Është mesazhi që vjen nga gjuha e shpirtit e cila është gjuha e të gjitha poezive që të magjepsin me shprehësinë dhe vizionin e lirisë universale e cila harmonizon energjinë e krijuesit me vargun e lirë, formën dhe figuracionin. Tematika poetike e ndjeshme për lexuesin e gjerë do ta bënte këtë poet të mrekullueshëm të udhëtonte me lexuesin në ballë të poezisë shqipe dhe më gjerë. Ai është padyshim sot njëri nga poetët më të mirë që ka krijuar përmasën e tij të veçantë artistike, një mjeshtër i vargut të zgjedhur me fuqinë e shprehjes letrare, me një ndjeshmëri të thellë dhe gjuhë të pastër shqipe e cila latohet e sjell tingullin poetik. Ai e shndërron ëndrrën në një himn poetik. Ja një poezi që më ka mbetur në mendje “Ëndërrime“: I strehuar në një shpellë të fildishtë, lëpij plagët në hijen e kujtimeve, O Zot, më fal që ëndërrova aq shumë, dashuria ishte tepër larg, e jeta ishte tepër e shkurtër. Ai e kthen në shpresë e dritë të pafundme ndjenjën e prekshme rrezatuese, të bukurën e dhembjen si një vlerë estetike me frymë. Ta bësh këtë nëpërmjet vargjeve është një akt përpos artistik edhe njerëzor. Është si ta pushtosh botën dhe njeriun pa luftë, por me dashuri. Këtë mund ta bëjë vetëm një poet unik që na ka pushtuar të gjithëve duke ëndërruar dhe kënduar shqip në universin e madh të poezisë.
KUR VRITEN FEMIJET DHE ËNGJËJT QAJNE NË KANTANTËN E 36 SHKRONJAVE
Me rastin promovimit të krijimtarisë poetike të poetit Xhevdet Bajraj, nga Kosova, pedagog në Meksikë/
Nga Novruz Xh Shehu/
(Mbi “Kur qajnë engjëjt” të Xhevdet Bajraj)…/
a/
Engjëjt, atje në qiell, janë mbledhur galuç, kapin për cepin e fustanit Shën Marinë dhe qajnë. E keni ndjerë se si nuk ndërpriten shirat për muaj të tërë?Janë pikërisht lotët e ëngjëjve. Engjëjt nuk mundin t’i tregojnë Zotit se çfarë ndodhi në një kënd të planetit, që quhet KOSOVË. Edhe po të mundnin, nuk do të dëshmonin saktësisht se çfarë ndodhi.
Pra, nuk mundën dhe u ulën galuç.
b
Atë, që se bëjnë ëngjëjt, e bëjnë poetët. Edhe kur poetët futen në burg, si Flora Brovina, del një poet tjetër.
Zot, dëgjoje britmën në poezinë e Xhevdet Bajraj:
“Me dërrasa gjoksi duhet mbuluar/këtë varr të gjallë masovik / Kali i Kostandinit u merr erë / dehet / tek shkelmon realitetin e ri të ditës shqyen qiellin / Sorra e përpiu qiellin/ Me këpucë nga lëkura jonë trishtimi ecën rrugëve të qytetit / … kush na mallkoi Lirinë? / Zogu i dhimbjes matet me hijen e vet / U dogjën kufomat … / Majmunët i kanë shkundur frutat/ nga druri i ëndrrës / Absurdi majmet me gurin e varrit/ Kapakët e gjunjëve na i hapën / me çelësat e konseravave /. Autofrigoriferët mbartën/ më të dashurit tonë/ të ngrirë nga vdekja / Muri i gjallë prej klithmave / mbiu mes Kosovës dhe Serbisë … /”
Po e kuptoj pse qajnë ëngjëjt. Mos i fyej o Zot.
Vetëm metafora e Xhevdet Bajrajt do të mund të jepte sadopak atë çfarë ndodhi. Vetëm metafora dhe vargu i lirë, i përdorur me kujdes e sukses. Trinia e nëntave u nis drejt qiellit me pendën e poetit, Në Kosovë ndodhi diçka e rëndësishme, pikërisht në vitin 999 të mijëvjeçarit të dytë.
“Pa e ditur ç’është vdekja / ç’është Zoti ç’është plumbi / një fëmijë trembëdhjetë muajsh/ me gisht ja mbyll plagët nënës së vrarë /. Një nënë me foshnjë në duar klith / dhe vrapon pas klithjes së vet ./ Fëmijët me nga një grusht plumba në gjoks ikën në Parajsë / mbeten vetëm varret e vockëla të tyre / si farë e ndërgjegjes njerëzore /. Atdheu fle nën ombrellën e vetmisë / mbi varr bie një gjeth i njomë /. Nuk dinte të numëronte gjer në dhjetë / Ndërsa mësoi numrin pesëdhjetë e shtatë / ishte vetëm katër vjeçar / kur i vranë pesëdhjetë e shtatë anëtarë të familjes /. Një fëmijë në mes të rrugës / gjuan vetminë me gurë /… Fëmija i bie fyellit prej dërrase të varrit / Vrasësi fsheh thikën në zorrë fëmije/….”
Duhet që fëmijët të bëheshin shumë shpejt burra. Duhet të rriteshin, të numëronin të vrarët. Duhet të rriteshin të mos humbnin varret. Duhet të rriteshin …
Satanai e dinte këtë akt sublim dhe nxitonte të vriste. Krahasimi dhe metafora e Bajrajt, paralelizmi figurativ dhe dueti i shkrirjes së realitetit vendas me atë universal, japin atë portret qiellor, që bëjnë dhe gurët të lëvizin nga vëndi, që bëjnë fëmijët të rriten bujshëm.
c
Shqiponja dhe E Bukura e Dheut janë dy simbole shqiptare, që bëjnë të quhet flamur paqeje një qiell i tërë. Shqiponja dhe E Bukura e Dheut shndërrojnë Kosovën në Sfinks.
“Në majë të shkëmbit / shqiponja ngre kokën / bekon tokën / Në lum E Bukura e Dheut fërkon gjinjët me rërë./ Shqiponja normale nuk shuan etjen me gjak mize./ E Bukura e Dheut u zhduk…/ Shqiponja mbi kaktus me gjarpër në gojë tek valëvitet / na përgjon nga flamuri gjië mitike i hap udhë…/ Dashurinë e derdh në shuplakë dhe ia afroj Të Bukurës së Dheut nga Dukagjini./”
Bajraj operon me sukses me simbolet e vëndit të tij. E, pa pasur me vete fuqinë e atdheut, vështirë se do të arrinte një poezi aq vitale, e denjë për t’u paraqitur në Gjyqin e Madh.
Kohë të Mëdha nxjerrin kryevarre e kryekëngë. Dhe kryekënga nuk mund të arrihet pa simbolet, që janë ngjizja e historisë dhe e personalitetit të një kombi.
E, ndërsa autori harmonizon Ëngjëllin me fëmijët ,që bëhen burra, Shqiponjën me Pëllumbin, Të Bukurën e Dheut me Mjelmën, Kosovën me atë grua, që pret djemtë t’i kthehen nga lufta, nga ikja apo nga varret masive, arrin artin e vërtetë ashtu si Anteu fuqinë tek membrana e tokës. Vetëm një shkrirje e simboleve kombëtare dhe botërore, arrijnë të shmangin Këngën Primitive të Nacionalizmit Primitiv. E si mund të ndodhë ndryshe në një vënd, që ka lindur Nënë Terezën dhe Ferid Muratin?.
ç
Cili është Xhevdet Bajraj?
Preferon vargun e lirë, dinamik e ritmik, të shkathët e në gjuhën e pastër letrare shqipe. Por edhe eksperimenton poezi me elemente të poezisë me varg të rregullt, ku nuk ka sukses të plotë. Por kjo s’ia ul vlerën një vëllimi me 11 cikle e 204 faqe të mbushura me vargje të përzgjedhura me kujdes për Këngën Vigane të Lirisë ku, megjithëse preferon poezinë pa shenja pikësimi, s’mungon asgjë për dëgjimin e tingujve të kësaj SINFONIE.
Lindi në 6 Mars 1960 në fshatin Panorc të Malishevës. Ka botuar “Nënë prej guri” (Prishtinë 1988), “Emblemë e vdekjes” (Prishtinë 1993), “Copë e humbur e Parajsës” (Prishtinë1966), “Lutje shqiptare” (spanjisht Meksikë, 2000), “Liria e tmerrit” (serbisht, Beograd, 2000.) “Emblema e vdekjes” dhe “Liria e tmerrit”, janë vlerësuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës si “Vëllimi më i mirë i vitit”. Aktualisht, punon në Meksikë si profesor në Universitetin e Meksiko City.
Revolta dhe dashuria e kanë banesën pikërisht tek poezia e Xhevdet Bajrajt.
Revoltë:
d
“Duke i parë vrasësit e Lirisë / e kuptoj se në këtë orë të lige / Djalli banon në Parajsë”
Dashuri:
“Çmendja u fshehka në dashuri / dhe qënka sëmundje fisnike/”
Revoltë:
“Bebzat e syve na i zbardhën shirat e qiejve të huaj / dhe dhëmbët na ranë / nga malli për bukën e nënës./”
Dashuri:
“Eja të perëndojmë së bashku / mbi pupla zogjësh…/”
Revoltë:
“Ujku plak / theu dhëmbin në lëkurën e lehonës/”
Dashuri:
“Vullkan dhe i dashuruar jam dhe vet / në Shqipërinë time, që vuan nga harresa…/”
Shqiptari, ky njeri fisnik i kontinentit, di të mbjellë madhërisht dashurinë mbi revoltën, e po kaq madhërisht di të ngrejë revoltën mbi Dashurinë.
Dhe poeti Bajraj është një shqiptar i bukur. Shqiptari Bajraj është një poet i bukur: lirik dhe epik, filozofik dhe meditativ.
Ç’kanë thënë për poezinë e Bajrajt?
dh
David Huerta (Njëri nga shkrimtarët më të njohur në Amerikën Latine):
“Thirrje e përthirrje e fuqive të tribusë, përqëndruar tek prifti i fjalës, imazh i luftës e i dashurisë, që kryqëzohen me një furi marramëndëse me gjakun dhe shenjtërimin, apologji në mbrojtje të jetës.”
(Meksiko, Mars 2000).
e
Arben Idrizi:
“…është poezi e rrallë, poezi e fuqishme, në të cilën ndihet fryma qoftë e një krenarie të caktuar, e një dëshpërimi të caktuar, e një shprese dhe zhgënjimi, e një dashurie për njerëzoren”
ë
Anton Berisha
“…në kontekstin e lirikës shqipe të viteve ‘90, është një lirikë poetikisht ndër më koherentet dhe më validet.”
f
Fatmir Sulejmani
“Përmbledhja “Kur ëngjëjt qajnë” është kryevepër letrare, ku është portretuar me nivel të lartë artistik, imazhi i ethshëm i golgotës shqiptare…”
g
Poetët po e zgjerojnë aq shumë hartën e kombit. Poetët po e lartësojnë aq shumë këngën e kombit. Atë që s’bëjnë ambasadorët e bëjnë veprat e nivelit të lartë artistik. Kur sulmojnë për pushtet, dogana, polici e tatime, njerëzit e pendës sulmojnë lartësitë e artit, të përkryejnë Kantatën e MADHËRISHME TE TRIDHJETË E GJASHTEË SHKRONJAVE…
FOTO; Arkiv
Hermes Nikaj dhe ”Magjia femërore”!
Nga Albert Z. ZHOLI/
”Magjia femërore”!Ky libër me intervista i dedikohet femrave (këngëtareve, pedagogeve, moderatoreve, juristeve, redaktoreve, stilisteve, modeleve) atyre që me zërin e tyre magjik, me modelin ndryshe të moderimit, me mënyrën elokuente të shpjegimit, me mënyrën delikate të sjelljes, me elegancën e paraqitjes,me artikulimin perfekt të shqipes, janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së jetës sonë. Për femrat nuk gjenden dot fjalët e dashurisë, fjalët e bukura të zemrës, sepse ato me sjelljet e tyre janë përcjellëset më të spikatura të virtytit më të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, dashurisë njerëzore. Historikisht hireve dhe veçantisë gjenetike femërore si një krijesë e përkryer për ripërtëritjen e jetës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në letër dhe këngë. E kush nga ata që kanë provuar dashurinë, fjalën e ngrohtë femërore,brishtësinë e bukurisë, buzëqeshjen mikluese, ledhat prej zane, nuk kanë kaluar në “qiellin e shtatë” nga lumturia?! Personazhet e këtij libri modest janë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të “vjedhë” diçka të spikatur, magjepsëse nga fjalët dhe mendimet e tyre, nga sjellja, mençuria, zëri, interpretimi, përcjellja e shqipes së bukur. Të gjithë i duam këto personalitete të fushave të ndryshme, me mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e atij realiteti jetësor të tyre që përcjell mesazhe miqësie, respekti, kulture, emancipimi pse jo dhe krijim të një modeli jetësor. Jashtë idhujve “QIELLOR” që errësojnë mendimin korrekt, krijimi i një modeli pranohet në shoqërinë e sotme, si një idol për të parë të ardhmen më të bukur, më me guxim, më me optimizëm. Këto personazhe, Hermesi i ka përshkruar me thjeshtësi dhe ka mundur të hyjë brenda universit të tyre kompleks, ku jo çdo gazetar mund të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht…Në intervista (ku gazeta prestigjioze “Telegraf” ka qenë foleja e tij e ngrohtë), Hermesi ka krijuar individualitetin e tij, mënyrën e tij të komunikimit dhe të zhbirimit të personalitetit të tyre, ku edhe pse ndonjëherë bie në përsëritje të pyetjeve, ai mundet të dalë me finesë, për të kaluar në situata dhe provokime, që duhet njohje e mirë e personazhit për kapërcime të tilla. Këto intervista të shtyjnë të njohësh madhështinë, sakrificat, guximin, por edhe “marrëzitë” e personazheve që me këto cilësi i kanë çuar në “zyrtarizmin” e veçantë që të quhen VIPA. Me punën e tyre dhe idetë jetësore, këtyre personazheve populli i ka thurur lavdet e tij jo më kot. Virtytet e tyre të veçanta i kanë ngritur figurat e tyre në tempujt e shpirtit dhe në modelin e zemrës, respekti për to është liri dhe lumturi. Në këtë respekt dhe mirënjohje, ne jemi spektatorë të qeshur të një kohe të bukur mes njerëzve të artit dhe të kulturës, që përcjellin mirësi, kulturë për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave dashurinë njerëzore dhe atë ndaj atdheut.”Magjia femërore” le të jetë një libër modest por tepër intrigues, që është munduar të depërtojë në sekretet e bukura të disa prej femrave më të spikatura të shoqërisë shqiptare.
Pesë botime në shqip i shtohen Librarisë së Kongresit në Washington
Nga Shefqet Kërcelli/
Nga data 23 qershor 2015, pesë botime në shqip i janë shtuar fondit të Librarisë së Kongresit në SHBA. Këtu përfshihen dy nga romanet kryesorë të shkrimëtarit të madh Dritëro Agolli, “Shkëlqimi dhë rënia e shokut Zylo” dhe “Arka e djallit”. Lexuesit shqiptarë dhe të huaj janë njohur tashmë me përmbajtjen e romanit “Shkëqimi dhë rënia e shokut Zylo”, si një kritikë marramendëse, shumë komike e burokracisë dhe dirigjimit intelektual, e priviligjeve dhe ofiqeve të pamerituara të socializmit. Botuar fillimisht në revistën “Hosteni” në vitin 1972, romani tronditi opinionin publik shqiptar dhe më gjerë, duke u bërë pjesë e letërsisë disidente që shprehte qartë pakënaqësinë ndaj sistemit monist. Libri është praqitur me një përmbledhje të shkurtër në anglisht. Vendosja e këtyre dy romaneve në fondin e Librarisë së Kongresit është dhe urimi më i mirë që i bëjmë këtij shkrimëtari të madh me rastin e 84 vjetorit të lindjes!
Informojmëe lexuesin e “Diellit”, se në vitin 2016 do ketë botime të rëndësishme të Dritëroit në anglisht.
Koment për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, nga Fransua Nurisie
“The brilliance and the failure of Zylo friend”, with a clear title, tells the victory and the fall in Tirana of Zylo Kamberi, senior civil servant, the director of a section of the cultural matters. It is a staggering critique, very comic of the bureaucracy, of the intellectual direction, of the privileges of the socialism and of the harsh used language. Published in magazine in 1972 year, a year later as a volume, also republished in 1981, “The brilliance and the fall of Zylo friend” forces us see again some of our ideas related with the freedom which Albania of Enver Hoxha let a novelist. A perfectly mysterious country! The more so, because after the characters of the novel, officials, bureaucrats, critics (and their spouses, fat or obedient), the readers warned surely could know real personalities. To accept that these mocker caricatures were real portraits, this increases even more our wonder. Imitating a famous formula. Agolli, is Kafka, with a little more sun. The Ministry of Culture, the directorships, the commissions, its meetings, make the decorum almost abstract of a buffoon satire. Zylo is a tartarin of dialectics, a small leather pouch filled with words, a cocky grandiloquent, hypocrite, maybe honest, but a uncorrectable idiot. The wonder is very great; anyway there is no harsher critique of the organizing in the countries of Orient than in this book, where the works of the power are taken apart with a kind of savageness, softened so-so by humor feeling, which approaches the characters to us, which transforms them into manipulated puppets from a system which is so “perfected” so that it can’t leave them a big action freedom…
Gjithashtu në fondin e Librarisë u shtuan dhe tre libra të tjerë në fushën e detarisë shqiptare, “Antologjia e detarisë Shqiptare”, Vëllimi i parë, “Antologji e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i dytë dhe i tretë, me autor Shefqet Kërcelli, dhe “Fjalori i Terminologjisë Detare”, me bashkëautorë.
The anthology contains several chapters according to the main historical stages of the Albanian people: Pre-Illyrian period, Illyrian, Byzantine, Ottoman, the invaders and the regimes of the XX century. According to this chronological ranking are treated extensively themes like: the development of naval tools and tradition, of naval trade and transport, the weight of the sailors and our state in this trade, the relations with the other forces in the naval space, the contribution for independence, main characters, captains, sailors, etc. The declaration of the independence on the 28th of November 1912 and the creation of the Albanian state is understood, they created new sailing conditions and courses, that’s why the Albanian seamanship in these 100 years takes the main place.
The book is based on authentic documentary base, thanks to the will and the insistence to collect and to search for every document inside or outside of the country. The rich documentation makes it very convincing and realistic. It inserts the reader into the flow of the events in the Adriatic and Ionian seas, for more than 3 thousand years, it brings arguments, it spreads thesis and analysis who enforce the fact that the Albanian people has an outstanding naval tradition since the antiquity. The book has special values in the open narrating of many documents, witnesses, photos, historical truths, which our opinion at the 80% mass knows them for the first time. It brings the deep changes, the development that the naval tools had, their technique and technology dependent on their economical development, the tradition, the profession of the sailor, the ways of orientation, the benefit from the experience of other countries, the cooperation, the naval transport and the trade inside or outside of the country, based on the statistics of native and foreign naval institutions…
Me këtë rast zonja Debra Graham, Librare në Seksionin e Monografisë në këtë Librari, nëpërmjet një letre drejtuar vajzës sime te vogël, e cila i dhuroi këto libra në emër të autorëve, na falenderon për pasurimin e fondit të Library of Congress me këto pesë botime në shqip. Por ajo që dua të theksoj është se studjuesit, shkrimtarët, historianët, shkencëtarët, poetët shqiptarë duhet të kenë si objektiv kryesor, krijimin gradual të koleksionit ose fondit iliro-shqiptar në bibliotekën e Kongresit Amerikan. Le të jenë këto botime dhe mjaft të tjera të dhuruara më parë, si gurë themeli në krijimin e këtij fondi, ku amerikanë, shqiptarë dhe të huaj mund të njihen gjerësisht me historinë, kulturën dhe letërsinë e kombit iliro-shqiptar. Le të harxhojnë me shumë energji për këto punë kritikët shqiptarë?!
NJË KRIJUES QË I SHËRBEN ME PËRKUSHTIM JETËS
NGA PËLLUMB GORICA/
Si mik, kam lexuar të gjithë librat e krijuesit, studiuesit, gazetarit dhe mësuesit pasionant Ramazan Sherja, dhe më kanë befasuar me specifikën e trajtimit të problemeve që nxjerr jeta dhe realiteti ynë i përditshëm.
Të lexosh me kujdes, apo edhe me një shfletim të sipërfaqshëm të librave të autorit Ramazan Sherja, duke filluar që me librin e parë të tij me poezi:“Trokas me vargje”, botuar në vitin 1982, dhe, duke vazhduar me librat e tjerë“ Punët krijuese dhe hartimet në shkollë”, “Njohuri dhe komente letrare”,“Gjuha shqipe për nxënësin” , “Funari në historinë e tij”, “Sa bukur të jesh femër”, Shtigjeve të dijes”,”Njohuri dhe komente letrare të ripunuar” ,“Nostalgji poetike” ,“Jetoje jetën”, të mbetet në mendje një ndjesi e këndshme, dhe mbushesh me një frymarrje të pastër e lehtësohesh shpirtërisht. Duke e përmendur tërë krijimtarinë plot vlera të autorit Ramazan Sherja, të bie në sy një gjë ,modestia e tij. Ai asnjëherë nuk ka bërë pompozitete për krijimtarinë e tij, asnjë promovim dhe asnjë jehonë nuk ka dashur të deklamojë në median e shkruar e elektronike. Reklamimi nuk lidhet aq me vështirësitë financiare të tij, se sa me thjeshtësinë që e karakterizon atë. Megjithatë, krijimtaria e tij e larmishme, e mbledhur në dhjetë libra, flet vetë.
“Nëse çdo njeri i planetit do të dinte të pranonte dhe të dhuronte dashuri, bota jonë do të ishte nje vend krejtësisht ndryshe”, – thotë Joyce Meyer.Kjo është ajo që e karakterizon gjithë krijimtarinë e autorit Ramazan Sherja. Duke patur si nxitje motivin se dashuria është themeli i çdo suksesi dhe përsosmërie, ai e shtrin këtë ndjenjë tek të gjithë, tek nëna dhe babai, tek veterani dhe studenti, tek shtetari i ndershëm dhe bisnesmeni korrekt, tek lulja e sapo çelur dhe pema që lidh plot kokrra, tek vajza ëndërrimtare dhe hëna që ndriçon skutave të natës, tek deti që ngre dallgë dhe djali që rri mendueshëm në dritare, tek nxënësit e tij të dikurshëm që “me rritjen e tyre kanë shkruar biografinë e tij” dhe tek plaku me bastun që nuk do të largohet kollaj nga jeta.
Nga poezitë e tij të bukura më ka mbetur në mendje dhe e mërmëris shpesh një strofë nga poezia: “Pleqtë e fshatit tim”: “ Mblidheni o fisnikë tek rrapi shekullor/Mjekërmbështetur në bastun, siç e do zakoni/Dhe secili prej jush është shumë e më shumë/se një subjekt drame apo romani.”,Trokas në vargje”,1982. Por, ashtu si vargjet e mësipërme, dua të përmend disa strofa të tjera, sa për ilustrim, të atyre ndjenjave dhe të asaj bote të madhe shpirtërore që karakterizon poetin, dhe se si ai është lidhur ngushtë e ndjenjësisht me gjithçka që e rrethon: “ Qielli si s’ka të lodhur/gjithçka ngjyhet në të bardhë / ecën ti e se ndjen të ftohtin /pse se ndjen ti ftohtin vallë ” , “Dimërore”, Nostalgji poetike, 2011. Apo poezia “Fllad studentesk”, ku ndjenja e përmallshme dashurore është e papërballueshme: “Edhe natën nëpër ëndrra /më djeg malli më djeg kënga/më deh zëri yt i largët/porsi fllad që fryn mbi plagët.” Nostalgji poetike, 2011.
Duhen veçuar librat e tij me tematikë shkollore, metodike e gjuhësore, që janë një ndihmë e konsiderueshme për nxënësit, studentët, mësuesit. Ato tregojnë punën e kujdesshme e të përzgjedhur të krijuesit, por edhe ndihmën konkrete me informacionin e gjerë që u japin atyre. Libri “Njohuri dhe komente letrare”, i botuar në vitin 2004 dhe i ribotuar vitin 2009, me korrektesë profesionale, është me karakter pedagogjik dhe informues, zbërthyes ideoatistik i disa temave të lëndës së leximit nga klasa e V deri në atë të IX. Në librin tjetër “Gjuha Shqipe për nxënësin” autori jo vetëm trajton koncepte të ndryshme gjuhësore, por qartëson pjesët e ligjëratës dhe funksionin e fjalës në sintaks. Shpjegon edhe përdorimin e madh që po marrin sot disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. Me shembuj konkretë e të goditur, që të mbeten në mendje, autori bën dallimin e qartë të funksionit morfologjik dhe sintaksor të fjalës, konkretizon me shembuj të kuptueshëm funksionet e këtyre dy veçorive, si forma kryesore për rrënjosjen e koncepteve të shëndosha gjuhësore tek nxënësi. Me profesionalizëm është trajtuar analiza e fjalisë së përbërë, duke u zbërthyer me shembuj nga realiteti dhe të kuptueshëm për nxënësin, shoqëruar këto me skemat përkatëse. Më interesant është libri “Shtigjeve të dijes”. Autori e ka konceptuar librin si një dritare për çdo nxënës e lexues drejt dijes. Autori ka vjelë mjaft fjalë të panjohura dhe shprehje të pazbërthyera, që hasen në tekstet e nxënësve që nga klasa e pestë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, me shpjegim korrekt shkencor, duke u bazuar në fjalorin e gjuhës shqipe.
Nuk do të rrija pa shkruar dy fjalë për librat “Funari në historinë e tij” dhe “Sa bukur të jeshë femër”. I pari është një dashuri dhe dhembshuri e shkruar me ndjenjë dhe fakte për vendlindjen e tij të dashur, Funarin, duke krijuar kështu një dëshmi për autoktoninë dhe zhvillimin etnografik dhe kulturor të kësaj zone në vite. I dyti është një himn i sinqertë e plot pasion për personalitetin e femrës në përgjithësi dhe dhe madhështinë e nënës në veçanti. “ Zemra e nënës është oqean me ndjenja, zjarr me dashuri,vatër me ngrohtësi, horizont me dritë. Ndaj kushdo duhet të përulet para nënës, para femrës në përgjithësi, se gruaja është themeli i jetës që pulson.” – shkruan me një sintetizim të rrallë autori.
Por libri i dhjetë, “Jetoje jetën”, më shtoi befasinë për larminë dhe elasticitetin e trajtimit të problemeve konkrete e jetësore, në grimcat më intime të saj. Autori tregon qartë në këtë libër, se jo vetëm është njeri shpirtmadh e intelektual i pjekur, por edhe që di ta jetojë jetën intensivisht, dhe t’i përkushtojë asaj gjithçka, talentin, shpirtin, forcën morale dhe fizike, e mbi të gjitha temparamentin dhe impulsivitetin e tij. Ramazan Sherja, siç del në këtë libër e do dhe e vlerëson maksimalisht jetën, deri në çdo qelizë të saj, sepse ai do njeriun e punës, të këngës, njeriun e ndershëm dhe intelektualin, besimtarin dhe ateistin, shkenctarin dhe administratorin, të thjeshtin dhe eprorin, dhe vazhdimisht kërkon prej tyre që ta njohin e ta duan vazhdimisht edhe ata jetën, edhe kur ajo bëhet e vështirë. Motivi i këtij libri është i thjeshtë: Njeriu ka vetëm një jetë dhe duhet ta dojë e të ketë respekt për çdo qelizë të saj. Libri, “Jetoje jetën”, një titull mjaft i gjetur, por edhe ngacmues për lexuesin, shpalos një gamë të gjerë problemesh e shqetsimesh, që hasen në udhët e vështira të jetës. Ai e koncepton jetën e njeriut si diçka unike që lidhet ngushtësisht në tre nyje, lindja, martesa, vdekja, të cilat janë nyje të jetës. Brenda tyre të lidhura pazgjidhshmërisht me njera- tjetrën, lëvrin lëngu jetësor, lindja e bebes, kujdesi për të cilin siç shkruan autori fillon që në barkun e nënës, përpjekja për t’i gjetur emër të bukur, (dhe autori jep një larmi emrash, ku mund të zgjedh prindi), fëmijëria, e cila si do të jetë, le gjurmë në jetë, rinia mosha më e bukur, romantika dhe dinamika e jetës, që ka brenda zgjedhjen e të dashurit të zemrës, fejesën, martesën e konsolidimin e familjes, si dhe vdekjen, që edhe pse është e dhëmbshme e hap plagë, ajo është e pashmangshme. Për autorin vdekja është proces fizik, ashtu si lindja, si martesa, por, që duhet përballuar me dinjitet.
Libri është ndarë në dhjetë kapituj, me tituj lakonikë e shumë domethënës.Kapitulli i parë titullohet “Jeta dhe lumturia”, i dyti “ Triptiku i jetës”, i treti “ Respekto veten pa rënë në narcizëm”, i katërti “Mos jeto me kujtime”,i pesti “Përballo vështirësitë”, i gjashti “ Jeta si besim, si kulturë”, i shtati “Jetë e sinqertë në një shoqëri të sinqertë”, i teti “Këshilla për jetën”, i nënti , “Thumba dhe kundër thumba”,dhe i dhjeti “Për kuriozët”, për t’u mbyllur me një epilog të shkurtër në formë konkluzionesh, të konceptuara sintetikisht nga vetë autori. Më tërheqës, dhe më meditiativ e bën çdo kapitull të këtij libri shoqërimi me thënie konçize të filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Nëpër faqet e këtij libri shprehet dashuria për jetën,për beben që lind e fëmijërinë për djalin që lufton të zgjedhë të dashurën e zemrës, për çiftin që jetojnë në harmoni, por që edhe grinden për gjëra të parëndësishme, për plakun me bastun e kollare, por edhe për atë me qeleshe që e jeton jetën sipas mënyrës së tij. Në libër ndjehet jehona e të qarës së fëmijës që sapo bie në tokë, por edhe fëmijëria që “i bën gishtat gjak duke luajtur me top prej lecke”, ndihen tingujt e daulles së dasmës, por shijohet edhe loti i hidhur i vdekjes.”. “Dhimbja për njeriun që largohet nga kjo botë ,- thekson autori ,- nuk tregohet duke qarë e bërtitur,por me heshtje, me respekt, me lot të thellë zemre, me organizimin modest të ceremonisë mortore dhe rregullimi simbolik i varrit .” Librin e bën tërheqës dhe befasues, jo vetëm mënyra e trajtimit të problemeve të jetës me thjeshtësi e argument, por edhe vetë struktura e librit,ku ai përfshin edhe tre kapituj të tjerë si “Këshilla për jetën”, “Thumba dhe kundërthumba” si dhe “Për kuriozët”, të cilat autori i sheh si pjesë të të njejtit trup dhe i vë në funksion të zbërthimit dhe konceptimit të emrit jetë. Kapitulli “Këshilla për jetën “ përmbledh këshilla , porosi, udhëzime, të provuara nga jeta dhe që njeriut i duhen për ta patur të sigurtë jetën nga duhet të jetë dhe të mos jetë i papërgatitur për vështërisitë e jetës. Kapitulli “Thumba dhe kundërthumba”, është një humor i hollë, që, jo vetëm të bën të çlodhesh e të buzëqeshësh natyrshëm, tek i lexon në faqet e librit, por janë shumica edhe të padëgjuara dhe të mbledhura si grimca të natyrshme në realitetin e përditshëm, të dëgjuara nga mosha të ndryshme. Si kapitull më vete janë hedhur kuriozitete dhe informacione të padëgjuara, të cilat, jo vetëm të tërheqin, por edhe hapin horizont për lexuesin. Sikur të donte t’i argumentonte dhe të theksonte vlerën morale dhe filozofike të cdo kapitulli ,autori i shoqëron në fund ato me thënie të bukura nga filozofë e mendimtarë, shkencëtarë e shkrimtarë të mëdhenj, të cilët bëjnë të mundur që trajtimi i fakteve nga autori të mbetet në mendje.
Tek ke shfletuar gjithë faqet e librit “Jetoje jetën”, bindesh për shumë gjëra. Jeta është e shkurtër ndaj duhet jetuar në çdo qelizë e në cdo sekondë të saj.Atë ta ka dhënë perëndia dhe vetëm ajo ka të drejtë ta marrë. Jeta i ka të gjitha, ka njerëz të kategorivë të ndryshme, edhe të thjeshtin edhe mendjemadhin, edhe të mençurin edhe budallain, edhe shkenctarin edhe sharlatanin, edhe të ndershmin edhe hajdutin, edhe politikanin edhe filozofin,edhe këngëtarin edhe varrmihësin, pikërisht, prandaj është e bukur dhe e larmishme, se i ngërthen të gjitha nën këtë diell e nën këtë hënë në gjirin e saj. Por në fund të fundit duhet t’i pranojmë të gjitha se një jetë kemi e ajo duhet jetuar. Jeta ikën e nuk vjen më. Ndaj, dua ta mbyll këtë përshtypje mendimesh të shkurtra me atë që ka thënë aq bukur Fenelon dhe që autori e përmend në veprën e tij: “Jeta është një ëndërr e gjatë, dhe vdekja një zgjim i papritur”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 242
- 243
- 244
- 245
- 246
- …
- 268
- Next Page »