• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani

February 26, 2026 by s p

Një ndër përfaqësuesit më të njohur të humanizmit shqiptar, Marin Beçikemi, ishte nga Shkodra. Ai kishte lindur më 1468 në këtë qytet, për t’u bërë më pas shumë i njohur në qendrat humaniste italiane e dalmatine. Edukimin fillestar humanist autori e mori në qytetin e lindjes, një nga qendrat më të zhvilluara shqiptare që nga kohët më të hershme. Ai është pinjoll i një prej familjeve bujare të Shkodrës, të Beçikemëve e njohur për burrat luftëtarë dhe njerëz të shquar që kishte nxjerrë. I mitur Marin Beçikemi përjeton rrethimin e parë të Shkodrës më 1474, ngjarje që do të lërë mbresa të pashlyeshme në vetëdijen e tij. Para rrethimit të dytë, më 1478–79, ai largohet nga Shkodra për t’u mbrojtur në Ulqin tek familje të njohura. Rënia e Shkodrës në duar të turqve, bën që ai të kërkojë mërgimin e detyruar duke u vendosur në Itali. Atje vazhdon studimet në Breshia. Kthehet që andej sërish në Ulqin, ku martohet me një ulqinake. Martesa celebrohet nga Martin Segoni, një humanist tjetër. Me ndarjen nga kjo jetë, në tetor të vitit 1485 të Martin Segonit, ipeshkëv i Ulqinit, Marin Beçikemi mban fjalimin mortor në varrimin e tij. Marin Beçikemi që ka përjetuar dhe parë me sytë e tij rrethimin e parë të Shkodrës, mbresat dhe kujtimet e hidhura ai do t’i shfaqë më pas në veprën e vet. Në mbrojtjen e Shkodrës kanë marrë pjesë, siç do të dëshmojë, rreth tridhjetë pjesëtarë të fisit të tij, dhe ku jep jetën i ati. Rënia e Shkodrës, që ia bën të pamundur kthimin Beçikemit, do t’i japë mbaterial jetësor për të përjetësuar veprën heroike të bashkëqytetarëve të tij në panegjerikët e tij të njohur kushtuar rrethimit të parë dhe të dytë të Shkodrës. 

Studimet e larta Beçikemi i ndjek në Breshia në aulat ku jepnin mësim dy humanistë, profesorët G. Calfurnio dhe C. Barziza. Me kryerjen e tyre, më 1494, ai është ftuar për të drejtuar një shkollë letrare të orientimit humanist në Raguzë. Pranon ftesën për të shërbyer në Raguzë. Përvoja e fituar aty ka një ndikim të fuqishëm në formimin dhe përgatitjen e humanistit. Sigurisht edhe roli i tij në përhapjen e ideve humaniste është i ndjeshëm në këtë qendër të zhvilluar të bregdetit dalmatin. Në Raguzë nisi karriera e tij oratorike, që do të bëhet një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së tij. Në Raguzë, Beçikemi boton veprën e tij të parë më 1495. Veprën ia kushton Senatit të Raguzës. Mirënjohja ndaj Senatit të Republikës së Raguzës nuk kishte vetëm arsye personale. Me të ai shprehte konsideratën për marrëdhëniet e mira të Republikës me Skënderbeun, për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë qëndresës shqiptare, për faktin, se aty kishin gjetur strehë, mbrojtje dhe përkrahje mjaft familje shqiptare të larguara për shkak të invadimit osman. Libri i parë i botuar i Beçikemi titullohet “Kritika dhe observime për Virgilin, Ovidin dhe Ciceronin”. Në Raguzë ai qëndron deri më 1497 për t’u kthyer sërish aty edhe herë të tjera.

Edhe pse i ri në moshë, në sajë të formimit dhe të përgatitjes së fituar ai merr përsipër përgjegjësi dhe missione diplomatike. Më 1496 e gjejmë sekretar në flotën e Sinjorisë ku qëndron deri më 1499. Më 1500 në Venedik polemizon me Rexhio Rafaelon për personalitete të kulturës latine, që i njihte mirë si Ciceronin dhe Kuinitilianin. Thellohet në njohjen e kulturës romake për t’u bërë një nga njohësit e saj më të mirë. Për idetë humaniste dhe kulturën e gjerë që ka fituar me një përkushtim të rrallë ai shquhet sidomos në retorikë dhe oratori. Ai kërkohet të afrohet nga shumë universitete. Më 1501 ai fillon karrierën universitare në Universitetin e Breshias, atje ku është diplomuar. Në katedrën e lëndëve humane qëndroi deri më 1503 ku mbajti ligjërata, fjalime oratorike dhe botoi një numër të madh veprash, duke u bërë një nga humanistët më produktivë.

Më 1503 botoi në Breshia këto vepra:

  • “Leksione nga Plini”, Vepra, vëll. I
  • “Mjeshtëria oratorike e Ciceronit”
  • “Observime për Livin e Virgijilin”
  • “Komente për Persinë”
  • “Libri për oratorinë dhe retorikën e Ciceronit”

Më 1504 botoi:

  • “Përmbledhje observimesh të ndryshme”, Vepra, vëll. II
  • “Panegjirik për Shkodrën”

Më 1504 e gjejmë në Ragužë dhe më 1505 në Venedik, si pedagog në Shkollën e Shqiptarëve (Scuola degli Albanesi) të ngritur në këtë qytet nga bashkëkombësit e tij. Kolonia shqiptare e themeluar në Venedik e rrethinant pati një organizim të mirë, sepse shqiptarët e mërguar për arsyet e njohura të pushtimit osman nuk ishin pak. Me veprat e botuara dhe me ligjëratat e tij oratorike, Beçikemi kishte fituar emër jo vetëm në mesin e shqiptarëve, por edhe në qarqet humaniste italiane e evropiane, por në të njëjtën kohë edhe shumë njerëz që e luftonin, duke nënçmuar oratorinë e tij. Botues i veprave të Beçikemit është Bernardin Vitali i mbiquajtur Albaneze (shqiptari), po ai që do të botonte veprën madhore të M. Barleti, “Historia e Skënderbeut”. Më 1508 Beçikemin e shohim në Romë, për t’u interesuar që i biri Marku të zgjidhë kanonik në kishën e Breshias. Më 1509 e shohim në Venedik tashmë të japë mësim në shkollat e qytetit për Plinin, Ciceronin, Virgijilin. Sipas studiuesve ai shfaqte aq mjeshtëri sa “kishe qef ta shihje në debat”. 

Më 1517 Marin Beçikemi zgjidhet profesor në Universitetin e Padovës, në degën e arteve ku mësohej filozofia, mjekësia dhe teologjia. Ai caktohet të japë retorikën. Në Padova ai u bë i njohur si studiues e komentues i veprave të autorëve latinë por vazhdon edhe të botojë vepra. Për të ka folur me admirim një nga humanistët më të njohur të Evropës, Erazmi i Roterdamit, si dhe humanistë të tjerë si Kristof de Longaj, poeti A. Novagero, por edhe kundërshtarë të shumtë. Veprat që ai vijon të botojë janë shprehje të impenjimit dhe të rezultateve shkencore. Më 1522 boton veprat “Retorika” dhe “Invencione” (krijime), më 1534 përmbledhjen “Tre fjalime…”, më 1525 veprën “Hymne ekleziasitke” ndërsa post mortum botohet vepra “Koment mbi letrat e Ciceronit me familjen”. Për një periudhë u zgjodh dhe anëtar i Kolegjit të Filozofëve të Padovës. Vdiq në moshën 58 vjeçare, në kulmin e jetës e të punës. Marin Beçikemi ka lëvruar mjaft panegjerikun, një gjini e lëvruar shumë gjatë Mesjetës dhe Rilindjes Evropiane sipas modeleve të panegjerikëve të letërsisë antike. Ai përfaqëson atë lloj të veçantë letrar oratorik, një fjalim mburrës kushtuar personaliteteve të shquara politike dhe të jetës kulturore.                                                      Beçikemi botoi edhe 11 panegjerikë nga të cilët kemi të përkthyer në shqip:

  • Panegjerik Leonard Loredanos dhe Senatit të Venedikut
  • Merita e Shkodrës ndaj Venedikut
  • Rrethimi i parë i Shkodrës
  • Rrethimi i dytë i Shkodrës

Këto janë edhe panegjerikët ku ai ngre lart traditat luftarake mbrojtëse të shqiptarëve por edhe mirënjohjen për bujarinë dhe mikpritjen e treguar nga Venedikasit kur shqiptarët u detyruan të kapërcenin Adriatikun dhe të vendoseshin në tokat e Venetsisë.                                                                       Me mjete të retorikës klasike si pyetjet retorike që derdhen si ujëvarë e qetë në shkrimet e tij arrin të pikëzojë jo vetëm qëndresën e shqiptarëve, por edhe përkrahjen që i dha kësaj qëndrese senati i Venedikut. Ai është i motivuar të konsiderohet më mirë si gojtar i pazoti se sa mosmirënjohës ndaj asaj trimërie e sakrificave që kanë bërë shkodranët për të mbrojtur jo thjesht Shkodrën, por edhe qytetërimin evropian me tërë vlerat e tij. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për barrën që ka marrë përsipër që nuk është aspak e lehtë që “të mos flisja si një letrar privat, por si orator i atdheut tim fatzi”.

Në panegjerikët e tij Rrethimi i parë i Shkodrës dhe Rrethimi i dytë i Shkodrës, Marin Beçikemi nuk trillon por vetëm tregon, me forcën e një mendimtari orator duke përdorur dhe vënë në funksion mënyra të shprehuri që bëjnë tregimin transparent dhe elegant. Ai di që me forcën e fjalës së tij të depërtojë në arsyet e qëndresës së shkodranëve, të trimërisë së pashembullt në mbrojtje të lirisë së etnisë. Këtë tregim të pasuruar me elemente mendimi universal, por edhe të dhënë plot hir e bukuri të mpleksur me meditim të pavarur që kurdoherë zgjon interes në zhvillimin e arsyeve të gjëra, dukurive dhe ngjarjeve ai e ka parë e dalluar më parë në mjeshtërinë e oratorëve të shquar të antikitetit, të cilët ai i sjell në vepër përmes përcaktimeve kuptimplote.

Për të përshkruar tragjedinë e këtij qyteti fatkeq, e këtyre njerëzve që nuk pyesin për rreziqet dhe pasojat e llahartshme të një luftimi jo të barabartë por midis dy palëve që nuk përputhen as në motivet e tyre, ai kërkon ndihmë nga këshilltarët e modelet e shkëlqyera të autorëve klasikë, duke e dëshmuar hapur formimin e tij humanist. “Do të duhej përroi i rrëmbyeshëm i Demostenit dhe deti i pamasë i Ciceronit për t’i qarë paksa me lot mjerimet tona”, për të cilat ai thekson se “nuk do të gjenin fjalë as Herodoti, as Tuqididi, as Livi që shkëlqen me një gojëtari aq të rrjedhshme e të kulluar”. 

Shquan për artin e tij sidomos panegjeriku Rrethimi i parë i Shkodrës, ku ai arrin të zgjojë tek receptuesi i çdo kohe një interes të veçantë, sepse vetë është në dilemë “Të flas apo të rri në heshtje?”. Dhe ai ka zgjedhur pas shumë meditimeve të flasë, por të flasë jo vetëm për ata që i takojnë kohës së tij, por edhe për ata që do të vijnë më pas. Dhe si rezultat na jep një panegjerik model i artit të Rilindjes Evropiane që e ngroh ideali humanist e patriotik, shkrihet aq mrekullisht në shkrimin e tij. Ai i kishte përjetuar vetë ato ngjarje tragjike, ai e njihte mirë atë realitet. Me gjerësinë e mendimtarit ai di të shqyrtojë shkaqet e qëndresës shkodrane, prandaj dhe fjala rrjedh e furishme, skenat dhe tabllotë janë aq autentike e të gjalla, përsiatjet aq të thella dhe sugjestionuese. Qëndresa shqiptare nuk njeh kufij moshash apo sekse. Aty janë përshirë i madh dhe i vogël, pleq, fëmijë, gra, që japin një ndihmesë për t’u admiruar.

Thuhet se Marin Beçikemi ka shkruar edhe një poemë kushtuar Izabele D’Este, e cila ka humbur. I shtrënguar në moshë të re të mërgojë larg atdheut, kaloi nga një qytet në tjetrin me misionin e lartë të pedagogut humanist. Ai u shqua për kulturën e tij të gjerë. Por mbi të gjitha ruajti të pacënuar përkatësinë etnike, duke u njohur si Marin Beçikemi Shkodrani apo Epiroti (Shqiptari). Ai përfaqëson, pa dyshim, një nga personalitetet më të spikatura të Rilindjes Evropiane, një nga shkrimtarët e historianët më të shquar shqiptarë, të njohur nga studiues të huaj dhe shqiptarë, të çmuar në shumë botime për humanizmin dhe Rilindjen në Evropë.

Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha

Dërgoi për botim: Besnik Fishta

Filed Under: LETERSI

SHKRIMTARI NË BREGUN TJETËR: Luan Starova i Sagës familjare Ballkanike…

February 25, 2026 by s p

Emocion dhe e-maile… në nderim të tij, në 4 vjetorin e ikjes.

Visar Zhiti

Njeriu me emrin Luan Starova është vërtet shkrimtar i bregut tjetër, jo vetëm në kuptimin gjeografik, sepse ai jetoi në bregun përballë liqenit të Pogradecit, të qytetit, ku ai lindi dhe familja mërgoi përmatanë, në vendin që sot quhet Maqedonia e Veriut. Prandaj ai është shkrimtar bilingue, vepra e tij është shkruar në njërën nga gjuhët sllave të Ballkanit, në maqedonisht dhe po nga vetë autori është dhe në shqipen e tij, gjuhë e veçantë, që rrjedh nga ilirishtja.

Fjala e shpirtit dhe shpirti i fjalës janë në veprën e shkrimtarit. Jo vetëm si komunikim i vetes me realitetin, por dhe si rrënjë kujtese, vegim dhe histori e së ardhmes. Si përzierje ballkanike, ashtu si dhe njerëzit që popullojnë këtë sagë. Ai është shkrimtari i bregut tjetër dhe në kuptimin estetik të krijimtarisë së tij të begatë. Si tek askush shkrimtar tjetër, në veprën e tij thelbësore është familja, si unitet dhe identitet i patjetërsueshëm, organizim shenjtëror, gjithë dashuri dhe dhëmbje. Ikonat e prindërve janë të gjalla, adhurimndjellëse. Familja, duke lexuar Sagën e Starovës, më është dukur si një Itakë tjetër metaforike, drejt së cilës Odiseu tani udhëton bashkë me Penelopën dhe djalin e tyre, Telemakun, që metaforikisht dhe ky është rapsodi modern/ shkrimtari.

Humanizmi, vëllazëria, thjeshtësia e natyrshme dhe natyra e thjeshtësisë, një si habi, realizëm magjik ballkanik e përshkon Sagën luanstaroviane. Jeta aty ka një ekzistencializëm besimplotë. Toka dhe ujrat kanë humanizim. Dhe Luan Starova është Njeriu me “Nj” të madhe. Aq shumë i ngjashëm me veprën e tij. Vepra e tij është Ai.

URIMI

…vite më parë unë i kisha uruar datëlindjen e Luanit tonë nga Tirana. Institucionalisht kjo letër, e nisur për atë, doli dhe në media:

I dashur Luan Starova,

Gëzuar datëlindjen Ju urojmë nga dheu-amë, shëndet, gëzime e krijimtari të mëtejshme, të bukur dhe të rëndësishme si deri më tani. Vepra Juaj, e njohur jo vetëm në Maqedoni, ku jetoni e shkruani, e njohur jo vetëm në Shqipëri, kombit të cilit i përkisni, saga ballkanike, që krijuat me vite, e përkthyer në gjuhë dhe vende të ndryshme, ka shpalosur një botë, që e ka magjepsur lexuesin e saj, ka treguar njeriun, familjen, shoqërinë, përpjekjet për jetë, për dashuri e paqe. Ajo nis që me imazhet e vendlindjes Tuaj, Pogradecit piktoresk e shkon deri në mesazhet universale. Fryma e thellë njerëzore që përshkon veprën Tuaj, personazhet e paharrueshëm, fjala e gjallë, niveli i lartë artistik, etj, Ju kanë bërë Ju që të jeni një shkrimtar evropian i lartësive botërore. Emri Juaj na mbush me gëzim për veprën e kryer, për punën Tuaj si pedagog, akademik e diplomat, ndaj Ju urojmë, edhe në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, jetë të gjatë e vepra të tjera, në pasurimin e kulturës së përbashkët.

Miqësisht,

Visar Zhiti

Ministria e Kulturës…

Tiranë, gusht, 2013.

TAKIME:

Me shkrimtarin Luan Starova kishim shkëmbyer e-maile dhe më parë dhe do të shkëmbenim dhe më pas, të rralla, por të çmuara si rubinët për mua, ishim takuar jo pak herë në Shkup, në Strugë, në Tiranë, në Lodevë të Francës, prapë në Shkup, kishim qenë dhe në shtëpinë e tij, unë, Eda ime dhe djali, Atjoni, bashkë me Luanin tjetër, edhe ai nga Pogradeci, Luan Topçiu dhe Renatën e tij. E zonja e shtëpisë, Gëzimja, e mbushte mikpritjen plot me emrin e saj, kujtojmë që njëra nga vajzat luajti dhe në flaut për ne, mysafirët e bregut tjetër. Dhe unë do t’u shkruaja: …të mirë pafund…

E MAILE:

Në një nga mesazhet e tij Luan Starova ndër të tjera do të më kërkonte një tregim, sa befasi e bukur, se: …jam duke pregaditur një Antologji të tregimit shqiptar të shekullit XX, – më bëri përshtypje ky përkushtim i tij për letrat shqipe, që do t’i merrte kohën e romaneve të tij që prisnin kreun tjetër…

Në bregun këtej gati mungonte kjo dashuri mes shkrimtarëve, përkujdesi atëror për gjeneratat më pas.

Në një e-mail gjeta që e uroja:

për dekoratën e lartë të Frances. Eshtë një nderim edhe për të gjithë ne…

Ja, dhe një e-mail tjetër, ia dërgoja nga Vatikani: Kam folur… me ambasadorin e Maqedonisë pranë Selisë së Shenjtë, që ai dhe unë t’ju ftojmë këtu… – fjala ishte për një takim me lexuesit në Itali, të organizuar nga dy ambasadat tona.

Kam gjetur dhe çfarë i kam shkruar për poezinë e tij:

…në shkretëtirën e fatit, ku jemi, mbi rërën përvëluese të dhëmbjes pa fund e anë, na dergoni një mirazh, na jepni ca gjurmë që të përcjellin në një oaz…Dua të dal te libri Juaj, “Kartagjena nuk mposhtet”, përgëzime për (ri)botimin e poezive, kanë ardhur mjaft mirë dhe mbartin me dinjitet kohën e tashme të leximit, ngjajnë të sapo shkruara, sepse kanë të përhershmen e ndjenjës e të mendimit, ku hermetizmi i tyre i përbashkët është dhembje njerëzore… prandaj si lexues gjejmë me shumë “kohë të brendshme”, nga ajo me e rëndesishmja, jo efemerja, nga që na tregohet se gjithçka ndodh brenda nesh, më fuqishëm se sa jashtë. Poezia Juaj ngjan si e shkruar në lëkurë jete, gjithmonë nga brenda saj, e lenë në shkretëtirë, ku koha që ikën, i jep më mister e vlerë. E mbaj mend botimin e tyre të parë, ndjesia e tyre tani ishte po ajo dhe ndryshe njëkohësisht, më e pjekur nga dielli i shkretëtirës, më me natë kartagjenase, me yje të ftohtë mbi rrënojat, që dëshmojnë më shumë qëndresë. Parathënia e Adonisit, e shkruar shkëlqyer, i shkon shumë gjendjes së poezisë Tuaj, universalitetit të saj, ndërsa pasthenia Juaj – e rileximit të tyre, metaforës së unit kolektiv, të Kosovës që nuk mposhtet, ku Ju me fisnikëri kujtoni emra të atyre që bënë antishkretëtirë në letrat shqipe, ndërsa unë… gjej dhe unin vetanak, fatin e kursyer në shkretëtire.

Nga që kisha nevojë për lutje dhe rrëfim, e ndjeja se mund t’i bëja, kisha mirëkuptimin e tij, ja ç’i thosha tjetër: …ishte si vazhdim i një bisede me Ju, e heshtur, ku lidhjet e mia me botën tashmë janë prishur hidhur, mua ma merr frymën nëntoka… dhe meqenëse labirinthi im nuk ka rrugëdalje, shoh qiellin, mbase një shkretëtirë e ngritur lart, mbi ne, me kartagjenë resh…

Dhe vazhdoja t’i shkruaja edhe më nga larg, nga SHBA, nga Chicago, por dhe nga afër, nga zemra, e uroja: …që Akademia e Shkencave në Tirane u nderua dhe me emrin Tuaj si antar. I tillë keni qenë përhere me vepren Tuaj të mrekullueshme…

Edhe këtej, në shtëpinë përtej oqeanit, kam libra të Sagës së tij, një poemë e madhërishme e Ballkanit…

I thosha këto dhe nga institucioni më i rëndësishëm, atij të lexuesit dhe e mbyllja me fjalët:

Mjeshtër,

ju duam!

(Sipas një shkrimi për Antologjinë

që do t’i kushtohej shkrimtarit Luan Starova)

Filed Under: LETERSI

SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA

February 21, 2026 by s p

Akademik Gjovalin Shkurtaj/

(Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë , ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.)

Data 21 shkurt është Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve Amtare. Me këtë rast, ashtu si dhe herë të tjera, le të kujtojmë interesimin dashamirës për gjuhën shqipe si tipari kryesor përbashkues i kumtimit dhe i marrëveshjes midis të gjithë shqiptarëve në trojet e veta ballkanike, si dhe të atyre që janë në diasporat e hershme (në Greqi, Itali, Zarë, Mandricë, Ukrainë etj.) dhe të grupeve mërgimtare më të reja në metropolet e Evropës, të SHBA-së , të Kanadasë, të Australisë etj.

Të gjithëve sa janë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi etj. gjuha shqipe u shërben si mjet komunikimi, po edhe si tregues e simbol i përbashkësisë etnike dhe shpirtërore e kulturore, si hallkë e fortë lidhjeje e shqiptarie.

Kjo përbashkësi është kënduar e lëvduar në vjershat e poetëve më të shquar të Kombit tonë, të cilat çdo shkollar shqiptar duhet jo vetëm t’i dijë përmendsh, po edhe t’i kujtojë me nderim e t’i ketë si peng të çiltër qytetar e kombëtar.

Të flasësh e të shkruash në gjuhën amtare, në gjuhën e nënës (apo sikundër thuhet zakonisht “në gjuhën e të parëve”), për shumicën e popujve të botës ka qenë një nga gjërat më të natyrshme dhe të patjetërsueshme, si procesi i frymëmarrjes dhe të ushqyerit apo i rritjes dhe i jetesës së njeriut. Por, për fat të keq, nuk ka qenë kështu për shqiptarët, për njërin nga popujt më të hershëm të Evropës, autokton në trojet e veta në brigjet e Adriatikut e të Jonit, në këtë vend të bukur, me pasuri e bukuri të mahnitshme natyrore, i lakmuar dhe i pushtuar me shekuj prej të huajve, të cilët, ndër të tjera, për ta mbajtur nën sundim, popullin shqiptar nuk e lejonin as të hapte shkolla shqipe. Kjo, sidomos, në kohën e pushtimit pesëshëkullor nga Perandoria Osmane, prandaj, historikisht, përpjekjet dhe lufta e popullit tonë për çlirim kombëtar, kanë pasur si kërkesë të parë e themelore ruajtjen e gjuhës shqipe, të drejtën për të pasur shkolla në gjuhën amtare, të drejtën për t’iu lutur Zotit në gjuhën shqipe.

Gjuhës amtare, shqipes e shkronjave shqipe u janë kënduar këngë popullore ku, ndër të tjera, thuhet: “E ka marrë lahutën në dorë,/mirë po i bjen, ma mirë po i këndon,/krejt po e këndon kangën në gjuhë të të parëve”(Eposi i Kreshnikëve); “Se për atdhe e për gjuhë amtare, o ngrihen prapë o heronjtë ndër varre.” (Mirditë), kurse yjësia e poetëve dhe e shkrimtarëve arbëreshë e shqiptarë vargjet më të përmallshme e më të pavdira ia kanë thurur shqipes. Poeti Nikollë Keta, nga diaspora arbëreshe e Sicilisë, qysh në agimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në shekullin XVIII, shkruante: “Na i lutemi t’ën Zoti, po me gjuhën që na dha, /si i lutej Kastrioti e gjiria ka rrjedhim na.”

Në atë hulli, do të ngrihej i fuqishëm zëri i mbarë rilindasve arbëreshë e shqiptarë, duke pasur si kërkesë kryesore: ”Të nxëmë gjuhën tënë, / kombin ta ndritojmë, gjithë ç’është e ç’ka qenë, ngadalëz ta mësojmë”.

Dita e 21 shkurtit, natyrisht, është rasti që, jo vetëm t’i përmendim porositë e vyera të poetëve dhe atdhetarëve shqiptarë për gjuhën amtare shqipe, po edhe të na shërbejnë për të bërë një “mea culpa” të thellë për dëmin që i është sjellë e po i sillet gjuhës shqipe në ditët tona nga mungesa e kujdesit për shqipen e shkruar e të folur në mjedise e për qëllime zyrtare, shtetërore a private, por me karakter publik. Kurrë më me forcë se sot nuk ka qenë e domosdoshme të zbatohet kërkesa e Naim Frashërit që, pa u lodhur së lëvduari shqipen (“Pa shihni sa e mirë, sa e ëmbël, sa e dlirë) përgjërohej e na linte si porosi të pavdirë “…Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”.

Sa herë bie rasti që ndokush, me dashakeqësi e me synime të mbrapshta, rreket të mbjellë përçarje e gërvërre të dëmshme e antikombëtare, na vijnë me të drejtë në mendje vlerësimet e Mjedës që thotë: “Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime,/ ndër këta vllazën shoq me shoq,/ kush e ndan me fjalë e shkrime/ çka natyra vetë përpoq!” Kurse Fishta, i cili me mllef e forcë të madhe, shprehet kundër fjalëve të huaja të panevojshme: “Dhe atij ju thaftë, po goja,/ që në gjuhë të huaj kur nuk asht nevoja/ flet e të vetën e len mbas dore!”.

Dëgjoj shpesh me ëndje një këngë të Nikollë Nikprelajt, këngëtar i shquar nga trojet shqiptare në Malin e Zi, që thotë: ”Pse jemi toskë e pse jemi gegë,/Jemi një lis po me dy degë,/Nuk ka fe as ka parti, që e përçan këtë shqiptari ”.

Prandaj, kërkesa për ta dashur, për ta njohur, për ta nxënë me baza të shëndosha gjuhën shqipe ka qenë dhe duhet të mbetet edhe më tej kërkesë me rëndësi të dorës së parë për shkollat shqipe, për administratën shtetërore e publike, për të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik.Gjuha amtare është jo vetëm mjet kumtimi e marrëveshjeje, po edhe ushqyese e përbashkësisë etnike e kombëtare të një populli.

Me keqardhje shohim se është zbehur ose edhe mungon kujdesi apo disiplina gjuhësore e shtetit dhe e institucioneve arsimore e kulturore. Në të gjithë botën e qytetëruar gjuha mbahet gjallë dhe përpunohet nëpërmjet shkollës dhe institucioneve kulturore, ku tradicionalisht kanë luajtur rol të madh letërsia artistike dhe teatri e, mbi të gjitha, gjuha e zyrave të shtetit dhe institucioneve zyrtare. Edhe tek ne për shumë vjet radhazi në këtë drejtim është punuar dhe ka pasur suksese të ditura.

Në kohët e reja, sidomos në fund të shekullit që u mbyll e në ditët tona, rolin e dorës së parë përsa i takon modelit gjuhësor e kanë marrë mediat e shkruara (gazetat, revistat, interneti) dhe të folura (televizioni, radio dhe cd-të). Për gjuhën e shkrimit, pas viteve të shkollës, njerëzit kanë si model kryesor atë që gjejnë në gazetat dhe revistat që lexojnë përditë, ndërsa për gjuhën e folur, natyrisht, ndikojnë fuqishëm gjuha e radios dhe e televizionit. Me fjalë të tjera, mediat, qofshin të shkruara, qofshin të folura, ditë për ditë, me atë që shkruajnë e thonë, o ndreqin o prishin diçka në gjuhë. Kam thënë gjithnjë dhe po e përsëris: shoqëria shqiptare dhe kombi shqiptar u detyrohen mjaft shtypit dhe radio-televizionit për sukseset që kemi arritur në gjuhën letrare të njësuar. RTSH-ja dhe radiot e televizionet private kanë pasur e kanë mjaft folës e redaktorë të mirë, që e kanë shqiptuar e intonuar bukur shqipen dhe kanë dhënë modelin e të folurit të mirë për masën e gjerë të dëgjuesve e shikuesve.

Dikur bëhej shumë kujdes nga autorët dhe redaktorët, po kishte edhe një korrektor gjuhësor për çdo gazetë. Edhe fjalimet apo artikujt e raportet më të rëndësishme të personaliteteve politike të asaj kohe, cilido që të ishte autori, po të kishin gabime drejtshkrimore, nuk lejoheshin të dilnin ashtu, por korrektoheshin e ndreqeshin. Periudha ka qenë ajo që e dimë, por përvoja e saj për sa i takon gjuhës ka qenë e mirë dhe nuk ka pse të mos zbatohet.

Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj.Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Në Francë revista “Defence organizèe de la langue française” (Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime “contre le franglais”😊 kundër fjalëve të huaja nga anglishtja).Edhe në Itali, çdo të shtunë e të diel, në RAI-1 mbahet rubrika “Prontosocorso linguistico” (Ndihma e shpejtë gjuhësore) si dhe punohet me kujdes për cilësinë e të gjitha llojeve të botimeve zyrtare.

Shqiptarët e Maqedonisë, ndonëse janë pakicë gjuhësore e etnike, po kërkojnë e po punojnë me ngulm për mbrojtjen e shqipes zyrtarisht. Dhe kanë krijuar edhe institucionin e “INSPEKTORIATIT GJUHËSOR” për ruajtjen e zbatimin e rregullave të gjuhës shqipe.

Me keqardhje shohim se në Shqipëri,në vend që të jepnim modelin e pastrimit e zbatimit të rregullave të shqipes, në plot raste të gazetarisë së shkruar e të folur, si dhe në reklamat në mediat e shkruara e të folura, si dhe në mbishkrime e tituj të enteve, objekteve, udhëve e shesheve publike ka vërshim të papranueshëm të fjalëve të huaja të panevojshme e të pakuptueshme, po edhe të mënyrave të të thënit krejt në kundërshtim me rregullat gramatikore të shqipes.

Gjuhëtarët e kanë kryer detyrën e tyre, kanë hartuar e botuar rregullat e drejtshkrimit, gramatika e fjalorë të përgjithshëm leksikorë dhe terminologjikë, po realizohet nga Akademia e Shkencave dhe Projekti madhor për një Fjalor më të plotë apo një Fjalor të përditësuar të shqipes së sotme. Përkundrazi, institucionet zyrtare shtetërore e publike, jo të gjitha e jo gjithmonë i lexojnë dhe i zbatojnë rregullat dhe normat e shqipes së njësuar.

Me ngut e me përgjegjësinë e duhur kërkohet të pastrohen e të rishikohen nga ana gjuhësore reklamat e televizioneve dhe titujt e titullimet e rubrikave, shumica e të cilave janë padrejtesisht e pa asnjë motivim bindës vetëm në gjuhë të huaja.

Ka pasur e vijon të ketë ka gabime të rënda në gjuhën e teksteve shkollore, ndaj të cilave me të drejtë duhet të shqetësohet krejt shoqëria shqiptare. Ka një rënie të dukshme të kujdesit për gjuhën e këngëve të reja, në të cilat, ndonjëherë, mbushen me aq shumë forma dialektore saqë nuk kuptohen dhe, sigurisht, kjo shkon edhe kundër vetë artit të këngës.

Po lexoja një poezi të një poeti bashkëkohës që e do gjuhën dhe, ndër të tjera, më pëlqeu metafora “gjuha është këmisha e shpirtit”(Ilrian Zhupa). Sa metaforë e bukur, por puna është se këtë këmishë të bukur, të hershme e të hirshme të shpirtit të shqiptarëve, po na e ndyjnë (ndotin e baltosin) dhe po na e grisin paturpësisht e padrejtësisht disa “analfabetë me diplomë”, që nuk po pyesin fare as për rregullat më elementare të gramatikës shqipe.

Dita e sotme, natyrisht, na jep rastin të shprehim edhe disa kërkesa konkrete të lidhura me disiplinën gjuhësore të shtetit e të shoqërisë shqiptare, duke theksuar (qoftë edhe pse të përsëritura) vërejtjet e kritikat dashamirëse që janë bërë nga gjuhëtarët dhe dashamirësit e shqipes deri sot, por që nuk kanë gjetur zbatim, për të mos thenë: janë shpërfillur gati masivisht. Si p.sh.: në zyrat e shtetit, në Kuvendin e Shqipërisë e në gazetarinë e shkruar e të mediave elektronike nga prirja veskeqe për t’i thënë mbrapsht, shtrembër e me kalkime prej anglishtes kumtet, lajmet e shkrimet që mund (e duhet) të thuhen shqip e që, në të vërtetë, do të ishin shumë më këndshëm e bukur ashtu si janë thënë në shqipen motejetë.

Një sy qoftë edhe i shpejtë i publikimeve, reklamave, lajmeve të shkruara e të folura na jep rastin të tmerroheni nga përçudnime të palejueshme leksikore dhe kuptimore (semantike), si: SHI AGRESIV (në vend të -i rrëmbyeshëm, i fortë), RRUGË E PAAKSESUESHME (për e pakalueshme); ÇMIME TË ÇMENDURA (për-të lira, të mira), RRËMBEU ÇMIMIN (në vend të fitoi, mori); KËRKESË ULURITËSE, athua se jetojmë në ndonjë kopsht zoologjik apo në pyjet e Amazonës etj. etj. Për të mos u marrë me gabime qesharake, si p.sh. BETONALJA e Shkodrës, në vend të pedonalja, VENDE TË PAHARTUARA ( që nuk janë hedhur në hartë); LEKSIONOJ (ligjëroj, mbaj leksion); SPIKEROJ (jap lajmet në radio apo në televizor).

Shpesh ndeshim gabime gramatikore trashanike, që as analfabetët e dikurshëm nuk do t’ia lejonin vetes. Askund dhe në asnjë prej gjuhëve të Evropës nuk ndodh si në gazetarinë dhe mediat elektronike të Shqipërisë, që nuk dinë të dallojnë se kur duhet thënë KUSH dhe kur duhet CILI, CILA, CILËT, CILAT, ÇFARË, Ç’.

Mund të duket e rëndë, por ai (apo ajo) që kur flet a shkruan thotë: “Kush është problemi? Kush ministër? Kush qeveri? Kush deputet? Kush dyqan? Kush televizion? Me kë kryebashkiak (në vend të me cilin…) etj. e meritojnë epitetin e Konicës së madh.As bariu i Vermoshit apo bujku i Konispolit nuk thotë KUSH DASH apo KUSH DELE, KUSH KRYETAR apo KUSH QEVERI?!

Kurse në mediat shqiptare është përhapur si epidemi gjuhëprishëse përdorimi i gabuar i KUSH në vend të CILI, CILA, ÇFARË.

Latinët e urtë thoshin: “Të gabosh është njerëzore, por të mos i ndreqësh gabimet është djallëzore”.

Shumë shkrues e folës në publik kanë rënë në dashuri me foljezime të çuditshme e të papranueshme, të sajuara nga fjalë të huaja, si DAKORDËSOHEM ( në vend të merrem vesh, pranoj), SPIKEROJ (në vend të lexoj lajmet, flas në radio e televizion), HOSPITALIZOHET ( në vend të shtrohet në spital); ALOKOJ (në vend të ndaj, ruaj, caktoj), KOMISONOHET (në vend të del para komisionit mjeko-ligjor); ALERT, ALERTOHET (në vend të alarm, alarmohet); si dhe tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar. Dhe, si qershia mbi tortë, fjala e kotë PROBLEMATIKË, që ka marrë një dendri të shfenuar e të palejueshme.

Në mediat e shkruara e të folura, po edhe ne dokumentacionin zyrtar po përdoret gabimisht: me pa tjetër, madje tashti se fundmi po thuhet edhe “me se s’bën”, kur dihet se shqip thuhet: duhet bërë pa tjetër, duhet bërë se s’bën.

Mbi të gjitha përbëjnë shkelje të rregullave gramatikore numërori tre, që po përdoret për të dyja gjinitë, kur dihet se shqipja ka si normë: tre (për meshkuj) tre djem, tre burra; tre byrekë, tre kulecë,tre gjela; kurse përkundrazi tri (për gjininë femërore): tri gra, tri vajza, tri lugë, tri petulla; tri pula.

Në ligjërimin e folur të disa politikanëve dhe në mediat e folura shpesh ka sharje të rënda e të pakontrolluara, ka vulgarizma e prurje nga pornoligjërime. Shikoni (dhe dëgjoni) sa për turp janë shtrirë togfjalëshat: nuk më plas, nuk më rruhet, si dhe shumë të tjera të disa “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare.

Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë , ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Tiranë, 21 shkurt 2026

Filed Under: LETERSI

Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale

February 20, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

“Nga të lypset t’ia nisësh më parë: nga poezia, apo nga poeti?!” pyet Romelda Bozhani, autore në antologjinë e hartuar enkas për njëqind vjetorin e ciklit me poezi “Kockat e sepjes” të Eugjenio Montale (1896-1981). Turneu nisi në Romë me një mbrëmje mbresëlënëse muajin e kaluar, prej andej shkoi në Milano, dhe ndalesa tjetër është në Kozenca të dielën, duke bërë pjesë të saj studiues dhe akademikë, krijues e intelektualë nga e gjithë Italia, që festojnë 100 vjetorin e poezisë montaliane në përvjetorin e 130 të lindjes së poetit. Antologjia “Eugjenio Montale – Midis të keqes së të jetuarit dhe detit” është homazh artistik për poetin, i cili, pas Dantes, rikrijoi poezinë italiane në një shekull tjetër zhgënjimi me iluzionet.

I lindur në Gjenova të Italisë në 1896, Montale, autor i pesë koleksioneve me poezi, dhjetëra antologjive lirike, kritikave letrare dhe përkthimeve, mori çmimin Nobel në moshën 79 vjeçare në vitin 1975. Kishin kaluar 50 vjet nga botimi i ciklit poetik Kockat e Sepjes, botuar në Torino në 1925 nga një miku i tij intelektual. Për titullin ka ende hamendje e interpretime nga më të ndryshmet prej studiuesve dhe kritikëve të artit, por dhënia e çmimit të madh përmbante simbolikë të fortë për botën letrare dhe artin në përgjithësi.

Nobelisti 79 vjeçar, që kishte shkelur normat e imponuara dhe madhështinë boshe të poezisë italiane të kohës, ofronte paralele me qasjen danteske. Doktori i Filozofisë, Prof. Arshi Pipa, ish-editor i Diellit, studimin e tij profetik Montale dhe Dante, botuar pak përpara nderimit me çmimin Nobel, ia kushton kësaj analize krahasuese. Për sa i takon transformimi të shprehjes së emocionit në art, poeti shihej nga kritika letrare si i afërt me një figurë tjetër të modernizmit T.S. Elliot. Por biri i bregdetit ligurian, nuk reshti së kërkuari poezinë edhe ditën kur mori Nobel-in. Montale ishte krijuesi, që, si kundërpërgjigje ndaj perversionit të kohës dhe për të ruajtur autonominë e artit, bashkëthemeloi hermeticizmin. Ai ishte artisti që refuzoi lëvizjen fashiste në Itali, u dëbua nga puna botuese, dhe kurrë nuk u pendua për bindjet e tij.

Nobelisti Montale, që jetonte ashtu si krijonte, u njoh në çerekun e fundit të shekullit 20 si simboli i kohës së “asgjësimit të qenies njerëzore,” ngjashëm me një bashkëkohës e bashkëvuajtës tjetër si ai, poeti ynë, Migjeni. Këtu fokusohet eseja e Romelda Bozhanit e botuar në studimet e paraqitura nga grupi hartues i antologjisë.

Një nga tre kontribuesit shqiptarë të botimit “Eugjenio Montale – Midis të keqes së të jetuarit dhe detit” (Eugenio Montale-Tra il mal di vivere e il mare), nga shtëpia botuese Passerino, Milano, Bozhani thotë se këtë radhë, “ne u ndalëm te poeti”. Arjan Kallço, Docent në Universitetin Fan Noli, Korçë, Jorida Tollkuçi, Drejtoreshë e Bibliotekës Publike Thimi Mitko, Korçë, dhe Romelda Bozhani, autore dhe ligjëruese, së bashku me shumë studiues, profesorë, historianë, gazetarë, artistë italianë e të huaj, si: Stefania Romito, Gianluca Borgese, Lidia Caputo, Gianluigi Chiaserotti, Mario de Rosa, Pina Colitta, Marvi del Pozzo, Angela Valenti Durrazzo, Emilio Filieri, Antonella Monaco, Adolfo Polignano, Regina Restame, Walter Rossi, Simone Saccomani, Pino Sassano, Luca Siniscalco, piktorja Ylenia Paladino, që u kujdesua edhe për kopertinën, Lorena Sambruna, Nadia Martorano, i dhanë librit vulën e një “projekti ndërkombëtar.” Natyrshëm pikënisja ishte Roma me prezantimin e parë ku folësit ishin studiues të njohur dhe kritikë letrarë e publicistë, ku pjesëmarrësit e ftuar në sallën UNAR ndoqën edhe interpretimet e disa poezive të Montales nga aktori napoletan Giancarlo Lobasso.

Ideatore dhe nismëtare e botimit antologjik është Stefania Romito. Romelda e përshkruan atë me këto fjalë: “Për të kremtuar këtë poet të paharrueshëm, që i ka kënduar çdo gjëje, me shpirt e me mendje, duke e vëzhguar me ngenë më të madhe, edhe ne hartuam një antologji, nën drejtimin e Stefanias sonë. Ajo është gazetare, shkrimtare, poete, ideatore dhe përgjegjëse e Projektit Shkencor Ndërkombëtar “Montale Kockat e sepjes – Njëqind vjetori”. Si Drejtoreshë e shoqatës kulturore “Ophellia’s friends Projekte Kulturore”, së bashku me Shoqatën “Drejt një lindje të re APS” në Milano, Romito është edhe një nga promotorët e parë të projektit. Por, mbi të gjitha, Stefania është dritë, që thith dritë tjetër, shpërndarë nëpër botë e në këtë rast, ka thithur dritën tonë.”

Antologjia për Montalen e “poetikës së mbetjeve” dhe “njeriut pasiv” që mediton nën zhurmën e detit ku dëgjon heshtjen e një jete që s’të ofron asgjë përcjell tingëllim të thellë dhe të fortë bashkëkohor për një tjetër shekull shkretimi shpirtëror.

Të ftuarit në katin e fundit – Fragment nga eseja në antologjinë “Eugjenio Montale – Midis të keqes së të jetuarit dhe detit”

Romelda Bozhani

Poetin e përfytyroj të ulur, jo në këmbë. Me një copëz ashkle në gojë, si cigare, për t’u çeplendisur. S’kishte asnjë ngutje të merrte pjesë në shpejtësinë e çmendur, me të cilën ecte bota. Është njeriu përballë natyrës. Sepse poeti, tjetër gjë s’ka bërë, përveçse, tërë jetën, butë-butë, është përpjekur t’i japë formë e ta latojë çdo vuajtje a përpëlitje që nis nga ndjenja, kujtime, përjetime e vëzhgime.

Gjatë leximeve e rileximeve për përpilimin e punimit në antologji më bënte përshtypje kërkimi me ethje e këmbëngulje e poezisë, e vargut, nga ana e Montales. Më solli ndër mend një tjetër poet: përpëlitjet, pasthirrmat, klithjet, grushtin e fort, për t’i rënë “mu në zemër malit që s’bëzanë”, ia njoh mirë. Edhe Migjeni ynë, në atë epokë të vështirë, si bashkëkohës e bashkëvuajtës me Montalen, në atë katrahurë plot luftëra, varfëri, trishtim e përhumbje të njeriut, kërkonte poezinë, në kohën e një epoke ideale për të ndryshuar gjithçka. Siç shkruaj në esenë time Të ftuarit në katin e fundit:

“Në fillim të shekullit të 20-të, një shkrimtar shqiptar lutej deri në dëshpërim për pak poezi. Ishte shekulli i urisë, i luftërave, i asgjësimit të qenies njerëzore, por ai shkonte përtej çdo gjëje e kërkonte diçka më shumë.

“Pak poezi…. pak poezi të dridhshme si fjala që del drejtpërsëdrejti nga zemra e emocionueme…

Pak poezi, të rrojsh një çast të shënueshëm.

Një shkëputje, vetëm një shkëputje çasti nga jeta, në të cilën të gjitha ndjenjat u shitën për bukë dhe pare…” (Migjeni, “Vepra” Shtëpia Botuese Migjeni, Tiranë 2011).

Ai konsiderohet ende poeti dhe shkrimtari më modern dhe më i shkëlqyer i letërsisë sonë. Quhej Migjeni, pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës. E donte qytetin e tij, Shkodrën, rrugët, njerëzit, nxënësit, librat, botën, por, pavarësisht gjithçkaje, shpirti i tij vuante nga një e keqe e përbashkët e asaj kohe: trishtimi… Jeta e tij i ngjasonte një proze që të therte, por ishte thelbësore e letërsia e tij u bë një himn për “poetikën e krijesave njerëzore”. Ai vdiq nga turbekulozi në Torino, në vitin 1938, në moshën njëzet e shtatë vjeçare e deri në fund të jetës mbeti një shpirt i shqetësuar në një trup të sëmurë.

Në të njëjtën epokë të trazuar, një poet tjetër jokonformist, Eugjenio Montale, i lindur në Gjenova të Italisë, i papunë, antifashist, një shpirt përjetësisht i shqetësuar, po kërkonte gjithashtu poezinë. Në vitin 1925 dhe pikërisht në Torino, ku trembëdhjetë vjet më vonë do të vdiste Migjeni ynë, pa dritë libri i tij i parë me poezi, “Kockat e sepjes” (Ossi di seppia), botuar nga intelektuali dhe miku i tij, që vdiq shumë i ri, Piero Gobetti.

Kanë kaluar njëqind vjet nga ai botim i parë dhe ne ende e konsiderojmë Montalen si shpërthimin e një vullkani. Atëherë, një zemër e çmendur digjej brenda një të riu njëzet e nëntë vjeçar, plot probleme ekzistenciale dhe metafizike, një pasqyrim i kohëve të errëta. Ashtu si poeti ynë shqiptar, edhe ai ndjeu një pesimizëm kozmik ndaj botës. Dhe kishte të drejtë: në atë kohë, bota mbante erë hekuri….

Trishtimi, një sëmundje e pashërueshme e një shpirti të vetmuar, përplaset “brigjeve të detit midis algave, yjeve e rrënojave të padobishme”, siç shkruan te poezia “Mesdheu”. Dhe kështu, i zhytur në hutimin, apo meditimin e tij, i riu Eugjenio përpiqet të ndërtojë një botë të vetën, “midis detit dhe të keqes së të jetuarit”, që i ngjan një sëmundjeje të pashërueshme….

Në botën e tij prej një mijë katesh, Montale jeton në krye, në katin e fundit, ku i vetëm, ndonjëherë në shoqërinë e ndonjë muze, ndonjë lexuesi imagjinar ose të ndonjë “gabimi shtypi të pashfrytëzueshëm, një ëngjëlli”, ai endet, vëzhgon, mediton, reflekton dhe shkruan poezi…

“Nëse e marrim poezinë si një objekt, atëherë mund të themi se ajo ka lindur si nevojë për t’i shtuar një tingull vokal (fjalë) goditjes së fortë të muzikës së hershme fisnore”, thotë ai në fjalimin që mbajti në Akademinë Suedeze më 12 dhjetor 1975. Poeti sapo kishte marrë çmimin Nobel e, megjithatë, pyet si i çuditur: “A është ende e mundur poezia?”. Me sa duket, për një poet si ai, poezia është një gjendje e pastër metafizike, një krijesë e arsyeshme e një çasti ose e një diçkaje që nuk njeh arsye, por vetëm nuanca pasionesh e mendimesh intelektuale e ekzistenciale, të vulosura nga pesimizmi, nga zbrazëtia…

Vetëm ky libër me 23 poezi do të kishte qenë i mjaftueshëm që Montale të meritonte një vend nderi në aradhën e të ndriçuarve të letërsisë botërore. Poezia është lutja e një poeti. Poezia e vërtetë është “një pikturë, pronari i së cilës është i panjohur”, siç pat thënë kur mori çmimin Nobel. Shumë gjunjëzohen para një poezie të tillë, që s’i përket kujt, veç lartësive dhe, ne, jemi ndër të shumtët.”

Filed Under: LETERSI

DRITA QË ECËN MBI PLAGËT E KOHËS…

February 19, 2026 by s p

Nga Dr. Sarë Gjergji

Hyrje metodologjike – Ky lexim mbështetet në teorinë postmoderne të fragmentit, të traumës kulturore dhe të kujtesës kolektive, duke e vendosur vëllimin “Dritë që ecën zbathur” të Visar Zhitit në dialog me kritiken perëndimore mbi post-totalitarizmin, intertekstualitetin dhe etikën e dëshmisë. Analiza synon të tregojë se poezia e Zhitit nuk operon thjesht si rrëfim autobiografik, por si arkiv estetik i dhunës historike, i migrimit dhe i shpresës së brishtë.

Përvoja e burgjeve politike gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe tranzicioni postsocialist përbëjnë substratin historik të kësaj poetike; në këtë vëllim, megjithatë, trauma artikulohet në një horizont transnacional — nga Tirana në Romë e Chicago — duke e zhvendosur subjektin nga dëshmitar lokal në figurë tejevropiane të kujtesës.

I. Poetika e fragmentit, kujtesa traumatike 

dhe subjekti postmodern

Vëllimi “Dritë që ecën zbathur” i Visar Zhitit shfaqet si një tekst i ndërgjegjshëm për fragmentimin e botës bashkëkohore dhe për pamundësinë e një rrëfimi totalizues — një tipar themelor i estetikës postmoderne perëndimore siç e formulon Jean-François Lyotard. Poezitë ndërtohen mbi ndërprerje diskursive, mbi kalime të menjëhershme nga intimiteti familjar në katastrofën historike, nga mitologjia biblike në kronikën politike, duke krijuar një strukturë të hapur, policentrike, që refuzon unitetin narrativ klasik.

Në poezinë hapëse “Poezi të lirisë, të vdekjes dhe të dashurisë” (f. 7) subjekti poetik artikulon identitetin e tij si produkt i shkrimit dhe i mungesës:

“vdisja shpesh, kur nuk shkruaja,

por as nuk jetoja dot”

Krijimi poetik shfaqet këtu si teknologji ekzistence: poezia nuk përfaqëson jetën, por e prodhon atë. Në këtë kuptim, Zhiti afrohet me konceptin derridian të trace (gjurmë), sipas të cilit subjekti formohet përmes mungesave dhe zhvendosjeve gjuhësore. “Vdekja” dhe “jeta” nuk janë kategori ontologjike stabile, por efekte të shkrimit.

Topografia e vëllimit — Chicago, Roselle, Romë, Tiranë — krijon një subjekt migrues, tipik për poetikën post-totalitare të Evropës Lindore. Ky subjekt nuk ka një qendër identitare fikse; ai ekziston në një hapësirë arkivore ku kujtesa personale përzihet me historinë kolektive.

Kjo strategji arrin kulmin në poemën “Eshtra të shokëve të burgut” (f. 40–41), ku subjekti zhvendoset nga dëshmitar në arkeolog të traumës:

“bie më gjunjë mbi grumbullin e eshtrave. Ju jeni aty?

Vetëm kaq?” (f. 41)

Në vend të rrëfimit linear, Zhiti përdor përsëritje obsesive, pyetje të ndërprera, enumeracione trupash dhe sendesh — një teknikë që përputhet me përkufizimin që Cathy Caruth i jep traumës si përvojë që i shpëton integrimit. Poezia nuk shëron traumën; ajo e mban të hapur si plagë etike.

Në këtë kontekst, fragmentariteti formal i poezive nuk është thjesht strategji stilistike, por një mënyrë epistemologjike për të menduar historinë: bota nuk mund të rrëfehet më në mënyrë lineare sepse vetë përvoja historike është e thyer. Zhiti i shmanget narrativës së qetësuar retrospektive; ai ndërton një diskurs poetik që operon me ndërprerje, kthime obsesive dhe pamundësi për përmbyllje semantike. Kjo e afron veprën me atë që Andreas Huyssen e quan “culture of memory” në modernitetin e vonë, ku kujtesa nuk është restaurim harmonik i së kaluarës, por fushë konflikti interpretativ.

Subjekti poetik, në këtë optikë, nuk është dëshmitar sovran i traumës, por bartës i saj i fragmentuar: një figurë që flet nga brenda rrënojave diskursive të historisë. Prania e vazhdueshme e toponimeve ndërkombëtare dhe e kalimeve gjeografike krijon një kronotop postmodern të zhvendosur, ku identiteti nuk është më territorial, por arkivor — i ndërtuar mbi depozitime kujtese, imazhe të shpërndara dhe trauma të transportueshme.

II. Intertekstualiteti biblik, historia dhe dekonstruksioni i shenjtores

Një bosht tjetër themelor i vëllimit është ndërthurja e diskursit biblik me historinë politike dhe aktualitetin global. Zhiti nuk e përdor tekstin e shenjtë si autoritet transcendental, por si arkiv kulturor të hapur, të nënshtruar procesit të ri-semantizimit historik dhe poetik — në përputhje me konceptin e intertekstualitetit të Julia Kristevës.

Cikli “Nga Bibla e ullinjve të vendit tim” (f. 30–33) ndërton një narrativë të krijimit që përmbys Zanafillën biblike klasike:

“Natën e pestë

ullinjtë u bënë poetë të rinj

dhe mërmërisnin poezi të blerta” (f. 32)

Figura e ullirit shndërrohet në arkiv kolektiv të dhunës dhe shpresës, duke krijuar atë që Paul Ricoeur e përkufizon si “kujtesë narrative”.

Dekonstruksioni i figurës së shenjtë arrin kulm në poemën “Elegjia ime për ikjen e Nënë Terezës” (f. 45–49), ku ikona kombëtare dhe universale zhvishet nga monumentaliteti:

“Kam thënë, plagët janë atdheu i Nënë Terezës.” (f. 48)

Këtu shenjtorja nuk është më objekt kulti statik, por figurë e traumatizuar që endet nëpër qytete të shkatërruara. Ky operacion poetik është thellësisht postmodern në sensin e dekonstruksionit të “narrativave të mëdha” morale: Zhiti nuk e rrëzon figurën e shenjtë, por e zhvendos nga transcendenca drejt historisë së plagosur.

Rishkrimi i diskursit biblik në këtë vëllim nuk ka funksion apologjetik, por hermeneutik: tekstet e shenjta aktivizohen si forma kulturore që kalojnë përmes historisë dhe traumës politike. Në këtë mënyrë, Zhiti ndërton atë që Northrop Frye e ka përkufizuar si “Bible as Great Code” të kulturës perëndimore, por tashmë të ekspozuar ndaj shpërbërjes historike dhe riinterpretimit postsekular.

Figura e shenjtores, veçanërisht në rastin e Nënë Terezës, shndërrohet në nyje ku kryqëzohen etika globale, kujtesa kombëtare dhe zhgënjimi modern. 

Zhiti nuk rrëfen një shenjtëri triumfuese, por një shenjtëri të lënduar, që endet nëpër hapësira të braktisjes urbane dhe politike. Kjo përputhet me atë që Gianni Vattimo e ka quajtur “pensiero debole”.

III. Erosi, teksti dhe metapoetika e trupit

Një dimension tjetër qendror i vëllimit është erotika e shkrimit dhe shndërrimi i aktit poetik në kontakt trupor. 

Poezia “Jam libër në prehrin tënd” (f. 20–21) formulon qartë këtë estetikë metatekstuale:

“Jam libër në prehrin tënd…

Fletët bëhen duar”

Teksti shndërrohet në trup dhe trupi në tekst — një figurë që lidhet drejtpërdrejt me refleksionet e Roland Barthes, ku leximi konceptohet si përvojë erotike dhe destabilizuese e subjektit.

Erotika në Zhitin nuk është thjesht sensuale, por ontologjike: ajo shërben si kundër-diskurs ndaj politikës së zhdukjes, ndaj arkivave të eshtrave dhe epitafeve. Përballë varreve masive, dashuria krijon mikro-hapësira të jetës, duke funksionuar si formë rezistence etike.

Në këtë prizëm, poezia e Zhitit mund të lexohet edhe në dritën e teorisë së trupit të Julia Kristevës, ku kufijtë mes trupit dhe gjuhës shpërbëhen dhe rindërtohen vazhdimisht. Trupi erotik në Zhitin është gjithnjë i rrezikuar nga vdekja, por pikërisht kjo e bën atë qendër të afirmimit ekzistencial.

Erotika e shkrimit në këtë vëllim nuk është escapiste (arratisëse nga realiteti historik), por funksionon si zonë etike kundërshtimi ndaj shfarosjes historike. Trupi që dashuron është i njëjti trup që kërcënohet nga arkivat e dhunës; për këtë arsye, sensualiteti merr dimension politik në kuptimin postmodern të rezistencës mikrologjike – jo përmes ideologjisë, por përmes mbijetesës intime.

Në këtë prizëm, metapoetika e trupit në Zhitin lidhet edhe me reflektimet e Maurice Merleau-Ponty mbi trupin si medium i përvojës dhe i kuptimit, edhe pse Zhiti e vendos këtë trup brenda një hapësire historike të shkatërruar, jo në një botë perceptive neutrale. Trupi është njëkohësisht tekst dhe relike, libër dhe plagë, hapësirë leximi dhe dëshmi mortore.

Përfundim

“Dritë që ecën zbathur” është një nga librat më kompleksë të poezisë shqipe bashkëkohore, sepse e përball lexuesin me një subjekt të shpërbërë, me histori të përgjakshme dhe me një transcendencë të pasigurt. 

Zhiti ndërton një poetikë të kujtesës post-totalitare, në të cilën trauma, dashuria dhe intertekstualiteti biblik bashkëjetojnë në tension të vazhdueshëm.

Në perspektivën e kritikës postmoderne perëndimore, ky vëllim mund të lexohet si një arkiv poetik i fragmentuar që refuzon narrativën e madhe të shpëtimit, por nuk heq dorë nga një etikë e brishtë shprese. “Drita” e titullit nuk është metafizikë triumfaliste: ajo ecën “zbathur”, e pambrojtur, nëpër histori — dhe pikërisht kjo e bën atë figurë qendrore të poetikës së Zhitit në këtë vepër.

Në këtë mënyrë, vëllimi i Zhitit pozicionohet brenda traditës së poezisë evropiane post-diktatoriale dhe memoriale, duke dialoguar me format bashkëkohore të shkrimit të traumës dhe të ekzilit. “Dritë që ecën zbathur” nuk propo”zon një teleologji shpëtimi, por një estetikë të përballjes: një poezi që nuk synon të mbyllë plagët e historisë, por t’i mbajë të dukshme si kushte të etikës dhe të përgjegjësisë ndaj tjetrit.

(Shkruar në nderim të “Dita e Lirisë” që shteti i Illinois-it në SHBA e shpalli zyrtarisht vitin e kaluar 28 Janarin, dita kur u lirua nga burgu poeti Visar Zhiti.)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT