• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI

July 25, 2026 by s p

Rahim OMBASHI/

Visar Zhiti ka dalë me kohë një kokë më lart nga më të lexuarit e letërsisë bashkëkohore shqipe. Krijimtaria e tij spikat për një ndjeshmëri të pazakontë, sepse ai ishte për shkrimtari të lirë dhe që ofron lexues të çliruar nga shablonet dhe trysnia. E kishte ndjerë, dhe pastaj zbuluar, se letërsia, siç thotë Orhan Pamuk, është vepra më e çmuar që njerëzimi i ka dhënë vetes për të kuptuar vetveten. Vërtet që ajo konsumohet “gratia sui”, por realizon njëheresh funksione të rëndësishme në jetën vetjake dhe atë shoqërore.

Floririn e dallon argjendari, thuhet në Korçë, prandaj nuk është çudi që çmimin e parë si krijues “Leopardi d’oro”, Milano, 1991, poeti Zhiti e merr në Itali, fill pas rënies së komunizmit, ndërkohë që priste me padurim të dilte botimi i tij i parë në atdhe “Kujtesa e ajrit”, poezi, Tiranë, 1993. Do të pasohej nga përmbledhjet “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, poezi, Tiranë, 1994; “Mbjellja e vetëtimave”, poezi, Shkup, 1994; “Dyert e gjalla”, poezi, Tiranë, 1995; “Kohë e vrarë në sy”, poezi, Prishtinë, 1996; “Si shkohet në Kosovë”, poezi, Tiranë, 1999.

Vargjet e Visar Zhitit ecnin me elegancë në udhën e poezisë sonë të lashtë klasike “Veshun me diell, mbathun me hanë” duke i shpërfaqur lexuesit, dëgjuesit, përkthyesit apo studiuesit shpirtin e vet të lirë. Ishin befasim ngazëllues në motmotet e mugëta të fillimtranzicionit fill pas ndërprerjeve të gjata të komunikimit kulturor midis Lindjes, e cila rrekej t’u ikte ideologjive fillkuqe, dhe Perëndimit, që mbetej i gatshëm ta riniste atë. Ndodhte kësisoj, siç sugjeron dijetari i Qarkut të Parisit Tzvetan Todorov: “…, poezia nuk varet as nga të dëgjuarit, as nga të parët, por kërkon gjithsesi mobilizimin e shpirtit: bukuria e poezisë mbështetet në kuptimin e saj dhe nuk mund të ndahet nga e vërteta e saj.” (“Letërsia në rrezik”, Prishtinë 2007: 44).

Atbotë ra në sy që shqipja totalitare kishte prekur pak apo aspak stilin funksional artistik të letërsisë së dënuar, tipar i spikatur i tërë veprës artistike të Visar Zhitit. Letërsia e nyjëton gjuhën si trashëgimi kolektive, duke shkuar ku i do qejfi. Gjuha është pasuri e atyre që e flasin, duke mos pranuar varësi nga politika apo akademia. Totalitarizmi u rrek të na bënte të thoshim shoqja, shoku, shoq në vend të zysh, zonjushe, zonja, zoti, zotni, zotrote; kërkesë në vend të ankesë; proletar në vend të harbut; kuvend në vend të parlament; fjalë që dolën nga ligjërimi publik duke e varfëruar atë. Aksioni politik gjuhësor filloi duke mpakur spektrin kuptimor të fjalëve besë, besimtar, hoxhë, at, dom, adhurim, liri, borgjez, oxhak, pionier, sojnik/e, harbutëri, fatos, hallall duke vijuar me drunjtëzimin e emrave prejfoljorë në togfjalësha të tipit folje + kundrinë dhënia e tokave, tejkalimi i normave, revolucionarizimi i jetës. Tri sfera themelore të lëvrimit të këtij ligjërimi, ligjërimi juridik, ligjërimi fetar dhe reklama ranë në kllapi.

Mpakja e asortimentit në ekonominë e mbyllur shkoi paralelisht me pakësimin e fjalëve hiponime.

Edhe te ligjërimi publik fonetika, semantika, sintaksa janë në themel të gjuhës, kurse leksiku nuk është veçse veshja materiale. Për fat, standardi i ri gjuhësor u përvetësua nga një pjesë e vogël e popullsisë, ajo e pushtetarëve, ndërsa publiku zgjodhi të mbetej i veçuar duke ‘u mbathun’ me heshtje. Newspeak-u oruellian (shqipja totalitare), nuk pëlqeu të futej te joycamp-et (universitetet), ku ‘studionin e shkruanin’ letërsinë e dënuar qëndrestarë politikë, nga të gjitha krahinat e vendit dhe jo vetëm.

Letërsi e dënuar u botua edhe në diasporë nga të syrgjynosur, por për këtë uniken e Shqipërinë politike, te “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar – Avitje për të kaluar murin”, Tiranë, 2010: 8, pohohet:

“Unë kam botuar dhe kam rrëfyer shumëçka nga kjo aventurë infernale, e tmerrshme, kur dënoheshin libra, autorë dhe lexues. Ishte e pabesueshme, ndoshta nga ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme shqipe, nga ajo e përvuajtura, e ndershmja, që do të merrte një rëndësi të posaçme, të pabesueshme, të domosdoshme dhe të vyer.”

Te botimi anastatik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, poezi, Tiranë, 2021, krijimi “Varrimi” mbyll kapakun e arkëmortit ideologjik me vargun: Vazhdimisht dheu ynë po hynte në burg, duke faktuar se Visar Zhiti e pasuroi tematikën e ngurtë, që mbrohej me fanatizëm nga censorët e redaksive, me temën ekzistenciale: “Ringjallja” (“Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, 2021) Shumë vdekje paskemi brenda jetës, // Me të fundit të paktën të bëj ç’të dua. // Varrin lëvizës prej xhipsi të degës // Shporre, o Zot, të mos më presë mua. “Diçka për pavdekësinë” (“Dritë që ecën zbathur”, 2025) Për të mos folur më për Judën, // them se kafshët dhe tiranët // besojnë fort në pavdekësinë e tyre. // Le që kafshët s’e dinë që ekziston vdekja, // Tiranët dinë se vdekjet // janë gjithmonë të të tjerëve. // Unë e qortoj vdekjen dhe e mirëpres…

Më 1998 Visari ishte familisht në Firence te shtëpia e Mario Luzit të shquar. Vizita u bë shkak që Senatori i Përjetshëm të shkruante poezinë “Ogur” (1997). Miku me fat guxoi ta pyeste tetëdhjetëvjeçarin e emëruar për çmimin “Nobel” në letërsi.

VISAR ZHITI: – Ju besoni në Zot? Po vdekja duhet ta trembë njeriun? Vërtet ç’është vdekja?

MARIO LUZI: – Vdekja ka fillesa të njëjta me jetën, dhe kjo është e shenjtë. (246)

Për veprën poetike, albanologu Robert Elsie bën vlerësimin duke gjetur në të tiparin human, i cili ishte antonim i frymës së urrejtjes, që përshkonte letërsinë moralizuese botuar në Shqipëri fill pas Luftës II Botërore: “Kjo kronikë tmerresh të kohës është pa kurrfarë fryme ligësie e urrejtje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar – thirrjen e palëkundur për hakmarrje. Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyrojnë më mirë historinë e kombit të tij.”

Poeti Mario Luzi zbulon dritën brenda tyre: “Liria mban vargjet e Visar Zhitit, edhe kur janë të pushtuara nga argumente të zymta…”

Një tjetër krijues vëren që poeti ynë përmes vargut ka krijuar një ‘altro ego’ për të mos u harruar përfundimisht duke u kthyer teevona në asgjë: “Poet dhe gladiator. Poet dhe muzikant. Poet dhe Kalorës i Varrit të Shenjtë. Poet dhe artist. Poet dhe ushtar. Poet dhe punëtor hekurudhe. Poet dhe fallxhor. Poet dhe mjek. Poet dhe emigrant. Poet dhe engjëll. Për të shmangur dorëzimin në një dëshpërim të pashpresë, Visari shpik pamje dhe role të ndryshme ditë pas dite, sepse në fund ai dëshiron të mbetet vetëm një poet.” (Sebastiano Grasso, President i PEN Klubit italian).

Mbi të gjitha, vepra artistike e Zhitit është humane, ajo nuk përçan, por ndikon te ndjeshmëria e të gjithëve pa dallim. Leximi i saj të kujton çfarë janë njerëzit të aftë të bëjnë dhe pse ky art i tillë sikur bëhet edhe nga ne dhe për ne. Deri në shkurt të vitit 1979, Visar Zhiti i ishte paraqitur lexuesit vetëm me ndonjë vjershë botuar në të përditshmet e kohës, gjersa në numrin II të revistës mujore “Nëntori” mundi të botojë një cikël poetik; ndërkohë priste me ankth përgjigjen për një përmbledhje poetike të dërguar në të vetmen shtëpi botuese shtetërore të ‘kohës së britmës’, si e këtilloi më pas një libër të vetin.

Viti akademik 2002-2003 më gjeti student (i vonuar) pasuniversitar pranë universitetit “Aldo Moro” në Bari, Itali. Komunikimi me kolegët të jepte mundësinë për të kuptuar se gjer ku kishte shkuar njohja e letërsisë shqipe në atdheun e Dantes, ndërkohë që Visar Zhiti do t’i ofrohej lexuesit italian me vëllimet: “Croce di carne”, Napoli, 1997; “Dalla parte dei vinti”, poezi, Romë, 1998; “La vita”, poezi, Milano, 1998. Që komunikimi kulturor të bëhej i plotë, shërbestari i së vërtetës i dhuroi publikut shqiptar përmbledhjen “Fati i ditës” (italisht: Sia del destino) të poetit të madh italian Mario Luzi, e cila u botua në Tiranë në vitin 1998, të përzgjedhur dhe shqipëruar nga ai vetë. Libri u redaktua nga Eugenio Scalambrino. Përveç parathënies shkruar me mirënjohje nga shqipëruesi, vepra përmban edhe një faksimile të një letre personale që poeti Mario Luzi i kishte dërguar mikut të vet shqiptar.

Më herët Zhiti ishte vlerësuar me çmimet: “Leopardi d’oro”, Milano, 1991; “Raçonta il tuo Dio”, Milano, 1992; “Gaetano Salveti”, Romë, 1997; “Ada Negri”, Lodi Vechio, 1998; “Premio alla carriera”, Romë, 2000, ndërkohë që një vit më parë ishte nderuar me Premio Internazionale per la poezia: “La cultura del mare”, San Felice Circeo. Po i paraqitte lexuesit në gjuhën e vet atë veten tjetër të zbuluar qysh herët, atë si tjetër njeri (alter ego) te vetja, i bindur për vlerat universale të letërsisë. Asisoj ishte i lirë, kalonte lehtësisht telat me gjemba të kufirit shtetëror si dhe ato të burgjeve, duke kapërcyer provincën plot autencitet. Zhiti ashtu i ndezur për liri shkruan i bindur se do të lexohet nga të nëpërkëmburit, si ai vetë, pa dyshuar se një ditë do të bëhej i të gjithëve. “Shokët dhe miqësia ishin e vetmja pasuri imja.”, rrëfehet te “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, që ia kushton të atit. Ndodh me të siç thotë proverbi: “Signori si nasce, non si diventa.”, që i perifrazuar duke zëvendësuar fjalën zotëria me poeti mund të thuhet: “Poeti lind, nuk bëhet.”

Mjedisi i kultururar dhe miqësor i Barit, më grishte për të falënderuar filozofin Umberto Eko, asokohe profesor visitor global, për vlerësimin antologjik që kishte dhënë për shkrimtarin tonë të madh. Ndoshta si specialist i komunikimit, kritik kulture dhe komentator politik e shoqëror, është joshur të mësojë më shumë të vërteta të detajuara për fqinjin lindor të vetëngujuar gjysmë shekulli? Apo i shtyrë prej idesë estetike dhënë nga Georg Vilhelm Fridrih Hegel: “Arti si çast i shpirtit absolut”.

Me eufemizmin prekës “megjithëse titullohet si një lutje për liri” U. Eko ftoi botën pa ndjeshmëri humane t’i çelte portën temës së munguar “megjithatë, duket pothuajse e detyruar t’i kushtojë më shumë se një libër kësaj teme, e cila, në një botë më pak budallaqe, duhet të jetë e jashtëzakonshme – por nuk është”.

Gjendjen e ndërsjellë të tërheqjes së burgut me letërsinë ngjizur qysh në lashtësi, ai e fillon me Zenonin e Elias “i cili burgoset dhe torturohet nga tirani dhe, duke bërë sikur pëshpërit emrat e bashkëpunëtorëve të tij, ia kafshon veshin”. E vijon me Sokratin, që pas burgut përballet me vdekjen, duke përfunduar me Silvio Pellicon dhe Antonio Gramshin. Nga të mbijetuarit e ferrit aktual veçon shkrimtarin tonë, që i rri aq mirë për shtat fraza e famshme latine “Thyhem, nuk përkulem” (Frangor, non flector), sepse e ktheu burgosjen në një “mjet transporti epifanik”, siç thotë Josif Brodski:

“Shihni historinë e Visar Zhitit në këtë vëllim: e tëra çfarë duhej të bënte ishte të shkruante poezi të konsideruara “të trishtueshme dhe hermetike” nga redaktorët e një shtëpie botuese, dhe për këtë arsye armiqësore ndaj regjimit. Pastaj çështja i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, dhe Zhiti me të drejtë fitoi dhjetë vjet burg. Kjo sepse poezia i frikëson regjimet autoritare dhe diktatoriale edhe kur flet vetëm, si në rastin e Zhitit, për trëndafila.”

Edhe Ekoja e kishte jetuar kohën e fashizmit në vendin e vet, prandaj rreshtohet me të persekutuarit: “Sa shumë qefine, të dizajnuara për ne që nga djepi, letërsia shqyen dhe hedh në fytyrën e shëmtuar të Molokëve që do të na varrosnin të gjallë…”

U riktheva vitin e ardhshëm akademik në kërthizën e Rilindjes Evropiane, përsëri për studime të thelluara në letërsi dhe mbi semiotikën e tekstit, kësaj here në Universitetin e Bolonjës, ku më priti dhe mbështeti plot respekt profesore Daniela Delcorno Branca. Nuk të hiqet nga kujtesa imazhi i adresës “Via Zamboni, 32”, që nis fill pas Kullës Garisenda të anuar frikshëm (Torre Garisenda), të cilën e përmend Dantja te “Komedia Hyjnore” dhe numri i ndërtesës së restauruar të Fakultetit parak.

Në vitin 2001 Maria Pio Pozato, asokohe titullare e lëndës “Semiotika e tekstit” në Universitetin e Bolonjës, kishte botuar librin “SEMIOTICA DEL TESTO. Metodi, autori, esempi”; një tekst universitar i përdorur gjerësisht që detajon metodat e analizës tekstuale, i cili u përkthye me të njëjtin titull, katër vjet më vonë, nga Dhurata Shehri. Ndihej te teksti pesha dhe kontributi bazik i semiotikanit Eko.

Në këto mjedise ishe me fat ta dëgjoje profesorin shtatëdhjetë e ca vjeçar duke kumtuar e dialoguar mbi semiotikën e tekstit. Kisha mundur të gjeja edhe dy botimet e tij në shqip: “Struktura e papranishme”, Pejë, 1996 dhe “Gjashtë udhëtime në pyjet narrative”, Tetovë, 2000. Kisha lexuar e rilexuar romanin “Emri i trëndafilit”.

Atë mesditë fatlume ai ishte veshur me një këmishë blu, me kravatë të kuqe, me syze me xhama të mëdhenj rrumbullakë nën ballin e hapur, që kufizohej me flokë gështenjë. Mjekra e thinjur i shkonte me tonin e paqtë, timbrin e ëmbël dhe të butë italian, edhe kur ligjëronte në anglisht. Kisha para njeriun global që fitoi vlerësimin e botës akademike, me jo më pak se 40 “Honoris Causa” marrë nga universitete, përfshirë Universitetin Brown, të Sorbonnës, atë të Moskës dhe të Jeruzalemit.

E falënderova me zemër. I emocionuar synova të sqaroj se pas fenomenit letrar Visar Zhiti qëndronte djepi kulturor që nuk iu përkul kohës historike, ku spikat i ati, edhe ai shkrimtar i burgosur, përfshi bashkëvuajtësit dhe klerikët katolikë, të dënuar me heshtim, shumë syresh kishin kryer universitetet më në zë të Italisë apo Evropës.

Filed Under: LETERSI

Rrëfimi i Christopher Nolan për Odiseun…

July 23, 2026 by s p

Agim Baçi/

Një fytyrë!…- Kështu nis rrëfimi i Christopher Nolan për Odiseun- një nga figurat e letërsisë së përbotshme që vijon të jetë pjesë e metaforës së jetës sonë, e gjuhës, e shpjegimit të asaj që mbetet sa Luftë aq edhe Dashuri. Por, në Luftë jemi të humbur, edhe nëse jemi fitimtarë. Ndërsa në rikthim, -ama në rikthim drejt asaj që ja kemi premtuar zemrës,- mund të mposhtim çdo sfidë… nëse dikush na pret dhe i beson zemrës aq sa ti.

Dhe Nolan rindërton një fytyrë. Një fytyë si Odiseu i Homerit që i duhen dy dekada për të rifituar atë që la pas në kohë, por jo jashtë kohës së zemrës së tij- Penelopës. Një fytyrë që e di se rruga e rikthimit nis nga reflektimi. Dhe reflektimi është më së pari ndaj thyerjeve të Ligjit të së Shenjtës, asaj që në çdo sofër, prezantohet si “Ligji Zeusit”. Ndaj, në nisjen për në luftë, figura që e udhëheq është Agamemnoni, një portret më së shumti i lënë pas një veshje që i ngjan më shumë Batmanit të filmave të sotëm, një figurë që gjithsesi shpjegon fuqinë e padiskutueshme, e pakundërshtueshme. Dhe Odiseu e shpjegon këtë fuqi të pakundërshtueshme teksa refuzon propozimin e Penelopës për t’u arratisur bashkë me të dhe të birin, pasi ja njeh zemërimin Agamemnonit që mund të bjerë mbi Itakë.

Nolan ka gërshetuar rikthimin e Odiseut dhe pritjen e Penelopës si dy rrugë që mund t’i gjejë veç fuqia drejt tjetrit. Të dy duhet të zbulojnë se kush janë, pasi nuk mund të ketë asnjë rikthim pa një rinjohje të vetes. E nëse Odiseu pyet Kalipsonë se cili është ai, sa vite ka i humbur në “rrjetën e saj”, Penelopa ka përpara mëtuesve një ndarje si gjysëm rrjetë, që më së shumti duket si një ndarje mes pritjes dhe realitetit që ka para syve e që i kërkon mbijetesën.

Debatet në film janë thuajse kohë e tashme, por është magjia e realizimit të Nolan që e lidh subjektin e reflektimit dhe rikthimit të Odiseut me të përhershmen, me magjiken. Ndalesat në kala të mëdha, figurat mitike në rrugëtimin e Odiseut, prania e Athinasë në çdo moment që i duhet të besojë më shumë, janë lidhja që Njeriu zbulon me të përhershmen kur kërkon të ketë “Fytyrën e tij”.

Madhështia e ngjarjeve të mëdha shkon paralel me atë betejën e gjërave të brendshme, që nuk i sheh askush, por që janë “madhështoret e njerëzores”. E nëse në luftë ai i ka të gjithë shokët me vete, në rikthim, në reflektim, ai ka veç vetveten dhe besimin. Dhe në rikthim, Odiseu përballet me dyshimin e bashkudhëtarëve të tij, me tundimin ndaj së bukurës dhe seksuales, me të ndaluarën që duhet t’i qëndrojë larg, me zemërimin nga thyerja e Ligjit të së Shenjtës. Por reflektimi i brendshëm, pendimi për thyerjen e “Ligjit të Zeusit”, që solli aq shumë jetë të humbura e dhimbje, si dhe zemra që ja mban fort dashurinë, e bëjnë atë udhëtarin që arrin te ajo që e ka mbajtur gjallë, që e ka mbajtur të fortë.

Nolan ka zgjedhur të sjellë përballë Odiseut nga bota e Hadit edhe Agamemnonin, që në të gjallë ishte aq autoritar sa as nuk fliste por vetëm jepte urdhëra më praninë e tij, ndërkohë që nga bota e të vdekurve vjen me një zë ku shpreh keqardhjen e njerëzores për atë që kish rrokur në kthimin e tij, ku fitoja me Trojën nuk i mjaftoi të fitojë atë që kish lënë. Dhe e këshillon vetë Odiseun që të mos e mbështesë rikthimin e tij te lavdia e tij, por te modestia, “të hyjë nga dera e pasme dhe pa zhurmë”.

Asnjë nuk lind lypës- përsërit Odiseu në rikthimin e tij. Eshtë pikërisht fuqia për të rimarrë fytyrën. Dhe në këtë rrugë, ne zgjedhim. Dhe ai zgjodhi, por i ndihmuar njëkohësisht nga ajo që kish zgjedhur ta priste.
Një Fytyrë! Një Histori për t’u rrëfyer!- Nolan gjen një histori madhështore, me vende madhështore, për një rrugëtim të fortë të reflektimit ndaj të Shenjtës dhe Dashurisë!
Një film që i ka të gjitha arsyet për ta parë!

Filed Under: LETERSI

SHTRESAT SEMANTIKE TË POEZISË SË ASDRENIT “KOSOVËS”

July 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Poezinë “Kosovës” shkrimtari postrilindas Aleksandër Stavre Drenova (1872–1947) e shkroi në një nga periudhat më të trazuara të historisë shqiptare, kur çështja e Kosovës ishte rikthyer në qendër të mendimit kombëtar. Asdreni, poet i Rilindjes së vonë dhe i periudhës së Pavarësisë, e krijoi këtë poezi në frymën e idealit të bashkimit kombëtar, duke e parë Kosovën si zemrën historike të qëndresës shqiptare dhe si simbol të lirisë së munguar. E botuar në vëllimin Psallme murgu (Bukuresht, 1930), ajo zë vend ndër krijimet më përfaqësuese të poezisë së tij atdhetare. Në të ndërthuren kujtesa historike, ideali romantik i çlirimit dhe besimi se ringritja e kombit shqiptar nuk mund të përfytyrohej pa lirinë e Kosovës. Përmes një gjuhe të pasur poetike dhe një leksiku të zgjedhur me kujdes, Asdreni e shndërroi Kosovën nga një hapësirë gjeografike në figurën qendrore të vetëdijes kombëtare shqiptare.

Në poezinë Kosovës, Asdreni nuk e ndërton figurën e Kosovës duke rrëfyer ngjarje historike, por duke ndërtuar një botë fjalësh që mbajnë mbi vete gjithë ngarkesën emocionale dhe ideore të vargut. Çdo njësi leksikore është zgjedhur për të zgjuar një përfytyrim të caktuar dhe lidhet me një fushë të veçantë kuptimore: bukurinë, trimërinë, robërinë ose shpresën. Këto nuk qëndrojnë të ndara nga njëra-tjetra; përkundrazi, ato ushqejnë njëra-tjetrën. Bukuria lind dashurinë për vendin; dashuria kërkon mbrojtje; robëria e bën të domosdoshme qëndresën; ndërsa qëndresa ushqen shpresën për liri. Pikërisht në këtë ndërthurje ndërtohet poetika e poezisë. Leksiku nuk shërben vetëm për të emërtuar botën, por bëhet vetë mënyra se si poeti e sheh, e ndien dhe e ndërton figurën e Kosovës.

Shtresa e parë e kësaj poetike është leksiku i bukurisë. Në të hyjnë fjalë dhe togfjalësha që e paraqesin Kosovën si vend të hijeshisë natyrore dhe të madhështisë shpirtërore: vend i famshëm («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); lule e bukur («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); bjeshkat dhe vjollcat («Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke»); vashë, virgjën dhe nuse («Si vashë e virgjen: nuse sikur je»); malet me borë dhe kunora («Dhe malet me bor / Mi krye i ke kunor!»); atdhe i lavduem dhe mbretnesha e Rumelis («Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis / Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!»); lule e rrallë («Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë»); zonjë («Difto-u e zonja; koha sot e don»); qielli dhe dielli («Kosovës emnin me ja ngref te qilli / Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli»); lumni («Me rrnue një Shqypni / Si zonjë në lumni.»).

Ky është një leksik i dritës, i pastërtisë dhe i madhështisë. Asdreni nuk e sheh Kosovën si një hapësirë të zakonshme gjeografike; ai e sheh si një qenie të gjallë, që herë bëhet lule, herë vashë, herë nuse, herë mbretëreshë. Edhe natyra merr pjesë në këtë personifikim. Bjeshkët, vjollcat, malet me borë dhe kunora nuk përshkruajnë vetëm peizazhin, por e stolisin Kosovën me shenjat e bukurisë dhe të dinjitetit. Në fund të kësaj ngjitjeje poetike, emri i saj ngrihet «te qilli» dhe ndriçohet nga «dilli», duke e shndërruar bukurinë e Kosovës në një vlerë që i përket jo vetëm tokës shqiptare, por edhe kujtesës së përhershme kombëtare.

Shtresa e dytë e kësaj poetike ndërtohet mbi leksikun e trimërisë dhe të qëndresës. Kjo nuk është një trimëri e rastit dhe as heroizëm individual; ajo shfaqet si virtyt i një populli të tërë dhe ndërtohet përmes një sistemi të pasur fjalësh që krijojnë idealin heroik të Kosovës. Në këtë fushë leksikore hyjnë: trimni («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); burrni, atdhe i lavduem dhe mbretnesha e Rumelis («Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis / Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!»); mbaje kryet nalt, difto-u e zonja, çohesh përseri dhe luftë t’mbarë për liri («Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon / Difto-u e zonja; koha sot e don / Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!»); burra, selvija, sakola mali, luaj, dragoj dhe forcë («Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, / Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë / Si luaj e si dragoj plot forcë që janë»); gjak dhe atdhe («Që e derdhin gjakun prrue / Atdheun për m’e shpëtue!»); bij, drojë dhe frikë («Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë / As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë»); rrebtsi, breshni dhe duhi («Anmikut kur i sulen me rrebtsi / Si breshni mi te hidhen me duhi»); gra, vasha, zana sy-mëdha dhe trimnesha («Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha / Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba»); armët, lufta, me gas, me mund dhe me dekun tuj luftue («Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue / Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!»); hutë dhe shpatë («Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë»); nder («Si ç’trimit mirë i prek / Me nder n’luftë me dek!»).

Që në vargjet e para, Asdreni e lidh fatin e Kosovës me trimninë dhe burrninë, duke e paraqitur vendin si djep të njerëzve që nuk jetojnë për lavdi personale, por për nderin e atdheut. Më tej ai e ngre figurën e luftëtarit në një shkallë pothuajse legjendare: «Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, / Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë / Si luaj e si dragoj plot forcë që janë.» Krahasimi me selvinë shpreh shtatlartësinë dhe qëndrueshmërinë; sakola mali simbolizon vigjilencën dhe lirinë, ndërsa luani e dragoi e vendosin heroin në kufirin ndërmjet historisë dhe mitit. Edhe flijimi merr përmasa të jashtëzakonshme në vargjet «Që e derdhin gjakun prrue / Atdheun për m’e shpëtue!», ku gjaku nuk rrjedh si sakrificë individuale, por si lumë që ushqen lirinë e vendit. Heroizmi plotësohet me qëndrueshmërinë morale: «Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë / As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë». Sulmi i tyre nuk krahasohet me një ushtri të zakonshme, por me forcat e natyrës: «Anmikut kur i sulen me rrebtsi / Si breshni mi te hidhen me duhi.»

Veçanërisht domethënëse është prania e grave në këtë univers heroik. Në vend që t’i vendosë jashtë betejës, poeti i ngre në të njëjtën shkallë me burrat: «Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha / Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba». Ato «rrokin armët në luftë me gas tuj shkue / Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!», duke dëshmuar se trimëria nuk është privilegj i një gjinie, por virtyt i mbarë kombit. Prandaj, në fund të kësaj shtrese poetike, arma, nderi, flijimi dhe liria bashkohen në një ideal të vetëm. Në poezinë e Asdrenit heroizmi nuk mbetet cilësi e individit; ai bëhet vetë identiteti historik dhe moral i Kosovës.

Shtresa e tretë e kësaj poetike ndërtohet mbi leksikun e robërisë, të dhunës dhe të mohimit. Në këtë fushë leksikore përfshihen fjalë e togfjalësha që shënojnë pushtimin, nënshtrimin dhe përpjekjen për ta zhdukur identitetin e Kosovës: trimneshë dhe lule e rrallë («Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë / Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë»); anmiqt e motçëm («Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue»); robnue dhe zjarm («Se mjaft e kanë robnue / Dhe n’ zjarm e kanë prue!»); zgjedhë («A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë»); të huejt dhe ledhe («Që të huejt para syve të t’venë ledhe»); rrëzue, shkel dhe ba gjithë copë («Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel / Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del»); shojnë («Dhe duersh mos të lëshojn’ / Prej faqes s’dheut të t’shojn!»); Serbi e vjetër («Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë»); Maqedhoni («”Maqedhoni” do t’jerë emnin ja lanë!»); komb Shqiptar («Mendojnë pa turp kurrfarë / Se s’ka nji komb Shqiptarë!»); Kosovën e ngratë («Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë»); nanën t’lidhun kamb’ e dur («At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur»); vorrue me dhe e me gur («Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur»); lot, qan dhe ankon («Me lott qi qan e ankon / E asnji nuk i ndihmon!»); fill e vetum dhe gru e ve («Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve / Prej bijet e harrume mi ket dhe!»); turp dhe çnderu («Se ansht turp i math për ju / Të huejt me i u çnderu!»).

Në këtë pjesë të poezisë Asdreni e ndryshon krejt regjistrin e ligjërimit. Fjalët e dritës, të luleve dhe të bjeshkëve ia lënë vendin një gjuhe të rëndë, ku mbizotërojnë robëria, dhuna dhe poshtërimi. Kosova, që në fillim ishte «lule e bukur e Shqipnis» dhe «mbretnesha e Rumelis», tani është vendi që «e kanë robnue» dhe «n’ zjarm e kanë prue». Një nga fjalët më të rënda të kësaj poezie është zgjedha. Në vargun «A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë» ajo nuk shpreh vetëm nënshtrim politik; mbi të rëndon gjithë barra historike e robërisë. Pas saj vijnë foljet rrëzue, shkel dhe ba gjithë copë, të cilat e paraqesin pushtimin si një përpjekje të vetëdijshme për ta shkatërruar vendin dhe dinjitetin e tij. Po aq domethënës është edhe leksiku i mohimit. Emërtimet «Serbi e vjetër» dhe «Maqedhoni» nuk përdoren si përcaktime gjeografike, por si mjete për t’ia mohuar Kosovës emrin dhe përkatësinë e saj shqiptare.

Kjo dhunë merr përmasën e mohimit historik në vargjet «Mendojnë pa turp kurrfarë / Se s’ka nji komb Shqiptarë!», ku fjala turp nuk bie mbi viktimën, por mbi ata që përpiqen të mohojnë qenien e një kombi. Figura më tronditëse mbetet ajo e nënës: «At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur / Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur.» Këtu Kosova nuk është më vetëm një tokë e pushtuar; ajo bëhet nënë e gjallë, e lidhur, e varrosur dhe e braktisur. Vargjet «Me lott qi qan e ankon / E asnji nuk i ndihmon!» dhe «Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve / Prej bijet e harrume mi ket dhe!» e zhvendosin robërinë nga historia në dramën njerëzore. Kështu, leksiku i kësaj shtrese nuk ndërton vetëm tablonë e një pushtimi, por dramën morale të një populli që rrezikon të humbasë tokën, emrin, nënën dhe dinjitetin e vet.

Shtresa e fundit e poezisë ndërtohet mbi leksikun e shpresës, të zgjimit dhe të bashkimit kombëtar. Në këtë regjistër përfshihen: shpresë («Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija»); mbaje kryet nalt («Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon»); difto-u e zonja («Difto-u e zonja; koha sot e don»); çohesh përseri dhe luftë t’mbarë për liri («Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!»); tokën për m’e mprue dhe anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue («Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue / Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue»); Përpara burra («Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë / Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë»); nanën («Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe / Po nanën ju kujtoni qi u ka le»); ora mbrrini dhe dita e bekueme («Sot ora mbrrini, dita e bekueme / Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!»); vent t’lirueme («Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!»); emni në qiell dhe dilli («Kosovës emnin me ja ngref te qilli / Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli»); Shqypni, zonjë dhe lumni («Me rrnue një Shqypni / Si zonjë në lumni»); çoni-u, vllazën, Geg’ e Toskë dhe flamurin («Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini / Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!»); Manastir, Shkup, Shkodër dhe Janinë («Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë / Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë»); një trup («Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë»); nder («Si ç’trimit mirë i prek / Me nder n’luftë me dek!»).

Pas fjalëve të robërisë, poezia ndryshon sërish frymëmarrje. Tani nuk mbizotërojnë më emrat e dhunës, por foljet e zgjimit dhe të veprimit. Gjithçka nis me bindjen se «Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija». Fjala shpresë nuk është një dëshirë e paqartë; ajo është besimi se Kosova mbetet forca mbi të cilën do të ndërtohet e ardhmja e kombit. Për këtë arsye poeti e thërret: «Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon», «Difto-u e zonja» dhe «Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!». Në këto vargje nuk ka vend për dorëzim; çdo folje kërkon lëvizje, ngritje dhe veprim. Edhe thirrja «Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë / Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë» nuk synon lavdinë e luftës, por rikthimin e dinjitetit të humbur. Më tej, poeti e shtrin këtë shpresë mbi gjithë kombin shqiptar: «Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe / Po nanën ju kujtoni qi u ka le.» Figura e nënës, që pak më parë ishte e lidhur dhe e varrosur, tani bëhet arsyeja e bashkimit. Pas saj vjen çasti i rilindjes: «Sot ora mbrrini, dita e bekueme / Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!». Emri i Kosovës ngrihet «te qilli» dhe ndriçohet nga «dilli», duke u bërë simbol i ringjalljes kombëtare. Kulmi i kësaj poetike arrihet në thirrjen: «Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini / Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!».

Toponimet Manastir, Shkup, Shkodër dhe Janinë nuk qëndrojnë më si pika të ndara në hartë; ato bashkohen në vizionin e një atdheu të vetëm: «Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë / Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë.» Kështu përmbyllet edhe lëvizja e brendshme e poezisë: nga bukuria te trimëria, nga robëria te shpresa. Në fund të leximit mbetet bindja se Kosova e Asdrenit nuk është ndërtuar mbi ngjarjet, por mbi fjalët. Janë pikërisht këto fjalë – lule, trimni, gjak, robni, nanë, liri dhe flamur – që e kanë ngritur Kosovën në një nga figurat më të fuqishme të poezisë atdhetare shqiptare.

Filed Under: LETERSI

Përkujtojmë sot në ditën e tij të lindjes shkrimtarin dhe poetin Martin Camaj

July 21, 2026 by s p

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton 101-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, poetit, dhe studiuesit Martin Camaj, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqiptare të shekullit XX.

Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, ku kaloi vitet e para të fëmijërisë. Më pas u vendos në Shkodër, ku ndoqi rregullisht studimet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. Arsimin e vazhdoi deri në vitin 1946, kur u detyrua t’i ndërpriste për shkak të mbylljes së institucioneve arsimore fetare në Shkodër nga regjimi komunist.

Në vitet 1946–1948 shërbeu si mësues në shkollën e Prekalit. Në vitin 1948 u largua nga Shqipëria dhe u vendos fillimisht në Tuz, ku ushtroi profesionin e mësuesit. Në vitin 1950 nisi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, të cilat i përfundoi në vitin 1955, duke u diplomuar në letërsi.

Pas një periudhe të shkurtër në Sarajevë, Martin Camaj filloi studimet doktorale në Romë, pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, e cila drejtohej nga Ernest Koliqi. Ai mori gradën shkencore doktor me një studim mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, nën udhëheqjen e Ernest Koliqit.

Në vitin 1960 u vendos në Mynih, ku punoi si lektor. Në vitin 1971, në Universitetin Ludwig-Maximilians të Mynihut u hap për herë të parë Katedra e Albanologjisë, e cila u drejtua për njëzet vjet nga Martin Camaj. Në vitin 1990 iu dha titulli Profesor i Merituar.

Veprimtaria e Martin Camajt shtrihet në fushat e letërsisë, gjuhësisë dhe albanologjisë. Krahas kontributit të tij shkencor, ai botoi një sërë veprash letrare, ndër të cilat “Nji fyell ndër male”, “Kanga e Vërrinit”, “Legjenda”, “Rrathë”, “Njeriu me vete e me të tjerë”, “Drandja” dhe “Palimpsest”. Gjithashtu, ai bashkëpunoi me revistën “Shejzat”, një nga periodikët më të rëndësishëm të diasporës shqiptare.

Shkrimtari Martin Camaj ndërroi jetë më 12 mars 1992 duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në letërsinë shqiptare.

www.akad.gov.al

Filed Under: LETERSI

Kasëm Trebeshina, poeti kundër rrymës

July 21, 2026 by s p

Rita Filipi/

Poezia e Trebeshinës i ka të gjitha: elementet urbane, moderne, elementet epike dhe elementet lirike; ka rimën dhe strofën tradicionale, po edhe atë të çrregulltën, ka ritmin e brendshëm, është poezi lirike, është sonet, është poemë e gjatë, ku gjen gjithçka: nervin, rebelizmin, por dhe ëmbëlsinë, qetësinë e romantiken, pjesën pesimiste për realitetin e hidhur, por dhe atë optimiste për përjetësinë e një shpirti të pastër që nuk e njollos dot as frika nga vdekja apo diktatura.

Poezia e Trebeshinës është një sistem i veçantë poetik, ku përmblidhet gjithë jeta njerëzore me vuajtjet, por dhe gëzimet, vuajtjet fizike, por dhe ato shpirtërore, gëzimet që vijnë prej natyrës dhe dashurisë, por dhe prej qëndresës. Duke e krahasuar poezinë dhe stilin e tij me poezitë që botoheshin asokohe, Trebeshina duket se ishte i vetëdijshëm për atë thelb që e bën atë të ndryshëm nga të tjerët.

Te poema “Përrallë vere” (1961), poeti e di mirë se arti i tij nuk do të pëlqehet, do të keqkuptohet apo keqinterpretohet, dhe kjo do ta bëjë atë të ndihet i huaj në mjedisin ku jeton, por dhe si poet, një i huaj në rrethet letrare. Ky poet kundër rrymës po sillte një rebelim të ndryshëm e të ri në poezinë shqipe.

“Dikush poemën s’ka për ta pëlqyer,

pa takt e tjer’ e tjera do ta quaj.

Dikush nga un’ pret vargun e rrëmbyer,

stomaku tjetrit as që mund t’ia bluaj.

S’ësht’ ver’ e fort’, as faqe bukur lyer,

ti si dhe un’ për shum’ jemi të huaj

ndaj do kaloj’ në heshtje, e paçmuar,

gjersa të tjer’ sërish ta ken’ zbuluar. “

Nëse ndalemi vetëm të poema “Lamtumirë trimëri”, që ai e shënon “Shkruar në burg, 1963”, na lind vetvetiu pyetja: Çfarë ishte trimëria në kohën e diktaturës? Kujt i hynte në punë ajo? As vetë atij që e zotëronte, por nuk e përdorte dot, se siç thotë poeti: “Edhe ëndrra notonte në gjak”. Dhe lind kështu një antihero më hero se vetë heroi.

“Bota le të vërtitet

Un do qëndroj në mjegullën e ëndrrës sime

Aty do të pushoj…”

Ky ishte brezi i sakatuar që mbi shpinë mbante dy luftëra – të ngrohtën, botëroren, dhe të ftohtën, që vazhdon dhe nuk mbaron… Brezi që shihte një lumë, por nuk kish aty asnjë urë që të lidhte fëmijërinë me të sotmen e të ardhmen.

Me dhimbje ai na thotë se burgosja, ekzekutimi e ndanë nga liria, por vdekja i dha lirinë – një paradoks ky i jetës së një poeti rebel përballë krimeve të diktaturës.

“Sërish atje do kthehet trup’ i lirë,

ku presin njerzit që më duan

dhe dhoma jon’ e ngrohtë!

Aty

ne dy,

me veten ton’ të përsëritur,

do ngremë prap një bot’ të vogël,

tonën,

të ndritur sa në jetë.

Do kthehet trupi im i lirë

te çerdhja jon’ e qetë,

ku ne për her’ të par’ u njohëm

dhe lidhë, miqësi

nga jeta dhe për jetën.

Ndërkaq un vetë,

njëher ekzekutuar,

pushoj te largësia

në hapësirë,

atje ku s’duhet trimëria,

atje ku mbretëron qetësia,

te kufizim’ i pakufi,

gjithnjë i lirë!….

Ndaj

LAMTUMIRË TRIMËRI!…

LAMTUMIRË!”

Por Kasëm Trebeshina edhe pas viteve ’90 thotë se nuk e gjen përsëri paqen.

Për fatin e keq si shqiptarë kemi përjetuar një tranzicion aq të gjatë (i cili vazhdon edhe sot), saqë dhe vdekja u tregua për poetin më e shpejtë.

NGA JETA MË PËRTEJ

Po heq nga aparati filmin djegur…

S’e gjete paqen tënde, Shqipëri!

Do iki larg te vendi që nuk dihet,

nga ku asnjë s’u kthye gjer tashti!..

Por është fjala që do të mbetet: shkrimi i saj dhe vepra e shkrimtarit:

E hoqa filmin! … mbetën vetëm fjalët!…

Te fjalët jemi ne!… Jam un’ dhe ti!

Nga zërat, kur të mbushen hapësirat,

do niset fjal’ e vetme përsëri!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 317
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • A ishte krijimi i Dhomave Speciale në Hagë, një kompleks inferioriteti?
  • Mirdita dhe hapësira e saj historike në veprën e Praschniker dhe Schober (1919): Toponimia, arkeologjia dhe dëshmitë hartografike
  • Zinxhiri i diskriminimit që po e zbraz Luginën e Preshevës nga shqiptarët!
  • LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t
  • JURIDIKSIONI KA KUFI
  • Monumenti, një akt i vonuar
  • Diplomacia në përballje
  • Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti takohet me shqiptarët e Amerikës në Bronx, New York. Fotoreportazh: Shaqo Gjokaj
  • INTERNACIONALJA KOMUNISTO-GLOBALISTE NUK ËSHTË E ARDHMJA E KOMBIT SHQIPTAR!
  • Koncerti “Sounds of Albania” nga Kuarteti Mbretëreshë Teuta Kumbon Fort për Mëmëdhenë
  • Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se sa faqe në historinë e Evropës
  • APEL KOMBËTAR SHQIPTARVE TË AMERIKËS
  • A ka ardhur koha për një Institut të Studimeve Shqiptare në Mal të Zi?
  • “Mbretëresha ilire, TEUTA (231-228 p.K.).”
  • Xhelko Maksuti, historiani, studiuesi dhe veprimtari i shqiptarëve në Rumani

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT