• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRI NË DORËN E STATUJËS DHE SHKOPI…

November 6, 2025 by s p

Screenshot

– Mbresë nga Visar Zhiti -/

Ai vuri librin në dorën e bronztë të statujës, në dorën tjetër ishte shkopi, – i bronztë dhe ai. S’e di si i shkrepi, por po aq befasisht më pëlqeu gjetja, ai veprim. Sikur donte të thoshte që poezia duhet, edhe statujat i bën më të gjalla, që sa të shkretë do të ishin njerëzit pa poezi… edhe gurit i duhet… poezinë duhet të dish ta gjesh e ta çosh… është për kudo…E doja atë statujë. Është një lypës nga njëra anë dhe ëngjëll nga ana tjetër. Torba bëhet flatër. Kam treguaf për atë dhe herë tjetër…

Me Jani Gjonin e kishim lënë që ta pinim kafenë bashkë dhe ai erdhi te bari, ndërkaq unë i dhashë librin që kisha sjellë për atë dhe i thashë se ishte i pari nga miqtë në Chicago që ia firmosja, por dhe është i pari mik që njoha këtej para shumë vitesh e më pas ai më njohu dhe me të tjerë e si të thuash më futi në atë rutinën shqiptare të grupit, të bisedave miqësore për librat si fillim, që kalonin menjëherë dhe në politikë, se çfarë bëhej në Shqipëri e ç’duhet të bëjë lidershipi atje, opozita, po edhe në SHBA e botë, bankat, astrofizika sot, AI, artikujt deri në bezdi gazetave, hatërmbetjet, vajtjet në grup në Starbucks, vazhdimet atje, etj, etj. Jani thotë se e ka kult miqësinë dhe shokun dhe di të qëndrojë besnik.

Dolëm të shëtisnim pak, ditë e bukur nëntori, me atë ar vjeshtor rrugëve dhe unë e çova andej nga kisha “Saint Mary of the Lake and Our Lady of Lourdes” për të parë atë statujën e Timothy Schmalz te sheshi para që e pëlqej shumë, – i thashë, – ku lypësi dhe ëngjëlli janë një i vetëm dhe shkruhet “Ji mirëpritës”.
Do bënim një selfie dhe Jani i vuri librin në dorë statujës, sikur ajo po e mbante vetë me dëshirë. Libri në piedestal. Shkonin bashkë: bronzi dhe fjala, torba e lypësit dhe poezia, flatra dhe ëndrra…

ZËRI I TIM ZOT FAN NOLIT

Po shkopi i statujës? Është thjesht për t’u mbështetur në ato shtegëtimet pelegrine, ai shkop bronzi që statuja duket se e shtrëngon fort si besën, si urtësinë ku mbështetet.
Befas te shkopi m’u shfaqën rripa lëkure, litarë, sikur mbinë në tufë dhe u bë kamxhiku. Dhe m’u ndërmend poezia e Nolit, “Krishti me kamxhikun”:

Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi
Perëndie
Ishte bërë dyqan
dhe pazar tregëtie:
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nukë plaçkitte
ish krejt budalla…

I ka vuajtur dhe Noli shqiptarët e vet, patjetër dhe më shumë, i ka parë në Shqipëri deri në parlament dhe më lart, po edhe larg e pranë, në “Vatër”, prandaj ka dhe këtë strofë kësisoj në poezinë e tij:

Merr-e prapë kamçikun, –
Shën Pjetri u përgjeq, –
Se përndryshe kjo punë na del
mos më keq.
Përkëdhel’ u kurrizin
dhe do t’të besojnë,
Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi,
dhe do t’adhurojnë”.

Tani a do të duhej prapë ky inat dhe kjo thirrje? Ky shkop mefaforik? Mbase më shumë. Edhe në SHBA? Po pse jo? Do të duhej një shkop ashtu…t’ja merrnim statujës, se Jani i dha librin.
Dhe kërcënueshëm, por me dashamirësi, në mënyrë parodike, një shkop-Nol të vërvitej mbi ca vegime donkishoteske e sançopançojane, që kujtojnë se po u ndodhin përleshje patriotike me çështje gjigandeske të demokracisë, por që s’janë as mullinj me erë, por boshësia e tyre dhe kënaqësia dinake që barku amëtar po i tyre nga socialist është fryrë në kapitalist dhe…

Po kundronim statujën si për t’u qetësuar. Po ai engjëll me shkopin e udhëtimit në njërën dorë dhe librin me poezi në tjetrën, se fryma krijuese nuk humbet kurrë, edhe kur tjetri duket i varfër apo i braktisur. Statuja u shndërrua në bashkëbisedues kaq thjeshtë, madje në bashkëpunëtor, vetëm pse Jani i dha një libër, kur ka njerëz që i acaron, vjen nga edukata, nga përkatësitë e dikurshme e të tanishme, – po thoshim, zilitë… suksesi i tjetrit…
Po statujat, sa mirë, nuk flasin dhe desha ta pyesja Janit që në takimin e radhës në grup pse të mos ftohej?
– Kush?
– Statuja…

Filed Under: LETERSI

ROMAN I RI NGA BESNIK MUSTAFAJ, “NË MËNI TË NJENI-TJETRIT”

November 6, 2025 by s p

“Onufri”/

Në një nga fletoret e rinisë së hershme vazhdoj të ruaj sinopsin e një proze. Isha student i vitit të parë kur e kam shënuar, i pranuar nga kritika letrare si poet i ri me të ardhme, djalosh i pëlqyer nga vajzat dhe entuziast për jetën shoqërore që po filloja. Me një fjalë, krejt i lumtur për sa kohë në trurin tim nuk kishte përbiruar ende krimbi i dyshimit. Sa kisha filluar të ëndërroja për prozën, por pa joshje në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nga leximi i biografive të disa romancierëve të mëdhenj klasikë e dija se shkrimi i prozës kërkonte një përkushtim tërësor, domethënë orë të tëra të kaluara çdo ditë në tryezën e punës, duke i mohuar pak a shumë argëtimet dhe kënaqësitë e jetës së një njëzetvjeçari. Për t’ia fshehur vetes arsyet thelbësore pse qasjen ndaj prozës e shihja si një ëndërr që i përkiste një të ardhmeje të papërcaktuar, thosha se nuk kam ende pjekurinë e nevojshme. Nuk e dija, në fakt, për çfarë pjekurie bëhej fjalë.

Për t’i dhënë kuptim pritjes së pjekurisë, zura të shënoja në një fletore të veçantë skelete historish që dëgjoja majtas e djathtas, tek të cilat shihja bërthama tregimesh apo romanesh. Më të shumtat prej tyre nuk më kanë vlejtur fare për shkrimet e mëvonshme në prozë, siç ndodh natyrshëm me përshtypjet mashtruese apo edhe me idetë e rreme të moshës rinore. Por është një subjekt i asaj periudhe, i cili më ka ndjekur nëpër vite, si një dhembje koke, pa m’u shqitur kurrë nga vëmendja, diçka e ngjashme me shtërzimin e një kafshe të mbarsur, e cila përpiqet gjithë kohën të pjellë dhe nuk arrin.

(Fragment nga romani)

Filed Under: LETERSI

Poezitë e Aleksandër Çipës, si parabola të identitetit

November 4, 2025 by s p

Arben Iliazi

Lexuesit shqiptarë e njohin prej vitesh Aleksandër Çipën si gazetar aktiv, opinionist dhe eseist të shkëlqyer, që ka ndjekur jetën politike kulturore të vendit, gjë që ka ndikuar në formimin e tij si njeri dhe artist.

Por duhet thënë se edhe interesat e mirëfillta letrare i kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen, duke e konceptuar shkrimin shkrimin si një mënyrë të ekzistencës së vet. Kam lexuar dy prej vëllimeve të tij me poezi, “Deti nuk ka portë”, “Mbi re s’ka stacione”, ku është shkrirë një pjesë e biografisë së tij. Të gjitha poezitë e përmbledhura në këta libra në tërësi përbëjnë një metaforë të madhe të jetës, që rreken në krijimin e një etnografie semiotike.  

Duke pasur një njohje të gjatë me të, gjatë viteve kur dhe unë isha i pëfshirë në gazetarinë aktive, them me bindje se ka një lidhje organike mes poetit dhe poezive të tij. Besoj se ajo çfarë është pasionuese në krijimtarinë e këtij poeti është pikërisht mënyra kryekëput individuale në të cilën ajo shfaqet. Sartre-I na mësonte të mos e kërkojmë njeriun gjithkund, por vetëm atje ku ai gjendet. Edhe ne le ta kërkojmë vlerën e konstruksionit të poezisë së Çipës vetëm atje ku gjendet.

Poezia e Aleksandër Çipës është autentike joniane; ajo është mishërim i invencionit, ose observimeve, i mundësive të pafundme të sintezave asociative, i gërshetimit të nuancave të ndryshme të të shprehurit, elementeve diskursive dhe imagjinatës së frytshme e të paanë, ku imazhet dhe mendimi gjenerojnë një qark të shkurtër emocional abstragimesh dhe konkretizimesh, si parabola të identitetit. Siç thotë vetë poeti Aleksander Çipa, emocionet dhe qasjet e tij të meditimit lidhen me 3 elementët ekzistenciale të botës njerëzore. të tokës, detit dhe qiellit. 

“Zbrisni nga qiejt ju zogj,

Krahët shkëmbeni me njerëzit,

Pendesa e ikjes prej vetes

Atyre u përket gjithherë”.

                   (Pendesa)

I ndali dallgët deti,

Mendova: nuk po merr frymë Toka!

Në kurmet tona ndalën,

Frymëmarrjet e plota.

Si dhe gjithësia, 

…ka dy anë Bota.

                   (Dy anë)

“Shpatullat nga mali e sytë tej në det,

Ç’libër të shenjtë nuk ka shkruar pritja?!

Në bregdete koha është matje prej dallge”.

                       (Pritja)

“Tirren mjegullat në maja, për velenxë bore në dimër,

Nën këmbë kanionet hapen, si një makth,si një ëndërr,

Qiellin e lartë nga poshtë, këto male shohin vëngër,

Treten isot nëpër hone, zëra që ngarkojnë ëngjëjt”.

                        (Maleve të Labërisë)

Qysh kur ka botuar poezitë e para, kam vërejtur se krijimet e A. Çipës i karakterizon një lirizëm i fuqishëm dhe një natyrshmëri e thellësishme poetike. Vitet e fundit poeti ka manifestuar shenja të avancimit të lirikës së tij, apo ndonjëherë edhe shenja të dukshme të përsosmërisë. Raportet e shumanshme ndërmjet poezisë dhe jetës pasqyrohen në atë manierë lakonike, në të cilën motivet letrare mpleksen me ato jetësore, duke ruajtur autonominë e funksionit estetik. Çipa lëvron një poezi meditative që pasqyron gjendje të caktuara ekzistenciale, që kanë një thelb romantizmi. 

Elemente thelbësore të poezisë së tij janë ndjenjat delikate, mendimi i thellë, muzikaliteti dhe imazhi befasues, ku ndërtohet një udhë etike drejt bukurisë, harmonisë dhe ekuilibrit.

Në krijimtarinë e këtij autori fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si hedhje emocionesh. Fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme, përfton gjithçka dhe vlerën në vetvete – në vend që në mënyrë indiferente t’i qëndrojë realitetit.

Nëpërmjet një ligjërimi të drejtpërdrejtë lirik, autori mëton të rikrijojë një dialog poetik, duke e vënë shpeshherë edhe në brendinë e funksionit mishërues poetik.

Poezitë janë mishërim i invencionit, ose observimeve, mundësive të pafundme të sintezave asociative, i ndjesive të tij, të lidhura ngushtë me vendlindjen dhe me të gjithë shtratin e vet mitik në një regjistër gati burimor. Mitikja identifikohet në nivelin e thellë të teksteve:

“Bora nën re, unë mbi retë,

Shoh si rrënoj mitin e jetës prej Tokës,

Rrëshqas me avion drejt një kontinenti,

Duke provuar zvogëlimin e imazhit për rruzullin”.

                          (Mbi re s’ka stacione)

“Rrugës Llogara-Himarë

Deti është vetëm dhe unë jam në rrugë,

Si hala më shpojnë mungesat që s’rreshtin.

Jam nisur në Himarë të gjej tim At,

Homerik i parënë, bard që s’humb vreshtin.

Shkel brigjet me vrull, zog i pastinë,

Mbërrita kaq shpejt tek zall i Çezarit.

Të gjitha historitë i bëra stivë,

Homerit a Odiseut t’i flas të parit?!?

Zalli dhe rëra qysh në zanafillë, 

Janë triumfi mbi Detin dhe dallgët plaka.

Aty ku zgjohen gjithë metaforat antike,

Shfaqen e shuhen ngjyrat e rralla.

S’ka mite që lindin dhe mite që vdesin,

Në brigjet e vjetra të visit Himarë.

Aty veç derdhen në gjenerata zënkat,

Për atë që s’kthehet dhe, atë që s’është marrë.

Në ecje më zunë ca tinguj kambanash,

Një meshë e kaltër s’e di ç’frymë jep!

Në visin homerik të kohës sime,

Ka përherë grimca për libër të shenjtë”.

Poezia e A. Çipës qëndron midis të shkuar dhe të tashmes, simbolit dhe substancës, perceptimit dhe të krjuarit, ideales dhe reales. Në botën që shpalos poeti para lexuesit ngjan se është e vështirë të dallohen përvijimet e një realiteti  të mirëfilltë, që synon diku.

Në disa poezi, nëpërmjet vargjeve si: “Bota është e kallur në qiej pa anë/Dy sy na mjaftojnë të shohim ç’na duhet…”, poeti bën thirrje për rigjallërimin e imagjinatës, me një theksim të magjikes, të së rastësishmes, irracionales, simboleve ose ëndërrave. 

Impresionizmi i tij e kap jetën në mënyrë krejt individuale nëpërmjet një mekanizmi stilistik të posacëm, herë herë shpërthyes e befasues.

Në poezinë e tij ndihet edhe fryma e ankthit metafizik dhe absurditeti i gjendjes njerëzore. Poeti ka mësuar të njohë në thellësi gjendjen njerëzore, vlerën e njeriut dhe të dashurisë njerëzore.

“Ka vite që korrierët e krejt postave nëpër botë,

Nuk sjellin e as shpien asnjë letër dashurie.

Ky dimër i tmerrshëm në kohë të ngrohjes globale,

Një Antarktidë ngrirje ka, në shpirt të kësaj njerëzie…”.

                                 (Nuk ka më letra dashurie)

***

Poeti ka disa poezi të ndjera për “gjuhën e dheut”, siç e quan ai gjuhën tonë.

Duke nderuar me një respekt sublim, me solemnitet e magjepsje gjuhën shqipe, Aleksandër Çipa ka bërë një zgjedhje vevetiu kulturore. 

“Po biri, djali im, si e ka shqipen?

Gjuhën e dheut a e flet dhe së largu?

Me cirkun tim e ushqeva ati im,…

Dhe kokën e mban si gjyshi, kah pragu…

Kah pragu, ati im,

Kah pragu!

                                            (Breznitë) 

Ja çfarë shkruan poeti pak kohë më parë në një status publik:

“Unë jam adhurues i gjuhës sime amtare Shqipe, dhe kam disa arsye specifike për mbartjen e këtij adhurimi:

Kur nisa ta artikuloj në fjalët e para, im At, poet i këtij vendi, më zgjodhi disa fjalë të shtrenjta e të shenjta si: shqiptar, atdhe, këngë, poezi, letërsi, mëmëdhe, babë, mëmëzonjë, jashtënesh, etj., etj. Dhe shqipja e vendorigjinës sime Pilur, në këngë e poezi, ishte dhe mbetet më e bukur se çdo bukuri e këtij versioni të folur në ato vise…Kur fitova rrjedhshmërinë e përdorimit të shqipes nisa ta krahasoja atë me të folmen e një vendi fqinj e cila më ish e huaj dhe nuk më arriti dot ta kisha gjuhë të menduari si gjuhën time amtare. Në kohën e rritjes, rinisë dhe madhimit tim moshor, shqipja m’u bë gjuha magjike që më rridhte e rrjedh si veshje e plotë dhe e kadifejtë mendimesh. Adhurimi im për këtë gjuhë, m’u bë detyrë për ta brumosur dhe zotëruar edhe dy djemtë e mi tashmë të mërguar, sepse kjo është ndër gjuhët e rralla në botë që pati martirët e saj në të shkuarën. Rilindësit themelonjës të bukurisë afirmuese të Gjuhës Shqipe, lanë apelin mëtonjës dhe testamental: ” Mblidhmani gjakun! Bëmani bojë, të mësojnë alfabetin fëmijët e Shqipërisë!”

Gjuha amtare është vlera e identifikimit tim në botën me shumë gjuhë. Unë e dua adhurueshëm këtë gjuhë se jo vetëm e mora si trashëgim nga lindësit dhe paraardhësit e mi, por po e mbart si të tillë dhe tek pasardhësit…”

Gjuha e poetit A. Çipa të befason me veçantinë e saj. Ajo pasqyron me saktësi unin e brendshëm dhe botën e jashtme.

Çipa, në poezinë e tij, grishet të shfytëzojë dhe të përdorë, pa bërë as më të voglin dallim, të gjithë elementët e gjuhës sonë të bukur shqipe, në të gjitha aspektet themelore dhe në të gjitha variacionet e funksioneve të saj.

Funksioni poetik i gjuhës në krijimtarinë e këtij autori duket në orientimin e mesazhit, në dikotominë themelore të shenjave dhe objekteve,

në të cilën ky funksion i mbivendoset funksioneve të tjera të gjuhës.

Kështu, poezia epike, e shprehur gramatikisht në veten e tretë, zotëron funksionin referencial të gjuhës; lirika, e orientuar drejt vetës së parë, është ngushtësisht e lidhur me funksionin emotiv; poezia e vetës së dytë  ka të ngulitur funksionin konotativ.

Funksioni emotiv zbulohet nëpërmjet metaforave, metonimive, pasthirrmave, asonancave apo konsonancave, aliteracioneve apo elipseve, që krijojnë harmoni imitative dhe mundësi të vecana të organizimit sintaksor të veprës poetike për të rritur efekte e vecanta stilistike e kuptimore. Apo figura të sintaksës poetike si elipsa, iversioni, konversioni, kiazma etj. Me plot formacione emotive ato i japin atmosferë gjithë shprehjes poetike, në të gjitha nivelet: fonetike, gramatikore dhe leksikore. 

“Në një pikë dite është një pikë jete. 

Pikë, pikë shkon jeta nga dita në ditë. 

Nuk gdhend gurin, por shton rrudhë dhe thinjë…

Pikë, pikë shkon jeta ditë me ditë… 

…në kohë të njeriut me iluzione dhe punë….”

Gjuha e poezisë së A. Çipës  është  e kondensuar dhe ekspresive. 

Autori e koncepton tekstin estetik si tërësi shenjuese të organizuar në nën njësi funksionale ose në hapësira tekstore, që kanë një marrëdhënie të motivuar mes tyre, ku tërësia shenjuese paraqitet si hierarki shndërrimesh semantike. Edhe po të përqëndrohemi te dallimet në strukturën ritmike, ngjashmëritë  e ndryshme që lindin në nivelin fonetik të secilës poezi krijojnë një thurje të papërsëritshme kuptimesh.

Problemi me të cilin ndeshemi kohët e fundit është zbehja e gjuhës deri në përcudnim, rendja kot më kot pas fjalëve të huaja dhe “puritantizmave” pa kuptim, me një përkorje të tmerrshme, mjaft e disfavorshme për letësinë tonë kombëtare të kultivuar. Këto e rëndojnë artin dhe e kthejnë në një lloj tabuje, duke krijuar ambivalenca ndjesore.

Thuhet që fjalët janë metafora të mendimeve, që gjuhët fonetike të popujve janë metafora të vecanta të shpirtit të tyre. Që të kemi një letërsi autentike, shkrimtarët  duhet të jetojnë nën hijen e ngrohë të identitetit të tyre kulturor. Gjuha  është elementi kryesor identitar, është energjia e shpirtit krijues, Shtetet evropiane shumë herët e kanë formuar identitetin e tyre në bazë të vlerave kulturore të rrënjosura thellë në gjuhë. Jo më kot edhe ata që kanë lindur në një vend me letërsi të madhe kanë shkruar në gjuhën e vet, me të folmen e tyre të veçantë.

Gjuha shqipe, në një rrugëtim të lashtë të sajin, mbart gjurmët që e shenjuan, por mbi të gjitha
mbart e sendërton konstitucionin mendor e shpirtëror të kombit tonë. Pikërisht në këtë gjuhë, nga shkrimtarë të njohur shqiptarë, janë shkruar kryevepa të formatit evropian. 

Filed Under: LETERSI

ATJE KU FILLON DRITA QË VJEN NGA PERËNDIMI…

November 3, 2025 by s p

Kosta Nake/

Të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Musine Kokalari arriti atje duke ndjekur njërën prej këtyre rrugëve. Sepse rrugët e diturisë në Shqipërinë e viteve ’30 mbylleshin me arsimin e mesëm. Kujtimet e saj për katër vitet e studimeve në Itali nuk janë vetëm një shikim në pasqyrë për shkrimtaren, por edhe për të kuptuar atë dritë që vjen nga Perëndimi dhe që e sollën me punë e sakrifica mendjet e ndritura të Shqipërisë. Përtej kësaj, çdokush do të lexonte me ëndje përballjen e një vajze shqiptare të një vendi të prapambetur me një nga kryeqytetet me më shumë gjurmë të qytetërimit në botë.

Ditët e para të qëndrimit janë një krahasim i papërfytyrueshëm mes vendlindjes me natyrën e pasur dhe botës ku shpirti humb mes asfaltit dhe rrënojave të antikitetit, mes të njohurës dhe të panjohurës, mes rrugëve me dredha dhe shtëpi të vjetra të Gjirokastrës dhe rrugëve të drejta e pallatave të reja të Romës. Është një fillesë e re ku janë krejt të turbullt kufijtë mes ëndrrës dhe zhgjëndrës, ku soditja ia lë vendin zbulimit të shpirtit dhe karakterit italian që është i lidhur ngushtë me fenë e vet, me historinë e vet të ngurtësuar te Koloseu, te Shën Pjetri, te shtatorja e Laokontit, pastaj më tej Napoli e Pompeu, ku zbulon se njohuritë e fituara në shkollën e mesme nuk kanë plotërinë e nevojshme, prandaj jo vetëm që duhet të lexojë, por edhe t’i japë studimit gjysmën e ditënatës. Dhe ja, kjo zhvendosje nuk e shkëput nga atdheu, por i nxit interesin për mbledhjen e folklorit duke shfrytëzuar çdo kohë të lirë dhe kontakt me njohësit dhe interpretuesit e këngëve popullore.

Viti i dytë i studimeve lë pas soditjen e mahnitjen dhe e tërheq studenten drejt vëzhgimeve të thella dhe meditimeve, zbulon ngjashmërinë e jetës njerëzore me natyrën dhe botën e zogjve. “Vetëm natyra është e përjetshme… ekzistenca jonë nuk është veçse një vazhdim i botës dhe një ecje përpara e kohës.” (f.149)

Italia e viteve ’30 nuk ishte vetëm një prej vendeve me universitete të konsoliduara, si “La Sapienza” ku u regjistrua Musineja, por edhe një mundësi më shumë për të vazhduar betejat për jetën në raste të sëmundjeve për të cilat mjekësia shqiptare nuk kishte as mjetet, as përgjigjet e nevojshme. Musineja nuk ishte vetëm studente, por edhe kujdestare e vazhdueshme për njerëzit e rrethit të vet familjar duke harxhuar kohë dhe energji, duke përjetuar dhimbje e stres. “Është e trishtuar të shohësh një fëmijë që vuan.” (f.179)

Viti i tretë ishte sfida e moshës, kishte ardhur koha e zgjedhjes së një partneri për jetën dhe, mes mëdyshjeve dhe ndjesisë për humbjen e lirisë vetjake, ai qëlloi të ishte italian. Ndryshimeve mes mendësisë së dy popujve që i ndan një det, iu shtua dhe atmosfera e luftës, me një negativitet të ushqyer nga lufta italo-greke ku formacionet ushtarake shqiptare nuk i qëndruan besnike fashistëve. Një sjellje false e të dashurit dhe nënës së tij sollën zhgënjimin dhe ndarjen. Edhe Italia nuk ndryshonte nga Shqipëria për thashethemet. Ftohja e të dashurit do të fillonte nga Afrika me njohjen nga afër të popujve të lindjes dhe me mburrjen prej perëndimori se kishin krijuar një ideal të ndryshëm për besimin dhe për gruan.

Në vitin e katërt të studimeve Musineja eksploruese futet në rrugicat periferike të Romës dhe do zbulojë se mjerimi është gjithandej njëlloj dhe shfaqet në fytyrat e zbehta, sytë e zymtë dhe buzët e shtrënguara, te mjedisi i pistë me mure të rrjepur e shkarravina, te zhurma e rrugës ku s’ka trotuarë dhe tavernat ku burrat luajnë me letra. Musinesë iu bë ftesa për të shkruar për shtypin italian përshtypjet e një gruaje shqiptare në Itali që, me kërkesën e vëllait të vet, do të përmblidheshin më vonë në librin “Nënua plakë në Romë.”

Në mënyrë rastësore Musineja erdhi në Shqipëri dy ditë para 7 prillit 1939 dhe kjo kaloi pa ndonjë trazim të veçantë, por më 10 qershor 1940 Italia hyri në luftë dhe sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në Romë. I dashuri shkoi në luftë në Libi dhe Egjipt, kurse Musineja përjetoi një vetmi të bukur: “Është kaq bukur të jesh vetëm, të përhumbesh në mendime… të ëndërrosh. Është zemra ajo që gëzon e kënaqet, pa e ditur arsyen. Shpirti përflaket në soditjen e modeleve hyjnore dhe kështu fisnikërohet. Atëherë është ndjenja ajo që zotëron pa dhënë arsye.” (f.191)

Drama e dashurisë e bën Musinenë më meditative për fatin që komandon ekzistencën tonë; për të vërtetën që është më pak e pëlqyeshme, por që të shëron; për lumturinë që është vetëm iluzion, prandaj nuk ia vlen ta kërkosh; për dashurinë që i duket si fantazmë aq sa i vë në dyshim dhe krijimet e poetëve dhe zhgënjimi prej saj i duket rrjedhojë e dobishme. “Qeshë zhytur në vetminë më të plotë… Flisja lirshëm dhe haptas me zemrën time, në një bashkëbisedim të thellë, në një monolog të ëmbël… synimi më i mirë dhe më i madh është që të bëhemi të aftë për veten dhe të mjaftohemi me veten.” (f.219)

Kjo botë meditative është tregues i një studenteje që pas maturimit ka filluar të shkelë në trasenë e pjekurisë. Njëzet provime për katër vjet, me nevojën e perfeksionimit të leximit dhe komunikimit në gjuhën italiane, me sfidën e fituar me latinishten, me mbrojtjen e diplomës me studimin për Naim Frashërin, janë esenca e viteve dhe jetës studentore. Shpesh kjo pjesë e jetës është çështje e privacisë, atë mund ta ruajmë si një thesar të çmuar që nuk do të hapet kurrë për botën. Hapja e saj kërkon shumë guxim dhe Musine Kokalari këtë forcë të pazakontë do ta demonstronte në kalvarin që përshkoi pas vitit 1946 deri sa mbylli sytë në vitin 1983.

(Libri me kujtime “Jeta ime universitare” i Musine Kokalarit, Vepra e zgjedhur 3, Tiranë 2017, f.125)

Filed Under: LETERSI

“IKONA E PLAGOSUR” DHE IKONA E LETRAVE TONA MIRA MEKSI

October 31, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Teksa bisedonim me Mira Meksin rreth një novele të saj, ajo më pohoi se: “Kam shkuar shpesh aso kohe në Venecia sepse mblidhja materiale për novelën “Hakmarrja e Kazanovës”. Kam lexuar mbi të gjitha, legjendat dhe mitet e vjetra të qytetit të ujit, disa prej të cilave përmendnin jo vetëm rrugët me emrin Albanesi por edhe një shkollë shqipe të çelur shumë shekuj më parë dhe plot gjëra interesante. Më mrekullonin lidhjet historike të tejvjetra, që shpjegoheshin me Albania Venetican, rrënjët e përziera mes dy popujve. S`kam lënë rrugë e rrugicë pa shkelur, duke i vajtur pas miteve. Është koha, kur e kthyer nga Meksika botoja novelën “Pa zemër në kraharor” me kafkën prej sheqeri të Carlos Fuentesit që ishte shuar para pak kohe, në Natën e të Vdekurve. Unë, ndonëse jam qepur fort pas realizmit magjik, nuk shkruaj dot pa i parë vetë vendet për të cilat shkruaj. Siç thoshte i madhi Borges: “Mos shkruani për gjëra që nuk i njihni”. Dhe një herë tjetër, teksa punonte për romanin “Ikona e Plagosur” më shkruante: “Do ta shoh (një shkrimin tim), nesër me kujdes, sepse ndodhem në Valencia, në Manastirin ku është varrosur Donika Kastrioti, duke ngrënë tonelata pluhuri në arkivin e tyre”. Kushdo e ka të qartë se çdo shkrimtar, ashtu siç ka stilin e vet, ka dhe një mënyrë të të shkruarit, që zakonisht është ajo e uljes para kompjuterit në një dhomë të rehatshme. Por a mund të gjendet qoftë dhe një rast i vetëm që ai, e sidomos një femër, të bredhë qytet më qytet, shtet më shtet, institucion më institucion, arkivë më arkivë, bibliotekë më bibliotekë, duke humbur kohë, humor e para, dhe duke u përballur me një pafundësi pengesash, vështirësishë e kokëçarjesh, sikurse bën shkrimtarja Mira Meksi në të gjitha romanet e saj, çka duket qartazi edhe te ky i fundit. 

Romanet e Mirës, nuk janë limonadë që krijohen thjesht falë talentit që autori ka. Ato, duke rrokur tema të një rëndësie të madhe, kryesisht të marra nga historia e populli tonë, kërkojnë seriozitet, erudicion, përkushtim, vullnet, këmbëngulje, durim e përgjegjësi qytetare, të cilat kjo shkrimtare, për fatin e letërsisë tonë, i ka si rrallëkush. E tillë është edhe ajo çka shtjellohet në këtë roman, që thuajse në çdo faqe merr karakter studimor, për të mos thënë edhe historik. Vetë historia jonë i detyrohet shumë periudhës postskënderbejane, dhe tek e fundit pas pesë shkujsh ajo asnjëherë nuk mund të jetë katërcipërisht e saktë. Do të ketë pa tjetër edhe pasaktësira apo subjektivizma, për arsye të kuptueshme. Prandaj, një libër si ky, që i qëndron më afër të vërtetës edhe pse i alternuar me veshje letrare, e mbush disi këtë boshllëk dhe për lexuesin tonë e krijon fizionominë e atyre ngjarjeve, i nxjerr nga anonimati personazhet e asaj kohe dhe na e sjell afër atmosferën sunduese, pa lënë mënjanë marrëdhëniet e tyre apo aleancat me oborret e mëdha evropiane. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të re, pasi subjektivizma ka edhe kur janë shkruar historitë e popujve të tjerë. Aleksandër Duma ati, kishte mendimin se historia duhet parë si sfond për aksionet dhe aventurat e personazheve. Madje, kur ai pyeste “Ç`është historia?”, përgjigjej vetë  “Është gozhdë ku unë var romanet”. Te popujt e ndryshëm, janë glorifikuar heronjtë, janë mitizuar mbretër e perandorë dhe janë dhënë përfundime kontradiktore për të njëjtën çështje. Kështu, fjala vjen, vetëm për betejën e Borodinos e 7 shtatorit të vitit 1912 ndeshim dy fitues: Napoleonin nga ushtria franceze dhe Kutuzovin nga ajo ruse. 

Dhe këtë nuk e gjeti as Leon Tolstoi vetë. Hajde merre vesh sesa e vërtetë është qëndresa e 300 spartanëve në Termopile, tradhtia e Anopeas, ose ato jetëshkrimet e Plutarkut te “Jetët paralele”. Na jep Salusti një histori sipas të cilës Tit Man Torkuati në vitin 340 p.e.r. ekzekutoi të birin, pasi ai theu urdhrin e tij, duke dalë nga radhët, për t`u ndeshur me një luftëtar armik, por sa e vërtetë është kjo, kur ky autor ishte i kohës së Çezarit, pra tre shekuj më pas. Ose ai Milosh (Mirash) Kopili që vrau sulltan Muratin në betejën e  Fush Kosovës (Fusha e mëllenjave), në vitin 1389 në kohën e Lidhjes së Llazar Hrebeljanoviçit, edhe pse ishte shqiptar, pretendohet se ishte serb, e kështu me radhë. Kujtoni se çfarë ndikimi negativ me gënjeshtra ka luajtur letërsia në kurriz të historisë për popullin tonë. Justin Godarti te “Ditarët shqiptarë” shkruan: “Letërsia e ka shtrembëruar të vërtetën… Ajo na ka gënjyer për shqiptarët, duke na i paraqitur ata si cuba dhe njerëz të egër. Na ka gënjyer për grekët duke i pasqyruar ata si burra trima dhe të ndershëm”. Këtë ka bërë shpesh dhe letërsia serbe, gjë që nxit urrejtje mes popujve. Kurse Mira Meksi, absolutisht nuk ecën në këtë linjë; ajo për aq sa merret në romanin e saj me intrigat e fqinjëve tanë për të penguar misionin e Arbërit dhe Norës, na njeh edhe me personazhe të drejtë, të ndershëm dhe objektivë të atyre vendeve. Po cili është ky mision që ky çift historianësh relativisht të rinj, ka ndërmarrë? Ka një thënie të bukur Seneka i Ri: “Kujtimi për njerëzit e mëdhenj, ka për ne një rëndësi jo më të vogël, se sa prezenca e tyre e gjallë”. Dhe ata sikur të ishin frymëzuar nga kjo thënie, nisen në kërkim të gjurmëve të një njeriu më shumë se të madh, Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, me bindjen e artikuluar nga Nora se “Mendoj se njëlloj si e ardhmja, edhe e shkuara, në të vërtetë, është një masë e errët që ndoshta mund të ndriçohet nga vështrimi ynë”. 

Autorja, qysh në hyrje na thotë se “Kur historia s`ka zë, letërsia i huan zërin e saj, shpesh të fuqishëm”. Vetë ajo është frymëzuar nga një studim i historianit valencian Daniel Benito Goerlich, kurse çifti shqiptar i romanit nga një gjetje në baulen e vjetër të gjyshit të Arbrit, At Isaisë, vdekur në internim nga gjermanët dhe të mbiquajtur “prifti me kobure”, ngaqë kishte luftuar me armë pushuesit. Kjo ishte një miniaturë, dhe sipas të shkruarës poshtë saj;  “Ikona bizantine e Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve”, e cila mund të fshehë brenda trupit të saj, ndonjë kumt, simbol, dokument apo diçka materiale tepër të rëndësishme. Dhe misterin e saj e shtonte edhe një e prerë në formë V – je, shkaktuar sipas hamendjeve ose nga armiqtë e Zotit ose nga ikonoklastët (kundërshtarë të kultit të ikonës). Mirëpo rrethanat e kishin sjellë që ashkla nga Kryqi i Shenjtë të mbetej në zotërim të Skënderbeut në lidhjen për mbrojtjen e katoliçizmit, e pas vdekjes së tij në duart e të shoqes Donika Kastriotit Arianiti së bashku me ikonën. Dhe kur kjo, zonja e parë historike – siç e quan autorja e romanit, me gjithë shpurën e saj, shkon në Itali, ku te Ferrante i Parë i Napolit, e quajnë Scanalibeca, e merr me vete ikonën reliktmbajtëse të Kastriotëve si diçka tepër të shenjtë. 

Tani autorja, duke vënë në veprim fantazinë e saj, e nis çiftin në ndjekje të kësaj zonje historike, që kishte fituar besimin dhe dashurinë e dona Juanës së III – të, bashkëshortes së Ferrantes, djalit të saj Gjonit, nipit Alfonsi të cilin gjyshja e kishte caktuar si “rojtarin e Ikonës së Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve” e cila nga ana e saj përfaqësonte vetë shpirtin e Kastriotëve. Për ta bërë sa më të lehtë, pse jo, edhe më të besueshëm udhëtimin e tyre, Mira shpesh i bashkon kohët dhe personazhet. Ky bashkim bëhet aq natyrshëm, sa lexuesi jo vetëm që s`para e ndien, por edhe sepse i duket se është vetë ai që merr pjesë në vizitat e Napolit, Valencias dhe Athosit, me të cilat lidhet si fati i Donikës, ashtu dhe i vetë Ikonës. Romani, me informacionet e pafundme që jep, për historinë, traditat, zakonet, fetë, manastiret, kulturën, bibliotekat, artet, arkitekturën, urbanistikën e deri kulinarinë, për të mos thënë edhe për lugët e pironjtë, shpesh të sugjestionon, aq sa kapërcimet në kohë e deri dashuritë e personazheve që nuk janë takuar ndonjëherë, duken mëse normale. Mira me gojën e personazheve kryesore thërret në ndihmë edhe filozofët, siç bën me Cassirer dhe Bergson të cilët me “…teoritë e tyre japin shumë hipoteza mbi dimensionet e ndryshme të kësaj marrëdhënieje. Filozofë të sotëm flasin për mundësinë e ekzistencës së të çarave apo krisjeve në rrjedhën e kohës dhe mundësinë relative për të udhëtuar në të shkuarën apo në të ardhmen”. Dhe të gjitha këto janë në funksion të qëllimit kryesor i cili të mban në tension gjatë gjithë romanit. Mirëpo, ngjarjet janë aq të ngërthyera, sa për të mos i ngatërruar, duhet të jesh shumë i vëmendshëm, pasi aty ka personazhe, vende dhe data të shumta. Mendoni pastaj, sesa përpjekje dhe mund i është dashur vetë autores Mira Meksi për t`i hedhur në letër ato, pa asnjë pasaktësi. Kjo mesa duket është dhe arsyeja që e bëri dikë të shprehet se “Përfytyrimi lind romancierë, mungesa e tij – lexues”. Veçse, për të qenë plotësisht të drejtë, duhet theksuar se ky roman nuk është i destinuar për çdo lloj lexuesi. Ai duhet të jetë patjetër një lexues – elitar që ta shijojë atë dhe të kuptojë se çfarë Everesti ka kapërcyer pa bombola oksigjeni, kjo autore kaq dinjitoze. 

Gjithmonë në kërkim, çifti i historianëve shqiptarë, arrijnë në përfundimin se edhe harta me vendndodhjen e varrit të Skënderbeut mund të jetë fshehur në Ikonën e plagosur, pra ai qenkej çvarrosur nga Lezha që të mos binin eshtrat e tij në dorën e ushtarëve turq. Gjithashtu, ata mendojnë se kishte të drejtë profesor Castelnuovo se sipas gojëdhanës, e çara në fytyrën e Shën Mërisë do të zhdukej vetiu vetëm kur në Arbëri të ktheheshin bijtë e Krishtit. U munduan pasuesit e Skënderbeut, por nuk ia dolën, pasi egërsia e turqve në Ballkan (Haemus), qe e pashembullt. Ja sesi e përshkruan atë monarku bullgar Isai Svjatagorec: “Disa masakroheshin, të tjerët ktheheshin në skllevër, ndërsa me ata që qëndronin në atdheun e tyre, bënte kërdinë vdekja nga uria. U shkretua toka, njerëzit ishin privuar nga çdo pasuri, vriteshin të pafajshmit, grabiteshin bagëtia, zhdukeshin njerëzit. Në të vërtetë, atëherë, të gjallët i kishin zili ata që kishin vdekur qyshkur”. Vizita e Arbërit vijon deri atje ku ishte bërë Ikona që kërkonin, pra në malin Athos, në Manastirin serb të Hilandarit, ku tentativa e një murgu arbëror për ta nxjerrë, nuk i kishte shpëtuar syrit të ushtarit të sertë turk i cili e kishte dhunuar me një thikë. Por ndjekja e përndjekja vazhdon edhe pas pesë shekujve nga ana e dy serbëve, Darko Nikoliç dhe Bojan Dordeviç, që kërkonin të dështonte misioni dhe që na kujton misionarët jugosllavë Popoviç e Mugosha. Ata nuk mund të pajtoheshin me gjenialitetin e heroit që nxorri nga gjiri i tij populli ynë dhe të cilin Papa Nikolla i V – të e dekoroi me titullin “Luftëtar i Parë i Krishtit” dhe të cilit Papa Kalisti i III – të i shkruante: “Nuk do të ketë njeri në botë i cili të mos ngrejë në Qiell, madhështinë e meritave Tuaja dhe nuk mund të shprehte fjalët më të mira për fisnikërinë Tuaj, në çështjen e mbrojtes së qytetërimit të krishterë”. 

Atij Skënderbeu të cilit Papa Pali II, pasi e priti me të gjitha nderimet që i takonin, i dhuroi krahas shpatës dhe përkrenares edhe relikten e drurit, ashklën nga Kryqi i shenjtë. Arbëri, me ndihmë e dashamirësve saktësoi varret e Reposhit dhe Gjon Kastriotit, por aty u sakrifikua murgu Sava, dhe e gjithë kjo se serbët tentoni ta shpallnin si Vojsavën dhe të shoqin, ashtu dhe vetë Gjergj Kastriotin, serbë. Por ishin bërë plot zbulime që nga Napoli, Valencia e deri në Athos, ku njëkohësisht një murg i besuar, Cirili u tha se varri i Skënderbeut dhe i Gjonit nuk ndodhen më në Kishën e Pirgut të Arbrit, por në sarkofagun e Stefan Nemanjës në Hilandar. Sa pista hap ndonjëherë, qoftë edhe një vepër e vetme si kjo e të mençurës Mira Meksi që ka zbatuar si askush më parë atë postulatin e nismëtarit të teatrit absurd, Eugjen Jonesko se “Letërsia është një deshifrim i të pa thënave”.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT