• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë

December 5, 2025 by s p

Prof.as.dr. Jonela Spaho/

Gjuha është qënësia e shpirtit të një kombi. Përpjekjet për shkrimin e shqipes dhe krijimit të një alfabeti të saj, kanë qënë probleme që kanë preokupuar vazhdimisht eruditët, ideologët dhe gjuhëtarët, veçanërisht në periudhën e Rilindjes sonë, ku gjuha u pa si elementi vendimtar i përhapjes së kulturës, dijes dhe arsimit. Emancipimi i një kombi fillon nga gjuha e tijdhe proceset letrare, në shumë vende të botës, kanë qënë domosdoshmërisht të lidhura me procesin e shkrimit dhe zhvillimit të gjuhëve kombëtare. Mjafton të përmendimin periudhën e humanizmit evropian, ku vlerësimi për njeriun u bë njëkohësisht me vlerësimin e gjuhës popullore dhe jo më kot, Dante i madh e shkroi “Komedinë hyjnore “ në gjuhën e popullit, pra në gjuhën italiane dhe jo latine, që konsiderohej në atë kohë si gjuha e kulturës. E përmendëm këtë, për të theksuar se problemi i një alfabeti për të shkruar gjuhën shqipe, për të krijuar një letërsi të shëndoshë, që do të mbështetej fuqishëm në një gjuhë të shkruar dhe të njehësuar, do të bëhej preokupimi themelor i romantikëve tanë, i ideologëve dhe shkrimtarëve që shihnin, njëkohësisht, te gjuha një kulturë dhe një emancipim shoqëror dhe shpirtëror.

Kjo e dyta lidhet detyrimisht me procesin letrar, sepse shkalla e zhvillimit të proceve letrare është njëkohësisht dhe balanca e zhvillimit kulturor e shpirtëror të një kombi.

Natyrisht, në kushtet e rënda të një okupimi shekullor, ku padija, injoranca dhe prapambetja ishin thembra e Akilit, dhe ku numri i analfabetëve ishte tragjik, shtrohej detyra e shkrimit të shqipes, në mënyrë që ajo të arrihej të mësohej në shkollat fillore të Shqipërisë, kryesisht nga fëmijët shqiptarë. Hapja e një rrjeti shkollash shqipe, që zuri vendin kryesor në ideologjinë e Rilindjes sonë, lidhej domosdoshmërisht me hartimin e abetareve për mësimin e kësaj gjuhe dhe të copave të leximit që do të shoqëronin këto abetare. I detyrohemi veçanërisht periudhës së Rilindjes sonë që, si në të gjitha fushat e jetës shpirtërore dhe materiale, dha kontributin e pakrahasueshëm dhe në fushën e letërsisë sonë për fëmijë dhe kjo njihet së pari si meritë e abetareve të para të shkrimit të shqipes, të cilat veç të tjerash ishin të pajisura me tekste leximi për dhënien e njohurive dhe mësimin e gjuhës.

Por duke ditur që një nga qëllimet kryesore të rilindasve ishte dhe edukimi i brezit të ri, te i cili ata shihnin ardhmërinë dhe që letërsia për fëmijë misionin e parë ka edukimin, këta autorë të parë të abetareve kanë meritën se, me pjesët e tyre të leximit hapën siparin e letërisë së shkruar shqipe për fëmijë. Ndërkohë që shekulli i XIX, për të cilin po flasim, kishte krijuar kryevepra të pavdekshme në thesarin e librit për fëmijë, duke nxjerrë Andersenin, Grimët e mëdhenj, Koladin, Karolin, Tuenin, De Amiçin, me vepra që dhe në kohrat moderne vazhdojnë të tregojnë se si shkruhet një letërsi për fëmijë, ajo e jona po hidhte hapat e saj, e brishtë, e varfër, e vogël, po megjithatë ekzistente, si për të treguar se dhe në mes të shkretëtirës mund të gjendet një oaz, mund të mbijë një filiz.

Megjithëse shkëputja e letërsisë sonë për fëmijë nga abetaret dhe librat e këndimit ishte mjaft e vonë, përsëri ne mund të pohojmë me bindje se kjo letërsi, së paku deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, bëri jetën e vet pikërisht në këto abetare dhe u zhvillua si letërsi artistike plotësisht në funksion të shkollës shqipe dhe të mësimit të gjuhës amtare, të përhapjes së dijes jo vetëm te të vegjlit, por dhe te analfabetët e rritur, pra u zhvillua në funksion të edukatës kombëtare të të gjitha moshave.

Por le të ndalemi më konkretisht te tri abaterat e para të shkrimit të shqipes, për të hetuar në to fillesat e letërsisë për fëmijë, dhe për të parë se cila prej tyre shënon fillimin e kësaj letërsie. Akademiku Bedri Dedja thekson se: “Letërsia origjinale artistike për fëmijë , me sa dimë gjer tani në bazë të të botimeve të njohura, fillon me veprën e Kristoforidhit. Alfavitari është vepra e parë origjinale e Kristoforidhit për fëmijë”. Afavitari i Kristoforidhit,i cili përmban copza leximi nga bibla, portrete kafshësh dhe shpendësh, vjershën “Ylli i vogël lart në qiell” dhe përrallën “Dy dhitë “, sigurisht është një nga kontributet më të mëdha të fillimit të letërsisë sonë për fëmijë, me vlerë të pamohueshme, por nëse ndalemi te “Evëtari” i Veqilharxhit dhe vështrojmë me kujdes anën letrare të tij, del se fillimet e letërsisë origjinale shqipe për fëmijë duhet t’i kërkojmë pikërisht atje. Këtë e thekson dhe Prof.Rexhep Qosja, i cili thotë: ” Pas Naum Veqilharxhit, ndër shkrimtarët e romantizmit tonë që do t’i kushtojnë kujdes letërsisë për fëmijë, dallojmë Kostandin Kristoforidhin, i cili në “Alfavitarin shqip” do të botojë disa copa letrare për fëmijë, kurse në dorëshkrim do të lerë dhe vjershën e përshtatur prej letërsisë angleze ”Ylli i vogël lart në qiell” dhe Sami Frashëri, i cili në “Abetaren e gjuhës shqip”, të botuart në vitin 1886, do të sjellë një sërë prozash të shkurtra pëtr fëmijë.”

Ky pohim i Prof. Qoses është i saktë për sa i përket Naum Veqilharxhit, i cili cilësohet prej tij si shkrimtar për fëmijë. Ka disa arsye pse duhet të vlerësojmë Veqilharxhin të tillë:

Së pari, sepse në fletën e parë të abetares së vitit 1844 gjendet strofa e një poezie shqip me titull “Epar e të mësuarit frikë e perëndisë”, ku autori reket të japë një shpjegim të vështirësive që mund t’i dalin kujtdo kur nis një punë, duke pasur parasysh veten dhe ata që do të mësojnë shqip me këtë evëtar, dhe gjithashtu në faqen e dytë të abetares së një viti më pas, ai vendos një tjetër vjershë me katër vargje: “Kurkush në mënt të vet./ Mos mburet se ndiçfet./ Pa dashun i madhi zot./ Fletë pema s’lëshon dot”. Siç e shohim, këto dy strofa të tij nuk janë pa vlera letrare, ato janë brenda stilit të tij të këshillave dhe porosive morale, me ngjyresë fetare, gjë që ai do ta zhvillojë më tej në porositë dhe fjalët e urta që do të botojë në abetaren e dytë. Këto dy strofa origjinale shënojnë, pa dyshim, fillimin e letërsisë shqipe për fëmijë.

Së dyti, ai boton një sërë porosish morale dhe fjalë të urta dhe këto përforcojnë profilin e tij si shkrimtar që inicion letërsisë për fëmijë, sepse dihet se qëllimi kryesor i letërsisë për fëmijë është edukimi, pavarësisht se te këto fjalë të urta spikat dukshëm moralizimi i hapur, gjë që është e kuptueshme për stadin fillestar të zhvillimit të kësaj letërsie. Këto porosi më pas do t’i shohim të shfaqura në një formë apo tjetër dhe te Samiu, Mjeda, Naimi etj. Porositë e tij janë të ngjashme me porositë biblike: ”ndero prindërit, ndero zotin, mos vidh, mos i bëj keq tjetrit, mos u zi, trego fajin mos u mburr” etj. Këtij funksioni i përgjigjen dhe 16 pjesët e shkëputura nga historia e Dhjatës së Vjetër, të cilat ai i quan ”mpsomje”, në të cilat spikat aftësia e tij selektive për të sjellë 16 histori moralizuese dhe filozofike nga Libri i Shenjtë dhe që iu vlejnë fëmijeve.

Së treti, pavarësisht se këto shkrime nuk u takojnë gjineve dhe llojeve letrare, nuk mund të mos vërehet vlera letrare artistike e gjuhës së tyre. Në këto shkrime mund të vërehen vlera estetike, të cilat duken sidomos në naracionin e thjeshtë, të qetë dhe pa teprime, në nelogjizmat që përdor ai, jo vetëm për pastëritnë e gjuhës, por dhe për t’i dhënë frazës ngjyrim emocional. ”Veqilharxhi shkruan me një gjuhë të urtë dhe poetike që është gjuha e shkrimeve profetike

Nga sa theksuam më sipër, nuk ka dyshim se Veqilharxhi me “Evëtarin” e tij shënon fillimin e letërsisë sonë për fëmijë. Shtypi rumun i kohës në një artikull të Raduleskut, na e vërteton këtë kur shkruan: ”Meriton të kihet parasysh dhe të lavdërohet përpjekja për të cilën ky burrë i kulturuar, 20 vjet të jetës së tij iu kushtoi shpikjes së këtyre shkronjave, po përpiqet ky vëllai juaj që t’u japë bazat e një letërsie”.

Më pasdo të ishte Kostandin Kristoforidhi me” Abetar shqip” (1872), (A.Bishqemi argumenton në një shkrim të tij se kjo abetare duhet të mbante si vit botimi 1866, për disa arsye që ai i parashtron aty), që siç u përmend më sipër është vepra e parë origjinale e tij për fëmijë, në të cilin do të përfshiheshin copa me karakter letrar dhe tregime fetare, të cilat janë të ilustruara me skica dhe këshilla për fëmijë. Kristoforidhi shkon një hap më përpara se Veqilharxhi, jo vetëm me pastërtinë e gjuhës, me afrimin që iu bën ai dialekteve, por në këto copëza ai paraqitet dhe një njohës i mirë i botës dhe psikologjisë së fëmijve. Ashtu si Veqilharxhi dhe ai iu referohet së pari teksteve biblike, Dhjatës së Vjetër dhe të Re, të cilën ai e njeh shumë mirë dhe si përkthyes i teksteve biblike.Ai iu referohet këtyre shkrimeve duke selektuar copëza të këndshme leximi me mesazhe të fuqishme edukuese, ashtu siç di të mësojë vetëm “Libri i Librave”. Por Kristoforidhi nuk qëndron vetëm këtu; nga copëzat me karakter fetar ai kalon në artikujt letraro – shkencorë, duke na dhënë një sërë portrete kafshësh dhe shpendësh me një rigorozitet të madh shkencor. Shkurt, qartë dhe në mënyrë që fëmija ta thithë sa më shpejt njohurinë, ai jep cilësitë kryesore të kafshëvë, llojet në të cilat ndahen, si ushqehen, si jetojnë etj, dhe e gjitha kjo në jo më pak se 20 rreshta. Ai mundohet të fusë në këto copëza humorin si dhe shembujt nga jeta, psh tek “Merimanga” ai thotë: ” Çunat e këqinj janë si merimanga që gënjejnë të tjerët, për t’i prishur të tjerët dhe ata që venë prapa tyre janë porsi mizat budallaqe, që shkojnë me këmbët e veta dhe bien në lak”.

Veçanërisht duhet përmendur te abetarja e Kristoforidhit vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” , që mund të cilësohet pa frikë si një nga poezitë më të bukura për fëmijë që dhe sot vazhdon të zërë vend në tekstet shkollore. Kjo vjershë është frymëzuar nga poetet angleze En dhe Xhejn Tejlor, të cilat në vitin 1804 botuan përmbledhjen e tyre poetike për fëmijë, ”Poezi origjinale për mëndje fëminore”, e cila përbën një nga kryeveprat poetike për të vegjlit në shekullin e XIX dhe poezia më e mirë e këtij vëllimi është cilësuar nga kritika “Thë stars at night”. Prof Odise Grillo në veprën e tij “Panoramë letrare”, ka mundur të sjellë versionin original të kësaj poezie, përkthimin e poetit Zyber Elshani dhe vjershën e Kristoforidhit dhe duke i krahasuaar këto tre krijime del se Kristoforidhi ka bërë një krijim original dhe të papërsëritshëm duke marë prej motrave Tejlor vetëm simbolin e yllit dhe të qiellit. Vjersha me të drejtë mund të cilësohet si një perlë e krijimit artistik në vargje për fëmijë. Vlen të përmendim në këtë kuadër dhe përrallën “Dy dhitë”, ku ai shfrytëzon me mjeshtëri një motiv ezopik, për të dhënë më pas një krijim original me vlera artistike dhe morale, ku tregohet se ku e çon njeriun toleranca dhe mungesa e saj.

Fillesat e letërsisë për fëmijë në abetaret e para mbyllen me “Abetare e gjuhës shqip”(1886) e Sami Frashërit, e cila i kalon kufijtë e tekstit shkollor me artikujt tregimet e përrallat që përmban. Samiu në këtë abetare paraqitet jo vetëm si linguist dhe pedagog i shquar, por dhe si shkrimtar për fëmijë, sepse pjesët e abetares së tij janë shembull i gjuhës letrare shqipe dhe janë shkruar në mënyrë të tillë, që së bashku me mësimin e gjuhës shqipe të ngjallin tek të vegjlit ndjenja fisnike dhe t’ju rrënjosin atyre koncepte të drejta morale.

Si shkencëtar,i kombinuar më së miri me pedagogun, ai krijon artikuj letrarë më karakter mësimor si delja, fotografia, anija etj, të cilat kanë karakter diturak dhe japin njohurinë e domosdoshme për mëndjet fëminore. Pra, ndryshe nga Kristoforidhi, ai e shtrin rrezen e vështrimit jo vetem mbi objekte të botës shtazore, por dhe asaj materiale e kozmike.

Atë frymë edukuese dhe moralizuese profetike, që Veqilharxhi dhe Kristoforidhi e përcollën me tregimet biblike, Samiu e përcjell me përallat e tregimet e tij origjinale, të cilat janë vërtet tërheqësë dhe me vlera letrare. Tregimet: “Të vijë keq për gjërat me shpirt”, “Mos e fshih fajin “, “S’ka googol” etj, ai i harton bukur me shëmbuj të gjallë nga jeta e fëmijve, pa nguruar të japë në to mësimin moral.

Ndërsa përrallat janë kryeveprat e tij në prozë, të cilat dhe pse të marra nga subjekte të njohura popullore ose fabulistike, flasin shumë për aftësinë e Samiut si mjeshtër për depërtimin në botën e fëmijve. Katër përrallat më të bukura të abetares janë; ”Dheu është flori”, “Mbollën të tjerët ha ti, mbill ti të hanë të tjerët”, ”Kush s’punon mbetet i uritur” dhe “Fili”. Ajo që të bie në sy menjëherë, është se tematika kryesore e tyre fokusohet tek puna. Me sa duket, Samiu si pedagog e ka kuptuar se një ndër vlerat kryesore për edukimin e njeriut është puna.Ndërsa tregimi “Soloni dhe Krisua”, nga mesazhi që përcjell dhe vlerat artistike, është më e realizuara në gjithë prozat e tij. Mesazhi filozofik që ai përcjell përfshin gjithë moshat, duke na dhënë mësimin e madh se: ” Të lumturit s’bëhet vetëm me pasje, se shumë të pasur janë aq të mjerë sa u kanë zili të varfërve”. Dhe vjen dita që Krisua kupton drejtësinë e fjalëvë të Solonit dhe gjen në to të vërtetën e përjetshme.

Gjithë sa përmëndëm më sipër padyshim vlejnë të cilësonen jo vetëm si fillesa, por dhe si zhvillimi i letërsisë sonë për fëmijë, e cila gradualisht, nga abetarja në abetare, nga njëri libër shkollor te tjetri, reket ta çajë kornizën e këtij kuadri dhe të dalë si degë e pavarur në trungun e letërsisë së kombit tonë. Këto fillesa të rëndësishme vendosën themelet e shëndosha, mbi të cilat u zhvillua gjithë letërsia jonë për fëmijë, jo vetëm gjatë Rilindjes, por dhe më tej.

Filed Under: LETERSI

NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA

December 4, 2025 by s p

Prof. Besim Muhadri/

Libri me poezi “Merre rrugën, çupë”, i Linda Kashah shfaqet si një dëshmi krijuese e një zëri të formuar, të brendshëm dhe të sinqertë. E një zëri që e kërkon veten në kufijtë ndërmjet përvojës dhe metaforës, ndërmjet heshtjes dhe shpërthimit, ndërmjet ndjeshmërisë së pambrojtur dhe qëndrueshmërisë poetike. Poezia e saj nuk mbështetet te efekti i menjëhershëm, por te një lloj përthekimi i ngadaltë, që lexuesin e fut në thellësi përmes gjuhës së qetë, por me tension të brendshëm. Linda Kashah lindi dhe u formua në Gjirokastër, një qytet që ka prodhuar brez pas brezi krijues, intelektualë e poetë. Ky kontekst i brendshëm kulturor, i ndërlidhur me studimet e saj në gjuhë-letërsi dhe më pas me diplomimin e dytë në degën Ekonomi–Turizëm, krijon një bazë të gjerë mbi të cilën shtrihet edhe poezia e saj.

Përvoja e saj disavjeçare si mësuese dhe pedagoge nuk ka formuar vetëm njohjen teorike të letërsisë, por edhe ndjeshmërinë e vëzhgimit, nuancën e mendimit dhe qartësinë e shprehjes. Pjesëmarrja e saj në aktivitete kulturore, konferenca brenda dhe jashtë vendit, si dhe përfshirja në shoqata të poetëve, kanë ushqyer një vizion të hapur estetik, që shfaqet dukshëm në këtë libër.

Një trup i butë që fsheh një strukturë të hekurt

Poezia e Linda Kashah karakterizohet nga një gjuhë e qetë, e matur, e cila në dukje vjen si e përkorë, por mban brenda tension poetik. Fjala e saj është e kursyer, e pastër, e zhveshur nga stërngarkesa retorike. Kjo i jep vargut një cilësi të veçantë: ai bëhet i butë në sipërfaqe dhe i prerë në brendësi, një lloj qetësie që fsheh një të vërtetë të nënkuptuar. Ajo shmang ekzagjerimin retorik dhe i beson fjalës së thjeshtë, por të vendosur. Në këtë mënyrë, poezia e saj e fiton forcën pikërisht nga kursimi: asgjë nuk është e tepërt, asgjë nuk shfaqet për efekt. Ndonëse vargu i saj ka një qetësi të dukshme, ai shpesh hapet si një metaforë e gjatë, si një rrëfim i nënkuptuar, ku fjala ndërton ura të padukshme drejt një përvoje më të gjerë. Shpesh, ajo i le fjalës detyrën që të mbartë heshtjen – një heshtjeje që flet më shumë sesa vargu.

Ndërmjet brendësisë dhe botës së jashtme

Në këtë libër, temat shfaqen si rryma të nënujshme që dalin mbi sipërfaqe në forma të përmbajtura poetike. Dominon kërkimi i njeriut brenda vetes, përvoja e humbjes dhe e qëndresës, lëvizja e vazhdueshme e brendshme që nuk kërkon përgjigje të mëdha, por kuptime të vogla, të thella. Humbjen dhe mungesën Kashah i trajton me një lloj qetësie filozofike, jo si dramatikë, por si pjesë të natyrshme të ekzistencës. Dashurinë dhe premtimet e thyera në poezinë e saj nuk ofrohen si motiv klasik sentimental, por si përvoja që rikrijojnë identitetin e vetë poetes.

Në shumë poezi koha është e pranishme si rrjedhje e padukshme, që ndryshon njeriun, e zhvendos, e shpërfaq ose e rikthen tek fillimet. Poezia e saj nuk këndon dhimbjen, por e përpunon atë; nuk i frikësohet zbrazëtisë, por e kthen atë në përvojë estetike.

Ndjeshmëria si këndvështrim – një trup poetik që dëgjon botën

Në qendër të librit është ndjeshmëria, jo si dobësi, por si një metodë për të lexuar botën. Linda Kashah e percepton realitetin përmes dallgëzimit emocional, duke e kthyer çdo situatë në një reflektim të brendshëm. Ajo nuk zhytet në patetizëm, as nuk synon shkëlqimin e menjëhershëm, përkundrazi, ndërtimi i figurave poetike në poezinë e saj është i matur, i përzgjedhur dhe i qëllimshëm.

Ky pozicion e vendos atë te poetet që i besojnë introspeksionit, meditimit të heshtur dhe bukurisë së nënkuptuar. Poezia e saj të kujton se fjala nuk është gjithçka, por vetëm dera drejt një përvoje të cilën lexuesi e plotëson. Në shumicën e poezive të vëllimit poetik “Merre rrugën, çupë”, i Linda Kashah, vargu është i shkurtër, i prerë, i konceptuar për t’u lexuar me pauza. Ritmi nuk vjen nga rimimi, por nga përplasja e imazheve, nga kthesa e papritur e mendimit, nga vendosja e fjalës në vendin e saktë. Figura poetike shpesh përbëhet nga elemente të thjeshta: dritë, re, shi, hije, fjalë, duar, hapësirë, etj. Në duart e poetes këto elemente marrin një ngarkesë të re semantike, si të kishin një jetë të vetën.

Në vend të përfundimit

Libri “Merre rrugën, çupë” i Linda Kashah është një kontribut i rëndësishëm për poezinë e sotme shqipe, pikërisht sepse sjell një zë që nuk përpiqet të ngjasojë me të tjerët. Ajo i qëndron besnike një stili të vetin, të cilin e ka ndërtuar qetë, pa bujë, por me përkushtim letrar. Vlera e këtij libri qëndron në origjinalitetin emocional, që nuk bie në klishe; në pjekurinë e vargut, që nuk kërkon të impresionojë, por të depërtojë; në ndjeshmërinë moderne, që shikon botën me sy kritik, por edhe të butë dhe në artikulimin e qartë poetik, që ndërton kuptime shumëplanëshe me pak fjalë.

Në një kohë kur poezia shpesh anon drejt eksperimentit të tepruar ose ndaj retorikës së dukshme, zëri i Kashah-it ofron një kundërpeshë të domosdoshme: qetësinë, elegancën dhe përkushtimin ndaj brendësisë.

Dhe krejt në fund mund të themi se ky libër poetik nuk kërkon lexues të etur për efekt të menjëhershëm, por i fton ata që dinë të ndalen, të dëgjojnë, të lexojnë midis heshtjeve dhe pauzave. Poezitë e Linda Kashah janë si një dhomë e brendshme që hapet ngadalë, ku fjala bëhet dritë, kujtim, hije, mendim dhe ku lexuesi gjen jo vetëm poeteshën, por edhe veten. Libri “Merre veten, çupë” vjen si një dëshmi e pjekurisë krijuese të një autoreje që e ka ushqyer zërin poetik përmes përvojës jetësore, përditshmërisë arsimore dhe kontaktit të vazhdueshëm me tekstin e shkruar.

(Linda Kashah: “Merre Veten, çupë”, botoi “Lena Graphic”, Prishtinë 2024)

Filed Under: LETERSI

Petro Marko, pasardhës i Gjin Bua Shpatës, që nuk u bë dot vasal

November 25, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës, lindi shkrimtari Petro Marko, një personalitet dhe krijues i rëndësishëm i letërsisë shqipe, mik i rëndësishëm i Heminguejt. Ai iku në amshim më 27 dhjetor 1991dhe është varrosur, sipas amanetit, pa ceremoni. Petro Marko, mjeshtër i poezisë, gazetar rebel, njeriu i burgosur dhe gjithmonë i lirë, në radhë të parë është prozator i madh. Mundet të thuhet, me bindje dhe argument, se librat e tij, hodhën themelet e këtij zhanri, sidomos në rrugën e shkrimit bashkëkohor të letrave shqipe.

Jeta e Petro Markos, në vetëvete, është si një roman. Shkoi në luftë në Spanjë, u internua dhe u burgos në Itali, u burgos në vendin e tij, iu ndalua botimi, iu persekutua familja, iu fshi kujtesa e krijimtarisë së tij me ligjin totalitar, duke e përjashtuar nga antologjitë shkollore dhe historia e letërsisë.

Shpirti i njeriut që luftoi për humanizëm brenda tij nuk u shua kurrë, përkundrazi u përtëri, si një lloj feniksi, nga vepra në vepër, përmes personazheve si Gori Gjinlekës te “Hasta la vista”, personazhi i Lekë Gurrës te romani “Qyteti i jugut”, personazhi i Andrea Borës tek romani “Nata e Ustikës”, apo personazhi i Gjin Bua-s tek romani “Një emër në katër rrugë”.

Me Gjin Bua Shpatën, dhe dinastinë e tij, siç thotë studiuesi Bardhosh Gaçe, shkrimtari lidh dhe origjinën hershme të familjes së tij.

Kryezoti çam Gjin Bua Shpata, (që sundoi aty nga fundi i shek. XIII-të në Epir) ishte i vetmi prijës shqiptar në histori që nuk pyeti për kisha e xhamia, nuk pranoi të kurorëzohej nga Papa i Romës dhe Bizanti, i vetmi në historinë shqiptare që nuk i sherbeu vasal asnjë ushtrie të huaj, i vetmi që mposhti ushtritë Serbe, Bullgare, Turke, Napolitane, Venedikase, i vetmi që pati pavarësi sundimi.

Ja ç’thotë, për origjinën e Petros dhe të fisit, studiuesi dhe shkrimtari Gëzim Llojdia, duke iu referuar shënimeve të Petros: “Me sa kam dëgjuar, me sa di unë, rrjedh nga një familje që ne fshatin Dhërmi quhet Bua. Shekuj më parë në fshatin tonë erdhi për t’u strehuar Gjin Bue Shpata, nipi i luftëtarit Gjin Bue Shpata. Ai, nipi, siç thonë pleqtë, banoi ne një vend midis Shenapremtes dhe Shën Theodhorit, aty ku kishte nomenë Zhupa dhe qe quhet Paloshpita. . . Pastaj erdhi dhe ndërtoi një konak, nën Qëndushen, aty ku ende i themi Konaku i Gjinit. Aty i linden dy djem: Markoja dhe Gjoni. Pak metra poshtë ngriti një kishe te vogël: Shën Janin, qe është ende. Djemtë e tij u rriten dhe ndërtuan shtëpi te tjera të vogla nen shpellën e Pano Gjinit. Markoja dhe Gjoni i bënë pranë e pranë. Aty, ne atë vend, Markajt Gjanet bënë shtëpi të tjera, se u shtuan. Edhe Buajt shtëpi pranë Konakut te Gjinit. Kështu që, shekuj me radhë Markajt, Gjonet, Buajt ishin një bark, një fis gjer vone, sa isha unë i ri, nuk martoheshin me -tjetrin. Kishin te drejtën e gjakut për njeri-tjetrin…”.

***

Në shtator 1985, bashkë me mikun dhe redaktorin tim Perikli Jorgoni, duke ecur nëpër bulevard, takuam për disa minuta Petron. Ai kishte dalë në ballkonin e vogël të apartamentit në katin e parë, mbi Bulevardin e Tiranës. Perikliu e pa dhe më bëri me shenjë t’i afroheshim. “Do ta ngacmoj pak, më tha dhe, sakaq, e përshëndeti si mik i vjetër: Si je ish- shkrimtar!

Petros duket se nuk i bënë përshtypje fjalët, nuk i lëvizi fare dhe, ashtu qetë-qetë, ia priti: “Në jetë mund të ketë president dhe ish-president, kryeministër dhe ish-kryeministër, por nuk mund të ketë kurrë ish-shkrimtar.”

Filed Under: LETERSI

ARBËRESHI QË U KTHYE NGA SHBA DHE NGRITI FLAMURIN PARA PAVARËSISË…

November 25, 2025 by s p

“Kartela të Realizmit të Dënuar”: Terenc Toçi.

Nga Visar Zhiti

Terenzio Tocci, nga Strigari i Zef Serembes në Kalabri, Itali, ku dhe u shkollua, në Shën Mitër, në kolegjin iluminist të De Radës. Kishte sindromin e bukur të dheut amë, të lirisë së tij dhe erdhi në Shqipëri. Ngriti Flamurin në Mirditë, një vit më parë se Ismail Qemali të shpallte pavarësinë e vendit, shkëputjen nga perandoria e mbetur otomane. Kryengritës nga natyra, i edukuar me frymën e fisit të vet, që nxirrte vazhdimisht kryengritës të çartuar që i pushkatonin, Terenc Toçi laurohet për Jurisprudencë në Universitetin e Urbinos në fillim të shekullit XX, punon në Romë, merret me “çështjen ballkanike” dhe vendos të luftojë me armë për vendin e të parëve. Ishte lidhur me djalin e Garibaldit, përbashkuesit të Italisë, garda e të cilit kishte qenë arbëreshe, dhe kurdisin një plan: Terenci do të vinte në Shqipëri, në Veri, do të kryesonte Kuvendin e Besës në Orosh për të krijuar një qeveri të përkoshme, kurse djali i Garibaldit, Riçoti, do të zbarkonte në bregdetin shqiptar me vullnetarë italianë, që do të sillnin armë. 30.000 kryengritës shqiptarë ishin gati tashmë, por ndihma nga bregu tjetër po vononte padurueshëm.

Plani qe penguar… Qeveria italiane… Evropa… s’dihej si e qysh.

Arbëreshit i hipin xhindet, inatin shqiptar e zbraz dhe në gazetat italiane. E ç’të bëjë tani për Shqipërinë? Themelon në Romë “La Rivista dei Balcani” dhe shkon në Shkodër, hap tjetër gazetë me emër mali “Taraboshi”, mbron Shqipërinë duke u sulur mbi këdo, edhe mbi Romën, megjithëse Italinë e mendonte aleaten e natyrshme të dheut amë.

Nën shembullin e Pashko Vasës boton dhe ai “Shqipëria dhe shqiptarët”. E thërrasin në Itali, ushtar në frontet e Luftës së Parë Botërore. Nxjerr revistën e re “Italia dhe Shqipëria”. Bashkohet me Ahmet Zogun. Merr detyrën e Prefektit në Korçë, pastaj drejtor i Zyrës së Shtypit në Tiranë, deputet i Shkodrës, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt, kryetar i Kazacionit, Sekretar i Përgjithshëm i Republikës Shqiptare.

Katër vajzat e tij studionin në Tiranë. Dhe beson te fashizmi, ashtu si Croce dhe D’Anunzio, “rilindësit garibaldianë”. E mendonte dhe si zgjidhje për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare. Pushtimi italian e bashkoi Kosovën, po ëndërronte Çamërinë, ndërsa e dënoi sulmin ndaj Greqisë. Me nazistët gjermanë nuk u përzie, por erdhën partizanët dhe ai s’iku, s’kishte pse, se me këdo që vinte, ai punonte veç për Shqipëri.

Kështu tha dhe në gjyq, kur e nxorën të lidhur bashkë me personalitete të tjera aty te kinema “Savoja”, që ishte bërë Teatri Kombëtar, në një nga lozhat e së cilës vëzhgonte me monokël diktatori i ri Enver Hoxha. “Pushkatim!” – ulërinte partizani i bërë gjeneral, Bedri Spahiu, i cili kishte pushtuar dhe vilën e Terencit, duke e mbyllur në bodrum familjen e tij. Po biblioteka e tij, mijëra vëllime, botime edhe të shekullit XIV, edhe pergamena, çdo të bënin me të fitimatrët?

Të 17 vetat e gjyqit i hipën në një kamion të mbetur nga lufta. Ishte prill ’45. Dhe një gropë e madhe, e pamëshirshme si krimi. Në muzg qëlluan mbi ta, breshër plumbash…

…dhe mbas 50 vjetësh, kur kishte rënë perandoria komuniste, u gjetën skeletet e tyre. Skeletet e historisë…

PËRTEJ KARTELËS…

– Terenc Toçi në SHBA –

Në fillim të shekullit XX, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara u bë qendra më e rëndësishme e çështjes kombëtare, e pavarësise së Shqipërisë. Në këtë mjedis të ri politik e shoqëror mund të themi se u përshfaqën dhe tre figura që për nga formimi, prejardhja dhe vizionet ndryshonin, por që i bashkonte e njëjta frymë, çlirimi i atdheut dhe krijimi i një shteti modern europian. Shkëlqyen Imzot FAN NOLI, perëndimori FAIK KONICA dhe… Në vitet kur mbërriti Toçi në SHBA, Fan Noli ishte tashmë figurë qendrore në koloninë shqiptare të Bostonit, drejtues i shoqërisë “Besa-Besë”, organizator komunitar dhe orator që po formësonte mendësinë politike të emigrantëve.

Noli shquhej për vizionin e tij demokratik, iluminist dhe për aftësinë për të mobilizuar njerëzit.

Konica do te drejtonte dhe gazetën “Dielli” dhe ishte një nga mendjet më të skalitura të diasporës. Elegant, kritik dhe i rreptë ndaj mungesave të shoqërisë shqiptare, Konica punonte për të krijuar një filozofi shtetformuese moderne. Njohës i thellë i historisë së atdheut dhe Ballkanit, ai sillte në SHBA përvojën e gjatë intelektuale nga Franca, Belgjika e Anglia.

Terenc Toçi mbërriti në SHBA më 1908–1909 në një mision të qartë: t’i bashkohej diasporën shqiptaro-amerikane për çështjen e lirisë së Shqipërisë. Përfaqësues i ëndrrës Toçi arbëreshe të Rilindjes, i sillte diasporës së re një vizion historik, europian dhe kulturor. Toçi u vendos në qendrat e Bostonit dhe të New Yorkut, aty ku Noli dhe Konica ushtronin aktivitetin e tyre.

Ka të dh;ena se Toçi mbante ligjërata mbi historinë, rolin e arbëreshëve, domosdoshmërinë e autonomisë. Noli, i cili kërkonte të ngrinte vetëdijen politike të kolonisë, e përkrahu frymën e këtij misioni.

Edhe me Faik Konicën, Toçi pati kontakte korrekte dhe të respektuara. Konicës i interesonte që diaspora të merrte një rol më aktiv në çështjen shqiptare, gjë që misioni i Toçit e ndihmoi drejtpërdrejt.

Kjo bashkëveprimësi përgatiti rrugën për krijimin e Federatës Panshqiptare “VATRA” më 1912, një arritje e madhe, me largpamësi mbi një shekullore…

Diaspora shqiptare në SHBA u aktivizua më fuqishëm në mbështetje të çlirimit të atdheut, që do të ndikonte drejtpërdrejt në ngjarjet e vitit 1911 dhe 1912.

VIT HISTORIK DHE 1911

– Kryengritja e Mirditës dhe Flamuri në Orosh –

Pas kthimit nga SHBA, Terenc Toçi shkoi në Shqipëri ku punoi për organizimin e malësorëve veriorë kundër sundimit osman.

Më 26 prill 1911, në Orosh të Mirditës, ai kryesoi një kuvend të madh të bajraktarëve dhe krerëve të krahinës.

Në atë kuvend:

– u ngrit përsëri Flamuri Kombëtar Shqiptar,

– u shpall një qeveri e përkohshme,

– Toçi u emërua drejtues i qeverimit të ri.

– Ky akt është një nga manifestimet më të hershme të vullnetit politik për autonomi dhe parapriu shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912.

Më pas Toçi u rikthye në Itali, ku vazhdoi rolin e përfaqësuesit të interesave shqiptare në qarqet arbëreshe dhe italiane.

Në kohën e monarkisë së Zogut I, ai u bë pjesë e administrates së shtetit shqiptar, duke shërbyer si: jurist, këshilltar, ndërmjetësues me diasporën arbëreshe. Ai mbeti zë i besueshëm për çështjet juridike dhe kulturore.

KUR VRANË NJË ARBËRESH

– vitet e pushtimit dhe 1945 tronditëse –

Gjatë pushtimit fashist (1939–1943), Toçi pranoi disa detyra në administratën civile të Shqipërisë nën dominimin italian. Roli i tij ishte kryesisht administrative dhe kulturor, pa pushtet real politik.

Pas çlirimit, regjimi komunist e arrestoi dhe e gjykoi për kolaboracionizëm, sipas standardeve të kohës.

Terenc Toçin më mire e kanë kuptuar historianët e huaj si ata italianë se sa bashkatdhetarët, që u kushtoi jetën. Ata shpjegojn:e se Terenzio Tocci bëhej me këdo në shërbim të Shqipërisë, nuk e zgjidhte ai regjimin apo nuk e sillte ai pushtuesin, etj, etj. Më 14 prill 1945, ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në moshën 65 vjeçare. Një mbyllje e hidhur dhe kriminale për një jetë kushtuar atdheut.

Por sot Terenc Toçi zë vend të rëndësishëm në panteonin e figurave historike me ndihmesën për shtetformimin shqiptar.

NË VEND TE EPILOGUT

– Libra, shtëpia, sheshi në Romë dhe filmi –

Janë botuar monografi për Terenc Toçin si në gjuhën shqipe dhe atë italiane, nga historianë italianë.

Unë kam patur rastin të çojmë një botim të ri të editorit “Toena”, me botuesin Fatmir Toçi, i njëjti mbiemër, te shtëpia e vajzës së Terenc Toçit. Na mirëpriti, u gëzua trishtueshëm, trauma e babait të pushkatuar mbetej e përhershme. Terenc Toçi familjen e kishte marre në Shqipëri dhe vajzat i edukoi në shkollë shqipe në Tiranë. Shtëpia e tyre ishte vila e bukur përballë Radio-Televizioni shqiptar, që tani e ka blerë Konsulli i Nderit, Ekrem Bardha, një vazhdues i ditëve tona i patriotizmit shqiptar në SHBA. Te porta e vilës është dhe një pllakë që dëshmon historikun e saj.

Ndërkaq në Fan të Mirditës është vendosur dhe busti i tij si ngritës i Flamurit Kombëtar.

Po unë kam marrë pjesë dhe në përurimin në një shesh të Romës të një rotonde që iu vu emri; “Terenzio Tocci”. U fol për atë si për një hero arbëresh të shekullit të kaluar deri në mbarimin e Luftës II Botërore.

Në rrethrrotullimin e zonës Mostacciano, pllaka e mermertë me emrin e tij ishte e mbuluar me dy flamuj, atë Shqiptar dhe atë Italian.

Pasi u dëgjuan dy himnet kombëtare të Italisë dhe të Shqipërisë, nipi i Terenc Toçit, që mbante po emrin e gjyshit të tij, falenderoi të pranishmit që kishin ardhur në ditën më të bukur të jetës së tij, bashkinë për vendimin e marrë, praninë e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Kujtoj që folën autoritete lokale, presidentja e komisionit të marredhënieve me jashtë nga Komuna e Romës, e cila theksoi se shqiptaro-italiani Toçi të bën për vete me bëmat e tij të guximshme në dobi të vendit dhe të njerëzve.

Më pas ndoqëm dokumentarin kushtuar arbëreshit Terenc Toçi “Mirazhi Adriatik” të regjisorit Gilberto Martinelli, autor i shumë filmave mbi raportet historike dhe diplomatike të Italise me vendet e tjera. Jetën e Terenc Toçit ai trajtoi si të një njeriu të lirë me një fund paradoksal tragjik.

Në shënimet e mia gjej se si titullar i Ambasadës së Shqipëri në Shtetin e Vatikanit, unë tregova atje për jetën e Terenc Toçit, vlerën e saj sot, si një urë miqësie dhe bashkëpunimi mes vendeve tona. Kultura katolike e arbëreshit tonë e bëri atë që të mos shikonte armiq në jetën e tij, por kundërshtarë me të cilët mund të bashkëpunonte… I vetmi arbëresh që kundëremigroi, erdhi t’i shërbejë çështjes kombëtare në dheun amë me penë dhe armë. Ngriti Flamurin kombëtar një vit para shpalljes së Pavarësisë, në Mirditën në 1911 ku kishte përgatitur kryengritjen kundër pushtimit otoman. Shtova se Terenc Toçi mori pjesë në Kongresin e Triestes më 1913 dhe pastaj në Shqipërinë e pavarur mori detyra të ndryshme, prefekt në Korçë, deputet, ministër i ekonomisë. Gjatë pushtimit fashisto-nazist të vendit ishte në Këshillin e Lartë Korporativ, etj. Sipas tij, përsërita, ai punonte me këdo në dobi te Shqipërisë dhe kur erdhën komunistët në pushtet, nuk iku nga Shqipëria, por priti të vazhdonte detyrat që mund t’i besoheshin. E pushkatuan në vitin 1945 me 16 të tjerë të dënuar me vdekje si kolaboracionistë. Historia duhet të pajtohet me veten, – përfundova, – të bashkëpunojmë për paqen për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë Euroatlantike.

Dhe sot mund të thuhen më shumë për Terenc Toçin dhe në SHBA…

Filed Under: LETERSI

KRONIKË ARTISTIKE E KUJTESËS

November 23, 2025 by s p

Mbi romanin “Eleganca e lotëve” e Iris Halilit.

Nga Bujar SKËNDO

Gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën vërtitet për dekada e shekuj në kaosin e kujtesës dhe harresës njerëzore. E shkuara është e ardhmja e kujtesës, kurse e ardhmja është e shkuara e harresës. Humbin, shuhen ndodhi, figura e thënie, nga njëra anë dhe ruhen, transmetohen e mbijetojnë ngjarje të tjera, personazhe të caktuar, bashkë me mënçurinë e tyre. Pikërisht kështu vijnë këto dy përmasa të kundërta të kujtesës në romanin “Eleganca e lotëve” të Iris Halilit.

Edhe pse asnjëherë nuk mund të dihet saktësisht ky raport mes harresës dhe mbijetesës së të shkuarës nga një shekull në tjetrin, nga një njeri te tjetri, mund të thuhet megjithatë, se kujtesa njerëzore është dëshmuar më vitale sesa harresa njerëzore. Një përpjekje e heshtur, shpesh e pavetëdijshme, seleksionon dhe gdhend në memorjen njerëzore pothuajse çdo gjë që meriton të kujtohet, çdo gjë që u lipset popujve dhe kohëve që vijnë. Dhe lë në harrëse, po aq e, ndoshta, edhe më shumë.

Romani “Eleganca e lotëve” mund të përcaktohet si kronikë artistike e kujtesës së një vajze të vogël që vjen e rritet së bashku me kujtimet e saj të fëmijërisë deri në vitet më të fundme. Autorja Iris Halili për një kohë të gjatë ka ruajtur në kujtesë tërë ato ndodhi, tërë ato portrete njerëzish të afërt e të largët, të mire e të këqinj, të mirat dhe të ligat që kanë ndodhur në familjen e saj prindërore dhe në jetën e saj të hershme deri në mëmentin që vendos t’i nxjerrë nga qilari i kujtesës së saj fenomenale për t’i bërë publike në një kronikë historike dhe bashkëkohor.

Në qendër të romanit, në bibliotekën e kujtesës së autores, është një familje tipike nacionaliste patriotike, e kamur, me një stërgjysh patriot, Hajredin Rakip Fratari- “burrë i madh”, dëshmor i Pavarësisë, por i lënë mënjanë nga pushteti. Me një gjysh, Rauf Fratari, patriot, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes dhe atë të Pezës, antikomunist, i aratisur në SHBA para vitit 1944, duke lënë pas hakmarrjen dhe urrejtjen e komunistëve ndaj familjes së tij. Dhe Fratari i tretë, Dinia që nuk i shpëtoi dot kalvarit të burgjeve çnjerëzore të komunistëve, por që pas ’90-ës, me mënçurinë e tij, riktheu kamjen e dikurshme të familjes.

Por në zemër të romanit qëndron një momument femëror, “nëna”, me tërë virtytet e një zonje të rëndë, nga derë e madhe. Zonjë e vërtetë në dashurinë dhe kujdesin për familjen e saj, zonjë në lexime e gjuhë të huaja, zonjë në artin e jetës… Por zonjë edhe me burrin të arratisur, zonjë edhe me djalin nëpër burgjet komuniste. Në atë bibliotekë kujtese ka vend për gjithçka. Ka vend për gëzimet dhe brengat, për mundimet dhe kapërximin e tyre. Për durimin dhe shpresën, për vlerat e vërteta e të shenjta njerëzore, për martirët e burgosur. E po ashtu… për një lule e për një lot kristali… Por ka vend edhe për të ligën, dhe për ligësitë e murtajës komuniste, për diktatorët e mëdhenj e të vegjël të saj…

Rrëfimtarja nuk vuan aspak për të rikujtuar. Përkundrazi, lexuesi ndien se ajo mezi pret çastin që nga moria e kujtimeve të saj, të zgjedhë e të qëmtojë ato episode, ndodhi, detaje apo thënie plot mënçuri që do e spikatnin edhe më me realizëm veçanërisht figurën që dëshiron të lartësojë, figurën e nënës (gjyshes), një figure artistike e mrekullueshme. E pangjashme në letërsinë tone. Figurë realiste dhe e glorifikuar, intelektuale dhe qëndistare, njëkohësisht. Grua e forte dhe delikate në të njëjtën kohë. Delikate si pikat e lotit që i rrjedhin faqeve, ndërsa pozonte përpara një piktori anonim ebre… E goditur egërsisht nga lufta e klasave në sistemin antinjerëzor komunist, por edhe me një shpresë hyjnore, thëngjilli i fshehtë i shpirtit të saj. Gjatë antijetës provoi të gjitha mundimet, brengat, plagosjet por preku edhe mrekullinë e jetës së lire pas vitit 1990. Një figurë artistike mbresëlënëse.

Episode e detaje të panumurta. Por asgjë e tepërt dhe asgjë e mangët. Nëpërmjet fatit të figurës së nënës dhe fateve të njëjta apo të përafërta të familjarëve të saj, Iris Halili sjell në faqet e romanit tërë Shqipërinë e pazhvilluar, primitive, tërë baltë e burgje, plot me spiunë, shefa të vegjël e shefa të mëdhenj gjakatarë, të pashpirt, të shquar për egërsinë dhe urrejtjen e tyre. Në roman ka një galeri të tërë detajesh artistike, vëzhgimesh, faktesh jetësore të përzgjedhura që na e sjellin shekullin e sertë të njëzetë shqiptar me një qartësi befasuese. Është aty gjithçka, patriotët dhe të kundërtit e tyre, komunistët, të ndershmit dhe të përdalët, të duruarit dhe të çmendurit pas pushtetit, të mëshirshmit dhe egërsirat, varrmihësit, të mallkuarit, besimtarët dhe të pafetë… Kujtesa e saj shkëlqen në vizatimin e çdo figure të romanit, figurë kryesore apo episodike, qoftë, i familjes apo i sistemit diktatorial… I mjafton një togfjalësh për të shpërfaqur një tabllo, një virtyt, një ves, një moral, një emër: “turistët e Ballshit”, “vajza me karafil”, “kthesat e Qafë Barit”, “Portreti në papafingo”, “xhaketa e Thanasit… e deri te barkderrja spiune Hysnia- nënpunëse në Komitetin e Partisë së Tiranës…

Romani “Eleganca e lotëve” ka shumë tragjizëm brenda vetes. Fate të rënda njerëzore, burgime të gjata, vrasje, urrejtje, dënime, persekutim brezash. Druajtje e frikë nga spiunët të cilët depërtonin deri në tryezën e ngrënies… Vajza e vogël rregjistron çdo gjë, çdo fjalë, çdo rrudhje buze apo vështrim i vrëngët. Dhe vë re shumë baltë. Shumë vuajtje. Autorja nuk shtanget aspak përpara gjithë këtyre mënxyrave. Fantazia e fëmijës, kujtesa e saj i shpërfill të tëra këto. Disa nga që nuk i kupton dot dhe të tjera nga që i kupton me tepëri. Herë mahnitet prej atyre kujtimeve e herë trembet prej tyre. Por nuk ndalet. Sepse vendin qëndror në kujtesën e saj e zë nëna, me besimin e saj në zot, me shpresën dhe “shqisën e gjashtë”, me kurajon dhe qëndresën, me besimin se “gjethet do të binin një ditë plotësisht”… Është pikërisht figura e nënës që ruan edhe raportet midis kujtimeve të mira dhe kujtimeve të liga.

Aq sa të duket sikur zgjedhjen, seleksionimin e tyre e bën pikërisht shëmbëlltyra e saj. Është e çuditshme ajo që ndodh me kujtesën e rrëfimtares. Por tashmë gjithçka është fakt i kryer. Kujtesa njerëzore priret të ruajë të mirën, të bukurën, çastet e lumtura. Dhe, njëkohësisht, të harrojë të ligën. Pak a shumë kështu funksionon. Në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdiijshme. Por në roman ka një prani të shtuar të kujtimeve të liga. Dhe kjo përbën atë gjënë e çuditshme. Rrëfimtarja i do kujtimet e saj. Të gjitha, të mira apo të liga qofshin. Madje këto të fundit, kujtimet e liga, duket sikur i ka më të çmuara. Kujtimet e liga ia kanë sulmuar trurin e rrëfimtares së ardhshme në mënyrë të pashembullt. Dhe për një kohë të gjatë, tepër të gjatë. Ndoshta asaj i duket se është rritur bashkë me ato kujtime të liga, të frikshme. E ndonjehërë, në mos shpesh herë, plot ankth. Por, çuditërisht, pa u trembur aspak prej tyre.

E mira shfaqej vetëm brenda familjes dhe vetë qënies së vajzës së vogël. E keqja, përkundrazi, ishte e shpërndarë kudo dhe të përplasej fytyrës sapo dilje nga pragu i derës. Të sulmonte, të fyente, të kallte datën. Por ajo e ligë reflektohej edhe brenda shtëpisë, brenda qënies tënde. Ajo ligësi shumëfishonte veten dhe sundonte gjithandej. Ndoshta, shpesh herë, rrëfimtares, i është dukur se jetonte në dy jetë paralele. Një jetë brenda familjes dhe, veçanërisht, brenda vetvetes dhe jeta tjetër jashtë, në rrugë, në lagje e deri lart në qeveri, tejet armiqësore ndaj jetës së pare, aggressive, hakmarrëse, shtypëse. Kështu eci ajo midis jetës së saj të parë dhe të dytë, si të ecte buzë të humnerës.

Por fëmija nuk di t’a vrasë mendjen aq thellë. Kështu që ajo i lë hapësirë në trurin e saj të dyjave, kujtimeve të bukura dhe kujtimeve të liga. Deri në momentin kur vendos t’i nxjerrë jashtë vetes për të krijuar sagën e pashembullt të memorjes së saj vitale. Rikujtimi i kujtimeve të bukura e lumturon sërish vajzën e vogël, tashmë grua. Kurse kujtimet e këqia, që kur kishin ndodhur e kishin lënduar, plagosur, ndrrydhur brenda vetes vogëlushen, ajo e dinte se tashmë, duke i publikuar, mund t’a plagosnin sërish. Por rrëfimtarja e kishte vendosur. Do të hakmerrej edhe ndaj plagëve të dikurshme dhe ndaj atyre të rejave. Pikërisht duke ua dhënë lexuesve kujtimet e saj, të mira e të liga bashkël. Kështu ajo beson se do të shërojë veten, njerëzit e dashur, por edhe tërë lexuesit e saj. Ajo shkruan kronikën e kujtimeve të saj.

Por në këtë moment, sërish mund t’i mund ndodhte gjëma. Të shtangej, të trembej nga “zbrazja” e asaj të keqeje aq të dëndur, të pamasë, të stërmadhe, të shëmtuar, të pështirë! Por jo. Tashmë ajo jeton në liri, është e lirë. Ndihet e mbrojtur nga liria. Ajo vetë dhe kujtimet e saj. Prandaj ne e kemi në dorë këtë roman sot. Me rrezatimin e dritës dhe shpresës, të të mirës, të të bukurës. Dhe, gjithashtu, me të keqen më të madhe, më të ligën armike të njerëzimit në shekullin e njëzetë, diktaturën komuniste.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 297
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS
  • Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë
  • Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago
  • Join us on May 3rd for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair — a full day of Albanian pride, culture, food, music, and family fun!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT