• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ivanoviq në sytë e dy autorëve francezë: Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel

June 29, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në librin e tyre “Në pasqyrën e luftës: Reflektime mbi luftën e Kosovës”, Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel ofrojnë një portret kritik të Oliver Ivanoviqit, duke e paraqitur atë si një nga figurat kryesore të nacionalizmit serb në Mitrovicën e pasluftës dhe si një aktor që kontribuoi në institucionalizimin e ndarjes etnike në veri të Kosovës. Ky interpretim bie në kontrast me imazhin më të vonshëm të Ivanoviqit si politikan pragmatik dhe i moderuar, të promovuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas autorëve, një nga shfaqjet më të qarta të këtij pozicionimi ishte kundërshtimi kategorik i integrimit të studentëve shqiptarë në Universitetin e Mitrovicës. Deklarata e tij se ishte “e pamundur” të përziheshin studentët serbë dhe shqiptarë, si dhe insistimi që secila palë të vazhdonte arsimin në sisteme të ndara, interpretohet si mbështetje e hapur për segregacionin etnik në sferën arsimore. Në këtë kuptim, universiteti nuk shihej si hapësirë e bashkëjetesës dhe integrimit, por si instrument i ruajtjes së kufijve etnikë dhe politikë.

Një tjetër element i rëndësishëm i analizës së Brossat dhe Potel lidhet me mbështetjen që Ivanoviqi u jepte projekteve për kantonizimin e Kosovës dhe krijimin e strukturave të veçanta serbe të sigurisë. Kërkesa për themelimin e “kantoneve serbe” dhe të të ashtuquajturës “Trupë e Mbrojtjes Serbe” dëshmon, sipas autorëve, për një strategji të ndërtimit të institucioneve paralele dhe të autonomisë territoriale serbe jashtë kornizës së institucioneve të përbashkëta të Kosovës. Kjo qasje shihej si vazhdimësi e politikave të ndarjes etnike dhe si përpjekje për të penguar integrimin e veriut në rendin e ri politik pas vitit 1999.

Autorët vënë në pah gjithashtu kundërshtimin e Ivanoviqit ndaj procesit të çmilitarizimit të UÇK-së dhe krijimit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Sipas tyre, deklaratat e tij se marrëveshja për transformimin e UÇK-së “nuk kishte asnjë vlerë” dhe kërkesat për krijimin e një force të armatosur serbe përbënin një përpjekje për të legjitimuar organizimin e strukturave ushtarake serbe në Kosovë. Në këtë mënyrë, ai nuk paraqitej si promotor i çarmatosjes dhe pajtimit, por si mbështetës i ruajtjes së një balance të armatosur etnike.

Po ashtu, Brossat dhe Potel i lidhin tensionet e Mitrovicës me veprimtarinë e grupeve të armatosura serbe, duke iu referuar vlerësimeve të KFOR-it se përplasjet nuk ishin rezultat i shpërthimeve spontane të dhunës, por i veprimeve të organizuara për nxitjen e konfliktit. Në këtë kontekst, Ivanoviqi shfaqet si një nga figurat politike më të rëndësishme të kampit serb që ushqente dhe artikulonte narrativën e konfrontimit etnik, duke kontribuar në konsolidimin e ndarjes së qytetit.

Prandaj, në interpretimin e autorëve francezë, Oliver Ivanoviqi nuk paraqitet si një aktor integrues apo i moderuar, por si një nacionalist radikal që kundërshtonte integrimin arsimor të shqiptarëve, mbështeste segregacionin dhe kantonizimin e Kosovës, promovonte krijimin e formacioneve të armatosura serbe dhe kontribuonte në ruajtjen e tensioneve ndëretnike në periudhën e menjëhershme pas luftës. Megjithatë, ky vlerësim duhet të lexohet brenda kontekstit politik të viteve 1999–2000, kur konfliktet për kontrollin e Mitrovicës dhe për përcaktimin e rendit të ri institucional ishin ende të hapura dhe jashtëzakonisht të polarizuara.

Filed Under: LETERSI

“I ARRATISURI”, ROMANI ONTOGJENIK I TAIP SULKOS…

June 26, 2026 by s p

Arben Iliazi/

-Një kompleksitet i pazakontë të strukturës së mendimit dhe fjalisë, na imponohet në këtë vepër me një koherencë të madhe gjuhësore dhe stilistike…

-Si shkrimtar i avangardës krijuese, Sulko i jep vetes të drejtën për të diktuar rregullat kategorike të shpirtit, duke e bërë botën një dukje të shpirtit…

E vërteta është vetëm liria dhe çmimi që paguhet për të. Pa këtë liri toka shndërrohet në një ferr të vërtetë. Në romanin “I arratisuri”, ngritur mbi një univers irracional, ferri është përqëndruar në një qytezë të quajtur Anadell, dhe është një ferr që rrezaton një fashë drite për të gjithë botën shqiptare, nëpërmjet kthimit të së shtypurës. Sulko nuk flet për histori të nëndheshme, por për një qytetërim të pamundur, që bazohet në shtypjen e vazhdueshme të instikteve njerëzore dhe ku luhet lufta e përjetshme për ekzistencë, me një dinamikë të jashtëzakonshme psikike.

Në Anadell energjitë devijohen, shtypja ruhet me fanatizëm dhe duket sikur nuk ekziston asnjë alternativë tjetër veç “arratisjes”. Këtë marrëdhënie ekzistenciale dhe sublimim të lumturisë, Sulko e sheh me një idealizëm moral, nga një këndvështrim i ri kulturor dhe sociologjik, pa cunguar rrënjët instiktive të shoqërisë dhe pa mistifikuar marrëdhëniet shoqërore, duke arritur të depërtojë në strukturën historiko-sociale të këtij qytetërimi të brishtë. Në këtë këndvështrim “I arratisuri” është një roman eksperimental metapsikologjik, me reflektime të gjalla shpirtërore ku vetëdija shpirtërore nuk është një dhomëz e rezervuar, por është një dritë me prani të fshehtë dhe rrezatuese.

Në këtë roman instiktet bazë të njeriut nuk janë kundërshtare të panënshtrueshme. Për të qeverisur realizimin e tyre ato shndërrohen në parime të realitetit, duke vënë në lëvizje gjithë aparatin psikik të botës historiko-sociale. Heroi lirik i romanit, Ermiri, lihet i lirë në fantazinë e tij të ndjekë qëllimet e tij natyrore, nëpërmjet peripecive të arratisjeve, që janë më shumë një rebelim ndaj realitetit, se sa një kënaqje tërësore e nevojave njerëzore. Sulko i ka përshkruar arratisjet si procese të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, si dimensione të një rendi gjenetiko-historik, në një mjedis natyror dhe njerëzor të traumatizuar.

Në këtë roman, lexuesi njihet me një numër të konsiderueshëm personazhesh, të cilët Sulko i ka pasqyruar me kujdes, duke i individualizuar, tipizuar, konkretizuar dhe emotivizuar. Kështu, mësuese Sosja, prifti Hal Kryevidhi, Lalë Rrapi e Mentor Shelgu, I plotfuqishmi, Gjyla, Ulumani, Tunxhi, Sidrita, cigania Anja, Engjëlli, Rezarti, Radiopërhapja, Memeci i Malajt, Engjëlli me teatrin pa fjalë, plazmohen dhe përcaktohen në marrëdhënie më njëri-tjetrin. Në pamje të parë duken si ikje nga historia, por në të vërtetë janë pika ku takohet individi i rëndomtë me shoqërinë e kudopranishme, që nuk gjendet askund, dhe ku shenjohet tensioni dhe ndërveprimi social. Personalizimi që përdor autori nuk kufizohet në trajtimin e njerëzve si seri. Ata janë e kundërta e një universi personal, sepse në mjedisin ku gjallojnë gjithçka sistemohet, asgjë nuk krijohet, askush nuk i hyn aventurës së një lirie të papërgjegjshme, siç bën Ermiri.

Duke mohuar identitetin e shtypjes të ngritur nga ideologjia sunduese, Ermiri vlerëson “realitetin” ontogjenetikisht dhe përkulet para parimeve të realitetit, ku gjendet organizimi shtypës i instikteve, duke shpërndarë një mesazh për brezin e tij. Vetëdija e këtij fakti i jep drejtim gjithë ngrehinës ontogjenetike të romanit, sipas së cilës sjelljet ekzistenciale të njeriut të shtypur, si arratisja apo rebelimi, lindin në çastin që despotizmi i brendësuar, kufizimet e vëna nga pushteti dhe sundimi shoqëror, suprimojnë zhvillimin biologjik universal, duke shtuar faktorë sociologjikë, të kundërt me dinjitetin dhe zhvillimin historik. Por autori nuk na thotë se në çfarë mase protagonisti e zhvillon gjendjen natyrore dhe “arsyen”, pasi ai mbetet një subjekt i pandërgjegjshëm që përpiqet të transformojë nevojat e tij instiktive origjinale në një sistem racional që i imponohet nga jashtë, dhe mbetet i lirë vetëm në fantazinë e tij.

Në këtë roman rioganizimi i kujtesës shoqërohet edhe me riorganizimin e përmbajtjes njohëse të fantazisë, duke rifituar kështu të vërtetën e tyre. Ikja nga realiteti, ose arratisja, është një metaforë përsiatëse, e cila shërben si urë reflektimi, që bashkon botën konkrete me mendimet abstrakte, duke vizualizuar kalimin e pandalshëm dhe efektin që koha lë mbi jetën. Logjika e brendshme e këtij konceptimi, me një kompleksitet të pazakontë të strukturës së mendimit dhe fjalisë, na imponohet në këtë vepër me një koherencë të madhe gjuhësore dhe stilistike, duke krijuar një tekst të rrjedhshëm, të qartë, poetik dhe mjaft bindës, me paralelizma psikologjikë dhe një ekzistencë të trupëzuar lirike.

Shkrimtari Taip Sulko është një spiritualist modern që di ta ndajë botën nga njeriu, si dy kategori të pavarura materiale dhe shpirtërore, duke e lënë materien në fatalitetin e saj dhe ku bashkimi i dy botëve mbetet i pashpjeguar. Si shkrimtar i avangardës krijuese, Sulko i jep vetes të drejtën për të diktuar rregullat kategorike të shpirtit, duke e bërë botën një dukje të shpirtit, edhe pse kjo dukje duket paradoksale.

Filed Under: LETERSI

Naim Frashëri në 180-vjetorin e lindjes…

June 24, 2026 by s p

Viola Isufaj/

Në studimin e trashëgimisë kulturore dhe letrare të Shqipërisë së shekullit XIX, është i dukshëm ndikimi i fuqishëm i ideve religjoze, filozofike dhe morale në veprat e poetëve dhe mendimtarëve të kohës.

Teza jonë kryesore është se në formimin e mendësisë, ideologjisë dhe veprës të Naim Frashërit, ndikimi i doktrines bektashiane është substrati kryesor dhe shpjegimi për të gjitha harmonitë në veprën letrare: ai është bazë morale, filozofike dhe shpirtërore nga e cila ai mbështetet dhe zhvillon mendimin e tij, duke e integruar me ndikimet e iluminizmit perëndimor.

Kështu, Mistika bektashiane është dhe burimi kryesor i motivimit moral e shpirtëror që përcillet në veprat e tij, themeli identitar dhe filozofik mbi të cilin ndërtohet e gjithë trashëgimia e tij e mendimit dhe e artit.

Kjo doktrinë, e cila është e organizuar mbi parimet e moralit, vëllazërisë, dashurisë ndaj gjithë njerëzimit dhe besës së pathyeshme, shërben si platformë ku ndërthuren elementët e filozofisë së lashtë persiane, duke u integruar me ndikimet e iluminizmit perëndimor që promovonin arsimin, racionalizmin dhe liritë individuale.

Në të njëjtën kohë, prandaj, është e rëndësishme të analizohet ndikimi i ideve iluministe, të cilat përmes arsimit, mendimit racional dhe kërkimit për të vërtetën, kanë përqafuar dhe pasuruar pasqyrimin e tij shpirtëror dhe intelektual. Kjo temë duket e rëndësishme për të kuptuar rrënjët shpirtërore, morale dhe filozofike të poetit, si dhe mënyrën se si ai ndërthur elementët e traditës së lashtë me ndikimet e një epoke të re mendimi dhe të emancipimit shpirtëror -dhe trajtimi i saj do të botohet së shpejti i plotë.

2, Shqipëria dallon nga vendet e tjera përmes gjuhës, kulturës dhe identitetit të saj

Naim Frasheri ndërton një Shqipëri të lirë, ku shqiptarët me besimin në Zot jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin, ku mbizotëron mëshira, dashuria, drejtësia, e vërteta, dituria dhe vëllazëria.

Atdheu i Naimit është sinonim i atij që luftoi për liri dhe pavarësi, me farefisin dhe mbijetesën. Ai është i përjetshëm, hyjnor, sepse Zoti e krijoi për të qenë një komb i lirë dhe i bukur, si të gjithë kombet e tjerë, ku feja dhe figurat e saj mistike hapin hapësirat qiellore të tij. Kjo frymë patriotike dhe fetare e poetit, shprehje e devizës së njohur të vetë bektashinjve:”Pa atdhe nuk ka fe.”

Ky trajtim synon të dëshmojë se ndërthurja e elementëve bektashianë dhe iluministe është një proces i ndërgjegjshëm dhe i qëllimshëm, i cili ka ndikuar thellësisht në formimin e identitetit kulturor dhe shpirtëror të Naim Frashërit, duke i dhënë veprës së tij një karakter unifikues dhe të thellë filozofik.

Punimi synon të kontribuojë më tej për kuptimin e ndikimeve kulturore dhe fetare në zhvillimin e mendimit letrar dhe filozofik të Shqipërisë së shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

…

3. Poema epike “Qerbelaja”, u botua në vitin 1899. Aty Naim Frashëri parashtroi platformën e tij mbi doktrinen bektashiane.

Pikërisht në këtë dhjetëditësh, përpara dhimbjes dhe sakrificës së skajshme për drejtësi,

zemra dhe ashtu dhe arsyeja njerezore bie ne përulje të plotë, gjithëshpirtërore.

Qerbelaja e rërave të përvëluara, ne shkretetirë të pasosur, bëhet fushë e nderit, shembull i paharruar i heroizmit dhe simbol i pavdekesise. Ngjarjet e dhimbshme te Qerbelasë përfaqësojnë: Sakrificën për të vërtetën, Qëndresën kundër padrejtësisë, Besnikërinë ndaj Zotit, te Mirës, parimeve morale.

Kjo thirrje e përhershme për ndërgjegje, drejtësi dhe guxim për të qëndruar me të vërtetën, edhe kur ajo ka një çmim të lartë vjen në çdo kohë mes dhimbjesh, gjithmonë e më e fuqishme.

“Mos shihni sa pak janë ata që ndjekin të vërtetën dhe sa shumë janë ata që ndjekin të pavërtetën; e vërteta mbetet e vërtetë.” –Imam Husejni

Lutja e poetit Naim Frashëri në mbyllje të poemës së tij Qerbelaja do t’i drejtohet Zotit për më shumë begati, lumturi, harmoni dhe dashuri dhe për bekime për shqiptarin “që të jet’ i qytetëruar, i ditur’ e i mësuar”

Forma e saj bektashiane, mbarekombëtare vjen kështu:

t’ i apë nder Shqipërisë.

U bëftë e Perëndisë!

(Prof.Asoc.Dr. Viola Isufaj: “Baba Naim Frasheri. Mistika si themel i vizionit te N. Frasherit”

Pjesë nga kumtesa e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në veprimtarinë jubilare: “Naim Frashëri në 180-vjetorin e lindjes”)

Filed Under: LETERSI

PËR NJË KRYENGRITJE MORALE!

June 23, 2026 by s p

MES TË RINJVE

ZËRI RINOR I ATJONIT…

“Për atë që dua(m)” – është libri me me traktate, siç i quanti autori i tyre, shkrimet e tij të shkurtëra, Atjon Zhiti, studenti i Filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, në Itali. Shokët dhe miqtë, po edhe lexuesit, i kujtojnë ato vëzhgimet e tij rinore, me atë vrullin studentor të para 10-12 vjetëve, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe që ndjehen aktuale e të freskëta dhe që botoheshin shpesh në median shqiptare dhe nëpër botë. Po sjellim sot copëza nga gazetat me shkrime të tij me emërtime të reja:

Ishte Atjonit që e tha kështu:

Të bëjmë

një kryengritje morale!

FUQIA QYTETARE

A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit?

E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç

Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja. Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.

Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.

Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike. Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet. Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.

TRENI I DIKURSHËM

Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant. Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.

Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.

Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.

Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”.

Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.

Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit.

FLATRA E THYER

QË KËRKON NDIHMË

…një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.

Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?

NË KËRKIM TË…

Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi. Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.

Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon. Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (δατμον), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.

Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të Përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin…

Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej: Njeriun.

Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon.

Nga libri “Për atë që dua(m)”,

UetPress, 2015, Tiranë.

Filed Under: LETERSI

Pse mungesa e Liderit në revolta shumë herë është përparësi!

June 15, 2026 by s p

Dr. Iris Halili/

Në këto ditë historike për Shqipërinë, pyetja që bëhet nga të gjithë është: Ku është lideri apo cili është ai qoftë edhe në hije? Dashamirësit duan të shohin një lider në krye, pasi pa një të tillë mendojnë se rinia mund të hutohet, të humbasë orientimin dhe lëvizja mund të shuhet dalëngadalë. Skeptikët gjithashtu e kërkojnë liderin , pasi me një të tillë duket sikur revolta është më serioze, më pak dyshuese dhe rezultatet vijnë më shpejt.

Ata që shpresojnë dështimin e revoltës pyesin vazhdimisht për liderin, në mënyrë që të fillojnë të merren me analizat e karakterit apo të shkuarës së tij , gjë që do të hiqte vëmëndjen nga kërkesat e revoltës.

Duhet pranuar se pyetjet se cili apo ku është lideri janë mëse të natyrshme. Aq me tëpër kur për kaq vite në tranzicion ne kemi patur liderë në krye të podiumeve, por nuk kemi patur një marshim të tillë popullor. Sot kemi protesta , por nuk kemi lider!! Cfarë po ndodh Populli ynë ndër vite u ka folur liderve të tij në forma nga më të ndryshmet , por politikanët e tranzicionit largimin nga vendi apo indiferentizmin popullor e lexuan si favor për rritjen e pushtetit personal dhe jo si një urragan që një ditë do të vinte me këto përmasa. Që nga viti 1991, kur rinia përmbysi bustin e Enver Hoxhës, Shqipëria nuk kishte parë një shpirt të tillë qytetar dhe patriotik.

Ata që kanë dalë sot në shesh janë fëmijët e atyre që protestuan në vitin 1991 dhe më ngjan sikur këta bij dhe bija do të përfundojnë atë që ne nuk mundëm dot:Shqipërinë si gjithë Europa! Kjo gjeneratë po u thotë të gjithëve: “Ne nuk ikim nga Shqipëria, ndaj e duam atë ndryshe! Një Shqipëri të re! Teorokisht lideri është i nevojshëm të jetë në krye apo drejtojë kur njerëzit nuk janë të orintuar apo informuar. Por kur shohim se protestuesit me rininë në krye i kanë të qarta kërkesat, prania e një lideri nuk do të sillte asgjë të re.

Duhet të kujtojmë se historia botërore njeh kaq shume revolta apo revolucione popullore të cilat kanë lindur dhe janë zhvilluar shumë përpara se të dilnin liderët e tyre. Në fakt liderët më të sukseshëm nuk emërohen. Ata e marrin misionin e lidershipit krejt natyrshëm dhe pikërisht kur koha apo njerzit i thërrasin. Kur mijëra e mijra të rinj, dhe jo vetëm, mblidhen në sheshe pa një figurë karizmatike në krye, do të thotë se revolta buron nga shpirti i shoqërisë shqiptare. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse mungesa e liderit në këtë revoltë duhet konsideruar më shumë si përparësi sesa si dobësi, pasi ajo kështu nuk duhet të identifikohet me një person.

Në fund të kësaj analize e pranojmë se mungesa e liderit nuk është problem në fazat e para të çdo revolte të fuqishme, apo deri sa ajo të ketë arritur fitoret e para. Në fazat e mëvonshme lideri është i domosdoshëm. Kjo pasi asnjë lëvizje nuk mund të mbijetojë pafundësisht pa një lidership përfaqësues dhe efektiv. Urojmë këtë herë të mos jetë i emëruar, as i blerë, as i shitur , as sorrist dhe as komunsit. Ndoshta më në fund do të kemi fatin që për herë të parë pas shumë shekujsh, të realizojmë fjalët e heroit tonë kombëtar, Skënderbe i cili padyshim na ka dhënë edhe leksionin më të madh të lidershipit dhe patriotizmit shqiptar: “Lirinë nuk ua solla unë. Atë e gjeta mes jush”!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 317
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kolonel Ahmet Krasniqi, in memoriam…
  • KUR NJË SHOQËRI NUK PËRBALLET ME TË KALUARËN KOMUNISTE E KALUARA RIKTHEHET
  • It Is the Economy Prime Minister But First It Is the People
  • Is AI, the Apocalypse Now?
  • Epiri si Shqipëri e Poshtme në hartografinë franceze të Nicolas de Fer-it: një dëshmi e rëndësishme e hapësirës shqiptare në fillim të shekullit XVIII
  • Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale
  • Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti zhvilloi homazhe nderimi te varret e Vëllezërve Bytyqi dhe vizitë te Kisha Zoja e Shkodrës- Fotoreportazh: Dritan Haxhia
  • Më 20 shtator 1685 – Pjetër Bogdani sjell “Çetën e profetëve”, monumentin e hyjt të shqipes së shkruar
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes atdhetarin dhe luftëtarin Çerçiz Topulli
  • Shkolla “Gjergj Fishta” New York filloi vitin mësimor 2026-2027
  • A ishte krijimi i Dhomave Speciale në Hagë, një kompleks inferioriteti?
  • Mirdita dhe hapësira e saj historike në veprën e Praschniker dhe Schober (1919): Toponimia, arkeologjia dhe dëshmitë hartografike
  • Zinxhiri i diskriminimit që po e zbraz Luginën e Preshevës nga shqiptarët!
  • LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t
  • JURIDIKSIONI KA KUFI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT