• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURGU

April 22, 2020 by dgreca

Nga Bashkim Saliasi/-Nga Ditari i nje refugjati ne Token Helene/

-Shyqyr,- thamë me Nikon,- shpëtuam nga kjo gjullurdi që na krijoj kolegu ynë.Shkuam te çezma, që gjendej afër shtëpisë së vjetër të Jani Kostinës dhe pasi u freskuam e ndezëm nga një cigare morëm rrugën për te kisha afër stacionit të urbanit  që shkonte për në Patra.

Pasi përshkruam pjesën më të madhe të rrugës së bashku me Nikon, u ndamë, ai nga ana e bregut të detit, se mos gjente ndonjë furgon, kurse unë mora rrugën për te kisha se mos ktheja disa lekë shqiptare në dhrahmi.Dola në rrugën kryesore. Ishte herët dhe qarkullimi i makinave ishte i rrallë. Ajri i freskët më mbushi me një ndiesi shprese. Ndeza një cigare dhe isha përhumbur në ndodhinë e një dite më parë, kur kolegu ynë me preteksin se kishte gjetur një maune për transportin tonë në Kakavijë, mblodhi në sheshin ku rrinim rreth 30-40 shqiptarë, që donin të ktheheshin në Shqipëri. Maunia nuk erdhi me preteksin se kishte bërë karambol atë ditë dhe, nga ora njëmbëdhjetë e natës u larguan të gjithë djemtë në drejtim të autobuzit që nisej nga Rio për në Kakavijë. 

Atë ditë qëlloi e diel. Në rrugën kryesore nuk kishte shumë qarkullim makinash dhe këmbsorë. Dielli sapo kishte lindur. Nuk isha futur akoma në nënëkalimin që të çonte te kisha, kur befas  një djal i ri me kokë të qethur kaloj para meje duke ecur me vrap sa i hanin këmbët, i ndjekur nga një civil rrondokop, më shumë i gjerë se i gjatë. S’ma mori mendja që personi që ndiqte djaloshin nga pas të ishte punonjë i asfalias. Ai kur e pa që djaloshin nuk e arrinte dot, u ndal para meje dhe foli duke dihatur.

-Alvanos!

-Ne, -iu përgjigja!

-Asfalia. Ela mesa, ë! – dhe më kapi prej krahu  e më drejtoi tek autobuzit që qëndronte i ndezur gati për nisje. Sado që u mundova t’i shpjegojë se, jam për në Kakavijë dhe i tregova faturat e plaçkave që kisha blerë, ai as ua vuri veshin fare lutjeve të mia. Ngula këmbë dhe i shpjegova se jam me vizë dhe i tregova gjitha faturat e tre frigoriferve, dy televizorve, makinës qepse etj, por ai më mbante fort prej krahu duke dihatur te dera e autobuzit më shtyu me forcë gati sa nuk u përplasa me shoferin që kishte dalë nga timoni për t’a ndihmuar atë.

-Gjithçka ndodhi aq papritur dhe në mënyrë të beftë, sa unë nuk mblodha dot mendjen të largohesh ashtu sikundër bëri djali me kokë të qethur. U ngrita në këmbë dhe vija vërdallë në autobus se mos shikoja ndonjë të njohur, minoritar, që t’i jepja ato pak dhrami që kisha ruajtur për transportin deri në Kakavijë.

Autobuzi në stacion qendroi gati një gjysëm ore. Gjatë atij orari, të gjithë refugjatët delnin për punë te kisha dhe këtë orar e shfrytëzuan mirë punonjësit e asfalias.

Pak nga pak autobuzi u mbush dhe po bëhej gati për nisje.

“E pat kjo punë” – thashë me vete, – i gjithë mundi i punës së dy muajve mbeti po në Greqi. Një shpresë më mbante gjallë. Deri sa Nikoja nuk erdhi tek autobuzi, do të thoshte se i kishte shpëtuar asfalies.

Në një moment polici rrondokop u shkëput nga dera e autobuzit dhe  i’u afrua një burri të gjatë, që nuk ngjante me refugjatët e tjerë. Polici  e pyeti si duket nëse kishte pasaportë. Burri futi dorën në xhepin e brendshëm të këmishës,  nxori pasaportën dhe ia zgjati policit grek. Polici po merrej me pasaportën kurse burri i thirri pronarit  grek që qendronte katër pesë metra larg tyre me shpinë nga autobuzi.

Pronari grek u kthye nga i erdhi zëri dhe pasi u përshëndet me policin grek dhe ndezën nga një cigare e la burrin të lirë dhe rendi drejt stacionit ku qendronte autobuzi gati për nisje. Në moment mu kujtua se ai burri ishte nga Elbasani dhe njihej me Nikon pasi kishin punuar disa ditë bashkë. E thirra  burrin të afrohej afër autobuzit, por pronari grek nuk e lejoj.

Për fatin tim të mire, njëri nga minoritarët që kishte kohë që punonte në Patra po bisedonte me shoferin e autobuzit. U zgjata në dritare dhe ju luta nëse kishte mundësi të më bënte nder që, dhramitë dhe lekët shqiptare t’ia jepte Nikos pasi ai e dinte se ku rrinim ne gjatë atyre dy muaj të verës  që punuam në Rio.

Autobuzi ishte gati për nisje por rrondokopi u shkëput përsëri nga dera e autobuzit dhe rendi me vrap drejt kishës. Dy shqiptar  që dolën për punë as nuk e kishin idenë se ç’farë po ndodhte atë mëngjes në stacionin e autobuzit të Rio-Patra.

Të gjithë refugjatët kthyen kokën nga kisha dhe po ndiqnin veprimet e policit rrondokop. Ata i treguan pasaportat, por ai ngriti grushtin lart, gati për ta qëlluar atë më të riun duke bërtitur; -Stamata! 

Polici rrondokop i kapi të dy për krahu dhe me një fytyrë tejet të kënaqur dukej shumë krenar,  a thua se po u tregonte shokve të tij si ai kishte kapur dy kriminelë të rrezikshëm. 

Rrondokopi pasi u rehatua në sediljen e parë urdhëroi shoferin që të nisej. Autobuzi hyri në rrugën kryesore dhe përsëri polici rrondokop e urdhëroi shoferin që, në qoftë se shikonte shqiptarë, të ndalonte autobuzin.  A thua se shqiptarët e kishin të shkruar në ballë dhe ky polic sot kishte marrë rolin e heroit për pastrimin e qytetit nga “alvanozët”, siç na quanin në ato vite ne refugjatët grekrit në Greqinë e Aristotelit.

Në stacionin e tretë, disa shqiptarë prisnin autobuzin e linjës Rio-Patra për të shkuar në punë. Polici rrondokop kur pa se aty kishte shumë shqiptarë i qeshi fytyra dhe urdhëroi shoferin që të ndalonte autobuzin një metër më larg stacionit.

Pasagjerët që prisnin për të udhëtuar për në Patra u turrën drejt autobuzit. Polici rrondokop qëndroi para autobuzit dhe urdhroi policin tjetër, një djalë simpatik me mustaqe të trasha pis të zeza, që të dilte nga pas autobuzit.

Shqiptarët e zënë në “grackë” të detyruar nga policët hynë brenda na autobus. Dy djem qëlluan të ishin minoritar dhe nuk dëgjuan të hipnin në autobus. I treguan pasaportat policve dhe pasi u përshëndetën me ta u larguan në drejtim të stacionit të autobuzit.

Pas disa minutash autobuzi frenoi para një godine katërkatëshe në qytetin e Patrës.

Me sa kuptuam, ky ishte rajoni policisë.

Në fillim zbritën dy policët grekë, pastaj ne.

-Ela, ela, grigora, mesa, – bërtisnin të dy policët grekë.

Hym në hollin e katit të parë dhe më pas na drejtuan për në bodrum ku u hap një portë e madhe e ndërtuar me hekur të trashë sa llëra e dorës. Bodrumi kishte një korridor të gjatë dhe disa dhoma me nga një dyshek e batanie që po t`i lëpinte lopa rrezik të ngordhte në vend.

Në atë koridor të gjatë të atij pallati katërkatësh deri në ora dhjetë u bëmë mbi 85 vetë. Një zamallahi e madhe, që s`e merrte vesh i pari të dytin. Refugjatët brtisnin dhe ankoheshin se ishin me pasaporta të rregullta. Disave u kishin mbetur dhramitë pa marrë te pronarët që kishin punuar. Prapa hekurave të kyçur me një kyç nga ata të tuneleve ushtarake, qëndronte një policë me kallash në dorë duke bërtitur hera- herës:-Stamata!

Një djal i ri trupmadh, muskuloz, që dinte greqisht, e shau policing grek që rrinte te porta duke i thënë se “ju po na trajtoni si kafshë, jemi me pasaporta, kemi ardhur për punë dhe jo të na trajtoni në këtë lloj mënyre, etj.

Polici u ankua te dy shokët e tij, të cilët erdhën dhe e morën djalin dhe e ngjitën në katin e dytë. Kur u kthye pamë se ishte gjakosur nga fytyra dhe nga hundët i rridhte gjak.

Djali dihaste dhe shante sa i hante gurmazi…

U tërhoqa diku nga fundi i turmës dhe ndeza një cigare. Në moment më afrohet një djalë që kishte veshur një palë pantallona të shkurtëra dhe një triko pambuku.

-Të lutem, më jep një cigare, – foli djaloshi pak me ndrojtje.

Më vonë më tregoi se ishte nga Tirana dhe banonte në fermën e Babrrusë. Policët kishin shkuar që herët në mëngjes dhe i kishin marrë nga vendi ku flinin ashtu sikur i kishin gjetur në gjumë dhe nuk i kishin lejuar te visheshin dhe te merrnin rrobat e tyre.

M’u prezantua me emrin Agim dhe  nuk  m’u nda deri sa erdhëm në Kakavijë. Rreth orës dhjetë, një punonjës civil i shoqëruar  nga  një  djal i vogël që dinte shqip, përktheu fjalët e policit dhe urdhëroi të mbanim qetësi dhe të dëgjonim se çfarë do thoshte shefi.

Djali që nuk ishte më shumë se dymbdhjetë vjeç përktheu fjalët e policit. Do ngjiteni lart në katin e tretë dy e nga dy te zyra e shefit të policisë dhe  ai do t`u kontrollojë pasaportat dhe do t’u thotë nëse i kini të rregullta apo fallco.

Radha më takoi shpejtë, pasi në ato momente bashkë me djaloshin nga Tirana po qendronim afër derës duke pirë cigare. Për në katin e tretë na shoqëronte një polic i dobët të cilit i vinte keq për ne dhe duke ngjitur shkallët përsëriste fjalën; krime, krime.

Kur iu afruam derës, polici na ndaloi dhe trokiti në derë. Nga brenda u dëgjua një zë i çjerrë i shefit të policisë.

– Hyrë! – Polici hapi derën dhe ne e ndoqëm nga pas. Burri që qëndronte në këmbë afër dritares urdhëroi policin të priste jashtë dhe pranë vetes mori djaloshin e vogël.

Në tavolinën tjetër pranë kompjuterit qendronte një grua simpatike. Flokët kaçurela dhe parfumi që ajo kish përdorur tregonin se kishte të bëje me një artiste dhe jo një police të asfalias greke. Ajo heraherës hidhte sytë nga ne dhe buzqeshte ëmbël.

Shefi foli me një greqishte shumë të pastër. Djali vogël përkthente dialogun tonë.

-Nga jeni?

-Nga Shqipëria, – iu përgjigjëm të dy me një gojë.

-Keni pasaporta?

-Po, – fola unë, dhe ia zgjata pasaportën. Pasi mori pasaportën time, ai  filloi t’a vërtiste ndër duar dhe pas pak më urdhëroi të ulesha në tavolinë dhe të shkruaja gjithë gjeneracionin tim që përmbante pasaporta, praktikë kjo që policët grek e praktikonin sa herë që kapnin refugjatë shqiptarë.

Gjatë kohës që unë po shkruaja shefi pyeti djalin nga Tirana. Përgjigja e tij ishte se nuk kishte pasaportë pasi ajo i kishte humbur. Pasi mbarovam së shkruari në letër gjeneracionet e mia, kisha harruar emrin e babait të shokut që unë i kisha blerë pasaportën me vizë të rregullt dhe i kisha ndërruar fotografinë.

Polici mori në dorë pasaportën dhe filloi t’i krahasonte me gjeneracionet e shkruajtura në letër. Djali i vogël, i cili qendronte si ai zagari që pret shpërblim nga gjahtari pas një gjuetie të mirë, gjithë gëzim i tha policit, “plastiko”.

Guxova dhe desha të sqaroi shefin e policisë se viza është e rregullt, se unë jam me punë mësues në Shqipëri dhe erdha për të punuar këto muajit e verës që kemi pushime shkolle këtu në Greqi. 

-Ja dhe faturat që kam bërë pazar me pagesën që më ka paguar zoti Jani Kostina për punën që bëja në zdruktari. Si duket polici e njihte Janin, një nga pronarët e mëdhenj të zonës ku ai banonte në Rio.

-Jashtë, – bëri me dorë, – ju do niseni për Kakavijë, ato që ke blerë le të qendrojnë aty ku i ke lënë, te magazine e Janit. 

Tiranasi u përpoq t’i shpjegonte shefit gjysmë shqip e gjysëm greqisht se i kishin mbetur leket pa marrë nga pronari për punën që kishte bërë për dy muaji në ngarkim – shkarkim (balash), bar e jonxhe të korrur, por shefi ktheu i kurrizin dhe nuk i dha asnjë përgjigje. Djali po priste përgjigje nga shefi, vetëm kur ai bërtiti me një ulërimë.

-Pissu alvanos, pisu.

 Ktheva kokën dhe pash që shefi ishte zverdhur në fytyrë. Tiranasi u tremb shumë dhe në vend që të dilte nga dera, u afrua te tavolina që rrinte policja që kishte vënë buzën në gaz. U ktheva pas dhe kapa djalin për dore dhe dolëm në korridor.  Në hollin e katit të parë dy polic mbanin për zinxhiri dy qen kufiri pa hundje dhe nga një shkop druri. U ulëm përsëri në bodrum dhe pritëm sa të mbaronin të gjithë.

Rreth orës dymbdhjetë mbaroi séanca e marrjes në pyetje. Bodrumi i katit të parë të atij pallati buçiste nga thirrjet dhe sharjet e refugjatëve shqiptarë, por askush nuk e “vinte ujin në zjarr” e të kujtohej se kishim nevojë për ujë e ushqim.

Urdhërin e mësuam shpejtë. Shefi kishte bërë gati dy  autobuzë për në Kakavjë.

Polici hapi derën dhe na urdhëroi të dilnim në hollin e katit të dytë. Pesë policë që mbanin në duar shkopinj dhe dy prej tyre dy qenë pa hundje kishin zenë derën kryesore. 

Na nxorën dy e nga dy nga një deriçkë drejtë e në autobus. Pasi na ulën në sedilje, na vendosën prangat duke na lidhur dy e nga dy. Autobuzi ishte mbushur plot dhe në sediljet e para qendronin tre policë.

Nga pamja e jashtme të gjithë refugjatët dalloheshin se ishin me origjinë nga fshati. Sytë e zinjë të policit që qëndronte në këmbë silleshin me egërsi mbi kokat tona, duke na treguar se tani e tutje kishim të bënim më të.

Goja më ishte bërë helm nga cigaret. Kisha gati një ditë e gjysëm që nuk kisha vënë gjë në gojë. Ndieja një mospërfillje për veten time aq shumë isha tronditur për fatin e keq që më ndodhi dhe shkak i të gjitha këtyre vuajtjeve ishte egoizmi i kolegut tim që e kisha marrë me vete në Greqi, i cili refuzoj të merrnim furgonin që gjetëm ditën e parë me 50 mijë dhrami

-Jo, na kundërshtoi, janë shumë. Unë me Nikon nuk i kishim aq para dhe u detyruam të punonim dhe disa ditë të tjera për të siguruar dhramitë e rrugës.

Autobuzi u nis. Në Rio, te stacioni autobuzit zgjata kokën mos shikoja ndonjë refugjatë, por atë ditë kishte rënë “bumja” dhe nuk kishte mbetur asnjë frymë njeriu.

Në Rio na hipën në traget dhe nuk na zbritën nga autobuzat. Policët zbritën nga autobuzi. Vetëm shoferi qendroi brenda duke siguruar dyert. Ishte sezon plazhi dhe trageti ishte mbushur me turistë, disa të veshur dhe disa me rroba banje.Turistët të veshur me rroba banje lëviznin lirshëm nëpër ambjentet e tragetit, kurse ne, të mbrthyer me pranga “shijonim” vetëm lirinë e të parit.

Brenda në autobus kishte plakosur heshtja. Vetëm shoferi kishte ndezur një cigare dhe shikimin e kishte tretur  tejet në horizont, ku pulbardhat uleshin e ngriheshin me vërtikë në dallgët e detit.

Përballë shkëmbinj të thepisur, që binin si thikë në brigjet e detit Jon. Valët loznin me kaltërsinë e tyre, duke u përplasur  me furi në brigjet shkëmbore që zbrisnin si një ballkon fantastik në thellësit e detit.

Të gjithë ne refugjatët, të mbërthyer me shikim pas xhamave të dritareve të autobuzit, përjetonim çaste pakënaqësie, duke ëndërruar me sy hapur lirinë e humbur.

Ishin ditët e fundit të muajit gusht. Dielli i nxehtë përvlues bënte që ne te kullonim në djersë. Poilcët nuk na lejonin të hapnim dritaret, kurse derën e parë e mbanin hapur dhe heraherës hidhnin shikimin nga ne, a thua se ishim zogj me krah dhe do të fluturonim.

Kur u kthyen dy policët mbanin në duartë e tyre gotat të mbushura me kafe. Udhëtimi me traget mbaroi shpejt dhe autobuzi zbriti nga trageti në qytezën e Anthirios. 

Policët pasi na hodhën një shikim përbuzës u shtriqën në sediljet e tyre. 

Mesditë! Kulmi i vapës. Të gjithë heshtnim. As miza nuk përpinte, por vetëm zhurma e skrapamentos së autobuzit heraherës prishte qetësinë që mbretëronte kudo. Për çudinë tonë edhe pejzazhi jashtë autobuzit qe krejt monoton.

Bregdet shkëmbor, gjithë kthesa dhe me gryka të shumta. Pa hapësirë, pa horizont. Pejzazhin piktoresk të qytetit të vogël të Ambrakisë e kaluam në heshtje të plot.

Më kishte kapitur gjumi. Në hyrje të qytetit të bukur të Artës më zgjuan zhurmat e shokve që  i’u luteshin policve të blinin ujë dhe ushqime, por ata kundërshtuan prerazi duke u bërtitur: – Stamata!

Arritëm në qendër të qytetit të Artës. Vëmendjen ma tërhoqi kalaja, e cila shtrihej sipër një kodre të madhe. Qyteti shfaqej i qetë. Ishte kulmi i vapës dhe lëvizjet e këmbësorëve ishin të pakta, vetëm makinat lëviznin me shpejtësi në të dy krahët e rrugës.

Pas disa çastesh qyteti humbi në horizont.

Pas tre ore udhëtimi, autobuzi qëndroi papritur buzë një pylli me pisha.

U hap dera dhe dy prej policëve u ulën për të kryer nevojat personale. Pas lutjeve të shumta policët na lejuan dyshe – dyshe, siç ishim të lidhur të urinonim, duke qëndruar pas shpine, për të na kapur në rast se tentonim të iknim me vrap në pyllin e dendur me pisha.

Në ndenjësen para nesh ishte një burrë me thinja, që nuk pushonte për asnjë çast pa u ankuar. Pamja e tij të frikësonte. Ai kishte ditë që nuk ishte larë dhe vinte një erë e keqe nga djersa, që kishte mbuluar lëkurën e tij gjithë zgjyrë.

Ishte veshur me një palë pantallona të shkurtëra dhe një bluzë të bardhë, kështu dukej nga ngjyra që i kishte dalë dhe grisur në anën e djathtë të shpatullës.

-Ku do shkoi unë i ziu në fshat si jam katandisur kështu? Më morën nga vendi ku flija dhe nuk më lanë të merrja as lekët dhe as një gjë tjetër.Të gjitha mbetën varur në anë të ferrës ku ne flinim, – u tregonte shokve të tij që kishte para.

Ata që e kishin para si duket ishin  të njohurit e tij dhe  qendronin indiferent dhe dukej sikur donin t’i thoshin: “A ç’na çave kokën!”

Mbylla sytë dhe përsëri më kishte zënë gjumi. Më zgjuan përsëri zërat që vinin nga mesi autobuzit. Refugjatët po u luteshin policve që t’i lejoni të blinin ujë dhe diçka për të ngrën, por ata bënin sikuk nuk dëgjonin.

Hymë  qytetin e Janinës shoferi frenoi fortë. Para syve të mi u shfaq liqeni Janinës. Rrezet e arta të diellit shkëlqenin mbi sipërfaqen e tij dhe krijonin një pasqyrim të magjishëm. Lam qytetin e bukur të Janinës dhe morëm rrugën për në Kakavijë. 

Përsëri më kishte kapitur gjumi dhe në një moment shoferi frenoi autobuzin. Dora ime u lëndua nga tërheqja që  bëra për t’u mbajtur. Të njëjtin fat pati dhe shoku im që ishim prangosur me një palë pranga. Duartë na u gjakosën dhe dhimbja më theri në çaçkë të kokës. Po ç’të bënim? Ky ishte fati ynë.

-Tani po i afrohemi vendit ku qëndrojnë ushtarët në patrullim, – foli shoku që ishte ulur në sedile me mua. – Ata ushtarët aty janë shumë të poshtër. Po të zunë, le lekët që t`i marrin, por edhe torturat nuk kanë të sosur, – filloi të tregonte ai.

-Lëre, mos e pyet, – foli shoku i tij që ishte pas nesh, – unë që e kam provuar e di se ç’kam hequr nga ata të mallkuar.

Dhe ja më në fund arritëm në doganën greke në Kakavijë. Të gjithë u gjallëruan. Më në fund do dilnim nga ai ferr ku ishim zhytur. Hodha sytë drejtë doganës. Makina të mbushura plot me plaçka vinin nga Greqia, kurse nga dogana jonë kaloi një maune e gjatë që na u desh kohë të prisnim që të kalonte ajo dhe, më pas, autobuzi ynë të parkohej.

Në momentin që autobuzi ynë u parkua, dy ushtarë kishin vënë para tre djem të rinj dhe u bërtisnin: – grigora malaga, grigora!..

Kur u afruan te dera e doganës ushtarëti urdhëruan djemtë të uleshin në gjunjë. Nga brenda ndërtesës dolën dhe tre ushtarë të tjerë, që në duart e tyre mbanin thika të gjata. 

Njëri nga djemtë kundërshtoj të ulej në gjunjë dhe në atë moment të dy ushtarët u lëshuan si ajo shqipja që i lëshohet zogut për ta shqyer me kthetrat e saj, fut e bjerë me shkopinjë sa t’u hante krahu dhe ku t’a zinte qyqarin.

Djali ra përmbys dhe mbuloj vetëm kokën me dy duar dhe nuk nxorri zë. Njëri nga ushtarët e gjuajti me shqelmë në stomak dhe djali mbeti pa frymë. Tre ushtarët e tjerë qeshnin me veprimin e shokve të tyre dhe, më pas, pasi rrahën dhe dy djemtë e tjerë, i detyruan të qëndronin ulur kurriz më kurriz me njëri – tjetrin në formë rrethi.

Të gjithë heshtënin. Ç’mund të bënim!

Secili shikonte hallin e tij dhe askush nuk ndërhynte të ndalonte veprimet barbare të ushtarve. Policët grekë qeshnin dhe pajtoheshin me veprimet e ushtarve, që shërbenin në doganënë e Kakavijës.

As skllevrit në shekujt e kaluar nuk trajtoheshin në këtë mënyrë!

Ishte pasdite dhe lëvizjet ishin të pakta. Rrugëtimi na zgjati pesë orë nga Patra në Kakavijë. Policët na zbritën nga autobuzi dhe filluan të na hiqnin prangat dhe  na grumbulluan në sheshin para doganës. Ushtarët e shërbimit të pajisur me thika dhe shkopinj druri qëndronin në gadishmëri të plot. Më në fund shefi i doganës urdhëroi hapjen e derës dhe na porositi që të mos ktheheshim më në Greqi se do e pësonim më keq se kësaj radhe.

Refugjatët pasi kaluan portën filluan të shanin policët grekë dhe, më në fund u desh ndërhyrja e policëve të doganës sonë, që të largoheshim për në tokën shqiptare…

Filed Under: Mergata Tagged With: Bashkim Saliasi, Burgu, Tregim

« Fëmijët martirë të Kosovës, 1981-1999 » promovohet në Strasburg

December 11, 2019 by dgreca

Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh promovoi librin « Fëmijët martirë të  Kosovës, 1981-1999 »/

Nga Fotaq Andrea/

Në mjedisin e Shoqatës Kulturore Shqiptare Strasburg-Kelh, zbukuruar me motive, simbole e objekte historike kombëtare, në prani të mjaft bashkatdhetarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia etj., u bë këto ditë promovimi i librit « Fëmijët martirë të Kosovës » me autorë Hanëmshahe Iliazi e Nusret Pllana.

Fjalën e hapjes e mbajti anëtari i Kryesisë Shoqatës Z. Ilir Shqipnia i cili, pasi falënderoi të pranishmit, përfaqësuesit diplomatikë nga Konsullata e Kosovës dhe e Maqedonisë, si dhe autorin Pllanaj, ardhur posaçërisht nga Kosova për promovimin e librit, vuri në dukje se libri është një dëshmi tronditëse e rrënqethëse për masakrat serbe në Kosovë në vitet 1981-1999, kur humbën jetën e tyre të njomë qindra fëmijë nga mosha një muajshe deri në moshën 17 vjeçare, në lulen e tyre të rinisë. Po ashtu, Z. Ilir theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë të Shoqatës me diplomatin Gani Veseli dhe Kadri Dokën.

Të pranishmit u përshëndetën më pas nga Z. Fotaq Andrea i cili, tek përgëzoi autorët Iliazi e Pllana për botimin e librit “Fëmijët martirë të Kosovës”, ngriti lart vlerat e këtij libri madhor që sjell të freskët në kujtesë martirizimin e Kosovës dhe tragjedinë e rëndë që përjetoi brezi i saj i ri në vitet heroike të Luftës së Kosovës, e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së saj, një ngjarje kjo e shënuar dhe e paharruar në historinë e mbarë kombit shqiptar. Duke u ndalurmë pas, në punën e kryer për një vit me radhë nga kjo Shoqatë e re kur, para së gjithash, u është ndenjur pranë dhe u është gjindur konkretisht me ndihma e strehim emigrantëve shqiptarë, familjeve që kanë humbur të afërm të tyre për të dërguar në Kosovë trupat e pajetë,  autori i këtij shkrimi vlerësoi aktet humanitare e solidarizuese të Shoqatës si dhe theksoi objektivat e saj për të ardhmen, sidomos në fushën e kulturës, kur Shoqata synon të çelë më 15 shkurt 2020 Shkollën e parë shqipe në mjediset e saj, tek ka shpallur tashmë që në fillim të dhjetorit fushatën për regjistrimin e nxënësve. Në të njëjtën kohë, Z. Andrea nënvizoi se Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh do të mbajë lart emrin e saj të nderuar “Skanderbeg-Nënë Teresa”, dy figurat madhore historike me të cilat nderohet e krenohet kombi shqiptar, Skënderbeu, si themeluesi i shtetit të parë të Arbrit dhe Babai i Kombit, dhe Nënë Teresa, Shenjtorja shqiptare që nderohet nga bota mbarë.

Në vijim të veprimtarisë së promovimit të librit “Fëmijët martirë të Kosovës” përshëndetën miq e të ftuar, si dhe vetë autori Pllana, i cili vuri në dukje vlerat e larta të kësaj vepre të rëndësishme që qëndron si monument përkujtimi e përjetësie për 1432 fëmijë kosovarë  të martirizuar dhe për rreth 20.000 nëna e gra kosovare që u dhunuan e u masakruan nga pushtuesi serb edhe shtatzëna e me foshnje në gji. “Është fjala për një genocid të ashpër, pa precedent, tepër tragjik në kohët moderne, genocid ndaj ardhmërisë, ushtruar sistematikisht e me vetëdije për të mbytur vetë të ardhmen e popullit kosovar nëpërmjet vrasjes e masakrimit të fëmijëve, nënave e grave të Kosovës”, theksoi ndër të tjera Dr. Nusret Pllana, i cili tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me faktin se ky genocid është ende i padënuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe vazhdon të mbetet në Kosovë një plagë e hapur që kullon gjak.

Në vazhdim, u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur me këtë rast, që trondit rëndë, që në fillim, sepektatorin, me simbolikën e qarjes së një foshnjeje, jo “qarje gëzimi” për ardhjen në jetë, por “qarje trishtimi, tragjizmi, martirizimi”, në një atmosferë plot lot të hidhur, si vetë realiteti i hidhur i Kosovës martire të fundshekullit XX-të.

Filed Under: Mergata Tagged With: Fotaq Qndrea- Femijet Martire te Kosoves- Strasburg-Nusret Pllana

Ministri e përbashkët e Diasporës për të gjithë shqiptarët në mërgim

December 3, 2019 by dgreca

nga K.P.Traboini/
Nga Kolec P. Traboini Ministria e Diasporës duhet me qenë e përbashkët dhe jo e ndarë mes dy shteteve shqiptare. Edhe Shqipëria edhe Kosova janë shtete shqiptare në Ballkan. Çdo version tjetër i shpikësve të kombeve, është i panatyrshëm e shkon kundër dëshirës popullore. Histori me Esat Toptan, që donte një Shqipëri sa pëllëmba e dorës, me ca troje përqark Tiranës nuk funksionon në kohërat moderne. Shqiptarët janë zgjuar tashmë. Veç kush jeton ende me mendje në Mesjetën feudale apo kush e konsideron Atdheun e përbashkët si një çiflig të vetin privat mendon asisoj. Atdhe kemi një dhe ai i tejkalon ndarjet në kufij shtetesh. Mund të ndash tokën, fushat, malet, lumenjtë por nuk e ndan dot popullin. Shqiptarin nga shqiptari. Albin Kurti duhet ta ketë parasysh se krijimi në mënyre paralele i ministrive të Diasporës janë jo produktive e sjellin ndasi e ftohje mes shqiptarëve në mërgim. Në këtë drejtim dy kryeministrat duket të mirëkuptohen dhe Pandeli Majko të jap dorëheqjen, se dy ministra për të njëjtën punë është luks i madh për shqiptarët e varfër këndej e andej kufirit shqiptar-shqiptar, kufi i cili në fakt duhet të zhduket një orë e më parë. Kosova dhe Shqipëria të krijojnë një ministri të përbashkët dhe kjo ti lihet në zgjedhje të një ministri në Qeverinë e Kosovës. Le t’ia nisim pak e nga pak. I pari Dikaster i përbashkët. Ai duhet të quhet Ministria Kombëtare e Diasporës Shqiptare, sepse shqiptarët jashtë i përkasin shqiptarisë e jo ndarjes se hartave gjeo-politike, kudo qofshin jashtë trojeve të veta bijtë e shqipes. Dhe mos na e shënoni në hartat që përdorim ne shqiptarët atë vijë kufiri Kosovë-Shqipëri. Atë vijë ndarëse, qoftë dhe administrative, e urrejmë prej një shekulli. Dhe urrejtja shekullore është tepër e rëndë, për të mos thënë traumatike, në psikikën e një Kombi. Duke fuqizuar shtetin gjermanët e arritën bashkimin e kombit. Le të nisim ta bëjmë edhe ne. Dhjetor 2019

Filed Under: Mergata Tagged With: Kolec Traboini-Ministri e Perbashket-Per te shqiptaret e Mergimit

400 Bashkatdhetare nga Diaspora Vizituan Kuvendin e Kosoves

July 25, 2019 by dgreca

Rreth 400 bashkatdhetarë, për dy ditë, kanë vizituar Kuvendin e Kosovës/

Bashkatdhetarët, të cilët po qëndrojnë për pushime në Kosovë, për dy ditë radhazi kanë vizituar Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili, nën moton “Bashkatdhetarët në Kuvend”, ka hapur dyertë për ta.

Me këtë rast, rreth 400 bashkatdhetarë nga vende të ndryshe të Evropës dhe botës, janë pritur nga deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare, me të cilët kanë bashkëbiseduar për tema të ndryshme, me theks të veçantë për fuqizimin e rolit të tyre, si dhe për mundësinë e krijimit të lehtësirave në Kosovë.

Poashtu, ata janë njohur nga afër nga punëtorët e administratës me punën, fuksionin dhe rolin e Kuvendit.

Bashkatdhetarët janë shprehur të kënaqur për mundësinë që ju është ofruar për t’i vizituar hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.​

Filed Under: Mergata Tagged With: 400 bashkatdhetare-Diaspora-Kuvendi

MËRGATA- MËSUESIT VULLNETARË TË SHQIPES NË GREQI,RILINDËS TË KOHËS SONË

September 15, 2018 by dgreca

1 MesusiNga Sylejman Salihu, mësues i gjuhës shqipe në diasporë/1 Dashair ZacePasi iku në amshim mësuesi Dashmir Zaçe, miku i tij, publicisti dhe gazetari Abdurahim Ashiku, ende pa mbirë mirë bari mbi varrin e tij, i shkroi librin këtij mësuesi atdhetar, që një jetë të tërë e shkriu për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Kush ishte në fakt Dashmir Zaçe? Ai ishte një mësues, një arsimdashës, një atdhetar, një intelektual, një gojëmbël e mbi të gjitha një njeri. E njoha në takimet e seminareve për mësuesit e diasporës dhe pastaj u bëmë miq. Por në qoftë se atëherë nuk arrita ta njihja sa duhet këtë njeri, libri i Abdurahim Ashikut ma jep këtë mundësi madje në një dimension tjetër disi më të veçantë. Përse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu sepse që nga faqja e parë kur i hyra leximit të librit dhe duke vazhduar pastaj nëpër gjithë brendinë e tij, e njoha portretin e tij më shumë, më ndjeshëm, më thellë, më mirë dhe më fuqishëm. Miku i tij, që tashmë është edhe autor i monografisë për të, na e jep në këtë libër voluminoz personazhin e tij gjerësisht në një shtrirje nga të gjitha anët dhe nga të gjitha fushat, nëpër të cilat Dashmir Zaçe eci dhe shpërfaqi aktivitetin e tij mësimor, kulturor, pedagogjik, patriotik e poetik. Duke shpalosur faqet e librit “Dashmir Zaçe, një rilindës i kohës sonë”, ai na del një njeri i mbrujtur me virtyte të larta njerëzore e atdhetare, me të cilat me dinjitet dhe me profesionalizëm eci trimërisht dhe ballëhapur duke qenë gjithmonë një shërbëtor i urtë në shërbim të shkollës shqipe, nxënësve, dijes dhe atdheut në përgjithësi. Përmes këtij libri Dashmir Zaçe shfaqet kudo duke lënë gjurmët e tij: në Përmetin e tij që e deshi pafundësisht shumë, në Përmetin e luleve, në Përmetin e Laver Bariut, me të cilin këndoi ndonjë këngë apo edhe përmbysi ndonjë gotë, ku kaloi fëmijërinë dhe ku u mbrujt me këngët e bukura përmetare, të cilat janë perlat e vërteta qytetare shqiptare, shumë nga të cilat edhe i botoi vetë në librin ” A kanë ujë ato burime”. E gjejmë Dashmirin para nxënësve si mësues, por edhe e gjejmë para kolegëve të tij si drejtues shkolle, që drejton dhe ndihmon, jo me arrogancë dhe fodullëk por me urtësi, bujari e dashamirësi e profesionalizëm. Dashmir Zaçe këtu na shfaqet përmes shkrimeve, skicave, dialogëve, polemikave, monologëve, intervistave, bisedave, rrëfimeve, kujtimeve, korrespondencave. E gjejmë dhe e shohim pothuajse në çdo seminar mësuesish të diasporës, që nga Durrësi, Struga, Mitrovica, Prishtina, Peja, Berati, Shkodra e kudo tjetër gjithnjë i qeshur, i dashur. Por këtu ai shfaqet me punën dhe misionin e mësuesit në qytetin e bukur të Selanikut teksa ligjëroi gjuhën e bukur shqipe përpara fytyrave të qeshura e të virgjëra të fëmijëve shqiptarë. Derisa po shëtisnim njëherë në perëndim të diellit buzë Drinit të Zi në Strugë, Dashmiri më rrëfente për hallet dhe vështirësitë që kanë mësuesit në Greqi, të cilët nuk kishin asnjë përkujdesje as nga shteti grek jo e jo por as nga shteti amë, por që mësuesit e bënin detyrën e tyre të mësuesisë me shumë dashuri, vetëm që gjuha shqipe të jetonte dhe të mos vdiste në gojët e vogëlushëve shqiptarë, që po kërcënoheshin fuqishëm nga asimilimi pa fajin e tyre. Puna e tij pedagogjike në Shkollën Shqipe të Selanikut, është njëherit edhe guri i parë themeltar i kësaj shkolle. Ai mbajti orën e parë të saj, duke dhënë edhe emocionet e para nxënësve dhe prindërve shqiptarë përmes vargjeve të rilindësve shqiptarë dhe kështu për t’ u shndërruar edhe vetë më vonë një rilindës i kohë sonë. Para nxënësve dilte i qeshur dhe i dashur, sado ditëve të punës bënte punë të rënda fizike, për të siguruar bukën e gojës. Fliste ëmbël, butë, qartë, qetë dhe fjalët e tij tingëllonin si nota të ëmbla në një pentagram muzikor para nxënësve dhe kolegëve të tij. Por nganjëherë dinte edhe të “trazohej”. Kur, si dhe me kë? Jo me miqtë, jo me nxënësit, jo me kolegët, por me pushtetarët e Tiranës, që nuk denjuan asnjëherë të ishin pranë mësuesve të Greqisë, apo vinin vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve për të zhvatur ndonjë votë prej këtyre mërgimtarëve hallexhinj. Nuk ngurronte ndonjëherë t’ i quante edhe me emrin e vërtetë si: horra, maskarenj, të cilët jepnin ca premtime false dhe iknin. Por edhe kur ishte i zemëruar nuk nxirrte helme nga goja e tij, sado ndonjëri edhe e meritonte. Të tillëve ua mbyllte gojën urtësisht pa e prishur terezinë me fjalën dhe metaforën e bukur dhe të urtë se : “s’pyet mali me dëborë nga balta që ju doni të hidhni”. Në librin e tij Abdurahim Ashiku na e jep mikun e tij dhe mësuesin e përkushtuar Dashmir Zaçen jo vetëm me fjalë, por si një publicist i mirë që është, ai e pasuron librin edhe me fotografi nga fototeka e tij, të cilat flasin vetë sa mijëra fjalë. E shohim Dashmirin në moshë të njomë, në mesin e shokëve, në mesin e nxënësve, në ambiente shkollash, në klasa me nxënës. Dashmirin e shohim edhe me miqtë në ahengje, në shëtitje, në punë, në mesin e familjarëve të tij dhe në mesin e kolegëve, me të cilët ndau momente të jetës dhe të punës. Në libër nuk kanë mbetur pa u thënë edhe vlerësimet e miqve dhe kolegëve të tij, që i dhanë për këtë mësues të vyer e të përkushtuar, i cili mbeti një pishtar rreze drite i fëmijëve tanë në Greqi e veçanërisht i Shkollës Shqipe të Selanikut. Ku e shohim gjetiu Dashmirin? Atë e shohim te Burimi i Drinit të Bardhë, në Prekaz me vëllain e komandantit, Adem Jashari , në Prizren para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Berat duke bërë promovimin e një libri apo në Dushkajë me shkrimtarët dhe shkencëtarët bashkë. Por Dashmir Zaçen e shohim edhe duke drejtuar ndonjë seancë pune gjatë punimeve të seminarit për mësuesit e diasporës dhe me mikrofon në dorë duke dhënë mendime, pikëpamje, gjykime, vlerësime, propozime. Ai pra ishte kudo, ku e kërkonte detyra e mësuesit , poetit dhe e intelektualit. Dashmir Zaçe një jetë të tërë nuk deshi dekorata, nuk deshi lëvdata, nuk deshi mirënjohje, nuk deshi fjalë të mëdha, se ato i merrte nga gojët e njoma dhe të ëmbla të nxënësve të tij, prej të cilëve çdo fjalë shqipe ishte një mirënjohje, një trëndafil, një falënderim, një dekoratë, një përqafim, një kujtim. Edhe atëherë kur do të ikte nga kjo botë ai nuk do të donte lot, vlerësime e përgjërime:”

“Kur të iki miqtë e mi,
Më këndoni këngët e dashurisë,
Nuk dua lot e vlerësime,
Koha jonë vlerëson vetëm horrat,
Unë do të jetoj se përmendoren ia ngrita vetes,
Në zemrat e nxënësve të mi, do të mbetem kujtim,
“Kur të vij” do të thonë,
“Kemi pasur një…
Që në kurbet,
Na mësonte gjuhën e bukur të nënës…”
E unë prapë do të jem gjallë.
Kush do që ta njohë më mirë këtë mësues, le ta shfletojë librin e Abdurahim Ashikut, që është një kontribut i mirë për këtë rilindës dhe për gjithë mësuesit e diasporës shqiptare.

SYLEJMAN SALIHU

Mësues i gjuhës shqipe në diasporë

Filed Under: Mergata Tagged With: Mesuesit vullnetare, ne diaspore, Sylejman Salihu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT