• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA- “DITË SHQIPËTARE NË ITALI”

June 28, 2016 by dgreca

 

Mbresa nga “Ditët e kulturës shqiptare”,2016 në Mantova,një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,në zemër të Italisë/

Nga Jaho MARGJEKA/

Jemi nisur nga Tirana një pasdite qershori drejt Italise,të ftuar nga Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në”Ditët e kulturës shqiptare”në Mantova.Në bordin e autobusit nuk ka udhëtarë të rastit por artistë të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë.Na pret një rrugë e gjatë prej njëmijë e sa kilometra deri në Mantova.Gerti,drejtori i Ansamblit sigurohet se gjithçka është gati,dhe nisemi.Udhetojmë gjithë natën.Udha përshkon brigjet e Malit të Zi e Kroacisë.Diku në autostradën e Kroacisë zbardh mëngjesi.Ngado gjelbërim.Ndalojmë herë pas here për pak pushim e për ndonjë kafe.Sapo kemi lënë prapa Rijekën dhe dikush na e kujton se aty ka luajtur njëri nga sulmuesit e kombëtares tonë të futbollit,Bekim Balaj, transferuar kohëve të fundit në Grozni dhe mesfushori po i kombëtares Odise Roshi.Edhe në autobusin tonë mbizotëron atmosferë “Europiani”.Mbërrijmë në Slloveni,në Kozina.Aty ndalojmë jo në auto Grill por në një Pizzeri,ku shohim se ka televizorë që japin sport.Është ora e kombëtares sonë në Finalet e Europianit,Francë 2016.Ka filluar ndeshja me Zvicrën.Emocionet janë të mëdha tek të gjithë.Qindra kilometra larg Shqipërisë dhe na duket sikur Shqipërinë tone e kemi aty,pak metra më larg,tek aparatet televizive.Krenari e ligjshme,edhe pse largohemi paksa të mërzitur.Kemi lënë prapa Slloveninë e nga sipër shohim Triesten.Midis Sllovenisë,cepi i fundmë i ish Jugosllavisë dhe Italisë,nuk ka më kufij,veçëse ca ish kabina kontrolli të braktisura,gjysëm të rrënuara,simbol i Europës së ndarë.

Mirëse të gjejmë Itali.Mirë se ju gjejmë motra e vëllezër shqiptarë.Për katër pesë orë jemi aty,në Mantova.

***
Buzëmbrëmje.Fushat e pamata të Lombardisë,që i gjarpëron mes për mes lumi Po,plot grurë e vreshta,sikur marrin pak frymë nga vapa e ditës.Mantova,qarkuar përreth nga tre liqene,dhe ajo,në mes si shtojzovalle.Kryeqyteti i kulturës italiane për vitin 2016,e këto ditë edhe i kulturës e artit shqiptarë.
“ABC”, quhet edhe hoteli ku akomodohemi, e neve për një çast na duket sikur organizatorët e kanë zgjedhur enkas.Edhe shqiptarët në vitet ‘90 gjithçka nga abc-ja e filluan në Itali.Tani është realitet tjetër.
Në darkën e mirëseardhjes përshëndetemi me mikpritësit dhe të ftuarit e tjerë që kanë ardhur përpara nesh në Mantova.Na e urojnë mirëseardhjen Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali z.Ndue Lazri,anëtari i Kryesisë Klodian Cami,kryetarja e Shoqatës shqiptare “Shqiponjat”në Mantova,njëra nga organizatoret e perkushtuara të kësaj veprimtarie Anila Kaja,dhe piktorja Alketa Delishaj,veprimtare e palodhur që kujdeset të mos na mungojë asgjë në tavolinën e bollshme të mikpritjes.Presidenti i Federatës Ndue Lazri më tregon se e shtuna kur ne akoma ishim në udhëtim,kishte qenë e mbushur plot me veprimtari:-“Në shtëpinë e Rigoletos,bufonit tragjik të operas së Verdit një ndërtesë e viteve 1400 në hyrje të sheshit të madh e të bukur “Sordello”, përballë pallatit të famshëm e të madh dukal,ishte hapur ekspozita me fotografitë artistike të fotografit të talentuar Llesh Prendi,emigrant nga Lezha dhe me punimet në pikturë të Alketa Delishaj e Xhimi Hotit nga Shkodra.Ishte ekspozuar edhe një fotopeisazh i fotografes së re shqiptare nga Athina,Vivian Horieti.
Ndërsa në ceremoninë e hapjes kishin qenë të pranishëm të gjitha autoritetet lokale, që nga Kryetari i bashkisë, Mattia Palazzi, prefekti Carla Cincarilli, zëvendëspresidentja e provincës së Mantovës Francesca Zaltieri, përfaqësuesi i Rajonit të Lombardisë Marco Carra, komisari i armës së karabinierëve dr. La Gana, artisti Carlo Micheli që ishte marrë personalisht me organizimin e ekspozitës,etj.
Skulptori i punimeve në dru, regjisori, aktori dhe fotografi Llesh Biba,i ardhur posaçërisht me punimet e tij nga Tirana, i cilësuar si Salvador Dalì i artit shqiptar,i kishte dhuruar Kryetarit të bashkisë një skulpturë, nga njëra anë e së cilës është gdhendur stema e qytetit të Mantovës dhe nga ana tjetër portreti i Heroit tonë kombëtar,Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Pastaj në skenën e teatrit Bibiena,në pianon mbi të cilën ka luajtur Mozarti, në moshën 6 vjeçare, ishte ulur një vajzë e re shqiptare,Barbara Veleshnja Milova.Ndërkohë i riu shkodran Klodian Kojashi, një djalë i talentuar që jeton në Piemonte të Italisë,kishte sjellë historinë e një emigranti politik italian, nga Piacenza,famëmadhit Pietro Marubi,i cili aty nga vitet 1850 u vendos në Shkodër dhe që do ndërtonte dinastinë artistike të fotografisë“Marubi”, duke i lënë një trashëgimi e pasuri kulturore të pashembullt Shkodrës dhe Shqipërisë.
Ndërsa në sallën e bibliotekës “Nautilus”, vënë edhe ajo në shërbim të krijuesve shqiptarë,ishte promovuar vepra e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës të Shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë me qendër në Verona,ku mbi vlerat e krijimtarisë së Toninit kishte folur shkrimtarja Valbona Jakova që jeton e krijon në Breshia”.Më vjen keq që nuk ishit edhe ju,përfundon rrefimin Ndueja.
Mes bisedave të ditës e “planeve”për të nesërmen,tashmë darka ka mbaruar.E kemi tepruar pak me”Vino Rosso”.
Kthehemi vonë në hotel.Nata është e qetë.Qëndroj për pak çaste në verandë dhe imagjinoj surprizat që mund të na i sjellë e nesërmja.Me vehte kam ca kopje të një prej librave të mi me poezi.Rrugës në autobus dikush më ka thënë se në Mantova gjendet shtatorja e Virgjilit.

***
Mëngjesi i parë në Mantova.Në hollin e Hotel ABC-s,përshëndetem me Nduen dhe zëvëndësministrin e Kulturës z.Zef Çuni.Përveç kontributit të Ministrisë së tij me vënien në dispozicion të autobusit për Ansamblin e Këngëve e Valleve, ka ardhur edhe ai vet për ta ndjekur nga afër këtë eveniment të kulturës shqiptare në Itali.Në barin e hotelit tek pi kafen e mëngjesit shfletoj gazetat e ditës.”la VOCE di MANTOVA”shkruan për “Ditët e kulturës shqiptare”,me fjalë lavdëruese për komunitetin shqiptarë në Mantova dhe Itali,duke i ilustriar shkrimet me disa foto nga veprimtaritë e ditës.Ndërsa e përditshmja më e madhe sportive ne Itali “La Gazzetta dello Sport”,shkruan me simpati për lojën e kombëtares sonë ndaj Zvicrës,edhe pse me dhjetë lojtarë e një humjeje minimale.Ndërkohë më zgjat dorën dikush që më ngjan si i njohur,dhe nuk isha gabuar.Ishte gazetari e veprimtari i Komunitetit shqiptar në Itali Dilaver Baxhaku.Me Dilaverin njihesha që kur unë isha student dhe ai sekretar Kolegjumi te”Zëri i Rinisë”.Tani Dilaveri jeton midis Italisë e Shqipërisë.Shkon e vjen.Ka ardhur në Itali në vitin 1990.Ditët e para të mbërritjes këtu-thotë Dilaveri,kam bartur pllaka mermeri në kurriz,nga kati i parë i një ndërtese deri në katin e shtatë.
Mëngjesi i së dielës është i vërenjtur e me ca riga shiu.Grupi ynë i drejtohet zonës turistike të qytetit.”Casa di Rigoletto”është ndalesa jonë e parë.Bëjmë ca foto në oborr me Rigoletton.Ambientet brënda janë impresionuese.Po ashtu edhe ekspozita e hapur në këto ambiente e piktores e fotografes Alketa Bercaj Delishaj dhe e kolegëve të saj.Kolegu im në Radio Tirana gazetari Anxhelo Xhaçka kur u nisa,më kishte thënë ta vizitoja edhe Katedralen e Mantovës ku në një vitrinë
është ekspozuar dheu ku ka pikuar gjaku i Krishtit.Përpara Katedrales një grumbull i madh turistësh prisnin për të hyrë brënda.Ne kohën e kemi paksa të limituar.Kështu janë të dielat këtu,thotë Dilaveri,shpesh duhet pritur gjatë për t’i vizituar këto monumente të trashëgimisë njerëzore.
Mbërrijmë në sheshin “Mantegna” ku pasdite do të jepet koncerti i Ansamblit tonë.Pasdite nuk ka shi,thotë dikush nga organizatorët dhe na lajmëron se dreka është gati në restorant “ Xhi xhi”,aty afër.Unë e Dilaveri jemi harruar në bukuritë e mrekullitë e ndërtesave hijerënda qindra vjeçare të zonës muzeale,dhe me hijeshinë e kalldremeve me gurë të rrumbullakët, të tejmbushur me vizitorë.Më në fund mbërrijmë te “Xhi xhi restorant”.Një vajzë e gjatë simpatike na drejton tek një tavolinë ku ka vend edhe për dy karrige.Aty prezantohemi me drejtuesen e shoqatës arbëreshe “Vorea”nga Frascineto,Lucia Martino,dhe bisedojmë gjatë me të herë në arbërishte e herë me përkthimin e Dilaverit në italisht.E kisha dëgjuar,por tani po e takoja gazetaren e Radio Kosovës Vera Pelaj.Po ashtu kolegen,gazetaren e Radio Athinës,programi në gjuhën shqipe,Bardha Mançen,ndërsa poeten shkodrane që prej shumë vitesh jeton në Itali,Lili Bimi,doli se e kisha frend edhe në facebook.Përshëndetemi edhe me durrësaken Angela që kishte ardhur nga Ankona.Orët kalojnë shpejt me trokitje gotash,biseda e foto të përbashkëta.Faleminderit”Xhi xhi”.Vera juaj ishte më e mira e italisë.

***
Sheshi “Mantegna” është mbushur plot shqiptarë,turistë të huaj e italianë.Shqiptarët dallohen lehtë,më thotë Dilaveri,pasi i mbajnë fëmijët mbi supe,”kaliqafë”.Një diell mantovan na përkëdhelet mbi fytyrë.Ka ardhur ora e koncertit të Ansamblit tonë të Këngëve e Valleve popullore.Kemi udhëtuar qindra kilometra që nga Tirana për këtë moment të vecantë.Në tribunën e improvizuar përshëndesin autoritetet lokale dhe organizatorët nga Komuniteti Shqiptarë. Zëvendëskryetari i Bashkisë Giovanni Buvoli, i dhuron zëvendësministrit tonë të Kulturës Zef Çuni simbolin e poetit Virgjili,shtatorja e të cilit lartësohet vetëm pak më tutje nga sheshi “Mantegna”.
Gjëmimi i një daulleje lajmëron ardhjen e artistëve.Për pak në skenë dhe sheshin përpara saj sikur mbijnë nga dheu dhjetëra buqeta të mëdha shumëngjyrëshe.Janë valltaret e Ansamblit me shamitë e kuqe e të verdha,që valëviten hijshëm në konstelacionin e veshjeve të pjesëtarëve të grupit ku mbizotëron e bardha,e kuqja dhe e zeza.
Kënga e vaji janë balsam për shpirtin.Këta njerëz këtu kanë gjithçka por nuk e kanë këtu atdheun.Një pikë lot në cepin e syrit është dashuria,brenga e malli i Shqipërisë.
Kam fotografuar e kënduar edhe unë sa gati më është ngjirur zëri.Publiku e artistët tashmë janë bërë një.Vallëzojnë e këndojnë bashkë.Drejt nesh fytyrqeshur vjen një mesoburrë me ca mustaqe.-Mirëse keni ardhur pershendet,dhe tokim duart së bashku.Është poeti Skënder Lazaj,prezanton dikush.-Të kam kërkuar në “qiell” dhe u takuam në tokë i them Skënderit me të qeshur,pasi ditë më parë në Google në internet kisha hulumtuar për krijimtarinë e tij letrare,për rubrikën poetike të emisionit tim “Larg dhe Afër”në Radio Tirana.Skënderi jeton prej njëzet e ca vitesh në Breshia dhe ka botuar dy libra me poezi e ka në dorëshkrim edhe disa të tjerë.Ndërkohë në skenë është ngjitur Ansambli artistik i Shoqatës “Ana e Malit”,nga Ulqini,të cilët i ka përgatitur me kujdes e pasion të veçantë mësuesja dhe artistja e palodhur Luljeta Avdiu Cura.Kostumet e bukura shqiptare me ngjyrat e ndezura,xhamadanë të kuq e plisa të bardhë permbytin skenën e këtij sheshi.Një djalë i ri i afrohet mikrofonit.Jam Edis Luka nga Ulqini thotë ai,dhe me një zë burri nis e reciton ca vargje lirie.Kisha dëgjuar për artizanin shqiptar Petrit Kozeli, kavalier i republikës italiane, i njohur për këpucët dhuruar presidentit italian apo Papa Françeskos,por se do ta takoja këtu se mendoja.E urova me shpirt këtë shqiptar duarartë dhe më mbeti merak që për arësye të rrethanave të momentit nuk arrita të realizoja me të një intervistë.Një herë tjetër me siguri.

***
Nga sheshi”Mantegna”atmosfera është zhvendosur në darkën përmbyllëse të “Ditëve të kulturës shqiptare”në Mantova-2016.Këngët e vallet shqiptare s’kanë të mbaruar.Ansambli i Këngëve e valleve nga Tirana dhe Ansambli nga Ulqini kanë ngelur disi”prapa”.Fuqinë e kane marrë “vendasit”.Këgë e valle shkodrane e përmetare,çame e kosovare,nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.Një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,këtu në zemër të Italisë.Të ftuar në këtë darkë të përmbylljes së këtij aktiviteti ishin më se njëqind protagonist e pjesësëmarrës. Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali gazetari e poeti Ndue Lazri me kolegen Anila Kaja dhe të palodhurin Klodian Cami, por edhe me zëvendësministrin e Kulturës të Shqipërisë z.Zef Çuni gjejnë ndonjë rast të falënderojnë e të bëjnë ndonjë foto me pjesemarrësit e protagonistët.Në një intervistë për Radio Tiranën z.Lazri na falenderoi përzemërsisht ne që udhetuan nga Atdheu për të marrë pjesë në këtë festë të artit e kulturës shqiptare në Mantova.Falenderoi në veçanti atë ekip të palodhur djemsh e vajzash shqiptare që jetojnë e punojnë në Mantova e që shumë ditë përpara aktivitetit dhe gjatë tri ditëve të tij kanë bërë pak orë gjumë me merakun që çdo gjë të shkojë mirë. Blerta Veleshnja e Massimiliano Artioli, Nesti Ballçiti e Adriana Ballçiti, Klaudia Gargjiola e Petrit Kozeli, Silvana Trumçi e Albina Lufi, Edvin Kaja e Kristina Cenolli,etj,etj. Mirupafshim vëllezër. Gëzuar dhe mirë se të takohemi përsëri.

***
Mesnata ka mbëshjellë anë e mbanë Mantovën.Fresku i natës përkëdhelet me shtatoren e Virgjilit që unë se pashë dot.Epo,t’i vish kaq afër e të ikësh pa e parë,..Ndoshta ndonjeherë tjetër.Edhe tri vjet bëhën plot njëmijë vjet që Virgjili poet fizikisht ka ikur nga fushat e gjera të Lombardisë e brigjet e lumit Po.E,megjithatë ngryset e gdhihet aty,në Piedestal,mes mantovanëve të vet.
Nesër në udhë për Atdhe.

 

Filed Under: Mergata, Reportazh Tagged With: - Ditët e kulturës shqiptare, 2016, JAHO MARGJEKA, Mbresa nga, NË MANTOVA, në zemër të Italisë, një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare

Ministri i Diasporës, Murati: Shqiptarët kanë ngritur lartë imazhin tonë në Zvicër

June 21, 2016 by dgreca

-Mundësitë për ta fuqizuar mësimin shqip përmes një bashkëpunimi më të ngushtë në mes të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe institucioneve të Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë/

  PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Ministri i Diasporës, Valon Murati gjatë një vizite zyrtare në Konfederatën e Zvicrës, mori pjesë në turneun e organizuar nga Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër në Gjenevë e të përkrahur edhe nga Ministria e Diasporës.
 Njoftimi i dërguar thekson se, fituesit të këtij turneu, FC Prishtinës nga Berni, ministri Murati i ndau kupën dhe njëkohësisht u uroi suksese në garat e mëtejme.
Gjatë manifestimit të mbajtur për nder të këtij aktiviteti sportiv ministri Murati theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla në funksion të ruajtjes së identitetit, kultivimit të frymës sportive si dhe integrimit në shoqërinë zvicerane.
 Ministri shtoi se shqiptarët në Zvicër jo vetëm në sport, përkatësisht në futboll, por në të gjitha lëmitë janë duke korrur suksese të jashtëzakonshme dhe me pjesëmarrjen aktive në jetën publike të shtetit zviceran dhe me arritjet e tyre e kanë ngritur në nivel të lartë imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër por edhe të vetë shtetit të Kosovës.
 Gjatë qëndrimit në Zvicër, ministri Murati shoqëruar edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Ramadan Avdiu, u takua me përfaqësueses të komunitetit shqiptar, arsimtarë të mësimit plotësues shqip dhe aktivistë të shoqatave në kantonet e Gjenevës, të Vaudit dhe të Neuchatelit.
 Në këto takime përveç të tjerash me theks të veçantë u fol për mësimin e gjuhës shqipe në këto kantone ndërsa u diskutuan mundësitë për ta fuqizuar mësimin shqip përmes një bashkëpunimi më të ngushtë në mes të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe institucioneve të Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë. 
 Po ashtu ministri Murati diskutoi edhe mbi projektin e Ministrisë së Diasporës për formimin e rrjetit të shoqatave në diasporë, e në këtë kontekst u fol edhe për mundësit e gjetjes së formave dhe modeleve më të përshtatshme për rrjetëzimin e shoqatave shqiptare në Zvicër.
 Ministri së bashku me Avdiu dhe me bashkëpunëtorët e tjerë mori pjesë edhe në hapjen e ekspozitës së piktorit të shquar të diasporës sonë në Zvicër, Samedin Asllani.

Filed Under: Mergata Tagged With: Imazhin, Murati: Shqiptarët kanë ngritur lartë, ne Zvicer

Kosovë-50 mijë numra të Valës për regjistrimin e diasporës

June 21, 2016 by dgreca

Bashkëngjitje fushatës së Ministrisë së Diasporës, “…Ti je pjesë e atdheut”/

  PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Diasporës, Valon Murati, drejtori i Telekomit të Kosovë , Agron Mustafa dhe Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në një takim pune u dakorduan që edhe këtë vit, kompania më e madhe publike në Kosovë, PTK/Vala, ti bashkëngjitet fushatës së Ministrisë së Diasporës, “ti je pjesë e atdheut”.
 Në kuadër të kësaj fushate qëllimi i së cilës është ndërgjegjësimi i bashkatdhetarëve tanë me procesin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, Vala ka rezervuar edhe 50 mijë numra të rinj që do të shpërndahen për të gjithë ata bashkatdhetarë që regjistrohen në pikat e regjistrimit. SIM kartela e dhuruar do të ketë minuta, SMS dhe internet falas, ndërsa validiteti i saj do të jetë 13 muaj.
 Po ashtu, risi e këtij viti është që bashkatdhetarët të cilët kanë përfituar nga oferta e vitit të kaluar, kartelat e tyre do të rimbushen automatikisht nga Vala me 500 MB, 30 min për bisedë dhe 100 SMS, si dhe validiteti i tyre do të zgjatet edhe për 13 muaj të tjerë.
 “Bashkëpunimi me Post Telekomin e Kosovës nuk është ndalur asnjëherë, andaj edhe sivjet shënojmë vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm nisur vitin e kaluar që rezultoi me rreth 230 mijë bashkatdhetarë të regjistruar vetëm gjatë muajve të verës. Sivjet presim që kjo fushatë të jetë akoma më e suksesshme”, tha ministri Murati, duke përsëritur edhe njëherë thirrjen që bashkatdhetarët tanë të regjistrohen në numër sa më të madh.
 Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, potencoi se ky është një vazhdim i bashkëpunimit të vitit të kaluar.
“Vala është pjesë e atdheut, prandaj edhe kemi vendosur që të vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Diasporës edhe këtë vit. Sim kartelat që janë shpërndarë vitin e kaluar kanë validitet 13 muaj ndërsa Vala tashmë ka rezervuar edhe 50 mijë numra të rinj për të gjithë ata bashkatdhetarë që do të regjistrohen këtë vit, e ku përfshihen edhe minuta, SMS dhe internet falas”, theksoi Mustafa.
 Drejtori i Postës, Hoxha nga ana tjetër njoftoi se të gjitha pikat e Postës janë vënë në dispozicion të fushatës “ti je pjesë e atdheut” dhe aty do të shpërndahen formularët e regjistrimit dhe numrat, duke filluar që nga fillimi i muajit të ardhshëm.

Filed Under: Mergata Tagged With: e diasporës, Kosovë-50 mijë numra, të Valës për regjistrimin

Botime të Diasporës-DOLËN NGA SHTYPI EDHE DY VËLLIME TË THESARIT KOMBËTAR 5 DHE 6

June 16, 2016 by dgreca

Pas një pune të mundimshme u arrit që të botohen edhe dy libra të tjerë 5 dhe 6 të “ Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”, përmbajtja e të cilëve është e përkushtuar kryesisht aktivitetit të pasur të mërgimtarëve tanë në këtë vend të largët/

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Komuniteti shqiptar në Suedi ishte jashtëzakonisht mirë i organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret”, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë.

Planifikohet të botohen shumë libra

 I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare këto ditë u kurorëzua  me veprën voluminoze, përkatësisht të numrit të pestë dhe të gjashtë të librave të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani”, Suedi (SHSHASH) i titulluar “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, që doli këto sot më 16-06-2016, nga sh

typi.  Hysen Ibrahimi, kryetar i kësaj shoqate dhe njëherit njëri ndër më të përkushtuarit për të dalë në dritë edhe këta dy libra të radhës, shprehu kënaqësinë e tij se u arrit synimi për të përfunduar me sukses këtë punë të rëndësishme për komunitetin e këtushëm shqiptar. Ai, me këtë rast  përkujtoj se “ SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, e themeluar në vitin 2011, deri më sot me një punë të përbashkët dhe me përkushtim të anëtarëve dhe veprimtarëve të tjerë ka nxjerrur në dritë katër libra me rreth 2800 faqe. Librat mbajnë titullin ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” dhe kanë numrat 1, 2, 3 4. Këto ditë u botua edhe numri 5 dhe 6 i Thesarit Kombëtar të kësaj mërgate të cilat kanë afro 1100 faqe.

Librat ”Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve të cilët në shtetin suedez u angazhuan aq shumë për të dhënë kontributin e tyre për çlirimin e vendit dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sipas Hysen Ibrahimit  është planifikuar  që të botohen shumë libra të kësaj natyre sepse ka aq shumë veprimtari sa që nuk do të këtë problem në grumbullimin e materialeve, të cilat ruhen me kujdes në   ”arkivin” e veprimtarëve shqiptarë.

Shkrimet mbështeten në dokumentacionin orogjinal

Por, që çdo gjë të jetë në vendin e vet, shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar gjer më tani– është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar, theksoi  Prof.Fetah Bahtiri, Nënkryetar i shoqatës dhe kryetar i Këshillit redaktues i cili më pas shtoi : Duke lexuar dhe përpunuar materialet që janë të përfshira në Thesarin Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi numër 5 dhe 6, vërej se, sikur edhe në numrat e mëparshëm, edhe në këta dy numra fjala është për një synopsë të aktivitetit dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë në mërgatën shqiptare, e në këtë rast me theks të veçantë në Suedi në shërbim të atdheut. Them kështu për arsye se para njëzet e pesë vjetësh, për shembull, të pakët kanë qenë suedezët që kanë pasur njohuri se ku ndodhet Kosova, e edhe më të pakët kanë qenë ata që kanë pasur dijeni për problemet e Kosovës së okupuar dhe të sunduar nga Serbia.

Por, ndodhi mrekullia! Ndodhi një Vis major. Vis major ishte ardhja e shqiptarëve të shkolluar, të aftë, të përkushtuar që t´i shërbejnë atdheut dhe popullit të vet dhe sa shqiptarë erdhën në trojet suedeze, gati po aq ambasadorë të Kosovës u ndodhën dhe vepruan këtu, duke falënderuar në radhë të parë mirëkuptimit të shtetit demokratik suedezdhe popullit të tij. Ne iu përvishëm punës vrullshëm dhe Suedia e kuptoi shpejt të vërtetën për Kosovën. Shi, tani për këtë veprimtari intelektualërt shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi po shkruajnë e po shkruajnë shumë libra dhe dokumentarë duke ndriçuar ngjarjet dhe të vërtetat. Mbi të gjitha qëndron libri Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, të cilin shumë kritikë letrarë, historianë, doktorë shkencash, akademikë nuk kanë ngurruar ta quajnë enciklopedi.

Kur e nisëm këtë punë në vitin 2011 ne e kemi pas paraparë që t´i nxjerrim 10 numra me materiale e dokumente të ndryshme nga kjo veprimtari. Ja! E kaluam gjysmën e rrugës! Gjer më tani i kemi botuar katër numra dhe, që në fillim të qershorit do të dalin nga shtypi edhe dy numra – numri 5 dhe numri 6. Secili numër më i pasur se tjetri, secili numër më i mirë se i mëparshmi!…

Kësaj radhe në mbi njëmijë faqet e Thesarit… numër 5 dhe 6 ka shumë materiale nga rrugëtimi i veprimtarëve drejt çlirimit dhe lirisë së plotë të Kosovës.

Dua t´i përmend dhe të ndalem pakëz vetëm në dy shkrime: një fragment nga libri im ”Ambasadorët dhe Shërbëtorët” ku pos tjerash kam përshkruar një protest të mbajtur në qytetin Udevalla, me çrast kishim takuar edhe Kryeministrin suedez Gyran Persson, që ishte për vizitë në këtë qytet.

Protestuesit shqiptarë i thanë kryeministrit suedez për të ndërhyrë  NATO me trupa tokësore

 Fjala është për një demonstratë të madhe të shqiptarëve në qytetin Uddevalla, e cila u mbajtë më 25 mars 1998 kur demonstrantët me këmbëngulje e detyruan Kryeministrin e Suedisë të takohet me ne me ç´rast atij iu dorëzua një letër shumë domethënëse për gjendjen në Kosovë, me kërkesat e shqiptarëve për veprimet të cilat duhej t´i ndërmerrte qeveria suedeze. Letra jepet në original.

Me qenë se në Thesarët kombëtar dëshirojmë ta përfshijmë e tërë gjeografinë shqiptare, kësaj radhe e kemi një shkrim interesant për Kalanë e Ulqinit, për historikun e saj, për mbrojtjen e saj nga dy familje shqitare në kohën moderne kur me këmbëngulësinë e këtyre dy familjeve, Kalaja e Ulqinit nuk u tjetërsua dhe mbeti ashtu si kishte qenë gjatë historisë. Shkrimi është i ilustruar edhe me fotografi të cilat flasin shumë. Kështu, pra, pas përfshirjes së shumë vendeve, krahinave, shteteve, i erdhi radha edhe Malit të Zi që të jetë i pranishëm në Thesarët tanë.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke prodhuar shkrimtarë të rinj, krijues të rinj, artistë të rinj! Në Thesarët tanë mund të hasni shkrime të suksesshme edhe nga shumë autorë të cilët janë frymëzuar e ndihmuar nga Shoqata dhe kanë arritur suksese. Kemi disa shkrimtarë që veprimtarinë e shkruarjes së librave e kanë filluar si anëtarë të Shoqatës dhe pastaj kanë dalur edhe me tituj librash në prozë dhe në poezi. Në numrat 5 dhe 6 të Thesarit kombëtar hasim shkrimtarë të rinj që për herë të parë dalin me krijimet e tyre artistike.

Pra, mund të nënvizoj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke e kryer misionin e vet në mënyrë të përkyer. Dhe e tëra kjo duke iu falënderuar shtetit suedez i cili na jep mundësi dhe na ndihmon në zhvillimin e veprimtarisë sonë.

Donatorët shtyllë e fuqishme të Shoqatës

 Pa dyshim se për arritjen e rezultateve të shumta që i ka shënuar kjo shoqatë, kontribut të madh po japin edhe donatorët, përkatësisht biznesmenët shqiptar me ndarjen e mjeteve të konsiderueshme sidomos në botimin e librave të “Thesarit Kombëtar…”. Kështu për botimin e librave pesë dhe gjashtë vëllazëritë Sebat dhe Qamil Aliti nga Tetova me banim në Hamburg të Gjermanisë ndanë 43.326 korona apo rreth 4700 euro, ndërkaq  Bujar Zhuri nga Tirana, biznesmenë i suksesshëm në Norvegji sponsoroj me 500€ dedikuar SHSHASHS dhe po ashtu pagoj biljetat e aeroplanit për ardhjen e ekipit të TVSH-së për të përcjell punimet e sesionit shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi i XI Albani”, që u mbajt para disa ditësh në ambientet e Universitetit të Lundit, me rastin e 350 vjetorit të themelimit të tij.

 

Filed Under: Mergata Tagged With: 5 DHE 6, DY VËLLIME TË THESARIT KOMBËTAR, Xhavit Citaku

DIASPORA: Krijohet Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal

June 16, 2016 by dgreca

Ne nje njoftim qe mori redaksia e Gazetes “Dielli” nga  Montréali me 14 qershor  2016, mesoi se eshte themeluar nga komuniteti shqiptar nje shoqate e re e emertuar”Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal” -SHKSHM- dhe ka per kryetare zonjen Anila Kati. Ne njoftimin qe na dergoi shkruhet:

Pershendetje te nderuar bashkeatdhetare,

Me anen e kesaj letre deshirojme t’ju njoftojme per krijimin e shoqates shqiptare me emrin : Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal.

SHKSHM është një organizatë jo-fitimprurëse që i bashkohet shoqatave simotra te Amerikes se Veriut per nje perfaqesim sa me te kompletuar te komunitetit shqiptar. Parimi mbarebashkues ‘pa dallim feje, krahine apo ideje politike’ mbetet ne baze te krijimit dhe aktivitetit te shoqates.

Misioni kryesor i SHKSHM eshte te ndihmoje ne ruajtjen e frymës kombëtare shqiptare në Kebek e Kanada, nëpërmjet kultivimit të vlerave, kulturës, artit, traditës dhe gjuhës shqipe.

SHKSHM do te punoje gjthashtu me perkushtim per te ofruar shërbime të shumëllojshme e te vlefshme për grupmoshat e ndryshme në komunitetin shqiptar te Kebekut, me qellim jo vetem integrimin e suksesshem, por edhe ‘rritjen’ dinjitoze të komunitetit shqiptar në shoqërinë kanadeze, si të barabartë mes gjithë kombësive të tjera në përbërjen e shoqërisë shumë-kulturore ku jetojme.

SHKSHM desheron te shprehe gadishmerine se do jete kurdohere e hapur per bashkepunime me shoqata te tjera simotra, qofte mbi bazen e  projekteve te perbashketa, qofte me shkembime pervojash, ne te miren e shqiptarizmit dhe vlerave qe perfaqesojme.

Me Respekt,

Shoqata Kulturore Shqiptare Montréal

Kryetare:Anila E. Kati

Kontakt : shkshmtl@ gmail.com

Facebook: Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal

Filed Under: Mergata Tagged With: Anila Kati, Shoqata shqiptarene Montreal

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT