Promovim në Diasporë- Gjenocidi serb, atak mbi një popull me kulturë të lashtë!
Shkruan: Prof.Jusuf Jusufi/ Münster,Gjermani/
Mbrëmje letrare në Münster, 4 Qershor 2016 ora 19, ditë me diell, qielli i kaltërt i jepte nji kuptim më tepër këtij evenimenti. Në sallën e mbushur përplot hyri me përshëndetje të ngrohtë, njeriu që përjetoi për së afërmi ngjarje trishtuese, krime që vetëm të çmendurit mund që t’i bëjnë. Ky punëtor e shkencëtar i pashoq, ishte bërë pjesë e lotëve që rrokulliseshin faqeve të nënave trime krushjane, e nënave të shumta anë e kënd trojeve tona etnike që lirisë ia falën më të shtrenjtit, bijtë dhe bijat e tyre. E mbajti fjalën edhe iu përgjegj ftesës sonë të vij në Münster. Kushtrimin e lirisë e lëshoi nga Kosova martire. Do të vij tha, nuk do të kursehem ta shpërndaj të vërtetën e hidhur, e kam bërë në Europë, Amerikë, Australi…Erdha të ju jap mesazhin nga plagët e hapura që ende nuk janë shëruar. Ne duhet të falim(po jo pa i plotësuar kushtet armiqt tanë shekullor), sepse këtë e duan fuqitë e mëdha, por asnjëherë mos t’i harojmë krimet, masakrat, barbaritë dhe mizoritë e pashembullta që i bënë regjimet e vazhdueshme fashiste serbe mbi ne, aq makabre, pothuajse të papara në historinë e njerëzimit. Harresa është zhdukje, zhbërje, asimilim. Lëvizjet e tij ishin përcjellje e ndjenjave të brendshme. Shpesh godiste me gishta gjërat në tavolinë( kërkonte falje sikur kishte bërë faj), vazhdonte të na thotë se “ju jeni shpresa ime, me ndihmën tuaj do të zbardhë edhe shumë fakte tjera”. Herë pas here e përsëriste slloganin vëllezër e motra, çdo njeri i botës le ta din se çfarë dhune e gjenocidi ushtroi pushteti serb, u vranë e u maltretuan gati gjysmë milioni shqiptarë prej vitit 1844 deri në vitin 1999. Ky ndriçues i errësirës informatike preku shumë fusha të dijes, i burgosur politik por mbi të gjitha njerí, na bëri për vete të gjithëve. Jo se ne nuk kishim takuar profile të ndryshme, por se ai në shumëçka ishte i veçantë, ky është profesor doktor Nusret Pllana. Fokusi i masakrës në filmin dokumentar “Dëshmitë e Heshtura” që i kushtohet Krushës së Madhe, film ky që për skenarist dhe regjisor ka Luan Kryeziun. Ky djep që lindi e përkundi trima si Bajram Curri e Ukshin Hoti ishte që moti caku i maqinerisë vrastare serbe. Pamjet tonditëse që i shihnim, bënë gjithsecilin të përlotet. Unë sikur kisha një përshtypje, se u ngjallën viktimat dhe tok me ne i gëzoheshin Krushës së mbushur me fëmijë e me jetë. Ja do të thonin ata; këto filiza të ri e ripërtërijnë gjakun tonë, këto do të na kujtojnë për jetë e mot. Kurrë nuk kisha parë tha profesor Pllana, kaq shumë gra shqiptare në promovim libri në diasporë si sot tek ju në Münster. Ju lumtë!! Gruaja ka qenë dhe do të mbetet shtylla kryesore e shoqërisë. Por ne, u habitëm sa shpejtë ora vajti dymbëdhjetë. E përshëndetëm me sa mundëm me fjalët; ju profesor nuk guxoni të lodheni, vazhdoni punën në projekte të reja, se kështu arrijmë ta shkruajmë historinë me dorën tonë. E ne, nuk do të pushojmë së përkrahuri Juve dhe shkenctarët e devotshëm. Mbetshi me shëndet dhe kondicion, dhashtë Zoti e shifemi përsëri. Dyert tona ngelen të hapura për atdhetarë. Ta duash shqiptarinë më shumë se veten është sa nder aq edhe privilegj.
DIASPORA-FESTIVAL I KULTURËS SHQIPTARE, NË MANTOVA
–Tri ditë, veprimtari e parë e këtij lloji, në Itali/
Nga: Anila Kaja & Ndue Lazri
1.Mantova, ky qytet i vogël, por i bukur në Itali, një thesar i vërtetë, i vendosur si qëllimshëm në pikëtakimin e tre rajoneve, Lombardia, Emilia Romagna e Veneto, gati i ledhatuar nga ujrat e lumit Po, që kalon aty prane dhe i nanurisur nga ujërat e tre liqeneve piktoreskë, që e rrethojnë, do t’ia hapë dyert nesër, Festivalit të Kulturës Shqiptare. Një mikpritje bujare e qytetit-kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2016, që di të çmojë shkëmbimet interkulturore dhe t’u japë hapësirë edhe vlerave artistike e kulturore të etnive të tjera. Bashkësia shqiptare aty, është e para, që e ka këtë privilegj, në sajë të dashamirësisë së autoriteteve lokale të këtij qyteti dhe, veçanërisht, kryetarit të Bashkisë, Mattia Palazzi. Ky edhe në raste të tjerë e ka shfaqur hapur interesimin dhe vlerësimin për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë. Prandaj i jemi mirënjohës, që e priti qysh në fillim, me entuziazëm e përkushtim, nismën e Federatës FNAI dhe të Shoqatës “Le aquile” të Mantovas, për organizimin e këtij Festivali të Kulturës Shqiptare. Për këtë qëllim, janë vënë në dispozicion mjedise të ndryshme, njerëz dhe fonde, që kjo ngjarje të kurorëzohet sa më me sukses dhe të bëhet një urë miqësie, bashkëpunimi e shkëmbimesh të herëpashershme, të vlerave të ndërsjellta të artit e të kulturës . Shprehim mirënjohje edhe për Ministrinë e Kulturës, në Tiranë dhe veçanërisht zëvendësministrit Zef Çuni, për bashkepunimin e vazhdueshëm.
2.
Ky Festival ka një kalendar të ngjeshur e interesant. Me datën 10 qershor 2016 paradite, dmth nesër, do ai fillojë me konferencën për shtyp. Përpara gazetarëve do të ndodhen drejtues të komunës së Mantovës dhe organizatorët e Festivalit. Pasdite do të bëhet ceremonia e hapjes dhe vizita në ekspozitën e artistëve të arteve figurative: Llesh Prendi, Alketa Delishaj e Xhimi Hoti. I ftuar special është mjeshtri i gdhendjeve në dru, artisti Llesh Biba, i cili vjen me punimet e tij që nga Tirana. Pastaj, në mjediset magjike të Teatrit “Bibiena” do jetë konferenca kulturore-artistike: “Udhëtim, nga Garibaldi, te Mona Liza shqiptare”, e të talentuarit Klodian Kojashi. Do të shoqërohet me pjesë operistike, të interpretuara nga sopranoja Mimoza Rama.
Që në ditën e parë të Festivalit do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Shoqatës arbëreshe “Vorea”, në Frascineto të Kozencës.
Të shtunën, me datën 11 qershor do të jetë radha e shkrimtarëve dhe artistëve, që do t’i gjallërojnë jo vetëm mjediset e eskpozitës së hapur në Shtëpinë e Rigoletos, por edhe ato të librarisë “Nautilus”. Këtu do të përurohet krimimtaria e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Të dielën, më 12 qershor, në Sheshin “Mantegna” do jehojnë, si asnjëherë, kënga e vallja shqiptare, do të shpalosen bukuria dhe larmia e kostumeve tona kombëtare, sinfonia e instrumentëve popullorë, që dëshmojnë lashtësinë, por edhe finesën e shpirtin prej artisti të popullit tonë. Gjithashtu, do të ngjitet në skenë Ansambli i shoqatës shqiptare “Ana e Malit”, në Ulqin, i drejtuar nga e palodhura Luljeta Avdia, mësuese e pasionuar dhe shkrimtare e talentuar. Ajo punon prej vitesh me këtë grup, i cili ka dhënë shfaqje e ka fituar çmime në Festivalin e Gjirokastrës dhe në festivalet e organizuara nëpër Kosovë, është mirëpritur nga diaspora shqiptare në Amerikë etj.
Këtë veprimtari të bukur e mbrësëlënëse do ta mbyllë Ansambli i shquar i Këngëve e Valleve Popullore të Tiranës. Siç dihet, ky ka bërë turne të suksesshme në tërë kontinentet dhe çon përpara lavdinë e atij ansambli, I cili dhjetëvjeçarë më pare, në Festivalin Ndërkombëtar të Dizhonit, në Francë, fitoi “Gjerdanin e Artë”, në garë me grupet më të famshme, nga e gjithë bota.
Fesivali i Kulturës Shqiptare, në Montava,, i pari i këtij lloji në Itali, me siguri do t’i dëshmojë vlerat tona të çmuara, në fushat e artit e kulturës sonë mbarëkombëtare.
Ndaj, të bashkuar e pranë njëri-tjetrit, le t’i ndjekim dhe duartrokasim fort artistët tanë, në këto ditë festive, duke shpalosur e dëshmuar edhe me këtë veprimtari, qytetarinë tonë të lartë dhe dashurinë për Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë!
9 qershor 2016
Udhëtim me shqiptarët e suksesshëm në Britani
“Udhëtimi im” është revista më e fundit me shqiptarët më të suksesshëm në Britaninë e Madhe, të cilët janë promovuar në një ceremoni të zhvilluar në “Regent’s University” të Londrës. Mes shqiptarëve të suksesshëm ka biznesmenë, avokatë të niveleve të ndryshme, publicistë e njerëz të artit e teknologjisë, madje edhe lektorë e profesorë në universitetet e njohura angleze, si ai i Oksfordit, apo universitete të tjera britanike. Njëri prej tyre është Golë Nashi, lektor në Universitetin e Hertfordshire në Watford. “Jemi mësuar që shqiptarët këtu në Britani t’i shohim vazhdimisht në kronikën e zezë. Ky aktivitet është diçka shumë pozitive, pasi nxjerr në pah vlerat e vërteta të komunitetit shqiptar në Britani, duke i parë nga një këndvështrim shumë pozitiv për arritjet e mëdha, e që janë bërë nder i Shqipërisë në Britani”, tha Golë Nashi, lektor në Universitetin Hertfordshire. “Unë jam Aqif Neli dhe në vitin ’98 jam shpërngulur me familjen time në Britani. Me gjithë pritjen shumë të mirë të autoriteteve angleze, ne kemi kalur vështirësi, por në sajë të mundësive që krijon ky vend kam arritur të kem kompaninë time, një kompani të suksesshme, që punëson mbi 60 shqiparë dhe që vazhdon të rritet dita-ditës”, tha Aqif Neli. Drejtori i gazetës “The Albanian”, promovueses së shqiptarëve të suksesshëm të Britanisë, Petrit Kuçana thotë për Top Channel se, në këtë botim ka shqiptarë me histori që i kalojnë kufijtë e të besueshmes. “Vetëm për pak momente të imagjinojmë sesi ishte një emigrant, që dikur, ndoshta nga vitet ’97, ishte në bregdetin shqiptar dhe me skaf do të largohej drejt brigjeve të ëndrrave. Erdhi në Britani, krijoji kompaninë e tij dhe ka të punësuar britanikë, teksa konkurron denjësisht me kompani britanike. Ashtu siç kemi pedagogë që japin leksione në univeritetet britanike, apo arkitektë e avokatë, por edhe ‘barrister’ që përfaqësojnë Mbretëreshën në gjyqet britanike. Kemi edhe shkencëtarë shqiptarë, shpikjet e të cilëve publikohen në revistat gjermane. Si dhe personazhe të fushave të ndryshme të jetës, me të cilët natyrisht të gjithë jemi krenarë”, tha Petrit Kuçana, drejtor i gazetës “The Albanian”. Ky botim promovues i gazetës më të madhe të komunitetit shqiptar në Britani “The Albanian”, e cila që prej 12 vitesh del në Londër, tenton të evidentojë shqiptarët që kanë arritur në majat e profesioneve të tyre, duke u bërë shembull për emigrantët e rinj, në kushtet kur media dhe politika britanike po përdor, shpesh me të drejte e më së shumti duke spekuluar politikisht, emigrantët shqiptarë si e keqja dhe një ndër shkaqet se përse britanikët duhet të votojnë në referendum pro daljes së vendit nga BE-ja.SH.K
Shqiptarët e Bursës të investojnë në Kosovë
-Ministrja Tahiri: Fizibiliteti për investime ekonomike në Kosovë është pozitiv dhe kjo besoj është garanca më e mirë për ju investitorët/
-Në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit, në mesin e pjesëmarrësve ishin qeveritarë dhe biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia/
Bursa, 31 maj 2016/ Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dje mori pjesë në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit, të katërtin me radhë në Bursa – Turqi, të organizuar nga Rumelisiad, organizatë kjo e themeluar nga biznesmenët shqiptarë dhe emigrantët tjerë të ardhur në Turqi nga vendet e Ballkanit. Në mesin e pjesëmarrësve ishin qeveritarë dhe biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia.
Në fjalën para të pranishmëve, ministrja Tahiri theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi ekonomik mes shteteve të Ballkanit dhe Turqisë dhe kërkoi që investimet e Turqisë të rriten edhe në Kosovë duke u bërë thirrje sidomos shqiptarëve të Bursës që të investojnë në Kosovë duke u kërkuar atyre t’i shtrijnë bizneset në vendlindjen e të parëve. “Ju, biznesmenët shqiptarë që jetoni në Bursa dhe anë e mbanë Turqisë keni dy vendlindje, andaj, ky është një obligim i dyfishtë për ju, sepse ju takon që të investoni në Turqi si vendi ku jetoni, por edhe në Kosovë dhe në mbarë tokat shqiptare prej nga keni ardhur”, tha Tahiri.
“Ashtu siç e keni bërë Bursën një fuqi ekonomike ashtu presim të kontribuoni edhe për Kosovën që ta bëjmë një fuqi ekonomike për të cilën Kosova ka potenciale të mëdha”, tha ajo.
Ministrja Tahiri shtoi se Kosova po zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe ka potenciale të mëdha ekonomike dhe burime njerëzore të përgatitura për standardet e ekonomisë së tregut modern, për këtë arsye Kosova është një vend me interes për investime të jashtme. “Fizibiliteti për investime ekonomike në Kosovë është pozitiv dhe kjo besoj është garanca më e mirë për ju investitorët, sepse Kosova ka bërë reforma legjislative në favor të investimeve strategjike dhe ka krijuar mekanizma për garantimin e investimeve. Më shumë se kaq, Kosova tashmë ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE, me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave ka nxjerrë qytetarët e Kosovës nga izolimi i padrejtë. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe përkushtimi jonë për të plotësuar standardet e tregut të lirë dhe cilësisë së produkteve janë një garanci e qëndrueshme për investitorët potencial nga jashtë për të investuar në Kosovë”, tha ministrja Tahiri.
Ajo, njëkohësisht, falënderoi shtetin e Turqisë për mbështetjen që i ka bërë shtetit të Kosovës në planin diplomatik dhe të njohjeve duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.Ministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga këshilltarët politik Elona Cecelia dhe Gazmir Raci./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 65
- 66
- 67
- 68
- 69
- …
- 105
- Next Page »