• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq

August 17, 2022 by s p

Këshilli i Ambasadoreve Shqiptare (KASH), pershendet takimet e sotme te zhvilluara mes Sekretarit te Pergjithshem te NATO, me Kryeministrin e Republikes se Kosoves z.Albin Kurti dhe Presidentin e Republikes se Serbise z.Aleksander Vuçiq, duke i paraprire takimit te neserm me BE.

KASH veren se mesazhet e Sekretarit Stoltenberg jane nje sinjal i qarte dhe kuptimplote per kedo qe synon te provokoje skenare destabilizues per Kosoven dhe rajonin tone.

KASH u ben thirrje autoriteteve te Kosoves dhe Serbise qe te riperterijne angazhimin e tyre ne kuader te dialogut, dhe te punojne me vendosmeri per arritjen e nje marreveshjeje perfundimtare per stabilizimin e marredhenieve politike dhe njohjen reciproke ne mes te dy shteteve, si premisa me e mire per ruajtjen e paqes dhe sigurise ne rajon dhe Europe.

KASH shpreh keqardhjen që marreveshjet e arritura deri tani ndermjet dy vendeve nuk kanë gjetur zbatimin e premtuar, duke ushqyer rritjen e mosbesimit dhe te tensioneve perkunder qellimit te ketij dialogu.

KASH thekson rendesine qe ka rivitalizimi i dialogut qe po zhvillohet me mbeshtetjen e BE dhe ShBA-ve, dhe veçanerisht angazhimi vullnetmire i te dy paleve per te arritur nje marreveshje perfundimtare qe do t’i jepte fund agonise se pasigurise dhe do te nxiste perparimin e te dy vendeve dhe te gjithe rajonit drejt integrimit europian.

Filed Under: Opinion

DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së

August 17, 2022 by s p

Adil Fetahu/

“Trimëri e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës dhe atdheut. Të tjerat janë egërsi”: (Faik Konica).

“Më mirë flakë e gjak, se armiku në prak” (Popullore).

Lufta e UÇK-së ishte  e drejtë

Në doktrinën e luftërave ka teori, parime, kritere dhe elemente të ndryshme, sipas të cilave përcaktohet karakteri i një lufte, se a është luftë e drejtë apo jo. Këto teori kanë të bëjnë kryesisht me luftërat midis shteteve, por kohëve të fundit janë zgjëruar edhe për luftërat (konfliktet e armatosur) që zhvillohen brenda shteteve.  Termi konflikti i armatosur është më i përshtatshëm për t’u përdorur, sepse është nocion më i gjërë, që përfshië edhe luftërat klasike midis shteteve, edhe luftën e grupeve brënda shtetit. Prandaj, edhe për luftën e UÇ-së kundër forcave serbe gjitnjë e më tepër po përdoret kjo terminologji. Kjo nuk ka të bëjë me nënçmimin e luftës së UÇK-së, siç mendojnë disa, por ka të bëjë me përdorimin e një terminologjie të re të  pranuar në doktrinën e luftërave. Por, për shkak të terminologjisë më të pranueshëm në Kosovë kur bëhet fjalë për konfliktin e armatosur me forcat serbe, edhe ne këtu do ta përdorim termin: luftë (lufta e UÇK-së). 

Për vlerësimin dhe përcaktimin se a është një luftë e drejtë nga pikëpamja juridike, humanitare dhe morale, duhet të merrën parasysh disa faktorë dhe elemente. Në rend të parë vijnë shkaqet që shkaktojnë luftën. Pastaj është kauza që synohet të arrihet me luftë. Janë përpjekjet e bëra paraprakisht, që në rrugë paqësore të arrihet një qëllim i drejtë pa u përleshë me luftë.   Lufta të jetë opsion i fundit, pas dështimit të të gjitha përpjekjeve paqësore për arritjen e qëlimit. Është e drejta e popujve për  të vendosur për fatin e vet, për çlirim  nga një regjim jolegjitim, për  vetëvendosje për statusin e vet politik dhe për zhvillim  shoqëror dhe ekonomik, duke i shfrytëzuar resurset e veta njerëzore dhe natyrore.

Në rastin e luftës së UÇK-së kundër regjimit dhe forcave okupuese të Serbisë, janë përmbushur të gjitha  këto kushte, elmente dhe kritere. Prandaj, lufta e UÇK-së është plotësisht e drejtë në pikëpame të doktrinës juridike për luftën.

Së pari, Kosova  ishte e okuar nga Serbia qysh prej vitit 1912 dhe e aneksuar me dhunë shtetit të Serbisë. Këtë aneksim e lejoi Konferenca e Londrës (1913), e pas çlirimit të Kosovës (1999), duke folur për sulmet e NATO-s, kundër forcave serbe, ish-sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, (tash i ndjeri) Robin Kuk, pa thënë: “I kam lexuar të gjitha dokumentet e asaj Konference. Atë padrejtësi që është bërë atëherë, po e ndreqim tash”. 

 Nën regjimin e Serbisë e të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1912 -1941), populli shqiptarë i ishte ekspozuar padrejtësive, diskriminimit dhe terrorit në baza nacionale, fetare, sociale, ekonomike,kulturoe e në çdo bazë tjetër.

Se çfarë qëndrimi kishte shteti serb kundër shqiptarëve mund të ilustrojmë me disa theksime nga Platforma e akademikut e ministrit serb, Vasa Çubrilloviq, kur e arsyeton programin e tij për shpërnguljen e Shqiptarëve; ai thotë: “Ne Serbët nuk kemi armiqë më të mëdhenj se Shqiptarët. Nëse duhet ta ngrejmë kokën tonë, duhet ta ulim kokën e tyre; nëse duhet të ndjehemi gjërësiht në hapësirë, duhet t’ua ngushtojmë hapësirën e tyre; nëse duhet të na dojë bota neve, duhet të bëjmë çmos  që t’iurrejë ata. Që Iliro-Dardanët ta braktisin vendin e tyre, duhet me çdo kusht dhe me çdo mënyrë t’ua nxijmë jetën. Që të arrijmë këtë, së pari duhet t’ua mohojmë origjinën iliro-epirote-dardane dhe t’ua marrim krenarinë ilire,t’ua shkatërrojmë votrat dhe t’ua ndërrojmë emrat, t’ua njollosim emblemat dhe t’ua fshijmë simbolet e lashta ilire.  Dodosdomshmërisht duhet t’i bëjmë që të bjerrin gjuhën dhe zakonet e tyre dhe njëkohësisht t’a rrëmbejmë gjithçka që kanë të lashtë ilire e ta përvetësojmë ne. Duhet t’i lëmë pa miq rreth e rrotull, derisa ata të urrehen e mos durojnë njeni-tjetrin dhe përfundimisht ta mohojnë vetveten. Që të finalizohet kjo platformë, duhet domosdoshmërisht që antishqiptrizmi të jetë filozofia dhe deviza e vetme e shtetit tonë. Mos harroni se mosqenja e Shqiptarëve, është vetë ekzistenca e kombit Serb”!

Në frymën e kësaj platforme të akademikut Çubrilloviq, ka vepruar tërë kohën regjimi serb kundër Shqiptarëve. 

 Nga dhuna e ushtruar shtetërore, një pjesë e madhe e shqiptarëve janë  detyruar të shpërngulën për në Turqi, në Shqipëri apo në shtetet e Perëndimit, ndërsa në tokat e Shqiptarëve ka sjellë kolonistë Serbë, për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë së Kosovës.  

Në Luftën e Dytë Botërore Shqiptarët u radhitën në aleancën kundër fashizmit e nacizmit, me shpresë dhe me premtime se pas çlirimit do t’iu lejohet bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë, gjë që nuk iu lejua. Vazhdoi e njëjta politikë e diskriminimit dhe represionit dhe Kosova mbeti e vetmja koloni (e Serbisë) nga të gjitha kolonitë e çliruara prej shteteve koloniste të Europës.  Populli Shqiptar kurrë nuk u pajtua me pozitën kolonialiste, diskriminuese që iu imponua, por në  mënyra e forma të ndryshme shfaqte paknaqësinë e vet kundër regjimit. 

Pas Kushtetutës së RSFJ-së (1974)  Kosova, si krahinë autonome, fitoi statusin e njësisë federale të Jugosllavisë dhe nisi një zhvillim të hovshëm ekonomik, kulturor, arsimor dhe në të gjitha aspektet. Por ky zhvillim i Kosovës dhe përparim i Shqiptarëve  e pengonte nacional-shovinizmin klerofashit serb, ashtu që me dhunë policore-ushtarake (1989)  e suprimoi atonominë e Kosovës dhe shtriu regjimin e dhunshëm të Serbisë në të gjitha segmentet e jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore, madje në sporte. Vazhdoi me respresalje brutale kundër shqiptarëve: përjashtimin prej pune, prej shkollave, burgosje, rrahje, vrasje. Serbia ishte okupatore dhe pushteti i saj nuk kishte legjitimitet në Kosovë, pasi ai pushtet nuk kishte përfaqësuesit as pëlqimin e popullit Shqiptar. Lufta çlirimtare e një populli kundër një okupatori, gjithherë dhe kudo është  luftë e drejtë. 

Populli Shqiptar i mbledhur rreth LDK-së, si një lëvizje  politike gjithëpopullore, u përpoq të bënte një rezistencë paqësore kundër dhunës së regjimit brutal të Serbisë dhe e internacionalizoi problemin, duke kërkuar  zgjidhje paqësore për statusin e vet të pavarur, por politika paqësore nuk dha rezultate, veçse gjendja sa vinte keqësohej  e më tepër, aq sa zullumi u bë  i padurueshëm.  

U bënë përpjekjet në rrugë diplomatike e juridike për zgjidhje paqësore. Në këtë frymë, Kuvendi legitim i Kosovës më 2 korrik miratoi Deklaratën Kushtettuese për Kosovën Republikë e barabartë me republikat e tjera në kuadër të federatës  apo të konfederatës jugosllave, por regjimi i Serbisë e okupoi tërësisht dhe shtriu dhunën mbi institucionet, ndërmarrjet dhe mbi popullin e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës (shtator 1990) dhe Referendumi i mbajtur për pavarësinë e Kosovë  (tetor 1991), veçsa i shërbyen si pretekst Serbisë për të shtuar dhunën e represaljet. E ndihmuar nga  mediat e regjimit dhe inspiruar nga Kisha Ortodokse Serbe, kundër Shqiptarëve u krijua urrejtje e paparë, që sa vjen e rritet edhe sot 23 vjet pas çlirimit të Kosovës.

Meqë durimi dhe shpresa për zgjidhje paqësore ishin shterrur dhe nuk dhanë rezultate, populli u detyrua t’i çaset edhe metodës të përgjigjes së dhunës me dhunë. Kështu, grupe  të caktuara  ilegale herë-pas-herë kryenin aksione  të armatosura kundër forcave serbe. Ishte kjo shenjë se populli është i vendosur të luftojë për t’u çliruar nga regjimi kolonial gadi njëshekullor i Serbisë. Gradualisht u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila mori mbi vete barrën dhe përgjegjësinë për luftë të armatosur kundër Serbisë, me kauzën e drejtë – për çlirim e bashkim kombëtar. Kauza e luftës së UÇK-së nuk ishte e re, ajo i ka rrënjët nga Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja e Prizrenit (1878),  për liri e bashkim kombëtar. Kjo kauzë shihet edhe nga formula e betimit të ushtarëve të UÇK-së, që kishte këtë përmbajtje:

“Si pjesëar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se: 

  • Do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për bashkimin e tyre;
  • Do të jem përherë besnik, luftëtar i denj i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm në çdo kohë, pa kursyer jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut;
  • Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj – qoftë i humbur gjaku im! Betohem!”.

Lufta e drejtë  për pavarësi e Shqiptarëve në Jugosllavi, e personfikuar tashmë në forcën e saj të armatosur,  UÇK-në,  e ka mbështetjen  e fortë edhe në “Deklaratën e KB mbi dhënien e pavarësisë vendeve dhe popujve kolonialë” (Rezoluta 1514/XVI e Asamblesë së Përgjithshme të KB, 14 dhjetor 1960).  Në pikën 2 të asaj Rezolute thuhet: “Të gjithë popujt kanë të drejtën të vendosin lirisht për fatin e tyre; në bazë të kësaj të drejte, ata përcaktojnë lirisht statusin politik të tyre dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror e kulturor”.

E drejta e vetëvendosjes së popujve, rrjedhimisht lufta e drejtë e UÇK-së,  është e përforcuar edhe në  dy dokmnente tjera  paraprake juridike të KB, pikërisht në Paktin Ndërkmbëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966). Në nenet e para të të dy atyre Pakteve është përcaktuar se “Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata e përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe sigurojnë në liri zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”.

Çështja e vetëvendosjes së popujve është definuar edhe në  Aktin Final të Helsinkit, në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (1975). Në Kapitullin VIII  të atij Akti (Barazia dhe vetëvendosja e popujve), në paragrafin e dytë është përcaktuar se: “Në bazë të parimit të barazisë së popujve e të drejtës së tyre për vetëvendosje, të gjithë popujt kanë gjithnjë të drejtën të vendosin në liri të plotë, kur të duan dhe si të duan, statusin e tyre politik të brendshëm e të jashtëm…dhe të vazhdojnë sipas deshirës së vet zhvillimin e tyre politik, ekonomik, shoqëror e kulturor”.  Ndërsa në  Kartën e Parisit të KSBE-së (1990), është garantuar se: “Ne do të sigurojmë që secli  (popull,v.j.) të gëzojë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet efektive të mbrojtjes juridike kombëtare ose ndërkombëtare kundër çdo shkelje të të drejtave të tij”. Lufta e UÇK-së për çlirim, pavarësi e vetëvendosje bëhej në bazë të këtyre parimeve të akteve ndërkombëtare, dhe  asnjë mendje e shëndshë nuk mund të mohojë atë se ka qenë   luftë të drejtë. 

Përkah numri, Shqiptarët ishin kombi i tretë në ish-Jugosllavi (pas Serbëve dhe Kroatëve), por iu mohohej statusi i kombit dhe për ta kishin shpikur një term “kombësi”, për t’ua mohuar të drejtën e vetëvendosjes, të cilën e kishin kombet tjera shumë më të vogla (malazezët, maqedonët). 

Se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë kundër agresionit të Serbisë në Kosovë,  vërtetohet edhe me vetë intervenimin e NATO-s, në ndihmë UÇK-së, në mbështetje të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara.  Po të mos ishte e drejtë lufta e UÇK-së, NATO si aleancë e shteteve më demokatike nuk do të radhitej përkrah saj.

Nga çfarëdo aspekti që të marrësh, lufta e UÇK-së për çlirimin e vendit dhe të popullit nga okupimi serb ishte luftë e drejtë. Si rezultat i asaj lufte të drejtë, erdhi çlirimi dhe formimi i shtetit të Kosovës, të cilin e njohën shumica e vendeve më demokratike të botës dhe e njohu edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila vërtetoi se me shpalljen e pavarësisë, Kosova nuk ka shkelur asnjë parim ose normë të së drejtës ndërkombëtare, madje as Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB 1244.

A ishte e pastër Lufta e UÇK-së

Çështja e pastërtisë së luftës nuk është objekt rregullimi i të drejtëssë luftës, respektivisht të konfliktit të armatosur. Kjo çështje i takon të drejtës ndërkombëtare humanitare, e cila parasheh mbrojtjen e kategorive të caktuara të njerëzve, të objekteve, të infrastrukturës e të tjera, në rastet e konflikteve të armatosura. Për këtë ekzistojnë katër konventa të Gjenevës (1949) dhe protokollet shtesë të tyre: 1) Konventa për të Plagosurit dhe të Sëmurët e Forcave të Armatosura Tokësore; 2) Konventa …për të Sëmurët dhe dhe të Plagosurit në Anijet e Përmbytura të Forcave Detare; 3) Konventa për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës; dhe 4) Konventa për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte. Të gjitha ato konventa mbajnë datën 12 gusht 1949, dhe të gjitha i obligojnë palët nënshkruese (nënshkruese ka qenë edhe Jugosllavia), që gjithëherë dhe në çdo rast të respektojnë rregullat e të drejtës humanitare, pavarësisht se a i respekton ato pala kundërshtare ose jo. Në këtë aspekt nuk vlenë parimi i reciprocitetit. Dhe këto parashohin përgjegjësinë e individëve për shkeljen e rëndë të normave të kësaj të drejte, si për rastet e luftës midis shteteve ashtu edhe për konfliktet e brendshme.

Në dispozitat e përbashkëta të të katër konventave parashihen sanksione penale për shkeljen e konventave. Për konfliktin e armatosura të karakterit jondërkombëtar, që ndodh në territorin e njërës paë (të konventës, v.j.), secila nga palët në konflikt është e detyruar të zbatojë të paktën dispozitat që vijojnë:

“1. Personat që nuk marrin pjesë drejtëpërdrejt në luftime, bashkë me forcat e armatosura që kanë dorëzuar armët dhe janë nxjerrë jashtë luftimit për shkak plagosje, zënie rob, sëmundje ose për çdo shkak tjetër,- në të gjitha rrethanat duhet të trajtohen njerëzisht, pa asnjë dallim rece, ngjyre, feje ose besimi, seksi, lindjeje ose pasurije apo çdo kriteri tjetër analog.

Kundër personave të kategorive të lartëpërmendura janë të ndaluara, në çdo kohë e në çdo vend:

  1. dhunimi kundra jetës ose tërësisë trupore, sidomos vrasja në të gjitha format, gjymtimet, trajtimet mizore, torturat dhe ndëshkimet; 
  2. marrja e pengjëve; 
  3. cënimi kundra dinjitetit personal, sidomos trajtimet poshtëruese dhe çnjerëzore;
  4. dënmet e dhëna dhe ekzekutimet e bëra pa një gjykim paraprak të dhënë prej një gjykate të formuar rregullisht dhe të veshur me ato garanci gjyqësore që janë njohur si të domosdoshme prej gjithë popujve të qytetëruar.

2. Të plagosurit dhe të sëmurët do të mbldhen dhe do të kurohen. 

Se si kanë vepruar forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë – dihet botërisht. Ato kanë vrarë, masakruar e djegur për së gjallë civilë të cilët fare nuk kanë qenë të armatosur as të involvuar në luftë. Nuk kanë kursyer as gjini as moshë. Në mesin e të vrarëve e masakruarëve të tillë kanë qenë edhe 1400 fëmijë, ndërsa janë dhunuar mbi 20 mijë femra, disa prej të cilave i kanë vrarë pas dhunimit.  Të mos e përmendim plaçkitjet e gjithçka që kishte vlerë dhe që mund ta lëviznin, ndërsa shtëpitë ua digjnin, shpeshherë me familjarë brenda!

Por, në kontekst të të drejtës humanitare të konventave të përmendura, ai barbarizëm i forcave serbe, nuk i justifion krimet eventuale që mund t’i kenë kryer individë të prirur për krime edhe nga radhët e UÇK-së, ndaj personave të palës tjetër, sepse  është vështirë të përmbahen kur shohin e dëgjojnë se çfarë kanë bërë forcat serbe ndaj të afërmëve të tyre apo përgjithësisht ndaj civilëve shqiptarë.

Duhet konstatuar e pranuar këtu, se asnjëra palë e konflktit të armatosur, pas atij konflikti, nuk i ka proceduar fajtorët e krimeve të kryera nga radhët e forcave të veta. Përkundrazi, në Serbi krimnelët e tillë janë trajtuar si heronjë e janë avancuar në pozita shtetërore. Tribunali i Hagës i ka gjykuar një numër të vogël për krime të tilla.

Nuk mund të thuhet me siguri të plotë se edhe nga individë të caktuar, pjesëtarë të UÇK-së, nuk ka pasur shkelje të dispozitave humanitare në kuptimin e konventave të përmendura më sipër. As gjykatat e UNMI-ut e të EULEX-it, as gjykatat vendore të Kosovës nuk e kanë dhënë provimin për procesuimin e personave të dyshuar apo të akuzuar për vepra kriminale nga konflikti i armatosur. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare insistoi të formohet një gjykatë speciale për procesuimin e pesonave të dyshuar. Gjykata edhepse quhet se është Gjykatë Speciale e Kosovës, ajo nuk ka të bëjë asgjë me sistemin gjyqësor të Kosovës, selinë e ka në Hagë,  të gjitha instancat gjyqësore janë në kuadër të saj, kurse gjykatësit dhe prokurorët janë të gjithë të huaj, pa asnjë shqiptar. Absurdi më i madh është se gjykata  është themeluar për gjykime njëetnike, vetëm të shqiptarëve. Absurdi tjetër është se edhepse është speciale për gjykime të periudhës së luftës, kompetencën e vet e ka shtrirë prej 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, e dihet se lufta ka përfunduar më 10  qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, dhe se UÇK-ja është shpërbërë në qershor të atij viti.  Përshtypja është se ajo gjykatë do të gjykojë në bazë të gënjeshtrave të Sigurimit dhe të Prokurorisë së Serbisë, të grumbulluara e dërguara Gjykatës, në formë të “provave me shkrim e me fotografi”, dhe në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të përgatitur prej atyre organeve, qofshin ata si “viktima” apo si dëshmitarë të akuzës.  Fundja, ajo Gjykatë u themelua në bazë të raportit të Dick Martit, i përpiluar kryekput në bazë të  shpifjeve dhe gënjeshtrave të organeve të Serbisë, gjoja për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve, për të cilat nuk janë gjetur prova përkundër hetimeve të thella qe dhjetë vjet që janë bërë nga organet hetuese ndërkombëtare. Prandaj, jemi skeptik se Gjykata Speciale do mund të gjykojë drejtë, as personat të cilët gjendën aktualisht në proces, as të tjerët që do t’i procesuojë pas tyre. 

Sidoqoftë, përgjegjësia është individuale dhe çfarëdo vendimesh të merrë Gjykata Speciale, nuk do të mund ta njollosë pastërinë e luftës së UÇK-së. Sepse lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, luftë çlirimtare, me kauzë të qartë.  

UÇK nuk ka vrarë e masakruar as fëmijë as gra civile serbe. Vrasja e fëmijëve dhe grave është në kundërshtim të rreptë me traditën dhe etikën shqiptare.  Nga ana tjetër, civilët serbë të gjithë kanë qenë të armatosur, shteti iu ka dhënë armët, prandaj edhe nëse nuk kanë qenë të mobilizuar apo vullnetarë në formacionet ushtarake, policore e paraushatarake, ata në një mënyrë kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të forcave serbe kundër UÇK-së.

Adil FETAHU 

Filed Under: Opinion Tagged With: Adil Fetahu

KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…

August 16, 2022 by s p

-Një përkujtesë e shkurtër nga bisedas e Ibrahim Rugovës me shkrimtarin Kapllan Kallushi gjatë pritjes në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në shtatorin e vitit 1990, me ç’rast Rugova i sugjeroi që 33 vitet e burgut në Jugosllavi dhe Shqipëri t’i shfrytëzojë për të pasqyruar dhunën e diktaturave komuniste në të dy anët si dhe bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy shteteve për ndjekjen e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë dhe të patriotëve të tjerë antikomunistë dhe jo për ngritjen e akuzave ndaj shkrimtarëve, ngaqë amnestohen shkaktarët e vërtetë të tragjedisë personale dhe kolektive!

Jusuf BUXHOVI

Në njërën ndër ditët e nxehta të atij shtatori, në rrugë e sipër për të barakat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku kishim edhe qendrën e LDK-së, te kafe “Elida” ku rëndom pinim kafen e mëngjesit, Xhemail Mustafa dhe Ramadan Musliu, kishin zënë këndin me një mesoburrë. Sapo u afrova, Xhema me tha se ishte shkrimtari Kapllan Kallushi. Kishte ardhur për ta takuar Ibrahim Rugovën dhe, po ashtu, interesohej për një intervistë në gazetën “Rilindja”.

Takimi i papritur me Kallushin më gëzoi për dy arsye.

E para kishte të bënte me atë se Kallushin e kisha lexuar nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta, kur interesimi im për letërsinë ishte thuajse ushqim i përditshëm shpirtëror. Asokohe, në “Jetën e re”, novelat e Kallushit “Fanola” më kishte fascinuar. Bashkë me të tjerat (Trubadura) ma kishte krijuar përshtypjen e prozatorit më të mirë shqiptarë të kohës. Me tregimet dhe novelat e Demaçit, R. Kelmendit, A. Pashkut, R. Rexhepit, “Jeta e re” ishte kthyer në një mësonjëtore të letërsisë shqipe prej nga shkrimtarët e rinjë (T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramdani, Y. Shkreli e të tjerë), po krijonin modelet e tyre të brendshme, parakusht ky për ngritje letrare.

Arsyeja e dytë, kishte të bënte me atë se, pas gjithë asaj që dihej për ndjekjet dhe përndjekjet e gjata, vitet e burgjeve në Jugosllavi dhe në Shqipëri ( ndonëse në vitin 1965, romanit “Tradhtia”, nga Enver Hoxha në “Zërin e Popullit” ishte auajtur “vepër madhështore”, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte shpallë vepra më e mirë e vitit), rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitin 1990 ia kishte hapur “dyert e lirisë”, të cilën ai në disa prononcime të shkëputura e quante “vazhdim i diktaturës në rrethanat e reja”, pra “një mashtrim, ku xhelatët e deridjeshëm vazhdojnë t’i ndëshkojnë viktimat e tyre”!

Në të vëretë, takimi i parë dhe i vetëm i Dr. Rugovës me Kapllan Kallushin, u nis dhe u sos te kjo çështje, që Kallushi e shtronte me shumë ngërç, me emocionalitet të mundimshëm, ndërkohë që Rugova përpiqej ta lironte nga ajo që atij i kishte kaluar në fiksim ngulfatës, që si do të shihet do ta kthejë në viktimë të saj, prej nga shkrimtari ndër më të talentuarit e kohës, do t’ia lëshojë vendin hakmarrësit të pandreçshëm që do ta çojë edhe deri te “tradhtia” ndaj vetvetes dhe kauzës mbi të cilën kishte filluar rrugëtimi i tij si shkrimtari shqiptar ndër më premtuesit.

“Është mirë që kohën e burgjeve jugosllave dhe atyre shqiptare ta trajtosh në një vepër letrare gjithëpërfshirëse. Veçmas bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy vendeve kundër ndërgjegjes kombëtare shqiptare… Meqë jeni mjeshtër i pendës, një prozë e tillë do të nxjerrë në pah Gulagun shqiptar… Një vepër e tillë do të arrinte përmasat edhe të veprës së Solzhenjicinit…”

Rugova, disa herë ia përsëriti këto fjalë Kallushit. Po ai, nuk ndalej që nuk ndalej, me akuzat ndaj shkrimtarëve shqiptarë që thoshte se nga xhelozia kishin shpifur dhe e kishin çuar në burg!

“Dua të tregoj se si shkrimtari për shkrimtarin është ujk…”

Rugova i tha se kjo mund të ishte e vërtetë, por gishtin duhej drejtuar nga shkaktarët e zezonës shqiptare dhe njerëzore në pëprgjithësi (diktatura komuniste, ideologjia e saj) dhe jo te viktimat.

“Nuk ishin ata viktima. Ishin pjesë e aparatit policor”, zuri të çirrej Kallushi.

Rugova prapë e ruajti qetësin edhe kur Kallushi ia lëshoi përpara një manuskript, ku tha se gjenden akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare kundër tij.

“Bota duhet ta dijë këtë”, tha Kallushi, kur Rugovës iu sosën fjalët dhe e pa se Kallushi ishte në një gjendje të rëndë, që duhej ndihmuar disi.

Në këtë mënyrë përfundoi edhe takimi i parë dhe i vetëm i Kapllan Kallushit me Rugovën. Ky takim, si duket i kishte lënë shije të hidhur, ngaqë e kishte kuptuar se shkrimtari i talentuar Kapllan Kallushi nuk ekzistonte më. Burgjet e gjata, mundimet dhe gjithë ato që e kishin përcjellur, e kishin shndërruar në një urrejtës, mohues dhe vetëmohues…

Po atë ditë, Xhemail Mustafën e këshilloi që bisedën eventuale me Kallushin, për të cilën ai edhe kishte ardhur në Prishtinë, ta lironte nga mllefet dhe traumat e rënda psikike që ia kishin lënë atij vitet e gjata të burgjeve dhe përjetimet e tmerrshme në to…

“Përpiqu që Kallushi të flasë për Gullagun shqiptar… Të tjerat janë të dëmshme për ne dhe për të…”

Intervista e Xhemail Mustafës me Kapllan Kallushin kishte dështuar, pikërisht te kjo çështje, ngaqë Kallushi nuk kishte pranuar të fliste për tjetër pos për “shkrimtarët që e kishin çuar në burg” dhe për të njëjtit “që edhe pas lirimit nga burgu “po e ndiqnin pamëshirshëm me ndihmën e hetuesve të deridjeshëm, prokurorëve dhe gjithë infrastrukturës së dhunës”, të cilët “me rrëfimet e tyre si sigurimca, gjoja rreth bashkëpunëtorëve të sigurimit nga radhët e intelektualëve, ishin kthyer në “vrasëse të lirisë mashtruese”!

….

Filed Under: Opinion Tagged With: Jusuf Buxhovi

President Biden Signs the Veterans Health Care Legislation

August 14, 2022 by s p

by Rafaela Prifti/

PACT Act delivers Critical Health Care and Other Benefits for Veterans. It is considered to be the most significant expansion of benefits and services for toxic exposed veterans in more than 30 years. PACT stands for Promise to Address Comprehensive Toxics and honors Sergeant First Class Heath Robinson. It is named after the decorated combat medic, who served in Iraq and Kosovo, and died from a rare form of lung cancer two years ago.

“This historic legislation will help deliver more timely benefits and services to more than 5 million veterans—across all generations—who may have been impacted by toxic exposures while serving our country,” White House said. Danielle Robinson, the widow of Sergeant First Class Robinson, was a guest of the First Lady at an emotional ceremony in the White House.

“Ours is just one story. So many military families have had to fight this terrible emotional battle. So many veterans are still battling burn pit illnesses today,” Danielle Robinson said.

It is a sentiment that echoes the long struggles to ensure treatment for chronic illnesses that have plagued veterans exposed to burn pits, which were a commonplace in order to get rid of a wide variety of items, and dispose of chemicals, tires, plastics, medical equipment and human waste. Estimates of affected troops run to 3.5 million, according to reports. However, 70% of disability claims involving exposure to the pits were denied by the Department of Veterans Affairs.

President Biden’s son, Beau Biden passed away at 46 from brain cancer.  In a 2018 PBS interview Joe Biden said that his son’s fatal brain cancer may have been caused by exposure to military burn pits while serving in Iraq and Kosovo.

Ervin Dine, a Kosovo veteran and Vatra Executive Council Member told Dielli that he recalls the first experience with burn pits in Kosovo. “It was necessary in keeping with the hygiene, in particular when you are out there for 2 or 3 months straight at times. It is nauseating especially for the marines whose job is to mix in the burning waste.” Commenting on the approval of the bill, Dine said that “every area of life in 2022 is upgraded by advancement  including arms, aviation etc. and that needs to include the hygiene of service members.”.

The bipartisan law will direct officials to assume that certain respiratory illnesses and cancers are linked to burn pit exposure, which would help veterans get disability payments without having to prove the illness was the result of the service. Although the provision involving burn pits has garnered the most attention, other health care services in the bill are expanded to benefit the veterans from the Vietnam War and more.

The Senate approved the measure by a vote of 86-11. The passing of the bill ended a brief stalemate that enraged supporters and saw veterans groups camp outside the Capitol. The legislation that passed last week is considered to be the largest expansion of veterans health care in more than three decades..

Elmi Berisha, Vatra President, reflected on the significance of the bill by highlighting the strong connection of Vatra in the service of the country including  3,000 Albanian immigrants who signed up with US troops in World War I and the Vatra Corps Volunteers who went to Albania on April 2, 1920 as well as generations of servicemen and women that have followed in their footsteps.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

24 vite më parë, Adem Demaçi, mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK

August 13, 2022 by s p

Armend Mehaj/

Sot janë bërë 24 vjet, prej kur Adem Demaçi, mori detyrën e përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përpjekjet e tij jetësore për liri, drejtësi e barazi, për të cilat vuajti tri dekada në burgjet e regjimit të pushtuesit, tani do të realizoheshin përmes luftës së armatosur çlirimtare.

Ai shte prijësi ynë më i denjë, më i drejti, idealisti i pakompromis, më i guximshmi e më largpamësi ndër ne, i panënshtrueshëm, lirinë e deshi më shumë se çdo gjë tjetër:” Kam ecur lirshëm, sepse kam dashur të jem i lirë, unë nuk mund ta pranoja që të jetoja si një mi në një vrimë, për sa kohë që unë jetoj dua të jetoj si një luan. Kur më duhet të vdes, do të vdes”, ky ishte baca Adem.

Në rrugën tonë drejt të ardhmes, në ndërtimin e Republikës, në forcimin e ushtrisë sonë, nuk kemi se si të ecim nëse bacën Adem nuk e kemi me vete.

Sllogani “Rroftë Shqipëria, nëna jonë” i shkruar në secilin qytet të Kosovës më 12 prill 1964, është destinacioni që synonte baca Adem. Ai, UÇK-ja, Kosova, liria dhe Shqipëria, do të mbeten përjetësisht të pandarë nga njëri-tjetri.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • 207
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT