• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Loja e diellit për mbrojtjen e qiellit shqiptar

August 30, 2021 by s p

Nga Nue Oroshi /

Rrezatimi i diellit shpeshherë përzihet me retë e zeza që shpërndahen në një lartësi të vogël qiellore, për ti ndalur njerëzisë rrezet e diellit. Pa rrezet e diellit njerëzia është e boshatisur dhe e ftohur nga akullnajet e ftofta që për shkak të ndërrimeve klimatike kanë filluar shkrirjen.Sikur në notimin e qiellit që i le në heshtje planetët e tjera kur i lëshon në thellësinë e Tokës, rrezët e diellit. Njerëzia fillojnë lojën e sirenave pa e parë fare vetëdijësimin dhe pa i futur në levizje shqisat e ndëgjimit dhe të pamjes që janë ndalur për një moment pranë panteonit magjik. Sikur rrezet e diellit të kishin depërtuar më herët në qiellin shqiptar, toka shqiptare do ta kishte shkëlqimin e duhur. Por këto rreze nëpër periudha të ndryshme historike i penguan pushtuesit e ndryshëm të cilët na sollën prapambeturinë dhe na e lanë pa e rrezatuar Shqiptarinë. Në pshtjellimin e mbështjellësit magjik të trurit diçka nuk është duke funksionuar gjatë lëvizjeve shqiptare të cilat po e fillojnë me proklamimin e kombtarizmit e po përfundojnë në prehrin e ish pushtuesve. Pa i ndërruar rolet politikanët shqiptar po lëvizin nëpër ujërat e turbullta thua se karrika e pushtetit po i prishë pushtetarët.Jo ata nuk i prishë karrika e pushtetit por lakmia për famë e pasuri.Loja e diellit për mbrojtjën e qiellit i ka pshtjelluar lëmshin e trurit thua se e vërteta po ngec dhe nuk po ka fare hapësirë përkundër të pavërtetës. Një dallim i madh ekziston në mes të mitit dhe realitetit. Një shoqëri që jeton me mite ende nuk e ka zgjidhur çështjen e të qenurit komb apo shtet. Kombet dhe shtetet moderne nuk bazohën në mite por në ngjarje reale historike.Historia duhet të shkruhet sikur se ka ndodhur jo sikurse kanë dëshirë politikanët te këtë ndodhur që ende janë në ndikimin e miteve dhe mitologjisë.E vërteta për të ekzistuar sipas parimit të së vërtetës historike i qon kombët përpara.Edhe ne shqiptarët duhet të mësohemi ta shkruajmë historinë me forcën e argumentit, të lëmë mitet dhe mitologjitë se ato asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e orientimit të shqiptarëve.Nga pamja apo këndveshtrimi i përpjekjeve ne mes të modernes dhe ruajtjes së një realiteti intelektuali duhet ta zgjedh ruajtjën e realitetit për të vendosur bazat e një realiteti modern në shoqëri. Çdo shoqëri e cila nuk e ka një piksynim se ka duhet te shkon dhe kah e ka të vendosur busullën e orientimit është shoqëri e cila është e humbur në shkretëtirë. Humbja në shkretirë pa e gjetur orientimin përmes busullës i ngjanë nxënjes së “kalikagjës” kur binin dikur mjegullat e mëdhaja në trojet shqiptare dhe kur nuk shihej në dy metra. Atëherë nuk kishte as diell dhe nuk shihnim as qiell. Loja e diellit për mbrojtjën e qiellit  i jep shkëlqim rrezeve të dritës të cilat janë duke ecur përmes metodës ngre e mos këput. Mësimi për të arritur plleshmërinë në veprime nuk i ngjanë atij modeli për të cilin flasim por i ngjanë punës se çka bëjmë dhe si veprojmë. Sa herë që në ironinë e fatit lidhen penjët me një nyje të fortë gjithmonë dalin djem dhe vajza të cilat i zgjidhin nyjën e perit e cila nyje nuk ka te bëj më nyjën e plleshmëris por ka të bëj më nyjën e dashurisë qiellore toksore,detare e malore për dheun e mëmëdheut apo atdheut. Këtu mbyllet loja e diellit për mbrojtjen e qiellit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Loja e diellit, Nue Oroshi, politika shqiptare

UDHËTIM MIRËNJOHJE

August 29, 2021 by s p

  Hazir MEHMETI                            

“Harresa është kusht i domosdoshëm i kujtimit”
                                                                                          (Zhari) 

Njerëzve human që ndihmuan në mbledhjen e fakteve të përmbledhura në librin kushtuar fëmijëve shqiptarë të helmuar para 30 vjetëve, “Pranverë e helmuar”. 

           Gusht, dita e trembëdhjetë që kishim arritur në Kosovë. Vjena nuk është larg, vetëm një orë rrugë qielli, por malli ishte shtuar për vendin pas tetëmbëdhjetë muajve në rrethana pandemie. Kalendarin me të cilin fillon dita, tregonte  tridhjetë vjet nga koha e helmimit të fëmijëve shqiptarë, ngjarje e shkruar në çdo cep të kujtesës dhe pa dashje shfletova librin. Në kujtesën time larg, atje në pragun e shkollës kur zilja thërriste e mekur nga zëri i fëmijëve në ankthin e përditshëm. Për çudi, shfletoheshin në retinën time, mu ato foto që kisha nxjerrë faqeve të shtypit botëror, nën të cilat kisha shkruar të dhënat e sakta.  Më kujtuan shumë momente nga ajo zezonë bashkë me kohën në retrospektivën e saj të pandalshme. Unë dhe miku im Rexha, ishim pjesë e asaj kohe, pjesë e shtypit me gjithë ato  përjetime në  egërsinë e rrethanave të robërisë. Kamera e Rexhep Rifatit fliste që nga ajo kohë bashkë me reportazhet e tij në “Rilindje”  dhe gazetat e kohës.


        Së bashku me veteranin e gazetarisë shqiptare,  Rexhep Rifatin, kishim bërë udhëtime për të takuar njerëzit e kohës, të cilët kishin  ndihmuar fëmijët e helmuar, përkundër maltretimeve nga forcat pushtuese serbe. Sot jemi më të qetë, nuk do t’i mundojmë të tjerët  në shfletimin e kujtesës, sot vendosem të udhëtojmë  me librin kushtuar atyre si dhuratë vlerësimi për të cilin kontribuuan duke dhënë fakte e dëshmi. “Pranverë e helmuar”, tani mbetet një kujtim i hidhur në pranverën e lirisë së fituar me aq mund e sakrifica.
  Rrugës…
Takuam Josef Biden-in lapidar, vepër respekti e nderimi për mikun e madh përtej Paqësorit, SHBA-në, prijëse e transformimeve progresive në glob. Buçetë lulesh të freskëta nga toka jonë e ngrohtë, një detyrim i ligjshëm ndaj mikut.  Fotografi e fjalë, falënderim e respekt për mbështetjen e vazhdueshme Kosovës dhe shqiptarëve në të drejtën e tyre të mohuar shekujve.
Athua, a mund të shprehet vetëm me fjalë! “Pranvera e helmuar” e shndërruar në pranverë lirie për gra e burra sot të cilat dje ishin fëmijë e protagonist të librit, të një historie të rendë. Faleminderit Josef Biden!
Binça
Pritja në Shtëpia e Zotit  ishte e ngrohtë, aty ku para tridhjetë vjetësh kërkohej shpëtimi i fëmijëve shqiptarë të helmuar nga pushtuesi serb. Kësaj radhe me dashamirësi vëllazërore na priti Dom Marjan Marku famullitar e aktivist i njohur në disa vende ku i shërbeu njeriut dhe kombit. Sërish, pas shumë viteve u takuam me murgeshën zemërmirë Jela Andjelic të cilën e rikthyem në kujtime me librin e dhuruar “Pranverë e helmuar”.  Ishte ky një moment befasie e cila e emocionuar përzemërsisht u falënderua.  Në libër edhe Mirjana Gojevic, Viktorina, Dom Lush Gjergji, Ipeshkvi Imzot Nikë Prela, Kardinali Franjo Kuharic e shumë tjerë të cilët ndihmuan jetën e shtrenjtë atëherë kur ishte vështirë.
“Miku i mirë, në ditë të vështirë”- tha populli.
    Historia e Binçës dhe rrethinës së saj e njohur moteve shqiptare, një traditë që kultivohet akoma nga bijat e bijtë e saj me frymëzimin e shenjtëruar, me emrin e Shën Terezës në zemër dhe mirësinë njerëzore në shpirt.
      “Shoh, një foto nga Shtëpia e Zotit, para tri dhjetëvjetësh”- në gazetën kroate “Glas Koncila”, foli Jela Andjelic në shqip dhe kroatisht, aty ku duket vajza e helmuar që i jepej ndihma, atëherë kur edhe vet ishte e re. Për murgeshën zemërgjerë nuk ishte pak, dyzet e dy vjet shërbim në Binçën zemërmadhe.   Të gjithë u ngazëllyem nga fjalët e mirësisë dhe modestisë që dëgjuam, bashkë me buqetat e luleve të freskëta përballë Apostujve të shenjtëruar në altarin e adhurimit njerëzor bashkë me betimin në shërbim të tij. 

      Faleminderit shumë! Nuk e prisja këtë befasi të këndshme, ne çdo ndihmë e kemi bërë për njeriun e vuajtur, për Krishtin, jemi bijtë dhe bijat e tij- ishte zëri i mirënjohës i Jeles pas kaq shumë vitesh nga takimi ynë i fundit.
      Kamera e Rexhës nuk harronte asnjë çaste fjalën e saj, Ajo bashkë me ne u bë pjesë e historisë sonë të pikturuar afreskeve të tempullit me aq mjeshtëri. Ne tani ndanim dhembjet e vuajtjeve dhe krenarinë e përbashkët.  
      Kafja me shijen e Gentianes ilire nga malet e Dardanisë na bëri me krah për ecjen tonë tutje përtej kodrës.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Binca, Joe Biden, kosova, Nga Hazir Mehmeti

KONFLIKTI SHQIPTARO-SERB ËSHTË KONFLIKT HISTORIK

August 28, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli

Midis shqiptarëve dhe serbëve kemi një konflikt historik. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, shqiptarët kanë bërë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ndërsa serbët, të mbështetur nga Rusia, kanë bërë luftë pushtuese, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste. Gjatë konfliktit shqiptaro-serb, Serbia ka ushtruar dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera. Gjatë konfliktit shqiptaro-serb, Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, Serbia nuk ka mbajtur përgjegjësi asnjëherë. Dhuna serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera, ka qenë politikë shtetërore. Dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve, me ndihmën e Beogradit, kanë ushtruar edhe sllavo-maqedonasit dhe malazeztë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, por me një konflikt historik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kemi të bëjmë me një konflikt historik ndërmjet dy popujve. Kur është fjala për raportet me Serbinë, Shqipëria duhet të tregohet e matur. Tirana nuk mund të ndërtojë raporte me Serbinë jashtë kontekstit të konfliktit historik ndërmjet dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve. Kontaktet politike ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre serbë, duhet të jenë kontakte politikanësh të dy popujve ndërluftues. Në të vërtetë, kontaktet politike ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre serbë duhet të jenë kontakte të politikanëve të një populli i cili ndaj Serbisë zhvilloi luftë mbrojtëse dhe çlirimtare dhe të politikanëve të një populli i cili ndaj shqiptarëve historikisht zhvilloi luftë hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese dhe kolonialiste, duke kryer edhe gjenocid ndaj shqiptarëve. 

Gjenocid ndaj shqiptarëve kanë qenë: 

– “Naçertania” e Ilija Garashaninit e vitit 1844; 

– Libri “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile) i vitit 1913, i Vlladan Gjorgjeviqit;  

– Elaborati “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) i vitit 1937, i Vaso Çubrilloviqit.

Serbia sot ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Duke i margjinalizuar dhe duke i getoizuar shqiptarët e këtyre viseve, Beogradi synon të imponojë shpërnguljen e heshtur të tyre. Pas dhjetë apo njëzet vjetësh, numri i shqiptarëve të këtyre viseve do të reduktohet tej mase. 

Para kësaj tragjedie të dhimbshme, Tirana zyrtare hesht dhe i ka mbyllur sytë. Heshtin edhe institucionet shkencore dhe arsimore të kombit – akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës. Heshtin edhe institutet shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, si për shembull institutet e historisë apo edhe institutet e tjera.

Derisa Serbia pakicën serbe në Kosovë e mbështet politikisht dhe materialisht, Tirana dhe Prishtina s’bëjnë dot asgjë për t’i mbështetur shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevën, Bujanocin, Medvegjlën). Vizitat që ia bëjnë politikanët e Tiranës kësaj pjese shqiptare, një herë në tridhjetë vjet, nuk e përbëjnë kuintesencën e çështjes.     

Ndaj krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera, të kryera gjatë shekullit XX, Fuqitë e Mëdha historike të kontinentit të vjetër, kanë qenë indiferentë. 

Kancelaritë perëndimore kanë heshtur për krimet serbe ndaj shqiptarëve:

– në kohën e luftërave ballkanike, 1912-1913;

– gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitet 1914-1918; për raportet shqiptaro-serbe flet Xh. Shala në studimin “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 1990;

– në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, në vitet 1918-1941, d.m.th. gjatë qeverisjes së Nikolla Pashiqit dhe të mbretërisë së karagjorgjeviqëve;

– në periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1941-1944;

– në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur u riaktivizua elaborati i Vaso Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve drejt Anatolisë; 

– në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në viset e tjera Beogradi ushtroi dhunë nëpërmjet qeverisjes së Aleksandër Rankoviqit, të njohur në histori si rankoviqizëm;

– në vitin 1968, kur në Kosovë dhe në viset e tjera shpërthyen protestat popullore për liri, pavarësi dhe demokraci, Beogradi ndërhyri me ushtri dhe polici, me shkopinj gome dhe tanke, duke i mbushur burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë me intelektualë shqiptarë që thoshin: “S’jemi jugosllavë, jemi shqiptarë”, që nuk e respektonin himnin e Jugosllavisë “Hej sllavë”;

– në vitin 1981, kur në çdo cep të Kosovës dhe të viseve të tjera shpërtheu kryengritja për liri, pavarësi dhe demokraci, Beogradi nxori në rrugët e Kosovës ushtrinë dhe policinë, ndërsa aeroplanët bombardues të tipit MIG, fluturonin përmbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera; numri i ushtarëve serbosllavë në Kosovë u shumëfishua, ndërsa burgjet e Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, u mbushën me shqiptarë, të akuzuar për nacionalizëm, separatizëm dhe secesionizëm;

– në vitin 1985, boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) e nisi fushatën histerike ndaj shqiptarëve; sakaq, në janar të vitit 1986 doli në Beograd “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve; ky libër që doli anonim, parashikonte suprimimin e Kushtetutës së vitit 1974, që nënkuptonte shuarjen e federatës jugosllave, suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës dhe ringjalljen e politikës unitariste, centraliste dhe etatiste serbe me dominim serbomadh;

– frymëzues kryesor i nacional-socializmit serb në këtë kohë ishte shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore, Dobrica Qosiqi, i konsideruar pater patriae;

– në dance macabre apo në vallen e krimit që do të pasonte, ishin lidhur: Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse (fashiste) Serbe, mediumet serbe; mendimi kritik u shua pothuajse plotësisht; në Serbi mbizotëroi njëmendimi politik dhe ideologjik; shoqërisë serbe iu imponua homogjenizimi;    

 – fushata histerike antishqiptare e filluar në vitin 1985, rezultoi me daljen në skenë të nacional-socializmit serbomadh, me në krye Sllobodan Millosheviqin;  

 – përkrah Millosheviqit qëndronin kriminelët e luftës Vojisllav Shesheli, Vojisllav Koshtunica, Vuk Drashkoviqi; rreth Sheshelit sillej kryetari i përtashëm i Serbisë – Aleksandër Vuçiqi, ndërsa pranë Millosheviqit qëndronte Ivica Daçiqi;

– e ashtuquajtura Armatë Popullore Jugosllave dhe policia serbe u vunë nën kontrollin e Millosheviqit;

– në vitin 1991 Serbia e filloi agresionin në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë; gjatë agresionit ushtarako-policor në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, Serbia kreu krime lufte dhe gjenocid;

– në vitin 1998, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Serbia iu përgjigj me krime lufte, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore; në vitet 1998-1999 Serbia kreu gjenocid në Kosovë.

*   *   *

Në marrëdhëniet me Serbinë, Tirana zyrtare duhet t’i ketë parasysh krimet e sipërthëna serbe në Kosovë. 

Para Luftës së Dytë Botërore, Ahmed Zogu kishte krijuar raporte të caktuara me Serbinë, përkatësisht me kryeministrin Nikolla Pashiq. Nga raportet midis këtyre dyve rezultoi ajo që quhet “Marrëveshja Nikolla Pashiq – Ahmet Zogu, e gushtit të vitit 1924”, Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924. Marrëveshja përmban 16 pika. Në pikën e fundit, të 16-të, thuhet se ky traktat është sekret dhe se nuk mund të publikohet pa pëlqimin e palëve. Marrëveshja është arritur në këmbim të ndihmës që Serbia do t’i jepte Zogut për t’u kthyer në Shqipëri dhe për ta shembur qeverinë e Fan Nolit. Duhet shtuar se ka të tillë që e kontestojnë autenticitetin e marrëveshjes së sipërthënë.          

Më 23 qershor të vitit 1946, shkon për vizitë në Jugosllavi Enver Hoxha. Ishte ditë e diel. Enveri ishte kryetar i Qeverisë së Shqipërisë, ministër i Mbrojtjes Kombëtare dhe ministër i Punëve të Jashtme. Pjesë e delegacionit shqiptar ishin: gjeneralmajor Myslim Peza, nënpresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë; gjeneralmajor Bedri Spahiu; Manol Konomi, ministër i Drejtësisë; Nako Spiro, ministër i Ekonomisë; kolonel Nesti Nerenxhiu, zëvendësministër i Punëve të Brendshme; kolonel Manush Myftiu, drejtor i Drejtorisë Politike pranë Shtabit të Përgjithshëm; dhe nënkolonel Vasil Konomi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në aeroportin e Zemunit, qytet që sot kufizohet me Novi-Beogradin (Beogradin e Ri), Enverin e priti delegacioni jugosllav me në krye Josip Broz Titon.       

 Në nëntor të vitit 1997, në qytetin Iraklio të Kretës u mbajt samiti i vendeve të Ballkanit. I pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano. Përshëndetet me Sllobodan Millosheviqin dhe i propozon një takim kokë më kokë. Takimi midis tyre është mbajtur në një dhomë të katit të dytë të hotelit, të parashikuar enkas për takime të tilla. Ndonëse i parashikuar të zgjatë 45 minuta, takimi midis tyre ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Në samitin e Kretës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Paskal Milo. Për takimin Nano-Millosheviq, në opinionin shqiptar ka pasur reagime të ashpra. Duke qenë se takimi është mbajtur tête à tête, askush s’e di se çka kanë biseduar ata dy.         

Më 12 mars 2010 vajti në Beograd për vizitë dyditëshe zëvendëskryeministri, përkatësisht ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ilir Meta. Ai në Beograd u takua me zyrtarë të lartë të Serbisë. Në kuadër të kësaj vizite ai u ndal edhe në Preshevë dhe në Bujanoc ku u takua me udhëheqësit shqiptarë të pushtetit vendor. 

Më 10 nëntor të vitit 2014, kryeministri Edi Rama vajti në Beograd dhe u takua me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Takimi u mbajt pas ndeshjes së futbollit ndërmjet skuadrave përfaqësuese të Serbisë dhe të Shqipërisë, që u luajt në Beograd më 8 nëntor të atij viti. Në këtë ndeshje u lëshua në fushën e stadiumit harta e Shqipërisë etnike. Thuhet se ky takim qenkësh sugjeruar nga qarqet perëndimore. Pas këtij takimi të Beogradit, me eksponentin e ultranacionalizmit, të hegjemonizmit dhe të ekspansionizmit serb, Vuçiqin, Rama është takuar edhe herë të tjera. Më 21 dhjetor 2019, u mbajt në Tiranë “samiti” i shtetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të këtij Shengeni të Vogël ballkanik vjen në Shqipëri edhe Vuçiqi. Ardhja dhe qëndrimi dyditor i tij në Tiranë dhe në Durrës, nga një pjesë e opinionit shqiptar u prit me reagime të ashpra. 

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, ndodh 51 vjet pas vizitës së Enver Hoxhës. Kishte të tillë që vizitën e Ramës në Beograd e cilësuan si historike. Në të vërtetë, kjo nuk ishte kurrfarë vizite historike. S’ishte fare historike. Historike s’ishte as ardhja e Vuçiqit në Tiranë. Historike cilësohen takimet apo vizitat që rezultojnë me marrëveshje historike midis dy popujve. Këndej Edi Rama hiqet sikur shkrin akullin në raportet me Beogradin, Vuçiqi ndërkaq deklaron se “çështja” e Kosovës mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Me këtë nënkuptohet: “Një ditë Amerika do të dobësohet, ndërsa Rusia dhe Kina do të forcohen. Pas kësaj, Serbia – me ndihmën e Moskës – do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë”.    

*   *   *

Shqipëria e sotme nuk është ajo e vitit 1924, e kohës së Nikolla Pashiqit dhe e Zogut. Nuk është as ajo e vitit 1946 kur Enveri u prit nga Josip Brozi në Beogard. Nuk është Shqipëri e periudhës së monizmit dhe e diktaturës. Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në BE, kështu që  Beogradi nuk ka pse i duhet. Për dallim nga Shqipëria moniste, kjo e sotmja është shtet me sistem pluralist dhe demokratik. Atë e vizitojnë miliona turistë nga gjithë bota. Ata thonë se vend më të bukur se Shqipëria s’ka. Shkruajnë se popull më bujar, më fisnik dhe më mikpritës në rruzullin tokësor nuk kanë parë. Këtë e thonë të huajt. Rrjedhimisht, inferior përballë Tiranës le të jetë Beogradi dhe jo e kundërta. 

Të rinjtë shqiptarë e lënë vendin dhe i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit, jo ngase vendi i tyre s’është i mrekullueshëm, jo ngase bashkëkombësit e tyre s’janë fisnikë. Ata ikin nga pushtetarët dhe nga qeveritarët që nuk janë në krye të detyrës; nga pushtetarët dhe nga qeveritarët që i ka mbuluar dhe i ka verbuar nepotizmi, paaftësia politike, mjerimi intelektual dhe varfëria etike. Ata ia kthejnë shpinën, jo Arbërisë dhe shqiptarëve, por politikanëve të   korruptuar.      

Tirana zyrtare duhet ta dijë se kombi pret nga Beogradi:

– të njohë pavarësinë e Kosovës;

– të respektojë tërësinë e tokave të Kosovës;

– të respektojë sovranitetin e Kosovës;

– të miratojë një rezolutë me të cilën do t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet dhe gjenocidin e kryer që nga viti 1877 e deri në ditën e çlirimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të ndihmuar nga ShBA-ja;

– t’ia kompensojë Kosovës shfrytëzimin e egër kolonialist, që nga viti 1912 e deri në ditën e çlirimit, më 1999;

– t’i paguajë Kosovës reparacion lufte apo zhdëmtim;

– të japë njoftime për fatin e të pagjeturve:

– t’i dënojë kriminelët e luftës që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve,

– ta ndërpresë gjenocidin e heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);

– ta ndërpresë dëbimin e heshtur të shqiptarëve nga Kosova lindore, përkatësisht ta ndërpresë pastrimin etnik të heshtur të asaj pjese shqiptare të robëruar.

Gjenocidin serb në Kosovën lindore, Tirana duhet ta shtrojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet të kërkojnë nga Beogradi që t’i japë fund armatimit dhe militarizimit. Me fjalë të tjera, ata duhet të kërkojnë çmilitarizimin dhe çarmatimin e Serbisë.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se në dialogun e Brukselit duhet biseduar vetëm për dy çështje:

– për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia; dhe

– për njohjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) ashtu siç i gëzon pakica serbe në Kosovë. 

Serbët në Kosovë përbëjnë 3% të popullsisë. Ata gëzojnë të drejta si asnjë pakicë në Bashkimin e Evropian.    

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të normalizohen pa i plotësuar Beogradi detyrime e sipërthëna. Pasi Beogradi t’i lajë mëkatet e lartpërmendura, që nuk lahen lehtë, duhet pritur edhe disa dekada që të shërohen plagët e shqiptarëve të burgosur, të torturuar, të dënuar, të plagosur, të vrarë, të përdhunuar, të pagjetur.       

Shqiptarët përballë Serbisë duhet të veprojnë, të reagojnë dhe të sillen, jo si Kosovë por si komb.  

       Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: Konflikti shqiptaro-serb, Xhelal Zejneli

Të vdesësh nga vetmia, kjo vuajtje johumane

August 27, 2021 by s p

Nga Majlinda Bregasi

Don Lush GJERGJI, Conversazioni con Madre Teresa, VELAR – Dottrinari, 2021, f. 95. Kur të pish një pikë ujë kujtohu për mua, lutu për mua dhe unë gjithmonë do të të kujtoj në lutjet e mia përpara Zotit tonë, sepse ti je prifti im.

Janë këto fjalët e fundit që Shën Nëna Terezë i thotë autorit të këtij libri, Dom Lush Gjergjit, që për mua janë shumë domethënëse nga shumë pikëpamje. Dhe si gjithmonë fjalët e fundit janë ato të pashlyeshmet, testamenti që u duhet transmetuar të tjerëve, është besa për ne shqiptarët. Kush e njeh Dom Lushin, veprimatarinë e tij të pashterrshme, librat e tij dhe atë si person, gjithmonë i gatshëm për të të dëgjuar e për të të kuptuar, pa të gjykuar kurrë, nuk e ka të vështirë ta kuptojë përkushtimin dhe adminirimin e tij për Nënë Terezën e Kalkutës. Nuk e di nëse kjo rrjedh nga lidhja e gjakut, ajo etnike, apo nga lidhja shpirtërore, ajo që i lidh njerëzit në botë nga të njëjtat ndjenja humane, por është e qartë që Shën Nënë Tereza është muza e tij. Analiza e bisedës është fusha ime e ngushtë e studimeve, ajo që më frymëzon për të kuptuar natyrën humane nëpërmjet akteve spontane të komunikimit, natyrale, të papritshme, të paprojektuara, por gjithmonë të qëllimshme. Ne e organizojmë jetën, ndërtojmë marëdhëniet tona me të tjerët nëpërmjet bisedave të përditshme, ku gjuha njerëzore shfaqet në natyrshmërinë e saj të plotë, pa përpunime stilistike e semantike mbi letër. Janë gjithë ato fjalët që me të dalë nga goja hyjnë direkt në mendjen e të tjerëve, duke prekur edhe ndjenjat më të fshehta. Forca e fjalës, mbi të cilën janë ngritur monumente mendimesh duke u nisur pikerisht nga Bibla, ‘E para ishte fjala’, që në bisedat e përditshme merr krahë. Dhe ja ku qendron bukuria e këtij libri dhe mençuria e autorit që na sjellë pjesë të bisedave të tyre për të na hapur me natyrshmëri dyert e një bote që na përket më shumë sesa e mendojmë.

Fluturojmë tash drejt botës së pafundme së një gruaje të vogël, nga një vend i vogël, i parëndësishëm për botën, që mrekulloi njerëzimin me forcën e saj shpirtërore, me përkushtimin e saj ndaj të tjerëve dhe me dashurinë e saj për jetën. 

Jeta, jeta njerëzore. Ajo që nuk mund të hiqet mënjanë, të zvetënohet, të hidhet poshtë, të harrohet. Sepse Zoti tha që vlejmë më shumë se lulet, thotë Nënë Tereza që këtë vlerë diti ta ridimensionojë, jo përpara Zotit, sepse dashuria e tij është e pafundme, por përpara nesh, pasi shpesh na qëllon të humbasim në përditshmërinë tonë.

‘E dimë se ka sëmundje të rënda në botë, por gjithmonë e më shumë po e shohim se sëmundja më e madhe në botë është që njerëzit nuk kanë dashuri njëri për tjetrin, nuk ka dashuri mes tyre’, ankohet shenjtja jonë. Mungesa e dashurisë, mbyllja në vetvete, përqendrimi në universin tonë të vogël duke injoruar gjithë atë që është përreth nuk bën gjë tjetër, përveçse të rrisë distancën me të tjerët, duke na bërë gjithmonë e më të huaj me botën, gjithmonë e më të varfer në ndjenja. Sepse nuk mjafton pasuria për të qenë të pasur.

Pse dhurojmë? Shpesh ia kam bërë vetes këtë pyetje duke menduar për atë ndjesi që prodhohet pasi kemi bërë një veprim që e dimë mirë që për dikë do të thotë shumë. Sepse i duam të tjerët? Sepse kemi mësuar që nuk mund të jemi të lumtur kur të afërmit tanë vuajnë? Sepse kjo pandemi globale, si asnjëherë më parë, na mësoi se fqinjët tanë janë edhe ata që jetojnë në kontinente të tjera? Se kjo botë, konfuze dhe indiferente në pamje të parë, në realitet është shumë më e lidhur? Se pasuria e të pasurve varet direkt nga forza e të varfërve? Apo sepse të dhurosh të bën thjesht të lumtur? Dhe ne dhurojmë për këtë motiv, sepse duam të jemi të lumtur. Dhe nuk ka rëndësi ku shkojnë dhuratat tona, ne buzëqeshim çdo herë që e bëjmë, ndihemi të dobishëm. Është pikërisht të ndjerit i padobishëm që krijon një vuajtje të madhe dhe na shpie në dëshpërim të thellë e depresion.  

Na kanë mësuar se qenia njerëzore është një makinë shumë e komplikuar dhe si e tillë është perfekte. Por praktikisht ne kuptohemi pa sforcime edhe me njerëzit që u përkasin kulturave dhe gjuhëve të largëta. Të gjithë kemi të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtat lot. Të gjithë kemi uri, etje dhe mbi të gjitha kemi një nevojë të madhe për të ndier dashurinë e të tjerëve.

‘Njerëzit në gjithë botën vuajnë kryesisht nga vetmia, nga braktisja… Nuk vdesin vetëm nga uria, mund të vdesin nga vetmia, nga të mos pasurit asnjë njeri me të cilin të flasin. Kanë nevojë për të pasur afër dikë që i do.’ Të vdesësh nga vetmia, çfarë vuajtje jonjerëzore!

Gjatë gjithë jetës kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll, i tha një njeri i varfër, i braktisur nga familja, nënë Terezës ndërsa ajo e mbante në krahët e saj. Faleminderit! Ishin fjalët e tij të fundit ndërsa jepte shpirt. Një Faleminderit që flet shumë, një Faleminderit që Nënë Tereza nuk do ta harronte kurrë.

Shenjtja jonë ka takuar miliona njerëz në botë dhe ka ditur të shprehë me fjalë kaq të thjeshta shqetësime kaq të mëdha të njerëzimit. Vetmia. Ky burim i pashterrshëm për frymëzimin artistik që i ka shtyrë njerëzit të krijojnë kryevepra arti, ky burim vuajtjesh është po kaq i domosdoshmëm edhe për të ndier praninë e Atit.

‘Vuajtja është shenja që Zoti na do sepse na afron me të, na bashkon me kryqin e tij. Kur shoh njerëzit që vuajnë kaq shumë mendoj që kalvari është gjithkund, që vuajtja e Krishtit jeton te njerëzit tanë. Duke parë Krishtin e kryqëzuar, shohim kokën e tij të përkulur për të na puthur, krahët e hapura për të na përqafuar, zemrën e hapur që të mund të gjejmë një strehim te ai.’ Ja pse shërben vuajtja për Nënë Terezën: të mos harrojmë Atin, sakrificën e tij për ne, dashurinë e tij, praninë e tij.

Por a arrihet që me dashuri të tejkalohet çdo gjë?

Deri tani kam arritur të arrij çdo gjë me dashuri dhe me lutje, i thotë shenjtja Dom Lushit, ‘por këtë jo’ duke iu referuar kërkesave të pandërprera ndaj shtetit shqiptar për t’i dhënë leje të vizitonte nënën dhe motrën që jetonin në Tiranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk i kishte parë që në vitin 1928, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk ia dhanë kurrë atë leje. Nënë Tereza mundi vetëm të vizitonte varret e tyre pas rënies së regjimit.

‘Ende ekzistojnë kufij dhe pengesa që as dashuria nuk arrin t’i tejkalojë. Vetëm Zoti e di motivin pse nëna dhe motra ime duhet të vuajnë kaq shumë në këtë botë. Pa dyshim, lutjet dhe sakrifica e tyre më ndihmojnë shumë në misionin tim. Çdo gjë për lavdinë e Zotit’ thotë shenjtja me fytyrën e trishtuar. Ajo grua trupvogël që dukej si e bërë prej hekuri e nuk mposhtej përpara asgjëje, ajo që kishte i dhuruar botës mijëra buzëqeshje, ajo që ua kishte zbutur dhimbjen njerëzve të braktisur nëpër rrugë, të cilët kishin dhënë frymën e fundit në prehërin e saj, për herë ta parë i rrëfen priftit të saj dhimbjen personale.

‘Ndonjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra nga Tirana. Shkruajnë pak dhe kanë dëshirë të më takojnë mua dhe vëllain Lazrin… ajo që mund të them është që lutem shumë për Shqipërinë, lutem që Zoti ta ndriçojë kët popull dhe që t’i bëjnë të kuptojnë se nëse duan të jetojnë në paqe duhet të duan njëri-tjetrin… Mendoj se për Kishën tonë katolike shqiptare ende nuk ka kaluar e Premtja e Madhe, por besimi ynë na mëson se jeta e Krishtit nuk përfundon këtu, por vazhdon mbi kryq dhe plotësohet me Ringjallje. Njerëzit tanë nuk duhet e nuk munden ta harrojnë kurrë këtë.  

‘Duajeni tjetrin ashtu si ju do Zoti ju! Kumbojnë fjalët e saj, fjalët e shenjtes sonë që ia kushtoi gjithë jetën vetëm një qëllimi, përhapjes së dashurisë universale, mbi të gjitha për ata që vuajnë.

Prishtinë, 26 gusht 2021                                                         Majlinda Bregasi

(Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze)

Filed Under: Opinion Tagged With: don Lush Gjergji, Majlinda Bregasi, Nene Tereza

LIRIA E FJALËS DHE “TRUBADURI” SLLAV NË KORÇË

August 26, 2021 by s p

                                               

  Nga Frank Shkreli/


A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Ja edhe këngëtari sllav Goran Bregoviq — e cilësoj si “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai — shkoi në Korçë, pa çka pau, këndoi dhe iku por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e ftuan dhe sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se, megjithë zhurmën e madhe, pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë, personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e Birrës”, duke menduar se nëqoftse pjesëmarrja e tij atje ndihmon që të shitet ndonjë birrë më tepër, aq më mirë – ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë me vete.

Por siç duket, retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore shqiptare.  Megjithëse i kuptoj shumë mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e Bregoviqit në Festën e Birrës në Korcë – por edhe ata brenda Shqipërisë që mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë – megjithë kundërshtimet mes dy palëve, unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është me rëndësi për tu zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë e lirisë së fjalës për të dy palët, për ata që kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në Festën e Birrës dhe atyre që e mbështën atë të shkonte e të këndonte në Korçë.  E shikova si një debat midis dy a më shumë vëllëzërve e motrave që nuk janë dakort për një çështje me rëndësi për ta dhe për derisa diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar – s’ka gjë të keqe në këtë mes.  Falë nderës Zotit këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, mund të diskutojnë me njëri tjetrin, por edhe me të tjerë — nga afër dhe nga larg, si të barabartë dhe të lirë — derisa lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama në mbrojtje të pjesëmarrjes së Bregoviqit dhe mbështetësve të tij në Korçë dhe duke sulmuar ashpër ata shqiotarë, sidomos, nga Kosova që kritikuan pjesëmarrjen e tij në festën e Korcës .  Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose ashtu për Bregoviqin ose këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshij edhe atë por reagimi i tij, më të thenë të drejtën, më la me gojë hapur. 

 Z. Rama i doli në mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si, “Një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”.  Z. Bregoviq është një figurë publike dhe si e tillë ai, patjetër, do të tërheq kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tija ose heshtjen e tij kur duhej të fliste dhe nuk foli ose për këngët e tija nga pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e Ballkanit”, siç e cilësoi Z. Rama.  Më habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga Z. Rama, drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist e fashiste” nuk do i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala për diskurset politike ndër-shqiptare të vëllait me vëlla e motëra shqiptare. Shpresonim se këto fjalë do i takonin një periudhe tjetër të zezë të historisë shqiptare lenë pas – periudhës së komunizmit.  Fashistët e vërtetë, Z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i njihni mirë dhe me të cilët bashkpunoni ngusht — dhe jo në Prishtinë, e besoj as në Tiranë!

Por mbi të gjitha, deklarata e Z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë, ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet se pse ishte prekur aq personalisht, Z. Rama me kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë parasyshë se ç’mendon Z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “Zjarrnxitësit mendjefikur”, siç i cilësoi Kryeministri shqiptar kritikët e Goran Bregoviqit“, me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë si të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, të drejtën e lirisë së fjalës, mohuar atyre nga fashistët e vërtetë sllavo-komunistë për një gjysëm shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë, fillimisht, në bashkpunim me njëri tjetrin.  

Prandaj, komentet e Z. Rama nuk janë vetëm një sulm ndaj kritikëve të një trubaduri sllav, por mbi të gjitha një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç duket, edhe pas 30-vjetë “post-komunizëm”, udhëheqsit shqiptarë ende e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës për të tjerët, si e drejtë bazë e njeriut e sanksionuar me marrveshje ndërkombëtare dhe e mbrojtur me ligje kombëtare, si një vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në radhë të parë. Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarë, na e ka dhënë ndoshta para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një shekull më parë.  “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra,”, ka shkruar Faik Konica në Gazeta Albania, viti 1897, nr. 2, f. 32 /

Kjo është liria e vërtetë sipas Faik Konicës që po të respektohej dhe po të zbatohej nga shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre sot – do të nderonte “qytetarinë evropiane të shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë poashtu”.  Z. Kryeministër nuk e di nëse je adhurues ose jo i Faik Konicës, por ai do të këshillonte sot se megjithëse je në krye të qeverisë shqiptare, “Nuk ke të drejtë tu presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të këngëtarit trubador të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në Korçë.  Liria e fjalës është dhe mbetet e shenjtë, si për ju Z. Kryeministër ashtu dhe për kritikët e këngëtarit ballkanas në Korçë! 

Në fund të fundit, me këtë episod askush nuk doli fitues. Të gjithë humbës mbetën. Veçanërisht humbi keq liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç jemi mësuar të shohim se ndodhë shpesh në trojet shqiptare këto 30-vite tranzicion “post-komunist”.  Z. Kryeministër, “Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde (dhe të tjerëve) për të thenë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe “çfarë të do zemra” (Faik Konica).

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Goran Bregovic, Liria e fjales

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT