• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sistemi i vlerave dëshmi e raportëve shoqërore

March 11, 2021 by dgreca

Çdo shoqëri e cila udhëhiqet nga individë me integritet personal e profesional, bazohet në kultivimin e vlerave, sepse vetëm një shoqëri e tillë mund të ketë qendrueshmëri dhe ofron përspektivë për të ardhmën. E kundërta është kur autokratët e  mediokrit bëhën pjesë e pushtetit, të cilët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, gjelozisë dhe egoizmit që është dëshmi e individëve karrierist të cilët rreth vetës ofrojnë antivlera. Në këtë përmasë patjetër  duhët  vlerësuar meritokracinë, autoritetin  shoqëror dhe profesionalizmin e dëshmuar në mjedisin përkatës, sepse në të kundërtën do kemi zhvlerësim të  vlerave  me pasoja të mëdha shoqërore, në kohën tonë dhe në të ardhmën.

Ese nga Nail  Draga

Nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona, janë krijuar vlera të ndryshme shoqërore të cilat janë dëshmi e gjeneratave në mjedisin përkatës. Ndërsa në kohën moderne, sidomos  në pluralizëm ofrohen mundësi të mëdha të shpalosjes së vlerave personale, ku individë te ndryshëm pa vlera përfitojnë në sajë të krizës së përgjithshme  e cila ka kapluar shoqërinë, që është dëshmi e krizës morale, si dukuri me përmasa shqetësuese.

Nëse analizojmë rrethanat shoqërore  në periudhën pos moniste, nuk ka dilemë se pluralizmi ka meritë të jashtëzakonshme në shpalosjen e  individëve ashtu siç janë realisht, e jo të maskuar si në kohën e monizmit, sepse atëherë ekzistonte mimikria, nga friga e pasojave të kohës. Andaj, tani nuk kemi nevojë të pyesim shumë  se kush është kush, çfarë referencash ka, sepse çdo gjë është transparente.

Koha e krizës morale    

Pas ndryshimeve të mëdha shoqërore, me falemintimin e sistemit socialist, koha jonë veçohet me fazën  e tranzicionit e cila  është shumëdimensionale. Nëse deri më tash kemi përjetuar krizën ekonomike e ate  politike, këtyre iu  shtohet edhe një tjetër e ajo është  kriza e moralit. Kemi të bëjmë me këtë kategori shoqërore e cila i tejkalon dy të parat sepse, kanë rënë vlerat njërëzore në nivelin më të ulët. Dhe  nga një gjendje e tillë shoqërore, kemi devijime të mëdha në fusha të ndryshme, si   në punësim, arsim, gjyqësi e sidomos në  politikë. Madje kjoe fundit ka marrë përmasa të çuditshme sepse në politikë askushi mendon së bëhët dikushi.

Sistemi i vlerave dhe pluralizmi 

Në shoqërinë pluraliste, ekzistojnë një numër i konsideruar i subjektëve politike të cilat nuk bazohën në sistemin e vlerave, por të interesit personal apo klanëve të ndryshme, dhe si të tilla nuk janë  të qendrueshme  dhe  pa një të ardhme të garantuar. 

Përvoja e deritashme dëshmon se brenda partive politike  janë krijuar grupe e fraksione, që më vonë janë formu  si parti të veçanta. Shembuj të tillë ka kudo, në kohën e pluralizmit  ku as shqiptarët nuk janë përjashtim në skenën politike ne mjediset e tyre ku veprojnë, sipas legjislacionit vendor.

Veprimet e tilla janë nxitur kryesisht nga qendrimet autoritariste të udhëheqësit partiak, me ambiciet lideriste një herë kryetar duke vazhduar për disa mandate, duke u bërë monoton se nuk ofron më ide dhe si i tillë konsumohet. Po ashtu bie në sy servilizmi sepse rreth vetës ka ofruar individët më të përshtatshëm dhe të dëgjueshëm, ndërsa nga ana tjetër duke injoruar e larguar persona me vlerë si konkurent të rrezikshëm. Nga një qendrim i tillë është paraqitur privatizimi i partisë, si pronë private, apo si shoqëri aksionare, për përfitime materiale etj., duke keqpërdorur demokracinë pluraliste, që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve në mjedisin përkatës.

Përfaqësimi dhe prezantimi

Pjesëmarrja në skenën politike ka peshë të veçantë për çdo subjekt politik në mjedisn përkatës. Në këtë aspekt çdo subjekt serioz tenton që në mesin e tyre të përfshijë individë me përgatitje profesionale, autoritet shoqëror dhe me ndikim të elektorati votues. Por, jo rrallë herë në këtë aspekt ka pasur edhe dështime, sepse udhëheqësi partiak, apo stafi i tij i ngushtë, nuk ka zgjedhur me të mirët por më të përshtashmit. Nëse në fillim të pluralizmit, në sajë të pa përvojës diçka e tillë edhe ka mundur të arsyetohet me kalimin e kohës kjo dukuri ishte  negative dhe  me pasoja shoqërore. 

Sepse fjala është të përfaqësimi dhe prezantimi i subjektit përkatës në takime, forume apo organizime të ndryshme. Në raste të tilla, subjekti politik, nuk mund të përfaqësohet nga kushdo sepse duhen individë të përgatitur, me autoritet shoqëror dhe të guximshëm. Nuk ka dilemë se nëse mungon guximi për të prezantuar çështjet ashtu siç duhet, dështimi i takimit është i garantuar. Një qendrim i tillë vlen për ata individë, që janë të autorizuar në partitë politike nacionale, ndërsa për ata të ashtuquajtura  qytetare as që bëhët fjalë.

Andaj, përfaqësimi dhe prezantimi, mbetet çështje e përhershme e cila duhet të jetë preokupuese për çdo subjekt politik. Madje në mungesë të individëve partiak, ata të cilët mendojnë seriozisht për çështje me peshë, takojnë dhe ofrojnë persona nga shoqëria civile, të cilët dallohen me profesionalizmin dhe qendrimin e tyre parimor. Dhe të tillët, nuk qendrojnë aty në mënyrë formale, por prezantojnë çështjet dhe marrin obligime me afate për të gjëndur zgjidhje, të favorshme. Vetëm në këtë formë mund të punohet në avancimin e çështjeve të cilat janë trashëguar nga e kaluara, që do të jenë në favor të barazisë qytetare e nacionale, sepse në këtë koncept takimet e tilla do të kishin kuptim dhe mbeshtetje nga qytetarët, sepse nuk kemi të bëjmë më çështje personale, apo partiake, por për të gjithë qytetarët e mjedisit përkatës. Në këtë aspekt subjektët politike nacionale kanë obligim dhe përgjegjësi të angazhohen vazhdimisht, sepse çështjet e tilla janë ekskluzive të tyre, si përfaqësuese autentike të shqiptarëve, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Interesi mbi parimet

Sistemi i vlerave eliminon interesin personal  apo të klanëve të ndryshme. Sa është vepruar në këtë drejtim, dëshmon sasia e partive politike të shqiptarët, përkatësisht formimi i partive politike me qellim për të dëshmuar se janë dikushi në politikë. Sepse  moto kryesore nuk janë parimet por përfitimete ndryshme duke mos anashkaluar ata  materiale. Ndërsa të flasesh për idealët e dikurshme, tash është iluzion që i takon së kaluarës, dhe nuk mund të kuptohet nga gjeneratat e tashme, të cilët janë të angazhuar në politikë. Madje koalicionet e arritura në nivele lokale e ate qendrore dëshmojnë një konstatim të tillë në mënyrë transparente.

Në këto vite të pluralizmit jemi dëshmitarë se disa parti politike ishin me peshë në hapësirën shqiptare por me ndryshimet në udhëheqje ata mbetën vetëm me emrin e kaluar ndërsa sot janë minore, pa ndonjë peshë në skenën politike. Kujtojmë këtu  me këtë rast  p.sh. PPD dhe PDSH në Maqedoni të Veriut, apo UDSH në Mal të Zi. Ndërsa LDMZ  nga partia e parë dhe më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi, është dekompozuar tërësisht pa ndonjë peshë politike ndërsa më së shumti   në Ulqin e pësoj PPD, nga ngritja e mënjëhershme(2001) pas dy palë zgjedhjeve u shkri dhe   mbeti vetëm si emër në ish  skenën politike lokale.

Qytetari jo vetëm si votues

Duke pasur parasysh së në rënd të parë  është interesi personal apo të një grupi të ngushtë, subjektet politike qytetarin e trajtojnë vetëm si votues, sepse benifitet i llogarisin  për vete, andaj nuk është për tu çuditur se disa individë vazhdimisht kanë përparësi dhe mbeshtetën nga kryetari i partisë.

Në këtë aspekt nuk ekziston ndonjë model për vlerësimin e vlerave të personave të angazhuar në parti politike, sepse kemi të bëjmë me qasje subjektive. Në vend që si parim duhet të jetë  meritokracia, fatkeqsisht  dominojnë shkaqet tjera si gjelozia, egoizmi por nuk përjashtohen  edhe arsy të  tjera. Dhe nga një qasje e tillë nuk është për të habitur lista për  këshilltarë  apo deputet e cila aprovohet nga subjekti politik me bekimin e kryetarit  për zgjedhje lokale apo qendrore, që në shumë raste ka pasur paknaqësi që është reflektuar më pas që nuk ishte në favor të subjektëve përkatës.

Meritokracia e pa vlerësuar 

Andaj, për ndryshime cilësore në këtë drejtim, fillimisht duhet të vlerësohet qytetari sepse ai nuk duhet të injorohet duke u trajtuar  vetëm si votues, por edhe si person që ka mundësi të zgjedh apo zgjidhet nga të tjerët, në elektoratin votues. 

Vetëm kur të kuptohet dhe vlerësohet qytetari në sajë të komunikimit të drejtëpërdrejt në vazhdimësi e jo një herë në katër vjet, në prag të zgjedhjeve, do të kemi avancim të demokracisë dhe vlerave pluraliste, që fillon me demokratizimin e brendshëm të subjektëve politike. Në këtë përmasë patjetër  duhët  vlerësuar meritokracinë, autoritetin  shoqëror dhe profesionalizmin e dëshmuar, në mjedisin përkatës. Në të kundërtën do kemi zhvlerësim të  vlerave  me pasoja të mëdha shoqërore, në kohën tonë dhe në të ardhmën.

Përfundimisht çdo shoqëri e cila udhëhiqet me individë me integritet personal e profesional, bazohet në kultivimin e vlerave, sepse vetëm një shoqëri e tillë mund të ketë qendrueshmëri dhe ofron përspektivë për të ardhmën. E kundërta është kur mediokrit bëhën pjesë e pushtetit, dhe si të tillë mendojnë se aty do të jenë të përhershëm, që është dëshmi e individëve karrierist të cilët rreth vetës ofrojnë antivlera, me pasoja shoqërore. 

 (Mars  2021)

Filed Under: Opinion Tagged With: Nail Draga, Sistemi i vlerave

Shuhet në New York Haxhi Gashi (1934-2021)

March 8, 2021 by dgreca

-Njoftimi i familjes Gashi:E pamja (e kufizueme për shkak të pandemisë) do të jetë të mërkurën me 10 mars nga ora 4:00 PM – 8:00 PM/

Nga Neritan KOLGJINI/*

Iku prej kësaj bote nji ndër njerëzit ma të virtytshëm e të paqtë që unë kam njoftë, përfaqësues tipik i brezit të martirizuem nën diktaturën komuniste, Haxhi Haziz Gashi.

Mbas nji stërmundimi të gjatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, të shkaktueme prej Alzheimer’s/dementia, ai mori frymë për herë të fundit në orën 11.15 P.M. të datës 7 mars 2021, në nji spital në Rockland County, New York.

Ishte 86 vjeç, prej të cilave 42 i kishte kalue nën diktaturën komuniste. 

Me këtë diagnozë kishte vite që vuente, por dy vitet e fundit, shëndeti i tij u dobësue shumë, edhe për shkak të humbjes së kujtesës.

Përgjatë kësaj kohe, ai asht trajtue në shtëpi, i rrethuem me përkujdesjet e bashkëshortes dhe të resë, e gjithashtu edhe të djemve, nipave, mbesave të brezit të afërt, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emnin. Nuk pati nevojë me u shtrue në spital, përveç ndonji rasti të rrallë për kryemjen e kontrolleve mjekësore. I ushqyem me dashuninë njerëzore të familjarëve, ai mundi me i rezistue sëmundjes për nji kohë bukur të gjatë, saqë dukej sikur do t’i mbijetonte edhe vetë vdekjes.

Por paracaktimit të fatit nuk i shpëton askush. Kështu, edhe ky shpirt i paqtë, ma në fund mbylli sytë e u largue kësaj bote, tue lanë mbrapa nji boshllëk të pariparueshëm.

Për ne, ai ishte Lala Haxhi, nji ikonë e mirësisë njerëzore, nji erudit, nji enciklopedi e gjallë. Kohët e fundit vuejti fizikisht për shkak të sëmundjes, e cila kishte goditë fort edhe trunin e tij e sistemin nervor. Tashma ai nuk ishte në gjendje me krye as nevojat fiziologjike, nuk mundej me ngranë ushqim, madje as ujë nuk mundej me pi, pa rrezikue me u mbytë.Vetëm në këto kushte, familjarët u detyruen me e dërgue me urgjencë në spital në datë 15 shkurt 2021.

***

Megjithëse ishte nji njeri me strukturë fizike të imët, ai kishte nji energji të jashtëzakonshme dhe mundej me përballue fizikisht ecjen në distanca të gjata, për disa orë, pa u lodhë. Edhe pse nuk të jepte përshtypjen e nji njeriu të përgatitun fizikisht, – sepse ma shumë të dukej si nji profesor universiteti, sesa nji alpinist, – ai kishte në të vërtetë nji forcë të mahnitshme për staturën e tij trupore.

Ajo që bante ma fort përshtypje te ky burrë, ishte qetësia tipike, toni karakteristik i zanit, e folmja e tij e shtruet dhe e kujdesshme, aura e tij që rrezantonte fisnikëri, dhe sidomos sytë e gjallë, që reflektonin një inteligjencë natyrale. 

Me ngrohtësinë që përcillte dhe sjelljen e tij të butë, të bante menjiherë për vete, sidomos ne fëmijët. 

***

Haxhi Gashi u lind në Nangë, Lumë, në 16 qershor 1934. Në moshën 6 vjeç mbeti jetim për shkak të vdekjes së nanës.

Shkollimin e bani në Bicaj deri në moshën 11 vjeç, kur fati i tij do të merrte një kthesë të fortë.

Në këtë kohë internohet familjarisht në kampin e shfarosjes së Beratit, për shkak të aktivitetit antikomunist të babës së tij, Haziz Agës, i cili ishte pjesë e grupeve të rezistencës antikomuniste në veri të vendit (1944-1946).

Ai i mbijeton atj ferri në kampin e Beratit por i vdes i nipi, (djali i Ganiut, Lutfiu) dhe vajza e dajës, Kadishja, e bija e Prof. Miftar Spahisë.

Por persekutimi i familjes së Haziz Gashit, prej komunistëve kishte nisë para se me ardhë në pushtet kjo skotë barbare. Në shtator 1944, partizanët (banditët) e Brigadës V-të dogjën disa fshatna të Lumës, ndër to edhe Nangën. 

Shtëpitë e Haziz Gashit u dogjën qysh në fillim. Pasunia iu konfiskue: lopë, dhen, qé, kuaj, drithë, nozullime etj.. Çfarë mbeti, iu vu flaka. Ramadan Cena tregon për nji serb, në radhët e terroristëve komunistë me mbiemnin Mihajloviç që kishte qenë prezent kur u dogj shpija e Haziz Gashit, të drejtuem prej kriminelëve Shefqet Peçi e Ramiz Alia, – i cili paska rrëfye se: “më erdhi keq se si e dogjën nji shtëpi në Nangë. Shqiptarët, shum të pashpirt. Unë mundohesha me i nxjerrë prej zjarri disa sexhade, shqiptarët i fusnin në flakë.”

Persekutimi komunist ndaj kësaj familjeje vazhdoi deri në ditët e fundit të regjimit gjakatar, qoftë përmes etiketimit si familje “kulake”, qoftë përmes mohimit të të drejtave elementare siç janë shkollimi, strehimi, punësimi, kushtet bazike jetësore etj.

Mbasi kryen ushtrinë në xhenio, Haxhiu nis punë në ndërmarrjen shtetnore “Rruga-Ura”, e cila njihej si ndërmarrje e “reaksionarëve”, për shkak se ishte e mbushun me djem e burra nga familjet e persekutueme prej regjimit.

Por as aty nuk e lanë gjatë, dhe ai detyrohet të kthehet në vendlindje, ku ishte i detyruem me punue në kooperativë.

Martohet me Sanije Tahir Kolgjinin me të cilën pati 5 fëmijë.

Familja e Haxhiut ishin të gjithë pa “triskë fronti”. Kjo ishte edhe ma e randë se nji dënim me burg. Brezi i vjetër e ka shumë të qartë faktin se në atë kohë, për çdo nevojë jetësore, njeriu duhej me iu drejtue organeve të pushtetit. Mospasja e triskës së frontit ishte nji dënim i pashpallun.

Për shkak se ishte natyrë shumë e rezervueme dhe nuk hapej me njeri, Haxhiu ndiqej sistematikisht prej njerëzve të Sigurimit të Shtetit. Për ta ai përbante nji rebus të pazbërthyeshëm.

***

Pa triskë fronti, pa mundësi ekonomike, me fëmijë me talent, të cilëve nuk u jepej e drejta e shkollimit, ai merr vendimin e arratisjes prej ferrit komunist.

Kështu, në natën e 29 majit 1986, Familja e Haxhi Gashit, mbas nji marshimi prej mbi 8 orësh, kalon kufinin ndërmjet RPSSH dhe RFSJ-së, në pikën që njihet me emnin Kallabak. Del në Restelicë, prej aty në Prizren. Mbas nji qendrimi prej pak muejsh në kampin e refugjatëve në Beograd, zhvendoset përfundimisht në SHBA, me 20 nandor 1986.

Arratisja e familjes së Haxhi Gashit bani nji bujë të madhe në opinionin e kohës dhe diskreditoi krejtësisht propagandën komuniste për “jetën e lumtur në regjimin socialist”. Bashkëfshatarët e Haxhiut dhe gjithë njerëzit e krahinës së Lumës, nisën të mendojnë rreth shkaqeve që e kishin shty këtë njeri të urtë, me ndërmarrë nji vendim gati ekstrem e me rreziqe seërioze për jetën.

Njerëzit e kthjellët i jepnin plotësisht të drejtë për këtë veprim gati heroik. Ndërkaq regjimi do të vijonte ndjekjen e tij edhe mbas arratisjes. Në nji dokument të marrë nga dosjet e Sigurimit, paraqitet me hollësi plani për me krijue kushtet që ai të kthehej mbrapsht prej autoriteteve jugosllave. (Për ma tepër, shih materialin bashkëlidhun).

***

Jeta në SHBA do t’i ofronte mundësi të pamata kësaj familjeje të martirizueme. Fëmijët shkollohen të gjithë në universitete të njohun në gjithë botën si Princeton dhe Columbia. 

Për strehim e punësim, – të përkrahun edhe nga miqtë e familjes si Asllan Zeneli, Prof. Miftar Spahija, Ramadan Cenaj dhe Dali Lita, – munden me u sistemue pa problem.

Vetë Haxhiu, megjithëse në moshë të madhe, mbasi mëson gjuhën angleze, hyn në shkollë të mesme dhe ia del me përmbushë këtë andërr të rinisë së vet, në vitin 1994. (Bashkëlidhun foto e diplomës).

Në SHBA, ai asht angazhue rregullisht në çdo aktivitet apo demonstratë që asht organizue prej diasporës antikomuniste, kundër regjimit gjakatar të Tiranës apo në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Mbas çlirimit të Kosovës, në 1999, ai pak kohë ma vonë viziton Prizrenin, që për lumjanët asht si nji vend i shenjtë pelegrinazhi.

***

Haxhiu ka pasë nji natyrë studioze qysh në rininë e vet. I pajisun me nji vullnet të çeliktë për me zhvillue dijen e vet ai lexonte çdo tekst që mundej të gjente. Libra, gazeta, revista apo emisione në radio. Përmes korrespondencës apo bisedash me personalitete të kohës së vet, me të cilët vendosi kontakte në SHBA, ai krijoi profilin e tij si nji njeri i formuem intelektualisht, pavarësisht vështirësive që kishte pasë në jetë, sidomos sa i përket shkollimit.

Ndiqte me vëmendje ngjarjet e zhvillimet politike dhe mundej me ba analiza e prognoza interesante që gjenin vërtetësi në vijim.

Gjatë kohës që jetonte në ferrin komunist, ishte i famshëm për metodat që përdorte me ndjekë “Zërin e Amerikës” në radio, apo burime të tjera informacioni.

Nji fakt tjetër që e kam të dëshmuem personalisht, ai kishte nji tërheqje të pazakontë drejt zbulimeve shkencore. Të dukej e habitshme se si nji njeri i mbyllun mes 4 mureve të shtëpisë së vet, zotnonte informacione të fundit mbi shpikjet apo të rejat e shkencës.

***

Haxhiu ban pjesë në atë që po quhet “brezi i artë” i antikomunistëve, të cilët po shuhen dalëngadalë për shkak të moshës. Janë ajo elitë burrash e grash që i rezistuen regjimi gjakatar për 45 vjet rresht. Në njifarë mënyre, janë fisnikëria e këtij vendi, të cilët sakrifikuen gjithçka për me ndryshue sadopak për mirë gjendjen e këtij vendi dhe me iu ba barrikadë atij yryshi drejt humnerës ku donin me na hedhë komunistët.

Por, për ironi të fatit, kjo shtresë fisnike, kjo aristokraci morale, me të cilët do të krenohej çdo komb në botë, asht pak e njohun ose pothuejse e panjohun për masën e gjanë.

Lamtumirë lala Haxhi, ti ike në rrugën pa kthim, tue na lanë nji pikëllim të thellë në shpirt e në zemër. Shpirti yt i bardhë u baftë dritë për ne dhe brezat e ardhshëm.

***

Ma poshtë një dokument i nxjerrë nga dosjet e Sigurimit të Shtetit

Propozim

Për të disinformuar zbulimin jugosllav ndaj të arratisurit Haxhi Gashi

Me datën 29.91986, u arratis në Jugosllavi, nga fshati Nangë e rrethit të Kukësit, Haxhi Gashi së bashku me të shoqen, tre djem dhe vajzën. Djali i madh i tij, Luani, ka punuar puntor në minjerën e Kalimashit, ndërsa i dyti Ylberi ishte ushtar i vitit II-të në Tiranë. Si familje është e njohur në të gjithë rrethin dhe kryesisht në zonën e Lumës si e deklasuar dhe lidhje e të arratisurve e sidomos gruaja e tij e cila është vajza e Tahir Kolgjinit, i arratisur dhe me aktivitet kundër Shqipërisë.

Me qëllim për ta disinformuar zbulimin jugosllav rreth arratisjes së kësaj familje e për të hedhur dyshime ku të bëhet e mundur kthimi i tyre në Shqipëri, apo të mirren masa izolimi e burgosje, propozojmë të kryhen këto veprime:

1.Bp (bashkëpunëtori – shën.im) “Besniku” ka në Kalisht të Gostivarit hallën e tij me të cilën mban korrespondencë. Burri i hallës, Tahir Kalishti, na del se është agjent i organeve të UDB-së.

Mendojmë që të mirret takim me këtë b.p., t’i thuhet që t’i bëjë një letër familjare hallës së tij dhe ndër të tjera t’i shkruajë:

“……..”.

2. B.p. “Besa” mbanë korrespondencë me lidhjet e tij në Prizren, ku këta lidhen me të arratisurin Isuf Fejz Rata.

Mendojmë që të mirret takim dhe me këtë bp. dhe t’i thuhet që t’i shkruaj një letër lidhjes së tij në Prizren, e cila të jetë familjare dhe e zakonshme e ndër të tjera të shkruajë:

“……..”.

3.Nga ana e jonë është miratuar për të shkuar vizitor në Prizren bp. “Kufitari” tek të afërmit e tij.

Veç të tjerave, këtij bp. do t’i jepet edhe kjo detyrë:

Në biseda të rastit që do të bëjë me lidhjet e tij, t’u thojë se para disa ditësh është arratisur në Jugosllavi Haxhi Gashi me fëmijët, për të cilin të gjithë habiten, se si erdhi këtu kjo familje sepse, megjithëse ka qenë e prekur nga ai pushtet, është trajtuar mirë. 

(….)

  • Dielli i percjell ngushellimet me te thella z. Mithat Gashi per humbjen e babait te tij te dashur. Pushofte ne Paqe!

(shënim: ky dokument është nxjerrë nga dosjet e Sigurimit për vjehrrin e Haxhi Gashit)

NJOFTIMI I FAMILJES GASHI

Familjarë, miqë e dashamirë, ju lajmërojmë se dje në New York, me datën 7 Mars, 2021 në ora 23:15, Haxhi Haziz Gashi (bashkëshorti, baba, vllau, e gjyshi) ja dha shpirtin Zotit, Atij që ja dhuroi në qershor të vitit 1934.

E pamja (e kufizueme për shkak të pandemisë) do të jetë të mërkurën me 10 mars nga ora 4:00 PM – 8:00 PM në:

Pizzi Funeral Home

120 Paris Ave,

Northvale, NJ 07647

Varrimi do të bahet ditën e ejte me 11 mars në oren 11:00 AM në:

Laurel Grove Cemetery

295 Totowa Rd, NJ 07512

Filed Under: Opinion Tagged With: Haxhi Gashi, ne New York

HAPESI I KUJTIMEVE

March 6, 2021 by dgreca

nga Naum Prifti/

Imazhi e një çelësi të rëndë të varur pranë portës së madhe në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë sime sot sikur hap siparin e kujtimeve të asaj kohe. Për arsye praktike, çelësin e linim në anën e brendshme të kanatave të portës. Ndryshe nga çelësat që mbanin plakat e nuset e fshatit për arkat apo sepetet me unaza e byzylykë, shalle e breza të qëndisur, llokume e sheqerkat, ky çelës ishte i madh e i rëndë prandaj gjyshja dhe mamaja e mbanin të varur në brez kur dilnin nga shtëpija. Veç kyçit, ne e siguronim portën edhe me një lloz druri që shkonte tej përtej portës. Pak hapa nga kanatet e saj ishte arra me lëvozhgë të butë degët e së cilës hijeshonin faqen ballore të shtëpisë e përkundrejt saj druri i vishnjës që në pranverë qëndisej me petalet e bardha që preknin ballkonin e shtëpisë dhe në verë të ëmbëlsonte gojën me frutat gjithë lëng. 

Shtëpija ime ishte mënjanë fshatit sikur njoftonte udhëtarin se kishte arritur në rrëzë të malit Gramoz. Oborri, kopshti, madje dhe bahçja me arrën e madhe te porta rrethoheshin me mure guri të lartë që të mos hynin kafshët dhe bagëgitë pa lejen e të zotërve.

Rehova e Kolonjës është një fshat i mbledhur me shtëpitë ngjitur njëra pas tjetrës, pa hapësira tëlira midis tyre, me tre mëhallë, e poshtmja, e mesmja dhe e sipërmja, madje edhe me kanalin e ujrave të zeza poshtë rrugëve të shtruara me kalldrëm të ndërtuar nga muratorët e fshatit. Fshati numëronte më shumë se njëqind shtëpi të ngucura njëra pas tjetrës. Burrat e fshatit ishin mjeshtër muratorë ose gur skalitës dhe punonin me akorde kudo ku i thërrisnin. Për shkak të zanatit tëtyre, ata praktikonin mërgimin stinor në vendet e ngrohta të Shqipërisë e të Ballkanit, që nga Saranda, Himara, Gjirokastra, edhe më tej në Kostancë, Varna të Bullgarisë, në Malin e Shenjtë, ose Agjion Oros që shqiptarët i thoshin Janoras dhe deri në Krime e Odesë. Duke rendur pas punëve disa prej tyre shkuan të ndihmonin për ndërtimin e hekurudhës transiberiane deri në Vladivostokun e largët në ngushticën e Beringut. Kur ktheheshin prej vendeve të tilla ata tregonin historira e anekdota të mahnitshme. 

Shtëpinë e blemë nga një emigrant shqiptaro amerikan, Pet Kaleshi, i cili, më 1937, vendosi ta merrte gruan dhe vajzën dhe t’i sillte në Amerikë. Babai im si emigrant e mori vesh dhe pasi ranë në ujdi për sasinë e të hollave i pagoi paratë dhe mori dëftesën përkatëse nga zyra noteriale e Filadelfisë me firmë e me vulë që vërtetonte shitblerjen. Në atë shtëpi unë jetova fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë sime deri në vitin 1950 kur më doli bursa për ndihmës mjek në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.

Ne për pak e humbëm shtëpinë e re të madhe e të bukur që bleu babai më 1937 dhe rimodeloi duke e zgjeruar dhe përmirësuar. Për shkak të madhësisë dhe vendndodhjes së lakmueshme në dajle të fshatit, shtëpinë synuan ta kthenin në kazermë për rojet e kufirit. Me një vendim të Komitetit Ekzekutivtë Ersekës, gjyshen time, mamanë, mua dhe motrën na flakën jashtë shtëpisë, dhe na detyruan të strehoheshim te shtëpia e Thoma Kristaqit, një mërgimtar tjetër nga fshati që ndodhej nëAmerikë. Për fat, në atë kohë një delegacion qeveritar shqiptar i kryesuar nga Hysni Kapoja, kishte ardhur për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sapo dëgjoi për vizitën, babai im u nis nga Filadelfia të takohej me kryetarin e delegacionit. Kur Hysni Kapoja e pyeti pse kishte kërkuar takim me të, babai ia ktheu: Sa shtëpi duhet të kesh në Shqipëri që të mund të jetosh në të? Një,- ishte përgjegjia. -Po shtëpinë time e ka zënë posta kufitare, dhe familja ime jeton me qira në shtëpi të tjetërkujt,- i tha babai dhe i tregoi gjendjen si edhe tapinë. Me t’u kthyer delegacioni në Tiranë, Kapoja urdhëroi t’i lirohej menjëherë shtëpia e emigrantit shqiptar Rrapi Prifti. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Kolonjës një ushtarak me emrin Zenel Muço dha urdhër të zbrazej shtëpija nga posta ushtarake dhe t’i kthehej familjes. Kur e liruan shtëpinë, ushtarët e postës kufitare na porositën të mos e prishnim këndin me plisa e bar ku kishin shkrojtur PARTI-ENVER por ta ruanim dhe ta vaditnim që të lulëzonte përgjithmonë. Por ne nuk e kishim shtëpinë kënd emulacioni dhe asekspozitë parrullash, prandaj e fshimë nga oborri pa na ardhur keq.  Për ne, parrula kurdoherë do ishte kujtim i okupimit të shtëpisë nga ushtarët e kufirit dhe mbartjen nëpër shtëpitë e botës.

U kthyem sërish në shtëpinë tonë rrethuar me avlli, me oborr, me kopsht e me bahçe,me pemë frutore mollë e dardha, me haur për hajvanët, me plevicë dhe me dy porta, një për njerëzit, e tjetrën për hajvanët e ngarkuar me dru nga pylli apo me dëngje bari e duaj me grurë, thekër, tërshëre elb nga arat dhe livadhet rrotull fshatit. 

Hapësi i portës priste varur pas kanatit të madh sikur ta dinte se të zotët e shtëpisë sidoqoftë do ktheheshin. Fotografi mjeshtër Mumin Jashari e ka realizuar këtë foto pa e ditur se me të lidhen një seri me episode jete, të cilat i zbulova si fëmijë, i përjetova si djalë dhe i përshkova si shkrimtar. 

Filed Under: Opinion Tagged With: HAPESI I KUJTIMEVE, Naum Prifti

AGUSTIN A MIRAKA- MESAZHET, “PENGU” DHE NGUSHËLLIMI: PUSHOFSH ME ENGJEJT!

March 4, 2021 by dgreca

Nga Dalip Greca/ Agustin Anila Miraka shkoi të pushojë. Lutjet tona nuk u kursyen, por Zoti e mori për vete. Ka qenë shumë e vështirë që t’i shkruaja këto radhë për njeriun shpirtmirë dhe kurajoz. Nuk jam takuar asnjëherë fizikisht me të, por virtualisht shpesh herë kemi komunikuar. Madje edhe kur më përcolli thirrjen për ndihmë që të kurohej jashtë shtetit, më shkroi veçmas një mesazh shprese dhe thirrjeje bashkë… I lexoj tash mesazhet dhe ligshtohem: Me 13 Shkurt më shkroi mesazhin:”Zoti Dalip, me thanë se Klodiana Cuka ka qenë në internim në Lushnje. Ajo është shefe e një fondacioni që ka lidhje me Vatikanin … ka në dorë të më marri mua në itali për 24 orë. Ja kam çuar të gjithë ekzaminim tim shëndetësor të spitalit këtu… Në mujsh, shkruaj edhe ti diçka në këtë adresë….. ose në mesanger…Dalip nuk po më dhimset jeta, por po vuaj shumë!…

         Mesazhi më ra si një kambanë e trishtë, më tronditi. Edhe pse nuk e njihja Klodianën, i ktheva përgjigje Agustinit në 6 e 10 min, pasi kisha bërë një kërkim të shpejtë në internet për Klodianën: “OK vëlla Aguustin, po i shkruaj menjëherë Klodianës.”

 Ashtu bëra.Përgjigja e saj ishte e mënjëhershme(I kërkoj ndjesë Klodianës që po e përmend në këtë mesazh pa i marrë leje, por besoj në mirekuptimin e saj në respekt të shpirtit të Agustinit.

Mesazhi im: E nderuar Klodiana! Jam Dalip Greca, kryeredaktor i  Gazetës së Vatrës, Diellit, që botohet në SHBA prej  15 shkurtit 1909…Kam një kërkesë të dhimbshme prej Agustin A Miraka,i përnjdjekur politik, që jeton në Tiranë dhe po vuan shumë nga sëmundja e kanserit. Më ka shkruar që t’ju kërkoj ndihmë për  të ndërmjetësuar që të kurohet në Itali. Agustini më shkruan se ju keni mundësi të ndërmjetsoni përmes Vatikanit dhe ai të vijë sa më parë atje…..

           Përgjigja e Klodianës: Përshëndetje Dalip. Po po, mos ke merak. Kam folë me Agustinin…Me shpresë të Zotit,javën që vjen do të jetë në Itali. Po i rregulloj rrugëtimin dhe një konsultë në Romë…Faleminderit për emailin. Zoti na ndihmoftë!..

Dhe Agustini udhëtoi për në Romë. Lajmin e dha ai vetë, sapo arriti atje, të hënën me 16 Shkurt, ku dërgoi mesazhin e tij të shpresës: “Të nderuar motra vëllezër; ju bëj me dije se sonte ndodhem në një Poliklinikë në Romë… nesër më shtrojnë në Spital….E gjithë ky interesim nga të afërmit e mi… erdhi kjo shpresë për jetën time… falë jush, ndihmesës dhe dashmirsisë tuaj. Gjithashtu dhe të burgosurve politik… Zoti jua shpërbleftë për të mira në familjet tuaja… Foto: shumë i smurë, i lodhur, duke zbritur nga Avioni në Rromë.- Ju dua shumë-Agustin Anila Miraka… Por, ah sëmundja kishte përparuar…Ishte tepër vonë. Sikur të ishte ndihmuar më parë! Peng për familjen dhe miqtë e tij.Po po, ishte vonë…

Më pikoi në zemër mesazhi  i 26 shkurtit dhe ai i 1 Marsi: Të nderuar vëllezër e motra shqiptarë, kudo që jeni, kush të ketë mundësi ti lutet Zotit për shëndetin tim!……..Me përzemërsi e dashamirsi ….Agustin Anila Miraka.

            Lutjuni për mua! Natyrisht u luta si shumë të tjerë. Lutem edhe tash për shpirtin e Tij: Pushofsh me ëngjëjt i dashur Agustin!

              Ngushëllime familjes dhe bashkëvuajtësve…, për kauzën e pazgjidhur, ai luftoi deri në frymën e fundit! Pusho në Paqe ti shpirt i vuajtur!(Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: Agustin Anila Miraka, dalip greca

KORPUSI I PAQËS: NJË INSTITUCION AMERIKAN

March 2, 2021 by dgreca

Me rastin e 60-vjetorit të themelimit dhe të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane/

       Nga Frank Shkreli/

60-vjetë më parë, Senatori i atëhershëm, Xhon F. Kenedi, mbajti nje fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Miçigenit, në Tetor të vitit 1960 e që një vit më vonë çoi në formimin e entit që sot njihet si Korpusi i Paqës.  Me atë rast, Xhon F. Kenedi u bëri një thirrje emocionale studentëve universitarë amerikanë që të shkonin si vullnetarë, për një vit ose dy, në vendet në zhvillim e sipër anë e mbanë botës.  

 See the source image.

Në shkallët e Universitetit Miçigen, Xhon Kenedi sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqë duke jetuar dhe duke punuar në vendet ne zhvillim, anë e mbane botës.  Vetem disa javë pas atij fjalimi, studentët filluan të mblidhnin firma në mbështetje të kësajë ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqës.  Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961, legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqës mandatin, “për të promovuar paqën dhe miqësinë në botë”. Ishte ky një ent i ri dhe mundësi e re për vullnetarët amerikanë të profesioneve të ndryshme që t’i shërbenin vendit të tyre dhe botës.

Megjithëse kanë kaluar 60-vjetë, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa  shume të rinj e të reja amerikane i përgjigjen gjithnjë apelit të ish- Presidentit Kenedi për të shërbyer, vullnetarisht, anë e mbanë botës, në kauzë të paqës dhe të miqësisë midis popujve.  Misioni i Korpusit Amerikan të Paqës, atëherë dhe sot, është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qellim, që ato vetë të ndërmarrin programe dhe projekte zhvillimi; që të promovojnë  mirëkuptim më të madh ndaj amerikanëve nga të huajt dhe të kontribojnë, njëkohësisht,  edhe për një mirëkuptim më të madh të popujve, anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Fillimisht, vullnetarët e parë punonin si mësues, por më vonë aktiviteti i tyre u zgjërua edhe në fushë të tjera, siç është zhvillimi ekonomik dhe programet në sektorët e mjedisit, teknologjisë, e tjera.  

Image
Image
Image
Image

Natyrisht, se para 15 Marsit të vitit 1991 — datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marëdhëniet diplomatike pas 45 vjetësh, nuk kishte prani të Korpusit të Paqës në Shqipëri.  Grupi i parë i vullnetarëve i perbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit te Paqes, ka mbërrijtur në Shqipëri Qershorin e vitit 1992 dhe menjëherë filluan veprimtarinë e tyre duke dhenë mësim në anglisht në shkolla të mesme dhe universitete.  Ky grup u pasua nga 12 vullnetarë të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznisit të vogël.  Programi për Shqipërinë u zgjërua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë që u aktivizuan në një projekt bujqësor. Ç’prej arritjes së grupit të parë të pjesëtarëve të Korpusit të Paqës në Shqipëri, më shumë se 800-vullnetarë kanë shërbyer gjatë këtyre 30-viteve të normalizimit të marrëdhënieve me vendin e shqiponjave, ndërkohë që Shqipëria ishte atdheu i dytë për ta, për aq kohë sa kaluan atje.

Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqës në Shqiperi të shtoheshin dhe të zgjëroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 në Shqipëri çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqës, si dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.  

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit te Paqës ishin ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të tjera të shërbimit shëndetësor e të tjera.  Sipas Korpusit të Paqës, vullnetarët e këtij enti amerikan — në Shqipëri kanë punuar dhe kanë bashkrenduar gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, si dhe me USAID në Tiranë, me organizata jo qeveritare shqiptare, si due me universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë.  Vullnetarët e Korpusit të Paqës në Shqipëri kanë marrë pjesë edhe në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, ashtuqë që ata të kenë një zë vendimarrës, në komunitetet  ku jetojnë.

Veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqës është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njohjen dhe mirë-kuptimin e përbashket midis popujve dhe shteteve.  Le të shpresojmë që në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhenieve midis Washingtonit dhe Tiranës, që po afrohet, vullnetarët e Korpusit të Paqës në Shqipëri, të krijojne lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë e shqiptare, anë e mbanë vendit, te cilët rradhë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë dhe që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë edhe në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy popujve tanë ne 30-vjetorin e ri-vendosjes se marreëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasadorja e Shteteve të bashkuara në Tiranë, Zonja Juri Kim në një mesazh urimi në twitter drejtuar vullnetarëve me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Korpusit të Paqës, thotë se ata përfaqësojnë gjërat më të mirat të Shteteve të Bashkuara dhe anasjelltas.  Duke i falënderuar vullnetarët e Korpusit të Paqës për shërbimin e tyre, Ambasadorja amerikane shkruan se mezi pret këthimin e tyre në Shqipëri, pas zhdukjes së Covid-19.  Ndërsa, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony J. Blinken, në mesazhin e tij me rastin e 60-vjetorit të Korpusit të Paqës shprehet se, “Jam i vetdijshëm se vullnetarët e Korpusit të Paqës mezi presin të këthehen në shërbimin e tyre sa më parë që të jetë e sigurt për të bërë një gjë të tillë. Dhe kur të këthehen”, në vendet e tyre të punës, shtoi kryediplomati amerikan, “ata do të jenë ambasadorët më të mirë të vlerave Amerikane”, në botë.

Frank Shkreli

PX65-2:2 President Kennedy greets Peace Corp Volunteers

                        John F. Kennedy Presidential Library and Museum

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KORPUSI I PAQËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT