
nga Naum Prifti/

Imazhi e një çelësi të rëndë të varur pranë portës së madhe në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë sime sot sikur hap siparin e kujtimeve të asaj kohe. Për arsye praktike, çelësin e linim në anën e brendshme të kanatave të portës. Ndryshe nga çelësat që mbanin plakat e nuset e fshatit për arkat apo sepetet me unaza e byzylykë, shalle e breza të qëndisur, llokume e sheqerkat, ky çelës ishte i madh e i rëndë prandaj gjyshja dhe mamaja e mbanin të varur në brez kur dilnin nga shtëpija. Veç kyçit, ne e siguronim portën edhe me një lloz druri që shkonte tej përtej portës. Pak hapa nga kanatet e saj ishte arra me lëvozhgë të butë degët e së cilës hijeshonin faqen ballore të shtëpisë e përkundrejt saj druri i vishnjës që në pranverë qëndisej me petalet e bardha që preknin ballkonin e shtëpisë dhe në verë të ëmbëlsonte gojën me frutat gjithë lëng.
Shtëpija ime ishte mënjanë fshatit sikur njoftonte udhëtarin se kishte arritur në rrëzë të malit Gramoz. Oborri, kopshti, madje dhe bahçja me arrën e madhe te porta rrethoheshin me mure guri të lartë që të mos hynin kafshët dhe bagëgitë pa lejen e të zotërve.
Rehova e Kolonjës është një fshat i mbledhur me shtëpitë ngjitur njëra pas tjetrës, pa hapësira tëlira midis tyre, me tre mëhallë, e poshtmja, e mesmja dhe e sipërmja, madje edhe me kanalin e ujrave të zeza poshtë rrugëve të shtruara me kalldrëm të ndërtuar nga muratorët e fshatit. Fshati numëronte më shumë se njëqind shtëpi të ngucura njëra pas tjetrës. Burrat e fshatit ishin mjeshtër muratorë ose gur skalitës dhe punonin me akorde kudo ku i thërrisnin. Për shkak të zanatit tëtyre, ata praktikonin mërgimin stinor në vendet e ngrohta të Shqipërisë e të Ballkanit, që nga Saranda, Himara, Gjirokastra, edhe më tej në Kostancë, Varna të Bullgarisë, në Malin e Shenjtë, ose Agjion Oros që shqiptarët i thoshin Janoras dhe deri në Krime e Odesë. Duke rendur pas punëve disa prej tyre shkuan të ndihmonin për ndërtimin e hekurudhës transiberiane deri në Vladivostokun e largët në ngushticën e Beringut. Kur ktheheshin prej vendeve të tilla ata tregonin historira e anekdota të mahnitshme.

Shtëpinë e blemë nga një emigrant shqiptaro amerikan, Pet Kaleshi, i cili, më 1937, vendosi ta merrte gruan dhe vajzën dhe t’i sillte në Amerikë. Babai im si emigrant e mori vesh dhe pasi ranë në ujdi për sasinë e të hollave i pagoi paratë dhe mori dëftesën përkatëse nga zyra noteriale e Filadelfisë me firmë e me vulë që vërtetonte shitblerjen. Në atë shtëpi unë jetova fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë sime deri në vitin 1950 kur më doli bursa për ndihmës mjek në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.
Ne për pak e humbëm shtëpinë e re të madhe e të bukur që bleu babai më 1937 dhe rimodeloi duke e zgjeruar dhe përmirësuar. Për shkak të madhësisë dhe vendndodhjes së lakmueshme në dajle të fshatit, shtëpinë synuan ta kthenin në kazermë për rojet e kufirit. Me një vendim të Komitetit Ekzekutivtë Ersekës, gjyshen time, mamanë, mua dhe motrën na flakën jashtë shtëpisë, dhe na detyruan të strehoheshim te shtëpia e Thoma Kristaqit, një mërgimtar tjetër nga fshati që ndodhej nëAmerikë. Për fat, në atë kohë një delegacion qeveritar shqiptar i kryesuar nga Hysni Kapoja, kishte ardhur për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sapo dëgjoi për vizitën, babai im u nis nga Filadelfia të takohej me kryetarin e delegacionit. Kur Hysni Kapoja e pyeti pse kishte kërkuar takim me të, babai ia ktheu: Sa shtëpi duhet të kesh në Shqipëri që të mund të jetosh në të? Një,- ishte përgjegjia. -Po shtëpinë time e ka zënë posta kufitare, dhe familja ime jeton me qira në shtëpi të tjetërkujt,- i tha babai dhe i tregoi gjendjen si edhe tapinë. Me t’u kthyer delegacioni në Tiranë, Kapoja urdhëroi t’i lirohej menjëherë shtëpia e emigrantit shqiptar Rrapi Prifti. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Kolonjës një ushtarak me emrin Zenel Muço dha urdhër të zbrazej shtëpija nga posta ushtarake dhe t’i kthehej familjes. Kur e liruan shtëpinë, ushtarët e postës kufitare na porositën të mos e prishnim këndin me plisa e bar ku kishin shkrojtur PARTI-ENVER por ta ruanim dhe ta vaditnim që të lulëzonte përgjithmonë. Por ne nuk e kishim shtëpinë kënd emulacioni dhe asekspozitë parrullash, prandaj e fshimë nga oborri pa na ardhur keq. Për ne, parrula kurdoherë do ishte kujtim i okupimit të shtëpisë nga ushtarët e kufirit dhe mbartjen nëpër shtëpitë e botës.
U kthyem sërish në shtëpinë tonë rrethuar me avlli, me oborr, me kopsht e me bahçe,me pemë frutore mollë e dardha, me haur për hajvanët, me plevicë dhe me dy porta, një për njerëzit, e tjetrën për hajvanët e ngarkuar me dru nga pylli apo me dëngje bari e duaj me grurë, thekër, tërshëre elb nga arat dhe livadhet rrotull fshatit.
Hapësi i portës priste varur pas kanatit të madh sikur ta dinte se të zotët e shtëpisë sidoqoftë do ktheheshin. Fotografi mjeshtër Mumin Jashari e ka realizuar këtë foto pa e ditur se me të lidhen një seri me episode jete, të cilat i zbulova si fëmijë, i përjetova si djalë dhe i përshkova si shkrimtar.