• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë përfaqëson Prishtina dhe çfarë Tirana

October 7, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

A ka ardhur koha që Prishtina të përligji qytetarinë, civilizimin, simbolin e shqiptarisë si kryeqytet, si Washingtoni, a Berlini, Parisi a Roma etj., pasi prej saj ka rrjedhur e plotë ideja e atdheut, kurse nga Tirana dhe historia e saj e re veç Beograd, Kremlin, Pekin dhe internacionalizëm proletar. Mjaft të kujtoni që edhe abetaret e para, në Tiranën e pas luftës ishin me mbishkrimin Tito Enver etj. Unë them se po dhe do ishte e udhës që kultura me rrënjë propogande nga korridoret e institucioneve të Tiranës, t’i vinte veshin koherencën së Europës perëndimore në Prishtinën e ditëve të sotme.

Ndaj pyetja se, a mundemi edhe ne si Kosova të demonstrojmë një qytetari demokratike? Mbetet me një përgjigje bastarde, refuzuese, mbledhje supesh, deri e pakutpueshme për shkak se si guxojmë ta çaojmë nëpër mend që krahasohemi. Ku e ku Tirana dhe ku e ku Prishtina.

Në fakt Prishtia është ashti i historisë së atdhedashurisë së kulluar, kurse Tirana, ky nocion i historisë së re, korridore të përndjekjes e tortuarave, përndjekjes se vëllait karshi vëllait.

A mundet elektorati a votuesi shqiptar të tregoj të njëjtin nivel social si shqiptarët e Kosovës? Asesi që jo. Se dashur pa dashur na ka zënë sëmundja e njëshave të propagandës. A mundemi edhe ne të votojmë kaq qetë, kaq europiançe, kaq pa kontestueshëm, kaq pa tërmetet me i q… robtë, kaq pa thasë me miell e pa marketet e shitje dhe blerjes së votës etj? Asnjëherë. Eshtë tmerrësisht e trishtueshme kur shikon se si një tridhjetëvjeçar më shumë bërtet se sa mendon.

Eshtë akoma e diel dhe në Kosovë janë numëruar rreth 30% e votave. Në Tiranë akoma nuk do kishin filluar dhe kamerat do jepnin pamje nga ca komisionerë me bark që vinin vonë, palë palë. Kurse në Kosovë me 30% ndihet në sfond ndihet era e ndërrimit të pushtëve. Në Shqipëri do kishin dalë të gjithë dhe shpallur veten fitues, por edhe kontestues. Ndërkohë një gazetë e madhe gjermane u thotë lamtumirë komandantëve të luftës. Në rastin Shqipërigazeta në fjalë do jepte pamje se si mbusheshin kutinë në një kanal diku në anë të rrugës. Në Prishtinë po diskutohen koalacionet e mundshme. Eshtë e mundur që edhe një grua të jetë kryeministre. Vjen nga partia e presidentit legjendar Ibrahim Rrugova. Një parti që dukej se po lëngonte nën Isa Mustafën, ish kryeministër. Por që krejt ndryshe nga tradita, ku kryetari i partisë fituese automatikisht apo legjitimisht është edhe kryeministri i radhës, ia afron postin një gruaje të re nga Mitrovica, me arsyetimin e thjeshtë se, në votimet e fundit parlamentare ka qënë një nga femrat më të votuara. Punë me mend, jo me eufori propogandistike. Në Tiranë mos e thuaj se të varrosën, një sfidë e tillë fillon dhe mbaron tek pushteti absolut i shefit. Një lloj pushteti që i afron me origjinën nga Beogradi i ish Jugosllavisë, Kremlini a Pekini. Për më tepër femrat janë marioneta sa për tu dukur, kukulla, madje në më të shumtën e rasteve më vetullngrysura se shefat e tyre. Ku ku Tirana e Gramoz Rucit me Prishtinën e Vjosa Osmanit. Kuku Tirana e Spartak Brahos me Prishtinën e Albinit. Ku ku Tirana e Edi Ramës që i vendos trarë shqiptarëve të Kosovës, që gajas shqiptarët me nofullën e Dash Shehit me Prishtinën e Ramushit që ia hap krahun vendit dhe jo vetes. Ku ku Tirana ku të gjithë punojnë për Erionin dhe jo për vete, me Prishtinën e Shpend Ahmetit që punon për prishtinasit. Sa më shumë shkëlqen Prishtina, aq më apatike është Tirana. Kësisoj ta kuptojmë një herë e mirë se ka ardhur koha që përfaqësisë e atdhetarisë, shoqërisë, demokracisë të kalojnë nga Prishtina, se Tirana është veç një batak i llogjeve të Kavajës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja-Prishtina-Tirana

Requiem për vdekjen e dashurisë…

October 6, 2019 by dgreca

Shejtneshës e nanës Tereze/

Nga Anton Çefa/

                        I

Mbi këte kaos të përbotshëm/

ku dashuria kryqëzohet çdo ditë/

si dy mijë vjet ma parë/

në rrugën e Golgotës/

ngjizun me zjarr Prometean/

dhe brishtësinë e materies,/

i tregove botës ma të fortin e elementeve/

dashurinë./

Ç’është tabelë e Mendelievit

dhe tabelat e tanë elementave të rruzullit

veç brishtësi e thyeshme

përballë ligjit tand,

para të cilit shpërbahet landa e të gjithë elmentave

si prush materiesh qi shuhen drejt asgjasë.

Me gjurmën e hapit tand të zdathun

do të ecish në kujtesën e njerëzimt

aureolë e gjakut tonë.

                        II

Le të çohet në kambë leproza

e sida,

kërthijt e braktisun trotuareve të botës mbarë

le të ngrihen!

Le të ngrihet në kambë mjerimi

e në nji kor madhështor

të këndojnë rekuiemin për vdekjen e dashurisë !

Nga majet e Himalajeve

te krepat e Sharrit,

nga Kalkuta në Shkup,

nga Shkupi në Kalkutë

të perplasen e të thyhen pentagramet e dhimbjes 

e të gjamës,

Oji more Oji !

Nuk të shuhet jo

flakëza e qiriut të jetës.

S’qe flakëz, por meteor, yjesí e prush yjesìsh,

 që si vulkan do ta përndezin botën

me dritën e vetëflijimit,

*     *     *

Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit

Portret për Nënë Terezen

Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave ma të ndryshme filozofike për qellimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nanë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bani ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e kambës së saj të zdathun.

Ajo krijoi nji urdhën fetar, që u shtri mbi njiqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për ma të vorfnit e të vorfenve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisunit. Kjo asht vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo ma randësishmja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, asht ngrehina madhështore e tempullit shpirtnor të dashurisë e të vëllaznimit në krahnorin e gjanë të njerëzimit. Kjo asht vlera ma universale e veprës së saj.

Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e mbrendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.

Në botën pagane, ajo të kujton një Prometè, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nanë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton nji Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet ma parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nanë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit të njeriut: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.

Në orvatje për me vlerësue veprën e saj, mbretën e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj nji mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë ma mirë se kushdo – i dhanë titullin ma të madhnishëm: Nanë. Nga nji “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u ba Nanë e të gjithëve, Nanë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e nji Nane të tillë ?

Për mbarë njerëzimin, Nanë Tereza asht nji vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo asht diçka ma tepër, nji vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, landë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nanë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Defa-Requiem për vdekjen- e dashurisë

NGA “VARREZAT E VASHAVE”, DREJT KORABIT…

October 6, 2019 by dgreca

 Nga Enela Shehu Markja /

…me diell nis dita në qytetin tim të lindjes. Zhurma e përroit dhe rrezet e diellit që shponin me forcë e depërtonin përtej perdeve të errëta, ma nxorrën gjumin në dhomën e hotelit në vendlindje. Me kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë shëtis nëpër rrugë, mes lulishteve me lule e plot gjallëri rinore, – sikur të jem në ëndërr…, ndërsa buria e një makine më zgjoi përsëri kësaj here ku isha në mes të rrugës, përballë ish-shtëpisë time; shumë emocione mu përshtjelluan në ato pak sekonda, frika, pasioni, endrrat e lëna pas, jeta plot ngjyra e qytetit të vogël, emocionet dhe miqësitë, lotët dhe gëzimet.

         U ndjeva e humbur mes kujtimeve të mia, realitetit të qytetit dhe jetës sime tashmë. Ashtu si dhe ne, dhe kjo qyteze paska ndryshur, sa shume…

Në dalje të qytetit (në fund te Bulevardit tashmë me kalldrëm shtruar) ishte pika e takimit të grupit tonë për tu nisur për Radomire.  Nxitova hapat me çantën mbi shpinë dhe këpucët e mbërthyera deri mbi kyçe.

Korabi ishte sfida e dy ditëve të ardheshme.

Ajo rrugë gjarpëruese në drejtim të Kukësit e asfaltuar dhe e mirmbajtur kalon përmes fshatrave të Sohodoll, Kastriot, Shumat, Sllove e Vleshë. Pak mbi Restorant Ujmir, ne fshatin me të njëjtin emër, ndjekim rrugën e Radomirës për në fshatin Tejës. 

Ndërsa udhëtonim, në kujtimet e mia shikoja ato klasa gjimnazistësh që ktheheshin nga aksioni i vjeljes së mollëve, misrit e groshës.

Kastrioti Enelë – thotë miku jonë që na shoqëronte me makinën e tij – vendi i mollëve.

Po, – i thashë, pa i dhenë atij të kuptoj që me mëndje kisha ikur shumë larg, dhe u ktheva përsëri në të tashmen.

Pranë Vleshës makinat e parkuara në krah të rrugës më bënë kurreshtare të pyesja.

„Uji i ftohte i Vleshës“ – ma kthen miku ynë persëri – është një ilaç i vërtetë dhe bën cudira për shëndetin. Në kthim duhet të ndalojme patjeter, të freskojme këmbët – sigurisht thashë – tek dëgjoja nga larg zhurmën e burimit.

Në Sllovë bëmë një ndalesë të vogël tek Lapidari i Luftës. Jo të paktë në këtë zonë ishin bunkerët, të cilët me shumë veshtirësi mundohen të fshehin praninë e tyre, me tepër të mbuluar nga pluhuri i kohës se sa të huazuar nga natyra. Për pak kilometër ndoqëm një rrugë të pashtruar në drejtim të Liqenit të Gramës, gjithashtu një pikë e bukur turistike dhe një nga rrugët që të çojnë në Korab, e cila bukurinë magjepse e ka në fillim të verës kur bora ju le vendin luleve.  

Rruga e makinës mbaron në qendër të fshatit Tejës në Radomirë, në Komunën e Kalasë së Dodës, e cila ndodhet rreth 1200 m mbi nivelin e detit.  Makinën e parkuam para Hotel-bar-Restorant Setkiu, ku rezervuam dhomat për atë natë. Ndërsa po mbërthemin mirë këpucët e po bisedonim me udhërëfyesin tonë nga Radomira, Bujarin, ndalojmë para hotelit dy Mikrobuzë të mbushur plot me turistë. Ishe një grup turistësh nga Hungaria, që kishin të njëjtin qëllim si dhe ne. Për ato, ecja në malin e Korabit do të ishte eskursion një ditor. Në kafenenë e fshatit ato mbushën vetëm shishet me ujë, i cili është në këto zona tejet i pastër, i shëndetshëm ashtu si vetëm natyra di ta bëjë dhe ta japë falas. Tek ndiqja me sy grupin e turisteve e tundja filxhanin me shprese qe te nxjerrë dhe nje pikë kafe, me qindra ide më lindnin në kokë në ato momente; mendoja se si turizmi mund ta zhvillojë këtë zonë, duke mos e prishur kete dhuratë të natyrës kaq të virgjër, kryelartë, plot ngjyra … dhe thjesht të bukur. I dëgjuar është emri i malit të Korabit, por të pa shkelura shumë ato lëndina mahnitëse mes shtigjeve të thepisura e shkrepa te mermertë me liqene malor dhe përrenje të zhurmshëm.

Mikpritës janë banorët e kësaj zone – bukë, kripë e zemër të bardhë pë këdo që u troket në derë!

Marshimi filloi duke lënë prapa Liqenin e zi e duke dëgjuar Bujarin, udhërrëfyesin tonë, teksa tregonte me dorë drejt një lëndine të bukur qe quhej „Varrezat e vashave“. Legjenda, vazhdon Bujari, thotë qe vashat e zonës, para se në ato male të shkelte turku, nuk pranuan të martohen me të huaj dhe vendosen te gjejnë preh në atë lëndinë të bukur mes malesh…

Bujari rrëfente me origjinalitet dhe me dialektin e zonës për jetën në fshat, organizimin, kullotat, bagetinë, mirëmbajtjen e pyllit si dhe përgatitjet për dimrin e ashpër e të egër që bën në këto zona, për besimin e fortë që kanë për të mos e shitur truallin tek persona të huaj dhe jashtë komunitetit të zonës, për shkollën dhe arsimin që herë herë është dhe i munguar pavarësisht dëshirës së fëmijëe dhe prindërve për të vazhduar më tej arsimimin, për të rijntë që emigrojnë në Angli. Të zhurmshme buçisnin burimet e Korabit – me ujin e të cilave furnizohet gjithë qyteti i Peshkopisë.

Pas lamë stanet që në fund të gushtit ishin boshatisur, vazhduam rrugën përmes livadheve e më pas përgjat kurrizit të gurrtë e malor të një përroi të thatë.  Në një livadh, mes shkëmbinjëve të fuqishëm, përballë „Portave të Korabit“ u ulëm të bëjmë një pushim. Bujari, malësor mikpritës, nxorri nga canta e tij bukë, djath e dhallë, – të cilat në kombinim me ajrin dhe pamjet magjepsëse, shijonin më tepër se cdo gjë tjetër.

Të fuqizuar vazhduam perseri marshimin tonë.

Brezi i butë, – thote Bujari dhe tregon me dore drejt një linje gjarpëruese. Të gjithë heshtëm, dhe para syve na erdhën për pak caste ato ditë të errëta në komunizëm. Të butë e kishtë bërë natyra këtë Brez, po për shumë të rrinj që guxuan të besonin se mund të jetonin ndryshe nga sa sistemi diktonte ishte ky „Brez“ vdekjeprures…

Çfarë është „Brezi i butë” teze – me pyet mbesa ime 18 vjecare? Duke ja përkëdhelur atë kokë të kacureltë e duke menduar sa mirë që rritet në një kohë tjetër, – i shpjegoja “Brezin e butë”.

Etapën më të vështirë atë mbasdite e kishim akoma përpara, ndërsa pas linim livadhet, përpara nesh natyra e ashpër me shkembinj të copëtuar dhe jo shumë larg dhe maja e Korabit, na jepte gjithmonë e më shumë kurajo. Pas shkembinje te rahur e copetuar nga moti i eger ju ngjitem nje lendine te pjeret e nderkohe mbuluar me bar te zverdhur, krejt e vecante ne ato lartesi prej 2500 meter drejt majes se Korabit.

Mbas 5 orësh ngjitje arritëm majën më të lartë të vendit tonë, prej 2764 m të atij vargmali prej 40 kilometrash mes Drinit të Zi dhe Radikës mes Shqipërisë e Maqedonisë Veriore.

Per mua si gjeografe, por për më tepër si „Cuce dibrane“ ishte një ndjenjë e papërshkrushme plot krenari e emotione – pamje maramendëse, para syve Shqipëria, nga krah Maqedonia e pak më në veri Kosova. Në atë lartësi nuk kish kufi.

Nga lart vështroja anën Veriore dhe perëndimore me shkëmbinjë të thepisur e natyrë të zhveshur. Rruga të cilën ndoqëm ne, nga ana Junglindore, kishte zona shkëmbore e shkëmbinjë të thyer, por gjthashtu dhe livadhe që lehtësojnë ngjitjen. 

Zbritja zgjati rreth tre orë përgjatë të njëjtës rrugë. Në fshat u kthyem me ditë dhe të urritur. Setkiu shpërdau në fillim ujë e nga nje pjatë kos që kishte formën e djathit e mund të pritej me thikë. Në sac po përgatitej tepsia me Fli, tipike e zonës së Radomirës.

Shpejt perëndoi dielli në Tejës mes malesh.

Enela Shehu Markja, Shtator 2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Entela Shehu Makja- Drejt Korabit

PRITSHMËRIA E ZGJEDHJEVE TË 6 TETORIT NË KOSOVË

October 4, 2019 by dgreca

       Nga Asllan Bushati/Ka plot argumenta, madje me bollëk edhe thashetheme e teori konspirative, se si  e pse Kosova erdhi në këto zgjedhje te parakohshme. Por pa u marrë shumë me to, e për të krijuar një pamje më të qartë të situatës në të cilën po gatuhen këto zgjedhje, na duhet të kujtojmë shkarazi disa moment para këtyre zgjedhjeve.

Hashim Thaci Kryeministër e më pas  President dhe PDK-ja  e tij, erdhën në pushtet me pretendime të mëdha, por më shumë se pretendimet (gojët e liga thonë ) se atyre ju shtuan trojet, dyqanet, shtëpitë e parat e xhepit.

 Për të arritur këto “ bëma”, PDK-së  fillimisht ju desh si patericë edhe  Isa Mustafa me LDK-në. Por qasja programore e distancuar midis këtyre partive dhe mentaliteti veprues e drejtues  që ato bartnin sejcila, bëri të mundur divorcin. Në këtë rast (të divorcit),  LDK-ja nuk përfitoi asgjë, përvecse “ndotjes” me të qënit në pushtet, megjithse Isa Mustafa  në shumicën e kohës u tregu një  Kryeministër dhe  ekonomist me vision, por jo me vendosmërinë e duhur të një burrshteti.

Në situatën e krijuar PDK-ja, pa zbritur nga “kali i pushtetit”, thirri si mbështetëse  AAK-në e Ramush Haradinajt duke marrë kështu  emrin  “shtetarët  e krahut të  luftës”. Ky bashkim i ri, solli si rezultat “harresën nga AAK-ja të kartës  së kufirit me Malin e Zi” e cila kishte qenë flamuri i atdhetarizmës së saj për një kohë të gjatë. Por ky “atdhetarizëm”  dukshëm nuk ishte i njejtë me opsionin amerikan , sepse këta të fundit, kishin bërë me dije se  mos ndryshimi i kufijve  është formulë edhe për kufijt me Serbinë. Ky qëndrim amerikan, (ka thashetheme)  u formësu se ata në prapa skenën e  debateve për kufirin Kosovë- Mali i Zi, shihnin shtysën e veprimtarisë subversive të segmenteve serbe.

Koalicioni i krahut të luftës, shpejt u ballafaqu  me shumë problem serioze  të brendëshme e të jashme, të reja e të bartura . Kulmi u arrit kur Kosova nuk u pranu në organizmat e interpolit botror megjithse prapa kishte mbështetjen amerikane e të vendeve kryesor perëndimore.

Mos pranimi i Kosovës  në Interpol,  u vlersu si një sulm i hapur i Serbisë (në bashkpunim me miqt e saj ndërkombëtar) për pengimin e integrimit të  mëtutjeshëm  të Kosovës  në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Kësaj situate Qeveria e Kosovës vendosi ti përgjigjej me masa të rrepta. Si hap i parë u mendu ndërprerja e bisedimeve  dhe si hap i dytë (imediat) u parapa ndëshkimi  i saj ekonomik.

 Për këtë të fundit Pacolli thotë se Enver Hoxhaj i PDK-së (duke deklaruar se ka marrë  sygjerim e amerikanëve ) i propozoi Kryeministrit Haradinaj dhe atij, ngitjen njëqind përqind të taksës për mallrat serbe e boshnjake që hynin në Kosovë. Duke  e menduar  të mirqenë e pa asnjë dyshim  propozimin amerikan, Qeveria e Kosovës u hodh në veprim  të menjëhershëm për realizimin e planit të kundërvënies.

Por kjo masë  e Qeverisë së Kosovës  e befasoi SHBA-në dhe BE-në të cilat po mundoheshin ta zgjidhnin sa më shpejt e më butë  konfliktin njëzet vecar në  këtë pjesë të Europës. Atyre ju desh të rishikonin hapat e hedhur dhe të merreshin më me kujdes me këtë problem për të cilin kishin investuar shumë mund, veprimtari luftarake,djersë e mjete monetare. Nga kjo kthesë e papritur e ngjarjeve ka disa pikpyetje  të cilat do ti shtrojme më poshtë:

A ishte me të vërtetë  një sygjerim  amerikan ngritja nga Kosova e taksës për mallrat e ardhur nga  Serbia e Basnje-Hercegovina? Në se ishte amerikan,ishte zyrtare apo sugjerim  individual i ndonjë  personi të vecantë. Në se është kjo e fundit (persona të vecantë) a mos sygjerimi ishte gatuar më parë në guzhinat serbe e ruse  dhe u servir si amerikan por që në fakt është pjesë e padukshe e lobimeve kundër shqiptare këtu në SHBA?

Për këto pikpyetje duhet të flasin hapur: Thaci, Haradinaj, Veseli, Hoxhaj, Pacolli etj. Por nuk është e rëndësishme  vetëm sipërfaqja, pra kush e inicioi. Më e rëndësishme është të zbulohet se kjo ishte një sygjerim i gabuar apo një kurth  i paramenduar dhe i ngritur me qëllim kundër Kosovës. Pjesë e kesaj llogjike është edhe pyetja se: a ishte me të vërtetë  e suksesëshme ngritja e taksës apo u ndërruan ambalazhet në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe mallrat serbe erdhën në Kosovë si më pare?

Serbia vazhdon të qaravitet tek ndërkombëtarët për “dëmin e madh” ekonomik që i shkaktoi  Qeveria e Kosovës. Pyetja shtrohet: kjo  është një e vërtetë apo një mashtrim i madh?  Serbia nga një gjenocidiste e agresore  dhe e mundur ushtarakisht  në Kosovë  po përpiqet ti vendos raportet me kokë poshtë duke e prezantuar  vehten si  viktimë  e pafajëshe  e veprimtarisë së  “dhunëshme” të Kosovës. Pjesë e kësaj loje të flliqur ishte edhe  thirrja e Kryeministrit Ramush Haradinaj si i pandehur në Gjykatën Speciale të Hagës, gjë e cila provokoi dorheqjen e tij dhe këto zgjedhje të parakohëshme. E thënë me fjalë më të thjeshta, këto zgjedhje  në Kosovë janë pjesë e platformës serbe, meqenëse ajo dështoi me planin e ndryshimit të  kufijve.

Ka deklarata e hamendësime se një grup njerzish  të përzgjedhur nga Serbia  (politikanë e të sherbimeve të fshehta ) ishin mbledhur para disa ditësh në një takim special në një qytet rumun. Ata kanë diskutuar për dështimin e marrveshjes së arrituar nën rrogozë  më parë me aktorët: Vucic-Thaci- Rama . Por kanë  vendosën që të sulmohet me të gjitha mjetet (legale e ilegale) brenda fushatës zgjedhore cdo kandidat për kryeministër që nuk ka në axhendën e tij shkëmbimin e teritoreve. Sulmi (sipas tyre) do të bëhet edhe duke gërmuar në moralin e  personave të listuar dhe të punës e veprimtarisë së familjarve të tyre, duke përzierë të qëna e të bëra me të paqëna e të pabëra.

Kjo gjurulldi e llumhane serbe, e ka vështirsuar  pamshërinë  e përmbajtjen e deklaratave  të të  nominuarve për kryeministër sepse nuk dihet se deri ku ka ndotje e deri ku ka konkurencë.

 Kështu Haradinaj duke parë rrezikshmërinë e Albin Kurtit  si kandidat potencial thotë:”Albin Kurti është mashtrues që nuk mund ti besohet. Qasja e Vetvendosjes është komuniste”. Kurse Albin Kurti e godet Haradinajn si i pa principtë  duke deklaruar se :”E kaloi demarkacionin vetëm për një karrige”. Kadri Veseli u bën thirrje zgjedhësve ti bashkohen PDK-së për një luftë të rreptë e të papajtueshme  kundër korrupsionit, sikur korrupsioni galopant në Kosovë është i mbartur nga ndonjë planet tjetër  dhe nuk ka të bëjë me të dhe partinë e tij e cila  prej disa vitesh është në pushtet. Këtë e motivon me faktin se brenda partisë së tij është bërë e po bëhet katarsis për këdo që i del emri si i thirrur nga gjykata. Partitë e tjera thotë ai, nuk e kan bërë një katarsis të tillë. Vjosa Osmani ( më e votuara e parlamentit të shpërndarë) i fton zgjedhesit të ndjekin  LDK-në   për të realizuar një “Clirim të dytë”, duke deklaruar se nuk do të ketë një koalicion me PDK-në. Në të njejtën kohë i thotë VV-së se në se dëshiron koalicion paszgjedhor me ne, ka disa shtyla të paprekëshme si:”zhvillimi e punësimi, arsimi, shëndetsia, familja partneritet strategjitk me SHBA e BE, duke nënvizuar se SHBA-ja nuk ka kërkuar e nuk do të kërkojë shkëmbim teritoresh midis Kosovës e Serbisë”. Albulena Haxhiu e VV-së duke e parë me zili në një dyplanësh si femër dhe si më e nomonuara për kryeministre Vjosa  Osmanin thotë se :”Osmani ka qenë një deputete e zakonëshme dhe nuk ka bërë asgjë për të drejtat e grave në Kuvend”.

Ky vështrim i shkurtër I historisë së afërt të Kosovës dhe kjo pamje parazgjedhore na mundson të arrijmë në disa përfundime:

Zgjedhësi kosovar është i lodhur me politikanët e paditur, të pa emancipuar, servilë të ndërkombtarëve, të korruptuar, gënjeshtar, pa integritet moral e atdhetar, batakcinj që interesat personale, familjare e neopotiste i kanë mbi ata të Kosovës. Ky tip politikani lypset të goditet me votën popullore  e të largohet nga skena politike pa as më të voglin hezitim.

Shanset që LDK-ja të radhitet në vendin  e  parë janë të shumta dhe Vjosa Osmani të nomoinohet si Kryeministre. Ajo përbën shpresë për shumë të rinj, intelektualë, emigrant dhe miq ndërkombëtar të Kosovës. Shpresojmë të mos zhgënjehemi.

VV-ja dhe Albin Kurti nuk janë provuar në sferat e larta  qeverisëse dhe kjo i favorizon edhe ato, por në zgjedhjet vendore janë “baltosur” si të tjerët. Kurse nga të qenit të majtë në pikpamjet politike, konsiderohen “solucion i ngopur”.

AAK-ja dhe Ramush Haradinaj janë nën trysninë e vetdorheqjes dhe të ndërkombtarëve, por ata mund të luajnë një rol plotësues pozitiv paszgjedhor.

Urojmë dhe shpresojmë më të mirën për Kosovën, nga këto zgjedhje të provokuara nga Serbia.

Filed Under: Opinion Tagged With: Asllan Bushati-Kosova-Zgjedhjet-6 Tetori

Prof. Sami Repishti: impulse etnopsikologjike

October 3, 2019 by dgreca

Përzgjedhur e përgatitur për botim nga Anton Çefa/

Çdo popull ka nji shpirt, e shpirti i shqiptarit ka qenë besa. Kur besa asht thye dhe ata që e mbajtën u vranë, shqiptari humbi shpirtin që e dalloi. Hyni pabesia.”

*

“Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetem në nji popull që kultivon këto vlera.”

*

“Thelbi i rezistencës kundër të huejit ka qenë tradita shqiptare për liri dhe mbrojtje të tokës-nanë – si pronë private dhe si atdhe- qoftë edhe me çmimin e jetës.”

*

“Shoqënia shqiptare ka pësue nji degradim të madh gjatë viteve të diktaturave, rrjedhimet e të cilit i ndjejmë edhe sot. Duket sikur nga dhimbja e madhe, shqiptarët janë çveshë nga koncepti i lirisë qytetare dhe i dinjitetit personal. Sot ata jetojnë në botën e konfuzionit politik, ekonomik e shoqënor, që ka krijue nji klasë politike të pandërgjegjëshme për fatin e vendit e të qytetarëve, dhe që karakterizohet nga moskokëçarja, korrupsioni, dhanja mbas pasunisë së pistë, dhe drogave e defrimeve degraduese e moralisht të dënueshme. Uroj që kjo të jetë nji fazë kalimtare, dhe sa ma e shkurtë.

*

“Me ardhjen e rregjimit komunist në Shqipëri, nandor 1944, diçka themelore, boshti i trashëgimisë shqiptare, tradita e jonë kombëtare, u thye në mënyrë të pareparueshme!”
*

“Shpesh kam pershtypjen se gjatë atyne ditëve nji epokë e re filloi në vendin tonë – epoka e anti-traditës kombëtare shqiptare,- epoka që jo vetem e perbuzi atë, por ngulmoi me eliminue nevojën dhe me zhdukë sensitivitetin popullor per atë, e punoi sistematikisht me e vra. Ato ditë, u pa qartë ndryshimi i madh që erdhi në vendin tonë, dhe në marrëdhanjet e mia me botën shqiptare që njihsha që në vitet e para të rinisë  shkollore. Pak nga pak, kuptova se ishe “i merguem” në vendin tim…e ma vonë, i urryem!”
*

“Në Shqipërinë komuniste u pushkatue ai që nderoi mikpritjen, u burgos dhe u vra ai që ruejti nderin ma shumë se jetën, u torturue egersisht ai dhe ajo që burrënisht  nuk pranuen me shpifë per shokun ose të panjohunin; u internue shqiptari që mbajti besën e dhanun, ose bashkëshorti- grueja sidomos- që nuk tradhëtoi burrin . . .”

*

“Në vitin 1991, kur pushteti komunist u çthur pa shpëtim, ish të persekutuemit demokratë e të shpronësuemit me dhunë nuk perqafuen urrejtjen e ngritun në shkencë nga komunistët, por faljen e fajit dhe frymën e pajtimit, tue shpresue në drejtësinë ligjore-që i zhgënjeu randë! Ky akt fisnikërie supreme do të provonte persëri forcën e traditës shqiptare të trashëgueme nga e kaluemja e jonë, e që nuk ishte shue plotësisht!”

*


“Dalja në skenë e kaosit të frikshëm, në vitin 1991,  ngjau në nji Shqipëri të  çveshun nga vlerat morale të traditës kombëtare të trashëgueme ma parë dhe të atyne të fitueme ma vonë gjatë viteve të kontaktit me Europën e Perëndimit. Çdonjeni kerkonte plotësimin e nevojëve dhe të dëshirave, dhe menjiherë. ‘Këtu dhe Tani!’, nga nji autoritet i papergatitun e me mjete të kufizueme. Respekti per ligjin kishte zbritë poshtë si rrjedhim i arbitraritetit 45 vjeçar komunist. ‘Shteti’ shikohej si anmiku kryesor, e jo si mbrojtës i qytetarëve. U krijuen konditat e reja: ose me u largue prej vendit, ose me u pasunue sa ma shpejt dhe me mjetet ma të paligjëshme. E para shterroi “trunin” dhe energjinë e vendit, dhe e dyta institucionalizoi korrupsionin që vashdon i pa frenuem.”

*

“Ajo që duhej ba që në ditët e para të demokracisë së re- vlerësimi i së kaluemes,dënimi i saj, dhe hudhja e themeleve per nji ‘shtet’ e ‘shoqëni’ të re që do të paraqitej si anti-tezë e plotë e sistemit komunist nuk ngjau. Në vitin 1991, Shqipëria humbi shansin e madh me rihye në histori si shtet demokratik dhe i qytetnuem.”
*

“Atdheu i ynë ka nevojë për një rilindje morale, për një mbështetje të fortë në parime thellësisht njerëzore si besa, nderi burrnija, mikprtitja tradicionale, “sous peine de mort”, si thonë francezët, ose me përballue vdekjen e plotë shpirtnore.”

*

“Roli historik i çdo shqiptari e ai kolektiv i shoqnisë së lirë shqiptare asht përpjekja me u mbrojtë nga rreziku i ringjalljes së diktaturës në vendin tonë. Rreziku nuk asht ma pak kercënues sot se rreziku i fashizmit, nazismit dhe komunizmit dje, nji e kalueme jo e largët, se rreziku i totalitarizmit pavarësisht nga ngjyra, forma ose emnimi.”

*

“Shqiptarët meritojnë nji qeveri ma të mirë se këtë të viteve të fundit. Ata meritojnë të jetojnë të lirë nga frika dhe të lirë nga uria, të jetojnë si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe aktivë.”

*

“Shqipëria ka nevojë për gjak të ri, për nji sistem demokratik pluralist, për parti politike të pakorruptueme, për liderë pa kompleksin napoleonik. . . . Megjithëse duhet kohë dhe punë e ndergjegjshme me kthye vendin tonë në rrugën e perparimit të gjithanshëm ne, të gjithë ne,  duhet të ushqejmë shpresën se e kaluemja nuk na ka vrarë fare, dhe se kemi akoma bindjen dhe forcën e nevojshme me përballue vështirësitë, e me ngritë nji Shqipëri që na ushqen me dinjitet, dhe me dinjitet na nderon para botës së qytetnueme.”

*

“Për fatin tonë të mirë, kemi nji zgjidhje që premton:Hymjen në Bashkimin Europian dhe pjesëmarjen e plotë në lëvizjen e madhe europiane për nji Europë të bashkueme dhe paqësore, ma njerëzore dhe të zhvillueme ekonomikisht, me nji arsim qi sherbën qytetarin  me kuptue ma mirë botën që po ndërtohet, dhe që na ofrohet me qenë pjesëtar i plotë i saj.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa-Prof. Repishti-Impulse etnopsikologjike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • 365
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT