• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atdheu – dashuria më sublime dhe ideali më i lartë i shqiptarit

September 7, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/Shqiptarët që heret kanë qenë të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhëmbje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji.
Ndjenja e kombësisë nuk ka qenë kurrë për shqiptarët thjesht një refleks vetëdijeje për origjinën e lashtë, për gjuhën gjenuine, nëpërmjet së cilës ata përvijuan kufijtë e vendit të vet, për formimin e tyre psikik, në dallim nga popujt e tjerë, për kulturën e përbashkët, pavarësisht dallojave krahinore që ekzistonin dhe e pasuronin atë, për historinë, etj. , elemente që u jepnin atyre njësinë fizike dhe shpirtërore të kombit; ajo ka qenë ndjenjë e fuqishme që i ka mbushur zemrën, i ka frymëzuar shpirtin dhe i ka mprehur vullnetin për t’u vënë në shërbim të atdheut me të gjitha aftësitë e mundësitë.
Vetëdije dhe ndjenjë shkojnë bashkë: sa më tepër që të njohësh vlerat e një dukurie të çfarëdoshme, aq më tepër e don dhe e çmon. Vetëdijësimi për përkatësinë etnike dhe vetëdijësimi për vlerat etnike janë kusht sine qua non për ta dashur dhe vlerësuar atdheun, për të krijuar atë predispozicion shpirtëror që të bën të përpiqesh dhe të luftosh për atdheun, të flijohesh për të.
Kjo ndjenjë e magjishme, gjithnjë e ngrohtë e zemrës shqiptare, ka ushqyer ideale të larta atdhetare dhe ka bërë që në shpirtin shqiptar të përndrisin në një zjarr të përbashkët ndjenjë dhe ideal, ideal dhe ndjenjë.
Rreth shek. XIV, populli ynë filloi ta identifikojë veten përmes gjuhës edhe si semantikë fjale, ta quajë veten shqiptar, në kuptimin e atij që flet shqip, qartë, kuptueshëm, siç mendojnë disa, duke e dalluar veten prej folësve të gjuhëve të huaja. Gjurma e parë e emrit shqiptar del në dritë në mbarim të shek. XIV, në një valle që këndohet në Zadrimë. 1). Ka pasur gjashtë mendime të ndryshme për burimin e këtij etnonimi, por më i pranueshmi është ky që thamë më lart, të cilin e ka shtruar në sofrën e dijes Gustav Meyer dhe e ka përkrahur Sufflay.2). Hipoteza e dytë e lidh zanafillën e emrit tonë kombëtar me fjalën shqipe, shqiponjë, çka është më e bindshme.
Nuk dihet me saktësi se kur e pse filloi të përdoret ky emërtim si emër kombësie. Ka mendime se ai u bë popullor në kohën e dyndjeve të fiseve barbare në Ballkan 3) ose në kohën e ndarjes së theksuar krahinore e administrative që solli pushtuesi osman. 4).
Sido që të jetë, fakt është që vetëdija dhe nënvetëdija popullore e ndjeu nevojën e shprehjes së identitetit dhe unitetit nëpërmjet identifikimit me këtë emër të ri që lidhej me gjuhën, elementin më të dallueshëm të një kombi; aq më tepër që ky emër lidhej edhe me shqipen, shpendin mbretëror, madhështor, me të cilin është përkëdhelur dhe përkëdhelet edhe sot e kësaj dite sedra ynë kombëtare. Veç kësaj, shqipen shqiptari e ka edhe në Flamurin kombëtar, për të cilin ka një nderim të veçantë, pothuaj mistik, e ka për zemër, si simbol të unitetit kombëtar; sepse kudo që jetojnë shqiptarët, në trojet tona të lira apo të robëruara, apo në diasporat e shpërndara “të gjakut tonë të shprishur”, ata i përnjësohen dhe i përbetohen me lotë në sy këtij Flamuri.
Si një popull i lashtë, me një përvojë jetësore e historike të pasur, me urtësinë që e ka karakterizuar, populli ynë nuk e ka identifikuar kurrë veten nga besimi, në ndryshim me sllavët, grekët, bullgarët, etj.,por nga përkatësia etnike, duke i dhënë kombësisë përparësinë, siç i takon: si element i pandryshuar, i patjetërsueshëm.
E kemi çekur edhe në ndonjë rast tjetër, por e ripërsërisim këtu shprehjen emblematike shumëkuptimplote të Hobhaus-it për këtë karakteristikë të spikatur të shpirtit shqiptar, të konstatuar prej tij në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjën: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishtërë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “unë jam shqiptar” 5). “Kjo ndjenjë e fuqishme për atdheun, e ka theksuar ai, vihej re “në tërë popullin” dhe në një mënyrë të atillë që bënte “të zhduket në një masë të madhe ai dallim i madh, që vihet re në pjesë të tjera të Tuqisë midis pasuesve të dy feve të ndryshme”. 6).
Është kuptimplote përgjigjja për këtë çeshtje e Ismail Qemalit dhënë një gazetari anglez, pas Shpalljes së Pavarësisë:
-Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme dhe me ortodoksët e Jugut?- pyeti gazetari.
-Mos kini frikë, zotëri! Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh nëpërmjet kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh. – u përgjigj Ismail Qemali. 7).
Gjatë shekujve të pushtimit osman, edhe pse një pjesë e popullsisë u kthye në besimin e pushtuesit, shqiptarët luftuan së bashku kundër tij.
Është e hershme vetëdija e kombësisë dhe ndjenja që e ka shoqëruar atë; ajo u ka qëndruar kohëve të vështira që ka kaluar vendi, është kalitur sidomos në periudhën e lavdishme të luftës së popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut, dhe është çelnikosur më tej në shekujt XVI-XVIII, në kohën e kryengritjeve masive kundër sundimit osman, në vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe, më së fundi, në vitet e rezistencës kundër pushtuesve italo-gjermanë. Janë pikërisht vetëdija e përkatësisë etnike dhe ndjenja e shqiptarësisë gjeneratorët e luftave shekullore të popullit tonë për të mos iu nënshtruar armikut dhe për t’u bërë ballë përpjekjeve të gjithnduerta të asimilimit të huaj.
Historia e popullit tonë është histori e luftave të vazhdueshme për të mbrojtur lirinë, dinjitetin, gjuhën, zakonet e traditat e trashëguara prej të parëve. Gjurmë të pashlyera ka lënë kjo histori në kulturën popullore, sidomos në atë shpirtëroren, në radhë të parë tek kënga popullore. “Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohen më së miri në poezinë popullore”, ka shkruar Çabej. 8).
Megjithëse në ciklin e këngëve legjendare të Mujit e të Halilit del e turbullt kuptimësia e atdheut, kreshnikët shqiptarë e veçojnë etnikisht veten e tyre nga të huajt: shkjau, latini, maxhari, turku. “Gjak as fis na me shkja nuk kemi”, thuhet në një rapsodi. Kreshnikët luftojnë për lirinë dhe tokën e tyre. Në qendër të këtij eposi madhor qëndron konflikti shqiptaro-sllav. Në betejat e tyre, rapsodët popullorë mishëruan qëndresën e armatosur kundër përpjekjeve sllave për t’u shtrirë në viset tona.
Kreshnikët e dallojnë veten e tyre nga të huajt veçanërisht prej vityteve të tyre të veçanta e fisnike, të cilat i mbajnë për të shenjta, dhe siç pohojnë ata vetë i kanë trashëgim prej të parëve; jetojnë e luftojnë sipas brumosjes së tyre morale dhe zakoneve të tyre, krenohen për to, i qëndrojnë besnikë deri në vdekje. “Se ne t’ parët nji kanu na kan lanë / Armët me dhanë përpara, mandej gjan”, i thotë Gjergj Elez Alija Balozit; “Tjetër t’mirë ne t’parët nuk na kan lanë, / kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme, por me shpata m’u pre tuj këndue”, i thotë Halili Krajlit në prag të vdekjes. “Deka ma e ambel s’asht se n’luft’ m’u pre, / n’ luft’ m’u pre pa i lanë marre vedit”. Ata janë të ndërgjegjshëm se të huajt nuk i njohin zakonet e tyre: në këngën “Lule Frangu”, thuhet për gogët (latinët): “ata s’dijn’ besë, as s’kan trevezë”, pra, nuk janë besnikë dhe as mikpritës. 9).
Dashuria për atdheun u ka dhënë frymë të gjallë, frymë shenjtërimi, epikës historike, që i është kushtuar luftës për liri të atdheut. Kënga popullore ka shoqëruar çdo fakt historik, ka përjetësuar bëmat heroike të luftëtarëve të lirisë të të gjitha kohëve, u ka thurur himne udhëheqësve të kryengritjeve popullore, dëshmorëve të rënë për hir të kësaj dashurie dhe të idealit kombëtar, duke shërbyer njëkohësisht si burim njohjeje historike dhe frymëzimi për breznitë e ardhshme.
Një mori të pafund këngësh, populli ynë i ka kënduar dhe i këndon Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, gjithë heronjve të asaj epopeje madhështore që udhëhoqi ai. Përndrisin në këto këngë me një shkëlqim rrezatimi të rrallë dashuria e popullit tonë për atdheun dhe lirinë, krenaria kombëtare, adhurimi për Skënderbeun dhe luftëtarët e tjërë të lirisë.
Barleti na ka treguar që shqiptarët e kishin zakon të trashëguar të këndonin ndër gosta trimëritë e të parëve të tyre dhe t’u thurnin lavdi atyre. Për një gjë të tillë ka folur, në mënyrë të veçantë, historiani venedikas, humanisti Antonio Sabelico, i cili përmend që në vitin 1847 se “ . . . populli, i mahnitur nga adhurimi i lartë i këtij burri (Skënderbeut), sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne. Më kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se mu në mes zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (osmanëve), grumbuj vajzash e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe, kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhënj” 10). Për një dukuri të tillë, më pas do të na flasin Barleti, Marin Bici, Frang Bardhi, etj.
Me interes është një këngë kushtuar udhëheqësit të kryengritjes popullore kundër politikës centralizuese të Tanzimatit, në zonën midis Kurveleshit, Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës dhe Vlorës, në vitin 1847:
“Gryk’ e Kuçit, gryk’ e keqe,
Një mijë e treqind dyfeqe,
Ç’i mban Gjoleka me vete!
U trete, Gjolek’, u trete!
E sos lëftove për vete,
Po për gjithë vilajete,
Për nizam’ e për xhelepe . . .
S’e për mua e për ti,
Po për gjithë Shqipëri!”11).
Vargu i fundit, që këngëtari anonim e ka vendosur në këngën kundër Reformave të Tanzimatit, na dëshmon më së miri që shqiptari ka jetuar gjithnjë me një ndërgjegje kombëtare të zgjuar, bile para se të formohej në radhët e intelektualëve tanë një ideologji e çlirimit kombëtar. Populli e ka pasur gjithnjë të qartë qëllimin për të cilin ka luftuar:
“Shqipëri, o shkëmb e gur,
Vrite, prite për flamur:
Ata hiq e tine vurë”.
Ose:
“Bini djem! thot Ramadani,
Bini se na shkoi vatani”.
Nga ushtria madhore e vargjeve të thuruna për luftëtarët e lirisë të të gjitha kohëve, po veçoj vetëm pak vargje nga një këngë kushtuar Sefë Koshares, pjesëmarrës i epopesë së luftës për ruajtjen e trojeve tona, kryesuar nga Lidhja e Prizrenit. Si u kap i plagosur dhe nuk pranoi para Dervish Pashës të dënonte veprimtarinë e Lidhjes, u var në mes të fshatit, në maje të një lisi, për t’u përjetësuar në vargjet e rapsodit dhe në zemrat e të gjitha breznive shqiptare:
“Sef Kosharja, i par’ i fisit,
Hije t’paska dega e lisit!
-Hije m’ka, o djemt e mi,
Se kam lanë shpirtin për Shqipni”

Jo vetëm epika historike, por edhe gjinitë e tjera të folklorit si ninullat, fjalët e urta, gojëdhanat, etj., e kanë pasqyruar ndjenjën shqiptare të atdhetarizmit.
Tek fjalët e urta, që ka krijuar populli ynë gjatë shekujve, është vlerësuar kjo ndjenjë si një ndjenjë njerëzore nga më sublimet, është çmuar ai që lufton dhe flijohet për atdheun: “Kush ka vdekë për atdhe, nuk ka vdekë, por ka le”; ka kumtuar me anën e tyre mesazhe të ndritura për breznitë e ardhme: “Duaje atdhenë si shqiponja folenë”, “Në kufijt e arës vdis, po kufirin mos e lsho!”; ka shprehur idenë e sakrificës si domosdoshmëri për të punuar për atdheun: “Po s’u dogj shtëpia, s’bëhet Shqipëria”; ka treguar vlerën e njeriut në marrëdhënie me atdheun: “Mos punofsh për atdhe, s’përmendesh mbi dhe”; ka vënë në dukje, bile nëpërmjet armikut, qëllimin e lartë të shqiptarit për të mbrojtur atdheun: “Arnaut, he arnaut, në vend të bukës blen barut”; ka hjedhur idenë e ëmbëlsisë së jetës në atdhe, ku është “Balta ma e ambel se mjalta”, etj. 
Në ninullat që nënat shqiptare u kanë kënduar fëmijëve, kanë shprehur gjithnjë dëshirën që ata ta duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij kur të rriten, të bëhen trima si Skënderbeu. Po jap këtu vetëm një këngë që nëna drenicare i ka kënduar birit të saj:
“Gjinin bir qi un ta dhashë
Nja dy fjalë t’i them qitash
Rritju nanës ti, o trim,
Për vatanin, o gëzim,
Shpirtin nan-o duhet falë
Sikur gjyshi yt, o djalë,
Se dushmani ne na pjekë
Nën sun (sundim) t’tij dhe gjarpni hjekë” 12).
Mjeda e ka përgjithësuar artistikisht aq bukur këtë synim edukativ të nënave në poemin “Liria” e cila i bën jehonë kryengritjes së Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, në vitin 1911: “ . . . Qe nder djepa rrisin / nanat e Hotit djelmënin ushtore, / e idhnim n’anmikun neper gji ju qisin.”
* * *
Po aq sa poezia popullore, edhe letërsia e shkruar ka pasqyruar ndjenjën e lartë të dashurisë për atdheun dhe idealin kombëtar. Në gjithë veprimtarinë letrare e shkencore të humanistëve tanë të mëdhenj si një fill drite ndriçon kjo dashuri, dëshira për ta parë atdheun të lirë e të begatë. Po përmend Barletin, një ndër më të shquarit në rreshtin e gjatë të humanistëve tanë, që dhanë një kontribut të vlertë në Rilindjen europianne. Në hyrjen e kryeveprës së vet “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që i kushtohet Ferdinand Kastriotit, nipit të Skënderbeut, ai ka shpjeguar arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë vepër: ndjenja e detyrës patriotike për të përjetësuar luftën e heroit dhe të popullit të tij dhe njëkohësisht për t’i shërbyer së vërtetës si detyra më e lartë e historianëve.” 13).
Është bërë proverbiale shprehja e çiltër që tingëllon si programatike e Buzukut në veprën e tij “Meshari”, e para vëpër në gjuhën tonë që kemi në dorë, të cilën ai e shkroi “En së dashunit së botës sanë”, pra për dashurinë ndaj vendit dhe popullit të vet. Është pikërisht ky qëllim i lartë që i paraprin vargut të shkrimtarëve tanë të letërsisë së vjetër shqipe: Budit, Bardhit, Bogdanit, dhe gjithë letërsisë sonë të mëvonshme.
Dashuria e pakufishme për Shqipërinë është lejtmotivi i gjithë veprës së Naimit, apostullit të shqiptarizmës, grishje e hapët për çlirimin e atdheut nga sundimi turk, dëshirë e flakët për ta parë të lirë, të begatshëm, të qytetëruar, të lumtur. Në “Historinë e Skënderbeut”, që “është quajtur me të drejtë ‘testamenti politik’ i Naimit 14), duke himnizuar heroin e kombit, poeti ia shtron vetvetes kështu detyrën e madhe:
“T’i ap dritë Shqipërsië
Nga shpirti i ndritshëm i tija.” 15).

Ja edhe pak vargje me shumë dashuri dhe zotim:
“Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
………………………
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.”16).
E gjithë vepra e At Gjergj Fishtës, Poetit Kombëtar, i është kushtuar lirisë, begatisë, qytetërimit të atdheut. Kushtrimi luftarak burrëror për çlirim ka qenë limfa e motiveve kushtrimtare fishtiane:
“Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfe , qi shkojnë tue djegë
A ngadhnjyes a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë?, me dorë!” 17).
Në veprën e tij janë skalitur me dorën mjeshtërore të poetit traditat më fisnike të popullit tonë, ato virtyte që karakterizojnë fizionominë e vërtetë të kombit; dhe një ndër to nderimi sublim për ata që punuan, luftuan dhe vdiqen për atdheun:
“O ata t’lumtë qi dhane jetën,
O ata t’lumtë qi shkrine vehten
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Ak’lli, bora e serotina,
E der’ t’këndojë n’mal ndoj Zanë,
E der’ t’ketë n’det ujë e ranë,
Der’ sa t’shndrisin diell e hanë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kangë e n’valle por u kndojshin.” 18).

Që kur u ngjiz shpirti i shqiptarit, shkelqei te ai si një fill i artë rrezatues ndjenja e ngrohtë e dashurisë së atdheut dhe përndritën në flakurime farfuritëse idealet më fisnike në shërbim të tij. Këto virtyte kombëtare, diktatura me ideologjinë e vet të kuqe internacionaliste i topiti, por kurrë nuk ia arriti t’i shkimbë. Dhe as partitizmat e politikës aktuale pa idealet e mësipërme dhe me flamuj materializmash, konsumizmash, korrupsionizmash, interesash personale, etj., nuk do të munden të çnatyralizojnë ato virtyte të përjetshme e të fisme të shqiptarit, dhe sidomos dashurinë e shenjtë për atdheun; sepse:
“Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . . Kundrejt atdheut kemi vetëm detyrë, asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë” 19), siç e ka përcaktuar Mithat Frashëri hapësirën kuptimore të ndjenjës sonë ndaj atdheut.

Referenca e sqarime

1). Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”, Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa” Prishtinë, 2002, f. 113-114.
2). Po aty, f. 114-116. 3). 
“Emni Shqyptar, shkruan Sirdani, nuk kundrrohet në kurrnji shkrimtar perpara të XVIII qindvjetë. Se si e kur hini në perdorim n’anekand Shqypnin, në mal e vrri si emen i perbashkët kombsije, nuk dihet, por mbasi perdoret pa perjashtim deri nder vendet ma të izoluemet e dheut t’onë, do të caktohet së pakut para ardhjes së Turkut nder kto vende, e ka gjasë se ka hi në përdorim që me kohë t’invazioneve të popujve barbarë në dhena të Ballkanit, pse atëherë kanë pasë ma nevojë se kurdoherë t’onët me pasë nji emen të përbashkët kombsije per me u nda prej sa e sa popujve qi u pershkojshin neper vende të tyne e u perzieshin me bashkatdhetarët e tyne”. Atë Marin Sirdani, vepër e cituar më lart, f. 114.
4). Dhimitër S. Shuteriqi shkruan: “ . . . në shekullin XVII – XVIII, populli nisi t’i thotë vetes “shqiptar”, sipas gjuhës “shqip”, ta identifikojë veten përmes gjuhës. Arsyet duhen kërkuar te theksimi i ndarjes krahinore dhe administrative që solli pushtimi i gjatë osman” (“Ndjenja e kombësisë te shqiptarët në shekujt e parë të pushtimit osman”, gazeta “Drita” 8 gusht 1982, f. 13).
5). Hobhouse, vepër e cituar, f. 148, cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 70.
6). Hobhouse, J. C., vepër e cituar, f. 70.
7). Banush I. Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001, f. 138.
8). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 37.
9). “Visaret e Kombit”, vepër e cituar, f. 31(tek “Shtojca”).
10). M. Antoni Sabellici, Historiae Rerum Vennetarum. Basileae 1556, f. 922-923 (Botim i parë 1487), cituar sipas “Epika historike – 1”, “Hyrje”, f. 23-24.
11). Citimet e vargjeve të këngëve popullore historike janë marrë nga vëllimet “Epika historike – 1” dhe “Epika historike – 2.
12). Anton Nikë Berisha, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, Ndërmarrja botuese “Rilindja”, Prishtinë, viti 1998, f. 136-137.
13). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, autori i zërit Aleks Buda, f. 375.
14). Akademia e Shkencave të R. P. S. të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë, 1983, f. 212.
15). Po aty, f. 217.
16). Riprodhim me kujtesë.
17). Don Viktor Sopi “At Gjergj Fishta – Kthjellon terrin e mjeruar – Antologji”, Shtypshkronja “Dukagjini, Pejë, Boton “Rrezja”, Bishtazhin, 1997, f. 122.
18). Idem, f. 193.
19). Uran Butka, “Gjeniu i Kombit”, Botimi i parë, “DRIER”, viiti 2000, 473.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Çefa-Atdheu-Dashuria Sublime

Festë në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

September 5, 2019 by dgreca

-Në mesditë u zhvillua Mesha solemne e festës, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa në mbrëmjen  e sotme mbahet  Mesha e shenjtë/

-Në Kosovë, Ditët e Shën Nënë Terezës nisën në 26 Gusht 2019 me Akademi për Ditëlindjen e Shenjëtëreshes Shqiptare në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe që iu dha në vitin 1979/

-Vjosa Osmani nderon Shën Terezën për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë-

Festë në Katedralen Shën Nënë Tereza në PrishtinëGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 5 Shtator 2019/ Ditëfesta liturgjike e Shenjtës sonë Shën Nënë Tereza po kremtohet solemnisht në këtë 5 Shtator 2019 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ku fillimisht ishte pritja e besimtarëve, miqve dhe njerëzve vullnetmirë.

Në Katedrale në mesditë u zhvillua Mesha solemne e festës, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa në mbrëmjen  e sotme mbahet  Mesha e shenjtë. 

Në Kosovë aktivitetet e Ditëve të Nënë Terezës, të cilat zgjasin deri në 5 Shtator, kanë nisur në ditëlindjen e saj në 26 Gusht kur Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë organizon Akademi për të shënuar  40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979) të Nënë Terezës.

Pjesë e programit ishte edhe promovimi i librit të Don Lush Gjergjit “E kam në zemër popullin tem Shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Tereze”,  botuar nga  nga Shtëpa Botuese “Drita” më  2019. 

Në këto aktivitete u theksua se, “sivjet Ditët e Nënë Terezës, nëntëditëshi përgatitor dhe devocioni ndaj saj, kanë qenë të kremtuara në mënyrë të veçantë duke e kujtuar 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe të Nënë Terezës, e cila e mori në vitin 1979 në Oslo”.

E lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu u bë Motra Tereze e Loretos në vitin 1929; Nënë Tereza – Misionare e Dashurisë ne 1950-tën; Nobelistja e Paqes në 1979-tën, e Lumja Nënë Tereza  në 2003-tën dhe Shën Nënë Tereza  në 2016-tën.

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë  u bë para dy viteve – në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet.

Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

***

Vjosa Osmani nderon Shën Terezën për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë

Prishtinë, 5 shtator 2019

Sot, në “Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë”, kandidatja e LDK-së, për kryeministre znj. Vjosa Osmani, nderoi simbolin universal të dashurisë ndaj njerëzimit, humanisten e madhe shqiptare, Agnes Gonxhe Bojaxhiut – Shën Terezën. Nëpërmjet respektit ndaj figurës së saj, znj. Osmani shpreh mirënjohje edhe ndaj të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët na dhanë shëmbëlltyra se si duhet të kultivohet dashuria ndaj njerëzimit dhe i falën atij shumë dashuri. 

Përkushtimi i saj human, të bashkëjetuarit me më të braktisurit e kësaj bote, të varfrit dhe dhe të sëmurët, e kthyen këtë grua shqiptare në shëmbëlltyrë rrezatuese të njerëzimit. Edhe sot, shëmbëlltyra e saj na shërben për vepra paqeje, dashurie e respekti, si dhe për ta përlindur rolin e gruas shqiptare në familje dhe në shoqëri. Nëpërmjet shembullit të saj, bota i njohu vlerat e shpirtit bujar të shqiptarëve. Miku i madh i popullit tonë, ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, theksonte se “ishte personaliteti i Nënë Terezës ai që e kishte shtyrë ta njihte e ta donte popullin shqiptar”. 

Sot, më shumë se kurrë, populli ynë ka nevojë për ta kultivuar besimin në njëri-tjetrin dhe rikthejë shpresën, besimin dhe vullnetin për të ecur drejt një të ardhmeje më prosperuese.

Filed Under: Opinion Tagged With: Feste-Katedralja-Nene Tereza

Basha: Rrëzohet Farsa e 30 Qershorit

September 5, 2019 by dgreca

Basha: Raporti i OSBE/ODIHR rrëzoi farsën e 30 qershorit në çdo aspekt! Edhe i vetëm pa asnjë garë, Edi Rama zgjodhi krimin/

Kreu i opozitës, Lulzim Basha në një dalje për mediat deklaroi se, raporti i OSBE/ODIHR rrëzoi farsën e Edi Ramës për 30 qershorin.Basha theksoi se raporti tregoi se me Edi Ramën dhe këtë KQZ nuk mund të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndër të tjera, Basha tha se, OSBE/ODIHR tregoi se 30 qershori ishte një process anti-ligjor dhe anti-kushtetues.

Deklarata e kryetarit Basha

Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë stukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh.

Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit.Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë stukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.

Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh.Siç konfirmon raporti, nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur.

Nuk ka institucion zgjedhor që nga KQZ tek numëruesit dhe vëzhguesit që nuk ka shkelur ligjin.

Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit.

Së dyti raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe dhe demokracinë përfaqësuese.

Basha: Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore. Në mënyrë të veçantë nga KQZ i cili portretizohet më shumë si organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.

I vetmi aspekt normal që ka gjetur raporti është që socialistët nuk janë rrahur me njëri-tjetrin në qendrat e votimit bosh.

Pa hyrë në detaje dhe konstatime të qarta, dua të theksoj dy përfundimet kryesore të raportit:

1. Votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme.

2. Votimet e 30 qershorit ishin një farsë moniste dhe e përfaqësimit politik dhe shkatërrim i demokracisë.

Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore. Në mënyrë të veçantë nga KQZ i cili portretizohet më shumë si organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.

I vetmi aspekt normal që ka gjetur raporti është që socialistët nuk janë rrahur me njëri-tjetrin në qendrat e votimit bosh.

Pa hyrë në detaje dhe konstatime të qarta, dua të theksoj dy përfundimet kryesore të raportit:

1. Votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme
2. Votimet e 30 qershorit ishin një farsë moniste dhe e përfaqësimit politik dhe shkatërrim i demokracisë

Basha: Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë garë, Edi Rama zgjodhi krimin

Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë konkurent, edhe kur vetë i kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe vetë certifikoi, ai vodhi, manipuloi dhe shkeli çdo standart.

Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demorkatike ka thënë fuqishëm:

Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë.

Por 30 qershori tregoi edhe një të vërtetë tjetër: As me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira.

E thashë në fillim dhe po e them prapë:

Raporti i ODIHR është më shumë se raport zgjedhor. Ai nuk rrëzon vetëm votimet e 30 qershorit.

Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës.

Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit

Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal.

Për këto arsye, 30 qershori ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama. Ky grusht institucional u realizua sërish në bashkëpunim e krimin.

Ndonëse jo objekt i vlerësimit të Raportit, tashmë është një e vërtetë e njohur botërisht është se: Në mënyrë të qëllimshme, kapjen e pushtetit vendor Edi Rama e ka bërë në bashkëpunim me kriminelë.

Janë deri tani dy kandidatë për kryebashkiakë të vertetuar me të shkuar kriminale dhe priten të tjerë.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij fakti duhet të kemi parasysh diçka: më 30 qershor nuk kishte asnjë konkurencë, nuk kishte asnjë garë. Edi Rama mund të emëronte këdo që dëshironte pa u shqetësuar se sa vota do të merrte. Por edhe në këto kushte zgjedhja e tij e natyrshme ishte krimi, ishin personat me rekorde kriminale.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lulzim Basha- bie Farsa e 30 Qershorit

LAMTUMIRË KRYEPESHKOP NIKON!

September 2, 2019 by dgreca

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Gazeta e saj “DIELLI” i shprehin ngushëllimet më të thella Kancelarit të Katedrales Orthodokse “Shën Gjergji” në Boston At Arthur Liolin dhe të gjithë besimtarëve Orthodoksë.

Me 1 Shtator 2019 ka ndërruar jetë në Southbridge, Massachusets, i Përndershmi NIKON, Kryepeshkop i Bostonit, New Englandit, njëkohësisht i ArkDioqezës Shqiptare.

Kryepeshkopi u lind më 9 tetor 1945 në një familje të shquar vatrane. Ishte djal i Evans J. dhe Helena P. Liolin, dy nga miqtë dhe mbështetësit e Imzot Nolit.Kancelari i Katedrales së Shën Gjergjit, Atë Arthur Liolin, është vëlla i Kryepeshkopit Nikon.

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Gazeta e saj “DIELLI” i shprehin ngushëllimet më të thella Kancelarit të Katedrales Orthodokse “Shën Gjergji” në Boston dhe të gjithë besimtarëve Orthodoksë.

Kryepeshkopi NIKON u rrit dhe u edukua në një familje të kulturuar patriotike e dedikuar ndaj Atdheut të prindërve-Shqipërisë dhe Amerikës. Babai Evans J. kishte shërbyer si themelues i Fondit studentor  teologjik me 1947, ndërsa Nëna Helenë shërbeu si drejtuese e korit në Famullinë e kishës Orthodokse Shën Nikolla në Jamaica, New York, ndërkohë që vëllai John shërbeu në Këshillin e kishës  së Shën Gjergjit në Trumbull, Connectucut, vëllai tjetër Billi dha jetën për Amerikën, duke shërbyer në forcat e armatosura gjatë Luftës në Kore, ndërkohë që vëllai më vogël shërbeu në Kishën Shën Nikolla në NY.

Kryepeshkopi Nikon u mbrujt me idealet e lirisë dhe të përkushtimit dhe dha gjithcka për Kishën Orthodokse Shqiptare.Figura e Imzot Nolit ishte burim frymëzimi si për të gjithë familjen Liolin ashtu edhe për Nikon. Arqipeshkvi Nikon u diplomua në Seminarin Teologjik Orthodoks të Shën Vladimirit, Crestwood, New York në vitin 1966. Studimet e mëtejshme do t’i kryente në Kolegjin Iona dhe Concordia në New Rochelle. Kryepeshkopi u diplomua edhe për Kërkime Sociale dhe Shkencat Politike në New School, New York.

Kryepeshkopi ishte martuar me 1967 me vajzën që e deshi që në rininë e tij, Sarah Arthur, e cila drejtoi korin pas shugurimit të Nikon nga Peshkopi Stephan Lasko me 5 Korrik 1969. Sarah ndërroi jetë me 5 Korrik 2000 nga sëmundja e pashërushme e Kancerit. Funeralin e saj e kryesoi Mitropoliti Theodosius.

Gjatë shërbimit të tij 33 vjecar, Nikon shërbeu si rektor i dy famullive të kishave Orthodokse Shqiptare: Kisha Shën Nikolla, Southbridge, Massachusets dhe Kishën e Shën Thomas, Farmington Hills, Michigan.  Përvec shërbesës së tij baritore, Kryepeshkopi Nikon shërbeu si president i Këshillit të Kishave Orthodokse të Detroitit dhe Kapelan për Universitetin Shtetëror Wayne. Ai gjithashtu ishet shumë aktiv në media, duke u shfaqur shpesh herë në programe të drejtëpërdrejta televizive dhe radiofonike dhe shërbeu si redaktor i “The Vine”, gazeta e Arqipeshkvisë Shqiptare. Kryepeshkopi Nikon u shënjtërua Peshkop i Baltimorit dhe ndihmës i mitropolitit Teodosi në 24 dhe 25 Maj 2002. Ai u emërua si peshkop i Bostonit me 22 tetor 20013. Shërbeu si administrator i Dioqezës së New England-it dhe u zgjodh gjatë sezonit të Vjeshtës -tetor 2005.Ai nisi administrimin si peshkop i Bostonit, New England-it, Arqipeshkvia Shqiptare nga Mitropoliti Herman në Katedralen e Trinitetit të Shenjtë në Boston në 16 dhe 17  Dhjetor 2005. Peshkopi Nikon u ngjit në postin e Kryepeshkopit me 9 Maj 2012.(pergatiti: d.Greca)

Filed Under: Opinion Tagged With: Kryepeshkopi NIKON, nderroi jete

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)

August 31, 2019 by dgreca

Rubrika e Diellit: Këshilla Mjeksore

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)Shkruan: Dr. ZEKRI PALUSHI (MD)*/

Rast konkret:K.D, 59 vjeç, mashkull, vjen për një konsult, i shoqëruar nga gruja e tij. Që në pamje dukej se ishte në dhimbje të forta, prandaj menjëherë e shtrimë në krevatin e vizitës. Ai po ankonte për dhimbje të forta në pjesën e sipërme të barkut (epigastric), që po e shqetësonin gjatë 45 minutave të fundit, ato kishin fillue gjatë ngrënjes së mëngjezit dhe shpejt kishin progresu në një dhimbje të fortë e konstante por nuk ishte shpërndarë. Dhimbja ishte shoqëruar me ndjenja për të vjellur dhe bile njëherë kishte vjellur. Ai tregoj se kurrë më parë s’kishte pas dhimbje si kjo, por herë-pas-here vuante nga “indigestion” që qetsohej pas marrjes së një ilaçi anti-acid. Pacienti dhe gruja e tij shpjeguan që s’kishte pas ndonjë  problem të randësishëm mjeksorë në të shkuarën, dhe s’merrte ndonji mjekim. Kishte pi duhan më përpara por nuk pinte ma.

Gjatë ekzaminimit klinik, vura re se pacienti kishte një lëkurë të zbehtë, të  ftohtë e të djersitun në prekje dhe fliste duke ju marrë pak fryma. Pulsin e kishte të rregullt me 110 rrahje/minutë, dhe tensionin e kishte 125/80 mm Hg, zhurmat e zemrës qenë normale, po k’shtu the aparati i frymëmarrjes. Palpimi i barkut qe normal, pa shenja të një peritoniti, nuk pati ënjtje të kambëve, që flet për një lodhje të zemrës, megjithatë duke pas parasysh gjendjen e keqe të pacientit, dhe pasi klinikisht përjashtova një ulçer stomaku të plasun, apo një pankreatit acut, apo një kolike biliare,  instalova një linjë Intra-Venoze, ndërsa infermjerja po i bante një EKG.

 Duke u bazue në gjendjen aktuale, si dhe në interpertimin e EKG-s, pacienti kishte një bllokim akut të arteries coronare të djathtë, dhe si rezultat i këtij bllokimi,  kishte fillue një infarkti në murin e poshtëm (inferior) të myocardit, (muskuli i zemrës), në të gjithë trashsinë e tij,  (full-thickness).

Kështu pra i fillova një mjekim urgjent dhe thirra Ambulancën, duke e paralajmëruar për diagnozën e Infarktit Acute të Myocardit, po kështu telefonova Urgjencën e Spitalit për tu para-pregatitë për këtë gjendje serioze.

Në spital pacientit ju fillu urgjent THROMBOLITIC terapi  së bashku me mjekime të tjera, dhe një EKG e bame pas përfundimit të thrombolitikut, tregoj se gjakut  në zonën e infarktit kishte ri-fillue  qarkullimin, por mbas 10 minutash Alarmi i Monitorit Kardiak tregoj Tacicardi ventriculare ndërsa pacienti që pa koshiencë. Kështu pra u aplikue urgjent një Goditje Elektrike me 200-300 joules dhe ritmi I zemrës u normalizue.

Në mungesë të ndryshimeve të mëtejshme klinike e kardiografike, në ditën e 9të, pacientit ju ba një EXERCISE STRESS TEST, në kërkim të një evidence të mundëshme të një ishemie kardiake gjatë sforcimit fizik, që rrezultoj POZITIVE, si rrjedhojë, nevoja për një ANGIOGRAFI qe e domosdoshme, e cila në vetëvete tregoi një gradë të naltë stenoze të coronares së djathtë dhe bllokim të coronares së majtë në pjesën zbritëse, si dhe stenozë në coronaren circumflexe, pra ky pacient pati të sëmura 3 degë të coronareve (Triple Vessel Disease), për të cilën, ju desh t’i nënshtrohej një operacioni kirurgjikale, për Triple Coronary Artery Bypass Grafting.

Operacioni qe shumë i suksesshëm, dhe duke pasë parasysh se pacienti s’pati rrisk-faktors (me përjashtim që kishte pi duhan në t’kalumen), nuk qe hypertensive apo diabetic, ju këshillu që të mbante nën kontroll YNDYRNAT në gjak (HYPERLIPDAEMIA), të cilat shtojnë shumë rriskun e zhvillimit ATHEROMES (plaka ateromatoze) në grafte që mund edhe ta bllokojnë.

  ***

Si përfundim:

AMI asht një shkak i zakonshëm i vdekjeve dhe shumica e të cilave vijnë prej fibrilacionit ventricular që janë të shpeshta gjatë një procesi  ishemik. Prandaj asht shumë e randësishme që njerëzit të kenë njohuri rreth shenjave të INFARKTIT.  I sëmuri, sa ma shpejt që t’jetë e mundur, duhet të jetë afër një defibrilatory, për të parandalu vdekjet e papritura. Pas kësaj, jo pak i randësishme asht reduktimi/paksimi i sipërfaqes së myokardit të damtuar si pasoj e paksimit të furrnizimit me oksigjen që ndodh nga bllokimi i arteries koronare. Kjo arrihet në dy rrugë:

 1-Shkrirja e trombit që ri-kthen rrjedhjen e qarkullimit të gjakut në arterien coronare.

Kjo rrugë arrihet nëpërmjet një prej ilaçeve fibrinolitike (shkrirëse të trombit) siç janë Streptokinaza, Tissue Plasminogen Activator (tPA) etj, që në të vëretë asht edhe mjekimi KRYESOR, që bahet në SPITAL; antiplatelet agents si Aspirina, Clopidogrel etj, dhe anti—thrombins si heparina.

Ndërsa coronary angioplasty (PTCA) përdoret për të ri-kthy mekanikisht rrjedhjën e qarkullimit të gjakut. Asht shumë e randësishme me ditë se sa më shpejt të ri-kthehet qarkullimi i gjakut aq ma mirë asht. Për çdo orë vonesë, efekti i mjekimit paksohet, ndërsa përqindja e vdekjeve shtohet.

 2-Paksimin e konsumimit të oksigjenit nga muskuli i zemrës (Myocardi).

Kjoarrihet duke paksue rrahjet e zemrës, Tensionin e gjakut (BP), dhe Presionin e Mbushjes së Zemrës, që arrihen nëpërmjet Beta bllokuesve, Glyceryl trinitrateve dhe ACE inhibitorve, por kjo asht një punë që doktori juaj e diskuton me ju gjatë konsultës, nëse do t’ju bjerë nevoja.

Këshilla për tu mbajt mend:

KURRË mos e neglizhoni një dhimbje të fortë e të zgjatur gjoksi që shpërndahet në qafë,nofull dhe krah, e që shoqërohet me djërsitje, ankth, vështërsi n’frymarrje, e dëshirë për të vjellë, që janë shenjat ma të shpeshta e të zakonshme për AMI, POR ama mos HARRONI se edhe vetëm një dhimbje nofulle, dhimbje në supin e djathtë,  apo vetëm dhimbje barku, (si rasti i pacjentit në diskutim, që kollaj mund të ngatrrohej me keqësimin e një ulçere stomaku), mund të vinë prej një INFARKTI në PROGRES. Po kështu, diabetikët mund të bajnë INFARKT PA DHIMBJE. Ndërsa  të vjetrit mund të bajnë infarct që paraqitet si një Edeme Pulmonare ACUTE, si një ARYTHMI, si një HYPOTENSION (tension i ulët gjaku), apo vetëm si KONFUSION.

Në raste të tilla, THIRRNI URGJENT AMBULANCËN dhe ndërkohë merrni MENJËHERË ASPIRIN 300mg, dhe po të keni CLOPIDOGREL 75mg,-merrni 8 tableta njëherësh (600mg), si dhe TRINITRINË/Nitroglycerine (tablet ose spry), nën gjuhë, çdo 5-10 minuta, (tek disa, mund t’japë dhimbje koke).

Shënim: Në numrin tjetër të gazetës DIELLI do të diskutojmë ‘Goditjen Ishiemike Kalimtare te Trurit’ (TIA)

Gold Coast, Australi, Gusht 2019

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Dr. Zekri Palushi-Infarkti akut i zemres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • 369
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT