• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOSJA E VATRËS- EDITORËT E DIELLIT NË OBJEKTIVIN E SIGURIMIT

October 17, 2019 by dgreca

KUSH ISHTE “NGJALA” DHE”LIQENI”  QË SPIUNONIN FAN NOLIN TEK “MISIONI” DHE QEVERIA E TIRANËS?-PO ”FLETORI”?/

  • EDITORI I DIELLIT NE LUPEN E SIGURIMIT(1958-59) DHE TE FBI-së( 1962-2005). SIGURIMI: I ZGJUAR, POR MUND TE JETE AGJENT I ZBULIMIT AMERIKAM. FBI: DOSJE NGA 1962- 2005-AGJENT I SIGURIMIT!/
  • SIGURIMI- MISIONI: AS ME PETER PRIFTIN, AS ME QERIM PANARITIN, NXITNI KONFLIKTIN MES TYRE!/

NGA DALIP GRECA

Në dosjen e sigurimit, që i ishte hapur Vatrës nga Minsitria e Brendshme, Drejtoria e Sigurimit, dalin shpesh pseudonimet e “Ngjalës” dhe “Liqenit”, që dukej se kishin pushtet tek  Peshkopi, por edhe e spiunonin atë tek padronët e tyre. “Luani”, që furnizohej me raporte nga”Ngjala” dhe “Liqeni” informonte Tiranën se Peshkopi s’ishte 100 për qind i besuar.

  “Ngjala”, me 11 gusht 1959, njoftonte me tel Nr. 203 se F.B.I , sipas Dhimitër Trebickës kishte thirrë Niko TH dhe e kishin pyetur për këto gjëra:

1-Si do të pritej në Shqipëri një ndihmë prej 500 mijë ose një milion dollarësh e dërguar në emër të Vatrës?

Niko Th ishte përgjigjë se Vatra nuk kishte më kredibilitein e dikurshëm në Shqipëri, autoriteti i saj pas lufte kishte rënë.

2- Pyetja e dytë kishte qenë rreth “Kështjellës”. F.B.I kishte pyetë: -ç’punë bënte “Kështjella” në Shqipëri?

     Përgjigja kishte qenë: Nuk e di me saktësi, nuk kam informacion. Ai kishte spjeguar se kur kishte shkuar në Shqipëri, nuk e kishte takuar”Kështjellën” nga që ishte i sëmurë.

3- Sipas këtij informacioni njerëzit e F.B.I. kishin pyetur Nikon dhe Trebickën nëse mund të gjendej ndonjë nga punonjësit e Misionit që shfaqte shenja lëkundje ndaj Tiranës dhe të mund rekurtohej?!!!

Raportuesi konkludonte në raport: Shuma prej 500 mijë apo 1 milion nuk disponohet nga Vatra, kështu që mendohet se amerikanët do t’ia jepnin  Vatrës atë shumë.

“Luani” ne tel nr 222 data 28 gusht 1959 raportonte se sipas porosive që i kish dhënë”Kalaja”-“Ngjala” ishte takuar me Fan Nolin dhe kishte përcjellë të dhëna të rëndësishme:  Si”Lirija” ashtu edhe “Ngjala” ishin të pakënaqur nga qëndrimi i Fan Nolit ndaj Vatrës. Ngjala ka raportuar se Fan Noli i paskish thënë se po të bëheshin zgjedhje të rregullta në Hungari, Shqipëri dhe Rumani, regjimet që ishn në fuqi nuk do të mund të qëndronin më, do të binin nga fuqia.”Luani” informonte se”Ngjala” nuk kishte dashur t’ua tregonte këto gjëra shokëve të Misionit, por i tregoi tash nga dëshpërimi dhe zhgënjimi  prej kryepeshkopit, dhe këshilloi që të mos lëvdohej më Fan Noli prej Tiranës dhe Misionit.

Nga ana tjetër Noli paska kërkuar përmes “Ngjalës” që të mos goditej më gazeta Dielli.”Luani” shtonte se Qerim Panariti kishte botuar në Diellin e 14 gushtit 1959 pjesë nga një artikull të marrë nga “Shqipëria e Re”, por kishte hequr paragrafet ku goditej ai vetë. Këtë , editori i Diellit, e ka bërë për të ngritë presitigjin e Vatrës, por degët e Vatrës në Pitsburg dhe Nju Jork vazhdonin të kërkonin shkarkimin e Qerim Panaritit si editor i Diellit dhe sekretar i Vatrës. Në emër të tij kishin kërkuar që të emërohej”Fletori”, që konsiderohej element “patriot”, por ky vepronte i drojtuar nga që i ruhej sipas raportuesit F.B.I-së.

       Andoni Athanas, raportonte”Luani” ishte ngarkuar për të drejtuar komisionin e 50 vjetorit të Diellit, kishte thënë se do të padiste gazetën”Lirija” si antiamerikane dhe komuniste. Ky, raportonte informatori është një person shumë reaksionar!

Interesant është fakti që krahas”Ngjalës” shfaqet në vitet ’58-59 edhe pseudonimi “Fletori”, që cilësohet pozitiv sipas Misionit dhe Tiranës, dhe se mbahej shpresë që ai të zëvendësonte Panaritin, i cili në këto vite e kishte humbë besimin e Tiranës.

Raporti: “Fletori” nuk ka mbajtë qëndrim të keq personalisht, por atij i mungojnë zotësitë dhe nuk është lejuar të kufizojë Qerim Panaritin në “Dielli”, pasi Panariti gëzon mbështetjen e kryesisë së Vatrës.

Nga ana tjetër “Fletori” shihej si shumë i urtë se ç’duhej për të qenë agresiv ndaj Panaritit.

SHQETESIM I TIRANES: ANETARESIMI I EMIGRACIONIT POLITIK NE VATER!

Konkluzioni i “Luanit”: Jemi të mendimit që këshillat e “Ngjalës” dhe shumë të tjerëve lidhur me qëndrimin tonë karshi Fan Nolit të merren në studim. Siç kemi raportuar, F.B.I kërkon që të rritet kredibiliteti i Vatrës në Shqipëri.

 Si Tirana edhe Nju Jorku ishin të shqetësuar se në Komisionin e festimeve të 50 vjetorit të gazetës “Dielli”(1909-1959) , po planifikoheshin që të futeshin edhe elementët reaksionarë, pra të arratisurit. Burimi informonte se në një mbledhje që ishte bërë në Boston, Dervish Rexhepi, që kishte bërë lutjen fetare, kishte folë për historikun e Vatrës, por nuk e kishte përmendë fare pushtetin popullor të Tiranës. Ky qëndrim duhej kritikuar me anë të patriotëve.

     Burimi informonte se Musa Hajro, që kishte bërë vizitë në Shqipëri, pas kthimit kishte shkruar artikuj shumë të mirë për Shqipërinë dhe Qeverinë, por menjëherë pas botimit të tyre Qerim Panariti kishte shkruar kritika të forta kundër Musa Hajros, duke replikuar me Hajron: Nuk është ai që shkruan ti realiteti i Tiranës.

Shqetësimi i Tiranës ishte bërë editori i Diellit Qerim Pnariti, i cili prej 1957-ës ishte bërë i padëshirueshëm nga Misioni dhe nga vetë Tirana Zyrtare. Kundër tij nisën sulmet nga Radio Tirana. Gjithësesi editori i Diellit ishte mes dy zjarresh, që kërkonin ta digjnin- ata që “ngjala” dhe Misioni i cilësojnë “reaksionarë” kishin kërkuar që ta largonin Qerim Panaritin si editor dhe sekretar i Vatrës. Madje ata ia kishin dalë që t’i mbushnin mendjen Qerimit që të jepte dorëheqjen, me qëllim që të sillnin në vend të tij një elemnt nga krahu i tyre. Si partizanë të këtij krahu raportoheshin: Kristo Thanas,(Kryetrai i Vatrës), Thanas Proko, Peter Prifti(të ardhurit e fundit në Vatër), Ramadan Arreza, Nuri Mborja, Adem Vishochica, Miko Kokolari. Sipas raportusit-spiun, ky krah kishte mbështetjen e organeve amerikane. Por nga ana tjetër edhe elementi “përparimtar”, “patriot”, ku radhiteshin: Musa Hajro, Ulisi Kavo,Jashar Vranishti etj., sipas “ngjalës” dhe “Liqenit”, kishin kërkuar heqjen e Panaritit si editor i Diellit dhe Sekretar i Vatrës.

Në raportet që i niseshin Tiranës, analizoheshin shkrime të gazetës Dielli dhe vizitat e kryetarit të Vatrës Kristo Thanas nëpër koloni, që synonte t’i mbushte mendjen vatranëve të thjeshtë se duhej të ndodhte ndryshimi në Vatër, me qëllim që ajo të shpëtonte nga falimentimi, duheshin pranuar të arratisurit politik. Raportusi ndalej gjatë në një shkrim të Peter Priftit me titull” Shqiptarizma në Amerikë… Ku qëndrojmë?), botuar me 30 korrik 1958.Sipas raportit Prifti shpreh mendimin shumë reaksionar se nuk mund të quhet patriot një i emigruar për arsye ekonomike.Ai i quan shqiptarët e Amerikës të larguar për arsye ekonomike dhe jo idealistike, pasi erdhën në Amerikë për të përmirësuar rrojtjen dhe jo për të ruajtur kulturën shqiptare, madje sundimi i Turqisë kishte dobsuar shumë dhe kishte zhdukur ndjenjën kombëtare midis shqiptarëve. Raportusi ndalej edhe në krahasimin që bënte Peter Prifti në artikullin e tij mes arbëreshëve në Kalabri dhe shqiptarëve të Amerikës, duke arritë në përfundimin se patriotë ishin arbëreshët, dhe jo shqiptarët e Amerikës. Në këtë mënyrë, sipas raportit, qëllimi i artikullit të Priftit ishte që t’u jepte vlera të arratisurëve politikë, dhe t’u hapte atyre derën për të hyrë në Vatër.

EDITORI I DIELLIT NE LUPEN E SIGURIMIT DHE TE FBI

 Raporti që i niset Tiranës është ndalë gjatë në Kuvendin e 31 gushtit 1958, duke analizuar, raportin mes ’patriotëve’ dhe “të arratisurve politikë”, ku këta të dytët duket se janë triumfues. Ka qenë Ramadan Arrëza ai, që sipas raportuesit- ka propozuar futjen e të arratisurëve në Vatër. Nuri Mborja ka propozuar Peter Priftin për të editor të Diellit, ç’ka shihet me dyshim nga raportuesit pasi Peter Prifti sipas tij nuk ishte marrë më përpara me Vatrën, as me koloninë shqiptare. Kryetar i Vatrës ishte zgjedhë Kristo Thanas, ndërsa nënkryetar Thanas Proko. Anëtar të Komisionit: Miko Kokalari, Erakli Letcho, Angel Sotir, Adem Vishochica, Nikolla Arthur.

Anëtar të Këshillit: Ramadan Arrëza, Sadik Pepellashi,Tom Christo,Sotir Mborja, Fazlli Jaup Pojani. Editor dhe sekretar i Vatrës u zgjodh Peter Prifti. Në raport i jepet hapsirë profilit dhe biografisë të editorit, i cili vihet në Lupën e Sigurimit: Peter Prifti, shkruhej në raport, ishte nga Rehova e Kolonjës. Kishte shkuar në Amerikë prej kohësh. Kishte studiuar për Filozofi dhe Art në Filadelfia. Në Shqipëri, raportohej se kishte nënën, babën dhe një vëlla ne redaksinë e revistës “Hosteni”, element me qëndrim të keq politik. …(Lexoje te plote ne Diellin ne print)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dalip Greca-Dosja e Sigurimit- Qerim Panariti-Peter R Prifti

CILËSORJA E ZHBËN MEDIOKREN

October 17, 2019 by dgreca

Ese nga Thanas L. Gjika/
C

Në shoqërinë njerëzore dukuria / dukuritë që shquhen për vlera cilësore kanë ndikuar dhe ndikojnë mbi dukurinë / dukuritë me nivel mesatar (mediokër). Që në kohët e lashta, para krijimit të shteteve dhe administratve qeveritare, fiset e krahinat e ndryshme drejtoheshin prej individësh që shquheshin për zgjuarësi të veçantë. Pikërisht individët e shquar për nga zgjuarësia kanë ndikuar mbi pjesëtarët e tjerë të fisit, shoqërisë dhe të kombit për mbarëvajtjen e punëve dhe zgjidhjen e problemeve.

Përcaktimi i një personi si “plak i mençur / kryeplak” i fisit, i fshatit ose i krahinës nuk bëhej sipas dëshirës së një njeriu të pasur a me pushtet, por prej shumicës së banorëve burra pasi ai të kishte dhënë prova zgjuarësie mbi të tjerët për zgjidhje problemesh në biseda e tubime të fisit, fshatit e krahinës. Disa pleq të tillë, sipas kanunit zgjidheshin si “gjyqtarë”. Ata thirreshin në tubime për të zgjidhur problemet e ndryshme që lindnin në krahinë prej vrasjeve, vjedhjeve të pronave, mosmarëveshjeve të ndryshme, etj. Banorët e fisit, fshatit dhe krahinës pranonin zgjidhjen që jepte / jepnin “plaku / kryeplaku”, ose “gjyqtarët”, përndryshe ata ndëshkoheshin sipas kanunit. Me vlerësimin e cilësores njerëzore u qeverisën popujt për qindra e mijëra vjet deri te krijimi i shteteve, kur u krijuan administratat shtetërore. Rolin e plakut / kryeplakut dhe gjyqtarëve tashmë filluan ta luanin mbreti, parlamentarët, gjykatat e gjyqtarët profesionistë. Edhe në këtë kohë cilësorja shoqërore, pra vlerësimi i njerëzve me zgjuarësi e formim mbi mesatar nuk u hodh poshtë. Mbretërit, deputetët, gjyqtarët më të zgjuar jepnin zgjidhje më të mira për problemet që shtroheshin për zgjidhje se kolegët e tyre mesatarë e mediokër, prandaj synohej që në këto funksione të zgjidheshin individët më cilësorë, ata më të zgjuarit, më të aftët.

Qëndrimi i cilësores shoqërore në krye të administratave qeveritare përbënte një nga ligjet e pashkruar të qeverisjes së popujve.

Mirëpo, vlerësimi sipas zgjuarësisë dhe përgatitjes profesionale i personit që emërohej në një detyrë, u hodh poshtë prej partive komuniste, ku stafi drejtues i tyre zgjidhej sipas besnikërisë së atij që e krijonte këtë ose atë parti komuniste. Pas ardhjes në pushtet të partive komuniste, emërimi i kuadrit në administratën qeveritare, përcaktohej jo nga zgjuarësia e përgatitja profesionale, por nga besnikëria ndaj udhëheqjes / udhëheqësit të partisë.

Në historinë tonë të shek. XX-të zbatimi i kësaj politike kuadri solli si pasojë që në krye të Partisë Komuniste Shqiptare të vihej Enver Hoxha. Ky person edhe pse ishte njeri pa shkollë të lartë, që nuk bënte pjesë në asnjë prej grupeve komuniste të kohës, dhe që nuk e njihte teorinë marksiste si komunistët e shkolluar Zai Fundo, Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Aristidh Qendro, Anastas Lulo, Qemal Stafa, etj, u zgjodh sekretar i përkohshëm e më vonë kryetar i PKSH-së. Ai u zgjodh kryetar i PKSH-së sepse i kishte premtuar Dushan Mugoshës se do të ishte i bindur ndaj urdhërave të udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave, pra të J. B. Titos që do t’i jepeshin prej emisarëve të tij. Parimi i besnikërisë ndaj kryetarit të partisë u zbatua edhe në “zgjedhjen” e kryetarëve të organizatave bazë të kësaj partie dhe të komandantëve të njësive ushtarake partizane që u krijuan më vonë. Po kështu u vijua pas marrjes së pushtetit për krijimin e administratës qeveritare.

Partia Komuniste Shqiptare, si gjithë partitë komuniste, ndoqi një politikë të tillë kuadri, sepse misioni i saj kryesor ishte marrja dhe mbajtja e pushtetit me çdo çmim. Vënia e parimit të besnikërisë ndaj udhëheqjes së partisë mbi parimin e cilësores shoqërore, pra të vlerësimit të kuadrit sipas zgjuarësisë dhe aftësive, solli si pasojë mënjanimin dhe eleminimin e të aftëve si shtresë. Shkrimtari dhe analisti Sami Repishti te vëllimi me tregime “Pika loti”, këtë dukuri e ka shprehur me këto fjalë: “Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorër”. Pikërisht ndjekja e një politike të tillë me kuadrin përbënte një dukuri që binte ndesh me njërin prej ligjeve themelore të qeverisjes së shoqërisë njerëzore. Dhe pikërisht këtu duhet të shohim një nga shkaqet që shpunë te kapitullimi i sistemit socialist dhe jo, si thonë disa, se sistemi socialist nuk u la të piqej, se po të kalonte fazën e pjekjes së vet, do të kishim rezultate të tjera. Sistemi socialist, si sistem diktatorial që shkeli parimin e vlerësimit të cilësores shoqërore dhe e zëvendësoi me parimin e besnikërisë / servilizmit ndaj udhëheqjes së partisë shtet, nuk mund të piqej, sepse ai e kishte në thelbin e vet krimbin e së keqes, i cili do ta shpinte, si e shpuri te kalbja dhe jo te pjekuria.

Për fatin tonë të keq pas ndërrimit të regjimit diktatorial dhe zëvendvsimit të tij me sistemin pluralist të ekonomisë së tregut të lirë, forcat besnike të klanit Hoxha, që përbënin shumicën e forcave në lojën politike, arritën ta mernin drejtimin e shtetit dhe të ekonomisë dhe të mos lejonin ardhjen në pushtet të individëve të aftë, pra të atyre që shquheshin për cilësi e profesionalizëm. Kështu vijoi qeverisja e Shqipërisë edhe gjatë këtyre 28 vjetëve përmes parimit të besnikërisë ndaj udhëheqjes së partisë politike që merrte pushtetin. Cilado parti që erdhi në pushtet krijoi administratën e re me besnikët e saj dhe jo me kuadrot më të aftë. Kjo është arsyeja kryesore pse në Shqipëri tranzicioni nuk solli krijimin e sistemit të vërtetë demokratik dhe zhvillimin e duhur ekononomik dhe politik.

Në këtë situatë, lind pyetja: A ka mundësi Shqipëria që të krijojë sistemin e vërtetë demokratik dhe të sigurojë zhvillimin e duhur ekonomik? Pra a ka mundësi që Shqipëria të kthehet nga një vend papunësie që po braktiset nga rinia, në një vend që të hapë vende pune për rininë e vet dhe të thithë krahë pune nga bota?

Këtyre pyetjeve u përgjigjem me një PO të madhe, jo se jam optimist i sëmurë, por se jam i bindur që Shqipëria shumë shpejt me ndihmën që po i japin SHBA-të dhe BE-ja përmes Vetingut e Reformës në Drejtësi do të pastrojë administratën shtetërore prej kuadrove të paaftë e të korruptuar dhe do të sjellë në pushtet njerës të aftë, njerëz cilësorë që dallohen për karakter të lartë qytetar, zgjuarësi dhe përgatitje profesionale. Brenda vendit të tillë njrëz ka pak, por këtyre u duhen shtuar dhe bijtë e të përndjekurve politikë që kryen shkolla në Europën Perëndimore dhe SHBA, të cilët, si ka thënë avokat Spartak Ngjela, përbëjnë ekselencën shqiptare dhe janë në gjendje ta qeverisin si duhet Shqipërinë. Pikërisht këta bij të shquar të diasporës duhet të afrohen me njëri tjetrin dhe të organizojnë atë grup shoqëror politik dhe ekonomik prej të cilit populi duhet të zgjedhë përfaqësuesit e vet në zgjedhjet e ardhëshme për të krijuar administratën e re shtetërore. Partitë e sotme politike janë të panevojshme dhe duhen zhbërë, sepse ato duke zbatuar planin Katovica, luajtën rolin e shërbëtorit të klanit Hoxha, pra një rol antikombëtar…

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas L. Gjika-CILËSORJA- E ZHBËN MEDIOKREN

NJOFTIM MORTOR I FAMILJES MRNAÇAJ

October 11, 2019 by dgreca

Familja Mrnaçaj njofton se Shërbimet Funerale për njeriun e tyre të dashur, Marash Mrnaçaj, do të kryhen ditën e Martë, 15 tetor 2019,  nga Ora 2 .00 .P.M deri në 9.00 .P.M. në Shtëpinë Mortore;

Yorktown Funeral Home

Address: 945 E Main St, Shrub Oak, NY 10588

Phone: (914) 962-0700

Mesha do të organizohet ditën e Mërkurë, 16 tetor 2019, në orën 11.00 A.M në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”,(Our Lady of Shkodra). Adresa: 361 West Hartsdale Ave. Hartsdale, NY 10530.

 Pas meshe, arkivoli me trupin e të ndjerit Marash Mrnaçaj do të përcillet në varrezat:

Gate Of Heaven

ADRESA:

10 W Stevens Ave, Hawthorne, NY 10532

Marash Mrnaçaj ndërroi jetë ditën e Enjte, 10 tetor 2019, në spitalin e White Plains, New York. Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta e saj DIELLI, i përcjellin ngushëllimet më të thella familjes Mrnaçaj për humbjen e njeriut të saj të dashur Marash Mrnaçaj! I pushoftë Shpirti në Paqe!

Filed Under: Opinion Tagged With: NJOFTIM MORTOR- I FAMILJES MRNAÇAJ

GJERGJ FISHTA DHE KOMUNIZMI

October 10, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

At Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, politikani, rilindasi, përkthyesi dhe shkrimtari i Kombit Shqiptar ka lindur me 23 Tetor, 1871 dhe ka vdekur në moshn 69-vjeçare, me 30 Dhjetor, 1940.  Ata që e admirojnë, e konsiderojnë Fishtën si Poeti i Kombit dhe njëri prej shkrimtarëve shqiptarë më me influencë i të gjitha kohërave.  Në këtë përvjetor të lindjes dhe pothuaj 80-vjet pas vdekjes, detyrohem të pyes veten se pse Fishta edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, mbetet ende i padëshiruar dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare nga kultura, shkenca dhe akademia — mbetet armik dhe reaksionar, ashtu siç konsiderohej nga komunizmi, megjithëse ai nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim. 

Duke lexuar disa gazeta të vjetra të komunitetit shqiptaro-amerikan ditë më parë, ndesha në një shkrim të Porfesorit Arshi Pipa, titulluar pikërisht, “Fishta dhe Komunizmi”, botuar në gazetën Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, me 31 Janar, 1961 në Nju Jork.  Në atë artikull, Profesor Pipa e shpjegon shumë mirë politikën komuniste ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, gjurmët e të cilës trashëgimi politike anti-kombëtare, fatkeqsisht, i shohim edhe sot në fushën e letërsisë dhe në lëmin e kulturës shqiptare në përgjithësi.   Ishte një freski pjesëmarrja e Presidentit Ilir Meta në Kuvendin Folklorik Kombëtar, organizuar ditët e fundit në Lezhë, në nder të kolosit të letrave shqipe, At Gjergj Fishtës.  “Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, misioni i tij fisnik, që na la trashëgimi dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot, ishte Shqiptaria, heroi dhe misionari i kombit, që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete” është shprehur Presidenti i Shqipërisë.  Shpresojmë që fjalët e Z. Meta të jenë një frymë e re e kohës, një hap “zyrtar” simbolik ky sado i vogël, drejtë rivendosjes së këtij burri të madh të Kombit në vendin që i takon në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve — një vend që i është mohuar atij me pa të drejtë.

Por le t’i këthehemi artikullit të ndjerit Profesor Arshi Pipa, “Fishta dhe Komunizmi”.   Në artikullin e tij të gjatë mbi këtë çështje, Profesor Pipa, edhe vet ai një ndër autorët shqiptarë të ndaluar nga regjimi komunist dhe i cili ka kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar – shkruan se dy tre vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”.  Por, megjithkëtë shkruan ai, qysh në fillim, shihej se ka frynte era.  Nepërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosishë,mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhëri që të venin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës, por edhe të Faik Konicës.  Kështu filloi dalngadalë të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Fishtës dhe të veprave të tija. 

Arshi Pipa shkruan nga përvoja personale, bazuar në ato që kishte parë e dëgjuar, mbi përpjekjet fillestare të regjimit komunist për të eliminuar Fishtën nga letërsia dhe historia e Shqipërisë, pasi ai thotë se në, atë kohë, ishte vet mësues i letërsisë në “Institutin Femënuer të Tiranës” dhe pjesëmarrës në mbledhjen e arsimtarëve të shkollave të mesme të Tiranës, mbledhje e thirrur nga Sekretari i Përgjithëshëm i Ministrisë së Arsimit të asaj kohe, Shemsi Totozani.  Kjo mbledhje që kishte një karakter krejtësisht politik, ka shkruar Arshi Pipa, ishte thirrur me qëllim për tu imponuar mësuesve dhe arsmitarëve pikëpamjet marksiste leniniste të pedagogjisë sovjetike, sidomos për lëndët si letërsia, filozofia dhe historia.  Ishte kjo mbledhje, shton ai, ku u bë thirrje haptas që Gjergj Fishta dhe Faik Konica të shpalleshin “reaksionarë” dhe të hiqeshin nga mësimi në shkollat shqiptare.  Në mbështetje të  Totozanit doli Qibrie Ciu, në atë kohë Drejtoreshë e Institutit Femënuer, kujton Profesor Pipa, e cila “u vërsul ashpër kundër Fishtës, duke e quajtur atë oportunist, reaksionar me damkë e deri tradhtar.” 

Është interesant fakti se, sipas Profesor Pipës, kundër pikëpamjeve ekstreme të Totozanit dhe shokëve të tij kundër Fishtës, doli Ministri i atëhershëm i Kulturës, Sejfullah Malëshova.  Sa ishte Malëshova në atë detyrë, thotë autori, Fishta dhe Konica u kursyen, por shton se me rrëzimin e Malëshovës pak më vonë, “Fishta u fshi nga tefteri”.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për tu bërë republikë e shtatë e saja dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tija kundër Jugosllavisë.”   Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, në vitin 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist mbrenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.

Ai shton se “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqsuesi i madhor i vlerave kombëtare”.  

Profesor Pipa është shprehur se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij.  Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtë, ndërsa Fishta ka mbrojtë dhe ka sulmuar.  “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, coptimin e Shqipërisë.  Ata që kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Sipas tij, është e vërtetë se Fishta ishte më i ashpër me sllavët, por kjo duhet të gjykohet bazuar në rrethanat nën të cilat ka jetuar dhe vepruar Fishta.  “Fishta nga një katund i Fushës së Shkodrës, u bë meshtar katolik dhe kishte ra në dashuri me malet e Mbishkodrës.  Kur të jenë peshuar mirë këto tre elementa”, shkruan Pipa, “do të matet vlera e shoqërore e veprës së Fishtës.   “Lënda e “Lahutës së Malëcisë, vepra madhore e Fishtës, është një hymn i gjatë i jetës së malësorve të Veriut.  Jeta e këtyre fiseve malësore, kufitare me sllavët”, ka theksuar Profesor Pipa në artikullin e tij, “ka qenë një luftë e pandërprerë për ruajtjen e tyre etnike nga presioni sllav.  Përfundimi është një epikë dramatike, një furi që shpërthen mbi armikun dhe armiku qëllon të jetë sllavi, armik tradicional i malësorit të Veriut”, thotë Pipa.

Pipa shkruan se komunizmi e ka paraqitur Fishtën si një fanatik fetar, si shovinst të tërbuar antisllav që urrenë kombet e tjera,si rekasionar i tipit kleriko-borgjez.  Por a “Është Fishta shovinist sepse mbron tokën shqiptare dhe sulmon ata që e sulmojnë” Shqipërinë” pyet Pipa.  Profesor Pipa e cilëson interpretimin komunist të Fishtës si një qendrim “arbitrar që nuk i qëndron kritikës objektive” dhe thekson se “At Gjergj Fishta u rrëxua nga piedestali ku e kishte vendosur populli shqiptar, në kohën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës varej nga jugosllavët” dhe ka vazhduar ashtu, bazuar në “logjikën revolucionare”, sipas Pprofesorit.  Fishta i përkiste urdhërit françeskan, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nepër burgjet komuniste të Shqipërisë, shkruan Pipa.  Fishta, si përfaqsuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, thekson ai.  Sipas tij, një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe.  “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, ka arsyetuar Arshi Pipa.  Dhe arsyeja e tretë sipas Profesor Pipës, ishte thjesht çështje inati.  “Fishta nuk e ka pasë veç me sllavët e jugut, kufitarë me Shqipërinë, por me vetë Rusinë”, nënën e sllavëve të jugut.  Për Fishtën, “shkjetë e Ballkanit” janë klyshtë e Rusisë”.  Rusia atëherë dhe sot mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit në dëm të shqiptarëve, por për komunisttë shqiptarë, mjafton që Fishta e kishte futur Rusinë në një thes me fuqitë e tjera “imperialiste” dhe këjo sipas Profesor Pipës, mjaftonte që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta fuste At Gjergj Fishtën dhe veprat e tija në listen e zezë.  Pipa kujton se në fakt, Fishta nuk ka ka kursyer as fuqitë e tjera të mëdha të kohës, që vepronin kundër interesave të Kombit shqiptar, përfshirë Italinë, të cilën e sulmon keq në “Anzat e Parnasit”.  Ai e quan Evropën, “kurva e motit”, shënon Pipa dhe shton se këto janë fakte historike që dihen botërisht.  Fliste mirë për Austrinë se në atë kohë Vjena ka mbështetur Shqipërinë, shton Arshi Pipa.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e artikullit të shkruar nga Profesor Arshi Pipa në gazetën shqiptaro-amerikane Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar.  Ishte një shkrim retrospektiv mbi fatin e keq të Fishtës nën regjimin komunist të Shqipërisë, ndërsa autori e përfundon artikullin me pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?”  Ai shprehet optimist duke thënë se “jo përgjithmonë”.   Ai shpreson një ndryshimi zyrtar ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, sipas Arshi Pipës, do të ndodh kur “komunizmi të ndërroj qime”.  Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” me shembjen e Murit të Berlinit, Fishta mbetet ende, me shumë autorë të tjerë shqiptarë të ndaluar nga komunizmi, i pa pranuar zyrtarisht.   Ndonëse shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në Atdheun e të parëve tonë në periudhën “post-komuniste”, pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Fishtën.  Natyrisht se veprat e tija botohen dhe lexohen, por At Gjergj Fishta, zyrtarisht, edhe sot 30-vjet post-komunizëm – “mbetet i zhdukur nga pasuria kulturore” dhe nga historia e Kombit shqiptar.  Udhëheqja shqiptare komuniste nuk mund t’ia falte Fishtës shprehjet kundër sllavëve të jugut dhe Rusisë.  Po çfarë mund të themi për neojugosllavët e Tiranës sot?!  A vazhdojnë të besojnë ata në “logjikën revolucionare”, në mënyrën se si trajtohet sot zyrtarisht At Gjergj Fishta në Shqipëri? “Ujku qimën e ndërron, por vesin jo”, thotë populli!  Fishta ishte i neverituri i stalinizmit shqiptar.  Zyrtarisht, At Gjergj Fishta mbetet ende “reaksionar” dhe “armik i popullit”.  Deri kur?  STOP URREJTJES!  Bejuni mjet i paqës dhe i pajtimit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Komunizmi- Gjergj Fishta

NJË POEMË E PA NJOHUR E KUDRET KOKOSHIT

October 10, 2019 by dgreca

KUDRET KOKOSHI//

Nga Enver MEMISHAJ/

Kudret Kokoshi lindi në Vlorë, më 18 shtator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu në Itali ku  fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Kishte pasion letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij. Gjatë luftës ishte udhëheqës dhe ideolog i Ballit Kombëtar. Në maj të vitit 1944, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua Mathauzen. U lirua në dhjetor 1944 dhe iu propozua të bënte karrierë në perëndim, por ai preferoi të kthehej në atdhe. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Vuajti në burgun e Burrelit deri më 25 dhjetor 1964. Vdiq në Vlorë më 26 prill 1991.

                                                        *        *       *                                                                         

Poema “I përpjekuri”, që ne e botojmë me titullin “Luftëtari” është me shkrim dore në 6 fletë të shkruara nga të dy anët plus fletën e shtatë të shkruar nga një anë dhe në fund është shënuar Bs. As. 1948. Fotokopjuar në 13 fletë format. Nuk ka emër autori. Faqja e parë fillon me numurin 000029 deri në 000035.
Duke krahasuar traktet e Kudret Kokoshit me shkrim dore që kemi gjetur në arkivin e MPB në dosjen 281 me shkrimin e kësaj poeme arrimë në përfundimin se autori i kësaj poema është Kudret Kokoshi. Edhe përmbajtja e poemës na bind se autori është Kudret Kokoshi, pasi më mirë se ai nuk e njihte jetën dhe bëmat e Hazis Sharrës.
Poema botohet duke i qëndruar besnik origjinalit, pa bërë asnjë ndryshim.
Në vitin 1992, Dino Alemi, kunati Kudret Kokoshit më dha një fletore ku Kudret Kokoshi, me shkrim dore kishte përmbledhur gjith krijimtarinë e tij në poezi. Unë botova shkrimin „Në kujtim të poetit dhe patriotit Kudret Kokoshi“ të shoqëruar me disa poezi që i nxorra nga fletorja e tij. (Gazeta „Zgjimi“, organ i Partisë Demokratike Vlorë, nr. 16, dt. 20.8.1992)
Në këtë fletore nuk gjendet poema “I përpjekuri“ alias „Luftëtari“, po kështu kjo poemë nuk gjendet as  në librin Kudret Kokoshi “Drithmë jete“, përmbledhje e plotë me poezitë e poetit botuar nën kujdesin e Visar Zhitit dhe Eda Agaj nga Shtëpia Botuese „Naim Frashëri Tiranë 1995. Pra, nga sa del poeti e ka shkruar këtë poemë në burg në vitin 1948, fakt që duket edhe nga numurimi i faqeve: 000029 deri në 000035 dhe kur ka bërë përmbledhjen e poezive nuk e ka pasur poemën, apo nga vetcensurimi nuk e ka hedhur në fletoren që përmblodhi gjith krijimtarinë e tij. Poema është gjendur në duar të studjueses dhe poetes Laureta Petoshati, që mësonte prej Kudretit gjuhën italiane e cila ia dha Shpëtim Sharrës, nipit të Hazis Sharrës.

Kudret Kokoshi
                                                              

LUFTëTARI
Luftëtarit Antifashist:
Hazis Sharrës, rënë më 8 tetor 1943 nga plumbat e pabesisë komuniste.

Që i vogël i përpjekur,
Zemrën eshtër, kokën hekur,
I egërtë e i përhedhur,
Syrin pish dhe ballin vrenjtur.
Hall i madh për at e nënë,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Që i vogël shum i gjallë,
Dy copa druri gëzhdallë,
I kish kobure dhe pallë,
Gryk e palltos dhe qemeri,
Si nishane oficeri,
I zgjidhte shokët me radhë,
Grupe-grupe si ushtarë.
I ndante në dy kumandë,
Si armiq ballë për ballë,
Për në luftim i lëshonte,
Bërtiste kur komandonte,
Çikëndi syri i ndriçonte.
……………………………………
Porsi dem e kishte zënë,
Dy gur bashk, kurr s’i pat lënë.
                     * * *
U rrit e vajti në shkollë,
Ndëgjoi historinë kombtare,
Që çilimi në Stambollë,
Thosh një libër abetare.
Dukej çdo bëhej një ditë,
Gjergji i vogël, yll me dritë.
E një ditë erdhi dita,
Me treqind e ca shqiptarë,
E la luftën për Huniadhë,
Në mëngjes si agimi të parë,
Ai burrë e la Turqinë,
I la gradat dhe ushtrinë,
Erth në Krujë ngriti flamurin,
Shqipen e Lekës dhe Burrit.
Çilimi duke dëgjuar,
Historinë kombëtare,
Rrin n’ lloi duke menduar,
Ato luftëra legjendare,
Dhe në lodra djaloshare,
Përkujtonte historinë,
Vet në ballë e prita e zjarre,
Me at anë që e kish të tijnë,
Si shqiptarit ja jep feja,
I thoshnin Zize rrufeja.
…………………………………
Si me barot të qe zënë.
Dy gurë bashk, kurrë s’i pat lënë.
                          * * *
Rritur para kohe djali,
Fryrë llëra edhe gusha,
Si rritet ujku rrëzë mali,
Si rritet demi në fusha.
I fortë porsi dragua,
Shkoi brisku përmbi faqe,
Zuri qielli u errësua,
Erdhi koha lyer me gjaqe.
– Më erdhi rradha dhe mua!
u thirri shokëve Azizi,
e la vashën të fejuar,
dhe lezetet pas kurrizi.
Veshi opingat e lakta,
U hoth e dolli në male,
Dy tri fjalë po të sakta,
Në Bestrovë u ra gjermanëve,
Në qafë te Gurra e Vakëfe,
Me dy çeta shum të pakta,
Si petriti shkon përpara.
– O burra se Hazis Sharra,
U vërvit në vijë të zjarrit,
Thirri Durua që ish si dará.
Kreshpanjak e goxha djalë,
Pas Azizit ra borija,
Në zjarr e gjallë djalëria,
Me dorë brenda istikamit,
Çuditi syt’ e gjermanit,
Që në male të Ballkanit,
Kjo ishte herë e parë,
Që pa luftë e pa shqiptarë.
O burra në istikam,
Se u fut brenda Azizi,
Bashkë me Barjam Selmanë,
Bërtiti Qerim Harizi,
Grykë për grykë me gjermanë,
Iu gjet Metja pas kurrizi,
Njeriun e preu mekami,
Një për sheshi e rrukullisi.
Zu një oficer të gjallë,
Një top që qëlloi nga Vrizi.
I dogji s’u gjety nishanë,
Kur u ngrit në këmbë Azizi,
Tym e mjegull më ç’do anë,
Njerma në Breg të Orizit,
Mblodhi shokët që kish mb’anë,
Armikut prapa kurrizi,
Në gjurmë të thembrës në lukth.
Iku armiku u dërrmua,
Kur e pa që si dragua,
Binte labi si sqifteri,
Binte vdekja, binte tmerri,
Fush e luftës mbytur n’ gjak.
Binin lebrit si vetëtimë,
Nëpër llohë me suferinë,
Atje tek Azis Sharra,
Sa po t’i dëgjonin zënë,
Nëpër zjarr e nëpër gjëmë.
Azizi shkonte përpara,
Azizi që çilimi,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Rynë vullnetarët në Vlorë,
Shokët e zjarrit e zgjodhë,
Kumandant të djalërisë,
Me shokë dorë për dorë,
Në Qabe që i thonë Vlorë,
Për agimin e lirisë.
Një dorë në kraharuar,
Njërën dorë përmbi vetull,
Armë dhe gjerdan shtrënguar,
Një kamzhik nënë sqetull,
Gjithnjë i gjallë i përpjekur.
Hazizi që kishte qënë,
Dy gurë bashk kurr s’i pat lënë.
Një natë t’errët dimërore,
Pas një muri një katua,
Një dorë e ndyrë trathëtore,
Mbëshehur e siguruar,
Zbrazi armën mizore,
Tek shkonte udhës Azizi,
Një batare pas kurrizi.
U kthye djali i gjallë,
Me gjith plumbat që pat marrë,
Për t’u thënë nja dy tri fjalë,
U afrua tek pusija,
Nëpër dritë të bataresë,
Shkuli koburen me pesë,
Qëlloi nga dil shkëndija.
– I bini prapa kurrizit,
Se është plagosur Azizi.
– Thirri një nga gjakësorët:
Ikni kush mund të shpëtojë,
S’ka nëjet që të mbarojë,
Erdhi na zuri me dorë,
Në terr ulërinin mizorët.
…………………………………
Dhe një çast zhurma pushoi,
Duall e iknë nga katoi,
Si minjtë buzë përroi.
                * * *
I pështeti krahët murit,
Vështroi dy kupat e gjurit,
Vdekj’ e shkretë q’i përgjunji,
Pështyjti prej ndyrësisë,
Përmbi hekura të pusisë,
Si plak i urtë prej mërzisë:
Oh, or dobiçë të Rusisë
Shitët flamur ‘ e lirisë – !
Ra luani siç kanë rënë,
Viganët e historisë,
Heronjt q’emër u kan vënë,
Epokavet të njerzisë,
Martirët që e kan bërë,
Me gjak bukën e lirisë.
Ra dragoi si bie burri,
Ashtu si ra Barjam Curri,
Në shpellë të Dragobisë.
Ashtu si ra Gurakuqi,
Mërgimin me gjak e skuqi,
Jetimi i mëmë Shqipërisë.
Ra si ra Qazim Koculi,
Ati i Kombit e i lirisë,
Ra si ra Avni Rustemi,
Si ra Spiro Ballkameni,
Si ra Marku i Marka Gjonit,
Princi i princave fisnikë.
Gjaku i pastër i Bib Dodit,
Kapedani për Mirditë,
Ra në çark si bije luani,
Ashtu si ra Azis Çami.
Si ra Shahin Nuredini,
Ashtu si i pat rënë i biri,
Si Nekiu dhe Tasimi,
Si ra Demir Kallarati,
Si ra Hamdi Bej Çeprati,
Si ra Nuredin Ilazi,
Si Sehiti e Ejup Kazazi.
Si ra Rrapo Meto Plaku,
Si Pashuk Bibë Miraku,
Me të nipin, djal i ri,
Ndoc Mirakaj bir zotni,
Djalë për shkollë e dituri.
Si ra Gjeto Mir Uruçi,
Si ra në Vlorë Abdul Kuçi,
Ati i ligjit në liri,
I shenjtë për drejtësi,
Që nuk ju tremb syri burrit,
Këndoi hymnin e flamurit,
Udhës për në pushkatim,
Thirri i qetë e me guxim:
– Mba mend e mëso moj Vlorë
Kur të t’vijë t’a bëçë me borë,
Azis Sharra, ra si bienë,
Ata që duan idenë.
Që për mëmë e besë e fenë,
Kan Shqipërinë e atdhenë.
Sa shekuj që shkojnë e venë,
Viganë për dorë i bienë.
Rojë e gjallë për mëmëdhenë.
Si ra Leka për fitore,
Për një shqipe dykrenore,
Si ra Pirrua nga Stranica,
N’Argos me tjegull mbi kokë.
Si ra Hysni Lepenica,
Bashk me trimat në Grehot,
Si bjenë të mëdhenjtë në prita.
Si Skënder Muçua me shokë,
Si bien për të ngjallë lirinë,
Yjet që shkruajnë historinë,
Krahë për krahë me Perëndinë.
I përpjekuri Bs. As. 1948Përgatiti për botim Enver Memishaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj-Poema e panjohur- Kudret Kokoshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 367
  • 368
  • 369
  • 370
  • 371
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT