• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SËMUNDJET MORALE

August 4, 2019 by dgreca


NGA BAHRI OMARI*/ DIELLI- 20 korrik 1916 */

Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.
 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bahri Omari-SËMUNDJET MORALE

Mitsotakis, fytyra e re e të vjetrës

August 2, 2019 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

-Një analizë e raporteve aktuale shqiptaro –greke/

Greqia nuk do të bëhet barrierë në premisën e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kështu citohet të jetë shprehur një burim i afërt me kryeministrin grek të porsazgjedhur, Kyriakos Mitsotakis, për të përditshmen greke “Kathimerini”. Por prapa kësaj deklarate fshihen synime të fshehta me kërkesa për zgjerimin e zonës së minoritetit, deri në parametrat e kërkesave 100- vjeçare mbi Epirin e Veriut. Pse?

Megjithatë, edhe pse burime jozyrtare nga Kryeministria greke parathonë se nuk do të ketë veto për dy shtetet fqinje, që deri tani zotërojnë vetëm statusin e vendit kandidat në BE, ato saktësojnë se Athina zyrtare do të vendosë disa kushte, në këmbim të dhënies së “dritës së gjelbër” për ecurinë e rrugëtimit të tyre evropian. 

“Greqia nuk do t’i thotë jo askujt. Megjithatë, ajo do të vendosë kushtet e saj”, është shprehur burimi.

Sikurse është bërë e ditur edhe nga ish-kryeministri Alexis Tsipras, Athina pritet të kërkojë nga Shqipëria mbrojtje më të mirë së të drejtave të pakicave etnike greke në përputhje me traktatet dhe rregulloret ndërkombëtare. Ndërsa, nga Shkupi do të kërkojë zbatim të rreptë të Marrëveshjes së Prespës. Ndërkohë, në muajin tetor, 27 vendet anëtare të Unionit, të përfaqësuara nga krerët e shteteve dhe të qeverive në Këshillin Evropian do të vendosin për çeljen ose jo të negociatave me dy shtetet ballkanike.

Por cili është kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe a do të përmirësohen apo përkeqësohen marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona? 

Ai konsiderohet “Princi trashëgimtar i familjeve helene” (sipas fjalëve të vetw Alexis Tsipras), i cili mori së fundi në dorë fatet e Greqisë. “Kemi qenë të parët në BE që kemi eksperimentuar populizmin, do të jemi të parët që do ta çojmë në shtëpi”, pat deklamuar mandrën e tij  Kyriakos Mitsotakis, udhëheqësi 51-vjeçar i Nea Demokratia, fituese e zgjedhjeve të fundit greke. Megjithatë, rrënjët kanë shumë rëndësi në familjen Mitsotakis. Në tryezën e zyrës së tij – në krah të një luani prej pelushi dhe një modeli të anijes “së pamposhtur” – ai mban një fotografi të babait, Konstantinos, ashtu sikurse atë të xhaxhait të të atit, ish kryeministrit grek, Eleftherios Venizelos. 

Shikoni pra si përsëritet historia greke. A do të jetë kjo përsëritje tragjedi apo farsë, kjo mbetet për t’u parë.

Eleftherios Venizelos ishte babai i teorisë se Epirit te Veriut, një histori me vrasje dhe gjenocid ndaj popullsisë së Shqipërisë Jugore, qe nuk duhet te harrohet. Ka dy parakushte në bisedimet me Greqinë.

Të kërkohet barazi e plotë në kërkesat. Të mos njihet as lëvizen zonat minoritare, pa njohur Greqia si minoritet Çamërinë apo dhe arvanitasit si minoritet gjuhësor, dhe së dyti, zgjidhja e mosmarrëveshjeve të mos fillojë vetëm pas Luftës të Dytë Botërore , por aty ku e ka zanafillën qysh në kohën e Luftërave Ballkanike, më 1913-1914. Natyrisht , diplomacia është arti i të mundshmes.  Por premisat duhet të parashtrohen, pasi duhet të mos veprohet si në rastin e bisedimeve mes dy ish ministrave: Bushati dhe Kotzias, ku zgjidhja e çështjeve, në mes të dy vendeve që përcaktuar, fillonte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. 

Vitin e kaluar tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë pas bisedimeve për çështjen e detit ne dhjetor, vazhduan të rriten pas sulmit të një minoritari grek, të vrarë në një konfrontim me policinë në Shqipëri dhe kur qeveria Greke dhe rivalja kryesore Demokracia e Re, sulmuan edhe kompensimet e pronave në Himarë që duheshin për modernizimin e infrastrukturës.

Atëherë, kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili kishte mbështetur policinë në incidentin që çoi në vdekjen e Konstantinos Kacifas, kishte planifikuar ta takonte kryetarin grek dhe drejtuesin e majtë radikal të SYRIZA-s, Alexis Tsipras, në një përpjekje për të qetësuar marrëdhëniet e zymta, Por pronat e konfiskuara u shitën me shpejtësi, pjesërisht për të ndihmuar zhvillimin e turizmit në zonë, duke mërzitur Ministrinë e Jashtme Greke – që pas dorëheqjen e Nikos Kotzias, u drejtua teknikisht nga Tsipras – i cili tha se konfiskimet ishin një shkelje e Konventës Evropiane së të drejtave e njeriut dhe se kishte pasur vendime të mëparshme gjyqësore.

 “Si vendimi ashtu edhe projektligji i propozuar përkatës janë një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë së pakicës kombëtare greke në Shqipëri. Veprime të tilla nuk janë në përputhje me aspiratat e deklaruara evropiane të Shqipërisë dhe janë në kundërshtim me detyrimet e saj përkatëse, “ishte përgjigja e palës greke asokohe. Kjo gjë u rimor njësoj edhe nga qeveria e re. 

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë të heqë dorë nga ky vendim dhe të rishqyrtojë ligjin,( sikur Ligji është vetëm për minoritarët)  duke siguruar që veprimet e pronësisë t’u jepen menjëherë të gjithë pronarëve të ligjshëm pa përjashtim,” shtoi ai. Shefi i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis gjithashtu dënoi veprimin e Shqipërisë dhe tha se ai i kishte dërguar një letër shefit të Komisionit Evropian, përgjegjës për zgjerimin dhe hapjen e bisedimeve të pranimit, Johannes Hahn, për të protestuar kundër vendimit “Vendimi përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut të minoritetit kombëtar grek dhe kundërshton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut,” tha Mitsotakis.

Mitsotakis pat deklaruar se “vendimi i fundit i qeverisë shqiptare … hap në dyshim të drejtat e pakicës Greke . ” Mitsotakis tha se dëshiron të dërgojë një “mesazh të qartë për qeverinë shqiptare”, nga Fshati Serres afër kufirit, duke theksuar se “nuk është e mundur të fillohet procesi i pranimit të Shqipërisë në BE kur nuk ka absolutisht respekt për të drejtat e pakicës etnike Greke,” dhe përfundoi duke thënë se “kjo nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me Greqinë, ajo ka të bëjë me Evropë e, ka të bëjë me legjislacionin evropian, ka të bëjë me sundimin e ligjit evropian. “

Mitsotakis tha se Shqipëria duhet të respektonte të drejtat e tyre të pronës dhe të shfuqizojë të ashtuquajturat “zona të pakicave”, për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe të përparojë në hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Shqipëria njeh si Grekë Etnikë ata që jetojnë në “zonat e minoriteteve” të përcaktuara në jug të vendit, por shumica banojnë jashtë këtyre zonave. Nëse Greqia nuk pranon asnjë lloj minoriteti ne vendin e saj as nga shqiptarët e lashte etnikë, Arvanitasit së cilëve kërkojnë t’u mohojnë dhe gjuhën dhe kontributin e dhëne për pavarësinë e Greqisë, dhe as për popullsitë rreth kKufirit, Çamërinë dhe zonat e tjera rreth Konicës, Kosturit apo Janinës.

Koncepti i ri i qeverisë greke, i zgjerimit të zonave të minoritetit është një përdorim me terma te tjera te konceptit te Epirit te Veriut. Një ndarje Historiko- gjeografike dhe politike e Epirit ka qenë – Epir i Vjetër dhe Epir i Ri. Ndarja dhe përcaktimi i Epirit, në Epir të Veriut, dhe për rrjedhojë edhe në Epir të Jugut nuk ka për rrjedhojë asnjë vërtetësi historike.

Ka afro 100 vjet që politika greke ka filluar dhe vazhdon edhe sot propagandimin e kuptimit, apo të përfytyrimit të Epir i Veriut (Vorio Epir) dhe të pretendimeve territoriale për të. Propaganda tepër intensive e deri e pasaktë, gjithkund përfshin masivisht mediat dhe sferat politike dhe ka bërë që kuptimi “Epir i Veriut” të përvetësohet dhe të përdoret sot edhe nga zyra të ndryshme Evropiane e të tjera. Por ai përdoret në kuptimin e vet jo të vërtetë; ai trajtohet si një dukuri që ekziston, që përbën shqetësim dhe që kërkon një farë trajtimi dhe zgjidhjeje pa u thelluar në vërtetësinë historike.

Fakti qe sikurse njoftonte ish ministri Bushati asokohe “Këto janë diskutime jo të lehta, sa i përket faktit që tematika është e gjerë, e shtrirë në kohë në 70 vjet histori. Mund t’ju them që edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm. Nesër do të jetë gjithashtu një ditë e rëndësishme për vijimin e bisedimeve.

Këto bisedime siç u konceptuan se zgjidhën dhe s’kishte si ta zgjidhte çështjen, pasi ato nuk u nisën me premisën e pranimit nga ana e Greqisë, të genocidit te ushtrisë greke, krimeve të planifikuara antinjerëzore, të kryera në ato vite nga ushtria e rregullt e shtetit grek, qe kulmoi me faktin e gjenocidit të ushtruar në Panarit të Korçës apo në Kodër Tepelenë, ky i fundit i dëshmuar dhe nga Komisioni i Verifikimit të Kufijve.  se në mes të 375 personave të masakruar nga data 2 deri në 10 Korrik të vitit 1914 në fshatin Panarit të Korçës. 

Harresa, pa dija ndoshta edhe qëndrimin antikombëtar dhe antinjerëzor të vetë shtetit shqiptar dhe të gjitha qeverive të tij të mëparshme qysh nga kryerja e Genocidit Grek dhe deri më sot, nuk kane ndihmuar por vetëm se kane renduar keqkuptimet apo raportet mes dy vendeve . Megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull, jo vetëm që nuk e kanë denoncuar në organizmat ndërkombëtare Genocidin e Shtetit Grek, jo vetëm që nuk e kanë pasqyruar saktësisht në Historinë e Shqipërisë, jo vetëm që nuk kanë një statistikë të saktë ose të përafërt të popullsisë të masakruar nga ushtria greke në fshatrat dhe qytetet ku është kryer ky genocid, jo vetëm që nuk kanë një datë përkujtimore, një vend për të vendosur lule, për të ndezur një qiri e për t’i qarë, mungojnë varret dhe gurët e varreve në tokën tonë plot gurë e kështu s’ka shenjë respekti për shpirtrat e të pareve tanë të masakruar. Shkruante ne një shkrim të disa kohëve më parë drejtori i ALBTVUSA,  Gani Vila.

Është fatkeqësi qe një legjende e qarqeve greke te kohës se shqiptaret ortodokse sulmuan myslimanët shqiptare, të mbahet edhe sot si alibi, kur ka dokumente historike që dëshmojnë të kundërtën që të gjitha këto masakra ne kufirin tonë jugor kanë qenë një plan genocidi dhe të kryer nga ushtria e rregullt greke. Mbi popullsinë civile , me vrasje, përdhunime e dëbime.

Në dokumentin 536, sipas librit ” I Documenti diplomatici italiani / Ministero degli affari esteri, Commissione per la pubblicazione dei documenti diplomatici ser.4:v.12 ,1914  në faqe 338, Në telegramin dërguar nga ministri italian në Durrës, Aliotti, ministrit të Jashtëm Italian, Sangiuliano, 25 korrik 1914 (për 27)  dhe dërguar më 30 korrik për dijeni ambasadorëve italianë në Stamboll, Paris, Londër, Petersburg, Vjenë, dhe ministrave në Athinë dhe Bukuresht, shkruhet:  “Gjatë avancimit grek dhe në përplasjeve mes bandave që ndodhën midis fundit të Marsit, Prillit dhe Majit, u kapën disa të burgosur grekë, të cilët më në fund pasi u morën të burgosur u transportuan, më në fund javën e kaluar në Durrës. Këta pasi u intervistuan siç thuhet, të gjithë pranuan  se u përkisnin trupave të rregullta greke, dhe se ishin detyruar nga oficerët e tyre të shkonin për të luftuar në Shqipëri.

Kjo hedh poshtë plotësisht pretendimin grek se ata janë dezertorë vullnetarë. Unë po ju dërgoj një kopje të raportit të depozitimit të bërë nga delegati shqiptar i kontrollit dhe një oficer holandez me postë. Në sulmet e fundit, te cilat u zhvilluan në korrik, nuk ishte e mundur, duke pasur parasysh tërheqjen katastrofike, të hetoheshin të burgosurit e tjerë, por kushtet e ofensivës dhe pjesëmarrjes greke janë identike, gjë që konfirmojnë dëshmitë e gjithë njerëzve që kthehen nga Shqipëria e Jugut.”

 Ideja është se Greqia sot po përdor po të njëjtat mënyra. Vetëm ka ndërruar emërtimet duke kërkuar njohje si zona minoriteti edhe të Korçës, Kukësit, e Tiranës pasi aty mund te ketë banuar ndonjë minoritar. Këtu e kishte burimin edhe teza e vet deklarimit të kombësisë të popullsisë te hedhur gjate regjistrimit të popullsisë. Pa barazi te kërkesave, grekët do te vazhdojnë të mohojnë çështjen çame dhe do ti njohin popullsinë çame vetëm si kolaboracionist të Nazistëve.   Nëse do t’i themi me fakte Micotaqisit të ri se ishte xhaxhai i tij qe inicioi gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare qysh me 1913. Ne do te kemi gurë të fortë diplomatikë në dorë dhe elemente historike për të sqaruar se nuk mund të ketë kushtëzime alogjike dhe historike ne raportet mes dy vendeve.  

Pasi deri në vitet 1912-1913, me ndarjen e Ballkanit sipas linjave që vendosi Kongresi i Berlinit më 1878, termat apo kuptimet Epir i Veriut (Vorio Epir, Northern Epirus) dhe vorioepirotë (Vorioepirotes), siç i quajnë grekët sot popullsinë që jeton atje, nuk janë përmendur absolutisht në asnjë dokument. Kjo pasqyron një të vërtetë, sepse termi Vorio Epir nuk përfaqëson ndonjë kuptim gjeografik të Epirit si territor. Për arritjen e këtij synimi u krijua, u përdor dhe vazhdon të përdoret pasaktësish përfytyrimi i ashtuquajtur “Vorio Epir” edhe sot dhe pse e maskuar me termin zgjerim i zonave te minoritetit dhe mbjellje të eshtrave te ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore dhe aty ku nuk ka pasur asnjë këmbë greku. Kjo ka qenë baza e politikës greke gjatë shekujve XIX dhe XX në marrëdhëniet ndërkombëtare. Fatkeqësisht, ajo edhe sot duket se mbizotëron drejtimin e politikës greke ndaj Shqipërisë, pavarësisht se me çfarë velloje dhe etiketimi përpiqet të mbulohet. Natyrisht qe tema me rëndësi historike mes dy vendeve, si ligji i luftës, pakti detar, por dhe çështje të aktualitetit për t’i dhënë zgjidhje problematikeve të emigranteve tanë që jetojnë në Greqi, siç është çështja e lejeve të drejtimit apo e pensioneve. Në paketë, palët kanë konfirmuar që është dhe trajtimi i çështjes së pronave të shqiptarëve dhe, siç kishte paralajmëruar ministri i Jashtëm, edhe çështja çame qe hidhet poshtë on block nga grekët.

Tirana ka dhënë sinjalet e para pas takimit të Kretës, duke rihapur çështjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke. Pak javë më parë, qeveria mori vendimin për ndërtimin e varrezës së dytë në Bularat, pas asaj të ngritur në Këlcyrë vite me parë, si pjesë e një marrëveshjeje mes dy qeverive, të firmosur në vitin 2009. 

Këtë javë Komisioni shqiptaro-grek i ngritur për kërkimin e eshtrave të të rënëve, ka punuar për gati një vit në luginën e Sajmolës. Gërmimet nxorën në dritë eshtrat e rreth 670 ushtarëve të rënë 78 vite më parë gjatë luftës italo-greke. Rivarrimi i tyre ka nisur në fillim të verës në Bularat dhe është shoqëruar me debate dhe kundërshti në të dy vendet. Më parë shoqata e familjarëve të të rënëve i akuzoi komisionet se i kanë kryer ceremonitë në fshehtësi. Në të gjitha ceremonitë numri i familjarëve ishte minimal edhe për faktin se pothuajse të gjithë rezultojnë pa identitet. Numri i ushtarëve të varrosur pranë Manastirit të Shën Nikollës në Këlcyrë pas ceremonisë se te enjtes shkon në rreth 900

Në prag të Krishtlindjes së shkuar, Presidenti Ilir Meta si shenjë tensionimi, i dha nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Janullatos, një vendim i cili u prit me entuziazëm në Athinë. Por këto ditë kryeministri Kyriakos Mitsotakis u zotua të mbështesë kryepeshkopin Anastasios të Shqipërisë gjatë një takimi në Athinë të enjten. Anastasi kërkoi ndihmën e qeverisë për trajtimin e sfidave me të cilat përballet Kisha Ortodokse e Shqipërisë. Çfarë lidhje ka kryeministri grek me kishën ortodokse autoqefale shqiptare. Lidhjen le ta gjejë hirësia e tij, i cili, nëse do të japë kontribut në marrëdhëniet shqiptaro- greke le të bëjë më mirë një lutje edhe për shqiptarët e vrarë më 1913 nga andartët greke për ta merituar me gjithë mend shtetësinë shqiptare.  

Ka pasur edhe qëndrime racionale nga historiografia Greke, e kohëve të fundit e rëndësishme dhe mjaft e balancuar kontributet mund të citohen nga studiuesit, studimet e të cilëve dhe publiku ndërhyrjet synojnë zbutjen e forcave përçarëse të nacionalizmit në Ballkan. Një lloj i tillë i historiografisë nxjerr në pah çështjet në lidhje me pakicat, mban teza që shpesh konsiderohen si kozmopolite. 

Për shembull, Kallivretakis ka realizuar historinë më të hershme tregimi i gjeografisë dhe demografisë së pas-socialistit të Shqipërisë periudha (1995), në të cilën ai shikon çështjet me gjakun e ftohtë të një shkencëtar i shkëputur. Politik, pragmatik dhe, me raste, vet-interesuar, adaptime të identifikimeve etnike në post-socialist Shqipëria është studiuar nga Lambros Baltsiotis (2003) përmes prizmi i shoqërive në tranzicion. Baltsiotis (2003) gjurmon një numër e argumenteve politike dhe ideologemeve të ngritura nga Greqia dhe Shqipëria në një mënyrë historike. Duke vepruar kështu, ai përshkruan proceset me të cilin bën thirrje për një “komb të përbashkët grek-shqiptar” të shndërruar në ndërtimi i nocionit politik të Vorio-Epirit (Baltsiotis 2003, 45-53); instrumentalizimi i gjuhës për të mbështetur politikën pretendimet mbi një rajon të vetëm gjeografik (Epir) nga të dy shtetet (vep. cit. 54-61); çështje të përcaktimit historik të pakicës greke (cit. 61-84); çështje që lidhen me identifikimet komplekse të përfshirjes të krishterëve ortodoksë shqiptarë dhe vllahëve (op. Cit. 84-110). Tsitselikis dhe Christopoulos (2003) punojnë për “paqartësitë” historike e pakicës Greke në Shqipëri që konsiderohet si “e vërteta kombëtare.  

Fjala “genocid” u krijua për herë të parë nga avokati polak Raphäel Lemkin në vitin 1944 në librin e tij “Rregullimi i Boshtit në Evropën e okupuar”. Ai përbëhet nga tema greke me prefiksin, genosqë do të thotë racë ose fis, dhe prapashtesën latine cide, që do të thotë vrasje. Gjenocidi u njoh për herë të parë si një krim në bazë të ligjit ndërkombëtar në 1946 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (A / RES / 96-I). Ai i kodifikua si një krim i pavarur në Konventën e vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (Konventa e Gjenocidit). Konventa është ratifikuar nga 149 shtete (që nga janari 2018). Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka thënë vazhdimisht se Konventa mishëron parime që janë pjesë e ligjit të përgjithshëm ndërkombëtar.

“Gjenocidi nuk është thjesht një çmenduri vrasëse; është, më thellësisht, një politikë që premton një utopi përtej politikës – një popull, një tokë, një e vërtetë, fundi i ndryshimit. Meqenëse genocidi është një formë e utopisë politike, ai mbetet një tundim i qëndrueshëm në çdo shoqëri multietnike dhe multikulturore në krizë”, shkruante shkrimtari dhe studiuesi Kandez Michael Ignatieff. Ndaj.duke e mbyllur pohoj se nuk mund te ketë paqe dhe zgjidhje përfundimtare mes dy qeverive te dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, pasi popujt e kanë zgjidhur atë, prej kohësh me gjithë racizmin patologjik  grek. Të gërmosh, të pohosh, të gjesh e të deklarosh të vërtetën, edhe pse ka kaluar një shekull, i shërben paqes. Pasi genocidi edhe sipas OKB-së, është një krim i pa parashkrueshëm para ligjit ndërkombëtar dhe historisë dhe Zotit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafael Floqi-Mitsotakis-Fytyra e re- e se vjetres

REFLEKSI I QELLIMIT

July 31, 2019 by dgreca

Refleks i qëllimit/
Nga Astrit Lulushi/

Shumë e njohin Ivan Pavlovin përmes eksperimentit të tij me qentë të cilët mësohem të hanë me orar të përcaktuar nga rënia e ziles.
Por ekziston edhe një zbulim më pak i njohur, por po aq i rëndësishëm e me ndikim në psikoterapinë e sotme. Studimi “Refleksi i Qëllimit” zë fill në vitin 1924. Shkrirja e akullit në Shën Petersburg gjatë pranverës së atij viti bëri që Lumi Neva të përmbyste bodrumin, ku Pavlovi kishte vendosur laboratorin e tij. Uji vërshoi në kafazet e qenve që ai i mbante për eksperimente. Qentë mbijetuan përmbytjen, por pasi uji u tërhoqur ata mbetën të shokuar; një pjesë u çrregulluan në sjellje, të tjerë qëndronin shtrirë pa asnjë interes për çfarëdo që mund të ndodhte rreth tyre.
Pavlovi e interpretoi këtë gjendje si shenja të frikës që qentë kishin provuar gjatë përmbytjes. Tani dihet se palëvizshmëria fizike dhe humbja e kuriozitetit janë gjithashtu tipike për njerëzit e traumatizuar.
Disa prej qenve rrinin duke u dridhur në cep të kafazeve të tyre, ndërsa të tjerë përuleshin e bindeshin kur dikush i godiste – përsëri, sjellje të njohura sot tek njerëzit e traumatizuar.
Pavlov tregoi se pas ekspozimit ndaj stresit ekstrem, kafshët gjejnë një ekuilibër të ri të brendshëm. Qentë e traumatizuar vazhduan të veprojnë sikur të ishin në rrezik të madh, shumë kohë pasi ujërat e Nevës ishin qetësuar. Kur Pavlovi mori matjet për kontrollin e shëndetit të tyre, ai gjeti se zemra ishte bërë më e ndjeshme ndaj streseve të vogla dhe ia atribuoi këto ndryshime ekzistencës së dy impulseve të kundërta të qenieve në konflikt: gjatë përmbytjes qentë ishin imobilizuar fizikisht – të bllokuar në kafazet e tyre – ndërsa trupat e tyre ishin programuar të iknin me vrap kur ndodheshin përballë kërcënimit. Kjo rezultoi në përplasje midis dy proceseve të kundërta; ngacmimit dhe frenimit, vështirë për t’u akomoduar njëkohësisht…që shkakton prishje të ekuilibrit, kur organizmi nuk mund të bëjë asgjë për të ndikuar në të pashmangshmen….
Në Shqipëri, të gjithë ata që janë përballur me realitetin e errët të “diktaturës së proletariatit” mbetën të pafuqishëm, të ngrirë përballë pashmangshmërisë, fenomen që mjekët sot e quajnë kritik për të kuptuar dhe trajtuar qeniet njerëzore të traumatizuara e poshtëruara.
Në fund të fundit, agonia e qenëve në kafazet e tyre përgjatë lumit Neva mund të mos kenë qenë shumë ndryshe edhe nga ajo e fëmijëve, të cilët pengohen nga prindërit ose mësuesit e tyre dhe pastaj nga që nuk kanë ku të shkojnë, luftojnë brenda vetes me dy impulse të kundërta, për t’u nënshtruar ose për të ikur për t’i shpëtuar dhimbjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-Refleksi i Qellimit

Dominimi i kulturës politike autoritare

July 30, 2019 by dgreca

Nikë Gashaj/

Kur federalizmi ka qenë i vendosur në Jugosllavi, njësitë federale kanë qenë kryesisht të organizuara në bazë të kombeve etnike, sipas modelit Sovjetik. Në të ashtuquajturën Jugosllavinë e Dytë, marrëdhëniet ndërmjet kombeve etnike, që nga viti 1960, gjithnjë e më tepër janë keqësuar. Duke analizuar eksperiencat dhe shkaqet e dezintegrimit Jugosllav, Sovjetik dhe Çekosllovak, teoricienti Valeri Bans thekson se struktura federative ka qenë shkaku më i rëndësishëm, që ka çuar deri te shthurja, sepse federalizmi njëpartiak, në kontekstin socialist i ka krijuar proto-kombet dhe proto-shtetet.

Dezintegrimi ka ndodhë për arsye se struktura politike-administrative e këtyre shteteve federative ka qenë e themeluar në njësitë të cilat kanë qenë të caktuara në kategoritë etnoterritoriale (Valerie Bunce). Nuk ka dyshim, përpos shkaqeve të tjera, se edhe defektet e inkorporuara në sistemin politik dhe karakteristikat konfederative e kanë lehtësuar shthurjen respektivisht dezintegrimin.

Arsyeja kryesore e kundërshtimit dhe e rezistencës së federalizmit është eksperienca me federalizmin, që ka shërbyer si udhë e secesionizmit dhe e shthurjes së tri ish-federatave komuniste. Mu për këtë arsye, federalizmin e shikojnë si një mjet që me hapa gradualë e sendërton secesionizmin.

Pas vdekjes së Titos në Jugosllavi ka arrdhur deri te tensionimi i gjendjes politike dhe acarimi i marrëdhënieve etnike dhe konfliktet e armatosura. Si pasojë e kësaj, në disa republika, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë ka arrdhur deri te koncentrimi i pushtetit në duar të kryetarëve të republikave të lartpërmendura, kurse në popull ka qenë i përhapur një botëkuptim, të cilin mund ta vlerësojmë si shprehje e dominimit të një kulture politike autoritare, e cila ka rezultuar në personalitete autoritare, të cilët i ka përkrahë pjesa dërmuese apo absulute e popullatës aktive politike, e shkaku kryesor nuk ishte dashria ndaj udhëheqësve, por frika për identitet kolektiv dhe ekzistencë, në qoftë se në konflikt të fuqisë dhe të interesit mbeten pa koordinatorë ose dirigjentë.

Pa marrë parasysh se autorët e orientimit liberalo-demokratik si psh. Huan Linc, Arend Lajphart, Alfred Stepan dhe të tjerë, që merren me problematikën e transformimit nga format politike autoritare në ato demokratike në Amerikën Jugore, në Europën Jugore (me çka më së pari mendohet në Spajë dhe Portogali, pastaj në Itali, Greqi dhe Turqi) dhe në Europën Lindore (duke përfshirë dhe Ballkanin) theksojnë përparësitë, të cilat për një transformim të tillë do t-iu afrojë sistemi parlamentar, atyre iu është dashur të konstatojnë shtrirjen dhe zgjerimin e madh të sistemit presidencial, kryesisht me presidenta të fortë, çka kur të merret parasysh tradita autoritare dhe kultura politike, manifeston (me përjashtime) më tepër autoritarizëm sesa ndonjë tipar tjetër të bindjes politike.

Kur presidenti rus ishte në konflikt me parlamentin, i cili ka arritur kulmin më 1993, në përpjekjet që me ndërrimin e kushtetutës ta forcojë poziten e vet, disa shkencëtarë amerikanë, njohës të mirë të Rusisë, si Robert Daniels, e kanë përshkruar pozitën dhe ambicjet e tij si lindje “të mbretit të ri”. Në të njëjten kohë, një pjesë e mirë e shtypit perëndimor e ka parë si një interes për momentin më të rëndësishëm, që në pushtet të mbetet negociatori i gatshëm për koncesione, sesa të vihet deri te zhvillimi i institucioneve demokratike dhe i pushtetit ligjor, nëpërmjet ndarjes dhe baraspeshës së pushtetit, si dhe i forcimit të sistemit parlamentar.

Situatë e ngjashme ishte edhe në vendet e tjera të Europës Lindore dhe në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik.

Ne këtu duhet të cekim se teoreticientët e demokracisë konsociale vlerësojnë se parlamentarizmi, për mbrojtjen dhe për mbushjen e synimeve të pakicave etnike (nacionale), është më i mirë se sa presidencializmi.

                               Rreziqet e trilluara dhe diktatura politike

Disa hulumtime të opinionit publik dhe stereotipet dominuese në kulturën politike në hapësirën e Serbisë dhe Malit të Zi kanë treguar, e për këtë ekziston edhe një numër i madh indikatorësh në mbishkrime, në korrespodencat e lexuesve dhe në deklaratat e botuara, që një numër i madh i qytetarëve ka menduar dhe mendon se situata detyron pranimin e presidentit të fortë si udhëheqës.

Në një mënyrë kjo ka të bëjë në mënyrë të ngjashme me situatat e rrezikshme ose të rreziqeve të supozuara, në të cilat romakët e vjetër dikuj ia kanë besuar pushtetin e pakufizuar. Rreziku për ç‘arsye kërkohen autorizime të jashtëzakonshme mund të jetë i trilluar dhe joreal, ndërsa efektet në pikëpamje të përkrahjes janë gati të njëjta.

Romakët atë formë fillestare të diktaturës e kanë kufizuar në pikëpamje kohore dhe të përmbajtjeve të kompetencave, e kur ka kaluar koha e caktuar ose eliminimi i rrezikut, përsëri janë kthyer në një formë “normale” të jetës politike. Mirëpo, edhe atëherë është dëshmuar se paraftyrimet mbi rreziqet ose vetërreziqet mund të përkrahen apo të mbahen edhe artificialisht dhe ashtu të vazhdohet diktatura.

Nuk guxojmë të mos e kemi parasysh fatin se një numër i madh i argumentave dhe rezoneve në favor të decentralizimit, vetëqeverisjes, demokracisë, të kufizimit të pushtetit etj. mund të kundërshtohet me heshtje, ose shprehimisht me një sërë kundërargumentash nga katalogu i “arsyeve shtetërore”, të “interesave kombetare”, të “arsyeve të sigurimit kombëtar”, të teorisë së sovranitetit, të nevojave dhe detyrave të shtetit për të ruajtur rendin publik si supozim të paqes shoqërore dhe të pengojë trendet nga fragmentizmi i mëtejshëm, që mund të rrezikojë jo vetëm integritetin e tij territorial, por mund të çojë edhe deri te konfliktet me përpjestime të mëdha dhe me pasoja jashtëzakonisht tragjike.

                                      Xhon Loku – prijësi i ideve demokratike

Si prijës i ideve dhe i institucioneve të demokracisë liberale, e cila kërkon edhe vetëqeverisje, decentralizim dhe ndarjen e pushtetit, në një masë të madhe konsiderohet Xhon Loku. Ndërsa, si përfaqësues dhe ithtar radikal i mbrojtjes së rendit autoritar, të rregullit publik  dhe sigurimit të shtetit ose interesave kombëtare (shtetërore), mund të merret Tomas Hobs.

Loku e ka paraparë dhe supozuar një situatë, ku trupi politik dhe qeveria formohen mbi bazat e veprimit racional dhe të marrëveshjes së njerëzve mbi të ashtuquajturat sende themelore, që kanë të bëjnë me karakterin e jetës së përbashkët nën pushtetin e zgjedhur dhe në bazë të respektimit reciprok të të drejtave dhe lirive themelore.

Ai është nisur nga një koncept i karakterit njerëzor, që llogarit në mprehtësinë e arsyes, të urtësisë dhe të gjykimit njerëzor. Por, në qoftëse dikush supozon ndryshe karakterin e njeriut, duke parë në të egoizmin dhe karrierizmin si tipare kryesore, dhe nëse e konsideron se ajo manifestohet në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme (krime, pasiguria e jetës dhe e pronës, korrupsioni, lufta rreth pushtetit nga grupet mafioze deri në krye të shtetit) dhe përpos kësaj, po ashtu shton se në përpjestimet botërore gjatë tërë historisë zhvillohet lufta për superioritet dhe dominim, atëherë një paraftyrim i tillë i zi mund edhe për zgjidhjen e problemeve të pushtetit dhe të rendit publik, të drejtojë me mjete të tjera.

                                         Tomas Hobsi-ithtar i pushtetit autoritar

Udhë tjetër është ajo mbi të cilët kanë treguar mbrojtësit e shumtë të pushtetit të fortë, dhe zakonishtt të pakufizuar. Për një rezonim të tillë është vendi reprezentues nga Leviatani, ku Hobsi e shqyrton karakterin dhe mënyrën e themelimit të shtetit: mënyra e vetme që të vendoset pushteti i tillë i përbashkët, i cili mund të jetë i aftë për t’i mbrojtur njerëzit nga pushteti i jashtëm dhe nga lëndimet që ia bëjnë njëri tjetrit dhe t’i sigurojnë që me zellin e tyre dhe me frytet e tokës mund të ushqehen dhe t’i kënaqin nevojat dhe kërkesat e veta, është e domosdoshme që tërë forcën dhe fuqinë e vet t’ia besojnë një njeriut, ose një grupi të njerëzve të cilët do të kenë mundësi që të gjitha  dëshirat e tyre nëpërmjet shumicës  së votave të reduktohen  në një dëshirë.

E kjo do të thotë të caktojmë një njeri ose një grup njerëzish të cilët do të jenë mbartësit e personalitetit të tyre dhe gjykimeve të tyre. Dhe në tërë atë qëndron esenca e shtetit të cilin do ta definojnë si një personalitet ku mbartësi i këtij personaliteti quhet sovran dhe thuhet se atij i takon pushteti sovran, ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë  janë shërbëtorë të tij.

Shumë fakte ne na drejtojnë në konkludim se pikërisht  ndeshemi me shumë elemente të shtetit autoritar Leviatan: mirëpo, shteti në fjalë nuk përmbush atë rol të cilin  një shteti të tillë ia ka përcaktuar Hobsi në teorinë e vet. Ky rol kishte për synim ofrimin e paqes dhe sigurisë.

                         Sovraniteti shtetëror rigjid- pengesë e demokratizimit

Pa marrë parasysh se mendojmë që do të ishte e preferueshme dhe e nevojshme që shtetet e Ballkanit Prendimor: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia dhe BeH, të zhvillohen në drejtim demokratik, të sendërtimit adekuat të pushtetit ligjor, të decentralizimit demokratik dhe të vetëqeverisjes rajonale dhe lokale, të respektimit, mbrojtjes dhe realizimit konsekuent të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare, duhet të themi se ekzistojnë disa grupe të faktorëve të cilët do të drejtojnë në një drejtim të kundërt.

Në rend të parë, kryesisht, koncepti i pushtetit ka qenë dhe është i përcaktuar me botëkuptimet  mbi sovranitetin shtetëror dhe ndërtimin e shtetit nacional, i cili ka më tepër ngjashmëri me kompetencat dhe me zgjidhjet institucionale nga e kaluara historike e sistemit politik centralist sesa me idetë dhe institucionet liberal-demokratike.

Mu për këtë arsye një ndër potezat kryesorë të pushtetit tek këto shtete, që në fillim të ashtuquajturës – periudhë të transicionit, ka qenë koncentrimi i pushtetit dhe i resurseve.

Pastaj, interesat e pushtetmbajtësve që të ruajnë pushtetin dhe fotelet kanë imponuar nevojën e shpenzimit të një energjie të madhe dhe të mjeteve për të realizuar atë qëllim duke mos u kujdesur që shteti ta arsyetojë veten, madje as me përmbushjen e këtyre qëllimeve dhe detyrave, për çka sipas Hobsit edhe formohet shteti, e ajo është sigurimi i rendit shoqëror, paqes dhe sigurisë, nga jashtë dhe nga brenda. Në këtë situatë pushtetmbajtësit janë shumë të rrezikuar, sikur të inicionin reformat e vërteta, të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit juridik dhe demokratik, të cilat do të “shkrinin” dhe do të dobësonin sistemin e tyre rigjid të kontrollit, i cili është treguar joefikas, jozhvillimor dhe jodemokratik

Filed Under: Opinion Tagged With: Nik Gashaj-Politika Autoritare

KUJTESA-Sevasti Qiriazi- Dako

July 26, 2019 by dgreca

(Ribotim me rastin e 70-vjetorit të vdekjes)/

Nga Anton Çefa/

Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut, renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia. Cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.

Ekspozite e hapur ne Shqiperi me 2016/

Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.

Lindën dhe u rritën në një mjedis familjar thjesht shqiptar; një djep vertetë i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar më vonë: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë, apo heronjve shqiptarë…Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit e na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.

Prindërit, Dhimitri e Maria-edhe kjo një vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës-patën 10 fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga, pak më vonë, kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj patriotik. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte patriotët e shquar të Rilindjes si Kostantin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj.

E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që heret nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u rregjistrua në Kolegjin e Konstantinopolit, e para vajzë shqiptare që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Konstantinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën” d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat.

Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin, shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhët turke e arabe për fëmijët myslimanë. Me 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare: Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj.

E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër i Sevastisë, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Konstantinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit.

Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoq leksionet në fakultetin e pedagogjisë në University of Chicago dhe Northern University. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë.

Në vitin 1905, u kthye në Evropë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarin energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Me që ai ishte i specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe, dhe që qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë. Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëllimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan ata me njeri-tjetrën dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrin dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me devocion e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.

Mbas luftave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912- 1914; por për arsye të përndjekjeve të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore, shkuan në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako.

Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star”, çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që e shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, me 12 tetor 1918, në prag të Konferencës së Paqes së Parisit. Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe së bashku me Parashqevinë, që kishte shkuar atje nga Parisi, mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias-një institut me karakter thellësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme arsimore e edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahine dhe besimi.

Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjet shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias.

Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, burgosjeve, torturave, vrasjeve, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj.

Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh, Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, inxhinierit të aftë, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën.

Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël dhe guzhinierja e Institutit Kyrias.

Për oportunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë asaj i qe dhanë titulli “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “ u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa- Sevasti Qiriazi- Kujtesa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 370
  • 371
  • 372
  • 373
  • 374
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT