• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETRA E BABAIT

June 17, 2019 by dgreca

NGA NAUM R PRIFTI/

Pas mbarimit të shkollës unike në Ersekë, unë kisha vendosur të shkoja në shkollë profesionale në Tiranë sepse më pëlqente ideja për të pasur një diplomë edhe një profesion, ndërsa shumë nga shokët e klasës sime shkuan në Shkodër për të kryer një kurs tremujor për arsimtarë. Lutjen e kisha dorëzuar në seksionin e arsimit sapo kisha marr dëftesën e lirimit. Javën e parë të gushtit më thërriti në zyrë inspektori i Seksionit të Arsimit dhe me ton miqësor më pyeti nëse prisja ndonjë lajm të mirë.

-Bursa? – e pyeta.

-Po, ke fituar bursë për në Politeknikumin Mjekësor, atje ku kishe kërkuar. Shkresa erdhi dje.Ma tregoi edhe shkresën, që ishte një letër me format të vogël dhe ngjyrë qumështore me tre rreshta të daktilografuara, ku dallohej emri im dhe i Yllit. Përfund njoftohej se konvikti i shkollës i hapte dyert me 25 gusht dhe se viti shkollor fillonte më 1 shtator.

Ëndrra më e madhe e jetës sime adoleshente ishte përmbushur. Do të studioja në Tiranë me bursë shteti, do të bashkohesha me grupin e shokëve të mi që kishin shkuar një vit më parë në Politeknikumin “8 Nëndori’ dhe që rrëfenin histori të mahnitshme nga jeta në kryeqytet. Për një djalë fshati, nga një krahinë e largët malore, vajtja me studime në Tiranë e kapërcente botën reale.

Sa u ktheva në shtëpi atë pasdite i shkrojta një letër babait, i cili kishte shkuar si emigrant në Amerikë qysh para lufte. Babai kishte bërë katër klasë fillore, por e çmonte arsimin aq sa djalin e dyte Pandon nuk e mbajti pas vetes në restorant, si vepronin shumë shqiptarë të tjerë, por e dërgoi në shkollë me paratë e veta. Financimi i jetës studentore dhe shkollimit në Universitet amerikan kërkonte shpenzime të mëdha por babai mendonte se ishte investim që do t’ia lehtësonte jetën djalit dhe do t’i siguronte më shumë të ardhura nga një punë e mirë. Me siguri babai do të gëzohej edhe më shumë për mua sepse unë po shkoja të studioja me bursë shteti dhe të merrje shkollën e mesme falas dhe një profesion për së mbari ishte sukses i madh. Tek shkruaja mendoja sesi do të më uronte babai kur të kthente përgjigje. Ai mbase do thoshte urimet tradicionale si Dalç faqebardhë, Pres të nderosh emrin e familjes apo do më shkruante ndonjë thënie të re që thuhej në Amerikë kur babai i uron djalin sukses.  

Babai dërgonte letra çdo muaj, kurse të holla më rrallë. Por ne nuk kishin shpenzime të mëdha. Nevojat vjetore të familjes arrinim t’i mbulonim nga prodhimet tona blegtorale e bujqësore, por për të shitur nuk na tepronte asgjë. Sheqerin, vajgurin, sapunin, kafenë si dhe rrobat e këpucët i blinim me të hollat që dërgonte babai. Sa herë postjeri a ndonjë i afërm sillte letër nga babai, gjyshja e merrte zarfin e para, puthte pullat dhe shkronjat nga dora e djalit të saj, pastaj e fuste në gji, pranë zemrës. Ajo nuk i hapte kurrë letrat se nuk dinte as të shkruante, as të lexonte, prandaj duhet të priste sa të kthehesha unë.  Qëkur mbarova klasën e katërt, fillova ta ndihmoja gjyshen për t’i shkruar letra djalit. Ndërsa ajo diktonte, unë shkruaja dhe në fund kërkonte t’ia lexoja nga fillimi.

Gjyshja m’i dorëzonte letrat e tim eti në mënyrë ceremoniale. Pasi më kumtonte lajmin e mirë. “Ka ardhur një letër nga yt atë,” fuste dorën në gji, nxirrte letrën, puthte dy a tri herë pullat me ngjyra dhe më afrohej ngadalë, sikur donte ta zgjaste sa më shume çastin e dorëzimit. Pas leximit e merrte sërish për ta futur në gji. Për të, ato nuk ishin thjesht letra, por kumte të çmuara, që kalonin prej duarve të djalit në atë vend të largët te duart e saj.

Nëse rruga do ishte e hapur, edhe unë do të kisha shkuar pas babait në mërgim, ashtu si dy vëllezërit e mi të mëdhenj sepse kjo qe tradita e meshkujve në fshatin tonë. Sapo arrinin moshën 14 -15 vjeçare merrnin rrugët e kurbetit. Mirëpo pas luftës kufiri u mbyll dhe emigrimi u pre. 

Edhe pse larg babai do të lumtërohej që djali i tretë do të kryente shkollën e mesme çka ishte e padëgjuar për një familje muratorësh.Ndërkohë nga bisedat me shokët e mi të kthyer nga Tirana për pushimet verore kisha mësuar për jetën në kryeqytet, kinematë, shëtitjet në bulevard, liridaljet nga konvikti dhe plot kuriozitete të tjera. Për të qenë i përgatitur vajta e porosita te Simo Leksi një valixhe të re prej druri dhe e luta t’i vinte edhe një kyç.

Letra nga babai erdhi në shtëpi në mes të gushtit, vetëm dhjetë ditë para nisjes sime për Tiranë. I lexova rreshtat e para me një frymë. Shprehjet hyrëse stereotipe. ‘E mora letrën dhe u gëzova që mësova mirëgjendjen tuaj, si dhe unë deri sot që po u shkruaj këtë letër, lavdi Zotit gëzoj shëndet të plotë.” Në paragrafin tjetër, ai shkruante se në letër thuhej se djali do të shkojë të studiojë në një shkollë më të lartë në Tiranë. “Shkolla i hap sytë njeriut. Në moshën e tij prindërit tanë na jepnin çekanin dhe na nisnin për në kurbet. Vetëm ai që e ka provuar mërgimin e di sa e dhimbshme është kjo rrugë. Sa për djalin, mendoj se do të jetë më  mirë të mos largohet nga shtëpia. I vogël a i madh, ai është mashkulli i vetëm i familjes sonë aty dhe ne shyqyr nuk jemi keq për bukën e gojës…”

Ndjeva se zemra m’u tkurr nga dhimbja e sytë m’u rrëmbushën. Përmes mjegullës së lotëve lexoja arsyetimet e babait, për tre hektarë e ca tokë, për livadhet, për pjesën e mullirit dhe për bagëtitë tona. Nuk di nëse arrita ta mbaroj leximin e letrës. Gjyshja e vuri re pezmatimin tim, mirëpo meqë i perkiste asaj kategorie që çmonte vetëm punët fizike, ishte në një mendje me babain.

-Mire e ka yt atë. Po të ikësh edhe ti, ne gratë mbetemi mos më keq. Kush do t’i sjellë drutë nga pylli, kush do të shijë vrahun, kush do ta bëjë pazarin?

Sigurisht arsyetimi i saj qe i drejtë, sepse prej katër vitesh unë po i kryeja gjithë ato punë dhe me largimin im barra do t’i binte dikujt tjetër por unë nuk doja të mendoja për atë.

-Mjaft e ke atë shkollë që nxurre…- tha gjyshja.

Ra heshtje dhe Nena ime shtroi darkën. Unë rrija në minder duke përtypur hidhërimin tim së bashku me të edhe ëndrrën që u shua pa nisur ende. Të gjitha mendimet e mia për klasën me shokë të rinj e të panjohur, për daljet xhiro kur të kishim liri-dalje, për vajtjet në stadium, në kinema, u tretën aty për aty. Nga lajmërimet në gazetë e dija se Tirana kishte katër kinema dhe në secilën prej tyre mund të shihje nje film të ri. Dija kushedi sa tituj filmash madje edhe përmbajtjen e tyre, sikurse m’i kishte rrëfyer kushëriri im Xhoxhi. Ai m’i tregonte me hollësi, ashtu siç mund të rrëfehet një roman. Historia e shkollimit tim në kryeqytetit kishte përfunduar si një film me mbyllje të padëshiruar. Kisha qenë aq pranë ëndrrës sa mund ta prekja me dorë, kurse papritur u largua, davarit, u shpërbë. Letra e babait kërkonte që unë të mbetesha në fshat duke korrur, duke prashitur, duke shkuar për dru, duke mbajtur bar, kashtë, plehë.Nuk i mbaja sytë askund por i ndieja vështrimet e motrës së vogël mbushur me dashuri e keqardhje. Dëgjova të më ftonin të haja bukë dhe provova dy kafshata. Përtypesha me pahir dhe në gojë më dukej sikur kisha gjëlleshtër. Qe e kotë të rrija në tavolinën e bukës. U ngrita dhe ngjita shkallët me vrap, u futa në dhomë, rashë përmbys në krevat dhe fillova të qaj me fytyrën mbi pëllëmbët e duarve.

Pas pak ndjeva se dera u hap. E mora me mend se Nëna donte të më ngushëllonte, dhe të më merrte me të mirë, po për mua nuk vlenin as fjalët e mira, as keqardhja e saj.

-Mos qaj kështu, – më urdhëroi por vura re se zëri i dridhej dhe e dija sa shpejt mallëngjehej.

Nuk mund të nxirrja asnjë fjalë por edhe nuk kisha cfarë t’i thosha sepse ajo e dinte shkakun. Më vuri dorën mbi kokë, po unë e largova. Nuk pranoja ledhatime se nuk e quaja veten më të vogël.

-Nuk bën të sillesh si fëmijë… ti tani je djalë i rritur. Të qash me ngashërime, sikur të gjeti e keqe e madhe…

Nuk arrija të kuptoja nëse Nëna nuk po gjente fjalët e duhura për të ngacmuar sedrën time apo mendonte se mund të më ndryshonte mendjen duke më folur ashtu. Më vuri dorën në sup që të më kthente e të më shihte fytyrën.Unë nuk kisha asnjë shpresë se Nëna mund t’i kundërvihej babait per çfarëdolloj teme. E rritur në një mjedis patriarkal ajo e quante bashkëshortin Zot, njëlloj si Zotin e Madh. Kur isha kalama, ngatërrohesha për cilin Zot e kishte fjalën kur e dëgjoja të më këshillonte: “Mos bëj zhurmë se po fle Zoti.” E shikoja i habitur se cilin zot nuk duhej zgjuar, ai i ikonave apo babai tim që flinte në dhomë? Pastaj dëgjoja se edhe hallat e tezet, i drejtoheshin me të njëjtin emërtim bashkëshortëve të tyre. Burri dhe Zoti në një moment bëheshin të barabartë në leksikun dhe vetëdijen e tyre.Unë isha marrë me punë bujqësie sidomos katër vitet e fundit të shkollës: korrje, tëharrje, vjelje, prashitje, vaditje, mbartje kungujsh e misrishtash, po pasioni im ishin librat. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Ndërsa sillja gomarin ngarkuar me bar në oborr të shtëpisë ia lija gjyshes ta shkarkonte dhe vetë shkoja me vrap në dhomë për të vazhduar leximin e romanit “Maska e Zezë apo aventura të tjera që më tërhiqnin aq fort. Gjyshja bërtiste ose vinte pas meje në dhomë e më qortonte: “Ngrehu se kartërat nuk të japin bukë!”

-Për shkollën qan ti?  – më pyeste Nëna sikur nuk kishte qenë në dhomë kur u lexua  letra e babait.

-Po përse tjetër? Pse më pyet? – i thashë me inat. – Shokët e mi do të venë në shkollë, kurse unë do të mbetem këtu pas bishtit të gomarit dhe të kaut, – i thashë mes ngashërimeve.

Nëna u ngrit dhe shkoi drejt fundit të dhomës, dhe qëndroi pranë një fotografije ku kishin dalë babai, gjyshi dhe gjyshja dhe një fëmijë të vogël në prehër. E pashë se e vështonte sikur nuk e kishte parë asnjëherë më parë. As jeta e saj nuk kishte qenë e lehtë me burrin gjithmonë larg. U kthye nga unë dhe më tha me butësi:

-Të dërgon Nëna në shkollë, mos u merakos.

Nuk mund t’u besoja veshëve dhe më dukej se fjalia kishte dalë nga dëshira ime dhe jo nga goja e saj. Nuk do ishte e mundur të shpërfillte këshillën e bashkëshortit por unë për siguri, e pyeta, pa marr dot frymë nga frika:

-Po babai? E dëgjove se ç’shkruante në letër?

-Le të thotë babai… se mos e di ai në Amerikë si janë punët këtej,..-Gjykimi i saj ishte i thjeshtë, por si gjithmonë i sinqertë dhe jetësor.

-Eja të shkojmë poshtë të hash darkë.

Fytyra ime u cel dhe e ndoqa pas pa i thënë asnjë fjalë. Dhoma u mbush me dritë ashtu si edhe shpirti im, e ndieja veten aq të lumtur, sa nuk dija si ta shprehja. E pyesja veten nëse Nëna vendosi të shkoja në shkollë nga keqardhja për mua, apo se mendonte se shkollimi kishte më rëndësi për mua se qëndrimi në fshat. Sikur të mos e quaja veten të rritur, do të isha ngritur ta përqafoja. 

Filed Under: Opinion Tagged With: NAUM R Prifti-Letra e Babait-Tregim

KOSOVA SHTET, 11 VJET ME KUSHTETUTË

June 15, 2019 by dgreca

-Para 11 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”/

-Në 2019-tën, 11 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur po shënohet në kohën kur festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi në  Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë/

-Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

RISHTINË, 15 Qershor 2019/ “Shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm” e përcakton Republikën e Kosovës, që në nënin 1, Kushtetuta e saj, e cila ka hyrë në fuqi para 11 viteve, në 15 Qershor 2008.  njohur ndërkombëtarisht

Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht, citojmë:


“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit] 

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 

2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e 
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve 
brenda kufijve të saj. 

3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë 
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
Neni 2 [Sovraniteti]
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në 
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në 
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i 
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë 
Kushtetutë dhe me ligj. 

3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, 
mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare. “

Kushtetuta, akti më i lartë  juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 11 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 11 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 30 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para një viti, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa,  si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes)

Në këtë vit – 2019-tën, 11 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur po shënohet në kohën kur festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi në  Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Kosova e lirë dhe e pavarur feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

Në 8 Janar të këtij viti, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë. “Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, theksonte deklarata e Presidencës.Në 26 Mars Qeveria e Kosovës, në një mbledhje drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i cili udhëhiqet nga ish-Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari-Kosova- 11 Vjet Kushttetute

Faik Konica: Esperantoja – një fantazi qesharake…

June 14, 2019 by dgreca

Nga Fotaq Andrea/

Këto ditë, Shtëpia botuese “Zenit Edition”, që renditet në pararojë të botimeve më dinjitoze shqipe, nxori nga shtypi librin e Faik Konicës “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”. Libri, përkthyer e botuar i plotë nga origjinali frëngjisht, paraprihet nga një Hyrje e gjatë studimore, si dhe shoqërohet nga shkrime të vetë Faik Konicës, të Apolinerit dhe Remi de Gourmont për këtë vepër shkencore tepër e veçantë në llojin e vet, që ka ngacmuar kërshërinë dhe interesin e mjaft autorëve të huaj. Po botojmë pjesë nga “Hyrja” e studimit tonë.  

 “Nuk mund të lidhet jeta me pezhishka merimange.

Zgjidhja për një gjuhë ndërkombëtare do të vijë

nga vetë jeta, derdhur në kallëp të jetës”.

Faik Konica.

Me këtë konkluzion, Faik Konica mbyll librin e tij në frëngjisht “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, botuar në Bruksel më 1904. Me këto fjalë, po nisim prezantimin tonë për këtë vepër shkencore, e rrallë dhe e çmuar në llojin e vet, ku gjenia koniciane shkëlqen në fushën e filozofisë gjuhësore dhe asaj përkthimore në rrafsh europian e më tej.

Vepër referenciale gjer edhe kohët e fundit për përkrahësit dhe kundërshtarët e gjuhëve artificiale, dhe veçanërisht të esperantos, kjo Ese, “goxha e pasur, goxha e shkruar mirë,” siç shprehet Apollinaire, shfaq përmasën enciklopedike dhe erudite të rilindësit shqiptar, poliglotizmin e tij, me njohuri të thella për gjuhët semitike e indo-europiane, nga më të lashtat e të rrallat – si persishtja e Zend Avestës apo gjuha pahlavi, sanskritishtja, gjuha e teksteve veda, greqishtja e vjetër, latinishtja, hebraishtja, arabishtja, turqishtja, etj. –, gjer në pothuaj  krejt gjuhët e gjalla europiane. “Qoftë për parapëlqim, qoftë për zanat, kalova jetën time duke studiuar ligjet se si një gjuhë i zë vendin një tjetre, pa u kapur nga pamja e jashtme”, shprehet Konica në këtë Ese, ku lëvron me origjinalitet, me qartësi mendimi e pastërti të shprehuri vetë fushën e filozofisë dhe të krahasueshmërisë gjuhësore. 

Mbështetur në studimet e gjuhëtarëve klasikë botërorë, por edhe tek autorë modernë të kohës së tij, Faik Konica depërton në këtë vepër në thelbin e vetë gjuhës, për të zbuluar mekanizmin e saj funksionues dhe vlerën e fjalës si motor i mendimit nga individi në shoqëri, brenda një gjuhe të caktuar, dhe nga një gjuhë në tjetrën në shoqëri të ndryshme gjatë procesit komunikues e përkthimor. Tek përdor një logjikë analitike dhe një dialektikë sintetike, tek njeh “Republikën e Letrave”, siç e quan ai letërsinë e filologjinë, dhe tek e shkruan me bukuri të veçantë gjuhën frënge – këtë “tokë të shkrifët e pjellore” –, Konica shfaq këtu shpirtin e gjuhës si institucion, si dukuri shoqërore dhe pikë kontakti midis qytetërimeve, si pasqyrim kulture e ndjenje artistike. Merr shembuj nga më të çuditshmit në kërkim të mekanizmit fiziologjik në trurin e njeriut për ruajtjen dhe mbishtresëzimin e një gjuhe në kujtesë dhe i trajton faktet psikiko-gjuhësore me hollësi, për të treguar përplasjen e mistershme në trurin e njeriut midis dy gjuhëve të ndryshme. Po ashtu, rendit e shpjegon me themel tiparet kryesore të gjuhëve natyrale për të nxjerrë më mirë në pah artificialitetin e gjuhëve të fabrikuara me rregullat statike, ngurtësinë, ngushtësinë, varfërinë dhe shterpësinë që i karakterizon, duke arritur kësisoj në konkluzionin logjik, vërtetuar tashmë nga koha, se një gjuhë artificiale është e pamundur të përdoret si mjet komunikimi botëror, se është materialisht e pamundur që të bëhet e përbotshme.

Racional e polemist “par exellence”, me gjykim të hollë e të thellë, gjithë argumente asgjësuese, që e shter arsyetimin gjer në kufijtë e skajshëm të vetë arsyes e të absurdit (“reductio ab absurdum”), mjeshtër i përdorimit të fjalëve në nuancat më të holla, ironik e me ton të prerë, me njëfarë krenarie doktorale që e karakterizonte, Faik Konica arrin në këtë libër në përfundime të qarta e të arta që shprehin vetë thelbin e filozofisë gjuhësore: “Një gjuhë natyrale, thekson ai, e trajtuar në veprimin që ushtron mbi intelektin, është shkolla më e lartë për përpunimin e mendimit njerëzor… përfaqëson kulmin e përpjekjeve të njerëzimit përgjatë shekujve, drejt bukurisë, mprehtësisë, brishtësisë në shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave”. Dhe, aty-për-aty tregohet kategorik, kundër gjuhëve artificiale:“Një gjuhë artificiale e përbotshme ul nivelin e intelektit… është gjuhë kufomë… që zhduk letërsinë, artin e të shkruarit, këtë botë të pafund e subjektive!” […]

Origjinal e shkencor, plot shembuj dhe fakte interesante e të rralla për ta mbajtur në tension lexuesin, Konica depërton, po ashtu, në thelbin e “zanatit” të shkrimtarit, të kësaj “bote të pafund e subjektive”, tek shfaq ligjin themelor të stilit, që është “arti për të prekur ndjeshmërinë e lexuesit nëpërmjet mënyrës origjinale të autorit”; është njëkohësisht arti “për të kursyer vëmendjen e lexuesit apo dëgjuesit duke shpenzuar sa më pak sforcim e lodhje”, sikurse vë në dukje filozofi anglez Herbert Spencer, të cilit Konica nuk kursehet t’i referohet. Por, përtej këtij mendimi të Spencer-it për një stil konciz nga ana e shkrimtarit, Konica mban parasysh edhe kategorinë e vetë lexuesit (si individ e si komb), shkallën e intelektit dhe të nivelit të tij kulturor, natyrën e shijeve, ndjesitë që shkakton vetë fjala me nuancat e veta nga një gjuhë në tjetrën, etj. Ai ndërton kësisoj një trinitet të bukur të stilit, dhe konkretisht: shkrimtari, si produkt i një race (kombi) të caktuar, vetë perceptimi dhe ndjesitë individuale e kombëtare, dhe më në fund kategoritë e ndryshme të lexuesit. Jep kësisoj këtë përkufizim të bukur për stilin, dhe konkretisht: “Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit, është stili”.

Gjithnjë në kërkim të mekanizmit linguistik të gjuhëve të gjalla, po aq sa stili në të shprehur e në të shkruar, ai sheh si karakteristikë themelore të këtyre gjuhëve ritmin e tyre, që i jep vetë stilit shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Ndërsa në gjuhët e vdekura, sipas Konicës, ka humbur ndjenja e rimtit dhe e metrikës, ka humbur, me një fjalë, elasticiteti i gjuhës, tek gjuhët e gjalla, përkundrazi, është shi ritmi që i bën këto gjuhë të zhdërvjelltësohen e të kenë frymëmarrje. “Çdo gjuhë, vëren ai, ka ritmin e vet, si në muzikë… ka sistemin e vet të shenjave të pikësimit… Ritmi përbën një bukuri letrare, një karakteristikë vendimtare për shkrimtarin e vërtetë… Ritmi kërkon ta njohësh një gjuhë në thellësi, si një tërësi, … kërkon një njohje të thellë të gramatikës e leksikut”.

Në kundërvënien gjuhë natyrale dhe gjuhë artificiale, apo gjuhë të gjalla dhe gjuhë të vdekura, gjuhë në lulëzim, në larmi e larushi mendimi nga njëra anë, dhe gjuhë kufomë, nga ana tjetër, Konica shfaq me qartësi objektive dhe argumente të themelta pse çdo gjuhë e fabrikuar është e destinuar të mbetet “lettre morte”, me konture të paracaktuara dhe të dhëna njëherë e përgjithmonë, gjuhë pa shpirt, pa hapësirë e kohë, “gjuhë për gjuhë”, që mbetet shumë-shumë në nivelin e sajesës ekzotike, si një tek a trill, me lojni fjalësh të huazuara, si një bukuri artificiale, gjuhë që nuk shërben për kurrëfarëgjë, në kuadrin e vet thjesht autotelik e të “përkryerjes në vetvete”. Për Konicën gjuhët artificiale nuk kanë veçse një ngjyrë, një shije: atë të ujit. Sepse në vetvete ato janë të mbyllura, skllavëruese, të zhveshura nga shija e vërtetë e jetës që përcjell gjuha natyrale, të zhveshura nga arkaizmat, neologjizmat, pa dritë-hije të fjalëve, pa liri. Ato thjesht priren drejt pohimit të thatë e drejt mohimit të sheshtë e të ngurtë dhe vetë ironia, “kjo bimë me aromë të këndshme, siç e cilëson Konica, priret të zhduket njëherë e përgjithmonë nga larmi e letërsisë”. […]

Sot, kur ka kaluar mbi një shekull që nga botimi i këtij libri, dhe kur “International English” mbisundon si gjuhë komunikuese botërore (më 2017, anglishtja flitej si gjuhë zyrtare nga 75 kombe dhe 2 miliard vetë), ky parashikim i Konicës del më se i vërtetuar. Ndërkohë, gjuhët artificiale dhe vetë esperantoja kanë mbetur gjuhë pa popull, pa territor kombëtar, në “shërbim” individësh, gjuhë në kuadër gjithnjë premtues e ekzotik. Vetë esperantistët duan të përllogarisin disa qindra mijë vetë që “arrijnë” të përdorin gjuhën e hebreut polak Zamnehof.

*    *     *

Është e vërtetë se nuk kanë munguar autorët shqiptarë që kanë shkruar drejtpërdrejt në gjuhë të huaj në rrjedhë të historisë, duke rrokur kryesisht tematika historike, letrare apo enciklopedike, pa përmendur këtu veprat teologjike. Dhe Konica renditet ndër ata autorë shqiptarë që i kanë bërë të njohur që herët publikut dhe lexuesit të huaj botën shqiptare, gjuhën, doket dhe zakonet e vendit të tij, sidomos me revistën dygjuhëshe “Albania”. Por Konica mbetet pionier e i pari autor shqiptar që i është përgjigjur lexuesit të huaj duke trajtuar drejtpërdrejt problematikën e kohës me vepra extra-shqiptare, të fushës socio-pedagogjike si “Essai sur l’Education” (“Ese mbi Edukimin*, Bruksel, 1898), apo kjo “Ese mbi gjuhët…” e karakterit shkencor në fushën filologjike.

Nuk është rastësi që Konica i ri i ndërmori këto dy studime pikërisht për t’iu përgjigjur nevojave të lexuesit francez e perëndimor. Ai jetonte mes intelektualitetit europian, ndiqte nga afër zhvillimet socio-kulturore dhe politike, shtypin e kohës, problemet në rend të ditës dhe jo rrallë i pasqyronte ato edhe tek “Albania” e tij. […]

Më pas, në studimin tonë hyrës ndalemi, më në hollësi, në kushtet dhe rrethanat historike kur Faik Konica hartoi “Esenë e tij për gjuhët natyrale e artificiale”, duke i dhënë, në fakt, shenjat paraprake me një artikull tepër të veçantë të tij, “Gabimi i esperantistëve”, botuar më 1903 te revista franceze L’“Européen”, artikull që botohet për herë të parë në shqip në këtë libër referencial. Artikulli nis me këto fjalë: “Esperantoja është një fantazi qesharake, dhe mjaft të vëreni për këtë disa personalitete me nivel të lartë inteligjence të barkojnë në atë anije prej kartoni. Ideja për të kërkuar që tërë kombet të flasin të njëjtën gjuhë është aq e pakuptimtë sa dhe të kërkosh të përziesh kuaj, gomarë, qe e deve, duke i detyruar kësisoj të hingëllijnë, bulurojnë, pëllasin e blegërijnë pa dallim lloji. I vetmi ndryshim është që apostujt e esperantos zëvendësojnë kamxhikun me bindjen.” Ja pra, me ç’figuracion të rrallë, të fuqishëm, à la Rabelais, plot humor, ironi, sarkazëm, shprehet Konicë shqiptari, Konicë eruditi, duke vënë bukur fort në lojë, në kërthizë të Europës “Herra”, “Profesora” e “Doktora” të kohës së tij, që e kishin mendjen tek sensacionet e mbrapshtitë, tek sajesat e marrëzitë.    

Të parët që i bënë jehonë veprës koniciane me komentet e tyre pozitive dhe me superlativa janë Apollinaire e Remy de Gourmont, dhe binte dukshëm në sy në atë kohë se ishin të rinjtë Konica-Apollinaire ata që mbronin me pasion pastërtinë dhe bukurinë e gjuhëve natyrale dhe konkretisht të gjuhës frënge, ndërkohë që gjuhët artificiale nuk reshtnin së sajuari në numër të madh, për t’u pagëzuar në mënyrë pompoze e “sorboniste” si premtueset e gjuhës së ardhshme universale!

Pa u ndalur në këtë shkrim prezantues në debatet që shkaktoi dje, dhe vazhdon të shkaktojë ende sot në arenën ndërkombëtare vepra e Faik Konicës « Ese për gjuhët e gjalla… », debate që pasqyrohen gjerësisht në pjesën hyrëse të studimit tonë, një vend i veçantë i kemi kushtuar parimeve bazë të përkthimologjisë (traduktologjisë), ku Konica, ndër të parët filologë europianë, shkëlqen dhe parashtron që herët – me origjinalitet –  konturet e një shkence të re të ardhme, e quajtur sot me të drejtë “shkenca e dukurisë përkthimore”, kur dihet se veprat shkencore në këtë fushë do të dilnin jo më parë se në vitet 1970!… Ashtu si tek “Ese për edukimin”, ku Konica shfaqet pioner i “Edukimit të Lirë”, i “Shkollës së Summerhill-it” (1921), edhe te vepra “Ese për gjuhët…”, Konica shfaqet pioner i Shkencës së Traduktologjisë, një fakt ky tërësisht i anashkaluar gjer më sot, thjesht për mosnjohje e mosthellim në veprën shkencore e erudite koniciane!… Por një fakt i tillë nuk i ka shpëtuar aspak filozofit të madh modern zvicerian Denis de Rougemont që mbron Konicën tonë në “betejën” kundër gjuhëve artificiale të esperantistëve!  

Dihet se në thelbin e vet, përkthimi nuk është gjë tjetër veçse transpozimi  nga një gjuhë në tjetrën i një akti të menduari (i shprehur a i shkruar), gjë që nënkupton të menduarit dhe komunikimin në dy a më shumë gjuhë. Për Konicën, një përkthim i mirë kërkon shije, qartësi, bukuri dhe interpretim të nuancave më të holla të origjinalit, familjarizim me gjuhën dhe me tekstin bazë, si dhe njohje të thellë të dy gjuhëve të punës përkthimore. Dhe prapë, “traduttore traditore”, kufizimet në përkthim janë gjithnjë të pranishme sepse, nënvizon Konica, “është gati e pamundur të bashkëjetojnë te përkthyesi dy gjendje të plota gjuhësore”, duke qenë se “nuk ka barasvlefshmëri të plotë leksiku nga një gjuhë në tjetrën”, ashtu sikurse nuk ka sinonimi absolute brenda leksikut të një gjuhe. Gjë që nuk rreshte së na thëni i Madhi Jusuf Vrioni, kur përkthyesi përpiqet të jetë besnik ndaj origjinalit deri në një pikë të caktuar, duke ruajtur ngjyrimet e tekstit bazë, neologjizmat, arkaizmat, madje edhe gabimet trashanike të vetë origjinalit!

Dhe këtu Konica nuk ngurron të prekë një çështje thelbësore të traduktologjisë: përse përkthimi është krijimtari? Sepse, nënvizon ai, është interpretim, sepse fjalët e dy gjuhëve të dhëna, nëse janë të barasvlershme në fjalorë, nuk janë aspak të tilla në mënyrën e të menduarit të dy popujve që i përdorin. Sepse, më në fund, për Konicën, një përkthim i arrirë është teorikisht i mundshëm vetëm kur dy gjuhë zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet të barabartë. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nga përkthyes me ndjeshmëri të lartë mjeshtërore, me njohuri të plota gramatikore, leksikore, letrare, kritike, estetike, etimologjike, etj. Andaj, shpesh, shkrimtarët e mëdhenj janë edhe përkthyes të mëdhenj. I tillë është edhe Konica!

Jo rastësisht, nga fundi i kreut XIII i kryeveprës së tij, gjuhëtari dhe eruditi shqiptar ndalet te poeti i madh francez Stéphane Mallarmé, që ka përkthyer nga anglishtja poetin amerikan Edgar Allen Poe, ose të themi, ka përkthyer “të papërkthyeshmen”. Konica, që thotë te “Albania” e tij se ka ndërmarrë një studim për Mallarmé-në (mjerishti i humbur!), bën tek “Ese për gjuhët…” një koment të gjatë lidhur me ritmin, metrikën, “përngjashmëritë” relative simetrike dygjuhëshe (anglisht-frëngjisht), kur teksti origjinal përmban ngarkesa dhe shkarkesa të fuqishme poetike, dhe ku shfaqet bukurisht, do thoshim ne nga ana jonë, vetë BALETI I FJALËVE, me të tillë forcë poetike që të bën “të mendosh të pamendueshmen”, siç thoshte Paul Valéry, dhe ta shprehësh atë me krejt fuqinë e fjalës artistike. Vetë Mallarmé njihet për ëmbëlsinë, bukurinë dhe fuqinë e fjalës mrekullore (me verb plot fosfor, plot shije, nektar e vezullim diamanti tingëllues), si dhe për sintaksë të pashembullt apo “insolite”, tek konsiderohet me të drejtë, edhe sot e kësaj dite, si “i papërkthyeshmi” ndër poetët botërorë. “I papërkthyeshëm”, ngaqë thjesht i bën fjalët “të ëndërrojnë” e “të vallëzojnë” me muzikalitet mahnitës vargu e ritmi. Të “përkthesh” e të “transpozosh”deri edhe muzikën e fjalës poetike, – ja një sfidë e hapur dhe e fuqishme për gjuhët natyrale, palé për gjuhët artificiale “pa shpirt”, siç i cilëson Konica. E megjithatë, konkluzioni konician ka edhe këtu qartësinë e rrezes diellore: “Një përkthim pothuaj i përkryer, thotë Përlindësi modern shqiptar, mbetet teorikisht përherë i mundshëm, kur dy gjuhët zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet të barabartë”, sintaksik e artistik njëherësh… E më tej, ne do shtonim: kur ka edhe zanatllinj e mjeshtër të mëdhenj zbatues të shkencës së traduktologjisë, që edhe gjuhës shqipe nuk i kanë munguar historikisht, duke e renditur këtë ndër gjuhët me potencial të lartë shprehës ideor e artistik!…       

 “Lexuesit shqiptarë, vë në dukje Ismail Kadare, kanë të drejtë të krenohen që një shekull më parë, një nga shkrimtarët e tyre, Faik Konica, ka krijuar disa nga trajtesat më të bukura për letërsinë dhe gjuhën, trajtesa që ende sot tingëllojnë aq të thella e moderne. E aq më tepër mund të krenohen që prirja e kulturës shqiptare për Europën ka qenë qyshkur, qysh në kohën kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet.” 


* Është botuar në librin F. Andrea, Faik Konica, përlindësi modern, Zenit Editions, 2017.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fotaq Andrea- Faik Konica-Esperantoja

VEPRA LETRARE E ELIONA GJERGO PROMOVOHET NE VATER

June 13, 2019 by dgreca

REZERVOJE 29 QERSHORIN- TAKIM ME SHKRIMTAREN ELIONA GJERGO ME BANIM NË ATHINË/

Rezervoje  29 Qershorin-2019, Ora 11.00 A.M, kohë kur Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe VATRA do të promovojnë romanet e shkrimtares së talentuar korçare – emigrante në Greqi, Eliona Gjergo.

Keni rast të bashkëbisedoni me vetë shkrimtaren e cila vjen enkas për këtë promovim. Eliona Gjergo është shkrimtare e talentuar që tashmë e ka treguar veten me kolanën në rritje të romaneve të saj:  “Kur i lëmë engjëjt të vdesin”, “Skizofrenia”, “Bisha prej Qelqi”, “Gjashtë gishta e gjysmë” dhe “Spectrum”. Është fituese e dy çmimeve letrare”Sotir Andoni” dhe “Faik Konica”.

Eliona shquhet për stilin e veçantë të rrëfimit, ku drama dhe proza e stilizuar  të tërheq pas vetes e të mbanë lidhur derisa të lexosh edhe frazën e fundit.

Promovimi organizohet në sallën e  Vatrës.

Adresa

2437 Southern BLVD

Bronx, NY 10458

Filed Under: Opinion Tagged With: Eliona Gjergo-Promovimi-Vater

Skenari më i mirë – shtyrja e zgjedhjeve lokale me ujdi

June 13, 2019 by dgreca

Ka mundësi për kompromis, të gjithë aktorët politikë janë të thirrur ta kërkojnë atë, thekson në intervistë për Deutsche Wellen korrespondenti i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Matthias Rüb që mbulon Shqipërinë.

Interviste nga Lindita ARAPI/*

Deutsche Welle: Në Shqipëri frontet janë ashpërsuar pas vendimit të presidentit, Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh. Si e shikoni ju këtë krizë?

Matthias Rüb: Shikoni, që frontet ashpërsohen nuk është diçka e re për fat të keq në Shqipëri. Kushdo kush ka qenë në pushtet, demokratët apo socialistët, gjithmonë ka pasur akuza të rënda nga partia që ka qenë në opozitë, që partia qeverisëse është e korruptuar, që shkel kushtetutën. Është e vështirë të gjykosh, cili pozicion është i drejti, kjo lidhet edhe me ngjyrimin politik: Nëse bëhet fjalë për një protestë legjitime popullore kundër një regjimi të korruptuar, apo për përpjekjen e opozitës që të arrijë në mënyrë jo parlamentare rrëzimin e një kryeministri të zgjedhur në mënyrë legjitime, kjo është çështje e kontestuar. E pakontestueshme është që kjo e dëmton Shqipërinë, që i pengon përpjekjet për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në këtë fazë kritike kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë vendit.

Si e shihni vendimin për anulimin e datës së zgjedhjeve nga presidenti, Ilir Meta, vendim që ka zemëruar qeverinë. Presidenti Meta thotë, se bazohet në kushtetutë dhe ka përgjegjësi për paqen sociale në vend…

Nga pikëpamja kushtetuese ai është në rregull. Ai ka të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, të paktën kështu e kuptoj unë nenin kushtetues, të cilit ai i referohet. Nëse është veprim i mençur politikisht, kjo varet nga cila anë e shikon. 

Ka një mocion me debat në parlament të enjten kundër presidentit Meta që çdekretoi datën e zgjedhjeve, synohet një rezolutë. Çfarë pasojash do të kishte një hap i tillë, nëse arrihet shkarkimi i tij?

Kriza kushtetuese do të bëhej më e thellë. Mund të ndodhë që kryeministri të kërkojë zgjedhjen e një presidenti të ri. Sido që të jetë të gjithë të pushtetshmëve në Tiranë u mungon legjitimiteti i nevojshëm. Edi Rama nuk ka legjitimitetin e opozitës, presidenti Meta nuk ka legjitimitetin apo mbështetjen e qeverisë, të socialistëve, pra është shumë e vështirë të gjendet një rrugëzgjidhje nga kjo krizë kushtetuese. Vetëm nëse të tre palët ulen në tryezë e gjejnë një kompromis. Kjo do të ishte më e mira për vendin. Vendi ka nevojë për qetësi, për pushtetarë me legjitimitet e jo për trazira e përplasje jashtë institucioneve demokratike.

Kryeministri, Edi Rama takoi në Bruksel para dy ditësh, kreun e Komisionit të KE, Jean-Claude Junkcer, ai mori mbështetje aty. Njerëzit nuk duhet të pengohen të votojnë, tha Juncker. Asnjë fjalë për pretendimet e opozitës, për lidhjet e PS e Ramës me mafian e drogës, se ai ka blerë zgjedhjet. Publikimet e gazetës “Bild” i dhanë një shtysë të re kësaj problematike. Mendon Brukseli se opozita po e ekzagjeron?

Këtë nuk e besoj. Për kryeministrin Rama është një problem që në Bruksel dhe në Berlin mbështetja për të po bie. Ai beson, se Merkelin e Junckerin e ka në anën e tij, por më duket se CDU/CSU nuk janë në anën e tij, ata duan ta shtyjnë vendimin e BE-së për hapjen e negociatave. Realisht duket, se po bëhet e vështirë për qeverinë Rama në Bruksel. BE është e zënë me veten, me Brexit. Tani do të shikohet me shumë vëmendje, se çfarë ka të vërtetë në akuzat për bashkëpunim me kartelet, me mafian e drogës. Duket se po mbyllet ajo dritare që shkonte në favor deri tani për qeverinë e Ramës.

A mund mbahen zgjedhjet lokale në këto kushte? Për Ramën ato janë legjitime, për Bashën janë moniste.

Më duhet të them, se edhe nëse do të mbaheshin tani zgjedhjet lokale ato nuk kanë shumë kuptim, kur ato i bojkoton partia më e madhe e opozitës. Edhe sikur të mbaheshin ato nuk çojnë në forcim të legjitimitetit të qeverisë e kryeministrit Rama.

Drejtësia që mund të thoshte fjalën e saj, duket e paralizuar në Shqipëri për shkak të vetingut. Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendime, po për këtë arsye. Ndërkohë kriza thellohet. Kush mund të ndihmonte në këtë situatë?

E vërteta është, se nuk shoh se si në këtë gjendje të kemi një rrugëdalje politike e sidomos që të mos ketë dhunë. Nuk shoh ndonjë palë që është e gatshme për kompromise. Nuk shoh as edhe një figurë të tretë nga jashtë apo brenda që mund të ndërmjetësojë. Në kuadër të reformës në drejtësi, drejtësia, sidomos instanca më e lartë është e paralizuar. Pra, as drejtësia, si një pushtet i pavarur në Shqipëri nuk ndërmjetëson dot vërtet në këtë konflikt, nuk e shoh këtë mundësi që drejtësia në një lloj mënyre ta çojë përpara këtë proces. Pra ose të thuhet qartësisht, bazuar në ligj, se nuk ka prova të qarta për bashkëpunimin e Partisë Socialiste me mafian e drogës, ose që ajo të tregojë qartë, se ka një bashkëpunim të tillë e të ngrejë akuzë kundër kryeministrit. Por siç e thashë drejtësia duket e paralizuar dhe jo e aftë të veprojë.

BE, në të shkuarën ka dërguar gjithmonë misione ndërmjetësuese, kësaj here ajo duket se është e rezervuar…

Edhe mua më duket kështu, por siç e thashë impulsi i BE për të vënë gjërat në vend në Shqipëri, apo për të përshpejtuar hapjen e negociatave, ky impuls po dobësohet gjithnjë e më shumë. Pra si nga brenda Shqipërisë zor se duket një rrugëdalje, ashtu edhe BE ka pak mundësi ndikimi. Pas zgjedhjeve europiane ajo ka halle brenda saj. Kush do jetë komisioneri i ri i zgjerimit, kush do jetë i ngarkuari për politikën e jashtme, si do të pozicionohen këta komisionerë të rinj kundrejt Shqipërisë. Gjithçka është pezull, e të shpresojmë që kjo gjendje të mos çojë në shpërthim dhune.

Por nëse nuk ndërhyn askush për të arritur një kompromis rreziku i shkallëzimit të situatës është i madh…

Për fat të keq është kështu. Edhe përvoja e tregon që ka pasur rrëzime qeverish me dhunë në Shqipëri, e që kanë pasur madje sukses për partinë që ka qenë në opozitë. Pra, joshja e partisë që nuk ka qenë në qeveri për të ndryshuar pushtetet me fuqinë e rrugës, madje me dhunë është e madhe, e kam frikë, se kjo joshje është e madhe edhe për Partinë Demokratike.

Por Shqipëria ka përvojë të hidhur në këtë drejtim, partitë duhet të kenë mësuar diçka nga e kaluara…

Do të dëshiroja që të thoja Shqipëria ka mësuar nga e kaluara, por për momentin shenjat janë për stuhi dhe jo për qetësim politik. Shpresoj që unë të gaboj dhe të që kemi një kompromis e një zgjidhje politike.

Cili do të ishte skenari më i mirë për vendin në këtë moment dhe çfarë mund të shkonte më keq?

Skenari më i mirë do të ishte që zgjedhjet lokale të shtyhen me ujdi, pra që Rama të mos këmbëgulë që të bëhen zgjedhje në fund të qershorit. Skenari më i keq do të ishte, nëse Partia Demokratike e forcon momentin e rrugës, kur mund të ketë trazira e ndoshta situata të ngjashme me një luftë civile. Ka ende mundësi që të gjendet një kompromis e të gjithë aktorët politikë janë të thirrur ta kërkojnë atë.

 Matthias Rüb është gazetar i njohur i Frankfurter Allgemeine Zeitung, me përvojë si korrespondent i saj për Europën Juglindore në vitet 1994-2002. Ai është kthyer sërish si korrespondent i FAZ për Europën Juglindore me qendër në Romë, duke mbuluar edhe zhvillimet në Shqipëri.

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi- Deutsche Welle

Filed Under: Opinion Tagged With: Shtyrja e zgjedhjeve lokale-Lindita Arapi-Matthias Rub

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • 380
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT