• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dominimi i kulturës politike autoritare

July 30, 2019 by dgreca

Nikë Gashaj/

Kur federalizmi ka qenë i vendosur në Jugosllavi, njësitë federale kanë qenë kryesisht të organizuara në bazë të kombeve etnike, sipas modelit Sovjetik. Në të ashtuquajturën Jugosllavinë e Dytë, marrëdhëniet ndërmjet kombeve etnike, që nga viti 1960, gjithnjë e më tepër janë keqësuar. Duke analizuar eksperiencat dhe shkaqet e dezintegrimit Jugosllav, Sovjetik dhe Çekosllovak, teoricienti Valeri Bans thekson se struktura federative ka qenë shkaku më i rëndësishëm, që ka çuar deri te shthurja, sepse federalizmi njëpartiak, në kontekstin socialist i ka krijuar proto-kombet dhe proto-shtetet.

Dezintegrimi ka ndodhë për arsye se struktura politike-administrative e këtyre shteteve federative ka qenë e themeluar në njësitë të cilat kanë qenë të caktuara në kategoritë etnoterritoriale (Valerie Bunce). Nuk ka dyshim, përpos shkaqeve të tjera, se edhe defektet e inkorporuara në sistemin politik dhe karakteristikat konfederative e kanë lehtësuar shthurjen respektivisht dezintegrimin.

Arsyeja kryesore e kundërshtimit dhe e rezistencës së federalizmit është eksperienca me federalizmin, që ka shërbyer si udhë e secesionizmit dhe e shthurjes së tri ish-federatave komuniste. Mu për këtë arsye, federalizmin e shikojnë si një mjet që me hapa gradualë e sendërton secesionizmin.

Pas vdekjes së Titos në Jugosllavi ka arrdhur deri te tensionimi i gjendjes politike dhe acarimi i marrëdhënieve etnike dhe konfliktet e armatosura. Si pasojë e kësaj, në disa republika, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë ka arrdhur deri te koncentrimi i pushtetit në duar të kryetarëve të republikave të lartpërmendura, kurse në popull ka qenë i përhapur një botëkuptim, të cilin mund ta vlerësojmë si shprehje e dominimit të një kulture politike autoritare, e cila ka rezultuar në personalitete autoritare, të cilët i ka përkrahë pjesa dërmuese apo absulute e popullatës aktive politike, e shkaku kryesor nuk ishte dashria ndaj udhëheqësve, por frika për identitet kolektiv dhe ekzistencë, në qoftë se në konflikt të fuqisë dhe të interesit mbeten pa koordinatorë ose dirigjentë.

Pa marrë parasysh se autorët e orientimit liberalo-demokratik si psh. Huan Linc, Arend Lajphart, Alfred Stepan dhe të tjerë, që merren me problematikën e transformimit nga format politike autoritare në ato demokratike në Amerikën Jugore, në Europën Jugore (me çka më së pari mendohet në Spajë dhe Portogali, pastaj në Itali, Greqi dhe Turqi) dhe në Europën Lindore (duke përfshirë dhe Ballkanin) theksojnë përparësitë, të cilat për një transformim të tillë do t-iu afrojë sistemi parlamentar, atyre iu është dashur të konstatojnë shtrirjen dhe zgjerimin e madh të sistemit presidencial, kryesisht me presidenta të fortë, çka kur të merret parasysh tradita autoritare dhe kultura politike, manifeston (me përjashtime) më tepër autoritarizëm sesa ndonjë tipar tjetër të bindjes politike.

Kur presidenti rus ishte në konflikt me parlamentin, i cili ka arritur kulmin më 1993, në përpjekjet që me ndërrimin e kushtetutës ta forcojë poziten e vet, disa shkencëtarë amerikanë, njohës të mirë të Rusisë, si Robert Daniels, e kanë përshkruar pozitën dhe ambicjet e tij si lindje “të mbretit të ri”. Në të njëjten kohë, një pjesë e mirë e shtypit perëndimor e ka parë si një interes për momentin më të rëndësishëm, që në pushtet të mbetet negociatori i gatshëm për koncesione, sesa të vihet deri te zhvillimi i institucioneve demokratike dhe i pushtetit ligjor, nëpërmjet ndarjes dhe baraspeshës së pushtetit, si dhe i forcimit të sistemit parlamentar.

Situatë e ngjashme ishte edhe në vendet e tjera të Europës Lindore dhe në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik.

Ne këtu duhet të cekim se teoreticientët e demokracisë konsociale vlerësojnë se parlamentarizmi, për mbrojtjen dhe për mbushjen e synimeve të pakicave etnike (nacionale), është më i mirë se sa presidencializmi.

                               Rreziqet e trilluara dhe diktatura politike

Disa hulumtime të opinionit publik dhe stereotipet dominuese në kulturën politike në hapësirën e Serbisë dhe Malit të Zi kanë treguar, e për këtë ekziston edhe një numër i madh indikatorësh në mbishkrime, në korrespodencat e lexuesve dhe në deklaratat e botuara, që një numër i madh i qytetarëve ka menduar dhe mendon se situata detyron pranimin e presidentit të fortë si udhëheqës.

Në një mënyrë kjo ka të bëjë në mënyrë të ngjashme me situatat e rrezikshme ose të rreziqeve të supozuara, në të cilat romakët e vjetër dikuj ia kanë besuar pushtetin e pakufizuar. Rreziku për ç‘arsye kërkohen autorizime të jashtëzakonshme mund të jetë i trilluar dhe joreal, ndërsa efektet në pikëpamje të përkrahjes janë gati të njëjta.

Romakët atë formë fillestare të diktaturës e kanë kufizuar në pikëpamje kohore dhe të përmbajtjeve të kompetencave, e kur ka kaluar koha e caktuar ose eliminimi i rrezikut, përsëri janë kthyer në një formë “normale” të jetës politike. Mirëpo, edhe atëherë është dëshmuar se paraftyrimet mbi rreziqet ose vetërreziqet mund të përkrahen apo të mbahen edhe artificialisht dhe ashtu të vazhdohet diktatura.

Nuk guxojmë të mos e kemi parasysh fatin se një numër i madh i argumentave dhe rezoneve në favor të decentralizimit, vetëqeverisjes, demokracisë, të kufizimit të pushtetit etj. mund të kundërshtohet me heshtje, ose shprehimisht me një sërë kundërargumentash nga katalogu i “arsyeve shtetërore”, të “interesave kombetare”, të “arsyeve të sigurimit kombëtar”, të teorisë së sovranitetit, të nevojave dhe detyrave të shtetit për të ruajtur rendin publik si supozim të paqes shoqërore dhe të pengojë trendet nga fragmentizmi i mëtejshëm, që mund të rrezikojë jo vetëm integritetin e tij territorial, por mund të çojë edhe deri te konfliktet me përpjestime të mëdha dhe me pasoja jashtëzakonisht tragjike.

                                      Xhon Loku – prijësi i ideve demokratike

Si prijës i ideve dhe i institucioneve të demokracisë liberale, e cila kërkon edhe vetëqeverisje, decentralizim dhe ndarjen e pushtetit, në një masë të madhe konsiderohet Xhon Loku. Ndërsa, si përfaqësues dhe ithtar radikal i mbrojtjes së rendit autoritar, të rregullit publik  dhe sigurimit të shtetit ose interesave kombëtare (shtetërore), mund të merret Tomas Hobs.

Loku e ka paraparë dhe supozuar një situatë, ku trupi politik dhe qeveria formohen mbi bazat e veprimit racional dhe të marrëveshjes së njerëzve mbi të ashtuquajturat sende themelore, që kanë të bëjnë me karakterin e jetës së përbashkët nën pushtetin e zgjedhur dhe në bazë të respektimit reciprok të të drejtave dhe lirive themelore.

Ai është nisur nga një koncept i karakterit njerëzor, që llogarit në mprehtësinë e arsyes, të urtësisë dhe të gjykimit njerëzor. Por, në qoftëse dikush supozon ndryshe karakterin e njeriut, duke parë në të egoizmin dhe karrierizmin si tipare kryesore, dhe nëse e konsideron se ajo manifestohet në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme (krime, pasiguria e jetës dhe e pronës, korrupsioni, lufta rreth pushtetit nga grupet mafioze deri në krye të shtetit) dhe përpos kësaj, po ashtu shton se në përpjestimet botërore gjatë tërë historisë zhvillohet lufta për superioritet dhe dominim, atëherë një paraftyrim i tillë i zi mund edhe për zgjidhjen e problemeve të pushtetit dhe të rendit publik, të drejtojë me mjete të tjera.

                                         Tomas Hobsi-ithtar i pushtetit autoritar

Udhë tjetër është ajo mbi të cilët kanë treguar mbrojtësit e shumtë të pushtetit të fortë, dhe zakonishtt të pakufizuar. Për një rezonim të tillë është vendi reprezentues nga Leviatani, ku Hobsi e shqyrton karakterin dhe mënyrën e themelimit të shtetit: mënyra e vetme që të vendoset pushteti i tillë i përbashkët, i cili mund të jetë i aftë për t’i mbrojtur njerëzit nga pushteti i jashtëm dhe nga lëndimet që ia bëjnë njëri tjetrit dhe t’i sigurojnë që me zellin e tyre dhe me frytet e tokës mund të ushqehen dhe t’i kënaqin nevojat dhe kërkesat e veta, është e domosdoshme që tërë forcën dhe fuqinë e vet t’ia besojnë një njeriut, ose një grupi të njerëzve të cilët do të kenë mundësi që të gjitha  dëshirat e tyre nëpërmjet shumicës  së votave të reduktohen  në një dëshirë.

E kjo do të thotë të caktojmë një njeri ose një grup njerëzish të cilët do të jenë mbartësit e personalitetit të tyre dhe gjykimeve të tyre. Dhe në tërë atë qëndron esenca e shtetit të cilin do ta definojnë si një personalitet ku mbartësi i këtij personaliteti quhet sovran dhe thuhet se atij i takon pushteti sovran, ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë  janë shërbëtorë të tij.

Shumë fakte ne na drejtojnë në konkludim se pikërisht  ndeshemi me shumë elemente të shtetit autoritar Leviatan: mirëpo, shteti në fjalë nuk përmbush atë rol të cilin  një shteti të tillë ia ka përcaktuar Hobsi në teorinë e vet. Ky rol kishte për synim ofrimin e paqes dhe sigurisë.

                         Sovraniteti shtetëror rigjid- pengesë e demokratizimit

Pa marrë parasysh se mendojmë që do të ishte e preferueshme dhe e nevojshme që shtetet e Ballkanit Prendimor: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia dhe BeH, të zhvillohen në drejtim demokratik, të sendërtimit adekuat të pushtetit ligjor, të decentralizimit demokratik dhe të vetëqeverisjes rajonale dhe lokale, të respektimit, mbrojtjes dhe realizimit konsekuent të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare, duhet të themi se ekzistojnë disa grupe të faktorëve të cilët do të drejtojnë në një drejtim të kundërt.

Në rend të parë, kryesisht, koncepti i pushtetit ka qenë dhe është i përcaktuar me botëkuptimet  mbi sovranitetin shtetëror dhe ndërtimin e shtetit nacional, i cili ka më tepër ngjashmëri me kompetencat dhe me zgjidhjet institucionale nga e kaluara historike e sistemit politik centralist sesa me idetë dhe institucionet liberal-demokratike.

Mu për këtë arsye një ndër potezat kryesorë të pushtetit tek këto shtete, që në fillim të ashtuquajturës – periudhë të transicionit, ka qenë koncentrimi i pushtetit dhe i resurseve.

Pastaj, interesat e pushtetmbajtësve që të ruajnë pushtetin dhe fotelet kanë imponuar nevojën e shpenzimit të një energjie të madhe dhe të mjeteve për të realizuar atë qëllim duke mos u kujdesur që shteti ta arsyetojë veten, madje as me përmbushjen e këtyre qëllimeve dhe detyrave, për çka sipas Hobsit edhe formohet shteti, e ajo është sigurimi i rendit shoqëror, paqes dhe sigurisë, nga jashtë dhe nga brenda. Në këtë situatë pushtetmbajtësit janë shumë të rrezikuar, sikur të inicionin reformat e vërteta, të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit juridik dhe demokratik, të cilat do të “shkrinin” dhe do të dobësonin sistemin e tyre rigjid të kontrollit, i cili është treguar joefikas, jozhvillimor dhe jodemokratik

Filed Under: Opinion Tagged With: Nik Gashaj-Politika Autoritare

KUJTESA-Sevasti Qiriazi- Dako

July 26, 2019 by dgreca

(Ribotim me rastin e 70-vjetorit të vdekjes)/

Nga Anton Çefa/

Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut, renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia. Cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.

Ekspozite e hapur ne Shqiperi me 2016/

Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.

Lindën dhe u rritën në një mjedis familjar thjesht shqiptar; një djep vertetë i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar më vonë: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë, apo heronjve shqiptarë…Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit e na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.

Prindërit, Dhimitri e Maria-edhe kjo një vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës-patën 10 fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga, pak më vonë, kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj patriotik. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte patriotët e shquar të Rilindjes si Kostantin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj.

E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që heret nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u rregjistrua në Kolegjin e Konstantinopolit, e para vajzë shqiptare që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Konstantinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën” d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat.

Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin, shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhët turke e arabe për fëmijët myslimanë. Me 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare: Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj.

E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër i Sevastisë, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Konstantinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit.

Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoq leksionet në fakultetin e pedagogjisë në University of Chicago dhe Northern University. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë.

Në vitin 1905, u kthye në Evropë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarin energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Me që ai ishte i specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe, dhe që qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë. Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëllimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan ata me njeri-tjetrën dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrin dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me devocion e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.

Mbas luftave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912- 1914; por për arsye të përndjekjeve të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore, shkuan në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako.

Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star”, çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që e shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, me 12 tetor 1918, në prag të Konferencës së Paqes së Parisit. Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe së bashku me Parashqevinë, që kishte shkuar atje nga Parisi, mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias-një institut me karakter thellësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme arsimore e edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahine dhe besimi.

Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjet shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias.

Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, burgosjeve, torturave, vrasjeve, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj.

Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh, Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, inxhinierit të aftë, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën.

Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël dhe guzhinierja e Institutit Kyrias.

Për oportunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë asaj i qe dhanë titulli “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “ u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa- Sevasti Qiriazi- Kujtesa

MURTAJA E BARDHË E KA PËRFSHIRË MALIN E ZI

July 25, 2019 by dgreca

Diskursi  demografik/

MURTAJA  E  BARDHË  E  KA  PËRFSHIRË  MALIN E ZI/

Të dhënat statistikore  të publikuara kohë më parë nga MONSTAT-i, dëshmojnë se  Malin e Zi e ka përfshi murtaja e bardhë e ate në 18 komuna duke dëshmuar së trendi negativ në shtimin e popullsisë vazhdon duke qenë dukuri shqetësuese për të tashmën dhe të ardhmën, që është  dëshmi e statusit ekonomik dhe social të banorëve  në periudhën postmoniste të tranzicionit demografik, çështje  e cila deri më tash nuk është trajtuar  nga ana  e pushtetit qendror  për të  marrë masa preventive ndaj kësaj dukurie  me pasoja të përgjithshme shoqërore

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

E dhëna e publikuar nga Drejtoria e Statistikës MONSTAT-i së në 18 komuna në Mal të Zi, ka më shumë të vdekur se sa të lindur, dëshmon se dukuria e murtajës së bardhë është e pranishme. Fjala është për periudhën katër mujore të këtij viti duke cekur se shtimi natyror i popullsisë është me minus 212 banorë, nga del se aq persona më shumë kanë vdekur, se sa kanë lindur. Nëse analizojmë shpërndarjen territoriale del se pjesa ma e madhe e komunave të tilla janë në veri, ndërsa dukuria e tillë i ka përfshi edhe tre komuna në regjionin bregdetar ku përveç H.Novit e Tivarit bën pjesë edhe Ulqini.

Sipas  të dhënave nga MONSTAT-i  del se në Mal të Zi nga janari deri në fund të prillit  të këtij viti kanë lindur 2119 fëmijë ndërsa në të njëjtën periudhë kanë vdekur 2331 qytetarë. Si më parë edhe tash tretmanin e parë të murtajës së bardhë e mban gjithnjë qyteti i Plevlës, sepse në atë qytet numri i të vdekurve është për 98 më i lartë se i të lindurve. Ndërsa qyteti me lindshmëri më të lartë është Podgorica, ku shtimi natyror është pozitiv sepse numri i të lindurve është më i lartë për 144 ndaj numrit te të vdekurve.

Ndërsa në lidhje me shtimin natyror në nivel shtetëror për vitin  e kaluar në Mal të Zi kanë lindur 7260 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 6494 qytetarë, nga del se shtimi natyror ishte pozitiv për 766 qytetarë, duke qenë  me e ulta në rritjen e numrit të banorëve në historinë e Malit të Zi.

Së shtimi natyror i popullsisë në Mal të Zi është në rënie të vazhdueshme dëshmojnë të dhënat në vitët e fundit. Kështu në vitin 2017 shtimi i popullsisë ishte 909 qytetarë, 2016:1.105, 2015:1.057, 2014:1.515, dhe 2013:1.558 banorë. Ndërsa nëse krahasojmë shtimin natyror nga viti 1991, që ishte 5.636 banorë nga del së ishte shtatë here më i lartë së vitin e kaluar, dëshmon së periudha e tranzicionit demografik vazhdon me trendin negativ, dukuri kjo e cila duhet të jetë alarmuese për të ardhmën e këtij vendi Po, një trend i tillë për njohësit e rrethanave shoqërore në Mal të Zi,  nuk paraqet ndonjë befasi por  vazhdimësi e periudhes  së mëhershme.  

Depresioni demografik

Gjendja ekzistuese në Mal të Zi në sajë të rritjes së mortalitetit vlerësohet si  depresion demografik, ndërsa nëse  kësaj kategorie i shtojmë edhe migrimin e popullsisë në drejtim  të qendrave tjera si p.sh.Podgorica, apo emigrimin në botën e jashtme, del se kemi të bëjmë me një pasiguri psikologjike për të ardhmën e popullsisë në këtë vend.
Të dhënat statistikore  të prezantuara nga MONSTAT-i të cilat  përpunohen sipas metodologjisë evropiane, dëshmojnë së popullsia në Mal të Zi ka hyrë në fazën e moshënimit, nga del se mosha mesatare e popullsisë është rreth 38 vjeçe, me trend për rritje të metutjeshme. Kësaj dukurie është duke i ndihmuar papunësia, migrimi i popullsisë së re dhe martesat e vonuara të te rinjëve duke  ndikuar në rritjen e kategorisë së të moshuarve, të cilët i kanë mbetur besnik vendbanimeve të tyre.

Regjioni verior drejt shpopullimit

Të dhënat e publikuara dëshmojnë se gjendja kritike është në 18 komuna, ndërsa në aspektin regjional, gjendja më e pavolitshme është në regjionin verior, i cili është edhe më i pazhvilluari ekonomikisht.

Nëse krahasojmë të dhënat nga regjistrimi i parë i popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore, del se rënie më të lartë demografike është shënuar në veriun e Malit të Zi, sepse në vitin 1948, në këtë regjion kanë jetuar 47.3% e popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi, ndërsa në vitin 2011 ishte 28.7%,  e dhënë kjo e cila viteve të fundit vazhdon më rënie të vazhdueshme. Ndërsa nëse analizojmë aspektin territorial, del se mbi 50% e territorit të Malit të Zi, banohet nga më pak së një e treta e popullsisë së përgjithshme, duke marrë përmasat e shpopullimit demografik.

Ndonëse qeveria ka treguar ndjeshmëri të paktën në aspektin mediatik, për  investime kapitale, madje duke i dhënë përparësi veriut, por siç duket të dhënat e tilla më tepër janë deklarative se sa praktike, në lidhje me zhvillimin ekonomik të veriut, sepse migrimi i popullsisë vazhdon. Andaj, nevojitet një strategji e zhvillimit regjional  me mbeshtetje financiare, që do të ishte në favor të popullsisë vendore për të qendruar më tutje në vendbanimet e tyre, në të kundërtën migrimi në drejtim të Podgoricës, dhe bregdetit në jug do të vazhdojë të jetë dukuri normale.

Shqiptarët  të rrezikuar

Përveç të dhënave të përgjithshme  sipas komunave, nuk kemi të dhëna në aspektin nacional e as fetar, që janë të  nevojshme për analiza demografike. Por, duke ditur strukturën nacionale të popullsisë sipas komunave, del qartë së kjo dukuri e ka përfshi edhe popullsinë shqiptare në këtë mjedis.

Ndonëse është komuna ma më tepër shqiptarë në Mal të Zi, një dukuri e tillë e ka përfshi edhe komunën e Ulqinit, që është e vetmja në bregdet duke stagnuar  sa i përket shtimit të popullsisë, që  shpjegohet me natalitetin e ultë dhe emigrimin e vazhdueshëm në botën e jashtme.

Ndërsa për viset tjera shqiptare pothuaj kemi shpopullim të plotë të vendbanimeve, ku ma i theksuar është  në krahinën e Krajës, sidomos në këto dy dekadat e fundit, ku në Anën e Sipërme, ku bën pjesë edhe Shestani, disa vendbanime janë pa banorë, e si të tillë i takojnë gjeografisë historike. Nga ana tjetër   Malësia është e njohur edhe me hërët si krahina me emigrim konstant, nga del së malësorë ma tepër ka disa herë ma shumë në botën e jashtme(SHBA) se sa në vet Malësinë. Dukuria e tillë më herët ka përfshi edhe  Malësinë e Rozhajës dhe atë të Plavës e Gucisë, ku këtu ka qenë e pranishme pothuaj tash një shekull, por  këtu duhet shtuar edhe dukurinë e asimilimit në boshnjak, çështje kjo e cila meriton një qasje të veçantë.

Në sajë të analizave te të dhënave duke e ditur se shqiptarët në popullsinë e përgjithshme   në Mal të Zi janë pakë(5%), murtaja e bardhë ata i rrezikon ma së shumti, përkatësisht   ekzistencën  e tyre biologjike në këtë mjedis. Më një fjalë shqiptarët janë duke përjetuar dy trende negative,  e para, duke  u zvogëluar numërikisht, dhe e dyta, duke u rrudhosur në aspektin territorial, me pasoja shumëdimensionale si asnjë popull tjetër në Mal të Zi.

Mungojnë masat preventive

Ndonëse një dukuri e tillë ka vite që është bërë pothuaj trend bashkëkohor, deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë ndonjë reagim nga strukturat qeveritare.Nga një qendrim i tillë joserioz del se kemi të bëjmë me një çështje e cila iu është lënë familjeve si çështje e tyre autonome. Por, duke pasur parasysh rrethanat shoqërore, ekonomike e sociale të pavoltshme të pjesa ma e madhe e popullsisë, formimi i familjeve të reja paraqet sfidë për çdo të ri.

Në lidhje me diskursin demografik, deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë se institucionet shtetërore kanë treguar ndonjë  shqetësim për të dhënë  propozime konkrete siç do të ishin ofertat ndaj çiftëve të reja, që do të ishte në favor të natalitetit dhe zvogëlimit të migrimit dhe emigrimit të popullsisë së re.

Ndërsa pezullimi i vendimit të Kuvendit të Malit të Zi për mbeshtetje financiare në formë të pensioneve për grate të cilat kanë lindur tre e më shumë fëmijë, është dëshmi e mos interesimit për çështjet demografike, në këtë mjedis.

Përfundimisht murtaja e bardhë e cila ka përfshi Malin e Zi në 18 komuna, me tendencë për të përfshi edhe komunat tjera,  duhet të jetë shqetësim për strukturat qeveritare, andaj është koha që këtij problemi duhet qasur sa më parë duke dëshmuar seriozitet profesional dhe qeveritar. Kjo çështje nuk duhet të jetë preokupim vetëm për ministrinë e punës dhe çështjeve sociale, por e tërë kabinetit qeveritar, duke marrë masa preventive, sa nuk është bërë vonë.

(Korrik 2019)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Nail draga- Mali i Zi-Murtaja e Bardhe

Ramush Haradinaj- Drejtesia e Vonuar eshte Drejtesi e Mohuar …

July 20, 2019 by dgreca

BY SHIRLI CLOYES DIOGUARDI/

Dear Friend,
 
As you know, Ramush Haradinaj resigned on July 19, 2019, as Kosova’s Prime Minister because he has been summoned for questioning by the Kosovo Special Prosecutor’s Office in The Hague.

Both Roland Gjoni and I published articles in 2012 to question why the International War Crimes Tribunal for the Former Yugoslavia in The Hague (ICTY) had reopened Ramush Haradinaj’s case after he had been acquitted in 2008, why he had been forced to languish in prison for almost two years before the retrial began, and whether the Tribunal had compromised its legal principles in favor of the Prosecution.  On November 29, 2012, Haradinaj was acquitted a second time of all charges of committing war crimes as a KLA Commander during the Kosova war.
 
Roland Gjoni, an expert in international law, published his “ICTY:  Favoring Prosecution over Justice?” in Open Democracy on August 9, 2011, and I published my “Ramush Haradinaj:  Justice Delayed Is Justice Denied” in Prishtina Insight on May 10, 2012.  Please click here to read Roland’s article and here to read mine.
 
No matter where one sits on the political spectrum, or what one thinks about Ramush Haradinaj, it is not just an individual, but a country that once again is being placed under international scrutiny because of Serbia’s success in creating a false parity between the perpetrators and the victims of the Balkan wars of the 1990s.
 
All the best,

 
   Shirley Cloyes DioGuardi
   Balkan Affairs Adviser
***
Sic e dini, Ramush Haradinaj dha doreheqje me 19 korrik 2019 nga pozita e Kryeministrit te Kosoves pasi ai u ftua ne cilesine e te dyshuarit per intervistim nga Dhoma e Specializuar e Prokurorise ne Hage.
 
Une dhe Roland Gjoni kemi publikuar shkrime qysh ne vitin 2012 ne te cilat kemi ngrite ceshtjen e rihapjes, padrejtesisht, te rastit te Ramush Haradinajt nga Tribunali per Krime te Luftes ne Ish-Jugosllavi me seli ne Hage, i cili Tribulan e kishte shpalle njehere te pafajshem Harandinajn me 2008, por edhe mbajtjes se tij ne paraburgim per rreth dy vite asokohe, si dhe per faktin qe Tribunali kishte komprimituar principet e veta ligjore ne favor te Prokurorise.  Me 29 nentor 2012, Haradinaj edhe per here te dyte ishte shpalle i pafajshem per krimet e supozuara gjate kohes qe kishte qene Komandant i UCK-se ne luften e Kosoves.
 
Roland Gjoni, ekspert i se drejtes nderkombetare, publikoi shkrimin “ICTY/Gjylata e Hages: Favorizimi i Prokurorise kundrejte Drejtesise”  ne Open Democracy me 9 gusht 2011, kurse une publikova shkrimin “Ramush Haradinaj: Drejtesia e Vonuar eshte Drejtesi e Mohuar,” ne Prishtina Insight me 10 Maj 2012. Ju lutem, klikoni ketuper te lexuar shkrimin  e Rolandit dhe ketuper te lexuar shkrimin tim.
 
Pa marre parasysh se ku qendrojme ne spektrin politik, apo cka mendojme per Ramush Haradinajn, ne kete rast nuk eshte ne pyetje vetem nje individ, por nje shtet qe edhe njehere po vendoset nen llupen nderkombetare per shkak te suksesit te Serbise ne krijimin e nje pariteti fallso ne mes te keqbereseve dhe viktimave te luftrave ballkanike te viteve te 1990-ta.
 
 
    Shirley Cloyes DioGuardi
    Keshilltare per Ceshtje te Ballkanit

Filed Under: Opinion Tagged With: Shirley Cloys DIOGUARDI-Ramush Haradinaj

VESELI, ZGJEDHJET TE PASHMANGSHME

July 20, 2019 by dgreca

Veseli: Zgjedhjet janë të pashmangshme, PDK e gatshme për zgjedhje/

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, madje tha se ato janë të pashmangshme.

Veseli, në një konferencë për shtyp pas kthimit nga vizita zyrtare në SHBA, tha se tash do të ulen të flasin për kohën që duhet mbajtur zgjedhjet.

Ai tha se vendimi për dorëheqje i kryeministrit Ramush Haradinaj ishte personal dhe se për të nuk ishin njoftuar më herët. 

“Vendimi i ish-Kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.
Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen.
 Për këtë, besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritashëm dhe me partitë tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi”, tha Veseli.

Ai tha se qytetarët tanë të kenë besim të plotë se shteti ynë, sovraniteti dhe integriteti – janë dhe do të jenë të pacenuara përjetë!

“Dhe, Kosova qëndron fort afër me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Mbi çdo interes individual dhe partiak – qëndron Kosova! Si PDK, falënderojmë dhe sigurojmë qytetarët për përkrahjen dhe besimin e qëndrueshëm e të përbashkët në interes të vendit tonë dhe vlerave tona perëndimore. I sigurojmë ata se do t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për t’i dhënë vendit një Qeveri me mandat dhe legjitimet qytetar, sa më parë”, tha Veseli.

Duke folur për ftesat për luftëtarët e UÇK-së që po vijnë nga Gjykata Speciale, e që mund të vijnë edhe në vazhdim, sipas Veselit nuk duhet të lejohet të shkaktojnë huti dhe pasiguri te qytetarët tanë.

“Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, ashtu si edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë edhe në fund të kësaj sfide”, ka deklaruar Veseli në konferencë për media.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kadri Veseli-Zgjedhjet- Te pashmangshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • 382
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT