• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush e shet pavarësinë e Kosovës, do të digjet në robërinë kolonialiste të Serbisë

March 11, 2019 by dgreca

Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Askush nuk ka të drejtë ligjore, kushtetuese e as të drejtë juridike ndërkombëtare, që pavarësinë e Kosovës ta hedhë në pazarin e plaçkave  “buvljak” të Beogradit, qoftë edhe për ndonjë shpërblim të  premtuar të “Çmimit Nobel” të ndokujt.

Pavarësisht  se çfarë po kërkon Serbia për përmbysjen e shtetit të pavarur të Kosovës,  tërë territori i Kosovës, duhet të mbetet i paprekuar brenda kufijve të saj ekzistues, të njohur ndërkombëtarisht nga më se 100 shtete të Kombeve të Bashkuara. 

E drejta e  Kosovës në pavarësinë dhe në sovranitetin e saj

Kërkesa, diktati, imponimi dhe ultimatumet  e trysnisë që po i bëhen Kosovës, që të zhvillojë negociata me Serbinë kinse për  “zgjidhjen përfundimtare të statusit”të Kosovës, përkatësisht për “normalizimin e marrëdhënieve” mes këtyre dy shteteve, është kontestim dhe mohim flagrant i së drejtës së Kosovës në pavarësinë dhe në sovranitetitn e saj (2008-2019).

Kjo e drejtë e Kosovës përbëhet nga pavarësia e jashtme, që do të thotë se askush nuk ka të drejtë ta pengojë në ushtrimin e veprimtarisë së mëvetësishme në fushën e së drejtës ndërkombëtare.

Gjithashtt, kjo e drejtë e Kosovës përbëhet edhe nga pavarësia e brendshme, që do të thotë të drejtën sovrane  të saj, të mos lejojë dhe të mos pranojë  përzierjen e asnjë shteti tjetër në punët e brendshme brenda kufijve territorialë sovranë  të saj.

Sipas normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, pavarësia e një shteti, së këndjemi edhe e shtetit të Kosovës , duhet të zhvillohet në mënyrë të pavrur. Kështu që,  asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë që, sipas dëshirës apo interesave  të ndryshme kolonialiste a hegjemoniste të përzihet dhe të ndërhyjë në ushtrimin e pushtetit të tij sovran qoftë të brendshëm apo të jashtëm.

Në këtë vështrim, koncepti i pavarësisë përfshin edhe të drejtën ekskluzive, autonome, autorizimet dhe kompetecat e plota të qeverisë, që të ushtrojë autoritetin e pushtetit të vet sovran  brenda territorit të vet.

-Çfarë do të thotë “pavarësia” dhe “sovraniteti” pilitik, juridik, kushtetues dhe juridik ndërkombëtar  për shtetin e ri të pavarur të Republikës së Kosovës?

-Asgjë më pak e as më shumë sesa mospranimin, mosnënshtrimin dhe mosvarësinë nga Serbia, nga një shtet tjetër apo nga ndonjë grup shtetesh të tjera. Ndryshe, do të mbetej vetëm ndonjë hedhurinë vazale  dhe koloniale nën protektoratin e ndonjë shtetit të huaj, përkatësisht të Serbisë kolonialiste.

Për të mos përjetuar diç të tillë shkatërrimtare, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, duhet të respektohet dhe të mbrohet (edhe nga politika drejtuese, edhe nga populli) brenda kufijve ekzistues (pa asnjë ndryshim, pa asnjë korrigjim, pa asnjë copëtim dhe pa asnjë shkëmbim) të tërësisë integrale të territorit të Kosovës, pavarësisht nga diktati dhe nga ultimatumet e  Serbisë, të Rusisë dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë.

Të gjithë duhet ta mbajnë parasysh faktin se Kosova nuk mund të jetë kurrfarë shteti i pavarur në kuptimin  juridik të së drejtës ndërkombëtare e as  në atë të Kartës së Kombeve të Bashkuara nëse do të vihej në raport varësie me kolonializmin e Serbisë gjenocidale (1912-1999) apo të ndonjë shteti tjetër, sepse në këtë rast, do të kufizohej dhe, do të pengohej në ushtrimin e pushtetit të pavrur dhe sovran brenda territorit të saj summa potestas.

Pra, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, duhet kuptuar se nuk janë pronë private e as shtetërore as e Serbisë, as e liderëve të shitur politikë të Kosovës, as e Moskës e as Pekinit, etj., por vetëm e SOVRANIT-popullit SHQIPTAR mbi 2 milionë të Kosovës.

Prandaj, mos luani me fatin e Kosovës së pavarur dhe sovrane se mund të digjeni e përvëloheni nga padrejtësia e politikave të vjetra kolonialiste dhe gjenocidale të Serbisë së Madhe (1878-1999) dhe të aleatëve të saj tradicionalë sllavë dhe prosllavë evropianë dhe ndërkombëtarë. Këtë “eskorta drejtuese” shtetërore e Kosovës, duhet ta mbajë parasysh, sepse në çafrëdo forme qoftë, do të copëtohej territori i Kosovës,  kjo më nuk do të figurojë si shtet në Ballkan. 

Sa më sipër, duhet të kuptohet, të mbrohet dhe të trajtohet drejt pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës,  JASHTË tutorisë koloniaiste dhe neokoloniaiste të Serbisë dhe të çdo shteti tjetër partner favorizues i mbrojtjes së kolonializimit shekulor të saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Ma che schifo fa tek Porta a Porta dhe me Vittorio Sgarbin!

March 9, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Brenda një nate Edi Rama jep intervista në katēr mediume shumë të rëndësishme në Itali. Tek Porta a Porta e Bruno Vespa-s, tek La Repubblica,TG5 dhe La7, L’Aria che tira. Nuk di një personazh kaq atraktiv për mediat italiane veç “lato B” i Belen Rodriguez!

Do ta konsideroja normale nëse intervistat do të zhvilloheshin në kushte të paritetit sipas Volterit, ku nëpër studio përveç Edi Ramës të ishin të pranishëm edhe shqiptarë që mendonin ndryshe nga ai.

Kryeministri aktual i Shqipërisë bën propagandë me stilin e Enver Hoxhës dhe çdo gazetar që nuk i thotë atij “amin”, regjimi opak i Edi Ramës e shpall ose “kazan”, një huazim nga turqishtja ose non grata. Si rasti i gazetares britanike Alice Taylor për të cilën nuk dinin asgjë asnjë nga gazetarët dhe mediumet që intervistuan Edi Ramën, përfshi edhe Bruno Vespa!

Për Bruno Vespën, shqiptarët kanë shumë simpati, përfshi autoren e këtyre rradhëve, por mjerisht kësaj here Grenza i Porta a Porta u bë portavoce i Edi Ramës.

Bruno Vespa u paraqit në emision fare i papërgatitur, me një dok 2-3 minuta sikur të ishte parapërgatitur nga ERTV, televizioni privat i Edi Ramës nga gazetarë lakej që ia puthin atletet adidas. Midis të ftuarve që mbajtën profil servil ishte edhe Igli Tare, i cili në vitin 1992 shkeli ligjin dhe hyri ilegalisht në Gjermani për një jetë më të mirë! Ndërsa gjatë këtyre 5 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar çerek milioni të rinj, çerek shekulli pas largimit të Igli Tares nga Atdheu, sepse nuk duan të kenë fundin e gjyshërve të tyre, të cilët pas 40 vitesh punë e jetojnë periudhën e fundit të jetës nën diktaturën e varfërisë me 100 Euro pension në muaj! E di këtë fakt Bruno Vespa? Po nëse nuk e di, çfarë di atëherë?!

Me gjithë simpatinë që kam për Bruno Vespën, dua t’i them sinqerisht se në intervistën me Edi Ramën u paraqit nga enciklopedik apo poliedrik – sikur është rëndom – në tabula rasa, ose në thjesht një yesman i kryeministrit albanes, pozicion të vështirë që nuk e kam parë kurrë Vespën. Siç u kuptua, misioni i Vespa-s ishte që ta linte Edi Ramën të bënte gramafonin e prishur, me manipulimet e tij si në mediat e Tiranës, ku ka kapur shtetin. Edhe për rastin kur Edi Rama foli për gjysmë milioni turistët italianë që kishin vizituar Shqipërinë më 2018, Bruno Vespa do të duhej ta pyeste “a mos vallë keta gjysme milioni turistë italianë janë me origjinë shqiptare!” Nuk e dinte Vespa? Po Bruno Vespa nuk ka gjë që nuk e di!

Bruno Vespa foli edhe për periudhën e diktaturës. Si ndjekëse jo besnike e Porta a Porta, ishte hera e parë që e dëgjoja të fliste për këtë temë dhe ngrita veshët se kur po dëgjoj Vespën të dënojë krimet e diktaturës! Ma chi se ne frega per i crimini della dittatura! Po kush e çan kokën për krimet e diktaturës! Bruno Vespa kujtoi se asaj kohe ishte një gazetar i privilegjuar nga regjimi i Enver Hoxhës, të cilit diktatura kriminale i kishte hapur derën, e kishte mirepritur duke i dhuruar veprat e diktatorit bashkë me plot shishe konjaku! Të markës Scanderbeg patjetër, që për hir të së vërtetës ishte shumë më i mirë se brandy Metaxa! Bruno Vespa pinte konjakun e Enver Hoxhës, dehej dhe iu vinte vizën 3 milionë shqiptarëve që jetonin në bunkerët e izolimit, iu vinte vizën sikur për ndërgjegjen e gazetarit italian të mos ishin fare as shqiptarët dhe as Shqipëria, paçka se vetëm 60 km larg ! Pesë a gjashtë vjetë më vonë shqiptarët do të bënin të fliste për ta e gjithë Italia,  kur do të zbarkonin në 1991 në brigjet italiane.

Por një surprizë e pati mbrëmja e Vespës me Edi Ramën tek Porta a Porta!

Në fund të emisionit, Edi Rama bëri gafën historike, qē ia dëgjoi gjithë Italia dhe shqiptarët. Apo jo, Dottor’ Vespa!

Ne shqiptarët kemi një të thënë “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”.

Dhe Edi Ramës i shkau goja dhe i shkoi gjuha tek dhëmbi i implantuar, sepse atë kokë ka, kur bëri paralelizmin e largimit të deputetëve të opozitës nga Parlamenti i Shqipërisë në vitin 2019 me atë në vitin 1924 të deputetëve të opozitës italiane të seksionit të Aventinos, të cilët i dorëzuan mandatet në formë proteste kundër regjimit fashist për vrasjen e politikanit e gazetarit Giacomo Matteotti. Matteotti u vra me urdhër direkt të Duçes, sepse kishte denoncuar vjedhje të votave nga fashistët. Që ishte edhe vdekja e demokracisë dhe pluralizmit.

E pra kjo është situata në Shqipëri. Edi Rama vjedh votat me ndihmën e mafies. Fashistët e Duçes i vidhnin vetë dhe pastaj vrisnin Matteotti-n.

A ka lidhje Edi Rama me mafien? Dy ministra të brendshem të tij kishin lidhje të ndërsjellta me mafien. Edhe bashkëpunëtorë të tjerë të afërt të Edi Ramës. Po të isha në vendin e Bruno Vespës do ta kisha pyetur kryeministrin rreth transkripteve të telefonatave të kryetarit të bashkisë të Durresit Vangjush Dako me figura të krimit të organizuar.

Bruno Vespa mund ta pyeste Edi Ramën se përse në vizitën zyrtare që kryeministri i Shqipërisë bëri në Zvicër në 2016 shoqërohej pikërisht nga ky Vangjush Dako.

Nuk e dinte këtë fakt Bruno Vespa? Po, nëse nuk e dinte, le ta punësojë Edi Rama tek televizioni i tij privat dhe të mos zhgënjejë hapësirën publike të RAI-it, duke i bërë jehonë një inkarnimi të ri të Enver Hoxhës apo Benito Mussolinit.

***

Tek La7 Edi Rama shoqërohej nga Vittorio Sgarbi, edhe kjo një figurë eccellente paçka se kontraverse.

Nuk do të zgjatem. Kam vetëm nga një objeksion për Dottor’ Sgarbin dhe gazetaren Myrta Merlino.

Nga prononcimet për median u kuptua se zoti Sgarbi deri tani nuk e di, por në fund duhet ta mësojë se partia aktuale e Edi Ramës nuk ka lidhje as me artin, të bukurën apo me kulturën, por është pasardhësja direkte e partisë të Enver Hoxhës, që vetë Edi Rama e krahason me Korenë e Veriut. Sot problemi nuk është PS e Shqipërisë, se tek ky krah politik ka plot figura liberale te reformuara, problemi është Edi Rama i cili në aleancë me mafien ka kapur sistemin politik në Shqipëri dhe Shqipëria sot mund të krahasohet me Italinë e 1924. Kjo sipas vetë gojës së Edi Ramës tek Porta a Porta i Bruno Vespës!

I kujtoj Myrta Merlin, drejtueses të L’Aria che tira tek LA7,  se prania e Edi Ramës në emisionin ku kujtoheshin në retrospektivë refugjatët shqiptarë të vitit 1991 ishte nonsens dhe jo adeguat. Kjo lloj gazetarie ka ngelur në klasë, sepse është manipulatore dhe jo konform të vërtetës. Gazetarja duhet ta dinte dhe, nëse nuk e di, dmth nuk është gazetare se Edi Rama është njeriu i fundit që mund të shprehet per refugjatët e 1991, sepse ishte një rampollo i përkëdhelur i diktaturës, dandy parazit ishte në kohën e regjimit hoxhist dhe një dandy parazit ka mbetur. Por problemi është se kërkon me çdo kusht të trashëgojë përjetë pushtetin me të gjitha mjetet si despot, si Enver Hoxha apo si Mussolini!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Porta a Porta

“Shqiponjat e Kallajit ”Ramëzi, si “Sulmuesit” e PP-së

March 7, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

 

NGA ALFONS GRISHAJ/

“Simiti i Diasporës”  zbuloi revolucionin e PS ndër Kontinente.

Të pranishmit ishin skanuar nga Partia dhe ambasadat me shumë kujdes… Gjeniu i kanabisit kish shpikur dhe një shqiponjë për të nderuar besnikët e partisë,  “Shqiponja e Kallajit”, e lyer me bojë metali ngjyrë ari. Kjo më solli ndërmend “Sulmues-it” e Partisë Punës, që u jepej aksionistëve, dhe “Kryqin e Hekurt” të Hitlerit, që nazizmi ua akordonte emigrantëve dhe industrialistëve besnikë. Por, ama foli hakun, “Shqiponja e Kallajit” ia kalonte “Sulmuesit” të PP-së dhe “Kryqit të Hekurt”, sepse  ishte mashallah goxha e madhe sa  të mbushej dora plot, biles po të shkrihej t’i mbushte dhe poturet.

Në takim ranë në sy lektorë  nostalgjikë nga  familje të PP-së, të cilët me letra fallso (ashtu siç janë dhe vetë) janë bërë azilantë në perëndim. Përjashto Ekrem Bardhen që foli si patriot, të tjerët…,  sehirxhinjë dhe aminxhinjë. Askush nuk kritikoi Qeverinë  e blerimit të kanabisit  dhe varfërisë. Të gjithë  duartrokisnin dhe brohorisnin… duke shpresuar të merrnin “Shqiponja Kallaji”  për t’i  çuar si trofe në shtëpitë e largëta.

Në shoqërinë e civilizuar, hipokrizia dhe militantizmi nuk sjellin progres, përkundrazi!  Thirrja “I love You”,  e kaloi në ekstazë  Kryetarin e liliputëve. “I love you too!”, – iu përgjigj ai. Pjesa teatrale mori hov dhe grimasat kaluan caqet e çdo vizatimi surreal…

Kokëministri fryrë si gjeli majë plehut, me një gjestikulacion musolinian zbuloi sekretin e madh se, përtej Adriatikut, Mediat e vërteta,  Mediat patriotike anti-tradhëti, anti-drogë, anti-varfëri, anti-krim, ishin  kazan e shkuar kazani! Disa prej të pranishmëve iu qeshi mustaku për “bombën” që lëshoi  Ramëzezi. Po  kush i quan kështu atdhetarët e vërtetë?! Bash  mjeshtri i kazanit, teneqexhiu Ramëzi.

Sa për informacion, në vitin 1775 Amerika kishte 37 gazeta javore në kolonitë e saj (The Challenge of Democracy, F. 151). Vatra do kremtojë110 vjetorin e Gazetës Dielli me 6 Prill 2019. Shtypi i Diasporës Shqiptare të Amerikës ka lindur dhe është zhvilluar në truallin e traditës më të mirë të gazetarisë në botë, prandaj dhe është i ndryshëm nga modeli i branavekëve allaturka të çitaklliut Ramëzi, i cili gjen kurajon t’u mësojë njerëzve, që thithin prej dekadash ajrin e lirisë perëndimore, se çfarë do të thotë gazetë, media… Le të kujtohet pak se ironia e tij me kazanë, bakalë etj. është kulturalisht vetëpaditëse, shprehje e dashurisë ndaj kontaminacionit anadollak…

Simiti i Diasporës nuk propozoi ndonjë lloj strategjie zhvillimi,  bashkëpunimi apo as dhe minimalisht ndonjë vizion për të ardhmen, vetëm një organizim paratrupor për të testuar votuesit dhe krijuar celulat e PS në botë. Ajo që të vjen keq është që në këtë vorbull ishte dhe ndonjëri si,  Mark Gjonaj, i cili aksidentalisht (besoj jo në mënyrë të qëllimtë) është bërë instrument i të majtëve, pa e kuptuar se duke i shërbyer atyre, po digjet në opinionin nacional. Ai mori një Medalje të vërtetë nga Kryeministri Haradinaj, por nuk i shkoi në mendje për asnjë moment ta pyeste teneqexhiun e Kazanit, pse Kryeministri Haradinaj, Heroi i vërtetë i Dardanisë (që është dhe homologu i Ramëziut),  nuk merrte pjesë në  Simit-in e “Shqiponjave…”?!

Unë e kuptoj se njeriu ka shumë dëshira… dhe një nga ato është për të udhëhequr masën, për t’u bërë i madh. Po dëshira i kalon shpesh herë kufinjtë e mundësisë, sepse nuk është dëshira që arrin objektivin, por nënqenia, shpirti i frymëzuar dhe i angazhuar në misione fisnike e realizon atë. Udhëheqësit kanë përmasa unike, të cilat  nuk fitohen, por lindin.

Në Simit, nuk u panë intelektualët e vërtetë, personalitetet kritike të komunizmit, luftëtarët e lirisë dhe demokracisë që luftuan dhe luftojnë ende për çështjen kombëtare: Zhozef DioGuardi, Dr. Elez Biberaj, Prof. Sami Rrepishti, Prof. Nikolla Pano, Dritan Mishto, Naum Prifti, Harri Bajraktari, Dr. Gjon Buçaj, Dr. Gjon Kelmendi, Prof. Franz Grishaj, Baba Helidon Pashaj, Dom Ndue Gjergji, Dom Pjeter Popaj, Imam Edin Gjoni, Dom Fred Kalaj, Dalip Greca, Imam Shuajip Gërguri, Zef Balaj, Agim Rexhaj, Kolec Ndoja, Merita Bajraktari, Marjana Bulku, Ilir Levonja, Çezar Ndreu, Marko Kepi, Eduard Aliko, Gjeto Ivezaj, Kujtim Qafa, Frederik Ndoci, Gëzim Nika, Gjen. Asllan Bushati, Nevruz Nazarko, Col. Dritan Demiraj, Mynyr Nazifi, Toni Vulaj, e shumë e shumë personalitete të cilëve nuk mund t’ua rreshtoj emrat në dy faqe letër. Mospjesëmarrja e këtyre figurave  dhe të tjerëve  tregon se kush ishte  në atë sallë…

Vatra nëpërmjet strukturave të saj, Kryetarit Mishto, Editorit  Greca dhe Degës së Michiganit, denoncuan natyrshëm Simitin e fryrë me brumë dhe sodë rozë. Unioni i Biznesmenëve, organizatat lokale e kombëtare, mediat,  personalite patriotë në Diasporë e kritikuan këtë tubim si paranojë të Ramëziut, do të thoja,   takim faustian.

Pamëdyshje, tubimin në fjalë do e quaja, “Takimi me Diasporën e Partisë  Punës”,  sot  Partia Socialiste.

Sinqerisht, nëse Ramëzezi, do ta quante Samitin e Diasporës, “Simiti i Diasporës Socialiste”, askush nuk do shqetësohej, biles do t’i uronim  nismën. Por asnjë emigrant patriot nuk mund të rrijë gojëkyçur dhe duar lidhur që të mos thotë një fjalë… apo të mos hedhë në letër mendimin e vet për të denoncuar manipulimin dhe gënjeshtrat e një Qeverie të paturpshme që ka shtrirë tentakulat përtej oqeaneve për të helmuar opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar se gjoja u bë  Samiti i Diasporës …

Kazani që ka përgaditur Ramëzezi për të tjerët, po vlon…, dhe herët a vonë,  ky kazan do e përpijë  dhe të zonë. Snajperat mbi Xhami janë një sakrilegj , një shëmti e qeverisë në agoni. Dje u dogjën dy goma, nesër çerdhja e krimit!

Filed Under: Opinion Tagged With: “Shqiponjat e Kallajit”Ramëzi, alfons Grishaj, si “Sulmuesit” e PP-së

MËSUESIT NË JETËN TONË DHE 7 MARSI

March 6, 2019 by dgreca

17-asllani-300x270NGA ASLLAN BUSHATI/

Çdo kush mësimet e para për jetën i ka  marrë në familje nga gjyshërit, prindërit, motrat , vllezërit e të afërmit. Kurse edukimin gjuhësor, letrar, historik, shkencor, profesional etj, e kemi marrë  të gjithë në institucionet e shkollimit nga mësuesit, pedagogët e profesorët. Pra këto të fundit në një farë mënyre ,kanë qenë  gjithnjë  shtytësit e motivuesit e energjive tona  edukuese në sensin praktik e shkencor. Prandaj  disa  (ata më kryesorët)  që nga klasa e parë e deri tek ato pasuniversitare, na mbeten në kujtesë si shembëlltyra më e mirë.

Por mësuesit në jetën e përditëshme në Shqipëri, janë njerëz të zakonshëm si gjithë të tjerët e në të njejtën kohë edhe qytetarë  me të gjitha të drejtat  e detyrimet që atyre ju jep Kushtetuta e ligji. Si të tillë ata kanë bindje të caktuara  politike, ashtu sic mund edhe të jenë anëtar dhe  të zgjedhur në forumet drejtuese të partive politike. Por pikërisht kjo e drejtë ligjore dhe ky fakt, ka qenë dhe  është aktualisht vrastar për  punën e tyre kombëtare. Sepse rotacionet politike shpesh kanë qenë më shumë  një  përndjekje e vërtetë politike për to (në se partia në pushtet nuk përqaset me bindjet politike të një mësimdhënësi të caktuar). Kjo gjë e ka dëntuar shumë  rëndë jetën e një mësimdhënësi, profesionalizmin në arsim dhe cilësinë në mësimdhënie në të gjitha nivelet e shkollimit në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por dëmi është i madh  për gjithë shoqërinë tonë në përgjithësi.

Shpesh politikat e arsimimit (në të gjitha nivelet) kanë qenë më shumë  këndshikime partiake  se sa kombëtare, më shumë kopje e keqe e vendeve të tjera  se sa strategji gjithpërfshirëse kombëtare. Rasti i fundit me demostratën e rreth njëqind e dyzet mijë studentëve të universiteteve në fundvitin e 2018-tës, është treguesi më i qartë për tablonë e gjendjes së arsimit në ditët tona.

Politikanët dhe shtetarët partiakë, nuk e kanë parë mesimdhënësin, edukatorin (mësuesin, pedagogun e profesorin) si  vlerë të madhe kombëtare, si profesionist që përgatit të ardhmen e  Kombit për të gjitha  fushat e jetës. Por e kanë parë thjeshtë si një individ (ose me saktë si një instrument) që duhet shfrytëzuar për qëllime e shërbime të ngushta  kohore e partiake. Kjo ka cuar në uljen e prestigjit të mësuesit dhe interesit  nga të rinjtë për të qenë punonjës i kësaj fushe me interes shumë të madh kombëtar.  Ka cuar në shkatërrimin e konkurencës së drejtë e të ndershme për karierë  brenda sistemit. Mjedisi ku rritet e formësohet personaliteti i mësimdhënësit  është bërë tepër i rrëmujshëme se  cilësia dhe mediokriteti përzihen bashkë sikur të jenë e njejta gjë. Ashtu sic  edhe aftësitë intelektuale e drejtuese të personave të caktuar, barazohen me keqdashje  me bajraktarizmin e fodullëkun e përtacëve e të dembelëve, të intrigantëve e neopotistëve partiak.

Në fillimet e saj shkolla shqipe u përballë me analfabetizmin e injorancën që ekzistonte kudo. Por me durimin e forcën që ajo mbartëte, theu tabutë e vjetra dhe i hapi rrugën progresit e përparimit në arsimim. Nëpërmjet mësuesit, edukatorit,  pedagogut e profesorit  shkolla (megjithë kufizimet bartëse në kohë të ndryshme) në vite përcolli dije që janë kthyer në vlera  e pasuri të cmuara kombëtare.

Krahasuar me këtë përvojë, edhe në ditët e sotme, insistohet që shkolla  nëpërmjet mësuesit  të kthehet në një ushqim potencial kombëtar, qytetar, shoqëror,intelektual, fizik, emocional etj. Por realisht a është ajo një instrument i tillë kombëtar? Mendoj se jo plotësisht, sepse e pengojne dy arsye themelore: së pari pagesa e ulët për të mos thënë qesharake dhe së dyti partitizmi. Në se punonjësi i arsimit do të paguhej dy ose tre herë më mirë se sot edhe niveli në shkolla  do të ishte dy-tre herë më i lartë. Pra investimi në arsim është  investim strategjik për të ardhme e afërt e të largët.

Po ashtu depolitizimi me ligj i njerëzve që punojnë  në sistemin arsimor (sic është ushtria), do ta clironte atë nga ngarkesat negative partiake dhe do ti hapte rrugën profesionalizmit. Ky kontigjent i depolitizuar  do të ishte një forcë e madhe  e kualifikuar për sistemin zgjedhor të numurimit  në qendrat e votimit dhe do ti jepte fund numurimit partiak që prej kaq vitesh është një gangrenë e vërtetë.

Sot në ditën e mësuesit (7 marsit), nuk është as koha dhe as vendi për të bërë  asnjë vrejtje për këtë profesion shumë të nderuar. Madje është koha  si shoqëri e si individ tju përciellim , gjithë mësuesve, edukatorëve, pedagogëve e profesorëve përgëzimet më të mira për punën dhe profesionin e tyre  shumë të nderuar e të respektuar. Të gjitha vrejtjet u takojnë politikës dhe politikanëve.

Duke kujtuar 7 marsin e vitit 1887, ku në Korcë  u hap mësonjtorja e parë shqipe, kujtojmë me respekt e nderim mësuesit e parë : Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuci Naci, Thoma Avrami etj. Në kërë rrugë të trasuar respekti sejcili nga ne sot kujton  mësuesit e tij që e ndihmuan në edukim e arsimim. Edhe unë  sot dua të shpreh ndjenjat e konsideratës time më të lartë për ish mësuesit e mi të Shkollës “Ali Merta “ në Komsi- Burrel (dhe stafin aktual të asaj shkolle). Të ri kujtoj me shumë respekt pedagogët dhe instruktorët  e ish Shkollës Ushtarake “Skënderbeg”; ato të Kolegjit Ushtarak të asaj kohe (Shkolla e Bashkuar), Fakulteti i Kimisë; të Akademisë së Shtabit Përgjithshëm- Fakulteti Gjitharmësh; të Universitetit të Tiranës- Fakulteti Ekonomi (Plan). Për studimet pas universitare: Gjeneral Prof. Dr. Adem Copani, Kolonel Dr. Shyqyri Kondi, dhe Proferorët e Universitetit Zija Xholi e Arta Dade etj.

Po ashtu me shumë respekt sot dua të përshëndes  disa drejtues të Vatrës  që i kushtuan pjesën më të madhe të jetës së tyre arsimit si: Dalip Greca, Nazo Veliu, Lekë Përlleshi, Majana Zeneli- Bulku,  dhe shumë e shumë të tjerë në degët e Vatrës që kanë mundësur hapjen e shkollave shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar në SHBA.

Nga miqt e familjes time këtu në NY, përshëndes Suzana Uliun që punoi në strukturat e arsimit për gati katër dekada. Po ashtu përshëndes edhe nipat e mi Dasajev e Rigersi Bushati si dhe Andi Duka që i jane futur rrugës së këtij profesioni të bukur e shumë të nderuar.

Edhe një herë shumë nder e respekt për mësuesit e të gjitha kohrave .

Filed Under: Opinion Tagged With: 7 Marsi, asllan Bushati, mesuesit

MALËSIA VOTON PËR IDENTITETIN E VET

February 28, 2019 by dgreca

Qytetarët e Malësisë me të drejt vote kanë mundësi me 3 mars në zgjedhjet lokale të vendosin për vetën e tyre për të udhëhequr komunën e Tuzit subjektet politike shqiptare të cilat kësaj here u bashkuan në koalicionin FORUMI SHQIPTAR, duke shprehur unitet me një qellim, sepse  ata do të mbrojnë ma mirë së askush tjetër  identitetin kombëtar, gjuhësor e kulturor të  kësaj krahine e cila mban titullin NDERI I KOMBIT, si rrallë kush në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Nail_Draga

Dr.Nail  Draga

Duke pasur parasysh momentin historik si dhe  përvojën e pavolitshme në të kaluarën subjektët nacionale të shqiptarëve në Malësi arriten një kompromis duke formuar listen e përbashkët zgjedhore me emrin Forumi Shqiptar (ASH-LDSH-UDSH). Një veprim i tillë   u mbeshtet nga të gjithë shqiptarët si në vend dhe diasporë, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një fillim të unifikimit të shqiptarëve në Mal të Zi, për të realizuar në praktikë të drejtat  e mohuara qytetare  dhe nacionale  nga ana e pushtetit  edhe në pluralizëm.

Malësia e malësorëve

Përfundimisht pas kërkesave të vazhdueshme nga subjektet nacionale shqiptare nga miratimi i pluralizmit në Mal të Zi, edhe qytetarët e Malësisë realizuan në praktikë një të drejtë elementare e mohuar dekada me radhë e kjo është komuna e pavarur e Tuzit për tërë territorin e Malësisë e cila si e tillë funksionon nga shtatori i vitit të kaluar. Por, legalizimi dhe legjimiteti i plotë i saj do të jetë ne zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen të dielën me datën 3 mars. Kujtojmë me këtë rast  së në vitin 1957 është  suprimuar komuna e Tuzit me vendim politik të pushtetit qendror,ku nga ajo kohë qytetarët e Malësisë kanë votuar për pushtet lokal të  Podgoricës, ku bëntë pjesë edhe Malësia, ndërsa  nga viti 2006 si komunë urbane apo më pas si komunë në kuadër të kryeqytetit. Ndërsa tani situata është tjetër sepse votohet për herë të parë për të qeverisur vetë Malësinë, e jo të drejtohet nga Podgorica si ishte deri më tash.Pra, kësaj here  sintagma Malësia e malësorëve ka mundësi të bëhët realitet, me kusht që Forumi shqiptar të dalë fitues i zgjedhjeve. Por, pjesëmarrja në zgjedhje edhe e pesë listave të tjera krijon mundësi për  kombinime të ndryshme.Duhet cekur se të drejtë vote kanë 11,941 qytetarë, që do të zgjedhin 32 këshilltarë sa do të ketë pushteti i ri  lokal i Tuzit. Ditë më parë opinioni u informu se në lidhje me këto zgjedhje është realizuar një anketë me qytetarët e Malësisë nga del se  nga  sondazhi i publikuar  Forumin shqiptar e shpallë fitues të zgjedhjeve, por më pamundësi që vet të formojë pushtetin lokal.Megjithate duhet pritur votimin përkatësisht shpalljen e rezultatëve për subjektët pjesëmarrëse në zgjedhjet e së dielës.

Diaspora mbeshtet Forumin Shqiptar

Duke marrë parasysh se për të parën herë votohet për komunën e pavarur të Tuzit për tërë territorin e Malësisë, vërehet një mobilizim i shtuar i subjektëve pjesëmarrëse për pushtetin lokal. Madje kësaj here kemi një interesim të shtuar edhe nga diaspora shqiptare  e Malësisë e cila gjindet kryesisht në SHBA, por edhe vende të tjera. Bëhët më dije se një numër i konsideruar i tyre qe ende janë pjesë e regjistrit zgjedhor, kanë marrë biletat për vendlindje, dhe atë ditë do të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Nuk ka ndonjë të dhënë të saktë sa mund të jetë numri i tyre që do të marrin pjesë, por pa dyshim ata do të sigurojnë një mandat të këshilltarit për Forumin shqiptar, që  mund të jetë vendimtar për të siguruar shumicën parlamentare në pushtetin lokal.

Një veprim i tillë i diasporës  është për tu përshëndetur, sepse ata deri më tash kanë ndihmuar vendlindjen me shuma të konsiderueshme financiare, si askush nga shqiptarët në Mal të Zi. Andaj, kësaj here kanë një mision tjetër, përveç se të marrin pjesë në zgjedhje, po ashtu të ndikojnë pozitivisht edhe të familjarët, apo të afërmit e tyre që kësaj here pa hezitim të votojnë për Forumin shqiptar.Pa mohuar të drejten qytetare së çdo kush është i lirë për të votuar sipas dëshirës dhe bindjes së vet, kësaj here kemi një moment të veçantë, sepse votohet për pushtetin lokal të komunës së pavarur e jo si ishte deri më tash si komunë urbane apo në kuadër të kryeqytetit.

 

Nga zhgënjimi në fitore

Të mbeshtetët lista e vetme shqiptare e koalicionit Forumi Shqiptar, jo vetëm së është një veprim i qelluar politik por edhe kombëtar, duke udhëhequr shqip  me pushtetin lokal në Tuz. Në të kundërtën nëse nuk mbeshtetet lista shqiptare me komunë do të udhëheqin partitë malazeze që paraqiten gjoja si qytetare, apo individët të cilët nuk janë vendas por janë të ardhur në Malësi. Një veprim i tillë do të ishte fatal dhe në favor të ndryshimit mekanik të strukturës etnike të popullsisë, përkatësisht në plavizimin e Malësisë, që është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.

Andaj të dielën më 3 mars votuesit shqiptarë nëse e duan sinqerisht Malësinë  duhet të reflektojnë si asnjëherë deri më tash  duke lënë anash interesat personale e partiake, sepse kësaj here kanë vetëm një mundësi  për të votuar shqip, për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe  kulturën kombëtare, e kjo është lista e përbashkët e koalicionit Forumi Shqiptar.

Dhe në fund dua të ceki se autori i këtij shkrimi ishte prezent në Tuz në mbylljen e fushatës për zgjedhjet lokale në Podgoricë(11.6.2000), ku bartës i listës shqiptare ishte intelektuali dhe mjeku i nderuar  dr.L.Gjoka. Me këtë rast u organizu një miting i rrallë përmbyllës i paparë deri atëherë në Tuz-Malësi(8.6.2000), si nga numri i pjesëmarrësve dhe flamujve kombëtar shqiptar, por rezultati ishte zhgënjyes, sepse malësorët votuan më tepër partinë malazeze, e jo doktorin e tyre të nderuar. Kësaj herë urojmë të jetë e kundërta, sepse për të mënçurit  pësimi duhet të jetë mësim, ku fitorja në këto zgjedhje lokale duhet të jetë fillimi i një ndryshimi pozitiv për shqiptarët dhe të tjerët në Malësi sipas standartëve  europiane.

(Shkurt 2019)

Filed Under: Opinion Tagged With: DR. NAIL DRAGA, MALËSIA VOTON, PËR IDENTITETIN E VET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT