• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NBC NEWS” PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI

July 25, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Njëri prej rrjetëve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të Shqipërisë, Sigurimi.   Për lexuesin shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së komunizmit.  Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit komunist në atë vend.  Kjo është me rëndësi sepse publiku amerikan nuk ka asnjë ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas rënjes së atij regjimi në atë vend.  NBC News njofton publikun amerikan se, “Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë periudhës së sundimit komunist”, megjithse, shkruan NBC News, “Ky vend ballkanik prej rreth 3-milion banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale në botë”.

Në artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijt e saj ishin të mbyllur dhe shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.”   Enver Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin ç’prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që, “njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë vendit, për tu mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”

Korrespondentja e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana.  Maks Velo, një ish i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.   Ai ka thënë për NBC News se pasi refuzoi të bashkpunonte me Sigurimin, “diçka që unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjetë punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”.   Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nenvijuar se Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur.

Enti mediatik amerikan NBC News raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe identifikimin e atyre që mund të kenë  bashkpunuar me regjimin komunist për të spinuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.  Por korrespondetja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se megjithë vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet ekzaktërisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit komunist”, thekson NBC News.

Por, siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo e ka kërkuar dosjen e tij megjithse  fillimisht kishte hezituar t’a shfletonte, por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20 veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij.

Për hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentjana Sula, Drejtoreshë e Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë.  Nëqoftse ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë për të bërë një gjë të tillë. Shpeshëherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkpuntor dhe një viktimë e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.

 

Ndërkohë që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar u tërhoqen në anonimitet duke u zhdukë nga qarkullimi, por megjithkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të Sigurimit i cili është treguar i gatëshëm të fliste me gazetaren amerikane.  Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete përgjimi anë e mbanë vendit, nepër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish agjenti i Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish agjenti Nesti Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen se pse klasa politike dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.

Dosja e Z. Maks Velo ka gjithsejt 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News.  Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq që e ka lexuar dosjen, megjithse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se me hapajen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për te as për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.  Ai citohet të ketë thenë se, “Amerikanët thonë 100 herë në ditë ‘më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”, duke aluduar se dikush duhet të kërkoj falje për krimet e regjimit komunist, ashtuqë më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Megjithëse vonë, duket se ditët e fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël dhe tepër vonë.  Zëri i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur, si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të nejriut — nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi komunist shqiptar i periudhës 1944-1991.  “Marrëveshja tregon dëshirën për të mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday.  “Marrëveshja tregon vullnetin politik të shtetit shqiptar për të trajtuar cështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.  Të gjithë këto përpjekje bëhen jo thjesht për të respektuar të vdekurit por për të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai.  Më mirë vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday?

Gjatë gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për tu përballur me të kaluarën komuniste.  Edhe nëqoftse është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri.  Prandaj, e gjithë kjo përpjekje – përfshirë marrveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëatre ICMP dhe autoriteteve shqiptare — është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe e enteve   ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje.  Por në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare.  Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për tu përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit –krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç ven në dukje edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.

https://www.nbcnews.com/news/world/communist-era-secret-police-files-reopen-old-wounds-albania-n884946

https://www.youtube.com/watch?v=OHfg2mog2sk

Filed Under: Opinion Tagged With: “NBC NEWS”, Frank shkreli, ne Shqiperi, PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST

Intelektualët …këta mentorë që na edukojnë dhe frymëzojnë me vepra

July 24, 2018 by dgreca

1 Marjana Bulku

Nga Marjana BULKU*/

Shqipëria e paradokseve, e tranzicioneve të shpeshta , të gjata, Shqipëria e krizave , e diktaturave të egra , të fshehta, të kamufluara me mirazhe demokracie sot më shumë se kurrë ka nevojë të ndjehet se sa e pasur është intelektualisht me gjithë varfërinë e saj sistematike politike .Kur hedh sytë nëpër kryqëzime historike ndjen dritën e intelektualëve dhe mendimtarëve që ne për fatin tonë të keq presim të na i referojë politika, partia mëmë, partitë të cilat na e varfërojnë të tashmen edhe të ardhmen.Intelektualët mbartin bagazhin kulturor që ne ia trashëgojmë brezave, janë mendime, studime, përplasje me realitetin e egër peng i politikave të gabuara sezonale që nuk i shërbejnë vizionit kombëtar por udhëheqësve partiakë të momentit që gjithmonë e më shumë bëhet treg politik aspak kombëtar, aspak demokratik. Intelektualët janë të angazhuarit e një shoqërie, që kohën e tyre , mendimin, frymëzimin, ia kushtojnë akteve që prijnë ndryshime të mëdha nga ku më të rëndësishmet e domosdoshme janë ato kulturore.Të arratisur nga realiteti shqiptar ata gjithmonë i investojnë atij duke mos ikur asnjëherë edhe kur fizikisht ndodhen larg. Nuk mundem të ndalem gjatë tek De Rada , Serembe, Fishta ,Koliqi , Çajupi a Frashërit,ata vazhdojnë të iluminojnë por Martin Camaj dhe Faik Konica natyrisht që përbëjnë pasuri të rralla të mendimit letrar, kulturor duke qenë fenomeni ajsberg që vetëm volumin ua dijmë dhe fare pak larminë dhe cilësinë e mesazheve që janë kaq aktuale sot. Është e vështirë të ndalosh në aktet e tyre krijuese vetëm në një shkrim por është një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar se historia e vërtetë shqiptare nuk janë vetëm luftrat e saj, as sistemet e dështuara që politika instaloi , por emrat që i falën vepra asaj , janë ata që edhe pa prezencën e tyre fizike atje krijuan aq shumë dhe lanë pas kolanën e mendimit që vazhdon të frymëzojë e ta mbajë gjallë atë vend që politika intrigon dhe përçudnon çdo ditë. Është e dhimbshme kur ndjek këta emra hite veprash që jetuan larg Shqipërisë me pse dhe brenga, mall e ëndrra , shpresa e dëshira shtegtare.Janë mentorët tanë më të mirë, meteorë,mjafton një observim i veprave kolosale kësaj trashëgimnie që na pasuron edhe në krizat tona sociale e politike pasi ekonomikisht ne gjithmonë në krizë kemi qenë.Histori Shqipërie janë ata që Shqipërinë e bëjnë të njohur çdo ditë atje ku jetojnë e punojnë përmes veprave dhe akteve të tyre, shkrimeve, krijimeve duke e përjetësuar atë, duke ideuar për të duke ia rrëmuar bukuritë , duke ia shplurosur historitë.  A nuk e gjetëm ne historinë e palexuar të Shqipërisë në heronjtë realë të veprave të Mal Berishës ;Charld Telford Erickson dhe Herman Bernstain?! A nuk e dëgjuam dhe ndjemë vëmendjen dhe dashamirësinë amerikane përmes Zërit të Elez Biberajt që më shumë se Zërin e Amerikës sillte shpresën e një zgjimi demokratik që pothuaj ishte shuar . A nuk është një akademi e vërtetë gazetarie, opozitarizmi dhe kronologjie historike dhe mediatike analiza mendimtare e Frank Shkrelit?! A nuk e gjejmë fisnikërinë por edhe mençurinë e thellë tek tablotë historike e analitike të Sami Repishtit?!A nuk ishte unikal Ligji për trashëgimninë kulturore në parlamentin e Ontarios punuar me aq shumë mund e përkushtim nga Dr Ruki Kondaj dhe Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze?!A ka konkretizim më real intelektualizmi patriotik se Vatra 106 vjeçare dhe gazeta e saj  Dielli , më e vjetra gazetë shqip që vazhdojnë të rezatojnë liri e qytetari edhe nën drejtimin vital të Dritan Mishtos e të palodhurit editorialist Dalip Greca?! Kjo është vetëm një pjesëz e historisë sonë kulturore, është vetëm ajo çka unë kam takuar apo ndjekur nëpërmjet Pasqyrës Shqiptare, këtij televizioni prestigjoz të Ilir Lenës në Kanada , apo Albanian Culture Tv në Amerikë aty ku përmes “Një jetë…disa histori ” kemi qënë dhe do të jemi jehonë e botës intelektuale e cila historisë i bën vend çdo ditë përmes kronikave , ngjarjeve që edhe pse jetojnë realitetin e largët flasin shqip dhe ëndërrojnë po ashtu. Qindra vjet nuk e shkulkan ëndrrën dhe shpresën me të cilën të ikurit e parë mërguan. Sepse ky vend i madh është i tillë jo vetëm gjeografikisht, por për dashamirësinë që ka ndaj mendimit, vizionit, idealeve të bukura që humanëve ju ka dhuruar Zoti. Këto krijesa kreative që evolojnë veten dhe mjedisin duke i dhënë rruzullit qytetërime e zhvillime progresive nuk duhet tju ngjajnë fiseve primitive në shekujt modern ku ne jetojmë, përkundrazi ” gjeniu ia lë rrugën hapur gjeniut” është një formulë që e besoj dhe sa më shumë ia ndjej prezencën aq më shumë bindem se mendjet pasurojnë dhe meritojnë vend. Është kjo fytyra e re e intelektualizmit që dashurinë për atdheun din ta shndërrojë në vepra që munden të orientojnë, frymëzojnë dhe pse jo edukojnë kaosin social e politik duke vendosur stade të reja kulturore nëpër gjurmët e mentorëve më të mirë ; intelektualëve.

*Autorja e shkrimit është anëtare e Kryesisë së Vatrës

Filed Under: Opinion Tagged With: intelektualet, Marjana Bulku, mentoret tane

Vendimi i GJND-së dhe integriteti territorial i Kosovës

July 22, 2018 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi/
Si sot tetë vite më parë në Hagë të Holandës Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e saj këshilldhënës për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryetari i kësaj gjykate, japonezi Hisashi Oëada, deklaroi se sipas këtij vendimi “deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se kjo deklaratë gjtihashtu “nuk është në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”! Ishte hera e parë në historinë e kësaj gjykate, kur asaj iu desh bazuar në një kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të tetorit 2008 të merrte një vendim për çeshtje të tillë. Kërkesa e Asamblesë ishte produkt i këmbnguljes së ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq. Vendimi i GJND për të legalizuar dhe legjitimuar pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj u mor me 10 vota pro e katër kundër. Në përgjithësi kundër votuan gjyqtarë që vinin nga vendet, të cilat deri aso kohe nuk e kishin njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Për të realizuar aksionin e tij kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj Beogradi zyrtar zhvilloi një diplomaci agresive në të gjitha vendet, të cilat besohej se do të ndikonin në këtë vendim. Vendet kryesore, ku ministri serb, Jeremiq, u mbështet ishin ato që Xhorxh Ë. Bush i konsideronte si “Aksi i të keqes”, si Irani. Shqipëria nga ana e saj punoi fort me vendet e tjera, por pa bujë, dhe procesin e konsideroi si një sfidë të radhës. Vendimi GJND u duk se i dha fund kontestimeve dhe diskutimeve për aktin e shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në Europë. Pas këtij vendimi diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë besuan se njohjet do të shtoheshin, madje se kapitulli i njohjes do të mbyllej tashmë. Por nuk ndodhi kështu. Diplomacia e Beogradit e konsideroi vendimin e Hagës thjesht si një opinion dhe jo si akt përfundimtar të njohjes së shtetësisë së Kosovës. Politikanët serbe u angazhuan për rifillimin e një procesi të ri të diskutimeve. Ban Ki-Moon, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, shpalli platformën e tij për bisedime për çeshtje teknike midis Prishtinës dhe Beogradit. BE shpalli qëndrimin e saj politik se “ishte e gatshme të lehtësonte këtë dialog”! Kështu nisi një etapë e re për Kosovën. Bisedimet teknike pas disa muajsh morën karakter të theksuar politik, derisa më 19 prill 2013 u nënshkrua marrëveshja kornizë, në të cilën u parapa krijimi i Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë ose një “Republikë Srpska”, me qëllim imponimin e vendimmarrjes në vend, madje dhe krijimin e kushteve për autonomi të zgjeruar territoriale. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ishte dhe mbetet themeli i konfliktit të brendshëm politik në Kosovë si dhe një shqetësim permanent për qytetarët e saj. Ndaj gjykata kushtetuese e vendit e anulloi atë. Pavarësisht kësaj, lidershipi serb ka mundur që ta avancojë interesin e saj për Kosovën. Sipas Beogradit “Kosova është një punë e pakryer” e për pasojë do të duhet “një konferencë ndërkombëtare për përmbylljen e procesit”! Qëllimi është që për statusin e pavarësisë së Kosovës të nisë procesi nga e para. Fatkeqësisht kreu i Grupit Negociator të Kosovës, Hashim Thaçi, me rekomandim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e ka pranuar këtë skemë diversioniste të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kësaj skeme i është bashkuar edhe “mikesha” italo-europiane, Frederica Mogherini, duke nxitur zgjidhje, të cilat zhvleftësojnë pavarësinë e vendit, integritetin e sovranitetin territorial të tij e për pasojë i jep një goditje të rëndë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22 korrik 2010 në Hagë. Atë që nuk mundi ta bëjë asokohe diplomacia serbe e Jeremiq, po e bën tani Hashim Thaçi dhe Edi Rama, madje me një përkushtim të spikatur dhe me mjete më radikale sesa ato të ish-shefit të diplomacisë serbe të vitit 2010. Ndarja e Kosovës ishte opsion i Tadiq, por jo edhe i Jeremiq. Ky projekt ishte hartuar nga Dobrica Qosiq në Beograd dhe përkrahur fort nga Rexhep Qosja i Kosovës. Më pas ndarja u projektua nga i ndjeri Xhnixhiç dhe u përkrah nga Hashim Thaçi, me kushtin që ky i fundit të ndihëmohet prej Beogradit për të ardhur në pushtet e për ta mundur Ibrahim Rugovën. Meqenëse Xhinxhiç nuk pati jetë të implementonte projektin e ndarjes, Hashim Thaçi në bashkëveprim me Koshtunicën improvizuan ngjarjet e 17-18 marsit 2004, me qëllim që diplomacia serbe të merrte fuqi më të madhe dhe të imponohej në bisedimet për statusin e Kosovës. Kësisoj ndihmonte edhe ardhjen e Thaçit në pushtet. Ideja fikse e Hashim Thaçit ishte se “Ibrahim Rugova nuk duhej të sillte pavarësinë”! Madje sllogani i tij që u përhap e shpallte hapur këtë ide. Sipas atij sllogani “Nëse pavarësia vjen prej Rugoës, atëherë mos ardhtë kurrë, ne jemi gati të pranojmë Serbinë, mjafton që autor i pavarësisë të mos jetë Rugova”! Dikush mund të habitet, por ky është mentaliteti arkaik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ndoqi modelin politik të së majtës së Shqipërisë, nxitoi të grabitë pronat e Kosovës, me qëllim grumbullimin e parave të paligjshme dhe në këtë mënyrë ta merrte pushtetin me manipulime, dhunë, grabistje, shitblerje të votës, njësoj si në Shqipëri. Nuk u ndal para asgjëje, mjafton që ta likuidonte rivalin e tij të pakontestueshëm, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili nuk nguronte që t’u bënte thirrje qytetarëve që “t’i japin vota edhe Hashimit”! Sot Hashim Thaçi duke përdorur pushtetin e ka thërmuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, sepse ka pranuar që procesi i pavarësisë të ridiskutohet, madje që edhe integriteti dhe sovraniteti i Kosovës të vihen në pazar. Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, ashtu si Rezoluta 1244 e kanë njohur njëkohësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Rezoluta e KS të OKB-së e vendosi Kosovën jo nën Serbi, siç thuhet shpesh, por maksimumi nën Jugosllavinë. Shkëputja e Malit të Zi i dha fund të ashtuquajturës Jugosllavi e për pasojë Kosova nuk kishte asnjë detyrim ligjor ndërkombëtar të pranonte sovranitetin serb. Grupi i Kontaktit, përfshirë Rusinë, vendosi që gjatë bisedimeve për statusin të ndalohej kthimi në situatën e para 10 qershorit 1999, si dhe të ndalohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ky grup nuk ndaloi pavarësimin e Kosovës. Madje rikonfirmoi ruajtjen e integritetit territorial të vendit. Vetëm Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq janë për shkatërrimin e integritetit territorial të saj. Natyrisht të mbështetur fort nga Edi Rama i Tiranës. Kosova duhet t’i thotë jo këtij funerali për Kosovën. Për interesat e Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës nuk mund të cënohet territori i Kosovës. Cënimi i territorit do ta shkatërronte vetë pavarësinë, do të shkaktonte luftë dhe konflikt të ri në Ballkan, do të sillte në vëmendje rikthimin e çeshtjeve të pazgjidhura në Maqedoni, Greqi me Çamërinë, në Bosnjë-Hercegovinë, Vojvodinë, Sanxhak e ndoshta edhe në Mal të Zi. Presheva do të riniste një pranverë tjetër si ajo e vitit 2000 e kështu me radhë! Kush do të fitojë?! Në një luftë të dytë fitues real nuk do jetë askush, por Serbia shpreson se do bëjë realitet ëndërrën e saj shoviniste në Ballkan. Ndihmës në këtë mision ajo ka tashmë Hashim Thaçin dhe Edi Ramën, pa përmendur shërbëtorët e tjerë politikë e mediatikë. Tiranë, më 22 korrik 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, territorial i Kosovës, Vendimi i GJND-së dhe integriteti

Ambasadori Amerikan: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj

July 21, 2018 by dgreca

Shtypi i sotëm i Prishtinës rreth një interviste televizive të ambasadorit amerikan Greg Delawi dhe reagimi i tij: Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo në të cilën unë po përqendrohem tani/

1 Ambasadori SHBA ne Kosove Greg Delawie

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë-PRISHTINË, 21 Korrik 2018/ Një intervistë televizive e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, citohet e komentohet sot në shtypin e Kosovës./Gazeta Koha Ditore shkruan: Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, gjatë një interviste që të enjten mbrëma e ka dhënë në Rubikon të KTV-së, nuk e ka mbrojtur qëndrimin e dhënë në të njëjtin emision në vitin 2017. Atëherë kishte deklaruar se “për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndarja e vendeve apo rindarja e vendeve përgjatë vijave etnike mbetet plotësisht ‘jashtë tavolinës’”. E, të enjten, atij i janë bërë pesë pyetje rreth së njëjtës çështje. Por, ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete, nën arsyen se nuk do të flasë për atë se çka mund të jetë një element i ujdisë përfundimtare.

Ndërsa, gazeta Zëri shkruan: Ambasadori amerikan Greg Delawie gjatë një interviste të enjten në emisionin “Rubikon” të KTV-së u citua nga medie të ndryshme në vend të ketë deklaruar se në dialog çdo gjë është e diskutueshme. Për më tepër, edhe vetë autori i emisionit Adriatik Kelmendi në një status në faqen e tij në “Facebook” shkroi se është për alarm ndryshimi i qëndrimit të prerë amerikan kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. “Prej përjashtimit absolut të ‘ndarjes’ si opsion ‘i rrezikshëm’ e deri te relativizimi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se ‘kjo u mbetet palëve’”, ka shkruar në mes të tjerash Kelmendi.

Por, të premten (dje) Delawie ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”, duke bërë thirrje që të injorohet ky “lajm i rremë”, siç e ka quajtur ai. “Injoroni lajmin e rremë. Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo në të cilën unë po përqendrohem tani”, ka shkruar Delawie.

Intervista e ambasadorit amerikan Delawie është botuar e plotë në faqen zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ku mes pyetjeve e përgjigjeve është kjo:

Adriatik Kelmendi: Në intervistën e mëparshme me juve kemi diskutuar se ka shumë ide që qarkullojnë se si duhet të duket zgjidhja përfundimtare e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë po thonë se ndoshta ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës sërish mund të dalë sërish në tavolinë. Cili është qëndrimi i SHBA-së për këtë?

Ambasadori Delawie: Në këtë çast nuk do të hyj në atë se çka mund të jenë elemente të ujdisë. Mendoj se kjo nuk do të jetë shumë e dobishme, veçanërisht kur po mundohem t’i nxis njerëzit në Kosovë që disi ta marrin atë përgjegjësi dhe të marrin pjesë në diskutime. Pra, nuk do të them se kush mendoj se duhet të jetë në sallë, nuk do të flas për trajtën e tavolinës, nuk do të flas se cilat do të duhej të jenë elementet e marrëveshjes përfundimtare.

Mund të them, megjithatë, se politikanët e Kosovës, qytetarët e Kosovës janë plotësisht të aftë për t’i marrë vetë këto vendime për pozicionin negociues dhe SHBA-ja do të qëndrojë krah tyre përderisa flasin për këto gjëra. Mbështetje jonë për Kosovën është e qëndrueshme, e pandryshueshme dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe elementet se si do të mund të duket ujdia janë elemente që duhet të diskutohen më mirë nga njerëzit e Kosovës./b.j/

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadori amerikan, Greg Delawi, kosova, qellimet e saj

LAMTUMIRE ILIA TERPINI

July 21, 2018 by dgreca

Nga Gjon Buçaj/*

Lexova, me befasi e dhimje, lajmin e vdekjes së Ilia Terpinit, të cilin e kemi pasë prezent si fotograf dhe video xhirues në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të” Vatrës” në New York, në prillin e vitit 2012.  Në atë udhtim ka qenë i shoqnuem nga zonja Angjelina Xharra dhe fotograf i njohun Zhani. Me atë rast ai realizoi edhe nji dokumentar, për të cilin më ka pasë njoftue se ma vonë asht shfaqë në Tiranë dhe se ishte vëlerësue shumë nga rreth 300 shiques të premierës. Ka qenë dëshira e tij që t’a sjellte dokumentarin në New York the t’ishte vetë prezent kur të shfaqej për publikun shqiptaroamerikan këtu dhe filmin e sponsorizuem nga “Vatrër” t’a lente në arkivin e saj. Ndërmjetësuesi me “Vatrën” për dërgimin e ftesës, që të mund vinte në Amerikë, ka qenë profesor Thanas Gjika.
Me këtë rast, në emën tim dhe të vatanëvet,  u shprehi ngushëllimet të birit dhe të gjithë familjarëvet, miqve e bashkëpunëtorëve të aferm, me ndjenjen e humbjes së nji profesionist të përkushtuem që la kujtime të mira dhe nji trashigimi artistike të pasun.
U preftë në paqë!

  • Fotografia eshte bere ne shtepine e te ndjerit Agim Karagjozi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjon Bucaj, Lamtumire Ilia Terpini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 418
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT