• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PЁRFUNDIMET E TAKIMIT? MЁ SHUMЁ SE DIPLOMACI KY ЁSHTЁ MARKETING

July 20, 2018 by dgreca

2 Trump-Kim1

Intervistё e Stefano Montefiorit me Dominique Moïsi[1]/

“Corriere della Sera”, 17 korrik 2018   E pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika/

PARIS. “Ky takim mё solli ndёr mёnd atё tё Singaporit, ndёrmjet Trump-it dhe diktatorit koreano – verior Kim Jong-un: mё shumё marketing se diplomaci” thotё Dominique Moïsi, gjeo-politologu francez shumё i vёmёndshёm ndaj Amerikёs (ku ka dhёnё mёsim, nё Harvard) dhe marrёdhёnieve atllantike.

Pёrse takimet e Trump-it janё tё ndryshme?

Mungon pёrmbajtja themelore, shumё vetёkёnaqёsi, lajmёrime pa pasoja, dёshira pёr tё bёrё tё besohet se me njё tё shtrёnguar duarsh zgjidhen probleme qё zvarriten prej dhjetёvjeçarёsh”.

E ke fjalёn pёr frazёn e Trump-it mbi marrёdhёniet Shba – Rusi “skajshmёrisht tё kёqia deri para katёr orёsh?”

“Pikёrisht, Trump-i hiqet si njё njeri i aftё tё bindё Putinin e tё pёrcaktojё kthesa diplomatike epokale. Siç bёri me Kim Jong-un, nga ana tjetёr, e pastaj u pa se kishte arritur shumё pak, veçse kishte ligjёruar njё diktator”.

A ka pika kontakti tё vёrteta ndёrmjet Shteteve tё Bashkuara dhe Rusisё?

“Po, psh. Si Trump-i ashtu edhe Putini duan tё mbёshtesin Netaniahun dhe Izraelin, e mbi Sirinё Amerika tashmё ka pranuar zgjidhjen Assad, tё dёshёruar nga Rusia. Mbi Iranin qёndrimet mbeten tё largёta. Por temat janё tё dorёs sё dytё. Ajo qё i interesonte Trump-it dhe Putinit ishte shfaqja e personaliteteve tё tyre”.

Kush doli fitimtar?

Putin, dy herё. Sepse Kupa e Botёs nё Rusi ka qenё njё sukses i madh dhe sepse n’asnjё çast tё konferencёs sё shtypit, nuk u vu nё vёshtirёsi nga Trump-i.”

Qё madje dukej se kishte si synim tё vetёm tё mbronte Putinin nga padija se ka ndёrhyrё nё zgjedhjet amerikane nё dobi tё tij.

“Pёrmasa e politikёs sё brёndёshme amerikane ёshtё shumё e rёndёsishme. Sa mё shumё tё mbёshtesё Putinin aq mё shumё Trump-i mbron vetveten. Thotё se i beson mё shumё Putinit se prokurorit Mueller dhe listёs sё tij tё 12 funksionarёve rusё,  tё dyshuar se kanё vepruar kundёr Hillary Clinton. Edhe njё herё ёshtё marketing politik  drejtuar pёrkrahёsve tё tij dhe funksionon, sepse popullariteti i Trump-it nё javёt e fundit ёshtё ngjitur nga 35 nё 45 pёrqind. Mё sjell ndёrmёnd njё thёnie tё dramaturgut tё njohur francez Jean Anouilh: “Propaganda ёshtё njё gjё e lehtё, mjafton tё thuhet njё gjё e stёrmadhe e tё pёrsёritet shpesh”. Dyshoj se Trump-i t’a ketё lexuar Anoilh-in, por i vjen vetvetiu”.

Nёse baza ёshtё me Trump-in, nё partinё republikane shtohen ata qё largohen prej tij dhe paditё e hapura pёr tradhёti tё lartё.

Pёr traditё, shumё republikanё nuk besojnё tek Brss mё parё e tek Rusia mbrapa, dhe ndjehen tё tradhёtuar nga Trump-i. Disa pёrfaqёsues republikanё me peshё tani janё tё shqetёsuar, e quajnё Trump-in mё tё rrezishёm se ç’parashikohej”.

A me tё vёrtetё Trump-i i paguan Putinit borxhin pёr ndihmёn nё fitoren e 2016-s?

“Disa hamendёsojnё madje njё Trump nё dorё tё rusёve qё nga viti 1987. Dhe historia e skandalit seksual nё Moskё, tё pёrmendur edhe sot nё Helsinki, ёshtё e pranueshme. Por mund tё mjaftojё thjesht fakti qё Trump-i shkon me tё vёrtetё nё njё mёndje me drejtuesit autoritarё se me demokracitё. Ndoshta Putin mundet edhe t’a kёrcёnojё, por nё fund tё fundit ёshtё e dorёs sё dytё. Nuk ka nevojё”.

Trump-i ka folur pёr Evropёn si njё “armike”.

Amerika nuk ёshtё mё njё aleate e besueshme dhe kjo gjё mund tё jetё njё rast i madh pёr t’u bashkuar. Por ndёrmjet atyre qё parapёlqejnё afrimin me Rusinё, si Italia, e atyre qё kundёrshtojnё tё shpenzojnё mё shumё, si Gjermania, Evropa nuk shkon pёrpara”.

*  “Corriere della Sera”, 17 korrik 2018   E pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika.

[1] Dominique Moïsi, 71 vjeç, bashkёthemelues i ILFRI (Instituti francez pёr marrёdhёnie ndёrkombёtare). Ndёrmjet librave tё tij ёshtё “Gjeopolitika e lёvizjeve”

Filed Under: Opinion Tagged With: diplomaci, Eugjen Merlika, Marketing, Takimi, Trump-Putin

President Trump, Ju lutem mos dilni në foto me kryepolitikanët shqiptarë!

July 20, 2018 by dgreca

1 Trump ElidaNga Elida Buçpapaj/Shqipëria dhe Kosova vuajnë krizën e keqqeverisjeve, të mosfunksionimit të sistemit, vuajnë prej mungesës së shtetit ligjor, prej korrupsionit, shpërdorimit të pushtetit, nepotizmit, klientelizmit, mercenarizmit që ka paralizuar tregun dhe iniciativën e lirë, që ka paralizuar konkurencën e ndershme, shanset për punë, që ka rritur pasigurinë, papunësinë, pabarazinë sociale, varfërinë, shtimin e shtresave vulnerabël dhe në nevojë.

Nga ana tjetër kemi fuqizimin e një kaste politike që ka uzurpuar çdo instancë të shtetit, përmes një sistemi zgjedhor të degraduar që fuqizon pushtetin e njëshit. Kjo kastë shumë e fuqishme, e privilegjuar, është pasuruar në bashkëjetesë me krimin e organizuar dhe taksave që i merr një populli në mjerim.

Kjo klasë politike ka humbur plotësisht besimin e Sovranit, sepse pasurimi i saj është në përpjestim të drejtë me varfërinë e Sovranit, sa më tepër pasurohet kasta, aq më tepër vuajtjet e popullit agravohen. Në raste të tilla, në një sistem normal demokratik, populli do të kishte shpëtuar me kohë prej tyre, por me një shtet antiligjor, kryepolitikanët janë mbi ligjin, kryepolitikanët e bëjnë ligjin, kryepolitikanët janë vetë ligji!

Qëllimi i tyre është përjetësimi i pushteti. Presidentëve të SHBA në kushte normale Kushtetuta u lejon të zgjidhen vetëm në dy mandate, ndërsa kasta politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është e përhershme. Kjo kastë riciklohet, bën aleanca interesi, por janë gjithmonë ata, të pasuruar, të gjithëpushtetshëm që kanë fatin e popullit në dorë dhe synojnë fuqizimin e tyre edhe përmes lobingjeve në metropolet e Perëndimit, përfshi edhe Washington D.C.

Kjo klasë politike që urrehet nga populli synon të fitojë kredenciale duke u fotografuar me liderët dhe figurat më të fuqishme të politikës botërore, që janë përfaqësuesit e vlerave të Perëndimit, e sidomos me Presidentin e SHBA.

Duke dalë nëpër foto me Ju:

Së pari, ata mashtrojnë popullin, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, që nuk ka kushte minimale vetëdijësimi të pavarur, kujton se politikanët shqiptarë që dalin me Ju, janë burra të mirë dhe kësisoj vijojnë e japin votën;

Së dyti, kjo kastë politike, tek e cila Sovrani nuk beson më, kërkon të riparojë imazhin e sterrosur dhe rrënuar,

Së treti, ata synojnë t’i diktojnë popullit se qëndrojnë në pushtet pasi kanë mbështetjen e SHBA !

Populli shqiptar, elita dhe gjithë shqiptarët e ndershëm kanë shpresë të madhe tek Amerika që na ka shpëtuar disa herë nga zhbërja, sepse besojnë me të drejtë se SHBA është vendi i lirive dhe demokracisë së vërtetë.

Fotot Tuaja me kryepolitikanët shqiptarë janë në respekt të plotë me një rit protokollar zyrtar, si konfirmim i marrëdhënieve ndërshtetërore, por politikanët tanë i përdorin për interesa të tyre. Këto foto  nolens volens krijojnë një kontraversëri, sepse Ju duke përfaqësuar shtetin e së drejtës takoheni me shkaktarët e degradimit të sistemit, shtetit ligjor dhe të varfërisë e mjerimit të Sovranit.

Këta kryepolitikanë faqezinj Ju përdorin për të bërë demagogji dhe për të mashtruar Sovranin.

Kur shqiptarët Ju shohin nëpër foto me kryepolitikanët që sillen si sulltanë me Sovranin më së paku po them se dëshpërohen shumë dhe bëhen edhe më shpresëhumbur! Sepse gjatë këtij tranzicioni mbi çerek shekulli janë ndërruar pesë presidentë dhe SHBA, ndërsa shqiptarëve iu ka mbetur mbi kurriz e njëjta kastë, që po ua le rininë  pa të ardhme!

Prandaj, Ju lutem, mos dilni më në foto për publikun me kryepolitikanët shqiptarë, sepse ky stanjacion që po vuajnë shqiptarët u dedikohet atyre.

Populli shqiptar meriton foto me Ju, por jo kryepolitikanët!

Populli shqiptar meriton të integrohet në BE, meriton të ketë një sistem demokratik, ku të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës!

 

*Ky opinion ribotohet, sepse kryepolitikanët shqiptarë dështimet e tyre kërkojnë t’i fshehin duke u fotografuar me kryeburrashtetasin e botës!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, President Trump

MIQËSIA SHQIPTARO-KROATE

July 18, 2018 by dgreca

1 FrankNga Frank Shkreli/ Presidentja e Republikës së Kroacisë Znj. Kolinda Grabar-Kitarović gjëndet këtë javë për një vizitë shtetërore në Tiranë, e ftuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta.  Media shqiptare njofton se Presidentja e Kroacisë do të pritet me ceremonitë më të larta shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, ndërkohë që do të takohen delegacionet e dy vendeve ndërsa udhëheqsit e lartë do të mbajnë së bashku një konferencë për gazetarët vendas dhe ata kroatë, të cilët shoqërojnë Presidenten Kitaroviq.  Përveç pritjes dhe takimeve me homologun e saj shqiptar, Udhëheqësja kroate do të zhvillojë gjithashtu bisedime edhe me udhëheqëa të tjerë shqiptarë, përfshir Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi dhe Kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Z. Lulzim Basha.  Një ndër pikat kulminante të vizitës së Presidentes kroate në Tiranë do të jetë fjalimi që ka në plan të mbajë në Kuvendin e Shqipërisë ditën e enjtë.

Në rendin e ditës të vizitës së Kryetares së Kroacisë në Shqipëri, sipas medies së Tiranës, është edhe takimi me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj dhe vizitat që pritet të bëjë Presidentja Kitaroviq, jashtë Tiranës.  Është në plan që ajo të vizitojë Durrësin për të paraqitur projekt-planin kroato-shqiptar për mbrojtjen e mjedisit në Detin Adriatik, që pasqyron një shqetësim të konsiderueshëm ky për autoritetet kroate, pasi njoftohet se mbeturinat nga bregdeti shqiptar janë përhapur edhe në brigjet e bregdetit kroat, në veri të Adriatikut.  Pritet që Presidentët Meta dhe Kitaroviq të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale për mbrojtjen e detit nga ndotjet.  Ndërkohë, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë do të ndalet edhe në Berat dhe në Kalanë historike të Krujës, sipas njoftimeve të medies.

Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Zagrebit, ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kroacisë nga Federata ish-jugosllave, kanë vazhduar të jenë të shkëlqyeshme.  Vizita e Presidentes Kolinda Grabar-Kitarović këtë javë në Shqipëri është një pasqyrim i natyrshëm i këtyre marrëdhënieve miqësore midis dy kombeve, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Presidentja kroate pritet që gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë shqiptarë në Tiranë, të premtojë mbështetjen dhe ndihmën e saj dhe të vendit të saj ndaj përpjekjeve të Shqipërisë, për antarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithse, siç dihet për arsye të politikës pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ekzistonin marrëdhënie ndër-shtetërore, marrëdhëniet miqësore midis kombit Shqiptar dhe Kombit Kroat janë të vjetëra.  Ato shkojnë mbrapa në histori, e cila shënon se lidhjet midis dy kombeve të hershme – sidomos ndërmjet Arbërisë dhe Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) kanë filluar qyshë në kohën e Kastriotëve, kur ata gëzonin liri të pa kufizuar tregëtie me njëri tjetrin dhe marrëdhënie të tjera.  Përveç lidhjeve tregtare midis Kastriotëve me Republikën Raguzës, lidhjet midis Arbërisë dhe Raguzës si dhe qëndrave të tjera në territorin e dikurshëm të Kroacisë së sotëme, kanë qenë të forta edhe në fushën e diplomacisë dhe të arsimit.  Thuhet se diplomati, kleriku, oratori i njohur dhe njeriu besnik i Gjergj Kastriotit, Palë Gazulli, ka shërbyer si ambasador i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Republikën e Raguzës.  Thuhet se Pal Gazulli ka qenë gjithashtu edhe rektor i shkollave të Raguzës.  Këto lidhje në fushën e arsimit, sidomos për studentët nga të gjitha trojet shqiptare vazhdojnë edhe sot, siç kanë kanë vazhduar, historikisht.  Madje edhe gjatë periudhës komuniste – të rinjtë shqiptarë nga trojet shqiptare në ish-Jugosllavi — preferonin të shkonin në shkollat kroate dhe sidomos ata të fesë katolike regjistroheshin në seminaret katolike anë e mbanë Kroacisë, përfshirë edhe qytetin e Rjekës, vendlindja e Presidentes kroate, Kolinda Grabar-Kitarović – ku edhe unë kam kaluar vitet më të bukura në shkollën e mesme klasike të urdhërit salezian në atë qytet.Këto marrëdhënie të ngushta e të hershme midis dy popujve tanë, janë përforcuar edhe më vonë në fillim të shekullit të kaluar nga puna e palodhë-shme e shumë kroatëve, përfshir historianin dhe albanologun e njohur kroat, Milan Shufflaj, i cili nepërmjet hulumtimeve dhe disa veprave të tija, ka dokumentuar historinë e shqiptarëve në Mesjetë — veprimtari të cilën ai, fatkeqsisht, e pagoi me jetën e tij, duke rënë martir i albanalogjisë. Ai u vra nga dora e zezë serbe në Shkurt të vitit 1931, një ditë pasi ishte këthyer në Zabgreb nga një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që po përgatiste një botim tjetër mbi historinë e Shqiptarëve.  Kontributi i tij konsiderohet nga historianë dhe akademikë të njohur, si unik dhe i pazëvëndsueshëm.

Por, megjithë ndihmën dhe kontributet kroate ndaj historisë dhe kulturës shqiptare, por edhe në fusha të tjera, nuk duhet të mungojmë së përmenduri se pjesë e këtyre marrëdhënieve të ngushta nuk është vetëm kontributi i kroatëve gjatë historisë së shqiptarëve.  Kroatët kurrë nuk do të harrojnë ndihmën dhe kontributin e shqiptarëve, sidomos shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, gjatë luftës më 1990-at dhe në themelimin e shtetit të pavarur kroat në fund të shekullit të kaluar.  Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç   NË një konferencë të përbashkët me homologun e saj Ilir Meta ka cilësuar shqiptarët si një ndër të paktët popuj miq për Kroacinë. Kitaroviç ka shprehur mirënjohjen e thellë për shqiptarët që ndihmuan në lirinë e vendit, njofton gazeta Telegraf e Tiranës.  “Sot diskutuam për bashkëpunimin mes Kroacisë e Shqipërisë dhe Shqipëria ishte miku jonë kur miqtë ishin të paktë. Na mbështetën gjatë luftës në Kroaci. Ne e vlerësojmë këtë mbështetje. Nga komuniteti shqiptar në Kroaci, që janë rreth 10.000 shqiptarë, 2.500 ishin vullnetarë në luftën e Kroacisë, 87 humbën jetën 37 janë të zhdukur. Kjo është një çështje shumë e madhe për ne dhe i jemi mirënjohës shqiptarëve që luftuan për lirinë e vendit tonë”, tha Kitaroviç, në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit Meta, nga Presidenca.

Këtë fakt e kanë theksuar edhe personalitetet të tjera, të njohura kroate, përfshir edhe ish-presidentin Stipe Meshiq, një mik i madh i shqiptarëve, i cili si njohës i mirë i çështjeve ballkanike dhe i realitetit nën të cilin kanë jetuar shqiptarët ndër shekuj, por njëherazi edhe si një person që kontribon çdo ditë në afrimin midis dy popujve, ka shprehur vazhdimisht dhimbjet e tija dhe të kroatëve në përgjithësi, për fatin e keq dhe për vuajtjet e shqiptarëve në trojet e veta.   Në një intervistë, ish-Presidenti kroat, Meshiq është shprehur: “Unë jam një njeri, i cili gjithmonë ka njohur realitetin dhe është e njohur për këdo se bota ndaj shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zemërgjerë, veçanërisht ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.   Shqiptarët në ish-Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene nuk kanë pasur asnjë të drejtë. Ata nuk kishin të drejtë për kombësi, gjuhë, kulturë, nuk kishin asgjë”, ka thënë ai.

Është pra në këtë këndveshtrim të lidhjeve historike midis dy kombeve tona që Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovićzhvillon këto ditë vizitën e saj shtetërore në Shqipëri, ashtuqë me një kuptim të historisë – le të ndërtohet baza madje edhe më e fuqishme së ç’është tani, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, sidomos në bashkpunimin dhe rolin që duhet të luajnë Kroacia dhe Shqipëria së bashku — por gjithmonë në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të dy vendve — për një të ardhme më të mirë për të dy kombet dhe për paqën dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kroatët kanë përshëndetjen e tyre, “Bog i Hrvati” që do të thotë, “Zoti dhe Kroatët”.  Është një shprehje që është përdorur nga politikani dhe shkrimtari kroat Ante Starçeviq, në fjalimin që ka mbajtur para parlamentit kroat në vitin 1861 e në të cilin ka thënë në kontekstin e kohës, se e ardhmja e Kroacisë nuk duhej të vendosej nga Austria, por nga Zoti dhe Kroatët.  I lutemi Zotit pra, që vizita e Presidentes së Kroacisë këto ditë në Shqipëri, të shërbejë si një hap tjetër drejt përforcimit të mëtejshëm të miqësisë historike dhe të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis dy vendeve dhe dy kombeve tona, si kontribues të paqës dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të Shqiptarëve dhe Kroatëve dhe që Zoti të jetë gjithmonë me ta që të vendosin vet të ardhmen e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, miqesia, SHQIPTARO-KROATE

Dy botë…sa afër…sa larg!!!

July 17, 2018 by dgreca

1 alma Lico2

BRENGE – Vallë, a do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?/

Nga Alma LIÇO/

Të ulur në sediljet e përparme të tramvajit, po ndiqnim qetësisht rrëshqitjen e njëtrajtshme mbi shinat mes platformave të mbuluara nga dëbora. Për shkak të mosnjohjes së gjuhës gjermane, prania e tim shoqi, më ofronte një relaks dhe siguri të veçantë.

Sapo kishim lënë pas stacionin Kirchheim – Rathaus. Flokët e bardhë preknin lehtas  xhamat  e dritareve, për t’u shformuar butësisht, e krijuar më pas bulëza të shëndritshme uji, të cilat rrëshqisnin ngadalë përgjatë tyre. Ato bulëza të kristalta, tentonin të krijonin gropëza të vogla në sipërfaqen e shkrifët të dëborës që shtrihej njëtrajtshmërisht përgjatë shinave.

Disi të përgjumura, para syve tanë dukej sikur fluturonin godina mbresëlënëse të stilit “Gotik”. Çatitë e tyre të pjerrta, ishin zbardhur pjesërisht nga dëbora. Dritaret e papafingove, fasadat dhe ballkonet e mahnitshëm, shpalosnin vlerat arkitektonike të ruajtura me aq kujdes e dashuri.

Dhjetë minuta më pas, tramvaji u ndal në stacionin  “Montpellierbrücke”, i cili ndodhej disa minuta larg qendrës së Heidelbergut. Zbritëm nxitimthi prej tij, për të mbërritur orarin e caktuar të takimit në njerën nga zyrat e rregjistrimit. Isha ndër banoret më të reja të atij qyteti.

Ndonëse kisha çadër me vete, preferova të mos e hapja. Dëshiroja të kisha kontakt të drejtpërdrejtë me qiellin e përhimtë, që ngjasonte i mbuluar nga një vello e bardhë që shtrihej mbi supet e tij gjigande. Doja të shijoja freskinë e kristaleve të dëborës, që si flutura të bardha më preknin e përkëdhelnin fytyrën. U mjaftova me kapuçin e xhupit që vendosa për të mbrojtur flokët, si dhe mbylljen e kujdesshme të zinxhirit të çantës së dorës.

Disa metra më tej, dalluam semaforin me llampë të kuqe. Ecëm drejt tij. Sakaq, dy vajza bjonde ishin ndalur e po prisnin sinjalin e blertë. Çantat shumëngjyrëshe që mbanin mbi supe, ishin nga ato që përdoren për të vendosur librat e shkollës. Spontaniteti dhe çiltërsia rinore dallohej lehtësisht në sjelljen e tyre. Me sa dukej ishin përfshirë në një bashkëbisedim të këndshëm, pasi herë pas here qeshnin hareshëm.

Drita e gjelbërt e semaforit na ftoi të kalonim në anën tjetër të rrugës. Buzë trotuarit ndodhej godina me zyrat e rregjistrimit. Fasada prej xhamash të errët i jepte asaj një hijeshi të veçantë, duke krijuar një kontrast të magjishëm me bardhësinë rreth e rrotull.

Disa minuta më pas, mbërritëm në hollin që ndodhej në pjesën e pasme të saj. Ajo ishte një sallë e ngrohtë, në të cilën ishin vendosur disa tavolina dhe karrike për personat që duhej paraprakisht të merrnin kontakt në sportelet e informacionit. Në krahun e djathtë të saj zhurmonin lehtësisht, në mënyrë ritmike dy aparate fotokopjimi. Aty pranë ndodheshin zarfa të madhësive të ndryshme, letra dhe një kuti postare, të gjitha këto në shërbim gratis të qytetarëve. Dallova katër-pesë persona të ulur qetësisht, teksa prisnin të pulsonte numri i tyre në monitorin që ndodhej përkarshi. Ishte mëse e dukshme se i përkisnin nacionaliteteve të ndryshme.

E rrethuar nga një ambient komod e mikpritës, mezi u kujtova të çvishja xhupin, i cili në atë sallë të ngrohtë ishte vërtet i tepërt. Nuk kaluan as dy minuta të ulur në ndenjëset pranë zyrës ku ishte planifikuar takimi ynë, kur një vajzë e këndshme, e veshur thjeshtë, na ftoi në zyrën e saj.

Pasi na uroi mirëseardhjen, u ul para kompjuterit dhe vijoi me proçedurën e rregjistrimit. Pyetjet që drejtonte, ishin të shprehura me një ton të kujdesshëm e miqësor.

Ishte kontakti i parë imi me një zyrë në shtetin gjerman. E mësuar me arrogancën fyese dhe sorollatjen denigruese të nëpunësve të institucioneve të vendit tim, isha befasuar nga ai trajtim aq njerëzor që po na ofrohej. Syve të saj të vëmendshem nuk i shpëtoi kjo gjë, dhe si për të qartësuar habinë time, u shpreh:

-Zonjë, unë ndodhem këtu për t’ju shërbyer, pikërisht për këtë paguhem.

Sado që dëshiroja të mos kujtoja trajtimin mizor, të shtrirë në vitet e mundimshme të një jete të mbushur me fshikullime dhe privacione, përballja me një model krejtësisht të ndryshëm, në një vend të huaj, që nuk më detyrohej aspak, ma bëri të pamundur këtë gjë. Në atë mozaik vuajtjesh e padrejtësish të pësuara, para syve të mi u çfaqën padronët e zinj të diktaturës dhe post diktaturës. Endërroja të ishte ndryshe, por më kot, hijenat ogurzeza të së kaluarës së largët, por dhe asaj të afërt,  ishin bashkëqytetarë të mi………….

……Ishte një ditë vere, kur drejtori më telefonoi se më priste urgjentisht në zyrën e tij. E parandjeva se diçka të keqe do të më komunikonte. Madje e prisja. Muajt e fundit ishin hedhur në rrugë shumë kolegë dhe miq të mi. Një furtunë e çmendur kundër gjithë atyre që nuk militonin për partinë e ardhur rishtas në pushtet, kishte përfshirë çdo qelizë të administratës shtetërore. Ndonëse puna që bëja nuk kishte aspak lidhje me politikën, kjo gjë nuk i pengonte ata, pinjollët e ricikluar të diktaturës, të shtypnin e përjashtonin nga e drejta dhe nevoja për të punuar e jetuar, të gjithë ata që nuk ishin shërbëtorë apo mbështetës të tyre. Në atë gjueti shtrigash që kishte nisur e nuk dinte të ndalej, në atë luftë të padrejtë përjashtuese, ashtu siç vetëm komunistët dijnë ta bëjnë, mbase më kishte ardhur rradha mua. Ndjehesha e pambrojtur, e angështuar, e fyer, ndërkohë që prisja ekzekutimin e dënimit tim të pa apelueshëm.

Hamendësimi nuk më “zhgënjeu”. Me një vetpërmbajtje vështirësisht të kontrolluar trokita në derën e zyrës së tij. Pa pritur të më përgjigjej, e hapa atë, dhe pasi shqiptova një “Mirëmëngjes” të thatë, u ula në njerën nga karriket që ishin vendosur përballë skrivanisë. Po prisja të më bënte të ditur përse më kishte thirrur. Disi nervoz, me sy gjysëm të ulur, të fiksuara pa asnjë kuptim mbi një stilolaps të vendosur mbi disa shkresurina të hedhura kuturu,  me një ton hipokrit, më tha:

-Motra! Nuk mund të vazhdosh më funksionin që kryen. Të tillë e kam urdhërin. Ti e di, kështu e kanë këto punë……….

Heshti për një çast. Dukej qartasi që nuk kishte mbaruar. Mezi po gëlltisja neverinë e asaj konfidence të pështirë  dhe tërësisht të pavend….Motra…..Unë motra e tij???… Cili vëlla do të sillej kësisoj??

I jargavitur, më tej vijoi……Ekziston një mënyrë që mund të vazhdosh punën, por duhet të paraqitesh një kërkesë transferimi prej këtu, në një funksion tjetër të një niveli  më të ulët…….kupton????……..Jam i bindur se do ta vlerësosh këtë sugjerim miqësor……po pres ta përgatisësh sa më parë këtë kërkesë dhe të ma sjellësh …..

Pasi shqiptoi këto fjalë,  mori një pamje disi triumfale. Mbase priste ta falenderoja për mundësinë “e artë” që po më ofronte. Duhej të ndjehesha e lumtur dhe mirënjohëse për propozimin fyes që më ofrohej si një lëmoshë mjerane. Ngriti sytë drejt meje, dhe po priste….. Çuditërisht, dukej mëse i sigurt se do pranoja pa hezitim propozimin e tij …….fundja, nuk isha e para që bëhesha viktimë e këtij  kalvari të turpshëm….kompromis për bukën e gojës….shumë e thjeshtë për të……e kishin pranuar përulësisht, shumë hallexhinj përpara meje. Kishin rënë të ngratët në këtë lloj gracke bllokuese, për t’u hedhur më pas pabesisht në rrugë,  por me një status e nivel shumë më të pafavorshëm nga ai që mbanin më parë. Dy herë të mashtruar e viktimizuar.

Ai burrë rreth të pesëdhjetave, në atë moment m’u duk i vogël, gati i padukshëm. Mjegulla e pabesisë e kishte shformuar tërësisht atë. Ishte shëmbëlltyra e skllavit mjeran të ideologjisë mizore të idhujve të tij, të cilët ideuan dhe zbatuan me zell në dhjetëra vite luftën përçarëse e vëllavrasëse të klasave. Ndjeva një pështjellim që po më merrte frymën. U ngrita nxitimthi nga karrikja, dhe prerazi i thashë se nuk kisha asnjë arsye të kërkoja me vullnetin tim “të lirë”, transferimin në një punë me status e pagë më të ulët.

– Bëni ç’të doni – i thashë, dhe tërhoqa derën pas vetes…………

Ashtu siç pritej, disa ditë më pas, më përjashtuan nga puna, duke më ndërprerë për rrjedhojë  edhe të ardhurat e përballimit të jetës modeste që bëja. Kësisoj, iu bashkova armatës së të papunëve që endeshin pa dobi me vite gjykatave, në kërkim të së drejtës së tyre të shkelur nga shteti dhunues neodiktatorial. Për gjithë ata të pashpresë, epilogu i kësaj lufte të pabarabartë mbyllej me një valixhe të mbushur me lot, zemërim e zhgënjim….majë një avioni apo trageti…..për t’ja mbathur  larg, larg.

…..Sakaq, nëpunësja gjermane kishte përfunduar detyrën e saj, dhe me të njejtën dashamirësi e mirësjellje, më ofroi një çantë me mbishkrimin “Willkommen”. Brenda saj ndodhej një katalog me pamjet më të bukura të qytetit. Me sa duket, këto dhurata simbolike, me mesazhe të vyera mbështetjeje dhe mikpritjeje njerëzore,  i rezervoheshin të gjithë banorëve të rinj të tij.  Kisha fatin të isha njera prej tyre dhe ta shijoja me emocion atë trajtim njerëzor të munguar.

Sakaq, dëbora e kishte ulur intensitetin e saj. Një diell që herë çfaqej e herë zhdukej pas reve të përhimta, i jepte asaj një vezullim të veçantë. Ndjehesha e ngazëllyer për eksperiencën emocionuese të asaj dite. Madje e mallëngjyer. Në mënyrë të pashmangshme, ajo ballafaqohej me padrejtësinë e vendit ku linda dhe kalova mes vuajtjeve dhe privacioneve gjithë jetën time.  Me një shtrëngim në zemër dhe vaj të kapërdirë, më mundonte dhe vijon të më trazojë pyetja e dhimbshme, për të cilën nuk arrij të formuloj dot një përgjigje:

-Vallë, do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?????

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a do te behet Shqiperia, Alma LIÇO, Atdhe, i gjithe shqiptareve

MISIONARI TRACKI DHE SHQIPNIA

July 17, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Alfons_Tracki

DON ALFONS TRACKI  (1896 – 1946)/

DOSJA 1885…18 KORRIK 1946/

Njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën  nr. 902/7: “…në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët : Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni. Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.

                                                  Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.

Në dokumentin e Sigurimit të Shkodres mungon emni i të pushkatuemit Kel Abati.

  • Don Alfonsi asht le nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lè në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët Shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se Shqiptarët janë këtu. Në Shqipni formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Shqiptarë Don Kolec Prennushi, At Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet. Në një kohë të shkurtë Ai mësoi mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Në Velipojë hapi një shkollë ku pergatiti disa Meshtarë dhe fshatarë të dijtun e studjues, nder të cilët asht kenë edhe Prof. Ndue Zef Toma.

Pasioni dhe njohja e zakonëve të Malësisë e vëndoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne.

Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e komandave naziste gjermane. Hausdingu e ftoi me shkue me ata…

  • Tracki ju përgjegj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe, as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar!”. Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu. Tracki nga Breslau në shpella të Maleve të Veriut…

E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki. Zoji Themeli, kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhetor 1945, njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.”

Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuen shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!?.. Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pergatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergj Vata, mbasi dinte shtigjet, ndersa të tjerët u nisën mbas tij.

Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë… ishte i zhytun në gjak. Ndoci e njeh… Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt… Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin  e vet në fund të jetës. Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!…” E lidhën  me litar dhe e sollën rrëshanë në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit.

At Konrrad Gjolaj, nxanës i Trackit tregon në librin e Tij “Çinarët”, Klerikët që ka pasë përgatitë mësuesi Misionar Don Alfonsi në Shqipni para vitit 1945:

  1. Don Mark Xhani, masakrohet në Sigurim të Mirditës në 1945; 36 vjeç.
  2. Don Dedë Maçaj, pushkatohet ushtar në Permet, në 1947. 27 vjeç.
  3. Don Mark Bicaj, i mbytun në Sigurim, në 1948, 37 vjeç.
  4. Don Dedë Malaj, i pushkatuem buzë liqenit Shkodres në 1959, 42 vjeç.
  5. Don Ejëll Deda, vdes i torturuem në burg në vitin 1948, 31 vjeç.
  6. Don Mark Hasi, vdes mbas 21 vjetësh burg në Ballsh, në 1981, 60 vjeç.
  7. Don Nikoll Gjini, vdes mbas 24 vjetësh burg, në 1987, 76 vjeç.
  8. Don Anton Muzaj, vdes nga torturat e Sigurimit në 1948, 29 vjeç.
  9. Don Ndue Soku, mbas 10 vjetësh burg vdes në 1976, 54 vjeç.
  10. Don Lazer Sheldija, vritet nga Sigurimi shqiptar në USA, në 1988.
  11. Don Injac Gjoka, dënohet 10 vjet burg.
  12. At Konrrad Gjolaj, dënohet 20 vjet burg.
  13. At Zef Pllumbi, dënohet 25 vjet burg.

At Konrrad Gjolaj, në librin që i kushton Mësuesit vet Don Alfons Tracki, jo vetem na jep Portretin e plotë të Tij, po edhe virtytet e një Misionari gjerman që i kushton jeten e vet Popullit Shqiptar. Në fundin e Nandorit 1944, kur gjermanët po iknin nga Shqipnia, në Velipojë vritet një ushtar gjerman. Pasojat dihen…

Rreshtohen per vrasje nga forcat gjermane 100 Burra nga Velipoja… Po, askush nuk dinte cili asht vrasësi. Shkon i thirrun prej malsorëve nga Shkodra Don Alfonsi dhe bisedon me oficerat gjerman, të cilët i bindë se vrasësi “nuk ishte Shqiptar”…

Të 100 Burrat lirohen dhe shkojnë shndosh nder shtëpijat e veta…

Per me shfarosë Burrat e Velipojës, loja e vrasjes së “ushtarit gjerman” ishte pergatitë dhe zbatue nga forcat komuniste jugosllave… Fati me e zbulue Misionari Tracki…

  • Po varrin ku e ka Ky Burrë që punoi, edukoi dhe shpetoi sa jetë Shqiptarësh edhe nder kampet naziste !? – Ate nuk e dijmë, se Ky ishte gjerman po, edhe Klerik Katolik…

Me kohen po zhduken jo vetem Veprat e mira të Këtyne Figurave të Mëdha… Po, edhe Emnat e Atyne që nuk kursyen as jeten per kenjen e Popullit Shqiptar n’ Europë!

Nga një bisedë me të Ndjerin Gjenarin Topalli në vitin 1996, më ka tregue: “Se, një ditë, kur punonte në gropat e gelqeres mbas Murit Gjakut, të Vorreve të Rrëmajit, Ai kishte mujtë me futë në një thes shumë Eshtna të pushkatuemish nën çinarët e Vorrezave. Ata Eshtna i kishte ruejtë me shpresen e një dite, që mund të vertetohen të kujt janë? Kishte besim se Ata janë pikrisht të Asaj gropë ku asht hjedhë i vramë edhe Don Alfons Tracki.

Vendi i Eshtnave të nesermen asht kthye në gropë gelqerje, po Gjenarini thesin e kishte futë në një vend të sigurt në pritje të varrosjes së Tyne…”

Po, kriminelët gjaksorë që nuk lane gja pa i ba Shqipnisë, ua lane trashigim krimin dhe vrasjen.., fëmijve të tyne bashkë me “rilindjen” e pushtetit !

  • Një etje e madhe me zhdukë Figurat e Mëdha Atdhetare me pikpamje Europjane!

***

Ah Shqipni, Shqipni…

Nuk mërrijte kurr me kuptue,

Se nga Vermoshi e deri poshtë në Greqi,

Sllavët komunistë nuk ngopen tue t’ pa t’ veshun zi…

E çka asht ma e keqja, “shqiptari” Shqiptarin.., do me zhbij…

            Melbourne, Korrik 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE SHQIPNIA ..., Fritz radovani, MISIONARI TRACKI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • 423
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT