• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disidencë në kohën e Visarit

April 17, 2017 by dgreca

Nga Shpendi Sollaku/

1-Visar

Ne Foto:Visar Zhiti/

E mendoj si tani sesi do te jene shkruar, apo te pakten si do te jene menduar keto vargje te Visar Zhitit: «- Gjysh, o gjysh, çohu…!/- Ç’është, bir?/- Kam frikë se mos nuk zgjohesh më.».Gjyshin  e tij e kam njohur mire ne femijeri dhe me ka mbetur ne kujtese si nje burre i moshuar fjalepake, shtatlarte, me hapin e ngadalte kur ecte, por mjaft i zellshem si kopshtar. Kishte syte enigmatike dhe nje veshtrim te thelle, qe ndoshta ne te vegjelve ndonjehere na kallte friken. Sidoqe te ishte, mjaftonte qe ai plak i pashem te hapte gojen qe te kuptoje se zeri i tij dilte nga nje shirt qe mbarte miresi te thelle.

Kishte nje bahçe te madhe gjyshi i Visarit, ngjitur me shtepine tone, nje gardh na ndante. Nje dericke formale lejonte qarkullimin e tyre deri ne oborrin tone dhe tonin ne bahcen e tyre. Ne fakt edhe çfare prodhonin kopshtet tona mund ta shijonin te dyja familjet.

E donte shume token gjyshi i Visarit. Peshperitej nder femijet qe kish qene i pasur, qe kish patur toka te mëdha andej nga Devolli, prandaj bente aq shume per kopshtin e tij. Ne te vegjelve nuk na duhej te dinim nese kish qene apo jo kulak, na mjaftonte idea qe, meqe e donte kaq shume kopshtin e tij, patjeter qe duhet te kish humbur kushedi sa toka andej larg Lushnjes.

Kur Visar Zhiti botoi poezine e mesiperme, ne mos gaboj ne nje numer te revistes «Nentori» te vitit  1972, ne adoleshentet e lagjes se tij i lidhem menjehere ato vargje me portretin dhe origjinen e gjyshit te tij. Kishim filluar edhe ne te shkruanim edhe te botonim tek-tuk ndonje varg. Qe Visari perdorte alegori ne ato vargje, per fat te keq nuk na kish rene ne sy vetem neve, fqinjeve te tij. Ato vargje u perdoren me vone edhe ne akuzen qe iu ngrit poetit tone ne gjyqin e montuar qe e dergoi ne qeli.

Mʼu kujtuan keto detaje ndersa lexoja nje shkrim te dikujt rreth ekzistences apo jo te disidences ne Shqiperi ne vitet e diktatures. Autori ngulte kembe se nuk ka pase patur. Une, nderkaq, ngul kembe se ka pase patur dhe te mjaftueshme, te botuar apo te mbetur sirtareve, te drejtperdrejte apo alegorike. Kjo poezi edhe mjaft shembuj te tjere prej vargjeve te Visarit apo te bashkohesve te tij, ishin deshmi e qarte se, edhe pas vargjesh te tilla ne dukje epigramatike, fshiheshin idera te medha: Çʼbeni, u zuri gjumi? Harruat se kush jeni?

A ka disidence me te qarte se kjo, pavaresisht nga mjetet artistike te perdorura?

Filed Under: Opinion Tagged With: Disidencë, në kohën e Visarit, Shpendi Sollaku

Kadare në Prishtinë dhe gjenerali dështak i Halil Matoshit

April 16, 2017 by dgreca

Ndue Ukaj, Shkrimtar/

Ismail Kadare nuk ka nevojë të mbrohet, sepse ai ka ndërtuar një perandori të madhe lexuesish, të shtrirë kudo në botë dhe ata janë mbrojtja ma e mirë përballë sulmeve tendencioze dhe mediokre, që i bëhen atij dhe veprës së tij. Prandaj, nuk dua ta mbroj Kadarenë, por e kam të vështirë të heshti përballë tendencës, për ta përdhosur një akt kulturore që ndodhi në Prishtinë, dhe po ashtu, nuk mund të heshti përballë synimit qyqar, për ta sajuar një gjeneral izolues në veprën e Kadaresë. Pa kurrfarë baze, por me qëndrime të forta dhe gjuhë linçuese, të tipit marksist, ku autori akuzohet si racist e etnocentrik.

Një sulm i tillë ndaj Kadaresë, mund të pritej në Beograd e Stamboll, por jo në Prishtinë, dhe si i tillë, nuk i përket mendësisë së Prishtinës, ku Kadare është autor shumë i dashur. Mbi bazë të leximeve të parakonceptuara të Halil Matoshit, letërsia është arena e përshtatshme, për të persekutuar secilin shkrimtar. Po, secilin.

Por, fiksioni, arti dhe të vërtetat e letërsisë, lexohen dhe interpretohen shumë më ndryshe. Dihet mirëfilli se Kadare është autori më universal që ka prodhuar raca shqiptare, dhe këtë fakt e pranojnë njohësit e veprës së tij: shqiptarë dhe të huaj. Po ashtu, dihet që Kadare i dha njohje universale letërsisë shqipe. Pikërisht për këtë arsye, ai nuk ka nevojë të mbrohet, sepse atë e mbron aureola e shkrimtari të madhe, një fortifikatë e sofistikuar, të cilën e ka ndërtuar me talentin e jashtëzakonshëm, nën thundrën e një regjimi të tmerrshëm, që artin e shihte si armik të madh.

Shkrimtarin Kadare dhe veprën e tij e mbrojnë çmimet dhe vlerësimet e panumërta, që merr kudo në botë, ku shija për artin dhe të bukurën, është përtej caqeve egoiste, shpirtngushtësisë dhe mendësisë rurale. Po, Kadarenë e mbrojnë librat dhe tekstet shumë të vlefshme e të shumta, që shkruhen përditë për veprën e tij anë e kënd botës. Në fund të fundit, kjo është lavdia e shkrimtarit, për të cilën aspiron secili që merret me letërsi. Të rrallë janë ata shkrimtarë që këtë lavdi e fitojnë për së gjalli. Kadare, pati një fat të tillë.

Halil Matoshi, kur shkruan për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, shkruan për një libër që e ka në kokën e tij, dhe jo për romanin fantastik të Kadaresë, me të cilin ai ka fituar famë botërore. Sepse, “Gjenerali…” i Kadaresë, është një rrëfim fantastik dhe shpotitës për luftën dhe tmerret që shkakton ajo, dhe askund nuk ka nuanca raciste. Përkundrazi, “Gjenerali” i Kadaresë është një fiksion letrar magjeps dhe i jashtëzakonshëm, për absurditetin e luftës, dhe tragjeditë që shkakton ajo, e të cilat, ai di t’i shndërrojë në vlera kulminante universale.

Më tej, gjenerali i Matoshit, mund të lexohet si një opinion apo pandehmë kundër autorit, dhe jo një mendim për veprën në fjalë. E më së paku një vlerësim letrar. Është një trill i turbullt. Është një sajesë fjalësh pa kurrfarë baze, me të cilën ai tenton të hedh baltë mbi personalitetin e autorit. E gjithë kjo, mund të lidhet me faktin se, Kadare është dishepulli më besnik i ideve europane të shqiptarëve, ndërkaq vepra e tij, jehona ma pozitive e vlerave oksidentale të shqiptarëve; vlera këto që tundojnë dhe hutojnë jo pak shqiptarë.

Në kritikën letrare, shpeshherë thuhet se një lexues i keq, që lexon me paramendime dhe qëllime tendencioze, mund ta shkretojë secilën vepër. Madje edhe kryeveprat e njerëzimit, “Komedinë Hyjnore”, “Hamletin”, “Fasutin”, “Procesin”, etj. Dhe, nëse doni të dini, shembuj të tillë kemi edhe përbrenda mendimit letrar shqiptar. Në kritikën letrare, ekziston një mendim i pranuar gjithandej, se lexuesit skematikë, të dobët, lexuesit ideologjikë, mund ta mjegullojnë çdo vepër, por fati i mirë është që këto mendime dhe interpretime stihike, kanë stinën e tyre të përkohshme, ndërkaq vepra e mirë letrare, shkruhet për përjetësi, ashtu siç është shkruar për përjetësi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur “, që autorin e bëri gjeneral të letërsisë shqipe dhe asaj botërore.

Javën e kaluar, Kadare u vlerësua në Prishtinë, mirëpo ky akt kulturor, u bë pretekst që disa figura të hutuara, që ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët, të fillojnë me avazin e njëjtë: sulme dhe përbaltje mbi Kadarenë. Këto vërsulje, nuk janë të reja. Ato dalin sipërfaqe, sa herë i rritet shkëlqimi estetik i veprës së tij. Dhe si të tilla, nuk ka sesi të shpjegohen ndryshe, përpos agjenda kundër tij, të injektuara me helm e mllef, që më së paku mund të jetë letrar.

Pa dyshim, është mendim infantil që nga Prishtina, t’i kërkohet autorit disidentizmi, kur kritika botërore qëmoti pohon se Kadare është autori që e sfidoi socrealizmin, shkruan, John Carey, kritik i shquar i Britanisë së Madhe. Pra, ata që kërkojnë një gjë të tillë, duhet të pyeten: pse heshtën në kohën kur në Prishtinë nuk guxohej të përmendej Fishta, Haxhiademi, Konica, Kuteli, Camaj, Pipa, dhe shumë autorë të tjerë? Po, këta jetonin në një sistem goxha liberal dhe heshtën, sepse u solidarizuan me sivëllezërit e tyre ideologjikë nga Shqipëria.

Pa dyshim, nga perspektiva e sotme, mund të themi, ma mirë bëri Kadare që shkroi ashtu siç shkroi kundër Fishtës, sesa shqiptarët e Kosovës që e heshtën. Apo të tillë, që edhe sot, Fishtën e konsiderojnë fashist. Dihet, Shqipëria komuniste, nëpërmjet deduksioneve socrealiste, për njeriun e ri, tentoi ta shkatërronte trashëgiminë letrare të figurave që konsideroheshin hale në sytë e regjimit. Pastaj, ajo e instrumentalizoi artin, në funksion të ideologjisë utopike, për krijimin e njeriut të ri socialist, të moralshëm e pa mëkate, ku partia kujdesej për moralin publik, dhe ku individi, detyrohej t’i nënshtrohej kodit të përcaktuar ideologjik.

Mirëpo, në Kosovë, mësime dhe shtrëngime të ngjashme nuk pati. E meqë nuk pati metoda të tilla, shkrimtarët nuk burgoseshin pse shkruan vepra letrare. Atëherë pse u heshtën shumë shkrimtarë shqiptarë? Koha është që të bien maskat dhe të flitet hapur për këtë temë. Në këtë aspekt, është neveritëse tendenca që çon krye herë pas herë në Kosovë, kur shkruhet dhe flitet rreth figurës së Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Ka shumë autorë nga Kosova, që e stigmatizojnë dhe akuzojnë rëndë atë, për gjoja flirte me komunizmin dhe socrealizmin, ndërkohë që të njëjtit, heshtnin ndaj shumë sivëllezërve të tyre shqiptarë, që shpalleshin armiq, heshteshin, përbuzeshin dhe anatemoheshin në Prishtinë. Dhe nga ky mëkat, pak kush mund të amnistohet.

Në zagushinë mbytëse, në të cilën është katandisë shoqëria jonë, ku lajmet e mira janë të rralla, ardhja e një shkrimtari me përmasa planetare, siç është Ismail Kadare, është festë dhe bekim. Kështu ngjet kudo në botën normale, dhe kështu ishte edhe në Prishtinë, ku Kadare, si autoritet i padiskutueshëm letrar, u mirëprit nga lexues të shumtë, që prisnin me orë të tëra, për ta takuar, për t’u fotografuar me të dhe për ta marrë një libër me nënshkrim të tijin. Ndaj, trillet dhe insinuatat me prapavijë, nuk i bëjnë kurrfarë dëmi autorit, sepse, ai qëmoti është në ato lartësi, ku pështyma nuk mbërrin. Po, sepse ai qëmoti është certifikuar nga lexuesi i kultivuar, kudo në botë. Është klishe të thuhet që ai është shkrimtar i dashur dhe titani i letërsisë, dhe në hierarkinë e vlerave të përbotshme, është ngritë në saje të artit të tij dhe jo të ideologjisë a politikës. Por, është e udhës ta përsërisim, për t’iu hapë sytë atyre që janë të verbuar nga urrejtja kundër tij. Unë isha i nderuar që pata fatin dhe mundësinë të isha pjesë e një ekipi që e vlerësoi atë. Dhe jam i bindur se të dish ta vlerësosh atë, domethënë ta dish vlerësosh vetveten, gjuhën dhe kulturën tënde. Kadare nuk ka nevojë për ne, ne për të po. Edhe një gjë: sulmet ndaj personalitetit të Kadaresë, kanë stinën e tyre të përhershme. Janë të pështira dhe neveritëse. Sa herë që ai përmendet, dhe për fat të mirë ai përmendet shpesh, një kontingjent shkruesish, të paktë, por të zhurmshëm, gërvallën kuturu kundër tij dhe veprës së tij.

E kam thënë dhe po e përsëris: ata që tentojnë ta përbaltin veprën e tij, bëjnë lojën e trumcakut, që përpiqet ta pështyjë diellin. Sepse “Ismail Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar”, shkruan Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze. Përballë një luani, zhurmuesit, s’kanë ç’të bëjnë tjetër, përveçse të kukurisin.

Për Kadarenë dhe veprën e tij letrare është shkruar dhe do të shkruhet shumë. Ai është krahasuar me shkrimtarët ma të mëdhenj të njerëzimit, me ata që janë të papërsëritshëm. Pa dyshim, ai meriton vlerësime të pafundme, sepse na ka dhanë një vepër gjeniale. Më pëlqen shpeshherë t’i veçoj dy vlerësime, atë të At Zef Pllumit dhe Ibrahim Rugovës, sepse burojnë nga ne, dhe janë vlerësime të dy personaliteteve me peshë. I pari solidarizohet me Kadarenë, sepse ai është sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit europian të shqiptarëve, ndërsa Rugova shkruan se Kadare përgjigjet për çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa imponim autoriteti. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole. Por, vargu i vlerësimeve të tilla është i pafund. Në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Paris, Romë, Berlin, Londër, Madrid, Stokholm, Uashington, Jerusalem. Kudo ku vlerësohet e bukura pohohet: Disident apo jo, Kadare është njeri prej më të mirëve.” Gjeniu i letërsisë shqipe, është përfaqësuesi ma i denjë i kulturës dhe letërsisë shqipe në botë. Nëpërmjet tij, bota na ka kuptuar më mirë, na ka vlerësuar më drejt dhe na ka çmuar më shumë. Prandaj, por për çdo ditë, kemi arsye të themi: Kadare është bekim për kulturën shqiptare.

Image result for kadare ne prishtine

Filed Under: Opinion Tagged With: dështak, dhe gjenerali, i Halil Matoshit, Kadare në Prishtinë, Ndue Ukaj

Rama-Meta ftojnë PPE: Dialog pa kushte me opozitën

April 15, 2017 by dgreca

Tirane, 15 Prill 2017- Takimi mes Edi Ramës dhe Ilir Metës ka zgjatur për rreth 1 orë e 20 minuta në ambientet e “Hotel Tirana” në kryeqytet. I pari ka qënë kryeministri Rama që ka lënë ambientin duke ia lënë në dorë aleatit të tij, Meta të japë detaje nga takimi. 

Dy krerët e maxhorancës kanë vendosur të drejtohen zyrtarisht Partive Popullore Europiane që të angazhohen në dialogun me opozitën, pasi kjo e fundit ka mungesë besimi.

“Dëshiroj të theksoj se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve tona për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë si themeli i një shoqërie europiane. Me këtë rast vullneti për të nisur një dialog pa kushte që tani me opozitën dhe drejtuesit e saj. Së dyti, kemi vendosur të vazhdojmë procedurat kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, por pa paraqitur asnjë emër, apo pa mbështetur asnjë kandidaturë, pa dialoguar dhe pa bërë përpjekje për të arritur konsensusin dhe me opozitën për çështjen e presidentit edhe pse kjo maxchorancë ka gati 90 vota në Parlament. Së treti, duke parë vështirësinë e opozitës për të pasur besim, dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur që ti drejothemi zyrtarisht PPE ku dhe PD është anëtare që të asistojë sa më shpejtë të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, të qeta, demoratike dhe të ndershme dh epo kështu dhe procesi i integrimit europian dhe të jgihtë reformave të jetë i suksesshëm”, tha Meta.
Ai nuk ka folur për fatin e koalicionit duke thënë se nuk është kjo e rëndësishme. Ndërsa për presidentit, ai theksoi se pavarësisht se maxhoranca ka 90 vota, do të kërkojë konsensus të gjerë.
“Kjo nuk është çështja më e rëndësishme, më e rëndësishme është ajo që thashë dhe le të punojmë të gjithë sa më shpejtë për këtë dialog. Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale, dhe natyrisht për këtë është i domosdoshëm dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën”, tha Meta.
Ai shprehu gatishmërinë për tu takuar me zotin Basha në çdo moment që ky i fundit do ta kërkonte.

Filed Under: Opinion Tagged With: PPE, presidenti, Takimi Rama-Meta, vota

Me drogë, jo me kapsolle …

April 14, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

 Opozitë më shumë se kurrë e ndjej sot peshën tënde. Dhe ndofta më shumë se unë, e do vendi. Veç do thosha, jo me fishekzjarre. Jo me kapsolla të mbetura duarsh. Pasi ajo godinë nuk është e Edi Ramës. Pavarsisht lojrave abstraksioniste që mendja e tij i ka qejf. Pavarsisht ngjyrave të ngatërruara. Që shpura e tij i quan moderne. Ajo godinë është e historisë së shqiptarëve. Dhe jo e atyre që vine e ikin.

Ndaj ne duhet të prishim një here e përgjithmonë. Faktin e goditjes me gurë, me kapsolla, me fishekzjarrë etj. Pasi mëkatet janë të njerzve, jo të asaj godine. E cila pikërisht falë dashjes së tyre thith lekë çdo vit nga xhepat tuaj. Lekë për lyerje e shlyerje. Modelime e rimodelime. Aq sa e kuqja është derdhur me një shumicë vrastare nervash.

Nuk e hap dot shtypin. Nuk dëgjon dot një television se, vetëm drogë. Deri dje, flitej për parcela. Për fluturakë a mushkonja qeverie. Aq sa ata që tregonin për ndonjë avion të ulur diku. Dukeshin krejt të marrë.

Sot po na dalin magazina. Veç magazina kudo. Tonra me drogë. Gjithë kazermat e braktisura, depot e grumbullimit etj. Kudo. Veç thasë të zinj me drogë. Mos e lini vendin të helmohet më. Pasi tregon se do të kemi një të ardhme Ku në vend që të përmisojmë jetën e qytetarëve. Do të merremi me luftën kundër karteleve. Atëhere edhe demokracia nuk është më demokraci. Por system luftrash midis uniformave dhe kartele. Një lloj lufte civile ku vdesin njerëz të pafajshëm.

Këtë që Kolumbia ka më shumë se tri dekada që po e bën.

Sinqerisht është dita jote, opozite. Ndaj marsho me drogë nëpër duar. Mjafton një kërkesë qoftë dhe simpatizantëve nëpër rrethe. I keni me mijra. Me siguri thasët, tufzat me kanabis do vijnë.

Kësisoj është më mire se sa kapsollat që hedhin disa të nevrikosur. Të cilët kujtojnë se e humbëm betejën. Asesi jo…

Madje zgjedhjet janë gjëja më e parëndësishme në këtë kohë për Shqipërinë. Qofshin këto për pretendimin e një presidenti konsensual. (Që kurrë nuk ka qënë i tillë). Qofshin ato të 18 qershorit…, aq më tepër pa reformat e duhura, ku të vdesi një here e mire përfaqësimi fiktiv i shqiptarëve në Kuvendin e tyre.

Sinqerisht nuk janë çështje. Janë teka. Pasi nuk gjë që nuk bëhet. Sidomos kur bëhet fjalë për çështje teknike.

Droga është çështja më e madhe. Ndaj mos i lini vetëm, luftëtarët, vëllezërit tanë në Itali e Greqi. Nuk e hap dot televizorin. Shqiptarët, gomonet, droga. Jemi bërë për turp.

Kështu është sot mesdheu. Gomone me sirianë, ose gomone me drogë nga Shqipëria.

Asnjë aleancë nuk vlen. Asnjë.

Ndaj them që marshoni me kanabis. Sillini ato thasë të zinj aty tek shkallët e këtij shakaxhiut të përparimit.

Droga do na kushtojë gjithçka.

Deri në ekzistencë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, jo me kapsolle ..., Me drogë

Një gjegje të shkurtër Pse-s së padër Zef Pllumit

April 13, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

1-zef_pllumi

1) Në hyrjen e librit Rrno vetëm për me tregue, frati i kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, thotë. ”Ngjarjet që ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifje të njaj propogande politike, por përshkrime të zbehta të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipni për gati 50 vjet. Vendi im nuk është në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit perëndimor. Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandaj autori u kërkon të falun mbasi nuk është shkrimtar dhe me dashamirësi ju këshillon që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato… Pse?”

Eh padër…, thua a kemi xën?!
2) Plot 32 vite më pare u nda nga jeta Enver Hoxha. Lideri suprem i diktaturës së proletariatit dhe i luftës së klasave.
T’i falemi diabetit se ne as kishim ndërmend ta rrëzonim.
Persekutori i klerit katolik shqiptar. I At Zef Pllumit.
Një epokë e nisur me suport sllav. Aq sa edhe sot e ka bërë nostalgjik një president të porsazgjedhur si ai i Serbisë.
Nga një sua njerëzish që veç armikut të huaj. U dukej më zi kundërshtari politik prej gjaku. Ca më tepër kur edhe mospasja kthehej nga një zili në revolucion.
Mjafton që një poet të shkruante se, një bote e re po ngrihet gërmadhash. Dhe e drejta për të qënë revolucionar është pronë e lirë. Kështu që, ai Dul Bazhdari (bazhdar quheshin ata qe kishin nga një kandar e u peshonin mallin njerëzve në pazar), e kishte me hak të spostohej në syrin vigjilent të partisë. Si të tha kur të torturonte me pyetje, kontrolle, sajime provash etj. ”Un e kam profesion rrenën se, sikur mos të rrejshem me kandar un do të delshem filuz. Un ishem I përbuzun prej gjithkujt; dikush më thirrte Dul Qorri e dikush Dul Rrena. Ndërsa Partia më ka ba njeri të nderuem: Më sheh? I veshun e mbathun si krajl, ha e pi shka më do qefi: e atëhere si mos të punoj për Partinë.”
3)Po të kërkosh sot në internet… shqiptarët ditët e prillit 1985 kanë qarë me oiiii. Kanë qënë në rresht përgjatë gjithë bulevardit. Kanë mbushur stendat e emulacionit me dedikime zemre, pasi i druheshin si dreqi një fantazme pushtimi. Aq sa sajimet e sigurimit të shtetit me desantime grupesh. Siç qe rasti i Xhevdet Mustafës. Ngjanin kaq reale sa me të drejtë njeriu i thjesht e shikonte armikun e klasës si burim paniku.
Ne kemi besuar vërtet në ekzistencën e armikut të klasës.
Kemi besuar vërtet se feja është opium për popujt. Ndaj nuk kemi reshtur së ndërkryeri klerin e cilit do lloj besimi.
Më kujtohet nga fëmijëria ime, kur vdisnin të ngacmonin një hoxhë. E kam shkruar. Një njëri I urtë që vetëm me veten fliste. Por ne e shikonim si reaksionar. Pavarsisht se ngacmimeve tona ai u përgjigjej me vështrime të ngrohta.
Pastaj në ato ditë prillit, kur morëm lajmin e kobshëm. Që ”komandanti” legjendar mbaroi. Kemi ulëritur…
Si sot më kujtohet. Kam qënë në vitin e pare.
Nga 150 veta që ishim aty, vetëm 1 mund të mos ketë qarë. Por edhe ky, për karshillëk ndaj nesh. Shkurt kemi besuar si dreqi. Mirëpo tanimë, kjo kultura e antenveristave është bërë e modës. Të gjithë na pëlqen të tregohemi antienverista.
I kemi bërë baballarët tanë, bijtë e kazmës, lopatës, të punës vullnetare. Heronj të heshtur të demokracisë.
Tregojmë ngjarje, kujtime, si antienverista. Pa e kuptuar kurrë se, kjo që bëjmë nuk është distancim nga diktatura. Përkundrazi është devijim nga progresi kaq i domosdoshëm për shoqërinë tone. Hapja e barkut. Ndjesa. Pajtimi kombëtar.
4) Sot tek ne monosistemi ka pjellur monoparti dhe mono mendje. Pavarsisht antienverizmit. Ka sjellë edhe monogrupe që besojnë verbërisht ashtu si ne dikur…, që e konsideronim socialimperialzmin një kalbëzim. Atëhere një i ri që kërkonte të arratisej, vritej nga ne. Sot të vret po nuk e ndihmove të arratiset. Nuk e diskutoj, ty me siguri duhet të kujtohet më mire… pas luftës, kishte një marri kolektive për tu treguar antifashist, anti nazist e anti kulakëri. Kishte një marrëzi kolektive për tu shpallur shtëpi dëshmori, a bazë e luftës. Mjerë vertetimet çfarë kanë hequr. Sot është po kjo marrimania kolektive për tu treguar antienverista.
Shkurt e njëjta frymë ekstreme. Kësisoj…ngjan më se normale edhe puna e votimit monoparti pushtet.
Dhe një populli të tërë as që I bën përpshtypje fare. Edhe pse çirren për antienverizëm. Sikur ta kenë vdekur këta Enverin, jo diabeti.
Falna vuajtjet që të shkaktuam. Falna në marrëzinë tonë kolektive. Pasi jemi bërë me kohë për tu mëshiruar.
Dhe lutu që Ai lart bëftë ndonjë mrekulli e të na fusi në shina.
Po Enverin, e deshëm me të vërtetë. Madje shumë më tepër këta, që sot, hiqen, antienver. Këta monoenveristët, fara më keqje.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Një gjegje, të shkurtër Pse-s së padër, Zef Pllumit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 496
  • 497
  • 498
  • 499
  • 500
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT