• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU JE, O SHTET?- SI MUND TE DUROHET FYERJA E NJE KOMBI ?

July 6, 2016 by dgreca

A ka shtet Republika e Shqipërisë që pranon të fyhet heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Lezhë nga një pseudo-historian turk ?/

-Opinion nga Lek Gjoka/ Jacksonville-Florida/

Sipas të gjithë masmedias shqiptare një skandal i rëndë ka ndodhur tek varri i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Lezhë.

Pseudo historiani turk Talha Uğurluel, gjatë një vizitë që ka zhvilluar tek varri i heroit tonë kombëtar e ka sharë dhe ofenduar Skënderbeun. Ndër të tjerash ai ka shtuar: “Skënderbeu nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK një parti terroriste që vret dy-tre vete dhe largohet duke lëne terror nga pas”.

Fjalimi i pseudo-historianit është shoqëruar me duartrokitje nga vizitorët turq. Ai është shprehur se shqiptarët këtej e tutje duhet të zgjedhin sesi te jetojnë, si Mehmet Akif Ersoy shqiptar, por besnik i Osmaneve, apo si Skënderbeu tradhtar i Perandorisë osmane-turko.

Pseudo-historiani turk njihet si një studiues i periudhës osmane. Veç publikimeve historike ai drejton edhe disa ture turistike për qytetarët turq në vendet e rajonit. Qëllimi i tureve është njohja e historisë së Perandorisë turke në zonat kur dikur shtrihej perandoria. Fjalimi që mban në video është pjesë e leksioneve që ai mban edhe në universitetet turke, fatkeqësisht me shumë mllef e gënjeshtra për heroin dhe historinë tonë…

I vetmi zyrtar shqiptar që ka reaguar është kryetari i Bashkisë së Lezhës zoti Fran Frroku i cili nder të tjera ka thënë: Fjalët fyese janë dashakeqëse dhe nuk do të kenë asnjë përfitim në qëllimet e tilla. Në nuk i cenojmë heronjtë e tyre, çdo popull ka heronjtë e tij  ne pretendojmë që njihemi mirë me heroin tonë kombëtar, larg pikëpamjeve fetare, është një hero që ka bërë emër me historinë e tij dhe me kontributin tij ndaj kombit tone shqiptar dhe personalisht e dënoj si akt”.

Në të njëjtën linjë për ngjarjen ka qenë edhe Myftinia e Lezhës. Imami i xhamisë së qytetit Mois Shehu tha se komuniteti mysliman lezhjan distancohet nga akte të tillë, duke deklaruar se është e pafalshme që të fyhet një hero kombëtar siç është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Distancohemi nga ky akt  dhe duhet ti lemë historianët  të flasin dhe më shumë  se ka folur historia për heroin tonë që është heroi i vetëm kombëtar  ne s’kemi se çfarë shtojmë. E dënojmë si akt  që të fyet një hero kombëtar  i një populli siç jemi ne”, shprehet Shehu.

Sigurisht zëri i një krye bashkiaku apo përfaqësuesve te fesë islame në Lezhë ka vlerën e tij por Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk është vetëm heroi i lezhjaneve por i gjithë kombit shqiptar ndaj qeveria e Shqipërisë pse jo edhe e Kosovës duhet të reagoj.

Me çudit fakti se perse qeveria socialiste duhet të prese disa kohe qe të firmoset një peticion online për shpalljen non grada të këtij pseudo-historiani turk që na fyen heroin kombëtar ndërkohe që vete Kushtetuta e Shqipërisë i ka dhëne të drejte qeverise në ligjet e saja për të mbrojtur figurat dhe heronjtë e kombit shqiptar pavarësisht së kujt besimi fetar i përkisnin duke e shpallur direkt non grada pseudo-historianin turk Talha Uğurluel.

Nuk e kuptoj pse ministria e kulturës nuk jep dorëheqjen apo do të pres demonstrata qe mund të dalin edhe jashtë kontrollit dhe të shfrytëzohen edhe nga politika e korruptuar shqiptare. Faktikisht kjo ministre duhet të ishte larguar nga qeveria Rama që në përplasjen e pare në vendosjen e pllakës se Sulltan Mehmetit në kalanë e Lezhës me force. Madje me paturpësi ne një emision televiziv ku edhe ajo ishte pjesëmarrëse fyhen qytetaret e Lezhës sepse si qytetare të besimit katolik nuk e duan pllakën e Sulltan Mehmetit të kalaja e Lezhës së është mysliman sepse “ai sulltan i përket historisë së kombit shqiptar”(sipas ministres se kulturës ne emisionin televiziv Opinion tek Klan TV).Sigurisht zonja ministre e di që i përket historisë por historisë se pushtimit të trojeve shqiptare , të vrasjeve, të burgosjeve, të eliminimit me zjarr e hekur të gjuhës shqipe, të kthimit me dhunë në besimin e perandorisë osmane etj. dhe sipas teje duhet që t’iu tregojmë turisteve të huaj se ja në respektojmë Mehmet pushtuesin e vendosim mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu!.

Gabohesh rende jo veten ti por çdo politikan në Shqipëri dhe Kosovë që nuk e di arsyen që bëheni sahan lëpirës në duart e Erdoganit i cili do të ringjalle historinë e pushtimeve të perandorisë osmane duke investuar miliona euro si në telenovelat turke që transmetohen nga TV shqiptare ashtu duke hapur medrese për myslimanet shqiptare. Personalisht nuk jam kundra hapjes se shkollave fetare të çdo lloj besime por sipas rregullave të ministrisë së arsimit të Shqipërisë. Nuk mund të tolerohet festimi i mbarimit të shkollës së mesme në medresenë e Shkodrës ku festohet vetëm me flamur turk e jo edhe atë shqiptar. Sigurisht ministrja e arsimit zonja Nikolla ka pase “gabim” numrin e syzeve dhe nuk e ka pare mungesën e flamurit kuq e zi në Shkodër!.

Duke kaluar nëpër vitet që nga rrëzimi i diktaturës komuniste deri sot politika shqiptare po bën shumë gabime të pa falshme ndaj kombit shqiptar. Gabimi i pare ishte nga qeveria demokratike dhe lideri i saj Berisha me futjen e Shqipërisë në Konferencën e Shteteve Islamike(megjithëse asgjë nuk përfituam madje shumica nuk pranon ta njohë as Kosovën si shtet) dhe tani qeverisja socialiste me kryeministrin Rama që bën një sy qorr e një vesh shurdh duke mos mbrojtur historinë dhe heronjtë e kombit shqiptar siç është rasti i pllakës se Sulltanit në kalanë e Lezhës apo fyerja e fundit e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nga pseudo-historian turk të cilin shteti shqiptar nuk e shpall person të pa dëshirueshëm për Shqipërinë ndërkohe që qeveria greke shpall person nën grada gazetarin Marin Mema vetëm se filmoi e tha në një dokumentar të vërteten e gjenocidit grek ndaj popullsisë çamë në trojet e tyre .

Jacksonville Florida

Korrik 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: fyerja e heroit Kombetar, Lek Gjoka, pseudohistoriani turk

Politikanët e Shqipërisë në delir për Brexit, parashikojnë BExit, SHBAexit!

July 6, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

(Grotesk)/

Politikanët e Shqipërisë londineze me maçkë e me kuçkë janë në eufori të plotë duke shijuar Brexit!I ka kapur aq shumë entusiazmi analizues sa kanë vendosur që me punimet e këtyre dy-tri ditëve botuar në shtypin e Tiranës të mbrojnë në Universitetin e metropolit Europianist nga një Ph.D. për të marrë titullin Brexit-ologë!

Janë gjetur po ashtu sponsorët për një seri botimesh dhe përkthimin e tyre në gjuhët angleze, franceze, gjermane, kineze dhe hindu.

Do të ketë edhe një çmim me emrin David Cameron për Brexit-ologun më të thekshëm shqiptar. Thuhet se do të vijë vetë Cameron në një Gala që do të jepet live në të gjithe televizionet kombëtare shqiptare përfshi BBC.

Maçkë e kuçkë e përdor si eufemizëm përkatërisht për opinionistët dhe portalët  që po shkruajnë e botojnë me një bollëk të paparë oped-e, opinione, editoriale, shkrime, analiza, komente, reagime, polemika, debate, dialogje, monologje duke shkaktuar zili deri në Oksford për mënyrën se si janë duke i qarë hallin dhe përshkruar tash e mbas vetminë e madhe të Anglisë.

Po e analizojnë situatën në nivel kombëtar, kontinental dhe global se çfarë pritet pas referendumit të 23 qershorit, që për koincidencë përkon me datën e zgjedhjeve në Shqipëri, tri vite më parë.

Politikanët e Shqipërisë londineze po shqetësohen tmerrësisht për fatin e botës anglo-saksone, kur ata imagjinojnë shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, ditë e ëndërruar që nga koha e Sir Walter Scott e deri tek Sir Sean Connery, kryespiuni 007, më i famshëm i Mbretëreshës.

Pas shkëputjes së Skocisë i vjen rradha Irlandës së Veriut që t’i bashkangjitet Republikës së Irlandës.

Politikanët e Shqipërisë londineze po u qajnë hallin bursave, miliardave që shkrumbohen, uljes të vlerës së Pound-it, ndërsa nga ana tjetër e shohin legjitime që të qeshin nën hundë me të gjithë ish-Ambasadorët e Britanisë së Madhe në Tiranë që u jepnin leksione me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE!

Dezintegrimin e ishullit, politikanët e Shqipërisë londineze, e shohin si hapin e parë të një efekti domino apo reaksion zinxhir, quajeni si të doni, a nuk doli Marine Le Pen menjëherë me thirrjen për Frexit, që pritet të shkojë deri tek dezintegrimi i BE-së. Nga BE të bëhet BExit!

Në këtë pikë politikanët shqiptarë me maçkë e kuçkë nuk përmbahen, nuk pyesin fare për sjelljen diplomatike dhe tallen për fushë!  Sidomos me zyrtarët e BE-së dhe veçanërisht e kanë pikën e tyre të dobët Ambasadoren Vlahutin e cila do të mbetet pa punë kur të dezintegrohet BE-ja!

Kur të mbetet pa punë, parashikojnë  politikanët shqiptarë,  Ambasadorja Vlahutin do të bëhet ish-Ambasadorja Vlahutin dhe më në fund do ta mbyllë gojën e nuk do t’i lodhë me reformën në drejtësi. E çfarë i duhet Shqipërisë reforma për drejtësi tani kur të gjithë po dalin exit!

Por, politikanët shqiptarë nuk ngopen as me Brexit dhe as me BExit, pas dezintegrimit të BE-së syrin e parashikimeve e kanë përtej oqeanit, aty e kanë pikën e qejfit,  sepse sipas tyre kur arrin të dezintegrohet ish-Mbretëresha e Deteve e përse të mos dezintegrohen sidomos SHBA-të, një ish-koloni e Brexit!

Dhe pastaj ajo puna e reformës në drejtësi is over. Mbyllet përfundimisht.

Nga dezintegrimi i SHBA do të krijohen 50 shtete, që do të kenë 50 DASH e në Shqipëri do të hapen 50 ambasada; nga çdo shtet i ish-SHBA do të dalë një president që do të emërojë në Shqipëri seicili nga një ambasador!

Ndërsa ky aktuali s’do të ketë çfarë të bëjë, aq më tepër që e ka tepruar shumë duke ndërhyrë deri në punët e brendëshme e shkelur sovranitetin!

Dezintegrimit dhe shkërmoqjes i shpëton vetëm Sali Berisha me të tijtë, Edi Rama me të tijtë, Ilir Meta me të tijtë, plus maçkat dhe kuçkat, sidomos ky Fatmir Mediu, me të gjithë të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, me gjithë presidentin, kryeprokurorin e shefin e SHIK-ut.

23 qershori 2016 do të do të hyjë në historinë botërore si data e startExit, ndërsa për klasën politike shqiptare kjo datë përkon me triumfin në rrang global të sistemit të tyre model dhe sfidues ndaj BE, SHBA, NATO, CIA, FBI, Interpol, ku të gjithë rrezikojnë të dezintegrohen përveç sistemit të Shqipërisë londineze që shkëlqen si fener ndriçues i mafies demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politikanet shqiptare, SHBA exit

VJEDHJA NE RINAS DHE IMAZHI I SHTETIT

July 5, 2016 by dgreca

OPINION  NGA ASLLAN BUSHATI/

Në mesditën e 30 qershorit 2016, në aeroportin e Rinasit bëhet e ditur se ka ndodhur një vjedhje “spektakolare” e mjeteve monetare valutë në trasfertë   jashtë Shqipërisë. Thuhet se sasia  ka qenë rreth 83 kilogramë (peshë), të cilat minimalja  sikur të ishin të gjitha të prerjes njëzetëshe,janë afërsisht 3.6 milion euro. Po sikur qoftë larg  të kenë qenë  prerje  pesëdhjetëshe…38 milion. Pra thënia zyrtare për vjedhje rreth një million euro, është një tallje e vogël zyrtare (por me shumë miliona) me qytetarët e varfër  shqiptar.

Shkaqeve të kësaj ngjarjeve do t’ju këthehemi më pas, por më parë le të analizojmë një  konstatim që thotë  se:” cdo ditë nga bankat shqiptare të nivelit dytë , dalin  jashtë vendit rreth 8-10 milion euro”. Pyetja  më madhore shtrohet pse ka kaq shumë banka të huaja në Shqipëri ? Një vend i varfër  dhe me resurse të kufizuara ekonomike  a ka mundësi të gjenerojë kaq shumë para (madje kesh dhe në valutë)? Disa gojë të liga thonë se  kjo është e pa mundur ,por që tashmë ky vend komandohet nga bandat kriminale vendase dhe interesat e të huaja që pastrojnë parat e pista me shumë lehtësi. Po në se pastrohen para, pyetja më primitive  është se pse  nuk duken investime në Shqipëri? Disa thonë se mjafton që parat të futen në valle dhe pastaj pjesa e luanit del atje ku ka më shumë interes investimi (jashtë) dhe një pjesë shkon  tek plantacionet e hashashit se tashmë “Lazarat “ është kethyer e gjithë Shqipëria. Me te drejtë disa të tjerë pyesin , atëherë  pse shteti nuk kërkon origjinën e këtyre parave në lëvizje, pse ikën nga vendi ynë kjo para kesh, pse “lahen” parat këtu dhe  trasferta bëhet diku tjetër? A e ka nën  kontrollon Banka e Shqipërise këtë veprimtari? Thuhet se 10 përqind  e depozitave mbahen  për likuiditetin e detyrimeve të brendëshme dhe 90 përqind valuta del jashtë nisur nga interesat bankare. Por pyetja shtrohet po interesat  shqiptare ku jane? Këto banka janë ngritur me pëlqimin e Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Shtetit Shqiptar, atëherë këto dy organizma më të mëdhejt ekonomik ,pse bëhen sehirxhinj? Kjo mban erë të keqe, jo vetëm korrupsion por më shumë –kriminalitet i organizuar  kundër shtetit shqiptar.

Në këtë rrokopujë pisllëqesh edhe një tjetër problem madhor evidentohet  me aeroportin e Rinasit. Pra  disa vitesh Qeveria Socialiste e kryesuar nga Fatos Nano e dha me koncesion per 25 vjet duke i shkaktuar vendit një humbje të madhe ekonomike e duke e bërë udhëtimin  e shqiptarëve më të shtrejtin në Europë për disa vite. U tha e stërtha se u morëm vesh me koncesionarin për ta zgjidhur problemin. Më pas u tha se koncesionar i ri do te jetë një firmë serioze kineze, por del se kinezët janë tërhequr dhe një kompani fantazëm  offshore e krijuar para disa muajsh është aktualisht pronare. Pyetja shrtohet: aktualisht ne kemi vetëm një aeroport në veprim dhe ai është objekt i rëndësisë së vecantë. Si mundet që shteti të jetë kaq indifferent për një pasuri të madhe kombëtare? A mos këto janë para të pista shqiptarësh që vërdallosen nëpër  offshore dhe në fund venë nën  këmbë një object të rëndësisë së vecantë sic është aeroporti i Rinasit?

Këthehemi tek vjedhja, e cila është  e treta e përmasave të mëdha në këto 16 muajt e fundit. E para ndodhi në bankën  tek ish stacioni  trenit, e dyta në Qaf-Kashar dhe e treta brenda aeroportit të Rinasit, në një kohë që gjendja  e gatishmërisë ishte e shkallës së lartë sepse ishte fill pas ngjarjeve të aeroportit të Stambollit. Për asnjerën nuk  janë gjetur autorët.  Atëherë kush ka përgjegjësi për këto humbje ekonomike të cilat në mënyrë të tërthortë rëndojnë mbi shqiptarët,  dhe më e rënda e mbi të gjitha, kush përgjigjet për atë që  imazhi i shtetit është deskretituar në përmasa të mëdha. A ndjenë përgjegjësi bankat, kompanitë e sigurimit, kompanitë e transportit të valutës apo policia e shtetit?  Rrjedhja e informacionit dukshëm mendohet se është në njerën nga këto hallka ose në koordinim. Bankat a i paguajnë kompanitë e sigurisë në raportë me vlerat që ata marrin në ruajtje dhe më pas këto të fundit personelin ruajtës, apo këto të fundit janë shërbëtorë të dorës fundit? A janë të paisur rojet e sigurisë me armatim sipas ligjit ? Vetë ligji a është kompementar ,ku e gjejnë veten të barabartë në përgjegjësi e detyrime si bankat dhe kompanitë e sigurisë? Po kompanitë e transportit valutave a kanë mjetet e duhura për transport të sigurisë lartë? A janë ato blind e me GPS, kasaforta të sigurisë së lartë dhe me sensorë në rast situate të jashtzakonëshme? A kanë kamera të brendëshme dhe të jashtme makinat e transportit? ( Në paranteze në NY edhe taksitw e limuzinat e zakonëshme, me ligj janë të paisura me kamera të brendëshme, për të mbrojtur shoferin dhe pasagjerin). Po objektet e aeroportit a janë paisur me pamje të dubluar të kamerave dhe me sensorë? Në se këto e shumë të tjera, janë në përputhe me ligjin dhe rregullat në fuqi, si mund te kryhet një vjedhje ne një nga vendet më të sigurta në Shqipërisë, në mes të ditës dhe në një kohë prej  tre minutash ( ose  hajde dhe katër minuta e tridhetë sekonda sic thonë disa të tjerë)? Po sikur hajdutët të mos kishin objekt marrjen e parave, por hedhjen në erë të depove të karburantit të aeroportit, marrjen peng të avionëve me pasagjerë ose thjeshtë hedhjen në erë të avionëve me pasagjerë? Po policia e shtetit (dhe në radhë të parë ata që bëjnë politikë në këtë institucion), a kanë pergjegjësi për gjithë këto vjedhje nën hundët dhe sytë e tyre?

Kur lëvizin vlera monetare  kaq të mëdha a ka detyrime ligjore midis palëve, që të  njftohet policia e shtetit? Po Ministria e Transporteve që ka nën vartësi Aviacionin Civil, a ka përgjegjësi për mangësitë e konstatuara  nga auditi ndërkombëtar? Koha e rregullimit të mangësive thuhet se  maksimalisht është dhjetë dite, por auditi ndërkombëtar  ka konstatuar mangësi  që në Nëntor 2015. Më në fund pyetja shtrohet :a ka në Shqipëri  shtet funksional për mbrojtjen  e interesave kombëtare, të kompanive dhe të qytetarëve të thjeshtë? Këto shtetar a ndjejnë përgjegjesi para Kushtetutës, ligjeve, zgjedhësve, detyrës dhe ndërgjegjes qytetare? Në se po, askush nuk është vetdorëhequr? Pra disa ditësh Mbretëria e Bashkuar (Britania), votoi për daljen nga BE-ja dhe për këtë Kryministri Kamerun dha dorheqjen. Po në Shqipëri kush dha dorëheqjen për këto skandale?

Mjerisht  mund të konstatojmë  se aktualisht në Shqipëri ,nuk ka  shtetar të përgjegjëshëm, nuk ka shtet ligjor, por  ka hajdutë  të mwdhenj e të vegjël, profesionist e amator dhe një kastë politikanësh e shtetarësh të inkiriminuar, të lidhur me njëmijë fije me kriminelët vendas e të huaj,e  që po e shfrytëzojnë  shqiptarin e thjeshtë si skllav.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DHE IMAZHI I SHTETIT, VJEDHJA NE RINAS

Qeveria Rama ka edhe pak kohë të dëshmojë se nuk po mashtron me Rrugën e Arbërit

July 4, 2016 by dgreca

Deklaratë e Grupit të Lobimit pas interpelancës së 9 qershorit 2016 të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmod Haxhinasto, kërkuar nga deputetja Mesila Doda/

 Pas debatit të zhvilluar në seancën plenare të datës 9 qershor në Kuvendin e Shqipërisë me objekt “Rrugën e Arbërit”, vërejmë me shqetësim se Qeveria Shqiptare nuk e ka marrë seriozisht çështjen e Rrugës, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale në vitin 2013 dhe gjatë miratimit të programit të qeverisë.

Seanca e 9 qershorit 2016 ishte një kopje e shëmtuar e debatit parlamentar të zhvilluar për këtë çështje së paku në 10 vitet e fundit; njëra për të fituar kredo politike në kurriz të çështjes dhe tjetra në përpjekje për të justifikuar vonesat.

Debati parlamentar duhet të synonte së paku, zbardhjen e negociatave mes Qeverisë Shqiptare dhe  ‘China State Construction Company’ si dhe të bënte transparentë koston financiare të debatueshme në këto negociata, në zbatim të ligjit nr. 41/2015, dt. 16.4.2015, të miratuar po nga këta deputetë që ishin në sallë.

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto përdori shifra të pasakta, të dhëna të vjetruara, mashtrime me të dhënat teknike të projektit, madje arriti deri aty sa të kërcënonte deputetët e parlamentit se “në qoftë se ata vendosin të investojnë në këtë rrugë, gjithë buxheti vjetor për rrugët do të shkonte te Rruga e Arbërit”.

Ky kërcënim është i papranueshëm për ne. Duhet të ishte i tillë edhe për së paku gjashtë deputetë të drejtëpërdrejtë të Dibrës, me në krye Shkëlqim Canin, të cilët, ndërsa në prill të vitit të kaluar deklaronin se “qeveria ka vendosur ta ndërtojë rrugën”, “rruga e shpresës së madhe” “punimet nisin në 2016”,  “dibranët ta gëzojnë rrugën” etj,, tani paturpësisht heshtën. Ata duhet të reagonin me një zë kundër spekullimeve të ministrit Haxhinasto.

Në i ftojmë deputetët në parlament që të mos bëhen më aktorë të skenave të tilla të turpshme. Ne i ftojmë ata të ushtrojnë të gjithë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të zgjidhur financimin e rrugës në një kohë sa më të shpejtë.

Deklaratat pa përgjegjësi të Ministrit të Transportit, jo vetëm që janë të pasakta dhe spekullative, por tregojnë papërgjegjshmëri të qeverisë lidhur me këtë çështje.

Ky debat parlamentar kaloi pa reagimin e duhur nga opinioni publik, përveç ndonjë zëri të vetmuar të anëtarëve të shoqërisë civile apo atyre që kanë lidhje me çështjen. Ne u kërkojmë projektuesve të rrugës të bëjnë publike projektet dhe kostot financiare. Mospublikimi i projektit dhe kostos financiare të nevojshme për ndërtimin e rrugës, është një mënyrë e duhur për të ndihmuar zhvillimin e aferave korruptive sot dhe në të ardhmen në Rrugën e Arbërit.

Megjithatë, premtimi për Rrugën e Arbërit u është dhënë dibranëve nga Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Shkëlqim Cani. Ne kërkojmë prej tyre të distancohen nga deklaratat e Haxhinastos si dhe sa më parë të bëjnë zbardhjen e negociatave me kompaninë kineze. Këto negociata nuk mund të jenë pa fund, por edhe duhet të jenë transparente dhe të ditura për publikun.

Gjithashtu, ftojmë kompanitë shqiptare apo të huaja, të interesuara për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, të bëjnë publike ofertat e tyre financiare. Të kërkosh të marrësh përsipër ndërtimin e një objekti publik pa zbardhur ofertën financiare, është një mënyrë abuzive në kurriz të takspagueve shqiptare.

Ne, ashtu si dhe më parë, deklarojmë se nuk mbështesim asnjë parti politike, por jemi të vendosur që të ushtrojmë presionin e nevojshëm ndaj ligjvënësve dhe qeveritarëve, në mënyrë që njëherë e mirë të ndahemi nga e kaluara e premtive boshe. Fushata elektorale e radhës është në prag, por ne nuk do të qëndrojmë indiferencë. Ne jemi të vendosur që çështja e Rrugës së Arbërit nuk do të jetë më temë e premtimeve elektorale në Dibër, Mat dhe në lindje të Tiranës.

Dr Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

2 Korrik 2016

_____________________________________________________

Ju lutemi nënshkruani peticionin këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Qeveria Rama, Rruga e Arberit

FALLSIFIKATORË, FLISNI… PO, MOS SHKRUENI RRÊNA !

July 4, 2016 by dgreca

 Nga Fritz RADOVANI/

1991 Viti i ngjarjeve ma të paharrueshme po, por edhe nder ma të lavdishmet që janë zhvillue në qytetin e Shkodres, mbas ramjes së “perdes së hekurt” në Europë!

■Formimi i Bashkimit Sindikatave të Pavaruna në Shqipni (BSPSh), dhe zgjimi i shumë forcave demokratike në Shkoder mbas 11 Nandorit 1990 nga i Madhi Don Simon Jubani, dishroni apo nuk dishroni ju demagogët e Shqipnisë masakrueme, do të mbetet persa të jenë Shqipnia – Shqipni Europjane, e skalitun me shkronja të arta ashtusi thirrjet që ushtonin në rrugët e lame me gjak Heronjësh nga Rinia Shkodrane me 2 Prill 1991, e që nuk do të shuhen asnjëherë nga gurt e Rrozafës: “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”

■Vinin e shkonin në Shkoder “rregjizorët” barbar të 2 Prillit, tue fillue nga Ramiz Alia, Gramoz Ruçi, Kastriot Islami dhe secili sillte me vete një ide të re për ndjekjen e çeshtjes së vrasjeve…Kerkohej me çdo kusht ashtusi sot zhdukja e ideatorëve!

■Porsa mbyllej mbledhja në Komitetit Ekzekutiv të Shkodres, jepej porosi që “të rikthehej qetësia dhe të rivendosej rendi…” një lojë e flliqtë, mbasi ashtu i zgjatej jeta edhe veprimeve terroriste të PPSh, veprime që kontrolloheshin me leven e saj kriminale, “sigurimin e shtetit”. Bijtën edhe disa filiale të futun per pajna nga PPSh…

■Me 23 Prill u organizue mbledhja me grupin parlamentar në Prefekturë, ku u vue në dukje qendrimi mashtrues i grupit hetimor organizue nga presidenca e hetuesia.

■Ishte i domosdoshem një riorganizim edhe nga ana ynë. Menjëherë, në mbledhjen e parë në Prefekturen e Shkodres, BSPSh ka kërkue mbështetjen e të persekutuemëve dhe të përndjekunëve politikë të Shkodres. Pjesmarrja masive e tyne kjé e menjëhershme në greven e përgjithëshme, ku solidariteti i tyne dhe i “Shoqatës Pronësi me Drejtësi” me BSPSh, trandi pushtetin qendror të Tiranës.

SHTATOR 1991: Me kerkesen e BSPSh së Shkodres, erdhi nga Tirana z. Gramoz Pashko, dhe në takimin me Tè, unë bashkë me kryetarin e BSPSh Ferdinand Temali dhe sekretarin Arben Borshi, i kam kerkue që të formojmë “Shoqaten e të Persekutuemëve dhe të Perndjekunëve Politikë” në Shkoder. Unë në mbledhje kam kerkue edhe që Ajo Shoqatë, të drejtohet nga zotni Bardh Shiroka ose Karlet Luka, të cilët as sot nuk e di pse nuk ishin dakord. Perpara se të nisej per Tiranë zotni Pashko që ishte shumë dakord dhe premtoi njohjen e saj, tha se: “Aprovimi do të jetë i shpejtë…” Kujtoj si sot, mbas tri ditësh, Ai ka vue në dijeni Kryetarin e BSPSh Ferdinand Temali, se “Shoqata e të Persekutuemëve Politikë e Shkodres asht aprovue nga Tirana!”.

■Në muejn Tetor Ajo ka fillue veprimin e vet pranë komitetit ekzekutiv në Shkoder.

Seksioni fillimisht filloi me tre nëpunës dhe mbas pak kohe Kryetar i Shoqates u zgjodh z. Lin Martini, i burgosun politik, për të cilin vite ma parë më ka thanë për Té At Pjeter Mëshkalla: “Një nga djelmët e rijë që ka mbajtë qendrim shumë të mirë dhe ka nderue rininë shkodrane në Burgun e Burrelit”. Dhe, me të vertetë i Ndjeri Lin Martini, edhe sot kujtohet si një nga drejtuesit e nderuem të Asaj Shoqatë. Mbas Tij u zgjodhën z. Nik Pavaci, Ernest Perdoda, Kastrito Bajraktari etj., figura vertetë të nderueme dhe të respektueme në Shkoder dhe në lëvizjen demokratike mbarkombëtare. Nën shembullin e Shkodres, kur “u iku frika”… u krijue Shoqata edhe në Tiranë e rrethe të tjera…

■BSPSH dhe SHOQATA E TË PERSEKUTUEMËVE POLITIK TË SHKODRES,  ishin fortesa që krijuen blokun antikomunist të pathyeshem në Shqipni. Një shembull që friksoi jo vetem komunistët e shkrryem përtokë, po edhe sigurimin e tij që ushqehej  nga terrori dhe vrasjet e pabesa mbas shpine si zakonisht ka veprue ai. Ishte Ali Kazazi dhe Pjeter Arbnori, që perçanë Shoqaten e të Persekutuemëve Politik të Shkodres dhe krijuen “Shoqaten e të Persekutuarëve Antikomunistë”… A thue, sikur Shoqata e Parë, themelue nga unë, si mbas tyne, nuk ishte “antikomuniste”!?

■Fjala “antikomunistë” nuk maskonte ate që kishte në perbamjen e saj nga vetë Kryetari i porsazgjedhun. Ajo u pushtue nga spijunët apo ishkomunistët e burgosun, të cilët pa kalue as tre muej këta zotnijë u vunë edhe drejtues në shoqatat e tyne, një gja të tillë që ata e kishin zbatue edhe në organet drejtuese të PD-së, që në krijimin e saj.

■HAPJA E DOSJEVE per mue gjithmonë asht kenë domosdoshmeni! Besoj se nuk e kanë harrue Shkodranët kerkesen time para zgjedhjeve lokale të 1996, mbajtë në kinema “Republika”. Ata kujtojnë edhe kur PD shkarkoi pesë vetë nga kryesia, tue perfshi edhe kryetarin e PD së Shkodres Ludovik Dega, si “bashkpuntorë të Sigurimit të shtetit”

■1996… Prova ma e sakta e Unitetit Popullit të Shkodres, ishin zgjedhjet e zhvillueme 

per “TË DJATHTËN E BASHKUEME SHKODRANE”…

Shoqata e të Persekutuemëve dhe të Perndjekunve Politikë e Shkodres, në vitin 1996, nën drejtimin e Nik Pavacit, dhe Ballit Kombëtar me kryetar Mentor Qukun, Partinë e Legalitetit me kryetar Nikolin Destanishen, dhe Partinë Demokristjane me kryetar Ndrekë Bazhdarin, i tregoi mbarë Shqipnisë, se në Shkoder ishte uniteti i Tyne me Popullin në të “Djathten e Bashkueme Shkodrane”, që korri fitoren e madhe në Zgjedhjet lokale dhe i tronditi për vdekje mbeturinat dhe servilët e anadollakut R. Alia.

Ato zgjedhje mbeten një model i papersëritshëm në Historinë e Lavdishme të Shkodres.

***

■Sot duhet të kthjellohen Forcat polike në Shqipni, të lanë nënjëanë “luften per karriga”, dëshiren per pasunimin e paligjshëm, fanatizmin fetarë shkatrrues, e trashigiminë e vet komuniste per “Një Shtet Shqiptar pa të Persekutuemit Politikë”, se asnjëherë nuk kanë me u quejtë dhe me u mendue nga askush Shtet Demokratik. Ata mund të mendojnë se Demokracia nuk ka nevojë për me u vendosë në Shqipni me të Persekutuemit Politik, por pa Ata, shteti asht prap terrorist komunist! Nuk e mbulojnë Eurot fytyren e vertetë komuniste të tyne, ashtusi as perçja anadollake apo sllavokomuniste, as korrupsioni, as vjedhjet dhe as, të pasunit apo miljonerët trafikantë, që po drejtojnë dhe që po plaçkisin sot Shqipninë e vorfnueme dhe të martirizueme.

■Në këte 25 vjetor të Asaj Shoqate Atdhetare…e të Persekutuemëve Politik, Ua kushtoj këto pak rreshta… Lé të jenë një homazh dhe kujtim i imi ndaj vepres s’Atyne që nuk jetojnë ma, edhe pse vepra e Tyne Atdhetare e Antikomuniste asht e Pavdekshme, po dhe e Perjetshme per një Shqipni Demokratike dhe Europjane Perparimtare! 

            Melbourne, Korrik 2016. 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fallsifikatore, Fritz radovani, rrena

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT