• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trump, një agjent i pavullnetshëm i Putinit?

August 6, 2016 by dgreca

Deklaron Ish-zyrtari i lartë i CIA-s/

 Një prej ish-zyrtarëve të lartë të CIA-s ka sulmuar këtë të premte Donald Trumpin, duke e cilësuar atë si një rrezik për sigurinë kombëtare, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin e ka kthyer kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë në një “agjent të pavullnetshëm” të Rusisë. Putin është ndier i kënaqur nga Trump për shkak se ai mbështet disa pozicione favorizuese ndaj Rusisë, tha Michael Morell, një ish-oficer i CIA-s dhe ish-zv.drejtor i agjencisë, gjatë një opinioni të publikuar në “New York Times”. “Në fushën e kundërzbulimit, ne do të thonim pa frikë se Putin e ka rekrutuar Trumpin si një agjent të pavullnetshëm të Federatës Ruse”, tha Morell në artikullin që më së shumti lavdëronte rivalen e Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit, demokraten Hillary Clinton. Morell nuk dha prova se ku e bazonte këtë vlerësim të tijin, por tha se Putin ka përdorur aftësitë e tij si një ish-oficer kundërzbulimi, për të evidentuar dhe shfrytëzuar dobësitë e një individi.
“Kjo është qartësisht ajo çfarë bëri ai gjatë primareve. Putin luajti me dobësitë e Trumpit duke e komplimentuar atë. Ndërsa Trump iu kundërpërgjigj ekzaktësisht ashtu siç e kishte përllogaritur Putini”, shkruan Morell. Drejtues të fushatës së Trumpit kanë hedhur poshtë kritikat e Morell, duke e lidhur ish-oficerin e CIA-s me përgjigjen publike të administratës “Obama”, pas sulmeve të 12 shtatorit në Bengazi të Libisë. “Vëreni sesa reporterë do të publikojnë sot në Twitter, faktin që Michael Morell gënjeu për Hillarynë e kërrusur, për të mbuluar ngjarjet e Bengazit”, shkroi dikush nga fushata e Trumpit në një postim në “Twitter”. Incidenti libian, në të cilin mbetën të vdekur ambasadori dhe 3 shtetas të tjerë amerikanë, ndodhi gjatë kohës kur Clinton ishte Sekretare e Shtetit, ndërsa republikanët e kanë kritikuar prej kohësh mënyrën sesi ajo u përball me sulmet e asaj kohe dhe periudhën pas tyre. Kritikët thonë se zyrtarë të administratës u përpoqën të hedhin poshtë rolin e militantëve islamikë në atë sulm. Morell miratoi disa prej temave kyçe të atij incidenti. Zyrtarët amerikanë thanë se, çdo referencë për pjesëmarrjen e militantëve u la mënjanë fillimisht për shkak të informacioneve të klasifikuara. Morell punon aktualisht për “Beacon Global Strategies”, një firmë konsultimi që ka lidhje me demokratë të rëndësishëm të ekspertizës së sigurisë kombëtare, përfshi këtu edhe ish-Sekretarin e Mbrojtjes dhe drejtorin e CIA-s, Leon Panetta, si dhe ish-ndihmësin e Clintonit, Philippe Reines. Ndërkohë, kandidati për zv.president nga radhët e republikanëve, guvernatori i Indianës Mike Pence, hodhi poshtë gjithashtu komentet e Morell gjatë kësaj të premteje, duke thënë se “qëndrimi ndaj agresionit rus do të jetë tepër i ndryshëm nën administratën Trump-Pence”. “Këta njerëz po bëjnë thjesht lojëra politike”, tha Pence referuar deklaratave të Morell.

Filed Under: Opinion Tagged With: agjent i pavullnetshem, i Putinit, Ish Zyrtari i CIA-s, Trump

MARRËVESHJA E DEMARKACIONIT OSE VAZHDIMI I RRUDHJES SË TERRITOREVE SHQIPTARE

August 4, 2016 by dgreca

Nga Islam LAUKA/ Ish Ambasador i Shqipërisë në Kosove/

Me 1 gusht 2016, mora pjesë në manifestimin tradicional në Vuthaj. Pavarësisht ndryshimeve në mendime, në stil apo fjalor, të gjithë folësit, në një mënyrë, a tjetër, iu referuan një fakti – copëtimit më dhunë të trojeve shqiptare, në çerekun e fundit të shekullit të 19-të dhe në fillim të atij të 20-të, pasojë e të cilit ishte edhe mbetja e Vuthajve jashtë territorit të shtetit shqiptar.

Ndërkohë që folësit i linin vendin njëri tjetrit, në mendjen time, Vuthajt dhe Ҫakorri këmbenin vendet me njëri tjetrin. Patëm menduar që rrudhja e territoreve shqiptare kishte marrë fund. Por jo, për fat të keq, historia po përsëritet. Sot kombi shqiptar është i trazuar dhe shoqëria kosovare e përçarë, per shkak të rrezikut real që, jo me detyrim, nga Fuqitë e Mëdha apo nga fqinjët grabitqarë, siç ka ndodhur dikur, por me pëlqimin e qeveritarëve tanë, të vendoset një kufi i padrejtë, në dëm të shqiptarëve. Me Marrëveshjen e Demarkacionit, të nënshkruar vitin e kaluar në Bruksel, kufiri me Malin e Zi zhvendoset nga Qafa e Ҫakorrit, pesë – gjashtë kilometër në thellësi të territorit të Kosovës.

Si kudo në botë, edhe në rajonin tonë, si rregull, qafat, grykat dhe lumenjtë, shërbejnë si kufindarës. Qafa e Vranicës ndan një pjesë të kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, ajo e Morinës, të Kosovës me Shqipërinë, Gryka e Kaçanikut ndan kufirin e Kosovës me Maqedoninë, Lumi i Danubit shërben si kufindarës për shumë shtete në Europën Qendrore e Lindore. Marrëveshja e Demarkacionit e thyen këtë rregull. Sipas saj, vija e kufirit me Malin e Zi, nuk duhet të kalojë, natyrshëm, nëpër Qafë të Ҫakorrit, por arbitrarisht, gjysmës së shpatit të malit, në anën e Kosovës, pa asnjë orientues fizik natyror, si i prerë me thikë, gjë që të kujton kufinjtë e vizatuar nga kolonizatorët në shkretëtirat e Afrikës, më ndryshimin që bjeshkët e Ҫakorrit janë plot jetë. Marrëveshja e Demarkacionit shkel rëndë të gjitha kriteret që, zakonisht, merren në konsideratë gjatë caktimit të kufinjve shtetërorë – kriteret natyrore, hidrologjike, ekonomike, gjeostrategjike, historike, etnike, morale etj. Ҫdo kush e ka të qartë se pala që kontrollon qafën, ka avantazh mbi palën që humb kontrollin e saj, në rastin konkret të kësaj marrëveshjeje, Mali i Zi siguron avantazh të qartë ndaj Kosovës.

Ne që kemi lindur e jemi rritur në kufi, e dimë se çfarë kuptimi ka kjo fjalë. Kufiri nuk është një vijë e thjeshtë në hartë, as nuk sajohet me llogari aritmetike. Kufiri është shenja që na e kanë lënë të parët, guri mbi të cilin ata janë betuar për tokën që nuk falet, as nuk shitet. Ai është i shenjtë si gjaku i të rënëve. Kufiri nuk zhbëhet, ai vetëm mbrohet.

Ka ardhur koha që, tani që i kemi dy shtete, t’i dalim më mirë zot vetes e t’u themi miqve e kundërshtarëve tanë se ne e dimë mirë ku i kemi kufinjtë dhe dimë mirë si t’i mbrojmë ata.

Do ishte mirë që, Kuvendi i Kosovës, deputetët e nderuar të tij, të këndellen dhe të respektojnë kufirin që na e kanë lënë të parët tanë në Qafë të Ҫakorrit. As Kuvendi, as Qeveria, as individë të veçantë të saj, nuk kanë të drejtë që të tjetërsojnë kufirin që bashkon brezat – ata të kaluar me ne të sotmit dhe brezin tonë me brezat e ardhshëm. Nga ana e tij, Mali i Zi, do t’i kontribuonte forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me popullin shqiptar dhe një të ardhmeje, ku shpresohet se kufinjtë nuk do të ndajnë, por do të bashkojnë, nëse këtë çështje do ta zgjidhte me mirëkuptim, duke e njohur Qafën e Ҫakorrit si kufi me Kosovën. Edhe shqiptarët e Malit të Zi, si qytetarë të përgjegjshëm të këtij shteti, si shqiptarë autoktonë, prej shekujsh në trojet e tyre, si urë lidhëse me Kosovën dhe Shqipërinë, do të duhej të bashkonin zërin e tyre me të gjithë ata që janë ngritur në mbrojtje të kufirit në Qafë të Ҫakorrit dhe t’i dëshmonin Podgoricës zyrtare që ky kufi, historikisht, ka qenë në këtë qafë. Dhe aty duhet të jetë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Islam Lauka, Marrveshja e Demarkacionit, rrudhja e territoreve, shqiptare

KOSOVA DHE DEBATI I VONUAR PER DEMARKACIONIN

August 4, 2016 by dgreca

OPINION NGA LULZIM MULLIQI-SHBA/
Dy marreveshje te rendesishme per Republiken e Kosovës sic eshte ajo per demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe per asociacionin,ka nje kohe te gjate qe jane percjelle me mosmarreveshje serioze brenda spektrit te partive politike ne Kosove.Debati i djeshem politik,shkencor,profesional,publik dhe mediatik edhe pse i vonuar ishte nje mundesi e mire qe brenda nderteses se Kuvendit te Kosovës,te ballafaqohen argumentet e Komisionit Shteteror per shenjimin dhe mirembajtjen e kufirit Shteteror ne njeren ane dhe te grupit te eksperteve te propozuar nga grupi i deputeteve qe kane kerkuar debatin.Poashtu ne kete debat shkencor,ishin te pranishem edhe nje numer simbolik i perfaqesueve qeveritare,pastaj perfaqesues te institucioneve relevante te medieve,OJQ-ve dhe te disa diplomateve te ambasadave te vendeve mike te akredituar ne Republiken e Kosovës.Ky debat kushtuar demarkacionit te kufirit me Republiken e Malit te Zi ne fakt,per shume kohe i ka munguar Kosovës dhe qe do te ishte shume i nevojshem per nje fillim te perbashket per diskutimin e ceshtjeve te rendesishme Shteterore si nga ana e Pozites,ashtu edhe nga ana e Opozites kosovare.Sipas transmetimeve te RTK-se, si medium i vetem publik informativ ne Kosove,ajo qe verehej ishte se te dyja palet ishin te palekundura ne argumentet e tyre,ku se pari me prezantimin e argumenteve rreth demarkacionit te kufirit u paraqiten anetaret e Komisionit Shteteror,ku sipas tyre shenjimi i kufirit ishte bere ne perputhje me legjislacionin ne fuqi dhe parimet e se drejtes Nderkombetare.Nderkaq ne anen e eksperteve argumentet e tyre i paraqiten,profesoret e se drejtes Nderkombetare si:Prof.dr.Zejnullah Gruda,prof.dr.Enver Hasani,pastaj historiani,prof.dr.Hakif Bajrami si dhe gjeografet,Prof.dr.Shpejtim Bulliqi,prof.dr.Florim Isufi etj.Ata theksuan se Komisioni Shteteror i angazhuar per shenimin e kufirit ka bere disa leshime dhe ata dhane edhe disa propozime konkrete sic ishin rishikimi i dokumenteve ne baze te Kushtetutes se vitit 1974,pastaj rishikimi i gabimeve teknike ne disa harta topografike si dhe propozuan qe ne seancat e ardhshme plenare te kerkohet qe shtetet mike te negociojne mes dy vendeve per te garantuar nje transparence.
Sipas Mardhenieve te se drejtes Nderkombetare Ceshtja e demarkacionit eshte nje ceshtje e komplikuar,sepse ajo eshte pjese e negocimit ne mes nje shteti me shtetin tjeter,ose e disa shteteve qe kontestojne kufijte e tyre,qofte tokesor,ujor
apo ajror,pra demarkacioni eshte edhe ceshtje regjionale,Nderkombetare dhe historike.Duhet te theksojme se Ceshtja e demarkacionit te kufirit eshte e rendesishme edhe per organizatat Nderkombetare,keshtu nder rekomandimet e bera kohe me pare nga Keshilli i Europes ishte definimi i demarkacionit te kufirit me Malin e Zi.Kosova ka shume nevoje qe ne momentin aktual te kerkoje edhe mbeshtetje Nderkombetare,posaqerisht nga vendet mike sic jane SHBA-te dhe disa vende te tjera te Bashkomit Evropian.Meqenese ne rastin ne fjale te dy palet Kosova dhe Mali i Zi nese kane vullnet te mire mund ta bejne rishikimin e demarkacionit,duke krijuar  komisione mikse.Keto mund te jene midis paleve,mund te jene midis paleve dhe nje pale te trete ose neutral ndaj paleve.
Ne anen tjeter deklarimet e Qeverise se Malit te Zi se e kane perfunduar demarkacionin e kufirit me Kosoven, jane te nxituara dhe komplekse ne raport me parimet e se drejtes Nderkombetare.Nga ana tjeter edhe pse me vonese mbas qartesimeve te dala nga debati politik,publik,shkencor dhe akademik ka ardhur momenti kohor per nje zgjidhje me te drejte me te dobishme dhe me racionale te rishikimit te demarkacionit te kufirit me Malin e Zi.
Lulzim Mulliqi-Ekspert i Ceshtjeve Juridike dhe Mardhenieve Nderkombetare.

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE DEBATI I VONUAR, kosova, Lulzim Mulliqi, për demarkacionin

PO,“ÇLIRIMI I TRETË I SHQIPËRISË”,KUR DO TË BAHET ?!

August 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO: SELIA E PARË…/

■Lexova këto ditë këta rreshta: “Kthehemi tek realiteti ynë i kohëve të fundit. Ç’po vihet re tani, pas miratimit të Reformës, “revolucionit” të 21 korrikut apo “Çlirimit të dytë të Shqipërisë”, siç u vlerësua me zë të lartë, nga shumë syresh?…”

Mendova pak çaste, po nuk po hezitoj per me dashtë me thanë të vertetën: “Po, çlirimi i parë kur pat ndodhë, që nuk po e mbajmë nder mend asnjë shka mbushëm 75 vjetët!?”

Per me kenë objektiv në percaktimin e këtij dyshimi, nuk do të shpjegoj mendimet e pleqve tanë dhe as, shka kujtojmë si fëmijë, nga ngjarjet e mnershme të atyne viteve kur zgjoheshim nga gjumi prej krizmave të automatikëve në Zallin e Kirit të Shkodres, po do të paraqes vetem dokumentin e shkruem nga z. Henry Kissinger, në librin Diplomacia, botue në Tiranë, në vitin 1999, ku shenon në fq. 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndërmarrë një risk të tepruar… Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.” Dhe vazhdon në fq. 438: “Prandaj ai e mbajti ushtrinë e tij në qender të Europës, ku gradualisht ai imponoi qeveri kukulla.” Në fq. 434: “Stalini ngulte këmbë të mos pranonte kërkesën e demokracive për zgjedhje të lira në Europën Lindore.”

***

JANAR 1945 Enveri i jep urdhën me shkrim trupave që ndodheshin në Veri:
■“Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufinjve, pa treguar as më të voglën tolerancë!..”

■1 korrik 1946, Enver Hoxha, i pari i huej që dekorohet “Hero i popujve të Jugosllavisë”.

■15 Dhjetor 1947, Enver Hoxha deklaron në mbledhjen Komitetit Qendror të PKSh: “Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria, nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …” (1947)

***

■“Deputetët” tanë endè nuk e kanë marrë vesht se “nder tavolinat e Kuvendit Popullor” nuk flitet me hamendje, as me rrena apo si i thoni ju “shokë e zotrinjë” me “gjuhën e njësuar” pra, me gënjeshtra… Por, vetem, me fakte dhe dokumenta!

■Janë ba plot 25 vjetë që flisni per “pastertinë e figurës”! A e kujton veten o Sali Berisha, perballë të Madhit Isa Boletini në Shkoder…kur pate thanë: “Të gjithë jemi bashkvuejtës dhe bashkfajtorë, per çka ka ngja!”, dhe të gjithë duertrokitëm, tue “kujtue” se ti me të vertetë, ishe tue tregue të vertetën… A të kujtohet data, apo e ke harrue!? – Nuk janë aq shumë vite sa kujtojnë disa… Plot 25 vjetë, “para çlirimit të dytë!”…

 

 

■Mësuesi i juej, diktatori anadollak Ramiz Alia, Sekretar I i KQ. PPSh, President i RPSSh., ka mbajtë një fjalim në Byronë Politike të KQ të PPSh, në vitin 1989, në Tiranë, të cilit, me shumë djallëzi po vazhdoni ti përmbaheni ju pasuesit e tij, andrrimtarët e “rilindjes” së kasaphanës së re të Popullit Shqiptar. Ai ju la një “testament”:

■“Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjisaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqëve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe pasardhësit tanë… ■Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë…

Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona!”

***

■Si bre “burra”, po edhe 25 vjetët e “demokracisë s’uej” paskan kenë robni komuniste!? 

… E prap tashti, po mendoni me fillue nga fillimi me “çlirimin e dytë”?!

■Të mjerët ata që do ti besojnë komunizmit e pjellës së mallkueme të Tij !..

■Edhe lumejt rreth Shkodres kanë ma pak ujë se lotët që kanë derdhë sytë e Nanave tona nga fjala e mnershme nder shekuj të shekujve: “Çlirimtarë komunistë”!..

            Melbourne, 4 Gusht 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: “ÇLIRIMI I TRETË I SHQIPËRISË”, Fritz radovani, KUR DO TË BAHET ?!, PO

Spektakli Socialist

August 3, 2016 by dgreca

Opinion nga Arben LLALLA/

Prej kaq kohësh qysh kur reforma me të drejtë u votua nga 140 deputetë shqiptarë mediat janë marrë me thashetheme për qeveri teknike, për prishje të koalicionit PS dhe LSI. Por, socialistët e PS dhe LSI janë mjeshtra për spektakle duke e zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga korrupsioni e varfëria tek thashethemnaja për prishje të ekuilibrave të koalicionit dhe rënien e qeverisë Rama. E vërteta është se s’do të ketë prishje të qeverisë, as dalje të LSI nga qeveria deri në qershor 2017, sepse askujt nga deputetët socialistë të PS-së dhe LSI-së nuk u intereson një trazirë e këtillë apo zgjedhje të parakohshme, sepse shumë nga këta deputetë të sotëm nuk do jenë më deputetë duke humbur privilegjet shtetërore që i ofron posti i përfaqësuesit të popullit. I vetmi naivitet në këtë lëmsh është PD që ushqen opinionin se do ketë qeveri teknike apo një koalicion në të ardhmen PD-LSI.

As në ëndërr nuk duhet kush ta shoh një prishje të PS-së me LSI-në dhe jo më ta mendojë se në të ardhmen do ketë një qeveri të sigurt të PD-së me LSI-në. Shkuan ato kohëra të vështira për Metën dhe LSI, ku me zor ekzistonin në opozitë. Ashtu si kanë thënë pleqtë dikur, të cilat ne sot i quajmë “Fjalë të Urta”, duhet të kemi parasysh se shqiptari, kur kalon lumi, thotë: “Të dhjefsha kalin”. Në këtë rast Ilir Meta dhe LSI pasi kaluan lumin 2009-2013 e përshëndetën përfundimisht PD dhe Sali Berishën në prill të 2013 dhe s’kanë ndërmend të kthejnë kokën më pas për martesën e imponuar më 2009 me shkues, të cilët politikisht kanë vdekur sot.

Takimet për kafe dhe dreka të Metës me Koçon, ky i fundit me Tomën apo edhe me ndonjë tjetër janë normale për politikanët shqiptarë, të cilët herë pas here shahen me libër shtëpie me njëri-tjetrin dhe në ditët e vështira, kur duhet të mbushin xhepat me mijëra euro përqafohen dhe bëjnë selfie. Kujtoni dikur Meta çfarë i ka thënë Topallit, Meta-Ramës dhe së fundi Lad Kosta-Ramës dhe Arben Ahmetajt, në mbrëmje të gjithë janë të lumtur për atë selfien e famshme.

Spektakli socialist PS-LSI do vazhdojë më tej në shtator në zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, ku PD me militantët e tyre do dëshpërohen tej mase kur do shikojnë vallen dorë për dore për të rifituar këtë bashki përsëri koalicioni i majtë.

Fatkeqësia e popullit shqiptar është se shumica e deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive, gjyqtarëve, prokurorëve dhe shumë drejtues të lartë të shtetit janë nga i njëjti rreth, vijnë nga tarafet fisnore prandaj SHBA dhe BE ngulmojnë me aq ngulm për realizimin në praktikë të Reformës në Drejtësi që të shkatërrojnë njëherë e përgjithmonë këtë grup mafiozësh shtetëror që kontrollojnë me injorantët e familjeve të tyre çdo strukturë shtetërore, çdo qelizë të shqiptarëve duke na lënë në errësirë, në varfëri të tejskajshme, duke na zhveshur nga çdo gjë njerëzore. Për fat të keq ky grup mafiozësh farefisnor pushtetar na kanë shitur edhe interesat kombëtare, e kanë zhveshur shqiptarin nga kulti i traditës së ndershme të familjes.

Pra, faji për gjendjen e rëndë ekonomike, politike dhe kombëtare në Shqipëri prej 25 vitesh bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep që godasin të tjerët me shkopin e ligjit të korruptuar dhe që një ditë zbatimi i Reformës për Drejtësi të sapo votuar do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit. Shpresa vdes e fundit, nëse nuk ke shpresa do të thotë se je i vdekur.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Spektakli Socialistë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 558
  • 559
  • 560
  • 561
  • 562
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT