• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PULENËT” E MILLOSHEVIQIT E “REHABILITOJNË” ISH-SHEFIN E TYRE”

August 18, 2016 by dgreca

Nga Adil FETAHU/

Ka disa ditë që nga mediat  serbe nuk zbresin titujt “bombastik” : “Rastësisht apo qëllimisht, Haga e ka liruar Millosheviqin nga akuza”; “Perëndimi po heshtë, por u rrëzuan gënjeshtrat për gjenocidin, krimet…”; “Daçiqi e Vullini vërtetojnë se  Tribunali i Hagës e ka liruar Millosheviqin nga dyshimi i pastrimit etnik”; “Daçiqi: Nëse Perendimi heshtë për Millosheviqin – Serbia nuk guxon të heshtë”: “Daçiqi: Nuk janë fajtore RF e Jugosllavisë dhe Serbia”, etj.etj. Me deklaratat e tyre, dy ministrat në Qeverinë e Serbisë, që ishin funksionarë të lartë edhe në regjimin e Millosheviqit, e “argëtojnë” popullin e vet me rrena, për abolimin e ish-shefit të tyre.

Gjithë kjo “ujdurmë” ka ardhur pas interpretimit tendencioz e mashtrues të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës, me të cilin është gjykuar krimineli Radovan Karaxhiq, për gjenocidin dhe krimet e kryera mbi myslimanët boshnjakë. Nga konteksti i arsyetimit të gjatë (mbi 3000 faqe tekst) të aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin Karaxhiqi u dënua me 40 vjet burgim, “interpretuesit” nxjerrin përfundime të rrejshme, me të cilat e gënjejnë popullin e vet, gjoja se ajo Gjykatë e paska liruar Millosheviqin , RF të Jugosllavisë dhe Serbinë nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, pastrimit etnik etj, që kanë krye në Bosnje-Hercegovinë. Për të qenë ma “të bindshëm” në gënjeshtrën e tyre, citojnë disa paragrafe nga arsyetimi i aktgjykimit, ku gjykata, në kontekst të ngjarjeve e rrethanvae të ndryshme, konstaton se për ngjarjen e caktuar faji nuk mund t’i atribuohet personit të caktuar. Me këso interpretime, Daçiqi etj, përpiqen të “argumentojnë” me vendim (jo të plotëfuqishëm) të Tribunalit, kinse ushtria, policia e forcat tjera (paramilitare) të RFJ e të Serbisë, nuk janë involvuar në luftën në BeH. Këto gënjeshtra nuk mund t’ia shesin askujt, ngase të gjithë e dinë se luftën në BeH e kanë planifikuar, udhëheqë (komanduar), zhvilluar e përfunduar forcat nga e ashtuquajtura RFJ (Serbi+Mali Zi), me tërë potencialin operativ dhe arsenalin e armatimit. Nëse më vonë ato forca kanë ndërruar emrin, gjoja si “ushtri e serbëve të Bosnjes”, kjo asgjë nuk e ndryshon të vërtetën për angazhimin e APJ-së e të forcave tjera nën komandën e saj. Edhe sot e kësaj dite, oficerët e APJ-së (Mlladiqi etj.) të cilët kanë udhëhequr operacionet luftarake në Bosnje, marrin pensionet nga Serbia, e jo nga Federata e BeH, as nga ajo kreatura gjenocidale e quajtur “Republika srpska”.

Aktakuza dhe aktgjykimi i adresohen Karaxhiqit, e jo Millosheviqit

Pa marrë parasysh se çfarë fjalie përmbanë arsyetimi i aktgjykimit kundër Karaxhiqit, pa marrë parasysh se a përmendet emri  dhe në çfarë konteksti përmendet emri i RFJ, Serbisë apo Millosheviqit në arsyetimin e aktgjykimit, kjo nuk i  shpallë ata emra as fajtor, as të pafajshëm, sepse aktakuza nuk ishte dhe as gjykimi nuk është zhvilluar kundër tyre, dhe se dispozitivi aktgjykimit adresohet me emër e mbiemër vetëm – kundër Karaxhiqit, atij monstrumi që e pat ndërruar edhe fizionominë dhe u shndërrua në majmun, për t’i ikur kapjes dhe ekstradimit në Tribunalin e Hagës. Prandaj, aktgjykimi kundër Karaxhiqit, as  de iure, as de facto, nuk e liron Millosheviqin as RFJ-në e Serbinë nga faji as përgjegjësia për gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet e tjera të kryera në BeH.

Millosheviqi ishte i akuzuar për krimet në KosovëNë deklaratën e tij, lidhur “me lirimin” e Millosheviqit nga fajësia për pastrimin etnik në BeH, Daçiqi konkludon se “Gjykatës së Hagës nuk i ka konvenuar ta përfundojë gjykimin kundër Millosheviqit, sepse ai do të lirohej nga akuzat, siç u lirua me aktgjykimin e Karaxhiqit, dhjetë vjet pas vdekjes”.

Jo o Daçiq, bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviqit. Sado që nuk preferoj të paragjykoj se çfarë vendimi do të merr gjykata në një proces gjyqësor, në bazë të akuzave dhe provave që ka ofruar Prokuroria e Tribunalit të Hagës për grupin të cilit i printe Millosheviqi në aktakuzë, e të cilin e përbënte kreu politik, ushtarak e policor i shtetit të RFJ-së dhe Serbisë,- jam shumë i sigurt, madje “më tepër se 100%”, se sikur të kishte jetuar Millosheviqi deri në përfundimin e procesit, do të  shpallej fajtor dhe do të merrte dënimin kapital që shqipton ai Tribunal. Sepse, të gjitha pistat e fajit në pikën e fundit (të kreut), do të arrinin në emrin dhe funksionet e tij. Ai ishte kryetar i RFJ, komandant supreme i forcave të armatosura, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes së Jugosllavisë, ku janë bërë planet dhe janë caktuar operacionet e pastrimit etnik (dëbimit) të popullsisë shqiptare, dhe të krimieve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, në shkallë gjenocidi.  Grupit të “ndërmarrjes së përbashkët të kriminale”, që ishin në të njëjtën aktakuzë me Millosheviqin, u janë shqiptuar dënimet:

  • Për deportim (pastrim etnik), që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(d) të Statutit të Tribunalit,
  • Vrasje, që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(a) të Statutit të Tribunalit,
  • Vrasje, që paraqet krim të shkeljes së ligjeve dhe zakoneve të luftës, i dënueshëm sipas nenit 3 (1) (a) të Konventës së Gjenevës, dhe
  • Dëbimi (i popullsisë) në baza politike, racore ose fetare, që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(h) të Statutit të Tribunalit të Hagës.

Për këto krime, me vendim të plotëfuqishëm ( të shkallës së II, më 26 janar 2014), Gjykata u ka shqiptuar këto dënime: Nikolla Shainoviqit, ish- nënkryetar i Qeverisë së RF të Jugosllavisë, 18 vjet burgim (nga 22 sa a kishte caktuara shkalla e parë); Nebojsha Pavkoviqit, ish-kryeshef i Shtatmadhorisë së APJ, 22 vjet burgim (nuk i ka zbritur asgjë); Sreten Llukiqit, kryeshef i Policisë për Kosovë, 20 vjet burgim (nga 22 sa ia kishte caktuara shkalla e parë); dhe Vlladimir Llazareviqit, komandant i Korpusit të  APJ në Prishtinë, 14 vjet burgim (nga 15 sa ia kishte caktuar shkalla e parë). Kryekrimineli Millosheviq dhe bashkëkrimineli ministri i policisë (Vllado Stojilkoviq), nuk e pritën përfundimin e procesit, ngase  Stojilkoviqi bëri vetëvrasje (me plumb në kokë, 2002) para ndërtesës së Kuvendit Popullor të Serbisë, ditën kur Kuvendi miratoi Ligjin për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, kurse Millosheviqi vdiq në paraburgim në Hagë (2006), për cilin propaganda serbe thotë se e “mbyti Tribunali”. Prandaj, sipas parimit juridik të prezumpcionit të pafajasisë derisa të mos vërtetohet faji me vendim përfundimtar të gjykatës, ata shkuan në ferr –  de iure   të “ pafajshëm”!

Grupi i Millosheviqit u cilësua nga Tribunali si ndërmarrje e përbashkët kriminale, i cili ka planfikkuar, nxitur, urdhëruar dhe kryer ose në mënyrë tjetër ka ndihmuar dhe kontribuar planifikimit, përgatitjes dhe kryerjes sistematike të krimeve, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare, që u bë në bazë të operacionit “Potkovica” (Patkoi) e që, sipas disa autorëve të huej, konsiderohet se ky operacion ishte aktualizimi dhe realizimi përfundimtar i Elaboratit të Vasa Çubrilloviqit (1937), që ia kishte paraqitur për ta realizuar në atë kohë qevria e Stojadioviqit. Gjatë operacionit “Potkovica”, forcat e ndërmarrjes së përbashkët kriminale serbe, me format ma makabre të dhunës kundër popullsisë civile,  arritën të dëbojnë jashtë Kosove afro një million shqiptarë, me synim që njëherë e për gjithmonë ta pastrojnë Kosovën nga shqiptarët! Edhe dhuna seksuale ndaj femrave, bëhej në funksion të spastrimit etnik. Rrugës gjatë dëbimit, krahas torturës dhe vrasjeve, plaçkitjes së parave apo të stolive, ua merrnin edhe dokumentet personale të identifikimit, për t’ua zhdukur identitetin e qytetarëve të Kosovës, që të mos mund të ktheheshin më. Të gjitha këto i ka vërtetuar Tribunali i Hagës në aktgjykimin e kreut të shtetit të RF të Jugosllavisë e Serbisë. Në krye të asaj ndërmarrje kriminale ishte vet Millosheviqi, i cili përpos autorizimeve formale të funksioneve që kishte, ai kishte kontrollin dhe ndikim faktik të pakufishëm mbi të gjitha resoret dhe institucionet e shtetit, ekonomisë dhe financave. Gjykimi i Nikolla Shainoviqit e implikon drejtpërdrejt përgjegjësinë e Millosheviqit, ngase, siç ka vërtetuar Tribunali, ky ishte bashkëpunëtori më i afërt dhe më i besueshëm i Millosheviqit, dhe njeni nga pjesëtarët kyç të ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Për here të pare në punën e Tribunalit u dokumentuan dhe vërtetuan të gjitha pretendimet që ofroi aktakuza dhe u vërtetua ekzistimi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e përbërë nga kreu politik, ushtarak dhe policor, dhe terrori shtetëror që u është bërë shqiptarëve. Të gjykuarit nga grupi i përmendur, janë gjykuar për përgjegjësi komanduese, jo si ushtarë apo police të thjeshtë që i janë shmangur kontrollit, por si udhëheqës përgjegjës të resorëve të caktuar të shtetit. Prandaj, Millosheviqi  nuk ka pasur gjasa minimale t’i shpetojë  përgjegjësisë dhe dënimit. Millan Millutinoviqi, që asokohe ishte kryetar i Serbisë, u lirua nga përgjegjësia, sepse Gjykata e ka vërtetua se atë nuk e pyeste kush për asgjë, madje ai “as nuk është përzier në punët e veta”! Të gjitha vegëzat e krimit i kishte në dorë vet Millosheviqi, me grupin e përmendur të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Dhe, derisa u gjykua kreu politik, ushtarak e policor i RFJ/Serbisë, kjo do të thotë se është gjykuar politika dhe shteti.  Millosheviqi ishte kryetar i partisë në pushtet (PSS) dhe njëkohësisht ishte edhe kryetar i shtetit. Të gjykuarit ishin funksionarët më të lartë të resorëve të caktuar të shtetit. Prandaj, janë të baza “nebulozat” e Daçiqit, kur flet për lirimin e RFJ/Serbisë nga faji për pastrim etnik dhe krime të luftës e krime kundër njerëzimit. Përkundrazi, për këto krime u gjykua kreu i shtetit të RFJ/Serbisë. Se sa janë dënimet adekuate me peshën e fajit dhe me përmasat e krimit, që ka të gjitha tiparet e gjenocidit,  kjo është çështje tjetër, që i përket politikës ndëshkimore dhe politikës globale që ndjek ai Tribunal.

Me propagandën për gjoja lirimin e RFJ/Serbisë dhe Millosheviqit nga fajësia për pastrimin etnik në Bosnje-Hercegovinë, Daçiqi, Vullini dhe pulenë e zyrtarë tjerë të nomenklaturës së asaj kohe, dhe kësaj të sotme, po tregojnë se këta nuk janë penduar as shkëputur nga ajo politikë kriminale e gjenocidale, por përkundrazi, duke rehabilitua atë politikë dhe ata kriminelë që i ka gjykuar Tribunali i Hagës, janë për vazhdimin e të njëjtës politikë.  Duke ditur politikën që kanë ndjekur dhe vazhdojnë ta ndjekin Daçiqi, Vuçiqi, Nikolliqi… me bashkëpunëtorët e bashkëmendimtarët e tyre, nga të gjitha proviniencat e shtetit dhe të shoqërisë në Serbi, nuk do të çduditeshim që një ditë ish-shefin e tyre, Millosheviqin, ta nominonin për Çmimin Nobel – për Paqe

Filed Under: Opinion Tagged With: Adil Fetahu, i Milloshevicit, Rehabilitimi

NUK SHITEN E AS NUK FALEN TROJET SHQIPTARE

August 18, 2016 by dgreca

Fjalimi i Biden-it nuk është alibi për qeveritarët e Prishtinës /

Nga KOLEC TRABOINI /

Ato që thotë në fjalime e biseda në Prishtinë i nderuari Biden,zëvendësi i presidentit Obama, së pari nuk janë urdhra, nuk janë te detyrueshme dhe se dyti ai nuk e thotë shprehimisht se duhet të falim toka shqiptare. Nuk mund ta thoshte këtë se po ta thoshte nuk do te ishte aspak mik i shqiptareve. Nuk meriton një mik i madh si Biden, të përdoret për qëllime të mbrapshta nga klani në pushtet në Kosovë. Kjo është një ligësi e dinakëri orientale e propagandës se dyshes Thaçi – Mustafa. As Amerika nuk i lejon vetes të thotë falini tokat sepse amerikanët e dinë historinë, që tokat shqiptare në Ballkan janë të pushtuara nga 4 shtetet ballkanike, Serbia, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi.. Po le të shkojmë më tej. Edhe sikur të thoshte Biden jepini tokat, Biden në janar do të jetë thjeshtë një pensionist si gjithë të tjerët e fjala e tij nuk është ligj por një opinion personal. Madje pa asnjë influencë me ardhjen e një presidenti dhe administrate të re në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar 2017. Kosova nuk mund të japë asnjë centimetër tokë, le të thotë çfarë të doje Biden, Hashim Thaçi, Is Mustafa apo propoganda qorre e Prishtinës. Nuk ka mik të mirë në botë që të detyron të shesësh a të falesh trungun e Atdheun. Nëse e japin truallin kombëtar, për tradhti kombëtare do të paditën shtetarët e sotëm në Kosovë e jo pensionisti Biden përtej oqeanit. Prandaj nuk ka asnjë alibi për ata që i janë qepur si bisha trojeve shqiptare e do ti japin tek të huajt. Nëse ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë sot se po kryejnë një akt të paprecedent, në fakt një akt tradhtie(çfarë të kujton faljen e Shën Naumit që bëri Zogu për serbët që e sollën në pushtet), nga dëliri se e ndjejnë veten të gjithëpushtetshëm bëjnë sikur as lexojnë çfarë shkruhet e as çfarë flitet në popull, por nesër kur të mos jenë më në pushtet, bukur mirë do të kenë mundësi ta kuptojnë, por edhe të mbajnë përgjegjësinë historike të tradhtisë e do të marrin atë që meriton çdo tradhti e çdo tradhtar. Nuk është vonë për të hequr dorë nga ky akt mizor i tjetërsimit të trojeve kombëtare shqiptare dhe aspak vonë për të dënuar tradhtinë, nëse kjo ndodh. 18 gusht 2016

Filed Under: Featured, Opinion Tagged With: Kolec Traboini, NUK SHITEN E AS NUK FALEN, trojet shqiptare

Mos harro!

August 17, 2016 by dgreca

Gjashtëdhjeteshtatë vjet më parë/

Nga Reshat Kripa/

O ti qytetar, që kalon nëpër këtë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se gjashtëdhjeteshtatë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqipëtarët që vrisnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që burgosnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqipëtarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet.

Ju, që i keni përjetuar ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte edhe gra e burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë qëndronin luftëtarët e lirisë , demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë. Në krahun e demokracisë ishin pikërisht këta burra që përkujtojmë sot.

Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar.

Mos harro, o qytetar! Liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. Për atë u lufttua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi gjatë, për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e studentëve shqiptarë në dhjetor 1990.

Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin ende nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithëshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.

Një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studjuar? A e di ai se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi qindra të ekzekutuar dhe mbi mijra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme? Dhe ky individ sot mban postin e nje ministri.

Unë do t’u thosha këtyre individëve: Si nuk keni turp zotërinj?  Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre.

Duke kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në fillim të viteve nëntëdhjetë shkruante:

Fitimtarët, fitimtarë,

Të mundurit, të mundur në përjetësi

Atëhere, po të jetë kështu,

Mos ardhsh  kurrë demokraci!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: MOS HARRO, reshat kripa

Republikanët anti Trump, letër për Komitetin Kombëtar

August 12, 2016 by dgreca

Më shumë se 70 republikanë, i dërguan një letër të hapur Komitetit Kombëtar të partisë duke i kërkuar këtij organizmi që të mos e ndihmojë më fushatën e Donald Trump. Sipas firmëtarëve të letrës, qëndrimi ndarës dhe paaftësia e Trump rrezikojnë që të dëmtojnë ndjeshëm partinë në zgjedhje e nëntorit. Në letër shkruhet se partia duhet të harrojë Trump dhe të fokusohet tek kandidatët që garojnë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo do të thotë se një pjesë e republikanëve që kundështojnë Trumpin, i cilësojnë të humbura zgjedhjet presidencaile në nëntor dhe duan që të kufizojnë sa më shumë disfatën duke u paraqitur sa më mirë që të munden në zgjedhje për Kongresin.  “Ne besojmë se ndarja, papërgjegjshmëria, paaftësia dhe mungesa rekord e popullaritet që Trump ofron, do të sjellë një fitore të jashtëzakonshme të demokratëve në zgjedhje presidenciale”, shkruhet në letër.  Sipas kundërshtarëve të Trump, partia duhet të fokusojë burimet që ka në dispozicion tek garat për senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pasi gara e Trumpit është tashmë e humbur dhe kjo bëhet e qartë nga dita në ditë.  Vetë Trump, duke reaguar ndaj letërs tha se nuk është aspak i shqetësuar se partia mund t’i presë fondet dhe ai mund të bëjë të njëjtën gjë, të mos financojë më Partinë Republikane.  Kritikët kërkojnë që Trump të lërë vullnetarisht kandidimin për ta zëvendësuar, por zor se ai do ta bëjë. mbi të gjitha rregullorja e partisë nuk lejon gjetjen e një tjetër kandidati në këtë pikë të garës. Disa republikanë kanë sugjeruar një rregullore që s’është përdorur kurrë më parë: shpallja e Trumpit jo mirë mendërisht nga Komiteti Kombëtar. Por të shpallësh të çmendur njeriun që është zgjedhur nga më shumë se 10 milionë amerikanë është një lëvizje tepër e guximshme dhe nuk dihet se çpasoja mund të sjellë. Sondazhet tregojnë se Trump po humbet terren në shtetet të rëndësishme për zgjedhje dhe krerët e partisë duhet të marrin vendime të vështira.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: leter, për Komitetin Kombëtar, Republikanët anti Trump

HAPJA E DOSJEVE – NA ZGJATË JETEN !

August 12, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO: SELIA E PARË/

 1946 ÇKA THA HAFIZ IBRAHIM DALLIU ?/

■Hafiz Ibrahim Dalliu (1878 – 1952) Në vitin 1946, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri …

■Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjen as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhenjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …” (Dosja I. Dalliu)

***

1953 ÇKA THA ENVER HOXHA NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE…

■DOKUMENTI (Falenderoj z. Afrim Imaj, per botimin e këtij Dokumenti. F.R.)

Protokoll nr. 20, datë 17 korrik 1953

Mbledhja e Byrosë Politike të K.Q. të Partisë dhe e Këshillit të Ministrave të R.P.Sh.

Rendi i ditës…

■ENVER HOXHA: Desha të flas pak për çështjen e zëvendësimit të Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sot erdhi tek unë dr. Omer Nishani. Pasi folëm pak, unë ia hapa dhe i thashë se u plake, more doktor, ke menduar ndonjëherë për punën? Pastaj, shtova, të dy ne, unë si Kryeministër dhe ti si President, jemi nga Gjirokastra. Populli i sheh këto gjëra dhe ka njerëz që thonë se e morën të tërë Shqipërinë toskët në dorë. Një gjë e tillë më ka rënë dhe mua në mendje, tha doktori.

Pastaj i thashë, ti u plake, megjithëse Partia ndonjë rezervë në dorë për ty nuk ka dhe ato që kemi pasur t’i kemi thënë haptazi, kur ke gabuar të kemi kritikuar dhe ty ato kritika të kanë shërbyer. Këto fjalë të miat nuk i priti keq se bisedova me të edhe më gjatë…

Pastaj ai më tha: Të them të drejtën, edhe unë kam menduar për këtë gjë, po jo se jam nga Gjirokastra. Pastaj filloi të qajë…

■Mendoj që të jetë një njeri nga Veriu. Një nga ata mund të ishte edhe Myslim Peza, por ai është pa shkollë e këndim, pa kulturë, prandaj na duhet një tjetër…Tani puna është se me kë ta zëvendësojmë. Propozimi ynë është për Haxhi Lleshin. Në Presidium duhet të jetë një anëtar i KQ që t’i marrë të gjitha kompetencat.

Haxhinë ne e njohim të gjithë. Është anëtar i Plenumit, i lidhur që në fillim me Partinë, megjithëse nga ana e origjinës është bajraktar dhe rrethin familjar e ka të keq. Gruaja e Haxhiut është nga një familje që të tërë njerëzit ia kemi pushkatuar ne.

■Kështu të gjykosh, i thashë dhe mos u nxito në mendime. Haxhinë e para ne e njohim. Është një shok nga Veriu, është luftëtar dhe anëtar i Plenumit të KQ-së, por edhe duhet të punojë se është ca i avashëm. Pastaj është edhe shoku Pilo Peristeri. Ai është më i mirë nga Haxhiu, vetëm që është çështja e sindikatave.

■Pastaj Pilua është edhe i krishterë, kurse shumicën e popullit e kemi myslimanë dhe populli e sheh shumë këtë anë. Po të vihet çështja Pilua apo Haxhiu, preferohet më përpara Pilua, më shumë se Haxhiu… Por në kushtet konkrete, ky i fundit është më i përshtatshëm për nga besimi mysliman dhe prejardhja nga Veriu…

■SPIRO KOLEKA: Mbasi është nga Veriu edhe unë jam i mendimit të jetë Haxhiu, pastaj është edhe mysliman.

■LIRI BELISHOVA: Pse mos të vemë Tuk Jakovën?

■ENVER HOXHA: Atje nuk ka ndonjë operativitet të madh, do të rrijë të presë popullin, d.m.th. do të shohë lutjet e popullit me kujdes, ligjet që do t’i paraqiten Kuvendit, çështjet e fajeve të dënimit me vdekje etj…

■(Pas diskutimeve, shumica në fillim e pastaj të gjithë janë dakord që të zgjidhet president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi). 

■Lexues të nderuem, Ju lutem lexoni me kujdes thanjet e të Ndjerit Hafiz Dalliu, dhe kur të perfundoni së lexuemi thanjet e Enver Hoxhës, vlersoni Hapjen e Dosjeve!

■Vetem hapja e Dosjeve tregon pse nuk preken “dekorata e tituj” të kriminelëve, të cilët përditë po “ringjallen” dhe po vazhdojnë me u nderue nga pasuesit e tyne…

■Edhe kjo Dosje… asht një nder ato shumë të tjera që pengon hapjen e tyne!

            Melbourne, Gusht 2016.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, hapja e dosjeve, NA ZGJATË JETEN !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT