• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Terror dhe solidaritet

June 29, 2016 by dgreca

(Përciptas mbi sulmet e Stambollit dhe kurdët si etni)/

Nga Ilir Levonja-Florida/

Ndërsa është një luftë e frikshme. Dhe ai që udhëton aeroporteve e ndjen i pari se sa e pasigurtë është jeta. Se sa e brishtë është liria. Ka edhe një makth njerëzor. Aktin terrorist. Ndaj shpesh shikon me dyshim çdo individ që i fshik bërrylin apo të ulet pranë. Çantën e tij apo asaj, laptopin. Dhe sidomos kur janë veshur sipas traditës myslimane, me kokën mbuluar etj.
Në përgjithësi luftrat janë të padrejta, sa kohë që ka viktima njerëzish. Por luftrat terroriste të natyrës kamikaze etj. Janë dyfish të tilla. Pasi për arsye absurde marrim më qafë njerëz të rastit. Ata që i përkasin lirshmërisë së jetës. Dëshirës, mundësisë, prioritetit për t’iu gjëndur njëri-tjetrit. Dhe për të parë shoqi-shoqin etj.
Eshtë një luftë e fëlliqur thjesht ta mendosh se për faktin që nuk çfarë i bën atyre brenda dritareve të mbrojtura nga radarë e truproja, i bie udhëtarit të thjesht. Eshtë e fëlliqur edhe sepse merr jetë që nuk i bëjnë dobi çështjes. Sado madhore të jetë ajo. Por thellojnë hendekun e mentalitetin midis popujve.
Këtë e bënë për aq kaq vite ishullorët e Britanisë. Apo baskët e gadishullit iberik etj. Megjithatë rezultatet kanë ardhur në rrugë të tjera.
Por janë disa çështje që shpesh kalohen me kollajllëk edhe nga opinioni mbarë qytetarë. I cili shpesh toleron pushtetin e vendit që i përket. Në dështimet e njëpasnjëshme në lidhje me etnitë, konsolidimin e bashkëpunimit etj.
Sot një agjensi botërore lajmesh si ajo francezja, AFP jep një kronologji të detajuar nga shpërthimet e këtyre viteve të fundit në Stamboll. Aty shfaqen grupe armene, kurde, shteti islamik i kohëve të fundit, Al Qaeda etj.
Ndërkohë gazeta me e madhe turke, madje dhe e pavaruar, Hyrriet.
Shpreh një lloj qejfmbetje përse bota nuk solidarizohet po njësoj edhe me Turqinë, ashtu sikur me Francën dhe Belgjikën pak muaj më parë.
Ndërkohë që për një ose dy arsye shoh që edhe shumë shqiptarë, me ”dashuri” të madhe për Turqinë. Ndjehen po kaq të indinjuar karshi mos solidarizimit të opinionit me shtetin turk, sa kam frikë se pas disa vitesh, do kemi një lloj fronti i cili do kërkojë njohjen e ndonjë komuniteti etnik me mbështjen e babës nga Stambolli.
E para, situata mes Turqisë dhe Francës apo Belgjikës i përket një pikëvështrimi diametralisht të kundër. Në Francë dhe Belgjikë është e gjithë bota. Dhe me të drejta apo privilegje të barabarta të qytetarit të tyre. Kanë ngritur dhe objektet e kultit. Ndjekin ritet dhe i bërtasin francezit sikur të jenë në shtëpinë e tyre. Kurse e kundërta ndodh në vendet nga ata vijnë.
Në këtë raport të padrejtë, nderimi si ndaj francezit apo belgjianit. Dhe shtetit përkatës është i drejtë.
Kurse në rastin e Turqisë, solidariteti është vetëm me jetët, me njerëzit e thjesht. Me ata të pafajshëm që gjënden në rrjedhën e jetës së tyre. Të së përditshmes etj. Por asesi me shtetin turk që vetëm çështja kurde. Apo genocidet armene etj. E bëjnë një fajtor të përjetshëm karshi njerëzimit.
Lista e AFP-së dominohet nga çështja kurde.
Sot në Turqi jetojnë rreth 20% e Kurdistanit. Këti trualli etnik të copëtuar në 5 shtete. Me rreth 35 milion banorë. Gjykojeni vet pra se sa territor i ka rrëmbyer Turqia. Janë një komb i madh. Madje që sot, sidomos pjesa e Irakut verior që po përballon e vetme luftën me shtetin Islamik, ISIS, në Sirinë e shkatërruar. Janë një lloj autonomie në Irak që asnjëherë nuk e patën as shqiptarët nën Turqinë, as nën Serbinë. Një lloj republike që ia ka kaluar nga zhvillimi dhe progresi edhe vet Irakut. Dhe padiskutim vendeve në rajon. Dhe që pas një parashikimi të analistëve të ndryshëm, të ndërgjegjësuar nga faktori kurd, por edhe departamentit të shtetit amerikan, në vitin 2030 Kurdistani do jetë shtet i pavarur.
Tani a është e drejtë lufta e këtyre terroristëve. Asesi.
Unë shpesh bërtas, përse nuk i bini shtetit, shtetarëve. Përse njerëzve të thjeshtë? Por terrori nuk lufton me logjikën e pacifistit.
Asaj atij që i tregon shtetit të vet se, e drejta e vetvendosjes është sot privilegj njerëzor i një pakice. Po si i bëhet halli më, kur flasim për një komb me 35 deri në 40 milion banorë?
Mund ta kthejmë nga të gjitha anët.
Këto janë fatkeqësitë e trashëguara nga perandoritë, luftrat e pamëshirmë. Por sidomos e njerëzve shtetarë që zgjidhen duke vjedhur, shtypur, vrarë. Si e si të mbajnë gjallë perandorinë e tyre.
Dhe një rast i freskët është Asadi i Sirisë. Por nuk rri më mbrapa edhe pashai modern i Turqisë, ky me emrin Erdogan.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Terror dhe solidaritet

Një pyetje, ju lutem!

June 28, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Sikur ditën e mbërritjes së Kombëtares sonë në Tiranë, dikush të kishte qënë jo jashtë Shqipërisë por dhe jashtë planetit, për një kohë të gjatë, si fjala vjen astronaut në hapësirë; apo, Zoti mos e dhëntë, të kishte qënë në gjendje kome dhe të zgjohej i shëndetshëm atë ditë. Për rastësi, sa të hapte sytë, të përballej me ekranin e televizorit që po transmetonte kronikën e kthimit të Kombëtares; pritjen në aeroport nga vetë kryeministri; entusiazmin e sportdashësve gjatë rrugës për tek Bashkia; më pas tek minitria e Jashtëme, ku u pajisën me pasaporta diplomatike, në Kreyministri e të përfundonte tek darka madhështore që shtroi kryeministri me tërë ata të ftuar. (Më bëri përshtypje si nuk u ndalën dhe tek ministria e Brendëshme për t’iu dhënë Tahiri nga një pistoletë, se helbete, në këtë botë jallane, tërë krime nuk është keq ta kesh një të atillë). Të dëgjonte, më pas dhe fjalimin patetik të kryeqeveritarit…Shkurt, për të mos u zgjatur më tej, pa pikë dyshimi, ai do të pyeste: “Ç’ka ndodhur? Ç’trofe kemi fituar që po bëhet tërë ky manifestim i jashtzakonshëm, si asnjëherë tjetër?…Dhe, kur t’i thoshin se si qe e vërteta, që ne jo vetëm që s’fituam ndonjë kupë, por u eliminuam që në raundin e parë, ai do habitej e nuk do t’iu besonte dot syve e veshëve të vet: “More po ju pyes se ç’është tërë ai ekzaltim, se unë e kam mëndjen në rregull? Nuk ka mundësi që tërë kjo që po shoh të bëhet se kemi humbur…Sikur nuk kam dëgjuar ndonjëherë që njerëzit të gëzohen jashtë mase për një rezultat të tillë siç po më thoni ju…”.

Tani, le ta lëmë mënjanë fantazinë dhe të kthehemi tek realiteti. U fol e po flitet aq shumë për këtë veprimtari sa e ke vështirë në mos të pamundur, që të thuash diçka të re, siç po guxoj unë. Për më tepër që nuk njihem as si specialist sporti apo dhe as si ndonjë tifoz i madh. “Po atëhere, ç’dreqin ke që fut hundët këtu?!” – mund të shfrynte dikush, mbase dhe me të drejtë, paçka se sporti e sidomos futbolli nuk luhet vetëm për specialistët apo tifozët e apasionuar. Por, e mora këtë guxim për një arsye fare të vogël, për t’iu drejtuar lexuesve që mund të lexojnë këto radhë, me një pyetje fare të thjeshtë: duke parë tërë ato ceremonira, atë pompozitet e ekzaltim deri në histeri të gjithë piramidës sonë shtetërore, sinqerisht do të doja të dija se ç’do të ndodhte, ç’do të bënte kryeministri e turra që i shkon pas, sikur ne të kishim fituar, në mos kupën, të paktën të mos kishim dështuar që në raundin e parë?

Unë i ndoqa me interesim e emocion ndeshjet, qysh kur luftohej për klasifikim. Rastësisht u ndodha në një grumbull goxha të madh shqiptarësh, në Daun Taun, të Manhatenit, për të ndjekur ndeshjen me Sërbinë. Entusiazmi qe i jashtzakonshëm. Çdo sulm i yni përcillej me brohoritje që frenoheshin nga mos arritja e qëllimit. Jo vetëm kaq, por një djalosh i ri, jo vetëm që brohoriste me sa zë që kishte por ftonte turmën e mbledhur që ta shoqëronte në thirrjen e tij:”Shqipëri Etnike”. Se ç’hynte kjo parrullë atje edhe mund të mos e merrje vesh, por mbase me që kombëtarja jonë qe e përbërë nga tërë trojet shqiptare dhe jo vetëm nga Shqipëria shtetërore. Por tërë ai ekzaltim i jashtzakonshëm u shua si me magji pas dy golave që pësuam në fund të ndeshjes. Sinqerisht që m’u dhimbsën ata djem të rinj që ishin djersitur duke bërtitur gjatë ndeshjes dhe u zhgënjyen keqas nga fundi i pakëndshëm. Ne u larguam nga sheshi ku ndoqëm lojën të heshtur e kokëulur, si të na kishte ndodhur gjë. Nuk them që të mos e ndjekim ndeshjen me emocion apo dhe të mos shpërthejmë herë pas here me thirrje entusiaste. Por, kur mbaron loja, vendin e entusiazmit spontan duhet ta zërë logjika e ftohtë, aq më tepër kur je person publik e sidomos i veshur me pushtet, për më tepër kryministër i vendit.

Nga gjithë sa më sipër, absolutisht nuk mohoj lojën e bukur të futbollistëve tanë, shpirtin e tyre luftarak që meritonte vërtet vlerësimin maksimal, paçka se nuk na eci fati, gjë kjo më se normale në futboll, se jo më kot thonë se “topi është i rrumbullaktë”. Por mbas ndeshjeve, siç thashë dhe më lart, vendin e emocioneve duhet ta zinte analiza logjike, duke u përpjekur t’i përgjigjeshim pyetjeve se ku gabuam e ç’duhet të kishim bërë më tepër që të fitonim. Ndryshe, po vazhdove edhe më tej entusiazmin, është njëlloj si të gëzoheshin mjekët e sidomos të afërmit e ndonjë pacienti, nga që “operacioni doli me sukses, por… i sëmuri vdiq”. Pra, të ngopesh me lugë bosh.

Kjo më kujton një histori tjetër që tregohej në anët tona. Një i varfër, pa asnjë qindarkë në xhep, kishte ditë pa futur gjë në gojë. Tepër i uritur, trokiti në një derë e kërkoi diçka për të ngrënë. E zonja e shtëpisë, e keqardhur për të, i jep një lugë me gjalpë, duke i  kërkuar ndjesë se në atë moment nuk i ndodhej gjë tjetër. Ai e mori gjalpin, pasi e falenderoi atë që ia dha dhe vazhdoi rrugën. “E ç’do më bëjë ky çikë gjalpë mua, tha me vete, as që ma shuan dot urinë. Ndaj, me të, po lyej buzët poshtë e lart, që jo vetëm mos të dukem i uritur por edhe sikur jam shqepur në të ngrënë, që të mos iu bëhet qejfi por të pëlcasin ata që më kanë inat”.

Pyetja që shtrova më lart e kishte një mesazh por mos pandehni se unë, si dhe ju që mund të më lexoni, nuk e kuptojmë pse u bë gjithë ajo zhurmë e pse kryeministri ynë nuk kurseu jo vetëm fjalët e bukura por edhe milionin e eurove për kombëtaren tonë të pafat. Në stadiumin e ri, premtoi ai, do të vendoset një pllakë përkujtimore, me emrat e çunave…”.  A e shihni pra se ai flet komplet si ta kishte buxhetin e shtetit apo dhe tërë Shqipërinë, pronë të vetën dhe bën me të ç’të dojë e nuk pyet kërkënd. Mbret e shkuar mbretit..Ah, jo, më falni se mbretërit tani, përgjithësisht, nuk i pyet njeri, por diktator me plot kuptimin e fjalës. Motivi i tij qëndror, jo vetëm në këtë rast por, për të keqen e këtij populli, në gjithë veprimtarinë e tij të përditshmme, është që të jetë përherë në qëndër të vëmendjes si “pop-star”, edhe në sport, paçka se për detyrën që i është besuar po bën aq pak për të mos thënë se po prish punë. Madje, me të drejtë është thënë se me këto shfaqje pompoze ai përpiqet të largojë vemëndjen nga suksesi i munguar në qeverisje. Ai po bën ç’është e mundur që të zotërojë çdo gjë, po të kishte mundësi dhe jetën private të njerëzve e t’i përdorte ata si skllevër, se ashtu i ka quajtur, dele, dhe ai, për pasojë, mbetet të jetë bariu. A nuk e patë se ç’bëri ai me kombëtaren kur u kualifikua: që i mori siç qenë, direkt nga aeroporti, në kryeministri, duke lënë shqiptarët nga të gjitha trevat të prisnin në shesh, për t’iu treguar se ai është i pari dhe as që do t’ia dijë për të tjerët. Dhe e bën këtë me një kombëtare që në gjirin e saj nuk ka më shumë se 3 a 4 lojtarë nga Shqipëria.  Po edhe sikur të kishte më shumë, ç’e lidh atë me këtë kombëtare, kur nuk ka bërë asgjë për zhvillimin e sportit, në përgjithësi, e të futbollit, në veçanti?! Kurse tani që u kthyen doli e i priti në aeroport, hipi në autobuzin e tyre si të kishte frikë se mos i merrte ndonjë tjetër, paçka se në asnjë shtet të botës nuk njihet një protokoll i tillë. Dhe me një paturpësi të admirueshme, për t’i dalë çdo kundërvënieje përpara, ai shpërtheu tërë mllef: “Nuk dyshoj që cinikët e pandreqshëm, të cilët, i kemi jo aq të paktë mes nesh, sidomos kur ngjarjet nuk shkojnë siç dëshirojmë, do të hedhin helmin e tyre. S’do të mungojë as ajo shprehja “Shqipëria po përmbytet, Kryeministri e ka mendjen te futbolli!”. Se vërtet, kur po luante pjesën e parë të shou-t të tij, në nëntor 2015, shumë rajone të vendit po përballeshin me një përmbytje jo të zakonshme por ai as që donte t’ia dinte për hallexhinjtë që po gdhiheshin përjashta e po u shkonte malli dëm. E ku qëndron cinizmi i atyre që u ankuan për këtë, përveçse në mendjen e krisur të zotit kryeministër?! Po kësaj ligësie të tij, se cinizëm është pak ta quash, ç’emër t’i vëmë?

Jo vetëm në këtë rast por tërë veprimtaruia e tij politike është karakterizuar nga dëshira e paepur për pushtet, nga një egoizëm i pafre, nga një narcizizëm neveritës, duke thyer çdo rekord kur guxon e thotë se çdo gjë e mirë në këtë vend ka vetëm autorësine e tij dhe për këtë do të flasë historia. As më shumë e as më pak siç kanë vepruar e deklaruar tërë diktatorët që njeh histoiria, që nga Neroni e deri tek Enveri ynë. Ai e pat pohuar dhe vetë, që më 2003, tek e përditëshmja britanike “The Guardian”, që ai është një pop-star mes kryetarësh dhe kryetar mes pop-starësh. Le të shpresojmë se një ditë do të kthjellohet e do të shërohet nga deliret e madhështisë që po e çojnë në kufijtë e qesharakes e të vetëdijësohet se s’është për t’u pasur zili në asnjërën prej tyre. I dështuar në art, i dështuar edhe në politikë. Madje, sa më shumë përpiqet të shpërfaqë ngjyrat prej pop-stari, aq më shumë na humbet sysh bilanci i qeverisjes së tij, ku mungojnë thuajse krejtësisht arritjet në zhvillimin ekonomik të vendit, në përmirësimin e klimës së biznesit, në zbutjen e varfërisë, në modernizimin e infrastrukturës, në forcimin e institucioneve e sidomos të shtetit ligjor, në rritjen e konsumit, të mirëqenies e të cilësisë së jetës, në përgjithësi, për të cilat edhe është ulur në atë karrige. Pra, nëse dështimi në art përbën thjesht një fatkeqësi të tij, nga e dyta, si politikan, veçanërisht tani si kryeqeveritar, po vuan një popull i tërë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Andon Dede, Ju lutem, Një pyetje

Gazeta angleze “Express” për Shqipërinë: Vendi në varfëri, të gjithë duan të largohen

June 26, 2016 by dgreca

Gazeta prestigjioze angleze “Express” i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë duke e vënë theksin në faktin se vendi ndodhet në varfëri ekstreme dhe se pjesa më e madhe e popullsisë kërkojnë të largohen në drejtim të vendeve të BE-së për një të ardhme më të mirë. Gazetarët e “Express” kanë zbarkuar në Tiranë, ku kanë biseduar edhe me qytetarë të ndryshëm. Në shkrim theksohet gjithashtu se rreth 26 mijë shqiptarë ndodhen në Britaninë e Madhe. “Shqipëria pritet t’i bashkohet Bashkimit Evropian pas negociatave prej vitesh. Por mesa duket varfëria ka sunduar mbi komunitetet. Në zonën e lumit të Lanës, që përshkon kryeqytetin, jetojnë 300 familje të komunitetit rom nëpër kasolle. Disa familje të tjera paguhen minimalisht, shumë e cila mund të jetë më pak se 6 mijë lekë në muaj. Fëmijët e tyre janë të detyruar të lypin para në disa zona, ndërsa disa të tjerë janë të punësuar nëpër miniera”, thuhet në reportazhin e gazetës së njohur angleze. Më tej theksohet se ministrat e Bashkimit Evropian duket se do të lejojnë që Shqipëria t’i bashkohet Unionit. Shqipëria njihet si kandidate zyrtare e Bashkimit Evropian që në vitin 2014 dhe mund të bëhet pjesë e unionit në 2020. Ndërkohë, sekretarja e Parlamentit Anglez, Theresa May, ka paralajmëruar për mos-lënien e “Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të zi, Serbisë dhe Turqisë t’i bashkohen BE-së, dukë thënë se: “Ata janë vende me popullsi të varfër dhe probleme serioze, me krim të organizuar, korrupsion dhe ndonjëherë edhe terrorizëm”. Por, për shumë shqiptarë lufta më e madhe është mbijetesa. Ka pakënaqësi të madhe në mesin e njerëzve që besojnë se asgjë nuk është bërë për t’i ndihmuar. Kafenetë, ku pijet janë të lira mbushen me 20-30- vjeçarë, të cilët pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në shtëpi, para se meshkujt kryesisht, të nisen për punë në Evropë. Që prej hapjes së vizave Shengen, qindra të rinj largohen për tre muaj nga vendi i tyre, duke punuar. Duke qenë pa vizë, ata punojnë në vende të rrezikshme, duke thënë se s’kanë mundësi tjetër”, thuhet në shkrim.(E dergoi per Diellin: Shefqet Kercelli)

Filed Under: Opinion Tagged With: Express, shqiptaret largohen

Referendumi britanik dhe mëkatet e demokracisë

June 26, 2016 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Universiteti i Birminghamit/

Referendumi i 23 qershorit nuk duhej të kishte ndodhur. Meqë ndodhi, ai duhej të ishte marrë më seriozisht si nga votuesit ashtu edhe nga politikanët. Dhe kjo për disa arsyje. Në Mbretërinë e Bashkuar, me një parlament që në historinë e tij një mijë vjeçare, parësore mbetet mbrojtja e interesave të kombit, një vendim kaq i rëndësishëm si qëndrimi në apo dalja nga Bashkimi Evropian nuk duhej të lihej në duart e demos-it. Ky nuk është përçmim i elektoratit por një konkluzion që mund të nxirret lehtë nga konstatime gjatë dhe pas referendumit.

Vota është njëkohësisht një e drejtë dhe përgjegjësi demokratike. Në këtë referendum një pjesë e mirë e elektoratit britanik u tregua i papërgjegjshëm. Dihet që një numër qytetarësh britanikë, veçanërisht në Angli, kanë iluzione se ky vend është akoma perandori. Nuk po ndalem këtu në aspekte të ndryshme të nacionalizmit britanik, veçanërisht atij anglez, pasi kjo është një çështje që e kam trajtuar në disa studime rreth ligjërimit populist të Enoch Powell, si dhe retorikën ‘neo-raciste’ që filloi në vitet 1980-të.

Për momentin, vlen të përmendim se ata që nuk shkëputen dot nga mendësia imperiale, nuk e kuptojnë që në një botë globale sovraniteti i plotë kombëtar është një ëndër utopike që rezulton në vetë-izolim. Kjo pjesë ‘nacionaliste’ e elektoratit u mashtrua nga politikanë të papërgjegjshëm si Michael Gove dhe Boris Johnson si dhe nga Nagel Farage, një sharlatan me mbiemër francez dhe bashkëshorte gjermane që nuk honeps dot të huajt.

Kjo nuk do të thotë se politikanët që lobuan për qëndrimin e Britanisë në BE u treguan më të përgjegjshëm. Aktualisht, figurat kryesore në politikën britanike, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, për fat të keq, janë personalitete pa karizëm dhe vizion.

Ndërsa kampi i Brexit-it qëllimisht keq-informoi publikun për ‘gjëmat’ që gjoja vijnë nga BE-ja, Kryeministri Konservator David Cameron dhe Kryetari Opozitës Laburiste Jeremy Corbyn nuk treguan kurrë bindshëm se përse t’i kthesh kurrizin një tregu gjysëm bilioni konsumatorësh në prag të shtëpisë, si BE-ja, përbën një travesti që bie ndesh me pragmatizmit karakteristik britanik. I vetmi rast që këta dy politikanë u ‘bashkuan’ gjatë fushatës se referendumit ishte kur bënë homazhe në vendin ku u vra parlamentarja Jo Cox, vdekja e së cilës përbën treguesin më shqetësues se çfarë shkoi tragjikisht keq këtë verë në politikën britanike.

Për mua referendumi i 23 qershorit është shqetësues edhe për sjelljen e klasës politike skoceze. Skocezët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në lidhje me MB-në në referendumin e 2014-tës dhe ata zgjodhën të mos largohen. Të kërkosh një referendum të dytë tani është të sillesh si një fëmijë mistrec që pranon të marrësh pjesë në lojë me të vetmin kusht që të fitosh gjithmonë.

Skocezët dhanë një kontribut të madh në krijimin dhe konsolidimin e perandorisë britanike, veçanërisht përsa i përket sektorit bankar dhe arsimit. Po kaq e vërtetë është që në 300 vitet e fundit, si pjesë e Britanisë, Skocezët kanë përfituar nga unioni më shumë se populli i Ueillsit dhe irlandezët.

Unë do të dëshiroja që Skocia të vazhdojë të jetë pjesë e MB-së. Kjo nuk do të thotë që politikanët skocezë, që aktualisht votojnë si në Parlamentin Britanik në Londër ashtu edhe në Parlamentin e Skocisë në Edinburg, nuk duhen lejuar të vazhdojnë të mbajnë peng federatën britanike.

Po të perifrazojmë fjalët e Winston Churchill, demokracia nuk është gjithmonë forma më e efektshme e qeverisjes; ajo është më funksionalja. Referendumi i 23 qershorit tregoi se demokracia ka mekanizmat e saj jo perfekte dhe, në rastin konkret, me pasoja negative afatgjata.

Nga ky referendum më të humburit janë të rinjtë. Por kjo ka një anë pozitive; brezi i ri britanik tani ka mundësinë të bëhen qytetarë më të përgjegjshëm më shpejt.

Po kështu, jam i sigurtë se Britania, edhe pse aktualisht po përjeton një situatë jo të këndshme, do të dijë të afirmojë vitalitetin e saj. Megjithatë, gjërat do të përkeqësohen para se të fillojnë të përmirësohen.

Birmingham, 25  Qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. gezim Alpion, eferendumi britanik dhe, mëkatet e demokracisë

Thaçi: Shqiptarët vazhduan të na bëjnë krenarë në Euro 2016

June 25, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 25 Qershor 2016/ Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sapo shkroi në ‘facebook’ se, me gjithë disfatën e kombëtares së Zvicrës, shqiptarët vazhduan të na bëjnë krenarë në Euro 2016 në Francë.

“Xherdan Shaqiri, i mbështetur edhe nga Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili, si dhe Shani Tarashaj në stol, shënoi mbase golin më të bukur të kampionatit evropian, duke barazuar rezultatin në kohën e rregullt.

I përgëzoj bashkëkombasit tanë për paraqitjen dinjitoze, ndërsa Shkodran Mustafit i uroj shumë fat me kombëtaren gjermane”, shprehet Thaçi nga Panamaja. 

Më herët ai ka bërë të ditur se, gjatë ditës në Panama do të ketë takime me përfaqësues të shteteve të Amerikës Qendrore dhe Amerikës Latine, për të shtyrë përpara axhendën bilaterale dhe atë të njohjes.

“Kosova është e bekuar që ka miq në çdo cep të botës”, ka shkruar presidenti kosovar.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkuar për një vizitë zyrtare në Panama, ku fillimisht merr pjesë në inaugurimin e zgjerimit të kanalit të Panamasë, që është rruga e dytë më e madhe ujore në botë./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: krenare, shqiptaret ne euro 2016, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 558
  • 559
  • 560
  • 561
  • 562
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT