• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Cili është vendi ku duhet të jem unë?

February 18, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa /

I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Më kujtohen ato ditë të errëta kur, së bashku me shokët e mi, ashtu si shumë të tjerë, shkruanim nëpër muret e qytetit tonë:

Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!  Le të sulemi nën flamurin kuq e zi në flakë të luftës, që të na drithtërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thërritur: “Rroftë Shqipëria!”

  Më kujtohet, kur në qelitë e errëta të sigurimit, i deklaroja hetuesit tim, ashtu si dhe shumë të rinj të tjerë, se:

Rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit e quaj të drejtë, për deri sa gjendja në vendin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga të arratisurit politikë jashtë shtetit dhe nga aleatët Anglo Amerikanë.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”. Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi, por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re. Ndaj u bashkova me ta. Por, prisja një reflektim, prisja një kërkim ndjese. Para syve më dilte dialogu i princ Hamletit me nënën e tij, mbretëreshën Gertrudë, kur i thoshte:

  • O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe jeto me gjysmën tjetër më të mirë!

Por kjo nuk ndodhi. Askush nuk kërkoi ndjesë. Megjithatë i pranova si bashkudhëtarë. I pranova se e njihja mirë sistemin e përmbysur. I njihja mirë mjetet e dhunës që ai përdorte për të shkatërruar ndërgjegjen njerëzore nga çdo ndjenjë e mirë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kisha provuar mbi shpinën time. Ndaj, në një farë mase, e kuptoja ngurimin e tyre. Por, të paktën, prisja që këtë ta bënin presidentët, kryeministrat, kryetarët e partive që e quanin veten demokratë e të tjerë të këtij lloji, qofshin të djathtë apo të majtë. Doja të ndiqnin shembullin e Papa Gjon Palit të Dytë që kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga kisha në periudhën e inkuizicionit. Doja të ndiqnin shembullin e Kancelares Merkel që, në emër të Qeverisë Gjermane, kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga nazizmi. Doja, së fundi, të ndiqnin shembullin e qytetarit gjerman që kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga i ati në masakrën e Borovës. Por edhe kjo nuk ndodhi. Askush nuk pati kurajo ta bënte një gjë të tillë. Kjo më diziluzionoi dhe nuk arrita të kuptojë përse. Mendoja se një gjë e tillë do t’i ngrinte më lart figurat e tyre, do t’i bënte më të nderuar.

Para disa ditësh isha në një shfaqje filmi që organizonte Ambasada Çeke në ambjentet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Filmi trajtonte historinë e një mjeku të njohur që në kohën e diktaturës kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Pas ndryshimeve demokratike mjeku vazhdon punën e tij humanitare. Për këtë nderohet me çmimin më të madh të vendit. Në çastin e marrjes së çmimit mjeku pati kurajon që të deklaronte para pjesmarrësve të vërtetën e hidhur të jetës së tij në të kaluarën.

Një gjë e tillë në Shqipëri nuk njihet. Madje, ata që në ndërgjegjen e tyre mbajnë krimet e totalitarizmit, jo vetëm nuk kërkojnë ndjesë për to, por synojnë të arrijnë majat më të larta të sistemit të ri. Para syve më del pamja e asaj dite kur para meje, si një fantazëm, u shfaq figura e operativit të sigurimit të kampeve të Shtyllasit dhe Bulqizës ku, me urdhër të tij, në vitin 1954 Sulejman Dizdari u mbulua me dhe i gjallë dhe 17 vjeçari nga Mirdita, dha frymën e fundit i lidhur në shtyllën e elektrikut në natën e acartë të janarit 1955. Me një cinizëm të paparë ky kriminel më tregonte se ishte emëruar drejtor i një drejtorie në Ministrinë e Drejtësisë. Cilën drejtësi do të mbronte ky “kain”? Cilët do të dënonte? Mos vallë veten e tij?

Para disa ditësh lexova në një gazetë të përditëshme një lajm për nxjerrjen para gjyqit në Gjermani të Reinhold Hanning, ish roje i kampit famëkeq të Auschëit-it, 94 vjeç, mbi të cilin rëndonin 170.000 akuza si bashkëfajtor në vrasje nga janari 1943 deri në qershor 1944. Po ashtu John Demjanjak u dënua në vitin 2011 si roje i një kampi nazist, madje pa iu provuar fajësia. Po kriminelët shqiptarë të tipit të operativit të sigurimit të Shtyllasit dhe Bulqizës a do të dënohen ndonjë herë?

Unë nuk e besoj. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e Dekriminalizimit dhe të Reformës në Drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që me termat e mësipërme kanë arritur të imponojnë pikpamjet e tyre duke konsideruar të inkriminuar vetëm ata që kanë shkelur ligjin pas viteve 90-të. Po kriminelët e para 90-ës ende do të vazhdojnë të jenë në këto komisione? Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit të kaluar. A thua nuk paska të rinj që kanë kryer shkollat më dëgjuara të botës së lirë për të zëvendësuar këto mbeturina të diktaturës? Deri kur do t’i dëgjojmë absurditetet e tyre mbi demokracinë perëndimore?

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar. Shoqatat e të Përndjekurve Politikë, Instituti Integrimit të Përndjekurve Politikë, madje edhe Ministria e Kulturës, kanë dërguar propozime për nderimin e këtyre figurave, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar. Një shembull i kësaj fryme është edhe debati i zhvilluar për dramën shqipe kur, një personalitet i njohur i kësaj fushe, deklaroi se tashmë nuk duhen më drama me subjekt nga periudha totalitare. Kjo gjë vihet re në shumë fusha. Në kinematografi gjatë këtyre 25 viteve janë prodhuar jo më shumë se 2-3 filma me temën e diktaturës. E njejta gjë vihet re edhe në teatër. Në letërsi për këtë periudhë shkruajnë vetëm ata që e kanë hequr mbi shpinën e tyre atë kohë. Përse? Sepse quhet një temë e dalë jashtë mode. E kundërta ndodh në botën perëndimore. Janë disa herë më të shumtë filmat me atë subjekt se filmat shqiptarë. Po ashtu edhe filmat e prodhuar në vendet ish komuniste të lindjes.

Kanë kaluar mbi 70 vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, megjithatë filmat me temë holokaustin nazist janë nga më të ndjekurit. Më lejoni t’ju kujtoj filmin “La vita e bella” me aktorin e njohur Roberto Benigni që, për vlerat e tij, fitoi çmimin presticioz “Oskar”. E njejta gjë edhe për degët e tjera të artit dhe kulturës.

Komedia vazhdon. Debate pa fund në kuvend. Debate që zgjasin pambarim a thua se qytetarët qenkan të malluar për këto debate boshe. Çudia qëndron në atë se si ka mundësi që edhe shtypi viziv dhe ai i shkruar u kushtojnë faqe dhe orë të tera. A keni parë ndonjë kanal shtetëror televiziv në botë që për orë dhe orë të tëra të transmetojë punimet e parlamentit në të dy kanalet e tij si ky yni? A keni parë në botë ndonjë kryetar partie apo kryeministër që të qëndrojë në pushtet me vite e vite me rradhë dhe megjithëse ka dështuar në detyrën e tij, vazhdon të qëndrojë dhe refuzon të jap dorëheqjen. Nocioni i dorëheqjes mungon në Shqipëri. Në Shqipëri ekzistoj nocioni i hyjnizimit të drejtuesve të përjetshëm. Një pasqyrë e qartë e vazhdimit të mentalitetit komunist.

I ndodhur në këto pozita pyes veten:

  • A jam në pozitat e duhura? Cili është vendi ku duhet të jem unë?

Hedh vështrimin në spektrin politik shqiptar. Qysh në ditët e para të përmbysjes së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën. Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh gati për çdo ditë ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim. Ndaj e bëra pyetjen e mësipërme.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar. Ndodh shpesh herë që organet e ndryshme nuk m’i botojnë. Por sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu bëj edhe unë. Njoh shumë intelektualë, ende të panjohur në opinionin publik, që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhetat. E di që nuk do të

mund ta gëzojë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.

Çuditërisht në këto çaste para syve më dalin vargjet e pavdekshme të të madhit Viktor Hygo që shkruante:

Njëmijë po të mbetën, do mbetem edhe vetë,

                                    Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,

                                    I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,

                                    E në mbet vetëm një, unë do jem ay!

  *  Botuar në gazetën “Telegraf” Nr. 38 (3134) datë 18 shkurt 2016. Dërguar, më parë, gazetave “Panorama” dhe “Shqip” të cilat nuk e kuptoj se përse nuk e botuan. Për më tepër, sipas etiketës së një gazete serioze, duhej të më kishin kthyer përgjigje për shkakun, gjë që unë ua kisha kërkuar. Megjithatë zotërinjtë kryeredaktorë të gazetave në fjalë, respektivisht zotërinjtë Robert Rakipllari dhe Urim Bajrami, nuk denjuan. Arsyen e dinë vetëm ata. A mund të quhet shtyp “i lirë” dhe “i pavarur” një shtyp i tillë? Po mundën le të përgjigjen.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cili është vendi, ku duhet të jem unë?, reshat kripa

Argjentinë-Hirësia e tij Aleksandër, uron Kosovën në Ditën e Pavarësisë

February 18, 2016 by dgreca

Buenos Aires Argentina : Kryepeshkopi Aleksandër, përsëri me këtë set me fotografi postuar në rrjetin social facebokk – statusin e tij nuk ka harruar as në këtë 8 vjetor të urojë Kosovën në 8 vjetorin e Pavarësisë së saj – nga një vend me shumë domethënie nga rruga dhe përroi në Argjentinë me emrin “Kosova” – Hirësia e tij Alekasandër, thotë : “Urime Shqipëri, Kosovë, Iliride, Çameri, Presheve, Ulqin, Plave e Guci, vaditën me gjakun e bijve tanë më të mirë; ata ranë në fushën e bëtejës për këtë Flamur, duke u bërë simbolë të krenarisë shqiptare, shembuj frymzimi për gjenëratat e reja”
Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, e thënë ndryshe pasuesen e kishës së Nolit, por në pjesën jugore të kontinentit – aty ku kjo kishë, ka komunitetet e veta në Argjentinë, Brazil, Kili, Uruguai, duket se me këto data të shenuara të kombit tonë shqiptarë nuk po e harron gjakun e tij shqiptar. Çka nuk ka munguar edhe kësaj radhe, ai nuk ka harruar të urojë shqiptarë kudo që janë :”Gëzuar 17 Shkurti Kosovë, 8 Vjetori i Pavarësisë, për të gjithë motra e vellezër , miq dhe të dashurit e mi Shqiptarë !!!
Në statusin e tij Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, shkruan :”Urime për të gjithë vëllezërit e mi dhe motrat e shqiptarëve të Kosovës, sidomos pasi shumë miq kam atje në ditën e Pavarësisë së tij të lavdishme, të gjithë ju jeni në zemrën time. Kosova një popull dje, sot dhe përgjithmonë thyejnë zinxhirët e tyre. Të gjithë shqiptarët, në qoftë se ne jemi të bashkuar, kemi ndërtuar Kombin e Madhe që është Shqipëria. Vetëm ajo ka vetëm atë që na bashkon, që na integron. Shkaku i Popullit të Shenjtë Shqiptar, shtyhet, përndjekur, ngrihet i papërmbajtshëm, e kuqe dhe e zezë, në zhvillim në një ulërimë e madhe: Rroft Kosova!!! Rroft Kombi Shqiptare!!! Rrofsh sa malet e Shqiperise!!! Në lavdinë e Popullit shqiptar përgjithmonë!!! Zoti e bekofte Shqiperine dhe Shqipetaret kudo qe jane” shkruan Kryepeshkop +Aleksander
Më tej ai sqaron se këto fotografi janë nga një përrua të quajtur Kosova, në Ushuaia, Tierra del Fuego. Patagoni, Argjentinë, fund jugore të botës. Këtu në Amerikën e Jugut, kudo që të shkoni, gjithmonë gjej një vëlla të Gjakut Shqiptar…
Gjithashtu, në postimin e tij – Hirësia e tij Aleksandër, shkruan se “Të gjithë shqiptarët, në bot ë në se ne jemi të bashkuar, kemi për të ndërtuar Kombin e Madh dhe shtetin që quhët Shqipëria. Vetëm ajo Shqipëra, ka atë që na bashkon, që na integron. Çeshtja e Popullit të Shenjtë Shqiptar, nese shtyhet,vazhdon përndjekja, populli nuk papërmbahet, e kuqe dhe zi “
Urime edhe të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni e ku jetoni, me familjët tuaja!!! Me respekt, zemra ime është me ju djema. Qofshin gjith shqiptaret me shendet e te suksesshem!!! Rroft Kombi Shqiptare!!! Rrofsh sa malet e Shqipes!!! Rroftë Shqipëria Etnike!!! Në lavdinë e kombit tonë shqiptar përgjithmonë!!!

Kryepeshkopi Aleksander I shqiptarve – Bir i Shqiponjës

Arzobispo (Kryepeshkopi) Aleksandër i Argjentina dhe Amerika Latine rrënjët e tij zënë fill tek pasardhësit e Skënderbeut. Njëri nga prindërit mbante mbiemrin Muzakajt, ndërsa tjetri mbante atë Greco. Shumë shekuj më parë, familja e tij pat lënë Arbërinë e shkrumbuar nga luftërat dhe qe vendosur në Kozencë. Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, e thënë ndryshe pasuese e kishës së Nolit, por në pjesën jugore të kontinentit.

Shqiptarët e Argjentinës

Kjo kishë ka komunitetet e veta në Argjentinë, Brazil, Kili, Uruguai. “Dy janë qëllimet e punës sonë: të shërbejmë që shumë njerëz të ritakojnë besimin tek Zoti dhe t’i takojmë shqiptarët me vlerat kulturore të kombit tonë përmes simboleve dhe historisë. Madje, synojmë që të gjitha këto t’i bëjmë në shqip”, thotë Kryepeshkopi me seli në Buenos Aires të Argjentinës. Ai tregon se në këtë shtet dhe në gjithë Amerikën e Jugut ka shumë shqiptarë, shumë arbëreshë që kanë ikur nga Italia Jugore dhe janë vendosur atje. “Ne jemi me mijëra, por shumica është e asimiluar në vendin ku ka jetuar dhe e kanë harruar pothuajse lavdinë e origjinës shqiptare. Po luftoj për t’i ribashkuar, për t’iu kujtuar origjinën.

Amaneti i Kryepeshkopit

“Unë vij nga një familje me origjinë arbëreshe e jugut të Italisë. Paçka atyre shumë shekujve që kanë kaluar nga koha që familja ime la Shqipërinë, gjithmonë e kemi ruajtur edhe të folurën. Arbëreshët që jetojnë në Amerikën e Jugut e kanë humbur jo pak të folurën shqipe, gjuhën pra, e megjithatë po përpiqem ta rikthej vëmendjen tek ajo. Gjithnjë e kemi pasur në ndërgjegjen tonë, tokën e origjinës. Kjo koshiencë nuk ka humbur as përgjatë shekujve. Kjo është e rëndësishme për t’ia transmetuar edhe të rinjve tanë. Gjithnjë kam thënë se porta jonë është e hapur për të gjithë ata që kanë gjak shqiptar.”(E dergoi per Diellin:Beqir Sina)

Filed Under: Opinion Tagged With: Aleksander, Argjentine, Beqir Sina, Hirësia e tij, Urim Kosoves

Muxhahedinë dhe akullore

February 17, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Termometrin shqiptar e ka ngritur lart një shprehje entuziaste e ish Kryeministrit Majko, nga Parisi i 2014. Unë jam muxhahedin…! I qoftë rruga e ndërgjegjësimit, e butë. Sepse në të vërtetë, referuar sojit që i përket Majko. Shqiptarët politikanë janë muxhahedinë të gjithë. Dhe me siguri një ditë do të kërkojnë strehim diku. Ndofta edhe nga kjo pandehmë, nga kjo paranojë, ata janë entuziastë në vjeshtat e botës. Dhe muxhahedinë në dimrin e tyre. Madje të përjetshëm. Kanë qënë, janë…, dhe fatkeqësisht duket se do të mbeten të tillë. Dhe memoria aty është. Pavarsisht se muxhahedinët…, deri më sot duket sikur kërkojnë ndryshimin.

Nuk ka të bëj aspak me faktin humanitar të strehimit. Një popull bën mirë që hap derën njëriut që degdiset. Njeriut që përndiqet. E bëri bota me ne gjatë kohërave. Dhe po e bën akoma. Edhe pse tek-tuk, diku andej, shpërndarë, ne jemi për pritësit, muxhahedinë. Ashtu sikur për të tjerë njerëz punëtorë e të ndershëm.

Dhe nuk po u futemi shpjegimeve, mbi prejardhjen, historinë e tyre në Iranin e Jetollah Komeinëve, pasi origjinën e ardhjes në pushtet të gjithë e kanë pikërisht nga të ashtuqujturat luftra të shenjta. Të nisura nga ekzilet, nga debimet, apo dhe përndjekja e shoqi-shoqit. Po në fund të fundit kështu ka ekzistuar pushteti. Këtë e tregojnë dramat nga antikiteti e deri në ditët moderne.

Veçse entuzizami i akulloreve të muxhahedinëve shqiptarë në Paris, është një rit banal i hipokrizisë së radhës. Ata që rrinin në këmbë dhe duartrokisnin ish kryeministrin tonë, mbase kanë kujtuar se Shqipëria i ka hedhur tutje përgjithmonë, kulturën e juntave politike apo fetare. Ato të impulsuara nga platformat e grupeve me bazë gjoja luftën e shenjtë. Që në botën perëndimore shqiptare, përkthehet lufta për demokratizimin e vendit. Hapjen e tij me botën, aleat besnik i vendeve të mëdha etj. Rritja e mirëqënies dhe nxjerrja në pah e vlerave të kombit shqiptar.

Mirëpo kanë pas koke një mori zullumesh. Madje aq sa të qeshur, aq edhe vrastarë. Aq edhe kalorës të xhihadit politik.

Që t’ja themi shkoqur njëri-tjetrit. Shqip…, muxhahedinët janë opozitarë të regjimit. Persia e madhe nuk ka gjetur kurrë paqe veçse përmes diktaturave. Kjo për rrjedhojë logjike të kulturës politike. E cila i ngjan formës së qeverisjes patriarkale. Por me metoda grupi. Aty nga Parisi e filluan ngritjen edhe ata që qeverisin sot Iranin e madh, pra shpura e Ajatollah Komenit, pra klasa komeniane. Ndofta aty shpresojnë ta fillojnë edhe muxhahedinët e radhës, opozitarët e radhës për demokratizimin e vendit e tyre. Këta që i përkrah të cilëve u identifikua Majko. Me fjalët e Kenedit, me zërin doktor Luter Kingut.

Në fakt është ironi e fatit njerëzor identifikimi shqiptar me përndjekjen. Kjo përndjekje ka rezultate të hatashme në copëtimin e Shqipërisë. Edhe pse sot e kësaj dite, gjerorja e edukimit, e arsimimit, e historisë etj…, ia mvesh me shpatë koke armikut të huaj. Edhe pse fabulën e Skënderbeut, atë të tufës së thuprave, e kemi si temë të parë në gjoja unitetin shqiptar. Ne kemi qënë dhe jemi muxhahedinë.

Me aq entuziazëm sa i folëm iranianëve opozitarë, nga vjeshta e Parisit 2014, i bie që në Shqipëri sot. Të ishin hapur dosjet e krimeve, të përndjekjeve, persekutimeve, shfarosjes etj. Të ishte kërkuar një ndjesë publike të paktën po e përmbledhim me një emër opozitarizmin si ekzistencë përmes Musine Kokalarit. T’i ishte kërkuar ndjesë, besimit në Zot, etërve françeskanë. E sa e sa të tjerë…?

Në Amerikë ka një shprehje Pandi. Me që fole si Kenedi. Drejto i frymëzuar nga shembulli. Dhe unë të kuptojë se duke i munguar referenca politikës shqiptare, përdorim emrat nga bota e madhe. Dhe kjo është e trishtueshme, shembulli i munguar në politikën tënde.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Muxhahedinë dhe akullore

Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve me aleatët

February 16, 2016 by dgreca

 -Kryeministri Isa Mustafa: Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Shkurt  2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë.
“Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. “Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.  Ndëkohë që opozita ka paralajmëruar për nesër protestë në Prishtinë, lidhur me zhvillimet në skenën politike kryeministri kosovar tha se, ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. “Populli ynë thotë: ‘Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka’. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt”, u shpreh Mustafa. Sepse, vijoi ai, shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. “Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.

 FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA, NË PRITJE: 

Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran.
17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës.
Të dashur miq,
17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm.
Zonja dhe Zotërinj,
Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj.
Zonja dhe zotërinj,
Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste,  ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.
Të nderuar të pranishëm,
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.
Të dashur miq,
Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor,  të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale.
Të nderuar të pranishëm,
Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Të nderuar të pranishëm,
Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu,  është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze.
Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, me aleatët, Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve

E FALENDEROJ Z-njën NEXHMIE HOXHA PËR INTERVISTEN HAXHIQAMILISTE

February 16, 2016 by dgreca

Shkruar nga Thanas L. GJIKA/
Në këto ditë të ftohta të shkurtit 2016, z-nja Nexhmie Hoxha, e veja e ish diktatorit tonë dha një intevistë, të cilën e quajti të fundit. Pas saj nuk duhet të presim më prej saj intervista e biseda, për të bërë ndonjë korrigjim a evoluim mendimesh. Kjo intervistë e saj duhet konsideruar si testamenti i saj. E pikërisht për faktin se ajo e la testamentin e saj duhet ta falenderojmë, mbasi ish pushtetarët që nuk lenë testament bëjnë një gabim fatal ndaj pasuesve puthadorë të tyre. I lenë këta në një gjendje të turbullt lidhur me qëndrimet që duhet të mbajnë ndaj dukurive të ndryshme politike e shoqërore në të ardhmen dhe kundërshtarëve nuk u japin material për t’i diskredituar.
Z-nja Nexhmie u tha pasuesve të PPSH-së, dhe simpatizantëve të saj, të cilët për fat të keq përbëjnë gjysmën e popullit shqiptar që jeton në atdhe, se Enver Hoxha si burrë shteti kreu vetëm trimërira e bëma të mira, duke jetuar me një rrogë me të cilën e mbyllte muajin me vështirësi. Se rroga e tij prej 16.000 lekësh, ishte në përputhje me porosinë e Leninit, vetëm dy herë e gjysëm më e lartë se ajo e punëtorit, etj. Ajo nuk tha asgjë lidhur me faktin se sistemi socialist dështoi me turp, sepse ishte i ngjizur që në embrion me kërkesa e porosi që ishin kundër natyrës njerëzore. Ajo nuk përmendi asnjë nga krimet e kohës së diktaturës komuniste, madje as nga ato të cilat i gatuante ajo me bashkëshortin e saj. Ajo bëri sikur nuk e dinte se fshatari që punonte në kooperativë merrte rreth 40 lekë për ditë pune, pra 16 herë më pak se diktatori, etj.
Demokratët duhet ta falenderojnë z-njën Nexhmie sepse ajo i la pasuesit e PPSH-së dhe besnikët e saj të çoroditur, mbasi mospranimi i asnjë kritike ndaj diktatorit e diktaturës, është përpjekje për ta kthyer Enver Hoxhën në një tabu të paprekshëm. Kurse sipas Katovicës, që ndiqte Ramiz Alia, diktatura e diktatori duheshin sharë, shaheshin e kritikoheshin gabime e krime të kryera. Pra autorja e testamentit bën hapa prapa në krahasim me rrugën që kishin ndjekur deri sot pasuesit e besnikët e PPSH-së. Me intervistën testament ajo, duke mos kërkuar të falur për krimet e kryera dhe duke mos u bërë thirrje pasuesve të saj për largim nga skena historike edhe mbas 25 vjet nga humbja e betejës, ajo po u le një trashëgim moral shumë të ulët pasuesve të hapur e të fshehur të PPSH-së, . Ajo po ngul këmbë në ruajtjen e mendësisë së vjetër tiranike dhe po kërkon ta maskojë të vërtetën me gënjeshtra, ashtu si kishte bërë në kohën e sundimit diktatorial.
Intervista e saj nuk është gjë tjetër veçse një kushtrim haxhiqamilist Dum Babën, Dum Babën! kur perandoria komuniste është përmbysur pa kthim dhe Enver Hoxha është mbuluar me një mal me krime tashmë të zbuluara e njohura botërisht. Kjo intervistë testament është një vulë turpi në ndërgjegjen e saj dhe të çdo shqiptari që do ta ndjekë atë…

Filed Under: Opinion Tagged With: interviste Haxhiqamiliste, nexhmije Hoxha, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 598
  • 599
  • 600
  • 601
  • 602
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT