• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë po i ndodh kombit shqiptar ?

February 20, 2016 by dgreca

-Kombi shqiptar në rrezik. Ne Kuvendin e Shqipërisë nuk respektohen studentet qe rrezuan komunizmin ndërsa në Kosovë vendi po shkon drejt destabilizimit.

-Me ligjin e ri për emigrantet shqiptare te sapo miratuar nga Parlamenti shqiptar personat qe vdesin në Amerike dhe nuk janë riregjistruar nuk mund të varrosen në Shqipëri!.

Opinion nga Lek Gjoka/Jacksonville / Florida/

Fatkeqësisht ky vit në trojet etnike shqiptare ka trokitur me mjaft ngjarje jo të mira të cilët të krijojnë një pesimizëm për të ardhmen e popullit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin e detyrueshëm për Diasporën Shqiptare për tu riregjistruar ndryshe konsullatat shqiptare nuk do t’iu shërbejnë qytetareve te tyre shqiptare në këto vende. Te flasësh për prapaskenat e këtij ligji sigurisht duhet të jesh i fushës juridike por ato që me shqetësojnë mua si emigrant janë disa por kryesoret janë se qeveritë shqiptare nuk janë të besueshme dhe për pese dollarë mund të shesin databazen e të dhënave personale te diasporës shqiptare megjithëse në një ligj të tij thuhet se mbrohen 100% nga ministria përkatëse.

Si mund ti besoj politikaneve shqiptare kur deputetja Mesila Doda iu kërkon që të respektojnë grevën e urisë të studenteve që rrezuan diktaturën komuniste në Shqipëri dukë i duartrokitur por as njëra nga palët e parlamentit nuk pranuan. Nuk e di dëshirën e deputeteve të zgjedhur me votën e popullit nëse kanë nostalgji për diktaturën komuniste apo si bijë të atyre që e gjakosen kombin shqiptar për gjysmë shekulli duan ta rikthejnë atë diktature?Gjithësi jam pro regjistrimit pa kushte të shqiptareve të diasporës po dikush që ka urrejtje ekstreme për qeverinë socialiste dhe nuk beson në ketë ligj dhe nuk regjistrohet as vete a as familjen e tij. Fatkeqësisht atij personi i vdes një pjesëtar i moshuar i familjes i cili ka lenë amanet të varroset në vendlindje por që të shkosh nga Amerika në Shqipëri (nuk ka rendësi nëse je edhe nënshtetas amerikan) duhet medoemos që konsullata shqiptare të plotësoje disa letra ndryshe agjencitë funerale të Amerikës nuk presin dot biletën e transportit për të vdekurin. Dukë mos qenë i riregjistruar sipas ligjit të miratuar me 19 Shkurt 2016 konsullata shqiptare në Amerike nuk duhet ti shërbeje këtij qytetari të vdekur?!E thëne shqip ai duhet të prehet në dhe të huaj dhe amaneti i tij për tu prehur në vendlindje te mos realizohet. Vërtetë dikush mund të shprehet se është faji i të birit që nuk e regjistroi por kur një person vdes nuk duhet të ekzistoi asnjë ligj sikur ishte në diktaturën komuniste që emigrantet politike i quanin tradhtarë dhe nuk i linin të preheshin në Shqipëri!..

Problemi tjetër si qytetar shqiptar është situate shumë e tensionuar në Parlamentin e Kosovës që shumë shpejt do të dale jashtë kontrollit. Çdo lloj dhunë në parlament nuk duhet të ndodhe dhe faji nuk është vetëm i atyre që hodhën gazin lotsjellës por i qeverise e cila moralisht duhet të largohet dhe të shkoje në zgjedhje të reja si e vetmja zgjidhje paqësore qe nuk do ta kaloje Kosovën ne destabilizim.

Përse qeveria e Kosovës nuk e pranon një gjë të tille kur në Greqi Partia në pushtet për probleme ekonomike e dërgoi Greqinë në zgjedhje të reja?

Arsyeja është tepër e thjeshte. Ashtu si në Shqipëri edhe në Kosovë kolltuku e pushtetit është aq i ëmbël sa të kthen nga një hero në një diktator dhe njeriu me i urryer i popullit tënd. Pra në Kosovë egoja e Hashim Thaçit për tu bërë me çdo çmim President e Republikës se Kosovës po e dërgon vendin në humnere ku dhe ai vete do të dale i humbur. Demokracia nuk ekziston në Kosovë sepse çdo deputet ka imunitet që mbrohet me Kushtetute dhe nuk mund të arrestohet dot pa ia hequr mandatin. Ne Kosovë policia arreston deputetet e opozitës si kriminele ordinere . Shqip arreston një popull që i votuan këto deputete. Nesër i gjithë opozita kosovare edhe mund të jap dorëheqjen ose të burgoset por do të jete fundi i demokracisë dhe largimi me dhunë i qeverise që do të shkaktojë destabilizim dhe gjakderdhje.

Para se të jete vonë politikanet e Kosovës duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët ku e vetmja zgjidhje paqësore është zgjedhje të reja dhe mos zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës nga ky parlament i cunguar dhe jo demokratik.

Me vjen shumë keq që kombi shqiptar ndodhet në rrezik ndaj politika shqiptarë duhet ti shërbeje kombit të tij që e votoi dhe jo interesave te veta financiarë dhe të largojë mendjes e të qe nurit përherë në karrigen e pushtetit sepse pa ndërrime pushteti nuk ka as demokraci dhe as zhvillim e mirëqenie për popullin.

 

 

 

Shkurt 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Çfarë po i ndodh, Kombit Shqiptar, Lek Gjoka

Ambasadori Delawie i quan neveritëse veprimet e opozitës

February 19, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 19 Shkurt 2016/ Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se janë të neveritshme këto veprime të opozitës, duke kërkuar që të ketë një rifunksionalizim të Kuvendit, transmeton Koha.net.

“Jam këtu për të mbështetur Kuvendin e Kosovës. Duhet të ketë një Kuvend funksional që të zgjidhen problemet. Mua më vjen keq që kushtet e deputetëve janë minimale për të bërë punën e tyre, për shkak se disa persona nuk po e lejojnë këtë. Shumë qytetarë të Kosovës kanë ikur e kanë vdekur vite me radhë që të kenë këtë pavarësi, që të sot të jetojnë të lirë, kjo që po bënë opozita është e neveritshme”, ka thënë Delawie.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Delawie, denon veprimet, E OPOZITES

“Janullatosi në delirin e shenjtërisë!, Shkrim me të pavërteta dhe trillime

February 19, 2016 by dgreca

 Replikë me z. Arben Llalla/

Nga  Miron Çako-Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit/

 Në datën 16 shkurt në portalin online “DIELL” është botuar një artikull nga z. Arben Llalla me titull “Janullatosi në delirin e shenjtërisë!”.

Në këtë artikull plot me të pavërteta të trilluara përmendet edhe se të krishterët orthodhoks nga 20% janë katandisur në 7% dhe kjo bazuar në rezultatet e censusit të 2011. Duke shfrytëzuar të drejtën e replikës, kërkoj që të botohet në gazetën tuaj përgjigjja zyrtare e Kishës Orthodhokse, për këtë mashtrim sa cinik dhe keqdashës kundër Kishës dhe besimtarëve orthodhoksë në Shqipëri.

Këtë fakt të gënjeshtërt e keqpërdorin sot shumë persona dhe qarqe antikrishtere, por në të vërtetë të krishterët orthodhoksë, të cilët kanë qënë faktor formues të shtetit shqiptar dhe kontributor të rëndësishëm deri më sot në të mirën e vendit, janë mbi 24% të popullatës, ashtu siç e thotë saktë si më poshtë përgjigja zyrtare e Kishës Orthodhokse.

DEKLARATË ZYRTARE

Të dhënat e Censusit 2011, për të krishterët orthodhoksë të Shqipërisë,  janë tërësisht të pasakta dhe të papranueshme.

 

  1. Të dhënat e fundit, të shpallura zyrtarisht nga INSTAT-i mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në Censusin e fundit të vitit 2011, shpallin se të krishterët orthodhoksë në Shqipëri janë 6,75%. Pa dyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë për një gënjeshtër. E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet evropiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë, fyen jo vetëm të krishterët orthodhoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky veprim errëson pamjen e përgjithshme të Komuniteteve Fetare në Shqipëri.Propozimi ynë për organet kompetente ishte që pyetja në lidhje me fenë të ishte e detyrueshme, si të gjitha pyetjet e tjera, e qartë dhe e saktë, për të nxjerrë rezultate të drejta:

Jam:

  1. Myslyman sunit
  2. Myslyman bektashinj
  3. I krishterë orthodhoks
  4. I krishterë katolik
  5. I krishterë ungjillor
  6. Ndjekës i një besimi tjetër. Cilit?
  7. Ateist

Politikanë të ndryshëm, por edhe qarqe fetare, u rreshtuan kundër kësaj pyetjeje dhe u kultivua një frikë e përhapur kudo se mos ndoshta feja lidhet me deklarimin e kombësisë. Komuniteti Orthodhoks, nuk formuloi asnjë kundërshtim, por u kufizua në theksimin e detyrimit për të pasur objektivitet dhe seriozitet gjatë gjithë zhvillimit të regjistrimit. Si përfundim, pyetja mbi fenë u bë fakultative, e paqartë dhe e vështirë për qytetarët, veçanërisht për ata me arsim të kufizuar. Kjo siç duket, për të diktuar përgjigjet në një drejtim të caktuar dhe për t’i regjistruar qytetarët në mënyrë arbitrare. Fleta e regjistrimit të INSTAT-it shkruan: Siç shihet më sipër del shumë në pah pyetja ngatërruese nr.2. Nuk ka në botë term për të denominuar fe me emrin “besimtar”. Besimtar i kujt? I cilës fe saktësisht? Megjithëkëtë rezultatet u dhanë me përcaktim të qartë të fesë: myslimanë 56,70%, katolikë 10,03%, orthodhoksë 6,75%, bektashinj 2,09%, ungjillorë 0,14%, të krishterë të tjerë 0,07%, ateistë 2,50%, besimtarë të pacilësuar 5,49%. Pasues të feve të tjera 0,02%. Nuk u përgjigjën 13,79%.

  1. Gjatë dy të dielave të fundit, 9 dhe 16 dhjetor 2012, tek orthodhoksët pjesëmarrës në meshimet në kishat e Tiranës, Durrësit, Beratit, Korçës, Vlorës, si dhe në qytete të tjera, ndamë pyetësorë në lidhje me Censusin. Rezultatet ishin tronditëse. Anketimit tonë iu përgjigjën me emër, mbiemër dhe adresë 7118 persona. Prej këtyre 2469 persona ose 34,68% deklaruan se u vizituan dhe u pyetën për përkatësinë fetare gjatë Censusit. Ndërsa nuk u vizituan fare nga regjistruesit ose u vizituan dhe nuk u pyetën mbi përkatësinë fetare 4643 persona ose 65,23%. Gjithashtu 56 persona deklaruan se regjistruesit i shënuan të dhënat me laps ose në një fletore tjetër dhe 11 persona pohuan se regjistruesit nuk donin ta shënonin fenë ose e shënuan atë pas shumë këmbënguljeje. Për më tepër, kemi dëshmi të shumta se regjistrimi në një pjesë të madhe të tij është kryer nga regjistruesit me shënime në fletore, jo siç e kërkon procedura të shkruhet në pyetësor dhe as nuk janë firmosur nga deklaruesit.
  2. Gjatë 100 viteve të pavarësisë së shtetit shqiptar janë kryer vetëm dy regjistrime në të cilat përfshihej pyetja mbi përkatësinë fetare. Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67,5%; orthodhoksët 22,3% dhe katolikët 10%. Ndërsa sipas regjistrimit tjetër të kryer nga autoritetet italiane, në vitin 1942, të dhënat e nxjerra ishin: myslimanë 68,9% të popullsisë (nga të cilët sunitë 54,17% dhe 14,73% bektashinj) dhe të krishterë 31% (nga të cilët orthodhoksë 20,7% dhe katolikë 10,3%).

Pas persekutimit të gjatë antifetar dhe ardhjes së demokracisë në vitin 1991, është shumë i qartë për të gjithë në këtë vend ringritja e të gjitha Komuniteteve Fetare Tradicionale, si dhe lulëzimi mjaft i dukshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pra është shumë e çuditshme dhe e dyshimtë, përse disa qarqe të caktuara synuan me makinacione të ndryshme të tregojnë se orthodhoksët u pakësuan me 2/3.

Sipas të dhënave kishtare që ne disponojmë (regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460 famullive orthodhokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve orthodhoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë mund të ngrihet pyetja: Ku janë mbi 17% e orthodhoksëve të tjerë që i fshehu regjistrimi?

Të gjitha të dhënat mbështesin faktin se nën përqindjet e regjistrimit që përcaktohen si “Nuk u përgjigjën 13,79%” dhe “besimtarë të pacilësuar 5,49%” ndodhen të krishterët orthodhoksë në shumicën e tyre dërrmuese: a) Ata qëvendosën me dëshirën e tyre të mos marrin pjesë në regjistrim, p.sh shumica e minoritetit grek, ndoshta edhe e vllahofonëve, malazezëve, si dhe e minoriteteve të tjera. b) Ata që iu shmangën deklarimit direkt të fesë, pas një presioni psikologjik që krijuan disa qarqe ekstremiste dhe pas kërcënimeve në lidhje me deklarimin me dëshirë të besimit fetar dhe kombësisë. c) Të gjithë ata të cilët regjistruesit nuk i vizituan (janë mijëra persona që e vërtetojnë këtë fakt), si edhe fshatra dhe lagje të tëra orthodhokse. d) Ata persona që u vizituan, por nuk u pyetën fare për përkatësinë fetare, ose kur u deklaruan orthodhoksë, regjistruesit në mënyrë arbitrare i vendosën në një kategori të pacilësuar.

E ndërsa pyetja për fenë u përcaktua si fakultative, me dëshirë, bashkë me atë të kombësisë, u kthye në fund fare në karakteristikën qendrore të këtij regjistrimi. (Vlen për t’u shënuar fakti se vetë regjistrimi, ndaj pyetjes së kombësisë, nxjerr këto rezultate: në fillim shqiptarë 82,58% dhe në fund: nuk u përgjigjën 13,96%).

Sipas Këshillit të Evropës (“Third Opinion of the Council of Europe on Albania adopted 23.11.2011”), procedura e regjistrimit në lidhje me çështjen e kombësisë nuk është bërë sipas standarteve të pranuara ndërkombëtarisht dhe duhet të përdoret “me kujdesin më të madh” (ëith the utmost caution) dhe të mos mbështeten ekskluzivisht në këto vendimet e autoriteteve politike.

Pas fakteve të mësipërme, deklarojmë: Denoncojmë metodën antishkencore që u ndoq për këtë çështje të ndjeshme fetare. Protestojmë për shtrembërimin flagrant të etikës profesionale. Nuk njohim të dhënat mbi përkatësinë fetare të popullsisë që jep statistika e fundit e vitit 2011 bërë nga INSTAT. Plane dhe veprime të tilla mund të minojnë bashkekzistencën dhe harmoninë fetare për të cilën jemi përpjekur.

Kërkimi i së vërtetës është diçka themelore për një shoqëri të qytetëruar, veçanërisht në çështje kaq delikate, si besimi fetar i qytetarëve. Dhe vetëm e vërteta mund ta ndihmojë Shqipërinë në ecurinë e saj drejt Evropës së Bashkuar dhe në përgjithësi përparimin në shekullin e njëzet e njëtë.

Këshilli Kishtar Kleriko-laik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë*

(*Në këtë organ institucional të Kishës marrin pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe priftërinj dhe laikë – burra, gra dhe të rinj, përfaqësues të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive).

Tiranë, 17 dhjetor 2012

* * SHENIM, 10 Janar 2013. Pas grumbullimit të 25 870 anketimeve me shkrim të besimtarëve orthodhoksë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, 17 360 prej tyre, ose 67.10% deklaruan se nuk u vizituan nga regjistruesit, ose nuk u pyetën (dhe nuk shkruan) për përkatësinë fetare.

Miron Çako

Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit

Filed Under: Opinion Tagged With: me Arben llalla, Miron Çako, Replike

“BERBERI QË NUK ZBATOI URDHRIN E BABAXHANIT!?”

February 18, 2016 by dgreca

Shkruan: Fadil Lushi-Tetovë/

Këto llafe të kryetitullit të shkrimit, i takojnë një shokut tim, me të cilin dikur në vitet e shtatëdhjeta, kërkonim “katër kalemat” (!?). Një fundjavë ai më erdhi në zyrën për të marrë mendimin tim për një punë a çështje që kërkon zgjidhje të drejtë, mbase edhe të shpejtë. Që në fillim të bisedës më tha se punët i ka “tërkuzë dhe çorap” dhe se sa do zgjaste kjo “rrëmujë” edhe vetë nuk e dinte. “Çehren e kishte qymyr”, njësoj si “çehrja” e atij minatorit nga Bulqiza. Kinse ia kishin zhvatur votat e partisë së tij që e ka për xhan, kinse furtuna ia kishte fundosur gjemitë e ngarkuara me kripë, me lesh dhe me të tjera ngarkesa. Para se të ulej e pyeta se me “ç’sebep” u duk këtejpari. Ma ktheu: “Lëre sebepin, se unë kam dertet dhe hallet e mia. U duka këtu, që të më japësh ca mend e ca udhëzime…, më thuaj se ç’nasihate duhet t’i jap nipit tim, i cili nuk është në rrugën e hairit!?”. Kur e pyeta sa mote i kishte nipi, ai më tha: “Jo më shumë se njëzetë e dy vjet”. Ia ktheva: Nëse deri në moshën 18 vjeç nuk është pjekur…, nuk i ndihmojnë edhe njëqind të tjera, andaj do mbetet axhami në mendje a në fiqir. Ky miku im, sikur kishte ardhur të më sjellë tri habere; i pari haber ishte i lig, i dyti haber human dhe emancipues, kurse haberi i tretë paksa i kripur. Pra, ky shoku im sikur kishte ardhur të më shpjegonte ca “mesele a vaki taze” nga Shkupi.

Para se të dërdëlliste më tha: “Ore, ti qerrata, ore ti, shehërli, ti që më mban kokën e mendjen herë nga Tirana, herë nga Stambolli e herë nga Prishtina, të lus që fillimisht të më dëgjosh shqip…, a mos vallë tellalli ta solli atë haberin e lig se përtej Urës së Gurit të Shkupit kishte ndodhur hataja…, ç’hata se jo mahi…, halis hata…, hataja që u ngrit në hava!?”. Aq shumë e kishte ngatërruar mendjen, saqë të krijonte përshtypjen se ishte shndërruar në lëmsh kundërshtish. Pos të tjerash, më tha se shpejtonte, se duhej të shkonte në një synetllëk!? Kur e pyeta se kë do të synetojnë, ashtu si me inat ma ktheu përgjigjen: “Qytetarët e kumunitetit turk, që jetojnë në Gazi Babë, në Bit Pazar dhe në Çair, kanë vendosur që pa lek a badihava t’ia rrethpresin lafshën e organit mashkullor një vampiri, një njeriu që i takon racës së prishur, i cili disa ditë më parë në një medium pamor proqeveritar, turqit i kishte ofenduar dhe i kishte paragjykuar si jallanxhij anadollakë, ai vampiri që kur lexon lajmet, të duket sikur thith gjakun e shqiptarëve dhe kësaj radhe edhe gjakun e komunitetit turk…, ky lugat që kur i mungojnë haberet humane dhe emancipuese, bën lëvizje të pakontrolluara, vampiri, i cili herë pas herë, shovinizmin e tij shtetmadh dhe të tërbuar parapëlqen ta shprehë me mimikë, fërkon faqet, hundët dhe së fundi bën k..qen e qejfit me ata me të cilët ka lidhur inat, ky vampiri, që ka për qejf lajmin ta lexoj bythëprapthi, ashtu gërditshëm, ashtu ngatërrueshëm, sa që ta rrezikon shëndetin e mendjes, nga jashtëqitja e tij prej serbi!”.

Ky miku im e kishte fjalën për një kryeredaktor, për një “kalemxhi” a për një biçim gazetari që shkruan kuturimthi…, për “kalemxhiun” i cili që prej ditës që ka filluar t’i marrë inat shqiptarët, ka marrë atë hijen prej “surrat bostani”, ka shikim të ashpër, shikim të turbullt, hetues, shikim të akullt dhe të thartë. Meqenëse ky miku im, lëre që nuk e kishte ndërmend ta përfundonte “muhabetin” dhe lëre që nuk ma respektonte orarin tim zyrtar, së fundi filloi të ma shpërdorojë edhe durimin tim. Më detyroi t’i them, ore, ti e ke ndërmend të heqësh mënjanë këtë “muhabet dhe të shporresh!”. Para se unë t’i mbaroja “llafet” e mia, dikush e mori në “celular”…, duke i thënë se berberi tok me çirakun e tij kishte kundërshtuar t’ia heqë lafshën e organit të vampirit edhe përtej urdhrit të një “babaxhani” me kombësi turke!? I thashë: Hë, mor ti, miku im, a “të rehatoi ky haber” dhe nëse për njëmend të qetësoi, atëherë ç’të duhet të vrasësh mendjen karshi kundërshtimit të berberit, andaj “qepe” gojën, ul kokën dhe mos u “sikletos”, pasi që ty nuk të bëjnë synet. Para se të ikte nga zyra ime, m’i la “ndërhide” edhe ca habere të tjera të “sajuara” që i kishin mbetur nën dhëmballë. Duke e përcjellë, i thashë: “Unë nuk e kam ndërmend të të besoj, po sikur edhe prapanicën pa brekë ta vësh mbi prushin e mangallit!?”

Haberi i dytë human dhe emancipues, i mikut tim, ka të bëjë me somnambulizmin, thashethemet si dhe me xhelozinë profesionale të ca folk-patriotëve shqiptarë, të cilët ditë më parë kishin parapëlqyer ta vënë në përdorim a në vepër mendimin e gabuar dhe të pambështetur ndaj një nëne, ndaj një intelektualeje, që e flet gjuhën maqedonase më mirë se vetë maqedonasit, ndaj një femre të bukur, të mençur, thatanike dhe mbi të gjitha ndaj një zonje e cila me përkushtim bëri punën e saj. Ç’është e vërteta, edhe unë personalisht nuk e njihja Fatimenë nga fshati i Bogovinës (unë besoj se edhe të tjerëve u kishin munguar provat sa i përket personalitetit të zonjës në fjalë). Dhe sot, të humbasësh kohë ditë e natë nëpër çajtoret e fshatit dhe të thuash se nga na “doli kjo katundare anonime!?”, hiç fare s’është korrekte.

Haberi i tretë i kripur i mikut tim, ka të bëjë me prokuroren speciale, zonjën Katica Janeva. Edhe këtë zonjë që në fillim e paragjykuan duke ia shtrembëruar toptan përgatitjen profesionale. Disa qytetarë, nënës së “krye-speciales” i kishin çuar ca habere, se e bija e saj ishte një grua sojleshë…, se është një zonjë namusqare, sikur është një zonjë e bukur, karizmatike, e buzëqeshur, një zonjë që hë për hë, mund të “të fusë në haps” dhe mbi të gjitha është një zonjë “kallaballëk” (këtë shprehje e përdorin tetovarët turkfolës, për femrat që janë paksa të trasha)…, se kjo grua kinse do t’ua “ngulë” ca politikanëve të korruptuar, se ata do t’i “degdisë” në Shutkë, gjegjësisht në mëhallën e Amdiut, nipit të “çavo” Bajramit. Edhe miku im, që ka “një çerek mend dhe një ortek fjalësh a shprehjesh fyese”…, sikur kishte ardhur tek unë për të më thënë se me “delikatesë ia kishte marrë masën zonjës” Kate…, sikur kishte merak që Katja, “t’i hedhë një shikim me sherr”…, sikur deshi të thotë: “Eh, sa qejf kam që kjo Katja “të ma ngulë një vjet burg (!?)”, sikur i pëlqente ta parafrazojë atë thënien erotike të peshkatarëve të vjetër vlonjatë, ku, pos të tjerash, thuhet: “Eh, more qerrata, në do të përfundosh si burrë…, hip në vapor, haje çorbën, shaja mamanë dynjasë, mbyll sytë dhe sikterisi të gjithë ata që nuk i takojnë takëmit tënd kombëtar dhe fetar” (!?). Ky miku im, në fund të bisedës më tha: “Sikur këto thashetheme t’i shkarravisësh për gazeta…, mos i redakto…, sepse të dalin popullorçe”(!?) Ec e merre vesh!

Filed Under: Opinion Tagged With: “BERBERI, E BABAXHANIT!?”, Fadil Lushi, QË NUK ZBATOI URDHRIN

DAULLET E LUFTËS QYTETARE…

February 18, 2016 by dgreca

Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1. Zhgënjimi idhnak.

Regjimi i hashimisëve hoqi parzmoren hijeshuese të gjentilencës politike dhe të përgjegjshmërisë pushtetare.Kam ndjekur gjatë si gazetar i lajmeve ndërkombëtare zhvillime dramatike: rebelime, konflikte civile, tiranë autistë që kanë vegime amshimi, gjeneralë puçistë a prijës autokratë me shpirtëra të shfytyruar që përflakin tokën për kupolën e epërme..!Por pozicionimi i djeshëm i juntës hashimiste kapërcente parathënmet më të errta. Ishte, vërtetë, e vështirë, gati e pamundur, të gjeje një aluzion apo, më saktë, një përskajim identik në botë. Ishte proverbiale në meskinitetin e saj për të shpallur të drejtën atnore mbi truallin, mbi shtetin dhe mbi popullin e Kosovës.

2. Thirrja tragjike.

Në paraqitjen e përbashkët kërcënuese, Premieri minak hartonte numëratore të kampeve politike dhe tabelë të hierarkisë morale të antarësisë së tyre. Kurse tjetri, dytësi i tij i kryengrirë, deklaroi habitshëm se i paskësh pritur protestuesit në qeveri, por ja që ikën qyqarisht me bisht nën këmbë. Ç’hipokrizi! Kur protestat e mëparme patën elementë përplasjesh – ata akuzonin me gëzim barbar opozitën për dhunë, ndërkohë që tani kur ajo ishte paqësore, do ti kaplonte çuditërisht një  zhgënjimi i thellë. Si kështu? Ç’ishte ky dyzim moral? Arsyeja ngjan, dhimbshëm e bajatshëm, krejt e tejdukshme. Madje dhe për syrin e pafajshëm fëminor. Sepse, thjeshtë, maskës së  prostituimit politik do ti binin përfundimisht ngjyrat mashtruese. Me ç’afsh kriminal e paskëshin dëshiruar një konfrontim fizik, si levë akuzimi dhe, më pas, kompromitimi të Lëvisjes opozitare!Pastaj, tutje, ndërsa i pari i bënte ofezë të ulët elektorëve që nuk duan të frekuentojnë shkollën e tij, i dyti, Hashimi i Brojës, ndërkaq, kumtonte strategjinë e gatshme dhe të fshehtë, të përleshjes fatale. Këtë rezervë alternative do ta provojë fjala e tij rrezikzezë e që i binte daulleve të luftës qytetare: besonim të vinit me joshje e padurim, por s’do mirëpriteshit me kafe! Po me çka tjetër, vallë? Me tytat e armëve për të derdhur sërish gjakun e njomë shqiptar…Veçse, tashmë jo nga serbë e pushtues të gjithandejmë, por nga uzurpatorët e autorsisë së luftës dhe vjedhësit e lirisë.

3. Shëmbëllesa trishtuese.

Ndaj dhe, në kërkim shembëllese, do t’më vinte si tundim i frikshëm një paralele e dyfishtë e interesante. E para nxirrte krye që nga lashtësitë e mugëta me figurën e Lemurëve, këto hije të vdekjes që mbjellin tmerr e mort saherë behin nga terri i përtejmë. A nuk ftuan ngjashëm hashimisët për përballje forcash dyluftuese? Po për dallim prej tyre, këta janë të këndejmë, realë dhe terri i vdekshëm vetë. E si të mos mjaftojë kjo, një tjetër simbiozë e kësojetshme, pretendon nyjëtimin fatkeq. Dhe do thoshja mendueshëm e gjithë deshpërim: ky klan juntist ka asimiluar lakmueshëm dy biografi të mnershme nga vende e kohë të ndryshme. Nuk është e lehtë të njësosh ato për të dhënë një definim, a farkim fjalëformues që do të kapërthente botën e tyre. Por ngjashmërinë sikur simbolizojnë çuditërisht dhe  vetë emrat e tyre. Esadi dhe Asadi – ja referencat krahasimore dhe idhujt e admiruar! Rrjedhimisht, prandaj, ata do jenë esadistë –  sepse tregtojnë troje të kombëtare, kurse poaq dhe asadistë, sepse shtyhen drejt implozionit të përgjakshëm në Kosovë.

Si do të përfundojë i pari në Paris, kjo është krenarisht e njohur. Po dhe i dyti në Damask, megjithë rrethansinë e ndërlikimeve globale, nuk është e pritshme të ketë fat tjetër. Ndonëse i veçantë në llojin e tij, dhe klika e Kosovës, ky regjim i “thinjur nga neveria”, sërish nuk del dot nga shtrati i tipilogjisë së një diktature: identifikimi dramatik me fuqinë politike, ideja e misionarizmit, truku i pazëvendsueshmërisë, propaganda shurdhuese, veshtarët përgjues, armiqësimi për vdekje i “atdheve politikë”, frika nga statusi i qytetarit të lirë,  kooperativat oligarkike tribale, demonizimini i rivalëve dhe, më pas, persekutimi i tyre dhe, së mbrami, flijimi unikal e i fundjetshëm: flijimi i popullit për fronin e tyre…

Duke qenë pjesë dhe viktimë e doktrinës tiranike, dinastët primitivë të Prishtinës si shemra zelltare e një pararendësi të vrarë dhe një tjetri të rrethuar – inauguruan dilemën apokaliptike me shpresën mizore se do të shmangin të njëjtin, të pandryshueshmin fund: heshtja do ti betononte, kurse rezistenca do të kërkonte tagrin e gjakut.

A mund të përtrolliset kjo dilemë e ligë e shpifarake? Pa as më të voglin dyshim: me përtrollisjen e tyre vetë! Duke shpalosur fytyrën e pjellës më të poshtër që ka parë ndonjëherë ky dhé, ata legjitimuan vetë arësyen e lartë sublime të rrëzimit të tyre…

Berlin/, fror 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: DAULLET, E LUFTËS QYTETARE..., Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 597
  • 598
  • 599
  • 600
  • 601
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT