• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRAMI I TIRANËS DHE TROLEI I ATHINËS

January 20, 2016 by dgreca

Në dëshirë që të shkojë në syrin e Erion Veliat, krybashkiak i Tiranës…/
Shkruan nga Athina:Abdurrahim Ashiku/
Vite më parë, me masën e një njeriu evropian, kur Basha shpalli se do të ndërtonte “Tramin e Tiranës”, vrisja mendjen se nga do të kalojë dhe si do të kalojë trami rrugëve të Tiranës. Veçanërisht sa e sa herë përshkoja rrugën nga Kinostudioja në Kombinat, rrugë e cila flitej se do të bëhej “rrugë trami”.
Me vështrimin modest tashmë njëzetvjeçar si banorë i Athinës, mbi transportin qytetës në një qytet 8-10 herë më të madh se Tirana, me një popullsi sa dy herë Shqipëria, mendimi më bën frena e nuk bëj dot përpara.
Transporti qytetës në Athinë ka një shumëllojshmëri evropiane: me autobusë me naftë, me autobusë me gaz, me trolei, me tren elektrik, me metro e së fundi edhe me tram…
Transporti qytetës në Shqipëri bëhet vetëm me autobusë me naftë që lënë pas ngado që shkojnë një shtëllungë të zezë nafte të padjegur duke e bërë Tiranën kryeqytetin më të ndoturnë Evropë.
Në Shqipëri politikanë të radhës së parë kanë folur, kanë rrahur gjoksin para elektoratit në ditë zgjedhjesh kuvendare për “tren elektrik” deri në…Kavajë (Berisha) apo për tren elektrik deri në…aeroport (Nano). Tash (para disa ditësh) u fol për hekurudhë deri në Korçë (është folur edhe për hekurudhë deri në Kosovë), për lidhje hekurudhore me Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë… Dhe nuk është çudi që ndonjë ditë do të flitet për hekurudhë edhe me…Italinë.
Për të folur e për të premtuar nuk na e kalon kush në botë, jemi absolutisht të parët.
Për të bërë jemi absolutisht të fundit. E thëna me të bërën, duke qenë në skaje të drejtëzës, bashkohen.
Politikanët tanë janë shumë ëndërrues, janë siç thotë populli “vrik kungull e vrik në gardh”.
Athina ka një sistem hekurudhor që në shekullin e 19-të. Dhe e ka të gjithë në shfrytëzim, për pasagjerë e për mallra.
Diametri i Athinës (nga Kifisia në Pire) menjë gjatësi sa Tirana me Durrësin, përshkohet tash rreth një shekulli me tren elektrik. Nëntoka e Athinës në 3-4 drejtime përshkohet nga metro bashkëkohore që vazhdojnë ditë për të ditë të ecin përpara drejt bregdetit e qendrave të tjera të qytetit. Mbitoka e Athinës përshkohet në të gjitha drejtimet me autobusë dhe trolejbusë komodë, të ngrohtë në dimër e të freskët në verë.
Athina ka një urbanistikë ndërtimesh e rrugësh që lejon, në linja të veçanta nga linjat rrugore të automjeteve, rrugë të hekurta për sistemin e transportit qytetar me tram.
Tirana nuk i ka këto hapësira, nuk i ka mundësitë e transportit qytetar as me metro, as me tren elektrik, as me tram. Rrugët e Tiranës nuk mund të mbajnë shina trami e sistem elektrik ushqyes të vagonëve të tramit. Në rast se këto linja do të vendoseshin nga Kinostudio në Kombinat, ose në unazën e Tiranës ato do të shkaktonin një kaos të pandreqshëm lëvizjeje të mjeteve të tjera, të lehta apo të rënda.
Trami, në kushtet aktuale të urbanistikës dhe të rrugëve të Tiranës, nuk është gjë tjetër veçse një barrë e rëndë për taksapaguesit shqiptarë, një dështim i rëndë ekonomik.
Trenat elektrikë, metroja dhe format bashkëkohore të transportit qytetës janë gjë e mirë, por jo për brezin e sotëm por për brezin e ardhshëm kur të krijohen hapësira urbanistike.
Lëçitësi i këtyre radhëve me siguri do të thotë: “Këto i dimë…”
Kanë të drejtë, por ata nuk dinë si funksionon një linjë tashmë më se pesëdhjetëvjeçare e transportit me autobusë elektrikë në Athinë, transporti me trolei.
Trolet janë autobusë që udhëtojnë në të njëjtat rrugë me autobusët dhe mjetet e tjera të lehta e të rënda në një sërë rrugësh të Athinës nga qendra në periferi. Nuk lëvizin mbi shina siç lëvizin trenat e tramet. Lëvizin mbi rrota gome siç lëvizin autobusët. Lëvizjen e marrin nga një dyshe telash elektrikë me rrymë të vazhdueshme, rrymë si rryma e troleve në miniera, e pa rrezikshme. Telat elektrikë fiksohen në shtylla hekuri në të dy anët e rrugës dhe varen mbi rrugë, pa prishur pamjen. Trolet janë komodë, me ngrohje dimrit e me kondicionerë verës. Në rastet e ndërprerjes së rrymës nuk të lënë në rrugë por venë në lëvizje motorin me djegie të brendshme dhe bëjnë përpara. Duke përdorur rrymën elektrike trolet nuk ndotin atmosferën nga djegiet e karburantit duke e bërë qytetin dhjetëra herë më të pastër se Tirana.
Trolet mund e duhet të jenë mjetet e transportit urban në pjesën më të madhe të rrugëve të Tiranës, në rrugën nga Kinostudioja në Kombinat, në Unazë, Unazën e Re, në drejtim të Laprakës e Doganës, rrugën nga stacioni i trenit në Tiranën e Re, e të tjera.
Investimi është shumë më i pakët se sa ai me tram. Nuk do të ketë shtrirje shinash, nuk do të ketë pajisje elektrike në lartësi me kosto shumë më të lartë, nuk do të ketë kosto shumë të lartë vagonësh elektrikë…
Nuk do të ketë ndërtime rrugësh të posaçme e dëmshpërblime të larta për prishje ndërtesash dhe biznesesh private.
Kryetarin aktual të bashkisë e kam parë disa herë në Athinë e në udhëtime elektorale nëpër Greqi. Ai e nxori (me të drejtë) tramin nga rrugët e Tiranës.
Për ta nxjerrë është e lehtë, një fjalë goje shoqëruar me argumente ekonomikë. Por Tirana ka nevojë urgjente për shtim e përmirësim të transportit qytetës, ka nevojë urgjente për pastrimin e ajrit, për mushkëri të pastra qytetare.
Alternativa e përdorimit të troleve meriton të studiohet nga bashkia dhe qeveria. Jam i sigurt se do të jetë një investim me vlerë në ekologjinë e qytetit dhe në transportin e udhëtarëve.
Ky është mendimi im. Pres ta mbështesin apo kundërshtojnë si qytetarët po ashtu edhe pushtetarët.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 20 janar 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, DHE TROLEI I ATHINËS, TRAMI I TIRANËS

“FIQIRI“ I KATANDISUR NË “LESH E LI“

January 20, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Vështrimin e radhës do ta filloj me nocionin paragjykim për të cilin Fjalori i gjuhës së sotme shqipe jep këtë shpjegim: 1. Mendim i gabuar dhe i pambështetur, i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre, nga i cili niset dikush në gjykimet e në veprimet e tij në kundërshtim me dijen e arsyen; pikëpamje a qëndrim, që formohet si shprehi nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe jo nga njohja e përvoja e jetës. Këtë e bëj me qëllim që as unë e as lexuesi im i nderuar të mos paragjykohemi.
Shumë autorë të huaj kanë shkruar për shqiptarët, duke krijuar kështu një portret të pazakontë sa i përket karakterit të shqiptarit të fillimviteve ‘900. Një ndër to ka qenë edhe albanologu dhe baroni hungarez Franc Nopça, i cili në shënimet tij vend e vend me a pa të “drejtë” na ka paragjykuar, ku, pos të tjerash, thotë: “Shqiptarët janë të lëkundur, të padisiplinuar, lakmitarë të parasë, të ndjeshëm, krenarë, inatçorë, por edhe trima, të vetëdijshëm, besnikë, mikpritës dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme…,veprimet e tyre ndikohen vetëm nga instinkti; veprojnë shpejt dhe pa i peshuar konsekuencat; janë të mirë prej natyre dhe pranojnë dhurata pa u detyruar për mirënjohje, por gjithashtu janë dorëhapur dhe nuk pretendojnë mirënjohje. Urrejtja zë rrënjë të thella në shpirtin e tyre, por zhduket sapo kënaqet. Shqiptari aty qesh, aty gëzohet, aty zemërohet!”.
Edhe miqtë e mi, shpesh me a pa të “drejtë”, më paragjykojnë duke thënë se vështrimet që i shkarravis për ndonjë mesele a vaki, kinse i bëj me shumë vonesë, kinse i bëj ashtu bythëprapthi, kinse gjatë të shkruarit sillem me mospërfillje a pa respekt ndaj sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës shqipe, kinse vështrimet e mia në vijimësi shkaktojnë ilaritet a të qeshura te lexuesit, gjoja bëj shaka pa kripë, shaka që padrejtësisht dëmtojnë të pafajshmin, kinse shtirem gjegjësisht mundohem të paraqes veten ndryshe nga ç’jam, kinse nuk dalloj të paqenësishmen nga e qenësishmja, kinse gjithë këtë e bëj vetëm e vetëm për të “mashtruar” të gjithë ata që më paragjykojnë për gjëra të paqena. Ca të tjerë, miq të mi, “që më mbajnë për inat”, lëre që asnjëherë nuk ma “dhanë” pafajësinë a padjallëzinë, por edhe mëtuan të ma “rrëmbejnë” mallëngjimin për NËNËN NAZË…, disa thonë se shkrimet gjoja i bëj me tarafe, po edhe i shkarravis ashtu pa rend alfabetik, kronologjik dhe pa “pehriz”; më “akuzojnë” se gjoja në shkrimet e mia të deritanishme asnjëherë nuk paskam shkruar për pronarin e “kumarhanes politike” të Shkupit, si dhe për rojtarin e “Kështjellës së Drakulës” atje përtej Vardarit, atje ku frymon shfrytëzuesi i egër, ai drakula që është i etur për gjak shqiptari, atje ku kleptomanët dhe piromanët, kërkesat e politikanëve shqiptarë për barazi politike, për barazi ekonomike, për marrëdhënie të barabarta me pronën shoqërore, për barazi kombëtare e tjerë barazi, lëre që i mohojnë, por edhe i marrin me tallje. Ata sot e gjithë ditën thonë se gjoja rendi a turrem më shumë pas sasisë, pas lekut, sesa pas cilësisë, gjoja në vështrimet e mia më ha meraku që për personazh kryesor të zgjedh njerëz të halucinuar, njerëz me prapanicë të dhjamosur, njerëz që vuajnë apo që janë të diagnostikuar nga sëmundja e tifos, njerëz të paranojave, njerëz që ia kanë kthyer shpinën shtëpisë së tyre, njerëz që kanë rënë në kllapi dhe që llafosin jerm! Së fundi, më pandehin për të “marrë a budalla”, kinse toptan shkrimet, lere që nuk i kam me tamam a në terezi, por edhe më krahasojnë me malësorët shqiptarë davaxhi, të cilëve kur u mungojnë arat në mal, bëjnë dava me çakejtë, më krahasojnë me optimistin, i cili, kur humb shpresat, mëton që ta shohë gotën gjysmë të mbushur dhe me atë pesimistin që atë e sheh si gjysmë të zbrazët, vazhdojnë të më krahasojnë me “dasmorët e Klinës, të cilëve u kishte ikur orkestra dy orë para ceremonisë së kënasë…, dhe me ata krushqit të cilët ishin detyruar t’u bien kusive, sahanëve e sinive që të vallëzonte nusja“. Mbase unë as që e kam ndërmend t’u bie kusive, sahanëve e as sinive, sepse po ta bëj këtë, atëherë mos vallë nuk do ta ngatërroj punën time me zanatin e daullexhiut…, me zanatin e kumarxhiut dhe, në instancë të fundit, edhe me zanatin e falltarit…, mbase nuk dua të ndërmendem dhe nuk do lejoj që gjithsecili të ma strukturojë mendimin ndryshe…, dhe, tekefundit, këtë nuk do ta bëj as për qejfin tim dhe as për hatërin e njerëzve të cilëve fiqiri u ka katandisur në lesh e li.
Në këtë shkrim nuk do lejoj të keqkuptohem, po as edhe të krahasohem me dy nënat e paragjykuara në vijim. Dikur moti, kur varfëria e skajshme shqiptarëve ua kishte vënë litarin në qafë, një nënë në moshë ishte takuar me një zonjë pasanike. Kjo e fundit kishte marrë udhë për ta vizituar të birin e saj në një kazermë të mbretërisë së Ahmet Zogollit. Nëna që jetonte në varfëri e në mjerim dhe që u ishte nënshtruar me forcë emocioneve torturuese të saj, i ishte drejtuar duke i thënë; “E nderuara zonjë e shtëpisë së madhe, kam një lutje dhe kërkesë për ju. Merre këtë mollë dhe, po ta takosh tim bir ushtarak, jepja dhe bëji të fala nga unë!”. Ajo e gjendur përpara kërkesës së saj të papritur, po edhe paksa të pakuptueshme, ia kishte kthyer: “Ti nuk ma the emrin e tij…, po më thuaj se si do ta njoh tët bir!?”. “Nuk të duhet emri…, shumë lehtë do ta identifikosh, ai që është më i bukuri në mesin e të tjerëve…, dije se është pjellë imja…, ai është një çunak i mirë, i ndershëm, i drejtë, i urtë, i dashur, i thjeshtë, i qeshur, i lumtur, me vullnet të mirë, i fjalës dhe i gojës…, ani se është i thatë dhe më ngjyrë!”. Fatkeqësisht, zonja e rëndë e beut, në vend që mollën t’ia dhuronte të birit të nënës nga Mirëdita, atë ia kishte dhuruar birit të saj, atij çunaku i cili në mëhallën e aristokratëve njihej si adoleshent i qejfit, i lekut si dhe me dëshirat dhe fantazitë e tij të azdisura.
Pavarësisht se kjo mesele është paksa e koklavitur, të krijon përshtypjen se është me moral të dyfishtë, andaj duam të besojmë se e gjithë kjo mesele tok me personazhet e saj, këmbë e krye është pjellë e paragjykimeve në fjalë.
Që e zgjodha këtë stil a mënyrë të shkruarit të këtij vështrimi, kam një shkas a një sebep. Dhe ky sebep është i lidhur ngushtë me një mik timin nga Kosova, të cilin ditë më parë kur e takova aty pranë kufirit administrativ shqiptar-shqiptar, më përshëndeti me “hundë e buzë!” Kur e pyeta se ç’janë këto “turinj”, ma ktheu ashtu me “inat”…, më ka zaptuar zhgënjimi i thellë nga rrethanat dhe ngjarjet politike në Prishtinë, ashtu me plot gojën, pos të tjerash, më tha: “Ju shqiptarët e Republikës së Maqedonisë nëse do të vazhdoni të paragjykoni dhe të paragjykoheni, përfundimisht atdhetarizmin tuaj do ta shndërroni në patriotizëm arkaik dhe në folk-patriotizëm të veshur me kostum të rremë legjendar a përrallor, andaj do të duhet të bëni shyqyr natë e ditë që jeni nën zgjedhën e kaurit se përndryshe…!?“. Nuk ia ktheva. Thjesht e “paragjy-kova” me atë meselenë e “manastirit pa hair“.

Filed Under: Opinion Tagged With: “FIQIRI“ I KATANDISUR, Fadil Lushi, NË “LESH E LI“

Ç`më tha Jusuf Buxhovi?

January 20, 2016 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Ne Foto: Jusuf Buxhovi duke pershendetur ne Nju Jork ne ceremonine festive organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA me rastin e pervjetorit te Pavaresise se Kosoves, Shkurt 2014./
Është kënaqësi kur e ke rastin të bisedosh me një figurë mendjendritur , larg pamës dhe kombëtarisht të orientuar. Sot , e ke pak si vështirë të gjesh të till; jo pse se komb nuk kemi ,por se janë strukur në sqetullat e heshtjes dhe të bëjnë të dyshosh në pikepamjet e tyre për të kaluarën , të tanishmen dhe t`ardhmen e kombit . Është shumë flagrante kur e lexon shtypin , shikon Tv-n apo lexon në rrjetet sociale se me sa admirim përcëllohet e kaluara duke dashur ta pjekin secili në mënyrën e vet , në këndvështrimin e imponuar dhe në thënën e pathënë kurrë vetëm sa të mbushet minuta , rreshti apo pakuptimsia të cilat më shumë ta humbin rrugën se sa të hapin shtigje të reja në jetën moderne e cila po na lë mbrapa përditë e më shumë.
“Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Kjo fitore e madhe historike, e cila thuajse përmbyll konceptin e Rilindjes Kombëtare për përkatësinë tonë perëndimore, nuk duhet lejuar të rrezikohet nga piromanët, anarkistët e të gjitha ngjyrave e as nga puçistët e shumtë, që sot, me detyra të shumta nga anë të ndryshme, po veprojnë bashkërisht. Kjo duhet të pengohet nga intelegjencia e Kosovës dhe patriotët e shumtë që nuk kursyen dije dhe gjak për të.. “ më tha Jusufi në pyetjen time plotë dyshim në mirëvajtje të së ardhmes sonë.
Pse e thuani këtë:” Turqia e sotme, pra kjo e Erdoganit, e cila prej kohësh, me perfiditet të madh po ia gërryen dheun kemalizmit, ekspansionizmin ekonomik ka filluar ta përcjellë me pretendimet kalifatiste si në raport me botën islame dhe neotomanizmin në hapësirën e Ballkanit, ku Perandoria Osmane për pesë shekuj ishte pushtuese “?
“Kjo më së miri u pa me rastin e ndërhyrjes së ministrit të jashtëm turk, Dautogllu, kur nga Shqipëria, Kosova, po edhe Bosnja dhe Hercegovina, kërkoi që “tekstet e historisë të lirohen nga urrejtja osmane”! Me këtë rast ai lansoi tezën se perandoria osmane nuk ishte pushtuese, por “administruese” e një perandorie që po e zëvendësonte Bizantin! Pra, diplomati turk kërkoi që faktet historike, siç ishte pushtimi osman, të zëvendësohen me realitetet historike të shpjeguara nga këndvështrimi otomanist, gjë që gjithë çështjen do ta përmbyste në një kah antihistorik.” – përgjegj ai .
Por ne ishim më këmbëngulës dhe , a arritëm te ballafaqohemi me këtë kërkesë ?
“- Për fat të keq, Tirana zyrtare, jo vetëm që nuk i dha përgjigje të duhur kësaj ndërhyrje, por pranoi që në tekste shkollore “në përputhje me klimën e mirëbesimit”, fjala “pushtim osman”, të zëvendësohet me “administrim osman”! Ngjashëm u kërkua edhe në Kosovë. Kjo nuk ndodhi, ngaqë u kundërshtua nga disa historianë të Kosovës, të cilët nuk pranuan kapitullimin e ministrit të atëhershëm Buja karshi Dautogllut, të cilit i kishte premtuar se do të veprohej njëjtë si në Tiranë. Por, edhe pse Dautogllu nuk ia doli që ta heq nga tekstet shkollore kualifikimin rreth perandorisë osmane si pushtuese, megjithatë, arriti që në kuadër të bashkëpunimi kulturor dhe arsimor Kosovë-Turqi, në disa projekte kulturore të financuar nga Turqia, “të përmirësojë” imazhin kulturor osmane në këto pjesë jashtë realiteteve historike, me ç’rast ata shfaqen më shumë “ndërtuese” se sa pushtues dhe rrënues të kulturës sonë antike!”
Mjerim i thash ,mjerim kombëtar që të nënshtrohemi dhe të pranojmë aspirimin turk në pëgatitjen turke të opinionit shqiptar për një kalifat islamik .
“Që të zëvendësohet koncepti i pushtimit osman me atë “të administrimit osman”, siç kërkoi Dautogllu, ishte e domosdoshme që të prekej Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, por jo vetëm i yni, meqë si tillë, para katër shekuj më parë u njoh dhe u kremtua nga Europa. Është me interes të thuhet me këtë rast se fushata për “rrënimin” e Skënderbeut u parapri nga qarqet sllaviste evropiane vjeneze, të cilat gjetën përkrahje edhe nga disa publicistë dhe mediokër në Shqipëri, gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e një komploti të organizuar mirë nga qendra e ekspansionizmit sllavo-ortodoks, siç ishte ajo që veproi në kryeqytetin e monarkisë danubiane nga mesi i shekullit XIX e këndej, kur një pjesë e politikës vjeneze ishte marrë vesh me Rusinë për dominim fifti-fifti në Ballkan.
Po të tjerët?
“-Në vazhdën e kësaj politike janë të njohura insinuatat e historianit-sllavist Oliver Jens Shmitt, i cili lansoi “tezën” se Skënderbeu çoi krye kundër sulltanit për shkaqe hakmarrjeje, pra pse të atit nuk iu premtua feudi i të etë në Krujë! Shmitti hapi edhe disa thashetheme siç ishin ato se heroi ynë ishte me prejardhje serbe e të tjera dhe insinuata të ngjashme, të cilat, me të drejtë u kundërshtuan nga historianët shqiptarë, në radhë të parë K. Frashëri. Ai shkroi një libër, kundër shpifjeve të Shmittit dhe bashkëmendimtarëve dhe të sejmenëve të tij në Tiranë dhe pjesërisht në Prishtinë, që si u mor vesh, ai i kishte pajisur me disa tituj në Vjenë dhe favore të tjera! “ .Të gjithë ishim dëshmitar të kësaj fushate- thash.
-Çka po ndodhë me te kaluarën tonë më të largët ?
“Rishfaqja e diskursit të mohimit të historisë sonë dhe lidhjes së saj me antikitetin (lashtësinë pellazge), ka të bëjë me konceptin hegjemonist serbomadh dhe grekomadh të fillimeve të shekullit XIX, me të cilin shqiptarët duhej të privoheshin nga shteti i tyre kombëtar dhe përkatësia perëndimore, gjë që kjo mund të arrihej më së miri po qe se ata do të paraqiteshin jashtë kësaj rrjedhe, me ç’rast do të pinin ujë të gjitha gënjeshtrat e akademikëve serbë dhe grekë se shqiptarët janë mbetje e mjegulluar osmane, mbrojtës fanatik të perandorisë osmane dhe, si të tillë, ata shfaqen të rrezikshëm për qytetërimin perëndimor! “
Jusufi ishte shumë i vendosur kur tha : “Reagimi i orkestruar i Beogradit (i Akademisë Serbe të Shkencave dhe i Institutit të Historisë) ishte i pritshëm, ngaqë ata nuk ishin ballafaquar me një të vërtetë nga ana e historiografisë shqiptare, me të cilën rrënohej miti i tyre i fabrikuar në shekullin XIX për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë si dhe gënjeshtrat tjera që historiografia e tyre kishte përhapur kundër Shqiptarëve dhe historisë së tyre, ku ata shfaqen pa histori (të mjegulluar në mesjetë), pa kulturë dhe veçmas pa traditë shtetndërtuese. “
Do me thënë që na jemi të orkestruar , dirigjuar dhe altoparlantë të Beogradit ?
– “Por, për fat të keq, fushatës së akademikëve serbë kundër “Kosovës” iu bashkuan disa historianë me mendësi ideologjike nga Kosova, të cilët nuk njohën tjetër pos versionin e shtrembëruar historisë së Beogradit me të cilët ata fituan edhe tituj akademikë dhe “shkencorë”, prej të cilëve zor që heqin dorë, meqë humbin privilegjet dhe titujt, e mbi të gjitha, edhe monopolin mbi tekstet shkollore, prej nga marrin honorare të majme, pale se me këto pikëpamje mbesin zëdhënës të fundit të historiografisë serbe! Të tillët, e dhe sot e gjithë ditën zhuganët dhe despotët sllavë i quajnë “mbretër” dhe “perandor” madje, siç ngjet me “Mbretin Millutin”, “Perandorin Dushan” e të tjerë, që si të tillë nuk i njeh kush pos Beogradit! Nuk është për t’u habitur pse disa nga këta “akademikë” dhe “historianë” morën pjesë edhe në hartimin e Pakos së Ahtisarit në Vjenë, ku Serbisë, duke iu dhuruar tapitë e krishterimit ortodoks në Kosovë, iu dha peshqesh edhe e drejta historike në Kosovë, prej nga rrjedhin të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohet sot skena politike e Kosovës (Asociacioni i Komunave serbe e të tjerat që po heshtën, por do të dalin gjithnjë e më shumë në pah).”
Të falemnderit Jusuf Buxhovi !
( Biseda me Jusuf Buxhovin është e imagjinuar ,por thënjet janë të Jusufit , te nxjerra nga intervistat e tij)
Fahri Xharra,19.01.16
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Ç`më tha, Fahri Xharra, Jusuf Buxhovi

Çështja e madhe Sinadinovski – një e rame me shumë të vramë !

January 19, 2016 by dgreca

… E degjuat…? ”Sihariq! 3439 qytetarë shqiptarë të Shkupit, Tetovës e Kumanovës kanë ndërruar emrat shqip“për shkak të bindjeve fetare ku ndikim më të madh kanë hoxhallarët”. I pabesueshëm ky mjerim! Historia njeh shumë shkombëtarizime, por jo dhe llojin e turpshëm të aktit shkombëtarizues të shqiptarëve të Maqedonisë, për të cilin dikush mban përgjegjësi./
Nga Fahri XHARRA/
Te jesh shqiptar në Maqedoni duhet që pa tjetër të jesh vetëm si‘ turk”, “musliman i denjë”
(xhami me minare 42 metërshe të larta) dhe nuk guxon të shkosh as majtas e as djathtas po vetëm nga Kibla. E vështirë ! Por nëse do ndryshe e ke të vështirë të jetosh, të punosh, të shkollohesh , të… të….” (1).”Sihariq! 3439 qytetarë shqiptarë të Shkupit, Tetovës e Kumanovës kanë ndërruar emrat shqip“për shkak të bindjeve fetare ku ndikim më të madh kanë hoxhallarët”. I pabesueshëm ky mjerim! Historia njeh shumë shkombëtarizime, por jo dhe llojin e turpshëm të aktit shkombëtarizues të shqiptarëve të Maqedonisë, për të cilin dikush mban përgjegjësi. … U plotësua kushti i të qenit shqiptar
Po të jesh shqiptar ortodoks në Maqedoni , nuk është e dëshirueshme ; është e rrezikshme dhe të sjellë shumë probleme në jetë. (2).”Të premten pasdite persona të panjohur kanë demoluar makinën e profesorit Branisllav Sinadinovski, i cili para dy javësh u zgjodh kryetar i Organizatës fetare të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. Makina është demoluar, i janë prerë gomat dhe janë dëmtuar pjesë tjera të veturës. Profesori Sinadinovski theksoi për INA se ka dyshime se sulmi është për shkak se ai është deklaruar publikisht shqiptar ortodoks dhe pas regjistrimit të Shoqatës së Shqiptarëve Ortodoks në Maqedonia nga ana e gjykatës.” … U plotësua edhe kushti i asaj të mos jesh shqiptar.
Pra , ku është thelbi i gjithë kësaj katrahure kombëtare ? I ceka dy shembujt e më sipërm që mendja e shëndoshë , ( e edhe nëse është e mashtruar ) duhet ta kuptojë se nga rreh ora e zhdukjes, që të kthjellon përfundimisht që të kthehet nga e mbara kombëtare. Në Maqedoni , sipas të gjitha gjasave jetojnë mbi 300 mijë shqiptar ortodoks ( Prof. Sinadinovski e thotë; deri në 100 mijë ). Pak i rëndësishëm numri ; thelbi është që shqiptarët ortodoks jetojnë dhe frymojnë shqip në Maqedoni .
Por e shihni që edhe pse të fesë ortodokse ; ata nuk janë të dëshiruar në këtë shtet të pa qenë kurrë shtet . Pra po e kuptoni ; sllavët nuk e duan prezencën shqiptare në tokat e shqiptarëve në Maqedoni !
Shqiptari që flet shqip , mbanë emër shqip, jeton shqip nuk është i dëshiruar . Nëse je musliman të bëjnë turk , nëse je ortodoks të bëjnë sllav. Pra? U kuptuam ?
Çështja e madhe Sinadinovski – një e rame e madhe me shumë të vramë. . Ra , kjo çështje e zgjimit të shqiptarëve ortodoks të Maqedonisë dhe na e dha të kuptojmë rrezikun e të qenit shqiptar në këtë shtet , të cilin shqiptarët dhe numri i tyre i madh ia mundësuan formimin e shtetësisë.
Profesori Fatmir Sulejmani shkruan për shqiptarët musliman : “Mercenarëve që sot ju shkon kungulli mbi ujë dhe e keqpërdorin shkallën e emancipimit kombëtar e politik të shqiptarëve, duhet thënë: BOLL MË se ia nxorrët bojën! Ata duhet ta dinë se, pavarësisht nënsjetullave të sigurta të padronëve dhe donatorëve, pavarësisht punëve të pista që kanë marë mbi vete, një ditë do t’ju pëlcasë tollumbaci dhe të gjithë do ta kuptojnë se prapa nuk u qëndron religjioni, po armiqtë shekullorë të shqiptarëve. Të tillët nuk mund të fshihen pafundësisht prapa Fesë dhe prapa Zotit, sepse janë më të pafe dhe më të pa Zot se çdo krijesë njëqelizore që ka krijuar i Madhërishmi.”
Kurse Profesori Sinadinovski e thotë këte: “Nuk është ky sulm i parë. Kam pasur probleme dhe kërcënime edhe herëve tjera. Policët erdhën mirëpo nuk kërkuan as gjurmë e as gjëra tjera për zbulimin e autorëve edhe pse dje nuk binte as shi e as borë. Mendoj se qëllimi është për të ushtruar presion ndaj meje sepse vazhdimisht më paraqiten persona me numra të panjohur dhe më kërcënojnë me likuidim fizik, mua dhe familjen time”, deklaroi Prof. dr. në bisedën për INA. Ai ka kërkuar mbrojtje nga institucionet, por edhe përkrahje nga shqiptarët kudo që janë. Sinadinovski është autori i librit “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni” dhe se sipas tij, ky komunitet në masë të madhe i asimiluar numëron mbi 100 mijë veta.”
Pra , së pari për shqiptarët e besimit musliman ; “Jeni të manipuluar. vetëm që të mos jeni shqiptar, e si turq sllavët e kanë më të lehtë zhbërjen e juaj . Kurse për shqiptarët ortodoks: “
“Mos të frikoheni nga kërcimet se lutjet e juaja në gjuhën shqipe dhe shkollat në gjuhen shqipe , në gjuhën e të parëve do të fillojnë së shpejti edhe për ju”
Fahri Xharra, 18.01.16
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Çështja e madhe Sinadinovski - një e rame, Fahri Xharra, me shumë të vramë !

Çfarë të zgjedh e t’ia dedikoj shqiptarëve

January 18, 2016 by dgreca

Shkruan:Ilir Levonja/Florida-USA/
Sot është 18 janar. Dita e Martin Luter Kingut. Dhe shumë rrjete kanë hedhur ofertën që të zgjedhësh një nga thëniet e tij. T’a shpërndash si dedikim për të drejtat civile. Për vendin tënd, shoqërinë apo miqësitë. Burrit që fillimisht e nisi, e mbërriti dhe e mbrojti të drejtën e madhe civile për klasën afro-amerikane. Pra njerëzit me ngjyrë. Por që sot, është kthyer në simbol i të drejtës mbarë njerëzore. Madje i mbarë racave, kombësive dhe shtëtësive. Ka me mijra, me miliona që sot e frymëzojnë vetveten me fjalën shpirtërore të tij. Madje edhe vet kundërshtarët e dikurshëm. Sot janë kthyer në promotorë të së drejtës. Ndofta për shkak të përbashkësisë shpirtërore. Të cilën asesi se kufizon dot ngjyra e lëkurës. Ndaj këto milionat pëshpërisin shpesh. Diçka prej tij…”Duhet të jetojmë bashkë si vëllezër se përndryshe do kalbemi si dështakë të përjetshëm”. Kam dëgjuar edhe njerëz të më thonë në sy, po fjalët e tia. Kështu drejtpërdrejtë…, ”Asnjëherë nuk kam për të pushuar së luftuari për të drejtën time”. Ose, ”Besimi hedh hapin gjithmonë edhe pse diku përpara nuk ekzistojnë shkallët”. Ose, ose, ”Errësira nuk mund të të nxjerrë nga errësira. Duhet dritë”.
Sa më shumë të zhbirosh aq më shumë i përvuajtuar ndihesh. E drejta, të drejtat. Të drejtat e mia dhe të tua-t.
A ka pasur dallim racor në Shqipëri? Sa të duash. A ka pasur dallim klasor në Shqipëri.? Sa të duash. A ka për çastin, po, po, tani? Dallim racor, klasor.? Apo dasime dhe ngujime. Kapje të shoqërisë. Së individit? Të liderit? Të së drejtësë civile? Të sigurisë? Të transaperencës? A ka terren për të mos ”ndalur së luftuari për të drejtën tënde?”. Të drejtën civile të njëriut formal. Dhe jo atij informal? A ka devijim në Shqipëri? Sa të duash.
Përshembull më vjen ndërmend plaku i urtë gjakovar Anton Çeta. Miti i çmitizimit të gjaqeve. Shpirti pajtues i shqiptarëve. Dhe makineria politike që i futi në gjak shqiptarët. Kush është Antoni sot? Dhe cila është makineria.?
Çfarë të zgjedh për dhuratë? Them se të gjitha na duhen ne. Por na duhen për t’i përjetësuar. Jo për të bërë garë me njëri-tjetrin se cili, kush, di më shumë. Jo për të luftuar njëri-tjetrin, por t’i shërbyer njëri-tjetrit.
Megjithatë po e bëj një zgjedhje. Dhe unë zgjodha këtë, që…,”Duhet të jetojmë bashkë si vëllezër se përndryshe do kalbemi si dështak të përjetshëm”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Cfare te zgjedh, Ilir Levonja, Martin LuterKong, t'ia dedikoj shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • 611
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT