• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETER NGA LONDRA

January 25, 2016 by dgreca

Letër nga Londra/
NJË LIBËR QË MË ZGJOI MALLIN PËR VENDLINDJEN/
Rreth veprës së z. Enver Memishaj “Fejzo Lepenica jetoi e vdiq për Shqipërinë”, Tiranë 2015. Vlerësuar nga Prof. Dr. Kaliopi Naska./
Nga Kastriot Rexhepi – Lepenica/
Ne Foto:Fejzo lepenica/
E lexova me nje fryme monografinë e Enver Memishaj “Fejzo Lepenica jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”.
Nga babai dhe gjyshi dija shumë pak për këtë patriot të madh. Paraqitja që Enver Memishaj ka bërë në veprën e tij të pesëmbëdhjetë sikur më bëri pjesëtar të vlerave të tij atdhetare, burrërore dhe njerzore.
Fejzo Lepenica hyri në lëvizjen patriotike shqiptare që në vitin 1920, si luftëtar trim në Luftën e Vlorës, oficer xhandarmërie gjatë viteve 1920 – 1924, arratisur në Greqi pas dështimit të revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Në Greqi ai ishte së bashku me patëriot të Çamërisë në vijën e parë për mbrojtjen e të drejtave të kësaj popullsie shqiptare. Vdiq në Janinë në moshën 35 vjeçare i sëmur nga burgimet dhe internimet nga qeveria greke.
Autori i librit ka bërë një punë këmbëngulse, kërkuese, hulumtuese të mbështetur në dokumenta burimore, në shtypin dhe folklorin e kohës të cilat vijnë në harmoni të plotë me ngjarjet historike që ka kaluar vendi ynë dhe paralel me këto ngjarje autori ka paraqitur jetën dhe veprën atdhetare të Fejzo Lepenicës.
Për këtë duhet vlerësuar e lartësur z. Enver Memishaj që ka zbuluar e nxjerr në dritë figura të tilla patriotike që në diktaturë u lanë qëllimisht në harresë, u mbuluan me pluhurin e kohës sikur nuk kishin ekzistuar.
Fejzo Lepenica nuk është zbulimi i parë, është po ky autor që ka vendosur në piedestalin patriotik major Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën dhe mbi bazën e këtyre veprave Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani i ka dekoruar “Nder i Kombit”. Vepra e z. Enver Memishaj është vlerësuar nga autoritet e shquara të historisë.
Për këtë punë atdhetare e kulturore vendlindja e tij Lepenica dhe krahina, duhet t`i jenë mirënjohës këtij punëtori të pa lodhur të kulturës dhe historisë sonë.
Ajo që më vuri në mendime dhe e kam vrejtje për gjith fisin Memishaj, është fakti se siç pohon Enver Memishaj në monografinë për Fejzo Lepenicën, kanë humbur gjurmët e katër vetëve nga fisi tyre, pra një familje: Fejzua me bashkshorten dhe dy vajzat e tyre. Nuk u falet dhe të pakën këto 25 vjetët e fundit duhet t`i kishin gjetur gjurmët e tyre. Për këtë duhet të kishin ndihmuar edhe fshatarët e tjerë, miqtë dhe shokët e tyre që janë të shumtë. Eshtrat e tyre duhet të prehen në varrezat e fshatit në Shesh të Nikës, pasi janë pjes e kësaj balte. Për këtë vepër njerëzore duhet në radhë të parë dashuri, humanizëm por edhe para.
Të mos harrojmë se kjo familje ka mbetur në Janinën shqiptare ku vete e vjen brenda ditës, nuk janë në Amerikë a në Arabi…
* * *
Pasi më erdhi libri në Londër, bashkë me dy libra të tjera të Izet Çullit dhe Asqeri Llanaj shkova dhe ja dhurova Bibliotekës së atij qyteti.
Zyrtari që më priti po e shfletonte librin e z. Enver Memishaj faqe më faqe dhe duke biseduar me mua pa i hequr sytë nga libri më tha se toponimi vendit tuaj Lepenicë vjen nga sllavishtja që në shqip përkthehet vend i bukur.
Ai po kërkonte në libër një pamje të këtij fshati që ta ballafaqonte me pamjen e bukurisë së personazhit të librit Fejzo Lepenica, të cilit i bëri përshtypje pamja e këtij burri.
Nuk vonoi asnjë muaj dhe më erdhi përgjigja zyrtare se libri ishte pranuar në Bibliotekën e Londrës.
* * *
Atje larg, në tokën e huaj, që për ne shqiptarët është bërë mikpritëse, libri që më dhuroi bashkfshatari im Enver Memishaj në zgjoi ndjenjën e dashurisë së madhe për vendlindjen, Lepenicën tonë të dashur.
E njoh fshatin tim me pëllëmbë, që nga maja e malit të Quramëngës deri në buzë të lumit Shushica që e përshkon fshatin mes për mes.
Nëpërmes këtij libri po shikoja me sytë e imagjinatës zonat bimore: shkurret mesdhetare, dushqet, koniferet dhe kullotat alpine që vetëm në territorin e Lepenicës janë si të ndara me thikë dhe që ndikohen nga deti më atë anë të malit.
Pema e mares shtrihet nga buza e lumit deri në Shënkolle, ndërsa dushqet janë të gërshetuar me bredha. Është interesante se në kullotat alpine, tek Gurët e Mëdhi gjejmë gështënjën e egër shekullore, që mendohet se origjina e sajë vjen 10 – 15 km., më në veri në mal të fshatit Gumenicë.
Çaja e kullotave aplipine zbret deri në Laraskë. Klima e butë në fshat ka lejuar që para 70 vjetëve kultivimin e agrumeve, këtë shembull e ka dhënë Qazim Veshi. Kultivimi ullirit vjen që nga kohët që s`mbahen mend, këtë bimë të uruar do ta gjejmë në Zallin e Zhardajve, në lagjen Gjikaj, brenda në fshat dhe në Fush të Madhe, kultivuar nga Xhelal Hoxha, xhaxhai i babit të Enver Memishajt. Fiku dhe të tjerë dru frutorë janë të përhapur, por dua të përmend nje fik shekullore në Grop të Gjike, i cili vazhdon të jap fryte edhe sot e kësaj dite.
Po kështu mund të përmendim drurët me vlerë si marja që i merren frytat, shqopa për drurin e sajë të rrallë, po kështu panja, bredhi, murrizi për frutat dhe drurin, thana, çaj mali, trumëza, rigoni, sherebeli etj.
Lepenica është edhe një fshat me ujë të bolshëm.
Veç lumit që gjarpëron me aq bukuri fushave të fshatit, burimet natyrore kanë qenë jetdhënës për këtë fshat, si Krivova, Dafina, Laqi, Matollaci, paraqiten në vijim të njeri tjetrit në baraslargësi me ujë mali të bollshëm e të freskët gjatë gjith vitit.
Gjeografia e fshatit paraqitet me bukuri të rralla.
Maja e malit të Quramëngës ka pamjen e një ballkoni mahnitës, pishat shekullore të këtij mali, Sterra e Valit, që është një guvë e thellë që mban borë gjatë gjith periudhës së vitit edhe në korrik e gusht është një frigorifer natyror. Zbresim më poshtë te Lugu i Mollës, Vali i Gravës, Gurët e Mëdhi, Guri i Jasharit, Harca e Shkallës, Harca e Gravës, Shënkollja, Këmba e Baçelit, Shpella e Shkruar që ende nuk është shpallur monument kulture, Harca e Hasangjonit, Fiteci dhe Guri i Fitecit, Guri i Shenjtë ku ra dëshmor në luftë kundër fashizmit Hano Rexhepi.
Kështu kemi zbritur nga maja e malit të Quramëngës në fshat. Ku të tërheqin vëmëndjen portat me harqe mermeri, rrugicat e shtruara me kalldrëm, shtëpitë dy katëshe në shpinë të njera tjetrës.
Me interes paraqitet edhe punishtja e stërrallit në Breg të Gjike, vendi ku nxirrej stërralli.
* * *
Faleminderit Enver Memishaj që me librin tënd më zgjove dashirinë për vendlindjen. Nëpërmjet librit tuaj e pashë edhe nje herë Lepenicën si në një film të bukur. Për ne emigrantët libra të këtij lloji kanë një rëndësi shumë të madhe historike dhe atdhetare.

Fejzo Lepenica

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj “Fejzo Lepenica jetoi e vdiq për Shqipërinë”, LETER NGA LONDRA

Mbrojtja e të gjitha epokave të historisë sonë disa mijëra vjeçare nuk është ISLAMOFOBI!

January 25, 2016 by dgreca

Letër e hapur për të pa informuarit , të mashtruarit , të stigmatizuarit , të humburit në mjegullinat artificiale dhe të porositura të historisë sonë/
Nga Fahri XHARRA/
Për të zhvilluar temën e titulluar mu deshtë pa tjetër të thirrem në Faik Konicën, kur kërkonte : Ndryshim në themel! A është edhe sot e nevojshme, e domosdoshme e menjëhershme për të kapërcyer paradoksin e kohës shqiptare, e cila nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e para njëqind vjetëve? A mos është mendja edhe e intelektualit të sotëm një rreth i mbyllur, me një mendim dogmatik të thatë dhe të pa jetë? A mos po e kemi mendjen e frikshme të zhytur në mediokritet?
Letra nuk iu drejtohet antishqiptarëve qëllim këqij të çdo niveli intelektual , nuk iu drejtohet falsifikatorëve te porositur të historisë sonë , disa hoxhallarëve që nuk dinë asgjë se pse së paku jetojnë, priftërve shqiptarë ortodoks që ende jetojnë në kohën e andartëve ,
Letra iu drejtohet të gjithë atyre që e shohin shtrembërimin e historisë sonë si një rrezik i e të qenurit shqiptar; por edhe atyre që vetë me të “dëgjuar” dhe me asgjë të “lexuar “ flasin keq e më keq për kombin,
Sot shqiptarët në tokat e tyre , më shumë se kurrë janë të rrezikuar nga humbja e autoktonisë së tyre me pasoja shumë të renda . Të gjitha kambanat e rrahin të njëjtën zhurmë : shqiptarët janë ardhur vonë , dikush thotë në shekullin 11-t ( serbët) e dikush pas Betejës së Kosovës ( 1389 ) (e thonë shpirtëart e shitur shqiptar )
Nëse e them që ““Sipas regjistrimeve të vitëve 1571 dhe 1591 regjioni Verilindor i Sanxhakut të Dukagjinit , ose sipas emrit të dhënë në shek.XVI-të , regjioni i Hasit ishte tërësisht i banuar nga shqiptarët . Regjioni i Hasit ishte i ndarë në tri nahije: Nahija e Rudinës (Gjakova e sotme dhe fshatrat e saja në jug), Nahija e e Domeshtiçit (fshatrat në mes Gjakovës së sotme dhe Prizrenit) si dhe Nahija e Pashtrikut ( fshatrat në lindje dhe në perëndim të malit Pashtrik).Kjo mbyllet me faktin që ngjashëm me banorët e regjioneve malore të Shqipërisë Veriore edhe banorët e këtyre tri nahijeve kishin emrat tipik Shqiptarë: Gjin, Gjon, Gac, Bac, Kol, Gjec, Doda, Prend, Biba, Nue, Dida, Shtepan, Vata,( Burimi: http://archive.is/tr44YThe albanians in Kosova through the centuries, by S.Pulaha –https://” e nëse emrat e banorëve ishin të tillë me emra të tillë , kjo nuk është “islamofobi “ por kjo është kundërshti e madhe ndaj apetiteve dhe shkrimeve të serbëve që ne jemi të ardhur shumë vonë. Stop injorancës !
Nëse shkruhet “Për grekët, shqiptarët janë mbeturina të perandorisë osmane në tokën “e lashtë greke” të Ilirisë. “Nuk mund të presim më shumë nga një komb si shqiptarët, të krijuar nga italianët dhe që mbahen nga sionistët amerikanë. Mjafton një teshtitje e Greqisë, që goja e tyre të mbyllet. Shqiptarët janë mbeturina të perandorisë osmane në tokën ilire dhe nacionalistët grekë do të vendosin rendin në tokën e lashtë greke të Ilirisë”- Kjo shënon qëllimin djallëzor të grekëve për humbjen e origjinalitetit tonë në tokat tona: kjo nuk është politikisht antigreke !
Nëse shkruhet ““ Arnautët ishin gjithmonë përfaqësuesit e denjë të çrregullimeve dhe të mos përgjegjësisë ndaj shtetit, Të tillë i njhnin edhe të krishterët( Europa,f. xh. ) e edhe Turqit. Gjatë historisë dhe në gojëdhëna, në të kaluarën dhe të tashmen për banorët e Makedonisë, Sërbisë së vjetër dhe në Sanxhak,Shqiptari ishte sinonim i dhunuesit dhe i dhunës dhe i rrëmbimit. Ata ishin të tillë edhe në kohë të luftës e edhe në kohë të paqës. ”( Jovan N. Tomić O Arnautima u staroj Srbiji i Sandžaku,1913).” Pra kuptohet që botës t`i “spjegohet “ për një popull të të pa denjë për Europë.
Nëse thuhet dhe që është edhe e dokumentuar : “…E gjithë Greqia më 1850 fliste shqip. Shateaubriand, Lamartini, Edmond About dhe të gjithë ata, që e kanë vizituar Greqinë atë kohë, të gjithë pa përjashtim kanë shkruar se në të vërtetë, duhet të cilësohet si Shqipëri” (f.213R.A.)” Kjo kë e pengon? Dihet.
Nëse thuhet ” Shqiptarët janë mbeturina të perandorisë osmane në tokën ilire” po thonë ata të ”Agimit të artë” ?! “ , ne duhet të heshtim ? apo si musliman që jemi ( jo të gjithë ) , për mos të ngjallur “anti islamizem “ t`a pranojmë ?
Si mundemi të flemë aq pa brenga ,dhe të mos i kundërvihemi një të keqes nga e kaluara e cila po na gërryen edhe sot? Pse heshtim dhe nuk i zbardhim planet e të kaluarës për zhbërjen tonë nga ata që edhe sot vetëm se po i rifreskojnë planet e tyre, me të dhëna më të dhe metoda më të sofistikuara?
Edhe sikur të shkruanim për çdo ditë nga një libër dhe të mundohemi ta bindim botën se atë që e kanë thënë serbet për ne , nuk është e vërtetë,nuk ia dalim dot. Ata aq shumë kanë punuar por edhe sot punojnë në atë drejtim, dhe duke e krahasuar me” punën” tonë apo më mirë të them heshtjen tonë e kemi të pamundur çdo llojë përgënjeshtrimi. E bota i beson librit.
Planet e serbëve për shfarosjen tonë, bartjen tonë nga tokat tona janë shumë të hershme. Por ata nuk i bënin vetëm. E kishin mikun, i kishin miqtë të cilëve iu ndihmonin. E ne ende nuk po dimë ta zgjedhim mikun. Përplasemi sipas nevojave ditore, individuale, klanore dhe kurrsesi të ndalemi dhe të rrokemi me të vërtetin. Po, po me mikun e vërtetë.
Nëse e kaluara harrohet,mendoj se ardhmëria do të jetë shurdhmemece, ose ndërprerje e historisë, që vështirë mund të gjendet filli për t’u kapur /ngjit në vendin e këputjes,apo filluar rishtas Unë prapë qëndroj pas asaj që historia po na vret.
Të mashtruar , të përgatitur për disfatë, të përgatitur për të disfatuar , të humbur në zhurmën shurdhuese të propagandës antikombëtare, të nënshtruar pranë aktit të kryer, atëherë na duket
Mbrojtja e të gjitha epokave të historisë sonë disa mijëra vjeçare nuk është ISLAMOFOBI !
Më besoni se jeni të mashtruar , keqinformuar, stigmatizuar ju të gjithë që iu shkrova këtë letër.

Fahri Xharra
25.01.16 , Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Historia Kombetare, Islamofobi, leter e hapur

Kosovë-Thaçi: Prioritet, interesi shtetëror

January 23, 2016 by dgreca

-Thaçi: Subjektet politike të bëjnë dallimin mes interesit shtetëror dhe partiak. Veseli: Hashim Thaçi do të jetë President i Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 23 Janar 2016-B.Jashari/ Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, theksoi se është e rëndësishme që të respektohet vullneti i lirë i qytetarëve, sepse udhëheqjen e shtetit e cakton kutia e votimit e jo gazi lotsjellës e molotivi, ndërsa bëri thirrje që partitë politike ta kenë prioritet interesin shtetëror.
“Alternativat gjithmonë janë të mirëseardhura, mirëpo subjektet politike duhet të dinë të bëjnë dallimin në mes të interesit shtetëror dhe partiak”, theksoi lideri i PDK.
Ai tha se pengimin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës janë duke e bërë personat, të cilët po hedhin molotov. “Parlamenti Evropian ka aprovuar MSA-në, mirëpo ne nuk po arrijmë të aprovojmë atë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak të gazit lotsjellës. Jemi të pavarur, mirëpo nuk duhet harruar se kurrë nuk është e tepërt të marrim këshilla nga miqtë tanë evropianë dhe amerikanë. Ata të cilët po hedhin molotov në drejtim të institucioneve kurrë nuk kanë marrë ndonjë vendim të mirë për ju qytetarë, mësues, invalidë të luftës, të burgosur politikë”, është shprehur Thaçi.
Më tej Thaçi tha se marrëveshja PDK-LDK do të respektohet dhe se zgjedhja e tij si President i Republikës së Kosovës do të forcojë shtetin e Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila do të jetë edhe më e fuqishme, për çka beson fuqishëm në lidershipin dhe elektoratin e PDK-së.
Zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se, “kohëve të fundit kur përmendet prania e pushtetit serb në Kosovë, duhet theksuar se pushteti serb ka marrë fund, më 12 qershor 1999”, ndërsa beri thirrje për unitet dhe që opozita qe t’i therras zërit te arsyes. Veseli tha se Hashim Thaçi do të jetë President i Republikës së Kosovës.
Njoftimi i dërguar mbrëmë bën të ditur se, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar me bashkëpunëtorë, në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të themelimit të PDK-së në Shtime, në një organizim madhështor ka takuar strukturat partiake, simpatizantët dhe qytetarët e shumtë nga Shtimja.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hashim Thaci, interesi shtetror, Partitë Politike

Shqipëria në udhëkryq si pasojë e koalicioneve politike

January 22, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja (Francë), 22 janar 2016 /
Elita politikane, drejtuese dhe koalicioniste, qoftë me formim shqiptar apo perëndimor, më krijon ndjenjën sikur po e zhyt Shqipërinë çdo ditë pak e nga pak drejt « humnerës », pavarësisht se mundohet të dëshmojë të kundërtën. Duket sikur atë « dritën në fund të tunelit » do të na duhet shumë kohë për ta dalluar, edhe pse « tunelet shqiptare » nuk është se kanë ndojnë gjatësi metrike apo kilometrike të konsiderueshme. Më mërzit jashtë mase fakti që vendi ynë ende nuk ka arritur të nxjerrë në pah një lidership të ri politik, i cili ngjall besim në shoqëri.
Fatkeqësisht, shpresat e shoqërisë civile, për të kaluar nga niveli i mbijetesës në atë të jetesës, shuhen me politikat dështuese dhe natyrshëm me to rritet dëshpërimi dhe varfëria. Për shembull, a i ishin të nevojshme investimet për Jaguarët, The Economist, Blair-ët, Bunkerët ? – Ndoshta, por mund të kërkoheshin alternativa të tjera më pak kushtuese, kështu një pjesë e këtyre fondeve mund të ishte investuar për ata njerëz, të cilët Gjermania po kthen çdo ditë në Shqipëri, ose të tjerë që nuk arrijnë të paguajnë ilaçet apo shërbimet mjekësore, që nuk arrijnë të paguajnë energjinë elektrike, që nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët e tyre. A interesohet ndonjë « koalicionist » për Shqipërinë e varfër ? – Kushedi, ndonjëri/a. Në veçanti, interesohen të gjithë kur nevojitet një foto/video propagandistike për fushatën elektorale.
Si ka mundësi që një shtet i vogël me përafërsisht tre milion banorë – sa një krahinë në Francë (Bretagne) – ndodhet sot në një situatë të ç’thurur ? – Ndoshta, mjafton të analizohen « veprat » e klasës politike në tërësi për ta kuptuar. Shqipëria duket se po drejtohet si një lojë Poker-i nga politikanët, ku gjithçka mbështetet tek « shansi » dhe bllofi. Përse një elitë politikane është gjithmonë vizionare – largpamëse kur ndodhet në opozitë dhe « verbërohet » kur gjendet në pozitë ? – Në rastin e parë, kjo ndodh për të marrë pushtetin, ndërsa në të dytin që ta lëshojnë atë sa më vonë të jetë e mundur.
Në politikën shqiptare, më shqetëson përdorimi i termit « koalicion », që në teori do të thotë të kesh interesa të njëjta për qëllime të përbashkëta, ndërsa në praktikë qëllimet marrin një formë tjetër. Sot të bësh koalicion në Shqipëri, është sikur të bësh pakt me « Djallin ». Shqipëria po mbahet peng pikërisht nga loja koalicioneve « djallëzore ». A i kanë sosur limitet kësaj loje ? – E kanë tejkaluar, bajatur…i ka dalë boja. A mund të qeveriset një shtet, kur njëri mban timonin dhe tjetri frenat ? – Po, por me rrezikshmëri tmerrësisht të lartë destabilizimi. A mund të qeveriset një vend, kur njëri partner i koalicionit merr një vendim dhe tjetri e kundështon atë ? – Po, por nuk ka zhvillim – përparim. Për shembull, reforma në drejtësi dhe avancimi i dosjes për në BE do të jenë testi i radhës.
A është e këshillueshme që shqiptarët të vazhdojnë dhe të kenë besim te koalicionet politike, të cilat, në të kaluarën, i kanë bërë akuza nga më të rënda njëra – tjetrës ? – Jo, por hallet dhe varfëria i kanë detyruar dhe futur nën « kthetrat » e politikanëve. Ky « besim » do të vazhdojë edhe për pak kohë, deri në pritje të një lidershipi të ri, i cili po fillon të kërkohet – imponohet në mënyrë indirekte nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Politikanët e rinj do të distancohen nga korrupsioni dhe shqiptarët do të depolitizohen vetvetiu ashtu siç ka ndodhur edhe më parë në vendet perëndimore, dhe vetëm atëherë Shqipëria do të dalë nga udhëkryqi i « eksperiencave » të pseudo – koalicioneve politike.
Të mos harrojmë se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e politikanëve. – Atdheu mbi të gjitha !

Filed Under: Opinion Tagged With: koalicioneve politike, Nga Aurenc Bebja, Shqipëria në udhëkryq, si pasojë e

Kryeministri Mustafa: Rugova, politikan e Prijës, një model shembullor i veprimit politik

January 21, 2016 by dgreca

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në manifestimin përkujtimor me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/
Prishtinë, 21 janar 2016/
E nderuara familje e Presidentit Ibrahim Rugova,
Të nderuar përfaqësues të të gjitha subjekteve politike që jeni sot së bashku me ne,
Faleminderit shumë për pjesëmarrje,
Të nderuar ambasadorë,
I nderuari ambasador i Shqipërisë, Sllovenisë, Hungarisë dhe përfaqësues tjerë diplomatik,
I nderuari Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës, z. Gjergji,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame,
Të nderuar deputetë, ministra,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
Të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Kryetarë të komunave, veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Dhe të gjithë ju që jeni prezent këtu në prezencë shumë të madhe, sepse po i bëni një nderim shumë të madh për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes në amshim, po e kujtojmë me nderimet më të larta Kryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dijetarin e burrështetasin tonë, Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Vdekja e hershme e Presidentit Rugova, në janarin e acartë të vitit 2006, ishte goditja më e rëndë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Ai iku pikërisht në shtegun e fundit të procesit të gjatë e të rëndë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, sepse, siç thoshte vetë Presidenti Rugova, Kosova de facto ishte e pavarur që nga qershori i vitit 1999.
Dhjetë vite më parë, qytetarët e Kosovës i dhanë në mënyrë madhështore lamtumirën e fundit Presidentit të tyre, për ta pohuar edhe një herë besimin për filozofinë e tij të veçantë politike, besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë politika dhe institucionet e këtij vendi.
Siç ndodh përherë me prijës të mëdhenj, populli i Kosovës, gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, duke i sfiduar temperaturat ekstreme të ulëta, tregoi nderimin dhe dashurinë e pashembullt për Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lumë i pandalshëm në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar të vitit 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike, të cilat po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967, kurse Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë.
Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, nën mbikëqyrjen e semiologut Roland Barti. Rugova doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1984. Në vitin 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.
Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne, në të cilat u shqua si me veprën e tij jetësore Vepra e Bogdanit 1675-1685, ashtu edhe me studimet e tjera të shumta, në të cilat ai trajtoi me profesionalizëm dhe ndjeshmëri të rrallë teorike e estetike autorët dhe veprat më me ndikim të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore.
Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë social-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik.
Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.
Sikundër në krijimtarinë dhe studimet letrare, edhe në veprimtarinë e tij si prijës kulturor e politik, Dr. Ibrahim Rugova ishte krejtësisht i veçantë. Nga pozita e kryetarit të ish-Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai e kundërshtoi me vendosmëri dhe me dinjitet të admirueshëm intelektual e kombëtar propagandën e errët të qarqeve intelektuale e zyrtare të Serbisë kundër shqiptarëve, e sidomos kundër elitës intelektuale dhe institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës.
Ngadalë, por bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, shtator 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës më 24 maj 1992.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004. Po ashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Të nderuar pjesëmarrës,
Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës. Së këndejmi, është fare e natyrshme dashuria e pamasë, madje adhurimi që qytetarët e Kosovës kanë shfaqur, e shfaqin sot dhe do ta shfaqin përgjithmonë për njeriun që iu priu në kohërat më të vështira, Ibrahim Rugovën.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim, me bindje pohojmë se e ardhmja vetëm sa do ta forcojë këtë lidhje të fuqishme të qytetarëve të Kosovës me idetë, me veprimet kulturore dhe politike, me vizionin e Ibrahim Rugovës për Kosovën dhe të ardhmen e saj euroatlantike.
Presidenti Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë. Ideja e pavarësisë së Kosovës hyn në domenin e ideve të mëdha, jetësimi i të cilave kërkon dije, urtësi dhe sakrifica të jashtëzakonshme.
Ne patëm bekimin e Zotit që në rrethanat më të vështira nëpër të cilat kaluam si vend e si popull, patëm një Prijës si Ibrahim Rugova, një njeri me fjalë të buta, po me qëndrime të forta, një lider që fliste me elipsa, por përçonte mesazhe të sakta e jetëgjata, një intelektual të rrallë që e njihte shkëlqyeshëm traditën e etnisë së tij shqiptare, të cilën, pastaj, e ndërlidhte në mënyrë brilante me dijet e modernitetit, të humanizmit dhe të civilizimit evropian.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës sot, po punon më përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar para më shumë se dhjetë vjetësh Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Qeveria e Kosovës sot e ka në preambulën e veprimit të saj fuqizimin e partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore evropiane.
Institucionet e Kosovës sot, me shumë sfida, po e vazhdojnë me vendosmëri dhe konsistencë rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.
Ne vazhdojmë të jemi besnik të paepur të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur që ta ushtrojmë dhe ta ruajmë sovranitetin e vendit tonë.
Kosova është në rrugë të mbarë të bëhet shtet i zhvilluar ekonomikisht, vend i dijes dhe prosperitetit, i admiruar dhe i dashur nga qytetarët e saj.
Rugova fliste dhe shkruante me ëndje për potencialet tona zhvillimore, për bukuritë dhe pasuritë natyrore, për të zotët e tokës në vendin e tyre, vlera këto që i japin vulën këtij vendi e i shtojnë dinjitetin këtij populli.
Me duart e tij të shtrira përpara, Rugova nuk mohonte se ne kemi dallime dhe se dallimet janë të natyrshme, por tregonte se ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjera që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.
Rugova peshonte sfidat tona, kultivonte arsyen e çdo veprimi, durimin për përballimet e rënda, vlerësonte rolin e miqve dhe dashamirëve. Këto vlera na nevojiten edhe sot, kur po kalojmë një rrugë jo të lehtë, por të domosdoshme, kur po bëjmë kthesa të mëdha dhe të rënda politike në interes të vendit tonë.
Shumë të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve në Kosovë, u bë busulla jonë drejt integrimeve euroatlantike.
Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, si dhe për forcimin e kohezionit të popullit të Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës, duke i vendosur në qendër të diplomacisë së tij kryeqytetet e vendimmarrjes botërore.
Gjithashtu, Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, Flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë”.
Njohës i shkëlqyeshëm i historisë dhe i kulturës shpirtërore e materiale të popullit të tij, Rugova i pohoi kudo me forcë vlerat më ekzemplare të popullit të Kosovës, si: bujaria, mikpritja, nderimi i mikut, harmonia ndërfetare dhe ndëretnike. Me këtë qasje, ai e riktheu përsëri Kosovën në vëmendjen e kryeqendrave të mëdha botërore.
Të gjithë ne sot jemi dëshmitarë të të arriturave kolosale të Kosovës së lirë dhe të pavarur. Shohim se janë përmbushur shumë nga idealet e Presidentit Rugova, idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Konstatojmë po ashtu se kemi shumë për të bërë për ta integruar Kosovën në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian, për ta rritë ekonominë, për ta përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, për ta forcuar shtetin e së drejtës. Sot Kosova është shtet sovran dhe i pavarur i pranuar nga mbi 110 shtete.
LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje presidentin e saj Historik, Ibrahim Rugova.
Rugova do të kujtohet përgjithmonë si politikan i urtë, po këmbëngulës, që synonte ta edukonte me konceptet e mendimit dhe të humanizmit skenën e ashpër të politikës.
Rugova, krijues e mendimtar, qëndron në zenitin e vlerave të letrave shqipe; Rugova, politikan e Prijës, është një model shembullor i veprimit politik.
Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë familjen e tij!
Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës dhe Republikën e Kosovës!

Filed Under: Opinion Tagged With: i veprimit politik, Mustafa, një model shembullor, politikan e Prijës, Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT