MUSTAFA: JU TREGOJ TE VECANTEN E VIZITES NE SHBA, PERSE NUK KA PUSHTET TE TRETE NE KOMUNAT ME SHUMICE SERBE DHE…
-E veçanta e kësaj vizite ka qenë pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në Samitin Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama/
-Asnjë element i marrëveshjes Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk e bën pushtet të tretë/
-Në çdo marrëveshje do zbatohen ligjet e Kosovës në çdo pikë dhe kjo do bëhet edhe me mendimin e Gjykatës Kushtetuese/
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 2 Tetor 2015/ Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë 5 ditëve zhvilluam vizitë të rëndësishme, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas kthimit nga Nju Jorku në Prishtinë në një konferncë shtypi në ambientet e qeverisë, sot pasdite.
I ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, kryeministri i Kosovës Mustafa ka marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
“E veçanta e kësaj vizite ka qenë pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në Samitin Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Në këtë samit, i cili ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimet ndërkombëtare, Republika e Kosovës është trajtuar me kapacitet të plotë shtetëror, si të gjitha vendet tjera të botës. Ne kemi qenë pjesë e barabartë e këtij Samiti, i cili është mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Andaj i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Obama për përkrahjen ndaj Republikës së Kosovës dhe mund të them se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit, e ka dëshmuar faktin se Republika e Kosovës po bëhet faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kreu i qeverisë me delegacionin e Kosovës në Nju Jork, përfshirë selinë e Kombeve të Bashkuara, kanë zhvilluar edhe takime të rëndësishme. Dje bëhej e ditur se, kryeministri Mustafa u takua në Nju Jork me zëvendës sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J. Blinken, i cili përgëzoi për lidershipin e fuqishëm të qeverisë kosovare në raport me proceset e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe më gjerë.
Kryeministri Mustafa sot tha se, “sa i përket takimeve me zyrtarë të lartë të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne jemi takuar me zëvendës sekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken. Në këtë takim ka qenë e pranishme edhe Victoria Nuland, ndihmës sekretare, dhe ne jemi përgëzuar për lidershipin në raport me proceset e rëndësishme të cilat i kemi kapërcyer këtë periudhë”.
“Kemi marrë po ashtu përkrahje të plotë për vendimin që e ka marrë edhe qeveria edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, përkatësisht Dhomave të Veçanta, kemi marrë përkrahje të plotë për procesin e dialogut dhe katër marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, theksoi kreu i qeverisë kosovare.
“Kemi marrë po ashtu përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, angazhimit dhe anëtarësimit të saj në Interpol dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Po ashtu kemi marrë përkrahje edhe në proceset tjera integruese në strukturat euroatlantike, që kanë të bëjë edhe me transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, por gjithherë duke i respektuar procedurat dhe duke marrë një vendim të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi Mustafa.
“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë përgëzuar Republikën e Kosovës për hapat të cilat i kemi marrë në luftën kund radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke e konsideruar Kosovën si shembull të veçantë edhe sa i përket Strategjisë që ne e kemi aprovuar kundër terrorizmit, dhe po ashtu Ligjit që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar me të cilin është ndaluar bashkimi i qytetarëve tanë në konfliktet e jashtme”, tha kreyministri kosovar.
Mustafa tha se, jemi takuar po ashtu edhe me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan Hoyt Yee, me të cilin po ashtu kemi biseduar për çështjet e dialogut, për çështjet e modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, si dhe për përfundimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në këtë proces.
“Nga data 26 shtator deri më 1 tetor, në cilësinë e kryeministrit të vendit, së bashku me zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni, kemi zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre 5 ditëve, kemi zhvilluar dhjetëra takime dhe aktivitete të nivelit të lartë, të cilat besoj se kanë dhënë fryte të rëndësishme për Kosovën, veçanërisht në raport me rolin e saj në bashkësinë ndërkombëtare”, vlerësoi Mustafa.
Ai njoftoi hollësi edhe nga takimet e tjera me përfaqësues shtetesh e organizatash nga bota. “Gjatë këtyre takimeve ne kemi lobuar për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe fuqizimin e marrëdhënieve me këto shtete, gjithmonë duke pas parasysh edhe nevojën që ne të kemi marrëdhënie ekonomike me të gjitha vendet, të tërheqim investime të huaja, dhe që perspektiva e Kosovës të jetë perspektivë e përbashkët në rajon edhe në Evropë, dhe perspektivë botërore”, u shpreh Mustafa.
Ai bëri të ditur se, ministrat që ishin në delegacionin e Kosovës kanë pasur takime të veçanta në fushat e tyre, edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Integrimeve Evropiane.
“Është shfrytëzuar maksimalisht koha, kryesisht në të gjitha këto takime janë biseduar çështje aktuale që kanë të bëjnë me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë pranuar, me anëtarësimin tonë në UNESCO, në Interpol. Kemi biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit me Europol-in, sepse atje njëherë nuk mund të anëtarësohemi përderisa s’bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian, mirëpo modalitetet janë diskutuar dhe mendoj se edhe aty do të arrijmë një bashkëpunim të mirë”, tha Mustafa.
Ai tha se delegacioni kosovar ka marrë pjesë po ashtu edhe në disa takime dhe pritje formale dhe joformale të organizuara në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me liderë të ndryshëm dhe përfaqësues të ndryshëm të këtyre vendeve.
“Një pjesë të takimeve zyrtare i kemi zhvilluar edhe në Selinë e Kombeve të Bashkuara, ku mund të them se kemi pasur një trajtim shumë të mirë, një trajtim krejtësisht të barabartë me vendet tjera, që ka qenë një risi për trajtimin e Kosovës në Nju Jork dhe në selinë e Kombeve të Bashkuara”, theksoi Mustafa.
“Unë mendoj se bashkëpunimi ynë me këto vende është tepër i rëndësishëm, përkrahja që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për ne për proceset që po i kalojmë, por edhe për sfidat të cilat ne i kemi në të ardhmen”, përfundoi kryeministri i Kosovës Mustafa në konferencën për shtyp pas kthimit nga Nju Jorku.
Duke iu përgjigjur interesimeve të medias, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, siguron se Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk do jetë pushtet i tretë dhe nuk ka asnjë arsye për frikë nga marrëveshja në Bruksel, në dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve.
“Unë nuk shoh asnjë arsye që të frigohemi nga marrëveshja për Asociacionin. Unë ju garantoj se asnjë element i kësaj marrëveshje nuk i jep fuqi ekzekutive Asociacionit, nuk e bën pushtet të tretë edhe nuk krijon asimetri në realizimin e pushtetit”, theksoi ai në konferencën për shtyp.
Kreu i qeverisë kosovare, Mustafa tha se në çdo marrëveshje do zbatohen ligjet e Kosovës në çdo pikë dhe kjo do bëhet edhe me mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ambasadori i SHBA në Kosovë Delawie: Në demokraci, politikat i përcakton shumica
-Opozita vazhdon bllokimin e Kuvendit të Kosovës, seanca që ishte në axhendë për sot është anuluar-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Tetor 2015/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, thotë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ndërsa porosit opozitën që të zhbllokojë Kuvendin e Kosovës, dhe që kundërshtimet e veta t’i shprehë duke hedhur fjalë në debat, dhe jo me hedhjen e vezëve.
Në një intervistë dhënë gazetës kosovare “Koha Ditore”, sot, ambasadori Delawie thotë se SHBA-ja e mbështet plotësisht Marrëveshjen e arritur për Asociacionin e komunave serbe, e cila, sipas tij, nuk shkel ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Delawie po ashtu insiston se SHBA-ja është miku më i fuqishëm i Kosovës dhe mbrojtësi i saj më i madh, i cili mbështet një Kosovë sovrane, dhe nuk do kishte mbështetur një marrëveshje që do të ndërhynte në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Në intervistë, ambasadori Delawie tha po ashtu se vendimet dhe politikat i përcakton shumica që krijon qeverinë, ndërsa të pakënaqurit duhet të përpiqen të fitojnë zgjedhjet e radhës për të ndryshuar politikat që nuk i pëlqejnë.
“Populli i Kosovës e zgjodhi qeverinë dhe ne punojmë me atë qeveri që populli e zgjedh. E kam të vështirë të shoh se si hedhja e vezëve apo e çfarëdo gjëje tjetër, përveç fjalëve në sallën e Kuvendit, e forcon demokracinë në Kosovë apo i kontribuon përmbushjes së synimeve më të gjera të saj”, thotë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në intervistë.
Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga “aksionet simbolike” të deputetëve të opozitës në sallën e seancave nuk ka arritur të zhvillojë asnjë seancë në sesionin vjeshtor, dhe pas rindërprerjes dje të seancës së parë të nisur e ndërprerë në 17 shtator, seanca e tretë që ishte në axhendë për sot është anuluar.
Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit, të cilat u ndërprenë nga protestimet e deputetëve të opozitës në sallën e seancave plenare, të cilat vazhduan edhe dje. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Opozita e bashkuar nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ndërsa ka paralajmëruar se do ta pamundësojë funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi .
Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, opozita me gjithësej 31 deputetë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh ka organizuar edhe një petecion dhe vazhdon të mbledhë nënshkrime të qytetarëve në vend dhe në diasporë.
Ramush Haradinaj: Mos e lejoni defunksionalizimin e shtetit të Kosovës
PRISHTINË, 1 Tetor 2015/ Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi pak më parë, pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit, se “opozita nuk ka asnjë rrugë përpos që ta pamundësojë futjen në zbatim të marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin”.
“Nëse këto marrëveshje hyjnë në zbatim tani, atëherë Kosova nuk më nuk do të ketë fuqi as t’i korrigjojë e as t’i shfuqizojë ato”, tha ai.
Ne, si opozitë, vijoi Haradinaj, “nuk do të mund të pajtohemi asnjëherë që kushdoqoftë ta godas kaq rëndë shtetin dhe territorin e Kosovës”.
“Isa Mustafa ka gabuar, prandaj ai duhet ta korrigjojë gabimin e tij, sepse kjo është në interes të shtetit ku ai është kryeministër. Prandaj ftoj atë dhe partnerët ndërkombëtarë që ta kuptojnë shqetësimin tonë dhe t’i rishikojnë këto marrëveshje”, theksoi Haradinaj.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është kundër që serbët, atje ku janë shumicë, ta kenë asociacionin e tyre, por ky asociacion duhet të jetë në përputhje me Planin Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Kosovës. Cdo zgjidhje tjetër, është jo demokratike dhe e papranueshme”, shprehet lideri i partisë së dytë opozitare kosovare.
“Sa i përket demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, jemi përcaktuar që kufiri të jetë atje ku ka qenë gjithnjë. Nuk e duam tokën e askujt dhe nuk jemi të gatshëm ta falim tokën tonë. Vetëm një zgjidhje e tillë është garancë e një fqinjësie të mirë me Malin e Zi”, shton Haradinaj.
“Keto çështje janë jetike për Kosovën dhe unë i ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, në Kosovë dhe jasht saj, që të vihen në anën e së drejtës, e jo të mbështesin zgjidhje të improvizuara me pasoja të pariparueshme”, përfundon lideri i AAK-së./b.j/
Kur lexova një libër dhe… një letër
Nga Eshref Ymeri/
Para pak ditësh lexova librin mjaft interesant të publicistit të mirënjohur Xhevdet Shehu, me titull “Prapaskena”. Sot, më 30 shtator, në gazetën “Dita”, lexova edhe letrën që Nexhmije Hoxha i drejtonte autorit të këti libri. Në librin në fjalë shkruhet e zeza mbi të bardhë dhe del në pah fare shkoqur se Enver Hoxha ishte duke përgatitur pasardhësin. Por pasardhës i denjë për mendësinë e Enver Hoxhës, i cili në çdo hap shikonte vetëm armiq, nuk mund të ishte Mehmet Shehu. Pasardhës duhej të ishte vetëm Ramiz Alia, njeriu pa “klorofil politik”, siç e ka karakterizuar bukur fare Xhelil Gjoni. Sepse, sipas bindjes sime të patundur, Enver Hoxhën, thellë në vetëdijen e tij, e kanë pasë munduar gjatë komplekset e inferioritetit para Mehmet Shehut, i cili, megjithëse pjellë e diktaturës komuniste, kishte një tjetër formim si burrë shteti dhe, siç del nga libri i Xhevdet Shehut, tjetër këndvështrim për zhvillimin e vendit, me orientim perëndimor. Ishin pikërisht komplekset e inferioritetit ato që e patën torturuar Enver Hoxhën edhe para lules së inteligjencies shqiptare, të cilën, fill pas luftës, ai e zhduku pa iu dridhur qerpiku. Sepse ajo kishte kulturë universitare perëndimore, kurse Enver Hoxha s’qe i aftë të përfundonte ndonjë universitet në Perëndim. Por Nexhmije Hoxha, në letrën që i drejton Xhevdet Shehut, e anashkalon qëllimisht arsyen e vërtetë të shpërthimit tërbimtar të Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehur, fill pas ikjes së këtij të fundit për në botën e përtejme. Si shpjegohet që deri natën duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, Enver Hoxha nuk dinte gjë absolutisht për “poliagjentizmin” e Mehmet Shehut dhe menjëherë pas (vetë)vrasjes së tij, ai na e shpalli poliagjent, pa i paraqitur opinionit publik asnjë fakt konkret? Shpërthimi egërsor i Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehut, dëshmonte fare qartë se urrejtja mitike kundër këtij të fundit kishte kaluar një periudhë të gjatë inkubacioni në qenien e Enver Hoxhës. Prandaj ai ka pasë pritur rastin më të përshtatshëm për ta shfryrë atë urrejtje të ndërkryer, që është mjaft karakteristike për monarkët e diktaturave më të egra. Madje nuk u mjaftua me “vrasjen” e Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike, por iu turr edhe kufomës së tij në varrezat e Sharrës dhe e degdisi diku në një humbëtirë të Ndroqit. Kaq katastrofik na paskej qenë inati mizor i Enver Hoxhës kundër kryeministrit Shehu dhe familjes së tij. Po kush na siguron që atë punën e fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun nuk e ka pasë kurdisur vetë Enver Hoxha me rrjetin e tij, në mënyrë që të gjente një vjegë ku të kapej për t’ia zënë kokën me derë Mehmet Shehut, siç edhe ia zuri konkretisht?
Në letrën e saj, Nexhmije Hoxha deklaron: “Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.
Kjo është një deklaratë absurde. Me këtë deklaratë, Nexhmije Hoxha kërkon të fshehë gjurmët e krimit të Enver Hoxhës. Po a nuk ishte Enver Hoxha ai që e vendosi Mehmet Shehun para “skuadrës së pushkatimit” në mbledhjen e Byrosë Politike në pasditen e 17 dhjetorit 1981? A nuk ishte ai që ndërseu kundër tij turmën servile të Byrosë Politike? Vallë a nuk ishte Enver Hoxha ai që Mehmet Shehun e vrau për së gjalli atë pasdite ogurzezë? Pas asaj pasditeje gjëmëndjellëse, ku Byroja Politike, me yshtjen e Enver Hoxhës, kishte marrë përsipër rolin e “skuadrës së pushkatimit” të Mehmet Shehut, ç’rëndësi ka që lexuesi të rri e të përsiatë gjatë nëse ky i fundit ia hoqi vetes apo dikush tjetër ia shkrepi në zemër me një pistoletë pa zhurmë. Sepse Enver Hoxha e pati vrarë Mehmet Shehun që në atë mbledhje poshtëruese që pati organizuar kundër tij, në bashkëpunim të ngushtë me konet e veta, anëtarët e Byrosë Politike. Dhe e vetmja arsye, bindëse, sipas Enver Hoxhës, për poshtërimin e Mehmet Shehut në atë mbledhje të Byrosë Politike, na paskej qenë fejesa e djalit të tij me Silva Turdiun, paçka se babai i saj punonte profesor në universitet. Sigurisht që ajo fejesë shërbeu thjesht si vjegë, pas së cilës Enver Hoxha u kap me thonj e me dhëmbë për zhdukjen e Mehmet Shehut, me qëllim që drejt kryepushtetit t’i hapej drita jeshile Ramiz Alisë, njeriut pa shtyllë kurrizore që doli para publikut me deklaratën paradoksale, sipas së cilës Shqipëria nuk na qenkej as Lindje, as Perëndim. Kjo është edhe arsyeja që Nexhmije Hoxha e anashkalon qëllimisht motivin e vërtetë të zhdukjes së Mehmet Shehut prej Enver Hoxhës. Sepse pjellat e diktaturave i tremben së vërtetës si djalli vetëtimës.
Tiranë, 30 shtator 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 637
- 638
- 639
- 640
- 641
- …
- 868
- Next Page »