• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GREQIA, E NESËRMJA PEZULL?

July 6, 2015 by dgreca

Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar-Athinë/
E diela 5 korrik 2015 ishte për Greqinë “lojë në kuaj hamshorë”.
“Loja” në “kuaj hamshorë” është një dënim mesjetar, nga më çnjerëzorët. I dënuari vendosej në mes të dy hamshorëve të “tërbuar”me këmbë të lidhura pas yzengjive në anë të hamshorëve. Kuajt trembeshin në mënyrë që secili të shkojë në drejtim të kundër. I dënuari çahesh më dysh…
Greqia midis “PO” dhe “JO” zgjodhi të dytën.
Të nesërmen e konfirmimit të vullnetit të thellë të grekëve “JO”- ja anoi nga “PO”-ja. Ministri i financave dha dorëheqjen. Një pikëpyetje e madhe kjo! Një dorëheqje e “imponuar” siç deklaroi ai nga “Evropa” e cila nuk e pranonte në negociata. Ai kishte deklaruar se “Do të pres dorën përpara se të nënshkruaj marrëveshjen” çka më kthente (si dy pika ujë në një pjatë të cekët) në nëntor të vitit 1961 kur në një vend të vogël të Evropës deklarohej se “Ne do të hamë barë përpara se të shkelim parimet”. Ministri Varufakis tha se Cipras e pranoi dorëheqjen për t’i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjeve, atyre marrëveshjeve që populli grek me mbi 61 për qind të votuesve u tha “JO”.
Tradhti!? Apo pazare të bëra me kohë e të nxjerra në shitje tani?
Gjermania pret propozimet e reja greke…
E hëna 6 korrik në mëngjes ishte shpallur dita e hapjes së bankave dhe e tërheqjes së parave pa kufizim…
Sot qepenat e bankave greke ishin të mbyllura. E përcolla vështrimin mbi qepenat hekur fizarmonikë në të gjithë qendrën e Athinës. Vetëm në godinën qendrore të Bankës Kombëtare Greke në sheshin “Kotsia” para Bashkisë, mund të hyje dhe të bëje pak punë, fare pak, ndonjë marrje pensioni për ata që nuk kishin karta krediti apo thyerje të ndonjë çeku…
Lëvizja brenda qytetit; me trenin elektrik, metro, tram, autobus e trolejbus bëhej falas. “Gojët” e mekanizmave të shtypjes së biletave ishin mbyllur me një gjysmë flete format të bardhë.
Supermarketet, njësitë e mëdha dhe të vogla tregtare, ishin hapur për të përjetuar qetësinë nga klientët.
Dita e parë e pas referendumit në dukje ishte e qetë por në brendësi ishte e turbullt, e mbledhur grusht nga nervozizmi dhe nga pasiguria e njerëzve për të nesërmen.
Greqia po përjeton dramën më të madhe në historinë e saj. Grekët me “JO”-në e tyre u treguan “trima” në një betejë të humbur, në një betejë imagjinare ku “ushtria” greke e “JO”-së ishte vënë përballë “ushtrisë” gjermane të “PO”-së, ku Ciprasi i zhytur në borxhe kombëtare ishte vënë përballë Merkelit, borxhe dhënëses më të madhe Evropiane, përballë “Fajdexhiut Gobsek” deviza e të cilit ka qenë “O paratë, ose mallin e gjënë, ose vdekjen”.
Greqia ishte e “dashura” e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, oborri i pasmë i lulëzuar i tyre. Ata, për interesat e veta strategjike, ushtarake, ekonomike, turistike etj. e lulëzuan atë, e vunë në “kolltukun e mbretëreshës”, në “fronin e përrallave të lashta”.
Paratë vërshonin në hapje rrugësh, ndërtime urash të nivelit botëror që kapërcejnë dete, ndërtime metrosh… në hua pa mbarim për tu tërhequr nëpërmjet një tregu tërësisht të pabarabartë nëpërmjet “shitjes së armëve” duke e bërë Greqinë në “zemër të NATO-s” vendin më të militarizuar evropian për sipërfaqe në kilometra katrore dhe për frymë të popullsisë.
“Fajdexhiu Gobsek” dha për të marrë. Dha NJË për të Marrë DY, madje edhe PESË, sipas parimit kolonial “investo një dollar për të marrë pesë dollarë”.
Dhe ndërsa gjermani punonte për të krijuar mirëqenien e vet dhe të Gjermanisë me punë në dy ndërresa, gjatë ditës greku në tetë orë dy i ndante për kafe, tre për llafe e katër të tjera për mbajtur mos binte në tokë bishti i belit, lopatës apo kazmës”…
Greku u mësua të mos paguante taksë për shtëpinë, për pagën, për tokën, për delen, dhinë, lopën, ullirin, agrumet, vreshtat, drithërat, perimet…
Greku u mësua që të merrte pensionin e babait apo mamasë së vdekur, të merrte dy pensione; për vete dhe për burrin e vdekur…
Greku, me të ardhur masa e “uritur” për punë dhe për para e shqiptarëve emigrantë u shndërrua në “afendiko”…
Greqia dhjetëra milionat që mori nga Evropa për shkollimin, trajtimin, krijimin e hapësirave për emigrantët i përdori për paga e pensione për “minoritarët grekë” dhe për “arumunët grekë” të ardhur nga Shqipëria duke u bërë shembulli i vetëm në botë në ndarjen “raciale” të emigrantëve.
Greqia krijoi precedentin e “marrjes” dhe “mosdhënies” së borxheve, e krijimit të një dinastie të tërë oligarkësh që u ushqyen dhe u majmën në vorbullën e allishverisheve me paratë e Evropës.
Greqia me veprimet dhe mosveprimet e saj është lidhë këmbësh në dy leqe të kuajve hamshorë, në leqen e majtë dhe të djathtë…
Frerët e kuajve hamshorë i ka në dorë Gjermania e Merkelit…
Do t’i lëshojë frerët Merkeli?!
…
Greqia do të jetë e detyruar të shtrëngojë më fort rripin.
“Fajdexhiu Gobsek” është pjesë e “Kome(tragje)disë njerëzore” të ditëve tona…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 6 korrik 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, e nesermja pezull, Greqia

O SA TURP ME QENË SHQIPTAR!

July 5, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Anton Çeta kur ka marrë në analizë Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ka dashtë me i karakterizu shqiptarët si gen e komb, ka ardhur në konkluzionin se përcaktorët themelorë të fondamentit kombëtar për mbijetesë kanë qenë burrnia, ndera, besa dhe mikpritja.
Sot është zor të gjesh shqiptarë që t’i kenë këto veti. Ka humbur burrnia, ndera dhe prej saj shqiptaria po rrezikon themelin që i siguroi milenarët. Shqiptari ka humbur vlerat kombëtare dhe është bërë një sharllatan i pacipë që rend pas fitimeve duke e shitur burrninë, besën, mikun dhe mikpritjen për para.
Ndërsa krenohemi se gjatë Holokaustit ishim të vetmit që ia ruajtëm nderin Europës sepse i mikritëm me besë hebrejtë, sot për turpin tonë kombëtar, do të kishte maskarenj që do t’i kishte shitur.
Dhe prandaj na vjen turp me qenë shqiptar.
Sepse i shkelëm në besë dhe i vramë çiftin e të rinjve çekë, që kishin zgjedhur vendin tonë me bukuri përrallore për të kaluar pushimet.
Ata kur do të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Çeki, do të tregonin për detin e bukur në plazhin e Rrjollit, për Malsinë e Shkodrës, Vermoshin e Dukagjinin epik, por sidomos do t’u flisnin për mikpritjen legjendare shqiptare, që nga legjendë është kthyer në farsë . Michael dhe Anna do t’u tregonin miqve për magjinë e natyrës shqiptare dhe sidmos për bujarinë shqiptare që i pret miqtë me bukë e kripë por me zemër në dorë. Ndërsa tani lajmi i vrasjes së tyre e ka kthyer gjithçka përmbys. Shqipëria nuk është më e bukur derisa miqtë i vret me bukë në gojë. Ku ka ma keq se kaq. Ku ka degradim ma të madh se kaq.
Ah sa turp me qenë shqiptar!
Çifti çek, Michael dhe Anna i kishte thyer tabutë që thuhen për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Ata e kishin idealizuar Shqipërinë, e cila në fakt i ka të gjitha të mirat e botës. Shqipëria është një vend me burime të pashterëshme parajsore, ka liqej, ka lumenj, ka Alpe, ka dete, ka 300 ditë diellore në vit, dikur ka patur edhe shqiptarë !– E për këtë do të duhej të ishte destinacioni i parë për Europën. Në fakt është një destinacion i hequr nga harta e turizmit për europianët. Shtetet e tyre u thonë qytetarëve europianë, kujdes mos shkoni në Shqipëri, sepse atje jeta që e ka krijuar Zoti s’ka vlerë, e koka të ikën për një grusht eurosh.
Sipas World Tourism Organization, Italinë e vizitojnë në vit rreth 50 milionë turistë, Turqinë rreth 40 milionë, ndërsa Greqinë 22 milionë. Shqipëria s’ka statistika, sepse s’ka turizëm. Në Shqipëri mund të bujtnin të paktën 11 milionë turistë, me një kosto të paktën prej 7 miliardësh Euro në vit, sepse të ardhurat nga turizmi elitar e me kosto të ulët për Turqinë janë 40 miliardë Euro. Europa nuk e pranon Turqinë në BE, por Turqinë e ka si detinacion turistik për shtetasit e Europës. Ndërsa Shqipëria s’është askund ! Vetëm në statistikat për korrupsion arrin vendin e parë. Dhe për qytetarët e saj më të palumturit e Europës, të cilët rrinë indiferentë përpara kësaj katrahure!
Tani që Greqia është në krizë dhe kur me qindra mijra turistë në ditë anullojnë pushimet e tyre në Greqi, Shqipëria do të duhej të ishte destinacioni i tyre i ri dhe më i bukur. Sepse Shqipëria ka mirëpritur dhe mikpritur në prejhistori, ndërsa tani është kthyer në një destinacion të frikshëm, ku miqtë dhe dashamirët i vret.
Ah sa turp me qenë shqiptar.
Nëse del ndonjë kriziter të më bëjë moral, ose të më kërcënojë, sepse këtu ka degraduar burrnia shqiptare, unë s’do të ndalem dhe do të them prapë ah sa turp me qenë shqiptar !
Dhe kështu do të jetë deri kur shqiptarët dhe shteti amë t’i kthehet gjenezës, thelbit, ashtu si e ka krijuar Zoti, sepse vetëm duke iu rikthyer atyre vetive të ndritura që shkruhen në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kushtetutës të parë të kombit, veti që i nxjerr në pah një burrë i pashoq si Anton Çeta, ne do të na kthehet krenaria kombëtare. Sepse ne dikur jemi krenuar ! Jemi krenuar për burrni e nder, për fjalë, për besë e mikpritje, kur shqiptari e jepte edhe jetën e vet për të mbrojtur Mikun. Ndërsa tani krenaria jonë është vrarë kur shqiptari e vret Mikun, kur shqiptari i vret dy miq të shqiptarëve, siç ishin çifti i dashuruar Michal Svatos dhe Anna Kosinova, që si dy idealistë të marrë besonin se shqiptarët e kanë të shenjtë kultin e Mikut, të besës e të mikpritjes!
Oh sa turp me qenë shqiptar!
Ndërsa sa për shtetin shqiptar, as që bëhet fjalë, ai është cinik dhe mjeran dhe për pushtet vazhdon e shet nder e vlerë ! Prej këtu ka nisur degradimi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, me qene shqiptar?, Turp

TE KTHEHET DENIMI ME VDEKJE

July 4, 2015 by dgreca

Ftesë për një referendum mbarë popullor për rivendosjen e DËNIMIT ME VDEKJE/
Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar ne Athine/
Ne Foto:Michal Svatos dhe Anna Kosinova/

Na fton ta bëjmë këtë gjaku i çiftit çek Michal Svatos dhe Anna Kosinova që me miqësinë e dhuruar, me përcjelljen e vlerave të natyrës dhe të popullit tonë do të ishin vlerë e shtuar në fjalët e shkruara të Edith Dyrham, Hahn e shumë njerëzve të mëdhenj që i ngritën lart virtytet e tona…
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)

Krenohemi se jemi shqiptarë, krenohemi me besën shqiptare, krenohemi me mikpritjen dhe tërbohemi kur dikush na e dhunon me poshtërsi besën tonë, mikpritjen tonë, na vret në mes të ditës mikun që vjen paqësisht.
Dy të rinj, një djalë dhe një vajzë si drita e diellit, dy miq nga Çekia, ditën me dritë, dritën me diellin në perëndim, u vranë me plumb prapa…
Michal Svatos dhe Anna Kosinova u prenë në besë…
E lexova, rilexova, pashë disa herë radhazi lajmin dhe fotografitë që ata kishin përcjellë për ti treguan botës mbarë bukuritë e vendit tim, ndjeva në shpirt të qeshurën që u ndriçonte fytyrën mes mrekullive natyrore të një vendi që ata e deshën që në vështrimin e parë.
Policia kishte vënë në dispozicion tridhjetë mijë euro për këdo që do të informonte për këtë vrasje që se mban toka shqiptare, që se mban shpirti i pastër shqiptar, që e dënon i madh e i vogël.
Policia do t’i gjej vrasësit, e uroj këtë. Do t’i çojë në gjyq ku ndonjë avokat do të dalë (për turpin e profesionit të tij) ti mbrojë. Gjykata do ti dënojë me “Burgim të përjetshëm”. Kështu thotë ligji shqiptar. Madje, po qe se ata e pohojnë vrasjen vullnetarisht, do ti dënojë me njëzet e pesë apo tridhjetë vjet burg. Taksapaguesit shqiptarë do të mbledhin qindarkë pas qindarke për të paguar çdo muaj 480 euro për të mbajte në burg “me të gjitha komoditetet dhe me të gjitha të drejtat” të burgosurin e përjetshëm, vrasësin, kriminelin.
Kështu thotë Evropa…
Evropa i thotë “JO” dënimit me vdekje. Nuk na lejon. Nuk na pranon pjesë të saj…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i thonë “PO” dënimit me vdekje. Dikur e ekzekutonte në “karrigen elektrike”, sot e ekzekuton “me shiringë në damar”. Është vendi më demokratik në botë…
Shqiptarët, në historinë e mbijetesës së vet mijëravjeçare (prandaj nuk jemi shuar) e ka pas në kodin e saj kanunor dënimin me vdekje…
Nga libri “E drejta zakonore shqiptare-1” që e mbaj në bibliotekën time në emigracion, botim i Akademisë së shkencave po shkëpus disa fragmente nga kapitulli “MIKU”.
I shkëputa për kulturë por edhe si një thirrje shekullore të shoqërisë shqiptare që vrasësi nuk falet…


***
 

Në botë theksohet se shqiptari mikpritjen e ka fe dhe me këtë ai dallohet më tepër skocezët, nomadët arabë, dhe fshatarët turq e rusë…(J. Bouchard)
Në kreun III MIKU, neni 97 i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi thuhet:
“Shpia e shqyptarit asht e zotit dhe e mikut. 
Për mik kanuja njef çdo njeri qi i thrret në derë të shpisë. Haj i dheas a i fisit, haj mik a anmik, ase i çdo besimi ai kjoftë, kur t’i thërrasë kundrejt ase te dera, asht miku i shpisë.
Miku, sa ma i largët të jetë e sa ma i randë, aq ma të madhe ia nep kanuja nderën e rojës”
Në vijim, neni 98 (pritja e mikut) theksohet:
Shqyptari ka një nderim aq të madh për mik qi bjen në derë, sa shkrihet me gjithshka ka, po guxoi kush me i ba këtij ndoj dhunë, deri sa ta përcjellë atje ku don miku…
Neni 99 (Bukë e kripë e zemër)
Mikut do ti bahet nderë: “Bukë e kripë e zemër”. Buka e kripa e zemra, zjarrmi e trungu e do firi për shtroje do të gjinden gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës. Për çdo mik duhet bukë si han vetë; për mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndonji send ma tepër; për mik zemre duhet duhani, kafja e ambël, rakia e bukë e mish. “Mikut të zemrës i lëshohet shpija. Mikut të lodhun do t’i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët. Përpushet zjarrmi, lypen edhe dru. “Miku don dru””
Neni 107 (Kur pritet mik)
“Veç nji gacë me ta lypë te dera për me kallë çubukun, ia dhae e e ngau kush, të pritet mik”…
Neni 109 (Detyra me e pague mikun e premë)
Miku kuj s’i preket; po u prek s’falet…
Neni 110 (përbuzja e atij që iu pre miku)
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…“Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)



***
Në Dukagjinin e besës dhe të mikpritjes u vranë me nga një pëlumb mbas koke një djalë dhe një vajzë nga Çekia.
U vranë me të pabesë…
U prenë si miq…
Nuk ka shqiptar që në deje i vlon gjaku i të parëve që të mos e dënojë këtë akt të pashembullt…
Nuk ka kandar drejtësie që e mban këtë peshë gjaku që na ka mbetë në derë…
 
 ***


Shqipëria është e mbushur me armë, me kallashnikovë që nxirren nga hatullat e fshehura dhe me breshëri çdo ditë marrin jetë njerëzish.
Në Lazarat u vra një oficer policie…
Nuk janë gjetur ende autorët e vrasjes. Është gjetur arsenali i armëve, nga të gjitha armët e këmbësorisë…
Mbase do të gjendet vrasësi…
Gjykata, me ndihmën e avokatëve të cilat që tani i kanë përgatitur “pistat e mbrojtjes” do të japë, më e shumta “Dënim me burgim të përjetshëm”…
Nuk është rast i vetëm. Janë me qindra. Janë me mijëra. Kudo kërcet kallashnikovi i gjakmarrjes dhe i hakmarrjes. Fëmijë të vegjël, meshkuj e femra, qëndrojnë të ngujuar pa dritën e dijes mes moshatarëve të tyre në shkollë. ..
Në diktaturën e “diktatorit” ai që vriste – vritej,. Këmbëzën e pushkës e tërhiqte ligji, shteti. Gjakmarrja kishte shkuar në shuarje…
Shqipërisë i duhet ligji me vdekje.
Po nuk e vendosi shteti duhet ta vendosë populli.
Një referendum popullor për t’i thënë “PO” dënimit me vdekje nuk do të na ndajë nga Evropa. Do të na çojë në Evropë me kokën e lart e me dinjitet.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 korrik 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Anna KosinovaTe kthehet, denimi me vdekje, Michal Svatos

Mosvotimi i Gjykatës Speciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme!

July 3, 2015 by dgreca

Opinion Nga Faik KRASNIQI/
Duke e parë se cilët deputetë të PDK-së votuan kundër, cilët deputetë nuk morën pjesë fare në votim dhe dy të tjerë që abstenuan, deputetë që janë besnikë të liderit të PDK-së, shihet qartë që votimi i Gjykatës Speciale nga ana e PDK-së, ka qenë e tëra teatër dhe e orkestruar që të dështojë që në fillim nga lidershipi i kësaj partie! Kjo e gjitha është një lojë e Hashim Thaçit, për qëllimet e tij madhore! Bashkësia Ndërkombëtare për shkak të numrave të nevojshme në Kuvend, e dha ”aminin” që të formohet ky koalicion, në mënyrë që të votohet Gjykata Speciale! Por edhe pse këto dy parti e morën përsipër dhe dhanë garanci Bashkësisë Ndërkombëtare që pa asnjë problem do ta votojnë Gjykatën Speciale, dështuan dhe i zhgënyen edhe miqtë tanë ndërkombëtare! Unë pres që do të votohet Gjykata Speciale edhe nga deputetët e PDK-së, sepse e gjitha kjo ka qenë lojë e kësaj partie, për qëllimet e tyre madhore karshi Bashkësisë Ndërkombëtare!

Këtë vit Kosova do të ketë zgjedhje të reja!

Ky koalicion i krijuar nga dy partitë më të urryera, prej pas luftës në Kosovë, prej fillimit ka qenë i zorit dhe i dështuar, sepse është krijuar nga njerëz të të dyja partive, që për interes kanë pasur jo qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e shtetit, por mbrojtjen e biznesve të tyre dhe përmes pushtetit ta zhvasin akoma më shumë shtetin dhe popullin, në mënyrë që ta mbajnë monopolin dhe zhvillimin e mëtujeshëm të aktiviteteve të tyre kriminale! Edhe LDK-ja e dinë që PDK-ja koalicionin me ta e ka bërë, për t’i shpëtuar shkuarjes në opozitë, sepse të gjithë e dimë që pas krijimit të koalicionit VLAN, PDK-ja u mbështet për muri dhe shpëtimi i vetëm i tyre ishte koalicioni me LDK-në! Prandaj edhe ky koalicion mori ”aminin” e Bashkësisë Ndërkombëtare, në mënyrë që ta votojnë Gjykatën Speciale, me që këto dy parti kishin shumicën parlamentare! Por pas dështimit të votimit të Gjykatës Speciale, llogaritë e ndërkombëtareve dolën të jenë të gabuara, sepse qëllimi i PDK-së që nga fillimi ka qenë prishja e këtij koalicioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja! Edhe kështu do të ndodhë! Gjatë vjeshtës PDK-ja do të jetë ajo që do ta prishë këtë koalicionin dhe do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, koalicion që nuk po i sjell asgjë të mirë këtij vendi, por si gjithmonë vetëm pushtetarëve dhe bizneseve kriminale që janë të lidhura ngushtë me këta mafiozë të politikës! Padyshim që PDK-ja e shehë veten si fituese, sepse me një LDK që dy herë i dha goditje vetes dhe e humbi pjesën më të madhe të elektoratit të saj dhe me një opozitë të lodhur dhe pa alternativë, jo vetëm që do t’i fitojë zgjedhjet, por do t’i deklasoj të gjitha partitë aktuale, sepse PDK-ja ka arritur ta ruaj elektoratin e saj, madje edhe e ka rritur! Dhe kanë të drejtë që e prishin koalicionin, sepse janë bindshëm më të fortë se gjitha partitë aktuale në Kosovë! Duke e njohur karizmin dhe ambiciet e Hashim Thaçit, që nuk toleron gjatë të jetë i dyti, brenda këtyre 3-4 muajve më së largu, do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, që të rikthehet prapë kryeministër i Kosovës, e me një fitore bindëse, tre postet kryesore shtetërore PDK-ja t’i mbaj për vete! Plus kur t’ia shtojmë këtu edhe ambiciet e mëdha të Kadri Veselit, atëherë këtë mundësi e bën akoma më të madhe! Kështu që shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja! Por edhe nëse PDK-ja brenda këtyre tre-katër muajve nuk e dërgon vendin në zgjedhje dhe e pret momentin akoma më të volitshëm për ta bërë një gjë të tillë, dhe pasi të votohet Gjykata Speciale, Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta pres PDK-në që ta prish këtë koalicion, e cila që nga fillimi ka qenë e përgatitur për këtë gjë, por gjatë vjeshtës vetë ndërkombëtarët do të jenë ata që do ta prishin koalicionin dhe vendin do ta dërgojë në zgjedhje, sepse këto dy parti ranë nga testi dhe e dëshmuan që nuk janë të afta të udhëheqin Qeverinë, e lëre më të votojnë ligje madhore, edhe pse kanë shumicën parlamentare për të qeverisur!

Filed Under: Opinion Tagged With: GJYKATA SPECIALE, Mosvotimi, zgjedhjet e jashtzakonshme

Rënie fatale!

July 3, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/New York/
Humbja drastike e PD për Bashkiaket 2015 ishte një rënie fatale nga “trampolina në thellësitë e Adriatikut”. Pavarësisht dhunës, manipulimeve apo pazareve nën dorë që mund të ketë bërë koalicioni i majtë, mendoj se PD gjithmonë e ka ndier rrezikun e humbjes dhe ka qenë e frikësuar për rezultatin në çdo situatë elektorale. Personalisht nuk pajtohem me dëmet që solli alenca PS + LSI në këto zgjedhje, por PD këtë disfatë “nuk e besonte” por e ndjente brenda vetes.
Pse?
Historikisht qysh në krijim, pranë strukturave të saj deri në kupolë infiltruan njerëzit e sigurimit të shtetit, të cilët i sollën dëme të mëdha gjysëm shekullore vendit tonë. Populli i vuajtur, veçanerisht shtresa e persekutuar politike e fali një herë dy, dmth e votoi disa herë rradhazi Partinë Demokratike, por kur pa se gjërat nuk po shkonin siç duhet, nuk e la më “miun ti kalojë nën mustaqe” dhe e dërmoi keq duke mos e votuar maksimalisht atë. PD si edhe më parë në zgjedhjet e 21 Qershorit pësoi një disfatë të madhe, mori një goditje ndoshta të “befasuar”për drejtuesit e saj, por jo të paramenduar.
Vite më parë në lagjen ku banoja në periudhë zgjedhjesh elektorale pranë komisionit të një qendre votimi, PD kishte vendosur si komisionere bijën e një spiuneje të sigurimit të shtetit, shoqen Anilda Panajoti. E ëma e saj Ksanthipi Panajoti, ishte spiune e devotshme e sigurimit. Nëse rastësisht gjendeshe përballë saj të dridheshin leqet, për rrjedhojë do të ndroje drejtim se çdo herë do gjente si sebep diçka për të marë masat në lagje. Jo moda, fundi jo minifundi, jo pantallonat cowboy, antentat e televizorit mbi çati (ne si familje nuk kishim televizor në atë kohë) e ku ta di unë çfare do të sajonte, vetëm e vetëm që të binte në sy të diktataturës. Po sigurisht familjet me “damkë” në biografi ishin gjithmonë tepër të kujdesshme në çdo hap, pasi ishin si “delja e zezë mes të bardhëve”, në qendër të vëmendjes nga sigurimi dhe ishte e vështirë përballja me “frontin demokratik” të lagjes, të cilët mernin vendime arbitrare e të nxinin jetën deri në internime e burgosje për banorët e tyre.
Do të thoni ju Anilda Panajoti si bijë e saj nuk kishte faj, edhe ajo kishte dëshirë të kthehej djathas e të shërbente në politikën e re, pranë PD. Dakort, të shërbente se nuk do zhvillohej përsëri lufta e klasave, por si i thonë një fjale popullore jo drejt e në thelë, pasi me herë të parë e vendosën komisionere tek një qendër votimi për partinë demokratike.
Personalisht këtë shqetësim e paraqita tek kryesia e zonës, konkretisht tek Orhan Sakiqi, por ai me indiferentizëm e shpërfilli bisedën time, ktheu kokën nga ana tjetër, sikur të isha e padukshme, ndërsa kur ishte koha që Orhani kandidoi për Këshillin Bashkiak të Tiranës tregoi shenja respekti ndaj njerëzve të persekutuar të lagjes deri në ditën e votimit, pastaj mori përsëri rolin e indiferentit.
Qysh tek këto struktura të vogla në dukje shtresa e persekutuar politike e shqiptarët e mirë, jo të inkriminuar me të kaluarën e hidhur pranë çdo lagje të Shqipërisë filluan të hidhnin hijet e dyshimit se, kjo parti nuk ka të ardhme pozitive. Raste të tjera kemi plot, por unë dua të ndalem konkretisht në një nga zonat e Tiranës ku kam jetuar, e ku kam zhvilluar jetën politike pranë strukturave të PD. Një rast tjetër shumë i spikatur që nuk mund të le pa përmendur është edhe bija e një sigurimsi tjetër me pozitë të lartë në Ministrinë e Brenshme, quajtur Mira Trebicka, të cilën Marjeta Pronjari si patriote korçare që e kishte edhe si bijë sigurimsi që ishte edhe vetë, e ngriti shoqen Mira Trebicka deri në pozicionin e koordianatores së gruas në lagjen tonë, ndërkohë që nuk mori asnjë mendim të strukturave të zonës apo pa bërë qoftë edhe një takim parazgjedhor për kandidimin e saj në këtë pozicion partiak. Mercologia e kohës së diktaturës Mira Trebicka njihej shumë mirë që kishte punuar në Tregëtinë e Jashtme, ku java shtatë Mira Trebicka tetë në avionin, duke shëtitur e lidhur kontratat e bisnesit shqiptar me botën e huaj. Kur pa që timoni i politikës së saj po merte drejtim të kundërt me rrjedhën e kohës, i vuri detyrë vetes të kthehej djathtas për të përfituar përsëri privilegjet e ëmbla të së shkuarës. Dhe kështu bëri vërtetë filloi angazhimin e saj si Anilda Panajoti pranë PD-se, nëpër komisionet e qendrave të votimit e më tej.
Duke u ndalur tek vetja, por Kurrë se si për të lavdërur veteveten, si femër e përfshirë në lëvizjen feministe në dobi të demokracisë e mbrojtje të vlerave të saj, si dhe veprimtare pranë Organizatës së Gruas së Persekutuar Politike (ku isha edhe themeluese e saj) trokas në derën e një fondacioni në Tiranë, për të paraqitur një projekt për gruan e persekutuar politike, nëse do të ishte e mundur për miratim. Këtë projekt e kishim hartuar së bashku me vajzat e gratë e organizatës tonë, por siç dihej të gjitha fondacionet duke filluar nga Sorros e të tjera drejtoheshin nga fëmijët i ish sigurimit të shtetit ose dora vetë e sigurimit të mëparshëm me në krye Pirro Mishën.
Nejse, në bisedë e sipër me drejtuesen e fondacionit, ulur përballë meje e unë në këmbë, shtypte në kompjuter e pa më parë në sy më tha: “Moza unë e di që ti përveç organizatës së gruas së persekutuar ku bën pjesë, je e angazhuar edhe në strukturat e larta të Partisë Demokratike”.
“Po, pastaj – e ndërpreva” unë – çfarë lidhje ka kjo me projektin?
– Jo – më tha – nuk e kam aty fjalën, por diku tjetër…
– Pse thua kështu – i thashë unë – apo sepse kështu ju intereson juve të majtëve?
– Jo, jo – më tha – por aty shikoj shumë fytyra që deri dje kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit, ndërsa sot i janë ngjitur PD, e për rrjedhojë mendoj se ajo parti nuk ka vizion te qartë.
Pa ja ushqyer bisedën vazhdoi të flasë.
Përmendi emrin e Lajla Pernaskës. Kjo tha psh, ka studiuar në Francë. Pavarësisht rezultateve të mira që mund të kishte një nxënës i shkollës së mesme në periudhën e komunizmit, nëse nuk do të kishte biografinë “e mirë” e pa firmosur në organet e Ministrisë së Brendshme që për çdo rast do të bashkëpunonte me sigurimin e shtetit nuk do të gëzonte të drejtën e studimit. E pra Lajla Perrnaska – tha fondacionerja – është një nga ato që ka firmosur për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit të asaj kohe, e kështu ju bë i mundur fluturimi i saj drejt Francës për studime si shumë të tjerë.
Sipas saj, këtë informacion e kishte marë nga burime të sigurta dhe se kjo ishte një proçedurë e njohur, e nuk kishte si të ndodhte ndryshe për këdo që do ti besohej një specializim jashtë vendit apo një e drejtë studimi.
Dhe vërtetë Lajla Pernaska ndoqi studimet e larta në Francë në periudhën e rregjimit komunist, kur u kthye e caktuan mjeke në Spitalin Pediatrik të Tiranës. Në atë periudhë unë punoja pastruese me tre turne në këtë spital, punët e rënda ishin vetëm për të persekutuarit politikë. Vitet kaluan e Lajla Pernaska u zgjodh deputete e Partisë Demokratike.
Kjo histori e shkurtër që mësova nga fondacionerja ishte një rastësi. Shumë gjëra dihen, por edhe nuk dihen kaq në detaje nga populli ynë, por hapja e dosjeve do ti qartësojë më mirë enigmat e kësaj skeme që akoma vazhdon të manipulojë nën flamurin blu të demokracisë – demokracinë e vërtetë, duke larguar njeriun e mirë me figurë të pastër, jo të inkriminuar e jo të korruptuar.
Theksoj se duke mos u pajtuar në asnjë mënyrë e dënuar dhunën, provokimet e manipulimet e së majtës në këto zgjedhje, por nisur nga fakti që në Shkodër fitoi PD tregoi se vetë populli e voti PD, e pëlqeu kandidaturën e saj, vlerësoi punën e përpjekjet e Znj. Ademi, ndërsa Kryeqyteti i Shqipërisë megjithë reputacionin që gëzon doktor Kosova, mirësitë që i ka sjellë shumë familjeve shqiptare, e që fushata e tij u vlerësua si model edhe nga Ambasadori Amerikan në Shqipëri, përsëri Tirana e rrëzoi, nuk i dha votën maksimale partisë që ai përfaqësoi për të dalë fitues.
Kjo pakënaqësi e votuesit kryeqytetas apo i rretheve të ndryshme të vendit nuk erdhi rastësisht, por si vazhdë e një sërë gabimesh apo fajesh të vetë PD në rang republike, disa drejtues të së cilës janë kthyer në arogant e jo dashamirës me votuesin e popullin në tërësi, nuk qëndrojnë afër halleve e derteve të tyre. Disa prej tyre sa marin një funksion të lartë politikë ose qeveritar i presin kontaktet me elektoratin e luajnë aktorin indiferent. Pikërisht se edhe pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare nuk u bë analiza e thellë, e askush nuk mori përsipër përgjegjësitë, ndodhi përsëri ky rezultat.
Si të mos humbiste Bashkiaket 2015 Partia Demokratike, e të mos pësonte rënie fatale nga “trampolina” kur që nga grup seksionet deri në Parlament e Këshillin Kombētar të saj “notojnë notarë” jo të dëshëruar për popullin, me të kaluar jo të pastër të personalitetit të tyre.
Emrat e mësipërm i përmenda jo për ego personale, por çdo ditë e më shumë kërkohet të flitet me emra konkret. Sigurisht shqetësimet që kam vërejtur i kam ngritur në kohën e duhur në takimet e ndryshme të PD deri në kongres të saj, por asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot pasi servilat, shpifësit e mashtruesit manipulojnë të vërtetën për të dalë në sipërfaqe të ujit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mimoza Dajci, Rënie fatale!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 646
  • 647
  • 648
  • 649
  • 650
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT