• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Miqësia mes feve ul tensionet ndërfetare

July 3, 2015 by dgreca

Nga Lisa Bryant/
Franca është në gatishmëri të lartë pas sulmit terrorist javën e kaluar në afërsi të Lyonit. Ngjarja ndodh vetëm gjashtë muaj pas vrasjeve në redaksinë e gazetës Charlie Hebdo në Paris. Sulmet kanë shtuar tensione të reja për marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve francezë dhe myslimanëve tashmë të tensionuara për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Por komuniteti hebre dhe ai mysliman i Francës, më i madhi në Evropën Perëndimore, ndajnë edhe një trashëgimi të përbashkët. Një rabin francez beson se hebrejtë dhe myslimanët janë të destinuar të jenë miq. Rabini quhet Michel Serfaty (Mishel Serfati’). Michel Serfaty po i tregon këtij njeriu se si një i ri mysliman e fyeu rëndë me fjalë vulgare. Por fyerja, sado e rëndë të jetë, nuk pasqyron pikëpamjet e shumë myslimanëve francezë. Ky takim zhvillohet pranë Unionit të Organizatave Islame në Francë, i njohur më mirë me emrin UOIF, – një grup popullor fetar që mban lidhje me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit. Kur myslimanët shkojnë për lutjet e pasdites, është e çuditshme që këtu të shikosh një rabin, por zoti Serfaty nuk është rabin si gjithë të tjerët. Ai ka vite të tëra që udhëton nëpër Francë me një minibus të vjetër, të mbyllur, me parrulla ku reklamohet miqësia mes hebrejve dhe myslimanëve. Ai hyn nëpër lagjet e vështira, dhe bisedon me udhëheqësit myslimanë, me nxënës dhe madje me shitës droge, të gjithë myslimanë:-“Për mua ata janë fuçi baroti, sepse janë njerëz të margjinalizuar; ata kanë probleme të mëdha ekonomike, kanë ide të errëta për hebrenjtë. Ata mendojnë se hebrenjtë dominojnë botën, kanë gjithë paratë, pushtetin dhe politikën”. Shoqata e Miqësisë hebraiko-myslimane vë dialogun mbi të gjitha. Zoti Serfaty e drejton atë nga sinagoga e tij në Ris-Orangis, një qytet i qetë jashtë Parisit. Aty pranë ka një xhami dhe një kishë ungjillore. Harmonia ndërfetare fillon në shtëpi …. dhe në rrugë. Ekipi i rabinit në autobusin e miqësisë përfshin një imam dhe disa të rinj myslimanë. Por në rrugë ka një tjetër realitet. Që pas sulmeve islamike në Paris, Serfaty është vënë nën mbrojtje 24 orë:-“Gjatë 14 viteve të fundit, shteti nuk ka bërë asgjë në drejtim të parandalimit. Ka pasur 10 mijë akte anti-semite kundër hebrenjve. Gjatë kësaj kohe, unë kam shkuar në të gjitha këto pika të nxehta. Kam dëgjuar gjëra nga më të ashprat, por kurrë nuk më ka ndodhur gjë. ”- thotë ai. Udhëtimi i sotëm me autobus është në UOIF, në periferinë La Courneuve të Parisit. Zoti Serfaty bisedon me zyrtarin e UOIF-it, Ghazi Ëehbi, i cili thotë se rabini i kujton xhaxhanë e tij. Pastaj ata dalin jashtë për të shpërndarë fletushka ku flitet për miqësinë dhe për të biseduar me besimtarët muslimanë. Është një bisedë që zoti Ëehbi, përfaqësues i xhamisë, thotë se ka rëndësi të madhe në Francë:-“Ne duhet të njohim njëri-tjetrin, duhet të kemi një dialog. Dera duhet të jetë e hapur për të gjithë.” Adel Bouafi nuk pajtohet me gjithçka që thotë rabini. Por ai e vlerëson misionin e zotit Serfaty:-“Mendoj se është diçka e guximshme. Është një nismë vërtet e mirë për të takuar të rinj nëpër lagje dhe për t’u hapur dyert.” Shoqata ka disa degë në Francë. Dalëngadalë, thotë rabini, fara e miqësisë hebraiko-myslimane po jep fryte.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lisa Bryant, miqesia mes feve

LERENI JOZEFINËN TË FLASË!

July 2, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kam patur një simpati ad hoc për Jozefinën. Them ad hoc sepse unë simpatitë i krijoj nga laboratori im personal. Nuk shkoj me shabllone të gatëshme. Por njeriu që na fliste për Jozefinën, e kam shkruar edhe dikund tjetër, ishte Pjetër Arbnori. Dhe Pjetër Arbnori kishte të drejt të ishte entuziast. Sepse Jozefina vjen nga një nga familjet më të mira të Shkodrës. Dhe si thotë populli molla nën mollë bie.
Kur PD rierdhi në pushtet pas rënies apokaliptike të 1997, që pati si pretekst sistemin piramidal, nga ku lidërshipi i kësaj partie doli në opozitë me një imazh të fëlliqur, u besua se nga gjithë ai pësim PD do të kishte reflektuar për të mos ripërsëritur gabimet dhe fajet. Jozefinës i binte detyra kryesore. Pasi ishte nr.2 i partisë dhe krahu i djathtë i Berishës.
Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën që ky të largonte Pjetër Arbnorin nga politika.
Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën të hynte në aleancë me Ilir Metën.
Jozefina do të duhej që të shkonte e t’i takonte të përndjekurit e grevës të urisë, ku u vetë sakrifikua Lirak Bejko.
Jozefina nuk duhej të pranonte privilegje që cënonin integritetin e saj si politikane.
Jozefina duhej të ishte mbrojtësja e demokracisë në parti, dhe mbojtësja e zërave ndryshe duke moslejuar gjuetinë e shtrigave kundër kritikuesave
Jozefina do të duhej të ruante figurën e saj, që të mos ishte as mikrofon dhe as alter ego i Berishës sepse të dy vinin nga dy botë krejt të ndryshme, e Jozefina ishte dy dekada më e re se Berisha. Por Jozefina pëlqeu pushtetin e lehtë, që mjaftohej të ishte një yes-woman e Numrit Një.
Nga ky moment, kur Jozefina hyri në një sintoni uniforme me Berishën, kam filluar ta kritikoj zonjën Topalli, por ajo nga maja e piramidës i shihte njerëzit sikur të ishin miza. Në atë kohë nisën që Jozefinën ta krahasonin me Nexhmijen. Natyrisht krahasimi ishte hiperbolë e pakripë, por në themel ekzistonte arsyeja që Jozefina t’i meritonte kritikat.
Sepse Jozefina ishte pjesë e lindërshipit të PD me në krye Berishën, që janë shkaktari kryesor i degradimit të PD nga parti e idealeve të qendrës në një parti që përqendroi pushtetin në një grusht njerëzish dhe pak interesohej ose aspak si për demokracinë brënda partisë, ashtu edhe në nivel vendi. Prandaj erdhi humbja e 23 qershorit.
Ata 1 milionë që i dhanë fitoren Edi Ramës më 23 qershorin e 2013 nuk votuan pro PS, por kundër asaj mënyre qeverisje që prodhoi PD për dy mandate.
Rreth asaj humbje Jozefina nuk e foli asnjë fjalë. U trishtua domosdo, sepse do të humbiste pushtetin, hipokritët servilë që i thurrnin lavde dhe hymne. Do t’i iknin nga duart privilegjet. Heshti për humbjen e 23 qershorit 2013 Jozefina. Nuk bëri asnjë koment. Asnjë mea culpa.
Për dy vjet rresht ka patur kohën e mjaftueshme që të reflektojë. Kjo e bëri që pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit të ngrejë zërin dhe të thotë se ka ardhur koha që PD të shohë nga vetja. Dmth tash ka ardhur koha që të reflektojë edhe lidërshipi i PD. Sepse humbjes të 23 qershorit 2013 i është shtuar edhe humbja e 21 qershorit 2015. Dhe nëse nuk do të ndryshojë stil, do të ketë humbjen përfundimtare në qershorin e 2017!
Nëse lidërshipi i PD vijon që për rënien e vijueshme të përgjegjësojë fitimtarët, Jozefina, ka të drejtë që t’i tërheqë vemendjen. Ajo duhet të jetë e lire që të shprehë mendimin e saj. Dhe mënyra se si ka reaguar PD kundër saj është e turpëshme, është e frikëshme, është e papranueshme, është antidemokratike, është e njëjta mendësi autokratike që i ka prodhuar humbjet, që ka larguar elektoratin dhe që e ka lënë Shqipërinë në këtë stad, ku një proces zgjedhor nuk pranohet nga humbësi, për shkak të shit-berjes të votave, për shkak të inkriminimit të politikës, për shkak të mosreformimit të PD.
Demokratizimi i Shqipërisë pritej nga PD. Dhe nëse PD edhe pas çerek shekulli nuk lejon asnjë zë kritik brënda vetes, sepse pretendon se lidërshipi është i pagabueshëm, atëhere kjo parti nuk meriton që të pretendojë se përfaqëson idealet e atyre që ëndërruan për një Shqipëri të integruar në Europë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, JOZEFINËN!, LERENI TË FLASË

Berisha: “Sot është seanca e funeralit të votës së lirë”

July 2, 2015 by dgreca

Berisha në Kuvend: Bashën e nxorrët në pritë, Frrokun e liruat për vota/
Ish Kryeministri demokrat dr.Sali Berisha ka marrë fjalën në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, e drejtuar nga nënkryetari i Parlamentit Shpëtim Idrizi.
Berisha e nisi fjalën e tij duke analizuar zgjedhjet lokale. “Sot është seanca e funeralit të votës së lirë. Mbi zgjedhjet e lira u bë krim shtetëror. Ju nuk pyetët për kandidatët e damkosur për krime. Rama ju tha partnerëve “nuk më duheni ju”. Rama tha më duhen paratë e pista të drogës. Asnjë ambasador s’ka folur për zgjedhje të mira. Duhet revolucion demokratik kundër klikës. Kjo ishte fushata më e pabarabartë në histori”, – tha Berisha.
Ish-kryeministri e akuzoi Ed Ramën se është “kreu i Meduzës së krimit në Shqipëri”.
Lidhur me vrasjen e oficerit të RENEA-s në Lazarat, Berisha tha: “Komisarin Basha e nxorrët vetë në pritë”.
Duke iu kthyer zgjehdjeve Berisha u shpreh se “Frroku u lirua për të blerë votat në Pukë”.
“Në vend të ndonjë ministri do vijë Shullazi”, – vijoi me akuzat lideri historik demokrat.
Më pas ai sulmoi Taulant ballën në sallë “Rri urtë ti, ti mbylle gojën, se nuk pyes unë as për horra, e as për të fortë”.
Në atë pikë ndërhyri Shpëtim Idrizi, i cili sqaroi se Balla po flsite me të.
Por menjëherë më pas pati replika në sallë mes Berishës dhe Sterkajt: “Shko qëllo me ndonjë revole në QV ti”, – iu drejtua Berisha deputetit socialist të Malësisë së Madhe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha në Kuvend: Bashën e nxorrët në pritë, Frrokun e liruat, për vota

Basha publikon Dosjen e krimit elektoral

July 1, 2015 by dgreca

Nga Lulzim BASHA*/
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit priteshin të shënonin një përparim dhe një frymëzim të ri për demokracinë në vendin tonë, sidomos në kushtet kur kemi marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe synojmë hapjen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në familjen europiane. Për fatin e keq të shqiptarëve dhe për turpin e qeverisë Rama-Meta këto zgjedhje po vulosen dita-ditës, sa më qartë del në pah e vërteta e tyre tronditëse, si zgjedhje jashtë çdo standardi bashkëkohor europian, si zgjedhje jo të lira dhe të ndershme. Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja më brutale e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Republikës së Shqipërisë. Tashmë në historikun e demokracisë shqiptare dhe në kancelaritë e botës perëndimore këto zgjedhje janë shënuar për: Aktin e paprecedent të kandidimit të përfaqësuesve të krimit, trafikantë, tutorë, pengmarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar që dyshja Rama-Meta i kandidoi, pasi refuzoi thirrjet opozitare, mbarëqytetare, kombëtare dhe të komunitetit ndërkombëtar për t’u tërhequr nga ky akt poshtërues për Shqipërinë dhe shqiptarët. Aktivizimin masiv dhe të dhunshëm të bandave të armatosura kriminale që vepruan nën mbrojtjen e policisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, duke kërcënuar kandidatët e opozitës, mbështetësit e saj dhe zgjedhësit. Angazhimin si kurrë më parë në zgjedhje të të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektorateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHEE e në veçanti të policisë e që ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës nga Malësia e Madhe në Sarandë, nga Durrësi në Korçë, nga Bulqiza në Gjirokastër, nga Mallakastra në Cërrik, nga Mati në Vorë, nga Puka në Rroskovec e kudo. Kërcënimin e administratës publike për votën dhe përdorimin e aseteve publike në funksion të fushatës të kandidatëve të qeverisë, urdhrin kriminal ndaj drejtorëve të administratës nga Kryeministri i vendit për të marrë në dorë rezultatin e kutive të votimit. Derdhjen marramendëse të fondeve publike dhe parave të krimit dhe të korrupsionit qeveritar për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje. Sekuestrimin e mijëra kartave të identitetit, kundrejt shpërblimeve monetare apo ushqimore, por dhe si kurrë më parë, nëpërmjet kanosjes dhe persekutimit të votuesve të djathtë, duke synuar paralelisht dhe manipulimin dhe falsifikimin e mijëra të tjerave dhe përdorimin e një numri të madh për votime false në emër të personave që rezultojnë jashtë vendit dhe në emigracion për muaj e për vite të tëra. Manipulimin e listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit veçanërisht gjatë pasdites së 21 qershorit në një numër të madh qendrash votimi pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës. Presioni dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, medias dhe kufizimet e lirisë së shprehjes. Presioni ndaj institucioneve administruese të zgjedhjeve, si KQZ, vendimet antiligjore dhe standardet e dyfishta të së cilës merituan një vend të veçantë në raportin e ndërmjetëm të ODIHR.
Bandat u përdorën si njësi
paramilitare ndaj qytetarëve
Unë dua të sjell sot para jush vetëm disa prej rasteve flagrante të dhunimit të standardeve të zgjedhjeve dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve. Ndonëse Partia Demokratike dhe aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE, PE u angazhuan fuqimisht në procesin e dekriminalizimit, dyshja Rama-Meta në shpërfillje të hapur të angazhimeve të tyre formale kandiduan në zgjedhjet vendore përfaqësues të botës së errët të krimit si Artur Bushi në Krujë, Artur Bardhi në Kurbin, Elvis Roshi në Kavajë, Ndoni në Këlcyrë, Peçi në Tepelenë, Qaja në Devoll, Kokoneshi në Divjakë, Hasalla në Peqin, individë që ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës, si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.
Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat vepruan si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë që nuk ndërmori asnjë masë edhe përkundrejt denoncimeve të opozitës, si ajo e Shullazit dhe Xhabaftëve në Tiranë dhe Vorë, “Hakmarrja për Drejtësi” në Lushnjë dhe në Vlorë, bandat e Ben Qimes në Fier, banda e Kazazëve në Kavajë, bandat e Taullaut, Dokles, Lul Berishës dhe Hoxhës në Durrës, banda e Spahinjve në Bulqizë banda e Suel Çelës në Elbasan etj.
I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë. Ai jo rastësisht u lirua pak para zgjedhjeve, por si garanci për të punuar në krah të Edi Ramës në Pukë me të cilët është parë dhe në ambiente publike. Si shpërblim Arben Frroku mori të drejtën për t’u larguar jashtë vendit vetëm pak ditë para se ai të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit.

Kandidatët e opozitës u kërcënuan

Kandidatët e opozitës u kërcënuan që nga mbyllja e bizneseve, dhunimi i të afërmve e deri me jetë në mënyrë që të tërhiqeshin nga gara. Raste të bëra publike janë ato të kandidatit të Partisë Demokratike në Pogradec që u kërcënua me jetë përmes një mesazhi, kandidatit në Pukë që u kërcënua në ambientet publike, kandidatit të Kamzës ku në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri, kandidatit të Vaut të Dejës ku një punonjës policie qëlloi në drejtim të vëllait të tij. Kandidatit të Cërrikut të dy nipërit, të cilit u goditën barbarisht në sulme të veçuara dhe kandidatit të Vorës, ku e gjithë makineria shtetërore u investua për ta shantazhuar. Ka patur madje dhe raste kërcënimesh me jetë ndaj kandidatëve për Këshillin Bashkiak si në Delvinë, arkitektit Pandi Zhonga. Në Malësi të Madhe deputeti Sterkaj, nxori armën, gjatë procesit të numërimit të votave më 21 qershor, brenda Qendrës së Numërimit të Votave të KZAZ-së Nr. 1.
Kërcënime që shoqëroheshin nga presioni permanent i grupeve të individëve që lëviznin me makina pa targa, me xhama të zinj e të armatosur siç është raportuar gjerësisht në Krujë, Vorë, Bulqizë, Pukë, Cërrik. Në Fushë-Krujë u vendos dhe eksploziv pranë një zyre elektorale të kandidatit tonë metra larg komisariatit të policisë.
Vëllai i kandidatit të mazhorancës në Bashkinë e Selenicës njëkohësisht shef Komisariati në Shkodër i vuri pistoletën e shërbimit në kokë anëtarit të KZAZ-së së PD-së, duke i thënë: “Do të të jap një plumb në kokë”. Shefi i Komisariatit Nr. 6 të Policisë së Tiranës, shefi i Policisë Vorë dhe inspektorë të policisë u fotografuan në aktivitete elektorale në shoqëri të individëve me precedentë penalë dhe njëherësh kanë ushtruar presion ndaj anëtarëve të shtabit elektoral të kandidatit të PD, anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie në Vorë, duke i shoqëruar në mënyrë periodike në komisariat.

Aktivistët e PD u dhunuan
barbarisht në komisariate

Po në Tiranë, aktivistë të Partisë Demokratike, Njësia 8, u shoqëruan në Komisariatin Nr. 4 me qëllimin e vetëm për të përhapur panik ditën e votimit, më 21 qershor.
Shefi i Komisariatit të Policisë Bulqizë u kap duke pasur në makinën e tij kutinë e votimit Nr. 1076 nga fshati Gjuras.
Kryeplaku i fshatit Bërshi dhe anëtar aktiv i Partisë Demokratike në Burrel, zoti Qazim Rexhepi, u kërcënuar nga vëllai i shefit të Policisë Kriminale në Burrel.
Anëtarë të PD në Mallakastër u kërcënuan me armë në kokë nga efektivë të Policisë së Shtetit disa orë para mitingut të kreut të opozitës dhe dy ditë me vonë ku pa asnjë shkak është ndaluar dhe kandidati i opozitës.
Në fshatin Postribë, policia ushtroi dhunë dhe terror në banesat e mbështetësve të Partisë Demokratike. Shoferi i kandidatit të PD në Klos u godit nga shefi i Krimeve të Klosit, Ferdi Kola, njëkohësisht bashkëshorti i kandidates së majtë, Valbona Kola.
Dhunës barbare nuk i kanë shpëtuar dhe anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike, në Sukth u dhunuan të rinjtë e Partisë Demokratike para një tubimi elektoral, në Malësi të Madhe policia ushtroi dhunë ndaj simpatizantëve të PD-së pas takimit elektoral të kryetarit të opozitës, dhunë e cila vazhdoi edhe gjatë procesit në numërimit në këtë njësi ku u godit kreu i PD lokale, si dhe u arrestua një numërues i PD.
Banorët e fshatit Fushë Prezë thonë se, forcat e policisë të shoqëruar nga persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shtëpitë e tyre dhe kanë ushtruar terror për më shumë se gjashtë orë në mënyrë që të mund të bënin dëshmi të rreme se kandidati i opozitës u ka dhënë, “thasë mielli”, praktikë kjo e njohur e LSI-së dhe PS-së. (Siç është ajo shprehja e urtë: “Hajduti thotë, kapeni hajdutin!”).

Votues të opozitës u ndaluan dhe
u terrorizuan ditën e zgjedhjeve

Kemi bërë publike prova dhe fakte që votues të opozitës u ndaluan për të votuar, u terrorizuan dhe rrahën në ditën e zgjedhjeve nga bandat dhe individë me precedentë kriminalë siç është rasti i znj. Mereme Agalliu, bashkëshortja e kryetarit të PD-së për seksionin Nr. 6 në Durrës, që u dhunua barbarisht apo në Elbasan z. Xhevdet Mustafaj, që u kërcënua me jetë së bashku me familjen e tij nga banditët Çela me urdhër të Qazim Sejdinit.
Mosndëshkimi i fenomenit të faktuar të blerjes së votave në tetor 2013, në Korçë dha një garanci të mosndëshkimit për krime të tilla elektorale, duke sjellë një blerje masive të votave në zgjedhjet lokale të 2015-ës.
Si kurrë më parë, në kundërshtim të hapur me ligjin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, të burgosurit janë regjistruar masivisht për të votuar në zgjedhjet lokale, në dhjetëra njësi në mbarë vendin. Vota e detyruar e tyre në favor të kandidatëve të pushtetit ka qenë vendimtare jo në pak nga këto njësi.
Manipulimi i një numri të madh të kartave të identitetit (rreth 2000) në rrethin e Shkodrës është denoncuar nga media e pavarur.
Një tjetër videoregjistrim i bërë publik tregoni se negociatat për të shitur 70 karta identiteti për kandidatin e majtë për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, pra dhënien e kartës së identitetit në këmbim të parave.
Në Durrës, ka prova konkrete të emigrantëve, të cilët nuk ishin fizikisht në Shqipëri më 21 qershor, por kanë votuar. Përveç kësaj, ka raporte se të dhënat e TIMS vazhdojnë të manipulohen në mënyrë që të përputhen me të dhënat e votimit. Ka edhe dëshmi të zgjedhësve që iu është refuzuar e drejta e votës, pasi persona të tjerë kishin votuar më parë me identitetin e tyre.
Në Durrës, brenda më pak se një muaji Vangjush Dako dhe drejtorët e tij regjistruan më shumë se 2,800 votues fiktivë, ndërsa në rrethin e Kavajës, Roshi regjistroi në adresën e Fabrikës së Letrës 595 votues të rinj janë brenda 12 ditëve.

Dëshmi të qytetarëve që shitën votën

Në të gjithë vendin, ka qindra dëshmi të qytetarëve, të cilët pohojnë se shitën votën në këmbim të parave dhe ushqimeve. Komuniteti rom, familje në varfëri ekstreme dhe të papunë kanë qenë në shënjestër të blerjes së votave.
Por, përveç kësaj forme të blerjes së votave, kemi mbledhur gjithashtu qindra raporte të kartave të identitetit të “blera” ose “mbajtur” nga votuesit e mundshëm të opozitës deri në ditën pas zgjedhjeve, për të pamundësuar votimin e tyre.
Janë raportuar më shumë se 500 raste familjesh të kërcënuara me jetë në mënyrë që të dorëzonin kartat e identitetit dhe nëse ky fakt do të bëhej publik në media, ata u kërcënuan se do t’u rrëmbeheshin fëmijët.
Shërbimet e detyrueshme nga entet publike u kushtëzuan për qytetarët me votën për koalicionin qeveritar. Rast flagrant është dhënia e KEMP-it në këmbim të votave në Dibër. Ndërsa në Gramsh, familjet e varfëra janë kërcënuar me ndërprerjen e ndihmës sociale dhe ato më vulnerabël në zonat rurale, me ndërprerjen e energjisë elektrike, nëse nuk votonin për kandidaten socialiste.
Presion i jashtëzakonshëm është ushtruar ndaj punonjësve të administratës. Atyre u është kërkuar të garantonin dhe të faktonin një numër të caktuar votash në këmbim të vendit apo janë kërcënuar se do të pushoheshin nëse merrnin pjesë në votim apo në procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës.
Presion i jashtëzakonshëm është ushtruar ndaj punonjësve të administratës anembanë vendit. Atyre u është kërkuar të garantonin jo vetëm votën e tyre, madje dhe ta fotografonin atë, por dhe të siguronin një numër të caktuar votash në këmbim të vendit të punës.
Nëpunës civilë të djathtë janë kërcënuar se do të pushoheshin, nëse merrnin pjesë në mitingjet tona e në votim, e jo më për të folur për procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës.

Administrata u përdor për
fushatë, mediat u shantazhuan

Godinat, automjetet dhe burimet njerëzore të administratës janë përdorur masivisht për të organizuar ose mbushur mitingjet elektorale të kandidatëve të majtë.
Qindra raste janë denoncuar, kur bizneseve të njohura si të djathta, në Tiranë, në Kukës, në Has në Sukth e në Korçë janë gjobitur, persekutuar dhe madje mbyllur si në Vorë, nga një administratë tërësisht në shërbim të interesave klienteliste elektorale e jo të qytetarëve.
Pamjet shokuese të Qazim Sedinit duke kërcënuar gazetarët janë maja e ajsbergut të kërcënimeve, të fshehta, publike dhe të drejtpërdrejta ndaj medias dhe ndaj gazetarëve. Vetë Kryeministri i vendit ka kërcënuar jo vetëm publikisht dhe në mënyrë të përsëritur kandidatët e opozitës, por edhe ka kërkuar tërheqjen e kandidatëve të pavarur nga gara, duke i kërcënuar se në rast mosbindje do të trajtoheshin siç trajtohen armiqtë.
Në Gjirokastër, fotografja e stafit elektoral të kandidatit tonë është shoqëruar në komisariat, ndërsa në Mat, makina e korrespondentit të “TV Mat”, Enver Doçi, është djegur sipas tij, në vijim të kërcënimeve të vazhduara nga njerëz të lidhur me PS.
Se çfarë ka ndodhur më 21 qershor në Shqipëri e kanë thënë, po e thonë dhe do ta thonë akoma më troç në ditët e ardhshme misionet dhe organizatat ndërkombëtare e kombëtare të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.

Shqetësim ndërkombëtar për zgjedhjet

Raporti i parë i misionit të OSBE/ODIHR-it listoi një numër të madh shkeljesh dhe parregullsish në ditën e votimit, shkelje të cilat, të marra së bashku “minuan besimin e publikut në integritetin e gjithë sistemit”, konkludon me këtë sentencë të rëndë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë.
Në mbështetje të këtij raporti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan: “U bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara dhe parregullsi të tjera”.
Këshilli i Europës deklaroi: “Ne jemi të shqetësuar për raportet që kemi dëgjuar për frikësimin, presionin që u është bërë atyre që punojnë në administratën publike që të votojnë në një mënyrë të caktuar apo për kërcënimet se do të hiqen nga puna. Është një situatë që nuk është dinjitoze për një demokraci të pjekur në rast se, për shembull, mësuesit e shkollave apo zyrtarët e tjerë publikë kanë frikë se do të humbasin punën në rast se nuk mbështesin një kandidat të caktuar, qoftë edhe një person të pavarur. E njëjta gjë edhe për raportet, të cilat na kanë ardhur për blerjen e votave apo abuzimeve për sa i përket ryshfeteve. Kjo është shkatërruese për kredibilitetin e administratës zgjedhore dhe po ashtu dobëson edhe besimin e popullsisë te zgjedhjet”.
Pasi u njoh me raportin e parë të misionit të OSBE/ODIHR, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian u tha mediave se, sikur gjysma e kësaj liste parregullsish të jetë e vërtetë, zgjedhjet janë të falsifikuara.
Brukseli dhe Uashingtoni po përballen papritur me një farsë zgjedhore të re, të padëgjuar në tokën e Europës, e cila ka treguar deri tani vetëm majën e ajsbergut dhe kjo u pa edhe dje në debatin që u zhvillua në Parlamentin Europian për zgjedhjet në Shqipëri, ku parregullsitë e listuara në raportin e parë të OSBE/ODIHR përcaktuan tonin e debatit kritik për këto zgjedhje. Organizatat e pavarura vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve kanë publikuar fakte të tjera domethënëse të dhunimit të Kodit Zgjedhor dhe cenimit të standardeve demokratike të zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta.

Demaskim atyre që njollosën zgjedhjet

Partia Demokratike nga ana e saj është angazhuar fuqishëm, që ditën e zgjedhjeve dhe sidomos pas përfundimit të numërimit të votave, në përgatitjen e dosjes së plotë të dhunimit dhe manipulimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, që do ta bëjë publike, do ta denoncojë e ankimojë rast pas rasti, siç kemi nisur, në organet e drejtësisë, do t’ua verë në dispozicion miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, do të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e tyre, siç po e kërkojmë:
– Për demaskimin dhe dënimin e atyre që ideuan, drejtuan dhe realizuan njollosjen e zgjedhjeve të 21 qershorit në Shqipëri;
– Për rikthimin me çdo kusht të standardit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa të cilat, siç e kemi përsëritur shpesh, nuk ka liri për askënd, nuk ka demokraci për askënd, nuk ka zhvillim ekonomik dhe shoqëror, nuk ia vlen të jetohet.
Ndryshe nga sa premtuan për të vënë standardet mbi rezultatin, Rama-Meta vunë në këto zgjedhje gjithçka mbi standardet.
Mbi garën e ndershme e të barabartë vunë babëzinë e tyre për pushtet të pakufizuar.
Mbi të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur lirisht e në qetësi partinë dhe kandidatin e zemrës vunë interesa të ndyra të një klientele partiake apo kriminale që arritën deri aty sa të merrnin peng të drejtën kushtetuese të mjaft shtetasve për të votuar.
Mbi aspiratën mbarëpopullore për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE vunë aleancën e tyre me botën e krimit dhe korrupsionit, vunë llogaritë e tyre të ulëta dhe meskine.
Rama-Meta shkelën me të dyja këmbët standardet për t’u shpallur fitimtarë në një pseudogarë me rregulla të dhunuara.

Oreksi i shfrenuar mori peng zgjedhjet e lira

Rama-Meta sakrifikuan zgjedhjet, si pasuria më e madhe e qytetarëve, për të konfirmuar e vazhduar politikën e tyre të përkeqësimit dhe varfërisë galopante në vend.
Ata i shndërruan zgjedhjet vendore në pazarin më të pashembullt në Shqipëri dhe në Europë.
Ata e shtrinë në nivele të reja të panjohura pengmarrjen e pushtetit vendor nga krimi dhe malavita.
Ata e sfiduan ashpër dhe brutalisht nismën jetike, kombëtare dhe ndërkombëtare, për dekriminalizimin e pushtetit; ata sfiduan opozitën që e mori këtë nismë dhe SHBA e Europën që e mbështetën fuqishëm deri me thirrje publike të adresuara për të mos votuar kandidatë me rekorde kriminale, kandidimi i të cilëve “është një poshtërim për popullin shqiptar”, siç u shpreh ambasadori amerikan, Donald Lu.
Në bindjen time, ata i kanë bërë një dëm të madh demokracisë dhe vendit dhe ky dëm nuk do të vonojë të dalë në dritë të diellit në gjithë përmasat e veta.
Shqipëria do ta paguajë oreksin e shfrenuar të dyshes për të marrë peng zgjedhjet e lira.
Ka plot që pyesin sot “ku ishit ju”, duke na kujtuar rekordet e mëparshme të Ramës dhe Metës në prishjen e zgjedhjeve dhe urtësinë e popullit se ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron.
E mirëkuptoj pyetjen qoftë kur bëhet me dashamirësi, qoftë kur bëhet pa dashamirësi.
Ne ishim dhe jemi në këtë betejë për zgjedhje të lira e të ndershme me paralajmërimet dhe denoncimet tona frekuente kundër kandidimit të individëve me rekorde kriminale nga kundërshtari ynë.
Ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona konkrete e të vendosura kundër angazhimit të bandave nga kundërshtarët tanë në një operacion elektoral kriminal të përmasave të panjohura në Europë.
Ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona të vazhdueshme kundër blerjes së votës, kundër kërcënimit të zgjedhësve nga Kryeministri dhe lukunia e tij, kundër përdorimit të administratës herë si xhandar, herë si mish për top për interesat e qeverisë.

Në betejën për zgjedhje të lira përkrah SHBA dhe BE-së

Ishim dhe jemi në këtë betejë përkrah SHBA dhe Europës, me mjetet tona demokratike, me ndershmërinë dhe kurajon tonë, me vendomërinë dhe bindjen tonë se vetëm zgjedhjet e lira na çojnë përpara.
“Alternativa” tjetër do të ishte, sipas disa zërave, mospjesëmarrja në zgjedhje. Kundërshtari është investuar me kasandrat e veta për këtë opsion, pra për largimin e demokratëve dhe opozitarëve nga zgjedhjet. Kjo nuk ka qenë, nuk është e nuk do të jetë një opsion i Partisë Demokratike. Sa të ketë pluralizëm në Shqipëri dhe demokraci në botë- dhe do të ketë gjithnjë- Partia Demokratike do të jetë në fushën e betejës. Vetëm në këtë mënyrë dalin në pah në gjithë përmasat e tyre të neveritshme, manipulimet dhe marifetet e kundërshtarit në pushtet, vetëm në këtë mënyrë mbahet gjallë shansi i qytetarëve për të ndryshuar, vetëm në këtë mënyrë shkohet përpara drejt fitores. Kundërshtarin nuk e zgjedhim.
“Alernativa” tjetër, sipas së cilës duhet t’i përgjigjemi kundërshtarit me të njëjtën monedhë, pra kriminelë ai, kriminelë dhe ne, blerje votash ai, blerje votash dhe ne, armët e zjarrit në brez ai, armët e zjarrit në brez edhe njerëzit tanë, nuk meriton as të zihet në gojë. Ne jemi demokratë, pjesë e Partisë Popullore Europiane. Në sistemin tonë të vlerave dija, integriteti, ndershmëria dhe pozitivizmi janë cilësitë bazë të njerëzve që propozojmë për të drejtuar e përfaqësuar në çdo nivel të pushtetit. Dekriminalizimi për ne është një mision jetik për vendin, demokracinë, imazhin e vendit, familjen, edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Kemi bindjen e plotë se qytetarët e lirë na kanë mbështetur e do ta na mbështesin pa rezerva në këtë mision.
Ne e dimë e duhet ta dimë: Dyshja Rama-Meta dhe bandat që u angazhuan në këto zgjedhje prisnin një rezultat tjetër, prisnin, pse jo, zvogëlimin deri në zhdukje të PD-së dhe qendrës së djathtë, që është ëndrra e tyre e vjetër, ashtu siç kishte paralajmëruar kreu i ekzekutivit, Edi Rama, kur deklaronte lart e poshtë se të djathtën e vërtetë e kishte në koalicionin e tij!

PD dhe opozita rritje në këto zgjedhje

Por pavarësisht skemës kriminale për t’i marrë frymën opozitës, pavarësisht manipulimeve, blerjes së votave dhe marifeteve që do të jenë objekt i betejës sonë të re juridike dhe politike, Partia Demokratike dhe opozita u rrit në këto zgjedhje.
Vota për kandidatët tanë merr realisht një vlerë të shtuar në kushtet e presionit të madh, bombardimit të pandalshëm me propagandë dhe rrethimit të egër ku e vuri pushteti. Njëqind e njëzet mijë votat për Halim Kosovën në Tiranë, për të marrë vetëm një shembull, janë vërtet të arta në këtë aspekt. Besoj se për këtë arsye, ambasadori i SHBA në Tiranë, zoti Lu, i drejtoi një letër shumë domethënëse Halim Kosovës, duke promovuar pozitivizmin dhe ndershmërinë e tij në garë, një kontrast si nata me ditën me politikanët e korruptuar dhe kriminelë që janë përfshirë në blerje vote, manipulim dhe shantazhim të institucioneve demokratike. Unë gjej rastin ta falënderoj nga zemra ambasadorin Lu. Vlerat e Halim Kosovës janë vlerat tona referuese për sot dhe për nesër. Promovimi i këtyre vlerave na frymëzon dhe na mbush me besim se në dy vitet e mbetura të legjislaturës rritja jonë do të dyfishohet, ndërsa rënia e kundështarëve tanë do të futet në ritmin e konsumimit të përshpejtuar.
Vetëm Edi Rama gëzohet dhe englendiset me një fitore të damkosur nga vjedhjet dhe manipulimet, që as ia ka njohur, as ka për t’ia njohur si të ndershme asnjë institucion dhe vend mik.
Vetëm Edi Rama guxon të festojë pazarin dhe ankandin e zgjedhjeve nën qeverisjen e tij, një njollë turpi që vendit do t’i duhet kohë dhe punë për ta hequr.

Reformë Zgjedhore për shpëtuar votën e lirë

Zgjedhjet, të nderuar deputetë, ishin një problem qëkurse kjo dyshe futi në sistem blerjen e votës. Por sot, në dritën e manipulimeve të mëdha të evidentuara edhe nga ndërkombëtarët, zgjedhjet kanë dalë në pahun e kohës si problemi më madhor që ka vendi.
Përballja me këtë problem, duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë, është beteja jonë e re. Është detyra jonë e dorës së parë të punojmë:
– Për të nxjerrë në dritë të plotë të vërtetën e këtyre zgjedhjeve.
– Për ta ndarë këtë të vërtetë ashtu siç është, me opinionin publik e partnerët ndërkombëtarë.
– Për të konceptuar një reformë zgjedhore që do të mundësojnë e garantojë shpëtimin e votës dhe zgjedhjeve nga pabarazia, blerja, vjedhja, tjetërsimi e tjerë dhe që do të garantojë përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në qeverisjen vendore dhe atë qendrore.
U zgjata në çështjen e mësipërme sepse kjo është jetike për demokracinë, për Shqipërinë, jo vetëm për Partinë Demokratike.
Nuk mund të kemi pluralizëm dhe demokraci falso. Nuk mund të kemi zhvillim, përparim dhe integrim në Europës pa zgjedhje të lira. Nuk mund të ketë liri, nuk mund të ketë shtet, nuk mund të ketë qeveri dhe qeverisje legjitime pa zgjedhje të lira. Zgjedhjet e lira e të ndershme dolën edhe një herë në pahun e kohës që jetojmë si çështja më madhore e gjithë shqiptarëve, e Partisë Demokratike dhe opozitës.
E them me bindje. Por as e mendoj, as e them si alibi.
Unë e di se në të gjithë, me mendje dhe me zemër, kemi pritur dhe dëshiruar një rezultat ndryshe, një rezultat më të mirë nga ky që morëm.

Një detyrë e madhe për të reflektuar

Dua t’u shpreh sërish mirënjohjen tim më të thellë të gjithë atyre që besuan tek Partia Demokratike dhe opozita, që besuan te unë, që besuan tek kandidatët tanë dhe na votuan. Ky besim merr një vlerë të shumëfishtë përballë makinerisë së presionit, joshjes, parave, dhunës dhe kërcënimit me të cilën u përballën votuesit tanë. Por ata i sfiduan të gjitha këto, qëndruan për të votuar Partinë Demokratike.
Ky është një mesazh i madh force dhe frymëzimi për të gjithë ne. Sikurse është një detyrë e madhe për të reflektuar. Unë dhe gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një përgjegjësi të madhe për të analizuar në thellësi rezultatin e këtyre zgjedhjeve kuti për kuti, bashki për bashki. Për të parë më shumë nga vetja jonë, të gatshëm të njohim dhe pranojmë defektet dhe të metat tona, pasi kështu do të bëhemi më të fortë.
Vota e atyre që na besuan do të përbëjë bazën e ringritjes tonë. Do të analizojmë fitoret për t’i patur si shembull, do të analizojmë humbjet për të nxjerrë mësime me qëllim për të dhënë më shumë, për të qenë në lartësinë e këtij besimi dhe pritshmërie, që të ngrihemi, të forcohemi, të përgatitemi shumë më mirë për betejën e radhës, të hedhim hapin vendimtar të fitores.
Kemi kaluar dy vite të vështira ku mbi të gjitha na është dashur të mbijetojmë dhe të rezistojmë përballë dhunës, agresionit, sulmeve dhe presioneve që synonin deri eliminimin e opozitës politike. Vota e 21 qershorit është dëshmia më e qartë që ne ia dolëm të qëndrojmë e të ngrihemi.

Këtë vjeshtë, takime qytet më qytet e fshat më fshat

Por për të arritur fitoren që të gjithë duam duhet të ringrihemi mbi këtë besim dhe këtë forcë. Bashkim, ribashkim, hapje, për të ftuar e bashkëpunuar me këdo dhe me të gjithë ata që pranojnë të ndajnë opozitën me ne dhe jo interesin.
Një hapje shumë më e madhe dhe një bashkëpunim më i ngushtë me shoqërinë civile, me botën intelektuale e akademike; një intensifikim shumë më i madh i komunikimit me qytetarët për të kompletuar pa humbur kohë programin më konkret dhe më të detajuar të zhvillimit që ndonjë opozitë ka patur ndonjëherë.
Shqipëria duhet të na shohë që këtë vjeshtë, qytet më qytet e fshat më fshat, duke komunikuar me njerëzit për problemet e tyre dhe alternativën tonë.
Në historinë e saj PD ka patur momente të vështira dhe shumë të vështira. Këta që fërkojnë duart sot i kanë fërkuar dhe atëherë, duke menduar se e zhdukën, e blenë dhe kësisoj do të mund të mbretëronin të qetë. PD as nuk zhduket, as nuk blihet. Ajo ka ditur të ringrihet dhe të fitojë në momente të tilla sfidash për të mirën e Shqipërisë. Unë ju premtoj se do të punoj me mish e me shpirt për të arritur këtë dhe nuk do ta tradhtoj besimin tuaj.
Sfida e sotme është instalimi i një qeverie oligarkike në aleancë me botën e errët të krimit. Rama-Meta bërtasin për fitore, por nuk u shndrit gëzimi. Janë kapur duke prishur dhe kapur zgjedhjet. Kanë krijuar krisje me partnerët tanë strategjikë me ngulmimin e tyre për të kandiduar individë me rekorde kriminale. Kanë pritur e shërbyer me çdo mjet shkatërrimin e opozitës, por panë rritjen e saj. Ndaj janë të dëshpëruar e të helmuar.
Ka lindur një vetëdije e re popullore kundër mashtrimit dhe krimit në pushtet. Kjo vetëdije është busulla, është e nesërmja e vendit. Jam i bindur për këtë. Por jam edhe më i vendosur se kurrë, bashkë me ju, bashkë me demokratët, bashkë me opozitarët, bashkë me gjithë qytetarët e lirë të këtij vendi, të udhëheqim këtë zgjim të madh kombëtar aspiratave popullore për zgjedhje demokratike, për një qeverisje të pastër e të përgjegjshme.(Fjalimi i kreut te demokrateve ne takimin me Grupin Parlamentar)

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: e krimit elektoral, Lulzim Basha, zbardh dosjen

JOZI,Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e Lulzim Bashes

June 28, 2015 by dgreca

*Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote,Voltana Ademit , atëherit po, i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit./
*JOZEFINA, Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij…/
Ne Foto:Voltana Ademi, fituesja e Shkodres/
Opinion nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Jozi, edhe kësaj here, pothuaj nga gjithkush e gjithkund, paradihej se në Shkodër do të fitonte për të shtatën herë PD. Veç dy gjana nuk diheshin kaq fort: fitorja e Voltana Ademit me pesë shifra dhe vetmburrja e jote bio-politike me frymë ezopike e imazh prej hijene, tue nxjerrë brirët e djallit nga kulisat e politikës së kaherit e të ditës. Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote atëherit po i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit.
 Ju si politikane kariere keni pasë fat që keni lind e jeni rritë në Shkodrën e demokracisë, po çfatkeqësi kena ne të tjerët me t’i ndie deri në masmedia orakull e profeci politike tuajat si një veterane e demokracisë. Ndërkohë, mendoj se duhet t’i leni brezin e ri të kontribuojnë jo vetëm me idealizëm në fushata, por edhe në drejtimin vizionar të PD… 
Ju, Jozi (Zhozi) ato mend që kishit në politikë dhe për politikën i dhatë deri në kulmime si nënkryetare e PD e nënkryetare e mbasandejna kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ato që të kanë mbetë mbaji ma fort për veten tande për me i shpreh në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyren e duhur. 
E, përndryshe: mbaje veten burrneshë!
 2.Jozi, sa mirë të kanë urue deri në pasmesnatë të rinj e të reja të Shkodrës të demokracisë e të qytetërimit antik e modern, po qysh nuk gjete një fjalë, nuk pate pak kohë, me i gjend nga afër apo larg në krah fushate Grida Dumes në Durrës. Se mos ishin shumë. Dy kandidate, në këto dy bashki të mëdha: njana në Shkodër e tjetra në Durrës.
 3.Sivjet, në Vendoret 2015, PD në opozitë, mori 14.310 vota ma pak se në Vendoret 2011 kur PD ishte fuqishëm në pushtet dhe asokohe kur Basha u zgjodh kryebashkiak i metropolit shqiptar – Tiranës.
 Në vitin 2015, krahasue me Vendoret 2007, PD mori 44.935 vota ma shumë. Një përllogaritje e shpejt: mbi tre herë ma shumë vota se në Vendoret 2011. Nuk janë pak, tue ditur se kësokohe PD ishte në kulmin e forcave e energjive të veta në shekullin e ri, XXI.
Pra, nuk është nevoja të ballafaqohemi me vitin pluralist 1991, kur kemi shembuj krahasues ma të afërt: më 2007 e më 2011.
 4.Jozi, pa shkue në vitin 1991 ndalu pak në Vendoret 1996 kur PD në pushtet  mori 741.682 vota gjithsej. Një lartësi elektorale. Pikërisht në këtë vit ju u zgjodhët deputete e PD në rrethin e Shkodrës. Menjëherë, më 1997, u zgjodhët dhe nënkryetare e PD e, njëherash, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. 
 Në Zgjedhjet Vendore 2011 PD mori 330.950 vota gjithsejt. Në 15 vite u përgjysmue vota e PD. Një rënie e thellë. E pazakontë. E papërseritshme.
Kjo më përnget me atë historinë e “e plakës në mulli”, e cila “i poqi tre kuleçë në hi”.
 Ju, Jozi, ishit përseri nënkryetare e PD e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndaj kjo rënie ishte e mbetet dhe përgjegjësi e juaja. Sikurse dhe e nënkryetarit tjetër: Topit bajekeq ndaj partisë së tij. Sikurse dhe e  Bodes si sekretar i Përgjithshëm i PD.
 Kjo përgjegjësi elektorale mbetet edhe e kësaj treshes tuaj në krye të PD, sepse i mbajtët këto poste në opozitë e pozitë, në mbi 10-15 vite. Thue se ishit Angela Merkel apo Helmut Kohl?! 
 Si thoni ju, Jozi: a mundej Lulzim Basha ta ringrinte në fitore Partinë Demokratike në harkun kohor të dy viteve të zgjedhjes së tij kryetar i ri i PD?! Ai arriti mjaft: nuk e thelloi humbjen e vitit 2011, pasi sivjet, në Vendoret 2015, PD nuk ra nën 300 mijë votues. 
 Sigurisht, këto Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.
Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij.
 5.
Jozi, të flasësh për fitore të PD e të Djathtës në Shkodër është si të thuash se dallandyshet, lulet…njoftojnë stinën e pranverës. 
 
Kjo për faktin e njohur: ndër të gjitha bashkitë e mëdha në qendra të 12 qarqeve të Shqipërisë (sipas një studimi politolog të Afrim Krasniqit) Shkodra është e vetmja që ka fituar shtatë herë në elektoriadat lokale. 
Ndryshe ka ndodh në qendrat e qarqeve të tjera. PD ka fituar vetëm tre herë në Tiranë (pas një dekade me humbje fitoi dhe Basha 2011-2015), nga tre herë në Elbasan e në Korçë,nga dy herë në Durrës e në Vlorë, etj. 
Vërtet Shkodra është një shembull i veçantë në Shqipëri, model për PD, po nuk është i vetëm. Nuk mbetet i vetmi. PD ka fituar dhe në Kamëz (bashkia e katërt në vend), në Lezhë e në Vorë, në Pogradec e në Kukës, në Përmet e Mat, në Tropojë e Selenicë, etj. 
 
Ju, Jozi, në disa mandate ish nënkryetare e PD, ish nënkryetare e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si e deleguar (ngarkuar) e përhershme e PD në Shkodër e Qarkun e saj, nuk mund të flitni vetëm për fitoren në bashkinë e re të qytetit të Shkodres me dhjetë ish-komuna përrreth, po dhe për fitoren e PD (kryebashkiak e këshill bashkiak) në Vaun e Dejës. Sado pak mund të ndjeni përgjegjësi dhe për humbjen e PD në bashkitë e reja Pukë, Malësi e Madhe e Fushë-Arrëz. 
 
Në përmbyllje, fitorja meritore e madhore e Shkodrës, si për kryebashkiak e për këshill bashkiak, si gjithçka tjetër, i përket vet Shkodrës, vet Demokracisë Shqiptare.
Kjo fitore e mirëpritur e dinjitare nuk ka sepse të pronësohet dhe as të fronëzohet nga askush. Aq ma tepër të hyjnizohet. Aq ma keq me këtë fitore të shtantazhohet politikisht brenda në parti apo në opinionin publik shqiptar.
 
 Natyrisht, kjo nuk duhet të ndodhin as nga ju, Jozi me kontribute e atribute në demokracine shqiptare. E themi këtë, pasi akte e veprime të tilla Jozi të çojnë drejt asaj që t’i ngjasësh një grifshe politike…
 
 
 
Ramiz LUSHAJ
 
 
Tiranë, 28 qershor 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Jozefia Topalli, Ramiz Lushaj, shkodra, zgjedhjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 647
  • 648
  • 649
  • 650
  • 651
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT