Nga Fahri XHARRA/
Kur filloi rindërtimi i Kosovës ,filloi edhe koha e matrapazëve tanë dhe e disave ndërkombëtar, filloi nuhatja se duhet bërë diçka speciale për Kosovë. I huaji të vrojton,të analizon dhe të peshon. Të peshon se sa i rëndë je në vendin tend.”Matjet” iu treguan se na jemi të lehtë. Jemi të lehtë aq sa për ne nuk iu duhet një matematikë e lartë për të arritur qëllimet e tyre. Matrapazet tanë e filluan pruarjen e çdo gjëje të re e bërë special për Kosovë,duke filluar nga hekuri radioktiv për ndërtim,tullat radioaktive e deri te mishi i dalur afati dhe çdo gjëje të tillë ushqimore,barërave të dalura afati të ripaketuara.
”Mos u kreno me pasurinë tënde që e ke sot, sepse, nesër mund të bëhesh lypsar! Mos u kreno me pasurinë tënde sot, sepse, edhe ti vetë e di se nuk e ke fituar me djersë, nuk e meriton, është djersë e huaja, e popullit! Mos e largo nga mendja se shpejt mund të vijë çasti kur ti duhesh të dalësh para gjyqit të popullit, dhe me drejtësi, publikisht, ti duhet t’ia kthesh shtetit (popullit) atë pasuri që e ke sot, sepse, mos shpreso se populli është aq budalla e s’e di se asgjë s’pikon nga qielli! Beso njëherë në jetën tënde: Dikush jep e puno, dikush ha e pi e rri e kurrë mos puno, mos prodho, mos mbill, mos korr, dhe,hop, bie në gjumë fukara, zgjohet miliarder! ( R.G ) Me jetue shqip ? Ata ( Europa )na vrojtojnë. Lënja e Kosovës jasht standardeve që janë përcaktuar për të tjerët nuk është e rastit. Ajo është shumë mire e studjuar dhe e analizuar . përkundër asaj që edhe na dujet të jemi pjesë e familjës evropiane,na duhet t`a bëjmë veten për Evropë.,t`a sajojmë Kosovën tonë Evropiane para se të hyejmë në Evropë. Rrugë tjetër nuk ka.
Neve na kanë njohur,dhe tani edhe më tepër na njohin aq imtësisht që nga bjeshkët e lëndinat gjer te qytetet e fshatrat më të humbura,i njohin ngjarjet tona,prirjet tona,rrymat e klanet tona politike e mafioze,prirjet tona fetare, dyert e mëdha dhe grindjet në mes tyre. Një popull për t`u dashur apo urrejtur duhet pasur njohuri të përkryer për te. E këtë Evropa e ka për ne.
“S’ËSHTË TRAGJEDI TË VDESËSH, E TMERRSHME TË JETOSH ME MARRE!- e thot Rizai .
Po na çfaqën aleatet shumë të forte të qeverisë sonë të cilët e duan Kosovën sa më pak evropiane. Duhet t`a dijmë se me qasjen tonë joevropiane ndaj krimit të organizuar,nipërimit ,lehtësimit në qasje,paprekshmërisë së individëve,korrupcionit ,animit kah lindja,Kosova do të jetë përherë e më e dobët dhe më e pa dashur për Evropën.Evropa është duke na thënë diçka që ne nuk po e kuptojmë apo nuk duam ta kuptojmë. Por ajo s`po na e thot troq.
Një teori e përgatitur speciale për Kosovë që të thahet me pëndim loti i atyre që e derdhën për ne. Nje terren i përgatitur për të qenë të urrejtur , dhe për pendimin e asaj ,ku “ Instikti i së mirës i mblodhi të gjithë rreth një populli të pambrojtur,çdo gjë u bë Special për Kosovë.Edhe vaji i fëmiut kanadez ,atij japonez ,evropian e amerikan, si dhimbje për vuajtjet e moshatarëve të tyre në Kosovë,i mbushi sytë me lot të prindërve të tyre,të gjithë me një dëshirë: Të bëjmë diçka speciale dhe u bë speciale për Kosovë. ”
Me punën e veprimet tona të deritanishme do të përfundojmë si e thot një dashamirë i kombit “ as të mundur e as fitimtar “
Është vështirë me jetue shqip ? “Nuk ka ligj më të fortë se ligji i popullit. Nuk ka shtet pa popull. Populli sheh. Populli dëgjon. Populli duron. Populli veneron. Populli njeh secilin nesh. Kush mund të dëshmojë para Zotit o para botës se populli s’i njeh kush janë kriminelët, kush janë çlirimtarët? Kush janë atdhetarët, kush janë hileqarët? Kush janë shpifësit, shkelësit e bukës, të moralit, të gjakut të dëshmorëve? (R.G)
Derisa Ajnshtajni thoshte se e “ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë nga edukimi që e merr rinia”, ne po e fatkeqësojmë ardhmërinë tonë duke nxjerrë në dritë fëmijë të parapërcaktuar për të qenë skllevër të kafazit të tyre mendor. Prapë jo, nuk e thashë atë që doja ta them.Shpëlarja e trurit, pjesë e botës së civilizuar
Shpëlarja e trurit ka qenë pjesë e botës së civilizuar. Gjithmonë ishin dhe ekzistonin ”opiumet për masën e gjerë”. Njerëzit po duan të punojnë pak e më pak e në të njëjtën kohë janë kërkuar shumë e më shumë para. Prindërit po u besojnë që ata merrnin vetë vendime për jetën e tyre. Mësuesit shpjegojnë sa për të shpjeguar. Studentët luftojnë për diploma më shumë sesa për mësim. Dhe fatkeqësisht nuk keni nevojë të brengoseni, sepse jeni të shpëlarë nga truri. Shpëlarja e trurit ka ekzistuar me mijëra vjet edhe para nesh, por termi ”shpëlarje e trurit” si i tillë u ngurtësua rreth viteve të 50-ta. Na është gjithashtu e njohur si ri-edukim, kontroll i të menduarit, propagandë dhe konvertim. Truri i njeriut është i paragatuar që të pranojë kontrollin e jashtëm. Vrojtoni fëmijët! Shikoni, nëse themi diçka, bashkëbiseduesi rebelohet. Vetëm me anën e sistemit të udhëzimeve dhe dënimeve mësohen fëmijët ”të mësohen” dhe ”të sillen si duhet”. Sikur mos të kishte shpëlarje të trurit, ne do të dilnim lakuriq në rrugë, të lëshonim zëra të çuditshëm, do t’i linim dyert hapur apo do të bëheshim të padurueshëm në publik. Ja pra se si punon shpëlarja e trurit. Programimit mendor i duhen elemente themelore.
Jeto shqip! “E, populli im, interesant, sot, ende beson, i beson besës, por ende populli im i beson edhe të pabesit, shtiesit, mashtruesit, lakmuesit të pushtetit e të partisë së tij mbushur proletarë, duke harruar, populli im, se bilmezët, mashtruesit, të pangopurit, syleshët, sikur e kanë korruptuar edhe Natyrën: sepse, u linden njerëz, u bënë ujqër! Këta tellall të së keqes, të ligështisë, këta fabrikues të vëllavrasjeve, të urrejtjes, të mërisë, të marrës, së paku në emër Zotit, që i fali soj prej njeriu, le të pranojnë, le ta ulin së paku kryet derë ndërmjet këmbëve të tyre, e të besojnë tashmë: S’është fare tragjike të vdesësh, jo, jo, por është tepër e tmerrshme të jetosh me marre!”(R.G))
Po e përfundoj me thënjën e Riza Greiqevcit :“ Mik, siç po shihet e dihet, unë dhe ti jemi larg-larg nga njëri-tjetri. Jo me male e me bjeshkë, por jemi larg njëri-tjetrit krejt me diçka tjetër, e unë do të thosha, për çikërrima: Sepse, unë nuk dua të përçajë e të ndajë, të shajë e të mbush askënd me vaje, të shpërpallëm mashtrues i vetvetes, nuk dua për të gjallë të cokat derë me derë me thesin e lypësisë mbi shpinë, duke bërtitur me zërin e lypsarit të Migjenit: “Ma jep një votë, zotni, pashë perëndi, po me duhet me e nda në dy pjesë vendin dhe popullin tim, me përmbysur sofrën e bukës, vëllazërinë, miq e perëndi të derisotëm! Me i përmbysur malet. Me shembur besën, adetet, zakonet e species të të parëve dardanë. Unë s’e ndaj, s’e përçaj askënd, as me sofër as me fe, as me pasuri, as me shtet o pushtet. Haj, medet, haj, ç’po ndodh me ty, o miku im! Unë them: Keq, tepër keq. Po pse e bërë veten aq burrë ligështan, burrë me huje e huqe, me dalë nga vetvetja jote dhe mos me i ngjanë as hijes tane…..”
KUSH NUK FLET ME EMNA ?!
Nga Fritz RADOVANI/*
■“NË ÇDO METER KATROR – VETËM DOSJE…”
Besoj, ju kujtohet shprehja popullore: “Më ka çue Nana, me la gojën!”…
Me rasën e shumë të përfolunave “hapje dosjesh”, lexoj artikuj e shumë mendime që jepen për këte veprim që asht një “dëshirë” ma shumë se 24 vjeçare e zhvillimeve demokratike në Shqipni. Më kujtohet mirë kur kam kerkue në mbledhjen e zhvillueme në Komitetin Ekz. K.P. të Rrethit Shkodres, në Shtator të vitit 1991 nga z. Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Përsekutuemëve Politik të Shkodres”, dhe mbas pak ditësh, z. Pashko, erdhi në Shkoder dhe komunikoj kerkesen time, që bana në emnin e BSPSh së Shkodres. Me komunikimin e Tij, shoqnohej edhe një porosi: “Kini kujdes në
zgjedhjen e drejtuesit, që të përfaqsohet nga një figure e paster!..”. Për këte figurë kam shkue tek z. Bardh Shiroka, Karlet Luka, ku ishte prezent Dedë Gjomarkaj…dhe mbasi këta nuk u zotuen, kryesisht nga mosbesimi tek e ardhmja, dhe jo nga papestërtia e vet, kemi bisedue me Lin Martinin, për të cilin ishe plotsisht dakord, mbasi kishe edhe një thanje për Te, vite ma parë nga At Pjeter Mëshkalla: “Ndër djelmët shkodranë që kanë vuejtë dënimin në Burrel, Lini asht kenë ma i miri djalë me qendrimin e Tij”. Dhe Lini u zgjodh Kryetar i Shoqatës. Një ditë pa u kujtue askush, mora vesh se Pjeter Arbnori dhe Ali Kazazi, kishin formue një fraksion tjetër me epitetin “shoqata ‘antikomuniste”…
Kështu, si gjithkund, “demokratët”, edhe këtu filluene përçamjen…
Në vitin 1992, PD fitoi zgjedhjet, dhe qeverisja kaloi në drejtimin e saj.
Me zgjedhjen e Filip Guraziut kryetar Bashkije i Shkodres, kam shkue dhe i kam paraqitë edhe një projekt të vizatuem për një Monument të Viktimave të komunizmit në Zallin e Kirit, pikrisht aty, ku janë krye vrasjet ma të shumta. Shoqata bani edhe një njohtim në gazeten “Pishtari” për idenë time në lidhje me Monumentin, dhe mbas pak ditësh u njohtue se nga Amerika kishin dergue “disa” dollarë ndihmë për ndertimin e tij.
Deri sot, me sa dij unë, nuk asht ba asnjë veprim në këte drejtim. E hapa këte temë, mbasi “hapja e Dosjeve” ka me tregue edhe kush i saboton veprimet e Shoqatave të të Persekutuemëve Politik në Shqipni? – Po, si do të merren vesh këta sabotime?
Kryesisht, veprimet antidemokratike, duhet të publikohen me Emna! Autorët që veprojnë ashtu, duhen publikue haptas dhe PA FRIKË, kush nuk do me shkrue haptas të mbyllin gojen dhe të mos gabojnë me shkrue me sigla, ose njeni apo dikush… Ata që do të vazhdojnë me shkrue me “nënkuptime” ase sigla, nuk kanë nevojë fare me ua hapë dosjet, mbasi ua kanë hapë vetes së vet. Shkrimet me sigla kanë autorë të gjithë “ata”, që “i ka çue e ama, me la gojën…”, deri ndër tavolinat e Kuvendit Popullor apo Presidencë, dhe nuk kanë kurajo me thanë haptas: “Ne nuk jemi për këte vend, mbasi na mungon kryesoria, Pastertia e figurës së Shtetasit Shqiptar”! Ka ardhë koha me ua thanë haptas: “Pusho, dhe qerou nga ky vend, se ishe dhe mbetesh agjent i sigurimit të PPSh”!
Hapja e Dosjeve vërtetë asht një pastrim i dëshrueshëm prej shumë vitësh, nga të gjithë ne që endè nuk njohim vrasësit e njerëzve tanë shumë të dashtun, po njëheri asht edhe një qetësi shpirtnore për të gjithë ata që me dekada kanë jetue tue mendue me vete: “Kush ishte gjakbasi i njeriut tim?!”, dhe kjo, asht ma e randsishmja e hapjes së tyne.
Porsa, rifilloi tashti diskutimi i “Hapjes së Dosjeve”, rifilloi njëheri edhe akuza ndaj të burgosunve politik, që kishte bazë imorale shpifjen! Agjentët e vjetër fillojnë me shpifë kundër mjaftë figurave të Nderueme Atdhetare, madje deri tek i pavdekshmi dhe i panjollosuni asnjëherë, Martiri Prof. Arshi Pipa! Edhe ajo shpifje ka bazen e vet, po aty, ku asht “fabrikue” gjithmonë ma e flliquna mënyrë njollosje ndaj Atyne Figurave!
Sot, lexova, z. Kolec Traboini, botoi emnat e nënshkruesëve për pushkatimin e të Ndjerëve Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Hajri Pashaj, me 24 Maji 1973…
Nënshkruesit ishin: “Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslim Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi, Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimiter Shuteriqi,Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.” Asnjë nga këta emna nuk më çuditë. Ishte vendi dhe detyra!
Madje, as edhe ata që do të vijnë ma vonë ndër shkrimet pasuese. Ky dokument u thotë shpifësve haptas dhe “me shkronja të mëdha”, si dikur, “fletë rrufetë”: “Ndaloni pak “vrapin” kur kerkoni me akuzue njerëz të pafajshëm, dhe veshtroni me kujdes se deri ku kishte mërrijtë “pushka dhe thika e pabesë” e agjentave të vjeter dhe të rijë e komunistëve agjenta: “Me nënshkrue me vra njerëz të Pafajshëm” ministri i arësimit Kahreman Ylli dhe, kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipnisë, Dhimiter Shuteriqi… apo do të shohim shpejtë edhe “dr. prof e akademikët”, që nuk asht larg mjerisht ajo kohë, bashkë me publikimin atyne që predikojnë “demokracinë”…
Po kje se, asht thanë se vërtetë do të hapen dosjet, ata duhen hapë pa kushte dhe pa asnjë ndryshim nga e verteta sado e hidhun kjoftë për ata që i kanë sherbye atij vend vllavrasës, torturues, shpifës, hakmarrës, shnjerzor, shnderues, kriminal dhe terrorist!
Betimit të Presidentit dhe Figurave të tjera të Shtetit Shqiptar, duhet ti shtohet se: “Nuk jam kenë as nuk jam agjent i sigurimit shtetit komunist, dhe agjent i huej…etj.” Nëse, mbas Betimit vertetohet e kunderta, ai duhet dënue per tradhëti të naltë!
Unë jam për publikimin e plotë të listave emnore të nëpunësve agjentë, dhe të gjithë atyne që kanë marrë edhe rroga apo dekorata e shperblime për agjenturë, tue fillue nga viti i parë i thëmelimit të Sigurimit Shtetit komunist, 21 Prill 1943, dhe me vazhdue me organet e Ndjekjes, brigadat e pushkatimit, hetuesitë, gjykatat, vrasësit e mësheftë të organeve të PKSh (PPSh), që mëshefeshin nën masken e Frontit Demokratik… dhe, kur të jenë ba të njohun këta bisha, duhet vazhdue me emnat e vitëve pasuese deri në vitin 1992. Atëherë, mund të fillohet me të “dhunuemit” ndër hetuesi apo kampe pune, reparte ushtarake etj…Për të mërrijtë në vazhdimsinë e tyne deri ndër ditët tona, ku nuk duhet të perjashtohen asnjëherë, datlindja, vend lindja, vendpunimi, koha e saktë e shërbimit, dhe vdekja, për mos me krijue analogji tjera me emnat e vërtetë të agjentëve.
Ata përsona që kërkojnë saktësi për shpifsat, vrasësit apo dhunuesit ndaj tyne, duhet me çdo kusht, ti drejtohen Zyres përkatëse të Arshivave dhe dokumentave, që asnjëherë, nuk duhet të jenë në varësinë e institucioneve të njollosuna me ata krime.
Njerzit ma të “pafalshmit” e të mësheftit deri sot, janë hartuesit dhe projektuesit e Dosjeve Konsultative, ku projektohej arrestimi, dënimi dhe përfundimi i Viktimave të Pafajshme, për me ushtrue terrorin që kerkonte ideatori terrorist Enver Hoxha.
Rrugët tjera vetem të çojnë tek thanja popullore: “Më ka çue nana..me la gojën”!
Melbourne, 2014.
* Nga cikli:70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
HAPJA E DOSJEVE, PROBLEM PËR POLITIKANËT JO PËR SHOQËRINË
Nga Besim NDREGJONI/
Çështja e hapjes së dosjeve është një problem madhor, e cila më shumë se si një mjet për vendosjen në vend të një të drejte legjitime atë të “ dënimit” të autorëve të ushtrimit të genocidit, shërben si mjet për presion politik nga forca të ndryshme politike. Odiseja e dosjeve është mjaft e gjatë, një hap konkret u bë vetëm në 1996 me “Komisionin MEZINI”, por që dështoi për faj të politikës e cila për të mbuluar njërën apo tjetrën figurë të politikës, e la në heshtje këtë problem. Duke e parë nga ana morale ky problem është penguar për shkak të të ashtuquajturit reagim negativ social që do të sillte hapja e tyre, e vërteta u përdor më shumë për interesa të klasës politike postkomuniste e cila ka perdorur interesat e saja të pushtetit se sa ballafaqimin me të vërtetat tragjike të një diktature që nuk kishte asgjë të përbashkët me pushtetet komuniste në Europën juglindore, por vazhdonte genocidin mbi kudërshtarët e saj siq ishim ne të përndjekurit politikë shqiptare, që kaluam një kalvar vuatjesh, traumash, përcmimesh, fyrjesh, degradimi sot e pabesushme për shoqërinë apo dhe për miqtë e vendit tonë.
Shqipëria është vendi i vetëm ish-komunist i cili nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga “mbeturinat” e Sigurimit të Shtetit, e të pushtetit diktatorial, të cilat më shumë se kurrë, sot janë më të rrezikshme se kurrë. Do të ishte më mirë që hapja e dosjeve të kalonte fillimisht në një rrugë vetdeklarimi për një periudhë të caktuar kohore e pasuar kjo me një dorëheqje nga politika nëse është pjesë e saj, duke sqaruar kushtet që e detyruan për tu bërë pjesë e makinës së genocidit, rolin përkatës dhe më pas të bëhej deklarimi publik i atyre që e dyfishojnë fajin ndaj popullit shqiptar me anë të heshtjes. Pra problemi kryesor në Shqipëri nuk qëndron tek mungesa e dëshirës për ti hapur, por tek fakti se për çfarë funksioni shërben kjo hapje.
Politika i mëshon me forcë hapjes së dosjeve për bashkëpunërorët, por asnjëherë në këto 24 vjet nuk është marrë në shqyrtim seriozisht fakti se:
Kush ishin përgjegjësit kryesor të zbatimit të skemës enveriste-staliniste e ngritjes të një pushteti diktatorial komunist, që vendet e lindjes europiane e kishin denuar që në vitin 1956.
Kush ishin ata që me zellin e madh e praktikuan këtë skemë të veçantë në llojin e vet.
Kush ishin ata që injorancën e tyre e vunë në zbatim të eleminimit të klasës së intelektualëve, duke patur si postulat shprehjen “ Armik i Popullit dhe i Partisë”.
Përpara se të kërkohet hapja mekanike e dosjeve të bashkëpunëtorëve duhen hapur njëherë dosja e asaj ideologjie që u injektua tek këta bashkëpunëtorë, të bëhet një analizë e të gjithë përmbajtjes së saj për të arritur në një përfundim produktiv të shkakut dhe pasojës. Vetëm duke bërë një analizë të lidhjes shkak-pasojë në rrugë profesionale dhe nga njerëz që do e realizojnë atë me objektivitet larg pasioneve dhe subjektivitetit do arrihet që të krijohet një tablo e qartë se çfarë do të kërkohet të arrihet nga hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve. Fillimi duhet të jetë hapja e dosjeve të puntorëve të “sigurimit”.
Asnjehere deri më sot nuk janë analizuar shkaqet që çuan në hartimin e skemës se komunizmit diktatorial shqiptar si një lloji të veçantë. Analiza ka ngelur vetëm në stadin e hipotezave apo dyshimeve të shpërndara të cilat rrallëherë kanë një lidhje kronologjike dhe logjike të ngjarjeve gjë e cila ka ngritur një tymnajë mbi opinionin publik, i cili një ditë lexon një dokument ku X evidentohet si komunist, apo nacionalist i orëve të para, kurse të nesërmen shfaqet në kahun e kundërt. Kjo është një tymnajë ideologjike e demagogjike që përdoret me fortë se kurrë nga politika aktuale shqiptare e cila si pjellë e atij regjimi e përdor këtë ideologji për pushtet dhe jo për të i shërbyer të vërtetës dhe demokracisë për të cilën ka nevojë shoqëria jonë. Studime jo të plota tregojnë; se çdo tre ditë një shqiptar ekzekutohej me ose pa gjyqe për motive politike. Çdo javë një i burgosur politik vdiste në burg nga torturat. Çdo dy ditë internoheshin tre persona për motive politike.Çdo 2 muaj një i burgosur politik pësonte gjymtime trupore për shkak të keqtrajtimit në hetuesi, burg ose kamp përqëndrimi. Ndërsa 3 milion shqiptar jetonin me frikën e përhershme të persekucionit pa ligje. Lista është e gjatë…Në diktaturë veprohej dhe mbahej në këmbë kjo skemë sundimi: Diktator – Institut Marksist&Leninist – Sigurim i Shtetit. Jo pa qëllim në krye të institutit diktatori kishte bashkëshorten e tij e cila përveç besnikërisë kishte të drejtën dhe të kontrollit të materialeve që prodhoheshin dhe shpërndaheshin nga ky institut. Mijëra leksione udhëzonin sesi të shtypej mendimi i lirë, ekonomia e tregut dhe si të përgatiteshin kuadro për të mbajtur politikisht diktaturën. Nga ky institut do të shpërndaheshin volume të tëra si brenda dhe jashtë vendit literaturë për sofistikimin e mekanizmit të funksionimit të diktaturës.
A u dënua ky institucion i krimit në pluralizmin politik? Jo, me keqardhje konstatojmë se lektorë të këtij instituti janë pjesë përbërëse themelore e politikës njëzetekatërvjeçare pluraliste dhe janë të shpërndarë me funksionet e tyre si në parti politike, diplomaci apo institucione kushtetuese. Strategjia e këtij institucioni synoi dhe realizoi depersonalizimin e individit dhe shkatërrimin e familjeve fisnike që kishin dhënë gjithçka për kombin, por që ishin kundërshtarë të regjimit. Stacionimi i strukturës u përqëndrua në veprime psikologjike, fizike dhe ekonomike. Ambienti ku jetonin dhe punonin këta qytetarë, ushtrohej dhunë psikologjike ndaj intelektit dhe përçmohej personaliteti publikisht, qytetarët kundërshtarë të këtij regjimi pavarësisht nga dija, arsimimi apo qytetaria që kishin ata ishin te detyruar te provonin këto trauma përcmime psikologjike e fizike. Organizoheshin të ashtuquajturat mbledhje popullore në të cilat cdo qytetar kundërshtar, atakohej psikologjikisht, ose do të etiketohej me nofkën armik dhe bashkëpunëtor i imperializmit. Një pjese të mirë të popullësisë do t’i ndalohej dhe votimi.
Në aspektin fizik individi dënohej me punët më të rënda, nuk lejohej që të punonte në bazë të aftësive, reklamohej me etiketën dembel pavarësisht nga aftësitë që kishte. Individët ishin të detyruar që të mos kundërshtonin asnjë dhunë fizike dhe t’i nënshtrohej asaj. Në planin ekonomik, sado aftësi të kishte për të përmirësuar gjendjen ekonomike, individit i konfiskohej pasuria dhe nuk lejohej të zhvillonte mirëqënien. Metoda e depersonalizimit do të ishte bashkëudhëtar i epokës diktatoriale dhe sa përmendëm më sipër këto trauma dhe tortura ishin të përgatitura po nga ai institut. Së bashku me masat që përmendëm më sipër do të përgatiteshin edhe ligje diskriminuese të aprovuara kundër kundërshtarëve politikë.
Policia sekrete e quajtur ‘Sigurimi i Shtetit’ në fillimet e pluralizmit do të deklarohej publikisht sikur u dënua, por strukturat e tij ishin dhe janë ende të pacënuara. Çdo denim në sistemin demokratik bëhet me ligj. Shtojmë se dhe sot ata që kan mbaruar atë shkollë janë deputet në parlamentin aktual.
Kërkesa e shoqërisë shqiptare insiston në hapjen e dosjeve për të zgjedhur politikanë të pastër moralisht dhe politikisht, por kjo gjë tek ne nuk ndodh. Komunistizimi enverist nuk e lejon, e anashkalon këtë problem madhor të pastërtisë së politikanëve. Dhe këtu në mënyrë të fshehtë apo të hapur, u përmenden dosjet atyre që kërkojnë dekomunistizimin e politikës aktuale, që të ndërtojmë shtet të së drejtës.
Pa u dënuar strukturat e ‘Sigurimit të Shtetit’ “Institutit marksist-leninist” Komiteti Qendror i Partisë , dhe të rretheve” që kanë përgatitur dosjet, nuk mund të shkëputen politikanët nga komunistizimi i tyre ,dhe të hapen dosjet.
Të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë këtij 24 vjeçari nuk u zbatuan për ish të përndjekurit politikë, të cilët luftuan një gjysëm shekulli për to. Politika e komunistizuar luan rolin më negativ në këtë drejtim. Ajo dezinformon komunitetin ndërkombëtar për këtë shtresë që është 1/3 e popullësisë dhe i sjell asaj dëme të pallogaritshme në integrimin e shoqërisë. Kjo analizë nuk mund të realizohet me shkrime sporadike gazetash apo botime kujtimesh bruto nga “ kaviet e eksperimentit” komunist apo eksperimentuesit të cilët sot shfaqen në shtyp me “lëkurën e qengjit”, por me anë të asaj analize që u përmend më sipër.
Per tu theksuar është se duhet bërë një kategorizim dhe një vleresim real i pozicionit të gjithsecilit, pavaresisht se numri i bashkepuntorëve është i madh dhe kjo do të kërkojë një pune kolosale. Ky proçes do të shërbejë për të krijuar një tablo të plotë se kush u bë pjesë e mekanizmit totalitar, (“se antarët e partisë komuniste ishin pjesa e këtyre strukturave kriminale,”) sepse e ndiente si pjesë të jetës apo për të arritur një qëllim të caktuar dhe kush u bë pjesë e tij, sepse gjate kohës që ai vetë ndodhej nën trysninë e dhunës fizike dhe psikike, shihte qe prindi, motra, vëllai, fëmija apo një i afërm tjetër ndodheshin në një pozitë më të rëndë se ai vetëm se këtij të fundit i kërkohej që të bëhej pjesë e mekanizmit të eksperimentit. “ spiunët në çdo moment janë të dëmshëm, por spiunët e burgut janë më të poshtrit” (Referenca e pregaditur nga krijuesit e dosjeve). Përsa i përket kësaj shprehje ekzistojnë rezerva sepse ka individë që e kanë bërë këtë poshtërsi sepse me të vërtetë kanë qënë të tille, por ka patur edhe nga ata që e kanë nënshkruar “ kontratën e njëanshme të spiunit” me Sigurimin e Shtetit për të mos parë fëmijën apo çdo të afërm duke u torturuar nga xhelatët me veshje moderne, por me teknika mesjetare. Ka me shume se 8 vite që A.K.E. ka aprovuar rezolutën për denimin e krimeve të komunizmit, dhe Shqiperia që vuajti ma shumë se cdo shtet tjeter në Europe hesht ndaj denimit të këtyre krimeve monsturoze dhe cnjerzore, ndaj genocidit të shkatrimit të 30% të popullsisë që u masakrua nga këto krime. Megjithse ka dhe një rezolutë të parlamentit shqiptarë të viti 2006 e plurosurn në syrtarët e këtij institucjoni që të denohej krimi komunist si vazhdimi i rezolutës europiane,. Dhe ky Kryeministër e kjo mazhorancë në at kohë opozitë nuk e votuan rezolutën e denimit të krimeve të komunizmit. Sot në pushtet pretendon të hapi dosjet. Dosjet hapen kur diktatori, institucjonet e krijimit të dosjeve janë denuar moralisht dhe ligjërishtë, e kur të arrihet kjo nuk do të lejohet ping-pongu i politikës aktuale, hapen apo nuk hapen dosjet. Të shpresojmë…..
Nje Leter nga Amerika per Kryeministrin e Shqiperise per pronen e trasheguar
Shkruan:LORO STAJKA/ Virxhinia /SHBA/
Kryeministrit te Republikes se Shqiperise z. Edi Rama,/
Unë , quhem Loro Stajka, jam një nga ata shqiptarë që diktatura sllavokomuniste më detyroi në vitin 1948 të largohem nga atdheu im. Mbas sa kohe, kam emigruar në SHBA dhe jetoj në Virxhinia të SHBA, por zemër e mendje I kam në Shqipëri dhe më saktë në Shirokë, në vendin tim, në shtëpinë time, aty ku u linda dhe u rrita. Pas vitit 1991 si të gjithë shqiptarët, u gëzova për përmbysjen e bustit të diktatorit, por jam i pezmatuar pasi në fakt demokracia akoma nuk është vendosur, komunistat ia kaluen stafeten njeni tjetrit keshtu qe komunizmi ende nuk asht crrenjosun se ne emnin e demokracise ata po zhvillojne interest e tyre edhe ma shume se sa ne kohen e dsiktatures se mallkuar
Sot jam në moshë të thyer por lavdi Zotit, gëzoj shëndet të plotë. Jetoj mirë e bukur me familjen time në SHBA, por më shqetësojnë problemet e mija që mi kanë shkaktuar qeveritë e Tiranës të pas vitit 1991 e deri më sot nga mos respektimi i të drejtës për të gëzuar pronën e time të trashëguar.
Problemi im me pronat e trashëguara është i ngjashëm me ato të bashkëfshatarëve të mij dhe të gjithë popullit. Anarkia e pronës është një shkelje sistematike që zgjidhet me një qendrim shtrëngues të ndërkombëtarëve, që të detyrojë qeverinë të zbatojë kushtetutën ose me një ligj që të kthejë pronat e grabitura në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe vendimin pilot të Strasburgut. Me sa pasqyronë shtypi Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, praktikisht po përdor termat kompensim, njëlloj siç bëri Sali Berisha. Më shqetëson mendimi:- a e ka dëshirën Kryeministri Edi Rama për ta shpëtuar Shqipërinë nga kjo situatë e anarkisë institucionale sepse nuk janë deklaratat ato që bëjnë shtetin ligjor dhe shtetin e të drejtës.
Këtë radhë për këtë shkrim marr shkas nga një shkrim i zotit Flamur Sulejman Harri,botuar në gazetën Dielli të datës 29 Tetor 2014. Zoti Flamur tregon një realitet të hidhur për të cilin duhet të shqetësohet ministri I Drejtësisë qeveria dhe I gjithë Kuvendi I Shqipërisë. E tillë është situate për shumë pronarë të tjerë dhe askush që I thotë vetes shqiptar, nuk duhet të pajtohet me këtë situatë.
Këshilli I Lartë I Drejtësisë, Ministri I Drejtësisë dhe cilido që është i interesuar të ndihmojë për vendosjen e drejtësisë në drejtësi, e ftoj të analizojë vendimin nr.2723 date 22.11.2007 e Gjykatës së Rrethit Gjyqsore Shkodër E Perbere nga Anita Mici –Gjyqtare, avokati gjoja per te mbrojtur te drejten time Gjovalin Ulndrejaj
Hisrorija;
Ne vitin 1954 shteti komunist me shtetizoi pronen dhe shtepin time ku linda dhe jam rrit, pasi une isha I arratisur dhe konsideroihesha armik.
Prej nvitit 1993 jam perpjekur qe ne perputhje me ligjet te me kthehej prona qe me ishte konfiskuar ne vitin 1954 dhe paraqita dokumentat ne Komisjonin e kethimit dhe Kompesimit te Pronave(KKKP)-Shkoder.Ne ate document sqarohet qarte se sekuestrohet shtepija dhe kufijt e oborrit dhe te kopeshtit.Po ato kufij ka shenuar edhe KKKP e Shkoders ne vendimin e kethimit te prones me 1993,
Ne ate vendim shifen qart pengesat e ndyta ashtu si për shumë pronarë të tjerë, që është një shembull i qartë I gangsterizmit në gjykata dhe në administratë.
Ne vitin 2013 gjykata me vendim ka kethyer kater qosht e nshtepise pa oborrin dhe kopshtin.Une dhe femijt e mij, mund te hyjme ne shtepin tone vetem duke zbrit me litar nga nalt ose helicopter.
I drejtohem publikisht çdo politikani apo analisti me gjak e zemër shqiptar që të analizojë ta mbështesi apo ta rrëzojë shqetësimin tim se sistemi shtetëror në Shqipëri nuk është demokratik dhe se demkracia nuk funksionon. Për sa kohë deputetët e maxhorancës nuk votojnë një ligj, që të përmbledhi pjesën positive të dhjetra ligjeve dhe vendimeve dhe të realizojë kthimin fizik të pronave tek i zoti konform nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, ata i zgjasin jetën mafies dhe anarkisë së pronës, i shtynë shqiptarët të vriten me njëri tjetrin për shkak pronësie, praktikisht i zgjasin jetën sllavokomunizmit, bëjnë një veprimtari antikombëtare duke marrë rrogën e shtetit !
Nga 1991 e deri sot, deputetë të papërgjegjshëm me mentalitetin e tyre kleptokratik ata e kanë konsideruar pronën e konfiskuar nga komunizmi , si pronë në dispozicion të shtetit dhe sulmojnë për poste qeveritare që të pasurohen. Për tu justifikuar para opinionit perendimor dhe vendas kanë miratuar ligje dhe vendime për kompensimin apo për legalizimin. Kompensim dhe legalizime pa tjetër që duhet të ketë, por ato duhet të jenë në përputhje me kushtetutën, ndërsa ligjet aktuale për kompensim janë flluckë sapuni. Kompensim për 200 metro katrore për të lejuar që pronën ta përvetësojë oligarkia politike është mashtrim dhe vjedhje dhe një situatë me e keqe se ajo e diktaturës. Ndërkombëtarët duhet të reagojnë efektivisht ashtu siç reaguan për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike. Po ashtu dhe legalizimin I personave të tretë që kanë pushtuar toka që Shteti duhet ti kthejë tek subjekti I
shpronësuar është në vendim në shkelje flagrante të kushtetutës dhe të kërkesave të Vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.
Kjo dekadencë morale e politikanëve, e ka zhytur popullin në një skllavëri të maskuar me emrin demokraci dhe kjo situatë e anarkisë së pronës është tregues i mbijetesës së sllavokomunizmit që është përshtatur në kushtet e pluralizmit. Perëndimi ndonse ka investuar shumë në Shqipëri, terthorazi I ka ndihmue korrupsionit per shkak te qendrimit nenvleftesues ndaj detyrimit kushtetues te Shtetit per te kthyer fizikisht pronen tek I zoti.
Shpresoj se Ambasadori i SHBA në Tiranë dhe ambassadorët e tjerë nuk do të vazhdojnë ta anashkalojnë këtë situatë të nderë që bie ndesh me parimet e shtetit demokratik.
Me nderime
Loro Stajka
Dhjetor 2014
MUNGESA E GRUPIT TË PDsë NË KUVEND NUK ËSHTË NDIER – AS PRANIA E TIJ NUK DO TË NDIHET
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Le të më lejojë lexuesi që, para se të kem cekur temën e përmendur në titull, të bëj këto paranteza:
1. Në Shqipëri nuk është konsoliduar kultura e opozitarizmit, nuk e ka lejuar kultura e antiopozitarizmit
Kultura e opozitarizmit është një faktor përparimtar që ndikon vendosmërisht në zhvillimin cilësor të demokracisë së një vendi dhe në edukatën demokratike të shoqërisë përkatëse. Kësisoj ajo mbarështrohet (kultivohet) njëherësh nga krejt spektri partiak, nga krejt institucionet dhe nga e gjithë shoqëria.
Në Shqipëri këto 24 vite kemi parë se si një kulturë antiopozitare dhe një frymë antiopozitarizmi e ka karakterizuar përherë e më shumë jetën e partive, jetën e politikës dhe atë të shoqërisë. Partitë pak ose aspak i kanë lejuar zërat e brendshëm të ndryshëm nga ai i udhëheqjes apo i udhëheqësit. Faktorët shoqërorë, mediat e tjerë rrallë i kanë përkrahur ata. Rrallë, pothuaj hiç, kemi parë që projektligje, në fazën e konsultimeve apo miratimeve, të shtyhen për rishqyrtime. Po ashtu, rrallë a hiç, kemi parë që të shtohen nene, të ndryshohen nene, të redaktohen ato gjatë seancave plenare të miratimit të paketave ligjore.
2. Në Shqipëri pozitën dhe opozitën, kryesisht PD-në dhe PS-në i karakterizojnë marrëdhëniet klienteliste
Disa herë që forcat politike kanë kaluar nga pozita në opozitë e anasjelltas, nuk kemi parë që të bëhet opozitë për hir të interesave të elektoratit apo për hir të interesave të gjera të shoqërisë, qoftë edhe me qëllim që opozitat ta zgjerojnë elektoratin e tyre apo ta rimarrin elektoratin e tyre.
Opozitë, në Kuvend apo në rrugë, është bërë në mbrojtje të tenderave, në mbrojtje të figurave kryesore të opozitës përballë kërcënimeve për vënie të tyre përballë drejtësisë, për të mos lejuar që reformat e mundshme të cënojnë interesa biznesi të grupeve të ngushta pranë kreut të partive.
Lëshimet e bëra nga pozita ndaj opozitës kanë ndikuar në përmirësimin e klimës brenda politikës, por nuk kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së përgjithshme të vendit as të sektorëve të ndryshëm të jetës.
3. Opozita në Kuvendin e Shqipërisë është thjesht dekor
Pavarësisht se e zhurmshëm apo e heshtur, statike apo e lëvizshme, opozita në këto 24 vite ka pasur rolin e dekorit. Edhe faktorët perëndimorë kur kanë kërkuar rol të opozitës, e kanë reduktuar kërkesën e tyre vetëm në praninë fizike të opozitës në Kuvend. Bojkotet, si rrjedhim, kanë ndikuar në imazhin e demokracisë, por nuk kanë sjellë ndonjë dëm apo dobi tjetër.
Prej këtu, të cekim tash shkurtimisht shqetësimin e ngritur në titull:
Opozita aktuale, me në krye PD-në, është ndër më të pamotivuarat për të bërë opozitarizëm. Deputetët, kur janë listuar për në Kuvend, nuk janë parashikuar për të pasur një rol të tillë, për të qenë debatues të fortë, për të qenë krijues në idetë dhe vizionet e tyre brenda grupit kuvendor, në komisione apo në sallën e Kuvendit. Ata janë parashikuar si votëmarrës, si të besuar të udhëheqësit, si të shpërblyer për shërbimet e tyre, por jo si opozitarë.
Pjesa dërmuese e deputetëve të PD-së nuk kanë përvojë opozitare, kanë ardhur drejtpërdrejt në karrike ministrash apo zëvendësministrash. Dhe kanë kaluar në opozitë drejtpërdrejt nga këto karrike.
Pothuaj asnjëri prej tyre nuk shikon ndonjë të ardhme në politikë. Interesat e tyre më të ngutshme dhe më të mëdha janë të natyrës së binznesit, të përfitimeve të ngushta.
Gjatë pranisë së grupit të PD-së në Kuvend kemi parë aktivizimin e jashtëzakonshëm të ish kryetarit të partisë, por kjo e ka vënë atë më se në pozitë të vështirë. Kjo vetëm sa e ka nxjerrë më tepër në pah mungesën e figurave të PD-së në Kuvend, sidomos e ka nxjerrë në pah paaftësinë e tyre, mosmotivimin e tyre, mosdëshirën e tyre për të marrë pjesë në debatet. Kjo nuk e ka ndihmuar klimën e Kuvendit, nuk e ka ndihmuar klimën e politikës në përgjithësi as klimën e jetës së vendit në përgjithësi.
Kjo çon natyrshëm, edhe pa pretekste, në daljet nga Kuvendi për të kërkuar hapësirë drejtpërdrejt në publik apo nëpërmjet mediave, sidomos atyre sociale.
Roli i opozitës është për ta vënë në punë me kapacitet sa më të plotë dhe me transparencë sa më të thellë qeverinë. Nëpërmjet pjesëmarrjes së saj, opozita nxit ide në vetë qeverinë dhe në faktorët e shoqërisë. Ajo është dimension kryesor i kreativitetit në politikën dhe në jetën e një vendi apo shoqërie.
Mungesa e opozitës reale, e rolit të saj konstruktiv është burimi më i shpeshtë i krizave politike në shoqëritë demokratike, si rezultat i shterrimit të shpejtë, shterpësimit të parakohshëm të pushtetit. Më shpesh se dobësitë e qeverisë, në zgjedhje të parakohshme apo në situata të pazakonshme kanë çuar dobësitë e opozitës. Këtë e kemi parë edhe pranë nesh, në Evropë.
Ekipet që e bazojnë suksesin e tyre thjesht në prishjen e aksioneve të kundërshtarit, e lënë pa rezultat veten dhe kundërshtarin, ndërkohë e bëjnë edhe publikun të tepërt.
Edhe pse Kuvendi, gjatë sesioneve, mblidhet vetëm të enjteve, ai duket se e mbingarkon shoqërinë psikologjikisht. Edhe sikur mbledhjet do të ishin më të rralla kjo nuk do të ndihej për keq.
Prandaj mendoj se kërkohet një reformim rrënjësor i marrëdhënieve të politikës në Shqipëri.
Unë kam shpresuar se PS-ja e Edi Ramës do të jetë e para që do të heqë dorë nga marrëdhëniet klienteliste me PD-në, duke krijuar ashtu bazat për një politikë vërtet të re në Shqipëri.
Ndoshta është ende herët me heqë dorë nga kjo shpresë, por viti i parë i qeverisjes socialiste nuk ka dhënë shenja domethënëse ndryshimesh cilësore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 695
- 696
- 697
- 698
- 699
- …
- 865
- Next Page »